RREGULLA QE LIDHEN ME MJEKESINE DHE TE SEMURIN
Nga libri “Fikhu Suneh”
Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani, me gjykimet e shejh Muhamed Nasirudin Albani
Rregullat e Sunetit gjatë sëmundjes
Ekzistojnë shumë hadithe që thonë se sëmundja i pastron veprat e këqija dhe fshin mëkatet. Disa prej tyre janë dhënë si më poshtë:
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur Allahu dëshiron për dikë diçka të mirë, Ai e sprovon me disa vështirësi”.[1] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Gjithashtu, Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Për çdo fatkeqësi, sëmundje, ankth, hidhërim ose dhimbje që e godet një musliman – qoftë kjo edhe dhimbje e shkaktuar nga shpimi i një gjëmbi – Allahu ia fal atij disa prej mëkateve të tij”.[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Buhariu transmeton se Ibën Mesudi ka thënë: “E vizitova të Dërguarin e Allahut kur ai ishte i sëmurë me temperaturë dhe me ethe. I fola i çuditur: “O i Dërguar i Allahut! Ti ke temperature të lartë”. Ai më tha: “Temperatura ime është më lartë se e dy vetave prej jush (bashkarisht)”. Unë e pyeta: “Kështu është sepse ti ke shpërblim të dyfishtë”. Ai u përgjigj: “Po, kjo është e vërtetë. Çdo muslimani që i shkatohet dhimbje, qoftë kjo jo më shumë se shpimi nga një gjemb, e Allahu ia fshin mëkatet atij njeriu për shkak të kësaj dhimbjeje dhe mëkatet e tij bien nga ai siç bien gjethet nga pema”.[3] Transmeton Buhariu.
Ebu Hurejra ka thënë se Profeti (a.s.) ka tërhequr vëmendjen duke thënë: “Shembulli i një besimtari është si i një bime të freskët dhe të njomë. Nga çfarëdo drejtimi të fryjë era, ajo e përkul bimën. Por kur era pushon ajo drejtohet përsëri. (Po ashtu edhe besimtari sprovohet me mundime për të forcuar besimin dhe zemrën e tij, duke qëndruar durimtar dhe i qëndrueshëm). Një person i keq është si druri i pishës, i cili qëndron i papërkulur dhe i ngrirë derisa Allahut ta thyejë atë në momentin që Ai dëshiron”.[4]
Durimi gjatë sëmundjes
Personi që vuan nga një sëmundje duhet të qëndrojë i duruar dhe për këtë nuk ka shpërblim apo pasurues më të mirë se kjo, e rezervuar për ata që durojnë.
Suhejb ibën Sinani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Sa i çuditshëm është rasti i besimtarit! Gjendet e mira për atë në çdo gjë, por ky nuk është rast për çdo njeri, veçse për besimtarët. Kur besimtarit i ndodh diçka e mirë, ai falënderon Allahun dhe merr një shpërblim. Kur bien mbi të fatkeqësi dhe ai i kapërcen ato me durim, gjithashtu edhe për këtë ai shpërblehet”.[5] Transmeton Muslimi.
Enesi transmeton: “Unë e dëgjova Profetin (a.s.) duke thënë: “Allahu ka thënë: Kur Unë e sprovoj robin Tim tek gjërat më të dashura të tij (te sytë e tij) dhe ai e kapërcen me durim atë, Unë i siguroj atij xhenetin”.[6] Transmeton Buhariu.
Ata’ ibën Rabah transmeton se ka dëgjuar Ibën Abasin të thotë: “Doni t’ju tregoj një grua që është banore e xhenetit? Unë i thashë: “Patjetër”. Ai tha “Kjo grua zezake shkoi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “Unë vuaj nga kriza epileptike dhe për shkak të saj (ndonjëherë) trupi im zbulohet. A do t’i lutesh Allahut të Madhëruar të më shërojë nga kjo sëmundje ? Profeti (a.s.) i tha: “Nëse dëshiron të fitosh xhenetin (për shkak të kësaj vuajtjeje), ji e duruar. Po nëse ti dëshiron, unë do t’i lutem Allahut të shërojë ty nga kjo sëmundje”. Gruaja tha: “Unë do të duroj”. Pastaj ka shtuar: “Unë zbulohem (kur kam kriza), kështu lutju Allahut për mua që të mos zbulohem”. Kështu Profeti (a.s.) u lut për të.[7] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Të ankuarit nga sëmundja
Është e lejueshme për të sëmurin të ankohet për dhimbjen dhe sëmundjen e tij tek një specialist ose një shok i tij, me kusht që të mos veprojë kështu vetëm për të shprehur hidhërimin apo padurimin e tij. Më lart u përmend se Profeti (a.s.) ka thënë: “Temperatura ime është më e lartë se ajo e dy vetave prej jush”.[8]
Njëherë Aishja (r.a.) u ankua tek i Dërguari i Allahut për dhimbjen e kokës duke vajtuar: “Oh, koka ime”. Ai iu kundërpërgjigj: “Jo, mjaft (unë duhet të them) oh, koka ime!”. [9]
Po ashtu, është transmetuar se Abdullah ibën Zubejri e ka pyetur nënën e tij të sëmurë, Esma bint Ebu Bekrin. “Si ndihesh tani?” Ajo i është përgjigjur: “Kam dhimbje”.
I sëmuri duhet të falënderojë dhe të lusë Allahun përpara se të flasë për shqetësimin dhe ankimin e tij. Ibën Mesudi ka thënë: “Nëse dikush falënderon Allahun para se të ankohet për dhimjen apo sëmundjen e tij, atëherë ky nuk konsiderohet ankues. Në të vërtetë, të ankuarit tek Allahu është i ligjshëm. Profeti Jakub (a.s.) ka thënë: “Unë i ankohem vetëm Allahut për mërzitjen dhe dhimbjen time”. Profeti Muhammed (a.s.) lutej për veten: “O Allah! Vetëm tek Ti ankohem për dobësinë e fuqisë time”.[10]
Personi i sëmurë shpërblehet për çdo vepër të mirë që do të kryente zakonisht në gjendje shëndeti
Ebu Musa El Eshariu transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse një rob i Allahut sëmuret apo fillon një udhëtim, ai vazhdon të shpërblehet për veprat e mira që ai bënte kur ishte i shëndetshëm dhe në shtëpi”.[11] Transmeton Buhariu.
Vizita që i bëhet të sëmurit
Është prej edukatës islame t’i shkosh për vizitë muslimanit të sëmurë, për t’i dhënë mbështetje morale dhe për ta siguruar se është nën kujdestari të mirë.
Ibën Abasi ka thënë: “Vizita e parë tek i sëmuri është sunet, ndërsa vizitat e tjera pasuese janë akte vullnetare.
Ebu Musa transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ushqejeni të uriturin, vizitojeni të sëmurin dhe lirojeni robin”.[12] Transmeton Buhariu.
Gjithashtu, Profeti (a.s.) ka thënë: “Muslimani ka gjashtë detyrime kundrejt një muslimani tjetër”. Ata që ishin të pranishëm e pyetën se cilat ishin ato. Ai u përgjigj: “Ta përshëndesësh një musliman kur ti e takon atë; t’i përgjigjesh ftesës së tij; t’i japësh atij këshillën më të sinqertë kur ai të kërkon këshillim; t’i thuash “Allahu të mëshiroftë”, kur ai teshtin dhe falënderon Allahun; ta vizitosh kur ai sëmuret dhe kur ai vdes të shoqërosh xhenazen e tij”.[13] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Shpërblimi për vizitën tek i sëmuri
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Një thirrës nga qielli thërret personin që viziton një të sëmurë: Ti je i mirë, rruga jote është e mirë dhe ti mund të hysh në banesën tënde në xhenet”.[14] Transmeton Ibën Maxhe.
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Në të vërtetë Allahu i Madhëruar do të thotë në Ditën e Gjykimit: “O biri i Ademit! Unë u sëmura, por ti nuk më vizitove Mua”. Njeriu do ta pyesë “O Sunduesi im! Si mund të vizitoja Ty kur Ti je Sunduesi i botërave?!” Ai i Madhërishmi do të thotë: “A nuk e dije ti se filani, një robi Im ishte sëmurë, por ti nuk e vizitove atë. A e di se po ta kishe vizituar atë, ti do të më kishe gjetur Mua atje? O biri i Ademit! Unë të kërkova ty ushqim, por ti nuk më ushqeve. Njeriu do të thotë: “O Sunduesi im! Si mundet të ushqej Ty kur Ti je Sunduesi i botërave?” Ai i Madhërishmi do të thotë: “Filani një robi Im të kërkoi ushqim, por ti nuk i dhe ushqime. A e di se po ta kishe ushqyer atë, ti do ta kishe gjetur atë të regjistruar tek Unë? O bir i Ademit! Unë të kërkova për të pirë, por ti nuk më dhe Mua”. Njeriu do të thotë: “O Furnizuesi im! Si mund të jap Ty për të pirë kur Ti je Sunduesi i botërave?” Ai i Madhërishmi do t’i thotë: “Filani një robi Im, të kërkoi për të pirë, por ti nuk i dhe. Po t’i kishe dhënë atij për të pirë, ti me siguri do ta gjeje atë të regjistuar tek Unë”.[15] Transmeton Muslimi.
Theubani transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në të vërtetë, muslimani që viziton vëllain e tij të sëmurë musliman, është si të ishte në një nga kopshtet e xhenetit duke shijuar frutat e tij të pjekura, deri në kohën kur ai kthehet në shtëpinë e tij”.[16]
Po ashtu, Aliu ka thënë se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kur muslimani viziton një musliman të sëmurë në mëngjes, shtatëdhjetë mijë engjëj luten për të deri në mbrëmje. Kur muslimani viziton muslimanin e sëmurë në mbrëmje, engjëjt luten për të deri në mëngjesin tjetër. Për më tepër ai do të shpërblehet me frutat më të shijshme të xhenetit”.[17] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen.
Etika e vizitës tek i sëmuri
është e këshillueshme për vizitorin të lutet për shërimin dhe shëndetin e të sëmurit dhe gjithashtu ai duhet ta nxisë atë për durim në kapërcimin e shqetësimeve të tij. Ai duhet t’i thotë fjalë të ngrohta, optimiste dhe të këndshme për t’i ngritur moralin. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur ta vizitosh të sëmurin, jepi atij shpresë për një jetë të gjatë. Kjo nuk do të shmangë caktimin e Allahut, por do t’i japë të sëmurit kënaqësi dhe rehati”.[18]
Kur Profeti (a.s.) vizitonte ndonjë person të sëmurë, i thoshte: “Mos u shqetëso! Kjo do të jetë pastrim prej mëkateve të tua, në dashtë Allahu”.[19]
Pëlqehet që vizitat të jenë të shkurtëra dhe jo shumë të shpeshta, me qëllim që të mos jenë rëndesë për të sëmurin, me përjashtim kur i sëmuri e dëshiron vetë që vizitat të jenë më të gjata dhe më të shpeshta.
Vizita e grave tek burrat e sëmurë
Buhariu thotë: “Tema për vizitën e grave burrat, dhe se Umu Darda shkoi për të vizituar një nga ensarët që vinte në xhami.”
Transmetohet nga Aishja (r.a.) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medine, Ebu Bekri dhe Bilali u sëmurën. Prandaj unë shkova ti shihja dhe thashë: Baba i dashur, si je tani? Pastaj i fola Bilalit: O Bilal! Si je tani?” Ajo ka thënë se, kur Ebu Bekri kishte temperaturë të lartë, ai lexonte:
Çdo njeri mes familjes së tij gdhihet
Vdekjen e ka shumë afër, asaj nuk i dihet
Madje më afër se lidhëset e këpucëve të tij…
Kur Bilali sëmurej nga ethet, ai recitonte:
Ah sikur të mundja në luginë të qëndroja !
Të isha i rrethuar nga bar dhe xhalil! [20]
Ujin e ftohtë të Mexhinës të shijoja !
Të më shfaqeshin para Shama dhe Tafil ! [21]
Aishja (r.a.) thotë: “Pastaj shkova tek Pejgamberi (a.s.) dhe i tregova rreth saj. Për këtë Profeti (a.s.) tha: “O Allah! Na dhuro dashuri për Medinen ashtu siç ne e duam Mekën apo dhe më shumë. O Allah! Bëje Medinen të shëndetshme dhe bekoja sa’në dhe mudin (njësi matëse për ushqimin) e saj për ne dhe shmangi ethet e saj për në Xhuhfa[22]”.[23]
Vizita që i bën muslimani jomuslimanit të sëmurë
Është e lejueshme për muslimanin të vizitojë të sëmurin jomusliman. Në kapitullin, “Vizita tek një politeist”, Buhariu thotë: “Transmetohet nga Enesi se një djalë i çifutëve, që i kishte shërbyer Profetit (a.s.) u sëmur. Profeti (a.s.) i ka shkuar për vizitë dhe e ka ftuar në Islam duke i thënë “Bëhu musliman”. Kështu, ai e pranoi Islamin. Seid ibën El Musejeb thotë se babai i tij i ka treguar se kur Ebu Talibi (xhaxhai i Profetit, adhurues idhujsh) ishte në prag të vdekjes, Profeti (a.s.) shkoi tek ai.”[24]
Vizita e të sëmurit që vuan nga sytë
Ebu Daudi transmeton se Zejd ibën El Erkami ka thënë: “Unë vuaja nga një sëmundje në sy dhe Profeti (a.s.) ka ardhur për të më vizituar”.[25]
Kërkimi i lutjes nga i sëmuri
Ibën Maxhe transmeton nëpërmjet Umerit se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur të vizitoni një të sëmurë kërkojini atij të lutet për ju! Në të vërtetë, lutja e të sëmurit është si lutja e engjëjve”.[26] Sipas autorit të “Ez-Zauaid”, vargu i transmetuesve të këtij hadithi është i vërtetë dhe transmetuesit janë të besueshëm, por hadithi është i shkëputur.
Kërkimi për trajtim mjekësor
Ekzistojnë shumë hadithe të cilat i shtyjnë muslimanët të kërkojnë trajtim mjekësor. Usame ibën Shurejk transmeton se ka shkuar tek Profeti (a.s.) dhe e ka gjetur me shokët e tij. Ata po rrinin me aq qetësi sikur të kishin mbi kokat e tyre zogj që mund të trembeshin nga çasti në çast. Ai i përshëndeti ata dhe u ul. Pastaj erdhën disa beduinë nga vende të ndryshme. Ata pyetën: “O i Dërguar i Allahut! A duhet të kërkojmë trajtim mjekësor për sëmundjet tona?” Ai u përgjigj: “Po, ju duhet të kërkoni trajtim mjekësor, sepse Allahu i Madhëruar nuk ka lënë sëmundje që ekziston pa ia siguruar kurimin e saj, përveç një sëmundjeje të quajtur pleqëri”.[27] Transmeton Ahmedi dhe autorët e katër përmbledhjeve të njohura të haditheve. Tirmidhiu e konsideron hadithin të vërtetë.
Abdullah ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në të vërtetë Allahu nuk lë të shfaqet një sëmundje pa ia siguruar ilaçin e saj. Prandaj kërkoni trajtim mjekësor për sëmundjen tuaj”.[28] Transmeton Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Ky i fundit e ka vlerësuar si të vërtetë.
Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çdo sëmundje ka një mjekim. Gjithmonë sëmundja duhet kuruar me ilaçin e saktë dhe ajo me lejen e Allahut do të shërohet”.[29] Transmeton Muslimi.
Përdorimi i gjërave të ndaluara si medikamente
Shumica e dijetarëve mbajnë qëndrimin se përdorimi i verës, apo gjërave të tjera të ndaluara si medikament, nuk janë të lejueshme. Ata i bazojnë argumentet e tyre në hadithet e mëposhtme:
Uail ibën Huxhr El Hadrami transmeton se Tarik ibën Suejd ka pyetur Profetin (a.s.) nëse mund të përdorë rakinë si ilaç. Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Ajo nuk është shërim, por sëmundje”. [30] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.
Hadithi konfirmon ndalimin e shërimit me alkool, duke e cilësuar atë si sëmundje.
Umu Seleme, gruaja e Profetit (a.s.), transmeton se ai ka thënë: “Allahu nuk cakton shërim për sëmundjen tuaj në gjërat që Ai i ka ndaluar për ju”.[31] Transmeton Bejhakiu. Ibën Hibani e konsideron hadithin të vërtetë. Buhariu gjithashtu e ka cekur nga Ibën Mesudi.
Ebu Derda transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu i ka dërguar të dyja, sëmundjen dhe ilaçin e saj. Për çdo sëmundje Ai ka krijuar një mjekim. Prandaj kërkoni mjekimin, por asnjëherë tek përdorimi i atyre gjërave që Allahu i ka ndaluar”.[32] Transmeton Ebu Daudi. Mes transmetuesve të këtij hadithi ne gjetëm Ismail ibën Ajash, i cili konsiderohet i besueshëm kur transmeton nga sirianët, por kur transmeton nga dijetarët e Hixhazit shihet si një transmetues i dobët.
Ebu Hurejra ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (a.s.) e ndaloi përdorimin e medikamenteve të dëmshme”,[33] d.m.th. helmet. Transmeton Ahmedi, Muslimi, Tirmidhi dhe Ibën Maxhe.
Përdorimi i një sasie të vogël pikash, të cilat nuk mund të shkaktojnë helmim apo dehje janë të lejueshme, me kusht që të jenë përzierje ilaçesh.
Mjekimi nga një mjek jomusliman
Në librin e tij “El Adab Esh-Sher’ije”, Ibën Muflih shkruan se Shejhu Tekijudin ka thënë: “Një çifut ose një kristian i besueshëm, që ka ekspertizë mjekësore mund ta mjekojë një musliman të sëmurë. Gjithashtu një personi të tillë mund t’i besohen fonde ose veprime të tjera finaciare. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:
وَمِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ مَنْ إِنْ تَأْمَنْهُ بِقِنطَارٍ يُؤَدِّهِ إِلَيْكَ وَمِنْهُمْ مَنْ إِنْ تَأْمَنْهُ بِدِينَارٍ لاَ يُؤَدِّهِ إِلَيْكَ إِلاَّ مَا دُمْتَ عَلَيْهِ قَائِمًا
“Ndër ithtarët e librit ka prej tyre, që po ua besove një sasi të madhe ari, ai ta kthen ty atë, por ka të tillë që po ia besove një dinar, ai nuk ta kthen ty atë, përveçse nëse gjithnjë i rri gati (ia kërkon pa pushim)” (Ali Imran, 75).
Ne gjejmë në një hadith të vërtetë se Profeti (a.s.) ka marrë me pagesë një politeist si udhërrëfyes në kohën e emigrimit për në Medine, kështu ai ia besoi atij jetën dhe paratë e tij.[34] Njerëzit e fisit Huza’a, që ishin muslimanë dhe jomuslimanë u bënë informatorë të Profetit (a.s.). Gjithashtu është transmetuar se Profeti (a.s.) i urdhëroi muslimanët të kërkonin mjekim tek El Harith ibën Kildeh, i cili ishte mosbesimtar.[35]
Por, nëse është e mundshme të ketë një mjek musliman me ekspertizën e vet, të gjithë duhet të kërkojnë mjekim tek ai dhe tek asnjë tjetër. E njëjta gjë zbatohet edhe kur dikush do t’i besojë fondet dikujt tjetër apo të drejtojë biznesin e tij. Nëse muslimani duhet të besojë apo të kthehet tek dikush prej ithtarëve të librit për trajtim mjekësor, ai mund të veprojë në këtë mënyrë. Nuk është e ndaluar të komunikosh apo të kesh marrëdhënie me kristianët apo çifutët. Kur muslimanit i jepet mundësia për të komunikuar me ata, ai duhet t’u drejtohet atyre butësisht dhe sinqerisht. Në të vërtetë, Allahu i Madhëruar thotë:
وَلاَ تُجَادِلُوا أَهْلَ الْكِتَابِ إِلاَّ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ
“Idhtarët e librit mos i polemizoni ndryshe, vetëm ashtu si është më së miri”. (El-Ankebut, 46).
Gjatë bisedimeve për Traktatin e Hudejbijes, Ebu El Hatabi tregon se Profeti (a.s.) ka dërguar një burrë prej fisit Huza’a për të njoftuar njerëzit, pavarësisht nga fakti se ky burrë ishte mosbesimtar. Profeti (a.s.) e ka pranuar lajmin e tij. Kjo provon se është e lejueshme të marrësh këshilla nga një mjek mosbesimtar për diagnozën apo mjekimin, me kusht që besnikëria e tij të jetë e sigurt dhe të mos jetë person që lë vend për dyshim.
Lejimi i gruas për kërkimin e trajtimit mjekësor
Në rast nevoje, është e lejueshme për një burrë të kurohet nga një grua dhe anasjelltas. Buhariu transmeton prej Rubeije bint Muauidh ibën Afra se ka thënë: “Ne kemi marrë pjesë në luftëra me të Dërguarin e Allahut dhe ne gratë furnizonim njerëzit me ujë, kujdeseshim për ta dhe të plagosurit e të vdekurit i çonim në Medine”.[36] Transmeton Buhariu. Kapitulli “A lejohet që një burrë të mjekojë një grua dhe anasnjelltas?”
Në librin, “Fet’h el Bari”, Ibën Haxheri shkruan: “Kur është e nevojshme, është e lejueshme për të mjekuar persona që nuk mund t’i njohësh apo nuk ke lidhje gjaku. Si rrjedhim, shikimi, të prekurit, etj në raste të tilla janë të lejueshme aq sa e kërkon nevoja. Në “El Adab El Sheri’je” Ibën Muflih shkruan: “Nëse një grua sëmuret dhe aty nuk ndodhet një mjeke, atë mund ta vizitojë një mjek. Në raste të tilla mjekut i lejohet ta kontrollojë atë, duke përfshirë edhe organet gjenitale të saj. E njëjta gjë zbatohet edhe për një burrë të sëmurë të vizituar nga një burrë”.
Ibën Hamdani thotë: “Nëse një burrë sëmuret dhe aty nuk ka asnjë mjek, ai mund të vizitohet nga një mjeke. Asaj i lejohet ta kontrollojë, duke përfshirë edhe organet gjenitale”.
El Kadi thotë: “Një mjeku i lejohet të shohë te pjesët intime të një gruaje, në rast nevoje. Po ashtu, nëse nevojitet, një burri apo një gruaje i lejohet të shohë te pjesët intime të një burri”.
Përdorimi i rukjes[37] dhe lutjeve si mjekim
Lejohet përdorimi i rukjes dhe i lutjeve për mjekim, me kusht që përmbajtja e tyre të jetë përkujtim i Allahut dhe ato të jenë të shkruara në një gjuhë të kuptueshme. Përndryshe, përmbajtja e tyre mund të përmbajë diçka politeiste, pa qenë e vetëdijshme për të. Auf ibën Malik transmeton: “Ne e praktikonim rukjen në kohën paraislame, kështu ne e pyetëm të Dërguarin e Allahut se ç’mendim kishte rreth kësaj?” Ai u përgjigj: “Më lini t’i shikoj rukjet tuaja. Nuk ka asgjë të keqe me rukjet që nuk përmbajnë ndonjë thënie politeiste”.[38] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.
Rabia ka thënë se ka pyetur Shafiun rreth rukjes dhe i është përgjigjur: “Nuk ka asgjë të keqe në përdorimin e Kuranit për rukje apo ndonjë fjalë që përmban përkujtimin e Allahut”. Pastaj e pyeta “A është e lejueshme për muslimanët t’u afrohen kristianëve dhe çifutëve për rukje? Shafiu u përgjigj “Po, me kusht që ata të përdorin atë që është e njohur me shpalljen nga Allahu dhe fjalët që nënkuptojnë përmendjen e Tij”.
Disa lutje nga hadithet e Profetit (a.s.) rreth rukjes
Aishja transmeton se Profeti (a.s.) kërkonte mbrojtje te Allahu për disa nga pjesëtarët e tij të familjes. Ai i prekte ata me dorën e tij të djathtë, duke thënë:
Allahumme Rabbin-nas edhhib elba’s, ueshfi ue entesh-shafi, la shifae il-la shifa’uke, shifaen la jugadiru sekama.
“O Allah! Sunduesi i njerëzve! Largoje sëmundjen, kuroje atë. Ti je i vetmi që shëron. Nuk ka mjekim tjetër përveç mjekimit Tënd. Na siguro shërim që nuk lë asnjë sëmundje”.[39] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Othman ibën Ebu El Asi transmeton se njëherë ai iu ankua Profetit (a.s.) nga dhimbja e trupit. I Dërguari i Allahut i ka thënë: “Vendose dorën tënde atje ku ndjen dhimbje në trupin tënd dhe thuaj shtatë herë: “Bismilah (Me emrin e Allahut), Eudhu bi’izetilahi ue kudratihi min sherri ma exhidu ue uhadhiru. (Kërkoj mbrojtje tek madhështia dhe fuqia e Allahut nga e keqja që unë gjej dhe kam frikë). Othmani ka vazhduar: “Unë e veprova atë disa herë dhe Allahu ma hoqi dhimbjen. Gjithmonë e kam këshilluar familjen time dhe të tjerët të vepronin të njëjtën gjë”.[40] Transmeton Muslimi.
Muhamed ibën Salim transmeton se Thabit Al Banani i ka thënë: “O Muhamed! Kur të kesh dhimbje, vendose dorën tënde ku ndjen dhimbjen dhe pastaj thuaj:
Bismilahi e’udhu bi ‘izetilah min sherri ma exhidu min uexh’i hadha.
“Me emrin e Allahut! Kërkoj mbrojtje në pushtetin e Allahut nga e keqja e kësaj dhimbjeje”. Pastaj hiqe dorën dhe përsërite të njëjtën lutje disa herë me numër tek. Ai më ka thënë mua se këtë ia kishte mësuar Enes ibën Maliku nga i Dërguari i Allahut.[41] Transmeton Tirmidhiu.
Abdullah ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur dikush viziton një të sëmurë, të cilit nuk i ka ardhur momenti i vdekjes, le t’i thotë shtatë herë: “Es’elu Allah el adhim Rabel arshil adhim en jeshfijeke”. (I kërkoj Allahut, të Plotëfuqishmit, Zotëruesit të fronit të lartë, të të shëroj ty), sepse Allahu do ta shërojë atë nga kjo sëmundje”.[42] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit thotë se është hadith hasen (i mirë). Hakimi thotë se sipas kriterit të Buhariut është hadith sahih.
Abdullah ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) kërkonte mbrojtje për Hasanin dhe Hysenin (nipat e tij) me këto fjalë: “Eudhukume bikelimeti lahi et-tameti min kuli shejtanin vehametin ue min kuli ajnin lametin” (Kërkoj mbrojte për ju tek fjalët e përsosura të Allahu prej shejtanit, krijesave helmuese dhe çdo syri të keq). Ai gjithashtu shtoi “Babai juaj (Ibrahimi), ka kërkuar mbrojtje për Ismailin dhe Is’hakun me të njëjtat fjalë”.[43] Transmeton Buhariu.
Sad ibën Ebu Uakas transmeton se Profeti (a.s.) i kishte bërë atij një vizitë kur ishte i sëmurë dhe kishte thënë: “O Allah, shëroje Sadin! O Allah, shëroje Sadin! O Allah, shëroje Sadin!”[44] Transmeton Muslimi.
Ndalimi i përdorimit të hajmalive
Pejgamberi (a.s.) e ka ndaluar përdorimin e hajmalive.
Ukba ibën Amir transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse dikush mban hajmali, Allahu nuk do ta ndihmojë në plotësimin e dëshirës së tij. Nëse dikush mban guacka deti rreth qafës së tij, Allahu nuk ka për t’i dhënë paqe atij”.[45] Transmeton Ahmedi dhe Hakimi. Ky i fundit e konsideron vargun e transmetimit të vërtetë.
Një nuskë apo hajmali është një varg guackash apo rruazash, të cilat arabët i vendosnin rreth qafave të fëmijëve të tyre, duke besuar se ato do t’i mbronin nga syri i keq. Islami i dha fund kësaj praktike bestytnore. I Dërguari i Allahut lutej kundër atyre që mbanin nuska që Zoti mos t’ua plotësonte dëshirat, për shkak të bestytnive të tyre të kota.
Transmetohet nga Ibën Mesudi se njëherë kur ka hyrë në shtëpinë e tij, ai ka vënë re se gruaja e tij mbante rreth qafës një qafore me nyja. Ai ia ka hequr, ia ka thyer atë dhe më pas i ka thënë: “Familja e Abdullahut është bërë kaq e padëgjueshme dhe mosbindëse, sa tani po i shoqëron Allahut të tilla gjëra, për të cilat Ai nuk ka dërguar ndonjë argument”. Pastaj ka shtuar: “Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: S’ka dyshim se hajmalitë, nuskat dhe magjitë janë idhujtari”.
Njerëzit thanë: “O Abdullah! Tashmë i dimë mirë se ç’janë nuskat dhe hajmalitë, por çfarë është (Et-teule)? Ai është përgjigjur: “Është një lloj formule magjike, nga e cila gratë kërkojnë të fitojnë dashurinë e bashkëshortëve të tyre[46].”[47] Transmeton Hakimi dhe Ibën Hibani. Që të dy e konsiderojnë hadithin sahih.
Imran ibën Husejn transmeton se i Dërguari i Allahut ka parë një burrë që mbante një byzylyk bakri në krah. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Mjerë për ty! Çfarë është kjo?” Burri i është përgjigjur: “Unë vuaj nga plogështia (el-uahane).[48] Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Kjo nuk të jep gjë tjetër veçse dhimbje. Flake atë! Nëse do të vdisje dhe do e kishe në krahë atë, ti nuk do të kishe shpëtuar kurrë”.[49] Transmeton Ahmedi.
Isa ibën Hamza ka thënë se ka shkuar për të parë Abdullah ibën Hakimin dhe fytyra e tij ishte e kuqe për shkak të temperaturës së lartë. Ai i ka thënë “Përse nuk përdor një nuskë?” Ai i është përgjigjur: “Ne kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga një gjë e tillë. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush mban (lidh apo var) diçka do t’i mbështetet asaj”.[50] Transmeton Ebu Daudi.
Varëse me fjalë nga Kurani dhe Hadithi
Amër ibën Shuajb transmeton prej babait dhe ky nga gjyshi i Amrit, Abdullah ibën Amr ibën El As, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush trembet në gjumë, le të thotë: Kërkoj mbrojtje tek fjalët perfekte të Allahut, prej zemërimit të Tij, ndëshkimit të Tij, prej të keqes së krijesave të Tij dhe prej cytjeve dhe afrimit të shejtanëve. Pas kësaj asnjëherë nuk dëmtohesh”. Amër ibën Shuajb transmeton se Abdullah Ibën Amër ia mësonte këtë lutje djemve të tij më të rritur, të cilët e kuptonin dhe mund ta thoshin përmendësh. Për të tjerët që nuk ishin në gjendje ta mësonin përmendësh, ai ua shkruate këto fjalë, ua mbështillte si varëse dhe ua varte rreth qafës”. [51] Transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit thotë se është hadith hasen-garib. Hakimi thotë se hadithi është i vërtetë.
Aishja, Maliku dhe shumë dijetarë të shkollës shafite dhe asaj hanbelite pajtohen me këtë mendim. Megjithatë, Ibën Abasi, Ibën Mesudi, Hudhejfe, dijetarët e shkollës hanefite dhe disa dijetarë të tjerë të shkollës shafite dhe hanbelite, sipas një versioni, janë të mendimit se nuk është e lejueshme për një person të mbajë ndonjë gjë të ngjashme me hajmalitë duke u nisur nga ndalesat e përmedura më sipër.
[
Ndalimi i personit me sëmundje ngjitëse të jetojë mes njerëzve të shëndetshëm
Lejohet që personi me sëmundje infektuese të ndalohet të jetojë mes njerëzve të shëndetshëm. Profeti (a.s.) ka thënë: “I sëmuri nuk duhet të qëndrojë mes njerëzve me shëndet të plotë”.[52]
Profeti (a.s.) e ka ndaluar pronarin e një deveje të sëmurë ta bashkojë me devetë e tjera të shëndetshme të një pronari tjetër. Megjithatë ai deklaron: “Asnjë sëmundje infektuese nuk transmetohet pa lejen e Allahut, as nuk gjendet ndonjë shenjë e keqe për dëshpërim”.[53]
Gjithashtu transmetohet se Profeti (a.s.) e ka pranuar betimin e besnikërisë nga një i sëmurë me lebrozë jashtë Medines dhe nuk e ka lejuar atë të hynte në qytet.[54]
Ndalimi i hyrjes dhe largimit nga një zonë ku ka rënë murtaja
I Dërguari i Allahut e ka ndaluar largimin apo hyrjen në një vend ku ka rënë murtaja, me qëllim kontrollimin e përhapjes së sëmundjes infektuese dhe izolimin e saj në një zonë të kufizuar. Në terminologjinë mjekësore kjo njihet si karantinë. Usame ibën Zejd ka thënë se Profeti (a.s.) është shprehur ne lidhje me murtajën dhe ka thënë se: “Ajo është një mbetje nga ndëshkimi që ka goditur izraelitët. Nëse murtaja shfaqet në vendin ku ti ndodhesh, mos u largo nga ai vend e kur të dëgjosh se në një vend tjetër ka rënë murtaja, mos shko atje”.[55] Transmeton Tirmidhiu, i cili e konsideron hadith sahih.
Ibën Abasi transmeton se Umer ibën El Hatabi shkoi në Sham. Kur arriti në Sar’a, e pritën komandantët e ushtrisë, Ebu Ubejdeh ibën Xherah dhe të tjerë. Ata e lajmëruan se në Sham kishte rënë murtaja. Ibën Abasi tregon se Umeri atëherë ka mbledhur prijësit e muhaxhirëve dhe ka kërkuar mendimin e tyre në lidhje me këtë. Ata dhanë mendime të ndryshme. Disa thanë: “Ne kemi ardhur për një qëllim të caktuar dhe nuk duhet të kthehemi në këtë mënyrë”. Disa të tjerë thanë: “Me ty janë edhe të tjerë, duke përfshirë disa nga shokët e Profetit. Ne nuk besojmë se ti do t’i ekspozosh ata në këtë murtajë”. Umeri ka thënë: “Ju mund të largoheni”. Pastaj ai ka mbledhur ensarët dhe ka kërkuar mendimin e tyre. Ata ishin në një mendje me këshillat e tyre dhe thanë: “Ne besojmë se ju duhet të ktheheni dhe nuk duhet t’i ballafaqoni njerëzit me murtajën”. Pastaj Umeri u drejtua njerëzve, i njoftoi për kthimin mbrapa që do të bëhej mëngjesin tjetër dhe u kërkoi të përgatiteshin për nisje në mëngjes. Për këtë Ebu Ubejde ibën Xherah i tha: “O Umer! A po largohesh nga caktimi i Allahut?” Umeri i është përgjigjur: “O Ebu Ubejde! Mund ta kishte thënë dikush tjetër këtë. Po, ne po largohemi prej caktimit të Allahut për tek caktimi i Allahut. Çfarë do të bëje nëse do të kishe një kope me deve, të cilat do t’i çoje tek një luginë që kishte dy shpate, njëri shpat me kullotë jeshile dhe tjetri i thatë e shterpë. A nuk do të plotësoje caktimin e Allahut, nëse do ta lije kopenë të kulloste në kullotën e gjelbër sesa ta ruaje atë në tokën e thatë dhe shterpë?!”
Pastaj ka ardhur Abdurrahman ibën Aufi, që kishte qenë larg për disa nevoja të tij. Ai tha: “Unë kam disa njohuri rreth kësaj teme. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Nëse dëgjoni për shfaqjen e saj (murtajës), mos iu afroni asaj. Nëse ajo godet vendin ku jetoni, mos u largoni nga vendi me qëllim arratisjen prej saj”. Me të dëgjuar këtë Umeri falënderoi Allahun dhe pastaj u largua.[56] Transmeton Buhariu.
Meditimi rreth vdekjes dhe përgatitja për të me vepra të mira
Allahu dhe i Dërguari i Tij na nxisin për të medituar rreth vdekjes dhe për të qenë të përgatitur për të me vepra të mira. Kjo konsiderohet si një shenjë mirësie.
Ibën Umeri transmeton se ka shkuar tek Profeti (a.s.) dhe ai ka qenë personi i dhjetë prej të parëve që përqafuan Islamin. Një burrë prej ensarëve u çua dhe tha: “O Profet i Allahut! Kush janë më të mençurit e më të kujdesshmit mes njerëzve?” Ai i është përgjigjur: “Ata që janë shumë të vetëdijshëm për vdekjen dhe e përgatisin veten e tyre për të. Ata janë më të mençurit e njerëzve dhe ata do të kenë nder në këtë botë dhe një shpërblim bujar në botën tjetër”.[57]
Gjithashtu Ibën Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kujtojeni sa më shumë atë që ua prish kënaqësitë e kësaj bote (vdekjen)”.[58] Të dy hadithet janë transmetuar nga Tabaraniu me anë të një zinxhiri të fortë transmetuesish.
Ibën Mesudi transmeton se ajetin:
فَمَنْ يُرِدْ اللَّهُ أَنْ يَهدِيَهُ يَشْرَحْ صَدْرَهُ لِلإِسْلاَمِ
“Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin”, Pejgamberi (a.s.) e ka shpjeguar se, kur drita e së vërtetës hyn në zemër, kjo e fundit zgjerohet dhe ndriçohet. Shokët e tij e pyetën: “A gjendet ndonjë fakt tregues për këtë në jetën e muslimanit? Ai është përgjigjur: “Të qenit i vëmendshëm për përjetësinë në botën tjetër dhe largimi nga kjo jetë mashtruese, duke e përgatitur veten për vdekjen para se ajo të vijë”.[59] Transmeton Ibën Xheriri mes zinxhirëve të ndryshëm, ku secili prej tyre forcon tjetrin.
Nuk është e pëlqyeshme që një person të kërkojë vdekjen
Eshtë e papëlqyeshme apo mekruh të dëshirojmë vdekjen apo t’i lutemi Allahut për të, për shkak të varfërisë, dhimbjes, sëmundjes apo për gjëra të tjera të ngjashme me to. Gjashtë përmbledhësit e njohur të haditheve kanë transmetuar nga Enesi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos ta kërkojë asnjë prej jush vdekjen për shkak të ndonjë fatkeqësie që i ka ndodhur. Por, nëse dikush nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, le të thotë: “O Allah! Më siguro mua jetëgjatësi aq sa të jetë e mirë për mua dhe ma merr jetën atëherë kur është më mirë për mua”.[60]
Urtësia e këtij ndalimi ndaj dëshirimit të vdekjes del qartë në hadithin e transmetuar nga Umu Fadl, ku Profeti (a.s.) ka shkuar për të vizituar Abasin. Ai e ka gjetur atë duke u lutur për vdekjen e tij. Për këtë arsye Profeti (a.s.) i ka thënë:
“O Abas! O xhaxhai i të Dërguarit të Allahut! Mos dëshiro vdekjen se nëse ti je i mirë dhe jeton gjatë, veprat e mira do të shumëfishohen për ty e do të jetë më mirë për ty. Gjithashtu edhe nëse nuk je i mirë dhe vdekja jote është vonuar, ti ke mundësi të kërkosh falje tek Allahu dhe kjo është më e mirë për ty. Prandaj mos e kërko vdekjen!”[61] Transmeton Ahmedi dhe Hakimi. Ky i fundit thotë se sipas kriterit të Muslimit hadithi është i vërtetë.
Eshtë e lejueshme kur dikush i frikësohet persekutimit që e vendos besimin e tij në rrezik dhe nuk shihet ndonjë e keqe të dëshirosh vdekjen, veçse duhet të lutesh sipas lutjes së mëposhtme, të cilën e ka praktikuar i Dërguari i Allahut:
[Allahumme inni es’eluke fi’alel hajrati ue terkel munkerati
ue hubbel mesakin ue en tegfira li ue terhameni
ue idha eradte fitneten fi kaumi feteueffeni gajra meftunin
ue es’eluke hubbeke ue hubbe men juhibbuke
ue hube ‘amelin jukaribu il-la hubike! [62]
“O Allah! Të kërkoj të më udhëzosh të bëj sa më shumë vepra të mira dhe t’u shmangem sa më shumë veprave të këqija! Mbill në zemrën time dashuri për të varfërit! Kërkoj prej Teje të më falësh dhe të kesh mëshirë për mua. Kur t’i sprovosh njerëzit e mi, më mundëso vdekjen pa qenë i prekur nga ajo sprovë. O Allah! Kërkoj dashurinë Tënde, dashurinë e atyre që të duan Ty dhe dashurinë e gjithë atyre veprimeve që të sjellin më afër dashurisë Tënde!”. Transmetohet nga Tirmidhiu i cili thotë se është hadith hasen-sahih.
Umeri lutej me këto fjalë:
Allahumme kebirat sinni ue da’ufet ku’ueti ue intesherat ra’jeti
fekbidni ilejke gajre mudij’i ue la muferrat.
“O Allah! Jam plakur, jam bërë i dobët dhe kopeja më është përhapur gjatë e gjerë. Prandaj merrmë mua tek Ti para se të mos arrij të kryej detyrat e mia apo të shkel kufijtë e mi”.[63] Transmeton Maliku.
Vlera e një jete të gjatë që karakterizohet nga vepra të mira
Transmetohet nga Abdurrahman ibën Ebu Bekrete nga babai i tij se një burrë ka pyetur Profetin (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Kush është më i miri i njerëzve? Ai i është përgjigjur: “Ai që jeton gjatë dhe bën vepra të mira”. Burri e ka pyetur: “Po më i keqi i njerëzve kush është? Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Ai që jeton gjatë dhe kryen vepra të liga”.[64] Transmetohet nga Ahmedi dhe Tirmidhiu, që thotë se është hadith hasen-sahih.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Doni t’ju tregoj për njeriun më të mirë mes jush? Shokët i thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Në lidhje me këtë ai ka thënë: “Më të mirët prej jush janë ata që jetojnë gjatë dhe janë vepërmirë”.[65] Transmeton Ahmedi dhe të tjerë me një zinxhir të vërtetë.
Veprat e mira para vdekjes janë tregues për një mbyllje të mirë të jetës
Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur Allahu i dëshiron të mirën robit të Tij, Ai e përdor atë për mirë”. Ata e pyetën: “Si e përdor Allahu atë? Profeti (a.s.) u përgjigj: “Ai i mundëson atij të kryejë vepra të mira përpara vdekjes dhe ia mundëson atij vdekjen në atë gjendje”.[66] Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, Hakimi dhe Ibën Hibani.
Pëlqehet që të kemi mendim të mirë për Allahun
I sëmuri duhet të kujtojë mëshirën pa kufi të Allahut dhe të ketë një mendim të mirë rreth Sunduesit të tij. Xhabiri transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë, tri netë para vdekjes së tij: “Mos të vdesë asnjë prej jush pa patur mendim të mirë për Allahun”.[67] Transmeton Muslimi.
Ky hadith nxit shpresën dhe pritjen për faljen e mëkateve tona në takimin me Allahun e Madhëruar. Duhet të jemi në gjendjen me të dashur tek Allahu, sepse Ai është më i Mëshirshmi, më Mëshirëbërësi, më Dashamirësi dhe më Bamirësi. Ai dëshiron t’i falë ata që shpresojnë. Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdonjëri prej jush do të ringjallet në Ditën e Gjykimit në gjendjen që ai ka vdekur”.[68]
Transmetohet prej Enesit se Profeti (a.s.) ka shkuar për të vizituar një djalë që ka qenë në prag të vdekjes. Profeti (a.s.) e ka pyetur “Si je?” Ai i është përgjigjur: “Shpresoj tek mëshira e Allahut, por kam frikë prej mëkateve të mia”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Këto dy gjëra asnjëherë nuk mblidhen në zemrën e një personi në një moment të tillë, pa i dhënë Allahu atë që ai ka shpresuar dhe pa e siguruar prej asaj që ai i trembet”.[69] Transmeton Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu.
Rëndësia e lutjeve dhe përkujtimi i Allahut prej atyre që vizitojnë dikë në shtratin e vdekjes
Pëlqehet që njerëzit e devotshëm të vizitojnë të sëmurët në shtratin e tyre të vdekjes dhe t’u kujtojnë atyre Allahun e Madhëruar. Umu Seleme transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur të vizitoni të sëmurin ose atë që është duke dhënë shpirt, thoni gjëra të mira për të. Në të vërtetë, engjëjt (që janë të pranishëm) thonë “amin” për çdo gjë që ju thoni”. Ajo ka shtuar: “Kur Ebu Seleme ndërroi jetë, unë shkova tek Profeti (a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Në të vërtetë Ebu Seleme ka vdekur. Profeti (a.s.) tha: “ Thuaj: O Allah! Falmë mua dhe atë! Më jep mua në vend të tij një zvendësues më të mirë se ai!” Unë veprova kështu dhe Allahu më dha dikë më të mirë se ai. Ai më dha të Dërguarin e Tij, Muhamedin (a.s.)”.[70] Transmeton Ahmedi, Muslimi dhe autorët e “Es-Sunen”.
Në një transmetim tjetër ajo ka thënë se i Dërguari i Allahut ka shkuar për të parë Ebu Selemen, ndërkohë që ai kishte ndërruar jetë dhe e kishte fiksuar shikimin në një vend. Profeti (a.s.) ia mbylli sytë dhe tha: “Kur shpirti është kapur dhe e lë trupin, shikimi i syve e ndjek atë pas”. Disa nga pjesëtarët e familjes së Ebu Selemes po qanin dhe vajtonin për vdekjen e njeriut të tyre. Për këtë Profeti (a.s.) u tha: “Lutjuni Allahut për të kërkuar mirësi për veten tuaj, sepse engjëjt (të cilët janë të pranishëm) thonë “amin” për çdo gjë që ju shqiptoni”. Pastaj ai ka thënë: “O Allah! Fale Ebu Selemen, ngrije pozitën e tij mes robërve të udhëzuar drejtësisht dhe kujdesu për familjen e tij që ka lënë pas! O Zoti i botëve! Fale atë dhe neve, zgjeroja dhe ndriçoja varrin atij!”[71] Transmeton Muslimi.
[1] Buhariu 5645, Maliku 2/941.
[2] Buhariu 5641, 5642, Muslimi 6513, Tirmidhiu 966.
[3] Buhariu 5647, 5648, 5660, 5661, 5667, Muslimi 6504.
[4] Buhariu 5644.
[5] Muslimi 7425, Ahmedi 4/332, 333, 6/15, 16.
[6] Buhariu 5653, Ahmedi 3/144.
[7] Buhariu 5652, Muslimi 6516.
[8] Buhariu 5647, 5648, 5660, 5661, 5667, Muslimi 6504.
[9] Buhariu 5666.
[10] Hadith Daif. “Ed Daife” 2933, “Tamamul Mineh” 4, “Fikhus Sirah” 1/125, “Daiful Xhami” 1182.
[11] Buhariu 2996, Ebu Daudi 3091, Ibën Ebi Shejbe 2/229, Ahmedi 4/410, 418.
[12] Buhariu 5649, Ahmedi 4/299, 394, 406, Bejhakiu 3/379.
[13] Muslimi 5616. Ndërsa Buhariu 1240 dhe Ebu Daudi 5030 e transmetojnë me shprehjen “pesë detyrime.”
[14] Hadith Hasen. “Et Targib” 3474, “El Mishkat” 1575, 5015 –verifikimi i dytë. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1443.
[15] Muslimi 6501.
[16] Muslimi 6498, 6499, Tirmidhiu 968, Ahmedi 5/277, 281, 283, 284.
[17] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1550, “Et Targib” 3476, “Sahihul Xhami” 5767. E ka nxjerrë Tirmidhiu 969, Ebu Daudi 3098, Ibën Maxheh 1442, Ahmedi 1/118, 121, 229.
[18] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “Ed Daife” 184. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2087, Ibën Maxheh 1438, Ibën Udej 324/2, Ibën Ebi Shejbe 3/124.
[19] Buhariu 5656, Bejhakiu 3/383.
[20] Lloj luleje aromatike.
[21] Janë dy emra kodrash.
[22] Vend në periferi të Medines. (Shënim i redaktorit)
[23] Buhariu 5654 të plotë, Muslimi 3329 vetëm fjalën e fundit të Aishes.
[24] Buhariu 5657, Ebu Daudi 3095.
[25] Hadith Hasen. “El Mishkat” 1551. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3102.
[26] Hadith Daif Xhiden. “Ed Daife” 1004. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1441.
[27] Hadith Sahih. “El Mishkat” 4532, “Sahihul Xhami” 2930. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3855, Tirmidhiu 2038, Ibën Maxheh 3436, Ahmedi 4/278.
[28] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 452, 518. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 3438, El Hakim 4/196, Ahmedi 4/315.
[29] Muslimi 5705.
[30] Muslimi 5112, Tirmidhiu 2046, Bejhakiu 10/4.
[31] Buhariu e ka përmendur Mualak nga Ibën Mesudi, në “Kitabu et Tibb”, tema “Pirja e lëngjeve të ëmbëla dhe mjaltit”, dhe ai është i saktë meukuf; “Es Sahiha” 1633, ndërsa nga Umu Seleme e ka nxjerrë Taberani me sened të dobët; “Daiful Xhami” 1637.
[32] Hadith Daif. “El Mishkat” 4538, “Gajetul Meram” 66, “Daiful Xhami” 1569. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3874.
[33] Hadith Sahih. “El Mishkat” 4539, “Sahihul Xhami” 6878. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3870, Tirmidhiu 2045, Ibën Maxheh 3459, Ahmedi 2/305, 446, 478.
[34] Buhariu 3905.
[35] Kjo ka ardhur në një hadith Daif të cilin e ka nxjerrë Ebu Daudi 3875. Shih gjithashtu “El Mishkat” 4224, “Daiful Xhami” 2033.
[36] Buhariu 5679.
[37] Leximi i ajeteve kuranore, haditheve apo lutjeve të ndryshme me qëllim shërimin e të sëmurit. Në kohën paraislame rukja bëhej me fjalë të ndryshme që në të shumtën e rasteve përmbanin idhujtari.
[38] Muslimi 5696, Ebu Daudi 3886.
[39] Buhariu 5675, 5743, 5750, Muslimi 5671, Ebu Daudi 3890, Tirmidhiu 973, Ibën Maxheh 3520.
[40] Muslimi 5701, Ebu Daudi 3891, Tirmidhiu 2080, Ibën Maxheh 3522, Maliku 2/942, Ahmedi 4/217, 6/390.
[41] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1258. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3588, el Hakim 4/219, Ibën Hibani në “Eth Thikat” 2/267.
[42] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1552, “Et Targib” 3480, “Sahihul Xhami” 6388. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3106, Tirmidhiu 2083, el Hakim 1/493.
[43] Buhariu 3371.
[44] Muslimi 4191, Ahmedi 1/168, 171.
[45] Hadith Daif. “Ed Daife” 1266, “Et Targib” 2014, “Daiful Xhami” 5703. E ka nxjerrë El Hakim 4/216, 417, Ahmedi 4/154, 156.
[46] Thuhet se “teuleh” mund të jetë një fije peri, mbi të cilën e këndojnë magji, ose një fletë me anë të së cilës gratë kërkojnë të bëhen më të dashura në zemrën e burrave dhe anasjelltas.
[47] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 331, 2972, “Et Targib” 3457. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3883, Ibën Maxheh 3530, Ibën Hibani 1412, Ahmedi 1/381.
[48] Al-Uahine është një sëmundje që shkakton vuajtje në shpatulla dhe duar. Burri, që mbante byzylykun prej bakri besonte se ai do t’i largonte dhimbjet dhe vuajtjet. Profeti (a.s.) e ndaloi atë ta mbante byzylykun, sepse ai e konsideronte si një lloj hajmalie.
[49] Hadith Daif. “Ed Daife” 1029, “Et Targib” 2015. E ka nxjerrë Ahmedi 4/445, Ibën Maxheh 3531 pa shprehjen “Flake atë!”
[50] Hadith Hasen. “Gajetul Meram” 297, “Et Targib” 3456, “El Mishkat” 4556. E ka nxjerrë Ahmedi 2/252, Tirmidhiu 2072.
[51] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 264, “El Mishkat” 2477, “Et Targib” 1601, “Sahihul Xhami” 701. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3893, Tirmidhiu 3528, Maliku 2/950, Ahmedi 2/181.
[52] Buhariu 5773, Muslimi 5751, 5752, 5753, Ibën Maxheh 3541, Ahmedi 2/406, 434.
[53] Buhariu 5717, Muslimi 5750, 5756, Ebu Daudi 3911, 3916, 3921, Ibën Maxheh 3537.
[54] Muslimi 5783, Nesai 4193, Ibën Maxheh 3544.
[55] Buhariu 3473, 6974, Muslimi 5733, Tirmidhiu 1065.
[56] Buhariu 3473, 6974, Muslimi 5733, 5736.
[57] Hadith Munker – i huaj, i refuzuar. “Et Targib” 1946.
[58] Hadith Sahih. “El irva” 682, “Et Targib” 3333. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2460, Ibën Maxheh 4258, Ibën Hibani 2509, 2562, El Hakim 4/321, Ibën Asakir 9/391, 14/64.
[59] Hadith Daif. “Ed Daife” 965. Tefsiri Taberiut 8/20, Ibën Ebi Shejbe 8/126-127, El Hakim 4/311.
[60] Buhariu 6351, Muslimi 6755, Ebu Daudi 3108, 3109, Tirmidhiu 971, Nesai 1820, Ibën Maxheh 4265, Bejhakiu 3/377, Ahmedi 3/101, 104, 171, 195, 208, 247, 281.
[61] Hadith Sahih. “Ahkamul Xhenaiz” 1/4. E ka nxjerrë el Hakim 1/489, Ahmedi 6/339.
[62] Hadith Sahih. “Muhtesar el Uluu” 119/80, “Edh Dhilal” 388. E ka nxjerrë Tirmidhiu 3235.
[63] Maliku 1297.
[64] Hadith Sahih Ligajrihi. “El Mishkat” 5285, “Et Targib” 3363, “Sahihul Xhami” 3297. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2330, Ahmedi 4/188, 190, 5/40, 43.
[65] Hadith Sahih Ligajrihi. “Et targib” 3361. E ka nxjerrë Ahmedi 2/161, 235, 403, 472, 6/459.
[66] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1334. E ka nxjerrë Ahmedi 3/120, 123, 230, 257, Ibën Ebi Asim në “Es Suneh” 347-353.
[67] Muslimi 7158, 7159.
[68] Muslimi 7161, me fjalën “rob” në vend të “çdonjëri”.
[69] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1051. E ka nxjerrë Tirmidhiu 983, Ibën Maxheh 4261, Ibën Ebi Dunja në “El Muhtedarin” 5/1-2, dhe në “Husnu edh Dhann” 1/186.
[70] Muslimi 2126, Ebu Daudi 3115, Tirmidhiu 977, Nesai 1824, Ibën Maxheh 1447, Maliku 1/236, Ahmedi 6/291, 306.
[71] Muslimi 2127, Ebu Daudi 3118, Ibën Maxheh 1454, Ahmedi 4/25, 6/297.