Zemra e shëndoshë, Zemra e sëmurë dhe Zemra e vdekur
Nga libri: Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit – Igathetu el Lehefan Fi Mesajidi es Shejtan
Autor: Shemsudin Ebu Abdullah Muhamed ibën Kajim el Xheuzije (691-751 H. / 1292-1350)
Përktheu: Bledar Albani
Përderisa zemrat cilësohen me jetë dhe me të kundërtën e saj, në varësi të kësaj ato janë ndarë në tre gjendje zemrash:
- Zemra e shëndoshë
Kjo është zemra e pastër, ku nuk ka për të shpëtuar askush në Ditën e Gjykimit përveç atij i cili shkon tek Allahu me këtë zemër; siç thotë Allahu i Lartësuar: “Atë ditë nuk do të bëjë dobi as pasuria dhe as fëmijët, përveç atij i cili vjen tek Allahu me zemër të pastër (prej shirkut dhe hipokrizisë).” [Es Shuara: 88-89].
Fjala “e pastër” është përdorur në formën sipërore në arabisht, sikur njeriut me zemër të pastër, pastërtia i është bërë atribut i pandarë. Ajo gjithashtu është antonim i zemrës së sëmurë (gjithmonë në arabisht).
Fjalët e njerëzve janë të ndryshme përsa i përket domethënies së zemrës së pastër e të shëndoshë dhe ato mund të përmblidhen me shprehjen: “Ajo është zemra e cila ka shpëtuar dhe është pastruar nga çdo lloj epshi dhe dëshire që kundërshton urdhërin e Allahut dhe ndalesën e Tij, si dhe nga çdo e dyshimtë apo mëdyshje që bie ndesh me njoftimin e Allahut. Ajo zemër është pastruar nga të qenurit në robërinë e dikujt tjetër përveç Allahut si dhe nga të marrurit për gjykues tjetërkënd përveç të Dërguarit të Tij.
Ajo është pastruar me dashurinë për Allahun dhe me të marrurit për gjykues të Dërguarin e Tij, me frikë nga Ai, me shpresë tek Ai, duke iu mbështetur Atij, duke iu kthyer Atij me pendim, duke iu nënshtruar vetëm Atij, duke e paraprirë kënaqësinë e Tij në çdo gjendje dhe duke iu larguar zemërimit të Tij me çdo mënyrë. Kjo është esenca e adhurimit dhe të qenurit rob vetëm i Allahut, dhe kjo nuk i takon veçse Allahut, Një.
Kështu, zemra e pastër është ajo zemër e cila ka shpëtuar nga të pasurit vend për shokvënie Allahut në të, të çdo lloj forme qoftë. Ajo e ka veçuar adhurimin e saj vetëm për Allahun e Lartësuar; me dëshirë, dashuri, mbështetje, dorëzim, nënshtrim, frikë dhe shpresë.
Ajo zemër e bën gjithçka për Hir të Allahut; nëse do, do për Allahun, nëse urren, urren për Allahun, nëse jep, jep për Allahun dhe nëse mban, mban për Allahun.
Por asaj nuk i mjafton kjo pa u pastruar nga të nënshtruarit dhe të marrit për gjykues tjetërkënd përveç të Dërguarit të Allahut.
Ky besimtar e lidh zemrën e tij fort në pasimin dhe marjen për shembull të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe askënd tjetër, qoftë në fjalë apo në vepra; në fjalët e zemrës, të cilat janë bindjet dhe në fjalët e gjuhës, të cilat janë treguese të asaj që ndodhet në zemër.
Punët e zemrës: janë dëshira, dashuria, urrejtja dhe efektet e tyre, po ashtu edhe punët e gjymtyrëve. Dhe për të gjitha këto, të mëdhatë e të imëtat, është gjykues ai me të cilin ka ardhur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Zemra e tij nuk paraprin askë para atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!); as në bindje, as në fjalë dhe as në vepër. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Mos vendosni para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij.” [El Huxhurat: 1]. D.m.th: Mos flisni para se të flasë ai dhe mos veproni deri sa t’iu urdhërojë ai.
Dikush prej selefëve ka thënë: Për çdo vepër sado e vogël qoftë hapet një dosje dhe shkruhet: Përse? Si? D.m.th: Përse e bëre (a e bëre për Hir të Allahut apo jo?) dhe si e bëre (a e bëre në përputhje me sunetin apo jo)?
E para: është pyetje për shkakun e kryerjes së veprës, shtytësin dhe nxitësin e saj; a ka qenë ndonjë fitim i shpejtë prej fitimeve të vepruesit të saj dhe për të arritur ndonjë qëllim të tij në këtë dynja: që ta duan dhe ta lavdërojnë njerëzit, apo nga frika se ata e shajnë. Apo për të arritur diçka që dëshiron në këtë botë apo të largojë ndonjë gjë të urryer.
Apo shtytësi i saj është të ngriturit me hakun e adhurimit dhe kërkimin e mëshirës dhe të afruarit tek Allahu i Lartëmadhëruar.
Pyetja këtu është: A e ke kryer këtë vepër për Zotin tënd, apo për veten tënde dhe dëshirat e tua?
Ndërsa e dyta është pyetje për pasimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në atë adhurim; a ka qenë kjo vepër prej atyre që Unë të kam bërë të ligjshme në gjuhën e të Dërguarit Tim, apo ka qenë një vepër e paligjshme dhe jo në përputhje me Kënaqësinë Time?
E para është pyetje për sinqeritetin, ndërsa e dyta pyetje për pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa të cilat Allahu nuk pranon asnjë vepër.
Rruga e të shpëtuarit nga pyetja e parë: është pastrimi i qëllimit vetëm për Allahun.
Dhe rruga e të shpëtuarit nga pyetja e dytë: është vërtetimi i pasimit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe pastrimi i zemrës nga ndonjë dëshirim i ndryshimit të qëllimit dhe sinqeritetit për Allahun, apo ndonjë dëshirë që kundërshton pasimin e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Kjo është e vërteta e zemrës së shëndoshë për të cilën është garantuar shpëtimi dhe lumturia e përhershme.
- Zemra e vdekur
Lloji i dytë i zemrave është zemra e kundërt me të parën, zemra e vdekur në të cilën nuk ka jetë. Kjo zemër nuk e njeh Zotin e saj, nuk e adhuron Atë ashtu si e ka urdhëruar dhe as nuk e do Atë ashtu si Ai pëlqen. Përkundrazi, ajo është e pushtuar nga epshet, dëfrimet dhe zemërimi i Zotit të saj për shkak të shthurjes së saj. Ajo nuk do t’ia dijë nëse me epshet dhe dëshirat e saj fiton kënaqësinë e Zotit të saj apo zemërimin e Tij. Ajo është rob i tjetërkujt përveç Allahut; në dashuri, frikë, shpresë, kënaqësi, zemërim, madhërim, nënshtrim.
Nëse do diçka apo dikë, ajo e do për hir të epsheve të saj dhe nëse urren, urren për epshet e saj. Nëse jep, jep për epshet e saj e nëse mban, mban dhe nuk jep për hir të epsheve të saj. Epshi i saj është më i privilegjuar dhe më i dhashur se kënaqja e Zotit të saj. Epshi është prijës i saj, dëfrimi komandues i saj, injoranca udhëheqës i saj dhe hutimi anija e saj. Me të menduarit për arritjen e sendeve të kësaj dynjaje ajo është mbytur. Me marramendjen e epsheve dhe dashurinë e kalimtares ajo është dehur. Thirret për tek Allahu dhe banesa e përherhshme nga një vend i largët, por ajo nuk i përgjigjet këshilluesit dhe ndjek çdo djall të pabindur e tiran. Dynjaja është ajo që e mërzit dhe e kënaq atë. Epshi e verbon nga çdo gjë tjetër përveç të kotës dhe të pavërtetës.
Shoqërimi i zotëruesit të kësaj zemre është sëmundje, të jetuarit me të është sëmundje dhe të qëndruarit me të është shkatërrim.
- Zemra e sëmurë
Lloji i tretë i zemrave është ajo zemër në të cilën ka jetë por ka edhe sëmundje. Ajo ka dy lëndë dhe herë e tërheq njëra e herë tjetra, por ajo në të vërtetë është e asaj lënde e cila fiton mbi tjetrën prej atyre të dyjave. Në të ekziston dashuri për Allahun e Madhëruar, besim në të, sinqeritet dhe të mbështetur tek Ai, gjë e cila është edhe lënda e jetës së saj. Por në të ekziston gjithashtu dashuri për epshet, privilegjim i tyre, përpjekje për arritjen e tyre, smirë, mendjemadhësi, vetëkënaqësi, dëshirë për pushtet e prishje në tokë, gjë e cila është lënda e shkatërrimit dhe prishjes së saj.
Kjo zemër është nën ndikimin dhe sprovën e dy thirrësave: thirrësit për tek Allahu, tek i Dërguari i Tij dhe tek Bota Tjetër, dhe thirrësit për në kënaqësitë e kësaj bote kalimtare. Ndërsa zemra i përgjigjet atij i cili e ka derën më pranë saj dhe që është komshi më i afërt me të.
Kështu, zemra e parë është zemër e gjallë, e butë dhe e vetëdijshme. E dyta është zemër e ngurtë dhe e vdekur. Ndërsa zemra e tretë është e sëmurë dhe ajo ose është më pranë shpëtimit dhe pastërtisë, ose më pranë prishjes dhe humbjes.
Allahu i Madhëruar i ka përmendur të treja këto zemra së bashku në Fjalën e Tij: “Nuk kemi dërguar ndonjë të Dërguar apo Lajmëtar para teje dhe ai të shpallte nga Mesazhi apo të fliste nga mendimi i tij, veçse djalli ka hedhur mashtrime në të. Por Allahu dërrmon atë çfarë hedh djalli, pastaj Allahu vendos dhe ngre Mesazhin e Tij. Dhe Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti: Me qëllim që Ai (Allahu) t’a bëjë atë që është hedhur e përzierë në të nga djalli, sprovë për ata, zemrat e të cilëve janë me sëmundje dhe për ata, zemrët e të cilëve janë bërë të ngurta. Por është e sigurtë se të padrejtët janë në përçarje e mosmarrëveshje, tepër larg (nga e vërteta); Dhe me qëllim që ata të cilëve iu është dhuruar dija ta mësojnë se ai (Kurani) është e vërteta nga Zoti yt, që ata të besojnë në të dhe që zemrat e tyre t’i nënshtrohen Atij me përulje. Është mëse e vërtetë se Allahu është Udhëzuesi drejt Rrugës së Drejtë i atyre që besojnë.” [El Haxh: 52-54].
Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar i ka ndarë zemrat në tre lloje: dy prej tyre janë të sprovuara e të prekura, ndërsa e treta është e shpëtuar.
Dy të prekurat janë zemra në të cilën ka sëmundje dhe zemra e ngurtë.
Ndërsa zemra e shpëtuar është zemra e besimtarit të përulur Zotit të tij. Kjo është edhe zemra e qetë dhe e sigurtë, e nënshtruar Zotit të saj, e dorëzuar tek Ai dhe e përulur Atij.
Kjo sepse zemra dhe gjymtyrët e tjera të trupit kërkohen që të jenë të shëndosha e të rregullta, pa defekt në to, me qëllim që të jenë të afta të kryejnë atë për të cilën janë përgatitur dhe krijuar. Ndërsa dalja e tyre nga natyrshmëria e tyre ndodh për shkak të ngurtësimit apo tharjes dhe mosaftësisë së tyre për të kryer ato gjëra për të cilat janë krijuar, si dora e paralizuar, gjuha memece, hunda jonuhatëse, organi gjenital i tredhur apo syri i verbër.
Ose për shkak të ndonjë sëmundjeje dhe defekti në gjymtyrë, gjë e cila pengon kryerjen e funksioneve të tyre në mënyrë të plotë dhe të rregullt.
Për këtë shkak, zemrat janë ndarë në këto tre lloje.
Zemrës së shëndoshë dhe të pastër nuk i duhet për të pranuar të vërtetën, për ta dashur dhe për ta privilegjuar atë, veçse njohja e saj. Dhe vetia e të njohurit tek kjo zemër është e saktë dhe e rregullt. Ajo i nënshtrohet plotësisht të vërtetës dhe e pranon atë.
Ndërsa zemra e vdekur është e ngurtë; nuk e pranon dhe nuk përulet para të vërtetes.
Dhe zemra e sëmurë; nëse atë e mund sëmundja, ajo bashkohet me zemrën e vdekur dhe të ngurtë, e nëse fiton shëndeti, ajo bashkohet me zemrën e pastër e të shëndoshë.
Shprehjet që hedh djalli nëpër veshë dhe dilemat e dyshimet që hedh ai nëpër zemra, janë sprova për këto dy zemra dhe forcë për zemrën e gjallë e të shëndoshë, pasi që kur këto gjëra i ballafaqohen kësaj zemre, ajo i urren ato dhe e di mirë se e vërteta është e kundërta e asaj që hedh djalli. Kështu, kjo zemër përulet para të vërtetës, qetësohet dhe bindet. Ajo e di falsifitetin dhe pavërtetësinë e atyre që hedh djalli, kështu që i shtohet edhe më shumë besimi në të vërtetën dhe dashuria për të, dhe i shtohet mohimi i të pavërtetës dhe urrejtja për të.
Zemra e sëmurë vazhdon të qëndrojë në dyshim dhe dilemë nga ajo që hedh djalli, ndërsa zemra e shëndoshë dhe e pastër nuk dëmtohet kurrë nga ajo që hedh djalli.
Hudhejfe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Fitnet (sprovat) i shfaqen zemrave njëra pas tjetrës ashtu si vijat e hasërit (rrogoz) që mbesin në trup (kur fle mbi të). Cilado zemër që i pranon dhe i thith ato në vete, në të shfaqet një njollë e zezë, ndërsa zemra që i refuzon ato, në të shfaqet një njollë e bardhë. Derisa zemrat të ndahen në dy lloje: zemër të zezë pus si fundi i kusisë (me të cilën valohet uji mbi zjarr) së përmbysur dhe ajo nuk e dallon të mirën dhe as të keqen nuk e konsideron të keqe. Ajo nuk njeh asgjë tjetër përveç asaj që është mbjellë në të. Zemra tjetër është zemra e bardhë, të cilën nuk e dëmton asnjë lloj sprove, sa të jenë qiejt e toka.”[1]
Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka krahasuar shafqjen e sprovave tek zemrat me shfaqjen e vijave të shkaktuara në trup nga të fjeturit mbi hasër (rrogoz), të cilat zmadhohen dalë nga dalë. Pastaj i ndau zemrat pas shfaqjes së sprovave në dy lloje: zemra e cila i pranon dhe i thith sprovat ashtu si thith sfungjeri ujin dhe në të shfaqet një njollë e zezë. Kjo zemër vazhdon të thithë çdo sprovë (dyshim, gjynah) që i shfaqet deri sa të nxihet dhe të përmbyset. Kjo është edhe domethëia e fjalës së tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “si fundi i kusisë së përmbysur”.
Nëse zemra nxihet dhe përmbyset, prej këtyre dy epidemive, asaj i shfaqen dy sëmundje të rrezikshme të cilat e hedhin atë në mjerim e shkatërrim:
Sëmundja e parë: Ngatërrimi i të mirës me të keqen; duke mos dalluar ndërmjet të mirës nga e keqa dhe anasjelltas. Madje ndoshta kjo sëmundje sundon mbi të deri sa të besojë se e mira është e keqe dhe e keqja e mirë, se suneti është bidat dhe bidati sunet, se e vërteta është e pavërtetë dhe e pavërteta e vërtetë.
Sëmundja e dytë: Marrja për gjykues epshin e tij dhe jo atë me të cilën ka ardhur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si dhe të nënshtruarit epshit dhe dëshirave të tij dhe të pasuarit e tyre.
Ndërsa në zemrën e bardhë ka lindur drita e besimit dhe ka ndriçuar kandili i tij. Nëse asaj i shaqen sprovat, ajo i refuzon dhe i kthen mbrapsht ato, duke iu shtuar kështu drita, shkëlqimi dhe forca.
Sprovat të cilat i shfaqen zemrave janë pikërisht shkaqet e sëmundjes së tyre. Ato janë sprovat e epsheve dhe të dyshimeve e dilemave, të arrogancës e humbjes, të gjynaheve e bidateve, të padrejtësisë e injorancës.
E para (sprovat e epsheve dhe dëshirave) ka rezultat prishjen e qëllimit dhe dëshirës, ndërsa e dyta (sprovat e dyshimeve) ka rezultat prishjen e njohjes dhe bindjes.
Sahabet (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i kanë ndarë zemrat në katër lloje, siç është përcjellë lajm i saktë nga Hudhejfe ibën el Jeman se ai ka thënë: “Zemrat janë katër lloje: Zemër e pastruar në të cilën gjendet një kandil ndriçues, dhe kjo është zemra e besimtarit. Zemër e mbyllur me këllëf, dhe kjo është zemra e mosbesimtarit. Zemër e përmbysur, dhe kjo është zemra e hipokritit, i cili njohu pastaj refuzoi, pastaj u verbua. Dhe zemër e përbërë nga dy lëndë; lënda e besimit dhe lënda e hipokrizisë. Kjo zemër i përket asaj që triumfon mbi tjetërn nga ato të dyja.”[2]
Fjala e tij: “zemër e pastruar”, d.m.th. e pastruar nga gjithçka tjetër përveç Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ajo zemër është pastruar dhe ka shpëtuar nga çdo gjë tjetër përveç të vërtetës. “në të cilën gjendet një kandil ndriçues”; ai është kandili i besimit. Me fjalën “e pastruar” ai ka dashur të tregojë të shpëtuarit e saj nga e kota dhe epshet, ndërsa me kandilin në të, ai ka dashur të tregojë lindjen dhe shkëlqimin e saj me dritën e dijes dhe të besimit.
Ndërsa me zemrën e mbuluar, ai ka dashur të tregojë pëer zemrën e mosbesimtarit, pasi që ajo zemër gjendet brenda një mbulese dhe këllëfi, gjë e cila shkakton që asaj të mos i arrijë drita e dijes dhe besimit. Ashtu si ka thënë Allahu i madhëruar kur tregon për çifutët: “Dhe thonë: Zemrat tona janë të mbështjella.” [El Bekare: 88]. D.m.th. brenda këllëfit të tyre.
Ky këllëf është mbështjellja të cilën Allahu e ka vendosur në zemrat e tyre, dënim për ta ngase e kundërshtuan të vërtetën dhe e refuzuan atë me mendjemadhësi. Ky këllëf është mbështjellje për zemrat, shurdhëri për veshët dhe verbëri për sytë. Ajo është perdja e padukshme për sytë e tyre, e cila përmendet në Fjalën e Allahut: “Dhe kur ti (O Muhamed) lexon Kuranin, ne vëmë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në Jetën e Përtejme, perde të padukshme. Ne vumë mbështjellje mbi zemrat e tyre, që të mos e kuptojnë atë (Kuranin), dhe në veshët e tyre shurdhim.” [El Isra: 45-46].
Kur këtyre zemrave u përmendet pastrimi i teuhidit dhe i pasimit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), poseduesit e tyre kthejnë shpinën dhe largohen.
Ndërsa me zemrën e përmbys, ai ka dashur të tregojë zemrën e hipokritit, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ç’është kështu me ju që jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve, ndërsa Allahu i ka kthyer ata mbrapa për shkak të asaj që vepruan duart e dyre.” [En Nisa: 88]. D.m.th: i përmbysi ata dhe i ktheu mbrapa në të kotën e tyre në të cilën ata ndodheshin, si rezultat i veprave dhe punëve të tyre të kota. Këto janë zemrat më të këqia dhe më të prishura, pasi që ato e besojnë të pavërtetën për të vërtetë dhe miqësohen me pasuesit e saj, ndërsa të vërtetën e konsiderojnë të pavërtetë dhe i armiqësojnë pasuesit e saj. E Allahu është Ndihmuesi më i Mirë.
Ndërsa me zemrën në të cilën gjenden dy lëndë, ai ka dashur të tregojë zemrën në të cilën nuk ka dominuar besimi dhe nuk ka ndriçuar kandili i tij, pasi që ajo nuk është pastruar e zhveshur vetëm për të vërtetën me të cilën Allahu ka dërguar të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Por në të, përveç kësaj lënde gjendet edhe lëndë e kundërt me këtë, dhe herë gjendet më pranë mosbesimit se sa besimit, dhe herë më pranë besimit se sa mosbesimit. Ndërsa gjykimi për të është sipas asaj që është dominuese nga këto dy lëndë.
[1] E transmeton Muslimi (144) dhe Ahmedi (5/405).
[2] Hadith i dobët (Daif). E ka konsideruar të atillë shejh Albani në “Es silsiletu es Daife”, me nr. 5161.