KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 99

Ez Zelzele Dridhja e fundit e Tokës

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 8 ajete • Ajetet 1–8

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

99:1

إِذَا زُلْزِلَتِ ٱلْأَرْضُ زِلْزَالَهَا ١

Kur Toka të dridhet me dridhjen e saj (përfundimtare),1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Kur Toka të tundet me një dridhje të fuqishme. “Zulzilat” = dridhje, tërmet, tronditje e fuqishme. “Zilzālehā” – me tronditjen e saj të përcaktuar, pra atë më të madhen e fundit, që do të ndodhë në Ditën e Gjykimit. Kjo është dridhja përfundimtare e Tokës, që do të përmbysë gjithçka që ajo mban. Ibn Kethiri shpjegon: “Kjo është dridhja kur Toka do të nxjerrë të gjithë të vdekurit për gjykim.”

99:2

وَأَخْرَجَتِ ٱلْأَرْضُ أَثْقَالَهَا ٢

dhe Toka të nxjerrë barrët e saj (ato që mbart brenda),2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

dhe të nxjerrë nga brendësia e saj të vdekurit dhe thesaret e fshehura; Në Ditën e Gjykimit, toka do të nxjerrë gjithçka që fshehu: trupat për ringjallje dhe pasuritë që njeriu i la pas. Kjo tregon fundin e çdo zotërimi tokësor – gjithçka që njeriu ruajti, toka do ta dorëzojë. Toka vetë do të bëhet dëshmitare e veprave tona – aty kemi qëndruar, falur, apo mëkatuar.

99:3

وَقَالَ ٱلْإِنسَـٰنُ مَا لَهَا ٣

dhe njeriu të thotë: “Çfarë po ndodh me të?!”,3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

njeriu do të pyesë i tronditur: “Çfarë po ndodh me të?” Një klithmë tronditëse e njerëzimit përballë rrënimit total. Ata që s’besuan Ditën e Gjykimit, do të mbeten pa fjalë. Ky ajet tregon befasinë dhe frikën që do t’i përfshijë të gjithë kur të ndodhë e vërteta që e mohonin.

99:4

يَوْمَئِذٍۢ تُحَدِّثُ أَخْبَارَهَا ٤

atë Ditë, ajo do të tregojë lajmet e saj,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Në Ditën e Kiametit, Toka do të tregojë gjithçka që është bërë mbi të — veprat e mira dhe të këqija; Toka do të flasë me dëshmi për çdo gjë që ndodhi mbi të. Siç thotë Profeti ﷺ në hadith të saktë (Tirmidhi):“A e dini çfarë janë ‘lajmet e saj’? Ajo do të dëshmojë për çdo njeri, për çdo vepër që bëri mbi sipërfaqen e saj, mirë apo keq.”;

99:5

بِأَنَّ رَبَّكَ أَوْحَىٰ لَهَا ٥

sepse Zoti yt i ka shpallur (urdhëruar) asaj.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

sepse Allahu i Lartësuar do t’i urdhërojë asaj të dëshmojë për gjithçka që ka ndodhur mbi sipërfaqen e saj. Kjo do të ndodhë me urdhërin e Zotit, që i jep Tokës aftësinë të dëshmojë.

99:6

يَوْمَئِذٍۢ يَصْدُرُ ٱلنَّاسُ أَشْتَاتًۭا لِّيُرَوْاْ أَعْمَـٰلَهُمْ ٦

Atë Ditë, njerëzit do të shpërndahen në grupe, që t’u tregohen veprat e tyre.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Atë ditë, njerëzit do të kthehen nga vendi i gjykimit të ndarë në grupe të ndryshme, që Allahu t’u tregojë veprat që kanë bërë — të këqijat dhe të mirat — dhe t’i shpërblejë secilin sipas asaj që ka punuar. Ibn Abasi ka thënë: “Do të dalin nga varret për në vendin e gjykimit, në grupe sipas veprave të tyre.”

99:7

فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًۭا يَرَهُۥ ٧

Kush bën ndonjë të mirë, qoftë sa pesha e një grimce, do ta shohë atë,7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Kushdo që bën një të mirë, qoftë edhe sa pesha e një grimce të vogël, do ta shohë shpërblimin e saj në botën tjetër; “Mithqāla dharrah” = peshë më e vogël se një grimcë pluhuri, një atom – vepra më e vogël. Allahu do ta tregojë çdo mirësi, sado e vogël, dhe do ta shpërblejë. Ky ajet është shpresë e madhe për besimtarin: asnjë e mirë nuk humbet, qoftë një fjalë e butë apo një buzëqeshje. I Dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Mos e nënvlerëso asnjë të mirë, edhe sikur të jetë t’i buzëqeshësh vëllait tënd.” (Muslim)

99:8

وَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍۢ شَرًّۭا يَرَهُۥ ٨

dhe kush bën ndonjë të keqe, qoftë sa pesha e një grimce, do ta shohë atë.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

dhe kush bën një të keqe, qoftë edhe sa pesha e një grimce, do ta shohë dënimin e saj në botën tjetër. Pra, çdo mëkat, sado i vogël, do të shfaqet përpara njeriut. Ky është parimi i drejtësisë absolute Hyjnore. Prandaj besimtari duhet të kujdeset për çdo detaj të jetës së tij.

Ez Zelzele · 8 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi