HADITHET E SAKTA TË “EL XHAMIU ES SAGIR” DHE SHTOJCA E TIJ (1)
Autor: Muhamed Nasirudin el Albani
Autori i “El Xhamiu es Sagir” – Përmbledhësi i Vogël – : Xhelaluddin es Sujuti
Përktheu: Dr. Bledar Albani
Hadithet që fillojnë me shkronjën Elif – në arabisht
- “Do të shkoj te dera e Xhenetit dhe do të kërkoj që të më hapet, ndërsa el Hazin (engjëlli rojë i tij) tha: Kush je ti? – Muhamedi, i thashë. – Për ty jam urdhëruar që ta hap derën dhe për askënd tjetër para teje.”
[Sahih – i saktë] / (Ahmedi në Musned, Muslimi); nga Enesi / Es Sahiha 774.
- “Gjëja e fundit që kanë arritur njerëzit nga fjalët e profetësisë së parë (nga Ademi), është fjala: “Kur nuk ke turp, vepro ç’të duash!” (Kjo përmban dy kuptime: 1. Kërcënim dhe paralajmërim për të keqen që pason nga kryerja e veprës së turpshme; 2. Lejim të kryerjes së çdo vepre që nuk është e turpshme dhe me të cilën nuk do të turpërohesh.)
[Sahih] / (Ibën Asakir në “et Tarih”); nga Ebi Mesud el Bedri / Es Sahiha 684.
- “Të fundit që do të ringjallen do të jenë dy barinj nga Muzine, të cilët po shkonin në Medine duke u krakëllitur deleve të tyre, por i gjetën ato të shndërruara në egërsira (ose: e gjetën Medinen të pushtuar nga egërsirat, sepse nuk kishte më njerëz në të). Kur mbërritën në Grykën e Thenijes (pranë Medines), ranë në tokë mbi fytyrat e tyre (vdiqën).”
[Sahih] / (El Hakim); nga Ebu Hurejra / Es Sahiha 683.
- (1)[1] “I fundit që do të hyjë në xhenet është një burrë i cili do të ecë mbi urën e Siratit; një herë me ecje në këmbë, një herë këmba-doras e një herë tjetër e godet gjuha e flakës së zjarrit. Kur ta kalojë urën, do të kthehet nga ajo dhe do të thotë: I Madhëruar qoftë Ai, i Cili më shpëtoi prej teje! Allahu më ka dhënë mua atë që nuk ia ka dhënë askujt prej të parëve dhe as prej të fundit. Pastaj para syve të tij ngrihet një pemë dhe ai thotë: O Zoti im! Më afro tek ajo pemë që të pushoj nën hijen e saj dhe të pij prej ujit të saj! – Allahu thotë: O biri i Ademit (o njeri)! Se mos më kërkon tjetër përveç saj, nëse Unë ta jap atë? – Jo, O Zoti im! – Dhe i jep fjalën se nuk do të kërkojë tjetër përveç saj, ndërsa Zoti i tij e justifikon atë, pasi që ai shihte diçka të cilës nuk mund t’i rezistonte dot. Kështu që e afron tek ajo dhe ai qëndron nën hijen e saj dhe pi prej ujit të saj.
Më pas, para syve të tij ngrihet një pemë tjetër, më e bukur se e para, dhe ai thotë: O Zoti im! Më afro tek ajo, që të pij nga uji i saj dhe të qëndroj nën hijen e saj, dhe nuk të kërkoj asgjë tjetër! – O biri i Ademit! A nuk më dhe fjalën se nuk do të më kërkoje tjetër përveç asaj? Nëse Unë të afroj tek ajo, ti ndoshta më kërkon diçka tjetër? – Ndërsa ai i jep fjalën se nuk ka për të kërkuar gjë tjetër përveç asaj. Ndërsa Zoti i tij e justifikonte atë, sepse ai shihte diçka të cilës nuk mund t’i rezistonte, kështu që e afron tek ajo dhe ai qëndron nën hijen e saj dhe pi nga uji i saj.
Më pas, para tij ngrihet një pemë tjetër tek dera e xhenetit, edhe më e bukur se dy të parat. Ky thotë: O Zoti im! Më afro tek ajo, që të pushoj nën hijen e saj dhe të pij nga uji i saj, dhe nuk të kërkoj asgjë tjetër!
– O biri Ademit! A nuk më dhe fjalën se nuk do të më kërkoje gjë tjetër?
– Po, o Zoti im! Më afro tek ajo, dhe nuk kam për të kërkuar më asgjë!
Zoti i tij e justifikonte atë, sepse ai shihte diçka të cilës nuk mund t’i rezistonte, kështu që e afron tek ajo. Kur ai afrohet tek ajo, dëgjon zërat e banorëve të xhenetit, dhe thotë: O Zoti im! Më fut në të!
– O biri Ademit! Cila është ajo që të kënaq dhe që e prêt kërkesën tënde drejtuar Mua? A do të kënaqeshe sikur të të jepja dynjanë dhe një herë tjetër si ajo?
– O Zoti im! A tallesh me mua, ndërsa Ti je Zoti i botëve?!
– Unë nuk tallem me ty, por Unë Jam i Gjithëfuqishëm për gjithçka që dua.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Muslimi); nga Ibën Mesudi / Muhtesar Muslim 88.
[1] Ky numër i brendshëm është shtesa e Xhamiu es Sagir, të cilën e ka shtuar shejh En Nebhani.
- (2) “Ngrënësi i kamatës (fajdeve), dhënësi i saj, shkruesi i saj dhe dy dëshmitarët (e aktit ku përfshihet kamata), nëse e dinë këtë gjë (që është kamatë); ajo grua që bën tatuazhe dhe ajo të cilës i bëhet tatuazhi për t’u zbukuruar; mosdhënësi i Zekatit dhe dezertuesi nga feja për t’u rikthyer në shkretëtirë, pas emigrimit (të parë nga Meka në Medine); të gjithë këta janë të mallkuar në gjuhën e Muhamedit në ditën e Gjykimit.”
[Sahih] / (Nesai); nga Ibën Mesudi / Tahrixh et Targib 3/93; Ibën Huzejme, Ibën Adij në el Kamil.
- (3) “Unë ha ashtu siç ha edhe skllavi (thjeshtë). Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur kjo botë të peshonte tek Allahu qoftë sa një krah mushkonje, Ai nuk do t’i jepte mosbesimtarit as edhe një gllënjkë ujë prej saj.”
[Sahih] / (Henad, në “Ez zuhd”); nga Amër ibë Murrah, mursel / El Ehadith es Sahiha 544 dhe 686.
- “Unë ha ashtu siç ha edhe skllavi (thjeshtë) dhe ulem ashtu siç ulet edhe skllavi.”
[Sahih] / Ibë Sead (Ebu Jeala në Musned, Ibën Hibani në Sahihun e tij) / Nga Aisha / Es Sahiha 544.
- “Unë ha ashtu siç ha edhe skllavi dhe ulem ashtu siç ulet edhe skllavi, sepse unë jam skllav (rob i Allahut).”
[Sahih] / Ibën Sead (Bejhakiu në Shuabul Iman) Nga Jahja ibën Ebi Kethir, Mursel / Es Sahiha 441.
- (4) “A i frikësoheni varfërisë?! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Pasuritë e kësaj bote do të derdhen mbi ju si shi (do tju hapet dhe do të pasuroheni), saqë nëse zemra e ndokujt prej jush do të devijonte (nga e verteta), nuk do ta devijonte veçse ajo (dunjaja, pasuria). Betohem për Allahun! Unë ju kam lënë në (rrugë) të bardhë, ku nata dhe dita e saj janë njësoj.”
[Hasen – i mirë] / (Ibën Maxheh); nga Ebu Darda / Es Sahiha 688.
- (5) “Ju urdhëroj për katër gjëra dhe ju ndaloj nga katër të tjera: Ju urdhëroj të besoni në Allahun, Një. A e dini ç’është besimi në Një Zot? Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut; Të falni namazin, të jepni zekatin, të agjëroni Ramazanin dhe të jepni një të pestën e plaçkës së luftës.
Dhe Ju ndaloj nga: Përdorimi i enës së bërë nga kungulli (poçja prej kungulli), enës së bërë nga trungu i palmës, qypat e lyer me jeshilë, dhe enët e lyera me katran. (Enë që përdoreshin për fermentimin e pijeve alkoolike). I mësoni mirë këto dhe tregojani atyre që do të vijnë pas jush.”
[Sahih][2] / (Buhariu dhe Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai); nga Ibën Abasi.
[2] Tërheqim vërejtjen këtu se profesori ynë, el Albani (Allahu e mëshiroftë!), nuk e ka vendosur shenjën [Sahih] në këtë hadith dhe as në disa të tjerë si ai, prej të cilave është edhe hadithi në vijim. Kjo sepse ai është mjaftuar me shenjën (B.M), d.m.th. që hadithi është transmetuar nga dy imamët e mëdhenj të hadithit, Buhariu dhe Muslimi, ose nga njëri prej atyre dyve. Megjithëse sikur ta kishte përmendur gradën e hadithit, siç ka bërë në “Sherhu el Akide et Tahavije”, do të ishte më e lehtë për studiuesin, por megjithatë, përmendja e këtyre haditheve në këtë pjesë të librit (pasi këtë libër, shejhu e ka ndarë në dy pjesë; në Sahih el Xhami dhe në Daif el Xhami), është konsiderim i tyre të sakta nga shejhu.
- “Ju urdhëroj për katër gjëra dhe iu ndaloj nga katër të tjera. Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni asgjë Atij, falni namazin, jepni zekatin, agjëroni Ramazanin dhe jepni një të pestën e plaçkës së luftës. Dhe iu ndaloj nga katër gjëra: nga fermentimi (dhe pirja) në enë prej kungulli, apo në qypa të jeshilë, në enë të lyera me katran, apo në enë të bëra prej trungut të palmës.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Muslimi) / Nga Ebi Seidi.
- “Ju urdhëroj për tre gjëra dhe iu ndaloj nga tre të tjera. Ju urdhëroj të adhuroni Allahun dhe të mos i shoqëroni asgjë Atij, të kapeni për Litarin e Allahut që të gjithë bashkë dhe të mos përçaheni, dhe të dëgjoni e të bindeni ndaj atij të cilit Allahu i ka lënë në përgjegjësi çështjen tuaj (udhëheqësit).
Dhe iu ndaloj nga thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimi i pasurisë.”
[Sahih] / (Ebu Nuajm në “El Hiljeh”); nga Ebi Hurejra / Es Sahiha 685.
- “Lërini gratë ta kenë vetë në dorë çështjen e tyre (të martesës). Gruaja e ve (që ka qenë e martuar më parë) e shpreh vetë atë që dëshiron, ndërsa pëlqimi e të virgjërës është heshtja (d.m.th. moskundërshtimi).”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir, El Bejheki në Sunen); nga el Urs ibën Umejrah / El Irva 1836.
- (6) “Lëreni jetimen ta ketë vetë në dorë çështjen e saj (të martesës); pëlqimi i saj është heshtja e saj.”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir); nga Ebi Musa / Es Sahiha 656.
- “Shenja e besimit është dashuria për ensarët (mikpritësit Medinas të emigruesëve Mekas), ndërsa shenja e hipokrizisë është urrejtja për ensarët.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Buhariu, Muslimi, Nesai); nga Enesi / Es Sahiha 668.
- “Shenjat e hipokritit janë tre: kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin dhe kur besohet për diçka, tradhton.”
[Sahih] / (Buhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Nesai); nga Ebu Hurejra.
- “Afroju vendmbjelljes tënde (bashkëshortes) si të duash (në vendin e mbjelljes së fëmijës, jo në anus), ushqeje atë kur ha edhe vetë, vishe kur vishesh vetë (bliji rroba), mos ia shaj fytyrën duke e quajtur të shëmtuar, dhe mos e godit atë!”
[Hasen] / (Ebu Daudi); nga Behz ibën Hakim; nga babai i tij; nga gjyshi i tij / Es Sahiha 687.
- “Përdoreni vajin e ullirit për gjellë dhe lyhuni me të, sepse ai del nga një pemë e bekuar.”
[Hasen] / (Ibën Maxheh, El Hakim, Bejhakiu në Shuabul Iman) / Nga Ibën Umeri / Es Sahiha 379.
- “Merrni gjellë nga kjo pemë – d.m.th. vajin e ullirit – dhe atij që i ofrohet parfum, të parfumoset prej tij.”
[Hasen] / (Taberani në El Eusat) / Nga Ibën Abasi / Es Sahiha 379.
- “Përgjigjuni ftesës kur të thirreni.”
[Sahih] / (Muslimi); nga Ibën Umeri / Sahihu Muslim 4/152.
- “I lejoni gratë të falen në xhami në namazet e natës (aksham, darkë dhe sabah).” (Meqenëse natën nuk duken dhe nëse jeni të sigurt se nuk bëhen objekt provokimi; përndryshe, namazi më i mirë i gruas është ai në shtëpinë e saj, në dhomën e saj.)
[Sahih] / (Et Tajalisi); nga Ibën Umeri / Sahihu es Sunen – është për qëllim Sunenu Ebi Daud – 577.
- “I lejoni gratë që të shkojnë për namazet e natës në xhami.” (Meqenëse natën nuk duken dhe nëse jeni të sigurt se nuk bëhen objekt provokimi; përndryshe, namazi më i mirë i gruas është ai në shtëpinë e saj, në dhomën e saj.)
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmdhiu); nga Ibën Umeri / Sahihu es Sunen 577: B.
- “Allahu ka refuzuar të ketë pendim për atë që vret një besimtar (me qëllim).”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir dhe Ed Dajau në “el Muhtara”); nga Enesi / Es Sahiha 689.
- (5) “Allahu dhe besimtarët refuzojnë që ti të kundërshtohesh, O Ebu Bekër.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned); nga Aisha / Es Sahiha 690.
- (7) “Unë të marr besën ty që të adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë Atij, të falësh namazin e detyrueshëm, të japësh zekatin, të japësh dhe ta pranosh këshillën nga çdo musliman dhe të pastrohesh nga idhujtaria.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Nesai); nga Xherir ibën Abdullah / Es Irva 1207.
- (8) “Unë ju marr besën që të mos i shoqëroni shok Allahut, të mos vidhni, të mos bëni imoralitet, të mos i vrisni fëmijët tuaj, të mos shpifni duke trilluar me qëllim gënjeshtër dhe të mos më kundërshtoni në asnjë çështje (të Fesë). Kush e mban besën e tij, shpërblimi i tij është tek Allahu. Ndërsa ai që shkel ndonjë prej këtyre dhe merr dënimin e merituar në këtë botë, ai dënim është falje e gjynahut dhe pastrim për të. Ndërsa atë që Allahu e mbulon (dhe nuk zbulohet gjynahu i tij në këtë botë), çështja e tij është tek Allahu; nëse do, e dënon atë dhe nëse do, ia fal atij.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Buhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Nesai); nga Ubade ibën es Samit.
- “Fillo me ata për të cilët je përgjegjës (në shpenzim e kujdestari).”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir); nga Hakim ibën Hizam / Muhtesar El Buhari 713, B: Zekat.
- “Fillo me veten tënde duke i dhënë lëmoshë asaj (duke plotësuar nevojat e tua të jetesës), dhe nëse tepron gjë, atëherë jepja familjes tënde, dhe nëse tepron pas dhënies familjes tënde, atëherë jepi të afërmve të tu, e nëse përsëri tepron pas dhënies atyre, atëherë vazhdo kështu sipas radhës (në afërsi gjaku, pastaj të tjerët).”
[Sahih] / (Nesai); nga Xhabiri / El Irvau 733, Muhtesar Muslim 883.
- “Prisni të freskojë koha për faljen e namazit të drekës.”
[ ] / (Ibën Maxheh) Nga Ibën Umeri dhe (Taberani në El Kebir) Nga Abdurrahman ibën Harithe).
- “Prisni të freskojë koha për faljen e namazit të drekës, sepse pisku i vapës është prej shfryrjes së Xhehenemit.”
[Sahih] / (Buhariu, Ibën Maxheh) nga Ebi Seidi; (Ahmedi në Musned, El Hakim) nga Safvan ibën Mahrame; (Nesai) nga Ebi Musa; (Tirmidhiu) nga Ibën Mesudi, (Ibën Udej në El Kamil) nga Xhabiri; dhe (Ibën Maxheh) nga el Mugira ibën Shubeh.
- (9) “Përgëzohu, o Ammar! Ty do të të vrasë pala e padrejtë (do të bjesh dëshmor).”
[Sahih] / (Tirmidhiu) nga Ebi Hurejra / Es Sahiha 710.
- (10) “Përgëzohu, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është zjarri Im, të cilin Unë e kam autorizuar kundër robit Tim besimtar në këtë botë, me qëllim që ai të jetë pjesa e tij prej zjarrit në Ditën e Gjykimit (që të mos digjet atje).”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh, El Hakim) nga Ebi Hurejra / Es Sahiha 557.
- (11) “Përgëzohuni! Sepse prej Mirësisë së Allahut mbi ju është se askush prej njerëzve nuk e ka falur namazin (e darkës) në këtë orë, përveç jush (sepse e vonuan faljen e namazit të darkës deri afër mesnatës).”
[Sahih] / (Buhariu) nga Ebi Musa / Buhariu: Kohët e faljes, Muslimi: Xhamitë.
- (12) “Përgëzohuni! Sepse njëra anë e këtij Kurani është në Dorën e Allahut, ndërsa ana tjetër në dorën tuaj, ndaj kapuni për të, sepse kështu nuk keni për t’u shkatërruar dhe nuk keni për të humbur kurrë pas tij.”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir) nga Xhubejr / Es Sahiha 713.
- “Përgëzohuni dhe përgëzoni ata që do të vijnë pas jush, se kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër (të denjë) përveç Allahut, me sinqeritet të plotë, do të hyjë në Xhenet.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Taberani në El Kebir) nga Ebi Musa / Es Sahiha 712.
- (13) “Përgëzohuni, sepse Zoti juaj hapi një derë prej dyerve të qiellit dhe i mburret engjëjve me ju, duke u thënë: Vështroni robët e Mi! Ata e kryen një detyrim (namazin e akshamit) dhe tani po presin një tjetër (namazin e darkës, duke qëndruar në xhami).”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh); nga Ibën Amër / Es Sahiha 661.
- (14) “Përgëzohu, o nëna e Ala –it, sepse sëmundja e muslimanit ia fshin atij gjynahet, ashtu si i largon (pastron) zjarri përzierjet e hekurit.”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir) nga Umu Ala / Es Sahiha 714.
- (15) “Përgëzohu, o Aishe! Sepse Allahu të ka nxjerë të pastër (në çështjen e shpifjes ndaj saj).”
[Sahih] / (Buhariu dhe Muslimi) nga Aisha / B: Tefsir, M: 8/117.
- “Burri më i urryer tek Allahu është sherrxhiu i madh hileqar.”
[Sahih] / (Buhariu dhe Muslimi, Ahmedi në Musned, Timidhiu, Nesai) nga Aisha.
- “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë tre: Ateisti që ndodhet në vend të Shenjtë (të Mekës, apo Medines), ai që kërkon në Islam shembullin (rrugën, zakonin) e injorancës (idhujtarisë para Islame) dhe ai që kërkon gjakun e një njeriu pa të drejtë, që pastaj të derdhë gjakun e tij (ta vrasë atë, ose që në fakt kërkon të vritet vetë për shkak të vrasjes së tjetrit padrejtësisht).”
[Sahih] / (Buhariu) nga Ibën Abasi / Es Sahiha 778.
- “Më gjeni të dobëtit, sepse ju furnizoheni dhe triumfoni në luftë për shkak të të dobtëve tuaj.”
[Sahih] / Ahmedi në Musned, Muslimi, Sahih Ibën Hiban, Buhariu në El Edeb el Mufrad, El Hakim) nga Ebu Darda / Es Sahiha 779: D, N.
- (16) “Biri i Ademit (njeriu) ka treqind e gjashtëdhjetë kyçe në trupin e tij. Ç’donjëri prej tyre jep lëmoshë çdo ditë; fjala e mirë që thotë njeriu është lëmoshë, ndihma që i jep vëllait të vet për diçka është lëmoshë, gllënjka e ujit që i jep tjetrit është lëmoshë dhe largimi i pengesës nga rruga është lëmoshë.”
[Sahih] / (Taberani në El Kebir) nga Ibën Abasi / El Irvau 461.
- “Biri i motrës së një fisi është prej tyre.” (Kjo është pjesë nga hadithi i transmetuar nga Enesi: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i dha El Akraa ibën Habis njëqind deve nga plaçka e luftës së Hunejnit, dhe po ashtu Ujejne ibën Hisn i dha njëqind deve. Disa njerëz nga ensarët Medinas thanë: “I Dërguari i Allahut po i jep plaçkën tonë të luftës atyre njerëzve, gjaku i të cilëve po rrjedh në shpatat tona, dhe gjaku ynë po rrjedh në shpatat e tyre (d.m.th. njerëzve me të cilët jemi në luftë).” Kjo fjalë i shkoi të Dërguarit të Allahut, kështu që ai dërgoi dikë që t’i thërriste, dhe ata erdhën, e ai u tha: “A ka në mesin tuaj ndokush që nuk është prej jush?” Ata thanë: “Jo! Përveç një djali të motrës sonë.” I Dërguari tha: “Djali i motrës së një fisi është prej tyre.” Pastaj tha: “Kurashitët sapo kanë dalë nga idhujtaria dhe nga sprova që u ka rënë (me vrasjet që u ndodhën në luftë me muslimanët), kështu që unë u dhashë atyre nga plaçka e luftës për të zbutur dhe afruar zemrat e tyre. A nuk ju kënaq që njerëzit të kthehen me diçka nga plaçka e kësaj bote,kurse ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e Allahut? Sikur njerëzit të ndiqnin një rrugë në luginë, kurse ensarët Medinas të ndiqnin një grykë mali, unë do të ndiqja grykën e malit të ensarëve.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Buhariu dhe Muslimi, Tirmidhiu, Nesai) nga Enesi; (Ebu Daudi) nga Ebi Musa; (Taberiani në El Kebir) nga Xhubejr ibën Mutim, nga Ibën Abasi dhe nga Ebi Malik el Eshari / Er Raudu 961, Es Sahiha 776.
- “Udhëtari është i pari që duhet të pijë – d.m.th. nga uji i Zemzemit.” (D.m.th. që vendaliu duhet t’i japë përparësi atij që vjen nga udhëtimi në pirjen e ujit, kur janë te burimi).
[Sahih] / (Taberani në Es Sagir) nga Ebi Hurejra / Er Raudu 1033.
- (17) “Dy bijtë e El Asit janë besimtarë; Hishami dhe Amri.”
[Sahih] / (Ibën Sead, Ahmedi në Musned, El Hakim, Taberani në El Kebir) nga Ebu Hurejra / Es Sahiha 156.
- “Shkëpute gotën nga goja (kur pi ujë) pastaj merr frymë (jashtë gotës).”
[Sahih] / (Semevejh në “Fevaid”, Bejhakiu në Shuabul Iman) nga Ebi Seidi / Es Sahiha 384: Malik, M.A, T, H.
- (18) “Këta dy bijtë e mi, el Hasen dhe el Husejn, janë zotërintë e të rinjëve nga banorët e xhenetit, ndërsa babai i tyre (Aliu) është edhe më i mirë se ata.”
[Sahih] / (Ibën Asakir) nga Aliu dhe nga Ibën Umeri / Es Sahiha 796: El Hakim.
- (19) “Sa herë që Ibën Sumeje është përballur me dy çështje në të cilat ka pasur për të zgjedhur, ai ka zgjedhur gjithnjë atë më të drejtën prej tyre.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Hakim); nga Ibën Mesudi / Es Sahiha 835.
- (20) “O bijtë e mi! Mos i gjuani gurët e Akabesë (në Haxh) deri sa të lindë dielli.”
[Sahih] / (Ahmedi në Musned, 4 Sunenet); nga Ibën Abasi / El Mishkat 2613, el Irvau 1076.
- “Ebu Bekri do të jetë në xhenet. Umeri do të jetë në xhenet. Uthmani do të jetë në xhenet. Aliu do të jetë në xhenet. Talha do të jetë në xhenet. Zubejri do të jetë në xhenet. Abdurrahman ibën Aufi do të jetë në xhenet. Sead ibën Ebi Vekas do të jetë në xhenet. Seid ibën Zejd do të jetë në xhenet. Dhe Ebu Ubejde ibën el Xherah do të jetë në xhenet.”
[Sahih] / (Ahmedi Musned dhe Ed Dajau) nga Seid ibën Zejd; (Tirmidhiu) nga Abdurrahman ibën Aufi / Sherhu el Akide et Tahavije 727.