SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT

 


Nga libri me titull: SHENJAT E KIAMETIT, i Prof. Dr. Abdullah Sulejman El Gafili, Profesor në Universitetin Islamik në Medinen e Ndritshme


Parathënie

Lavdërimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një devotshmëri të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë muslimanë!”

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj i Cili ju ka krijuar prej një njeriu të vetëm dhe pastaj krijoi prej tij shoqen e tij e prej atyre të dyve shtoi burra e gra të shumtë! Kini frikë Allahun me të Cilin ju kërkoni të drejtat tuaja dhe ruajeni farefisin! Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.”

“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejta e të vërteta! Kështu, Ai jua rregullon juve punët tuaja dhe jua fal gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai ka arritur fitoren më të madhe.”

Thënia më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i drejtë është ai i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Punët më të këqija janë shpikjet në to, çdo shpikje është bidat (e panjohur më parë në fe) dhe çdo bidat është humbje (nga Rruga e Drejtë), ndërsa çdo humbje e ka vendin në zjarr.

Dita e Kiametit është nga çështjet e fshehta dhe të paditura për njeriun, dhe përderisa është kështu, Allahu i Madhëruar e ka ndihmuar krijesën e Vet që ta besojë ditën e Kiametit me shumë argumente, nga të cilat edhe lidhja e kësaj të fshehte me gjëra materiale të arritura nga shqisat, gjë e cila e bën më të lehtë besimin për njeriun; dhe prej këtyre gjërave materiale që ndihmojnë për të besuar në Ditën e Kiametit janë edhe SHENJAT E KIAMETIT.

Rëndësia e njohjes së këtyre shenjave kuptohet nga rëndësia e besimit në Ditën e Kiametit, kështu që besimi në shenjat e vërteta të Kiametit është pjesë e pandashme e vetë besimit në Ditën e Fundit, kurse vetë ky i fundit është pjesë e pandashme e besimit në të fshehtën që ka thënë Allahu.

Fjala rreth shenjave të Kiametit është e rëndësishme, veçanërisht kur njerëzit largohen nga kujtimi dhe përmendja e botës tjetër dhe preokupohen me këtë botë dhe angazhimet e saj. Duke kujtuar shenjat e Kiametit, të cilat do të dalin hapur dhe njerëzit do i shohin me sytë e tyre ashtu si ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), njerëzit do të kthehen te Zoti i tyre dhe do të zgjohen nga harresa dhe pavëmendësia e tyre.

Imam Kurtubiu thotë: “Dijetarët thonë: Urtësia në paraprirjen e shenjave të Kiametit dhe paralajmërimin e njerëzve me to, qëndron në zgjimin e njerëzve nga gjumi i tyre, dhe nxitja e tyre që të përgatiten për veten e tyre me pendim dhe kthim të sinqertë te Allahu, që të mos befasohen me ato dhe t’i zërë e keqja e tyre. Prandaj, njerëzit duhet që pasi t’i shohin shenjat e Kiametit të shfaqen, të rishohin veten e tyre, të shkëputen nga dynjaja dhe të përgatiten për Kiametin e paralajmëruar.” [Et Tedhkira, 2/732].

Libri në origjinal shqyrton Shenjat e Kiametit të vogla dhe të mëdha, por përqendrimi ynë do të jetë në shenjat e Mëdha të Kiametit, për shkak të ngjarjeve që po ndodhin sot në botë dhe pështjellimit që mund të ndodhë te muslimanët e sinqertë rreth këtyre ngjarjeve dhe lidhjes së tyre me shenjat e Kiametit, me qëllim që të bëhet e qartë se çfarë duhet të besojë muslimani sot dhe me çfarë ta përgatisë veten e tij për çdo rast. E Allahu e ka në Dorë suksesin, e Ai udhëzon në Rrugën e Drejtë.

Domethënia e Shenjave të Kiametit dhe ndarja e tyre në të vogla e të mëdha

Shenjat janë treguesit, paralajmëruesit e diçkaje, gjërat që ndodhin para diçkaje dhe që tregojnë se ajo do të ndodhë apo po vjen.

Kiameti është koha në të cilën do të ndodhë apokalipsi, fundi i kësaj bote, befasuesi i njerëzve dhe shkatërruesi i gjithçkaje me një të fryrë në Sur.

Shenjat e Kiametit janë ato shenja dhe tregues që i paraprijnë ditës së Kiametit dhe që tregojnë se Kiameti erdhi.

Koha se kur do të ndodhë Kiameti është nga të fshehtat që Allahu nuk ia ka treguar askujt; “Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo, do ta tregojë vetëm Ai. Do të jetë e rëndë për qiejt dhe Tokën, do t’u vijë krejtësisht papritmas”. Ata të pyesin, a thua se ti di diçka për të. Thuaj: “Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë (pse kjo gjë është e fshehtë).” [El A’raf, 187].

Por, meqenëse Allahu ia fshehu njerëzve kohën e ndodhjes së Kiametit, Ai vendosi disa shenja treguese për afrimin e ardhjes së tij, dhe nga argumentet që tregojnë përmendjen e shenjave të Kiametit, është edhe Fjala e Allahut: “A mos vallë mohuesit presin, që t’u vijë befasisht vetëm Ora (e Kiametit)? Ndërkohë, shenjat e saj kanë ardhur. Po për çfarë do t’u shërbejnë atyre këshillat, kur t’iu ketë ardhur Kiameti?!” [Muhamed, 18].

Kurani ka përmendur disa ajete në të cilat përmenden disa nga shenjat e Kiametit, si: dalja e Jexhuxheve dhe Maxhuxheve, zbritja e Isait birit të Merjemes, e të tjera, siç do e shohim më pas.

Po kështu nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) janë përcjellë shumë hadithe që tregojnë për shenjat e Kiametit, disa prej tyre për shenjat e largëta e disa për më të afërta nga Kiameti; të parat dijetarët i kanë quajtur shenja të vogla kurse të dytat shenja të mëdha.

Shenjat e vogla të Kiametit janë ato shenja që shfaqen para ardhjes së Kiametit me shumë kohë, siç është ardhja e Pejgamberit të fundit, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), çarja e hënës, fitnet dhe përçarjet, shfaqja e gënjeshtarëve që pretendojnë se janë profetë, ngritja e dijes dhe përhapja e injorancës, garimi në ndërtesa të larta, të folurit e kafshëve dhe sendeve me njerëzit, shkëputja e lidhjeve të gjakut dhe të barkut, moshkuarja me komshiun, shfaqja e prishjes morale, tërmetet e shumta, goditjet dhe shndërrimi i fytyrave të disa prej njerëzve mëkatarët të ymetit, etj.

Shenjat e mëdha janë ato shenja të mëdha e të hapura, që tregojnë se Kiameti afroi, si: Shfaqja e Dexhalit (Antikrishtit), zbritja e Isait (alejhis selam), shfaqja e Mehdiut, dalja e Jexhuxheve dhe Maxhuxheve, e shenja të tjera që do i shohim hollësisht në këto fletë inshaAllah.


 

SHENJAT E MËDHA TË KIAMETIT

Tema e parë

Shfaqja e Mehdiut

 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është shfaqja e Mehdiut, i cili do të dalë nga fundi i kësaj bote, do të udhëheqë popullin musliman dhe do të ripërtërijë fenë e tij. Ai është një burrë që do të gjykojë sipas Ligjit Islam, do ta mbushë tokën me drejtësi pasi ka qenë mbushur me padrejtësi dhe krime. Në kohën e tij, populli do të gëzojë të mira e begati që nuk i ka gëzuar kurrë më parë. Ibën Kethiri thotë: “Në kohën e tij do të ketë fruta të shumta, të lashta me bollëk, pasuri të pallogaritshme, udhëheqësi do të jetë me pushtet të plotë dhe do ta duan të gjithë, feja do të praktikohet dhe zbatohet në masë, armiku do të jetë i nënshtruar, begatitë e ditëve të tij janë të pandërprera.” [En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim, 1/31].

Për Mehdiun kanë ardhur hadithe të shumta, të sakta dhe të pasakta, gjë të cilën dijetarët e hadithit e kanë shqyrtuar më së miri, dhe detyra jonë është besimi dhe zbatimi i haditheve të sakta.

  1. Emri dhe prejardhja e Mehdiut: Mehdiu është nga pasardhësit e Muhamedit (salallahu aljhi ue selem), nga bijtë e Fatimes (radiallahu anha); dhe në faqe do të ketë një nishan si yll ndriçues.

Mehdi do të thotë: i udhëzuari nga Allahu në rrugën e drejtë.

Emri i tij është Muhamed, kurse emri i babait të tij është Abdullah. Këtë e transmeton Ibën Mesudi, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Sikur të mos mbesi nga dynjaja veçse një ditë e vetme, Allahu do e zgjaste atë ditë deri sa të dërgonte një burrë prej meje –apo prej familjes sime- emri i të cilit do të jetë njësoj si emri im dhe emri i babait të tij si emri i babait tim. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi…” [Hasen-Sahih; Ebu Daudi 4282, Tirmidhiu 2231].

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk do të shuhet kjo botë deri sa arabët t’i sundojë një burrë nga familja ime, emri i të cilit do të jetë njësoj si emri im.” [Hasen-Sahih; Ebu Daudi 4282, Tirmidhiu 2230].

Mehdiu do të jetë nga fëmijët e Fatimes (radiallahu anha), bijës së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Umu Seleme tregon se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Mehdiu do të jetë nga pasardhësit e mi, nga fëmijët e Fatimes.” [Sahih; Ebu Daudi, Ibën Maxheh].

Ibën Kethiri thotë për Mehdiun: “Ai është Muhamed ibën Abdullah el Alavi el Fatimi el Haseni.” [En Nihaje, 1/31].

  1. Cilësitë e Mehdiut: Nga cilësitë e Mehdiut që kanë ardhur në sunet janë ato që i përmbledh hadithi i Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Mehdiu është prej meje, me ball të zbuluar (me flokë të rënë në pjesën e përparme të kokës), hundë pak të kërrusur e të hollë. Ai do e mbushë tokën me drejtësi e mirësi, pasi ishte mbushur me padrejtësi e tirani. Ai do të sundojë shtatë vjet.” [Sahih; Ahmedi në Musned, Ebu Daudi (4285), El Hakim; El Mishkat (5454)].

Nga shenjat e afrimit të daljes së tij është se ai do të dalë në një kohë kur në botë do të sundojë padrejtësia dhe tirania, kurse ai do të vendosë drejtësinë me urdhrin e Allahut dhe do të ndalojë padrejtësinë dhe tiraninë. Allahu do të përhapë me të flamurin e të mirës në mesin e popullit musliman; sepse Allahu do i japë atij shi të shumtë dhe të pakursimtë, toka do të japë prodhime të bollshme dhe nuk do të kursejë asgjë nga bimët e saj, bagëtitë do të shtohen e shumohen për shkak të begatisë dhe pasuria do të jetë e bollshme, e ai do e ndajë atë mes njerëzve në mënyrë të barabartë e të drejtë.

Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nga fundi i popullit tim do të dalë Mehdiu, të cilit Allahu do i zbresë shi, toka do të nxjerrë bimët e saj, do i jepet pasuri e madhe, do të shumohen bagëtitë, do të respektohet e madhërohet populli musliman. Ai do të jetojë kështu shtatë apo tetë vite.” [Sahih; El Hakim (4/557-558); Es Sahiha (2/336).

  1. Vendi dhe koha e daljes së Mehdiut:

Nuk ekzistojnë transmetime të sakta të qartë që tregojnë se në cilin vend do të dalë Mehdiu apo në cilën kohë, përveç asaj që kanë kuptuar dijetarët në mënyrë të tërthortë nga disa transmetime të sakta, edhe pse ato përfundime nuk mund të jenë të prera.

Transmetohet nga Theubani (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Tre grupe do të luftojnë me njëri-tjetrin te thesari juaj (që gjendet poshtë Kabes); që të tre ata do të jenë bijë udhëheqësish, por në fund nuk do e marrë asnjë nga ata të tre. Pastaj do të shfaqen flamurët e zinj nga ana e lindjes (Iraku) dhe do tju vrasin në atë mënyrë që nuk ka vrarë më parë asnjë popull tjetër.” –Pastaj përmendi diçka që nuk më kujtohet, pastaj tha: “Kur ta shihni atë (Mehdiun), i jepni besën atij, qoftë edhe nëse shkoni tek ai këmba-dorës mbi dëborë, sepse ai është trashëgimtari i Allahut i udhëzuar, el Mehdi.” [Hadithi është i dobët, madje shtesa e fundit “ai është trashëgimtari i Allahut i udhëzuar” është e refuzuar; por kuptimi i hadithit është i saktë dhe atë e forcon hadithi tjetër i Ibën Maxhes, por pa shtesën e fundit e cila nuk qëndron assesi; Ed Daife, 85].

Ibën Kethiri thotë: “Bëhet fjalë për thesarin e Kabes, tek i cili do të luftojnë tre princa për ta marrë; kurse më pas do të afrohet fundi i botës dhe do të dalë Mehdiu, shfaqja e të cilit do të jetë në vendet e lindjes dhe jo nga qilari i Samura-së siç pretendojnë injorantët prej rafidive shiit që thonë se ai tani qëndron në atë qilar dhe se ata janë në pritje të daljes së tij kur t’i vijë fundi botës.[1] Padyshim se kjo është lajthitje, rrëshqitje e madhe dhe humbje nga shejtani, sepse për këtë nuk asnjë lloj argumenti apo prove, as nga Kurani as nga Suneti, as nga logjika e shëndoshë…” Më pas thotë: “Mehdiu i lavdëruar dhe i premtuar që do të shfaqet me afrimin e fundit të botës, në fillim do të dalë nga ana e Lindjes (Irak), kurse besa do i jepet në Kabe, siç argumentojnë hadithet.” [En Nihaje, 1/55-56].

Umu Seleme (radiallahu anha) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dikush do të kërkojë mbrojtje në Shtëpinë e Shenjtë (Kabe), dhe atij do i çojnë një ushtri (që ta vrasin), por kur ata të jenë në një fushë të sheshtë, do i përpijë toka.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Po ai që do jetë marrë me forcë në atë ushtri?” Ai tha: “Edhe atë do e përpijë toka bashkë me ta, por në Ditën e Llogarisë ai do të ringjallet sipas nijetit që ka pasur.” [Muslimi].

Hafsa (radiallahu anha) tregon se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Në këtë Shtëpi –Kabe- do të kërkojë mbrojtje një grup njerëzish që nuk kanë fuqi, as numër të madh as armë. Atyre do ju dërgojnë një ushtri (për t’i vrarë), por kur ajo ushtri të mbërrijë në një fushë të sheshtë, do e përpijë toka të gjithën.” [Muslimi].

Aisha (radiallahu anha) thotë: “Një natë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) po lëvizte në gjumë, dhe unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Bëre diçka që nuk e ke bërë ndonjëherë më parë?!” Ai tha: “Është për t’u habitur se disa njerëz nga populli im, të cilët do i prijë në namaz në Kabe një burrë nga Kurejshët, i cili u strehua aty (në Kabe, për t’i shpëtuar armikut); por kur ata (që kërkojnë ta vrasin) të mbërrijnë në një fushë të gjerë, do t’i përpijë toka.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Por rruga mund të bashkojë shumë njerëz në atë vend?!” Ai tha: “Po, e vërtetë, në mesin e tyre do të ketë njerëz që e dinë të vërtetën (dhe shkojnë me dëshirë) dhe të tjerë që janë marrë me forcë, si dhe udhëtarë të rastit, por që të gjithë ata që gjenden aty do përpihen nga toka njëherësh, por ringjallja e tyre do të jetë e ndryshme (dikush në xhenet e dikush në zjarr); Allahu do i ringjallë ata sipas qëllimeve që kanë pasur.” [Muslimi].

Të tre këto transmetime nga nënat e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me to!) tregojnë qartë se ai që do të kërkojë strehim dhe mbrojtje në Kabe është një burrë nga Kurejshët, dhe se ai do të ndihmohet nga Allahu, duke i shkatërruar armiqtë e tij me përpirje nga toka.

Kanë ardhur gjithashtu hadithe të shumta që flasin për një udhëheqës të muslimanëve, në kohën e të cilit do të shtohen të mirat sa që do e shpërndajë pasurinë me tufa dhe jo me numërim, por përsëri këto transmetime nuk e përmendin emrin e atij udhëheqësi.

Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (radiallah anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nga fundi i botës do të vijë një udhëheqës i cili do ta ndajë pasurinë pa e numëruar atë.” [Muslimi, Ahmedi].

Transmetohet nga Umu Seleme (radiallahu anha) se ajo ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Do të ketë mosmarrëveshje kur të vdesë një udhëheqës, dhe në atë kohë dikush nga Beni Hashim do të dalë e do të shkojë në Meke. Njerëzit do e nxjerrin nga shtëpia dhe do i japin besën mes Ruknit dhe Mekamit (në Kabe). Një burrë nga Kurejshët, dajet e të cilit janë nga Kelabët, do përgatisë një ushtri për vrasjen e tij, por Allahu do i shkatërrojë ata dhe do i vrasë me njëri-tjetrin. Ajo do të jetë dita e Kelabit. Do të humbasë shumë ai që humbet nga plaçka e Kelabit. Ai (udhëheqësi i drejtë) do të hapë thesaret dhe do të ndajë pasuritë, si dhe do të praktikojë Islamin në tokë. Do të jetojnë kështu për shtatë, ose nëntë vite.” [Hadithi është me zinxhir transmetimi të dobët; Ed Daife, 1965].

Në një transmetim tjetër të Ebu Daudit, thuhet: “Do të dalë një burrë nga banorët e Medinës për t’u strehuar në Meke. Disa njerëz nga banorët e Mekes do shkojnë te ai dhe do e nxjerrin me forcë që t’i japin besën mes Ruknit dhe Mekamit. Atij do i dërgojnë një ushtri nga Levanti (Shami) për ta vrarë …” [Transmetim i dobët; Ebu Daudi (4286); Ed Daife, 1965].

Në vend të këtyre transmetimeve të dobëta që ka përmendur autori, po përmendim një transmetim të saktë me anë të cilit arrihet qëllimi i asaj që kërkohet të argumentohet në lidhje me udhëheqësin e papërmendur me emër, por që kuptohet se ai është Mehdiu; shejh Albani ka përmendur në Vargun e Haditheve të sakta (579), një hadith që e ka nxjerrë Imam Ahmedi në Musned, ku thuhet: “Ebu Hurejra po i tregonte Ebu Katades se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Do i jepet besëlidhja një burri mes Ruknit dhe Mekamit (në Kabe); dhe nuk kanë për ta shkelur ndalimin e Shtëpisë së Shenjtë veçse vetë njerëzit e saj; dhe kur ata ta bëjnë këtë (të derrdhin gjak në Kabe), mos pyet se çfarë shkatërrimi do i zërë arabët. Pastaj do të shkojnë në Abisini dhe do e shkatërrojnë atë, aq sa më pas ajo nuk do të banohet më kurrë; janë ata që do ta nxjerrin pasurinë e saj (Kabes).”

Pra, Mehdiu është një njeri i mirë që do të shfaqet nga fundi i botës, do të strehohet në Meke duke u arratisur nga Medina për shkak se kërkojnë ta vrasin. Në Meke i jepet besa mes Ruknit dhe Mekamit, në Kaben e Nderuar; në kërkim të tij dërgohet një ushtri të cilën e përpin toka; Allahu e ndihmon dhe e përkrah Mehdiun, dhe ai do të gjykojë me Islam, do të vendosë drejtësi mes njerëzve dhe në kohën e tij do të zotërojë e mira dhe bollëku. Ai do të takojë me të dërguarin e Allahut, Isanë (alejhi selam) dhe do të prijë muslimanët në namaz, ku pas tij do të falet edhe Isai (alejhis selam). Isai do të dalë bashkë me të dhe do e ndihmojë për të vrarë Dexhalin. Ai do të jetojë në këtë mënyrë shtatë ose nëntë vite, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin namazin e xhenazesë.

  1. Hadithet që flasin për Mehdiun në përgjithësi janë Mutevetira – të pranuara nga të gjithë muslimanët në çdo kohë, dhe ekzistencën e tij nuk e mohon askush nga muslimanët. Këtë e ka theksuar një numër i madh dijetarësh në librat e tyre, si El Aberi (dijetar hadithi), Ibën Tejmije, Ibën Kethiri, Es Sefarini, El Berzenxhi, Sheukani, e të tjerë.

Shejh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çështja e Mehdiut është e njohur, hadithet që flasin për të janë të shumta, madje janë mutevatira, përkrahëse të njëra-tjetrës, dhe këtë e kanë thënë shumë dijetarë; tevaturi i këtyre haditheve është në kuptimin e tyre, për shkak se kanë ardhur me rrugë të shumta transmetimi (të sakta e të pasakta), me shprehje të ndryshme; por të gjitha ato padyshim që tregojnë se çështja e këtij njeriu të premtuar është e aprovuar dhe shfaqja e tij është e vërtetë; emri i tij është Muhamed ibën Abdullah el Alavij (nga Aliu) el Haseni nga pasardhësit e Hasen ibën Ali ibën Ebi Talib. Ky imam është mëshirë nga Allahu për popullin musliman nga fundi i botës; ai do të dalë dhe do të vendosë drejtësi në tokë, do të ndalojë të keqen dhe padrejtësinë, dhe me anë të tij Allahu do të përhapë flamurin e të mirës në popull, me drejtësi, udhëzim, sukses dhe drejtim të njerëzve. Unë i kam kërkuar dhe lexuar të gjitha hadithet që flasin për Mehdiun dhe i kam gjetur ato ashtu si ka thënë Sheukani e të tjerë, apo si ka thënë Ibën Kajimi e të tjerë: Në mesin e tyre ka të saktë, të mirë, të dobët që mund të forcohen, por edhe të trilluara; por neve na mjaftojnë hadithet e qëndrueshëm, qofshin të saktë në vetvete apo që forcohen me të tjerë, qofshin të mirë në vetvete apo që bëhen të tillë me të tjerë, apo qofshin të dobët që mund të forcohen me njëri-tjetrin; të gjitha këto janë argument te dijetarët… E vërteta është se dijetarët, të gjithë janë dakord për vërtetësinë e çështjes së Mehdiut, dhe se ai do të vijë vërtetë nga fundi i botës. Kurse ndonjë nga njerëzit me dije që i ndahet grupit të dijetarëve në këtë temë, nuk i hidhen sytë dhe nuk i dëgjohet fjala në këtë çështje.” [Nga libri: Kundërpërgjigja ndaj atij që i përgënjeshtron hadithet e sakta që flasin për Mehdiun, e shejh Abdulmuhsin el Abad, faqe 157-159].

  1. Grupet e njerëzve në lidhje me Mehdiun:

Në lidhje me Mehdiun, njerëzit janë ndarë në dy grupe të skajshme dhe një të mesëm:

Grupi i mesëm: ata që ndjekin besimin e Ehli Sunetit dhe Xhematit, të cilët e aprovojnë daljen e Mehdiut ashtu si kanë treguar tekstet e sakta e të qëndrueshme, siç i përmendëm më sipër.

Grupi i njërit skaj: ata e mohojnë daljen e Mehdiut, të cilët nuk kanë përvojë në kuptimin e haditheve dhe të fjalëve të dijetarëve, duke ndjekur rrugën e tyre të gabuar për mohimin e gjërave të fshehta që nuk i percepton mendja e tyre dhe nuk i shkon përshtat dëshirave të tyre; këta thonë: “Mehdiu është legjendë dhe trillium i futur te Ndjekësit e Sunetit dhe Xhematit nga Shijat.” Gjithashtu thonë: “Hadithet e ardhura për Mehdiun janë ose të pavërteta ose në kundërthënie me njëri-tjetrin.”

Sigurisht që dijetarët i janë përgjigjur këtyre dhe e kanë sqaruar pavërtetësinë e fjalës së tyre dhe kundërshtimin e saj të teksteve të sakta të Sunetit.

Grupi i skajit tjetër: janë ata që e teprojnë dhe i kalojnë kufijtë në çështjen e Mehdiut, prej grupeve të humbura, shumë prej të cilave thonë se themeluesi i grupit të secilit prej tyre është Mehdiu i pritur. Ibnul Kajjim i ka përmendur këta në fjalën e tij: “Rafiditë Imamijë prej shijave thonë një fjalë të katërt: sikur Mehdiu është Muhamed ibën el Hasen el Askeri që ata presin; prej bijëve të el Husejn ibën Ali dhe jo nga bijtë e Hasenit,  i cili është prezent dhe lëviz nëpër qytete por që nuk e shohin sytë e njerëzve. Ai trashëgon bastunin dhe vulos hapësirën; hyri në qilarin e Samira-së që fëmijë i vogël para më shumë se 500 vjetësh, dhe pas asaj dite nuk e ka parë më asnjë sy dhe për të nuk dihet asnjë lajm apo gjurmë. Ata e presin atë dita-ditës!! Qëndrojnë me kuaj para derës së qilarit dhe i thërrasin që të dalë: “Dil, o zotëriu ynë! Dil, o zotëriu ynë!” Pastaj kthehen të zhgënjyer dhe të brengosur. Ky është besimi i tyre në lidhje me Mehdiun. Këta janë bërë turp për njerëzimin dhe me ta qesh e tallet çdokush që ka logjikë.” [El Menar el Menif, f. 152].

 

 

Tema e dytë

Sprova e Dexhalit

 

Fjala “Dexhal” ka kuptimin mbulues i të vërtetës, pështjellues dhe ngatërrues, dhe Dexhali e ka marrë këtë emër sepse ai e mbulon të vërtetën me të pavërtetën e tij, dhe ua mbulon njerëzve mohimin e vet me gënjeshtrën e tij, maskimin dhe turbullimin e tij.

Këtu është fjala për Dexhalin e madh që do të dalë pak para Kiametit në kohën e Mehdiut dhe Isait (alejhis selam).

Dalja e Dexhalit është nga shenjat e mëdha që paralajmërojnë për afrimin e Kiametit, dhe sprova e tij do të jetë nga sprovat më të mëdha që do kalojë njerëzimi. Ai quhet “mesih” sepse njëri nga dy sytë e tij është i fshirë (i verbuar), ose sepse ai e fshin Tokën duke e shkelur atë për 40 ditët e tij.

Fjala “mesih” është përdorur për të sinqertin, Isanë (alejhis selam), dhe po ashtu për humbësin dhe gënjeshtarin e verbër në njërin sy, Dexhalin.

Kurtubiu thotë: “Në lidhje me domethënien e fjalës “Mesih” ka 23 mendime, të cilat i ka përmendur që të gjitha Hafiz Ebul Hatab në librin “Mexhmeul Bahrajn”.

Këtu është për qëllim mesihu i humbjes, me të cilin njerëzit do të mashtrohen për shkak të gjërave të jashtëzakonshme që do të ketë në dorë si: rënia e shiut, ringjallja e tokës me bimë etj; kurse mesihu i udhëzuar është Isai, i biri i Merjemes (alejhis selam), për të cilin do të flasim më pas.

Për Dexhalin kanë ardhur hadithe të shumta të përcjella në masë (mutevetira) nga brezat e parë të muslimanëve, në të cilat thuhet se ai do të dalë në fund të botës dhe se duhet pasur kujdes nga sprova e tij. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka përshkruar atë në mënyrë precise dhe të detajuar, në atë mënyrë që do e dallojë çdo musliman i udhëzuar. Për të kanë paralajmëruar edhe pejgamberët e mëparshëm popujt e tyre dhe i kanë treguar cilësitë e tij.

Prej haditheve që kanë ardhur në lidhje me Dexhalin përmendim:

Ibën Umeri (radiallahu anhu) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngrit para njerëzve, lavdëroi Allahun ashtu si i takon, pastaj përmendi Dexhalin, dhe tha: “Unë ju paralamëroj prej tij; dhe në fakt nuk ka profet para meje që të mos e ketë paralajmëruar popullin e vet prej tij, por unë do ju them për të diçka që nuk asnjë profet nuk ia ka thënë popullit të vet; ai është i verbër në njërin sy, kurse Allahu nuk është i verbër (prandaj mos u mashtroni kur ai të vijë e të thotë se është Zoti).” [Buhariu dhe Muslimi].

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “A t’ju tregoj për Dexhalin diçka që nuk e ka treguar asnjë profet para meje? Ai është i verbër në njërin sy, dhe prej gjërave të mbinatyrshme që do të ketë ai është një zjarr dhe një parajsë; zjarri që thotë ai është parajsë kurse ajo që ai i thotë parajsë është zjarr. Unë po ju paralajmëroj prej tij ashtu si e paralajmëroi edhe Nuhu popullin e vet.” [Buhariu dhe Muslimi].

Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi një ditë Dexhalin në mesin e njerëzve dhe tha: “Allahu i Madhëruar nuk është i verbër, kurse mesihu – i prekuri Dexhal është i verbër në syrin e djathtë, sikur të ishte kokërr rrushi që pluskon mbi kokrrat e tjera.” [Buhariu dhe Muslimi].

Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) thotë: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na foli gjatë për Dexhalin, dhe ndër të tjera, ai tha: “Kur të vijë Dexhali, do ta ketë të ndaluar të hyjë në Medine, kështu që do të ndalojë te një tokë e kripur afër Medines. Atë ditë do të dalë tek ai një burrë nga njerëzit më të mirë dhe do i thotë atij: “Unë dëshmoj se ti je Dexhali për të cilin na ka treguar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem).” Kurse Dexhali do të thotë: “Si thoni nëse unë e vras këtë njeri pastaj e ringjall atë, a do të dyshoni tek unë?” Të pranishmit do të thonë: “Jo!” Atëherë ai do e vrasë atë dhe pastaj do e ringjallë, kurse ai burri do të thotë: “Pasha Allahun! Unë të shoh më qartë se tani se kush je në të vërtetë!” Atëherë Dexhali do të tentojë ta vrasë, por nuk do të mundet.” [Buhariu dhe Muslimi].

Enes ibën Maliku (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk është dërguar ndonjë Pejgamber që të mos e ketë paralajmëruar popullin e vet nga gënjeshtari mashtrues; ai është i verbër në njërin sy, kurse Zoti juaj nuk është i verbër. Mes dy syve të tij është shkruar “K.F.R” (Kefera, ose Kufër).” [Buhariu dhe Muslimi].

Neveviu thotë se ky është shkrim i vërtetë, me këto gërma, dhe atë do e shohë dhe do e lexojë qartë çdo musliman i ditur apo analfabet.

En Nevas ibën Sem’an (radiallahu anhu) thotë: “Një ditë paradite, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi Dexhalin dhe gjatë fjalës, ai e ngrinte zërin dhe e ulte atë, sa që menduam se ai ishte pas pyllit të palmave. Kur shkuan tek ai mbasdite, ai e vëreu që ishim të frikësuar dhe na tha: “Çfarë keni?” Ne i thamë: “Përmende Dexhalin sot paradite dhe herë e ngrije zërin e herë e ulje, sa që menduam se ai është pas pyllit të palmave!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Diçka tjetër përveç Dexhalit ia kam frikën për ju, sepse nëse ai del sa jam unë në mesin tuaj, unë do përballem me të dhe jo ju, por nëse ai del kur unë të mos jem më, atëherë çdokush të ruhet vetë, e Allahu është Trashëguesi im për çdo musliman; Dexhali është një burrë i ri me flokë kaçurrela dhe njëri sy i tij pluskon. Unë mund ta krahasoj atë me AbdulUza ibën Kutn. Kush e ndesh atë prej jush, të lexojë ajetet e para të sures El Kehf. Ai do të dalë në një rrugë mes Levantit (Sirisë) dhe Irakut, dhe do të bëjë shkatërrime të mëdha djathtas e majtas. O robër të Allahut! Bëhuni të qëndrueshëm në fenë tuaj!” Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Sa do të qëndrojë ai në Tokë?” Ai tha: “Dyzet ditë; një ditë sa një vit, një ditë sa një muaj dhe një ditë sa një javë, kurse ditët e tjera njësoj si ditët tuaja.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Atë ditë që do të jetë sa një vit, a do të na mjaftojë namazi i një dite?” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Jo! Por përcaktojeni vetë aq sa i takon.” I thamë: “O i Dërguari i Allahut! Me çfarë shpejtësie do të lëvizë ai në Tokë?” Ai tha: “Si shiu i ndjekur nga furtuna. Në çdo vend që shkon, do i ftojë njerëzit që ta besojnë atë dhe ata do i besojnë dhe do i përgjigjen; ai do të urdhërojë qiellin të zbresë shi dhe do të bierë shi, toka do të mbijë bimët, bagëtitë e tyre do të kthehen në mbrëmje nga kullota me gunga më të larta, me gji më të mbushura, me ije më të fryra (nga ngopja); pastaj do të shkojë te një popull dhe do i ftojë që t’i besojnë atij, por ata do ia kthejnë fjalën; atëherë ai do të largohet prej tyre, dhe në mëngjes ata do të gdhihen të skamur, nuk do të zotërojnë asgjë. Pastaj, ai do të kalojë pranë një rrënoje dhe do i thotë: “Nxirri thesaret e tua!” Dhe thesaret e saj do dalin dhe do e ndjekin atë sikur të ishin bletë që mblidhen rreth bletës mashkull. Pastaj do thërrasë një djalë të ri në moshë, do e godasë me shpatë dhe do e ndajë në dy pjesë mes të cilave kalon shpata, pastaj do e thërrasë dhe ai do ecë, do të thotë “La ilahe il-la Allah” dhe do të qeshë. Ndërkaq, Allahu do të dërgojë Mesihun, birin e Merjemes (alejhi selam), i cili do të zbresë te Minarja e Bardhë në lindje të Damaskut, i veshur me dy rrobe të ngjyrosura me shafran, me duart të vendosura mbi krahët e dy engjëjve; kur tund kokën, ajo i kullon (ujë) dhe kur e ngre atë, prej saj zbresin kokrra uji si perla. Çdo mohues (jomusliman) që e ndjen aromën e frymës së tij, vdes në vend; e fryma e tij arrin atje ku i arrin shikimi. Ai do të ndjekë Dexhalin deri sa ta arrijë te porta e “Luddit” (fshat mes Palestinës dhe Jordanisë) dhe do e vrasë atë. Pastaj, Isa ibën Merjem do të shkojë te një grup njerëzish të cilët Allahu i ruajti nga Dexhali, do iu fshijë fytyrat dhe do iu tregojë gradat e tyre në Xhenet. Ndërkaq, Allahu do i shpallë Isait, birit të Merjemes: “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, të cilëve nuk mund t’i dalë askush para që t’i luftojë, prandaj ruaji robët e Mi prej tyre te mali i Turit. Atëherë Allahu dërgon Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët dalin nga çdo kodër; të parët e tyre do të kalojnë te liqeni i Tabarijas (Deti i Galileut në Palestinë) dhe do të pijnë prej tij, pastaj kalojnë të fundit dhe thonë: “Dikur këtu ka pasur ujë!” Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do të rrethohen prej tyre, sa që koka e viçit do të jetë më e mirë për ta se 100 dinar ari (nga uria dhe gjendja e vështirë), atëherë Profeti i Allahut, Isai dhe shokët e tij do i drejtohen Allahut, dhe Allahu do të dërgojë krimba në qafat e tyre e ata do të vdesin të gjithë njëherësh sikur të ishin një trup i vetëm. Pastaj Allahu do e zbresi profetin e Tij, Isën dhe shokët e tij në tokë (zbresin nga mali i Turit), por ata nuk do të gjejnë asnjë pëllëmb vend pa u mbushur me kufomat dhe kërmat e tyre, kështu që profeti i Allahut Isai dhe shokët e tij i drejtohen Allahut (me lutje), pastaj Allahu dërgon një shi që nuk e ndalon asnjë shtëpi prej guri apo balte (hyn në çdo vend) dhe e lan Tokën duke e lënë atë si pasqyrë që shkëlqen. Pastaj do i thuhet Tokës: “Mbij frytet e tua dhe ktheje bereqetin tënd. Atë ditë një grup njerëzisht do të mjaftohen me një kokërr shege dhe do të bëjnë hije me lëkurat e saj. Do i jepet bereqet qumështit, sa që kulloshtra e një deveje që sapo ka lindur, i mjafton një grupi të madh njerëzisht, kurse kulloshtra e lopës do i mjaftojë një fisi dhe ajo e deles do i mjaftojë një familje. Ndërkaq, Allahu dërgon një aroma të mirë, e cila i prek ata poshtë sqetullave të tyre dhe i merr shpirtin çdo besimtari dhe muslimani. Atëherë do të mbesin në Tokë njerëzit më të këqinj të cilët kryejnë marrëdhënie seksuale në publik ashtu si bëjnë gomerët; mbi ta do të bëhet Kiameti.” [Muslimi].

El Hatabi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Këto hadtihe që i ka përmendur Muslimi e të tjerë në lidhje me Dexhalin, janë provë e prerë e ndjekësve të vërtetës për vërtetësinë e ekzistencës së Dexhalit, dhe se ai është një personazh real me të cilin Allahu do të sprovojë njerëzit. Allahu do i japë fuqi atij të bëjë disa nga gjërat që mund t’i bëjë vetëm Allahu, siç është ngjallja e të vdekurit pas vrasjes së tij, shfaqja e stolive të dynjasë dhe bollëku që ai do ketë, parajsa dhe zjarri që ai do ketë, ndjekja që do i bëjnë atij thesaret e Tokës, urdhrimi i qiellit për të rënë shi dhe i Tokës për të mbirë bimët; gjëra të cilat do të ndodhin në duart e tij me fuqinë e Allahut dhe vullnetin e Tij. Më pas, Allahu do ia marrë fuqitë atij dhe ai nuk do të mund ta vrasë atë burrin që e ringjalli dhe as të tjerët, do i mbarojnë fuqitë dhe Isai do e vrasë atë. Gjatë sprovës së tij, Allahu do i bëjë të patundur besimtarët. Kjo është rruga dhe besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit, i dijetarëve të Hadithit, të Fikhut dhe studiuesve, në kundërshtim me ata që e mohojnë atë dhe çështjen e tij prej Havarixhëve[2], Xhehmive[3] dhe disa Mutezilive[4]; dhe në kundërshtim me Buhariun mutezili (është person tjetër nga Buhariu i Sahihut) dhe ata që thonë si ai prej Xhehmive e të tjerë, se Dexhali ekziston për të ekzistuar, por pretendimi se ai do të ketë fuqi të mbinatyrshme është i pavërtetë, sepse sikur të ishte i vërtetë, nuk mund të lidhet me mrekullitë e Profetëve.

Të gjitha këto supozime janë gabim nga ana e tyre, sepse Dexhali nuk do të thotë se është profet, që ato fuqi të mbinatyrshme që do të ketë të vërtetojnë fjalën e tij, por ai do të thotë se është zot, megjithëse edhe në këtë rast është gënjeshtar gjithësesi për shkak se gjendja dhe fiziologjia e tij e kundërshton këtë pretendim; provat e krijimit të tij, mangësitë në krijimin e tij, defekti në syrin e tij të cilin ai nuk mund ta heqë nga vetja, po kështu parullën me shkrimin “KEFERA” në ballin e tij nuk mund ta heqë. Me gjithë këto prova e të tjera, nuk mashtrohet prej tij veçse disa njerëz të varfër, për të larguar urinë dhe varfërinë, në kërkim të mbushjes së barkut apo nga frika se ai do i bëjë keq; sepse sprova e tij do të jetë vërtetë e madhe; ta merr mendjen dhe i pështjellon njerëzit me logjikë, sidomos me shpejtësinë që ai do të lëvizë nëpër Tokë, sa që të dobtit nuk do të kenë kohë të mendohen dy herë rreth vërtetësise dhe gjendjes së tij. Prandaj, profetët kanë paralajmëruar prej sprovës së tij dhe kanë vënë theksin mbi mangësitë fiziologjike të tij dhe te provat që e rrëzojnë pretendimin e tij.

Sa i përket besimtarëve dhe atyre që Allahu i jep sukses, ata kurrë nuk mashtrohen nga ai dhe nga veprat e tij të mbinatyrshme që në realitet janë mashtrime të syve dhe jo-reale, sepse ata e dinë që më parë të vërtetën rreth tij, prandaj ai që vritet nga Dexhali pastaj ringjallet, do të thotë: “Tani mu shtua edhe më shumë shikimi i të vërtetës rreth teje.” [Sqaruesi i Sahihut të Muslimit, i Neveviut, 18/58-59].

Hadithet tregojnë se Dexhali do të hyjë në çdo vend, me përjashtimt ë Mekes dhe Medines; siç e tranmeton Enesi (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të ketë vend që Dexhali të mos e shkelë, me përjashtim të Mekes dhe Medines. Ai nuk do të ketë asnjë shteg prej shtegjeve të atyre dyjave, sepse në çdo shteg ka engjëj të rreshtuar që i mbrojnë ato. Pastaj Medina do të dridhet dhe tundet bashkë me banorët e saj tre herë, dhe Allahu do të nxjerrë prej saj të gjithë mohuesit dhe hiporitët.” [Buhariu dhe Muslimi].

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Fjala e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Nuk ka vend që Dexhali të mos e shkelë” merret ashtu si është, me kuptim të drejtpërdrejtë, tek shumica e dijetarëve, me përjashtim të Ibën Hazmit, i cili thotë: “Veçse do të hyjnë në to të dërguarit e Dexhalit dhe ushtria e tij.” Sikur ai e quan të pamundur hyrjen e vetë Dexhalit në të gjitha vendet e botës brenda një kohe të shkurtër që do të qëndrojë në tokë, duke i shpëtuar fjala e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem), që e ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij, se një prej ditëve të tij do të jetë sa një vit..” [Fet’hul bari, 4/96].

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e ka sqaruar edhe kohën e qëndrimit të tij në tokë pas daljes së tij, dhe se vrasja e tij do të jetë në duart e Isait, birit të Merjemes, siç e pamë në hadithin e mësipërm.

Pra, dalja e Dexhalit dhe sprova e madhe e tij, tmerrimi i njerëzve nga ai dhe sjellja e fatkeqësive atyre, si dhe gjërat e mbinatyrshme për sytë që do të zotërojë ai, këto janë nga shenjat e mëdha të Kiametit.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i kërkonte mbrojtje Allahut nga sprova e Dexhalit në çdo namaz dhe jashtë namazit, dhe e urdhëroi popullin e vet që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Transmetohet nga Zejd ibën Thabit (radiallahu anhu) se ai ka thënë: “Ndërkohë që i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte pranë kufirit rrethues të pronës së fisit Nexhar, i hipur mbi një mushkë, dhe ne ishim bashkë me të, veç kur mushka dredhëroi dhe për pak sa e rrëzoi; aty ishin varret e gjashtë, pesë ose katër njerëzve. I Dërguari tha: “Kush i njeh të vdekurit që janë në këto varre?” Njëri nga ne tha: “Unë.” I Dërguari tha:

– Kur kanë vdekur?

– Kanë vdekur duke qenë idhujtarë, -tha ai.

– Ky popull sprovohet në varret e tyre. Sikur të mos varroseshit, do lusja Allahut t’ju bënte të dëgjonit dënimin e varrit.

Të gjithë ata që ishin aty thanë: “Allahu na ruajtë nga Zjarri!

Kurse i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: “I kërkoni mbrojtje Allahut nga dënimi i varrit!”

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga dënimi i varrit, -thanë ata.

– I kërkoni mbrojtje Allahut nga sprovat, ato të shfaqura dhe ato të fshehta, – tha i Dërguari (salallahu alejhi ue selem).

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga sprovat e shfaqura dhe të fshehta, – thanë ata.

– I kërkoni mbrojtje Allahut nga sprova e mesihit Dexhal, -tha ai.

– I kërkojmë mbrojtje Allahut nga sprova e mesihit Dexhal, -thanë ata.” [Muslimi].

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i udhëzoi besimtarët në gjëra që i mbrojnë ata nga sprova e Dexhalit, siç ka ardhur në hadithin e Ebu Darda, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush mëson dhjetë ajete nga fillimi i sures el Kehf, është i mbrojtur nga Dexhali.” [Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu].

Muslimi thotë: “Shu’beh thotë: “Nga fundi i sures el Kehf”, kurse Hemami thotë: “Nga fillimi i sures el Kehf”. [Muslimi].

Kurse, el Menavi sqaron shkakun e mbrojtjes nga Dexhali me leximin e këtyre ajeteve të sures el Kehf: “Kjo sepse në suren el Kehf përmendet historia e banorëve të shpellës si një prej provave dhe gjërave të mbinatyrshme, dhe ai që i njeh këto gjëra dhe e di se Allahu ka bërë gjëra të tilla si prova për njerëzit në Tokë, nuk habitet nga çështja e Dexhalit dhe nuk mashtrohet nga ai; ose sepse kush mediton rreth këtyre ajeteve dhe domethënies së tyre, ato i tërheqin vërejtjen dhe e paralajmërojnë atë, kështu që ai sigurohet nga Dexhali; ose sepse kjo veti është veçori që Allahu e ka vendosur te kjo sure.” [Fejdul Kadir, 6/118].

Surja el Kehf ka rëndësi të madhe, dhe në të përmenden gjëra të mbinatyrshme, mrekulli e prova të cilat kush i mediton, mbrohet nga sprova e Dexhalit. Prandaj ka ardhur edhe nxitje për leximin e saj veçanërisht në ditën e Xhuma, si në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid el Hudri (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e lexon suren el Kehf në ditën e Xhuma, ndriçohet nga drita sa mes dy të xhumave.” [Sahih; e ka nxjerrë Hakimi në Mustedrak; Hadithi gjendet në el Irva me nr. 626].

 

Tema e tretë

Zbritja e Isait, birit të Merjemes (alejhis-selam)

Nga shenjat e mëdha dhe madhështore të Kiametit është zbritja nga qielli e Isait, birit të Merjemes (alejhis-selam). Tekstet e Kuranit dhe Sunetit kanë pohuar se ai do të zbresë para se të ndodhë Kiameti, do të vrasë Dexhalin, do të thyejë kryqin dhe do të gjykojë me drejtësi sipas Sheriatit të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), duke ringjallur edhe shumë prej asaj që njerëzit do e kenë lënë në atë kohë. Do të qëndrojë në tokë aq sa të ketë caktuar Allahu, pastaj do të vdesë, do i falet xhenazeja dhe do të varroset.

Diskutimi rreth Isait (alejhis-selam) përfshin disa çështje:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti që vërtetojnë zbritjen e tij nga qielli:

Në Kuran kanë ardhur tre ajete që provojnë zbritjen e Isait (alejhis-selam):

Ajeti i parë: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Në të vërtetë, ai (Isai) është njohje e ardhjes së Orës (së Kiametit), në ardhjen e së cilës mos dyshoni kurrsesi!” [Zuhruf, 61]. D.m.th. qe zbritja e Isait (alejhis-selam) para Kiametit është shenjë e afrimit të Kiametit, dhe këtë e forcon edhe leximi tjetër i të njëjtit ajet me kuptimin: “Në të vërtetë, ai (Isai) është shenjë e Kiametit…”[5] D.m.th. dalja e tij është një nga shenjat e Kiametit që tregojnë afrimin e tij. Imam Ahmedi dhe el Hakim kanë nxjerrë nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma), se në interpretimin e ajetit të mësipërm, ai ka thënë: “Bëhet fjalë për daljen e Isait, birit të Merjemes (alejhis selam) para ditës së Kiametit.”[6]

Ky kuptim është tranmsetuar nga disa prej imamëve të Tefsirit, dhe këtë e ka zgjedhur edhe Hafiz Ibën Kethiri, e të tjerë.[7]

Ajeti i dytë: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi…” [Muhammed, 4].

Begaviu (Allahu e mëshiroftë!), në interpretim të këtij ajeti, thotë: “Domethënia e ajetit është kështu: I shkatërroni idhujtarët me goditje dhe robërim deri sa të gjithë ata të pranojnë Islamin dhe feja e njerëzve të tokë të jetë vetëm për Allahun, dhe të mos ketë më pas xhihad dhe as luftë e vrasje; dhe kjo do të ndodhë kur të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam).”[8]

Ajeti i tretë: Fjala e Allahut të Madhëruar: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159].

Ibën Xherir et Taberi ka transmetuar nga Ebu Malik, se në lidhje me këtë ajet, ky ka thënë: “Kjo do të ndodhë kur të zbresë Isai biri i Merjemes; nuk do të mbesë asnjë prej ithtarëve të Librit (të krishterët) veçse do t’i besojnë atij (dhe do të bëhen muslimanë si ai).”[9]

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk ka dyshim se kjo është e vërteta, dhe ajetet para dhe pas pohojnë pavërtetësinë e fjalës së hebrenjve për vrasjen e Isait dhe kryqëzimin e tij, gjë të cilën e pranuan edhe ata që e pranuan nga të krishterët pa pasur dije të sigurtë. Por Allahu tregoi se çështja nuk ishte ashtu, por atyre iu shfaq shëmbëlltyra e Isait dhe ata vranë shëmbëlltyrën pa e ditur çfarë kishte ndodhur, deri sa Allahu njoftoi se e kishte ngritur atë ne qiell tek Ai, dhe se ai vazhdon të jetë gjallë dhe se do të zbresë para Ditës së Kiametit, siç kanë vërtetuar dhe pohuar në detaje edhe hadithet e vërteta që do të sjellim më pas inshaAllah. Kur të zbresë, Isai do të vrasë mesihun e humbjes (Dexhalin), do të thyejë kryqin dhe do të vrasë derrin, do të anullojë haraçin (xhizje), dmth. nuk do e pranojë atë nga ithtarët e asnjë feje dhe nuk do të pranojë veçse Islamin ose vrasjen e tyre. Ky ajet tregon gjithashtu se në atë kohë Isait do i besojnë të gjithë të krishterët dhe nuk do ta kundërshtojë askush prej tyre.”[10]

Argumentet nga Suneti i pastër për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumta. Prej tyre përmendim:

Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Shumë shpejt pritet të zbresë tek ju i biri i Merjemes si udhëheqës i drejtë; do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin e nuk do ta pranojë atë nga jomuslimanët. Në atë kohë pasuria do të jetë me bollëk dhe askush nuk do e pranojë lëmoshën, sa që një sexhde e vetme do të jetë më e mirë se e gjithë bota dhe çka në të.”[11]

Pastaj Ebu Hurejra tha: “Nëse doni, lexoni fjalën e Allahut: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159].

Hadithi i transmetuar nga Xhabir ibën Abdullah (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Një grup nga populli im do të vazhdojë të luftojë triumfues për të vërtetën deri në Ditën e Kiametit.” Pastaj tha: “Pastaj do të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam), dhe prijësi i besimtarëve do i thotë atij (Isait): “Eja, na pri në namaz!” Ai do të thotë: “Jo! Ju jeni prijës për njëri-tjetrin.” -Si prestigj nga Allahu për këtë ymet.”[12]

Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Profetët janë vëllezër me nëna të ndryshme por me fe të njëjtë. Unë jam më i afërti i tyre me Isanë, birin e Merjemes, sepse mes meje dhe atij nuk ka pasur profet tjetër dhe, ai do të zbresë, dhe kur ta shihni, do e njihni nga këto cilësi: Një burrë i mesëm në lartësi, me ngjyrë mes të kuqes dhe të bardhës, i veshur me dy rroba me ngjyrë që anon nga e verdha e hapur, me kokën që i pikon (sikur të ishin të lagura) megjithëse nuk i ka prekur uji. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, do të heqë haraçin dhe do t’i ftojë njerëzit në Islam. Në kohën e tij, Allahu do i shkatërrojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit, dhe do të shkatërrojë gjithashtu Dexhalin. Pastaj toka do mbushet me siguri, sa që luanët do të kullosin bashkë me devetë, tigrat me lopët dhe ujqërit me delet. Fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë pa u dëmtuar prej tyre. Ai do të qëndrojë në tokë 40 vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin xhenazenë.”[13]

Ibën Kethiri, duke komentuar hadithet e zbritjes së Isait (alejhis selam), thotë: “Këto janë hadithe të transmetuara masivisht nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), si nga Ebu Hurejra, Ibën Mesudi, Uthman ibën Ebi el As, En Nevas ibën Sem’an, Abdullah ibën Amër ibën el As, Muxhemea ibën Xharije, Ebu Seriha Hudhejfe ibën Usejd, (Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha ata!); dhe të gjitha këto transmetime argumentojnë për mënyrën e zbritjes së Isait (alejhis selam) dhe vendin  e zbritjes që është Levanti, madje Damasku, mbi minaren Lindore të tij, në kohën kur do të thirret ikameti për namazin e sabahut… Ai do të vrasë derrin, do të thyejë kryqin dhe do të heqë haraçin, dhe nuk do të pranojë veçse Islamin, siç u përmend në hadithet e dy Sahihave të Buhariut dhe Muslimit. Ky është njoftim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), pohim, legjitim dhe lejim për të në atë kohë, kur të gjithë të krishterët do të hyjnë në fenë Islame duke pasuar Isain (alejhis selam), siç thotë Allahu në Kuran: “Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.” [En Nisa, 159]. Ky ajet është i ngjashëm me ajetin: “Ai është njoftim për Orën (e Kiametit)” [Ez Zukhruf, 61], i cili lexohet gjithashtu me zanoren “a” dhe me kuptimin “Shenjë” dhe “argument” për afrimin e Ditës së Kiametit, dhe kjo sepse ai do të zbresë pas daljes së mesihit Dexhal (Antikrishti), të cilin Allahu do e vrasë para Isait (alejhi selam). Në ditët e Isait, Allahu do të nxjerrë edhe Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët Allahu do i shkatërrojë me begatinë e lutjes së Isait (alejhis selam).”[14]

Ymeti Islam është bashkuar unanimisht në besimin në zbritjen e Isait (alejhis selam) si një nga shenjat e Kiametit, dhe këtë gjë nuk e ka kundërshtuar askush, me përjashtim të ndonjërit që nuk i merret fjala.[15]

Es Sefarini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ymeti musliman është bashkuar unanimisht për zbritjen e Isait (alejhis selam) dhe askush nga dijetarët e sheriatit nuk e ka kundërshtuar këtë, por e kanë kundërshtuar filozofët dhe ateistët, kundërshtimi i të cilëve nuk merret parasysh. Është lidhur unanimiteti i ymetit musliman se Isai do të zbresë dhe do të gjykojë me sheriatin e Muhamedit dhe nuk do të zbresë me sheriat tjetër kur të zbresë nga qielli…”[16]

Çështja e dytë: Cilësitë e Isait (alejhis selam)

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na ka njoftuar për cilësitë e Isait (alejhis selam). Transmetimet thonë se ai është një mesoburrë, as shumë i gjatë, as i shkurtër, me flokët kaçurrel, me ngjyrë të kuqe, gjoks të gjerë, që ngjan më shumë me Urvah ibën Mesud eth Thekafi (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Ibën Abasi (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “E pashë Musain, Isain dhe Ibrahimin. Isai ishte i kuq, me kaçurrela, dhe me gjoks të gjerë.”[17]

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra, që është përmendur më parë, thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mes meje dhe atij (Isait) nuk ka pasur profet tjetër, dhe ai do zbresë patjetër, dhe kur ta shihni, ju mund ta njihni nga këto cilësi:  Një burrë i mesëm në lartësi, me ngjyrë mes të kuqes dhe të bardhës, i veshur me dy rroba me ngjyrë që anon nga e verdha, me kokën që i pikon (sikur të ishin të lagura) megjithëse nuk i ka prekur uji. Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin, do të heqë haraçin dhe do t’i ftojë njerëzit në Islam. Në kohën e tij, Allahu do i shkatërrojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit…”[18]

Xhabir ibën Abdullah (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “M’u shfaqën para syve të gjithë profetët. Pashë Musain… pashë edhe Isain, birin e Merjemes, i cili më ngjante më shumë nga ata që kam parë me Urvah ibën Mesud…”.[19]

Çështja e tretë: Vendi i zbritjes së Isait (alejhis selam)

Isai (alejhis selam) do të zbresë te Minarja e Bardhë në Lindje të Damaskut, me duart të vendosura mbi krahët e dy engjëjve, i veshur me dy rroba me ngjyrë të verdhë të hapur. Zbritja do të jetë në kohën e namazit të sabahut kur muslimanët do të jenë rreshtuar për faljen e namazit dhe imami i tyre do të ketë dalë para për t’i prirë në namaz -me shumë mundësi ky imam është Mehdiu, i cili kur të mësojë se Isa zbriti, do të tërhiqet për t’i lënë vendin e imamit atij, dhe do i kërkojë që ai t’i prijë në namaz, por Isai do të kundërshtojë dhe imam do të jetë Mehdiu.

En Nevas ibën Sem’an (radiallahu anhu) thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “…atëherë Allahu do të dërgojë Isain birin e Merjemes, i cili do të zbresë te Minarja e Bardhë në lindje të Damaskut, i veshur me dy rroba me ngjyrë të verdhë të hapur, me duart e vendosura mbi krahët e dy engjëjve. Nëse e tund kokën, nga ajo pikojnë pika uji, dhe nëse e ngre atë, prej saj bien kokrra argjendi si perla. Nuk ka asnjë mohues që e ndjen frymën e tij, veçse vdes në vend, ndërkohë që fryma e tij arrin aq sa arrin shikimi i tij. Ai do e ndjekë Dexhalin dhe do e arrijë në hyrje të qytetit Lud (në Palestinë) dhe atje do e vrasë. Pastaj Isai do të shkojë te disa njerëz të cilët Allahu i ruajti nga Dexhali. Ai do i shohë fytyrat e tyre dhe do i tregojë secilit gradat që do të ketë në Xhenet.”[20]

Koha që do të qëndrojë Isai (alejhis selam) në tokë kur të zbresë

Në disa transmetime thuhet se ai do të qëndrojë shtatë vite, kurse në transmetime tjera thuhet se do të qëndrojë dyzet vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin atij xhenazenë.

Në hadithin e transmetuar nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhuma), thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Atëheër Allahu do të dërgojë Isain, birin e Merjemes… pastaj për shtatë vite nuk do të ketë asnjë armiqësi mes njerëzve. Pastaj Allahu do të dërgojë një erë të ftohtë nga ana e Levantit, e cila nuk do të lërë asnjë njeri që ka një kokërr të mire apo besimi në zemrën e tij veçse do ta marrë (do të vdesë).”[21]

Na hadithin e mëparshëm të transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) thuhet: “Ai do të qëndrojë në tokë 40 vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do i falin xhenazenë.”[22]

Ibën Kethiri bashkoi mes dy transmetimeve duke thënë: “Kështu ka ardhur në hadith, se Isai do të qëndrojë dyvet vjet, por në Sahihun e Muslimit është transmetuar nga Abdullah ibën Amër se ai do të qëndrojë shtatë vite, dhe këto të dyja janë problem, përveç nëse këto shtatë vite janë vitet që do të qëndrojë pas zbritjes dhe nëse i shtohen viteve që ka qenë në tokë para se të ngrihej në qiell, që siç dihet mosha e tij ka qenë 33 vjeç, do të plotësohen dyzet vite të plotë, e Allahu e di më mirë.”[23]

Por Sefarini e ka kundërshtuar këtë lloj harmonizimi mes haditheve, dhe pasi e përmend atë në librin e tij pa ia dedikuar ndokujt, thotë: “Allahu e di më mirë, por ky lloj harmonizimi nuk është i saktë për shkak të hadithit të Aishes (radiallahu anha), që e ka nxjerrë imam Ahmedi e të tjerë, ku thuhet: “… Isai do të vrasë Dexhalin, pastaj do të qëndrojë në tokë dyzet vjet.”[24] Pastaj kujtoi se Bejhakiu ka zgjedhur transmetimin e dyzet viteve, dhe po kështu është përcjellë edhe nga Sujuti, dhe kjo sepse shtesa e transmetuesit të besueshëm është e pranueshme dhe sepse ata privilegjojnë transmetimin e shumicës për dijen më tepër që gjendet në të, dhe se fjala e tyre është pohuese, dhe pohimi paraprihet mbi mohimin.”[25]

El Berzenxhi thotë: “Numri më i vogël nuk e mohon numrin më të madh.”[26]

Mendojmë se më e sakta është të thuhet: Transmetimi i dyzet viteve është bazë, sepse ky është transmetimi i shumicës, siç e ka thënë edhe Sefarini, dhe ndoshta këto dyzet vite kalojnë sikur të ishin shtatë vite, dhe këtë mund ta përforëcojë hadithi i transmetuar nga Abd ibën Hamid, se në lidhje me komentimin e Fjalës së Allahut: “Në të vërtetë, ai (Isai) është dije për Orën (e Kiametit)”, Ebu Hurejra ka thënë: “Dmth. dalja e Isait, i cili do të qëndrojë në tokë dyzet vjet, e ato do të jenë si katër vite, gjatë të cilave ai do të shkojë në Haxh dhe në Umra.”[27] E Allahu e di më mirë.

Çështja e katërt: Hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumënjohura (mutevatir)

U përmendën më sipër disa nga hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam), dhe ato argumentojnë në mënyrë shumë të qartë dhe të prerë për zbritjen e Isait (alejhis selam) në kohët  fundit të kësaj bote; dhe nuk ka asnjë provë ai që i refuzon këto hadithe apo thotë se janë hadithe të transmetuara me një rrugë transmetimi (ahad) që nuk merren për argument apo që thotë se zbritja e Isait nuk është prej besimeve të muslimanëve që e kanë detyrim ta besojnë; sepse kur vërtetohet saktësia e hadihit, pranimi dhe besimi i asaj që ai përmban bëhet i detyrueshëm, sepse ky është njoftim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe askujt nuk i lejohet ta refuzojë fjalën e tij qoftë edhe nëse është me rrugë teke transmetimi, megjithëse dijetarët kanë theksuar se hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë mutevatir (me shumë rrugë transmetimi).

Imam Ahmed ibën Hanbel (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Bazat e sunetit tek ne janë: kapja për rrugën e shokëve të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe imitimi i tyre, dhe lënia e risive në fe (bidateve), sepse çdo bidat është humbje…” Pastaj përmend disa nga besimet e Ehli Sunetit, pastaj thotë: “Po ashtu besimi se mesihu Dexhal do të dalë dhe se mes syve të tij është shkruar “kafir” (mohues i Zotit), dhe besimi se këto do të ndodhin dhe se Isai do të zbresë dhe do ta vrasë Dexhalin në portën e Ludit (emër vendi në Palestinë).”[28]

Ibën Xherir et Taberi, pasi përmend mospajtimin në lidhje me të kuptuarit e vdekjes së Isait (alejhis selam), thotë: “Fjala më e saktë, për mendimin tonë, është fjala e atyre që thonë se domethënia e ajetit për ngritjen e Isait është: “Unë do të marr nga toka dhe do të ngre tek Unë”, për faktin e ardhjes së haditheve të shumënjohura nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) që thotë: “Isai, biri i Merjemes, do të zbresë dhe do të vrasë Dexhalin.”[29] Pastaj përmend disa hadithe që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam).

Ibën Kethiri thotë: “Janë të shumënjohura (mutevetira) hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) para Ditës së Kiametit, si prijës dhe gjykues i drejtë.”[30]

Sadik Hasen Khan thotë: “Hadithet për zbritjen e Isait (alejhis selam) janë të shumta, dhe prej tyre Sheukani ka përmendur 29 hadithe… disa janë përmendur kur flitet për Dexhalin, dhe disa në hadithet që flasin për Mehdiun e pritshëm. Këtyre iu shtohen edhe fjalët e përcjella nga Sahabet dhe që marrin gjykimin e hadithit të ngritur te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), pasi sahabet nuk mund të flasin për gjëra të tilla nga vetja e tyre përveç nëse e kanë dëgjuar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).” Pasi i përmend këto transmetime, thotë: “Të gjitha këto që përmendëm arrijnë në gradën e hadithit mutevatir, siç  e kuptojnë ata që kanë njohuri nga fusha e hadithit.”[31]

Nga dijetarët që kanë mbledhur hadithet që flasin për zbritjen e Isait (alejhis selam) është edhe Muhamed Enver Shah El Kishmiri[32], në librin “Thënia e hapur e haditheve të shumënjohura (mutevatir) që flasin për zbritjen e Mesihut (Isait – alejhis selam)”, ku përmend më shumë se 70 hadithe.

Muhamed Shemsul Hak el Adhim Abadi (Allahu e mëshiroftë!), autori i “Aunul Mabud komentar i Suneneve të Ebu Daudit” thotë: “Kanë ardhur hadithe mutevatira nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me zbritjen e Isait, birit të Merjemes (alejhis selam), nga qielli në tokë, me trupin e tij fiziologjik, kur të afrojë Dita e Kiametit. Kjo është rruga e Ehli Sunetit.”[33]

Shejh Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Zbritja e Isait (alejhis selam) në kohët e fundit të kësaj bote është një çështje për të cilën nuk ka kundërshtim mes muslimanëve për shkak të ardhjes së haditheve të sakta nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në lidhje me këtë… Kjo është nga gjërat që njihen domosdoshmërisht nga feja dhe kush e mohon këtë nuk është besimtar.”[34]

Shejh Muhamed Nasirudin el Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijeni se hadithet që flasin për Dexhalin dhe zbritjen e Isait (alejhis selam) janë mutevatira, dhe besimi i tyre është i detyrueshëm. Mos u mashtroni nga ata që thonë se këto hadithe janë me një rrugë transmetimi (Ahad), sepse ata që e thonë këtë janë injorantë në këtë fushë (shkencën e hadithit), dhe askush prej tyre nuk i ka ndjekur rrugët me të cilat janë transmetuar këto hadithe, se përndryshe do e kishte parë se janë mutevatira, siç e kanë dëshmuar edhe dijetarët e mëdhenj të kësaj fushe, si Hafiz Ibën Haxheri, e të tjerë. Është vërtet për të ardhur keq, se si guxojnë disa të flasin për diçka që nuk është në specialitetin e tyre, sidomos kur ka të bëjë me çështje të fesë dhe akides?!”[35]

Çështja e pestë: Urtësia në zbritjen e Isait (alejhis selam) posaçërisht, dhe jo të ndonjë profeti tjetër

Disa dijetarë kanë përmendur urtësinë që lidhet me zbritjen e Isait (alejhi selam) posaçërisht, dhe jo të ndonjë profeti tjetër. Nga fjalët  e tyre përmendim:

  1. Si kundërpërgjigje ndaj hebrenjve që thonë se e kanë vrarë Isain (alejhis selam), kurse Allahu e sqaron gënjeshtrën e tyre, madje thotë se do të jetë Isai ai që do i vrasë ata dhe Dexhalin, prijësin e tyre. Këtë mendim ka zgjedhur edhe Ibën Haxheri, e të tjerë.[36]
  2. Isai (alejhis selam) gjeti në Inxhil të përshkruhen muslimanët si në fjalën e Allahut: “Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit.” [El Fet’h, 29], dhe Isai iu lut Allahut që ta bënte atë prej tyre, kështu që Allahu iu përgjigj lutjes së tij dhe e mbajti gjallë deri sa ta zbresë përsëri në tokë para Kiametit, për të ripërtëritur atë që do jetë harruar nga feja Islame, feja e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Zbritja e tij do të përkojë me daljen e Dexhalit, dhe ai do ta vrasë atë.”[37]
  3. Zbritja e Isait (alejhi selam) nga qielli para se të bëhet Kiameti është sepse i është afruar exheli (koha e vdekjes) që të varroset në tokë, sepse askush që është krijuar nga dheu nuk duhet të vdesë në vend tjetër veçse në tokë. Zbritja e tij do përkojë me daljen e Dexhalit, të cilin Isai do e vrasë.”[38]
  4. Isai (alejhis selam) do të zbresë për të përgënjeshtruar të krishterët dhe të shfaqë falsifitetin e tyre në besimet e pavërteta, dhe në kohën e tij, Allahu do t’i asgjësojë të gjitha besimet e tjera përveç Islamit. Isai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin, për të mos pranuar asnjë fe tjetër përveç Islamit.
  5. Veçimi i Isait me këto gjëra është për shkak të fjalës së Profetit tonë (salallahu alejhi ue selem) i cili thotë: “Unë jam më i afërt me Isain, birin e Merjemes, sepse mes meje dhe atij nuk ka asnjë profet tjetër.”[39] Pra, i Dërguari Muahmed (salallahu alejhi ue selem) është më i veçanti dhe më i afërti me Isain (alejhis selam), kurse ky ka përgëzuar për ardhjen e Muahmedit (salallahu alejhi ue selem) pas tij, dhe i ftoi njerëzit që ta besojnë atë dhe t’i besojnë atij[40], siç thuhet në Fjalën e Allahut: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje”. [Es Saff, 6]. Në një hadith thuhet: “Sahabet thanë: “O i Dërguari i Allahut! Na trego për veten tënde.” Ai tha: “Po, unë jam lutja e babait tim, Ibrahimit, dhe përgëzimi i vëllait tim, Isait.”[41]

Çështja e gjashtë: Gjërat që do të ndodhin në kohën e zbritjes së Isait (alejhis selam)

  1. Vrasja e Dexhalit

Përmendëm më parë se profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të zbresë në një kohë kur muslimanët do të jenë në gjendje përgatitje për të luftuar Dexhalin. Kur ai të zbresë, do të jetë koha e namazit të sabahut dhe do të falet pas “njeriut të mirë” (Mehdiut), dhe kur Dexhali të mësojë për zbritjen e Isait (alejhis selam), do t’ia mbathë dhe të fshihet prej tij, por Isai do e ndjekë dhe do e kapë në Bejtil Makdis (Kuds) ku ai do të ketë rrethuar një grup prej muslimanëve. Isai (alejhis selam) do i kërkojë atyre të hapin portën e qytetit dhe ata do e hapin. Pas tij do vijë Dexhali dhe kur të marrë vesh që Isai është aty, do të largohet menjëherë, por Isai do e ndjekë atë dhe do e zërë te porta lindore e Ludit, ku edhe do ta vrasë bashkë me hebrenjtë që do jenë me të.

Në hadithin e transmetuar nga Ebu Umameh (radiallahu anhu), i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Ndërkohë që imami i muslimanëve doli para për t’i prirë ata në namazin e sabahut, do të zbresë Isai, biri i Merjemes (alejhis selam). Atëherë imami i tyre zmbrapset për t’i lënë vendin Isait, por ai vendos dorën mes shpatullave të tij dhe i thotë: “Shko para dhe na prij, sepse ikameti u thirr për ty!” Atëherë namazin do e prijë imami i tyre, dhe kur të mbarojë namazin, Isai do të thotë: “Hapeni derën!” Ata do  ehapin derën, veç kur pas saj do të jetë Dexhali bashkë me 70 mij hebrenj, që të gjithë me shpata të zbukuara me dru tik. Kur Dexhali të shohë Isain, do të shkrijë si shkrin kripa në ujë, pastaj do largohet me vrap, kurse Isai do të thotë: “Kam për të dhënë një goditje, me të cilën nuk do të më kalosh.” Pastaj do e zërë atë te porta lindore e Ludit dhe do e vrasë. Atëherë Allahu do i mposhtë hebrenjtë, sa që nuk do të mbesë asgjë që ka krijuar Allahu ku do të fshihen hebrenjtë, veçse do të flasin, që të gjitha: gurët, pemët, muret dhe kafshët, përveç shkurres Garkadeh, e cila është nga shkurret e tyre, dhe nuk do të flaës, kurse të tjerat do të thonë: “O rob i Allahut musliman, këtu pas meje është një çifut, prandaj eja dhe vrite!…”.[42]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “… Ndërkohë që ata përgatiten për luftë, vihen në rreshta dhe thirret ikameti (për namazin e sabahut). Në atë çast zbret Isai, biri i Merjemes (alejhis selam). Kur armiku i Allahut (Dexhali) ta shohë atë, do të shkrijë si kripa në ujë, dhe sikur Isai ta linte, do të shkrihej i gjithi, por ai do ta vrasë atë me dorën e tij, dhe do i tregojë atyre (muslimanëve që janë me të) gjakun e Dexhalit në bajonetën e tij.”[43]

Pra, gjëja e parë që do të bëjë Isai (alejhis selam) pas zbritjes nga qielli është përballimi me Dexhalin dhe vrasja e tij bashkë me ata që e ndjekin atë prej hebrenjve.

  1. Shkatërrimi i Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Dalja e popujve Jexhuxh dhe Maxhuxh është nga shenjat e mëdha të Kiametit, për të cilën do të flasim më pas, por këtu është për qëllim sqarimi se pas vrasjes dhe dhënies fund sprovës së Dexhalit, këta dy popuj do të bëjnë shkatërrime të mëdha në tokë, dhe i dërguari i Allahut, Isai (alejhis selam) dhe shokët e tij do t’i drejtohen Allahut me lutje, e ata do të shkatërrohen totalisht që të gjithë pa përjashtim, siç do ta shohim më pas në fjalën rreth Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.

  1. Rrëzimi i të gjitha feve dhe gjykimi vetëm me Islam

Kur Isai (alejhis selam) të zbresë në tokë, do të ndjekë Sheriatin Islam dhe do të gjykojë me Kuranin dhe Sunetin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe kështu do i fshijë të gjitha ligjet dhe fetë e tjera. Kjo është diçka më se e njohur në fenë Islame, për të cilën nuk pranohet justifikim nga askush, pasi sheriati Islam është abrogues i të gjitha ligjeve para tij, dhe Allahu i ka marrë besën dhe premtimin të gjithë profetëve: që do e besojnë Muhamedin dhe do e ndjekin atë nëse ai vjen kur ata janë gjallë, siç thotë Allahu në Kuran: “Kujtoni kur Allahu mori besën e pejgambereve: “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, ju do ta besoni dhe do ta ndihmoni atë! A e pranoni dhe më jepni besën për këtë?” Ata thanë: “E pranojmë.” Ai tha: “Atëherë dëshmoni, dhe Unë jam bashkë me ju prej dëshmitarëve.” [Al Imran, 81].

Për këtë shkak, Isai (alejhis selam) do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe do të heqë haraçin për të mos pranuar nga askush veçse Islamin ose të vritet.

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dikush shkoi në mendimin se me zbritjen e Isait (alejhis selam), do të shfuqizohen ligjet e sheriatit, që ai të mos jetë i dërguar te njerëzit e asaj kohe duke i urdhëruar e ndaluar me ligjet e Allahut [përndryshe do të ishte profet pas Muhamedit (salallahu alejhi ue selem)], por kjo fjalë është e papranueshme për shkak të argumenteve që u përmendën më sipër në lidhje me të vërtëten e Isait, dhe sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.” [El Ahzab, 40]. Kurse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk do të ketë profet tjetër pas meje.”[44] Dhe në një hadith tjetër thotë: “Unë jam trashëguesii!”[45] D.m.th. i fundit i profetëve dhe vula e tyre. Pra, nuk lejohet që të mendohet se Isai (alejhis selam) do të zbresë si profet me sheriat tjetër nga sheriati i të Dërguarit tonë, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), por kur të zbresë, ai do të jetë nga pasuesit e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), siç ka njoftuar vetë Muahmedi (salallahu alejhi ue selem) në fjalën drejtuar Umerit (radiallahu anhu): “Sikur Musai (alejhis selam) të ishte gjallë, nuk do i lejohej gjë tjetër veçse të më pasonte mua.”[46]

Pra, Isai (alejhis selam) do të zbresë me aprovim të sheriatit Islam dhe si rinovues i tij, sepse ky është sheriati i fundit dhe Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është profeti i fundit.”[47]

  1. Ngritja e urrejtjes dhe smirës nga njerëzit, dhe përhapja e sigurisë dhe bollëkut mes tyre. Nga gjërat që na ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) se do të ndodhin në kohën e Isait (alejhis selam) është se: urrejtja, armiqësia dhe smira do të ngrihen nga njerëzit, dhe që të gjithë ata do të bashkohen në Islam, dhe si rrjedhojë do të përhapet begatia, do të shtohen të mirat, toka do të shtojë prodhimin dhe askush nuk do të lakmojë pasurinë për shkak të bollëkut. Në atë kohë, Allahu do ia heq helmin të gjitha krijesave me helm, sa që fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë dhe akrepat pa u dëmtuar prej tyre, dhe delet do të kullosin bashkë me ujqërit pa u ngrënë prej tyre. Toka do të mbushet me siguri dhe paqë. Nuk do të ketë më luftëra mes njerëzve, dhe çmimi i kuajve do të bjerë për shkak se nuk do të ketë luftëra, por do të ngrihet çmimi i demave sepse e gjithë toka do të mbillet.

Në hadithin e transmetuar nga Nevas ibën Sem’an, të përmendur më parë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “… Pastaj Allahu do të zbresë një shi, sa që nuk do të ketë shtëpi fshati apo qyteti veçse do të bjerë shi mbi to, dhe ai shi do të lajë të gjithë tokën duke e lënë atë si pasqyrë. Pastaj do i thuhet tokës: “Lëshoje prodhimin tënd dhe ktheje begatinë tënde!” Atë ditë, një grup njerëzish do të ngopen nga një kokërr shegë dhe do të qëndrojnë nën hijen e lëvores së saj. Do t’i jepet begati e madhe edhe qumështit, sa që një deve qumështi do i mjaftojë një grupi të madh njerëzish, një lopë qumështi do i mjaftojë një fisi të tërë, dhe një dele qumështi do i mjaftojë një familje të tërë (duke përfshirë gjyshërit dhe nipërit e familjes)…”[48]

Në hadithin e gjatë të transmetuar nga Ebi Umameh (radiallahu anhu), i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “…Isai (alejhis selam) do të jetë gjykues dhe udhëheqës i drejtë në popullin tim, do të thyejë kryqin, do të therë derrin, do të heqë haraçin dhe do të lërë lëmoshën, nuk do të kërkohet më as dele as deve (për zekat). Në atë kohë do të ngrihet armiqësia dhe urrejtja nga njerëzit dhe do të hiqet helmi i krijesave helmuese, sa që foshnja do të fusë dorën te gjarpri dhe ai nuk do e dëmtojë, dhe do e godasë luanin, kurse ai nuk do e dëmtojë. Ujqërit do të qëndrojnë mes deleve sikur të ishin qentë e tyre. Toka do të mbushet me paqë ashtu si mbushet ena me ujë. Njerëzit do të jenë të gjithë në një fjalë dhe nuk do të adhurojnë veçse Allahun. Luftërat do të kenë pushuar totalisht, dhe kurejshëve do i jetë marrë pushteti. Toka do të jetë si tas prej argjendi; do t’i japë prodhimet e saj si në kohën e Ademit, sa që një grup njerëzish do të bashkohen në një vesh rrushi dhe do ngopen të gjithë, do të bashkohen në një kokërr shegë dhe do ngopen të gjithë. Demi do  të shitet kaq e kaq monedha ari, kurse kali do të shitet me pak monedha argjendi…”[49]

Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Betohem në Allahu, se Isai, biri i Merjemes do të zbresë gjykues dhe udhëheqës i drejtë … Do të heqë haraçin dhe do ta lërë devenë (nuk do të mbledë zekatin). Armiqësia, urrejtja dhe smira do të largohen, dhe njerëzit do thirren që tju jepet pasuri, por nuk do ta pranojë askush.”[50]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!), në komentin e këtij hadithi thotë: “Kuptimi i kësaj është se njerëzit nuk do ta lakmojnë më pasurinë dhe nuk do të dëshirojnë të grumbullojnë prej saj, për shkak të bollëkut të saj dhe pakicës së ëndërrave, për mospasjen nevojë dhe për shkak të dijes së Kiameti është afër. Hadithi përmend një lloj të veçantë devesh, për shkak se ato janë më të kërkuarat dhe më të shtrenjtat tek arabët, dhe kjo i ngjan fjalës së Allahut: “Dhe kur devetë barrse të braktisen!” [Et Tekvir, 4].[51]

Çështja e shtatë: Vdekja e Isait (alejhis selam) dhe varrosja e tij

Nuk ka ardhur ndonjë tekst i qartë nga Suneti profetik në lidhje me vendin e vdekjes së Isait (alejhis selam), por disa dijetarë kanë përmendur se ai do të vdesë në Medinen e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Madje thuhet gjithashtu se ai do të varroset përkrah të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe dy shokëve të tij (Ebu Bekrit dhe Umerit – radiallahu anhuma!).

Kurtubiu thotë: “Ka mospajtim në lidhje me vendin ku do të vdesë Isai (alejhis selam). Thuhet se do të varroset në tokën e shenjtë të Kudsit, siç e ka përmendur El Hulejmi, ose do të varroset përkrah të Dërguarit tonë (salallahu alejhi ue selem) në Medine, bazuar në transmetimet e përmendura më parë.”[52]

 

 

 

Tema e Katërt

Dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit, për të cilat ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është edhe dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve. Trajtimi i kësaj shenje përfshin çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Origjina dhe prejardhja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Ka mospajtim në lidhje me origjinën e këtyre dy fjalëve:

Disa thonë: “Këto dy fjalë janë emra të huaj që nuk kanë origjinë në morfologjinë arabe, kështu që nuk kanë kuptim apo bazë nga e cila përfitohen.”

Të tjerë thonë: “Këto janë dy fjalë arabe”. Por ka mospajtim në lidhje me origjinën e tyre morfologjike; Disa thonë se rrjedhin nga flakërimi i zjarrit (exhixhun-nar), kurse të tjerë thonë se rrjedhin nga fjala “el Exhaxh”, që do të thotë “Ujë shumë i kripur”; Një grup i tretë thotë se rrjedhin nga “EL Uxh”, që do të thotë “Armik i shpejtë”; Dhe një grup i katërt thotë se rrjedhin nga “El Uxhxheh”, që do të thotë “përzierje dhe çrregullim”.

Përfundimi është se të gjitha këto mendime në lidhje me origjinën morfologjike të këtyre dy emrave i përshtatet gjendjes së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.

Ka mospajtim gjithashtu në lidhje me prejardhjen e tyre:

Disa thonë se ata janë nga pasardhësit e Ademit (alejhis selam), pra janë njerëz. Madje Ibën Haxheri thotë se këta janë dy fise nga djali i Nuhut, Jafith bin Nuh[53]. Pra ata janë nga fëmijët e Ademit dhe Havasë, dhe këtë e përforcon edhe hadithi i përcjellë nga Ebu Seid el Khudri (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të thotë: “O Adem!” Ai do i përgjigjet: “Urdhëro me gjithë kënaqësinë  Tënde!” Atëherë do të thirret me zë të lartë: “Allahu të urdhëron të nxjerrësh një grup nga pasardhësit e tu për në Zjarr!” Ademi thotë: “O Zot! Kush janë grupi i Zjarrit?” Ai thotë: “Në çdo një mijë njerëz, 999 prej tyre (janë grupi i Zjarrit).” Atëherë gruaja shtatzënë do të dështojë barrën e saj dhe fëmija do të thinjet; “Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barren e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” [El Haxh, 2]. Kjo gjë i tronditi shumë të pranishmit sa që iu ndryshuan fytyrat. Atëherë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nga Jexhuxhët dhe Maxhuxhët do të jenë 999, kurse nga ju vetëm një…”[54]

Çështja e dytë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti për daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve

Dalja e tyre është përmendur në Kuran, në Fjalën e Allahut: “93. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folme. 94. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?” 95. Ai tha: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96. Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.” 97. Kështu, ata (Jexhuxhët dhe Mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të. 98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku. 100. Atë ditë do t’ua tregojmë haptazi Xhehenemin mohuesve, 101. të cilët i kishin sytë të mbuluar para këshillave të Mia dhe të cilët nuk mund të dëgjonin.” [El Kehf, 93-101].

Po kështu, në Fjalën e Allahut: “96. Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie, 97. dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.” [El Enbija, 96-97].

Pika e argumentimit me këto dy ajete për faktin që dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e Kiametit, qëndron se ato shprehin qartë daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve duke treguar afrimin e premtimit të vërtetë, me të cilin është për qëllim Dita e Kiametit.”[55]

Argumentet nga Suneti për daljen e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve janë të shumta

Prej atyre haditheve është hadithi i përcjellë nga Umu Habibe binti Sufjan (radiallahu anha), nga Zejneb binti Xhahsh (radiallahu anha), se: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri tek ajo i frikësuar, duke thënë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut! Mjerë për arabët nga një e keqe që është afruar; Sot është hapur një shtresë nga prita e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve sa kjo trashësi -duke bërë një rreth me gishtin e madh dhe atë tregues.” Zejneb binti Xhahsh tha: “O i Dërguari i Allahu! A do të shkatërrohemi, nëse në mesin tonë do të ketë njerëz të mirë?!” – Po, tha ai (salallahu alejhi ue selem), nëse shtohet e keqa (imoraliteti).”[56]

Po kështu hadithi i përcjellë nga En Nevas ibën Sem’an, i cili është përmendur disa herë më parë, dhe në të thuhet gjithashtu: “Allahu do i shpallë Isait (alejhis selam): “Unë kam nxjerrë disa robër të Mi, të cilët nuk ka njeri me dy duar që mund t’i luftojë, prandaj shko dhe strehoi robët e Mi besimtarë në malin Tur!” Atëherë Allahu do të lirojë Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët do të dalin nga çdo kodër. Të parët që do të dalin prej tyre do të kalojnë nga Deti Tiberian dhe do të pijnë nga uji i tij, deri sa të kalojë i fundit i tyre dhe të thotë: “Dikur këtu kishte ujë.” Profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të rrethohet bashkë me shokët e tij, dhe një kokë demi në atë kohë do të vlejë me shumë se njëqind dmonedha ari nga ato që keni ju sot. Isai dhe shokët e tij do i luten Allahut, e Allahu do të dërgojë një lloj krimbi në supet e secilit prej tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhave), dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh. Pastaj, profeti i Allahut, Isai bashkë me shokët e tij do të zbresin nga mali dhe nuk do të gjejnë asnjë pëllëmbë tokë pa u mbuluar nga trupat dhe kërmat e tyre. Atëherë, profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij do t’i luten Allahut, dhe Allahu do të dërgojë disa shpendë fluturuese si qafat e deveve, që do i mbartin trupat e tyre dhe do i çojnë andej nga do Allahu t’i çojnë.”[57]

Në një transmetim tjetër, pas fjalës “Dikur këtu ishte ujë”, thuhet: “Pastaj do të ecin deri sa të arrijnë në Malin El Khamr, i cili është mali i Bejtil Makdis (Kuds), dhe do të thonë: “Vramë të gjithë ata që ishin në tokë, dhe tani të vrasim ata që janë në qiell!” Atëherë do të gjuajnë me harqet dhe bajonetat e tyre nga qielli, kurse Allahu do jua kthejë ato të përlyera me gjak.”[58]

Hadith tjetër në këtë temë është hadithi i përcjellë nga Hudhejfe ibën Usejd (radiallahu anhu), i cili përmend shenjat e Kiametit, dhe prej tyre është edhe dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve.[59]

Hadith tjetër është ai i Abdullah ibën Mesudit (radiallahu anhu), i cili thotë: “Natën, në të cilën i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u soll nga Meka në Kuds dhe prej aty u ngrit në qiell, ai takoi Ibrahimin, Musain dhe Isain (alejhimu selam), dhe ata përmendën Kiametin me njëri-tjetrin, dhe ndër tjera, hadithi thotë: “Pastaj e kthyen bisedën te Isai, duke përmendur vrasjen e Dexhalit, pastaj Isai (alejhis selam) tha: “Pastaj njerëzit do të kthehen në vendet e tyre, veç kur i presin Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, të cilët do të dalin nga çdo kodër. Nuk do të kalojnë në ndonjë det apo liqen, veçse do e pijnë të gjithin, dhe nuk do të gjejnë gjë para tyre, veçse do e shkatërrojnë. Atëherë do të vijnë tek unë, kurse unë do i lutem Allahut, e Allahu do i vdesë të gjithë ata, sa që e gjithë toka do të kërmoset nga era e kufomave të tyre. Atëherë njerëzit do të vijnë përsëri tek unë, dhe unë do t’i lutem Allahut, e Allahu do të dërgojë nga qielli shi, dhe do i mbartë kufomat e tyre tej në det.”[60]

Hadith tjetër është hadithi i Ebu Hurejrës (radiallahu anhu), ku thuhet: “Jexhuxhët dhe Maxhuxhët gërmojnë pritën e tyre çdo ditë deri sa gati sa e shohin dritën e diellit, por drejtuesi i tyre thotë: “Kthehuni tani dhe do të vini ta hapni neser!” Por Allahu e kthen atë edhe më të plotë dhe më të fortë nga ç’ishte më parë, deri sa të vijë afati i tyre dhe kur Allahu të dojë t’i nxjerrë ata te njerëzit, ata do të gërmojnë deri sa gati e shohin dritën e diellit, por i pari i tyre do ju thotë: “Kthehuni dhe do e hapni nesër InshaAllah – në dashtë Allahu!” Duke ia dedikuar dëshirës së Allahut, dhe pjesa e gërmuar nuk do të mbushet por do të qëndrojë aty ku e lanë, kështu që të nesërmen ata do të gërmojnë dhe do iu dalin njerëzve, e do të pijnë ujin e tyre, kurse njerëzit do të vrapojnë për t’u larguar prej tyre. Pastaj do të gjuajnë me harqet e tyre në qiell, dhe shigjetat do iu kthehen të lyera me gjak, e ata do të thonë: “I shtypën banorët e tokës dhe u ngritëm mbi ata të qiellit me fuqi dhe madhështi!” Atëherë Allahu do iu çojë atyre një krimb që do i pickojë në fund të qafës, dhe ata do të vdesin të gjithë. Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit, kafshët e tokës do të shëndoshen, do të dhjamosen, do të mbushen me qumësht dhe do të mbushen në trup nga mishi i tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve).”[61]

Si dhe shumë hadithe të tjera që argumentojnë për daljen e Jexhuxhëve de Maxhuxhëve, besimi i të cilave është i detyrueshëm.

Ibën Kudame el Makdisi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është i detyrueshëm besimi në çdo gjë që ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), që e kemi parë në transmetime të sakta që i dimë apo që nuk i dimë, por që e dimë se ai thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, qoftë nëse ne e perceptojme me logjikën tonë apo jo, siç mund të jetë ndodhia e natës së Israit dhe Miraxhit… Prej këtyre haditheve janë edhe ato që flasin për shenjat e Kiametit, si dalja e Dexhalit, zbritja e Isait birit të Merjemes (alejhis selam), i cili do e vrasë Dexhalin, dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, etj…”[62]

Gjykatësi El Ijad (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në lidhje me hadithet që flasin për Jexhuxhët dhe Maxhuxhët: Këto hadithe duhet të besohen ashtu si kanë ardhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë, sepse dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e Kiametit, dhe në hadithet që flitet për ta thuhet se askush nuk ka fuqi t’i luftojë ata për shkak të numrit të tyre të madh, dhe se ata do ta rrethojnë Isain (alejhis selam) bashkë me besimtarët që do të jenë me të dhe që do të kenë shpëtuar nga Dexhali. Isai do të lutet kundër tyre, dhe Allahu do i shkatërrojë ata me krimba – në qafat e tyre. Kufomat e tyre do të qelbin tokën dhe besimtarët, kështu që Isai dhe shokët e tij do t’i luten Zotit, e Ai do të dergojë shpendë të mëdhenj të cilët do i mbartin kufomat e tyre në një vend ku të dojë Allahu.”[63]

Es Sefarini (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dalja e tyre nga pas pritës tek njerëzit është një e ëvrtetë e pamohueshme për faktin se është përmendur në Kuran dhe në thëniet e zotëriut të njerëzimit, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), kështu që besimi i kësaj çështje është i detyrueshëm.”[64]

Çështja e tretë: Prita e Jexhuxhëve e Maxhuxhëve

Pritën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve e ndërtoi Dhul Karnejni, me qëllim që të ndante mes tyre dhe fqinjëve të tyre, të cilët i kërkuan ndihmë Dhul Karnejnit kundër tyre. Kjo pritë është përmendur në Kuranin Famëlartë, ku thuhet: “93. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folur. 94. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, vërtet, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?” 95. Ai tha: “Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. 96. Më sillni blloqe hekuri!” Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të.” 97. Kështu, ata (Jexhuxhët dhe Mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të. 98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku.” [El Kehf, 93-99].

Kështu thuhet në Kuran për ndërtimin e pritës së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, kurse në lidhje me vendin ku gjendet kjo pritë: Ajo gjendet nga ana e Lindjes, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “90. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli.” [El Kehf, 90].

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!), ka përmendur një tregim në lidhje me Pritën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve dhe përpjekjen e disa mbretërve për të arritur tek jo pritë. Ai thotë: “Halifi Abasit El Uathik Harun ibën Muhamed el Muatesim dërgoi dikë nga komandantët e tij me një ushtri zbuluese për të gjetur Pritën, për ta parë dhe për tia përshkruar atij kur të ktheheshin. Ata kërkuan për Pritën vend pas vendi e mbretëri pas mbretërie, deri sa e gjetën të ndërtuar me hekur e plumb. Ata thanë se tek ajo Pritë panë një portë të madhe me dryna të mëdhenj. Panë gjithashtu pjesën tjetër të pritës dhe punën që bëhej në një nga kullat e saj. Prita kishte roje nga mbretëritë që gjendeshin pranë saj, dhe ajo ishte një pritë e lartë në një vend shumë të thepisur, që nuk mund të ngjitej as mbi pritë as mbi malet rreth saj. Pastaj u kthyen në vendin e tyre, 2 vjet pasi ishin larguar…”[65]

Ibën Kethiri nuk ka përmendur zinxhir transmetuesish për këtë histori dhe nuk ka thënë asgjë në lidhje me vërtetësinë e saj, por ajo që tregohet në ajetet e mësipërme është se kjo pritë gjendet mes dy maleve, sepse Alllahu thotë: “Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuaj nuk kuptonte asnjë të folur.” [El Kehf, 93]. Më pas thotë: “Dhe, kur ai i rrafshoi dy anët e thepisura të maleve, tha: “Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri.” [El Kehf, 96].

Kërkimi për vendin e kësaj Prite nuk ka shumë rëndësi dhe mosnjohja e tij nuk e cënon besimin, por e rëndësishme është të besohet ajo që ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij që Prita e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve ekziston dhe do të ekzistojë deri sa të vijë koha që ajo të hapet dhe ata të dalin prej saj, gjë që do të ndodhë kur të afrohet dita e Kiametit, siç thotë Allahu: “98. Ai tha: “Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. 99. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë, që të gjithë së bashku.” [El Kehf, 98-99].

Argumenti që tregon se Prita vazhdon të ekzistojë dhe të mos jetë prishur apo çarë, është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), në lidhje me Pritën, ka thënë: “Jexhuxhët dhe Maxhuxhët gërmojnë pritën e tyre çdo ditë deri sa gati sa e shohin dritën e diellit, por drejtuesi i tyre thotë: “Kthehuni tani dhe do të vini ta hapni neser!” Por Allahu e kthen atë edhe më të plotë dhe më të fortë nga ç’ishte më parë, deri sa të vijë afati i tyre dhe kur Allahu të dojë t’i nxjerrë ata te njerëzit, ata do të gërmojnë deri sa gati e shohin dritën e diellit, por i pari i tyre do ju thotë: “Kthehuni dhe do e hapni nesër InshaAllah – në dashtë Allahu!” Duke ia dedikuar dëshirës së Allahut, dhe pjesa e gërmuar nuk do të mbushet por do të qëndrojë aty ku e lanë, kështu që të nesërmen ata do të gërmojnë dhe do iu dalin njerëzve, e do të pijnë ujin e tyre, kurse njerëzit do të vrapojnë për t’u larguar prej tyre…”[66]

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!), në El Fet’h, thotë: “Ibnul Arabi thotë: “Në këtë hadith kemi 3 prova: E para: Allahu i ka mundësuar atyre të gërmojnë ditë e natë. E dyta: I aka ndaluar atyre të ngjiten mbi pritë me shkallë apo diçka tjetër, duke ia hequr nga mendja këtë gjë dhe duke mos ia mësuar atë. E treta: Allahu i largon ata nga shprehja e fjalës “InshaAllah” (në dashtë Allahu), deri sa të vijë afati i caktuar.”[67]

Pra, dalja e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve është nga shenjat e mëdha të Kiametit që do të ndodhin shumë pranë Kiametit dhe kjo gjë nuk ka ndodhur ende, pasi hadithet e sakta të përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) argumentojnë se dalja e tyre do të ndodhë pas zbritjes së Isait (alejhis selam), i cili do i lutet Allahut që t’i shkatërrojë ata dhe të shpëtojnë njerëzit nga e keqa e tyre.

Çdo musliman e ka detyrim që të besojë atë që ka ardhur në Kuran dhe Sunet përsa i përket pritës së Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, dhe nuk ka vlerë fjala e atyre që e mohojnë ekzistencën e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve apo të pritës së tyre që e ka ndërtuar Dhul Karnejni për të ndarë mes tyre dhe njerëzve që ata dëmtonin, me pretendimin se sot janë shfaqur shtete shumë të zhvilluara industrialisht, dhe këto shtete kanë mundur të zbulojnë çdo cep të tokës sa që nuk kanë lënë vend pa shkuar, por megjithatë nuk i kanë gjetur Jexhuxhët dhe Maxhuxhët dhe as pritën e Dhul Karnejnit!

Nuk ka dyshim se kjo është një fjalë e pavërtetë dhe që nuk qëndron, sepse pikë së pari është në kundërshtim me atë që ka ardhur në Kuran dhe atë që ka njoftuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe kushdo që përgënjeshtron diçka nga ajo që ka ardhur në Kuran apo Sunet, ka mohuar Allahun, i Cili thotë: “Nuk i mohojnë provat Tona veçse ata që nuk besojnë.” [El Ankebut, 47].

E sa për pretendimin e tyre që toka qënka zbuluar e gjitha dhe se nuk janë gjetur Jexhuxhët dhe Maxhuxhët apo prita e tyre; Ky është një pretendim që hidhet poshtë dhe që tregon për paaftësinë njerëzore dhe mangësinë e tyre, pasi që njohjen e të gjitha vendeve dhe cepave të tokës në mënyrë të plotë me të gjitha krijesat që ajo përmban, nuk mund ta arrijë askush përveç Allahut, i Cili ka përfshirë gjithçka me dijen e Tij absolute, dhe mosgjetja e tyre Jexhuxhët dhe Maxhuxhët apo pritën e tyre nuk do të thotë se ata nuk ekzistojnë, pasi që mundet që Allahu t’ia ketë mbuluar ata syve të tyre, apo të ketë vendosur mes tyre dhe njerëzve gjëra që e pengojnë arritjen tek ata, siç ka ndodhur me Beni Israilët në kohën e Musait (alejhis selam), kur Allahu i ndëshkoi ata me sorollatje nëpër shkretëtirë për dyzet vjet, dhe megjithëse sipërfaqa mbi të cilën ata silleshin rrotull ishte vetëm disa kilometra, njerëzit e tjerë nuk i shihnin ata dhe nuk e dinin vendin e tyre, deri sa mbaroi koha e ndëshkimit. Allahu është i Plotëfuqishëm për gjithçka, dhe për gjithçka Ai ka vendosur limit dhe kohë të caktuar. Allahu i Madhëruar thotë: “66. Kombi yt[68] (o Muhamed) e përgënjeshtroi atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaju: “Unë nuk jam roja juaj.[69] 67. Çdo profetësi ka kohën e vet të përmbushjes dhe ju do ta merrni vesh.”[70] [El Enam, 66-67].

Dijeni se, nuk janë sfiduar të mëparshmit nga zbulimi i gjërave që kanë zbuluar ata të mëvonshmit, vetëm për shkak se Allahu ka caktuar afat për çdo gjë.

Çështja e katërt: Fundi i Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve dhe jeta e e mirë dhe e begatë pas tyre

Pas prishjes, arrogancës dhe shkatërrimit të njerëzve dhe të mbjellave që do të bëjnë Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, i Dërguari i Allahut, Isai biri i Merjemes (alejhis selam) do t’i lutet Allahut bashkë me shokët e tij që t’i shpëtojë ata nga belaja dhe sprova e Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, para të cilëve nuk kishin  forcë apo rrugë shpëtimi, e Allahu do i përgjigjet lutjes së tyre, dhe do t’i shkatërrojë ata me anë të një krimbi të vogël që do i pickojë në qafë, dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh si karkalecat, njëri mbi tjetrin. Toka do të mbulohet nga kufomat e tyre të qelbura dhe njerëzit nuk do e durojnë erën e keqe të tyre edhe më shumë nga ç’i duronin kur ishin të gjallë, kështu që i Dërguari i Allahut, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij, do t’i luten përsëri Allahut, e Allahu do të dërgojë disa shpendë të mëdhenj, të cilët do i kapin trupit e tyre dhe do i hedhin larg në det. Pastaj Allahu do të zbresë shi për të larë ndytësirën e mbetur prej tyre, dhe do të urdhërojë tokën që të rikthejë bereqetin e saj dhe të japë prodhimet e saj, dhe kështu do të zotërojë begatia dhe bollëku, dhe Isa (alejhis selam) bashkë me besimtarët që do të jenë me të, do të jetojnë jetë të mirë e të begatë.

Në hadithin e gjatë, të përcjellë nga En Nevas ibën Sem’an, i cili është përmendur edhe më parë, thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) do të rrethohet bashkë me shokët e tij, dhe një kokë demi në atë kohë do të vlejë me shumë se njëqind dmonedha ari nga ato që keni ju sot. Isai dhe shokët e tij do i luten Allahut, e Allahu do të dërgojë një lloj krimbi në supet e secilit prej tyre (Jexhuxhëve dhe Maxhuxhave), dhe ata do të vdesin të gjithë njëherësh. Pastaj, profeti i Allahut, Isai bashkë me shokët e tij do të zbresin nga mali dhe nuk do të gjejnë asnjë pëllëmbë tokë pa u mbuluar nga trupat dhe kërmat e tyre. Atëherë, profeti i Zotit, Isai (alejhis selam) bashkë me shokët e tij do t’i luten Allahut, dhe Allahu do të dërgojë disa shpendë fluturuese si qafat e deveve, që do i mbartin trupat e tyre dhe do i çojnë andej nga do Allahu t’i çojnë. Pastaj Allahu do të zbresë një shi, sa që nuk do të ketë shtëpi fshati apo qyteti veçse do të bjerë shi mbi to, dhe ai shi do të lajë të gjithë tokën duke e lënë atë si pasqyrë. Pastaj do i thuhet tokës: “Lëshoje prodhimin tënd dhe ktheje begatinë tënde!” Atë ditë, një grup njerëzish do të ngopen nga një kokërr shegë dhe do të qëndrojnë nën hijen e lëvores së saj. Do t’i jepet begati e madhe edhe qumështit, sa që një deve qumështi do i mjaftojë një grupi të madh njerëzish, një lopë qumështi do i mjaftojë një fisi të tërë, dhe një dele qumështi do i mjaftojë një familje të tërë (duke përfshirë gjyshërit dhe nipërit e familjes)…”[71]

Po kështu, Ebu Seid el Khudri (radiallahu anhu), thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “… Pastaj dikush prej tyre do të tundë shtizën e tij dhe do ta gjuajë atë në qiell, e ajo do të kthehet e përlyer me gjak, për t’i sprovuar edhe më shumë ata (që të mendojnë se janë të pavdekshëm apo më të fortë se gjithçka në tokë e në qiell). Pikërisht në këtë kohë, Allahu do të dërgojë tek ata krimba që do i pickojnë në qafat e tyre, si krimbat e karkalecave që i shfaqen në qafë, dhe që të gjithë ata do të vdesin dhe nuk do iu dëgjohet asnjë zë. Muslimanët do të thonë: “A ka ndonjë që do sakrifikojë veten për të parë se çfarë ka ndodhur me këtë armik?” Atëherë do të dalë njëri prej tyre duke menduar se do të vritet me siguri, dhe do të zbresë nga mali, veç kur do i shohë të gjithë të vdekur mbi njëri-tjetrin. Atëherë ky do të thërrasë me zë të lartë: “O muslimanë! Gëzohuni! Allahu jua shfarosi armikun tuaj!” Ata do të dalin nga vend-strehimi i tyre dhe do të nxjerrin edhe bagëtitë, të cilat nuk do të kenë kullotë tjetër përveç mishit të Jexhuxhëve dhe Maxhuxhëve, për të cilin do të falënderojnë ashtu si nuk kanë falënderuar asnjëherë për kullotat që kanë ngrënë.”[72]

 

Tema e pestë

Lindja e Diellit nga Perëndimi

 

Lindja e Diellit nga Perëndimi është nga shenjat e mëdha të Kiametit, dhe kjo është e aprovuar në Kuran, Sunet dhe unanimitetin e dijetarëve të Islamit.

Allahu i lartësuar thotë: “A mos vallë presin ata t’u vijnë engjëjt ose të vijë Zotit yt, ose të vijnë disa shenja të Zotit tënd? Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mire me besimin e tij! Thuaju: “Pritni, se edhe ne po presim!”. [El En’am, 158].

Ibën Xherir Et taberi (Allahu e mëshiroftë!), pas përmendjes së fjalëve të dijetarëve interpretues të Kuranit në lidhje me ajetin e mësipërm, thotë: “Fjala më e saktë prej këtyre është ajo që mbështetet nga argumentet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili ka thënë: “Ajo është dita kur Dielli do të lindë nga perëndimi.”[73]

Kurse nga hadithet që flasin për këtë Ditë, është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të bëhet Kiameti, deri sa Dielli të lindë nga perëndimi dhe, kur Dielli të lindë nga perëndimi, njerëzit do të besojnë që të gjithë, por atë ditë nuk do i bëjë dobi besimi askujt prej atyre që nuk kanë besuar më parë apo që nuk kanë vepruar vepra të mira të shtyrë nga besimi i tyre.”[74]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Ebu Musa el Esh’ari (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu e shtrin Dorën e Tij gjatë natës për të pranuar pendimin e atij që bën gabime ditën, dhe e shtrin Dorën e Tij gjatë ditës për të pranuar pendimin e atij që bën gabime natën, deri sa të lindë dielli nga perëndimi i tij.”[75]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Safvan ibën Asal (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka hapur një derë për pendimin nga ana e perëndimit, gjerësia e të cilës është shtatëdhjetë vjet, dhe kjo derë nuk mbyllet asnjëherë, deri ditën kur Dielli të lindë nga ajo derë (nga perëndimi).”[76]

Po kështu hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse dalin tre gjëra, askujt nuk do i bëjë dobi besimi në rast se nuk ka besuar më parë apo nuk ka bërë vepra të mira të shtyra nga besimi: Lindja e diellit nga perëndimi, Dexhali (ose tymi)[77] dhe kafsha e tokës që do t’u flaës njerëzve.”[78]

Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur mospranimin e pendimit pas lindjes së diellit nga perëndimi, duke thënë: “Dijetarët thonë: “Nuk i bën dobi besimi askujt kur dielli të lindë nga perëndimi, sepse atë ditë do të shkulet çdo lloj dëshire nga zemrat e tyre për shkak të tmerrit të madh të asaj dite, dhe trupat e tyre nuk do të kenë asnjë lloj fuqie. Të gjithë njerëzit atë ditë janë të bindur se po bëhet Kiameti njësoj si ai, të cilit i vjen vdekja dhe i priten të gjitha dëshirat dhe nxitësit për të bërë mëkate. Kështu që ata që pendohen në këtë gjendje, nuk iu pranohet pendimi ashtu si nuk i pranohet atyre që i ka ardhur shpirti në fyt në shtratin e vdekjes.”[79]

Nga hadithet që flasin për ditën kur të lindë dielli nga perëndimi, është edhe hadithi i përcjellë nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhu), i cili thotë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) një hadith të cilin nuk e kam harruar. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Shenja e parë që do të shfaqet nga shenjat e Ditës së Kiametit, është lindja e diellit nga perëndimi…”[80]

Ibën Haxheri thotë: “Nga bashkimi i të gjitha argumenteve, arrihet në përfundimin se dalja e Dexhalit është shenja e parë nga shenjat e mëdha që tregojnë për ndryshimin e gjendjes së përgjithshme të jetës në Tokë, e cila do të përfundojë me vdekjen e Isait, birit të Merjemes. Kurse lindja e diellit nga perëndimi është shenja e parë e madhe që tregon ndryshimin e gjendjes së botës së sipërme, e cila përfundon me ndodhjen e Kiametit. Dalja e kafshës që iu flet njerëzve mund të ndodhë në po të njëjtën ditë që do të lindë dielli nga perëndimi.”[81]

El Berzhenxhi, në librin “El Ishaah”, thotë: “Ky është një përfundim shumë i qëlluar – Allahu e mëshiroftë Ibën Haxherin!”[82]

Ebu Dheri (radiallahu anhu), ka përcjellë se: “Një ditë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “A e dini se ku shkon Dielli?” Të pranishmit thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “Dielli vazhdon lëvizjen e tij deri sa arrin strehën e tij poshtë Arshit (Fronit të Allahut) ku bie në sexhde dhe vazhdon të qëndrojë në sexhde deri sa t’i thuhet: “Ngrihu dhe shko andej nga erdhe!” Ai ngrohet dhe lind nga lindja e tij e zakonshme, pastaj vazhdon ecjen e tij në qiell pa vërejtur njerëzit asgjë nga këto, deri sa të arrijë përsëri strehën e tij poshtë Arshit, deri sa t’i thuhet: “Ngrihu dhe lind nga perëndimi yt!” Atëherë ai do të lindë nga perëndimi. Pastaj i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “A e dini kur do të ndodhë kjo? Kjo do të ndodhë kur askujt nuk do i bëjë dobi besimi në rast se nuk ka pas besuar më parë apo të ketë vepruar vepra të mira nga besimi.”[83]

Ne nuk e dimë si është kjo sexhde që bën Dielli, madje këtë nuk e di askush veç Allahut, të Cilit i bën sexhde gjithçka në qiej e në tokë, siç thotë Allahu: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.” [El Haxh, 18].

Po kështu në suren En Nahl: “48. A nuk e vërejnë ata se si të gjitha ato që i ka krijuar Allahu, hija e tyre anon djathtas e majtas, duke iu falur Allahut dhe duke iu përulur? 49. Allahut i përulet në sexhde çdo gjallesë, në qiej dhe në Tokë, edhe engjëjt, të cilët nuk janë kryelartë. 50. Ata i frikësohen Zotit të tyre lart mbi ta dhe bëjnë atë, që u urdhërohet.”

Ibën Kethiri thotë: “Në këto ajete, Allahu i Madhëruar tregon për Madhështinë dhe Lartësinë e Tij, të Cilit i është nënshtruar gjithçka, e ngurtë apo e gjallë, kafshë apo njeri, xhinë e engjëj; që të gjitha krijesat që bëjnë hije nën rrezet e diellit, djathtas e majtas; d.m.th. mëngjes e mbrëmje, që të gjithë i bëjnë sexhde Allahut me hijet e tyre.”[84]

Dijetarët kanë folur rreth hadithit të sexhdes që bën Dielli nën Arshin e Allahut, dhe i janë kundërpërgjigjur të gjithë atyre që kanë dashur ta interpretojnë ndryshe këtë hadith, dhe kanë sqaruar se kjo sexhde që bën Dielli nën Arsh është sexhde e vërtetë.

Ebu Sulejman el Khatabi (Allahu e mëshiroftë!), në lidhje me fjalën e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “në strehën e tij poshtë Arshit”, thotë: “Nuk e mohojmë që Dielli të ketë strehë nën Arsh, në atë mënyrë që ne nuk mund ta perceptojmë apo ta shohim me sytë tanë, por jemi njoftuar për diçka të fshehtë të cilën nuk e mohojmë dhe nuk e përshkruajmë apo imagjinojmë, sepse dija jonë nuk mund ta përfshijë këtë të vërtetë…” Më pas, për sexhden e Diellit nën Arsh, ai thotë: “Këtu njoftohemi për sexhden që bën Dielli nën Arshin e Allahut, dhe nuk ka çudi që kjo mund të ndodhë kur ai kalon përbri Arshit gjatë rrugës që bën Dielli në orbitën e tij ashtu si është urdhëruar. Kurse në lidhje me Fjalën e Allahut: “Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull.” [El Kehf, 86], këtu është për qëllim kufiri i shikimit njerëzor të perëndimit të Diellit, ku më pas Dielli vazhdon rrugën e tij poshtë Arshit për të rënë në sexhde.”[85]

El Kadi Ijad, në sqarim të hadithit të mësipërm, thotë: “Ky hadith merret në kuptimin e tij të drejtëpërdrejtë tek të gjithë dijetarët e Fikhut, Hadithit, dhe Mutekeliminët prej Ehli Sunetit, në kundërshtim me ata që e interpretojnë ndryshe hadithin prej bidatçinjve dhe batinive (një nga sektet e humbura), dhe ky hadith bën fjalë për një nga shenjat e mëdha të Kiametit.”[86]

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sexhdja që bën Dielli është me vetëdije dhe perceptim që Allahu e ka krijuar tek ai.”[87]

Imam Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Gjithçka përulet (bën sexhde) para madhështisë së Allahut të Lartësuar, qoftë me bindje apo e detyruar, dhe sexhdja e secilit bëhet në atë formë që i përshtatet.”[88]

Hafiz Ibën Haxher el Askilani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas kuptimit të drejtëpërdrejtë të hadithit, streha e Diellit është arritja e tij në çdo ditë e natë në vendin ku bën sexhde, dhe e kundërta e strehës apo e vendqëndrimit, është lëvizja e përhershme që në Kuran është emërtuar me fjalën “jexhri” – “vrapon apo ecën me shpejtësi”, e Allahu e di më mirë.”[89]

 

Tema e gjashtë

Dalja e Kafshës së Tokës

 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është edhe dalja e një kafshe nga toka në fund të jetës në tokë, e cila do i flasë njerëzve dhe do i cilësojë me “besimtar” dhe “jobesimtar”. Kjo do të ndodhë kur njerëzit të prishen dhe të lënë urdhrat e Allahut të Madhëruar.

Sqarimi i kësaj teme përfshin çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti për daljen e Kafshës së Tokës

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe, kur të përmbushet Fjala Jonë kundër tyre, Ne do të bëjmë që nga Toka të dalë një kafshë, e cila do t’u flasë atyre, se njerëzit nuk u janë bindur shpalljeve Tona.” [En Neml, 82].

Transmetohet nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma), se kuptimi i fjalës “Tukelimuhum – do t’u flasë atyre”, d.m.th. do i gërvishë ata, me kuptimin që do të shkruajë në ballet e tyre si në tatuazhe; në ballet e jobesimtarëve do të shkruajë “jobesimtar”, dhe në ballet e besimtarëve do të shkruajë “besimtar”. Nga Ibën Abasi është përcjellë gjithashtu se kjo fjalë ka edhe kuptimin “do t’u flasë atyre me gojë”.

Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo kafshë do të dalë në fund të kohës në këtë botë, kur njerëzit të jenë prishur dhe të kenë lënë urdhrat e Allahut dhe do ta kenë ndërruar fenë e vërtetë, atëherë Allahu do iu nxjerrë atyre një kafshë nga toka, dhe do iu flasë njerëzve për këtë gjë.”[90]

El Alusi[91] thotë: “D.m.th. do iu flasë njerëzve duke iu thënë se ata nuk po binden me provat e Allahut që tregojnë qartë ardhjen e Kiametit dhe fillimet e tij, apo të gjitha provat e Allahut në përgjithësi, ku mes tyre edhe ato të ndodhjes së Kiametit.”[92]

Kurse prej argumenteve nga Suneti, është hadithi i përcjellë nga Ebu Umameh, se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pastaj do të dalë Kafsha, e cila do t’i vulosë njerëzit në ballet e tyre. Pastaj, njerëzit me vulë në ballë do të jetojnë mes jush dhe dikush do të blejë deve prej tyre, dhe do ta pyesin: “Nga kush e bleve këtë deve?” Ai do të thotë: “E bleva nga njëri prej të vulosurve.”[93]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), i cili thotë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nxitoni në vepra të mira para se të shfaqen gjashtë gjëra: Dexhali, tymi, Kafsha e Tokës, lindja e Diellit nga perëndimi, Kiameti i të gjithë njerëzve dhe kiameti i vogël i secilit prej jush (vdekja).”[94]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd (radiallahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) erdhi tek ne (në xhami) ndërsa ishim duke përkujtuar, dhe tha: “Çfarë po përkujtoni?” – Ditën e Kiametit, thanë ata. Ai tha: “Kiameti nuk ka për të ndodhur para se të shihni dhjetë shenja… dhe përmendi: Tymin, Dexhalin, Kafshën e Tokës, lindjen e Diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait birit të Merjemes, Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, tre çarje të tokës: një në Lindje, një në Perëndim dhe një në Gadishullin Arabik. E fundit e shenjave do të jetë një zjarr gjingand që do të dalë nga Jemeni dhe do i ndjekë njerëzit drejt ringjalljes së tyre.”[95]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Amër (radiallahu anhuma), i cili thotë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) një hadith që nuk e kam harruar. E dëgjova të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Shenja e parë që do të shfaqet është lindja e Diellit nga perëndimi dhe dalja e kafshës para njerëzve në kohën e mëngjesit; cilado prej këtyre dyjave që të dalë më parë, do të pasohet nga tjetra shumë shpejt.”[96]

Çështja e dytë: Cilësitë e Kafshës së Tokës

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me cilësitë e Kafshës së Tokës:

Mendimi parë: Kjo kafshë është bija apo biri i Devesë së Profetit Salih (alejhis selam).

Imam Kurtubiu thotë: “Mendimi më i saktë është se kjo Kafshë është bija e devesë së Salihut (alejhi selam), e Allahu e di më mirë.”[97] Më pas sjell për argument hadithin e nxjerrë nga Ebu Daud et Tajalisi, në “Musned”, nga Hudhejfe (radiallahu anhu), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi Kafshën e Tokës dhe tha: “Ajo do të dalë 3 herë në kohë të ndryshme; Në fillim do të dalë në shkretëtirën e largët dhe nuk do të përmendet fare në Qytet – Meke. Pastaj do të qëndrojë e fshehur për një kohë të gjatë deri sa të shfaqet përsëri dhe të përhapet lajmi i saj në fshatra dhe në Qytet (Meke).” Pastaj i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: “Dhe, kur njerëzit të ndodhen në xhaminë më të shenjtë të Allahut, më të mirën dhe më të shtrenjtën tek Allahu, në xhaminë el Haram (Kabe), do i shfaqet atyre duke hungëruar mes Këndit (Rukn el Jemani) dhe Mekamit (të Ibrahimit) dhe duke shkundur kokën nga pluhuri. Atëherë njerëzit do të vrapojnë duke u shpërndarë në grupe dhe të ndarë, përveç një grupi besimtarësh që e ditën se nuk mund t’i shpëtonin Allahut, dhe ajo filloi me ta, duke i shkëlqyer fytyrat e tyre sikur të ishin yll i shndritshëm. Pastaj do të ecë nëpër tokë aq shpejt, sa nuk mund ta arrijë dikush që e ndjek dhe nuk mund të shpëtojë prej saj dikush që i largohet. Madje, dikush do të kërkojë mbrojtje prej saj duke u falur, por ajo do i shkojë nga mbrapa dhe do i thotë: “O filan! Tani u kujtove të falesh?!” Pastaj i del nga para, dhe i vëndos një vulë në ballin e tij…”[98]

Pika e argumentimit me këtë hadith është fjala “duke hungëruar” (targu), fjalë e cila përdoret për hungërimin e devesë.

Kurtubiu, në librin “Et Tadhkira”, thotë: “Thuhet se Kafsha që do të dalë nga Toka është i vogli që lindi deveja e Salihut (alejhis selam); kur u vra deveja nënë, i vogli iku me vrap dhe para tij u hap një shkemb tek i cili u fut dhe pastaj shkëmbi u mbyll me atë brenda tij. Ai do të qëndrojë brenda atij shkëmbi deri sa t’i vijë koha e daljes, me vullnetin e Allahut të Madhëruar, dhe për këtë argumenton edhe hadithi i Hudhejfes (i mësipërm)…” Shumë mirë e ka thënë edhe poeti:

Kujto daljen e birit të devesë së Salihut

Kur do t’i vulosë njerëzit me vulën e mohimit dhe të besimit![99]

Mendimi i dytë: Ajo është një kafshë që ka bashkuar mes cilësive të të gjitha kafshëve.

Mendimi i tretë: Bëhet fjalë për një njeri që flet dhe që do të polemizojë me pasuesit e bidatit dhe mohimit deri sa të vërtetohet i sinqerti nga gënjeshtari, dhe të jetojë ai që do të jetojë me provë të qartë, e të shkatërrohet ai që do të shkatërrohet me provë të qartë.

Kurtubiu e ka kundërshtuar këtë mendim dhe ka sqaruar se ky është mendim krejtësisht i gabuar dhe në kundërshtim me tekstin Kuranor dhe hadithet e sakta. Ai thotë: “Ky mendim ka dashur t’i afrohet Fjalës së Allahut “që iu flet njerëzve…” [En Neml, 82], por nëse do të bëhej fjalë për “njeri” që flet, atëherë nuk do të kishte ndonjë “mrekulli” të veçantë në këtë gjë, dhe nuk do të ishte nga dhjetë shenjat e mëdha të Kiametit që përmenden në hadith; dhe sepse numri i atyre që polemizojnë dhe e nxjerrin në dritë të vërtetën kundër mohuesve dhe pasuesve të bidatit janë shumtë, kështu që nuk do të kishte ndonjë veçori që të bëhej fjalë për njeri që flet. Po kështu, emërtimi i këtij njeriu polemizues dhe dijetari të nderuar të cilin banorët e tokës e quajnë “njeri” apo dijetar, apo imam, në vend që të quhet “kafshë”, është dalje nga gjuha letrare dhe nga respekti dhe vendi që gëzojnë dijetarët, dhe kjo nuk është rruga e njerëzve të urtë, prandaj më i saktë është mendimi që kanë zgjedhur dijetarët e Tefsirit, e Allahu e di më mirë realitetin e gjërave!”[100]

Mendimi i katërt: Bëhet fjalë për gjarbrin që do të dalë në murin e Kabes, të cilin e kapi dhe e mori shqiponja kur kurejshët donin të ndërtonin Kaben.[101]

Mendimi i pestë: Është një kafshë me pendë e qime dhe këmbë me lartësi 60 pashë, dhe thuhet se është kafsha e quajtur “El Xhessase” – Përcjellësja e lajmeve, që përmendet në hadithin e transmetuar nga Temim ed Dari, të nxjerrë nga Muslimi në Sahihun e tij; nga Fatime bintu Kajs (radiallahu anha), nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem). Fatimja tregon historinë e saj gjatë zisë që mbajti pas vdekjes së burrit të saj, Ibnul Mugira, në shtëpinë e djalit të xhaxhait të saj Abdullah ibën Amër ibën Umi Mektum: “Kur mbaroi zija ime e pritjes, dëgjova thirrësin – e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) – të thërriste me zë të lartë: “Ejani për faljen e namazit në xhami!” Dhe unë shkova e u fala pas të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem), në rreshtin e grave që ishte menjëherë pas rreshtit të fundit të burrave. Pasi e mbaroi faljen, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ul mbi minber duke qeshur dhe tha: “Qëndroni në vendet tuaja!” Pastaj tha:

– “A e dini përse ju kam thirrur?”

– Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë, thanë të pranishmit.

– Për Allahun! Nuk ju kam thirrur për ndonjë përgëzim apo paralajmërim, por ju thirra për tju thënë se Temim Ed Dari ishte një burrë i krishterë, por ai erdhi tek ne për të na dhënë besën dhe për t’u bërë musliman. Ai më tregoi një histori që vërteton atë që ju kam thënë më parë në lidhje me Mesihun Dexhal. Ai më tregoi se kishte hipur në një anije bashkë me tridhjetë burra nga fiset Lakhm dhe Xhudham, dhe se dallgët i kishin sjellur nëpër det për një muaj rresht, deri sa më në fund anija qëndroi në një ishull, në perëndim të diellit. Pastaj hynë në ishull dhe aty iu doli para një kafshë me shumë qime në trup, sa që nuk e dallonin kokën nga bishti për shkak të qimeve të gjata e të shumta.

– Çfarë je ti?! – thanë ata.

– Unë jam El Xhesase – tha ajo.

– Çfarë do të thotë “Xhesase”- thanë ata.

– O njerëz! Shkoni te ai burri në atë shpellën atje, sepse do t’ju tregojë gjëra interesante! – tha ajo.

Kur na tregoi emrin e tij, menduam se ajo kafshë është ndonjë shejtan. Shpejtuam deri sa u futëm në shpellë, dhe aty pamë burrin me trupin më të madh që kishim parë ndonjëherë, të lidhur në zinxhirë të fortë prej hekuri në të dyja duart deri në fyt dhe të dyja këmbët.

– Mjerë ti! Çfarë je ti? – i thamë ne.

– Do ju tregoj për veten, por së pari më tregoni ju se kush jeni dhe si erdhët këtu? – tha ai.

– Ne jemi disa njerëz nga arabët. Hipën në një anije dhe dallgët e detit e stuhia na solli nëpër det një muaj rresht, deri sa anija qëndroi në këtë ishullin tënd dhe ne hymë në ishull, pastaj takuam një kafshë me qime të gjata e të shumta që nuk i dallohej koka nga bishti për shkak të qimeve, dhe i thamë:

– Mjerë ti! Çfarë je ti?

– Unë jam El Xhesase, – tha ajo.

– E çfarë është Xhesase? – i thamë ne.

– Shkoni te ai burri në shpellë sepse do ju tregojë gjëra interesante, – tha ajo.

– Dhe ne erdhëm me nxitim tek ti nga frika prej saj se mos ishte shenjtane, – thanë ata.

– Më tregoni për Palmat (hurmat) e Sejdanit[102] – tha ai.

– Çfarë të tregojmë për to? – i thamë ne.

– Ju pyes për palmat, a prodhojnë fruta (hurma arabe)? -tha ai.

– Po, i thamë ne.

– Së shpejti nuk do të prodhojnë më, – tha ai.

– Më tregoni për Detin Tiberian, -tha ai.

– Çfarë të tregojmë për të, – i thamë.

– A ka ujë në të, -tha ai.

– Ka shumë ujë, i thamë ne.

– Uji i tij së shpejti do të thahet, – tha ai.

– Më tregoni për burimin e Zugerit[103], – tha ai.

– Çfarë të tregojmë për të, – i thamë.

– A ka ujë në atë burim, dhe a vadisin njerëzit të mbjellat e tyre me ujin e burimit? – tha ai.

– Po, i thamë ne, burimi ka shumë ujë dhe njerëzit i vadisin të mbjellat e tyre me ujin e tij.

– Më tregoni për profetin e alfabetëve, çfarë ka ndodhur me të? – tha ai.

– Ka dalë nga Meka dhe ka shkuar në Jethrib (Medine), – thamë ne.

– A e luftuan arabët atë? – tha ai.

– Po, – i thamë ne.

– Çfarë bëri me ta? – tha ai.

Ne i treguam se ai i priu ata që i besuan prej arabëve dhe ata iu bindën atij.

– A ka ndodhur kjo gjë? – tha ai.

– Po, – i thamë ne.

– Epo më e mira për ta ka qenë që t’i binden atij, – tha ai. Pastaj vazhdoi: Tani do ju tregoj për veten time: Unë jam Mesihu (Dexhal) dhe së shpejti pritet që të më jepet leja për të dalë. Kur të dal, do të eci nëpër tokë dhe nuk do të lë qytet pa shkelur, për 40 netë rresht, përveç Mekes dhe Tajibes (Medines), të cilat janë të ndaluara për mua, që të dyja; sa herë që provoj të hyj në ndonjërën prej tyre, më pret një engjëll me një shpatë të zhveshur në dorë, me të cilën ma pret rrugën. Në çdo hyrje të saj (Medines) ka engjëj që e ruajnë atë.”

Fatimja që tregon hadithin thotë: “Atëherë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) goditi lehtë bastunin e tij në minber duke thënë: “Kjo është Tajibe! Kjo është Tajibe! Kjo është Tajibe!” – D.m.th. Medina.

– A nuk jua kam thënë këtë gjë?

– Po, – thanë njerëzit, – na ke thënë.

– Më pëlqeu që historia e Temimit vërtetoi atë që ju pata thënë për Dexhalin, për Meken dhe për Medinen. Ai (Dexhali) gjendet në detin e Abisinisë, ose në detin e Jemenit. Jo jo, ai gjendet nga ana e Lindjes (Irani)…”[104]

Kjo kafshë është quajtur “Xhessase” sepse i përcjell lajmet Dexhalit.[105]

Mendimi i gjashtë: Ajo është një krijesë që ecën mbi tokë dhe nuk është një kafshë e caktuar që vjen me gjëra të çuditshme e të pazakonta. Kjo mund të jetë për qëllim nga fjala e disa dijetarëve të mëvonshëm, që Dabbe është një lloj insekti që ekziston sot dhe që shumohet me çdo lloj mënyre, dhe që do të sulmojë njerëzit e do t’i dëmtojë ata pavarësisht përmasës së vogël, kurse njerëzit nuk do të munden t’i bëjnë ballë atyre megjithë dijen dhe teknologjinë që kanë, për shkakun se ajo është një mrekulli nga Allahu. Madje disa thonë se janë për qëllim bakteriet e rrezikshme që vrasin njeriun. Por që të gjitha këto janë interpretime të gabuara dhe të pavërteta, sepse janë përgënjeshtrim i të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem)në atë që ka njoftuar në lidhje me këtë kafshë.

Ahmed Shakir (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ajeti është i qartë në gjuhën arabe, dhe fjala “Dabbe” (Kafshë) është e mirënjohur në gjuhën arabe pa qenë nevoja të interpretohet, dhe hadithet i kanë treguar disa nga veprat e saj. Kanë ardhur hadithe të shumta në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit, dhe në librat e tjerë të Hadithit, që flasin për daljen e kësaj kafshe “mrekulli”, e cila do të dalë nga fundi i botës. Kanë ardhur gjithashtu fjalë të Sahabëve dhe Tabiinëve që flasin për cilësitë dhe veçoritë e saj, por që nuk i adresohen të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) i cili flet atë që i thotë Zoti i tij dhe që sqaron Librin e Tij, kështu që nuk duhet t’i lëmë mënjanë ato. Por megjithatë, disa njerëz të kohës sonë, të cilët i adresohen Islamit (thonë që janë muslimanë), në mesin e të cilëve kanë zënë vend fjalët e pavërteta dhe mendimet e shtrembëruara, të cilët nuk duan të besojnë në të panjohurën, por duan të qëndrojnë vetëm në kufijtë e materies që ua kanë skicuar mësuesit dhe ata që i marrin për shembuj prej ateistëve evropianë, politeistëve dhe të shthururve, të cilët marrin nga çdo krijesë e fe. Këta nuk munden të besojnë atë që e besojmë ne, por as nuk munden ta mohojnë me mohim të hapur e të drejëpërdrejtë, kështu që llapatisin, diskutojnë e vërdallisen, pastaj bëjnë interpretime për të nxjerrë fjalët nga kuptimi i tyre i vërtetë në gjuhën arabe, duke i bërë sikur të ishin simbole, dhe e gjitha kjo për shkak të mohimit që ata fshehin brenda tyre!…[106]

Pra, është detyrë e çdo besimtari që të besojë se Allahu i Madhëruar do të nxjerrë një kafshë tek njerëzit, të ndryshme nga kafshët që ata njohin zakonisht, e cila do iu flaës atyre dhe do të vendosë vulën e kufrit mbi ballin e mohuesve dhe të besimit mbi ballin e besimtarëve. Ky është nga besimi në të panjohurën, me të cilin besim Allahu i ka lavdëruar besimtarët.

Dijetari i nderuar Abdurrahman ibën Seadi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo kafshë është ajo kafsha e shquar që do të dalë nga fundi i botës dhe që do të jetë nga shenjat e Kiametit, siç kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për këtë. Por Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk e kanë përshkruar formën e kësaj kafshe, por kanë përshkruar gjurmët e saj dhe qëllimin nga dërgimi i saj. Ajo do të jetë nga Shenjat e Allahut dhe do i flaës njerëzve me fjalë në mënyrë të pazakontë, në kohën kur njerëzve do iu vijë caktimi dhe do të jenë në dyshim për shenjat e Allahut, kurse për besimtarët do të jetë provë e qartë, dritë dhe argument kundër kundërshtuesve.”[107]

Çështja e tretë: Vendi i daljes së Kafshës së Tokës

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me vendin ku do të shfaqet kafsha e tokës:

Mendimi i parë: Kjo kafshë do të dalë nga mali i Safa-s ose nga Xhamia Haram (Kabja) në Meken e Shenjtë. Kurtubiu thotë: “Këta dijetarë kanë mospajtim në lidhje me vendin ekzakt nga ku do të dalë kafsha; Abdullah ibën Umeri (radiallahu anhuma) thotë se do të dalë nga Mali Safa në Meke, ku mali do të çahet dhe ajo do të dalë prej tij. Abdullah ibën Amër (radiallahu anhu) ka të njëjtin mendim, madje ka thënë: “Nëse dëshironi, unë mund ta vendos këmbën pikërisht në vendin ku do të dalë kafsha e tokës.”[108]

Daljen e saj nga Xhamia më Madhështore e argumenton gjithashtu hadithi i nxjerrë nga Taberani në El Eusat, nga Hudhejfe ibën Usejd – që mendoj se e ka adresuar te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), i cili thotë: “Kafsha e Tokës do të dalë nga Xhamia më Madhështore. Ajo do të dalë mes njerëzve dhe do të çajë tokën kur të dalë.” Ibën Ujejne thotë: “Do të dalë kur imami të urdhërojë për drejtimin e rreshtave për namaz.”[109]

Mendimi i dytë: Ajo do të dalë nga disa vende dhe jo nga një vend i vetëm; në fillim do të dalë në shkretëtirat e largëta, pastaj do të zhduket. Pastaj do të dalë përsëri nga luginat e Tuhames, që është pas Mekes. Pastaj do të dalë për herë të tretë në Meke. Ky mendim i përmbledh mendimet e tjera në lidhje me vendin e daljes së saj.

Es Sekhavi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas disa haditheve të adresuara te i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) dhe të tjerave që kanë ardhur si fjalë të Sahabeve, Kafsha e Tokës do të dalë tre herë gjithsej; herën e parë do të dalë në shkretëtirat e largëta dhe lajmi i saj nuk do të arrijë në Meke, pastaj do të fshihet për një kohë të gjatë, pastaj do të dalë për herë të dytë dhe lajmi i saj do të përhapet në mesin e beduinëve dhe do të arrijë deri në Meke.”[110]

Çështja e katërt: Misioni i Kafshës së Tokës

Misioni i kësaj kafshe, siç e kanë përmendur hadithet e sakta, është vulosja e njerëzve me vulën e besimit ose të mosbesimit. Në disa transmetime thuhet se ajo do t’i vijë besimtarit dhe do e vulosë ne fytyrën (apo ballin) e tij, dhe kur njerëzit të bashkohen nëpër vendet publike, do ta njohin besimtarin dhe jobesimtarin nga vula që do të ketë secili në fytyrë.

Ibën Kethiri thotë: “Është përcjellë nga Ibën Abasi (radiallahu anhu), se fjala e Allahut “që do iu flasë atyre”, d.m.th. që do i gërvishë, apo do shënojë mbi ballin e jobesimtarit “Jobesimtar-Kafir”, dhe mbi ballin e besimtarit “Besimtar”. Kjo fjalë bashkon mes dy mendimeve dhe është fjalë e fortë dhe përmbledhëse, e Allahu e di më mirë.”[111]

Misioni i Kafshës së Tokës përmblidhet në çëshjet e mëposhtme:

  1. Ajo kafshë do i flaës njerëzve.
  2. Do të vulosë ballin e besimtarëve me një shenjë që ndriçon dhe i zbardh fytyrën.
  3. Do të vulosë ballin e jobesimtarëve me një shenjë që thuhet se është si hunda e kafshëve (derri, qeni, etj). Ibën Ethiri thotë: “D.m.th. do i vulosë dhe do i lërë një shenjë që i ngjan hundëve të kafshëve.”[112]

 

 

Tema e Shtatë

Tymi që do të dalë afër Kiametit

 

Nga shenjat e mëdha të Kiametit është edhe shfaqja e një Tymi para se të bëhet Kiameti, dhe sqarimi i kësaj teme do të përfshijë çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet nga Kurani dhe Suneti

Allahu i Madhëruar thotë: “10. Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë, 11. që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është denim i dhembshëm!” 12. (Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!” 13. E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta 14. e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët”?! 15. Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim). 16. Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.” [Ed Dukhan, 10-16].

Kurse argumentet nga Suneti janë të shumta, prej të cilave përmendim:

Hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd el Gifari, i përmendur më sipër, ku thotë: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) hyri tek ne ndërsa ishim duke përmendur Ditën e Kiametit, dhe na tha: “Çfarë po përmendni?” – Po përmendim Kiametin, -i thamë ne. Ai tha: “Nuk ka për të ndodhur Kiameti deri sa të shihni dhjetë shenja para tij…” dhe prej tyre përmendi Tymin, Dexhalin dhe Kafshën e Tokës…”[113]

Po kështu hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nxitoni të bëni vepra të mira para se të ndodhin gjashtë gjëra: Lindja e diellit nga perëndimi, Tymi, Dexhali…”[114]

Po kështu fjala e të Dërguari të Allahut (salallahu alejhi ue selem): “Zoti juaj ju ka paralajmëruar për tre gjëra: Tymin që do të marrë çdo besitmar si gripi, kurse çdo jobesimtar do ta fryjë deri sa të dalë nga veshët e tij; E dyta: Kafsha e Tokës, dhe e treat: Dexhali.”[115]

Çështja e dytë: Mendimet e dijetarëve në lidhje me Tymin dhe kohën kur do të ndodhë

Dijetarët janë ndarë në dy grupe në lidhje me domenthënien e Tymit që përmendet në ajetin dhe hadithet e përmendura më sipër:

  1. Disa prej tyre janë të mendimit se ky Tym ka për qëllim vështirësinë dhe urinë që ra mbi kurejshët kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u lut kundër tyre, kur ata nuk iu përgjigjën thirrjes së tij dhe filluan të ngrenë kokat nga qielli, ku nuk shihnin veçse Tym. I këtij mendimi ishte Abdullah ibën Mesudi (radiallahu anhu) dhe atë e pasuan edhe një grup nga selefët, kurse Taberiu e zgjodhi si mendimin më të saktë.

Këta janë argumentuar me hadithin e përcjellë nga Mesruk ibën el Exhdei (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “Ishim për vizitë te Abdullah ibën Mesudi, veç kur vjen një burrë dhe i thotë: “O Ebu Abdurrahman! Dikush që tregon histori, tregoi një histori ku pretendon se ajeti qe flet për Tymin (në suren Dukhan), kur të vijë, do të marrë shpirtrat e mohuesve me forcë, kurse shpirtrat e besimtarëve si një grip.” Abdullah u ngrit i zemëruar dhe tha: “O njerëz! Kini frikë Allahun! Kush ka dije për diçka, të flaës me dije, në të kundër, të thotë: Allahu e di! Ai që thotë “Allahu e di!”, për diçka që ky nuk e di, tregon se ky ka dije, sepse Allahu i Madhëruar i thotë të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selem): “Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s’jam.” [Sad, 86]. Kur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) pa që njerëzit i kthyen shpinën, tha: “O Zot! (Zbrit mbi ta) Shtatë vite si vitet e Jusufit!” Atëherë, mbi kurejshët ra një vit urie dhe skamje, sa që filluan të hanë lëkurat dhe kafshët e ngordhura nga uria e madhe, dhe kur shihnin në qiell, qielli ishte si Tym.”[116]

Po kështu Ibën Mesudi (radiallahu anhu) thotë: “Pesë shenja (nga shenjat e Kiametit) kanë dalë: “E Pakthyeshmja (dënimi i kurejshëve në Bedër  – Tefsiri Begaviut dhe Ibën kethirit – në suren El Furkan, ajeti 77), Bizantinët (fillimi sures Er Rum), Mbërthimi me forcë (Ed Dukhan, 16), çarja e Hënës (el Kamer, ajeti 1) dhe Tymi.”[117]

  1. Shumë prej dijetarëve të selefëve dhe të mëvonshmëve janë të mendimit se Tymi është nga shenjat që pritet të ndodhin dhe që nuk kanë ndodhur ende, dhe ai do të shfaqet pak para Kiametit. Ky është mendimi i Ali ibën Ebi Talib, Ibën Abasit, Ebu Seid el Khudri, e shumë prej tabiinëve.

Ibën Kethiri ka zgjedhur këtë mendim si më të saktin, duke u argumentuar me hadithet e përmendura më sipër në fjalën rreth ajetit të Tymit (Dukhan), si dhe me hadithin e nxjerrë nga Taberiu e të tjerë, nga Abdullah ibën ebi Mulejke, i cili thotë: “Shkova një ditë herët te Ibën Abasi (radiallahu anhuma), e ai tha:

– Nuk kam fjetur mbrëmë deri në mëngjes.

– Përse? – i thashë unë.

– Po flitej se kishte dalë planeti me bisht, dhe u frikësova se mos ishte duke u shfaqur edhe Tymi, kështu që nuk fjeta gjithë natën.”[118]

Pas përmendjes së kësaj fjale të Ibën Abasit, Ibën Kethiri thotë: “Zinxhiri i transmetuesve të këtij etheri është i saktë deri te Ibën Abasi, dijetari dhe përkthyesi i Kuranit, dhe po kështu fjala e sahabeve dhe tabiinëve që e kanë pasuar atë me hadithe të sakta e të adresuara te i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), të cilat argumentojnë qartë dhe fortë se Tymi është nga shenjat që pritet të ndodhin, dhe ky është edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit të Kuranit, ku Allahu thotë: “10. Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë!” [Ed Dukhan, 10], pra do të jetë Tym i qartë dhe i dukshëm që do e shohin të gjihë, kurse historia që tregon Ibën Mesudi (radiallahu anhu) bën fjalë për diçka të imagjinuar që i dukej kurejshëve sikur qielli ishte bërë tym, nga uria e madhe dhe pafuqia që i kishte kaplosur.

  1. Disa dijetarë të tjerë kanë shkuar në mendimin e bashkimit dhe harmonizimit mes këtyre fjalëve të përcjella nga sahabët dhe selefët, dhe thonë se bëhet fjalë për dy Tyme të veçanta, nga të cilat njëri ka dalë kurse i dyti pritet të shfaqet pak para Kiametit. Tymi i parë është ai që i dukej kurejshëve si tym kur shihnin në qiell, por ky nuk është tymi i vërtetë që do të shfaqet kur të ndodhin shenjat e mëdha të Kiametit.

Kurtubiu thotë: “Muxhahidi thotë: “Ibën Mesudi thoshte: “Janë dy tymëra. Njëri ka dal, kurse i dyti do të mbushë mes qiellit dhe tokës, dhe besimtarin do e kap si një grip, kurse jobesimtarit do i çajë veshët.”[119]

Taberiu thotë: “Nuk ka çudi që të ketë ndodhur me mohuesit kurejsh ajo që ndodhi si ndëshkim për ata me diçka që i paralajmëroi i Dërguari (salallahu alejhi ue selem), dhe po ashtu të shfaqet përsëri Tym tjetër me njerëz të tjerë, siç ka ardhur në hadithet e përcjella nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), sepse siç dihet, hadithet që e vërtetojnë shfaqjen e Tymit pak para Ditës së Kiametit janë të qarta, dhe që të dyja këto janë të vërteta dhe të sakta.”[120]

Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Mundet që të jenë dy tyme, për të bashkuar mes transmetimeve që kanë ardhur në lidhje me këtë gjë.”[121]

Nuk ka dyshim se bashkimi mes dy transmetimeve është rruga më e mirë në këtë rast, përderisa këto nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin, e Allahu e di më mirë.

 

Tema e Tetë

Tri Çarjet e Tokës

 

Nga shenjat e Mëdha për të cilat i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka njoftuar se dotë ndodhin para Kiametit janë edhe Tri Çarjet e Tokës.

Kjo gjë është përmendur në hadithin e përcjellë nga Hudhejfe ibën Usejd, që e kemi përmendur më parë, ku thuhet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të bëhet Kiameti deri sa të shihni para tij dhjetë shenja…” Dhe prej tyre përmendi Tri çarjet e tokës: një në Lindje, një në Perëndim dhe një në Gadishullin Arabik.”[122]

Po kështu në hadithin e transmetuar nga Umu Seleme (radiallahu anha), e cila thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Pas meje do të ndodhë një çarje toke në Lindje, një çarje në Perëndim dhe një çarje në Gadishullin e arabëve.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! A do të çahet toka ndërkohë që mbi të do të ketë njerëz të mirë?!” Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nëse shumica e njerëzve do të jenë të prishur, po.”[123]

Këto tri çarje të tokës janë nga shenjat e mëdha të Kiametit, që nuk do të shfaqen veçse pak para Kiametit, dhe nuk bëhet fjalë për çarjet e tokës që kanë ndodhur më parë në vende dhe popuj të ndryshëm, sepse ato të tjerat janë nga shenjat e vogla të Kiametit, kurse këto të trija janë çarje të mëdha të tokës.

Ibën Haxheri thotë: “Çarja e tokës ka ndodhur në disa vende, por me këto tri çarje çështja është ndryshe dhe këto mund të jenë shumë më të mëdha.”[124]

Tema e Nëntë

Zjarri që do të dyndë njerëzit në vendin e ringjalljes

 

Shenja e fundit nga shenjat e mëdha të Kiametit, dhe e para që i hap rrugën ndodhjes së Kiametit, është dalja e një Zjarri që do i dyndë njerëzit drejt tokës së Ringjalljes se tyre. Shqyrtimi i kësaj teme do të përfshijë çështjet e mëposhtme:

Çështja e parë: Argumentet për daljen e Zjarrit

Disa transmetime thonë se ky zjarr do të dalë nga Jemeni, nga pjesa më e ulët e Adenit, kurse transmetime të tjera thonë se do dalë nga deti i Hadrameutit (po në Jemen). Nga hadithet që e sqarojnë këtë përmendim:

  1. Hadithi i transmetuar nga Hudhejfe ibën Usejd, ku përmend shenjat e Kiametit, dhe në fund të tyre i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “… E fundit e këtyre shenjave është një zjarr që do të dalë nga Jemeni, i cili do i dyndë njerëzit drejt vendit të ringjalljes së tyre.”[125] Në një transmetim tjetër thuhet: “një zjarr që do të dalë nga pjesa më e ulët e Adenit.”
  2. Hadithi i transmetuar nga Ibën Umeri (radiallahu anhuma), i cili thotë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Do të dalë një zjarr nga Hadrameuti ose nga deti i Hadrameutit, para se të bëhet Kiameti, dhe ky zjarr do i dyndë njerëzit.”[126]
  3. Hadithi i transmetuar nga Enesi (radiallahu anhu), ku thuhet se: “Kur Abdullah ibën Selam pranoi Islamin, e pyeti të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) disa pyetje, ku ndër tjera ishte: “Cila është shenja e parë e Kiametit?” I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) tha: “Shenja e parë e Kiametit është një zjarr që do i dyndë njerëzit nga lindja në perëndim.”[127]

Çështja e dytë: Harmonizimi mes haditheve që kanë ardhur në lidhje me vendin e daljes së këtij Zjarri

Harmonizimi mes haditheve ku thuhet se ky Zjarr është shenja e fundit nga shenjat e Kiametit dhe atyre ky thuhet se ai është shenja e parë e tyre, është që të thuhet se: Të qenët e tij shenja e fundit, nëse merret parasysh përmendja e tij bashkë me shenjat e tjera në hadithin e Hudhejfes, kurse konsiderimi i tij si shenja e parë, nëse nisemi nga fakti që pas kësaj shenje nuk do të ketë më asgjë nga çështjet e dynjasë, por pas kësaj do të fryhet në Sur, ndryshe nga shenjat e tjera para kësaj të përmendura në hadithin e Hudhejfes, ku pas secilës prej tyre do të mbesë diçka tjetër nga gjërat e dynjasë.[128]

Sa i përket transmetimeve që thonë se dalja e këtij Zjarri do të jetë në Jemen, kurse në disa tjera thuhet se ai do t’i dyndë njerëzit nga ana e Lindjes drejt Perëndimit, harmonizimi mes këtyre transmetimeve është kështu:

  1. Fakti që Zjarri do të dalë nga thellësia e Adenit (në Jemen) nuk e kundërshton dyndjen që ai i bën njerëzve nga Lindja drejt Perëndimit; kjo sepse fillimi i daljes së tij është nga thellësia e Adenit, kurse më pas do të përhapet në të gjithë tokën.
  2. Kur të përhapet Zjarri, ai do të dyndë së pari vendet e Lindjes, dhe këtë e mbështet fakti se të gjitha sprovat e mëdha vijnë zakonisht nga ana e Lindjes. Kurse drejtimi drejt Perëndimit është për qëllim drejt Levantit (Siria), sepse për vendet e Lindjes (Iraku, Irani) Levanti është në Perëndim të tyre.
  3. Ka mundësi që Zjarri i përmendur në hadithin e Enesit të ketë për qëllim sprovat e përhapura që shkaktuan të keqen e madhe dhe përpinë çfarë gjetën para ashtu si përpin zjarri, dhe fillimi i tyre ka qenë nga Lindja, deri sa e shkatërruan pjesën më të madhe të saj, kështu që njerëzit do të dynden nga Lindja drejt Levantit dhe Egjiptit, të cilat gjenden në drejtim të Perëndimit; gjë e cila në realitet ka ndodhur disa herë në kohën kur këto vende u sulmuan nga Tatarët, Mogolët, e të tjerë. Kurse Zjarri i përmendur në dy hadithet e Hudhejfe ibën Usejd dhe Ibën Umerit (radiallahu anhuma) është zjarr i vërtetë. E Allahu e di më mirë.[129]

Çështja e tretë: Vendi i dyndjes

Vendi ku do të dynden njerëzit në fund të botës është Levanti, siç ka ardhur në hadithe të sakta, prej të cilave përmendim:

  1. Hadithi i përcjellë nga Behz ibën Hakim; ky nga babai i tij; ky nga gjyshi i tij, i cili ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Ju do të dyndeni duke ecur në këmbë dhe kaluar (mbi kafshë apo mjete), dhe do të tërhiqeni në këtë drejtim – duke bërë me dorë nga Levanti.”[130]
  2. Hadithi i përcjellë nga Ebu Dherri (radiallahu anhu), se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Levanti është toka e dyndjes dhe e shpërndarjes.[131]

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në Tefsirin e Ibën Ujejne përmendet se Ibën Abasi (radiallahu anhuma) ka thënë: “Kush dyshon se dyndja e njerëzve do të jetë këtu, d.m.th. në Levant (Sham), le të lexojë fillimin e sures El Hashr. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i tha shokëve: “Atë ditë njerëzit do të nxirren.” Për ku? – thanë ata. “Për në tokën e dyndjes” – tha ai (salallahu alejhi ue selem).[132]

Shkaku pse është pikërisht Levanti toka e dyndjes së njerëzve kur të ndodhin sprovat e mëdha në fund të jetës në tokë, është fakti se në këtë vend do të ketë Siguri dhe Besim. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është lutur kështu për Levantin: “O Zot! Na e begato Levantin (Sham-in) tonë! O Zot! Na e begato Jemenin tonë!”[133]

Kanë ardhur hadithe të shumta që flasin për vlerat e Shamit dhe nxisin për të jetuar në të, që nuk mund t’i përmendim këtu, por kujtojmë se kemi përmendur më parë zbritjen e Isait (alejhis selam) në fund të botës, që do të zbresë në Sham, dhe atje do të grumbullohen besimtarët për të luftuar Dexhalin. Atje do ta vrasë Isai (alejhis selam) Dexhalin, në derën Lud (në Kuds). Shto këtu që toka e Shamit (kryesisht Palestina) është toka ku kanë dalë Profetët dhe ku ka qëndruar i Dërguari ynë (salallahu alejhi ue selem) natën e Israsë.

Çështja e katërt: Koha kur do të ndodhë dyndja e madhe

Dijetarët kanë disa mendime në lidhje me kohën kur do të ndodhë dyndja e madhe. Disa prej tyre, si Bejhakiu, Gazali dhe të tjerë, thonë se kjo dyndje nuk do të jetë në këtë botë por në botën tjetër, kur njerëzit të dalin nga varret.[134]

Kurse shumica e dijetarëve janë të mendimit se kjo dyndje do të ndodhë në dynja para se të bëhet Kiameti, dhe njerëzit do të dynden të gjallë drejt Shamit, kurse dyndja nga varret në tokën e Mahsherit është ndryshe nga kjo e dyndjes së njerëzve drejt Shamit, të cilën i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), në hadithin e përcjellë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu) e ka përshkruar kështu dyndjen e dynjasë: “Njerëzit do të dynden në tre rrugë: me dëshirë apo me pahir, dy mbi një deve, tre mbi një deve, katër mbi një deve, dhjetë mbi një deve. Kurse të tjerë do i dyndë Zjarri i cili do të shkojë me ta kudo që shkojnë, do të flejë me ta kudo që të flenë, do të zgjohet me ta kudo që të zgjohen dhe do të ngryset me ta kudo që të ndrysen.”[135]

Si dhe shumë hadithe të tjera që flasin për dyndjen që do të ndodhë në fund të kësaj bote nga të gjitha vendet drejt vendit të dyndjes në tokën e Shamit. Në këtë hadith, dhe në hadithe të tjera të ngjashme, është përmendur udhëtimi mbi deve, ngrënia, fjetja dhe djegia nga zjarri e atij që mbetet mbrapa. Nëse kjo gjë do të ndodhte pas ringjalljes së njerëzve në botën tjetër, nuk do të kishte më vdekje, apo deve që i hipet dhe që blihet, apo ngrënie e veshje në ditën e Ringjalljes!

Përveç kësaj, hadithet që flasin për dyndjen në botën tjetër, e përshkruajnë atë me fjalët se njerëzit atje, qoftë besimtarët apo mohuesit, do të dynden të zbathur dhe të zhveshur (lakuriq), pa asnjë të metë fizike tek të gjithë ata pa përjashtim (edhe ata që kanë qenë me të meta fizike në dynja).

Në një hadith të saktë të përcjellë nga Ibën Abasi (radiallahu anhuma) thuhet: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngrit për të na thënë një këshillë, ku ndër tjera tha: “O njerëz! Ju do të dyndeni tek Allahu të zbathur, të zhveshur (lakuriq) dhe të pa bërë synet. “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” [El Enbija, 104]. Vërtet, krijesa e parë që do të vishet në ditën e Kiametit është Ibrahimi (alejhis selam).[136]

Me këtë bëhet e qartë se dyndja e përmendur në hadithet e mësipërme do të jetë në këtë botë para se të bëhet Kiameti, kurse dyndjen në botën tjetër e ka sqaruar hadithi i Ibën Abasit (radiallahu anhuma) i përmendur më sipër, dhe kushdo që thotë të kundërtën e kesaj, ka gabuar dhe është larguar nga e vërteta, e Allahu është i Gjithëdijshmi.

Ibën Raxhebi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sa i përket njerëzve më të këqinj të tokës, në fund të jetës në botë do të dalë një zjarr që do i dyndë ata me forcë drejt Shamit, deri sat ë grumbullohen të gjithë atje, para se të ndodhë Kiameti.”[137]

 


[1] Në fakt Mehdiu që ata presin është Dexhali, sepse të gjitha hadithet e sakta përputhen pikërisht me gjendjen e tyre, siç do e shohim më pas, që Dexhali është i lidhur në zinxhirë në një ishull të Detit Arab, deri sa të afrohet koha e daljes së tij ku do të ndodhë në një vend mes Irakut dhe Damaskut; dhe ata që do e pasojnë të parët Dexhalin, do të jenë pikërisht shiitët.

[2] Havarixhët janë ata që dolën kundër prijësit të besimtarëve, Ali ibën Ebi Talibit, në vitin 37 AH; dhe që i bashkon mohimi i pushtetit të Uthmanit dhe Aliut (radiallahu anhuma); dhe që me përjashtim të Nexhdive prej tyre, i bashkon gjithashtu konsiderimi kafir i çdokujt që bën një gjynah të madh dhe se ai do të jetë përgjithmonë në Zjarr nëse do të vdesë duke e bërë atë gjynah, sipas tyre. Për sharjen e tyre dhe nxitjen për luftimin e tyre kanë ardhur shumë hadithe të sakta. Ata janë ndarë në rreth 20 grupe, dhe nga emrat e tyre është edhe emri “Harurije”. Shih: Telbis Iblis (f.9), “El Milel ue Nihal” (1/114), dhe librin tonë “Metoda e Selefëve në Trajtimin e Fitneve”.

[3] Xhehmijet janë ndjekësit e el Xhehm ibën Safvan i cili ka thënë se njerëzit janë të detyruar për kryerjen e veprave dhe nuk kanë asgjë në dorë, dhe se besimi është thjesht njohja e Allahut kurse kufri është mos-njohja e Tij. Këta thonë gjithashtu se Xheneti dhe Xhehenemi do të mbarojnë dhe do të shuhen. Shih: El Ferku bejnel Firak (f.211), El Milel uen Nihal (1.76).

[4] Janë quajtur mu’tezile (të veçuar nga të tjerët) për shkak të veçimit të Vasil ibën Ata dhe Amër ibën Abid –dy prej kokave të tyre- nga mexhlisi (tubimi, mësimi) i el Hasen el Basri, për shkak se këta thonin se personi që bën gjynah të madh nuk është as besimtar as kafir. Thuhet gjithashtu se janë quajtur mutezile për shkak të ndarjes nga menhexhi dhe rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit. Nga besimet e tyre është mohimi i të gjitha Cilësive dhe Atributeve të Allahut të Madhëruar, se Kurani është i krijuar, se Allahu nuk do të shihet në botën tjetër, etj. Grupet e tyre arrijnë në gati 20 grupacione. Shih: Mekalatul Islamijin (1/235), el Ferku bejnel firak (f.11), el Burhan fi mearifeti akaidi ehlil edjan (f 49).

[5] Në leximin e parë fjala (ilm) do të thotë dije dhe njohje, kurse në leximin e dytë kjo fjalë lexohet (alem) që do të thotë shenjë; që të dyja leximet janë të sakta dhe nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin.

[6] E ka nxjerrë Imam Ahmedi në Musned (4/329). Ahmed Shakir thotë: “Zinxhiri i transmetuesve të këtij transmetimi është i saktë (sahih). E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim në Mustedrak (2/254) dhe thotë: “Me sened të saktë, por nuk  e kanë nxjerrë 2 autorët e Sahihave, Buhariu dhe Muslimi.” Edhe Dhehebiu e ka aprovuar këtë fjalë të el Hakim.

[7] Tefsiri i Ibën Kethirit (4/131-132), Tefsiri i Taberiut (35/90).

[8] Tefsiri i Begaviut (4/179).

[9] Tefsiri i Taberiut (6/18).

[10] Tefsiri i Ibën Kethirit (1/514).

[11] Buhariu (3264), Muslimi (155), Ahmedi (2/483), Ebu Daudi (4324), Tirmidhiu (2233), Ibën Maxheh (4078).

[12] Muslimi (156), Ahmedi (3/384).

[13] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[14] Tefsiri Ibën Kethirit (1/519-520).

[15] “Esh Sherijah”, e Axhurrit (f. 381),“Esh Sherh uel Ibane” (241), dhe “Sherh el Akide et Tahavije” (505).

[16] “Levamiu el Envar el Behije” (1/94-95).

[17] Buhariu (3255).

[18] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[19] Muslimi (167), Tirmidhiu (3649), Ahmedi (3/334).

[20] Muslimi (2937), Ebu Daudi (3421), Ibën Maxheh (4075), Ahmedi (4/182).

[21] Muslimi (2940), Ahmedi (2/166).

[22] Hadith Sahih (Shejh Albani, Es Sahiha (2182). E ka nxjerrë Ahmedi (2/406). Ahmed Shakir thotë: “Hadithi është Sahih. E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Daudi, Kapitulli i Kasaphanave, Tema “Dalja e Dexhalit” (4/498). El Hakim (2/595).

[23] “En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim” (1/193).

[24] Ebu Daudi (4324).

[25] “Levamiu el Envar el Behije” (2/99).

[26] “El Ishaah” (f.304).

[27] “Ed Dur el Menthur” (6/20).

[28] “Tabakat el Hanabileh” (1/241-243).

[29] Tefsiri i Taberiut (3/291).

[30] Tefsiri i Ibën Kethirit (7/223).

[31] El Idhaah (f. 160).

[32] Ky është një dijetar i madh i Islamit nga India, autor i disa veprave të mëdha, si: “Fejdul Bari ala Sahih el Buhari” në katër vëllime, “El Urf esh Shedhi ala Xhami et Tirmidhi” (Interpretim i librit të Tirmidhiut), e shumë të tjera. Ka vdekur në Diuband, në vitin 1353 Hixhri.

[33] Aunul Meabud, (11/457).

[34] Shënimet në “Tefsirin e Taberiut” (6/460), me nxjerrjen e haditheve nga Ahmed Muhamed Shakir, verifikues Mahmud Muhamed Shakir, shtëpia botuese Darul Mearif, në Egjipt.

[35] Shënimet e shejh Albanit në librin “Akidja Tahavije”, me nxjerrjen e haditheve nga shejh Albani (f. 565).

[36] “Fet’hul Bari” (6/493).

[37] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/794).

[38] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/795).

[39] Buhariu (3258), Muslimi (2365), Ebu Daudi (4675), Ahmedi (2/437).

[40] “El Minhaxh fi Shuabil Iman” i El Hulejmi (1/424-425), “Et Tedhkirah” e Kurtubiut (2/679), “Fet’hul Bari” i Ibën Haxherit (6/493), “Et Tasrih bima tevetera fi nuzuli el Mesih”, (f. 94).

[41] Ahmedi në Musned (4/127). Ibën Kethiri thotë se zinxhiri i transmetuesve të tij është i mirë, dhe përmend disa transmetime nga rrugë të tjera që dëshmojnë për të; Tefsiri i Ibën Kethirit (4/324).

[42] Ibën Maxheh (4077), El Hakim (4/436). Hadith Sahih – Es Sahiha, e shejh Albanit (2457) dhe Sahihul Xhami (2970).

[43] Muslimi (2897).

[44] Buhariu (3268), Muslimi (1842), Ibën Maxheh (2871), Ahmedi (2/297).

[45] Buhariu (3339), Muslimi (2354), Tirmidhiu (2840), Ahmedi (4/80).

[46] Ahmedi (3/387), Darimiu (435).

[47] “Et Tedhkira”, e Kurtubiut (2/792).

[48] Muslimi (2255).

[49] Hadith Sahih; Sahihul Xhami  (2970), Es Sahiha (2457). E ka nxjerrë Ibën Maxheh, Ibën Huzejme, El Hakim].

[50] Muslimi. Është përmendur më parë.

[51] “Sherhu Sahihi Muslim” (2/192).

[52] Et Tedhkira (2/794), “Levamiul Envar el Behijjeh” (2/113).

[53] “Fet’hul Bari” (13/106).

[54] Buhariu (7/196), Muslimi (1/301).

[55] Tefsiri i Ibën Kethirit, (3/187).

[56] Buhariu (6716), Muslimi (2880), Ibën Maxheh (3953), Ahmedi (6/429).

[57] Muslimi (2937), Tirmidhiu (2240), Ibën Maxheh (4075), Ahmedi (4/182).

[58] Muslimi (2250).

[59] Muslimi (2226).

[60] Ibën Maxheh (4081), Ahmedi (1/375).

[61] Hadith Sahih (Es Sahiha (1735); Tirmidhiu (8/597-599), Ibën Maxheh (2/1364-1365).

[62] “Lem’atul I’tikad”, f. 30.

[63] “Ikmalul Mualim” (6/115-116).

[64] “Levamiul Envar” (2/116).

[65] Tefsiri Ibën Kethirit (3/99).

[66] Hadith Sahih (Es Sahiha (1735); Tirmidhiu (8/597-599), Ibën Maxheh (2/1364-1365).

[67] Fet’hul Bari, (13/190).

[68] Është për qëllim fisi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) si dhe fiset e tjera të Mekës që ishin idhujtarë dhe përgënjeshtrues të Muhamedit, dhe jo ymeti-populli i tij, sepse ymeti i Muhamedit janë të gjithë besimtarët muslimanë në çdo kohë e vend, deri në ditën e Kiametit.

[69] Unë nuk jam mbikqyrës mbi ju dhe as rojë që ju detyron çfarë të bëni, por jam thjesht i Dërguar i Allahut dhe ju përcjell atë që më shpallet.

[70] Do ta merrni vesh të vërtetën e atyre që ju them dhe që më shpallen nga Allahu. E nuk ka dyshim se gjithçka që paralajmëroi i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), u përmbush dhe shumë paralajmërime e profetësi të tjera presin afatin e tyre të caktuar nga Allahu, dhe kur të ndodhë kjo, të gjithë do ta marrin vesh.

[71] Muslimi (2255).

[72] Ibën Maxheh (4079), Ahmedi (3/77). Hadith Sahih (Es Sahiha, 1793].

[73] Buhariu (4359), Muslimi (157).

[74] Buhariu (6704), Muslimi (157), Ebu Daudi (4312), Tirmidhiu (3072), Ibën Maxheh (4068), Ahmedi (2/398).

[75] Muslimi (2759), Ahmedi (4/404).

[76] Tirmidhiu (3535), Ibën Maxheh (1353), Ahmedi (4/240). Shejh Albani e ka konisderuar “Hasen”, në “Sahihul Xhami” (2/443).

[77] Shejh Albani thotë: “Në Musnedin e Ahmedit, në vend të fjalës “Dexhali”, thuhet “Duhani – Tymi”, por unë mendoj se ky është gabim nga shkruesit. [Es Sahiha, 3620].

Kurse ne mendojmë se fjala e saktë është “Duhani” pra “Tymi”, dhe jo “Dexhali”, sepse hadithi flet për mospranimin e pendimit kur të ndodhin këto tre gjëra, ndërkohë që dihet se Dexhali do të vritet nga Isai (alejhis selam), i cili do të zbresë në tokë pas daljes së Dexhalit, dhe me zbritjen e Isait do të bëhen muslimanë të gjithë të krishterët e asaj kohe, pra do iu pranohet pendimi dhe Islami, madje Isai (alejhis selam) nuk do të pranojë xhizjen por vetëm Islamin nga ata që nuk janë muslimanë. Kurse mundësia më e madhe për daljen e Tymit është pikërisht dita në të cilën dielli do të lindë nga perëndimi, siç do e shohim më pas në temën e shtatë të librit; dhe kështu bashkohet mes haditheve, e Allahu është i Gjithëdijshmi. [Përkthyesi].

[78] Buhariu (6704), Muslimi (158), Tirmidhiu (3072), Ebu Daudi (4312), Ibën Maxheh (4068), Ahmedi (2/446).

[79] Et Tedhkirah, (2/753,794).

[80] Muslimi (2941), Ebu Daudi (4310), Ahmedi (2/201).

[81] Fet’hul Bari, (11/353).

[82] El Ishaah Li-Eshrati es Saah, f. 350.

[83] Buhariu (3027), Muslimi (159), Ebu Daudi (4002), Tirmidhiu (3227), Ahmedi (5/165).

[84] Tefsiri Ibën Kethirit (2/572).

[85] “Sherhu Suneh”, El Begavi, (15/95).

[86] “Ikmalul Mualim”, (3/700).

[87] Sherh Sahihu Muslim, (2/197).

[88] Tefsiri Ibën Kethirit, (3/571).

[89] Fet’hul Bari, (8/403).

[90] Tefsiri Ibën Kethirit, (3/351).

[91] Dijetari Mahmud ibën Abdullah el Alusi, Shehabudin Ebu Thena, lindur në Bagdad, në vitin 1217 Hixhri, një nga interpretuesit e mëdhenj të Kuranit.

[92] “Ruhul Meani”, (6/314).

[93] Ahmedi në Musned, 5/268.

[94] Muslimi.

[95] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/7).

[96] Muslimi (2941), Ebu Daudi (4310), Ibën Maxheh (4069), Ahmedi (2/201).

[97] Tefsiri i Kurtubiut (13/235).

[98] Hadithi është i dobët. “Minhatul Meabud Tertib Musned et Tajalisi”, (2/220); E ka nxjerrë gjithashtu El Hakim (4/484), dhe thotë: “Ky është hadith me sened të saktë dhe është hadithi më i qartë që flet për Kafshën e Tokës, megjithëse dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi) nuk e kanë përmendur.” Në kundërshtim të fjalës së tij, Dhehebiu thotë: “Ahmedi e ka lënë hadithin e tij – ka për qëllim Talha ibën Amër el Hadrami, një transmetues i dobët në zinxhirin e Tajalisit dhe Hakimit, për të cilin Ibën Muin thotë: “Nuk është gjë! Është i dobët.” Tehdhib et Tehdhib”, (5/23, 54).

[99] Et Tedhkira, (2/822).

[100] Tefsiri i Kurtubiut (13/236), Et Tedhkira (2/818).

[101] “Et Tedhkira” e Kurtubiut (2/236), “Fet’hul Kadir” i Sheukanit (4/151).

[102] Një vend mes Jordanisë dhe Palestinës, të cilin sot e kanë prishur çifutët dhe kanë ndërtuar koloni të tyre.

[103] Zugeri është një fshat në periferi të Damaskut. Thuhet se Zuger ka qenë emri i njërës nga vajzat e Lutit (alejhis selam), e cila qëndroi në këtë vend dhe më pas mori emrin e saj. Burimi i Zugerit do të gurgurojë nga fundi i botës dhe është një nga shenjat e Kiametit. “Mu’xhem el buldan” (4/143).

[104] Muslimi, Kapitulli i Sprovave dhe Masakrave (4/2261-2262).

[105] En Nihaje fi Garibil Hadith (1/272).

[106] Musnedi i Imam Ahmedit, me Verifikimin e Ahmed Muhamed Shakir (15/82).

[107] Tefsiri i Ibën Seadit, (5/603).

[108] Tefsiri i Kurtubiut (13, 263).

[109] Taberani në El Eusat (2/176). El Hejthemi, në El Mexhmea (8/8), thotë: “E ka nxjerrë Taberani në el Eusat, dhe transmetuesit e tij janë të gjithë të besueshëm.”

[110] “El Kanaah…”, Es Sekhavi (f.40).

[111] En Nihajetu fil Fiteni uel Melahim (1/208).

[112] En Nihajetu fi Garijbil Hadith (2/50).

[113] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/7).

[114] Muslimi (2947), Ahmedi (2/324).

[115] Taberiu në Tefsirin e tij, (15/114) nga Ebu Malik el Eshari. E ka përmendur gjithashtu Ibën Kethiri në Tefsirin e tij (4/138), dhe thotë: “E ka transmetuar Taberiu me zinxhir transmetimi të mirë.” Ibën Haxheri ka përmendur gjithashtu transmetimin e Taberiut nga Ebu Maliku dhe nga Ibën Umeri, dhe thotë: “Zinxhiri i tyre është gjithashtu i dobët, por numri i shumtë i këtyre haditheve tregon se ato kanë një bazë.” Fet’hul Bari (8/436).

[116] Buhariu (6/40), Muslimi (4/3156).

[117] Buhariu (6/41), Muslimi (4/2157).

[118] Taberiu në Tefsirin e tij (15/113), dhe Ibën Kethiri në Tefsirin e tij (4/125).

[119] Et Tedhkira (655).

[120] Tefsiri Taberiut (25/114-115).

[121] Sherhu Sahih Muslim, i Neveviut (18/28).

[122] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/7).

[123] Taberani në El Eusat (4/74). El Hejthemi, në Mexhmea ez Zevaid thotë: “Në zinxhirin e hadithit gjendet Hakim ibën Nafi, të cilin Ibën Muini e ka quajtur të besueshëm, kurse të tjerë e kanë konsideruar të dobët, kurse transmetuesit e tjerë janë të gjithë të besueshëm.

[124] Fet’hul Bari (13/84).

[125] Muslimi (2901), Ebu Daudi (4311), Tirmidhiu (2183), Ibën Maxheh (4055), Ahmedi (4/6).

[126] Hadith Sahih; Ahmedi (5146), Tirmidhiu (2217), Sahihul Xhami (3/203).

[127] Buhariu (3151).

[128] Fet’hul Bari, 13/86.

[129] Fet’hul Bari, 13/86.

[130] Hadith Sahih(Albani); Ahmedi (5/3), Tirmidhiu (2424).

[131] Hadith Sahih (Albani); Ahmedi (6/463), Ibën Maxheh (1407).

[132] Fet’hul Bari (11/380), Tefsiri i Ibën Kethirit (4/330).

[133] Buhariu (990), Tirmidhiu (3953), Ahmedi (2/118).

[134] El Minhaxh fi Shuabil Ijman (1/442), Fet’hul Bari (11/387).

[135] Buhariu (6158), Muslimi (2861), Nesai (2085).

[136] Buhariu (7/194) dhe Muslimi (4/2194).

[137] Letaiful Mearif, i Ibën Raxhebit, (f.90).