NJËSIMI I ALLAHUT – TEUHIDI DHE PJESËT E TIJ
Nga libri: “El Kaulu el Mufid ala Kitabi et Teuhid”
Autor: Dijetari i madh Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)
1. Teuhidi er Rububije
ALLAHU ËSHTË KRIJUESI, ZOTËRUESI DHE MBAJTËSI I GJITHÇKAJE QË EKZISTON
Teuhidi er Rububije është të njësuarit e Allahut të Madhëruar në të qenurit Krijues, Zotërues dhe Rregullues e Sistemues i gjithçkaje që ekziston.
- Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Krijues realizohet duke besuar se nuk ka krijues tjetër përveç Allahut.
Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi.” [1]
Nga kjo fjali kuptohet veçimi dhe kufizimi i gjërave të përmendura vetëm për Allahun, pasi në të është paraprirë kallëzuesi para kryefjalës, gjë e cila në gjuhën arabe të jep të kuptosh që ky kallëzues është i posaçëm dhe i veçantë për atë kryefjalë.
Allahu i Lartësuar thotë: “A ka krijues tjetër përveç Allahut që iu furnizon nga qielli dhe toka?!”[2]
Nga ky ajet përfitohet gjithashtu se krijimi i përket vetëm Allahut dhe ai është i posaçëm vetëm për Të, pasi që pyetja që drejtohet në të është pyetje sfiduese.
Ndërsa përsa i përket pohimit të ndonjë krijuesi tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: “I Lartësuar me Madhështi qoftë Allahu, më i Miri i krijuesve!”[3]
Apo si në fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) rreth piktorët, të cilëve do t’u thuhet: “Jepuni jetë atyre që keni krijuar.”[4]
Këto në fakt nuk janë krijim në të vërtetë dhe as futje në ekzistencë pas mosekzistencës së tyre, por ato janë shndërrim i diçkaje nga një gjendje në një gjendje tjetër [Asgjë nuk krijohet nga asgjëja në këtë botë (nga njerëzit) dhe asgjë nuk zhduket (pasi është krijuar), por ajo kthehet nga një gjendje në një gjendje tjetër; Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe tek Allahu është kthimi i çdo gjëje. Sh.P].
Vepra e njerëzve gjithashtu nuk është gjithpërfshirëse, por ajo kufizohet me mundësinë e njeriut dhe në një rreth shumë të ngushtë, kështu që kjo nuk e kundërshton fjalën tonë: Të njësuarit e Allahut në të qenurit Krijues.
- Të njësuarit e Allahut në të qenët i Vetmi Zotërues
Kjo realizohet duke besuar dhe pasur bindjen se krijesat nuk i sundon veçse Krijuesi i tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar: “I Allahut është sundimi i qiejve dhe tokës.”[5]
Dhe thotë: “Thuaj: Në dorë të kujt është mbisundimi i gjithçkaje?!”[6]
Ndërsa përsa i përket pohimit të sundimit dhe zotërimit të dikujt tjetër përveç Allahut, si në Fjalën e Allahut: “Përveç me bashkëshortet ose me ato të cilat janë nën zotërimin e tyre (robëreshat), në këtë rast ata nuk ngarkohen me faj.”[7]
Dhe në Fjalën e Allahut: “Ose në shtëpinë të cilës ju i zotëroni çelësat.”[8]
Ky në fakt është zotërim i kufizuar dhe nuk përfshin veçse diçka të pakët prej të gjitha këtyre krijesave. Njeriu zotëron atë që ka në dorën e tij dhe nuk e zotëron atë që gjendet në dorën e tjetrit.
Po ashtu, zotërimi i tij është i mangët për nga përshkrimi; njeriu nuk e zotëron plotësisht atë që zotëron, për këtë shkak ai nuk vepron në të veçse konform ligjeve të vendosura në Sheriat.
P.sh: Sikur ai të dëshironte të digjte pasurinë e tij, apo të rrihte kafshën e tij, ne do të thoshim: Kjo nuk lejohet. Ndërsa Allahu i Madhëruar e zotëron gjithçka me zotërim e sundim të plotë e gjithpërfshirës.
- Të njësuarit e Allahut në të qenurit i Vetmi Rregullues e Përgatitës i gjithçkaje:
Kjo realizohet duke besuar se nuk ka rregullues e sistemues tjetër përveç Allahut të Vetëm. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kush iu furnizon nga qielli dhe toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? Do të thonë të gjithë: ‘Allahu’. Ndërsa ti thuaju: A nuk keni frikë atëherë nga ndëshkimi i Allahut?! Ky është Allahu, Zoti juaj i Vërtetë dhe pas të vërttetës ç’gjë tjetër mund të ketë përveç errësirës dhe humbjes? Si atëherë ndërroni rrugë?!”[9]
Ndërsa rregullimi i njeriut është i kufizuar në atë që posedon dhe sipas ligjeve të Sheriatit.
- Këtë lloj të Teuhidit nuk e kanë kundërshtuar as idhujtarët në mesin e të cilëve u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por ata e pohonin atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur t’i pyesje ata se kush i krijoi qiejtë dhe tokën, ata do të thonë: Ato i ka krijuar i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.”[10]
Këta e pohojnë se Allahu është Ai i Cili i rregullon e sistemon gjërat dhe se i Tij është zotërimi i qiejve dhe tokës.
Këtë nuk dihet ta ketë mohuar askush prej bijve të Ademit; askush nuk ka thënë: Gjithësia ka dy krijues të barabartë!
Pra askush nuk e ka mohuar Teuhidin er Rububije, as me refuzim të tij dhe as me shokvënie Allahut në të. Me përjshtim të asaj që ka ndodhur me Faraonin i cili e mohoi atë me refuzim nga kryeneçësia. Ai e zhveshi Allahun nga të qenurit Zot dhe Krijues i gjithçkaje, madje e mohoi ekzistencën e Tij. Allahu i Lartësuar tregon për të: “Ai tha: ‘Unë jam zoti juaj më i lartë!”[11], “Unë nuk di që ju të keni zot tjetër përveç meje!”[12]
Kjo ishte një kryeneçësi dhe arrogancë e tij, pasi ai e dinte shumë mirë se Zoti ishte dikush tjetër dhe jo ai, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe ata i përgënjeshtruan ato (Ajetet Tona) padrejtësisht dhe me kryeneçësi.”[13]
Dhe thotë Allahu duke treguar për Musën –alejhis selam- kur ai polemizonte me Faraonin: “Në të vërtetë ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk i ka zbritur veçse Zoti i qiejve dhe tokës.”[14]
Ai në fakt, në vetvete e pohonte se Zoti ishte Allahu i Madhëruar.
- Ndërsa me shokvënie Allahut, këtë lloj të Teuhidit e kanë mohuar mexhuset (adhuruesit e zjarrit), të cilët thanë: Gjithësia ka dy krijues; krijuesi i dritës dhe krijuesi i errësirës. Por megjithatë, këta nuk i kanë konsideruar të barabartë këta dy krijues.
Ata thonë: Drita është më e mirë se errësira, pasi që ajo krijon të mirën, ndërsa errësira krijon të keqen, e ai që krijon të mirën është më i mirë se ai që krijon të keqen.
Gjithashtu, sipas tyre errësira është asgjë dhe nuk ndriçon, ndërsa drita është ekzistencë që ndriçon, kështu që ajo është më e plotë në vetvete.
Ata gjithashtu përmendin një dallues të tretë; drita është e vjetër (ka qenë gjithmonë, pa fillim), sipas terminologjisë së filozofëve, por kanë rënë në kundërshtim për errësirën; a është e vjetër apo aksidentale?!
- Argumentimi logjik për të qenurit e Krijuesit të gjithësisë vetëm Një
Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ka marrë ndonjë fëmijë dhe as nuk ka ndonjë zot tjetër bashkë me Të. Përndryshe, secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të luftonin njëri-tjetrin.”[15]
Sikur të pohonim se bota ka dy krijues, atëherë secili prej zotave do të veçohej me atë që kishte krijuar dhe do të bëhej i pavarur, ashtu siç e kanë zakon mbretërit, pasi që ai nuk dëshiron ta shoqërojë kush në sundim.
Dhe nëse do të bëhej i pavarur, ai do të kërkonte edhe diçka tjetër; që i gjithë pushteti e sundimi të jetë vetëm i tij dhe të mos e shoqërojë askush në të.
E në këtë rast, kur secili prej tyre të kërkonte pushtetin e plotë, atëherë ose të dorëzohen që të dy nga pamundësia për të arritur këtë gjë, ose të triumfojë njëri prej tyre mbi tjetrin. E nëse do të ndodhte kjo e dyta, atëherë të qenurit zot do të aprovohej për këtë. Në të kundërt, nëse do të ishte e para, asnjëri prej tyre nuk është zot, pasi që ai që është i pamundur dhe i pafuqishëm, ai nuk mund të jetë zot.
2. Teuhidi el Uluhije
- Teuhidi el Uluhije apo siç i thuhet ndryshe edhe Teuhidi i adhurimit; vështruar nga dy këndvështrime; nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek Allahut, quhet Teuhidi el Uluhije –Njësimi i Allahut në Hyjninë e Tij, dhe nëse do të vështronim nga të adresuarit e tij tek krijesat, quhet Teuhidi i el Ibade –Njësimi i Allahut në adhurim.
- Domethënia e këtij Teuhidi është të njësuarit dhe të veçuarit e Allahut të Madhëruar me adhurim.
Ai i Cili meriton të adhurohet është vetëm Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo sepse Allahu është i Vërteti, ndërsa ato që lusin përveç Allahut janë të kotë e të pavërtetë.” [Lukman: 30].
Termi “adhurim” përdoret për dy gjëra:
E para: Adhurim me kuptimin e të nënshtruarit Allahut të Madhëruar duke kryer urdhërat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, nga dashuria dhe madhërimi për Të.
E dyta: Adhurim me kuptimin e veprës e cila konsiderohet adhurim. Këtë të dytën e ka sqaruar Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) me përkufizimin: “Adhurimi është term përmbledhës për çdo gjë të cilën Allahu e do dhe është i kënaqur për të, prej veprave të dukshme dhe të padukshme.”
Shembull për këtë është namazi; kryerja e tij është adhurim ndërsa vetë ai është të adhuruarit. Namazi është adhurim dhe ne adhurojmë Allahun me namaz.
Prej këtu, Njësimi i Allahut me këtë lloj të teuhidit realizohet duke qenë rob vetëm i Allahut dhe t’i nënshtrohesh vetëm Atij me dashuri e madhërim dhe sipas asaj që Ai ka ligjëruar.
Allahu i Lartësuar thotë: “Mos vër përkrah me Allahun të adhuruar tjetër, përndryshe do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në Zjarr).” [El Isra: 22].
Allahu i Madhëruar thotë: “Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.” [El Fatiha: 2]. Ky cilësim i Allahut me “Zoti i botëve” është pikërisht për aprovimin e të adhuruarit vetëm Allahut; Ai është i Adhuruari sepse Ai është Zoti i botëve.
Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj i Cili iu ka krijuar ju dhe ata të cilët kanë qenë para jush.” [El Bekare: 21].
Pra, Ai i Cili është i Vetmi Krijues, Ai është i Vetmi që meriton të adhurohet.
Përndryshe do të ishte budallik që krijesën e krijuar dhe me fund të sigurtë ta marrësh për zot që e adhuron! Në të vërtetë ajo krijesë nuk ka për të të bërë dobi as me ngjallje, as me shtim të pasurisë dhe as me shtim të jetës, kështu që është mendjelehtësi të shkosh te varri i një njeriu i cili është tretur dhe bërë pluhur dhe t’i lutesh e ta adhurosh atë, kur në fakt është ai i cili ka nevojë për lutjen tënde, ndërsa ti nuk ke nevojë t’i lutesh atij. Ai nuk ka në dorë t’i bëjë dobi apo dëm vetes së tij, e si do ta ketë në dorë diçka të atillë për ty?!
Këtë pjesë të Teuhidit e ka mohuar shumica e krijesave dhe për shkak të tij Allahu i ka dërguar Pejgamberët dhe ka zbritur Librat e Tij. Allahut i Lartësuar thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar veçse i kemi shpallur atij se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Meje, ndaj më adhuroni vetëm Mua!” [El Enbija: 25].
Megjithë këtë, pasuesit e të Dërguarve të Allahut kanë qenë të pakët. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “…Unë pashë atje të kishte Pejgamber me një grup të vogël njerëzish (pauses të tij), një tjetër me një apo dy burra dhe një tjetër pa njeri tjetër bashkë me të.”[16][1]
Vërejtje:
Është për t’u habitur fakti që shumica e atyre të cilët shkruajnë rreth Teuhidit, në këto kohët e fundit, e përqendrojnë vështrimin e tyre në Teuhidin er Rububije, sikur të polemizojnë me njerëz të cilët e mohojnë ekzistencën e Zotit –edhe pse ekzistojnë njerëz të atillë-, por fakti është se shumica e muslimanëve sot kanë rrëshqitur në shirkun (shokvënien Allahut) në adhurim!!
Për këtë shkak kërkohet që përqendrimi të jetë në këtë pjesë të Teuhidit, me qëllim që t’i nxjerrim për tek ai ata muslimanë të cilët thonë se janë muslimanë, por të cilët në fak janë idhujtarë dhe nuk e dinë këtë.
3. Teuhidi i Emrave dhe Atributeve të Allahut
Kjo pjesë e Teuhidit është të njësuarit e Allahut me ato emra dhe atribute që Ai ka, dhe kjo përmban dy gjëra:
E para: Pohimi; që të pohojmë të gjithë emrat dhe atributet e Allahut të Lartësuar të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
E dyta: Mohimi i ngjasimit; që të mos i mveshim Allahut të ngjashëm me Të në emrat dhe atributet e Tij; siç thotë Allahu i Lartësuar: “Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura: 11].
Ky ajet argumenton se Allahut nuk i përngjet asnjë prej krijesave në atributet e Tij. Edhe nëse ato përputhen në domethënie, por në realitet dhe në esencë ato ndryshojnë.
Kështu, kushdo që mohon atë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, ai është gjymtues dhe ky gjymtim i tij i përngjan gjymtimit të Faraonit.
Ndërsa ai i cili i pohon ato dhe i ngjason me të krijesave, ai është bërë i ngjashëm me idhujtarët të cilët adhurojnë bashkë me Allahun edhe të tjerë prej krijesave të Tij.
Dhe vetëm ai i cili i pohon ato emra dhe atribute pa i ngjasuar me ato të krijesave, vetëm ai është prej njësuesve të Allahut.
Në këtë pjesë të Teuhidit ka humbur një pjesë e popullit musliman dhe janë ndarë në grupe të shumta; dikush ka ndjekur rrugën e gjymtimit të tyre dhe i mohon ato atribute të Allahut duke thënë se ai kështu e pastron Allahun nga të metat, por në fakt ai ka humbur rrugë, pasi që në të vërtetë i pastruar është Ai nga i cili mohohen atributet e mangëta e të meta dhe Fjalët e të Cilit pastrohen nga të qenurit verbuese dhe çorientuese.
Nëse dikush thotë: Allahu nuk ka shqisë të dëgjuari, as të shikuari, as dije dhe as Fuqi absolute; ai nuk e ka pastruar e lartësuar Allahun, por e ka mveshur atë me të metat më të mëdha dhe Fjalën e Tij me të qenurit verbuese dhe çorientuese, pasi që Allahu e përsërit shpesh dhe e pohon këtë në Fjalën e Tij ku thotë: “Gjithëdëgjues, Gjithëshikues”, “I Gjithëfuqishëm, më i Drejti në gjykim”, “Falësi i Madh, Mëshirëploti”; sikur Allahu t’i pohonte këto në Fjalët e Tij dhe të ishte i zhveshur nga ato, kjo do të ishte kulmi i verbimit, çorientimit dhe shpifje për Fjalën e Allahut të Madhëruar.
Disa të tjerë kanë ndjekur rrugën e ngjasimit duke pretenduar se atributet e Allahut janë si ato të krijesave, por këta kanë humbur rrugë sepse ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij. Kjo sepse këta i kanë mveshur Allahut mangësi dhe të meta, pasi që këta e kanë konsideruar të Plotin dhe Absolutin në çdo aspect me të mangëtin në çdo aspect.
Përderisa krahasimi i më të plotit me atë më të mangëtin ul nga vlera e të parit, siç thuhet:
A nuk e di ti se shpatës i ulet vlera
Nëse thuhet se shpata është më e mprehtë se shkopi
Atëherë si është puna me ngjasimin e Absolutit me të mangëtin?!
Ky është krimi më i madh që mund të bëhet kundrejt Allahut të Madhëruar, megjithëse krimi i gjymtuesëve është edhe më i madh, por që të gjithë ata nuk e kanë vlerësuar Allahun ashtu si i takon Atij.
Kështu që është obligim të besojmë në atë me të cilën Allahu ka Cilësuar dhe ka quajtur Veten e Tij në Librin e Tij dhe në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa shtrembërim, pa gjymtim, pa formësim dhe pa ngjasim.
Kështu ka thënë edhe dijetari i madh Ibën Tejmije dhe të tjerë prej dijetarëve të mëdhenj.
Kështu, shtrembërimi bëhet në tekste, gjymtimi në bindje dhe akide, formësimi në cilësi dhe ngjasimi gjithashtu në cilësi e atribute, por ky i dyti është më i veçantë se formësimi; pasi çdokush që bën ngjasim të Allahut me Krijesat, ai ka bërë edhe formësim, dhe jo e anasjellta.
Kështu që duhet ta pastrojmë akiden dhe bindjen tonë nga këto katër gjëra.
Kemi për qëllim me “shtrembërimin” këtu: interpretimin që kanë ndjekur shtrembëruesit e teksteve të atributeve të Allahut, pasi ata e kanë quajtur veten e tyre “interpretuesit”, me qëllim që të zbusin në sy të njerëzve rrugën që kanë ndjekur; për shkak se natyra njerëzore nuk e pranon fjalën shtrembërim (në tekstet Hyjnore), por kjo nuk është veçse zbukurim i fjalës para njerëzve me qëllim që ata të mos largohen nga ajo.
Por në të vërtetë, interpretimi i tyre është shtrembërim; devijim i shprehjes nga domethënia e saj e drejtpërdrejtë. Ne themi: Nëse argumenton ndonjë provë për këtë devijim, atëherë ai është i saktë dhe nuk është interpretim në atë kuptim që thoni ju, por komentim (tefsir).
E nëse nuk argumenton asnjë provë për të, atëherë ai është shtrembërim dhe ndryshim i fjalës nga vendi i saj.
Këta njerëz të atillë të cilët kanë ndjekur këtë rrugë, këta kanë humbur. Ata i pohojnë atributet e Allahut por të shtrembëruara. Këta kanë humbur dhe janë vendosur në një rrugë të kundërt nga ajo e Pasuesëve të Sunetit dhe Xhematit.
Kështu që këta nuk mund të cilësohen prej Pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, pasi që mveshja me diçka përmban adresimin tek ajo; pasuesit e Sunetit i adresohen Sunetit pasi që ata janë të kapur për të, ndërsa këta nuk janë të kapur për Sunetin në shtrembërimet e tyre.
Po kështu edhe Xhemati në origjinë vjen prej të bashkuarit dhe të grumbulluarit, ndërsa ata nuk janë të bashkuar në mendimet e tyre, pasi që në librat e tyre gjen ngatërrim, kundërshtim dhe kundërthënie, saqë ata akuzojnë edhe njëri-tjetrin për humbje e devijim, si dhe bienë në kundërthënie me vetveten e tyre.
Sqaruesi i librit “El Akidetu et Tahavije” ka përcjellë nga El Gazali, i cili arriti majat në shkencën e skolastikës (Ilmul Kelam), ka përcjellë fjalë të cilat nëse dikush i lexon, i bëhet e qartë se ata njerëz janë në rrugë të gabuar, të rrezikshme dhe kanë rrëshqitur, dhe se ata nuk janë të qartë në vetveten e tyre.
Ata janë të hutuar dhe në mëdyshje, nuk janë të bindur në çështjen e tyre, ndërsa atë të cilin e ka udhëzuar Allahu në Rrugën e Drejtë e gjen të sigurtë dhe të qetë. Ai lexon në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ato që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij prej Emrave dhe Atributeve të Tij, dhe ky i pohon ato.
Si do të ishte ndryshe kur askush nuk di për Allahun ashtu siç di Allahu për Veten e Tij, askush nuk thotë ndonjë njoftim më të vërtetë se Allahu dhe askush nuk është më i saktë në sqarim se sa Allahu; ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshiron që t’ua sqarojë juve.” [En Nisa: 26]. “Allahu u sqaron ju me qëllim që të të mos humbni rrugë.” [En Nisa: 176]. “Ne ta kemi zbritur ty Librin, sqarues për gjithçka.” [En Nahl: 89]. “Dhe kush mund thotë fjalë më të vërtetë se Allahu.” [En Nisa: 122].
Këto ajete e të tjera si këto argumentojnë se Allahu ia ka sqaruar krijesave të Tij me sqarim mëse të plotë rrugën që të shpie tek Ai dhe gjëja më e madhe për të cilën kanë nevojë krijesat që t’u sqarohet është njohuria për Allahun e Lartësuar me Emrat dhe Atributet e Tij, me qëllim që ta adhurojnë Allahun me dije dhe vendosshmëri. Përndryshe, adhurimi i dikujt të cilit nuk ia njohim atributet, apo i cili nuk ka atribute, është diçka që nuk mund të realizohet kurrë.
Kështu që është e domosdoshme që të njohësh atributet e të Adhuruarit tënd me qëllim që të drejtohesh tek Ai dhe ta adhurosh Atë ashtu si duhet dhe si e meriton Ai.
Njeriu nuk duhet t’i kalojë kufijtë e tij dhe të shkojë në formësim apo ngjasim, pasi që nëse ai është i paaftë për të përfytyruar shpirtin e tij që ka me vete, atëherë është edhe më i paaftë për të përshkruar realitetin e atyre atributeve me të cilat Allahu i Lartësuar ka cilësuar Veten e Tij.
Ndaj është detyrë e njeriut që ai ta ndalojë veten e tij nga të pyeturit “Përse?” e “Si?”, në lidhje me Emrat e Allahut të Madhëruar dhe Atributet e Tij.
Njeriu gjithashtu duhet ta ndalojë veten e tij nga të menduarit për formën e atyre atributeve.
Nëse njeriu e ndjek këtë rrugë, ai ka për të qenë i qetë dhe pikërisht kjo është edhe rruga që kanë ndjekur selefët (të parët tanë) –Allahu i mëshiroftë!-
Për këtë shkak, kur një burrë erdhi tek imam Maliku –Allahu e mëshiroftë!- dhe i tha: “O Ebu Abdullah! “I Gjithëmëshirshmi mbi Arsh qëndroi.”; Si qëndroi? –Ai tundi kokën pastaj tha: “Qëndrimi mbi diçka nuk është i panjohur, ndërsa forma e tij (në lidhje me Allahun) nuk është e kapur nga mendja njerëzore. Besimi në të është vaxhib (obligim), ndërsa pyetja për të është bidat (risi). Dhe unë nuk të shoh ty veçse një bidatçi.”
Ndërsa në këtë kohën tonë gjejmë njerëz të thonë: Allahu zbret në qiellin e kësaj bote në një të tretën e çdo nate, por nga kjo rrjedh që Ai të qëndrojë në qiellin e kësaj bote gjatë gjithë natës, pasi që nata lëviz nëpër të gjithë tokën dhe një e treat e saj lëviz nga njëri vend në tjetrin!
Kjo sigurisht që është diçka të cilën nuk e kanë thënë shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dhe nëse kjo do të ishte diçka që shkon në zemrën e besimtarit, Allahu do t’a kishte sqaruar atë që në fillim, apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo të nxirte dikë që të pyeste për të dhe pastaj të zbriste përgjigjen, ashtu siç kanë pyetur sahabet të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Ku ka qenë Allahu para se të krijonte qiejtë dhe tokën? Dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj atyre.[17]
Kjo pyetje e madhe argumenton se çdo gjë që i nevojitet njerëzve, Allahu ua sqaron atyre me anë të njërës prej tre mënyrave të mësipërme.
Ndërsa në përgjigje të problemit të shfaqur në hadithin e Zbritjes së Allahut, thuhet: Përderisa një e treta e natës në këtë zonë vazhdon të qëndrojë, atëherë zbritja e Allahut në të është realizuar. Ndërsa në zonat e tjera në të cilat nuk ka hyrë një e treta e natës, nuk është realizuar zbritja; dhe Allahut nuk i përngjet asgjë, ndërsa hadithi argumenton se koha e zbritjes mbaron me hyrjen e agimit.
Detyra jonë është të dorëzohemi dhe të themi: Dëgjuam, u bindëm, pasuam dhe besuam.
Kjo është detyra jonë; të mos e tejkalojmë Kuranin dhe Hadithin.
[1] Suretu el Araf: 54.
[2] Suretu Fatir: 3.
[3] Suretu el Muminun: 14.
[4] Pjesë nga hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të cilin e ka nxjerë Buhariu (10/283) dhe Muslimi (3/1670).
[5] Suretu Al Imran: 189.
[6] Suretu Muminun: 88.
[7] Suretu Muminun: 6.
[8] Suretu: En Nur: 61.
[9] Suretu Junus: 31-32.
[10] Suretu Ez Zuhruf: 9.
[11] Suretu En Naziat: 24.
[12] Suretu El Kasas: 38.
[13] Suretu En Neml: 14.
[14] Suretu: El Isra: 102.
[15] Suretu El Muminun: 91.
[16][1] Shkëputur nga hadithi i Ibën Abasit të cilin e transmeton Buhariu (10/155) dhe Muslimi (1/199).
[17] Shkëputur nga hadithi i Imran ibën Husajn (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Në të gjithashtu thuhet: “Erdhëm të të pyesim për këtë gjë, dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ka qenë Allahu dhe nuk ka pas ekzistuar asgjë tjetër përveç Tij, ndërsa Arshi i Tij ka qenë mbi ujë.”
E transmeton Buhariu (1/418).
Ndërsa në hadithin e transmetuar nga Ebu Razin thuhet: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Ku ishte Zoti ynë para se të krijonte krijesat e Tij? -Ai ishte në re të dendura, poshtë tyre kishte boshllëk dhe sipër tyre boshllëk, pastaj krijoi Arshin e Tij mbi ujë.” [E transmeton Tirmidhiu (3108), Ibën Maxheh (13) dhe Ahmedi (4/11,12)].