HADITHET E SAKTA TË “EL XHAMIU ES SAGIR” DHE SHTOJCA E TIJ (2)

Autor: Muhamed Nasirudin el Albani

Autori i “El Xhamiu es Sagir” – Përmbledhësi i Vogël – : Xhelaluddin es Sujuti

Përktheu: Dr. Bledar Albani


 

  1. “Ebu Bekri dhe Umeri janë dy zotërinjtë e burrave të banorëve të xhenetit, prej të parëve dhe të fundit, duke përjashtuar Profetët dhe të Dërguarit e Allahut (të cilët janë më të mirë se ata të dy).”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Tirmidhiu, Ibën maxheh) nga Aliu; (Ibën Maxheh) nga Ebi Xhuhajfe; (Ebu Jeala në Musned dhe Ed Dajaa në “el Muhtara”) nga Enesi; (Taberani në es Sagir) nga Xhabiri dhe nga Ebi Seidi / Es Sahiha 824.

  1. (21) “Ebu Sufjan ibën el Harith është familja ime më e mirë.”

[Hasen] / (Taberani në el Kebir, el Hakim); nga Ebi Habeh el Bedri / Es Sahiha 820.

  1. (22) “Kanë ardhur banorët e Jemenit, dhe dijeni se ata janë njerëzit me zemrat më të buta dhe më të ndjeshme. Besimi është nga Jemeni dhe zgjuarsia është nga Jemeni. Mburrja dhe mendjemadhësia gjenden te pronarët e deveve, ndërsa qetësia dhe dinjiteti gjenden te pronarët e dhenve.”

[Sahih] / (Buhariu dhe Muslimi); nga Ebi Hurejra.

  1. “Ju kanë ardhur banorët e Jemenit, të cilët janë me zemrat më të dobëta dhe më të buta. Fikhu (të kuptuarit e fesë) është Jemenas dhe urtësia është Jemenase.”

[Sahih] / (Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu); nga Ebi Hurejra / Er Raudu 1034.

  1. (23) “Ju erdhi muaji i Ramazanit, një muaj i begatë, agjërimin e të cilit Allahu e ka bërë detyrim për ju. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët e mëdhenj e arrogantë. Në këtë muaj gjendet një natë (nata e Kadrit), e cila është më e mirë se njëmijë muaj; kush e humbet mirësinë e saj (adhurimin në të dhe faljen e gjynaheve), ai ka humbur (çdo të mirë).”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Nesai, Bejhakiu në Shuab); nga Ebi Hurejra / El Mishkat 1926.

  1. “Më erdhi dikush (Xhibrili) nga Zoti im dhe më dha të zgjidhja mes hyrjes së gjysmës së popullit tim në Xhenet dhe mes ndërmjetësimit (tim tek Allahu për njerëzit). Ndërsa unë zgjodha ndërmjetësimin, i cili do të jetë për ç’dokënd që vdes pa i shoqëruar Allahut asgjë.”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned); nga Ebi Musa, (Tirmidhiu, Sahih Ibën Hiban); nga Auf ibën Malik el Eshxhei / Er Raudu 1019, el Mishkat 5600.

  1. “Më erdhi dikush (Xhibrili) nga Zoti im i Madhëruar dhe më tha: “Kushdo prej popullit tënd që dërgon një lutje apo përshëndetje (salavat) mbi ty, Allahu i shkruan atij për të dhjetë të mira, i fshin dhjetë të këqia, e ngre dhjetë gradë dhe i kthen atij përshëndetje të njëjtë.”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned); nga Ebi Talha / Et Tergib 2/279: Nesai.

  1. (24) “Këtë natë më erdhi dikush (Xhibrili) nga Zoti im dhe më tha: “Falu në këtë luginë të bekuar –d.m.th. në el Akik (në Dhul Hulejfe)– dhe thuaj: “(Bëj Ihram për të kryer) Umra në Haxh (Umra dhe Haxh bashkë).”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Buhariu, Ebu Daudi); nga Umeri / El Irva 1005.

  1. (25) “Këtë natë më erdhi dikush (Xhibrili) nga Zoti im i Lartëmadhëruar, në pamjen më të bukur dhe më tha: “O Muhamed! A e di se për çfarë polemizojnë engjëjt e lartësive?” – Jo, i thashë unë. – Atëherë vendosi dorën e tij midis shpatullave të mia dhe unë e ndieva ftohtësinë (freskinë) e tyre në mes të gjoksit tim. Në atë çast mësova se ç’kishte në qiej e në Tokë. Pastaj më tha: “O Muhamed! A e di se për çfarë polemizojnë engjëjt e lartësive?” – Po, i thashë, për faljen e gjynaheve dhe ngritjen e gradëve;

(1.) Falja e gjynaheve arrihet duke qëndruar në xhami pas namazeve farze, duke ecur më këmbë për t’u falur me xhemat dhe duke e kaluar kufirin e detyrueshëm në larjen e gjymtyrëve gjatë marrjes abdes, edhe kur e ke të vështirë (nga ftohti).”

– Të vërtetën ke thënë, o Muhamed! -tha engjëlli – Dhe kushdo që e bën këtë, jeton mirë, vdes mirë dhe del nga gjynahet e tij, njësoj si ditën kur e ka lindur nëna.

Pastaj tha: O Muhamed! Kur të falesh, thuaj: “O Zot! Të kërkoj (të më mundësosh) kryerjen e të mirave, lënien e të këqijave, dashurinë e të varfërve! Kërkoj të më falësh mua, të më mëshirosh dhe të më pranosh pendimin! Nëse dëshiron të hedhësh ndonjë sprovë (fitne) mbi robët e Tu, atëherë më merr mua pa u sprovuar!”

(2.) Ndërsa ngritja e gradëve arrihet me: Përhapjen e selamit (përshëndetjes Islame), ushqyerjen e të varfërit dhe faljen natën kur njerëzit janë në gjumë.”

[Sahih] / (Abdurrazaku në Musannef, Ahmedi në Musned, Abd ibën Humejd, Tirmidhiu) nga Ibën Abasi / Sahih et Tergib 405, 451.

  1. “Më erdhi Xhibrili me sëmundjen e etheve dhe të murtajës. Unë i mora ethet për në Medine dhe e dërgova murtajën në Sham. Por murtaja është dëshmi (rënie dëshmor) për popullin tim dhe mëshirë për ta. Ndërsa për mosbesimtarët ajo është fëlliqësi (ndytësi).”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Ibën Sead); nga Ebu Asib / Es Sahiha 761.

  1. (26) “Më erdhi Xhibrili dhe më tregoi se populli im do ta vrasë këtë birin tim – d.m.th. Husejnin. Ai më solli edhe pak dhe të kuq nga toka në të cilën do të vritet.”

[Sahih] / (El Hakim); nga Umu el Fadl bintu el Harith / Es Sahiha 821.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më urdhëroi që t’i urdhëroja shokët e mi dhe ata që ishin me mua, që ta ngrinim zërin kur thonim telbijen (shprehjen: Lebbejke Allahume lebbejke… – gjatë Haxhit).”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, 4 autorët e Suneneve, Ibën Hiban në Sahihun e tij, el Hakim, Bejhakiu në Sunen); nga Es Saib ibën Halad / El Mishkat 2549.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më përgëzoi se el Haseni dhe el Husejni do të jenë dy zotërinjtë e të rinjve të banorëve të xhenetit.”

[Sahih] / (Ibën Sead); nga Hudhejfe / Es Sahiha 796: Ahmedi në Musned.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më përgëzoi: “Kush vdes nga populli yt, duke qenë se nuk i ka bërë shok Allahut asgjë, do të hyjë në Xhenet.” – Unë i thashë: “Edhe nëse ka bërë imoralitet (zina) apo ka vjedhur?” – Po, tha ai, edhe nëse ka bërë imoralitet apo ka vjedhur.”

[Sahih] / (Buhariu dhe Muslimi); nga Ebu Dheri / Es Sahiha 826.

  1. (27) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Allahu të urdhëron që t’ia lexosh Kuranin popullit tënd vetëm me një mënyrë leximi.” – I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse populli im nuk mund ta mbajë këtë, i thashë unë. – Pastaj më erdhi për herë të dytë dhe më tha: “Allahu të urdhëron që t’ia lexosh Kuranin popullit tënd me dy mënyra leximi.” – I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse populli im nuk mund ta mbajë këtë, i thashë unë. – Pastaj më erdhi për herë të tretë dhe tha: “Allahu të urdhëron që t’ia lexosh Kuranin popullit tënd me tre mënyra leximi.” – I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse populli im nuk mund ta mbajë këtë, i thashë përsëri. Pastaj më erdhi për herë të katërt dhe më tha: “Allahu të urdhëron që t’ia lexosh Kuranin popullit tënd me shtatë mënyra leximi; dhe me çdo mënyrë leximi që të lexojnë, ata kanë vepruar saktë.”

[Sahih] / (Muslimi, Ebu Daudi, Nesai); nga Ubej ibën Keab.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Përgëzoje popullin tënd se kushdo që vdes duke mos i bërë shok Allahut asgjë, do të hyjë në Xhenet.” – O Xhibril, i thashë, edhe nëse ka vjedhur apo ka bërë imoralitet? – Po, tha ai. – Edhe nëse ka vjedhur apo ka bërë imoralitet, ia përsërita? – Po, tha ai. – Edhe nëse ka vjedhur apo ka bërë imoralitet, i thashë përsëri? – Po, tha ai, edhe nëse ka pirë alkool.”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Tirmidhiu, Nesai, Ibën Hiban në Sahihun e tij); nga Ebu Dheri / Es Sahiha 826.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Allahu të urdhëron që t’i urdhërosh shokët e tu që ta ngrenë zërin kur thonë telbijen (lebbejke Allahumme lebbejke…), sepse kjo është prej riteve të Haxhit.”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh, Ibën Hibani në Sahihun e tij, el Hakim); nga Zejd ibën Halid / Es Sahiha 830.

  1. (28) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “Të erdha dje, por nuk më pengoi gjë tjetër që të hyja në shtëpinë tënde veçse statuja që ishte te dera, mbulesa (apo perdeja) që kishte figura statujash dhe një qen që ishte në shtëpi. Ndaj urdhëro që të pritet koka e statujës që është në shtëpi, në atë mënyrë që të bëhet si trungu i pemës, urdhëro që mbulesa të pritet dhe të bëhen me të dy jastëkë që hidhen dhe shkelen, ndërsa për qenin urdhëro që ta nxjerrin (nga shtëpia).”

[Sahih] / (Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Bejhakiu në Sunen); nga Ebu Hurejra / Adab ez Zefaf  76, 98.

  1. (29) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O i Dërguari i Allahut! Po të vjen Hatixhja me një enë me gjellë, apo me ushqim, apo me ujë. Kur të vijë tek ti, jepi asaj selam nga Zoti i saj dhe nga unë, dhe përgëzoje atë me një kështjellë prej perlash, ku nuk ka as zhurmë as lodhje.”

[Sahih] / (Muslimi); nga Ebi Hurejra.

  1. (30) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! A rënkove (për magjinë që tu bë)?” – Po, i thashë. – Atëherë ai tha: “Bismilahi erkike, min kuli shejin judhijke, min sherri kuli nefsin, ue ajnin hasidin, bismilahi erkijke, ue Allahu jeshfijke!” (që do të thotë: Me Emrin e Allahut të fryj (të ysht), nga çdo gjë që të mundon, nga e keqja e çdo shpirti dhe nga syri i ziliqarit! Me Emrin e Allahut të ysht, Allahu të shëroftë!”

[Sahih] / (Ahmedi, Muslimi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh); nga Ebu Seidi, (M.A, Xh, S.H, H); nga Ubade ibën es Samit.

  1. (31) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! A nuk të gëzon fakti se Zoti yt i Madhëruar thotë: “Çdokush prej popullit tënd që të dërgon ty një lutje (salavat), Allahu i i dërgon atij dhjetë të tilla dhe çdokush prej popullit tënd që të dërgon ty një selam, Unë i dërgoj atij dhjetë selame?” – Po, për Zotin, më gëzon – thashë unë.”

[Sahih] / (Ahmedi, Nesai, Ibën Hibani në Sahihun e tij, el Hakim, Ed Dajau); nga Ebi Talha / Es Sahiha 829.

  1. (32) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! Allahu i Madhëruar e ka mallkuar alkoolin, shtrydhësin e tij, atë për të cilin shtrydhet, pirësin e tij, mbartësin e tij, atë për tek i cili mbartet, shitësin e tij, blerësin e tij, atë që e shërben dhe atë që urdhëron të shërbehet.”

[Sahih] / (Taberani në el Kebir, el Hakim, Bejhakiu në Shuab, Ed Dajau); nga Ibën Abasi / Es Sahiha 839: Ahmedi në Musned.

  1. “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! Jeto sa të duash, por do të vdesësh! Duaj kë të duash, por do të ndahesh prej tij! Vepro ç’të duash, por do të shpërblehesh për atë që vepron! Dhe dije se fisnikëria e besimtarit është ngritja e tij për t’u falur natën, ndërsa krenaria e tij është në moskërkimin nga njerëzit.”

[Hasen] / (Esh Shirazi në “el Elkab”, el Hakim, Bejhakiu në Shuab); nga Sehl ibën Sead, (Bejhakiu në Shuab); nga Xhabiri, (Ebu Nuajm në El Hilje); nga Aliu / Es Sahiha 831.

  1. (33) “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! Thuaj!” – Çfarë të them, i thashë unë? – Thuaj: “Mbrohem me Fjalët e plota të Allahut, të cilat nuk mund t’i kalojë asnjë vepërmirë apo vepërkeq, nga e keqja e çdo gjëje që Ai ka krijuar, që ka shpikur dhe formuar, si dhe nga e keqja e çdo gjëje që zbret nga qielli dhe nga e keqja e çdo gjëje që ngjitet në të! Dhe nga e keqja e çdo gjëje që Ai ka krijuar e shumuar në tokë dhe nga e keqja e çdo gjëje që del prej saj! Dhe nga e keqja e sprovave të ditës e të natës! Dhe nga e keqja e çdo trokitësi (lajmëtari) që troket, përveç atij që troket me gjë të mirë! O i Gjithëmëshirshëm!”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned, Taberani në el Kebi); nga Abdurrahman ibën Hanbesh / Es Sahiha 840.

  1. (34) “Xhibrili erdhi tek unë dhe më tha: “O Muhamed! Kush e arrin njërin prej dy prindërve të vet dhe pastaj vdes e hyn në Zjarr, Allahu e largoftë atë (nga mëshira e Tij)! Thuaj: Amin!” – Thashë “Amin!” –Pastaj tha: “O Muhamed! Kush e arrin muajin e Ramazanit pastaj vdes pa iu falur gjynahet dhe hyn në zjarr, Allahu e largoftë atë! Thuaj: Amin!” – Thashë “Amin!” –Pastaj tha:” Kushdo që dëgjon të përmendet emri yt dhe nuk dërgon lutje (salavat) mbi ty, pastaj vdes dhe hyn në zjarr, Allahu e largoftë atë (nga mëshira e Vet)! Thuaj: Amin!” – Thashë “Amin!”.”

[Sahih] / (Taberani në el Kebir); nga Xhabir ibën Semurah. / Et Targib 3/216: Ibën Hibani në Sahihun e tij.

  1. “Më erdhi një herë Xhibrili, nga fillimi i shpalljes, dhe më mësoi abdesin dhe namazin. Kur mbaroi abdesin, ai mbushi një dorë me ujë dhe spërkiti me të vendin e organit gjenital (Xhibrili ishte në formën e njeriut, për ta mësuar të Dërguarin).”

[Sahih] / (Ahmedi, Darakutni, el Hakim); nga Usame; nga babai i tij, Zejd ibën Harithe. / Es Sahiha: 841: Ibën Maxheh dhe Bejhakiu në Sunen.

  1. (35) “Më erdhi Xhibrili nga Zoti i Lartëmadhëruar e më tha: “O Muhamed! Allahu i Madhëruar thotë: “Unë i kam bërë detyrim popullit tënd pesë namaze; kushdo që i përmbush ato me abdesin e tyre, kohën e tyre, rukunë e tyre dhe sexhden e tyre, ka me to Besën Time se do ta fus në Xhenet me to. Kurse ai që më takon Mua duke qenë se ka lënë diçka mangut nga këto, ai nuk ka besë tek Unë; nëse dua, do e dënoj e nëse dua, do e mëshiroj.”

[Sahih] / (Et Tajalisi dhe Muhamed ibën Nasr në “Kapitullin e Namazit”, Taberani në el Kebir, Ed Dajaa në “El Muhtara”) / Es Sahiha 842.

  1. (36) “Xhibrili dhe Mikaili erdhën tek unë. Xhibrili u ul nga e djathta ime kurse Mikaili nga e majta. Xhibrili tha: “O Muhamed! Lexoje Kuranin me një mënyrë leximi.” Kurse Mikaili tha: “Kërkoi që ta shtojë.” Unë thashë: “Më shto më shumë.” Ai tha: “Lexoje me tre mënyra leximi.” Mikaili tha: “Kërkoi ta shtojë.” Unë i thashë: “Më shto më shumë.” –Vazhdoi kështu deri sa arriti shtatë mënyra leximi, pastaj tha: “Lexoje atë me shtatë mënyra leximi, sepse që të gjitha ato janë të plota dhe të mjaftueshme.”

[Sahih] / (Ahmedi, Abd ibën Hamid, Nesai); nga Ubej ibën Keab, (Ahmedi dhe Taberani në el Kebir); nga Ebu Bekrah, (Ibnu Darijs); nga Ubade ibën Samit. / Es Sahiha 843.

  1. “Një engjëll erdhi tek unë dhe më përshëndeti me selam –sapo zbriti nga qielli, nuk kishte zbritur asnjëherë më parë. Më përgëzoi se Hasani dhe Husejni do të jenë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit, kurse Fatimja do të jetë zonja e grave të Xhenetit.”

[Sahih] / (Ibën Asakir); nga Hudhejfe. / Es Sahiha 796: Ahmedi.

  1. “A dëshiron që të të zbutet zemra dhe ta arrish atë që kërkon? –Mëshiroje jetimin, fërkoi kokën dhe jepi atij nga ushqimi yt; kështu do të zbutet zemra dhe do të arrish atë që kërkon.”

[Sahih] / (Taberani në el Kebir); nga Ebu Darda. / Es Sahiha 854.

  1. (37) “A dëshironi, o njerëz, që të përpiqeni sa më shumë në lutjet tuaja? –Thoni: O Zoti ynë! Na ndihmo të falënderojmë Ty, të përmendim Ty dhe të adhurojmë Ty në mënyrën më të mirë!”

[Sahih] / (El Hakim, Ebu Nuajm në El Hilje); nga Ebu Hurejra. / Es Sahiha 844.

  1. “Shtojini bagëtitë e imta, sepse ato janë begati.”

[Sahih] / (Taberani në el Kebir, El Hatib el Bagdadi); nga Umu Hani, (e ka nxjerrë gjithashtu Ibën Maxheh me tekst: “Shtoji bagëtitë e imta (i drejtohet Umu Hanit), sepse ato janë begati.” / Es Sahiha 773.

  1. (38) “Shtoji bagëtitë e imta sepse ato shkojnë në kullotë mirë dhe kthehen mirë.”

[Hasen] / (Ahmedi); nga Umu Hani. / Es Sahiha 773.

  1. (39) “A e dini ku shkon ky Diell? Ai vazhdon të ecë deri sa arrin në vendqëndrimin e tij poshtë Arshit dhe bie në sexhde (i përulet Allahut). Vazhdon në atë gjendje deri sa i thuhet: “Ngrihu dhe kthehu andej nga erdhe!” Atëherë ai kthehet dhe lind nga lindja e tij, pastaj vazhdon lëvizjen deri sa ta arrijë në vendqëndrimin e tij poshtë Arshit. Aty bie në sexhde dhe vazhdon në atë gjendje deri sa i thuhet: “Ngrihu dhe kthehu andej nga erdhe!” Atëherë kthehet dhe lind nga lindja e tij, pastaj vazhdon lëvizjen, pa vërejtur njerëzit asgjë prej tij, deri sa arrin në vendqëndrimin e tij poshtë Arshit. Deri sa t’i thuhet: “Ngrihu dhe lind nga perëndimi yt!” Atëherë Dielli do të lindë nga perëndimi. –A e dini kur do të ndodhë kjo? Do të ndodhë atëherë “Kur askujt nuk do i bëjë dobi besimi nëse nuk ka besuar më parë apo nuk ka bërë ndonjë vepër të mirë me besimin e vet.” [el En’am, 158].

[Sahih] / (Muslimi); nga Ebu Dherr. / Muhtesar Muslim 2138.

  1. “A e dini ç’është kafshimi?” – Përcjellja e fjalëve të disa njerëzve tek njerëz të tjerë me qëllim të ngatërresës mes tyre.”

[Sahih] / (Buhariu në el Edeb el Mufrad, Bejhakiu në Sunen); nga Enesi. / Es Sahiha 845.

  1. “A e dini ç’është përgojimi?” –Përmendja e vëllait tënd me diçka që ai e urren. Nëse ajo që thua ti, është e vërtetë tek ai, atëherë e ke përgojuar atë, dhe nëse nuk është e vërtetë, atëherë veçse ke shpifur për të.”

[Sahih] / Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu); nga Ebu Hurejra.

  1. (40) “A e dini cili është i falimentuari? – I falimentuari nga populli im është ai, i cili në ditën e Kiametit vjen me namaz, agjërim e zekat, por vjen duke qenë se dikë e ka sharë, një tjetër e ka akuzuar për tradhti bashkëshortore, dikujt tjetër i ka ngrënë pasurinë (padrejtësisht), një tjetri i ka derdhur gjakun (e ka vrarë), një tjetër e ka rrahur. Kështu, njërit i jep nga të mirat e tij, tjetrit nga të mirat e tij dhe, nëse të mirat i mbarojnë para se t’i shlyejë të gjithë, do të merren nga të këqiat e tyre dhe do të hidhen mbi të, pastaj do të hidhet në zjarr.”

[Sahih] / (Ahmedi, Tirmidhiu); nga Ebu Hurejra. / Es Sahiha 847, Muhtesar Muslim 1836.

  1. (41) “A e dini ç’janë këto dy libra? – Ky (që mbante në dorën e djathtë) është Libër nga Zoti i botëve, në të cilin gjenden emrat e banorëve të Xhenetit, të prindërve dhe të fiseve të tyre. Te emri i të fundit të tyre është bërë mbledhja (e numrit të përgjithshëm të tyre) dhe nuk mund të shtohet më asnjë tjetër e as të hiqet ndonjë, kurrë. Ndërsa ky tjetri (që mbante në të majtë) është Libër nga Zoti i botëve, në të cilin gjenden emrat e banorëve të Zjarrit, të prindërve dhe të fiseve të tyre. Te emri i të fundit të tyre është bërë mbledhja (e numrit të tyre) dhe nuk mund të shtohet as të hiqet prej tyre asnjë tjetër, kurrë. Prandaj, veproni drejt dhe përpiquni të bëni më të mirën (të mesmen, pa e tepruar dhe pa e lënë mangut), sepse banorit të Xhenetit i mbyllet jeta në dynja me vepër të banorëve të Xhenetit, çfarëdo pune të ketë bërë më parë, kurse banorit të Zjarrit i mbyllet jeta me vepër të banorëve të Zjarrit, çfarëdo pune të ketë bërë më parë. Zoti juaj ka mbaruar punë me robët e Vet: “Një grup do të jetë në Xhenet dhe një grup në Zjarr.” [Es Shura, 7].

[Sahih] / (Ahmedi, Tirmidhiu, Nesai); nga Ibën Amër. / Es Sahiha 848.

  1. (42) “A ju kënaq që të jeni çereku i banorëve të Xhenetit? A ju kënaq që të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit? A ju kënaq që të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit? Në Xhenet nuk mund të hyjë veçse një shpirt musliman dhe, ju kundrejt idhujtarisë (idhujtarëve) jeni vetëm si një qime e bardhë në lëkurën e një demi të zi, ose si një qime e zezë në lëkurën e një demi të kuq (d.m.th. shumë të paktë në numër në krahasim me idhujtarët).”

[Sahih] / (Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh); nga Ibën Mesudi. / Es Sahiha 849: Buhariu dhe Muslimi, dhe Rijadu Salihin 436.

  1. “Lëreni Abisininë (mos e luftoni Etiopinë) përderisa ata nuk ju luftojnë, sepse nuk ka për ta nxjerrë thesarin e Kabes veçse një burrë me dy kërcinj të hollë nga Abisinia.”

[Hasen] / (Ebu Daudi, el Hakim); nga Ibën Umer. / Es Sahiha 772: Ahmedi, Ibnu Udej në el Kamil, el Hatib el Bagdadi. Ebu Daudi nuk e përmend emrin e sahabiut që e transmeton, por thotë nga një burrë prej sahabeve. [Në komentarin e Suneni Ebi Daud, të titulluar “Aunul Maabud”, sqarohet se ky person me kunjën “njeriu me kërcinj të holla” do të shfaqet në kohën e Isait (alejhis selam) dhe pranë Kiametit, dhe se në disa transmetime të Buhariut dhe Muslimit, thuhet se Kaben do e prishë Dhu Suvejkatejni nga Abisinia, gjë e cila do të ndodhë shumë pranë Kiametit, kur besimtarët të kenë vdekur të gjithë nga një aromë e mirë jemenase.]

  1. (43) “Mos më pyesni përderisa nuk ju tregoj vetë, sepse nëse ju tregoj diçka, duhet patjetër që ta merrni prej meje (dhe ta zbatoni), përndryshe, ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar vetëm për shkak të pyetjeve të shumta dhe polemikës ndaj profetëve të tyre!”

[Sahih] / (Tirmidhiu); nga Ebu Hurejra. / Es Sahiha 850.

  1. “Mos kërkon që të bëhesh provokues, o Muadh?! Kur t’i prish njerëzit në namaz, lexo sure të ngjashme me “Uesh Shemsi ue Duhaha”, “Sebbihisme rabbike el Eala”, “Uel Lejli idha Jagsha” dhe “Ikra Bismi Rabbike”.” (E ndaloi të lexonte sure të gjata kur ishte imam i njerëzve në namaz).

[Sahih] / (Ibën Maxheh); nga Xhabiri. / Forma e Namazit (98 dhe 87 me tekst të përafërt), Nesai, El Irva 295: Buhariu dhe Muslimi.

  1. (44) “Mos kërkon që t’ia nxjerrësh shpirtin disa herë?! Nuk mund ta mprehje thikën para se ta shtrije përtokë?” (Ia tha këtë dikujt që po mprehte thikën në sy të deles, pasi e kishte shtrirë përtokë dhe i kishte vënë këmbën mbi kokë.)

[Sahih] / (El Hakim); nga Ibën Abasi. / Es Sahiha 24.

  1. (45) “A mos mendoni se unë do të jem nga të fundit që do të vdes prej jush? Nuk është ashtu. Unë do të jem nga të parët që do të vdes, kurse ju do të më ndiqni njëri pas tjetrit, duke vrarë njëri-tjetrin.”

[Sahih] / (Ahmedi në Musned); nga Uathileh. / Es Sahiha 851.

  1. (46) “A e dëgjoni atë që dëgjoj unë? Unë dëgjoj kërcitjen e qiellit, e ai nuk ka faj që kërcet, sepse nuk ka vend të tij sa pëllëmba e dorës ku të mos ketë një engjëll në sexhde apo në qëndrim drejt (duke u falur).”

[Sahih] / (Taberani në el Kebir, ed Dajaa); nga Hakim ibën Hizam. / Es Sahiha 852.

  1. (47) “A e di se? –Grupi i parë që do të hyjë në Xhenet prej popullit tim janë muhaxhirët e varfër (emigrantët e parë Mekas). Ata do të shkojnë te dera e Xhenetit në ditën e Kiametit dhe do të kërkojnë t’u hapet dera, por engjëjt roje do të thonë: “A e dhatë llogarinë?” –Ata përgjigjen: “Për çfarë të japim llogari? Shpatat tona i kemi mbajtur mbi shpinë duke luftuar në rrugë të Allahut deri sa dhamë jetën në këtë rrugë.” Atëherë u hapet dera dhe ata hyjnë në të 40 vjet para se të hyjnë njerëzit e tjerë (banorët e Xhenetit).”

[Sahih] / (El Hakim, Bejhakiu në Shuab); nga Ibën Amër. / Es Sahiha 853.

  1. “Ki frikë Allahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë, që kjo ta fshijë atë dhe, sillu me njerëzit me sjellje të mirë!”

[Hasen] / (Ebu Daudi, Ahmedi, Tirmidhiu, el Hakim, Bejhakiu në Shuab); nga Ebu Dherr, (Ahmedi, Tirmidhiu dhe Bejhakiu në Shuab); nga Muadhi, (Ibën Asakir); nga Enesi. / Er Raudu en Nadir 855.

  1. “Ki frikë Allahun dhe mos përçmo as gjënë më të vogël nga vepra e mirë, qoftë edhe të marrësh ujë nga ena jote dhe t’ia shtosh enës së atij që i jep ujë njerëzve, apo të takosh vëllanë tënd me fytyrë të qeshur! Dhe assesi mos e mbaj izarin (rrobën që vishet nga beli e poshtë, pantallonat) poshtë nyjes së këmbës, sepse zgjatja e izarit është prej mendjemadhësisë, dhe këtë Allahu nuk e do. Nëse dikush të shan apo të tall me diçka që ti nuk e ke, ti mos e tall atë me diçka që ai e ka, por lëre që ta marrë vetë ndëshkimin e merituar, dhe kështu ti do të kesh shpërblimin e tij. Mos shaj askënd!”

[Sahih] / (Et Tajalisi, Ibën Hiban në Sahihun e tij); nga Xhabir ibën Selim el Huxhejmi. / Es Sahiha 770.

  1. “Ki frikë Allahun, o Ebu Uelid, që të mos vish ditën e Kiametit duke mbartur mbi shpinë deve që murmurin, lopë që pëllet apo dele që beberin!” (I Dërguari -salallahu alejhi ue selem- e paralajmëroi që të mos vidhte ndonjë gjë nga devetë, lopët apo delet e Zekatit, para se ta pranonte detyrën e grumbullimit të Zekatit).

[Sahih] / (Taberani në el Kebir); nga Ubade ibën Samit. / Es Sahiha 857: Bejhakiu në Sunen.

  1. “Ruaju gjërave të ndaluara, që të jesh njeriu më adhurues! Kënaqu me atë që të ka dhënë Allahu, që të jesh njeriu më i pasur! Sillu mirë me komshiun, që të jesh besimtar! Dëshiro për njerëzit atë që dëshiron për vete, të jesh musliman! Dhe mos qesh shumë, sepse e qeshura e shumtë të vdes zemrën!”

[Hasen] / (Ahmedi, Tirmidhiu, Bejhakiu në Shuab); nga Ebu Hurejra. / Es Sahiha 930.