KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 41

Fussilet Shpjeguar hollësisht

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 54 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

41:1

حمٓ ١

Ḥā Mīm.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El-Bekare.

41:2

تَنزِيلٌۭ مِّنَ ٱلرَّحْمَـٰنِ ٱلرَّحِيمِ ٢

Shpallje nga i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ky Kuran fisnik është shpallje nga i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, të cilin Ai ia zbriti ttë Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

41:3

كِتَـٰبٌۭ فُصِّلَتْ ءَايَـٰتُهُۥ قُرْءَانًا عَرَبِيًّۭا لِّقَوْمٍۢ يَعْلَمُونَ ٣

Një Libër, vargjet e të cilit janë shpjeguar qartë – një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit që dinë.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Një Libër, ajetet e të cilit janë sqaruar plotësisht dhe janë shpjeguar qartë kuptimet dhe dispozitat e tij - një Kuran në gjuhën arabe, i lehtësuar për t’u kuptuar nga një popull që e di gjuhën arabe.

41:4

بَشِيرًۭا وَنَذِيرًۭا فَأَعْرَضَ أَكْثَرُهُمْ فَهُمْ لَا يَسْمَعُونَ ٤

Sjellës i lajmit të mirë dhe paralajmërues; por shumica e tyre u shmangën, kështu që nuk dëgjojnë.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Përgëzues me shpërblim të afërt e të largët për atë që beson në të dhe vepron sipas tij, dhe si paralajmërues me ndëshkim të afërt e të largët për atë që e mohon. Por shumica e njerëzve u larguan prej tij, prandaj nuk e dëgjojnë atë me dëgjim pranimi dhe bindjeje.

41:5

وَقَالُواْ قُلُوبُنَا فِىٓ أَكِنَّةٍۢ مِّمَّا تَدْعُونَآ إِلَيْهِ وَفِىٓ ءَاذَانِنَا وَقْرٌۭ وَمِنۢ بَيْنِنَا وَبَيْنِكَ حِجَابٌۭ فَٱعْمَلْ إِنَّنَا عَـٰمِلُونَ ٥

Ata thonë: “Zemrat tona janë të mbuluara nga ajo që na thërret ti, në veshët tanë ka shurdhim, dhe midis nesh e teje ka perde; kështu që vepro si të duash, se edhe ne jemi duke vepruar.”5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Këta mohues, që u larguan nga e vërteta, i thanë të Dërguarit Muhamed ﷺ: “Zemrat tona janë në mbulesa që na pengojnë të kuptojmë atë për të cilën na thërret; në veshët tanë ka shurdhim, prandaj nuk dëgjojmë; dhe mes nesh e teje – o Muhamed – ka një perde që na ndalon t’i përgjigjemi thirrjes tënde. Prandaj vepro sipas fesë sate, ashtu si edhe ne veprojmë sipas fesë sonë.”

41:6

قُلْ إِنَّمَآ أَنَا۠ بَشَرٌۭ مِّثْلُكُمْ يُوحَىٰٓ إِلَىَّ أَنَّمَآ إِلَـٰهُكُمْ إِلَـٰهٌۭ وَٰحِدٌۭ فَٱسْتَقِيمُوٓاْ إِلَيْهِ وَٱسْتَغْفِرُوهُ ۗ وَوَيْلٌۭ لِّلْمُشْرِكِينَ ٦

Thuaju: “Unë jam vetëm një njeri si ju, por mua më shpallet se Zoti juaj është një Zot i vetëm; prandaj merrni rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë ata që i bëjnë shok Atij,6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Thuaju atyre – o i Dërguar –: “Unë jam vetëm një njeri si ju, por Allahu më shpall se Zoti juaj që meriton adhurim është Një i Vetëm, pa ortak. Prandaj ndiqni rrugën që ju çon tek Ai dhe kërkoni faljen e Tij. Dhe mjerë për ata që i bëjnë shok Atij në adhurim;

41:7

ٱلَّذِينَ لَا يُؤْتُونَ ٱلزَّكَوٰةَ وَهُم بِٱلْـَٔاخِرَةِ هُمْ كَـٰفِرُونَ ٧

të cilët nuk japin zekatin dhe që e mohojnë botën tjetër!7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Ndërsa për idhujtarët, që adhuruan përveç Allahut idhuj që as nuk sjellin dobi e as dëm, dhe që nuk e pastruan veten me njësimin e Zotit të tyre e me sinqeritet ndaj Tij, nuk falën namazin e nuk dhanë zekatin – për ta ka dënim. Ata nuk kanë sinqeritet ndaj Krijuesit dhe nuk sjellin dobi për krijesat; nuk besojnë në ringjallje, në Xhenet e Xhehenem, dhe nuk shpenzojnë në bindje ndaj Allahut.

41:8

إِنَّ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ لَهُمْ أَجْرٌ غَيْرُ مَمْنُونٍۢ ٨

Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të kenë shpërblim të pandërprerë.”8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Vërtet, ata që besuan në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në Librin e Tij, dhe bënë vepra të mira duke ia kushtuar sinqerisht Atij, do të kenë një shpërblim të madh, i cili nuk ndërpritet dhe nuk ndalohet kurrë.

41:9

۞ قُلْ أَئِنَّكُمْ لَتَكْفُرُونَ بِٱلَّذِى خَلَقَ ٱلْأَرْضَ فِى يَوْمَيْنِ وَتَجْعَلُونَ لَهُۥٓ أَندَادًۭا ۚ ذَٰلِكَ رَبُّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ٩

Thuaj: “A vërtet, ju e mohoni Atë, i Cili krijoi Tokën për dy ditë, dhe i bëni Atij shokë?! Ai është Zoti i botëve!9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Thuaj – o i Dërguar – këtyre idhujtarëve, si qortim dhe me habi për veprimin e tyre: “Vërtet ju mohoni Allahun, i Cili krijoi tokën në dy ditë, dhe i bëni Atij shokë e ortakë që i adhuroni bashkë me Të?!” Ky Krijues është Zoti i botëve, i të gjitha krijesave.

41:10

وَجَعَلَ فِيهَا رَوَٰسِىَ مِن فَوْقِهَا وَبَـٰرَكَ فِيهَا وَقَدَّرَ فِيهَآ أَقْوَٰتَهَا فِىٓ أَرْبَعَةِ أَيَّامٍۢ سَوَآءًۭ لِّلسَّآئِلِينَ ١٠

Ai vendosi mbi Tokë male të patundshme, e bekoi atë dhe caktoi në të mjetet e jetesës - në plotë katër ditë - për ata që pyesin.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Ai, i Lartësuari, vendosi në Tokë male të palëvizshme mbi të, e bekoi atë duke e bërë burim të mirësive për banorët e saj, dhe caktoi në të furnizimet e tyre, nga ushqimi dhe gjithçka që u nevojitet për jetesën – në katër ditë të plota: dy ditë për krijimin e Tokës, dhe dy ditë për vendosjen e maleve dhe përcaktimin e furnizimeve të saj – njësoj për këdo që dëshiron të pyesë për këtë, që ta dijë.

41:11

ثُمَّ ٱسْتَوَىٰٓ إِلَى ٱلسَّمَآءِ وَهِىَ دُخَانٌۭ فَقَالَ لَهَا وَلِلْأَرْضِ ٱئْتِيَا طَوْعًا أَوْ كَرْهًۭا قَالَتَآ أَتَيْنَا طَآئِعِينَ ١١

Pastaj Ai iu drejtua qiellit – i cili ishte tym – e i tha atij dhe Tokës: “Ejani, me dëshirë ose me detyrim!” Ato thanë: “Erdhëm me dëshirë e të nënshtruar!”11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Pastaj Ai, i Lartësuari, u drejtua kah qielli – i cili më parë ishte tym – dhe i tha qiellit dhe Tokës: “Përuluni ndaj urdhrit Tim, me dëshirë ose me detyrim!” Ato thanë: “Erdhëm të nënshtruara ndaj Teje; ne nuk kemi vullnet që të kundërshtojë vullnetin Tënd.”

41:12

فَقَضَىٰهُنَّ سَبْعَ سَمَـٰوَاتٍۢ فِى يَوْمَيْنِ وَأَوْحَىٰ فِى كُلِّ سَمَآءٍ أَمْرَهَا ۚ وَزَيَّنَّا ٱلسَّمَآءَ ٱلدُّنْيَا بِمَصَـٰبِيحَ وَحِفْظًۭا ۚ ذَٰلِكَ تَقْدِيرُ ٱلْعَزِيزِ ٱلْعَلِيمِ ١٢

Kështu, Ai i krijoi shtatë qiej për dy ditë dhe i caktoi çdo qielli detyrën e tij. Qiellin më të afërt, Ne e zbukuruam me llamba (yje) dhe (e bëmë) për ruajtje. Ky është përcaktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Allahu e plotësoi krijimin e shtatë qiejve dhe rregullimin e tyre në dy ditë, dhe kështu u përfundua krijimi i qiejve dhe i Tokës në gjashtë ditë – me një urtësi që vetëm Ai e di – ndonëse Ai, i Lartësuari, ka fuqi t’i krijojë ato edhe në një çast të vetëm. Në secilin qiell Ai shpalli atë që deshi dhe urdhëroi për të; dhe qiellin më të afërt e zbukuruam me yje ndriçues dhe e bëmë atë mbrojtje ndaj djajve që përpiqen të vjedhin dëgjimin. Ky krijim madhështor është caktimi i të Plotfuqishmit në mbretërinë e Tij, të Dijshmit, dijenia e të Cilit ka përfshirë çdo gjë.

41:13

فَإِنْ أَعْرَضُواْ فَقُلْ أَنذَرْتُكُمْ صَـٰعِقَةًۭ مِّثْلَ صَـٰعِقَةِ عَادٍۢ وَثَمُودَ ١٣

E nëse ata kthejnë shpinën, thuaj: “Unë ju paralajmëroj për një rrufe, si ajo e Adit dhe e Themudit.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Nëse këta përgënjeshtrues largohen edhe pasi u janë sqaruar cilësitë e lavdërueshme të Kuranit dhe madhështia e Allahut, thuaju: “Unë po ju paralajmëroj për një dënim që do t’ju shkatërrojë, ashtu siç ndodhi me popullin Aad dhe Themud, kur ata mohuan Zotin e tyre dhe iu kundërvunë të dërguarve të Tij.”

41:14

إِذْ جَآءَتْهُمُ ٱلرُّسُلُ مِنۢ بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ أَلَّا تَعْبُدُوٓاْ إِلَّا ٱللَّهَ ۖ قَالُواْ لَوْ شَآءَ رَبُّنَا لَأَنزَلَ مَلَـٰٓئِكَةًۭ فَإِنَّا بِمَآ أُرْسِلْتُم بِهِۦ كَـٰفِرُونَ ١٤

Kur atyre u erdhën të dërguarit, nga para tyre dhe nga pas tyre (njëri pas tjetrit, duke u thënë): “Mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut!” Ata thanë: “Sikur të donte Zoti ynë, do të zbriste engjëj; prandaj ne nuk besojmë në atë, me të cilën jeni dërguar.”14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Kur të dërguarit erdhën te populli Aad dhe Themud, njëri pas tjetrit, duke i thirrur që të adhuronin vetëm Allahun, pa i bërë Atij shok, ata u thanë të dërguarve të tyre: “Sikur të donte Zoti ynë që ne ta njësonim Atë dhe të mos adhuronim askënd tjetër përveç Tij, do të na kishte zbritur engjëj nga qielli si të dërguar për atë që na ftoni ju. Por Ai nuk ju ka dërguar juve, që jeni vetëm njerëz si ne. Prandaj, ne mohojmë atë me të cilën Allahu ju ka dërguar tek ne.”

41:15

فَأَمَّا عَادٌۭ فَٱسْتَكْبَرُواْ فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَقَالُواْ مَنْ أَشَدُّ مِنَّا قُوَّةً ۖ أَوَلَمْ يَرَوْاْ أَنَّ ٱللَّهَ ٱلَّذِى خَلَقَهُمْ هُوَ أَشَدُّ مِنْهُمْ قُوَّةًۭ ۖ وَكَانُواْ بِـَٔايَـٰتِنَا يَجْحَدُونَ ١٥

Sa i përket Adit, ata u treguan mendjemëdhenj në Tokë, pa të drejtë dhe thanë: “Kush është më i fuqishëm se ne?” A nuk e kanë parë ata se Allahu, i Cili i krijoi ata, është më i fuqishëm se ata? Por, ata i mohonin shpalljet Tona.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Sa i përket Adit, popullit të Hudit, ata u treguan mendjemëdhenj në tokë ndaj njerëzve, pa të drejtë dhe, nga mashtrimi i vetvetes, thanë: “Kush është më i fortë se ne?” A nuk e dinë ata se Allahu i Madhëruar, që i krijoi ata, është më i fortë dhe më i fuqishëm se ata? Por ata i mohuan argumentet dhe provat Tona.

41:16

فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ رِيحًۭا صَرْصَرًۭا فِىٓ أَيَّامٍۢ نَّحِسَاتٍۢ لِّنُذِيقَهُمْ عَذَابَ ٱلْخِزْىِ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۖ وَلَعَذَابُ ٱلْـَٔاخِرَةِ أَخْزَىٰ ۖ وَهُمْ لَا يُنصَرُونَ ١٦

Kështu që, Ne dërguam kundër tyre një erë të acartë e buçitëse, në disa ditë të kobshme, që t’i bëjmë të shijojnë dënimin poshtërues në jetën e kësaj bote; por dënimi i botës tjetër është edhe më poshtërues, dhe ata nuk do të ndihmohen.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Atëherë Ne dërguam mbi ta një erë shumë të ftohtë dhe me zhurmë të fuqishme, në disa ditë të kobshme për ta, që t’i bënim të shijonin dënimin e poshtërimit dhe të përuljes në jetën e kësaj bote. Por dënimi i botës tjetër është edhe më i rëndë në poshtërim dhe turpërim, dhe askush nuk do t’i ndihmojë duke ua larguar dënimin.

41:17

وَأَمَّا ثَمُودُ فَهَدَيْنَـٰهُمْ فَٱسْتَحَبُّواْ ٱلْعَمَىٰ عَلَى ٱلْهُدَىٰ فَأَخَذَتْهُمْ صَـٰعِقَةُ ٱلْعَذَابِ ٱلْهُونِ بِمَا كَانُواْ يَكْسِبُونَ ١٧

Ndërsa Themudit, Ne ia treguam Rrugën e Drejtë, por ata zgjodhën verbërinë në vend të udhëzimit; prandaj i goditi rrufeja e dënimit poshtërues, për atë që vepronin.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Sa për Themudin, popullin e Salihut, Ne ua sqaruam rrugën e së vërtetës dhe të udhëzimit, por ata zgjodhën verbërinë në vend të udhëzimit. Prandaj i shkatërroi rrufeja e dënimit poshtërues, për shkak të mëkateve që kryenin me mohimin e tyre ndaj Allahut dhe përgënjeshtrimin e të dërguarve të Tij.

41:18

وَنَجَّيْنَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَكَانُواْ يَتَّقُونَ ١٨

Dhe, Ne i shpëtuam ata që besuan dhe ishin të devotshëm.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Ndërsa ata që besuan, Ne i shpëtuam nga dënimi që goditi Adin dhe Themudin, e këta të shpëtuarit i frikësoheshin Allahut dhe e respektonin Atë me devotshmëri.

41:19

وَيَوْمَ يُحْشَرُ أَعْدَآءُ ٱللَّهِ إِلَى ٱلنَّارِ فَهُمْ يُوزَعُونَ ١٩

Ditën, kur armiqtë e Allahut do të tubohen për në Zjarr, e do të shtyhen në radhë.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Ditën kur armiqtë e Allahut do të mblidhen për në zjarrin e Xhehenemit, rojat e dënimit do t’i shtyjnë të parët e tyre pas të fundit, derisa të arrijnë Zjarrin.

41:20

حَتَّىٰٓ إِذَا مَا جَآءُوهَا شَهِدَ عَلَيْهِمْ سَمْعُهُمْ وَأَبْصَـٰرُهُمْ وَجُلُودُهُم بِمَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ٢٠

Derisa, kur të arrijnë tek ai (Zjarri) – veshët e tyre, sytë e tyre dhe lëkurat e tyre do të dëshmojnë kundër tyre për atë që vepronin (në dynja).20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Atëherë, kur të mohojnë krimet e tyre, do të dëshmojnë kundër tyre veshët, sytë dhe lëkurat e tyre për ato që bënin në dynja nga mëkatet dhe të këqijat.

41:21

وَقَالُواْ لِجُلُودِهِمْ لِمَ شَهِدتُّمْ عَلَيْنَا ۖ قَالُوٓاْ أَنطَقَنَا ٱللَّهُ ٱلَّذِىٓ أَنطَقَ كُلَّ شَىْءٍۢ وَهُوَ خَلَقَكُمْ أَوَّلَ مَرَّةٍۢ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ٢١

Ata do t’u thonë lëkurave të tyre: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato do të thonë: “Na bëri të flasim Allahu, i Cili i ka bërë të gjitha gjërat të flasin. Ai ju krijoi ju për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni.”21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Dhe këta që do të grumbullohen për në Zjarr, do t’u thonë lëkurave të tyre, duke i qortuar: “Pse dëshmuat kundër nesh?” Lëkurat e tyre do t’u përgjigjen: “Na bëri të flasim Allahu, i Cili i ka dhënë të folur çdo gjëje. Ai është që ju krijoi për herë të parë, kur ju nuk ishit asgjë, dhe tek Ai është kthimi juaj pas vdekjes për llogari dhe shpërblim.”

41:22

وَمَا كُنتُمْ تَسْتَتِرُونَ أَن يَشْهَدَ عَلَيْكُمْ سَمْعُكُمْ وَلَآ أَبْصَـٰرُكُمْ وَلَا جُلُودُكُمْ وَلَـٰكِن ظَنَنتُمْ أَنَّ ٱللَّهَ لَا يَعْلَمُ كَثِيرًۭا مِّمَّا تَعْمَلُونَ ٢٢

Ju nuk fshiheshit (kur bënit gjynahe) që të mos dëshmonin kundër jush veshët tuaj, sytë tuaj, apo lëkurat tuaja, por (fshiheshit) ngaqë mendonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që vepronit.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Ju nuk fshiheshit kur bënit gjynahet nga frika se mos dëshmojnë kundër jush veshët tuaj, sytë tuaj, apo lëkurat tuaja Ditën e Kiametit, por fshiheshit duke kryer mëkatet, ngaqë mendonit se Allahu nuk i dinte shumë nga veprat tuaja me të cilat e kundërshtuat Atë.

41:23

وَذَٰلِكُمْ ظَنُّكُمُ ٱلَّذِى ظَنَنتُم بِرَبِّكُمْ أَرْدَىٰكُمْ فَأَصْبَحْتُم مِّنَ ٱلْخَـٰسِرِينَ ٢٣

Ky ishte mendimi juaj që patët për Zotin tuaj – ai ju shkatërroi, dhe u bëtë prej të humburve.23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Ky mendim i keq që patët për Zotin tuaj ju shkatërroi dhe ju futi në Zjarr. Kështu, sot jeni nga të humburit, të cilët humbën veten e tyre dhe familjet e tyre.

41:24

فَإِن يَصْبِرُواْ فَٱلنَّارُ مَثْوًۭى لَّهُمْ ۖ وَإِن يَسْتَعْتِبُواْ فَمَا هُم مِّنَ ٱلْمُعْتَبِينَ ٢٤

Edhe sikur të durojnë, vendbanimi i tyre është Zjarri; dhe sikur të kërkojnë favor, nuk do të jenë nga ata që favorizohen.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Edhe nëse durojnë në dënim, strehimi i tyre është sërish Zjarri; dhe nëse kërkojnë të kthehen në dynja për të bërë vepra të mira, apo që t’u lehtësohet dënimi, nuk do t’u përgjigjet asnjë kërkesë dhe nuk do t’u pranohen arsyetimet.

41:25

۞ وَقَيَّضْنَا لَهُمْ قُرَنَآءَ فَزَيَّنُواْ لَهُم مَّا بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَمَا خَلْفَهُمْ وَحَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلْقَوْلُ فِىٓ أُمَمٍۢ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهِم مِّنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ ۖ إِنَّهُمْ كَانُواْ خَـٰسِرِينَ ٢٥

Ne u kishim caktuar atyre shokë të këqinj, të cilët ua zbukuruan atyre të tashmen dhe të ardhmen. Kështu që, mbi ta u përmbush Fjala (dënimi) që ishte përmbushur më parë mbi shumë popuj nga xhinët dhe njerëzit; ata ishin vërtet humbës.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Ne vumë në dispozicion të mohuesve shokë të këqinj — nga djajtë e njerëzve dhe të xhinëve; ata u zbukuruan atyre veprat e tyre të shëmtuara në këtë botë, i ftuan në kënaqësitë dhe pasionet e ndaluara, dhe zbukuruan për ta edhe çështjet e botës tjetër, kështu që i bënë të harronin përmendjen e saj dhe i ftuan në mohimin e ringjalljes. Për shkak të kësaj, ata e merituan hyrjen në Zjarr, bashkë me popujt e mëparshëm nga mohuesit — qoftë të xhinëve apo të njerëzve. Ata, me veprat e tyre, humbën në këtë botë, dhe humbën vetë dhe familjet e tyre në Ditën e Kiametit.

41:26

وَقَالَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لَا تَسْمَعُواْ لِهَـٰذَا ٱلْقُرْءَانِ وَٱلْغَوْاْ فِيهِ لَعَلَّكُمْ تَغْلِبُونَ ٢٦

Ata që mohuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe bëni zhurmë kur të lexohet, që të mund të fitoni mbi të (ta ndërprisni leximin e tij)!”26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Mohuesit i thonin njëri-tjetrit, duke u këshilluar mes tyre: “Mos e dëgjoni këtë Kuran, mos iu bindni atij dhe mos ju nënshtroni urdhrave të tij! Ngrini zërat tuaj me bërtitje, fishkëllima dhe përzierje zhurmash mbi Muhamedin kur ai lexon Kuranin, që ta mposhtni, ta pengoni nga leximi dhe të dilni fitimtarë kundër tij!”

41:27

فَلَنُذِيقَنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ عَذَابًۭا شَدِيدًۭا وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَسْوَأَ ٱلَّذِى كَانُواْ يَعْمَلُونَ ٢٧

Me siguri, mohuesve, Ne do t’u bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër, dhe do t’i shpërblejmë me më të keqen e asaj që kanë vepruar.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Me siguri, Ne do t’i bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër në këtë botë dhe në botën tjetër ata që thanë këtë fjalë, dhe do t’i shpërblejmë me më të keqen e veprave të tyre të këqija.

41:28

ذَٰلِكَ جَزَآءُ أَعْدَآءِ ٱللَّهِ ٱلنَّارُ ۖ لَهُمْ فِيهَا دَارُ ٱلْخُلْدِ ۖ جَزَآءًۢ بِمَا كَانُواْ بِـَٔايَـٰتِنَا يَجْحَدُونَ٢٨

Ky është shpërblimi i armiqve të Allahut - Zjarri. Aty do të kenë shtëpinë e përjetshme, si ndëshkim për atë që mohonin shpalljet Tona.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Ky shpërblim që u jepet këtyre mohuesve është dënimi i armiqve të Allahut – Zjarri, ku ata do të kenë banesën e përhershme. Ky është dënim për shkak se ata i mohonin argumentet dhe provat Tona në dynja. - Ky ajet tregon madhësinë e krimit të atyre që largojnë njerëzit nga Kurani madhështor dhe i pengojnë ata nga meditimi dhe udhëzimi i tij, me çfarëdo mënyre qoftë.

41:29

وَقَالَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ رَبَّنَآ أَرِنَا ٱلَّذَيْنِ أَضَلَّانَا مِنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ نَجْعَلْهُمَا تَحْتَ أَقْدَامِنَا لِيَكُونَا مِنَ ٱلْأَسْفَلِينَ ٢٩

Ata që mohuan do të thonë: “Zoti ynë! Na i trego ata dy që na çuan në humbje – prej xhinëve dhe njerëzve – që t’i vendosim nën këmbët tona, që të jenë nga më të ulëtit.”29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Ata që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ndërsa gjenden në zjarr, do të thonë: “Zoti ynë, na i trego ata dy që na çuan në humbje – nga xhinët (Iblisi) dhe nga njerëzit (Kabili ose Dexhali) – që t’i vendosim nën këmbët tona, që të jenë në shkallën më të ulët të Zjarrit.”

41:30

إِنَّ ٱلَّذِينَ قَالُواْ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسْتَقَـٰمُواْ تَتَنَزَّلُ عَلَيْهِمُ ٱلْمَلَـٰٓئِكَةُ أَلَّا تَخَافُواْ وَلَا تَحْزَنُواْ وَأَبْشِرُواْ بِٱلْجَنَّةِ ٱلَّتِى كُنتُمْ تُوعَدُونَ ٣٠

Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe qëndrojnë të palëkundur, atyre u zbresin engjëjt (në çastin e vdekjes), duke u thënë: “Mos kini frikë dhe mos u pikëlloni; por gëzohuni me Xhenetin që ju ishte premtuar!30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Me të vërtetë, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu i Vetëm, pa ortak”, e pastaj qëndrojnë të palëkundur në rrugën e Drejtë, engjëjt zbresin mbi ta në çastin e vdekjes duke u thënë: “Mos kini frikë nga vdekja, as nga ajo që vjen pas saj, dhe mos u trishtoni për atë që lini pas në dynja; por gëzohuni me Xhenetin që ju ishte premtuar!”

41:31

نَحْنُ أَوْلِيَآؤُكُمْ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَفِى ٱلْـَٔاخِرَةِ ۖ وَلَكُمْ فِيهَا مَا تَشْتَهِىٓ أَنفُسُكُمْ وَلَكُمْ فِيهَا مَا تَدَّعُونَ ٣١

Ne jemi mbështetësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër; atje do të keni çfarë t’ju dëshirojnë shpirtrat, dhe atje do të keni çfarëdo që kërkoni,”31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

Engjëjt do t’u thonë atyre: “Ne kemi qenë mbrojtësit dhe ndihmësit tuaj në jetën e kësaj bote, duke ju përforcuar dhe ruajtur me urdhrin e Allahut; dhe ashtu do të jemi me ju edhe në botën tjetër. Në Xhenet do të keni gjithçka që dëshiron dhe zgjedh shpirti juaj, gjëra që ju gëzojnë sytë. Çfarëdo që të kërkoni, do ta gjeni para jush,

41:32

نُزُلًۭا مِّنْ غَفُورٍۢ رَّحِيمٍۢ ٣٢

si mikpritje nga një Zot Falës dhe Mëshirëplotë.32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

si mikpritje dhe dhuratë për ju nga Ai që fal mëkatet dhe është Mëshirues ndaj jush.”

41:33

وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًۭا مِّمَّن دَعَآ إِلَى ٱللَّهِ وَعَمِلَ صَـٰلِحًۭا وَقَالَ إِنَّنِى مِنَ ٱلْمُسْلِمِينَ ٣٣

E kush flet fjalë më të bukur se ai, që thërret në Rrugën e Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve (i nënshtruar Allahut)”?33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

Askush nuk flet fjalë më të bukur se ai që thërret në Njësimin e Allahut dhe në adhurimin vetëm të Tij, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë jam prej muslimanëve, të nënshtruar ndaj urdhrit dhe ligjit të Allahut.” - Ky ajet nxit për thirrjen në rrugën e Allahut të Madhëruar dhe tregon madhështinë e vlerës së dijetarëve që thërrasin tek Ai me dituri të qartë, sipas asaj që ka sjellë i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ.

41:34

وَلَا تَسْتَوِى ٱلْحَسَنَةُ وَلَا ٱلسَّيِّئَةُ ۚ ٱدْفَعْ بِٱلَّتِى هِىَ أَحْسَنُ فَإِذَا ٱلَّذِى بَيْنَكَ وَبَيْنَهُۥ عَدَٰوَةٌۭ كَأَنَّهُۥ وَلِىٌّ حَمِيمٌۭ ٣٤

Nuk barazohet e mira me të keqen! Ktheje të keqen me atë që është më e mira; atëherë ai, me të cilin ke armiqësi, do të bëhet sikur të ishte mik i ngushtë.34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Nuk është e barabartë e mira e atyre që besuan Allahun, qëndruan në udhën e Tij dhe u sollën mirë me krijesat, me të keqen e atyre që e mohuan Atë, iu kundërvunë urdhrit të Tij dhe u sollën keq me krijesat. Ktheja me falje, durim dhe të mirë atij që të ka bërë keq, dhe përballoje të keqen e tij me të mirë; kështu, ai që ka armiqësi me ty do të bëhet sikur të ishte mik i afërt e i dashur për ty.

41:35

وَمَا يُلَقَّىٰهَآ إِلَّا ٱلَّذِينَ صَبَرُواْ وَمَا يُلَقَّىٰهَآ إِلَّا ذُو حَظٍّ عَظِيمٍۢ ٣٥

Por këtë (virtyt) nuk e arrin askush përveç atyre që kanë durim, dhe nuk e arrin askush përveç atyre që kanë fat të madh.35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Këtë virtyt të lartë, të kthimit të së keqes me të mirë, nuk e arrijnë veçse ata që e përmbajnë veten me durim ndaj asaj që vetja e tyre e urren, dhe e detyrojnë atë të ndjekë atë që do Allahu; dhe nuk arrin tek kjo veçse ai që ka një pjesë të madhe nga lumturia e dhuruar nga Allahu në këtë botë dhe në botën tjetër.

41:36

وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ ٱلشَّيْطَـٰنِ نَزْغٌۭ فَٱسْتَعِذْ بِٱللَّهِ ۖ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْعَلِيمُ ٣٦

E nëse djalli të ngacmon me ndonjë cytje, atëherë kërko strehim tek Allahu. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Dhe nëse djalli hedh në zemrën tënde një vesvese nga mendimet e brendshme, për të të shtyrë që t’i kundërvihesh keqbërësit me të keqe, atëherë kërko mbrojtje tek Allahu dhe mbështetu tek Ai. Vërtet, Allahu është Dëgjues i kërkesës sate për strehim tek Ai dhe i Dijshëm për çështjet e të gjitha krijesave të Tij.

41:37

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِ ٱلَّيْلُ وَٱلنَّهَارُ وَٱلشَّمْسُ وَٱلْقَمَرُ ۚ لَا تَسْجُدُواْ لِلشَّمْسِ وَلَا لِلْقَمَرِ وَٱسْجُدُواْ لِلَّهِ ٱلَّذِى خَلَقَهُنَّ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ ٣٧

Nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, Dielli dhe Hëna. Mos bini në sexhde as për Diellin, as për Hënën, por bini në sexhde për Allahun, i Cili i krijoi ato, nëse me të vërtetë adhuroni vetëm Atë!37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

Ndër argumentet e Allahut për krijesat e Tij dhe shenjat e Tij për Njësinë dhe përsosmërinë e fuqisë së Tij është ndryshimi i natës dhe ditës, përsëritja e tyre, dhe ndryshimi i Diellit e i Hënës dhe ndërrimi i tyre. Të gjitha këto janë nën nënshtrimin dhe pushtetin e Tij. Mos bëni sexhde as për Diellin as për Hënën – sepse ato janë të krijuara dhe të drejtuara – por bëni sexhde për Allahun, i Cili i krijoi ato, nëse me të vërtetë jeni të nënshtruar ndaj urdhrit të Tij, e dëgjoni dhe i bindeni Atij, duke e adhuruar vetëm Atë, pa i bërë shok!

41:38

فَإِنِ ٱسْتَكْبَرُواْ فَٱلَّذِينَ عِندَ رَبِّكَ يُسَبِّحُونَ لَهُۥ بِٱلَّيْلِ وَٱلنَّهَارِ وَهُمْ لَا يَسْـَٔمُونَ۩٣٨

E nëse ata tregohen mendjemëdhenj, atëherë le ta dinë se, ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt), e lavdërojnë Atë natë e ditë, dhe nuk lodhen kurrë.38 ۩

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

۩ [Ajet Sexhde] Nëse këta idhujtarë tregohen mendjemëdhenj dhe refuzojnë t’i bëjnë sexhde Allahut, engjëjt që janë pranë Zotit tënd nuk tregohen aspak mendjemëdhenj për këtë; përkundrazi, ata e madhërojnë Atë dhe e shpallin të pastër nga çdo mangësi, natë e ditë, pa u lodhur e pa u mërzitur kurrë.

41:39

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦٓ أَنَّكَ تَرَى ٱلْأَرْضَ خَـٰشِعَةًۭ فَإِذَآ أَنزَلْنَا عَلَيْهَا ٱلْمَآءَ ٱهْتَزَّتْ وَرَبَتْ ۚ إِنَّ ٱلَّذِىٓ أَحْيَاهَا لَمُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰٓ ۚ إِنَّهُۥ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌ ٣٩

Nga shenjat e Tij është edhe se, ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por kur Ne zbresim ujë mbi të, ajo gjallërohet dhe mbushet. Vërtet, Ai që e ringjall atë, është Ai që do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë.39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Ndër shenjat e Njësisë së Allahut dhe fuqisë së Tij është se ti e sheh tokën të thatë, pa gjelbërim; por kur Ne i zbresim shiun, ajo gjallërohet, lëviz me bimët, mbushet dhe ngrihet. Ai që e ringjalli këtë tokë pas vdekjes së saj, është i fuqishëm të ringjallë edhe krijesat pas vdekjes së tyre. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë; ashtu si fuqia e Tij nuk dobësohet për ta gjallëruar tokën pas tharjes, po ashtu nuk dobësohet për t’i ringjallur të vdekurit.

41:40

إِنَّ ٱلَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِىٓ ءَايَـٰتِنَا لَا يَخْفَوْنَ عَلَيْنَآ ۗ أَفَمَن يُلْقَىٰ فِى ٱلنَّارِ خَيْرٌ أَم مَّن يَأْتِىٓ ءَامِنًۭا يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ ۚ ٱعْمَلُواْ مَا شِئْتُمْ ۖ إِنَّهُۥ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ ٤٠

Vërtet, ata që shmangen dhe bëjnë shtrembërim në shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen Neve. A është më i mirë ai që hidhet në Zjarr, apo ai që vjen i sigurt në Ditën e Kiametit? Bëni ç’të doni, se Ai vërtet e sheh mirë atë që veproni.40

Komentimi 1 shënim

Shënimi 40

Vërtet, ata që shmangen nga e vërteta, duke mohuar Kuranin dhe duke e shtrembëruar atë, nuk mund të Na fshihen Neve; përkundrazi, Ne i njohim mirë ata. Vallë, a është më i mirë ai që hidhet në Zjarr si mohues i ajeteve të Allahut, apo ai që vjen Ditën e Kiametit i sigurt nga dënimi i Allahut dhe i denjë për shpërblimin e Tij, për shkak të besimit dhe pohimit të tij ndaj ajeteve?

Veproni, o mohues, ç’të doni, sepse Allahu i Madhëruar është Vëzhgues i veprave tuaja; asgjë prej tyre nuk i fshihet Atij, dhe Ai do t’ju shpërblejë sipas tyre. - Në këtë qëndron paralajmërim dhe kërcënim i ashpër për ta.

41:41

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ بِٱلذِّكْرِ لَمَّا جَآءَهُمْ ۖ وَإِنَّهُۥ لَكِتَـٰبٌ عَزِيزٌۭ ٤١

Vërtet, ata që e mohojnë Përkujtuesin (Kuranin), kur u vjen - (do të dënohen). Ai është vërtet, një Libër i fuqishëm.41

Komentimi 1 shënim

Shënimi 41

Vërtet, ata që e mohojnë këtë Kuran dhe e përgënjeshtrojnë atë kur u vjen atyre – do të dënohen me shkatërrim dhe ndëshkim. Ky Kuran është një Libër i fuqishëm, të cilin Allahu e ka nderuar dhe e ka ruajtur nga çdo shtrembërim apo ndryshim;

41:42

لَّا يَأْتِيهِ ٱلْبَـٰطِلُ مِنۢ بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِۦ ۖ تَنزِيلٌۭ مِّنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍۢ ٤٢

Atij nuk mund t’i afrohet e kota as nga para, as nga pas (nga asnjë këndvështrim). Ai është shpallje nga Një i Urtë, i Lavdëruar.42

Komentimi 1 shënim

Shënimi 42

Asnjë e kotë nuk mund t’i afrohet as nga para as nga mbrapa – nga asnjë këndvështrim, dhe asgjë nuk mund ta zhdukë atë. Ai është i mbrojtur që të mos i pakësohet apo t’i shtohet diçka. Ky është shpallje nga Një i Urtë në rregullimin e çështjeve të robërve të Tij dhe i Denjë për lavdërim për cilësitë e përsosura që i takojnë vetëm Atij.

41:43

مَّا يُقَالُ لَكَ إِلَّا مَا قَدْ قِيلَ لِلرُّسُلِ مِن قَبْلِكَ ۚ إِنَّ رَبَّكَ لَذُو مَغْفِرَةٍۢ وَذُو عِقَابٍ أَلِيمٍۢ ٤٣

Nuk të thuhet ty (o Muhamed) asgjë ndryshe nga ajo që u është thënë të dërguarve para teje. Vërtet, Zoti yt është Zot i faljes, por edhe Zot i dënimit të dhembshëm.43

Komentimi 1 shënim

Shënimi 43

Këta idhujtarë – o i Dërguar – nuk të thonë gjë tjetër veçse atë që thanë edhe popujt para tyre ndaj të dërguarve të tyre. Prandaj bëhu i durueshëm ndaj asaj që të godet në rrugën e thirrjes te Allahu. Vërtet, Zoti yt është Falës për mëkatet e atyre që pendohen dhe është Ndëshkues për ata që ngulin këmbë në mohimin dhe përgënjeshtrimin e tyre.

41:44

وَلَوْ جَعَلْنَـٰهُ قُرْءَانًا أَعْجَمِيًّۭا لَّقَالُواْ لَوْلَا فُصِّلَتْ ءَايَـٰتُهُۥٓ ۖ ءَا۬عْجَمِىٌّۭ وَعَرَبِىٌّۭ ۗ قُلْ هُوَ لِلَّذِينَ ءَامَنُواْ هُدًۭى وَشِفَآءٌۭ ۖ وَٱلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ فِىٓ ءَاذَانِهِمْ وَقْرٌۭ وَهُوَ عَلَيْهِمْ عَمًى ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ يُنَادَوْنَ مِن مَّكَانٍۭ بَعِيدٍۢ ٤٤

Sikur ta kishim shpallur këtë Kuran në gjuhë tjetër (jo-arabe), ata do të thoshin: “Përse nuk janë shpjeguar qartë vargjet e tij? Vallë, Libër në gjuhë të huaj, ndërkohë që ai (i Dërguari) është arab!” Thuaju: “Ai është udhëzim dhe shërim për ata që besojnë.” Ndërsa ata që nuk besojnë - në veshët e tyre ka shurdhim dhe për ta, ai është verbëri; ata thirren nga një vend shumë i largët.44

Komentimi 1 shënim

Shënimi 44

Sikur ta kishim zbritur këtë Kuran, që ta zbritëm ty – o Muhamed – në gjuhë të huaj, idhujtarët do të thoshin: “Pse nuk janë sqaruar qartë ajetet e tij, që t’i kuptojmë dhe t’i mësojmë? A është ky Kuran në gjuhë të huaj, ndërsa ai, të cilit i është zbritur është arab?!” Kjo nuk është e logjikshme.” Thuaju atyre – o i Dërguar –: “Ky Kuran, për ata që besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, është udhërrëfyes nga humbja dhe shërim për zemrat nga dyshimet dhe sëmundjet. Ndërsa ata që nuk besojnë në Kuran, në veshët e tyre ka shurdhim për ta dëgjuar dhe medituar mbi të, dhe në zemrat e tyre ka verbëri, prandaj nuk udhëzohen me të. Këta idhujtarë janë si ai që thirret nga larg, i cili as nuk dëgjon thirrësin, e as nuk i përgjigjet atij.”

41:45

وَلَقَدْ ءَاتَيْنَا مُوسَى ٱلْكِتَـٰبَ فَٱخْتُلِفَ فِيهِ ۗ وَلَوْلَا كَلِمَةٌۭ سَبَقَتْ مِن رَّبِّكَ لَقُضِىَ بَيْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَفِى شَكٍّۢ مِّنْهُ مُرِيبٍۢ ٤٥

Ne ia dhamë Librin Musait, por rreth tij pati kundërshtime. Po të mos ishte Fjala e mëparshme nga Zoti yt, do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre. Ata janë vërtet, në dyshim të madh për të.45

Komentimi 1 shënim

Shënimi 45

Ne i dhamë Musait Teuratin, ashtu siç të kemi dhënë ty – o i Dërguar – Kuranin. Por populli i tij u nda për të: disa besuan, e disa e përgënjeshtruan. Sikur të mos ishte fjala e mëparshme e Zotit tënd për shtyrjen e dënimit, do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre me shkatërrimin e mohuesve. Dhe vërtet idhujtarët janë në dyshim të madh dhe në pasiguri të thellë për Kuranin.

41:46

مَّنْ عَمِلَ صَـٰلِحًۭا فَلِنَفْسِهِۦ ۖ وَمَنْ أَسَآءَ فَعَلَيْهَا ۗ وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّـٰمٍۢ لِّلْعَبِيدِ ٤٦

Kush bën vepra të mira, i bën për veten e tij; kush bën keq, e bën kundër vetes së tij. Zoti yt nuk u bën aspak padrejtësi robërve të Tij.46

Komentimi 1 shënim

Shënimi 46

Kush bën një vepër të mirë dhe i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e ka shpërblimin për vete; ndërsa kush bën keq dhe e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e ka barrën e gjynahut mbi vete. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve – as duke ua pakësuar të mirat, as duke ua shtuar të këqijat.

41:47

۞ إِلَيْهِ يُرَدُّ عِلْمُ ٱلسَّاعَةِ ۚ وَمَا تَخْرُجُ مِن ثَمَرَٰتٍۢ مِّنْ أَكْمَامِهَا وَمَا تَحْمِلُ مِنْ أُنثَىٰ وَلَا تَضَعُ إِلَّا بِعِلْمِهِۦ ۚ وَيَوْمَ يُنَادِيهِمْ أَيْنَ شُرَكَآءِى قَالُوٓاْ ءَاذَنَّـٰكَ مَا مِنَّا مِن شَهِيدٍۢ٤٧

Tek Ai kthehet dija e Orës (Kiametit). Asnjë frut nuk del nga mbështjellësit e tij dhe asnjë femër nuk mbart dhe nuk lind pa dijen e Tij. Ditën, kur Ai do t’i thërrasë ata: “Ku janë shokët e Mi, që më përshkruanit?”, ata do të thonë: “Të deklarojmë se askush prej nesh nuk dëshmon më për ta.”47

Komentimi 1 shënim

Shënimi 47

Tek Allahu i Madhëruar, i Vetmi pa ortak, kthehet dituria e Orës së Kiametit; askush tjetër përveç Tij nuk di se kur do të ndodhë ajo. Dhe asnjë frut nuk del nga mbështjellësja e vet, asnjë femër nuk ngjiz dhe nuk lind, veçse me dijen e Allahut. Asgjë prej kësaj nuk i fshihet Atij. Dhe Ditën e Kiametit Allahu do t’i thërrasë idhujtarët, si qortim për ta dhe për të treguar gënjeshtrën e tyre: “Ku janë shokët e Mi, që ju i bënit ortakë në adhurimin ndaj Meje?” Ata do të thonë: “Ne tani dëshmojmë se askush prej nesh nuk dëshmon se Ti ke shok.”

41:48

وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُواْ يَدْعُونَ مِن قَبْلُ ۖ وَظَنُّواْ مَا لَهُم مِّن مَّحِيصٍۢ ٤٨

Atyre do t’u humbasin ato që adhuronin më parë, dhe atëherë, do ta kuptojnë se nuk kanë asnjë strehim.48

Komentimi 1 shënim

Shënimi 48

Dhe atyre idhujtarëve do t’u humbasin shokët e tyre, që ata i adhuronin përveç Allahut; ata nuk u sollën asnjë dobi. Atëherë ata e kuptuan se nuk kanë asnjë strehim prej dënimit të Allahut dhe se nuk ka rrugë shpëtimi prej tij.

41:49

لَّا يَسْـَٔمُ ٱلْإِنسَـٰنُ مِن دُعَآءِ ٱلْخَيْرِ وَإِن مَّسَّهُ ٱلشَّرُّ فَيَـُٔوسٌۭ قَنُوطٌۭ ٤٩

Njeriu nuk lodhet kurrë duke u lutur për të mirën; por, nëse e prek ndonjë e keqe, ai bëhet i dëshpëruar dhe i pashpresë.49

Komentimi 1 shënim

Shënimi 49

Njeriu nuk lodhet së luturi Zotin e tij, duke kërkuar të mira të kësaj bote; por nëse e godet varfëria dhe vështirësia, ai bëhet i dëshpëruar nga mëshira e Allahut dhe bie në mosbesim, duke pasur mendim të keq për Zotin e tij.

41:50

وَلَئِنْ أَذَقْنَـٰهُ رَحْمَةًۭ مِّنَّا مِنۢ بَعْدِ ضَرَّآءَ مَسَّتْهُ لَيَقُولَنَّ هَـٰذَا لِى وَمَآ أَظُنُّ ٱلسَّاعَةَ قَآئِمَةًۭ وَلَئِن رُّجِعْتُ إِلَىٰ رَبِّىٓ إِنَّ لِى عِندَهُۥ لَلْحُسْنَىٰ ۚ فَلَنُنَبِّئَنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ بِمَا عَمِلُواْ وَلَنُذِيقَنَّهُم مِّنْ عَذَابٍ غَلِيظٍۢ ٥٠

Dhe, nëse Ne i japim atij të shijojë mëshirë prej Nesh, pas një fatkeqësie që e ka prekur, ai me siguri thotë: “Kjo është ajo që meritoj! Unë nuk besoj se Ora (e Kiametit) do të vijë kurrë, por edhe sikur të kthehem te Zoti im, sigurisht që tek Ai do të kem të mirën më të madhe.” Por, Ne do t’i njoftojmë ata që mohuan për atë që vepruan, dhe do t’i bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër.50

Komentimi 1 shënim

Shënimi 50

Dhe nëse Ne ia bëjmë njeriut të shijojë një mirësi nga Ne, pas vështirësisë dhe sprovës, ai nuk falënderon Allahun, por bëhet mendjemadh dhe thotë: “Kjo më erdhi mua sepse unë e meritoj.” Ai nuk beson se Ora (Kiameti) do të vijë; dhe madje, edhe sikur ta pranojë mundësinë e saj dhe se do të kthehet te Zoti i tij, thotë: “Padyshim unë do të kem tek Ai Xhenetin.” Ditën e Kiametit, Ne do t’i njoftojmë mohuesit për veprat e tyre të këqija dhe do t’i bëjmë të shijojnë nga dënimi i rëndë.

41:51

وَإِذَآ أَنْعَمْنَا عَلَى ٱلْإِنسَـٰنِ أَعْرَضَ وَنَـَٔا بِجَانِبِهِۦ وَإِذَا مَسَّهُ ٱلشَّرُّ فَذُو دُعَآءٍ عَرِيضٍۢ٥١

Kur Ne i japim njeriut mirësi, ai kthen shpinën dhe largohet; por kur e prek ndonjë e keqe, ai shfaq lutje të gjata e të shumta.51

Komentimi 1 shënim

Shënimi 51

Kur Ne e begatojmë njeriun me shëndet, furnizim ose të tjera mirësi, ai kthen shpinën dhe tregohet mendjemadh duke mos iu nënshtruar së vërtetës. Por kur e godet ndonjë e keqe, ai lutet shumë që Allahu t’ia largojë dëmin; e njeh Zotin e tij në vështirësi, por nuk e njeh në mirëqenie.

41:52

قُلْ أَرَءَيْتُمْ إِن كَانَ مِنْ عِندِ ٱللَّهِ ثُمَّ كَفَرْتُم بِهِۦ مَنْ أَضَلُّ مِمَّنْ هُوَ فِى شِقَاقٍۭ بَعِيدٍۢ ٥٢

Thuaju: “Më tregoni, nëse ky (Kurani) është vërtet prej Allahut e ju e mohoni atë, atëherë kush është më i humbur se ai që është në kundërshtim të largët?”52

Komentimi 1 shënim

Shënimi 52

Thuaj – o i Dërguar – këtyre përgënjeshtruesve: “Më tregoni, nëse ky Kuran është prej Allahut, e ju e mohoni dhe e përgënjeshtroni, kush është më i humbur se ju? Sepse me mohimin dhe përgënjeshtrimin e Kuranit jeni larguar shumë prej së vërtetës.”

41:53

سَنُرِيهِمْ ءَايَـٰتِنَا فِى ٱلْـَٔافَاقِ وَفِىٓ أَنفُسِهِمْ حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُ ٱلْحَقُّ ۗ أَوَلَمْ يَكْفِ بِرَبِّكَ أَنَّهُۥ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ شَهِيدٌ ٥٣

Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në gjithësi dhe në vetveten e tyre, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Por, a nuk të mjafton ty, që Zoti yt është Dëshmitar mbi çdo gjë?53

Komentimi 1 shënim

Shënimi 53

Ne do t’ua tregojmë këtyre përgënjeshtruesve shenjat Tona: në fitoret dhe përhapjen e Islamit mbi vendet dhe të gjitha fetë, në hapësirat e qiejve e të tokës dhe në ngjarjet madhështore që Allahu sjell në to, si edhe në vetet e tyre, në atë që mbartin prej shenjave të mrekullueshme të Allahut dhe çudirave të krijimit të Tij, derisa t’u bëhet krejtësisht e qartë, pa asnjë dyshim, se ky Kuran fisnik është e vërteta e shpallur prej Zotit të botëve. Po, a nuk u mjafton atyre si dëshmi që ky Kuran është i vërtetë dhe se ai që e solli është i sinqertë, fakti që vetë Allahu ka dëshmuar për të? Vërtet, Ai ka dëshmuar se Kurani është i vërtetë, dhe Ai është Dëshmitar mbi çdo gjë. Nuk ka dëshmi më të madhe se dëshmia e Tij, të Madhëruarit.

41:54

أَلَآ إِنَّهُمْ فِى مِرْيَةٍۢ مِّن لِّقَآءِ رَبِّهِمْ ۗ أَلَآ إِنَّهُۥ بِكُلِّ شَىْءٍۢ مُّحِيطٌۢ ٥٤

Vërtet, ata janë në dyshim për takimin me Zotin e tyre; vërtet, Ai përfshin çdo gjë (me dijen dhe fuqinë e Tij).54

Komentimi 1 shënim

Shënimi 54

Vini re! Këta mohues janë në një dyshim të madh për ringjalljen pas vdekjes. Vini re! Allahu – i Lartësuar e i Madhëruar – e përfshin me dituri, fuqi dhe madhështi çdo gjë; asgjë nuk i fshihet Atij, qoftë në Tokë apo në qiell.

Fussilet · 54 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi