SURJA “EL ISRA” – UDHËTIMI I NATËS 

(Surja Nr. 17, Mekase, 111 ajete)


Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. I Lartësuar qoftë Ai që e mori robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (Kabeja) në Xhaminë e Largët (Aksa), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga provat Tona. Me të vërtetë, Ai (Allahu) është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.[1]
  2. Edhe Musait i dhamë Librin dhe e bëmë atë (Teuratin) udhëzues për bijtë e Izraelit (duke u thënë): “Mos merrni mbrojtës tjetër, përveç Meje![2]
  3. O pasardhës të atyre që Ne i mbartëm (në anije) me Nuhun! Me të vërtetë, Ai (Nuhu) ishte një rob mirënjohës.”[3]
  4. Ne u shpallëm bijve të Izraelit në Libër: “Ju do të bëni dy herë prishje në tokë dhe do të tregoni mendjemadhësi të tepërt.”[4]
  5. Kur erdhi premtimi (ndëshkimi) i të parës nga dy prishjet, Ne dërguam kundër jush disa nga robërit Tanë me fuqi të madhe (luftarake), të cilët kërkonin për ju (për tju vrarë) mes shtëpive tuaja. Ky ishte një premtim (ndëshkim) i pakthyeshëm.[5]
  6. Pastaj jua kthyem sërish fitoren kundër tyre, ju përforcuam me pasuri e djem, dhe ju bëmë më të shumtë se ata në numër.[6]
  7. Nëse bëni mirë, e bëni për veten tuaj; e nëse bëni keq, ia bëni po vetes. Dhe kur erdhi premtimi (ndëshkimi) i prishjes së dytë, (Ne i dërguam armiqtë tuaj) për t’jua nxirë fytyrat, për të hyrë në Xhami (Tempullin e Jeruzalemit) ashtu si hynë herën e parë dhe për të shkatërruar plotësisht gjithçka që binte në duart e tyre.[7]

[1] I Lartësuar, i Madhëruar dhe Larg çdo të mete është Allahu, i Plotëfuqishmi për gjithçka që nuk mund ta bëjë askush përveç Tij; Allahu është Ai i Cili e mori robin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) në një pjesë të natës, me trupin dhe shpirtin e tij, duke qenë zgjuar dhe jo në gjumë, duke e mbartur atë mbi kafshën fluturuese Burak, nga Xhamia e Shenjtë e Mekës në Xhaminë e Largët të Aksas, në Palestinë, rrethinat e të cilës Allahu i ka bekuar me tokë pjellore e gjëra të tjera, dhe të cilën e ka bërë më parë vendbanim të shumë prej të dërguarve të Tij; me qëllim që t’i tregonte Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) disa nga provat, mrekullitë dhe habitë e Fuqisë së Tij që tregojnë njëkohësisht Madhështinë e Tij dhe se Ai është Një e i Pashoq, larg asaj që i shoqërojnë idhujtarët. Me të vërtetë, Allahu dëgjon gjithçka dhe sheh gjithçka, dhe Ai dëgjon çfarë thonë idhujtarët për çështjen e Isras nga Meka në Medine, dhe i sheh veprat e tyre, dhe secilit do i japë atë që meriton në këtë botë dhe në botën tjetër. Tregimin e plotë të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me Israin (fluturimin mbi Burak natën nga Meka në Kuds) dhe Miraxhin (ngritja nga Kudsi deri te Pema Sidratul Munteha mbi qiellin e shtatë) e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihat e tyre, si dhe të tjerë.

[2] Ashtu si Allahu e nderoi Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me Isran dhe Miraxhin, po ashtu e kishte nderuar Musain (alejhis selam) më parë me dhënien e Teuratit, të cilin Allahu e bëri udhëzues dhe udhërrëfyes për bijtë e Izraelit, dhe në të cilin atyre u thuhej që të mos merrnin mbrojtës dhe mbështetës apo të adhuruar tjetër përveç Allahut, duke ua besuar atyre çështjet e tyre në vend të Allahut.

[3] O pasardhës të atyre që Ne i shpëtuam në anije bashkë me Nuhun, o njerëz të të gjitha kombeve, mos i bëni ortak Allahut në adhurimin e Tij, por bëhuni mirënjohës dhe falënderues të mirësive dhe begative që Allahu ju ka dhuruar, duke marrë për shembull Nuhun (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili ishte vërtet një rob i Allahut mirënjohës dhe falënderues i Allahut me zemrën, gjuhën dhe gjymtyrët e tij!

[4] Ne i paralajmëruam dhe i treguam bijve të Izraelit në Teurat, se ata do të bëjnë dy herë prishje në tokë, në Kuds dhe rreth tij, duke shkelur urdhrat e Allahut, duke guxuar të bëjnë mendjemadhësi ndaj Allahut dhe njerëzve, dhe të vrasin të dërguarit e Allahut.

[5] Kur erdhi koha e përmbushjes së premtimit të Allahut – që është ndëshkimi i Tij – për shkak të prishjes së parë të bijve të Izraelit, Ne dërguam kundër tyre disa nga robërit tanë (që i ka krijuar Allahu, por që ishin jobesimtarë), që ishin të fortë dhe të shumtë në fuqinë ushtarake, si dhe trima të guximshëm, të cilët hynin dhe kërkonin në mes të shtëpive të bijve të Izraelit për t’i vrarë e për t’i robëruar ata, pa i trembur asgjë. Ky ishte një premtim që do të përmbushej patjetër kundër bijve të Izraelit, sepse ata vepruan gjëra që e bënë të detyrueshëm ndodhjen e tij, dhe Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e Vet. Thuhet se prishja e parë e bijve të Izraelit arriti kulmin kur ata vranë Zekerijan – alejhis selam – dhe se armiku që Allahu dërgoi për t’i ndëshkuar ata ishte Xhaluti dhe ushtria e tij, megjithëse dijetarët kanë disa mendime për këtë, por që janë të një mendimi se armiku i tyre ishte jobesimtar.

[6] Pastaj jua kthyem juve, o bijtë e Izraelit, fitoren dhe epërsinë mbi armiqtë tuaj që ju shkatërruan më parë, e shtuam pasurinë dhe fëmijët tuaj, dhe ju forcuam e ju bëmë më të shumtë në numër se sa armiku juaj. – Kjo ishte për shkak të pendimit të tyre tek Allahu, bindjes ndaj Allahut dhe kryerjes së veprave të mira.

[7] Nëse veproni mirë duke ju bindur Allahut, e bëni për veten tuaj, o bijtë e Izraelit – sepse shpërblimi i të mirës do ju vijë po juve në këtë botë dhe në botën tjetër, ashtu si ju erdhi kur fituat mbi armiqtë tuaj; dhe nëse bëni keq, ndëshkimi i të keqes do të bjerë po mbi ju, ashtu si ju ra kur kundërshtuar urdhrat e Allahut dhe vratë të dërguarin e Tij tek ju. Dhe kur erdhi ndëshkimi i premtuar dhe i paralajmëruar për shkak të prishjes suaj të dytë në tokë, i dërguam përsëri armiqtë tuaj për tjua nxirë fytyrat me turp e pikëllim nga vrasja dhe robërimi që ju bënë, për të hyrë në Tempullin e Jeruzalemit (Bejtul Makdis) që ta shkatërronin atë ashtu si e shkatërruan herën e parë, dhe për të shkatërruar plotësisht gjithçka që binte në duar e tyre. Thuhet se prishja e tyre e dytë arriti kulmin me vrasjen e të dërguarit të Allahut, Jahja (alejhis selam), dhe armiku që u dërgoi Allahu kësaj rradhe ishte Bahtnasr me ushtrinë e tij, i cili vrau dhe robëroi mijëra prej tyre, si dhe shkatërroi Shtëpinë e Shenjtë të Jeruzalemit (Bejtul Makdis). Por historia e kundërshton këtë mundësi, sepse Bahtnasr ka qënë mbi 500 vjet para Jahjas dhe Isait (alejhima selam), përveç nëse ka qënë Adrenali Romak, që pushtoi Jeruzalemin 130 vjet pas Isait (alejhi selam), dhe të cilin hebrenjtë e quanin Bahtnasri i dytë. Por mundet gjithashtu që prishja e dytë në Tokë dhe mendjemadhësia e tepërt e bijve të Izraelit të jetë pikërisht në këtë kohë, kur ata kanë formuar shtetin e tyre me pushtimin e Palestinës, dhe shkatërrimi i tyre e vrasja e fëmijëve, grave dhe civilëve ka arritur masë të paparë (tetor-nëntor 2023); Kështu që po presim premtimin e Allahut mbi ta, e Allahu nuk e thyen premtimin e Tij. Por edhe nëse të dyja prishjet e tyre të mëdha në Tokë kanë kaluar, dhe kjo tani është një prishje tjetër e tyre, atëherë gjithësesi Allahu do u kthehet atyre me ndëshkim, njësoj si më parë, siç thotë në ajetin në vazhdim.

-282-



  1. Ndoshta Zoti juaj do t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), por nëse ju ktheheni (në prishje), edhe Ne do të kthehemi (me ndëshkim). Dhe Xhehenemin Ne e kemi bërë burg për mohuesit.[1]
  2. Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.[2]
  3. Ndërsa atyre që nuk besojnë në botën tjetër, Ne u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.[3]
  4. Njeriu lutet për të keqen (mallkon), ashtu siç lutet për të mirën; njeriu është gjithnjë i nxituar.[4]
  5. Ne i kemi bërë natën dhe ditën dy prova. Provës së natës ia kemi fshirë dritën, kurse provën e ditës e kemi bërë ndriçuese, që ju të kërkoni mirësi nga Zoti juaj dhe që të dini numrin e viteve dhe llogaritjen (e kohës). Çdo gjë e kemi shpjeguar hollësisht.[5]
  6. Çdo njeriu ia kemi varur në qafë fatin (punën) e tij dhe, në Ditën e Kiametit, Ne do t’i paraqesim një libër, që do ta gjejë të hapur.[6]
  7. “Lexoje librin tënd! Sot mjafton vetë ti si llogaritar kundër vetvetes!”[7]
  8. Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka vetëm për veten e vet dhe kush zgjedh humbjen, humb vetëm në dëm të vetvetes. Askush nuk do të mbajë barrën (mëkatin) e tjetrit. Ne nuk dënojmë para se të dërgojmë të dërguar![8]
  9. Kur duam të shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë të pasurit e tij (për bindje ndaj Allahut), por ata bëjnë prishje në të (qytet), kështu që Fjala (dekreti i dënimit) kundër tyre hyn në fuqi dhe Ne e shkatërrojmë atë (qytet) plotësisht.[9]
  10. Sa e sa breza kemi shkatërruar pas Nuhut! Mjafton që Zoti yt është Gjithënjohës dhe Gjithëshikues i gjynaheve të robërve të Tij.[10]

[1] Zoti juaj, o bijtë e Izraelit, do tju mëshirojë pas ndëshkimit për prishjen e dytë që bëtë në tokë, nëse ju pendoheni dhe përmirësoheni, por nëse ju ktheheni përsëri në prishje e shkelje të urdhrave e ligjeve të Allahut, edhe Allahu do të kthehet me ndëshkim dhe poshtërim ndaj jush. Allahu e ka bërë Xhehenemin burg të përhershëm për ju dhe për të gjithë mohuesit e Allahut, provave dhe të dërguarve të Tij.

[2] Me të vërtetë, ky Kuran që Allahu i ka zbritur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) i udhëzon njerëzit në rrugën më të drejtë dhe më të mirë të Islamit, dhe i përgëzon besimtarët që veprojnë sipas asaj që ka urdhëruar Allahu dhe i ndalohen atyre që Ai ka ndaluar, se ata do të kenë shpërblim të madh nga Allahu, Xhenetin.

[3] Ndërsa atyre që nuk besojnë jetën e botës tjetër, dhe shpërblimin apo dënimin e saj, Ne u kemi për përgatitur dënimt ë dhembshëm në zjarrin e Xhehenemit.

[4] Ndonjëherë, njeriu lutet për keq duke mallkuar veten, fëmijët apo pasurinë e vet, kur është i nxehur dhe i zemëruar, njësoj si lutet për të mirën; kjo është rezultat i injorancës së njeriut dhe nxitimit të tij vazhdimisht. Nga mëshira e Allahut është se Ai i përgjigjet lutjes që njeriu bën për mirë dhe nuk i përgjigjet lutjes që ai bën për keq dhe kur mallkon, sepse Allahu e di se shpeshherë, njeriu nuk ka për qëllim mallkimin dhe të keqen, por nga që është i nxituar në natyrën e tij.

[5] Ne i kemi bërë natën dhe ditën për të qenë dy prova të mëdha të Fuqisë së Allahut dhe se Ai është Një Zot i Vetëm e i Pashoq; Provës së natës – që është Hëna – ia kemi fshirë dritën (nuk prodhon dritë si Dielli) duke e bërë natën të errët, që njerëzit të pushojnë gjatë saj, kurse provën e ditës – që është Dielli – e kemi bërë ndriçuese, me qëllim që njerëzit të shohin kur kryejnë punët e tyre në kërkim të furnizmit dhe mjeteve të jetesës që janë nga mirësitë e Zotit, dhe me qëllim që të dinë të numërojnë vitet dhe të llogarisin ditët dhe orët si rezultat i rrotullimit të natës dhe ditës. Ne e kemi shpjeguar gjithçka në detaje për njerëzit, me qëllim që ata të jenë mirënjohës ndaj Zotit të tyre për të gjitha mirësitë e Tij ndaj tyre, dhe të adhurojnë vetëm Atë, pa i shoqëruar askënd dhe asgjë në adhurim.

[6] Secilit njeri, Allahu ia ka varur në qafë në mënyrë të pandashme fatin dhe punën e tij në këtë botë, qofshin të mira apo të këqia, dhe askush nuk do të llogaritet për veprat e dikujt tjetër, por secili do të jetë pre i veprave të veta; pastaj, në ditën e Kiametit, Allahu do t’i paraqesë secilit një libër ku do të jenë shënuar të gjitha punët që ka bërë në dynja, dhe secili do e gjejë librin e vet të hapur, dhe do të shohë të regjistruar në të gjithçka të vogël apo të madhe që ka bërë.

[7] Do i thuhet çdo njeriu në ditën e Kiametit – edhe nëse nuk kanë ditur shkrim e lexim në dynja: “Lexoje librin e veprave të tua që i ke bërë në dynja! Sot mjafton vetja jote që të jetë llogaritare e veprave të tua, dhe të dish se çfarë shpërblimi apo ndëshkimi të takon tani.” Kjo është drejtësia e Allahut, e megjithatë, Ai do të shpërblejë sipas Bujarisë dhe Mëshirës së Tij.

[8] Kush zgjedh rrugën e drejtë të udhëzimit, udhëzohet vetëm për të mirën e vetes së vet, sepse shpërblimi për këtë i vjen vetëm atij dhe askujt tjetër; dhe po ashtu, kush zgjedh rrugën e humbjes dhe të mosbesimit, e keqja e kësaj do të bjerë vetëm mbi të dhe mbi askënd tjetër. Asnjë mëkatar nuk do të mbajë barrën dhe mëkatin e një mëkatari tjetër. Allahu nuk dënon asnjë popull para se të dërgojë të dërguar dhe Libra tek ai, për të paralajmëruar me prova dhe argumente të qarta dhe për t’u mësuar njerëzve se çfarë detyrimesh kanë ndaj Zotit të tyre.

[9] Kur Allahu vendos shkatërrimin e banorëve të një qyteti të caktuar për shkak të padrejtësisë dhe mosbesimit të tyre, Ai i urdhëron të pasurit dhe parinë e atij qyteti që të veprojnë me bindje ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Allahut, por ata vazhdojnë të veprojnë me prishje në qytet duke mos u bindur ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Allahut, kështu që kundër tyre zbatohet dekreti i dënimit të merituar për ata që mohojnë Allahun dhe përgënjeshtrojnë të dërguarin e Tij, i cili është një dekret i pakthyeshëm, dhe Allahu i shkatërron banorët e atij qyteti me shkatërrim të plotë.

[10] Pas Nuhut, Ne kemi shkatërruar shumë popuj mohues dhe përgënjeshtrues të të dërguarve Tanë. Mjafton që Zoti yt, o Muhamed, i di mirë të gjitha punët dhe mëkatet e robërve të Tij, dhe i shikon të gjitha, e asgjë nuk i shpëton Atij, as në qiej as në Tokë; dhe secilit do i japë shpërblimin që meriton.

-283-



  1. Kush dëshiron të shpejtën (dynjanë) – Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë kujt të duam, pastaj i caktojmë atij Xhehenemin, ku do të hyjë i përçmuar, i larguar.[1]
  2. Por, kush dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të ashtu si i takon, duke qenë se është besimtar – përpjekja e të këtillëve është e shpërblyer (nga Allahu).[2]
  3. Ne i japim që të gjithëve nga të mirat e Zotit tënd, si këtyre edhe atyre. Dhurata e Zotit tënd nuk i mohohet askujt.[3]
  4. Shiko se si Ne i kemi favorizuar disa prej tyre ndaj të tjerëve (në këtë botë), por bota tjetër është më e madhe në shkallë dhe më e madhe në favorizime.[4]
  5. Mos bëj të adhuruar tjetër me Allahun, përndryshe do të përfundosh i poshtëruar, i braktisur![5]
  6. Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij, dhe me prindërit të silleni mirë. Nëse njëri prej tyre ose që të dy ata arrijnë pleqërinë tek ti, mos u thuaj atyre as “uf!”, dhe mos i qorto, por drejtoju atyre me fjalë të hijshme.[6]
  7. Dhe sillu me ta me përulje nga mëshira (për ta) dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”[7]
  8. Zoti juaj e di më së miri atë që keni brenda jush. Nëse ju jeni të mirë – sigurisht që për ata që kthehen tek Ai me pendim, Ai është Falës i Madh.[8]
  9. Jepi të afërmve të drejtën e tyre, dhe po ashtu të varfrit dhe udhëtarit, por mos shpërdoro kot.[9]
  10. Me të vërtetë, shpërdoruesit janë vëllezër të djajve, dhe djalli është shumë mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.[10]

[1] Kush dëshiron këtë botë dhe përpiqet vetëm për të arritur të mirat e shpejta të saj, duke qenë se nuk e beson botën tjetër dhe nuk punon për të, Allahu i shpejton atij çfarë të dojë Allahu sipas asaj që ka shkruajtur për të në Leuhul Mahfudh, pastaj në botën tjetër do i japë xhehenemin, ku ai do të hyjë e do të digjet i përçmuar dhe i larguar në skaj të tij, për shkak se u përpoë vetëm për gjërat e dynjasë dhe nuk bëri asnjë përpjekje për jetën e botës tjetër.

[2] Kush dëshiron jetën e botës tjetër dhe shpërblimin e Allahut atje, dhe punon për të ashtu si i takon, me bindje ndaj urdhrave të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, duke qenë se është besimtar që e beson Allahun dhe botën tjetër, të këtillët janë ata të cilëve do u pranohen punët e mira dhe do u ruhen për t’u shpërblyes me shpërblim të madh te Zoti i tyre.

[3] Të dy grupeve, si atyre që dëshirojnë këtë botë kalimtare dhe punojnë vetëm për të, edhe atyre që dëshirojnë botën tjetër të përhershme dhe punojnë ashtu si duhet për të, Zoti yt, o Muhamed, i jep që të gjithëve nga të mirat e Tij në këtë botë, si besimtarëve edhe mosbesimtarëve; dhe dhurata e mirësia e Zotit tënd nuk i mohohet e nuk i ndalohet askujt në këtë botë, qoftë besimtar apo mosbesimtar.

[4] Mendo pak, o Muhamed, se si Allahu i ka favorizuar disa njerëz ndaj të tjerëve në këtë botë, në lidhje me furnizimin e pasurinë apo pozitën që i ka dhënë, kurse bota tjetër do të ketë shkallë më të shumta dhe favorizime më të mëdha mes besimtarëve, sipas veprave të tyre, kështu që jepi përparësi botës tjetër.

[5] Mos i bëj shok Allahut në adhurim, o njeri, sepse përndryshe do të përfundosh i poshtëruar dhe i braktisur, dhe nuk do të kesh askënd që mund të të ndihmojë! Si mund të adhurosh e të falënderosh dikë apo diçka tjetër përveç Allahut, për ato që të ka dhuruar Allahu dhe për ato që ka krijuar Allahu e i ka nënshtruar për ty?!

[6] Zoti yt, o Muhamed, dhe ju, o njerëz, ka urdhëruar dhe ka bërë të detyrueshme që adhurimi dhe falënderimi juaj të jetë vetëm për Të, pa i shoqëruar asgjë, dhe ka urdhëruar gjithashtu që të silleni mirë me prindërit, sidomos kur ata i arrin pleqëria duke qenë në shtëpinë tënde dhe nën kujdesin tënd, dhe mos u thoni atyre as fjalën më të vogël “uf!” nga fjalët që mund t’i rëndojnë, pavarësisht çfarë mund të shihni prej tyre prej gjërave të papëlqyeshme; dhe mos i qorto e mos vepro diçka të pahijshme ndaj tyre, por folu atyre gjithnjë me fjalë të hijshme e të ngrohtë.

[7] Bëhu i përulur me prindërit e tu, duke i mëshiruar ata dhe duke iu bindur atyre përderisa nuk të urdhërojnë diçka që e ka ndaluar Allahu, dhe mos i kundërshto për gjërat që ata dëshirojnë; por lutju Zotit që t’i mëshirojë ata, qofshin të gjallë apo të vdekur, ashtu si ata duruan dhe u munduan për ty, nga mëshira që kishin për ty, kur ti ishe i vogël dhe ata të rritën dhe u kujdesën për ty! Prandaj, o prindër, i mëshironi fëmijët tuaj dhe kujdesuni për edukimin e tyre ashtu si duhet, në mënyrë që t’ju kthehet mëshira që keni pasur për ta me mëshirë prej tyre ndaj jush, kur ju të arrini moshën e pleqërisë dhe të pafuqisë.

[8] Zoti juaj, o njerëz, e di se çfarë keni ju në mendjet dhe zemrat tuaja prej të mirës apo të keqes, prej respektit të prindërve apo mos-respektit ndaj tyre, dhe Allahut nuk i shpëton asgjë, por secilin do e shpërblejë sipas asaj që meriton. Nëse ju jeni të mirë dhe qëllimet tuaja janë për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe afrimin tek Ai, atëherë sigurisht që Allahu është Falës i Madh për të gjithë ata që kthehen vazhdimisht tek Ai me pendim dhe bindje ndaj Tij, pasi që kanë bërë ndonjë shkelje të ligjeve të Allahut që lidhet me prindërit apo çdo lloj shkelje tjetër.

[9] O njeri, jepi të afërmve të tu, si nga ana e babait ashtu edhe nga ana e nënës, të drejtën e tyre prej bërjes mirë sa të mundesh dhe mbajtjes së lidhjeve me ta, dhe po ashtu jepi të drejtën të varfrit (zekatin dhe lëmoshën) dhe udhëtarit që është larg familjes dhe pasurisë së tij (mikpritjen dhe ndihmën që i nevojitet), por kurrë mos e shpërdoro pasurinë kot dhe në gjëra që i ka ndaluar Allahu.

[10] Me të vërtetë, shpërdoruesit e pasurisë në gjëra që Allahu i ka ndaluar, janë vëllezër të djajve dhe të ngjashëm me ta në prishje e mëkat, dhe dihet tashmë që djalli është mohues i madh dhe mosmirënjohës ndaj mirësive të Zotit të tij me mosbindjen ndaj Tij dhe shpërdorimin e mirësive të Zotit në mosbindje, mëkat e ndalim nga rruga e Zotit.

-284-



  1. Por, nëse shmangesh prej tyre (nevojtarëve), ndërsa kërkon dhe shpreson ndonjë mëshirë (furnizim) nga Zoti yt, atëherë thuaju atyre fjalë të mirë.[1]
  2. Mos e shtrëngo dorën tënde deri në qafë, as mos e shtri atë plotësisht, përndryshe do të përfundosh i qortuar dhe i mjerë.[2]
  3. Vërtet, Zoti yt i jep furnizim të bollshëm kujt të dojë dhe e kufizon atë (kujt të dojë). Me të vërtetë, Ai është gjithnjë i Gjithëdijshëm dhe Shikues i robërve të Vet.[3]
  4. Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë! Ne i furnizojmë ata dhe ju. Vërtet, vrasja e tyre është gjynah i madh.[4]
  5. Dhe mos iu afroni kurvërisë, sepse me të vërtetë, ajo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe![5]
  6. Mos merrni jetë njerëzore – të shenjtëruar nga Allahu – përveç me të drejtë ligjore! Nëse dikush vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë trashëgimtarit të tij autoritet, por ai të mos e teprojë në vrasje (gjakmarrje), sepse ai është i mbështetur tashmë (nga ligji i Allahut).[6]
  7. Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse me qëllim të mirë, derisa të arrijë pjekurinë. Dhe përmbushni premtimet, sepse me të vërtetë, për premtimet do të jeni përgjegjës.[7]
  8. Jepni masën e plotë kur matni dhe peshoni me peshore të drejtë. Kjo është më e mira (në këtë botë) dhe përfundimi më i mirë (në botën tjetër).[8]
  9. Mos ndiq diçka për të cilën nuk ke dijeni. Me të vërtetë, dëgjimi, shikimi dhe zemra – për të gjitha këto, njeriu është përgjegjës.[9]
  10. Dhe mos ec nëpër tokë me arrogancë, se në të vërtetë, ti nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve.[10]
  11. E keqja e të gjitha këtyre (të sipërpërmendura) është e urryer nga Zoti yt.[11]

[1] Nëse shmangesh prej të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve në nevojë, për shkak se nuk zotëron diçka që mund t’ua japësh, ndërsa je duke punuar dhe duke shpresuar që Allahu të të furnizojë nga bujaria dhe mëshira e Tij, atëherë thuaju atyre një fjalë të mirë e të butë, si një lutje që Allahu t’i ndihmojë e t’u japë furnizim, dhe premtoju që nëse Allahu do të të japë furnizim nga bujaria e Tij, ti menjëherë do t’u japësh edhe atyre prej tij.

[2] Mos u bëj dorështrënguar (koprrac) deri në maksimum, e të mos shpenzosh as detyrimet ndaj familjes as në rrugët e bamirësisë, por as mos u bëj dorëlëshuar totalisht e të japësh mbi mundësitë e tua, sepse përndryshe do të përfundosh i qortuar nga njerëzit dhe i penduar për shpërdorimin dhe humbjen e pasurisë tënde.

[3] Zoti yt, o Muhamed, i jep furnizim të bollshëm kujt të dojë prej robërve të Tij, dhe ia kufizon furnizimin kujt të dojë prej tyre, sepse Ai është i Gjithëdijshëm dhe Shikues i të gjithë robërve të Tij, dhe e di mirë se kujt i bën mirë pasuria dhe kujt i bën keq, kështu që i jep secilit sipas dijes dhe urtësisë së Tij. Prandaj, mos u bëni plotësisht dorëlëshuar me ata të varfër, të cilëve Allahu ua ka kufizuar pasurinë për shkak se Ai e di se pasuria i dëmton ata, dhe po ashtu mos u bëni koprac dhe të ndaloni çdo lloj shpenzimi apo bamirësie, por ndiqni një të mesme dhe zbatoni ligjet e Allahut në lidhje me shpenzimin e pasurisë që ju ka dhënë Allahu.

[4] Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, sepse ju e dini se është Allahu Ai që i furnizon ata së pari, dhe ju gjithashtu. Me të vërtetë, vrasja e fëmijëve është gjynah i madh dhe mëkat i rëndë, prandaj mos e bëni kurrë këtë, qoftë edhe nëse fëmija është në barkun e nënës.

[5] Dhe mos ju afroni kurvërisë dhe prostitucionit – por qëndroni larg rrugëve që të çojnë atje, që të mos bini në të – sepse me të vërtetë, kurvëria është një vepër shumë e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe, që i shkatërron njeriut jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër.

[6] Mos vrisni asnjë njeri, sepse Allahu e ka ndaluar vrasjen e njeriut dhe e ka shenjtëruar njeriun, përveç nëse e kërkon drejtësia dhe zbatimi i ligjit të Allahut, siç është rasti për vrasësin, atë që shkel kurorën martesore, apo atë që del nga feja pasi ka qenë në të. Nëse dikush vritet padrejtësisht, në shkelje me ligjin e Allahut, atëherë Allahu i ka dhënë autoritet trashëgimtarit të të vrarit ose gjykatësit që të kërkojë vrasjen e vrasësit ose kompensimin material dhe faljen e tij; por nuk i lejohet trashëgimtarit të të vrarit që të kalojë kufijtë e lejuar nga Allahu për hakmarrjen, si për shembull duke vrarë bashkë me vrasësin dikë tjetër të palës së vrasësit, apo duke vrarë dikë tjetër në vend të vrasësit, apo të shpërfytyrojë vrasësin pasi ta vrasë atë, apo ta vrasë në mënyrë tjetër nga ajo që ai e ka vrarë njeriun e tij. Trashëgimtari që ka autoritetin e gjakmarrjes është i ndihmuar dhe i mbështetur nga ligji i Allahut, deri sa të marrë gjakun ose kompensimin e njeriut të tij të vrarë.

[7] Mos iu afroni pasurisë së jetimit që keni nën kujdestari, veçse me qëllim që ta ruani dhe ta shtoni atë me investim që është në të mirën e jetimit, deri sa ai të arrijë pjekurinë fizike dhe mendore, që të mund të jetë i aftë për të drejtuar pasurinë e vet, dhe atëherë duhet t’ia dorëzoni atij pasurinë e tij. Dhe përmbushni të gjitha premtimet për të cilat jeni zotuar, sepse premtimet janë diçka për të cilën do të jeni përgjegjës dhe do të pyeteni nga Allahu në Ditën e Kiametit, për të marrë shpërblimin ai që i ka përmbushur ato, dhe për t’u ndëshkuar ai që i ka thyer dhe shkelur ato.

[8] Zoti ka urdhëruar gjithashtu që të jepni masën e plotë kur shisni e blini, dhe të peshoni me peshore të drejtë e të rregullt, pa bërë hile dhe pa ngrënë hakun e tjetrit. Vërtet, drejtësia në matje e peshojë është me e mira për ju në këtë botë, dhe përfundimi më i mirë për ju tek Allahu në botën tjetër, kur të merreni në llogari dhe kur të shpërbleheni për veprat tuaja.

[9] O njeri, mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke njohuri, por sigurohu mirë me dije të sigurt, sepse njeriu është përgjegjës dhe do të japë llogari për përdorimin që i ka bërë dëgjimit, shikimit dhe zemrës së vet dhe madje vetë këto do të dëshmojnë në favor ose kundër njeriut; nëse i ka përdorur ato për gjëra të mira e në bindje ndaj Allahut, do të marrë shpërblim, e në të kundërt, nëse i ka përdorur për keq dhe mosbindje ndaj Allahut, do të marrë ndëshkim.

[10] Dhe mos ec nëpër tokë me arrogancë e mendjemadhësi, o njeri, sepse ti nuk mund ta çash Tokën e të arrish fundin e saj me mendjemadhësinë tënde, dhe lartësia jote nuk mund të arrijë lartësinë e maleve, kështu që si mund të sillesh arrogant e mendjemadh?!

[11] Të keqen e të gjitha këtyre urdhrave e ndalesave që u përmendën më sipër, Allahu e urren dhe nuk e pëlqen kurrë të bëhen nga robërit e Tij!

-285-



  1. Kjo është pjesë e Urtësisë që Zoti yt të ka shpallur ty (o Muhamed). Mos shoqëro me Allahun asnjë të adhuruar tjetër, përndryshe do të hidhesh në Xhehenem, i qortuar dhe i dëbuar.[1]
  2. A mos vallë ju ka veçuar Zoti juaj me djemtë, kurse vetë ka marrë engjëjt për vajza? Vërtet që ju thoni fjalë të rëndë.[2]
  3. Vërtet, Ne kemi sjellë një shumëllojshmëri (gjërash) në këtë Kuran, që ata (njerëzit) të marrin mësim, por kjo nuk u shton atyre veçse largim (nga e vërteta).[3]
  4. Thuaj (o Muhamed): “Sikur të kishte zota të tjerë përveç Tij (Allahut) – siç thonë ata (idhujtarët) – atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për te Zoti i Fronit.”[4]
  5. I Pastër dhe i Lartësuar është Ai mbi atë që thonë ata, me një lartësim të madh![5]
  6. Atë e madhërojnë të shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë me lavdërim, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata. Me të vërtetë, Ai është gjithnjë i Duruar, Falës.[6]
  7. Kur ti (Muhamed) lexon Kuranin, Ne vendosim një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk besojnë në botën tjetër.[7]
  8. Dhe mbi zemrat e tyre, Ne vendosim mbulesa – që ata të mos e kuptojnë atë (Kuranin) – kurse në veshët e tyre shurdhim. Kur ti përmend vetëm Zotin tënd në Kuran, ata kthejnë shpinën, duke u larguar.[8]
  9. Ne e dimë mirë se çfarë dëgjojnë ata kur dëgjojnë recitimin tënd (Kuranin) dhe kur bisedojnë fshehurazi me njëri-tjetrin – kur të padrejtët thonë: “Ju nuk ndiqni veçse një njeri të magjepsur.”[9]
  10. Shiko si të ngjitin epitete! Prandaj kanë humbur aq larg sa nuk mund të gjejnë rrugë.[10]
  11. Ata thonë: “Kur të jemi bërë eshtra dhe pluhur, a do të ringjallemi vërtet si një krijim i ri?”[11]

[1] Këto që të sqaruam ty, o Muhamed, prej moraleve të larta që të urdhëruam dhe moraleve të ulta që të ndaluam në ajetet më sipër, janë pjesë e Urtësisë që Zoti yt të ka shpallur ty në këtë Kuran. Mos i bëj Allahut asnjë shok në adhurimin tënd, o njeri, dhe mos adhuro asgjë dhe askënd përveç Allahut, se përndryshe do të hidhesh e do të flakesh në zjarrin e Xhehenemit, ku do të qortohesh nga vetja jote dhe nga njerëzit, dhe do të jesh i dëbuar nga mëshira e Allahut dhe nga çdo e mirë.

[2] Allahu i drejtohet idhujtarëve, të cilët thonë se engjëjt janë vajzat e Allahut: “A mos vallë ju ka veçuar Zoti juaj, o njerëz, duke ju dhuruar djem prej fëmijëve, kurse vetë ka marrë engjëjt për vajza, ndërkohë që ju nuk i dëshironi kurrë vajzat për veten tuaj, madje i groposni ato të gjalla dhe i vrisni ato? Me të vërtetë, që ju, o idhujtarë, thoni fjalë shumë të rëndë dhe të pavërtetë ndaj Allahut, kur thoni se engjëjt janë bijat e Allahut.”

[3] Ne kemi sqaruar dhe kemi sjellë lloj lloj provash, ligjesh, shembujsh e mësimesh në këtë Kuran, me qëllim që njerëzit të marrin mësim dhe të përfitojnë prej tyre, por kjo gjë nuk i shton të padrejtëve dhe mohuesve prej njerëzve veçse largim nga e vërteta dhe shmangie nga logjikimi dhe marrja mësim.

[4] Thuaju idhujtarëve, o Muhamed: “Sikur të kishte zota të tjerë përveç Allahut – ashtu si pretendoni ju – atëherë ata zota patjetër që do të kërkonin një rrugë apo një mënyrë për t’u afruar te Zoti i Fronit të Lartë (Arshit) ose për ta sfiduar Atë dhe për t’i marrë Fronin dhe pushtetin!” – Por përsëri, më i forti do të ishte Zot i Fronit të Lartë, kurse të tjerët nuk do të ishin zota; dhe ju e dini se zotat që ju adhuroni janë të paaftë dhe nuk mund të bëjnë asgjë, as për të ruajtur veten e tyre, kështu që me çfarë logjike i krahasoni dhe i adhuroni ato përkrah apo në vend të Allahut?!

[5] I Pastër, i Shenjtë dhe i Lartësuar është Allahu nga ato që thonë idhujtarët dhe ato që i shoqërojnë Atij, me një lartësim shumë të madh!

[6] Allahun e madhërojnë dhe e shenjtërojnë të shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to prej të gjitha krijesave që Ai ka krijuar; madje gjithçka që ekziston në këtë gjithësi e madhëron dhe e shenjtëron Allahun, duke e lavdëruar dhe falënderuar Atë (duke thënë “Subhanallah ue Bihamdihi”), por ju, o njerëz, nuk e kuptoni dhe nuk e perceptoni madhërimin që i bëjnë Allahut të gjitha krijesat e tjera përveç jush. Me të vërtetë, Allahu është i Duruar me robët e Tij, dhe nuk ua shpejton dënimin mëkatarëve prej tyre – megjithëse ata thonë fjalë shumë të mëdha ndaj Allahut dhe i bëjnë shok Atij në adhurim – dhe Ai është Falës ndaj tyre: ua mbulon gjynahet dhe ia fal ato atyre që kthehen tek Ai me pendim. Pra, Allahu e ka lënë hapur derën e pendimit për të gjithë robët e Tij, pavarësisht mëkatit të rëndë që mund të bëjnë, dhe i jep afat atyre që të pendohen.

[7] Kur ti, o Muhamed, e lexon Kuranin dhe atë e dëgjojnë idhujtarët, Ne vendosim një perde të fshehtë mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër, që ata të mos e kuptojnë atë, si ndëshkim ndaj tyre për shkak të mosbesimit dhe mohimit të tyre.

[8] Ne vendosim mbulesa mbi zemrat e atyre që nuk besojnë në botën tjetër, që ata të mos e kuptojnë Kuranin, kurse në veshët e tyre vendosim shurdhim, që të mos e dëgjojnë atë. Kur ti, o Muhamed, e përmend Allahun në Kuran, duke ftuar në njësimin e Atij dhe duke ndaluar nga idhujtaria, idhujtarët kthejnë shpinën dhe largohen nga fjala jote, duke bërë mendjemadhësi dhe duke e quajtur të rëndë dhe të padrejtë që të adhurojnë vetëm Allahun dhe të lënë adhurimin e idhujve të tyre.

[9] Ne e dimë shumë mirë se çfarë dhe përse dëgjojnë idhujtarët kurashit që nuk e besojnë botën tjetër, kur ata dëgjojnë Kuranin që reciton ti, o Muhamed, dhe e dimë mirë se se çfarë flasin ata me njëri-tjetrin në privatësi – kur të padrejtët me padrejtësinë më të madhe thonë: “Ju, o besimtarë, nuk pasoni tjetër përveç një njeriu që e ka kapur magjia dhe ka rrjedhur nga trutë!”

[10] Shiko, o Muhamed, se si të padrejtët të ngjitin ty epitete: i magjepsur, poet, i çmendur!!! Prandaj ata kanë humbur shumë larg nga rruga e drejtë, kështu që nuk mund ta gjejnë më atë rrugë.

[11] Idhujtarët mohues të ringjalljes thonë gjithnjë ashtu si thonin idhujtarët kurashit me mohim: “Pasi të jemi bërë eshtra dhe pluhur në varret tona, vërtet do të ringjallemi në krijesa të reja, ashtu si ishim para se të vdisnim?” Sikur të mos ishin krijuar nga asgjëja më parë!

-286-



  1. Thuaju (o Muhamed): “Bëhuni gurë ose hekur;[1]
  2. Ose çfarëdo krijese tjetër që është e madhe në gjoksin tuaj!” Atëherë do të thonë: “Kush do të na kthejë në jetë?” Thuaju: “Ai që ju ka krijuar herën e parë.” Pastaj do të tundin kokat e tyre dhe do të thonë: “Kur do të ndodhë kjo?” Thuaju: “Mund të jetë shumë afër![2]
  3. Atë ditë, kur Ai do t’ju thërrasë e ju do t’i përgjigjeni duke e lavdëruar Atë, dhe do të mendoni se nuk qëndruat (në këtë botë) veçse pak kohë.”[3]
  4. Thuaju robërve të Mi të thonë atë që është më e mira, sepse me të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa mes tyre. Me të vërtetë, djalli është armik i hapët i njeriut.[4]
  5. Zoti juaj di gjithçka për ju. Nëse dëshiron, Ai ju mëshiron ose nëse dëshiron, ju dënon. Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (Muhamed) kujdestar të tyre.[5]
  6. Zoti yt di gjithçka për ata që gjenden në qiej dhe në Tokë. Ne i kemi favorizuar disa profetë mbi të tjerët dhe Daudit i kemi dhënë Zeburin.[6]
  7. Thuaj: “Thirrini ata që ju pretendoni (se janë zota) përveç Tij! Por ata nuk e kanë në dorë largimin e së keqes nga ju, dhe as devijimin e saj diku tjetër.”[7]
  8. Vetë ata që idhujtarët lutin, garojnë për të gjetur mënyrën se cili prej tyre të jetë më i afërt (te Zoti). Ata shpresojnë mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij. Me të vërtetë, dënimit të Zotit tënd është për t’iu ruajtur.[8]
  9. Dhe nuk ka vendbanim që Ne nuk do ta shkatërrojmë para Ditës së Kiametit, apo që nuk do ta ndëshkojmë me dënim të ashpër. Kjo gjë është shkruar në Libër.[9]

[1] Thuaju atyre idhujtarëve, o Muhamed, në mënyrë sfiduese: “Bëhuni të fortë si guri ose hekuri, nëse mundeni – se Allahu gjithësesi do ju ringjallë ashtu si ju krijoi heën e parë, dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun.”

[2] “Bëhuni gurë ose hekur, ose çfarëdo krijese tjetër që është e madhe dhe e pamundur të ringjallet sipas jush dhe mendjes suaj!” Pas ngritjes së argumentit vërtetues të ringjalljes, ata përsëri do të thonë me mohim: “E kush do të na kthejë ne jetë pas vdekjes sonë?” Thuaju atyre, o Muhamed: “Do ju rikthejë në jetë dhe do ju ringjallë Ai që ju krijoi për herë të parë nga asgjëja.” Kur ta dëgjojnë këtë përgjigje të padiskutueshme, ata do të tundin kokat e tyre me tallje dhe habi, duke vazhduar ta mendojnë të pamundur, dhe do të thonë: “E, kur do të ndodhë kjo ringjallje?” Thuaju: “Ajo do të ndodhë shumë shpejt dhe është shumë afër.” Sepse çdo gjë që do të vijë, është afër.

[3] Ringjallja juaj, o idhujtarë, mund të jetë shumë afër. Ajo do të jetë atë ditë, kur Zoti juaj t’ju thërrasë për të dalë nga varret tuaja e ju do t’i përgjigjeni urdhrit të Tij të bindur dhe të nënshtruar – e Allahut i takon lavdërimi gjithësesi – dhe për shkak të tmerrrit dhe gjatësisë së ditës së Kiametit, ju do të mendoni se nuk qëndruat në dynja veçse për pak kohë, e cila mbaroi shumë shpejt, dhe kiameti e ringjallja ndodhi shumë më shpejt nga dita që ju pyetët se kur do të ndodhte.

[4] Thuaju robërve të Mi besimtarë, që kur bisedojnë e diskutojnë me njëri-tjetrin, të thonë fjalët më të mira, sepse përndryshe, djalli do të mbjellë armiqësi, mosmarrëveshje dhe përçarje mes tyre. Me të vërtetë, djalli është armik i hapur dhe i betuar i njeriut.

[5] Zoti juaj, o njerëz, di gjithçka për ju, dhe askush nuk di më shumë se Ai për ju, e për gjithçka që ka krijuar. Nëse dëshiron, Ai ju mëshiron e ju jep sukses që të besoni, e nëse dëshiron, ju lë të vdisni mohues dhe ju dënon. Ne nuk të kemi dërguar ty, o Muhamed, kujdestar dhe mbikqyrës të tyre, por misioni yt është që të komunikosh mesazhin me të cilin të kemi dërguar dhe të sqarosh rrugën e drejtë, kurse mëshirimi apo dënimi i tyre është në Dorën Tonë.

[6] Zoti yt, o Muhamed, di gjithçka për ata që gjenden në qiej e në Tokë dhe Ai i mban dhe i drejton ata. Ne i kemi ngritur në grada dhe i kemi favorizuar disa profetë mbi disa të tjerë në aspekte të ndryshme, dhe Daudit i kemi dhënë Zeburin (Psalmet).

[7] Thuaj, o Muhamed, idhujtarëve: “Thirrini ata që ju pretendoni se janë zota dhe që i adhuroni në vend të Allahut, kur tju vijë ndonjë e keqe dhe shikoni nëse kanë fuqi t’jua largojnë të keqen që ju ka rënë, apo ta devijojnë atë të keqe diku tjetër?!” Por ata nuk munden dhe nuk e kanë në dorë këtë, por Ai që e ka në dorë këtë është vetëm Krijuesi juaj dhe i atyre që ju adhuroni përveç Tij.

[8] Vetë ata që lusin dhe adhurojnë idhujtarët prej njerëzve të mirë, profetëve e engjëjve, garojnë me njëri-tjetrin duke bërë vepra të mira me qëllim që të arrijnë vendin më të afërt te Allahu; dhe ata shpresojnë mëshirën e Allahut dhe kanë frikë dënimin e Tij, sepse vërtet, dënimi i Allahut është për t’u pasur frikë nga të gjithë.

[9] Nuk ka vendbanim mohuesish e përgënjeshtruesish të profetëve, veçse Allahu do i shkatërrojë ato tërësisht këtu në këtë botë, para ditës së Kiametit, ose do i ndëshkojë banorët e atyre vendeve me dënim të ashpër për shkak të mohimit të tyre. Kjo është e shkruar nga Allahu dhe do të ndodh patjetër; është shkruar në Librin që është tek Allahu, El Leuhul Mahfudh.

-287-



  1. Ne nuk na pengon nga dërgimi i provave (mrekullive) asgjë, përveç faktit se popujt e mëparshëm i përgënjeshtruan ato. Ne i dhamë Themudit devenë si provë të qartë, por ata bënë padrejtësi me të. Dhe Ne nuk i dërgojmë provat, veçse për frikësim.[1]
  2. (Kujto) Kur Ne të thamë: “Me të vërtetë, Zoti yt, i ka në Dorë të gjithë njerëzit!» Dhe atë vizionin që të bëmë të shihje, nuk e bëmë veçse sprovë për njerëzit, ashtu si dhe pemën e mallkuar në Kuran. Ne i frikësojmë (paralajmërojmë) ata, por kjo nuk u shton veçse tirani të madhe.[2]
  3. Dhe (kujto) kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, dhe iu përulën, përveç Iblisit! Ai tha: “A t’i përulem në sexhde dikujt që Ti e krijove nga balta?!”[3]
  4. Pastaj (Iblisi) shtoi: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse e vonon fundin tim deri në Ditën e Kiametit, unë me siguri do t’i pushtoj pasardhësit e tij, përveç një pakice!”[4]
  5. Allahu tha: “Shko! Kushdo që do të të pasojë prej tyre, Xhehenemi do të jetë shpërblimi i të gjithë juve – një shpërblim i bollshëm.[5]
  6. Magjeps këdo që mundesh prej tyre me zërin tënd! Mobilizo kundër tyre të gjithë kalorësinë dhe këmbësorinë tënde! Shoqëroi ata në pasurinë e fëmijët e tyre dhe premtoi atyre! –Por djalli nuk u premton atyre veçse mashtrim.[6]
  7. Kurse ndaj robërve të Mi (të sinqertë), ti nuk do të kesh kurrfarë pushteti!” E mjafton Zoti yt si mbrojtës (i tyre)![7]
  8. Zoti juaj është Ai që i bën anijet të lundrojnë për ju nëpër det, që të kërkoni nga mirësitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Mëshirëplotë ndaj jush.[8]

[1] Ne nuk na pengon asgjë nga dërgimi i provave dhe mrekullive që kërkojnë idhujtarët nga populli yt, o Muhamed, përveç faktit që popujt e mëparshëm i përgënjeshtruan provat që kërkuan nga të Dërguarit e Allahut dhe u shkatërruan për këtë shkak, dhe kështu do të shkatërrohen edhe këta, nëse do ua dërgoj mrekullitë që kërkojnë prej teje. Ne i dhamë devenë si një provë dhe mrekulli të qartë popullit Themud, popullit të Salihut (alejhis selam), por ata i bënë padrejtësi vetes duke e mohuar atë mrekulli dhe duke e vrarë atë deve, kështu që i shkatërruam. Dhe Ne nuk i dërgojmë provat dhe mrekullitë Tona në duart e të Dërguarve Tanë veçse për t’i frikësuar njerëzit dhe për t’i paralajmëruar ata në mënyrë që të kujtojnë dhe të marrin mësim.

[2] Kujto, o i Dërguar, kur Ne të thamë: “Allahu i ka përfshirë të gjithë njerëzit me dijen dhe fuqinë e Tij, dhe që të gjithë ata janë në Dorën e Tij, kështu që mos ki frikë askënd prej tyre, por vazhdo të komunikosh shpalljen Tonë!” Dhe atë vizionin që të bëmë të shihje realisht natën e Isras dhe Miraxhit (shkuarjes natën nga Meka në Medine pastaj ngritjes në qiell), nuk e bëmë veçse sprovë për njerëzit, për t’u dalluar mohuesit nga besimtarët – idhujtarëve të Mekes iu shtua edhe më shumë mosbesimi kur dëgjuan të Dërguarin të tregonte çfarë kishte parë atë natë – dhe po kështu e bëmë sprovë për njerëzit pemën e mallkuar në Kuran, pemën e Zekumit – me të cilën idhujtarët kurashit u tallën duke thënë se si mundet që pema të rritet e të jetojë në zjarr! Ne i frikësojmë dhe i paralajmërojmë mohuesit dhe idhujtarët me lloje të ndryshme të ndëshkimit, por megjithatë, kjo u shton atyre edhe më shumë zhytjen në mohim, humbje e tirani.

[3] Kujto gjithashtu, o Muhamed, kur ne i thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit, në shenjë përshëndetje dhe respekti” dhe që të gjithë ata iu përulën Ademit, përveç Iblisit, të cilit megjithëse Allahu i kishte dhënë vend të lartë për të qëndruar bashkë me engjëjt, e theu urdhrin e Allahut dhe nuk iu përul Ademit, por me mendjemadhësi dhe refuzim tha: “A të përulem në sexhde para një krijese të dobët si njeriu, që Ti e krijove nga balta?!” Allahu i thotë të Dërguarit të Tij që të kujtojë se si Iblisi e theu urdhrin e Allahut, dhe si u betua se do të vepronte me bijtë e Ademit, dhe megjithatë idhujtarët e kanë ndjekur atë, e ai është armiku i tyre.

[4] Pastaj, me paturpësinë dhe arrogancën më të madhe, Iblisi guxoi t’i thoshte Allahut: “A e sheh këtë krijesë që Ti e nderove dhe e ngrite mbi mua? Nëse do të më lësh të jetoj deri në ditën e Kiametit, unë do t’i pushtoj pasardhësit e tij me mashtrim dhe prishje, përveç të sinqertëve në besim prej tyre, të cilët janë një pakicë.”

[5] Duke kërcënuar Iblisin dhe ndjekësit e tij, Allahu tha: “Shko, se të kam dhënë afat deri në Ditën e Kiametit! Por, kushdo që do të pasojë dhe do të bindet ty nga pasardhësit e Ademit, duke më kundërshtuar Mua, shpërblimi yt dhe i atyre do të jetë zjarri i Xhehenemit – një shpërblim i bollshëm, i plotë dhe i pacënuar për të gjithë ju!

[6] Magjeps, bëj për vete, nxit e mashtro kë të duash prej tyre, duke i ftuar në thyerje të urdhrave të Mi dhe në mëkate, me zërin tënd mashtrues (me muzikën dhe të gjitha mjetet që të shtyjnë drejt mëkateve)! Po ashtu, mobilizo kundër tyre të gjithë ushtrinë tënde, kalorësinë e këmbësorinë, dhe bëhu shoqërues dhe partner i tyre në pasurinë e tyre – duke i nxitur që ta fitojnë e ta shpenzojnë në rrugë të ndaluara – dhe në fëmijët e tyre – duke i zbukuruar atyre kurvërinë, vrasjen e fëmijëve të gjallë, emërtimin e fëmijëve me emra të urdhëruar nga shejtani, dhe shkeljen e urdhrave dhe ligjeve të Allahut në përgjithësi, në mënyrë që të përhapet shthurja dhe prishja në Tokë – si dhe premtoju atyre premtime dhe ëndërrime! Por, në të vërtetë, të gjitha premtimet që shejtani i bën pasuesve të tij janë boshe dhe mashtruese.

[7] Por, ndaj robërve të Mi besimtarë të sinqertë, të cilët më binden vetëm Mua, ti, o Iblis, nuk do të kesh kurrfarë pushteti dhe fuqie për mashtrimin e tyre!” Dhe mjafton Zoti yt, o Muhamed, për mbrojtës të robërve të Tij besimtarë të sinqertë nga kurthet dhe mashtrimet e shejtanit.

[8] Është Zoti juaj, o njerëz, Ai që i bën anijet të lundrojnë nëpër det për ju, duke ju mbartur mbi to, me qëllim që ju të kërkoni nga mirësitë e Tij në udhëtimet tuaja në shtete të largëta për tregti. Vërtet, Allahu është Mëshirëplotë me robët e Tij, dhe i lehtëson atyre rrugët e kërkimit të rrizkut dhe mjeteve të jetesës.

-288-



  1. Kur juve ju godet vështirësia në det, ju humbin (nga mendja) të gjithë ata që i lutni në vend të Tij (Allahut). Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është vërtet mosmirënjohës.[1]
  2. A mos jeni të sigurt se Ai nuk do të bëjë që një pjesë e tokës t’ju përpijë apo se nuk do të dërgojë mbi ju një stuhi gurësh, e ju nuk do të gjeni askënd që t’ju mbrojë?![2]
  3. Apo mos jeni të sigurt se Ai nuk do t’ju kthejë përsëri në të (det), dhe se nuk do t’ju dërgojë një uragan ere që t’ju mbytë për shkak të mohimit tuaj ?! Atëherë nuk do të të gjeni askënd që të na kërkojë llogari Neve.[3]
  4. Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit, i kemi bartur ata në tokë e në det, i kemi furnizuar nga të mirat dhe i kemi privilegjuar mbi shumë prej atyre që kemi krijuar, me privilegj të veçantë.[4]
  5. Atë ditë, Ne do ta thërrasim çdo popull me prijësin e vet. Atyre që do t’u jepet libri në dorën e djathtë – ata do ta lexojnë librin e tyre dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi as sa membrana e bërthamës së hurmës.[5]
  6. Ndërsa ai që ka qënë i verbër në këtë (botë), do të jetë i verbër edhe në botën tjetër dhe më i humbur nga rruga (e Xhenetit).[6]
  7. Ata gati ia arritën të të sprovonin ty (Muhamed) nga ai që të kemi shpallur Ne (Kurani), me qëllim që të shpifje për Ne diçka tjetër – dhe atëherë ata me siguri do të të kishin marrë ty për mik të ngushtë.[7]
  8. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati sa nuk anove pak nga ata[8]
  9. – dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë të jetës (në këtë botë) dhe dënimin e dyfishtë të vdekjes (në botën tjetër), dhe nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.[9]

[1] Kur juve, o idhujtarë, ju godet stuhia në det dhe përballeni me frikën e mbytjes, i harroni totalisht të gjithë ata që i adhuroni në vend të Allahut, dhe i luteni vetëm Allahut Fuqiplotë që t’ju shpëtojë, me sinqeritet të plotë dhe me bindjen e patundshme se vetëm Ai mund tju shpëtojë e tju ndihmojë. Por, kur Allahu ju ndihmon dhe ju shpëton duke ju nxjerrë shëndosh e mirë në tokë, atëherë ju i ktheni shpinën Allahut dhe besimit të sinqertë e veprës së mirë, dhe ktheheni te adhurimi i idhujve dhe veprat e këqia. Kjo është injorancë e madhe e njeriut dhe mohim i Zotit të tij. Vërtet, njeriu është mosmirënjohës i mirësive të Allahut ndaj tij.

[2] A mos jeni të pavëmendshëm nga dënimi i Allahut, o njerëz, kur u bëtë mosmirënjohës ndaj Tij dhe adhuruat të tjerë përveç Tij, pasi që Ai ju shpëtoi nga mbytja në det? A mos u siguruat se Ai nuk do të bëjë që toka poshtë jush të çahet dhe t’ju përpijë ashtu si përpiu Karunin nga populli i Musait, apo se nuk do t’ju lëshojë stuhi gurësh nga qielli e t’ju shfarosë të gjithëve si popullin e Lutit, e ju nuk do të gjeni askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut?!

[3] Apo mos u siguruat, o njerëz, nga dënimi i Zotit tuaj, kështu që e mohuat Atë dhe adhuruat të tjerë përveç Tij, dhe menduat se nuk do të ktheheni më në det, e Ai tju dërgojë një uragan ere të fortë që tju mbytë në det për shkak të mohimit tuaj?! Atëherë nuk do të gjeni askënd që të na kërkojë Neve llogari për atë që bëmë me ju.

[4] Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit, njerëzit, duke u dhënë logjikë, dije, përsosmëri në krijim dhe Libra qiellorë e të dërguar nga Ne; dhe kemi bërë që ata të udhëtojnë lehtësisht nëpër tokë (me kafshë e mjete të ndryshme udhëtimi) e nëpër det (me anije); i kemi furnizuar me ushqime e mjete jetese të mira e të shijshme dhe i kemi privilegjuar mbi shumë krijesa të tjera që kemi krijuar, me një provilegj të veçantë. Thuhet se privilegji i veçantë është mundësimi i njeriut që të përdorë duart e tij për të kapur, punuar, ngrënë e pirë, dhe për shumë shërbime të tjera që nuk mund t’i bëjnë krijesat e tjera në Tokë. Pra, le të falënderojë njeriu për këtë privilegjim që Krijuesi i ka bërë atij.

[5] Kujto, o i Dërguar, ditën e Ringjalljes, si përgëzim dhe paralajmërim për njerëzit, kur Allahu do ta thërrasë secilin popull në emër të profetit dhe të prijësit të tyre që pasonin në dynja (o populli i këtij profeti, ose i këtij prijësi). Ata që do të jenë të mirë prej tyre, dhe të cilëve do t’u jepet libri i veprave të veta në dorën e djathtë, këta do e lexojnë me gëzim dhe lumturi librin e veprave të tyre të mira, dhe atyre nuk do u pakësohet asgjë nga shpërblimi i veprave të tyre të mira, as sa membrana e bërthamës së hurmës arabe.

[6] Ndërsa ai që e ka zemrën të verbër në këtë botë, dhe që i mbyll sytë para të vërtetës dhe provave që tregojnë fuqinë e Allahut, dhe nuk e beson atë me të cilën ka ardhur i Dërguari i Allahut, ky person, në botën tjetër do të jetë edhe më i verbër nga ndjekja e rrugës që të çon në Xhenet dhe më i humbur nga ajo rrugë.

[7] Idhujtarët e Mekes gati sa nuk ia arritën të të devijonin ty, o Muhamed, nga Kurani që të shpallte Allahu, me qëllimin që të shpifje për Allahun diçka tjetër nga ato që të shpallte – dhe atëherë, nëse do të kishe bërë atë që kërkonin ata, me siguri që do të të kishin marrë për mik të ngushtë e të dashur.

[8] Sikur Ne mos të të bënim të qëndrueshëm në të vërtetën dhe mos të të ruanim nga prirja ndaj idhujtarëve, ti gati sa nuk anove pak gjë nga ata, për shkak të dëshirës tënde të madhe që ata të udhëzoheshin –

[9] Sikur të kishe anuar sado pak nga idhujtarët dhe kërkesa e tyre, o Muhamed, atëherë Ne do të bënim që të shijoje dyfishin e dënimit të jetës në këtë botë dhe dyfishin e dënimit të vdekjes në botën tjetër; sepse mirësia e Allahut ndaj Teje është e plotë dhe njohuria jote është gjithashtu e plotë; dhe atëherë ti nuk do të gjeje askënd që të ndihmonte dhe të largonte nga ti dënimin Tonë! – Ajeti është argument që i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) nuk anoi aspak nga idhujtarët apo kërkesat e tyre, por Allahu e bëri atë të qëndrueshëm, duke e plotësuar kështu mirësinë e Vet ndaj të Dërguarit të Tij, i cili gjithashtu e përmbushi misionin e Zotit të tij dhe arriti gradën më të lartë të të gjitha krijesave të Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër.

-289-



  1. Ata gati sa nuk të nxitën ta lije vendin, për të të dëbuar prej tij, por atëherë, ata nuk do të kishin qëndruar pas largimit tënd veçse pak kohë.[1]
  2. Ky ishte ligji për ata që dërguam para teje (o Muhamed), dhe në ligjin Tonë nuk do të gjesh ndonjë devijim.[2]
  3. Kryeje lutjen që nga kalimi i Diellit meridianin e tij deri në errësirën e natës, dhe gjithashtu Kuranin (lutjen) e agimit; sepse me të vërtetë, Kurani i agimit është i dëshmuar (nga engjëjt).[3]
  4. Dhe në një pjesë të natës, ngrihu për t’u lutur me të (Kuranin) si shtesë për ty (Muhamed), në mënyrë që Zoti yt të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.[4]
  5. Dhe thuaj: “Zoti im, më fut me një futje të nderuar dhe më nxirr me një dalje të nderuar, dhe më jep nga ana Jote një autoritet mbështetës!”[5]
  6. Dhe thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u zhduk. Sigurisht, e pavërteta është e gjithnjë e zhdukur.”[6]
  7. Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, por që të padrejtëve (mohuesve) nuk u shton veçse humbje.[7]
  8. Kur Ne i japim mirësi njeriut, ai kthen shpinën dhe largohet mënjanë; por kur e prek e keqja, ai bie në dëshpërim.[8]
  9. Thuaj: “Çdokush vepron sipas mënyrës së vet, por Zoti juaj e di më së miri se kush është në rrugën më të drejtë.”[9]
  10. Ata të pyesin ty (Muhamed) për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë nga dija veçse pak.”[10]
  11. Nëse do të donim, do të ta merrnim atë që të kemi shpallur – dhe atëherë, ti (Muhamed) nuk do të gjeje askënd, që mund të ndihmonte për të kundër Nesh.[11]

[1] Idhujtarët dhe mohuesit gati sa nuk të nxitën ta lije Meken me ngacmimet dhe shqetësimet e tyre, me qëllim që të dëbonin prej saj përgjithmonë, por nëse ata do të të nxirrnin ty prej saj, nuk do të qëndronin në të pas largimit tënd veçse për pak kohë, deri sa t’iu vinte dënimi i shpejtë nga Allahu. Dhe vërtet, nuk zgjati shumë pas largimit të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) nga Meka ne Medine, veç kur paria e idhujtarëve të Mekes pësoi disfatë dhe humbje të madhe në luftën e Bedrit, ku u vranë kokat e tyre dhe ra fuqia e tyre.

[2] Shkatërrimi i popullit mohues që nxirrte të dërguarin e Allahut nga vendi i tij, ishte ligji i Allahut për të gjithë popujt dhe të dërguarit para teje, o Muhamed, dhe ti nuk do të gjesh ndryshim në ligjin Tonë dhe nuk do të gjesh thyerje të premtimit Tonë.

[3] Kryeji rregullisht namazet ditore, duke filluar nga kalimi i Diellit meridianin e tij në mesditë, deri në errësirën e natës – dhe këtu hyn namazi i drekës, mbasdites, akshamit dhe i darkës – dhe kryej gjithashtu namazin e Sabahut dhe zgjate leximin e Kuranit në këtë namaz, sepse vërtet, namazin e Sabahut e dëshmojnë engjëjt e natës dhe engjëjt e ditës.

[4] Dhe në një pjesë të natës, ngrihu nga shtrati dhe lexo Kuran në namazin e natës, i cili është një detyrim shtesë i posaçëm për ty, o Muhamed, dhe jo i detyrueshëm por vullnetar për popullin tënd, në mënyrë që Zoti yt të të lartësojë ty në gradë dhe të të vendosë në një vend të lavdëruar pas ringjalljes në ditën e Kiametit, duke të të bërë ndërmjetësues të krijesave tek Allahu që Allahu t’i mëshirojë ato atë ditë; në atë vend ku do të të lavdërojnë të gjitha krijesat, nga të parat deri tek të fundit.

[5] Dhe thuaj, o Muhamed: “Zoti im! Më fut në Medine (kur emigroi nga Meka) me një futje të nderuar dhe më nxirr nga Meka me një dalje të nderuar; dhe më jep nga ana Jote një autoritet mbështetës dhe provë të qartë kundër atyre që më nxorrën nga Meka dhe kundër të gjithë idhujtarëve e mohuesve!” Kurse kuptimi më i përgjithshëm është: “Zoti im! Më fut në atë që është e mirë për mua me një futje të nderuar dhe më nxirr nga ajo që është e keqe për mua me një dalje të nderuar, dhe më jep mua provë të qartë që të më ndihmojë kundër të gjithë atyre që më kundërshtojnë!”

[6] Dhe thuaj idhujtarëve, o Muhamed: “E vërteta e Islamit erdhi tashmë, ndërsa e pavërteta e idhujtarisë u zhduk. Sigurisht, e pavërteta është gjithnjë e zhdukur dhe nuk mund të qëndrojë kurrë kur vjen e vërteta, kurse e vërteta është e qëndrueshme dhe nuk zhduket kurrë.”

[7] Ne zbresim ajete nga Kurani, të cilat janë shërim për besimtarët nga sëmundjet e zemrës, si injoranca, dyshimi dhe hipokrizia në fenë e Allahut, dhe nga sëmundjet e trupit që kurohen me lexim të ajeteve të Kuranit; dhe të cilat janë mëshirë nga Allahu për besimtarët për shkak të besimit të tyre; por ky shërim dhe kjo mëshirë është vetëm për besimtarët, kurse mosbesimtarët nuk kanë pjesë në këtë, madje zbritja e ajeteve të Kuranit dhe dëgjimi i tyre, nuk u shton mohuesve veçse mohimin, humbjen dhe shkatërrimin, për shkak të përgënjeshtrimit dhe mosbesimit të tyre.

[8] Kur Allahu i jep mirësi njeriut, qoftë pasuri, shëndet apo shpëtim nga fatkeqësitë apo mbytja në det, ai kthen shpinën dhe largohet nga bindja dhe adhurimi i Zotit të tij dhe nuk e falënderon Atë por bëhet mosmirënjohës; por kur e prek më pas ndonjë e keqe – varfëri, sëmundje apo fatkeqësi -, ai bie në dëshpërim të plotë, sepse nuk ka besim te mirësia dhe mëshira e Allahut veçse ata që e ruajnë Allahun dhe ligjet e Tij në çdo gjendje që të jenë, si në gëzim edhe në hidhërim.

[9] Thuaj njerëzve, o Muhamed: “Secili prej jush vepron dhe punon sipas mënyrës dhe rrugës së vet, por Zoti juaj e di më së miri se kush prej jush është në rrugën më të drejtë që të çon te e vërteta dhe tek Allahu.”

[10] Mohuesit nga ithtarët e Librit – hebrenjtë – të pyesin ty, o Muhamed, në lidhje me shpirtin, se çfarë është ai. Thuaju: “E vërteta e shpirtit dhe çfarë lidhet me të është një çështje që Allahu e ka veçuar vetëm në dijen e Tij, ndërsa juve, që pyesni, dhe të gjithë njerëzve, nuk ju është dhënë nga dije veçse diçka e pakët.”

[11] Sikur të donim, Ne do ta fshinim Kuranin nga zemra dhe mendja jote, o Muhamed – dhe atëherë, ti nuk do të gjeje asnjë ndihmës që të na ndalonte nga kjo gjë apo që ta kthente Kuranin tek ti.

-290-



  1. Por (nuk e bëjmë këtë) vetëm prej mëshirës nga Zotit yt. Me të vërtetë, mirësia e Tij ndaj teje është shumë e madhe.[1]
  2. Thuaj (O Muhamed): “Sikur të gjithë njerëzit dhe xhinët të mblidheshin për të hartuar një të ngjashëm me këtë Kuran, nuk do të mundeshin kurrë të hartonin një të ngjashëm me të, edhe sikur të ishin ndihmës të njëri – tjetrit.”[2]
  3. Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran nga të gjitha llojet e shembujve, megjithatë shumica e njerëzve këmbëngulin në mohim.[3]
  4. Ata thonë: “Ne nuk do të besojmë ty (o Muhamed), derisa të bësh që nga toka të shpërthejë një gurrë uji për ne;[4]
  5. Ose, derisa të kesh një kopsht palmash dhe rrushi, dhe të bësh që nëpër të të rrjedhin lumenjtë me vrull;[5]
  6. Ose, derisa ta rrëzosh qiellin copa-copa mbi ne, siç ke thënë ose, derisa të sjellësh Allahun dhe engjëjt para nesh;[6]
  7. Ose, derisa të kesh një shtëpi prej ari, ose, derisa të ngjitesh në qiell – dhe nuk do ta besojmë ngjitjen tënde, derisa të na sjellësh një libër që mund ta lexojmë.” Thuaju: “Lartësuar qoftë Zoti im! A nuk jam unë veçse njeri, i dërguar?!”[7]
  8. Asgjë nuk i pengoi njerëzit të besojnë kur u erdhi udhëzimi, përveçse ngaqë thanë: “A ka dërguar Allahu një njeri si të dërguar?”[8]
  9. Thuaj (O Muhamed!): “Sikur në Tokë të kishte engjëj që ecnin të sigurt, Ne do t’u çonim atyre nga qielli një engjëll si të dërguar.”[9]
  10. Thuaj (O Muhamed!): “Mjafton Allahu për dëshmitar mes meje dhe jush. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëdijshëm për robërit e Vet, Gjithëshikues i tyre.”[10]

[1] Por Allahu të mëshiroi ty, o Muhamed, kështu që e rrënjosi Kuranin në zemrën tënde nga mëshira e Tij. Me të vërtetë, mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe; Allahu të ka dhënë këtë Kuran, vendin e Lavdëruar dhe më të lartë të krijesave në botën tjetër, e shumë të tjera që nuk ia ka dhënë askujt tjetër prej krijesave të Tij.

[2] Thuaj, o Muhamed, atyre të cilët të thonë se edhe ata mund të hartojnë diçka të ngjashme me Kuranin: “Edhe sikur të gjithë njerëzit dhe xhinët të bashkoheshin për të hartuar një të ngjashëm me këtë Kuran të mrekullueshëm, nuk do të munden kurrë të hartojnë diçka të ngjashme me të, edhe sikur të ndihmojnë njëri-tjetrin (njerëzit dhe xhinët së bashku).” Përmendet se ky ajet i zbriti të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur disa prej hebrenjve të Medines polemizuan me të në lidhje me Kuranin dhe i kërkuan atij që të sillte një ajet tjetër nga vetja e tij që të dëshmonte për profetësinë e tij, pasi sipas tyre, ajete të ngjashme me të Kuranit mund të sillnin e të hartonin edhe ata. Atëherë Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij këtë ajet për t’i sfiduar ata dhe të gjithë njerëzit e xhinët së bashku.

[3] Ne i kemi sjellë dhe sqaruar njerëzve në këtë Kuran nga të gjitha llojet e shembujve dhe provave, në mënyrë që ata të marrin mësim dhe të ndjekin rrugën e drejtë e të vërtetë, por megjithatë, shumica e njerëzve refuzojnë të vërtetën dhe këmbëngulin në mohimin e saj dhe në mohimin e provave të Allahut.

[4] Idhujtarët prej popullit tënd, o Muhamed, të thonë ty: “Ne nuk do të të besojmë kurrë, derisa nga toka jonë e Mekes të bësh që të shpërthejë një gurrë uji e rrjedhshme;

[5] Ose, derisa të kesh një kopsht me palma e rrush, nëpër të cilin të bësh që të rrjedhin lumenj të bollshëm e të vrullshëm;

[6] Ose, derisa ta rrëzosh qiellin copa-copa si dënim mbi ne, siç ke thënë, ose, derisa të sjellësh Allahun dhe engjëjt para nesh, që t’i shohim me sytë tanë;

[7] Ose, derisa ti, Muhamed, të kesh një shtëpi prej ari, ose derisa të ngjitësh me shkallë në qiell – dhe nuk do të besojmë që je ngjitur vërtet në qiell, derisa të kthehesh nga qielli me një libër të shkruajtur nga Allahu ku të mund të lexojme që ti je vërtet i Dërguari i Allahut!” Thuaju atyre, o Muhamed, duke u shprehur me çudi nga kokëfortësia e tyre: “Lartësuar qoftë Zoti im! Çudi me ju! A nuk jam veçse një njeri nga robërit e Allahut, që u komunikoj juve mesazhin e Tij, ashtu si edhe të dërguarit e tjerë të Allahut para meje?! Atëherë, si mund ta bëj atë që kërkoni ju?!”

[8] Asgjë nuk i ka penguar mohuesit nga besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, kur atyre u erdhi udhëzimi dhe sqarimi i qartë nga Allahu, përveç fjalës së tyre të injorancës dhe refuzimit: «A ka dërguar Allahu një të dërguar nga rraca njerëzore?! Përse të mos e kishte dërguar nga engjëjt?!»

[9] Thuaju, o i Dërguar, atyre idhujtarëve që mohojnë që i dërguari i Allahut në Tokë të jetë prej njerëzve: «Sikur në Tokë të kishte engjëj në vend të njerëzve, të cilët ecnin të sigurt nëpër Tokë, ashtu si njerëzit, atëherë Ne do u kishim dërguar atyre një engjëll nga qielli si të dërguarin Tonë, që të mund ta shihnin e ta kuptonin.» Por banorët e Tokës janë njerëz, kështu që i Dërguari i Allahut tek ata nuk mund të jetë veçse nga rraca njerëzore, që të mund ta shohin dhe ta kuptojnë çfarë thotë.

[10] Thuaju atyre idhujtarëve, o Muhamed: “Mjafton Allahu për Dëshmitar mes meje dhe jush për vërtetësinë e profetësisë time. Me të vërtetë, Allahu di në hollësi çdo detaj e gjendje të robërve të Tij, dhe Ai i sheh ata dhe gjithçka veprojnë ata, pastaj do e shpërblejë secilin për atë që ka vepruar.»

-291-



  1. Ai, të cilin Allahu e udhëzon, vetëm ai është i udhëzuari; ndërsa ata që Ai lë në humbje – për ta nuk do të gjesh mbrojtës tjetër përveç Tij. Ne do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit mbi fytyrat e tyre – të verbër, memecë e të shurdhër. Streha e tyre është Xhehenemi; sa herë që të ulet flaka e tij, Ne do ua shtojmë flakërimin.[1]
  2. Ky është shpërblimi i tyre, meqenëse mohuan provat Tona dhe thanë: “Kur të jemi bërë eshtra dhe pluhur, a do të ringjallemi vërtet si një krijim i ri?”[2]
  3. A nuk e shohin ata, se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën, është i Aftë të krijojë si ata dhe, se Ai u ka caktuar atyre një afat, për të cilin nuk ka dyshim? Por, të padrejtët këmbëngulin në mohim.[3]
  4. Thuaju: “Edhe sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, përsëri do të shtrëngonit dorën nga frika se mos shpenzoheni. Vërtet, njeriu përgjithësisht është koprrac.”[4]
  5. Ne i dhamë Musait nëntë prova të qarta. Pyeti bijtë e Izraelit (për aprovim), kur ai (Musai) u erdhi atyre dhe Faraoni i tha atij: “Vërtet, unë mendoj se ti, o Musa, je i magjepsur.”[5]
  6. Ai (Musai) i tha: “Ti e di se këto (mrekulli) nuk i ka zbritur askush tjetër, përveç Zotit të qiejve dhe të Tokës, si prova të dukshme dhe Unë jam i bindur se ti, o Faraon, je i shkatërruar.”[6]
  7. Ai (Faraoni) deshi t’i dëbonte ata nga toka (Egjiptit), por Ne e mbytën atë së bashku me të gjithë ata që ishin me të.[7]
  8. Dhe pas tij, u thamë Bijve të Izraelit: “Banoni në këtë tokë (Levant)! Por kur të vijë premtimi i botës tjetër (Kiameti), Ne do t’ju sjellim të gjithëve të përzier.”[8]

[1] Këdo që Allahu udhëzon, ai është i udhëzuari i vërtetë në rrugën e drejtë të Allahut; ndërsa ata që Allahu i lë në humbje, të mbështetur në vetveten e tyre, për ta nuk do të gjesh kurrë mbrojtës e ndihmues që t’i udhëzojnë ata, përveç Allahut. Këta të humburit, Allahu do i ringjallë në ditën e Kiametit dhe do i tubojë ata duke ecur mbi fytyrat e tyre – të verbër, memecë e të shurdhër. Streha e tyre e përhershme është Xhehenemi, ku ata do të jenë lëndë djegëse e tij. Sa herë që flaka e Xhehenemit të zbehet apo të shuhet, Allahu do ua shtojë edhe më shumë flakërimin dhe zjarrin.

[2] Ky dënim i udhujtarëve, që u përshkrua më sipër, do të jetë për shkak të mohimit të provave të Allahut dhe përgënjeshtrimit që ata i bënë të dërguarve të Allahut, të cilët i ftuan ata në adhurimin vetëm të Allahut, dhe për shkak të fjalës së tyre (në ajetin 49 të kësaj sure), kur u urdhëruan të besojnë ringjalljen: “Pasi të jemi bërë eshtra dhe pluhur në varret tona, vërtet do të ringjallemi në krijesa të reja, ashtu si ishim para se të vdisnim?”

[3] A nuk e dinë këta idhujtarët, se Allahu, i Cili ka krijuar qiejt dhe Tokën, dhe gjithçka gjendet në to dhe mes tyre, pa ndonjë shembull të mëparshëm dhe nga asgjëja, është i Aftë që me Fuqinë e Tij t’i rikrijojë ata pas zhdukjes së tyre dhe, se Allahu u ka caktuar atyre një afat të caktuar për vdekjen dhe ndëshkimin e tyre, për të cilin nuk ka dyshim se do të vijë? Por, megjithë qartësinë e të vërtetës dhe provat e qarta të saj, mohuesit dhe idhujtarët këmbëngulin në mohimin e fesë së Allahut të Madhëruar.

[4] Thuaju idhujtarëve, o Muhamed: “Edhe sikur ju të zotëronit thesaret e pafundme të mëshirës (pasurisë) së Zotit tim, përsëri do të ishit koprrac dhe nuk do i jepnit të tjerëve prej saj nga frika se mos ju mbaronte dhe ngelnit të varfër – sepse vërtet, njeriu përgjithësisht është koprrac me atë që zotëron, me përjashtim të atyre që i ka ruajtur Allahu me besimin që u ka dhuruar.

[5] Allahu i dha Musait nëntë mrekulli dhe prova të qarta dhe dëshmuese të profetësisë së tij, të cilat ishin: shkopi, dora që lëshonte dritë, vitet e thatësirës, pakësimi i prodhimeve të tokës, tufani, karkalecat, morrat, bretkosat dhe gjaku. Pyeti, o Muhamed, hebrenjtë që gjenden në Medine, për aprovim, kur të parëve të tyre u erdhi Musai me mrekullitë e tij të qarta, dhe Faraoni i tha atij: «Vërtet, unë besoj si ti, o Musa, je magjistar dhe i pushtuar nga magjia dhe ke humbur mendjen, dhe si rezultat bën këto çudira.»

[6] Musai ia ktheu Faraonit: “Ti e di shumë mirë se këto nëntë provat që dëshmojnë vërtetësinë e fjalës time dhe se unë jam i dërguari i Allahut, nuk i ka zbritur askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës, për të qënë mësim dhe prova të dukshme për ata që janë të mprehtë, që dëshmojnë se Allahu është Një e i Pashoq ; dhe unë jam i bindur se ti, o Faraon, je i shkatërruar, i mallkuar dhe i mundur.»

[7] Faraoni deshi ta dëbonte Musain dhe popullin e tij nga toka e Egjiptit, por Ne e mbytëm atë në det me të gjithë ushtrinë e tij që ishte së bashku me të.

[8] Pas mbytjes së Faraonit dhe ushtrisë së tij, Ne u thamë Bijve të Izraelit: «Banoni në tokën e Levantit, por kur të vijë Dita e Kiametit, Ne do t’ju ringjallim dhe do t’ju tubojmë të gjithëve, të përzier në tokën e Llogarisë; ku nuk do e njihni njëri-tjetrin dhe nuk do i bashkoheni fisit apo krahinës që i përkisnit në dynja.

-292-



  1. Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) me të vërtetën dhe me të vërtetën ai ka zbritur. Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) vetëm si lajmëtar dhe paralajmërues.[1]
  2. Këtë Kuran Ne e kemi ndarë (në pjesë dhe intervale), që ti (Muhamed) t’ua lexosh njerëzve pa u nxituar; dhe e kemi e zbritur atë pak nga pak.[2]
  3. Thuaj (o Muhamed): “Besoni në të (Kuranin) ose mos besoni! Por, kur ai u lexohet atyre që u është dhënë dija para zbritjes së tij, ata bien me fytyrat përtokë duke bërë sexhde,
  4. dhe thonë: “Madhëruar qoftë Zoti ynë! Me të vërtetë, premtimi i Zotit tonë është i përmbushur!”[3]
  5. Ata bien me fytyrat përtokë, duke qarë dhe ai (Kurani) ua shton përuljen.[4]*
  6. Thuaj (o Muhamed): “Thirrni Allahun apo thirrni të Gjithëmëshirshmin – me cilindo emër që ta thirrni, Ai ka emrat më të bukur.” Dhe mos lexo (Kuran) me zë të lartë gjatë namazit, as me zë tepër të ulët, por kërko një rrugë të mesme.[5]
  7. Dhe thuaj: “Lavdërimi i përket vetëm Allahut, i Cili nuk ka fëmijë, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk ka ndonjë ndihmës nga poshtërimi; dhe madhëroje Atë me madhërimin që i takon!”[6]

[1] Ne ia kemi zbritur këtë Kuran Muhamedit me të vërtetën – për të urdhëruar e ndaluar njerëzit dhe për t’i shpërblyer e ndëshkuar ata – dhe me të vërtetën, të sinqertën, drejtësinë dhe ruajtjen nga ndryshimi apo devijimi ai ka zbritur. Ne nuk të kemi dërguar ty për tjetër gjë, o Muhamed, vetëm se për të qënë lajmëtar përgëzues me Xhenet i atyre që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe paralajmërues me dënimin e Zjarrit për ata që nuk binden dhe mohojnë.

[2] Ne ta kemi zbritur ty, o Muhamed, Kuranin të ndarë në pjesë dhe intervale kohore, të sqaruar mirë dhe ndarës të vërtetës nga e pavërteta, me qëllim që ti t’ua lexosh atë njerëzve ngadalë dhe pa u nxituar, në mënyrë që ta kuptojnë dhe ta zbatojnë si duhet; dhe ta kemi zbritur atë pak nga pak, të shtrirë në një periudhë kohore prej 23 vjetësh, sipas nevojës dhe çështjeve aktuale të besimtarëve.

[3] Thuaju, o Muhamed, përgënjeshtruesve të tu dhe të Kuranit: “Besoni në Kuranin ose mos besoni – për vete e bëni, sepse besimi juaj nuk do i shtojë atij përsosmërinë, dhe përgënjeshtrimi juaj nuk do i shkaktojë ndonjë mangësi! Por ta dini, se dijetarët që u është dhënë dije nga Librat e mëparshëm qiellor, para zbritjes së Kuranit, të cilët e mësuan të vërtetën e shpalljes hyjnore, kur u lexohet Kurani, frikësohen dhe bien menjëherë me fytyrat përtokë duke i bërë sexhde Allahut në shenjë madhërimi dhe respekti për Kuranin, sepse e dinë se ai ka zbritur nga Allahu; dhe thonë: «Madhëruar qoftë Zoti ynë, dhe i Pastër është Ai nga ajo që i përshkruajnë idhujtarët dhe nga mospërmbushja e premtimit! Me të vërtetë, premtimi i Zotit tonë, për dërgimin e Muhamedit dhe për shpërblimin e besimtarëve dhe dënimin e mosbesimtarëve, është i përmbushur dhe i vërtetë, dhe për të nuk ka pikë dyshimi.»

[4] Dijetarët e Librave qiellor të mëparshëm bien me fytyrat përtokë, duke qarë, të prekur nga fjalët e Kuranit, dhe dëgjimi i Kuranit ua shton atyre përuljen ndaj Allahut dhe bindjen ndaj Tij. Janë qëllim ata dijetarë prej ithtarëve të Librave të mëparshëm, të cilëve Allahu u dha mirësi dhe i udhëzoi në Islam, si Abdullah ibën Selam, e të tjerë, të cilët besuan Kuranin dhe të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), qoftë në kohën e të Dërguarit të Allahut apo më pas. * Ky është prej ajeteve të sexhdes.

[5] Thuaju, o Muhamed, atyre idhujtarëve nga populli yt, të cilët të qortojnë pse lutesh me fjalët : «O Allah! O i Gjithëmëshirshëm!», sikur po thërret dy zota të ndryshëm, sipas tyre, por thuaju: «Thirrni Allahun apo thirrni të Gjithëmëshirshmin – me cilindo emër që ta thirrni Atë prej emrave të Tij, Ai ka emrat më të bukur, por është Një Zot i Vetëm; dhe kur luteni, thirreni Atë me emrin më të përshtatshëm në varësi të lutjes dhe asaj që kërkoni. Dhe mos lexo me zë të lartë gjatë namazit, që të mos dëgjojnë idhujtarët e të shajnë ty dhe Allahun, por as mos e ul tepër zërin sa të mos mundet të dëgjojnë shokët e tu që falen pas teje, por zgjidh një rrugë të mesme, në mënyrë që të mos dëgjojnë idhujtarët dhe të dëgjojnë besimtarët që falen pas teje.

[6] Dhe thuaj, o Muhamed: “Lavdërimi dhe Përsosmëria i përket vetëm Allahut, i Cili është i Pastër nga pasja fëmijë apo ortak në Hyjninë dhe pushtetin e Tij, dhe është i Pastër nga pasja ndihmës që të mund ta ndihmonte për ndonjë nevojë apo poshtërim që i kishte rënë – sepse Allahu është i Plotëfuqishmi, i Pasuri dhe Zotëruesi i gjithçkaje, i Cili nuk ka nevojë për asgjë dhe asnjë nga krijesat e Tij, kurse të gjitha krijesat kanë nevojë për Të; por Ai mund të zgjedhë miq prej robërve të Tij, si mirësi dhe mëshirë e Tij ndaj tyre, siç thotë: «Allahu është mik dhe ndihmës i atyre që besojnë! Ai i nxjerr ata nga errësirat në dritë.» – dhe madhëroje Allahun me madhërimin që i takon, duke e lavdëruar Atë me emrat e Tij të bukur dhe veprat e Tij të shenjta e të mrekullueshme dhe duke e adhuruar Atë ashtu si ka urdhëruar, pa i shoqëruar asgjë dhe askënd në adhurim, por duke qënë i sinqertë në fenë dhe adhurimin vetëm të Atij.

-293-