KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 47

Muhammed

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 38 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

47:1

ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَصَدُّواْ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ أَضَلَّ أَعْمَـٰلَهُمْ ١

Atyre që mohojnë dhe pengojnë nga Rruga e Allahut, Ai do t’ua humbë veprat.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Ata që mohojnë se Allahu është Zoti i vërtetë, Një dhe i pashoq, dhe i pengojnë njerëzit nga feja e Tij, Allahu do t’ua zhdukë veprat, do t’i bëjë të pavlefshme dhe do t’i dënojë me mjerim për shkak të tyre.

47:2

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ وَءَامَنُواْ بِمَا نُزِّلَ عَلَىٰ مُحَمَّدٍۢ وَهُوَ ٱلْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ ۙ كَفَّرَ عَنْهُمْ سَيِّـَٔاتِهِمْ وَأَصْلَحَ بَالَهُمْ ٢

Ndërsa atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe besojnë në atë që i është zbritur Muhamedit – e ajo është e vërteta nga Zoti i tyre – Ai do t’ua falë të këqijat dhe do t’ua përmirësojë gjendjen.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ndërsa ata që e besojnë Allahun, ndjekin ligjin e Tij dhe besojnë në Librin që iu zbrit Muhamedit ﷺ – e ai është e vërteta, pa asnjë dyshim, nga Zoti i tyre – Allahu do i falë, do t’ua mbulojë të këqijat që kanë bërë, nuk do t’i ndëshkojë për to dhe do t’ua përmirësojë gjendjen e tyre, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

47:3

ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ ٱتَّبَعُواْ ٱلْبَـٰطِلَ وَأَنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّبَعُواْ ٱلْحَقَّ مِن رَّبِّهِمْ ۚ كَذَٰلِكَ يَضْرِبُ ٱللَّهُ لِلنَّاسِ أَمْثَـٰلَهُمْ ٣

Kjo, sepse ata që mohojnë, ndjekin të pavërtetën, kurse ata që besojnë, ndjekin të vërtetën nga Zoti i tyre. Kështu ua sjell Allahu njerëzve shembujt e tyre.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Kjo humbje dhe ky udhëzim ka shkakun e vet: ata që nuk besuan ndoqën shejtanin dhe iu bindën atij, ndërsa ata që besuan ndoqën të Dërguarin ﷺ dhe atë që ai solli prej dritës dhe udhëzimit. Ashtu siç ka sqaruar Allahu i Lartësuar veprimin e Tij me të dyja palët – njerëzit e mohimit dhe njerëzit e besimit – duke i shpërblyer secilin sipas asaj që meriton. Kështu, Allahu u sjell njerëzve shembujt e tyre, që secili grup të krahasohet me atë që i përshtatet dhe i ngjan.

47:4

فَإِذَا لَقِيتُمُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ فَضَرْبَ ٱلرِّقَابِ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَثْخَنتُمُوهُمْ فَشُدُّواْ ٱلْوَثَاقَ فَإِمَّا مَنًّۢا بَعْدُ وَإِمَّا فِدَآءً حَتَّىٰ تَضَعَ ٱلْحَرْبُ أَوْزَارَهَا ۚ ذَٰلِكَ وَلَوْ يَشَآءُ ٱللَّهُ لَٱنتَصَرَ مِنْهُمْ وَلَـٰكِن لِّيَبْلُوَاْ بَعْضَكُم بِبَعْضٍۢ ۗ وَٱلَّذِينَ قُتِلُواْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ فَلَن يُضِلَّ أَعْمَـٰلَهُمْ ٤

Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditni qafat e tyre, derisa t’i masakroni e nënshtroni plotësisht, pastaj lidhini fort (i robëroni)! Pastaj, ose i lironi në shenjë mirësie, ose kundrejt shpërblimit, derisa të përfundojë lufta. Kështu është urdhri! Sikur të donte Allahu, do të hakmerrej Vetë ndaj tyre, por Ai dëshiron që t’ju sprovojë me anë të njëri-tjetrit. E ata që vriten në Rrugën e Allahut - Ai kurrë nuk do t’i humbasë veprat e tyre.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Kur të përballeni — o besimtarë — me ata që nuk besojnë në fushat e betejës, luftoni me të gjithë forcën kundër tyre dhe goditni qafat e tyre; e kur t’i keni dobësuar për shkak të shumicës së vrasjeve dhe t’u keni thyer fuqinë, sigurojini prangat e robërve: ose t’u bëni mirë duke i liruar pa kundërshpërblim, ose të paguajnë për lirinë me para ose me diçka tjetër, ose të shiten si skllevër ose të vriten — dhe vazhdoni kështu derisa të përfundojë lufta. Ky vendim është për të sprovuar besimtarët me jobesimtarët dhe për të rrotulluar ditët mes tyre. Sikur të donte Allahu, do t’u jepte besimtarëve fitoren ndaj jobesimtarëve pa luftë, por Ai e vendosi dënimin e tyre në duart tuaja; prandaj ligjëroi xhihadin, që t’ju provojë përmes tyre dhe që të mbrohet feja e Tij me ndihmën tuaj. E atyre besimtarëve që u vranë në rrugën e Allahut, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimet e veprave të tyre:

47:5

سَيَهْدِيهِمْ وَيُصْلِحُ بَالَهُمْ ٥

Ai do t’i udhëzojë ata, do t’ua përmirësojë gjendjen5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

gjatë jetës së tyre në këtë botë, Ai do t’i udhëzojë për të qenë të bindur dhe të kënaqur me vullnetin e Tij, do të përmirësojë gjendjen dhe çështjet e tyre, dhe do t’i shpërblejë në këtë botë dhe në botën tjetër.

47:6

وَيُدْخِلُهُمُ ٱلْجَنَّةَ عَرَّفَهَا لَهُمْ ٦

dhe do t’i fusë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur që më parë.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Do t’i fusë në Xhenet, të cilin ua ka përshkruar që më parë atyre dhe u dha sukses të bëjnë atë që u urdhëruan — përfshirë edhe rënien dëshmorë në rrugën e Tij — pastaj do t’u tregojë gradët e tyre, kur të hyjnë në Xhenet; ku do të udhëzohen drejt banesave të tyre atje, si dhe drejt bashkëshorteve dhe shërbëtorëve të tyre, pa qenë nevoja ti adresojë ndokush.

47:7

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِن تَنصُرُواْ ٱللَّهَ يَنصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ ٧

O besimtarë! Nëse e ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’jua forcojë këmbët (në betejë).7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

O ju që i besuat Allahut dhe të Dërguarit dhe vepruat sipas ligjit të Tij: nëse e ndihmoni fenë e Allahut me xhihad në rrugën e Tij, duke gjykuar me Librin e Tij, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke shmangur ndalesat e Tij, Allahu do t’ju ndihmojë kundër armiqve tuaj dhe do t’ju forcojë këmbët në betejë.

47:8

وَٱلَّذِينَ كَفَرُواْ فَتَعْسًۭا لَّهُمْ وَأَضَلَّ أَعْمَـٰلَهُمْ ٨

E ata që nuk besojnë – mjerë për ta! Ai do t’ua humbë veprat atyre.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Dhe ata që nuk besojnë — shkatërrim për ta! Allahu do t’ua bëjë të pavlefshme veprat atyre.

47:9

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ كَرِهُواْ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَـٰلَهُمْ ٩

Kjo, sepse ata e urryen atë që zbriti Allahu, andaj Ai ua bëri të pavlefshme veprat atyre.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Kjo, sepse ata e urryen Librin e Allahut që i është zbritur të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ, dhe e mohuan atë; prandaj veprat e tyre u bënë të pavlefshme, sepse ishin në bindje ndaj shejtanit.

47:10

۞ أَفَلَمْ يَسِيرُواْ فِى ٱلْأَرْضِ فَيَنظُرُواْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۚ دَمَّرَ ٱللَّهُ عَلَيْهِمْ ۖ وَلِلْكَـٰفِرِينَ أَمْثَـٰلُهَا ١٠

A nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, që të shohin se si ishte fundi i atyre që ishin para tyre? Allahu i shkatërroi ata. E njëjta gjë i pret edhe mohuesit e tjerë.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

A nuk kanë udhëtuar këta jobesimtarë në Tokën e Allahut, për të mësuar nga ajo që ndodhi me kombet e mëparshme që mohuan Allahun? Allahu ua shkatërroi atyre banesat; dhe për jobesimtarët ka të njëjtat pasoja si ato që ndodhën me ato kombe.

47:11

ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱللَّهَ مَوْلَى ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَأَنَّ ٱلْكَـٰفِرِينَ لَا مَوْلَىٰ لَهُمْ ١١

Kjo, sepse Allahu është Mbrojtës i atyre që besuan, ndërsa mohuesit nuk kanë asnjë mbrojtës.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Kjo që bëjmë me të dyja palët – me njerëzit e besimit dhe me njerëzit e mohimit – është për shkak se Allahu është Mbrojtës dhe Ndihmës i besimtarëve, ndërsa jobesimtarët nuk kanë as mbrojtës dhe as ndihmës.

47:12

إِنَّ ٱللَّهَ يُدْخِلُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ جَنَّـٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ ۖ وَٱلَّذِينَ كَفَرُواْ يَتَمَتَّعُونَ وَيَأْكُلُونَ كَمَا تَأْكُلُ ٱلْأَنْعَـٰمُ وَٱلنَّارُ مَثْوًۭى لَّهُمْ ١٢

Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërsa ata që nuk besojnë, kënaqen dhe hanë ashtu siç hanë bagëtitë; por vendbanimi i tyre do të jetë Zjarri.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Vërtet, ata që besuan në Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe bënë vepra të mira, Allahu do t’i fusë në kopshtet e Xhenetit, nën hijet e pemëve të të cilave rrjedhin lumenj, si nderim për ta. Ndërsa shembulli i atyre që nuk besuan, në të ngrënët dhe kënaqësinë e tyre me dynjanë, është si shembulli i kafshëve që nuk kanë shqetësim veçse të ushqehen. Për ta, vendbanim dhe strehë do të jetë Zjarri i Xhehenemit.

47:13

وَكَأَيِّن مِّن قَرْيَةٍ هِىَ أَشَدُّ قُوَّةًۭ مِّن قَرْيَتِكَ ٱلَّتِىٓ أَخْرَجَتْكَ أَهْلَكْنَـٰهُمْ فَلَا نَاصِرَ لَهُمْ ١٣

Sa e sa qytete kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt (Meka) – i cili të dëboi ty - por Ne i shkatërruam, dhe ata nuk patën asnjë ndihmës.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Sa shumë banorë qytetesh, që ishin më të fuqishëm se banorët e qytetit tënd, Mekës – o i Dërguar– të cilët të dëbuan ty, Ne i shkatërruam me lloje të ndryshme dënimesh, e ata nuk patën asnjë ndihmës që t’i mbronin nga dënimi i Allahut.

47:14

أَفَمَن كَانَ عَلَىٰ بَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّهِۦ كَمَن زُيِّنَ لَهُۥ سُوٓءُ عَمَلِهِۦ وَٱتَّبَعُوٓاْ أَهْوَآءَهُم ١٤

A është vallë, ai që mbështetet në provë të qartë nga Zoti i tij, njësoj si ai, të cilit i është zbukuruar vepra e tij e keqe dhe ndjek dëshirat e tij?!14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

A është vallë ai, që është mbi një provë të qartë nga Zoti i tij dhe me dijen e Njësisë së Tij, njësoj si ai, të cilit shejtani ia ka zbukuruar veprën e shëmtuar dhe që ndjek pasionin e vet për mëkat ndaj Allahut e adhurim të dikujt tjetër pa argument e pa dëshmi? Ata kurrsesi nuk janë të barabartë.

47:15

مَّثَلُ ٱلْجَنَّةِ ٱلَّتِى وُعِدَ ٱلْمُتَّقُونَ ۖ فِيهَآ أَنْهَـٰرٌۭ مِّن مَّآءٍ غَيْرِ ءَاسِنٍۢ وَأَنْهَـٰرٌۭ مِّن لَّبَنٍۢ لَّمْ يَتَغَيَّرْ طَعْمُهُۥ وَأَنْهَـٰرٌۭ مِّنْ خَمْرٍۢ لَّذَّةٍۢ لِّلشَّـٰرِبِينَ وَأَنْهَـٰرٌۭ مِّنْ عَسَلٍۢ مُّصَفًّۭى ۖ وَلَهُمْ فِيهَا مِن كُلِّ ٱلثَّمَرَٰتِ وَمَغْفِرَةٌۭ مِّن رَّبِّهِمْ ۖ كَمَنْ هُوَ خَـٰلِدٌۭ فِى ٱلنَّارِ وَسُقُواْ مَآءً حَمِيمًۭا فَقَطَّعَ أَمْعَآءَهُمْ ١٥

Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të devotshmëve: aty ka lumenj me ujë të pastër që nuk ndotet; lumenj qumështi, shija e të cilit nuk ndryshon; lumenj vere të shijshme për ata që e pijnë; dhe lumenj mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty çdo lloj fruti, dhe falje prej Zotit të tyre. A janë vallë këta, njësoj me ata që do të qëndrojnë përgjithmonë në Zjarr dhe do t’u jepet të pijnë ujë të vluar, që ua copëton zorrët?15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Përshkrimi i Xhenetit që Allahu u ka premtuar të devotshmëve është ky: në të ka lumenj të mëdhenj me ujë të freskët që nuk prishet dhe nuk ndotet kurrë; lumenj qumështi, shija e të cilit nuk ndryshon; lumenj vere të shijshme për ata që e pijnë, dhe lumenj mjalti të kulluar nga çdo papastërti. Për këta të devotshëm në këtë Xhenet ka gjithfarë frutash e të mirash, dhe më e madhja prej tyre është mbulimi dhe falja e mëkateve të tyre nga Allahu. A është vallë ky, që është në Xhenet njësoj si ai, që do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr, prej të cilit nuk do të dalë kurrë, dhe do t’i jepet të pijë ujë aq të nxehtë sa i copton zorrët?

47:16

وَمِنْهُم مَّن يَسْتَمِعُ إِلَيْكَ حَتَّىٰٓ إِذَا خَرَجُواْ مِنْ عِندِكَ قَالُواْ لِلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلْعِلْمَ مَاذَا قَالَ ءَانِفًا ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ طَبَعَ ٱللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَٱتَّبَعُوٓاْ أَهْوَآءَهُمْ ١٦

Prej tyre (hipokritëve) ka disa që të dëgjojnë ty, por kur largohen prej teje, u thonë atyre që u është dhënë dituria: “Çfarë tha ai pak më parë?” Këta janë ata, zemrat e të cilëve Allahu i ka vulosur, dhe ata ndjekin vetëm dëshirat e tyre.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Prej hipokritëve ka nga ata që të dëgjojnë ty, o Muhamed, pa kuptuar asgjë, nga pakujdesia dhe përbuzja e tyre; dhe kur largohen nga tubimi yt, u thonë atyre që ishin të pranishëm dhe që kanë dituri nga Libri i Allahut, me tallje: “Çfarë tha Muhamedi tani?” Këta janë ata, mbi zemrat e të cilëve Allahu ka vënë vulën, prandaj nuk e kuptojnë të vërtetën dhe nuk udhëzohen drejt saj, por ndjekin dëshirat e tyre në mohim dhe humbje.

47:17

وَٱلَّذِينَ ٱهْتَدَوْاْ زَادَهُمْ هُدًۭى وَءَاتَىٰهُمْ تَقْوَىٰهُمْ ١٧

Ndërsa ata që janë udhëzuar në Rrugën e Drejtë, Allahu ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Ndërsa ata që janë udhëzuar për të ndjekur të vërtetën, Allahu ua shton udhëzimin, ua forcon atë dhe i bën të suksesshëm në devotshmëri e vetpërmbajtje, duke ua lehtësuar atë.

47:18

فَهَلْ يَنظُرُونَ إِلَّا ٱلسَّاعَةَ أَن تَأْتِيَهُم بَغْتَةًۭ ۖ فَقَدْ جَآءَ أَشْرَاطُهَا ۚ فَأَنَّىٰ لَهُمْ إِذَا جَآءَتْهُمْ ذِكْرَىٰهُمْ ١٨

A po presin ata tjetër gjë, veçse t’u vijë Ora (Kiameti) papritur? Shenjat e saj kanë ardhur tashmë. E kur t’u vijë, si do t’u bëjë dobi atyre kujtimi dhe pendimi?18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Këta përgënjeshtrues nuk presin tjetër veçse Orën (Ditën e Kiametit), e cila u është premtuar t’u vijë papritur. Shenjat e saj tashmë janë shfaqur, por ata nuk përfituan prej tyre. Atëherë, nga do t’u vijë atyre kujtimi dhe pendesa kur t’u vijë Ora e Kiametit? Atëherë nuk do t’u bëjë më dobi asgjë, sepse nuk do të jetë më koha e kujtimit, pendimit dhe veprimit, por do të jetë koha e shpërblimit.

47:19

فَٱعْلَمْ أَنَّهُۥ لَآ إِلَـٰهَ إِلَّا ٱللَّهُ وَٱسْتَغْفِرْ لِذَنۢبِكَ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَٱلْمُؤْمِنَـٰتِ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ مُتَقَلَّبَكُمْ وَمَثْوَىٰكُمْ ١٩

Dije se, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di mirë lëvizjen tuaj (gjatë ditës) dhe vendqëndrimin tuaj (gjatë natës).19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Dije, o Muhamed, se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe kërko falje për gjynahun tënd, si dhe kërko falje për besimtarët dhe besimtaret! Allahu i di mirë lëvizjet tuaja në zgjim gjatë ditës dhe vendqëndrimin tuaj në gjumë gjatë natës.

47:20

وَيَقُولُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَوْلَا نُزِّلَتْ سُورَةٌۭ ۖ فَإِذَآ أُنزِلَتْ سُورَةٌۭ مُّحْكَمَةٌۭ وَذُكِرَ فِيهَا ٱلْقِتَالُ ۙ رَأَيْتَ ٱلَّذِينَ فِى قُلُوبِهِم مَّرَضٌۭ يَنظُرُونَ إِلَيْكَ نَظَرَ ٱلْمَغْشِىِّ عَلَيْهِ مِنَ ٱلْمَوْتِ ۖ فَأَوْلَىٰ لَهُمْ ٢٠

Besimtarët thanë: “Ah, sikur të zbritej një sure (për lejimin e luftës)!” Por, kur zbret një sure e qartë dhe në të përmendet lufta, i sheh ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre, të të shikojnë ashtu si shikon ai që është në agoni të vdekjes. Do të kishte qenë më mirë për ta20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij thanë: “Pse nuk u shpall një sure nga Allahu që të na urdhërojë për xhihad kundër jobesimtarëve?” E kur shpallet një sure e qartë me shpjegim të qartë dhe me dispozita, dhe në të përmendet xhihadi, ti i sheh ata që kanë dyshim në zemrat e tyre për fenë e Allahut dhe hipokrizi, të të shikojnë ty, o Muhamd, me shikimin e atij që është kapluar nga agonia e vdekjes. Pra, më e mira për këta që kanë sëmundje në zemrat e tyre është

47:21

طَاعَةٌۭ وَقَوْلٌۭ مَّعْرُوفٌۭ ۚ فَإِذَا عَزَمَ ٱلْأَمْرُ فَلَوْ صَدَقُواْ ٱللَّهَ لَكَانَ خَيْرًۭا لَّهُمْ ٢١

bindja dhe fjala e mirë! Dhe kur çështja (e luftës) u vendos, sikur të ishin të sinqertë me Allahun, do të ishte më mirë për ta.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

që t’i binden Allahut dhe të flasin fjalë që janë në përputhje me ligjin e Tij. E kur lufta bëhet detyrim dhe urdhri i Allahut zbret për ta, këta hipokritë e urrejnë atë. Por, sikur të ishin të sinqertë me Allahun në besim dhe në vepra, do të ishte shumë më mirë për ta sesa gjynahu dhe kundërshtimi.

47:22

فَهَلْ عَسَيْتُمْ إِن تَوَلَّيْتُمْ أَن تُفْسِدُواْ فِى ٱلْأَرْضِ وَتُقَطِّعُوٓاْ أَرْحَامَكُمْ ٢٢

Nëse ju largoheni (nga feja), mund të bënit shkatërrime në Tokë dhe t’i këputnit lidhjet me të afërmit tuaj?22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Është shumë e mundur, që në qoftë se ia ktheni shpinën Librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit të Tij Muhamedit ﷺ, të shkelni ligjet e Allahut në Tokë: të mohoni Allahun, të derdhni gjak dhe të këpusni lidhjet familjare.

47:23

أُوْلَـٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ لَعَنَهُمُ ٱللَّهُ فَأَصَمَّهُمْ وَأَعْمَىٰٓ أَبْصَـٰرَهُمْ ٢٣

Të tillët janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar sytë.23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Këta janë ata, të cilët Allahu i largoi nga mëshira e Tij, i bëri të shurdhër që të mos dëgjojnë atë që u sjell dobi dhe ua verboi sytë që të mos shohin, prandaj nuk i dalluan argumentet e Allahut, megjithëse ato ishin të shumta.

47:24

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ ٱلْقُرْءَانَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَآ ٢٤

A nuk përsiatin ata për Kuranin, apo mbi zemrat e tyre kanë brava (kyça)?24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

A nuk përsiatin e meditojnë këta hipokritë mbi këshillat e Kuranit dhe nuk mendojnë për argumentet e tij? Por, zemrat e tyre janë të mbyllura me kyç, nuk depërton tek to asgjë nga ky Kuran, prandaj nuk marrin mësim nga këshillat dhe porositë e Allahut.

47:25

إِنَّ ٱلَّذِينَ ٱرْتَدُّواْ عَلَىٰٓ أَدْبَـٰرِهِم مِّنۢ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ ٱلْهُدَى ۙ ٱلشَّيْطَـٰنُ سَوَّلَ لَهُمْ وَأَمْلَىٰ لَهُمْ ٢٥

Vërtet, ata që kthehen në mosbesim, pasi u është sqaruar udhëzimi - është djalli ai që i ka joshur dhe u ka dhënë shpresa të rreme.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Vërtet, ata që kthehen mbrapa nga udhëzimi dhe besimi, dhe rikthehen në jobesimtarë ndaj Allahut pasi e kishin parë qartë të vërtetën, shejtani ua ka zbukuruar atyre mëkatet dhe u ka dhënë shpresa të kota.

47:26

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ قَالُواْ لِلَّذِينَ كَرِهُواْ مَا نَزَّلَ ٱللَّهُ سَنُطِيعُكُمْ فِى بَعْضِ ٱلْأَمْرِ ۖ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ إِسْرَارَهُمْ ٢٦

Kjo, sepse ata u thanë atyre (hebrenjve) që e urryen atë që zbriti Allahu: “Ne do t’ju bindemi në disa gjëra.” Por, Allahu i di fshehtësitë e tyre.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Kjo zgjatje e afatit për ta, që të vazhdojnë në mohimin e tyre, ndodhi sepse ata u thanë hebrenjve që e urrenin atë që ka zbritur Allahu: “Ne do t’ju bindemi në disa çështje që janë në kundërshtim me urdhrin e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij.” Por Allahu i Madhëruar e di mirë atë që ata fshehin dhe e mbajnë të mbuluar. Prandaj, muslimani duhet të ruhet nga bindja ndaj dikujt tjetër për diçka që bie ndesh me urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe të të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

47:27

فَكَيْفَ إِذَا تَوَفَّتْهُمُ ٱلْمَلَـٰٓئِكَةُ يَضْرِبُونَ وُجُوهَهُمْ وَأَدْبَـٰرَهُمْ ٢٧

E si do të jetë gjendja e tyre, kur engjëjt t’ua marrin shpirtrat, duke i goditur në fytyrat dhe në shpinat e tyre?27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

E si do të jetë gjendja e tyre, kur engjëjt t’ua marrin shpirtrat, duke i goditur në fytyrat dhe në shpinat e tyre?

47:28

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمُ ٱتَّبَعُواْ مَآ أَسْخَطَ ٱللَّهَ وَكَرِهُواْ رِضْوَٰنَهُۥ فَأَحْبَطَ أَعْمَـٰلَهُمْ ٢٨

Kjo, sepse ata pasuan atë që e zemëron Allahun dhe e urryen kënaqësinë e Tij, prandaj Ai ua bëri të pavlefshme veprat e tyre.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Ky dënim që e merituan dhe e përjetuan është për shkak se ata ndoqën atë që e zemëronte Allahun mbi ta, duke iu bindur shejtanit, dhe e urryen atë që e kënaq Allahun prej tyre, si veprat e mira, përfshirë edhe luftën kundër jobesimtarëve, pasi ajo u ishte bërë detyrim. Prandaj Allahu ua bëri të pavlefshme shpërblimet e veprave të tyre, qofshin ato lëmosha, mbajtje lidhjesh familjare apo gjëra të tjera.

47:29

أَمْ حَسِبَ ٱلَّذِينَ فِى قُلُوبِهِم مَّرَضٌ أَن لَّن يُخْرِجَ ٱللَّهُ أَضْغَـٰنَهُمْ ٢٩

A mos vallë, ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre, mendojnë se Allahu nuk do t’i nxjerrë në shesh urrejtjet e tyre të fshehura (ndaj Islamit dhe besimtarëve)?29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

A mos vallë mendojnë hipokritët se Allahu nuk do ta nxjerrë në shesh atë që fshehin në zemrat e tyre prej smire dhe urrejtjeje ndaj Islamit dhe ithtarëve të tij? Po, me siguri Allahu do ta zbulojë dhe do të dallojë të sinqertin nga gënjeshtari.

47:30

وَلَوْ نَشَآءُ لَأَرَيْنَـٰكَهُمْ فَلَعَرَفْتَهُم بِسِيمَـٰهُمْ ۚ وَلَتَعْرِفَنَّهُمْ فِى لَحْنِ ٱلْقَوْلِ ۚ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ أَعْمَـٰلَكُمْ ٣٠

Sikur të donim, Ne do t’i tregonim ty ata (hipokritët), e ti do t’i njihje nga shenjat e tyre; por ti do t’i njohësh patjetër nga mënyra e të folurit të tyre. Allahu i di veprat tuaja.30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Sikur të donim Ne, o Muhamed, do t’i tregonim ty vetë personat e tyre, e do t’i njihje me shenja të dukshme tek ata; por ti do t’i njohësh patjetër nga mënyra e të folurit të tyre, që tregon qëllimet e tyre. Ndërsa Allahut të Madhëruar nuk i fshihet asgjë nga veprat e atyre që iu bindën dhe as nga veprat e atyre që e kundërshtuan, dhe Ai do t’a shpërblejë secilin sipas asaj që meriton.

47:31

وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ حَتَّىٰ نَعْلَمَ ٱلْمُجَـٰهِدِينَ مِنكُمْ وَٱلصَّـٰبِرِينَ وَنَبْلُوَاْ أَخْبَارَكُمْ ٣١

Ne do t’ju sprovojmë, derisa të dallojmë (dallohen) ata që luftojnë në Rrugën e Allahut dhe ata që janë të durueshëm, dhe do t’i provojmë fjalët dhe veprat tuaja.31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

Ne do t’ju sprovojmë — o besimtarë — me luftë dhe xhihad kundër armiqve të Allahut, derisa të bëhet e qartë ajo që Allahu e dinte që në përjetësi; që të dallojmë (dallohen) nga ju njerëzit e xhihadit dhe ata që janë të durueshëm në luftën kundër armiqve të Allahut, dhe që të provojmë fjalët dhe veprat tuaja, që të dalë i vërteti nga ju dhe të ndahet nga ai që gënjen.

47:32

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَصَدُّواْ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَشَآقُّواْ ٱلرَّسُولَ مِنۢ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ ٱلْهُدَىٰ لَن يَضُرُّواْ ٱللَّهَ شَيْـًۭٔا وَسَيُحْبِطُ أَعْمَـٰلَهُمْ ٣٢

Me të vërtetë, ata që mohojnë, pengojnë nga Rruga e Allahut dhe kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është bërë i qartë udhëzimi, nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun; Ai do t’i bëjë të pavlefshme veprat e tyre.32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

Me të vërtetë, ata që mohojnë se Allahu është Zoti i vërtetë, i vetëm dhe pa ortak, që pengojnë njerëzit nga feja e Tij, dhe që kundërshtojnë të Dërguarin e Allahut ﷺ — madje luftojnë kundër tij, pasi u erdhën atyre argumente dhe shenja të qarta që ai është i dërguar nga Allahu — nuk do t’a dëmtojnë aspak fenë e Allahut; por Allahu do t’i bëjë të pavlefshme veprat e tyre të mira, që i bënë në këtë botë, sepse nuk i bënë ato për hir të Tij.

47:33

۞ يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَطِيعُواْ ٱللَّهَ وَأَطِيعُواْ ٱلرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوٓاْ أَعْمَـٰلَكُمْ ٣٣

O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit, dhe mos i bëni të pavlefshme veprat tuaja!33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

O ju që e besuat Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vepruat sipas ligjit të Tij, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit në urdhrat dhe ndalesat e tyre, dhe mos e prishni shpërblimin e veprave tuaja me mohim dhe gjynahe!

47:34

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَصَدُّواْ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ ثُمَّ مَاتُواْ وَهُمْ كُفَّارٌۭ فَلَن يَغْفِرَ ٱللَّهُ لَهُمْ٣٤

Vërtet, ata që mohojnë dhe pengojnë nga Rruga e Allahut, pastaj vdesin si mohues – Allahu kurrë nuk do t’i falë ata.34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Vërtet, ata që mohojnë se Allahu është Zoti i vërtetë, i Vetmi dhe pa ortak, dhe pengojnë njerëzit nga feja e Tij, e pastaj vdesin në këtë gjendje si mohues – Allahu nuk do t’i falë ata; por do t’i ndëshkojë me dënim për shkak të mohimit të tyre dhe do t’i turpërojë para gjithë dëshmitarëve.

47:35

فَلَا تَهِنُواْ وَتَدْعُوٓاْ إِلَى ٱلسَّلْمِ وَأَنتُمُ ٱلْأَعْلَوْنَ وَٱللَّهُ مَعَكُمْ وَلَن يَتِرَكُمْ أَعْمَـٰلَكُمْ٣٥

Pra, mos u bëni të dobët dhe mos kërkoni armëpushim, ndërkohë që ju keni epërsi dhe Allahu është me ju! Ai nuk do t’jua pakësojë shpërblimin e veprave tuaja.35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Pra, mos u dobësoni – o ju që besuat në Allahun dhe të Dërguarin e Tij – në luftën kundër idhujtarëve, mos u bëni frikacakë për t’u përballur me ta dhe mos i thirrni në paqe e pajtim ndërkohë që ju jeni më të lartët dhe më të fortët ndaj tyre! Allahu është me ju me ndihmën dhe përkrahjen e Tij. - Në këtë ka një përgëzim të madh për fitoren dhe triumfin mbi armiqtë. Allahu nuk do t’jua pakësojë shpërblimin e veprave tuaja.

47:36

إِنَّمَا ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا لَعِبٌۭ وَلَهْوٌۭ ۚ وَإِن تُؤْمِنُواْ وَتَتَّقُواْ يُؤْتِكُمْ أُجُورَكُمْ وَلَا يَسْـَٔلْكُمْ أَمْوَٰلَكُمْ ٣٦

Jeta e kësaj bote nuk është tjetër, veçse lojë dhe argëtim. E nëse besoni dhe bëheni të devotshëm, Ai do t’ju japë shpërblimet tuaja dhe nuk do t’jua kërkojë pasurinë tuaj.36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Jeta e kësaj bote nuk është tjetër, veçse lojë dhe mashtrim. E nëse besoni në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe i frikësoheni Allahut duke kryer detyrimet dhe duke u larguar nga mëkatet, Ai do t’ju japë shpërblimin e veprave tuaja. Ai nuk ju kërkon të nxirrni të gjitha pasuritë tuaja në zekat, por vetëm një pjesë të vogël prej tyre.

47:37

إِن يَسْـَٔلْكُمُوهَا فَيُحْفِكُمْ تَبْخَلُواْ وَيُخْرِجْ أَضْغَـٰنَكُمْ ٣٧

Nëse Ai do t’jua kërkonte të gjithë pasurinë me këmbëngulje, ju do të bëheshit koprracë dhe kështu, Ai do të nxirrte në pah urrejtjet tuaja të fshehta.37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

E nëse do t’ju kërkonte të gjitha pasuritë tuaja me këmbëngulje, e do t’ju ngarkonte rëndë, do të bëheshit koprracë e nuk do ta jepnit atë, dhe kështu do të shfaqej ajo që fshihet në zemrat tuaja nga urrejtja dhe armiqësia, kur ju kërkohet ajo që nuk dëshironi ta jepni.

47:38

هَـٰٓأَنتُمْ هَـٰٓؤُلَآءِ تُدْعَوْنَ لِتُنفِقُواْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ فَمِنكُم مَّن يَبْخَلُ ۖ وَمَن يَبْخَلْ فَإِنَّمَا يَبْخَلُ عَن نَّفْسِهِۦ ۚ وَٱللَّهُ ٱلْغَنِىُّ وَأَنتُمُ ٱلْفُقَرَآءُ ۚ وَإِن تَتَوَلَّوْاْ يَسْتَبْدِلْ قَوْمًا غَيْرَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُونُوٓاْ أَمْثَـٰلَكُم ٣٨

Ja pra, ju jeni ata që ftoheni të shpenzoni në Rrugën e Allahut, por prej jush ka që bëhen koprracë. Kush bëhet koprrac, bëhet koprrac vetëm ndaj vetes së tij. Allahu është i Pasuri, kurse ju jeni të varfrit. E nëse ju largoheni, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, dhe ata nuk do të jenë si ju.38

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

Ja pra, ju – o besimtarë – thirreni të shpenzoni në rrugën e Allahut për luftën kundër armiqve të Tij dhe për ndihmën e fesë së Tij. E prej jush ka që bëhet koprrac në shpenzim për hir të Allahut. Por kush bëhet koprrac, e bën vetëm kundër vetes së tij. Allahu është i Pasur dhe i pavarur nga ju, ndërsa ju jeni të varfër dhe të varur prej Tij. E nëse ia ktheni shpinën besimit në Allahun dhe bindjes ndaj urdhrave të Tij, Ai mund t’ju shkatërrojë dhe të sjellë një popull tjetër në vendin tuaj, të cilët nuk do të jenë si ju në largimin nga urdhri i Allahut, por do t’i binden Atij, do t’i binden të Dërguarit të Tij dhe do të luftojnë në rrugën e Tij me pasuritë dhe jetët e tyre.

Muhammed · 38 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi