VESHMBATHJA

 


Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani


 

Veshmbathja është një prej mirësive me të cilën Allahu (xh.sh) i ka bekuar njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

 

يَابَنِي آدَمَ قَدْ أَنزَلْنَا عَلَيْكُمْ لِبَاسًا يُوَارِي سَوْآتِكُمْ وَرِيشًا وَلِبَاسُ التَّقْوَى ذَلِكَ خَيْرٌ ذَلِكَ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ

“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju rroba që të mbuloni vendet e turpshme dhe rroba për zbukurim. Por rrobat e devotshmërisë, ato janë më të mirat. Këto janë nga argumentet e Allahut, në mënyrë që ata të përkujtojnë.”[1]

Veshja duhet të jetë e mirë, e bukur dhe e pastër. Allahu i Madhëruar thotë:

 

يَابَنِي آدَمَ خُذُوا زِينَتَكُمْ عِنْدَ كُلِّ مَسْجِدٍ وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلا تُسْرِفُوا إِنَّهُ لا يُحِبُّ الْمُسْرِفِينَ

“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz, hani dhe pini por mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.”[2]

 

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ اللَّهِ الَّتِي أَخْرَجَ لِعِبَادِهِ وَالطَّيِّبَاتِ مِنْ الرِّزْقِ قُلْ هِيَ لِلَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا خَالِصَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ كَذَلِكَ نُفَصِّلُ الآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْلَمُونَ

“Thuaj: “Kush i ndaloi stolitë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robët e tij?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.”[3]

Abdullah Ibn Mes’udi tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet kush ka në zemrën e tij grimcën më të vogël të mëndjemadhësisë.” Një burrë i tha “ Burri dëshiron që rrobat dhe këpucët e tij të jenë të bukura”. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është mohimi i të vërtetës, dhe përçmimi i njerëzve.”[4]

Tirmidhiu transmeton se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu është i mirë dhe e do të mirën, i pastër dhe e do pastërtinë, bujar dhe e do bujarinë. Pastroni oborret tuaja dhe mos u ngjasoni çifutëve”[5]

 

Statusi ligjor i veshjeve

 

Veshjet mund të jenë të obliguara, të pëlqyera ose të ndaluara:

 

Veshjet e obliguara:

 

Veshjet e obliguara janë ato të cilat mbulojnë pjesët e turpshme të trupit dhe mbrojnë nga vapa, të ftohtit dhe dëmi.

Hakim Bin Hazzami tregon se babai i tij e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut, përsa i përket pjesëve të turpshme, prej kujt t’i ruajmë dhe prej kujt jo?” Profeti (s.a.u.s.) i është përgjigjur: “Ruaji pjesët e turpshme përveç ndaj gruas dhe atyre që janë nën pushtetin tënd(robëreshave).” Ai e ka pyetur përsëri: “Po në rastin kur njerëzit jetojnë bashkarisht (p.sh. në udhëtim)?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nëse mundesh, mbulohu që të mos i shikojë askush”. Ai e pyeti përsëri: “Po kur jemi vetëm?” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Më së tepërmi njeriu duhet të ketë turp prej Allahut (xh.sh).”[6] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh. Tirmidhiu thotë se hadithi është i mirë, kurse Hakimi thotë se hadithi është i saktë.

 

Veshjet e pëlqyera

 

Veshjet e pëlqyera janë ato të cilat përdoren për hijeshi dhe zbukurim. Ebu Dardau tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ju do të takoheni me vëllezërit tuaj, prandaj rregullojini kafshët e udhëtimit dhe vishuni mirë, që të shkëlqeni nga bukuria mes njerëzve. Me të vërtetë Zoti nuk e do pahijeshinë dhe të pahijshmen.”[7]

Ebu El Ahvesi tregon se babai i tij me rroba të papastra e ka takuar Profetin (s.a.u.s.). Profeti (s.a.u.s.) e ka pyetur: “A ke pasuri?” Ai i ka thënë “Po”. Profeti (s.a.u.s.) e ka pyetur përsëri: “Çfarë pasurie ke?” Ai i ka thënë: “Allahu më ka dhënë deve, dhen, kuaj dhe robër.” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Meqë Allahu të ka dhuruar pasuri, atëherë le të shihen në trupin tënd shenjat e begatisë dhe bujarisë së Tij.”[8]

Preferohet që rrobat e bukura të vishen gjatë faljes, ditën e premte, ditën e Bajramit dhe në tubimet e njerëzve.

Muhamed Bin Jahja Bin Hibbani tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Jeni të obliguar që sipas mundësive ditën e premte të vishni rroba të tjera përveç rrobave të punës.”[9]

 

Veshjet e ndaluara

 

Ndër veshjet e ndaluara mund të përmendim: veshjen e rrobave të mëndafshit dhe përdorimin e sendeve prej floriri nga burrat, veshjen e rrobave që u përkasin grave nga burrat, veshjen e rrobave që u përkasin burrave nga gratë, veshjen e rrobave për famë dhe mëndjemadhësi si edhe veshjet për të cilat shpenzohet në mënyrë të tepruar.

 

Veshja e mëndafshit dhe të ulurit mbi të

Ka shumë hadithe që e ndalojnë në mënyrë të qartë veshjen e mëndafshit dhe të ulurit mbi të për burrat. Nga këto hadithe mund të përmendim:

Omeri (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos e vishni mëndafshin, sepse kush e vesh atë në këtë botë nuk do e veshë në botën tjetër.”[10]

Abdullah Bin Omeri thotë se Omeri pa një rrobë mëndafshi të qëndisur me fije ari në treg. Ai ja solli atë Profetit (s.a.u.s.) dhe i tha: “A ta blej këtë që të zbukurohesh për Bajram dhe kur të presësh vizitorët?” Profeti (s.a.u.s.) i është përgjigjur: “Kjo veshje është për ata të cilët nuk kanë moral.” Pasi kaloi një farë kohe, Profeti (s.a.u.s.) i dërgoi Omerit një rrobë prej mëndafshi. Omeri (r.a.) erdhi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i tha: “Më ke thënë se kjo veshje është për ata të cilët nuk kanë moral dhe pastaj ma dërgove mua atë”. Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Unë nuk ta kam dërguar atë që ta veshësh por që ta shesësh për të mbuluar nevojat tuaja.”[11]

Hudhejfja ka thënë: “Na e ka ndaluar Profeti (s.a.u.s.) që të hamë dhë të pimë në enë prej floriri dhe argjendi, të veshim mendafsh dhe të ulemi mbi të. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ai është i atyre (jobesimtarëve) në këtë botë dhe i yni në botën tjetër.”[12]

Bazuar mbi këto hadithe shumica e dijetarëve e kanë ndaluar veshjen e mëndafshit dhe të ulurit mbi të.Ndërsa Mehdiu në librin e tij “El Bahr”thotë se ky është konsensusi i të gjithë dijetarëve Ndërsa Ebu Hanifja, Ibn Maxhishuni nga Malikijtë dhe disa nga Shafijtë mendojnë se lejohet përdorimi i mëndafshit për shtrojë dhe të ulurit mbi të sepse ai është i ndaluar vetëm për veshje. Ky mendim bie në kundërshtimme hadithet e sakta.

 

Kadi Ijjad tregon se një grup dijetarësh, ndër të cilët edhe Ibn Uleje, e kanë lejuar veshjen e mëndafshit. Ata e kanë argumentuar mendimin e tyre me hadithet e mëposhtme:

  • Ukbeh ka thënë: “Një herë iu dhurua Profetit (s.a.u.s.) një rrobë prej mëndafshi. Ai e veshi atë, u fal mbi të pastaj u largua dhe e hoqi atë me ashpërsi dhe përbuzje duke thënë: “Kjo rrobë nuk duhet veshur nga ata që e kanë frikë Allahun (xh.sh.).”[13]
  • Misver Bin Mukhremeh tregon se Profetit (s.a.u.s.) i ishte dhuruar një rrobë mëndafshi, dhe kur ai së bashku me babain e tij shkuan tek Profeti (s.a.u.s.) për një punë, ai doli për t’i pritur dhe kishte veshur rrobën e mëndafshit. Profeti (s.a.u.s.) i tha: “O Mukhremeh, ne ta kishim fshehur këtë”. Pastaj ai ia tregoi Mukhremes bukuritë e saj. Në fund Profeti (s.a.u.s.) e pyeti: “A i pëlqeu Mukhremes?”[14]
  • Enesi tregon se Profeti (s.a.u.s.) kishte veshur një rrobe mëndafshi me mëngë të gjata të cilën ja kishte dhuruar mbreti i romakeve. Më vonë Profeti (s.a.u.s.) ja dërgoi atë Xha’ferit, i cili e veshi atë dhe kur shkoi tek Profeti (s.a.u.s.) ai i tha: “Unë nuk ta kam dhënë që ta veshësh.” Xhaferi e pyeti: “Çfarë të bëj me të?” Profeti (s.a.u.s.) iu përgjigj: “Dërgoja atë vëllait tënd Nexhashiut (mbretit të Abisinisë).”[15]
  • Më shumë se njëzet shokë të Profetit (s.a.u.s.) e kanë veshur mëndafshin, ndër ta edhe Enesi, El Berrau dhe Ibn Azibi.[16]

Dijetarët u janë përgjigjur argumenteve të këtij grupi që e lejojnë veshjen e mëndafshit me hadithet e përmendura në fillim të cilat vërtetojnë ndalimin e tij. Ata kanë thënë gjithashtu se në hadithin e Akabesë thuhet: “Kjo rrobë nuk duhet veshur nga ata që e kanë frikë Allahun”. Në qoftë se veshja e mëndafshit nuk u përshtatet atyre që e kanë frikë Allahun (xh.sh.), atëherë ajo meriton të ndalohet. Dijetarët kanë thënë se hadithi i Misuerit dhe Enesit janë veprime që nuk u rezistojnë fjalëve që argumentojnë ndalimin e tij.

Nuk ka kundërshtim se Profeti (s.a.u.s.) e ka veshur mëndafshin në fillim por në fund e ka ndaluar atë siç e tregon edhe hadithi i Xhabirit i cili thotë: “Profeti (s.a.u.s.) kishte veshur një rrobë mëndafshi të cilën ja kishin dhuruar, pastaj e ka hequr dhe ia ka dërguar Omer Ibn Khatabit. Dikush e pyeti: “Përse e hoqe atë rrobë o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Ma ndaloi Xhibrili (s.a.u.s.).”Pastaj erdhi Omeri (r.a.) duke  qarë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, më ke dhënë mua diçka që ti e ke urryer, çfarë të bëj me të?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Nuk ta kam dhënë atë për ta veshur por për ta shitur”. Omeri e shiti atë 2000 derhem.[17]

Dijetarët kanë thënë gjithashtu se hadithi i treguar nga Enesi ka në vargun e tij Ali Bin Zejd Bin Xheda’an dhe për pasojë nuk mund të merret si argument. Ata kanë shtuar se çfarë kanë veshur shokët e Profetit (s.a.u.s.) nuk ka qenë mëndafsh i pastër por i përzier me lesh. Khatabiu ka thënë: “Rroba që ka veshur Profeti (s.a.u.s.) ka të ngjarë të ketë qenë vetëm e rrethuar me mëndafsh.”

 

Mendimi i Sheukaniut

 

Sheukaniu ka thënë se hadithet që e ndalojnë veshjen e mëndafshit së bashku me hadithet që e lejojnë atë tregojnë se ajo është vepër e papëlqyer. Ai e ka sqaruar këtë në librin e tij “Nejlul Eutar” dhe ka thënë:

“Mund të thuhet se veshja e rrobave të mendafshit nga Profeti (s.a.u.s.) dhe dhurimi i tyre ,shokëve të tij nuk u argumenton se kjo i paraprin haditheve të ndalimit.   Nga ana tjetër, as hadithet e ndalimit nuk argumentojnë se ato vijnë prapa veprimeve që e lejojnë atë. Kështu që nuk kemi një argument që të ndryshojë diçka të papëlqyeshme me diçka të ndaluar që të kemi bashkim në mes argumentësh. Çfarë e fuqizon këtë mendim është thënia se njëzet shokë të Profetit (s.a.u.s.) e kanë veshur mëndafshin. Është totalisht e papranueshme që shokët e Profetit (s.a.u.s.) të bënin diçka që është e ndaluar, aq më tepër që shokët e tjerë të Profetit (s.a.u.s.) të heshtnin për këtë duke ditur se ajo është e ndaluar. Dihet se shokët e Profetit (s.a.u.s.) i kanë ndaluar njëri tjetrit gjëra më pak të rëndësishme se kjo”

 

Lejimi i mëndafshit për gratë dhe lejimi i tij për burrat kur ka arsye ose është në sasi të vogël

 

Çfarë thamë më sipër është vetëm në lidhje me burrat.

Ndërsa grave u lejohet veshja e mëndafshit dhe të ulurit mbi të. Vlen të përmendim se ai u lejohet burrave vetëm atëhere kur ka arsye. Në lidhje me këtë mund të përmendim argumentet e mëposhtme:

  1. Aliu (r.a.)tregon : “Profetit (s.a.u.s.) i ishte dhuruar një rrobë mëndafshi dhe ai ma dërgoi mua. Unë e vesha atë por i pashë shenjat e zemërimit në fytyrën e tij. Ai më tha: “Nuk ta kam dërguar që ta veshësh, por që t’ua ndash grave për ta vënë si shami.”[18]
  2. 2. Enesi tregon se Profeti (s.a.u.s.) ua ka lejuar Abdurr-Rrahman Bin Aufit dhe Zubejrit veshjen e mëndafshit për shkak se ata vuanin nga zgjebja”.[19]

Autori i librit “El Huxhetul Baligah” thotë se Profeti (s.a.u.s.) nuk e ka lejuar mëndafshin për zbukurim, por për shërim.

  1. Omeri (r.a.) ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) na e ka ndaluar veshjen e mëndafshit përveç (në sasi të vogël) sa vendi i dy gishtave, tre ose katër gishtave.”[20]

Thuhet në “El Huxhetul Baligah”: “Edhe pse kjo nuk futet tek veshja, por ndoshta është diçka e nevojshme.”

 

Mendafshi i përzier me diçka tjetër

 

Sa u tha më sipër vlen vetëm për mëndafshin e pastër. Përsa i përket mëndafshit të përzier me diçka tjetër, Shafijtë mendojnë se në qoftë se pjesa më e madhe e rrobës është prej mëndafshi atëherë ajo është e ndaluar. Në qoftë se gjysma e rrobës ose më pak është prej mëndafshi atëherë ajo është e lejuar. Ata mendojnë se “shumica” konsiderohet sikurse “e gjitha”.

Neveviu ka thënë: “Mëndafshi i përzier me diçka tjetër nuk është i ndaluar vetëm në rast se ai ka peshën më të madhe.”

 

Lejimi i veshjes së mëndafshit për fëmijët

 

Shumica e juristëve mendojnë se veshja e mëndafshit është e ndaluar edhe për fëmijët (djemtë) duke argumentuar se ndalimi i tij është i përgjithshëm. Kurse Shafiu e ka lejuar këtë.

Neveviu ka thënë: “Disa dijetarë kanë thënë se lejohet veshja e mëndafshit dhe floririt nga fëmijët (djemtë) ditën e Bajramit sepse ata nuk e kanë arritur moshën e obligimit. Përsa i përket veshjes së mëndafshit nga fëmijët gjatë gjithë vitit ka tre mendime:

Mendimi më i saktë është se kjo lejohet.

Ndalohet për djemtë.

Ndalohet për djemtë pasi të arrijnë moshën madhore.

 

Mbajtja e unazave prej ari dhe argjendi

 

Shumica e dijetarëve muslimanë e kanë ndaluar mbajtjen e unazave prej ari[21] për burra, por jo për gratë. Ata e kanë argumentuar këtë me hadithet e mëposhtme:

  1. El Bera’a Bin Azibi (r.a.) ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) na ka urdhëruar për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar shtatë gjëra të tjera. Na ka urdhëruar të shoqërojmë xhenazen, të vizitojmë të sëmurin, të pranojmë ftesën, të ndihmojmë viktimat e padrejtësisë, të përmbushim betimet, ta kthejmë përshëndetjen (selamin) (në një transmetim tjetër thuhet: ta përhapim selamin) dhe të përshëndesim atë që teshtin. Ai na ka ndaluar: enët e argjendit, unazat e floririt, mëndafshin, rrobat e mëndafshit, mëndafshin e përzier me lino, rrobat e mëndafshit të qëndisura me ar dhe argjend dhe mbulesën e shalës së kalit prej mëndafshi.”[22]
  2. Abdullah Bin Omeri (r.a.) tregon se Profeti (s.a.u.s.) kishte një unazë prej floriri në të cilën kishte shkruar “Muhamedi i Dërguari i Allahut”. Më vonë shokët e tij filluan të mbanin unaza të ngjashme me unazën e tij. Kur i pa, ai e hodhi unazën e tij duke thënë: “Nuk do ta mbaj më kurrë”. Pastaj ai filloi të mbante një unazë prej argjendi dhe kështu bënë dhe shokët e tij. Ibn Omeri vazhdon dhe thotë se pas vdekjes se Profetit (s.a.u.s.) unazën e tij e ka mbajtur Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani të cilit i ka rënë në pusin e Erisit[23].”[24]
  3. Kur Profeti (s.a.u.s.) pa një unazë ari në dorën e një personi, ai ia hoqi atë nga gishti dhe e hodhi duke thënë: “A e merr dikush prushin prej zjarrit dhe e vëndos në dorën e tij?” Pasi Profeti (s.a.u.s.) u largua, disa njerëz i thanë këtij personi: “Merre unazën tënde dhe përfito prej saj”. Por ai refuzoi duke thënë: “Pasha Allahun nuk e marrë diçka të cilën Profeti (s.a.u.s.) e ka hedhur”.[25]
  4. Ebu Musa tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Floriri dhe mëndafshi janë lejuar vetëm për gratë e popullit tim dhe janë ndaluar për burrat”.[26]

Dijetarët e hadithit kanë thënë se ky hadith është “ma’lul” (jo i saktë) sepse në vargun e tij të transmetimit ndodhet Said Bin Ebu Hindi i cili pretendon se hadithin e ka marrë nga Ebu Musa, por në fakt ai nuk është takuar asnjëherë me të dhe nuk ka dëgjuar prej tij.

  1. Muslimi dhe të tjerë transmetojnë se Aliu (r.a.) ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) na e ndaloi mbajtjen e unazës së floririt, veshjen e rrobave të mëndafsha, leximin e Kuranit në Ruku dhe Sexhde dhe veshjen e rrobës se ngjyrosur me të kuqe në një formë të veçantë.”[27] Shumica e shokëve të Profetit (s.a.u.s.), pasuesve të tyre dhe dijetarëve islamë mendojnë se lejohet veshja e kësaj rrobe. Ndërsa Imam Ahmedi e konsideron veshjen e saj “Mekruh tenzihi”(të papëlqyeshme).

Këto ishin argumentet e shumicës së dijetarëve muslimanë për ndalimin e mbajtjes së unazës prej floriri. Neveviu thotë: “I njëjti gjykim është nëse unaza është produkt i përzierjes së floririt me argjend”.

Një grup dijetarësh e konsiderojnë mbajtjen e unazës së floririt për burrat “Mekruh Tenzihi” (të papëlqyeshme).

Tregohet se disa prej shokëve të Profetit (s.a.u.s.) i kanë mbajtur unazat e floririt. Prej tyre mund të përmendim: Sa’ad Bin Ebu Uekas, Talha Bin Ubejdullah, Suhejbi, Hudhejfa dhe Xhabir Bin Semurah.

 

Enët e arit dhe të argjendit

 

Ndalohet ngrënia dhe pirja në enë prej floriri dhe argjendi si për burrat ashtu edhe për gratë. Në të njëjtën mënyrë ndalohet ngrënia dhe pirja në enët e lara me flori ose argjend nëse është e mundur ndarja e floririt dhe argjendit nga ena. Nëse nuk është e mundur atëherë nuk është i ndaluar përdorimi i tyre për ngrënie dhe pirje.

Lejohet përdorimi i floririt për gratë me qëllim zbukurimi, por jo ngrënia dhe pirja në enët e floririt dhe argjendit. Hadithet e mëposhtme e argumetojnë këtë:

  1. Hudhejfja tregon se e ka dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke thënë: “Mos vishni rroba mëndafshi, mos pini dhe mos hani në enë prej floriri dhe argjendi. Ato janë të atyre (jobesimtarëve) në këtë botë dhe të tuajat në botën tjetër.”[28]
  2. Ummu Seleme tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ai i cili pi në një enë argjendi, ka futur në barkun e tij zjarrin e Xhehenemit.”[29]

Në një transmetim të Muslimit  thuhet: “Ai i cili ha ose pi në një enë prej floriri dhe argjendi…”

Disa prej juristëve islamë e konsiderojnë këtë “të papëlqyeshme” dhe jo “ të ndaluar”. Ata thonë se hadithet e përmendura më sipër kanë ardhur me qëllim për të mos u dhënë pas tyre. Hadithi i Umu Selemeh e hedh poshtë mendimin se ngrënia dhe pirja në këto enë është e papëlqyeshme. Ky mendim është hedhur poshtë.

Përveç përdorimit të enëve të arit dhe argjendit për ngrënie dhe pirje, disa dijetarë kanë përfshirë edhe përdorimin e tyre për parfumim dhe tualet.

Por verifikuesit nuk kanë rënë dakord me këtë mendim. Në hadithin e Ahmedit dhe të Ebu Daudit thuhet: “Mundeni që ta përdorni argjendin për lojë dhe zbavitje.”[30] Ky hadith e konfirmon mendimin e verifikuesve.

Në “Fet’hul Al-lam” thuhet: “E vërteta ështëse nuk ndalohet gjë tjetër veç ngrënies dhe pirjes në to.dhe pretendimi përgjithësues është i pavërtetë, për arsye se ata kanë ndryshuar fjalën Profetike me fjalë të tjera. Në fakt hadithi përmend ndalimin e tij për ngrënie dhe pirje, por ata kanë neglizhuar fjalën profetike dhe kanë sjellë nga vetja e tyre fjalën përgjithësuese “përdorim”.

Bazuar mbi këtë, shumica e juristëve islamë i kanë ndaluar enët e arit dhe të argjendit vetëm për ngrënie dhe pirje, duke i lejuar përdorimet e tjera.

 

Enët që nuk janë prej floriri dhe argjendi

 

Lejohet përdorimi i enëve prej xhevahiresh të çmuar edhe nëse janë më të shtrenjta se ari dhe argjendi, pasi gjërat në vetvete janë të lejuara përderisa nuk ka asnjë argument (nga Kurani dhe Tradita Profetike) që t’i ndalojë ato.

 

Lejimi i dhembëve dhe i hundës prej ari

 

Është e lejuar që të vendosen dhëmbë prej ari dhe hundë prej ari kur kjo është e nevojshme. Tirmidhiu transmeton nga Arfexheh Bin Esadi se ai ka thënë: “Mu dëmtua hunda ditën e qenve dhe vendosa një hundë prej argjendi e cila më mori erë. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) më urdhëroi të vendosja një hundë prej ari.”[31]

Tirmidhiu ka thënë: “Është transmetuar nga më shumë se një dijetar se ata i kanë veshur dhëmbët e tyre me ar.”

Nesai transmeton se Muavija ka thënë kur rreth tij kishte disa muhaxhirinë dhe ensarë: “A e dini se Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar veshjen e mëndafshit ?” Ata i kanë thënë “Po, e dimë”. Ai i ka pyetur përsëri: “A e dini se ai e ka ndaluar edhe floririn përveç rasteve kur është në sasi të vogël[32]? Ata kanë thënë: “Po, e dimë”.[33]

 

Imitimi i burrave nga gratë dhe anasjelltas

 

Islami ka dashur që natyra e gruas të jetë karakteristike dhe pamja e saj e jashtme ta pasqyrojë me përpikmëri këtë natyrë.

Islami e ka përcaktuar këtë edhe për burrin dhe e ka ndaluar secilin prej tyre të imitojë tjetrin. Ky imitim i ndërsjelltë është i ndaluar, qoftë në veshje, në të folur, në ecje etj.

Ibn Abbasi (r.a.) thotë: “Profeti (s.a.u.s.) i ka mallkuar ata burra të zhburrëruar (që sillen si gratë) dhe ato gra që sillen si burrat.”[34]

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i ka mallkuar ata burra që imitojnë gratë dhe ato gra që imitojnë burrat.”[35]

Ebu Hurejre ka thënë: “Profeti (s.a.u.s.) e ka mallkuar atë burrë që vishet si grua dhe atë grua që vishet si burrë.”[36]

 

Veshja për famë dhe mendjemadhësi

 

Në këtë grup futen veshjet të cilat dikush i përdorë për mëndjemadhësi dhe për mburrje që të dallohet nga njerëzit e tjerë. Këto janë të ndaluara duke u bazuar në argumentet e mëposhtme:

Ibn Omeri tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Kushdo që vesh një rrobë për t’u dukur (për të rënë në sy) në këtë botë, Allahu do t’i veshë atij një rrobë poshtëruese në botën tjetër”.[37]

Ibn Omeri tregon gjithashtu se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Allahu nuk do t’ia hedhë sytë Ditën e Gjykimit atij që e tërheq rrobën zvarrë për t’u mburrur.”[38]

Amir Bin Shuajb tregon nga i ati i tij; nga gjyshi i tij se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ha, pi, vishu dhe jep lëmoshë pa shpenzime të tepruara dhe pa u mburrur.”[39]

 

Ndalimi i zgjatjes së flokëve të një gruaje me flokët e një gruaje tjetër

 

1- Ebu Hurejre tregon se një grua ka shkuar tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, unë kam një vajzë të martuar të cilës i kanë rënë flokët nga fruthi. A mund t’ia zgjas ato (me flokët e dikujt tjetër ose me paruke)?” Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Allahu e ka mallkuar atë që zgjat dhe atë të cilës i zgjaten flokët (me flokë të tjera), atë që bën dhe atë të cilës i bëhet tatuazhi”[40]

2- Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: “Allahu i ka mallkuar ato gra të cilat bëjnë dhe u bëhet tatuazh, ato të cilat heqin dhe u hiqen vetullat, ato të cilat i hollojnë dhëmbët me

limë me qëllim zbukurimi dhe që ndryshojnë atë që ka krijuar Allahu (xh.sh.)”

Kur e dëgjoi këtë një grua nga fisi “Beni Esid”, e quajtur Ummu Ja’kub, dhe që lexonte Kuranin shkoi tek Abdullah Ibn Mes’udi. Ai i tha: “Si të mos i mallkoj unë ato gra të cilat i ka mallkuar Profeti (s.a.u.s.) dhe që e thotë edhe Kurani?” Ajo i tha: “Unë e kam lexuar të gjithë Kuranin dhe nuk e kam gjetur këtë”. Atëherë Abdullah Ibn Mes’udi i ka thënë asaj: “Nëse e ke lexuar do ta kishe gjetur sepse Allahu thotë:

 

وَمَا آتَاكُمْ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا

“Çfarë t’ju japë Profeti (s.a.u.s.) merreni atë, e çfarë t’ju ndalojë, largohuni prej saj.” [El Hashr, 7]”[41]

3- Abdullah Ibn Mes’udi gjithashtu ka thënë: “Kam dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) ta ndalojë heqjen e vetullave, prerjen (hollimin) e dhëmbëve, zgjatjen e flokëve(me paruke) dhe tatuazhin përveç rasteve kur kjo bëhet nga sëmundja”[42]

Në librin “Nejlul Eutar” thuhet:

“Zgjatja e flokëve është e ndaluar sepse mallkimi nuk mund të jetë për diçka të lejuar.”

Neveviu ka thënë se kjo është zgjedhje e qartë. Disa nga dijetarët tanë e kanë sqaruar këtë duke thënë: “Nëse një grua i zgjat flokët me flokë të tjetërkujt kjo është e ndaluar pa asnjë kundërshtim, qofshin flokët e një burri apo të një gruaje, e një të afërmi, të burrit të saj, apo dikujt tjetër”.

Argumentet janë përgjithësuese dhe e ndalojnë përfitimin nga flokët e huaj apo pjesët e tjera të trupit të tij sepse kjo cënon dinjitetin e njeriut.

Pas vdekjes, njeriu duhet të varroset së bashku me flokët, thonjtë dhe të gjitha pjesët e trupit të tij.

Nëse i zgjat flokët jo me flokë njeriu dhe ata janë të papastra si p.sh. flokët e të ngordhurës ose të asaj të cilës nuk i hahet mishi, edhe nëse flokët janë marrë kur kafsha ka qenë gjallë, kjo është gjithashtu e ndaluar sipas hadithit. Kjo ndalohet sepse ky person konsiderohet se mban me qëllim diçka të papastër gjatë kryerjes së lutjeve. Ky rregull është i njëjtë për burrat dhe gratë, të martuar qofshin ose jo.

Nëse i zgjat flokët jo me flokë njeriu dhe ato janë të pastra, kjo është e ndaluar për atë grua e cila nuk ka burrë ose kujdestar. Në rast se ka burrë ose kujdestar, atëherë kemi tre mendime:

  • Nuk lejohet duke u bazuar tek kuptimi i dukshëm i hadithit
  • Lejohet
  • Nëse merr lejen e burrit ose kujdestarit për këtë lejohet, ne të kundërt kjo është e ndaluar. Ky është mendimi më i saktë.

Në qoftë se i zgjat flokët jo me flokë njeriu si p.sh. me mëndafsh, lesh, lino, etj, kjo është e lejuar sipas mendimit të Said Bin Xhubejrit, Ahmedit dhe Lejthit.

Kadi Ijjad ka thënë: “Në qoftë se zgjatën me fije mëndafshi me ngjyrë ose me gjëra të cilat nuk u ngjasojnë flokëve, kjo nuk është e ndaluar sepse nuk konsiderohet zgjatje sipas kuptimit të mirfilltë të saj, por bëhet me qëllim zbukurimi.

Ashtu siç ndalohet zgjatja e flokëve në mënyrën që e përmendëm më sipër, ashtu ndalohet edhe heqja e flokëve dhe e qimeve nga fytyra përveç rasteve kur gruas i del mjekra dhe mustaqet. Në këtë rast, jo vetëm që lejohet heqja e tyre por kjo është e pëlqyer, siç ka thënë Neveviu dhe disa dijetarë të tjerë.

Përsa i përket prerjes (hollimit) të dhëmbëve Neveviu ka thënë: “Kjo është e ndaluar për atë që e bën dhe për atë që i bëhet.” Në librin “Nejlul Eutar” thuhet: “Është e qartë se prerja e dhëmbëve është e ndaluar kur bëhet me qëllim zbukurimi dhe jo për shkak të ndonjë sëmundje apo Dëmtimi.”

Kuptohet nga shprehja “ato që ndryshojnë atë që ka krijuar Allahu” se nuk lejohet ndryshimi i tipareve të krijesave të Allahut.

Ebu Xha’fer El Tabariu ka thënë: “Ky hadith është argument se nuk lejohet ndryshimi i tipareve të cilat i ka krijuar Allahu (xh.sh.) tek një grua duke shtuar ose duke hequr diçka me qëllim zbukurimi për të kënaqur burrin apo dikë tjetër. Në qoftë se një grua ka një dhëmb ose diçka tjetër të tepërt, nuk lejohet heqja ose prerja e tij sepse kjo konsiderohet ndryshim i asaj të cilën e ka krijuar Allahu (xh.sh.). Në të njëjtën mënyrë, nëse një grua ka dhëmbë të gjatë nuk lejohet t’i shkurtojë. I këtij mendimi është edhe Kadi Ijjad, i cili ka shtuar se: “Lejohet heqja ose shkurtimi i tyre në qoftë se ato shkaktojnë dhimbje ose dëm.”

 

STATUJAT DHE PIKTURAT

 

Ndalimi i figurave dhe i statujave

 

Ka shumë hadithe të sakta të cilat e ndalojnë në mënyrë të qartë punimin e statujave dhe pikturimin e gjërave që kanë shpirt, qofshin ato njerëz, kafshë apo shpendë. Ndërsa pikturimi i gjërave të cilat nuk kanë shpirt si p.sh. pemët, lulet, etj. është i lejuar.

  1. Ibn Abbasi tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ditën e gjykimit do t’i kërkohet atij që ka bërë figura (statuja) në këtë botë që t’u japë shpirt atyre, por ai nuk do të mundet ta bëjë këtë.”[43]
  2. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nga njerëzit që kanë dënimin më të ashpër ditën e gjykimit janë ata njerëz të cilët punojnë këto piktura.”[44]

Muslimi transmeton se një burrë ka shkuar tek Ibn Abbasi dhe i ka thënë: “Unë bëj statuja me shumë mjeshtëri”. Ibn Abbasi i tha: “Afrohu ”. Ai u afrua, dhe pasi i pa, ia vuri dorën në kokë dhe i tha: “Po të tregoj se e kam dëgjuar Profetin (s.a.u.s.) duke thënë: “Të gjithë ata që bëjnë statuja do të futen në zjarr dhe statujave të tyre do t’u jepet shpirt për t’i dënuar ata në Xhehenem”. Pastaj ai i tha: “Nëse duhet medoemos që të bësh figura, atëherë bëj figura pemësh ose gjërash të tjera që nuk kanë shpirt.”[45]

Aliu (r.a.) transmeton se një herë Profeti (s.a.u.s.) ishte në një rast vdekjeje dhe tha: “Cili prej jush shkon në Medine dhe i thyen të gjithë idhujt, i rrafshon të gjitha varret dhe i shkatërron të gjitha figurat?” Një njeri i tha: “Unë, o i Dërguari Allahut.” Banorët e qytetit u frikësuan nga kjo. Burri u nis për në Medine dhe pas një kohe u kthye dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, të gjithë idhujt i theva , të gjitha varret i rrafshova dhe të gjitha figurat i shkatërrova.” Pastaj Profeti (s.a.u.s.) tha: “Kushdo që rikthehet për të punuar diçka të tillë konsiderohet jobesimtar i asaj që i është shpallur Muhamedit.”[46] Transmeton Ahmedi sipas një vargu transmetimi të mirë.

 

Lejimi i figurave për lodra fëmijësh

 

Përjashtohen nga sa thamë më sipër lodrat e fëmijve si kukullat dhe çfarë u ngjason atyre. Këto janë të lejuara të prodhohen dhe të shiten duke u bazuar në hadithet e mëposhtme:

  1. Aishja (r.a.) ka thënë: “Isha duke luajtur me kukulla me disa vajza të reja kur hyri Profeti (s.a.u.s.). Kur ai hynte, ato dilnin dhe kur dilte ato ktheheshin përsëri”.[47]
  2. Aishja (r.a.) tregon gjithashtu se kur Profeti (s.a.u.s.) u kthye nga lufta e Tebukut ose Khajberit dhe hyri në dhomën e saj, ajo kishte disa kukulla në një raft të mbuluar me perde. Kur era e largoi perden, Profeti (s.a.u.s.) i pa kukullat e saj dhe i tha: “Çfarë janë këto o Aishe?” Ajo i tha: “Kukullat e mia”. Profeti (s.a.u.s.) pa në mes të lodrave një kalë me dy krahë dhe e pyeti: “Çfarë është kjo?” Ajo i tha: “Kalë”. Ai e pyeti përsëri: “Çfarë ka mbi të?” Ajo i tha: “Dy krahë”. Profeti (s.a.u.s.) e pyeti i habitur: “Kalë me dy krahë?” Ajo i tha: “A nuk ke dëgjuar se Sulejmani (s.a.u.s.) ka pasur kalë me krahë”. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) qeshi aq shumë sa mund t’i shikoheshin dhëmballët.[48]

 

Ndalimi i vendosjes së figurave në shtëpi

 

Ashtu sikurse ndalohet punimi i statujave dhe i figurave, është i ndaluar edhe përfitimi prej tyre dhe mbajtja e tyre në shtëpi. Duke u bazuar mbi këtë, është obligim thyerja e tyre që ta humbasin formën e statujës.

  1. Bukhariu transmeton se Profeti (s.a.u.s.) nuk ka lënë në shtëpinë e tij asgjë që ka formën e kryqit pa e prishur.[49]
  2. Transmetohet se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Engjëjt nuk hynë në një shtëpi ku ka statuja”.[50]

 

Pikturat njëdimensionale

 

Çfarë thamë më sipër vlen për figurat tridimensionale. Kurse pikturat njëdimensionale siç janë vizatimet në mur, letër, rroba, perde dhe fotografitë janë të gjitha të lejuara. Këto kanë qenë të ndaluara në fillim por më vonë janë lejuar. Çfarë e argumenton se ato kanë qenë të ndaluara është fjala e Aishes (r.a.) e cila ka thënë: “Kur hyri Profeti (s.a.u.s.) në dhomën time ai pa një perde të hollë me disa piktura në të, të cilën e përdorja për të mbuluar një raft. Kur ai i shikoi, e copëtoi perden me zemërim dhe më tha: “O Aishe, më së shumti do të dënohen ditën e gjykimit ata të cilët e imitojnë Zotin në krijim.”[51]

Aishja thotë: “Më pas e copëtuam perden dhe e përdorëm për të bërë jastekë.”

Çfarë e argumenton se ato janë lejuar më vonë janë hadithet e mëposhtme:

  1. Busr Bin Saidi transmeton nga Zejd Ibn Khalidi, nga Ebu Talha i cili thotë se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Engjëjt nuk futen në atë shtëpi në të cilën ka piktura”. Busri vazhdon e thotë: “Pastaj u ankua (u sëmurë) Zejdi dhe e vizituam atë, mirëpo në deren e tij pamë një perde në të cilën ishin vizatuar disa piktura. Ju drejtova Ubejdullahut i cili i shërbente Mejmunes, gruas të Profetit (s.a.u.s.): “A nuk na informoi dje Zejdi për pikturat?” Ubejdullahi më tha: “A nuk e dëgjove kur tha “përveç asaj që është e vizatuar në rrobë”.[52]
  2. Aishja (r.a.) tregon: “Kishim një perde në të cilën ishte vizatuar një zog dhe kushdo që hynte e shikonte atë. Profeti (s.a.u.s.) më tha : “Hiqe atë sepse sa herë hyj dhe e shoh, më kujton këtë botë.”[53]

Ky hadith argumenton se ky lloj pikturash nuk është i ndaluar, sepse sikur të ishte i tillë, Profeti (s.a.u.s.) do ta kishte urdhëruar që ta griste dhe s’do të ishte mjaftuar vetëm me heqjen e saj që të mos e shikonte. Profeti (s.a.u.s.) përmend se shkaku i heqjes së saj është se ajo i kujtonte jetën e kësaj bote.

Tahaviu, një prej juristëve hanefijë, e përkrah këtë mendim duke thënë: “Në fillim të gjitha pikturat kanë qenë të ndaluara, duke përfshirë edhe vizatimet mbi rroba, sepse njerëzit në atë kohë sapo kishin braktisur adhurimin e statujave dhe pikturave. Pasi u vendos ndalimi i tyre, Profeti (s.a.u.s.) i lejoi pikturat mbi rrobe sepse ato janë të rëndomta dhe është e pamundur që edhe injorantët t’i madhërojnë ato. Por ndalimi është i vlefshëm për llojet e tjera.”

Ibn Hazmi ka thënë: “Lejohen pikturat për vajzat e vogla kur përdoren si lodra dhe ato të cilat janë të vizatuara mbi rroba. Pikturat e tjera janë të gjitha të ndaluara.” Këtë e ka argumentuar me hadithin e Zejd Ibn Khalidit i cili e ka transmetuar nga Ebu Talha El Ensariu.

 


[1] Kuran: El A’raf 26

[2] Kuran: El A’raf 31

[3] Kuran: El A’raf 32

[4] Transmetuar nga Muslimi dhe Tirmidhiu

[5] Hadith Daif – i dobët, me përjashtim të shprehjes Allahu është i mirë dhe e do të mirën, i pastër dhe e do pastërtinë, bujar dhe e do bujarinë”. “Gajetul Meram” 113, “Es Sahijha” 236, 1627), “Sunenu Ebi Daud” 2799.

[6] Hadith Hasen. “Sunenu Ebi Daud” 4017, “Sunenu et Tirmidhi” 2769, “Sunenu Ibën Maxheh” 1920; por nga Behz ibën Hakim; nga babai i tij; nga gjyshi i tij.

[7] Hadith Daif – i dobët. “El Irvau” 2133, “Sunenu Ebi Daud” 4089.

[8] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 4063, “Sunenu En Nesai” 5223

[9] Hadith Sahih. “Sunenu Ibën Maxheh” 1096

[10] Bukhariu e transmeton pa shprehjen “Mos e vishni mëndafshin” 5386 dhe Muslimi 3856.

[11] Bukhariu dhe Muslimi e transmetojnë me shprehje të përafërt me këtë.

[12] Transmetuar nga Bukhariu.

[13] Bukhariu 362; “Kapitulli i Namazit” dhe Muslimi 3868; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[14] Transmetuar nga Bukhariu 2463; “Kapitulli i Dëshmive” dhe Muslimi 1751; “Kapitulli i Zekatit”

[15] Hadith Daif – i dobët. “Sunenu Ebi Daud” 4047

[16] Kjo është fjala e Ebu Daudit, pasi transmeton hadithin me nr. 3521.

[17] Muslimi 3861; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[18] Bukhariu 2422, 4947, 5392 dhe Muslimi 3862. Teksti i përmendur është i Muslimit.

[19] Bukhariu 5391; “Kapitulli i veshmbathjeve” dhe Muslimi 3870; “Kapitulli i veshmbathjeve dhe zbukurimit”.

[20] Bukhariu; “Kapitulli i Veshmbathjeve” dhe Muslimi 3860. Teksti i përmendur është i Muslimit.

[21] Lejohet mbajtja e unazave jo prej ari për burrat dhe për gratë edhe nëse janë më të çmueshme se ari.

[22] Buhariu 5204, Muslimi 3848

[23] Ky pus gjendet ngjitur me xhaminë Kubaa në Medine.

[24] Buhariu 5417; “Kitabu el Libas”

[25] Muslimi 3897; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[26] Hadith Sahih. “Mishkatul Mesabih” 4341. Atë e ka nxjerrë Nesai 5148 dhe Tirmidhiu 1720

[27] Muslimi 3876; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[28] Bukhariu 5006; “Kapitulli i Ushqimeve” dhe Muslimi 3850; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[29] Bukhariu 5203; “Kapitulli i pijeve” dhe Muslimi 3846; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”

[30] Hadith Hasen. “Sunenu Ebi Daud” 4236

[31] Hadith Hasen. “Sunenu en Nesai” 5161, “Sunenu et Tirmidhi” 1842

[32] Në masë të vogël sa dhëmbi.

[33] Hadith Sahih. “Sunenu en Nesai” 5159

[34] Bukhariu 5436, Ebu Daudi 4282.

[35] Buhariu 5435, Ahmedi 2984, Ibën Maxheh 1894

[36] Hadith Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 4098, “Sunenu Ibën Maxheh” 1903

[37] Hadith Hasen. “Mishkatul Mesabih” 4346. Atë e ka nxjerrë nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh.

[38] Buhariu 3392 dhe Muslimi 3887; “Kapitulli i veshmbathjes dhe zbukurimit”.

[39] Hadith Hasen. “Sahih et Targib uet Terhib” 2145. Atë e ka nxjerrë Nesai dhe Ibën Maxheh, ndërsa Buhariu e ka përmendur në formën e hadithit “Mual-lak”.

[40] Buhariu 5477, 5481, 5484 etj, nga një numër sahabësh

[41] Buhariu 4507; “Kapitulli i Tefsirit të Kuranit”, “Surja Hashr”, Tema “Atë që ua jep Pejgamberi merreni”

[42] Hadith Sahih. “Gajetul Meram” 93. E ka nxjerrë Ahmedi dhe Nesai.

[43] Buhariu 5506

[44] Buhariu 5644

[45] Muslimi 3945

[46] Hadith Daif. “Gajetul Meram” 144

[47] Buhariu 5665 me shprehje të përafërt, Ebu Daudi  4931, Ibën Maxheh 1982; me verifikimet e shejh Albanit.

[48] Hadith Sahih. “Mishkatul Mesabih” 3265, “Sunenu Ebi Daud” 4932.

[49] Buhariu 5496; “Kapitulli i veshmbathjeve”

[50] Buhariu 2986 dhe Muslimi 3948.

[51] Buhariu 5498 dhe Muslimi 3937. Teksti i përmendur është i Muslimit

[52] Buhariu 5501 dhe Muslimi 3931

[53] Muslimi 3934