LARJA E PLOTË E TRUPIT (GUSLI)

 


Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


Gusli është larja e të gjithë trupit me ujë. Allahu thotë në Kuran:

وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا

“Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni” (El Maide, 6) dhe:

وَيَسْأَلُونَكَ عَنْ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ

Të pyesin ty për menstruacionet. Thuaj: “Kjo është gjendje e neveritur, pra mos iu afroni grave tuaja (për marrëdhënie seksuale) gjatë kësaj kohe, derisa ato të pastrohen”. (El Bekare, 222)

Veprime të cilat e bëjnë të domosdoshme marrjen e guslit

Veprime të tilla janë gjithsej pesë:

1- Dalja e spermës me epsh gjatë gjumit apo në gjendje të zgjuar, qoftë nga burri apo nga gruaja

Mendimi i juristëve në përgjithësi është se, gusli është detyrim te personi i cili ka rrjedhje të meni-ut (spermës), si rezultat i nxitjes, si gjatë kohës së gjumit

ashtu edhe kur është zgjuar.

Ebu Seid ka transmetuar se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përdorimi i ujit për larje është i detyrueshëm pas ejakulimit të spermës”.[1] E transmeton Muslimi.

Umu Seleme ka transmetuar se Umu Sulejm i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Allahu nuk ka turp nga e vërteta. A duhet të marrë gusël gruaja, nëse ajo sheh një ëndër nga e cila ka sekrecione?” Ai iu përgjigj: “Po, nëse ajo e sheh lëngun”.[2] Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Në këtë pikë, ka disa çështje të tjera të rëndësishme që duhen trajtuar:

a) Nëse sperma del pa ndonjë lloj epshi (për shkak sëmundjeje apo ndonjë të ftohti ekstrem)

Në këtë rast, marrja e guslit nuk është e detyrueshme. Aliu (r.a.) ka transmetuar se Profeti i ka thënë atij: “Nëse ke ejakulim të spermës, atëherë merr gusël”.[3] Transmeton Ebu Daudi.

Muxhahidi tregon“Njëherë ishim mbledhur në xhami ne shokët e Ibën Abasit (Tausin, Sejid ibën Xhubejrin dhe Ikrimën). Kur ai filloi për t’u falur, një njeri hyri në xhami dhe tha: “A ka në mesin tuaj ndonjë që mund të më japë përgjigje të saktë?” Ne i thamë: “Bëje pyetjen tënde!”. Ai tha: “Sa herë që urinoj kam rrjedhje me vrull të një lëngu”. Ne e pyetëm: “A është ai lëngu nga i cili krijohet fëmija?” Ai tha: “Po”. Ne i thamë: “Atëherë ti duhet të lahesh”. Pas kësaj, burri u largua duke thënë “Inna lil-lahi ua inna ilejhi ra’xhiun”, (Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi). Ibën Abasi e shpejtoi namazin e tij, pas të cilit ai i tha Ikrimës që ta thërriste burrin edhe njëherë tjetër. Ai u kthye nga ne dhe na tha: “A bazohet gjykimi juaj në librin e Allahut? Ne i thamë: “Jo”. Ai pyeti: “A bazohet në thëniet e të Dërguarit të Allahut? Ne i thamë: “Jo!”. “Atëherë ku?” Ne u përgjigjëm: “Në mendimin tonë”. Ai tha: “Ja pse i Dërguari i Allahut ka thënë se një njeri i ditur është shumë më i rreptë për shejtanin se sa njëmijë adhurues”.[4]

Burri erdhi dhe qëndroi përpara Ibën Abasit, i cili i tha: “Kur të ndodh rrjedhja e spermës, a ndjen epsh në veten tënde?” Ai iu përgjigj: “Jo”. Ibën Abasi e pyeti përsëri: “A ndjen ndonjë mpirje në trup? Ai u përgjigj: “Jo”. Atëherë Ibën Abasi tha: “Një rrjedhje e tillë është për shkak të të ftohtit. Për këtë gjendje është i mjaftueshëm vetëm abdesi”.

b) Nëse personi sheh ndonjë ëndërr eksituese por nuk gjen ndonjë gjurmë ejakulimi

As në këtë rast nuk është e nevojshme marrja e guslit.

Ibn El Mundhiri ka thënë: Të gjithë dijetarët që njoh bien dakord në lidhje me këtë çështje”. Këtë gjë e vërteton hadithi i Umu Selemes i përmendur më lart.

c) Nëse personi zgjohet nga gjumi dhe sheh një masë të lagësht, por që nuk është si rezultat i shikimit të ndonjë ëndrre eksituese, edhe pse nuk është i sigurt nëse ajo është spermë (çfarë duhet të bëjë?)

Për të qenë i sigurt ai duhet të lahet.

Muxhahidi dhe Katade kanë thënë: “Nuk është e nevojshme marrja e guslit, derisa ai të jetë i sigurt se ajo është spermë, për shkak se kushti paraprak i pastërtisë nuk mbaron me pasigurinë”.

d) Nëse e ndjen epshin dhe e shtrëngon organin e tij, në mënyrë që të ndalojë ejakulimin

Një rast i tillë e bën të panevojshme marrjen e guslit. Kjo bazohet në hadithin që thotë se gusli është i nevojshëm nëse sperma mund të shihet. Por, nëse personi ecën dhe nuk mund ta kontrollojë ejakulimin e tij, atëherë ai duhet të marrë gusël.

e) Nëse në rrobat e tij sheh gjurmë sperme

Nëse një njeri nuk e di se kur sperma ka rënë në rrobat e tij dhe është falur pa e ditur, ai duhet të marrë gusël dhe t’i përsërisë të gjitha namazet nga hera e fundit kur ai ishte në gjumë? Nëse ai vëren se një gjë e tillë ka ndodhur gjatë kohës kur ai ishte në gjumë më herët, duhet t’i përsërisë të gjitha namazet deri në kohën kur mendohet se që nga aty ka ndodhur ejakulimi.

2- Takimi i dy organeve gjenitale me njëri-tjetrin

Një takim i tillë realizohet me futjen e pjesës së përparme[5] të organit seksual të mashkullit në atë të femrës. Nëse ndodh ky kontakt, atëherë gusli është detyrim për të dy bashkëshortët, edhe në rastin kur nuk ndodh ejakulimi. Allahu thotë në Kuran:

وَإِنْ كُنْتُمْ جُنُبًا فَاطَّهَّرُوا

“Nëse jeni të papastër, atëherë pastrohuni (lahuni)”. (El Maide, 6)

Në lidhje me këtë çështje, Shafiu thotë: “Në gjuhën arabe, papastërtia seksuale i referohet çdo lloji të marrëdhënieve seksuale, pavarësisht nëse ka ejakulim ose jo. Askush nuk e mohon faktin se zinaja[6], e cila meriton dënimin përkatës, është kryerja e marrëdhënieve seksuale, madje edhe në rastin kur nuk ndodh ejakulimi i spermës”.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush qëndron ndërmjet katër[7] pjesëve të trupit të gruas së tij dhe kryen marrëdhënie me të, atëherë larja bëhet obligim (për të dy), ka ejakuluar apo jo”.[8] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Sejid ibën El Musejeb transmeton se Ebu Musa El Eshariu i ka thënë Aishes:

“Do të doja të të pyesja për diçka, por kam shumë turp…” Ajo i tha: “Pyet dhe mos ki turp, sepse unë jam nëna jote”. Atëherë, ai e pyeti në lidhje me një burrë, i cili kishte kryer marrëdhënie seksuale, por që nuk kishte ejakuluar spermë. Ajo i tha: “Nëse dy organet seksuale takohen me njëri-tjetrin, atëherë gusli bëhet detyrim”.[9]

Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Maliku me versione të ndryshme. Këtu duhet sqaruar se duhet të ndodhë kontakti seksual i vërtetë, pra kur organi i mashkullit depërton në atë të femrës. Ndërsa, nëse ndodh vetëm prekja e tyre me njëri-tjetrin, atëherë gusli nuk është i detyrueshëm për asnjërin nga bashkëshortët. Me këtë bien dakord të gjithë dijetarët.

3- Gratë dhe periodat e tyre (Ndërprerja e hajzit dhe nifasit)

Në lidhje me menstruacionet dhe rrjedhjen e gjakut pas procesit të lindjes, Allahu i Madhëruar thotë:

فَاعْتَزِلُوا النِّسَاءَ فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّى يَطْهُرْنَ فَإِذَا تَطَهَّرْنَ فَأْتُوهُنَّ مِنْ حَيْثُ أَمَرَكُمْ اللَّهُ

“Mos iu afroni atyre (grave) derisa ato të pastrohen. Dhe kur të jenë pastruar, shkoni tek ato në atë mënyrë që Allahu e ka caktuar për ju”. (El Bekare: 222)

I Dërguari i Allahut i ka thënë Fatime bint Ebu Hubejsh: “Mos u fal gjatë kësaj kohe (gjatë periodave). Pasi të kenë mbaruar menstruacionet, merr gusël dhe falu!” [10] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas mendimit unanim të sahabëve, një trajtim i ngjashëm bëhet edhe për rrjedhjen e gjakut pas lindjes. Disa dijetarë thonë se, nëse pas lindjes së fëmijës, gruaja nuk ka rrjedhje të gjakut, atëherë ajo duhet të marrë gusël. Por dijetarë të tjerë mendojnë se marrja e guslit nuk është e nevojshme. Megjithatë, në lidhje me këtë çështje, nuk ekziston ndonjë argument.

4- Vdekja

Sipas mendimit të të gjithë dijetarëve, vdekja e një muslimani e bën detyrim larjen e trupit të tij (apo të saj). Kjo çështje do të diskutohet më hollësisht në kapitujt e mëvonshëm.

5- Jomuslimani që pranon Islamin

Larja e plotë e trupit është gjithashtu detyrim edhe për të konvertuarit e rinj në fenë islame.

Ebu Hurejra transmeton se njëherë Thumame El Hanefi u kap rob. Profeti (a.s.) kaloi afër tij dhe i tha: “Çfarë ke për të thënë për veten tënde o Thumame?” Ai tha: “Nëse më vret, ti do të vrasësh një të afërmin tënd, e nëse më liron, do të ta dija për nder. Nëse do pasuri (si haraç), ne mund të të japim gjithçka që dëshiron”. Shokët e Profetit (a.s.) preferuan marrjen e haraçit dhe thanë: “E çfarë do të fitonim nëse do ta vrisnim atë!?” Më në fund ai e përqafoi Islamin. Profeti (a.s.) e liroi atë dhe i tha të shkonte në kopshtin e Ebu Talhës dhe të lahej. Thumame bëri siç i tha Profeti (a.s.) dhe pastaj fali dy rekate namaz. Pas kësaj, Profeti (a.s.) tha: “Me të vërtetë, vëllai juaj u bë një musliman i mirë”.[11] E transmeton Ahmedi, dhe thelbi i tij përmendet edhe në transmetimet e Buhariut dhe të Muslimit.

VEPRIME TË NDALUARA PËR PERSONIN QË ËSHTË XHUNUB

Veprime të tilla janë:

1- Namazi

2- Rrotullimi rreth Qabes (Tavafi)

Shpjegimin për këtë çështje mund ta gjeni në temën: “Veprimet, për të cilat është i domosdoshëm abdesi”

3- Prekja apo mbajtja e Kuranit

Të gjithë juristët janë të mendimit se është e ndaluar prekja apo mbajtja e Kuranit nga ana e personit i cili është i papastër dhe nuk është transmetuar diçka tjetër nga ndonjëri prej sahabëve.

Daudi dhe Ibën Hazmi janë të mendimit se ështe lejuar që personi që është fizikisht i papastër (qoftë për shkak të kryerjes së marrëdhënieve seksuale apo për shkak të menstruacioneve) ta prekë apo ta mbajë Kuranin. Ata nuk shohin ndonjë problem në lidhje me një veprim të tillë. Daudi dhe Ibën Hazmi e bazon gjykimin e tij tek një hadith që përmendet në të dy sahihet, ku thuhet se Profeti (a.s.) i dërgoi një letër Herakliut me këtë përmbajtje:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. . . O njerëz të librit, ejani në një fjalë (shpallje) e cila është e përbashkët midis nesh dhe jush: Të mos adhurojmë zot tjetër përveç Allahut, të mos i bëjmë shok Atij dhe të mos konsiderojmë njëri-tjetrin si zota përveç Allahut!” E nëse ata refuzojnë, ju thoni:

فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Dëshmoni pra, se ne iu nënshtruam Atij (Allahut)”.[12] (Ali Imran, 64)

Ibën Hazmi thotë: “Pejgamberi (a.s.) ka dërguar letër te të krishterët, në të cilën kishte ajet kuranor e ai ishte i sigurt se ata do ta preknin atë. Por shumica e dijetarëve kanë thënë thënë se bëhet fjalë për letër dhe nuk ka ndonjë pengesë për prekjen e përmbajtjes së saj (ajetet kuranore), siç janë fletushkat, librat e tefsirit, fik’hut etj., ngase përmbajtje të tilla nuk mund të quhen Kuran dhe nuk mund të konfirmohet se një veprim i tillë është i ndaluar.

4- Këndimi i Kuranit

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, personi i cili është fizikisht i papastër (si rezultat i kryerjes së marrëdhënieve seksuale), nuk duhet të këndojë ndonjë ajet nga Kurani. Një mendim i tillë bazohet në hadithin e Aliut (r.a.), në të cilin ai ka thënë se asgjë nuk e pengonte të Dërguarin e Allahut nga këndimi i Kuranit, përveç papastërtisë seksuale.[13] Ky hadith transmetohet nga katër autorët e “Es-Sunen”. Tirmidhiu dhe të tjerë thonë se ky hadith është sahih.

Hafidh ibën El-Haxher thotë në “El-Fet’hu-El-Bari”: “Disa dijetarë thonë se treguesit e këtij hadithi janë të dobët. Por në fakt, ai është hadith hasen dhe është i vlefshëm për argumentim”.

Gjithashtu, Aliu (r.a.) ka transmetuar: “E pashë të Dërguarin e Allahut të merrte abdes dhe të këndonte diçka nga Kurani, pas të cilit ai tha: “Kështu duhet të veprojë ai që nuk është i papastër, ndërsa xhunubi nuk bën të lexojë as edhe një ajet të vetëm”.[14]

Ahmedi dhe Ebu Ja’la e kanë transmetuar këtë hadith me tekstin e mësipërm. Për këtë, El Hejthemi thotë: “Transmetuesit e këtij hadithi janë njerëz të besueshëm”. Ndërsa Sheukani thotë: “Nëse ai (transmetimi) është autentik, atëherë është një argument i mjaftueshëm që një veprim i tillë është i ndaluar”.

Hadithi i parë nuk e ndalon këndimin e Kuranit, sepse ai vetëm thekson se ishte zakon i Profetit (a.s.) që të mos e lexonte Kuranin gjatë periudhës së papastërtisë pas marrëdhënieve intime. Transmetime të ngjashme me këtë nuk janë të vlefshme për të konstatuar se një veprim është i urryer. E si mund të argumentojmë me të për ndalim?

Buhariu, Tabaraniu, Daudi dhe Ibën Hazmi janë të mendimit se është e lejuar për personin që është i papastër (pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale) të këndojë Kuran.

Buhariu citon se Ibrahimi ka thënë: “Nuk ka asnjë problem nëse një grua me menstruacione lexon ndonjë ajet. Edhe Ibën Abasi thotë se është e lejuar që një person i papastër (pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale) të këndojë Kuran. Profeti (a.s.) e përmendte Allahun në të gjitha gjendjet që ndodhej”. Ibën Haxher thotë: “Nuk ekziston ndonjë hadith autentik, i transmetuar nga autori (Buhariu) që lidhet me ndalimin e këndimit të Kuranit nga ana e atij personi që është i papastër (për shkak të kryerjes së marrëdhënieve seksuale apo për shkak të menstruacioneve), edhe se disa të tjerë mendojnë se përgjithësisht konstatime të tilla krijojnë një bazë për argumentim. Megjithatë shumica e tyre mund të interpretohen”.

5- Qëndrimi në xhami

Për personin që është fizikisht i papastër (për shkak të kryerjes së marrëdhënieve intime apo të menstruacioneve) është i ndaluar qëndrimi në xhami.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Erdhi Pejgamberi (a.s.) dhe pa lëvizje nëpër xhami, ngase shtëpitë e sahabëve të Profetit (a.s.) kishin dalje për në xhami. Ai u tha: “Ktheni këto shtëpi (hyrje) nga ana tjetër!” Pastaj Pejgamberi (a.s.) hyri, kurse ata nuk kishin marrë asgjë, me shpresë se Allahu do të zbresë ndonjë ajet që të lejonte veprimin e tyre. Pejgamberi (a.s.) doli prapë dhe tha: “Ktheni hyrjet e shtëpive nga ana tjetër, pasi unë nuk e lejoj xhaminë si vend për gruan me menstruacione e as për atë që është i papastër (xhunub)”.[15] Transmeton Ebu Daudi.

Umu Seleme transmeton se njëherë, Profeti (a.s.) hyri tek oborri i xhamisë dhe tha me zë të lartë: “Xhamia nuk është vend për njerëzit e papastër (xhunubë) dhe për gratë me menstruacione”.[16] Transmeton Ibën Maxhe dhe Tabaraniu.

Të dy hadithet argumentojnë se nuk lejohet qëndrimi në xhami për gratë me menstruacione e as për atë që është i papastër (xhunub). Por kjo kategori njerëzish mund të kalojë përmes xhamisë sepse Allahu thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تَقْرَبُوا الصَّلاَةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى حَتَّى تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ وَلاَ جُنُبًا إِلاَّ عَابِرِي سَبِيلٍ حَتَّى تَغْتَسِلُوا

“O ju që besuat! Mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni e as duke qenë të papastër (pas kryerjes së marrëdhënieve intime), derisa të laheni, vetëm në rast se jeni udhëtarë”. (En-Nisa, 43)

Xhabiri tregon: “Ndonjëri nga ne kalonte përmes xhamisë, ndërkohë që ishte i papastër (xhunub)”. Transmetohet nga Ibën Ebu Shejbe dhe Seid ibën Mensuri në Sunenin e tij.

Zejd ibëm Hubejb thotë se disa nga ensarët kishin dalje për në xhami dhe kur bëheshin të papastër (nga marrëdhëniet intime) e nuk gjenin ujë, për ta kërkuar atë patjetër duhet të kalonin nëpër xhami. Prandaj Allahu zbriti ajetin: “…vetëm në rast se jeni udhëtarë”.[17] Transmeton Ibën Xheriri.

Zejd ibën Eslem thotë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut ecnin përmes xhamisë, ndërkohë që ishin të papastër (xhunubë)”.[18]

Duke komentuar në lidhje me transmetimet e mësipërme, Sheukani thotë: “Kuptimi i transmetimeve është shumë i qartë dhe nuk ka vend për dyshime”.

Aishja (r.a.) ka thënë: “Profeti më tha: “Ma merr rrobën në xhami!”. Unë i thashë: “Jam me menstruacione”. Ai tha: “Menstruacionet e tua nuk janë në dorën tënde”.[19] Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut.

Mejmune (r.a.) ka thënë: “I Dërguari i Allahut vinte në njërën nga dhomat tona, ndërkohë që ne ishim me menstruacione. Ai e vendoste kokën në prehërin e njërës prej grave dhe këndonte Kuran. Pastaj ndonjëra nga ne i merrte rrobat e tij dhe i çonte në xhami, ndërkohë që ishim me menstraucione”.[20] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu. Transmetimi argumentohet edhe nga rrugë të tjera.

VEPRIME PËR TË CILAT PREFEROHET PASTRIMI

Kjo kategori veprimesh përfshin shpërblimin për marrjen e guslit dhe në këtë rast, mospastrimi nuk përbën ndonjë mëkat. Veprime të tilla janë:

  • Marrja e guslit përpara namazit të xhumasë

Muslimanëve u këshillohet që të marrin gusël, përpara se ata të mblidhen së bashku për namazin e Xhumasë. Në fakt, ligji islam shkon deri aty saqë urdhëron një veprim të tillë dhe e preferon në këtë ditë.

Ebu Seid ka transmetuar se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gusli në ditën e premte është detyrim(vaxhib) për çdo të rritur, ashtu sikurse është edhe parfumosja”.[21] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Këtu kuptimi i fjalës “detyrim” është se kryerja e veprimit në fjalë rekomandohet së tepërmi. Të kuptuarit e fjalës së Profetit (a.s.) rrjedh nga një ngjarje, të cilën Buhariu e ka regjistruar nga Ibën Umeri. Kjo ngjarje ka të bëjë me babanë e Ibën Umerit, Umer ibën Hatabin.

Një ditë Umer ibën Hatabi ishte duke mbajtur hytben, gjatë së cilës hyri Othmani, një nga muhaxhirët e parë prej sahabëve. Umeri e pyeti: “Çfarë momenti kohe është tani?” Othmani iu përgjigj: “Isha i zënë dhe nuk munda të kthehem në shtëpi e kur dëgjova ezanin për namaz, nuk bëra gjë tjetër vetëm se mora abdes”. Umeri i tha: “Vetëm more abdes, kur e di se i Dërguari i Allahut na ka urdhëruar të lahemi?” [22]

Duke komentuar në lidhje me këtë ngjarje, Shafiu thotë: “Othmani nuk e la namazin për të marrë gusël dhe as Umeri nuk e urdhëroi të vepronte në këtë mënyrë. Kjo gjë tregon se shokët e Profetit (a.s.) e dinin se ky urdhër ishte në dorën e secilit për t’u zbatuar. Kjo tregon se larja ditën e premte është një veprim shumë i pëlqyer”.

Muslimi transmeton se Ebu Hurejra (r.a.) ka transmetuar nga Profeti, i cili ka thënë: “Ai që merr abdes në mënyrën më të mirë dhe pastaj shkon në namazin e Xhumasë dhe dëgjon me vëmendje hytben, do të ketë mbi vete faljen e Zotit gjatë kohës midis Xhumasë dhe Xhumasë tjetër, si edhe për tre ditë të tjera”.[23]

Kurtubiu thotë: “Ky hadith tregon se larja është një veprim i pëlqyer. Përmendja e abdesit, shpërblimi dhe pranimi i tij tregojnë se marrja e abdesit është e mjaftueshme”.

Po ashtu, në “Et-Telkhis”, Ibën Haxher thotë: “Ky është një nga argumentet më të fortë që vërteton faktin se për namazin e Xhumasë, larja nuk është një veprim i detyruar”.

Thënia se larja është e pëlqyer, vjen nga fakti se nëse një person nuk lahet, atëherë kjo gjë nuk e dëmton namazin e tij. Por, nëse të tjerët bezdisen nga djersa apo era e keqe që vjen nga rrobat e tij, atëherë larja bëhet një veprim i detyruar dhe mospastrimi është i ndaluar.

Disa dijetarë thonë se pastrimi për namazin e Xhumasë është detyrim, edhe nëse moskryerja e tij nuk i dëmton të tjerët. Si argument, ata përdorin një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejra (r.a.), në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë: “Është detyrë për çdo musliman që të marrë gusël një herë në 7 ditë, duke e larë kokën dhe trupin e tij”.[24]

Buhariu dhe Muslimi i pranojnë hadithet që përmenden në lidhje me çështjen në fjalë si objektive dhe i hedhin poshtë hadithet që i kundërshtojnë ato.

Koha e marrjes larjes për namazin e Xhumasë është ndërmjet agimit dhe kohës së faljes. Është e preferueshme që një veprim i tillë të bëhet përpara nisjes për në xhami. Nëse personi e prish abdesin pas pastrimit, atij i mjafton vetëm të marrë sërish abdes (nuk është e nevojshme të përsëritet larja).

El Ethremi tregon se ka dëgjuar Ahmedin, kur u pyet se: “Nëse një person fillimisht pastrohet dhe më pas e prish abdesin, a do të ishte një veprim i mjaftueshëm marrja e abdesit të ri?”. Ahmedi është përgjigjur: “Po!”. Ahmedi synon në atë që ka transmetuar Ibën Ebi Shejbe me varg të vërtetë nga Abdurrahman Ibën Ubzi e ky nga babai i tij, i cili ka qenë prej sahabëve. Tregohet se ai lahej ditën e Xhumasë e nëse e prishte abdesin, mjaftohej me përsëritjen e abdesit pa u larë sërish.

Koha e lajes së Xhumasë mbaron me kohën e faljes së namazit. Nëse gusli merret pas namazit të Xhumasë, atëherë ai nuk quhet më gusli i namazit të Xhumasë dhe ai që vepron në këtë mënyrë, nuk i bindet urdhërit të Profetit (a.s.).

Ibn Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Përpara se të vini për të falur namazin e Xhumasë, ju duhet të laheni!”.[25]

Transmeton “Grupi”. Ndërsa Muslimi e transmeton në këtë mënyrë: “Kur ndonjëri prej jush vjen për të falur namazin e Xhumasë, ai duhet të lahet”.[26]

Ibn Abdul Berri thotë se ekziston një mendim unanim në lidhje me këtë çështje.

  • Larja për namazet e bajrameve

Dijetarët e kanë parë si veprim të mirë larjen për namazet e bajrameve, edhe pse nuk ekziston ndonjë hadith autentik për ta mbështetur këtë mendim.

Në “El Bedr El Munir”, thuhet: “Hadithet që kanë të bëjnë me marrjen e guslit për namazet e Bajrameve, janë të dobëta. Por, ka transmetime të mira nga shokët e Profetit (mbi këtë çështje)”.

  • Pastrimi pas larjes së të vdekurit

Sipas shumicës së dijetarëve, pastrimi është një veprim i pëlqyer për personin që ka larë një njeri të vdekur.

Ebu Hurejra (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Ai që lan një kufomë duhet të lahet, ndërsa ai që mbart një kufomë duhet të marrë abdes”[27] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe të tjerë.

Megjithatë, ekzistojnë kritika në lidhje me këtë hadith. Ali ibën El Medeni, Ahmedi, Ibën Mundhiri, Rafiu dhe të tjerë, thonë se dijetarët nuk kanë cilësuar ndonjë gjë autentike në lidhje me këtë kapitull. Por, Ibën Haxher citon Tirmidhiun dhe Ibën Hibanin: “Tirmidhiu e klasifikoi këtë hadith si hasen, ndërsa Ibën Hibani si sahih. Dhe, për shkak të zinxhirëve të shumtë të tij, ky hadith është më tepër i shkallës hasen”.

Neveviu e kundërshton atë çfarë ka thënë Tirmidhiu, por kjo është e papranueshme. Ndërsa Dhehebiu thotë: Zinxhirët e transmetimit të këtij hadithi janë më të fortë se zinxhirët e shumë haditheve, të cilat i përdorin si argumente dijetarët”. Tek hadithi rregulli nënkupton preferencë. Kjo bazohet në atë çka është transmetuar nga Umeri (r.a.), i cili ka thënë: Ne e kishin zakon t’i lanim të vdekurit. Disa prej nesh pastroheshin dhe disa të tjerë jo”.[28] Transmeton El Hatibi me zinxhir sahih.

Kur Esma bint Umejs e lau trupin e burrit të saj të vdekur, Ebu Bekër Es-Sidikut (r.a.), ajo pyeti të pranishmit nga muhaxhirët[29] dhe tha: “Sot është shumë ftohtë dhe unë jam agjërueshëm. A duhet të lahem (pasi e ka larë)?” Ata iu përgjigjën: “Jo!”.[30]

  • Larja për veshjen e ihramit

Sipas dijetarëve, pëlqehet larja për atë njeri që do të veshë ihramin për haxh apo umre. Zejd ibën Thabit transmeton se e ka parë të Dërguarin e Allahut të merrte gusël, kur ai kishte për qëllim të kryente haxhin apo umrën.[31] (Të vishte petkun për haxh apo umre). Transmeton Darakutni, Bejhakiu dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar këtë hadith si hasen. Usaili thotë se ky hadith është i dobët.

  • Larja para hyrjes në Mekë

Marrja e guslit është gjithashtu një veprim i pëlqyer edhe për një person i cili dëshiron të hyjë në qytetin e shenjtë të Mekës. Transmetohet se kur shkonte në Mekë, Ibën Umeri e kalonte natën në Dhi-Taua dhe hynte në Mekë të nesërmen gjatë ditës. Ai thoshte se Profeti (a.s.) ndiqte të njëjtën praktikë.[32]

Ibën El Mundhiri thotë: “Të gjithë dijëtarët thonë se larja është diçka e preferuar përpara hyrjes në Mekë, por nëse ndonjë njeri nuk vepron kështu, ai nuk është i detyruar të bëjë ndonjë shpagim të caktuar. Shumica e dijetarëve thonë se mjafton vetëm marrja e abdesit të rregullt”.

  • Larja për qëndrimin në Arafat

Edhe ndalimi në Arafat e bën pastrimin një veprim të pëlqyer. Malik ibën Nefi’e transmeton se Ibën Umeri pastrohej për të veshur ihramin, për hyrje në Mekë dhe për qëndrimin në Arafat.[33]

Parimet e guslit

  • Qëllimi (Nijeti)

Ky veprim nënkupton dallimin e veprave të adhurimit nga veprat e tjera të zakonshme. Qëllimi është vetëm çështje e zemrës dhe nuk duhet të thuhet me fjalë, pasi një gjë e tillë do të ishte një risi (bidat). Ajo që bëjnë shumica e njerëzve duke e bërë traditë shqiptimin me gojë të nijetit llogaritet si një veprim i paligjshëm, prej të cilit duhet të largohemi. Për këtë kemi folur mbi kapitullin për abdesin.

  • Larja e të gjitha pjesëve të trupit

Kjo bazohet në argumentin e mëposhtëm:

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

Nëse jeni të papastër, atëherë pastrohuni (lahuni)!”, që nënkupton pastrimin e tërësishëm, dhe: “Të pyesin ty për menstruacionin. Thuaj: “Ajo është një gjendje e keqe shëndetësore, pra mos iu afroni grave (për marrdhënie me to) gjatë kësaj periudhe, derisa ato të pastrohen”, pra, derisa ato të pastrohen. Argumenti se pastrimi nënkupton larjen, qëndron në ajetin kuranor: “O ju që keni besuar! Mos iu afroni namazit kur jeni të pirë, derisa të dini se çfarë thoni, dhe as kur jeni të papastër, vetëm në rastet kur jeni udhëtarë, derisa të laheni”. Kjo tregon se bëhet fjalë pikërisht për pastrimin, larjen e të gjitha pjesëve të trupit.

Sunetet e guslit

Sipas praktikës së Profetit (a.s.) mënyra e saktë për të marrë gusël është si më poshtë:

  1.   Larja e secilës dorë tre herë
  2.   Larja e organit gjenital
  3. Marrja e plotë e abdesit (sikurse për namaz -Profeti (a.s.) e vononte larjen e këmbëve deri në fund të guslit të tij)
  4. Hedhja ujë mbi kokë tre herë duke e fërkuar dhe duke e lënë ujin që të arrijë deri në rrënjët e flokëve
  5. Hedhja ujë mbi të gjithë trupin, duke filluar me anën e djathtë, pastaj në të majtën, duke e larë pjesën nën sqetulla, brenda veshëve, brenda kërthizës, mes gishtërinjve të këmbëve si dhe çdo pjesë tjetër të trupit.

Kjo linjë veprimi bazohet në hadithin e transmetuar nga Aishja (r.a): “Kur Profeti (a.s.) bënte banjë, pas kryerjes së marrëdhënieve intime, ai fillonte me larjen e duarve. Pastaj, me dorën e tij të djathtë hidhte ujë mbi të majtën dhe lante organin e tij gjenital, merrte abdes si për namaz, merrte pak ujë dhe i vendoste gishtërinjtë e tij në rrënjët e flokëve, derisa e shihte se lëkura lagej, më pas hidhte ujë mbi kokën e tij tre herë dhe pastaj mbi pjesën tjetër të trupit”.[34]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai e fërkonte kokën me duart e tij, derisa sigurohej që uji kishte arritur në lëkurë e më pas ai hidhte ujë mbi të (kokë), tre herë”.

Gjithashtu, transmetohet se ajo ka thënë: “Kur Profeti (a.s.) merrte gusël pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, ai kërkonte ujë, të cilin e hidhte në dorën e tij të djathtë për të larë anën e djathtë të kokës së tij dhe pastaj pjesën tjetër. Pas kësaj, ai merrte ujë me të dyja duart dhe e derdhte atë mbi kokën e tij”.[35]

Mejmuna (r.a.) tregon: “Unë i dhashë ujë të Dërguarit të Allahut që ai të merrte abdes me të. Ai lau duart dy apo tre herë dhe pastaj hodhi ujë nga dora e djathtë tek ajo e majta dhe lau pjesët intime. Më pas, i fshiu duart përtokë, shpëlau gojën dhe hundën, lau fytyrën dhe duart, fërkoi kokën tre herë, pastaj hodhi ujë mbi trupin e tij e në fund lëvizi nga vendi dhe lau këmbët. Unë i çova një peshqir, por ai nuk e mori, sepse e shkundi ujin me duart e tij”.[36] Transmeton “Grupi”.

Gusli për gratë

Gruaja merr gusël në të njëjtën mënyrë sikurse edhe burri. Në rast se ajo i ka flokët me gërsheta, atëherë nuk është e nevojshme t’i zgjidhë ato, por duhet të kujdeset që uji të arrijë në rrënjët e flokëve të saj.

Njëherë, Umu Seleme e ka pyetur Profetin (a.s.): “O i Dërguar i Allahut! Unë i kam të lidhur flokët gërsheta. A duhet t’i zgjidh ato kur marr gusël, pas kryerjes së marrëdhënieve intime?” Ai i është përgjigjur: “Jo, është e mjaftueshme për ty që të hedhësh tre grushta ujë mbi kokë dhe pastaj të hedhësh ujë mbi të gjithë trupin. Pasi ta kesh bërë këtë, ti je pastruar”.[37] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Tirmidhiu, i cili e klasifikon këtë hadith si hasen-sahih.

Ubejd ibën Umejri transmeton se njëherë, Aishja (r.a.) mori vesh se Abdullah ibën Umer i urdhëronte gratë të zgjidhnin gërshetat (për marrjen e guslit). Ajo tha: “Është e habitshme se si Ibën Umeri i urdhëron gratë të zgjidhin gërshetat e tyre për marrjen e guslit. Atëherë, pse nuk u thotë t’i rruajnë kokat e tyre? Unë dhe i Dërguari i Allahut laheshim nga e njëjta enë dhe e gjitha çfarë unë bëja, ishte hedhja e tre grushtave ujë mbi kokën time”.[38] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Është gjë e mirë që gruaja e cila lahet për t’u pastruar nga menstruacionet apo nga gjakrrjedhja pas lindjes së fëmijës, të përdorë pambuk të lyer me misk apo me parfum dhe të fërkojë gjurmët e gjakut me të. Një veprim i tillë do ta largojë erën e keqe të gjakut të menstruacioneve.

Aishja (r.a.) tregon se Esma bint Jazidi e pyeti njëherë të Dërguarin e Allahut në lidhje me guslin e gruas, pas mbarimit të menstruacioneve dhe ai i tha: “Ajo duhet të përdorë ujë të përzier me gjethe zambaku dhe të pastrohet. Pastaj ajo duhet të hedhë ujë mbi kokën e saj dhe ta fërkojë atë mirë, derisa uji të arrijë rrënjët e flokëve dhe pastaj të hedhë përsëri ujë. Më pas, ajo duhet të përdorë një copë pambuku të lyer me misk dhe ta pastrojë veten me të”. Esma e pyeti: “Në ç’mënyrë duhet të pastrohet ajo me këtë pambuk?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “I lartësuar qoftë Allahu, ajo duhet ta pastrojë veten e saj me të”. Aishja (r.a.) i tha me zë të ulët se ajo duhet të fërkojë me këtë pambuk shenjat e gjakut. Pastaj, Esma pyeti në lidhje me larjen e gruas, pas kryerjes së marrëdhënieve me bashkëshortin. Ai tha: “Ajo duhet të marrë ujin dhe ta pastrojë veten mirë, të hedhë ujë mbi kokë dhe ta fërkojë atë, derisa ai të arrijë rrënjët e flokëve, dhe pastaj ajo duhet të hedhë ujë mbi veten e saj”. Aishja (r.a.) thotë: “Sa të mira janë gratë e ensarëve[39] të cilat nuk i pengon turpi për të mësuar në lidhje me fenë e tyre!”[40] Transmeton “Grupi” përveç Tirmidhiut.

Çështje që lidhen me guslin

1- Një larje është e mjaftueshme si për menstruacionet ashtu edhe për papastërtinë (xhunubllëkun) ose namazin e Xhumasë dhe të Bajramit, apo për papastërtinë pas marrëdhënieve intime dhe namazin e Xhumasë. Kjo vlen gjithmonë, vetëm nëse personi që vepron në këtë mënyrë, i ka për qëllim të dyja rastet. Ky veprim bazohet në thënien e Profetit (a.s.): “Të gjitha veprat e kanë bazën e tyre tek qëllimet.[41]

2- Nëse një njeri ka marrë gusël pas kryerjes së marrëdhënieve por nuk ka marrë abdes, atëherë gusli i mjafton atij. Aishja (r.a.) ka thënë: “I Dërguari i Allahut nuk merrte abdes pas guslit”.[42]

Njëherë, Ibën Umeri i tha një burri, i cili i kishte treguar se kishte marrë abdes pas guslit: “Paske shkuar shumë larg!”.

Ebu Bekër ibën El Arabiu thotë: “Të gjithë dijetarët janë të mendimit se abdesi hyn tek kategoria e guslit. Nëse qëllimi i larjes ka të bëjë me heqjen e papastërtive seksuale (pas kryerjes së marrëdhënieve), atëherë ky qëllim përfshin

gjithashtu edhe heqjen e papastërtive më të vogla, të cilat bëhen shkak për marrjen e abdesit”.

3- Lejohet që personi i cili është i papastër (xhunub) apo gruaja me menstruacione, të presë flokët, thonjtë, të shkojë për të bërë pazarin etj. A’taja thotë se njerëz të tillë mund të lëshojnë gjakun nga venat, të presin flokët dhe thonjtë e tyre dhe se kjo gjë është e lejuar edhe nëse ai (ose ajo) nuk ka marrë abdes të rregullt.[43] Transmeton Buhariu.

4- Nuk ka problem që një person të hyjë në një banjë publike, për sa kohë që ai i ruan pjesët e tij intime dhe për sa kohë që nuk i shikon pjesët intime të të tjerëve.

Ahmedi thotë: “Nëse je i sigurtë se të gjithë personat që janë në banjë i kanë të mbuluara pjesët e tyre intime, atëherë mund të hysh. Nëse jo, atëherë mos hyr!”.

Profeti (a.s.) ka thënë: “Burri nuk duhet t’i shikojë pjesët intime të një burri tjetër dhe gruaja nuk duhet t’i shikojë pjesët intime të një gruaje tjetër”.[44]

Nuk ka problem nëse në banjot publike, përmendet emri i Allahut. Një përmendje e tillë është e mirë në çfarëdo lloj rrethane, meqë nuk ka ndonjë argument për ndalimin e saj. Profeti (a.s.) e përkujtonte Allahun në të gjitha rrethanat.

5- Nuk ka ndonjë problem nëse fshirja, pas marrjes së abdesit apo të guslit, bëhet me peshqir apo me ndonjë copë tjetër. Një gjë e tillë vlen si për stinën e dimrit ashtu edhe për atë të verës.

6- Është e lejuar që burri të përdorë ujin e lënë nga gruaja si dhe anasjelltas. Një lejim i tillë rrjedh nga fakti që ata mund të lahen së bashku nga e njëjta enë. Ibën Abasi tregon se disa prej grave të Profetit (a.s.) morën gusël nga një enë. Më pas erdhi Profeti (a.s.) që të marrë abdes apo gusël nga e njëjta enë. Ato i thanë: “Ishim xhunub!”. Ai u përgjigj: “Uji nuk ndotet”.[45] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar këtë hadith si të vërtetë.

Aishja (r.a.) lahej me Profetin (a.s.) nga e njëjta enë dhe ata e merrnin ujin me radhë, herë njëri e herë tjetri derisa ai i thoshte: “Lër pak ujë edhe për mua”. Edhe ajo i thoshte: “Lër pak edhe për mua!”.[46]

7- Larja zhveshur përpara të tjerëve është një veprim i ndaluar. Kjo për faktin se është i ndaluar zbulimi i pjesëve intime të trupit. Nëse mbulohet me ndonjë copë, atëherë lejohet.

Fatimja e mbulonte Pejgamberin (a.s.) me një copë dhe ai lahej.

Nëse dikush lahet duke qenë i zhveshur, pra larg syve të njerëzve, atëherë kjo gjë nuk është e ndaluar. Buhariu transmeton se Musai (a.s.) është larë i zhveshur.[47]

Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ndërsa Ejubi lahej zhveshur, pranë tij filluan të bien karkaleca ngjyrë ari dhe Ejubi filloi t’i tuboi ata në rrobat e veta. Allahu e thirri e i tha: “O Ejub, a nuk të kam dhënë më shumë se kjo që je duke parë?” Ejubi tha: “Po, pasha madhërinë Tënde, por unë nuk ngopem me mirësitë e Tua”.[48] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Nesai.


[1] Muslimi 774, Ebu Daudi 217.

[2] Buhariu 130,282,3328,6091,6121, Muslimi 710, Tirmidhiu 122, Ibën Maxheh 600.

[3] Hadith Sahih. “El Irva” 125. E ka nxjerrë Ebu Daudi 206, Nesai 193, Ahmedi 1/109.

[4] Hadith Meudu – i trilluar. “Ed Daife” 5159, “El Mishkat” 217, “Daifeu et Targib” 66, “Daiful Xhami” 1931, “Tamamul Mineh” 115. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2681, Ibën Maxheh 222.

[5] Fjala është për pjesën që zbulohet pas synetllëkut.

[6] Me zina kuptojmë marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore. – Shënim i redaktorit.

[7] Dy duart dhe këmbët e gruas.

[8] Buhariu 291, Muslimi 781, Ebu Daudi 216, Nesai 191, Ibën Maxheh 610, Ahmedi 2/347.

[9] Hadith Sahih. “El Irva” 80. E ka nxjerrë Muslimi 783, Ebu Avane 1/289, Bejhakiu 1/164, Ahmedi 6/47,97,112,265.

[10] Buhariu 228, Muslimi 751, Tirmidhiu 125, Nesai 357, Ibën Maxheh 621.

[11] Ahmedi 2/246,247,452.

[12] Buhariu 7, 51, 2681, Muslimi 4583, Ebu Daudi 5136, Tirmidhiu 2718.

[13] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 116, “El Irva” 192,485, “El Mishkat” 460. E ka nxjerrë Ebu Daudi 229, Tirmidhiu 146, Nesai 265, Ibën Maxheh 594.

[14] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 117, “El Irva” 2/243. E ka nxjerrë Ahmedi 1/110.

[15] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 119. E ka nxjerrë 232.

[16] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 118. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 645, Ebu Daudi 31.

[17] Hadith Mursel që nuk të kënaq. “Tamamul Mineh” 119. E ka nxjerrë Taberani 8/384.

[18] Transmeton Ibën El Mundhiri.

[19] Muslimi 687, Ebu Daudi 261, Tirmidhiu 134, Nesai 271,382, Ibën Maxheh 632.

[20] Hadith Hasen. “El Irva” 1/213. E ka nxjerrë Ahmedi 6/331,334, Nesai 1/53.

[21] Buhariu 880, Muslimi 1957, Ebu Daudi 344, Nesai 1374,1382.

[22] Buhariu 877, Muslimi 1952.

[23] Muslimi 1985, Ebu Daudi 1050, Tirmidhiu 498, Ibën Maxheh 1090.

[24] Buhariu 896, 3486, Muslimi 1960,1975, Nesai 1366.

[25] Buhariu 882, Muslimi 1953, Ebu Daudi 340, Nesai 1376, Tirmidhiu 492, Ibën Maxheh 1088, Ahmedi 2/3, Darimi 1/361, Bejhakiu 1/293,295, Ibën Huzejme 3/125,126.

[26] Muslimi 1948, Bejhakiu 1/297.

[27] Hadith Sahih. “El Irva” 144. E ka nxjerrë Ahmedi 2/454, Ebu Daudi 3162, Tirmidhiu 993, Ibën Maxheh 1463, Bejhakiu 1/303.

[28] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 121, “Ahkamul Xhenaiz” 54. E ka nxjerrë El Hatib el Bagdadi në “Historinë” e tij 5/424, Darakutni 191.

[29] Kështu u quajtën banorët e Mekës që emigruan në Medine së bashku me Profetin (a.s.). – Shënim i redaktorit.

[30] Ether Daif. “Tamamul Mineh” 121. E Transmeton Maliku në Muata 1/222,223.

[31] Hadith Hasen. “El Irva” 149. E ka nxjerrë Tirmidhiu 830, Ed Darimi 2/31, Darakutni f.256, Bejhakiu 5/32.

[32] Buhariu 1553,1573,1769, Muslimi 3034, Ebu Daudi 1865.

[33] Sahih Meukuaf ala Ibën Umer. Maliku 1/264.

[34] Buhariu 248, Muslimi 316. Teksti i përmendur është tek Muslimi.

[35] Buhariu 258, Muslimi 723, Ebu Daudi 240, Nesai 422.

[36] Pjesën e parë të hadithit e transmeton Buhariu 257, ndërsa pjesën tjetër të hadithit e transmeton Muslimi 720, Ebu Daudi 245, Nesai 253, Tirmidhiu 103, Ibën Maxheh 467, Darakutni 1/114. Që të gjitha janë transmetime të përafërta por të ndryshme nga transmetimi i Buhariut.

[37] Muslimi 742, Ebu Daudi 251, Tirmidhiu 105, Nesai 241, Ibën Maxheh 603.

[38] Ahmedi 6/43, Muslimi 745, Nesai 414, Ibën Maxheh 604, Ibën Huzejme 274.

[39] Fjalë për fjalë ensar do të thotë ndihmëtar. Kështu u quajtën banorët vendas të Medines për bujarinë, mikpritjen e madhe dhe ndihmën që i ofruan Profetit (a.s.) dhe muhaxhirëve. – Shënim i redaktorit.

[40] Me këtë tekst të plotë e transmeton nga grupi vetëm Muslimi 748, Ebu Daudi 314, Ibën Maxheh 642 dhe Ahmedi 6/147-148 dhe shprehja e përmendur është e këtij të fundit. Ndërsa pjesa tjetër e grupit, Buhariu dhe Nesai 251 transmetojnë vetëm pjesën e parë të tij pa pyetjen e guslit të xhenabetit. “Tamamul Mineh” 124.

[41] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[42] Hadith Sahih. “Tamamul Mineh” 129, “Mishkatul Mesabih” 445. E ka nxjerrë Ebu Daudi 250, Nesai 252, Tirmidhiu 107, Ibën Maxheh 579.

[43] Buhariu e ka përmendur Mualak (pa sened) në kapitullin e Guslit.

[44] Muslimi 766, Ebu Daudi 4018, Tirmidhiu 2793, Ibën Maxheh 661.

[45] Hadith Sahih. “El Irva” 27, “El Mishkat” 457. E ka nxjerrë Ebu Daudi 68, Tirmidhiu 65, Ibën Maxheh 370, Ahmedi 1/235,284,308.

[46] Muslimi 730, Nesai 238,412, Ahmedi 6/91,103.

[47] Buhariu 278.

[48] Ahmedi 7812, Buhariu 279, Nesai 396.