Therja e kafshës kur lind një fëmijë

 


Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


 

Statusi i saj ligjor

Therja e kafshës kur lind një fëmijë është sunneh muekkede (sunnet i fortë), edhe nëse babai i fëmijës është i varfër. Profeti (s.a.u.s.) e ka bërë këtë, ashtu edhe shokët e tij. Autorët e Sunenit transmetojnë se Profeti (s.a.u.s.) ka therur nga një dash për Hasanin dhe Husejnin.”[1]

Lejthi dhe Davud Edh-Dhahiriu mendojnë se therja e kafshës kur lind një fëmijë është vaxhib (e obliguar). Therja e kafshës kur lind një fëmijë ka të njëjtat rregulla me therjen e kurbanit, me përjashtim se në këtë rast nuk lejohet therja e përbashkët.

 

Vlerat e saj

 

Autorët e Suneneve transmetojnë nga Semura se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Çdo foshnjë është peng[2] i therjes së kafshës për lindjen e tij, në ditën e shtatë kur i priten flokët dhe i vendoset emri.”[3]

Të pestët transmetojnë nga Selman Bin Amir Ed-Dabiu se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kur lind djalë bëni akika, derdhni gjakun për të dhe largoni nga ai të keqën.”[4]

 

Çfarë theret për djalin dhe për vajzën

Është e preferuar që për djalin të theren dy dele të ngjashme në moshë dhe në pamje, kurse për vajzën një dele. Umm Kirz Al Ka’bije tregon se e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke thënë: “Për djalin theren dy dele të ngjashme, kurse për vajzën një”.[5]

Lejohet që të theret një dele për djalin siç ka vepruar Profeti (s.a.u.s.) me Hasanin dhe Husejnin (r.a) sikurse e pamë më sipër.

 

Koha e therjes

 

Therja duhet të bëhet ditën e 7-të pas lindjes nëse kjo është e mundur. Nëse jo, atëherë ajo mund të bëhet në ditën e 14-të dhe nëse përsëri nuk ka mundësi, atëherë ditën e 21-të. Nëse as kjo nuk ka mundësi, atëherë mund të bëhet në një ditë  çfarëdo.

Hadithi i transmetuar nga Bejhakiu thotë: “Therja bëhet ditën e 7-të, të 14-të ose të 21-të.”[6]

 

Therja e një kafshe për kurban dhe për lindjen e fëmijës

 

Hanbelijtë kanë thënë: “Në qoftë se dita e kurbanit (dita e 10-të e Dhulhixhes) korrespondon me ditën e therjes për fëmijën, është e mundur që të theret një kafshë për të dy rastet. Kjo është e njëjtë me rastin kur dita e Bajramit qëllon ditën e premte dhe mundet që besimtari të lahet vetëm një herë.”

 

Vendosja e emrit dhe qethja

 

Është sunnet që foshnjës t’i përzgjidhet një emër i mirë, t’i qethen flokët dhe të jepet lëmoshë në argjend në varësi të peshës së tij nëse kjo është e mundur. Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë nga Ibn Abbasi se Profeti (s.a.u.s.) ka therur një dele për Hasanin dhe ka thënë: “O Fatime, qethja kokën dhe jep lëmoshë në argjend në varësi të peshës së tij”. E peshuam dhe pesha e tij ishte një derhem ose më pak.[7]

 

Emrat më të bukur

 

Emrat më të dashur tek Zoti janë: Abdullah dhe Abdurr-rrahman duke u bazuar në hadithin e Muslimit,[8] kurse emrat më të denjë janë: Hemmam dhe Harith[9], siç e thotë edhe hadithi i saktë.

Lejohet që të vendosen emrat e ëngjëjve, profetëve, si edhe emrat Taha dhe Jasinë. Ibn Hazmi ka thënë: “Dijetarët kanë rënë dakord për ndalimin e të gjithë emrave që kanë kuptimin e adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut (xh.sh.), si p.sh. Abdu Omer, Abdul Ka’beh etj.

 

Emrat e papëlqyeshëm

 

Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar vendosjen e emrave të mëposhtëm: Jesar, Rebah, Nuxhejh dhe Eflah sepse ata janë emra të cilët arabët i kanë përdorur për të sharë njëri tjetrin. Sipas hadithit të Semuras të transmetuar nga Muslimi Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos e quaj djalin tënd: Jesar, Rebah, Nuxhejh dhe Eflah sepse kjo është sikur ta quash atë “mëkatar” dhe ai nuk është i tillë”.[10]

 

Këndimi i Ezanit në veshin e foshnjës

 

Është sunnet që të këndohet ezani ne veshin e djathtë të foshnjës dhe ikameti në veshin e majtë në mënyrë që gjëja e parë që dëgjon fëmija në këtë botë të jetë emri i Allahut (xh.sh.).

Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se Ebu Rafi’a (r.a.) e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke e lexuar ezanin në veshin e Hasanit, djalit të Aliut, pasi e kishte lindur Fatimja.”[11] Tirmidhiu thotë se ky hadith është i saktë.

Ibn Es-Suniju transmeton nga Hasen Ibn Ali se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kujt i lind një djalë dhe ia këndon atij ezanin në veshin e djathtë ndërsa ikametin në veshin e majtë, atij nuk do i ndodh asnjë e keqe”.[12]

 

Shpuarja e veshit të fëmijës

Librat e Hanbelijve thonë: “Shpuarja e veshit të vajzës për t’i vënë vathë është e lejuar dhe kjo nuk preferohet për djalin”. Kadi Khani, një prej dijetarëve të Hanefijve, ka thënë: “Lejohet shpuarja e veshit të vajzës sepse kjo është bërë që në periudhën e injorancës paraislame dhe Profeti (s.a.u.s.) nuk e ka ndaluar atë”

 

 

Therja për idhujt (Fera’a) dhe për madhërimin e muajit Rexheb (Atirah)

 

“Fera’a” nënkupton traditën e vjetër të arabëve për të therur të lindurin e parë të devesë për hirë të idhujve të tyre. Kurse “Atire” nënkupton therjen e një kafshe për të madhëruar muajin Rexheb.

Islami e ka ndaluar therjen me qëllim madhërimin e idhujve dhe çfarë u ngjan atyre të trashëguara nga periudha e injorancës paraislame. Feja islame e lejon vetëm therjen në emër të Zotit për mirësi dhe bujari.

Bukhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ndalohet therja për idhujt (Fera’a) dhe për madhërimin e muajit Rexheb (Atire)”.[13]

Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë nga Nubejshe se një burrë e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) duke i thënë: “ Në përiudhën e injorancës paraislame e kemi pasur zakon që të therim një kafshë në muajin Rexheb. Çfarë na urdhëron?” Profeti (s.a.u.s.) i është përgjigjur: “Therni për hirë të Allahut në cilindo muaj qoftë për mirësi dhe bujari”. Pastaj ai e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) përsëri: “Në periudhën e injorancës paraislame e kemi pasur zakon që të therim një dele të vogël për idhujt. Çfarë na urdhëron?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Si në çdo kullotë, ashtu edhe në kullotën tënde deveja e vogël ushqehet dhe bëhet e madhe. Nëse pret derisa të rritet pastaj e ther atë dhe ua shpërndan të varfërve është më mirë për ty.”[14]

Ebu Razijni tregon se i ka thënë Profetit (s.a.u.s.): “O i Dërguar i Allahut, e kemi pasur zakon që të therim në muajin Rexheb, kemi ngrënë për vete dhe kemi ushqyer të tjerët.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nuk ka problem.”[15]

Ahmedi dhe Nesaiu transmetojnë nga Omer Bin El Harithi se një burrë e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) në Haxhin e Lamtumirës duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, çfarë na thua për therjen e devesë së vogël dhe për therjen e kafshëve në muajin Rexheb?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Kush dëshiron mund ta therë devenë e vogël dhe kush nuk dëshiron le të mos e therë atë, kush dëshiron mund të therë në muajin Rexheb nga kafshët e kurbanit dhe kush nuk dëshiron le të mos therë.”[16]


[1] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2841, por në transmetimin e Nesait thuhet: “Nga dy desh për secilin” dhe ky është transmetimi më i saktë.

[2] Rritja e tij e mire dhe e sigurtë varet nga therja e kafshës për lindjen e tij

[3] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2838, “Ibën Maxheh” 3165, Tirmidhi 1522, me verifikimet e shejh Albanit.

[4] Buhariu 5049: “Kitabul Akika”, “Sunenu Ebi Daud” 2456

[5] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2835

[6] Hadith Sahih. “Sahih el Xhami” 4132, “Es Sunenu el Kubra lil Bejhaki” 9/303

[7] Hadith Hasen – i mirë. “El Irva” 1175, “Sunenu et Tirmidhi” 1519.

[8] Bëhet fjalë për hadithin e transmetuar nga Muslimi 3975; nga Ibën Umer ka thënë: Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Emrat tuaj më të dashur tek Allahu janë “Abdullah” dhe “Abdurrahman.”

[9] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 4950

[10] Muslimi 3985; “Kitabul Adab”

[11] Hadith Hasen – i mirë. “Sunenu et Tirmidhi” 1566, “Sunenu Ebi Daud” 5105

[12] Hadith Meudu – i trilluar. “Es Silsiletu ed Daife” 1/491

[13] Buhariu 5051; “Kitabul Akika”, Muslimi 3652; “Kitabul Edahi”

[14] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 2830, “Nesai” 4229, “Ibën Maxheh” 3167, me verifikimet e shejh Albanit.

[15] Hadith Sahih. “Sunenu en Nesai” 4233

[16] Hadith Daif – i dobët. “Irvaul Galil” 1181. Hadithin e ka nxjerrë Ahmedi 3/485 dhe Nesai 2/190