KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 43

Ez Zuhruf Stolitë prej ari

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 89 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

43:1

حمٓ ١

Ḥā Mīm.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El Bekare.

43:2

وَٱلْكِتَـٰبِ ٱلْمُبِينِ ٢

Betohem në Librin e qartë!2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Allahu i Madhëruar betohet në Kuranin e qartë, në fjalë dhe në kuptim.

43:3

إِنَّا جَعَلْنَـٰهُ قُرْءَٰنًا عَرَبِيًّۭا لَّعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ ٣

Vërtet, Ne e bëmë këtë Kuran në gjuhën arabe, që të mund ta kuptoni.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ne e kemi zbritur Kuranin tek Muhamedi ﷺ në gjuhën arabe, në mënyrë që ju të mund ta kuptoni dhe të meditoni mbi kuptimet dhe argumentet e tij.

43:4

وَإِنَّهُۥ فِىٓ أُمِّ ٱلْكِتَـٰبِ لَدَيْنَا لَعَلِىٌّ حَكِيمٌ ٤

Dhe, me të vërtetë, ai është në Librin Amë (Leuhi Mahfudh), tek Ne – shumë i lartësuar, i pasur me urtësi.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Dhe vërtet, ai ndodhet në Librin Amë – El Leuhu el Mahfudh (Pllaka e Ruajtur) - pranë Nesh, i lartë në vlerën dhe nderin e tij, i përsosur e i palëkundur, pa kundërthënie e pa mospërputhje.

43:5

أَفَنَضْرِبُ عَنكُمُ ٱلذِّكْرَ صَفْحًا أَن كُنتُمْ قَوْمًۭا مُّسْرِفِينَ ٥

A ta tërheqim Përkujtimin (Kuranin) prej jush, për shkak se jeni një popull që e tepron?!5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

A t’ju lëmë pas dore dhe ta ndalim shpalljen e Kuranit për ju, vetëm pse ju shmangeni, nuk i bindeni dhe e teproni në mosbesimin tuaj ndaj tij?!

43:6

وَكَمْ أَرْسَلْنَا مِن نَّبِىٍّۢ فِى ٱلْأَوَّلِينَ ٦

Sa e sa profetë kemi dërguar te popujt e mëparshëm!6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Shumë pejgamberë Ne kemi dërguar në popujt e hershëm, para popullit tënd, o Muhamed.

43:7

وَمَا يَأْتِيهِم مِّن نَّبِىٍّ إِلَّا كَانُواْ بِهِۦ يَسْتَهْزِءُونَ ٧

Por, sa herë që atyre u vinte ndonjë profet, ata talleshin me të.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Atyre nuk u vinte ndonjë i Dërguar, veçse ata talleshin me të, ashtu siç po tallen edhe bashkëkohësit e tu me ty.

43:8

فَأَهْلَكْنَآ أَشَدَّ مِنْهُم بَطْشًۭا وَمَضَىٰ مَثَلُ ٱلْأَوَّلِينَ ٨

Ne i shkatërruam edhe më të fuqishmit se këta (idhujtarët e Mekes), e shembulli i popujve të mëparshëm tashmë ka kaluar.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Atëherë Ne i shkatërruam ata që i përgënjeshtruan të dërguarit Tanë, ndonëse ishin më të fortë dhe më të fuqishëm se populli yt, o Muhamed. Dhe ndëshkimi i popujve të mëparshëm kaloi mbi ta, duke u zhdukur për shkak të mohimit, mendjemadhësisë dhe talljes së tyre ndaj pejgamberëve. - Në këtë ka ngushëllim për Pejgamberin ﷺ.

43:9

وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ خَلَقَهُنَّ ٱلْعَزِيزُ ٱلْعَلِيمُ ٩

Nëse i pyet ata: “Kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën?”, me siguri do të thonë: “I ka krijuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.”9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Nëse ti, o i Dërguar, i pyet këta idhujtarë nga populli yt: “Kush i krijoi qiejt dhe Tokën?”, me siguri do të thonë: “I ka krijuar i Plotfuqishmi në sundimin e Tij, i Gjithëdituri për to dhe për gjithçka që gjendet në to; Atij nuk i fshihet asgjë.”

43:10

ٱلَّذِى جَعَلَ لَكُمُ ٱلْأَرْضَ مَهْدًۭا وَجَعَلَ لَكُمْ فِيهَا سُبُلًۭا لَّعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ ١٠

Është Ai, që jua bëri Tokën djep (shtrat) dhe ju bëri në të rrugë, që të arrini atje ku synoni.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Është Ai që jua bëri Tokën shtrat, si djep i foshnjës, dhe jua lehtësoi në të rrugët për jetesën dhe tregtinë tuaj, në mënyrë që, të arrini te dobitë tuaja fetare dhe jetësore.

43:11

وَٱلَّذِى نَزَّلَ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءًۢ بِقَدَرٍۢ فَأَنشَرْنَا بِهِۦ بَلْدَةًۭ مَّيْتًۭا ۚ كَذَٰلِكَ تُخْرَجُونَ ١١

Është Ai që nga qielli zbret ujë me masë, e me të, Ne ringjallim një tokë të vdekur; kështu do të nxirreni edhe ju (nga varret).11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Është Ai që nga qielli zbret shiun me masë të caktuar, jo përmbytës shkatërrues e as më pak se sa keni nevojë; që të jetë furnizim për ju dhe për bagëtitë tuaja. Me atë ujë, Ne e gjallërojmë një vend të shkretë pa bimësi. Ashtu siç nxjerrim bimë e të mbjella nga kjo tokë e vdekur me atë ujë që zbresim nga qielli, po ashtu do të nxirreni edhe ju, o njerëz, nga varrezat tuaja pas shuarjes suaj.

43:12

وَٱلَّذِى خَلَقَ ٱلْأَزْوَٰجَ كُلَّهَا وَجَعَلَ لَكُم مِّنَ ٱلْفُلْكِ وَٱلْأَنْعَـٰمِ مَا تَرْكَبُونَ ١٢

Është Ai që i ka krijuar të gjitha çiftet (llojet) e gjërave, dhe bëri për ju anije dhe kafshë për të hipur mbi to;12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Është Ai që i krijuar të gjitha çiftet dhe llojet – nga kafshët dhe bimët – dhe ju dha anijet me të cilat udhëtoni në det, si dhe kafshët si devetë, kuajt, mushkat dhe gomarët, që t’i përdorni për udhëtim në Tokë.

43:13

لِتَسْتَوُۥاْ عَلَىٰ ظُهُورِهِۦ ثُمَّ تَذْكُرُواْ نِعْمَةَ رَبِّكُمْ إِذَا ٱسْتَوَيْتُمْ عَلَيْهِ وَتَقُولُواْ سُبْحَـٰنَ ٱلَّذِى سَخَّرَ لَنَا هَـٰذَا وَمَا كُنَّا لَهُۥ مُقْرِنِينَ ١٣

që të qëndroni mbi to, e pastaj të kujtoni mirësinë e Zotit tuaj, kur të jeni ulur mbi to, dhe të thoni: “I lartësuar qoftë Ai që na i nënshtroi këto, se ne nuk do të ishim të aftë t’i nënshtronim ato!13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Që të uleni mbi shpinat e atyre që i kalëroni, pastaj të përkujtoni mirësinë e Zotit tuaj kur hipni mbi to, dhe të thoni: “Falënderimi i qoftë Allahut, që na i nënshtroi këto, e ne vetë nuk do të kishim fuqi për këtë!

43:14

وَإِنَّآ إِلَىٰ رَبِّنَا لَمُنقَلِبُونَ ١٤

Dhe ne, me të vërtetë, tek Zoti ynë do të kthehemi të gjithë.”14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Dhe ne, pas vdekjes sonë, me siguri do të kthehemi te Zoti ynë.” – Në këtë ka sqarim se Allahu, i Cili i dhuroi robërve të Tij lloj-lloj të mirash, është i Vetmi që meriton të adhurohet në çdo gjendje.

43:15

وَجَعَلُواْ لَهُۥ مِنْ عِبَادِهِۦ جُزْءًا ۚ إِنَّ ٱلْإِنسَـٰنَ لَكَفُورٌۭ مُّبِينٌ ١٥

Por, ata (idhujtarët) i kanë atribuar Atij një pjesë nga robërit e Tij. Vërtet, njeriu është mohues i hapur.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Idhujtarë i caktuan Allahut një pjesë nga krijesat e Tij, duke thënë për engjëjt: “Janë bijat e Allahut!” Vërtet, njeriu është mohues dhe mosmirënjohës ndaj begative të Zotit të tij, që Ai ia ka dhuruar; ai e shfaq mosmirënjohjen dhe mohimin e tij duke numëruar fatkeqësitë, ndërsa harron të mirat.

43:16

أَمِ ٱتَّخَذَ مِمَّا يَخْلُقُ بَنَاتٍۢ وَأَصْفَىٰكُم بِٱلْبَنِينَ ١٦

A thua, nga krijesat e Tij, Ai mori për vete vajza, ndërsa juve ju veçoi me djem?!16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Por, a pretendoni ju – o idhujtarë të paditur – se Zoti juaj ka marrë për Vete bijat nga krijesat e Tij, ndërkohë që vetë ju nuk e pranoni këtë për veten tuaj, kurse juve ju ka veçuar me djem dhe i ka bërë djemtë për ju? – Në këtë ka qortim të ashpër për ta.

43:17

وَإِذَا بُشِّرَ أَحَدُهُم بِمَا ضَرَبَ لِلرَّحْمَـٰنِ مَثَلًۭا ظَلَّ وَجْهُهُۥ مُسْوَدًّۭا وَهُوَ كَظِيمٌ ١٧

Kur ndonjërit prej tyre i jepet lajmi për lindjen e asaj, që ata ia atribuojnë Mëshirëplotit, fytyra e tij nxihet dhe ai mbushet plot mllef.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Kur ndonjëri prej tyre merr lajmin për lindjen e një vajze – atë që ata ia mveshën të Gjithëmëshirshmit, kur pretenduan se engjëjt janë bijat e Allahut – fytyra e tij bëhet e nxirë nga ajo që e quan si lajm të keq, dhe mbushet me pikëllim e dëshpërim të thellë. Si pra e pranojnë për Allahun atë që vetë nuk e pranojnë për veten e tyre? I Lartësuar dhe i Shenjtëruar është Allahu mbi atë që thonë jobesimtarët, shumë lart mbi çfarë i përshkruajnë.

43:18

أَوَمَن يُنَشَّؤُاْ فِى ٱلْحِلْيَةِ وَهُوَ فِى ٱلْخِصَامِ غَيْرُ مُبِينٍۢ ١٨

Vallë, (i atribuojnë Allahut) ato që rriten mes stolive dhe që, në debate, nuk janë të qarta?!18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

A guxoni dhe ia mveshni Allahut atë që rritet mes stolisjes, ndërkohë që në debat nuk mund të shprehë qartë argumentin e saj, për shkak të feminitetit të saj?!

43:19

وَجَعَلُواْ ٱلْمَلَـٰٓئِكَةَ ٱلَّذِينَ هُمْ عِبَـٰدُ ٱلرَّحْمَـٰنِ إِنَـٰثًا ۚ أَشَهِدُواْ خَلْقَهُمْ ۚ سَتُكْتَبُ شَهَـٰدَتُهُمْ وَيُسْـَٔلُونَ ١٩

Ata i cilësuan engjëjt – që janë robër të Mëshirëplotit – si femra. A mos ishin ata dëshmitarë kur u krijuan ata? Dëshmia e tyre do të shkruhet dhe do të merren në pyetje!19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Dhe këta idhujtarë i quajtën engjëjt – që janë robërit e të Gjithëmëshirshmit – femra. A thua vallë ata qenë të pranishëm në krijimin e tyre, që të gjykojnë se janë femra? Dëshmia e tyre do të shkruhet, dhe për të do të merren në pyetje në botën tjetër.

43:20

وَقَالُواْ لَوْ شَآءَ ٱلرَّحْمَـٰنُ مَا عَبَدْنَـٰهُم ۗ مَّا لَهُم بِذَٰلِكَ مِنْ عِلْمٍ ۖ إِنْ هُمْ إِلَّا يَخْرُصُونَ٢٠

Dhe thonë: “Sikur të donte i Gjithëmëshirshmi, ne nuk do t’i kishim adhuruar ata (idhujt).” Por, ata nuk kanë për këtë asnjë dije; ata vetëm sa hamendësojnë.20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Dhe këta idhujtarë nga Kurejshët thanë: “Sikur të donte i Gjithëmëshirshmi, ne nuk do të adhuronim askënd tjetër përveç Tij.” – Por kjo është një argument i pavlefshëm, sepse Allahu e ka vendosur argumentin kundër robërve duke dërguar të dërguarit dhe duke zbritur Librat. Prandaj, justifikimi i tyre me caktim hyjnor është prej më të pavërtetëve, pasi ata tashmë janë paralajmëruar nga të dërguarit. Ata nuk kanë asnjë dije reale për atë që thonë, por e thonë vetëm si hamendje dhe gënjeshtër; sepse nuk kanë asnjë lajm nga Allahu për këtë, e as ndonjë provë.

43:21

أَمْ ءَاتَيْنَـٰهُمْ كِتَـٰبًۭا مِّن قَبْلِهِۦ فَهُم بِهِۦ مُسْتَمْسِكُونَ ٢١

A mos u kemi dhënë Ne atyre ndonjë Libër para këtij (Kuranit), të cilit ata i përmbahen?21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

A mos vallë kanë qenë ata të pranishëm në krijimin e engjëjve? Apo Ne u kemi dhënë atyre ndonjë libër para Kuranit që e shpallëm, të cilit ata i përmbahen, veprojnë sipas tij dhe e marrin si argument kundër teje, o i Dërguar?

43:22

بَلْ قَالُوٓاْ إِنَّا وَجَدْنَآ ءَابَآءَنَا عَلَىٰٓ أُمَّةٍۢ وَإِنَّا عَلَىٰٓ ءَاثَـٰرِهِم مُّهْتَدُونَ ٢٢

Jo, por ata thonë: “Ne i gjetëm etërit tanë në këtë fe, dhe ne vetëm po ndjekim gjurmët e tyre.”22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Jo, nuk kanë asnjë Libër, por ata thonë: “Ne i gjetëm etërit tanë në një rrugë, traditë apo fe, dhe ne, pas gjurmëve të tyre, jemi ndjekës dhe ndjekim rrugën e tyre.”

43:23

وَكَذَٰلِكَ مَآ أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ فِى قَرْيَةٍۢ مِّن نَّذِيرٍ إِلَّا قَالَ مُتْرَفُوهَآ إِنَّا وَجَدْنَآ ءَابَآءَنَا عَلَىٰٓ أُمَّةٍۢ وَإِنَّا عَلَىٰٓ ءَاثَـٰرِهِم مُّقْتَدُونَ ٢٣

Po kështu, nuk kemi dërguar para teje ndonjë paralajmërues në ndonjë qytet, veçse krerët e tij të pasur thoshin: “Ne i gjetëm etërit tanë në këtë fe dhe ne po ndjekim gjurmët e tyre.”23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Po kështu, Ne nuk kemi dërguar para teje – o i Dërguar – asnjë paralajmërues në ndonjë qytet që t’i paralajmëronte ata për dënimin Tonë për shkak të mohimit të tyre, duke i këshilluar dhe duke i frikësuar nga zemërimi dhe ndëshkimi Ynë, veçse krerët dhe paria e llastuar nga begatitë thoshin: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në një fe dhe besim, dhe ne jemi ndjekës e pasues të rrugës dhe mënyrës së tyre.”

43:24

۞ قَـٰلَ أَوَلَوْ جِئْتُكُم بِأَهْدَىٰ مِمَّا وَجَدتُّمْ عَلَيْهِ ءَابَآءَكُمْ ۖ قَالُوٓاْ إِنَّا بِمَآ أُرْسِلْتُم بِهِۦ كَـٰفِرُونَ ٢٤

Ai (paralajmëruesi) thoshte: “A edhe nëse unë ju sjell diçka më të drejtë se ajo, ku i gjetët etërit tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë, me të cilën jeni dërguar!”24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Muhamedi ﷺ dhe ata që qenë para tij nga të dërguarit, u thanë atyre që i kundërshtuan me këtë dyshim të pavlefshëm: “A do t’i ndiqni etërit tuaj, edhe nëse unë ju sjell prej Zotit tuaj një udhëzim më të drejtë dhe më të qartë në rrugën e së vërtetës sesa ajo në të cilën i gjetët etërit tuaj?” Ata, me kokëfortësi, thanë: “Ne jemi mohues dhe përgënjeshtrues të asaj me të cilën jeni dërguar.”

43:25

فَٱنتَقَمْنَا مِنْهُمْ ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلْمُكَذِّبِينَ ٢٥

Prandaj, Ne u hakmorrëm ndaj tyre. Shiko si ka qenë përfundimi i përgënjeshtruesve!25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Dhe Ne u hakmorëm ndaj atyre popujve që mohuan të dërguarit e tyre, duke sjellë mbi ta ndëshkimin Tonë — me zbritje të tokës mbi ta (zhytje), me mbytje dhe me të tjera. Shiko, o i Dërguar, si mbaroi çështja e tyre kur mohuan shpalljet e Allahut dhe të dërguarit e Tij! Le të ketë kujdes populli yt që të mos vazhdojnë në mohim, që t’u mos ndodhë atyre e njëjta gjë që u ndodhi atyre të mëparshmëve.

43:26

وَإِذْ قَالَ إِبْرَٰهِيمُ لِأَبِيهِ وَقَوْمِهِۦٓ إِنَّنِى بَرَآءٌۭ مِّمَّا تَعْبُدُونَ ٢٦

Kur Ibrahimi i tha babait dhe popullit të tij: “Unë jam larg dhe i pastër nga ato që ju adhuroni,26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Kujto – o i Dërguar – kur Ibrahimi i tha të atit të tij dhe popullit të tij, të cilët adhuronin atë që edhe populli yt adhuron: “Unë jam i larguar dhe i pastër nga çdo gjë që adhuroni përveç Allahut.”

43:27

إِلَّا ٱلَّذِى فَطَرَنِى فَإِنَّهُۥ سَيَهْدِينِ ٢٧

përveç Atij që më krijoi mua; Ai do të më udhëzojë.”27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Përveç Atij që më krijoi, sepse Ai do të më udhëzojë të ndjek Rrugën e Drejtë.

43:28

وَجَعَلَهَا كَلِمَةًۢ بَاقِيَةًۭ فِى عَقِبِهِۦ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ٢٨

Dhe, Ai e bëri këtë fjalë të qëndrueshme te pasardhësit e tij, që ata të kthehen gjithmonë (tek Allahu).28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Dhe Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) e la fjalën e teuhidit “La ilahe il-lallah” të qëndrueshme ndër ata që erdhën pas tij, me shpresë që ata të kthehen në bindje ndaj Zotit të tyre, në njëshmërinë e Tij dhe të pendohen nga mohimi dhe gjynahet e tyre.

43:29

بَلْ مَتَّعْتُ هَـٰٓؤُلَآءِ وَءَابَآءَهُمْ حَتَّىٰ جَآءَهُمُ ٱلْحَقُّ وَرَسُولٌۭ مُّبِينٌۭ ٢٩

Në fakt, Unë i lashë të kënaqen këta (kurashitët) dhe etërit e tyre, derisa u erdhi e vërteta dhe një i Dërguar i qartë.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Por Unë – o i Dërguar – u dhashë këtyre idhujtarëve nga populli yt, si edhe etërve të tyre para tyre, jetë dhe mirësi, dhe nuk i nxitova me ndëshkim për mohimin e tyre, deri sa u erdhi Kurani dhe një i Dërguar që t’ua sqarojë atyre çështjet e fesë së tyre.

43:30

وَلَمَّا جَآءَهُمُ ٱلْحَقُّ قَالُواْ هَـٰذَا سِحْرٌۭ وَإِنَّا بِهِۦ كَـٰفِرُونَ ٣٠

Por, kur u erdhi e vërteta, ata thanë: “Kjo është magji, dhe ne e mohojmë plotësisht atë!”30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Por, kur u erdhi atyre Kurani prej Allahut, ata thanë: “Ky Kuran, që na e solli ky i dërguar, është magji me të cilën na magjeps, e nuk është shpallje prej Allahut. Ne jemi mohues të tij.”

43:31

وَقَالُواْ لَوْلَا نُزِّلَ هَـٰذَا ٱلْقُرْءَانُ عَلَىٰ رَجُلٍۢ مِّنَ ٱلْقَرْيَتَيْنِ عَظِيمٍ ٣١

Dhe thanë: “Pse nuk iu shpall ky Kuran ndonjë burri të madh prej njërit nga dy qytetet (Meka ose Taifi)?”31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

Dhe thanë këta idhujtarë nga Kurejshi: “Nëse ky Kuran është me të vërtetë prej Allahut, përse nuk iu shpall një burri të madh nga njëri prej këtyre dy qyteteve – Mekës ose Taifit?”

43:32

أَهُمْ يَقْسِمُونَ رَحْمَتَ رَبِّكَ ۚ نَحْنُ قَسَمْنَا بَيْنَهُم مَّعِيشَتَهُمْ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۚ وَرَفَعْنَا بَعْضَهُمْ فَوْقَ بَعْضٍۢ دَرَجَـٰتٍۢ لِّيَتَّخِذَ بَعْضُهُم بَعْضًۭا سُخْرِيًّۭا ۗ وَرَحْمَتُ رَبِّكَ خَيْرٌۭ مِّمَّا يَجْمَعُونَ ٣٢

A mos vallë, janë ata që ndajnë mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne që ua kemi ndarë atyre furnizimin, në jetën e kësaj bote dhe i kemi ngritur disa prej tyre mbi të tjerë në shkallë, që disa t’i marrin të tjerët në shërbim. Por, mëshira e Zotit tënd është më e mirë se ajo që ata grumbullojnë.32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

A mos vallë, janë ata që ndajnë profetësinë dhe e vendosin ku të duan? Jemi Ne, që ua kemi ndarë atyre jetesën në këtë botë nga furnizimet dhe ushqimet, dhe i kemi ngritur disa mbi të tjerët në shkallë të ndryshme: ky është i pasur, ky i varfër, ky i fortë, ky i dobët, në mënyrë që disa të jenë të nënshtruar ndaj të tjerëve për çështjet e jetesës. Ndërsa mëshira e Zotit tënd – o i Dërguar – duke i futur në Xhenet, është shumë më e mirë se ajo që ata grumbullojnë nga kjo botë e përkohshme.

43:33

وَلَوْلَآ أَن يَكُونَ ٱلنَّاسُ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ لَّجَعَلْنَا لِمَن يَكْفُرُ بِٱلرَّحْمَـٰنِ لِبُيُوتِهِمْ سُقُفًۭا مِّن فِضَّةٍۢ وَمَعَارِجَ عَلَيْهَا يَظْهَرُونَ ٣٣

Dhe, sikur njerëzit të mos tundoheshin e të bëheshin një popull i vetëm (në mosbesim), Ne do t’i bënim çatitë e shtëpive të atyre që nuk besojnë në të Gjithëmëshirshmin, prej argjendi, madje edhe shkallët nëpër të cilat ngjiten,33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

Dhe, sikur njerëzit të mos tundoheshin nga njëri-tjetri dhe të bëheshin një bashkësi e vetme në mohimin e tyre, atyre që mohojnë të Gjithëmëshirshmin, do t’ua bënim çatitë e shtëpive prej argjendi dhe shkallët mbi të cilat ato të ngjiten, do t’i bënim gjithashtu prej argjendi;

43:34

وَلِبُيُوتِهِمْ أَبْوَٰبًۭا وَسُرُرًا عَلَيْهَا يَتَّكِـُٔونَ ٣٤

edhe dyert e shtëpive të tyre, edhe kolltuqet mbi të cilat mbështeten (do t’i bënim prej argjendi);34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Dhe shtëpive të tyre do t’u bënim dyer prej argjendi, dhe kolltuqe prej argjendi, mbi të cilët do të mbështeteshin.

43:35

وَزُخْرُفًۭا ۚ وَإِن كُلُّ ذَٰلِكَ لَمَّا مَتَـٰعُ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۚ وَٱلْـَٔاخِرَةُ عِندَ رَبِّكَ لِلْمُتَّقِينَ ٣٥

si dhe (do t’u jepnim) stoli prej ari. Por, të gjitha këto janë vetëm kënaqësi e jetës së kësaj bote, ndërsa bota tjetër, tek Zoti yt, është për të devotshmit.35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Dhe do t’u jepnim edhe stoli ari. Por e gjithë kjo nuk është veçse kënaqësi e jetës së kësaj bote – një kënaqësi e pakët dhe e përkohshme. Ndërsa lumturia e botës tjetër është e ruajtur tek Zoti yt vetëm për ata që janë të devotshëm; nuk është për askënd tjetër.

43:36

وَمَن يَعْشُ عَن ذِكْرِ ٱلرَّحْمَـٰنِ نُقَيِّضْ لَهُۥ شَيْطَـٰنًۭا فَهُوَ لَهُۥ قَرِينٌۭ ٣٦

Kushdo që mbyll sytë ndaj Përkujtuesit të të Gjithëmëshirshmit (Kuranit), Ne i caktojmë një djall që të jetë shok i tij i pandashëm;36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Kushdo që bën të verbërin dhe shmanget nga Përkujtuesi i të Gjithëmëshirshmit – që është Kurani – pa iu frikësuar ndëshkimit të Tij dhe pa u udhëzuar me udhëzimin e tij, Ne do t’i caktojmë atij në këtë botë një shejtan që ta mashtrojë; ky është shpërblimi për shmangien e tij nga përmendja e Allahut. Ai shejtan do t’i bëhet shoqërues i pandarë, duke e larguar nga e lejuara dhe duke e shtyrë drejt të ndaluarës.

43:37

وَإِنَّهُمْ لَيَصُدُّونَهُمْ عَنِ ٱلسَّبِيلِ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُم مُّهْتَدُونَ ٣٧

dhe ata (djajtë) i shmangin ata nga Rruga e Drejtë, ndonëse ata mendojnë se janë të udhëzuar.37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

Dhe vërtet, shejtanët i pengojnë nga rruga e së vërtetës ata që shmangen nga përkujtimi i Allahut dhe nga Kurani; ata ua zbukurojnë atyre humbjen dhe ua bëjnë të urryer besimin në Allahun dhe bindjen ndaj Tij. Kështu, këta që janë larguar, për shkak të stolisjes së shejtanëve, mendojnë se gjendja e tyre e humbjes është e drejta dhe udhëzimi.

43:38

حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَنَا قَالَ يَـٰلَيْتَ بَيْنِى وَبَيْنَكَ بُعْدَ ٱلْمَشْرِقَيْنِ فَبِئْسَ ٱلْقَرِينُ ٣٨

Derisa, kur të vijë tek Ne, ai (njeriu) do t’i thotë (djallit që e kishte shok): “Ah, sikur largësia mes meje dhe teje të ishte sa largësia mes lindjes dhe perëndimit! Sa shok i keq që paske qenë!”38

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

E kur të vijë tek Ne për llogari, ai që u shmang nga përkujtimi i të Gjithëmëshirshmit, së bashku me shoqëruesin e tij nga shejtanët, atëherë ai që u shmang nga përkujtimi i Allahut do t’i thotë shoqëruesit të tij: “Ah, sikur mes meje dhe teje të kishte qenë largësia nga lindja në perëndim! Sa shok i keq paske qenë, që më mashtrove.”

43:39

وَلَن يَنفَعَكُمُ ٱلْيَوْمَ إِذ ظَّلَمْتُمْ أَنَّكُمْ فِى ٱلْعَذَابِ مُشْتَرِكُونَ ٣٩

“Por, sot nuk do t’ju bëjë dobi fakti që jeni bashkë në dënim, sepse që të dy keni bërë padrejtësi.”39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Por sot – o ju që u shmangët nga përkujtimi i Allahut dhe i bëtë shok Atij në këtë botë – nuk do t’ju sjellë asnjë dobi fakti që jeni të bashkuar në dënim, ju dhe shokët tuaj. Secili do të ketë pjesën e tij më të madhe të ndëshkimit, ashtu siç u bashkuat edhe në mohim.

43:40

أَفَأَنتَ تُسْمِعُ ٱلصُّمَّ أَوْ تَهْدِى ٱلْعُمْىَ وَمَن كَانَ فِى ضَلَـٰلٍۢ مُّبِينٍۢ ٤٠

A mund t’i bësh ti (Muhamed) të shurdhërit të dëgjojnë, apo të udhëzosh të verbërit dhe ata që janë në humbje të qartë?40

Komentimi 1 shënim

Shënimi 40

A mos vallë ti – o i Dërguar – mund t’ia bësh të dëgjojë të vërtetën atij që Allahu ia ka shurdhuar veshët ndaj saj? Apo ta udhëzosh në rrugën e drejtë atë që Allahu i ka verbuar zemrën dhe nuk sheh? Apo ta nxjerrësh në udhëzim atë që është në humbje të qartë? – Kjo nuk është në dorën tënde. Detyra jote është vetëm përcjellja e mesazhit, e jo udhëzimi i tyre. Allahu është Ai që udhëzon kë të dojë dhe lë në humbje kë të dojë.

43:41

فَإِمَّا نَذْهَبَنَّ بِكَ فَإِنَّا مِنْهُم مُّنتَقِمُونَ ٤١

Nëse Ne të marrim ty (o Muhamed), Ne gjithësesi do të hakmerremi ndaj tyre.41

Komentimi 1 shënim

Shënimi 41

Nëse Ne të marrë shpirtin — o i Dërguar — para se të të japim fitoren ndaj mohuesve të popullit tënd, Ne ndaj tyre do të hakmerremi në botën tjetër;

43:42

أَوْ نُرِيَنَّكَ ٱلَّذِى وَعَدْنَـٰهُمْ فَإِنَّا عَلَيْهِم مُّقْتَدِرُونَ ٤٢

E, nëse ta tregojmë ty atë që u kemi premtuar atyre, Ne kemi fuqi të plotë mbi ta.42

Komentimi 1 shënim

Shënimi 42

E nëse të tregojmë atë që u kemi premtuar prej ndëshkimit që do t’u zbresë, siç ishte në ditën e “Bedrit”, nuk ka dyshim se Ne jemi të fuqishëm ndaj tyre: do të të japim epërsi mbi ta dhe do t’i turpërojmë me dorën tënde dhe me duart e besimtarëve që janë me ty.

43:43

فَٱسْتَمْسِكْ بِٱلَّذِىٓ أُوحِىَ إِلَيْكَ ۖ إِنَّكَ عَلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ ٤٣

Prandaj, kapu fort për atë që të është shpallur. Vërtet, ti je në Rrugë të Drejtë.43

Komentimi 1 shënim

Shënimi 43

Prandaj, kapu fort – o i Dërguar – pas asaj që të urdhëron Allahu në këtë Kuran që të është shpallur; sepse ti je në një rrugë të drejtë. Dhe kjo është feja e Allahut me të cilën Ai ka urdhëruar – Islami. - Në këtë ka përforcim për të Dërguarin ﷺ dhe lavdërim për të.

43:44

وَإِنَّهُۥ لَذِكْرٌۭ لَّكَ وَلِقَوْمِكَ ۖ وَسَوْفَ تُسْـَٔلُونَ ٤٤

Me të vërtetë, ky (Kuran) është një nder për ty dhe për popullin tënd; dhe ju do të pyeteni.44

Komentimi 1 shënim

Shënimi 44

Vërtet, ky Kuran është nder për ty dhe për popullin tënd nga Kurejshët, pasi ai u shpall në gjuhën e tyre; prandaj ata e kuptojnë atë më mirë se të gjithë njerëzit e tjerë, dhe duhet të jenë më të qëndrueshmit në zbatimin e tij dhe më vepruesit sipas urdhërave të tij. Dhe ti, së bashku me ata që janë me ty, do të pyeteni për falënderimin ndaj Allahut për të dhe për veprimin sipas tij.

43:45

وَسْـَٔلْ مَنْ أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رُّسُلِنَآ أَجَعَلْنَا مِن دُونِ ٱلرَّحْمَـٰنِ ءَالِهَةًۭ يُعْبَدُونَ٤٥

Pyeti (o Muhamed) ata që Ne i dërguam para teje, prej të dërguarve Tanë: “A kemi bërë vallë zota të tjerë që të adhurohen, përveç të Gjithëmëshirshmit?”45

Komentimi 1 shënim

Shënimi 45

Pyet – o i Dërguar – pasuesit e atyre që Ne i dërguam para teje nga të dërguarit Tanë dhe bartësit e shpalljeve të tyre: “A mos vallë të dërguarit e tyre kanë ardhur me thirrje për adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut?” – Ata do të të përgjigjen se kjo kurrë nuk ka ndodhur; të gjithë të dërguarit kanë thirrur në atë që edhe ti i thirre njerëzit: adhurimin e vetëm Allahut, pa asnjë shok, dhe kanë ndaluar adhurimin e çdo gjëje tjetër përveç Tij.

43:46

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا مُوسَىٰ بِـَٔايَـٰتِنَآ إِلَىٰ فِرْعَوْنَ وَمَلَإِيْهِۦ فَقَالَ إِنِّى رَسُولُ رَبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ٤٦

Ne e dërguam Musain me shenjat Tona te Faraoni dhe paria e tij, dhe ai tha: “Unë jam i Dërguari i Zotit të botëve.”46

Komentimi 1 shënim

Shënimi 46

Ne e dërguam Musain me argumentet Tona te Faraoni dhe paria e popullit të tij, ashtu siç të dërguam ty – o i Dërguar – te këta idhujtarë nga populli yt. Musai u tha atyre: “Unë jam i dërguari i Zotit të botëve.”

43:47

فَلَمَّا جَآءَهُم بِـَٔايَـٰتِنَآ إِذَا هُم مِّنْهَا يَضْحَكُونَ ٤٧

Por, kur ai u solli atyre shenjat Tona, ata nisën të qeshin me to.47

Komentimi 1 shënim

Shënimi 47

Por kur ai u solli atyre argumente të qarta, që dëshmonin të vërtetën e thirrjes së tij, ja që Faraoni dhe paria e tij qeshnin me ato që Musai u solli si shenja dhe mësime.

43:48

وَمَا نُرِيهِم مِّنْ ءَايَةٍ إِلَّا هِىَ أَكْبَرُ مِنْ أُخْتِهَا ۖ وَأَخَذْنَـٰهُم بِٱلْعَذَابِ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ٤٨

Ne nuk u tregonim atyre ndonjë shenjë, e që ajo të mos ishte më e madhe se paraardhësja e saj; dhe Ne i godisnim ata me dënime, në mënyrë që të ktheheshin (tek e vërteta).48

Komentimi 1 shënim

Shënimi 48

Ne nuk ia treguam Faraonit dhe parisë së tij asnjë argument, veçse ai ishte më madhështor se ai para tij dhe më i qartë për vërtetësinë e asaj në të cilën i thërriste Musai. Dhe Ne i goditëm ata me lloj-lloj ndëshkimesh – si karkalecat, morrat, bretkosat, përmbytjen dhe të tjera – me qëllim që ata të ktheheshin nga mohimi i tyre ndaj Allahut drejt njëshmërisë dhe bindjes ndaj Tij.

43:49

وَقَالُواْ يَـٰٓأَيُّهَ ٱلسَّاحِرُ ٱدْعُ لَنَا رَبَّكَ بِمَا عَهِدَ عِندَكَ إِنَّنَا لَمُهْتَدُونَ ٤٩

Ata i thoshin: “O magjistar! Lutju Zotit tënd për ne, sipas besëlidhjes që ke me Të; me të vërtetë, ne do të udhëzohemi!”49

Komentimi 1 shënim

Shënimi 49

Faraoni me parinë e tij i thanë Musait: “O njeri i ditur (sepse magjistari në mesin e tyre quhej i madh dhe i nderuar, e magjia nuk konsiderohej si cilësi përçmuese), lute Zotin tënd për ne, me besëlidhjen që Ai ka bërë me ty dhe me të mirat e posaçme që të ka dhënë, që të largojë prej nesh ndëshkimin. Nëse na e largon ndëshkimin, atëherë ne do të udhëzohemi dhe do të besojmë në atë që na ke sjellë.”

43:50

فَلَمَّا كَشَفْنَا عَنْهُمُ ٱلْعَذَابَ إِذَا هُمْ يَنكُثُونَ ٥٠

Por, sa herë që Ne ua hiqnim dënimin, ata menjëherë e thyenin premtimin.50

Komentimi 1 shënim

Shënimi 50

Por, sa herë që Musai lutej që ndëshkimi të largohej prej tyre, dhe Ne ua largonim atë, ata menjëherë tradhtonin dhe e shkelnin premtimin, duke këmbëngulur në humbjen e tyre.

43:51

وَنَادَىٰ فِرْعَوْنُ فِى قَوْمِهِۦ قَالَ يَـٰقَوْمِ أَلَيْسَ لِى مُلْكُ مِصْرَ وَهَـٰذِهِ ٱلْأَنْهَـٰرُ تَجْرِى مِن تَحْتِىٓ ۖ أَفَلَا تُبْصِرُونَ ٥١

Faraoni i tha popullit të vet: “O populli im! A nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin para meje? A nuk e shihni?51

Komentimi 1 shënim

Shënimi 51

Faraoni thirri para popullit të tij, duke u mburrur dhe duke u krenuar me mbretërinë e Egjiptit: “A nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe këto lumenj që rrjedhin nën urdhrin tim? A nuk e shihni madhështinë dhe fuqinë time, dhe dobësinë e Musait e varfërinë e tij?”

43:52

أَمْ أَنَا۠ خَيْرٌۭ مِّنْ هَـٰذَا ٱلَّذِى هُوَ مَهِينٌۭ وَلَا يَكَادُ يُبِينُ ٥٢

A nuk jam unë më i mirë se ky, që është i pavlerë dhe pothuajse s’mund të shprehë fjalën?52

Komentimi 1 shënim

Shënimi 52

A nuk jam unë më i mirë se ky që nuk ka asnjë fuqi me vete; ai e lodh veten për nevojat e tij, nga dobësia dhe vogëlsia e tij, dhe mezi arrin ta shprehë qartë fjalën për shkak të lidhjes së gjuhës së tij. - Faraonin e shtyu në këtë fjalë mosbesimi, kokëfortësia dhe pengimi nga rruga e Allahut.

43:53

فَلَوْلَآ أُلْقِىَ عَلَيْهِ أَسْوِرَةٌۭ مِّن ذَهَبٍ أَوْ جَآءَ مَعَهُ ٱلْمَلَـٰٓئِكَةُ مُقْتَرِنِينَ ٥٣

Përse nuk i janë dhënë atij byzylykë të artë (mbretërorë), apo përse të mos vijnë engjëjt bashkë me të, si shoqërues?”53

Komentimi 1 shënim

Shënimi 53

Përse nuk i kanë zbritur Musait – nëse ai është i vërtetë në pretendimin se është i dërguari i Zotit të botëve – byzylykë prej ari? Ose pse nuk vijnë engjëjt me të, njëri pas tjetrit, si shoqërues të tij, për të dëshmuar se ai është i dërguari i Allahut tek ne (ashtu si bëjnë mbretërit)?”

43:54

فَٱسْتَخَفَّ قَوْمَهُۥ فَأَطَاعُوهُ ۚ إِنَّهُمْ كَانُواْ قَوْمًۭا فَـٰسِقِينَ ٥٤

Ai shfrytëzoi mendjelehtësinë e popullit të vet, kështu që ata iu nënshtruan atij; me të vërtetë, ata ishin një popull i pabindur.54

Komentimi 1 shënim

Shënimi 54

Faraoni shfrytëzoi mendjelehtësinë e popullit të tij, për t’i thirrur në humbje, dhe ata iu bindën atij, duke e përgënjeshtruar Musain. Vërtet, ata ishin një popull i dalë nga bindja ndaj Allahut dhe nga rruga e Tij e drejtë.

43:55

فَلَمَّآ ءَاسَفُونَا ٱنتَقَمْنَا مِنْهُمْ فَأَغْرَقْنَـٰهُمْ أَجْمَعِينَ ٥٥

Kur ata Na zemëruan, Ne u hakmorëm ndaj tyre dhe i fundosëm të gjithë.55

Komentimi 1 shënim

Shënimi 55

E kur Na zemëruan me mosbindjen e tyre dhe me përgënjeshtrimin e Musait dhe të shenjave me të cilat ai erdhi, Ne u hakmorëm ndaj tyre me një ndëshkim të menjëhershëm: i mbytëm të gjithë në det.

43:56

فَجَعَلْنَـٰهُمْ سَلَفًۭا وَمَثَلًۭا لِّلْـَٔاخِرِينَ ٥٦

Dhe i bëmë ata shembull dhe mësim për të tjerët pas tyre.56

Komentimi 1 shënim

Shënimi 56

Dhe Ne i bëmë këta që i mbytëm në det shembull paraprijës për ata që do të veprojnë si ata në të ardhmen, duke merituar dënimin, si dhe mësim e këshillë për të tjerët.

43:57

۞ وَلَمَّا ضُرِبَ ٱبْنُ مَرْيَمَ مَثَلًا إِذَا قَوْمُكَ مِنْهُ يَصِدُّونَ ٥٧

Kur u soll si shembull i biri i Merjemes (Isait), populli yt (o Muhamed) shpërtheu në britma nga gëzimi.57

Komentimi 1 shënim

Shënimi 57

Kur idhujtarët e morën Isain, birin e Merjemes, si shembull kur polemizuan me Muhamedin ﷺ dhe e kundërshtuan me argumentin e adhurimit të tij nga të krishterët, populli yt – për këtë arsye – u gëzua me britma dhe zhurmë, kur zbriti fjala e Allahut:
{Me të vërtetë, ju (mohues) dhe çdo gjë që adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lënda djegëse e ‎Xhehenemit. Të gjithë ju do të hyni në të.‎} (Enbija, 21:98). Atëherë idhujtarët thanë: “Na pëlqen që hyjnitë tona të jenë të njëjtë me Isain.” Atëherë Allahu zbriti fjalën e Tij: {Me të vërtetë, ata të cilëve u ka prirë lumturimi nga Ne që më parë, do të mbahen larg tij (Xhehenemit).} (Enbija, 21:101). Pra, në zjarr do të hidhen nga hyjnitë e adhuruesve vetëm ata që ishin të kënaqur me adhurimin që u bëhej atyre.

43:58

وَقَالُوٓاْ ءَأَـٰلِهَتُنَا خَيْرٌ أَمْ هُوَ ۚ مَا ضَرَبُوهُ لَكَ إِلَّا جَدَلًۢا ۚ بَلْ هُمْ قَوْمٌ خَصِمُونَ ٥٨

Dhe thanë: “Zotat tanë janë më të mirë, apo ai?” Ata e sjellin këtë shembull vetëm për të ndezur polemikën; sepse me të vërtetë, ata janë një popull i prirur për grindje.58

Komentimi 1 shënim

Shënimi 58

Dhe idhujtarët nga populli yt – o i Dërguar – thanë: “A janë më të mira hyjnitë tona që i adhurojmë, apo Isai që e adhuron populli i tij? Nëse Isai do të jetë në zjarr, atëherë të jemi edhe ne me hyjnitë tona bashkë me të.” – Ata nuk ta sollën këtë shembull veçse për të bërë polemikë, sepse ata janë një popull që iu pëlqen të kundërshtojnë me të pavërtetën.

43:59

إِنْ هُوَ إِلَّا عَبْدٌ أَنْعَمْنَا عَلَيْهِ وَجَعَلْنَـٰهُ مَثَلًۭا لِّبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ٥٩

Ai (Isai) ishte vetëm një rob, të cilit Ne i dhamë dhuntinë Tonë (profetësinë), dhe e bëmë shembull për bijtë e Izraelit.59

Komentimi 1 shënim

Shënimi 59

Nuk është Isai, biri i Merjemes, veçse një rob, të cilit Ne i dhamë dhuntinë e profetësisë dhe e bëmë shenjë dhe mësim për bijtë e Izraelit, me të cilin dëshmohet fuqia Jonë.

43:60

وَلَوْ نَشَآءُ لَجَعَلْنَا مِنكُم مَّلَـٰٓئِكَةًۭ فِى ٱلْأَرْضِ يَخْلُفُونَ ٦٠

Sikur të donim, Ne do t’ju ​​zëvendësonim me engjëj, që do të trashëgonin njëri-tjetrin në Tokë.60

Komentimi 1 shënim

Shënimi 60

Sikur të donim, Ne do të bënim, në vendin tuaj - o njerëz, engjëj që të pasonin njëri-tjetrin në Tokë, në vend të bijve të Ademit.

43:61

وَإِنَّهُۥ لَعِلْمٌۭ لِّلسَّاعَةِ فَلَا تَمْتَرُنَّ بِهَا وَٱتَّبِعُونِ ۚ هَـٰذَا صِرَٰطٌۭ مُّسْتَقِيمٌۭ ٦١

Me të vërtetë, ai (Isai) është shenjë për Orën (e Kiametit); prandaj mos dyshoni në të dhe më ndiqni Mua. Kjo është Rruga e Drejtë.61

Komentimi 1 shënim

Shënimi 61

Me të vërtetë, zbritja e Isait (alejhis selam) para Ditës së Kiametit është dëshmi e afërsisë së saj; prandaj mos dyshoni aspak se ajo do të ndodhë patjetër. Ndiqmëni në atë që ju kam lajmëruar prej Allahut të Lartësuar – kjo është rruga e drejtë për në Xhenet, pa shmangie në të!

43:62

وَلَا يَصُدَّنَّكُمُ ٱلشَّيْطَـٰنُ ۖ إِنَّهُۥ لَكُمْ عَدُوٌّۭ مُّبِينٌۭ ٦٢

Dhe të mos ju pengojë djalli, sepse ai është vërtet armik i hapur për ju!62

Komentimi 1 shënim

Shënimi 62

Dhe të mos ju largojë shejtani me cytjet e tij nga bindja ndaj Meje, në atë që ju urdhëroj dhe ju ndaloj! Vërtet, ai është armik i hapur për ju.

43:63

وَلَمَّا جَآءَ عِيسَىٰ بِٱلْبَيِّنَـٰتِ قَالَ قَدْ جِئْتُكُم بِٱلْحِكْمَةِ وَلِأُبَيِّنَ لَكُم بَعْضَ ٱلَّذِى تَخْتَلِفُونَ فِيهِ ۖ فَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَأَطِيعُونِ ٦٣

Kur Isai erdhi me prova të qarta, tha: “Unë kam ardhur tek ju me Urtësinë dhe për t’ju shpjeguar disa nga ato gjëra, për të cilat ju keni kundërshtime. Prandaj, kini frikë Allahun dhe bindmuni Mua!63

Komentimi 1 shënim

Shënimi 63

Kur Isai erdhi te bijtë e Izraelit me argumente të qarta dhe dëshmi të dukshme, tha: “Unë ju kam sjellë profetësinë dhe do t’ju sqaroj disa nga ato gjëra për të cilat ju kundërshtoheni në çështjet e fesë. Prandaj, kini frikë Allahun duke zbatuar urdhërat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, dhe bindmuni në atë që ju urdhëroj për devotshmëri dhe bindje ndaj Allahut!”

43:64

إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ رَبِّى وَرَبُّكُمْ فَٱعْبُدُوهُ ۚ هَـٰذَا صِرَٰطٌۭ مُّسْتَقِيمٌۭ ٦٤

Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; prandaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është Rruga e Drejtë.”64

Komentimi 1 shënim

Shënimi 64

Vërtet Allahu, i Lartësuar dhe i Madhëruar, është Zoti im dhe Zoti juaj, i të gjithëve, prandaj adhuroni vetëm Atë dhe mos i bëni shok askënd! Kjo që ju urdhërova – devotshmëria ndaj Allahut dhe njëshmëria në adhurim – është Rruga e drejtë, feja e vërtetë e Allahut, përveç të cilës Ai nuk pranon asnjë fe tjetër, nga askush.

43:65

فَٱخْتَلَفَ ٱلْأَحْزَابُ مِنۢ بَيْنِهِمْ ۖ فَوَيْلٌۭ لِّلَّذِينَ ظَلَمُواْ مِنْ عَذَابِ يَوْمٍ أَلِيمٍ ٦٥

Megjithatë, grupet e tyre të ndryshme u përçanë mes tyre (rreth Isait). Mjerë për ata që bënë padrejtësi, nga dënimi i një Dite të dhembshme!65

Komentimi 1 shënim

Shënimi 65

Megjithatë, grupet e ndryshme të krishterëve, u përçanë në lidhje me çështjen e Isait (alejhis selam) dhe u bënë fraksione: disa prej tyre pohuan se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij – dhe kjo është e vërteta; disa pretenduan se ai është biri i Allahut; e disa të tjerë thanë: ai është vetë Allahu. I Lartësuar është Allahu shumë lart mbi atë që thonë ata! Pra, shkatërrim, humbje dhe dënim i dhembshëm Ditën e Kiametit për ata që e përshkruan Isain ndryshe nga sa e përshkroi Allahu.

43:66

هَلْ يَنظُرُونَ إِلَّا ٱلسَّاعَةَ أَن تَأْتِيَهُم بَغْتَةًۭ وَهُمْ لَا يَشْعُرُونَ ٦٦

A mos presin ata diçka tjetër, përveç Orës (së Kiametit), që t’u vijë atyre papritur, e ata të mos e ndiejnë?!66

Komentimi 1 shënim

Shënimi 66

A mos vallë presin këto grupe të përçara për Isain, birin e Merjemes, gjë tjetër veçse Ditën e Kiametit që t’u vijë befas, pa e ndjerë dhe pa qenë të vetëdijshëm?

43:67

ٱلْأَخِلَّآءُ يَوْمَئِذٍۭ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّ إِلَّا ٱلْمُتَّقِينَ ٦٧

Miqtë e ngushtë, atë Ditë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve.67

Komentimi 1 shënim

Shënimi 67

Miqtë që u bashkuan në mëkate ndaj Allahut në këtë botë, Ditën e Kiametit do të shkëputen dhe do të mohojnë njëri-tjetrin. Ndërsa ata që u miqësuan mbi devotshmërinë ndaj Allahut, miqësia e tyre është e përhershme – si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

43:68

يَـٰعِبَادِ لَا خَوْفٌ عَلَيْكُمُ ٱلْيَوْمَ وَلَآ أَنتُمْ تَحْزَنُونَ ٦٨

“O robërit e Mi! Sot nuk ka frikë për ju, as nuk do të pikëlloheni;68

Komentimi 1 shënim

Shënimi 68

Do t’u thuhet atyre që ishin të devotshëm: “O robërit e Mi, sot nuk ka frikë për ju nga ndëshkimi Im, e as nuk do të pikëlloheni për ato që ju kanë munguar nga kënaqësitë e botës së kaluar.

43:69

ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِـَٔايَـٰتِنَا وَكَانُواْ مُسْلِمِينَ ٦٩

Ju që besuat në shpalljet Tona dhe ishit muslimanë (të nënshtruar Allahut);69

Komentimi 1 shënim

Shënimi 69

Ju që besuat në shenjat dhe shpalljet Tona dhe vepruat sipas asaj që u sollën të dërguarit e Mi, dhe ishit të nënshtruar ndaj Meje, Zotit të botëve, me zemrat dhe gjymtyrët tuaj;

43:70

ٱدْخُلُواْ ٱلْجَنَّةَ أَنتُمْ وَأَزْوَٰجُكُمْ تُحْبَرُونَ ٧٠

Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, të gëzuar!70

Komentimi 1 shënim

Shënimi 70

Hyni në Xhenet, ju, bashkëshortet tuaja dhe shokët tuaj besimtarë, ku do të gëzoheni dhe do të kënaqeni!”

43:71

يُطَافُ عَلَيْهِم بِصِحَافٍۢ مِّن ذَهَبٍۢ وَأَكْوَابٍۢ ۖ وَفِيهَا مَا تَشْتَهِيهِ ٱلْأَنفُسُ وَتَلَذُّ ٱلْأَعْيُنُ ۖ وَأَنتُمْ فِيهَا خَـٰلِدُونَ ٧١

Atyre do t’u shërbehet me pjata dhe kupa ari. Aty do të kenë gjithçka që dëshirojnë shpirtrat dhe që u kënaq sytë. Dhe, ju aty do të qëndroni përgjithmonë.71

Komentimi 1 shënim

Shënimi 71

Atyre që besuan Allahun dhe të dërguarit e Tij, do t’u sillen, në Xhenet, ushqime në enë prej ari dhe pije në kupa prej ari. Aty do të kenë gjithçka që u dëshiron zemra dhe u kënaqet syri, dhe do të qëndrojnë aty përgjithmonë.

43:72

وَتِلْكَ ٱلْجَنَّةُ ٱلَّتِىٓ أُورِثْتُمُوهَا بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ ٧٢

Ky është Xheneti që ju është dhënë trashëgim, për atë që keni punuar.72

Komentimi 1 shënim

Shënimi 72

Ky është Xheneti që Allahu jua dha si trashëgim, për shkak të veprave të mira dhe punëve të drejta që bënit në këtë botë, dhe Ai e bëri atë, nga mirësia dhe mëshira e Tij, shpërblim për ju.

43:73

لَكُمْ فِيهَا فَـٰكِهَةٌۭ كَثِيرَةٌۭ مِّنْهَا تَأْكُلُونَ ٧٣

Aty do të keni fruta të shumta, prej të cilave do të hani.”73

Komentimi 1 shënim

Shënimi 73

Për ju në Xhenet ka shumë fruta nga çdo lloj, prej të cilave do të hani.

43:74

إِنَّ ٱلْمُجْرِمِينَ فِى عَذَابِ جَهَنَّمَ خَـٰلِدُونَ ٧٤

Vërtet, kriminelët do të jenë në dënimin e Xhehenemit, përgjithmonë.74

Komentimi 1 shënim

Shënimi 74

Vërtet, ata që fituan gjynahe me mohimin e tyre, do të qëndrojnë përgjithmonë në dënimin e Xhehenemit.

43:75

لَا يُفَتَّرُ عَنْهُمْ وَهُمْ فِيهِ مُبْلِسُونَ ٧٥

Aspak nuk do t’u lehtësohet atyre (dënimi) dhe ata do të mbesin aty të dëshpëruar.75

Komentimi 1 shënim

Shënimi 75

Nuk do t’u lehtësohet dënimi aspak, dhe aty do të jenë të dëshpëruar nga mëshira e Allahut.

43:76

وَمَا ظَلَمْنَـٰهُمْ وَلَـٰكِن كَانُواْ هُمُ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٧٦

Ne nuk u kemi bërë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë të padrejtë (ndaj vetvetes).76

Komentimi 1 shënim

Shënimi 76

Ne nuk i kemi bërë padrejtësi këtyre kriminelëve mohues të Allahut, me ndëshkimin e tyre në Zjarr, por ata vetë i kanë bërë padrejtësi vetes së tyre me idhujtarinë dhe mohimin se Allahu është i vetmi Zot i vërtetë pa shok, si dhe duke mos ndjekur të dërguarit e Zotit të tyre.

43:77

وَنَادَوْاْ يَـٰمَـٰلِكُ لِيَقْضِ عَلَيْنَا رَبُّكَ ۖ قَالَ إِنَّكُم مَّـٰكِثُونَ ٧٧

Ata do të thërrasin: “O Malik (mbikëqyrësi i Zjarrit), le të na shuajë (vdesë) Zoti yt!” Ai do t’u thotë: “Ju do të qëndroni aty përgjithmonë!”77

Komentimi 1 shënim

Shënimi 77

Kriminelët mohues e keqbërës, pasi Allahu t’i fusë në Xhehenem, do t’i thërrasin “Malikut”, mbikëqyrësit të Xhehenemit: “O Malik, le të na japë vdekjen Zoti yt, që të shpëtojmë nga kjo ku jemi!” Ai do t’u përgjigjet: “Ju do të qëndroni aty përgjithmonë; nuk ka dalje për ju, as shmangie prej saj!”

43:78

لَقَدْ جِئْنَـٰكُم بِٱلْحَقِّ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَكُمْ لِلْحَقِّ كَـٰرِهُونَ ٧٨

Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica prej jush e urrenin të vërtetën.78

Komentimi 1 shënim

Shënimi 78

Ne jua sollëm të vërtetën dhe jua shpjeguam atë, por shumica prej jush ishin të neveritur dhe të pakënaqur me të vërtetën që sollën të dërguarit Tanë.

43:79

أَمْ أَبْرَمُوٓاْ أَمْرًۭا فَإِنَّا مُبْرِمُونَ ٧٩

A mos kanë përgatitur ata ndonjë komplot? Edhe Ne kemi përgatitur.79

Komentimi 1 shënim

Shënimi 79

A mos vallë këta idhujtarë kanë vendosur një komplot për të vrarë Muhamedin apo për të kundërshtuar të vërtetën që Ne u sollëm? Por, Ne kemi përgatitur për ta atë që u mjafton si dënim dhe ndëshkim i rëndë.

43:80

أَمْ يَحْسَبُونَ أَنَّا لَا نَسْمَعُ سِرَّهُمْ وَنَجْوَىٰهُم ۚ بَلَىٰ وَرُسُلُنَا لَدَيْهِمْ يَكْتُبُونَ ٨٠

Apo mendojnë se Ne nuk i dëgjojmë ato që fshehin në vetvete dhe bisedat e tyre të fshehta? Sigurisht që i dëgjojmë, dhe të dërguarit Tanë (engjëjt) janë pranë tyre, duke i shënuar të gjitha.80

Komentimi 1 shënim

Shënimi 80

A mos mendojnë këta idhujtarë, se Ne nuk e dëgjojmë atë që fshehin në vetvete dhe atë që pëshpëritin mes tyre? Përkundrazi, Ne e dëgjojmë dhe e dimë, dhe të dërguarit Tanë – engjëjt fisnikë rojtarë – e shkruajnë mbi ta çdo gjë që bëjnë.

43:81

قُلْ إِن كَانَ لِلرَّحْمَـٰنِ وَلَدٌۭ فَأَنَا۠ أَوَّلُ ٱلْعَـٰبِدِينَ ٨١

Thuaj: “Nëse i Gjithëmëshirshmi do të kishte fëmijë, unë do të isha i pari prej atyre që do ta adhuronin atë.”81

Komentimi 1 shënim

Shënimi 81

Thuaj – o i Dërguar – idhujtarëve nga populli yt, të cilët pretendojnë se engjëjt janë bijat e Allahut: “Nëse i Gjithëmëshirshmi do të kishte fëmijë, siç pretendoni ju, atëherë unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë fëmijë që ju e shpifni.” Por kjo kurrë nuk ka ndodhur dhe as nuk do të ndodhë. I Shenjtëruar është Allahu nga të pasurit shoqe apo fëmijë!

43:82

سُبْحَـٰنَ رَبِّ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ رَبِّ ٱلْعَرْشِ عَمَّا يَصِفُونَ ٨٢

I Lartësuar qoftë Zoti i qiejve dhe i Tokës, Zoti i Arshit (Fronit), nga ajo që ata i përshkruajnë!82

Komentimi 1 shënim

Shënimi 82

Lartësim dhe shenjtërim për Zotin e qiejve dhe të tokës, Zotin e Arshit madhështor, prej atyre që ata e përshkruajnë me gënjeshtra dhe shpifje – siç është pretendimi i idhujtarëve se Allahu ka fëmijë – dhe prej çdo gjëje tjetër të pavërtetë që ata trillojnë!

43:83

فَذَرْهُمْ يَخُوضُواْ وَيَلْعَبُواْ حَتَّىٰ يُلَـٰقُواْ يَوْمَهُمُ ٱلَّذِى يُوعَدُونَ ٨٣

Lëri ata të merren me biseda boshe dhe të luajnë, derisa të përballen me ditën që u është premtuar!83

Komentimi 1 shënim

Shënimi 83

Lëri – o i Dërguar – këta shpifës kundër Allahut të zhyten në të pavërtetën e tyre dhe të argëtohen në këtë botë, derisa të takojnë ditën e tyre, në të cilën u është premtuar ndëshkimi: qoftë në këtë botë, qoftë në botën tjetër, ose në të dyja bashkë!

43:84

وَهُوَ ٱلَّذِى فِى ٱلسَّمَآءِ إِلَـٰهٌۭ وَفِى ٱلْأَرْضِ إِلَـٰهٌۭ ۚ وَهُوَ ٱلْحَكِيمُ ٱلْعَلِيمُ ٨٤

Ai është i Vetmi Zot në qiej dhe i Vetmi Zot në Tokë. Ai është i Urti, i Gjithëdijshmi.84

Komentimi 1 shënim

Shënimi 84

Ai është Allahu, i vetmi që meriton të adhurohet me të drejtë, si në qiell ashtu edhe në Tokë. Ai është i Urtë në krijimin e Tij dhe i Përsosur në ligjin e Tij, i Gjithëdituri për çdo gjë nga gjendjet e krijesave të Tij; asgjë prej tyre nuk i fshihet.

43:85

وَتَبَارَكَ ٱلَّذِى لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا وَعِندَهُۥ عِلْمُ ٱلسَّاعَةِ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ٨٥

Qoftë i lartësuar Ai, të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që gjendet mes tyre! Vetëm tek Ai është dituria e Orës (së Kiametit), dhe tek Ai do të ktheheni!85

Komentimi 1 shënim

Shënimi 85

Është shumuar begatia e Allahut, është shtuar mirësia e Tij dhe është madhështuar mbretëria e Tij, të Cilit i përket sundimi mbi shtatë qiejt dhe shtatë Tokat dhe gjithçka që gjendet mes tyre. Tek Ai është dituria e Orës kur do të ndodhë Kiameti, dita kur krijesat do të ringjallen nga varret e tyre për në vendin e llogarisë. Dhe tek Ai do të ktheheni – o njerëz – pas vdekjes suaj, e Ai do të shpërblejë secilin sipas asaj që meriton.

43:86

وَلَا يَمْلِكُ ٱلَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِهِ ٱلشَّفَـٰعَةَ إِلَّا مَن شَهِدَ بِٱلْحَقِّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ٨٦

Kurse, ata që adhurohen në vend të Tij, nuk kanë pushtet për ndërmjetësim, përveç atyre që dëshmojnë të vërtetën me dije.86

Komentimi 1 shënim

Shënimi 86

Ata që idhujtarët i adhurojnë, nuk kanë fuqi për të ndërmjetësuar tek Allahu për askënd, përveç atyre që dëshmojnë me të vërtetën, pranojnë njëshmërinë e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit ﷺ, duke qenë të vetëdijshëm për të vërtetën e asaj që pohuan dhe dëshmuan – si Isai, Uzejri dhe engjëjt, që janë adhuruar në vend të Allahut apo përkrah Tij, pa dëshirën e tyre.

43:87

وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَهُمْ لَيَقُولُنَّ ٱللَّهُ ۖ فَأَنَّىٰ يُؤْفَكُونَ ٨٧

Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar, me siguri do të thonë: “Allahu!” Atëherë, si largohen (nga e vërteta)?87

Komentimi 1 shënim

Shënimi 87

Nëse ti – o i Dërguar – i pyet këta idhujtarë nga populli yt: “Kush ju ka krijuar?” – me siguri do të thonë: “Allahu na ka krijuar.” Atëherë, si pra kthehen mbrapsht dhe largohen nga adhurimi i Allahut, duke i bërë shok Atij të tjerë?!

43:88

وَقِيلِهِۦ يَـٰرَبِّ إِنَّ هَـٰٓؤُلَآءِ قَوْمٌۭ لَّا يُؤْمِنُونَ ٨٨

Dhe ai (i Dërguari) tha: “Zoti im, me të vërtetë, këta janë një popull që nuk besojnë!”88

Komentimi 1 shënim

Shënimi 88

Dhe Muhamedi ﷺ, duke u ankuar te Zoti i tij për popullin e tij që e përgënjeshtroi, tha: “O Zoti im, vërtet, këta janë një popull që nuk besojnë në Ty dhe në atë me të cilin më dërgove tek ata!”

43:89

فَٱصْفَحْ عَنْهُمْ وَقُلْ سَلَـٰمٌۭ ۚ فَسَوْفَ يَعْلَمُونَ ٨٩

Pra, largohu prej tyre dhe thuaju: “Paqe!” Ata së shpejti do ta marrin vesh.89

Komentimi 1 shënim

Shënimi 89

Prandaj, fali – o i Dërguar – dhe largohu prej tyre, dhe nga ti të mos dalë gjë tjetër veçse fjala e paqes ndaj tyre, ashtu siç thonë të mençurit e urtë ndaj injorantëve. Ata nuk i përngjajnë atyre në fyerje dhe nuk ua kthejnë si veprat e tyre të këqija. Por ata shumë shpejt do ta marrin vesh se çfarë ndëshkimi dhe vuajtjeje do t’i godasë. - Në këtë ka një kërcënim dhe paralajmërim të ashpër për këta mohues kokëfortë dhe për të ngjashmit me ta.

Ez Zuhruf · 89 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi