KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 42

Esh Shura Këshillimi

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 53 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

42:1

حمٓ ١

Ḥā Mīm.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El Bekare.

42:2

عٓسٓقٓ ٢

‘Ajn Sīn Kāf.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El Bekare.

42:3

كَذَٰلِكَ يُوحِىٓ إِلَيْكَ وَإِلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِكَ ٱللَّهُ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ ٣

Kështu të shpall ty (o Muhamed), dhe atyre që ishin para teje, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ashtu siç ta zbriti Allahu ty – o Muhamed – këtë Kuran, po ashtu ua ka zbritur librat dhe fletët e shpallura edhe të dërguarve para teje. Ai është i Plotfuqishmi në ndëshkimin e Tij dhe i Urti në fjalët dhe veprat e Tij.

42:4

لَهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۖ وَهُوَ ٱلْعَلِىُّ ٱلْعَظِيمُ ٤

Atij i përket ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë; Ai është i Larti, Madhështori.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Vetëm Allahut i përket gjithçka që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Larti – me Qenien e Tij, me fuqinë dhe me pushtetin e Tij – i Madhi, të Cilit i takon madhështia dhe krenaria.

42:5

تَكَادُ ٱلسَّمَـٰوَٰتُ يَتَفَطَّرْنَ مِن فَوْقِهِنَّ ۚ وَٱلْمَلَـٰٓئِكَةُ يُسَبِّحُونَ بِحَمْدِ رَبِّهِمْ وَيَسْتَغْفِرُونَ لِمَن فِى ٱلْأَرْضِ ۗ أَلَآ إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ ٥

Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (nga frika ndaj Allahut); ndërsa engjëjt madhërojnë me lavdërim Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë. Vërtet, Allahu është Falësi, Mëshirëploti.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Qiejt gati sa nuk çahen, secili mbi tjetrin, nga madhështia dhe lavdia e të Gjithëmëshirshmit, të Bekuarit e të Lartësuarit. Ndërsa engjëjt e madhërojnë Zotin e tyre me lavdërim, e shpallin të pastër nga çdo gjë që nuk i përshtatet Atij, dhe i luten Zotit të tyre për faljen e mëkateve të atyre që janë në Tokë nga njerëzit besimtarë. Vërtet, Allahu është Falës i mëkateve të robërve të Tij besimtarë dhe është Mëshirues ndaj tyre.

42:6

وَٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ ٱللَّهُ حَفِيظٌ عَلَيْهِمْ وَمَآ أَنتَ عَلَيْهِم بِوَكِيلٍۢ ٦

Ata që marrin mbrojtës tjetër përveç Tij – Allahu është Mbikëqyrës mbi ta; ndërsa ti (o Muhamed) nuk je përgjegjës për ta.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Ata që marin përveç Allahut hyjni, duke u mbështetur tek ato dhe duke i adhuruar, Allahu i Madhëruar ruan veprat e tyre, që t’i shpërblejë me to Ditën e Kiametit. Ndërsa ti – o i Dërguar – nuk je i ngarkuar si rojtar mbi ta për veprat e tyre; detyra jote është vetëm të paralajmërosh. Shpallja është detyra jote, ndërsa llogaria është tek Ne.

42:7

وَكَذَٰلِكَ أَوْحَيْنَآ إِلَيْكَ قُرْءَانًا عَرَبِيًّۭا لِّتُنذِرَ أُمَّ ٱلْقُرَىٰ وَمَنْ حَوْلَهَا وَتُنذِرَ يَوْمَ ٱلْجَمْعِ لَا رَيْبَ فِيهِ ۚ فَرِيقٌۭ فِى ٱلْجَنَّةِ وَفَرِيقٌۭ فِى ٱلسَّعِيرِ ٧

Dhe kështu, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, që të paralajmërosh Nënën e Qyteteve (Mekën) dhe ata që janë rreth saj; dhe të paralajmërosh për Ditën e Tubimit - për të cilën s’ka dyshim – kur një grup do të jetë në Xhenet e një grup në Zjarrin flakërues.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Ashtu siç shpallëm te profetët para teje, Ne të shpallëm ty një Kuran në gjuhën arabe, që t’i paralajmërosh banorët e Mekës dhe ata që janë rreth saj nga të gjithë njerëzit, dhe t’i frikësosh prej dënimit të Ditës së Tubimit – Ditës së Kiametit – në të cilën nuk ka dyshim. Atë ditë njerëzit do të ndahen në dy grupe: një grup në Xhenet – ata që besuan Allahun dhe ndoqën atë që u solli i Dërguari i Tij, Muhamedi ﷺ – dhe një grup tjetër në Zjarrin e flakët – ata që mohuan Allahun dhe iu kundërvunë asaj që u solli i Dërguari i Tij, Muhamedi ﷺ.

42:8

وَلَوْ شَآءَ ٱللَّهُ لَجَعَلَهُمْ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ وَلَـٰكِن يُدْخِلُ مَن يَشَآءُ فِى رَحْمَتِهِۦ ۚ وَٱلظَّـٰلِمُونَ مَا لَهُم مِّن وَلِىٍّۢ وَلَا نَصِيرٍ ٨

Sikur të donte Allahu, do t’i kishte bërë të gjithë ata (njerëzit) një popull të vetëm (të një besimi); por Ai fut në mëshirën e Vet kë të dojë, ndërsa për mohuesit nuk ka as mbrojtës, as ndihmues.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Sikur të donte Allahu, do t’i mblidhte të gjitha krijesat e Tij në udhëzim dhe do t’i bënte në një fe të vetme të drejtë, dhe Ai do ta bënte këtë pa asnjë pengesë. Por Ai deshi që të fusë në mëshirën e Tij kë të dojë prej të zgjedhurve nga krijesat e Tij. Ndërsa ata që i bënë padrejtësi vetes me idhujtari, Ditën e Kiametit nuk do të kenë as mbrojtës që të kujdeset për ta, as ndihmës që t’i shpëtojë nga ndëshkimi i Allahut të Madhëruar.

42:9

أَمِ ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ ۖ فَٱللَّهُ هُوَ ٱلْوَلِىُّ وَهُوَ يُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ ٩

A mos vallë, ata kanë marrë mbrojtës të tjerë, përveç Tij? Por, vetëm Allahu është Mbrojtësi i vërtetë. Ai ngjall të vdekurit dhe është i Fuqishëm mbi çdo gjë.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Por këta idhujtarë, përveç Allahut, kanë marrë mbrojtës, të cilëve iu mbështeten. Por, Allahu është i Vetmi Mbrojtës: robi i tij e merr Atë për mbrojtës me adhurim dhe bindje, dhe Ai i merr për mbrojtje robërit e Tij besimtarë duke i nxjerrë nga errësirat në dritë dhe duke i ndihmuar në të gjitha çështjet e tyre. Ai do t’i ringjallë të vdekurit në Ditën e Kiametit, dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë; asgjë nuk e dobëson Atë.

42:10

وَمَا ٱخْتَلَفْتُمْ فِيهِ مِن شَىْءٍۢ فَحُكْمُهُۥٓ إِلَى ٱللَّهِ ۚ ذَٰلِكُمُ ٱللَّهُ رَبِّى عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ أُنِيبُ ١٠

Për çfarëdo gjëje që të keni mosmarrëveshje, gjykimi i saj i përket Allahut. Ky është Allahu, Zoti im; tek Ai mbështetem dhe tek Ai kthehem.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Dhe për çdo gjë në të cilën ju – o njerëz – keni mosmarrëveshje nga çështjet e fesë suaj, gjykimi i saj kthehet te Allahu: në Librin e Tij dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ. Ky është Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj; tek Ai vetëm mbështetem në çështjet e mia dhe tek Ai kthehem në të gjitha punët e mia.

42:11

فَاطِرُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًۭا وَمِنَ ٱلْأَنْعَـٰمِ أَزْوَٰجًۭا ۖ يَذْرَؤُكُمْ فِيهِ ۚ لَيْسَ كَمِثْلِهِۦ شَىْءٌۭ ۖ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلْبَصِيرُ ١١

Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! Ai krijoi për ju, nga vetet tuaja, bashkëshorte, dhe nga kafshët çifte. Në këtë mënyrë, Ai ju shumon. Nuk ka asgjë që të jetë e ngjashme me Të. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Allahu i Lartësuar është Krijuesi dhe Përsosmëruesi i qiejve dhe i Tokës me fuqinë, dëshirën dhe urtësinë e Tij. Ai krijoi prej vetes suaj bashkëshorte (krijoi Havanë nga brinja e Ademit), që të gjeni prehje tek ato, dhe prej bagëtive krijoi çifte – meshkuj e femra – që të shumoheni përmes bashkëshorteve me lindje dhe trashëgim. Asgjë nga krijesat nuk i ngjan e nuk i përngjan Atij – as në Qenien e Tij, as në emrat, as në cilësitë, as në veprat e Tij – sepse emrat e Tij janë të gjithë të bukur, cilësitë e Tij janë cilësi të përsosura dhe madhështore, dhe me veprat e Tij Ai solli në ekzistencë krijesa madhështore pa ndonjë ortak. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi; asgjë nga veprat e robërve dhe fjalët e tyre nuk i fshihet Atij, dhe Ai do t’i shpërblejë sipas tyre.

42:12

لَهُۥ مَقَالِيدُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ يَبْسُطُ ٱلرِّزْقَ لِمَن يَشَآءُ وَيَقْدِرُ ۚ إِنَّهُۥ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌۭ ١٢

Atij i përkasin çelësat e qiejve dhe të Tokës. Ai ia zgjeron furnizimin kujt të dojë dhe ia kufizon atë kujt të dojë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Atij, të Lartësuarit, i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës, dhe në Dorën e Tij janë çelësat e mëshirës dhe të furnizimit. Ai ia zgjeron furnizimin kujt të dojë prej robërve të Tij dhe ia ngushton kujt të dojë. Vërtet, i Bekuar dhe i Madhëruar është Ai, që di çdo gjë; asgjë nga çështjet e krijesave të Tij nuk i fshihet.

42:13

۞ شَرَعَ لَكُم مِّنَ ٱلدِّينِ مَا وَصَّىٰ بِهِۦ نُوحًۭا وَٱلَّذِىٓ أَوْحَيْنَآ إِلَيْكَ وَمَا وَصَّيْنَا بِهِۦٓ إِبْرَٰهِيمَ وَمُوسَىٰ وَعِيسَىٰٓ ۖ أَنْ أَقِيمُواْ ٱلدِّينَ وَلَا تَتَفَرَّقُواْ فِيهِ ۚ كَبُرَ عَلَى ٱلْمُشْرِكِينَ مَا تَدْعُوهُمْ إِلَيْهِ ۚ ٱللَّهُ يَجْتَبِىٓ إِلَيْهِ مَن يَشَآءُ وَيَهْدِىٓ إِلَيْهِ مَن يُنِيبُ ١٣

Ai ka caktuar për ju atë Fe, që i urdhëroi Nuhut, dhe atë që të kemi shpallur ty (o Muhamed), si dhe atë që i urdhëruam Ibrahimit, Musait dhe Isait: “Zbatoni Fenë dhe mos u përçani në të!” E rëndë u duket idhujtarëve ajo për të cilën i thërret ti. Por, Allahu zgjedh për Veten e Tij kë të dojë dhe udhëzon drejt Vetes së Tij atë që kthehet tek Ai (me pendim).13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Allahu ju ka caktuar ju – o njerëz – atë Fe, që Ne ta kemi shpallur ty, o Muhamed, e që është Islami; që ështëe njëjta Fe me të cilëm patëm porositur Nuhun ta vepronte dhe ta përcillte, dhe atë që i porositëm Ibrahimit, Musait dhe Isait – këta pesë janë të njohur si të Dërguarit më të vendosur. [Ai u tha atyre të dërguarve:] “Qëndroni në Fe, duke e njësuar Allahun dhe duke iu bindur Atij e duke e adhuruar vetëm Atë, e mos u përçani në fenë që ju urdhërova!” Shumë e rëndë duket për idhujtarët ajo në të cilën ti i fton – njësimi i Allahut dhe adhurimi vetëm i Tij; por Allahu zgjedh për njësim kë të dojë nga krijesat e Tij dhe ia mundëson bindjen e adhurimin atij që kthehet tek Ai me pendim e nënshtrim.

42:14

وَمَا تَفَرَّقُوٓاْ إِلَّا مِنۢ بَعْدِ مَا جَآءَهُمُ ٱلْعِلْمُ بَغْيًۢا بَيْنَهُمْ ۚ وَلَوْلَا كَلِمَةٌۭ سَبَقَتْ مِن رَّبِّكَ إِلَىٰٓ أَجَلٍۢ مُّسَمًّۭى لَّقُضِىَ بَيْنَهُمْ ۚ وَإِنَّ ٱلَّذِينَ أُورِثُواْ ٱلْكِتَـٰبَ مِنۢ بَعْدِهِمْ لَفِى شَكٍّۢ مِّنْهُ مُرِيبٍۢ ١٤

Ata nuk u përçanë, përveçse pasi u erdhi dituria, nga zilia mes tyre. E sikur të mos ishte Fjala e mëparshme nga Zoti yt (për shtyrjen e dënimit), deri në një afat të caktuar, do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre (me dënim). Edhe ata që trashëguan Librin pas tyre (hebrenjtë dhe të krishterët), janë në një dyshim të madh për të (Fenë e vërtetë).14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Idhujtarët nuk u përçanë në fetë e tyre dhe nuk u bënë grupe e parti, veçse pasi u erdhi dituria dhe pasi u vendosën argumentet kundër tyre; por ajo që i shtyu në këtë ishte padrejtësia dhe kryeneçësia. Sikur të mos ishte Fjala e mëparshme e Zotit tënd – o i Dërguar – për shtyrjen e dënimit deri në një afat të caktuar, që është Dita e Kiametit, do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre me shpejtimin e ndëshkimit të mohuesve. Edhe ata që trashëguan Teuratin dhe Inxhilin pas atyre që u përçanë në të vërtetën, prej idhujtarëve të popujve të mëparshëm gjenden edhe ata në dyshim për fenë dhe besimin e vërtetë që iu urdhërua Nuhut, dhe të dërguarve të tjerë pas tij, të zhytur në pasiguri dhe në kundërshti mes tyre.

42:15

فَلِذَٰلِكَ فَٱدْعُ ۖ وَٱسْتَقِمْ كَمَآ أُمِرْتَ ۖ وَلَا تَتَّبِعْ أَهْوَآءَهُمْ ۖ وَقُلْ ءَامَنتُ بِمَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ مِن كِتَـٰبٍۢ ۖ وَأُمِرْتُ لِأَعْدِلَ بَيْنَكُمُ ۖ ٱللَّهُ رَبُّنَا وَرَبُّكُمْ ۖ لَنَآ أَعْمَـٰلُنَا وَلَكُمْ أَعْمَـٰلُكُمْ ۖ لَا حُجَّةَ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمُ ۖ ٱللَّهُ يَجْمَعُ بَيْنَنَا ۖ وَإِلَيْهِ ٱلْمَصِيرُ ١٥

Pra, në këtë (Fe) thirr (njerëzit), dhe qëndro i palëkundur, ashtu siç je urdhëruar; dhe mos ndiq dëshirat e tyre! Dhe thuaj: “Unë besoj në çdo Libër që Allahu ka zbritur, dhe jam urdhëruar të gjykoj drejt mes jush. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Ne kemi veprat tona e ju keni veprat tuaja. S’ka debat mes nesh e mes jush. Allahu do të na mbledhë së bashku; dhe tek Ai është kthimi i të gjithëve.”15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Prandaj, në këtë fe të drejtë që Allahu ua shpalli pejgamberëve dhe i porositi për të, thirr – o i Dërguar – robërit e Allahut dhe qëndro i palëkundur, ashtu siç të urdhëroi Allahu. Mos ndiq dëshirat e atyre që dyshuan në të vërtetën dhe devijuan nga feja.

Thuaj: “Unë besoj në të gjitha Librat e shpallur nga Allahu tek të dërguarit e Tij, dhe Zoti im më ka urdhëruar që të gjykoj mes jush me drejtësi. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj; ne do të kemi shpërblimin e veprave tona të mira, kurse ju do të keni ndëshkimin e veprave tuaja të këqija. Nuk ka më armiqësi e as debat mes nesh dhe jush, pasi e vërteta është bërë e qartë. Allahu do të na mbledhë së bashku Ditën e Kiametit dhe do të gjykojë mes nesh me drejtësi për atë në të cilën kemi pasur kundërshti. Dhe tek Ai është kthimi dhe fundi ynë, e secili do të marrë atë që meriton.”

42:16

وَٱلَّذِينَ يُحَآجُّونَ فِى ٱللَّهِ مِنۢ بَعْدِ مَا ٱسْتُجِيبَ لَهُۥ حُجَّتُهُمْ دَاحِضَةٌ عِندَ رَبِّهِمْ وَعَلَيْهِمْ غَضَبٌۭ وَلَهُمْ عَذَابٌۭ شَدِيدٌ ١٦

Ata që polemizojnë për Allahun, pasi njerëzit iu përgjigjën Atij, argumentet e tyre janë të pavlefshme te Zoti i tyre; mbi ta ka zemërim dhe për ta do të ketë dënim të ashpër.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Ata (hebrenjtë) që polemizojnë për fenë e Allahut, me të cilën Ne e dërguam Muhamedin ﷺ, pasi njerëzit iu përgjigjën asaj dhe pranuan Islamin, argumentet dhe kundërshtimet e tyre janë të kota dhe të humbura tek Zoti i tyre. Për ta është zemërimi i Allahut në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të kenë dënim të ashpër – Zjarrin.

42:17

ٱللَّهُ ٱلَّذِىٓ أَنزَلَ ٱلْكِتَـٰبَ بِٱلْحَقِّ وَٱلْمِيزَانَ ۗ وَمَا يُدْرِيكَ لَعَلَّ ٱلسَّاعَةَ قَرِيبٌۭ ١٧

Allahu është Ai që e ka zbritur Librin me të vërtetën, dhe (ka zbritur) peshoren (drejtësinë). E ku ta dish ti, ndoshta Ora (e Kiametit) është afër?!17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Allahu është Ai që e zbriti Kuranin dhe të gjitha librat e shpallur me të vërtetën, dhe zbriti peshoren – që është drejtësia – që të gjykohet mes njerëzve me paanësi. E ç’të bën ty të dish e të kuptosh? Ndoshta Ora, dita kur do të ndodhë Kiameti, është afër?!

42:18

يَسْتَعْجِلُ بِهَا ٱلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ بِهَا ۖ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مُشْفِقُونَ مِنْهَا وَيَعْلَمُونَ أَنَّهَا ٱلْحَقُّ ۗ أَلَآ إِنَّ ٱلَّذِينَ يُمَارُونَ فِى ٱلسَّاعَةِ لَفِى ضَلَـٰلٍۭ بَعِيدٍ ١٨

Ata që nuk besojnë në të (Kiametin), kërkojnë që të vijë shpejt; ndërsa ata që besojnë, kanë frikë prej saj dhe e dinë se ajo është e vërtetë. Vërtet, ata që dyshojnë për Orën janë në humbje të largët.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Ata që nuk besojnë në Ditën e Kiametit, nxitohen ta kërkojnë ardhjen e saj, me tallje e përqeshje; ndërsa ata që besojnë, kanë frikë nga ardhja e saj dhe e dinë se ajo është e vërteta, për të cilën nuk ka dyshim. Vërtet, ata që polemizojnë për Kiametin janë në një humbje të largët nga e vërteta.

42:19

ٱللَّهُ لَطِيفٌۢ بِعِبَادِهِۦ يَرْزُقُ مَن يَشَآءُ ۖ وَهُوَ ٱلْقَوِىُّ ٱلْعَزِيزُ ١٩

Allahu është i Butë ndaj robërve të Tij. Ai furnizon kë të dojë. Ai është i Forti, i Plotfuqishmi.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Allahu është i Butë dhe i Mirë me robërit e Tij; Ai ia zgjeron furnizimin kujt të dojë dhe ia ngushton kujt të dojë, sipas urtësisë së Tij. Ai është i Forti, që zotëron gjithë fuqinë, dhe i Fuqishmi në hakmarrjen e Tij ndaj atyre që i bëjnë mëkat.

42:20

مَن كَانَ يُرِيدُ حَرْثَ ٱلْـَٔاخِرَةِ نَزِدْ لَهُۥ فِى حَرْثِهِۦ ۖ وَمَن كَانَ يُرِيدُ حَرْثَ ٱلدُّنْيَا نُؤْتِهِۦ مِنْهَا وَمَا لَهُۥ فِى ٱلْـَٔاخِرَةِ مِن نَّصِيبٍ ٢٠

Kush dëshiron të korrat e botës tjetër, Ne ia shtojmë atij të korrat e tij; e kush dëshiron të korrat e kësaj bote, Ne do t’i japim prej saj, por në botën tjetër nuk ka pjesë për të.20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Kush dëshiron me veprat e tij shpërblimin e botës tjetër dhe kryen detyrimet ndaj Allahut, duke shpenzuar në thirrjen për fenë, Ne ia shtojmë veprën e tij të mirë, duke ia shumëfishuar shpërblimin nga dhjetëfish e deri sa të dojë Allahu nga shumëfishimi. Ndërsa kush e dëshiron me veprat e tij vetëm këtë botë, Ne i japim prej saj aq sa i kemi caktuar, por në botën tjetër ai nuk do të ketë aspak shpërblim.

42:21

أَمْ لَهُمْ شُرَكَـٰٓؤُاْ شَرَعُواْ لَهُم مِّنَ ٱلدِّينِ مَا لَمْ يَأْذَنۢ بِهِ ٱللَّهُ ۚ وَلَوْلَا كَلِمَةُ ٱلْفَصْلِ لَقُضِىَ بَيْنَهُمْ ۗ وَإِنَّ ٱلظَّـٰلِمِينَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ ٢١

A mos kanë ata zota, që u kanë ligjëruar atyre një fe, të cilën Allahu nuk e ka lejuar? Sikur të mos ishte Fjala Vendimtare (e shtyrjes së dënimit deri në një afat), do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre. Vërtet, për të padrejtët do të ketë një dënim të dhembshëm.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Vallë, a kanë këta idhujtarë ortakë me Allahun në shirkun dhe humbjen e tyre, të cilët shpikën për ta fe dhe adhurime që Allahu nuk i ka lejuar?! Sikur të mos ishte caktimi dhe vendimi i Allahut për t’u dhënë afat dhe për të mos ua shpejtuar dënimin në këtë botë, do të ishte gjykuar menjëherë mes tyre me ndëshkim. E vërteta është se për mohuesit e Allahut, Ditën e Kiametit ka një dënim të dhimbshëm dhe të rëndë.

42:22

تَرَى ٱلظَّـٰلِمِينَ مُشْفِقِينَ مِمَّا كَسَبُواْ وَهُوَ وَاقِعٌۢ بِهِمْ ۗ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ فِى رَوْضَاتِ ٱلْجَنَّاتِ ۖ لَهُم مَّا يَشَآءُونَ عِندَ رَبِّهِمْ ۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلْفَضْلُ ٱلْكَبِيرُ ٢٢

Do t’i shohësh të padrejtët të frikësuar, për atë që kanë punuar, dhe ndëshkimi Ynë do të jetë i pashmangshëm për ta. Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të jenë në kopshte të Xhenetit; për ta do të ketë çdo gjë që dëshirojnë, te Zoti i tyre. Kjo është mirësia më e madhe.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Ti – o i Dërguar – do t’i shohësh mohuesit Ditën e Kiametit të frikësuar nga ndëshkimi i Allahut për veprat e këqija që kanë bërë në këtë botë; dënimi do të zbresë mbi ta dhe ata do ta shijojnë atë patjetër. Ndërsa ata që besuan Allahun dhe iu bindën Allahut, do të jenë në kopshtet e Xhenetit, në pallatet dhe në begatitë e botës tjetër; aty do të kenë pranë Zotit të tyre gjithçka që dëshirojnë shpirtrat e tyre. Ky shpërblim që Allahu ua ka dhënë është një mirësi dhe nder i pakrahasueshëm, që mendjet nuk mund ta përshkruajnë dhe as ta përfshijnë.

42:23

ذَٰلِكَ ٱلَّذِى يُبَشِّرُ ٱللَّهُ عِبَادَهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ ۗ قُل لَّآ أَسْـَٔلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا ٱلْمَوَدَّةَ فِى ٱلْقُرْبَىٰ ۗ وَمَن يَقْتَرِفْ حَسَنَةًۭ نَّزِدْ لَهُۥ فِيهَا حُسْنًا ۚ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ شَكُورٌ ٢٣

Kjo është ajo, me të cilën Allahu i përgëzon robërit e Tij, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Thuaj: “Unë nuk ju kërkoj për këtë ndonjë shpërblim, përveç respektit për lidhjen tonë farefisnore.” Kushdo që bën vepër të mirë, Ne do t’ia shtojmë të mirat. Vërtet, Allahu është Falës i Madh, Shumë Mirënjohës.23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Kjo që ju tregova – o njerëz – nga begatia dhe nderimi në botën tjetër është përgëzimi që Allahu ua jep robërve të Tij që besuan tek Ai dhe iu bindën në këtë botë. Thuaju – o i Dërguar – atyre që dyshojnë për Ditën e Kiametit nga idhujtarët e popullit tënd: “Unë nuk ju kërkoj shpërblim për atë të vërtetë në të cilën ju ftoj, përveçse të më doni për afërsinë që kam me ju dhe të ruani lidhjet farefisnore që ekzistojnë mes nesh.” Kush bën një vepër të mirë, Ne ia shumëfishojmë atë dhjetëfish e më shumë. Vërtet, Allahu është Falës i mëkateve të robërve të Tij dhe është Mirënjohës për veprat e mira dhe bindjen e tyre ndaj Tij.

42:24

أَمْ يَقُولُونَ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًۭا ۖ فَإِن يَشَإِ ٱللَّهُ يَخْتِمْ عَلَىٰ قَلْبِكَ ۗ وَيَمْحُ ٱللَّهُ ٱلْبَـٰطِلَ وَيُحِقُّ ٱلْحَقَّ بِكَلِمَـٰتِهِۦٓ ۚ إِنَّهُۥ عَلِيمٌۢ بِذَاتِ ٱلصُّدُورِ ٢٤

Apo mos thonë: “Ai (Muhamedi) ka shpifur gënjeshtër kundër Allahut”? Nëse do të donte Allahu, do ta vuloste zemrën tënde (sikur ta kishe bërë këtë)! Allahu e fshin të pavërtetën dhe e vërteton të vërtetën me fjalët e Tij. Ai është i Dijshëm për atë që fshehin zemrat.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Vallë, a thonë këta idhujtarë: “Muhamedi ka trilluar gënjeshtër ndaj Allahut dhe na e lexon këtë nga vetja e tij?” Sikur të dojë Allahu, Ai do të vuloste zemrën tënde – o i Dërguar – nëse do ta kishe bërë një gjë të tillë. Por Allahu e zhduk të kotën dhe e shuan atë, dhe e bën të vërtetën të dukshme me fjalët e Tij që nuk ndryshojnë kurrë dhe me premtimin e Tij të sinqertë që nuk prishet. Vërtet, Allahu e di mirë atë që gjendet në zemrat e robërve; asgjë prej tyre nuk i fshihet Atij.

42:25

وَهُوَ ٱلَّذِى يَقْبَلُ ٱلتَّوْبَةَ عَنْ عِبَادِهِۦ وَيَعْفُواْ عَنِ ٱلسَّيِّـَٔاتِ وَيَعْلَمُ مَا تَفْعَلُونَ ٢٥

Ai e pranon pendimin nga robërit e Tij, fal gjynahet dhe e di mirë çfarë veproni.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Allahu, i Lartësuari, është Ai që pranon pendimin e robërve të Tij kur ata kthehen në Njësimin e Allahut dhe në bindjen ndaj Tij; Ai fal të këqijat dhe i di mirë veprat që ju bëni – qoftë të mira apo të këqija – asgjë prej tyre nuk i fshihet Atij, dhe Ai do t’ju shpërblejë sipas tyre.

42:26

وَيَسْتَجِيبُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ وَيَزِيدُهُم مِّن فَضْلِهِۦ ۚ وَٱلْكَـٰفِرُونَ لَهُمْ عَذَابٌۭ شَدِيدٌۭ ٢٦

Ai u përgjigjet atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe ua shton atyre shpërblimin nga mirësia e Tij; kurse mohuesit do të kenë dënim të ashpër.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Allahu i përgjigjet lutjeve të atyre që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ashtu si i përgjigjen ata Zotit të tyre për atë në të cilën Ai i thirri dhe i binden Atij; dhe Ai ua shton nga mirësia e Tij udhëzimin dhe ua shumëfishon shpërblimin e tyre. Ndërsa mohuesit e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, për ta Ditën e Kiametit ka një dënim të ashpër, të dhimbshëm dhe të rëndë.

42:27

۞ وَلَوْ بَسَطَ ٱللَّهُ ٱلرِّزْقَ لِعِبَادِهِۦ لَبَغَوْاْ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَـٰكِن يُنَزِّلُ بِقَدَرٍۢ مَّا يَشَآءُ ۚ إِنَّهُۥ بِعِبَادِهِۦ خَبِيرٌۢ بَصِيرٌۭ ٢٧

Sikur Allahu t’ua zgjeronte furnizimin robërve të Tij, ata do të bënin tirani në Tokë; por Ai e zbrit atë me masë, sipas dëshirës së Tij. Vërtet, Ai i njeh mirë dhe i sheh mirë robërit e Vet.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Sikur Allahu t’ua zgjeronte furnizimin robërve të Tij dhe t’ua jepte atë me bollëk të madh, ata do të bëheshin tiranë në tokë me mendjemadhësi e teprime, dhe disa prej tyre do të shtypnin të tjerët. Por Allahu ua jep furnizimin e tyre me masë, aq sa dëshiron, për t’u mjaftuar. Vërtet, Ai i njeh mirë robërit e Tij dhe e di mirë çfarë u sjell dobi apo dëm atyre; i Gjithëdijshëm në rregullimin dhe drejtimin e gjendjes së tyre.

42:28

وَهُوَ ٱلَّذِى يُنَزِّلُ ٱلْغَيْثَ مِنۢ بَعْدِ مَا قَنَطُواْ وَيَنشُرُ رَحْمَتَهُۥ ۚ وَهُوَ ٱلْوَلِىُّ ٱلْحَمِيدُ ٢٨

Është Ai që e dërgon shiun, pasi ata kanë humbur shpresën, dhe përhap mëshirën e Vet. Ai është Mbrojtësi, i Denji për lavdërim.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Vetëm Allahu është Ai që e zbret shiun nga qielli dhe i furnizon njerëzit me të, pasi ata humbin shpresën për zbritjen e tij. Ai e shpërndan mëshirën e Tij mbi krijesat, duke i përfshirë të gjithë me këtë begati. Ai është Mbrojtësi, që kujdeset për robërit e Tij me mirësinë dhe dhuntinë e Tij, dhe i Lavdëruari për kujdesin dhe urtësinë në drejtimin e tyre.

42:29

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦ خَلْقُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَمَا بَثَّ فِيهِمَا مِن دَآبَّةٍۢ ۚ وَهُوَ عَلَىٰ جَمْعِهِمْ إِذَا يَشَآءُ قَدِيرٌۭ ٢٩

Nga shenjat e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, dhe i gjallesave që Ai ka shpërndarë në to; Ai është i Fuqishëm t’i mbledhë ato, kur të dojë.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Ndër shenjat e Tij që tregojnë madhështinë, fuqinë dhe sundimin e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës pa ndonjë shembull të mëparshëm, dhe ajo që Ai ka shpërndarë në to nga llojet e ndryshme të gjallesave. Ai është i Fuqishëm t’i mbledhë krijesat pas vdekjes së tyre për qëndrimin në Ditën e Kiametit; asgjë nuk është e pamundur për Të.

42:30

وَمَآ أَصَـٰبَكُم مِّن مُّصِيبَةٍۢ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُواْ عَن كَثِيرٍۢ ٣٠

Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është për shkak të asaj që kanë punuar duart tuaja; madje, Ai fal shumë (gabime).30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Çfarëdo fatkeqësie që ju godet – o njerëz – në fenë apo në jetën tuaj, është për shkak të asaj që keni fituar me gjynahet dhe gabimet tuaja. Megjithëse, Zoti juaj fal shumë prej të këqijave tuaja dhe nuk ju ndëshkon për to.

42:31

وَمَآ أَنتُم بِمُعْجِزِينَ فِى ٱلْأَرْضِ ۖ وَمَا لَكُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ مِن وَلِىٍّۢ وَلَا نَصِيرٍۢ ٣١

Ju nuk mund t’i shpëtoni Atij në Tokë; dhe përveç Allahut, nuk keni as mbrojtës, as ndihmues.31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

Ju – o njerëz – nuk mund t’i shpëtoni dot fuqisë së Allahut e as ta shmangni Atë. Përveç Allahut, nuk keni as mbrojtës që të kujdeset për çështjet tuaja dhe t’ju sjellë dobi, e as ndihmës që t’ju mbrojë nga dëmet.

42:32

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِ ٱلْجَوَارِ فِى ٱلْبَحْرِ كَٱلْأَعْلَـٰمِ ٣٢

Nga shenjat e Tij janë anijet (e mëdha) si male, që lundrojnë në det.32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

Ndër shenjat e Allahut, që tregojnë fuqinë e Tij madhështore dhe sundimin e Tij mbizotërues, janë anijet e mëdha si male që lundrojnë në det.

42:33

إِن يَشَأْ يُسْكِنِ ٱلرِّيحَ فَيَظْلَلْنَ رَوَاكِدَ عَلَىٰ ظَهْرِهِۦٓ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّكُلِّ صَبَّارٍۢ شَكُورٍ ٣٣

Nëse Ai do të donte, do ta ndalte erën dhe ato (anijet) do të mbeteshin të palëvizshme mbi sipërfaqen e detit. Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe mirënjohës.33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

Nëse Allahu, i Cili i bëri ato të lundrojnë në det, do të dëshironte, do ta ndalte erën dhe anijet do të qëndronin të palëvizshme mbi sipërfaqen e detit. Në lundrimin e këtyre anijeve dhe në ndalimin e tyre me fuqinë e Allahut, ka këshilla dhe argumente të qarta për fuqinë e Tij, për çdo njeri që është i durueshëm në bindjen ndaj Allahut dhe mirënjohës për mirësitë dhe dhuntitë e Tij.

42:34

أَوْ يُوبِقْهُنَّ بِمَا كَسَبُواْ وَيَعْفُ عَن كَثِيرٍۢ ٣٤

Ose, Ai mund t’i shkatërrojë ato (anijet) për shkak të asaj që kanë punuar njerëzit (që janë mbi to); por, Ai fal shumë.34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Ose, Ai mund t’i shkatërrojë anijet duke i fundosur, për shkak të mëkateve të njerëzve që janë mbi to; por Ai fal shumë prej gjynaheve dhe nuk i ndëshkon për to.

42:35

وَيَعْلَمَ ٱلَّذِينَ يُجَـٰدِلُونَ فِىٓ ءَايَـٰتِنَا مَا لَهُم مِّن مَّحِيصٍۢ ٣٥

Që ta dinë ata që polemizojnë për shenjat Tona, se nuk kanë asnjë vend shpëtimi.35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Dhe do ta kuptojnë ata që polemizojnë me të kotën kundër ajeteve Tona, të cilat tregojnë Njësinë Tonë, se nuk kanë asnjë rrugë shpëtimi dhe as strehim nga ndëshkimi i Allahut, kur Ai t’i dënojë për gjynahet dhe mohimin e tyre ndaj Tij.

42:36

فَمَآ أُوتِيتُم مِّن شَىْءٍۢ فَمَتَـٰعُ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۖ وَمَا عِندَ ٱللَّهِ خَيْرٌۭ وَأَبْقَىٰ لِلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَلَىٰ رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ ٣٦

Çfarëdo që ju është dhënë, është kënaqësi e përkohshme e kësaj jete; por, ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e qëndrueshme për ata që besojnë dhe që mbështeten tek Zoti i tyre;36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Çfarëdo që ju është dhënë – o njerëz – nga pasuria, fëmijët ose të tjera, është vetëm një mjet kënaqësie për ju në jetën e kësaj bote, që shpejt kalon e zhduket. Ndërsa ajo që është tek Allahu, prej begative të Xhenetit të përjetshëm, është më e mirë dhe më e qëndrueshme për ata që besuan Allahun dhe të dërguarit e Tij, dhe që u mbështetën vetëm te Zoti i tyre;

42:37

وَٱلَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَـٰٓئِرَ ٱلْإِثْمِ وَٱلْفَوَٰحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُواْ هُمْ يَغْفِرُونَ ٣٧

për ata që shmangen nga gjynahet e mëdha dhe veprat e turpshme, dhe kur zemërohen, ata falin;37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

Për ata që i shmangen mëkateve të mëdha që Allahu i ka ndaluar dhe gjynaheve të shëmtuara e të neveritshme, dhe kur zemërohen ndaj atij që u ka bërë padrejtësi, ata e falin dhe e lënë ndëshkimin e tij, duke kërkuar shpërblimin dhe faljen e Allahut të Madhëruar. Kjo është prej virtyteve më të larta të moralit.

42:38

وَٱلَّذِينَ ٱسْتَجَابُواْ لِرَبِّهِمْ وَأَقَامُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَأَمْرُهُمْ شُورَىٰ بَيْنَهُمْ وَمِمَّا رَزَقْنَـٰهُمْ يُنفِقُونَ ٣٨

për ata që i përgjigjen Zotit të tyre, e falin namazin, çështjet e tyre i zgjidhin me këshillim ndërmjet tyre, dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë, ata japin;38

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre, kur Ai i thirret në njësimin dhe bindjen ndaj Tij, dhe kryejnë namazin e detyruar me kufijtë e tij dhe në kohët e tij; dhe kur dëshirojnë të marrin një vendim për ndonjë çështje, këshillohen mes tyre; dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë prej pasurisë, japin lëmoshë në rrugë të Allahut dhe përmbushin të drejtat që Allahu ua ka bërë detyrim – nga zekati, shpenzimet dhe format e tjera të shpërndarjes së pasurisë.

42:39

وَٱلَّذِينَ إِذَآ أَصَابَهُمُ ٱلْبَغْىُ هُمْ يَنتَصِرُونَ ٣٩

dhe për ata që kur u bëhet padrejtësi, ata marrin hakun e tyre me drejtësi.39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Dhe për ata që, kur u bëhet padrejtësi, marrin hak ndaj atyre që u kanë bërë zullum, pa kaluar kufijtë; por nëse tregohen të durueshëm, pas durimit të tyre ka shumë të mira.

42:40

وَجَزَٰٓؤُاْ سَيِّئَةٍۢ سَيِّئَةٌۭ مِّثْلُهَا ۖ فَمَنْ عَفَا وَأَصْلَحَ فَأَجْرُهُۥ عَلَى ٱللَّهِ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٤٠

Kompensimi i së keqes është një e keqe e barabartë me të; por kush fal dhe kërkon pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.40

Komentimi 1 shënim

Shënimi 40

Dënimi i një të keqeje është ndëshkimi me një të keqe të ngjashme, pa e tejkaluar atë. Por kush e fal keqbërësin, e lë ndëshkimin dhe përpiqet të përmirësojë marrëdhënien mes tij dhe atij që e fali, duke e bërë këtë për hir të Allahut, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Allahu nuk i do të padrejtët, ata që nisin padrejtësinë ndaj njerëzve dhe u bëjnë keq atyre.

42:41

وَلَمَنِ ٱنتَصَرَ بَعْدَ ظُلْمِهِۦ فَأُوْلَـٰٓئِكَ مَا عَلَيْهِم مِّن سَبِيلٍ ٤١

E kush merr hakun, pasi i është bërë padrejtësi, për të nuk ka asnjë qortim.41

Komentimi 1 shënim

Shënimi 41

E kush merr hak ndaj atij që i ka bërë padrejtësi, pasi është dëmtuar prej tij, për këta nuk ka ndëshkim e as qortim.

42:42

إِنَّمَا ٱلسَّبِيلُ عَلَى ٱلَّذِينَ يَظْلِمُونَ ٱلنَّاسَ وَيَبْغُونَ فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ ٤٢

Qortimi është vetëm ndaj atyre që u bëjnë padrejtësi njerëzve dhe veprojnë në Tokë pa të drejtë. Për ata ka një dënim të dhembshëm.42

Komentimi 1 shënim

Shënimi 42

Ndëshkimi është vetëm për ata që i tejkalojnë kufijtë ndaj njerëzve me padrejtësi e armiqësi, dhe kalojnë kufirin që Zoti i tyre u ka lejuar, duke shkuar në atë që Ai nuk ua ka lejuar, dhe bëjnë shkatërrime në tokë pa të drejtë. Për këta, Ditën e Kiametit ka një dënim të dhembshëm e të rëndë.

42:43

وَلَمَن صَبَرَ وَغَفَرَ إِنَّ ذَٰلِكَ لَمِنْ عَزْمِ ٱلْأُمُورِ ٤٣

Por, kush duron dhe fal - me të vërtetë, kjo është nga vendimet madhështore.43

Komentimi 1 shënim

Shënimi 43

E kush e duron lëndimin, dhe e përballon të keqen me falje, mirëkuptim dhe mbulim, kjo është prej vendimeve madhështore dhe veprave të lavdëruara që Allahu i ka urdhëruar, dhe për të cilat ka caktuar shpërblim të madh dhe lavdërim të mirë.

42:44

وَمَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَمَا لَهُۥ مِن وَلِىٍّۢ مِّنۢ بَعْدِهِۦ ۗ وَتَرَى ٱلظَّـٰلِمِينَ لَمَّا رَأَوُاْ ٱلْعَذَابَ يَقُولُونَ هَلْ إِلَىٰ مَرَدٍّۢ مِّن سَبِيلٍۢ ٤٤

E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka asnjë mbrojtës pas Tij. Do t’i shohësh të padrejtët, kur ta shohin dënimin, të thonë: “A ka ndonjë rrugë kthimi?”44

Komentimi 1 shënim

Shënimi 44

E atë që Allahu e lë në humbje nga rruga e drejtë, për shkak të padrejtësisë së tij, nuk ka kush ta ndihmojë për ta udhëzuar në rrugën e shpëtimit. Dhe ti – o i Dërguar – do t’i shohësh mohuesit e Allahut Ditën e Kiametit, kur të shohin dënimin, duke i thënë Zotit të tyre: “A ka ndonjë rrugë që të kthehemi në dynja, që të veprojmë në bindjen Tënde?” Por nuk do t’u përgjigjet kjo kërkesë.

42:45

وَتَرَىٰهُمْ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا خَـٰشِعِينَ مِنَ ٱلذُّلِّ يَنظُرُونَ مِن طَرْفٍ خَفِىٍّۢ ۗ وَقَالَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِنَّ ٱلْخَـٰسِرِينَ ٱلَّذِينَ خَسِرُوٓاْ أَنفُسَهُمْ وَأَهْلِيهِمْ يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ ۗ أَلَآ إِنَّ ٱلظَّـٰلِمِينَ فِى عَذَابٍۢ مُّقِيمٍۢ ٤٥

Do t’i shohësh ata duke u sjellë para Zjarrit, të përulur nga poshtërimi, duke parë fshehurazi me bisht të syrit. Ndërsa ata që besuan do të thonë: “Humbësit e vërtetë janë ata që e humbën veten e tyre dhe familjet e tyre, në Ditën e Kiametit.” Vërtet, keqbërësit do të jenë në dënim të përhershëm.45

Komentimi 1 shënim

Shënimi 45

Ti – o i Dërguar – do t’i shohësh këta keqbërës teksa paraqiten përballë Zjarrit, të nënshtruar e të poshtëruar, duke hedhur shikime të fshehta e të frikësuara drejt tij, nga tmerri dhe turpi. Ndërsa ata që besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, kur të jenë në Xhenet dhe të shohin çfarë i ka goditur mohuesit nga humbja, do të thonë: “Humbësit e vërtetë janë ata që humbën veten e tyre dhe familjet e tyre Ditën e Kiametit, duke hyrë në zjarr.” Vërtet, të padrejtët, Ditën e Kiametit, do të jenë në një dënim të përhershëm, i cili nuk ndërpritet dhe nuk largohet prej tyre.

42:46

وَمَا كَانَ لَهُم مِّنْ أَوْلِيَآءَ يَنصُرُونَهُم مِّن دُونِ ٱللَّهِ ۗ وَمَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَمَا لَهُۥ مِن سَبِيلٍ ٤٦

Ata nuk do të kenë ndonjë mbrojtës që t’i ndihmojë, përveç Allahut. Për atë, që Allahu e lë në humbje, nuk ka asnjë rrugë shpëtimi.46

Komentimi 1 shënim

Shënimi 46

Kur Allahu t’i dënojë mohuesit në Ditën e Kiametit, ata nuk do të kenë ndihmës e as mbrojtës që t’i shpëtojnë prej dënimit të Allahut. Atë që Allahu e lë në humbje, për shkak të mohimit dhe padrejtësisë së tij, për të nuk ka asnjë rrugë që ta shpjerë në të vërtetën në këtë botë, dhe në Xhenet në botën tjetër; sepse të gjitha rrugët e shpëtimit i janë mbyllur. Udhëzimi dhe humbja janë në Dorën e Tij, të Lartësuarit, dhe të askujt tjetër.

42:47

ٱسْتَجِيبُواْ لِرَبِّكُم مِّن قَبْلِ أَن يَأْتِىَ يَوْمٌۭ لَّا مَرَدَّ لَهُۥ مِنَ ٱللَّهِ ۚ مَا لَكُم مِّن مَّلْجَإٍۢ يَوْمَئِذٍۢ وَمَا لَكُم مِّن نَّكِيرٍۢ ٤٧

Përgjigjuni Zotit tuaj, para se të vijë një Ditë, të cilën asgjë nuk mund ta kthejë mbrapsht nga Allahu. Atë Ditë, nuk do të keni as strehim, as mundësi për të mohuar.47

Komentimi 1 shënim

Shënimi 47

Përgjigjuni Zotit tuaj – o mohues – me besim dhe bindje, përpara se të vijë Dita e Kiametit, të cilën askush nuk mund ta kthejë mbrapsht. Atë ditë nuk do të keni strehim që t’ju shpëtojë nga dënimi, as vend ku të fshiheni e të mohoni. - Ky ajet është dëshmi për qortimin e zvarritjes dhe për urdhrin që njeriu të nxitojë drejt çdo vepre të mirë që i del përpara, sepse vonesa ka pasoja dhe pengesa.

42:48

فَإِنْ أَعْرَضُواْ فَمَآ أَرْسَلْنَـٰكَ عَلَيْهِمْ حَفِيظًا ۖ إِنْ عَلَيْكَ إِلَّا ٱلْبَلَـٰغُ ۗ وَإِنَّآ إِذَآ أَذَقْنَا ٱلْإِنسَـٰنَ مِنَّا رَحْمَةًۭ فَرِحَ بِهَا ۖ وَإِن تُصِبْهُمْ سَيِّئَةٌۢ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيهِمْ فَإِنَّ ٱلْإِنسَـٰنَ كَفُورٌۭ ٤٨

Nëse ata kthejnë shpinën, – Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) rojtar të tyre. Detyra jote është vetëm të përcjellësh mesazhin. Kur Ne i japim njeriut një mëshirë nga Ne, ai gëzohet me të; por kur e godet ndonjë e keqe, për shkak të asaj që kanë bërë duart e tij, njeriu bëhet mosmirënjohës i vërtetë.48

Komentimi 1 shënim

Shënimi 48

Nëse këta idhujtarë – o i Dërguar – kthejnë shpinën nga besimi në Allahun - Ne nuk të kemi dërguar mbi ta si ruajtës që t’i të mbash përgjegjësi për veprat e tyre; detyra jote është vetëm përcjellja e mesazhit. Dhe kur Ne i japim njeriut një mëshirë prej Nesh – si pasuri, bollëk apo të tjera mirësi – ai gëzohet e krenohet. Por kur e godet ndonjë fatkeqësi – si varfëri, sëmundje ose sprova të tjera – për shkak të mëkateve që kanë bërë duart e tij kundër Allahut, atëherë ai bëhet mosmirënjohës, përmend vetëm sprovat dhe harron mirësitë.

42:49

لِّلَّهِ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ يَخْلُقُ مَا يَشَآءُ ۚ يَهَبُ لِمَن يَشَآءُ إِنَـٰثًۭا وَيَهَبُ لِمَن يَشَآءُ ٱلذُّكُورَ ٤٩

Allahut i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës. Ai krijon çfarë të dojë; i dhuron kujt të dojë vajza, dhe i dhuron kujt të dojë djem;49

Komentimi 1 shënim

Shënimi 49

Allahu i Madhëruar është Sunduesi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet në to. Ai krijon ç’të dojë nga krijesat. Ai i dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij vetëm vajza, pa djem; dhe i dhuron kujt të dojë vetëm djem, pa vajza.

42:50

أَوْ يُزَوِّجُهُمْ ذُكْرَانًۭا وَإِنَـٰثًۭا ۖ وَيَجْعَلُ مَن يَشَآءُ عَقِيمًا ۚ إِنَّهُۥ عَلِيمٌۭ قَدِيرٌۭ ٥٠

ose u jep atyre çifte – djem e vajza, dhe bën të pafrytshëm (që nuk lind fëmijë) kë të dojë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm, i Plotfuqishëm.50

Komentimi 1 shënim

Shënimi 50

Ai i jep kujt të dojë nga njerëzit si djem ashtu edhe vajza, dhe bën që të mbetet pa fëmijë kë do Ai, duke mos i dhënë pasardhës. Vërtet, Ai është i Dijshëm për atë që krijon dhe i Fuqishëm për të krijuar çfarë të dojë; asgjë nuk e pengon Atë në krijimin që dëshiron.

42:51

۞ وَمَا كَانَ لِبَشَرٍ أَن يُكَلِّمَهُ ٱللَّهُ إِلَّا وَحْيًا أَوْ مِن وَرَآئِ حِجَابٍ أَوْ يُرْسِلَ رَسُولًۭا فَيُوحِىَ بِإِذْنِهِۦ مَا يَشَآءُ ۚ إِنَّهُۥ عَلِىٌّ حَكِيمٌۭ ٥١

Nuk i është dhënë asnjë njeriu që Allahu t’i flasë ndryshe, veçse me anë të frymëzimit, ose nga pas një perdeje, ose duke dërguar një të dërguar (engjëll), i cili shpall me lejen e Tij çfarë të dojë Ai. Vërtet, Ai është i Lartë, i Urtë.51

Komentimi 1 shënim

Shënimi 51

Nuk i është dhënë asnjë njeriu nga bijtë e Ademit, që Allahu t’i flasë ndryshe veçse me frymëzim (shpallje) që Ai ia shpall, ose duke i folur nga pas një perdeje – siç i foli Allahu Musait – ose duke dërguar një engjëll, si Xhibrilin, tek ai që është i dërguar, i cili, me lejen e Zotit të tij, i shpall atë që Allahu do, jo nga vetja e tij. Vërtet, Allahu është i Lartë – në Qenien, emrat, cilësitë dhe veprat e Tij – ka nënshtruar çdo gjë dhe krijesat i janë dorëzuar Atij. Ai është i Urtë në drejtimin e çështjeve të krijesave të Tij. - Ky ajet është dëshmi për cilësinë e të folurit të Allahut, ashtu siç i takon madhështisë dhe lavdisë së Tij të lartë.

42:52

وَكَذَٰلِكَ أَوْحَيْنَآ إِلَيْكَ رُوحًۭا مِّنْ أَمْرِنَا ۚ مَا كُنتَ تَدْرِى مَا ٱلْكِتَـٰبُ وَلَا ٱلْإِيمَـٰنُ وَلَـٰكِن جَعَلْنَـٰهُ نُورًۭا نَّهْدِى بِهِۦ مَن نَّشَآءُ مِنْ عِبَادِنَا ۚ وَإِنَّكَ لَتَهْدِىٓ إِلَىٰ صِرَٰطٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ ٥٢

Po kështu, Ne të kemi shpallur ty një Shpirt (Shpallje) me urdhrin Tonë. Ti nuk e dije më parë se ç’ishte Libri dhe as besimi, por Ne e bëmë atë (Kuranin) një Dritë, me të cilën udhëzojmë kë të duam prej robërve Tanë. Dhe padyshim, ti udhëzon drejt një Rruge të Drejtë.52

Komentimi 1 shënim

Shënimi 52

Ashtu siç i shpallëm të Dërguarve para teje – o Muhamed – Ne ta shpallëm ty një Kuran prej Nesh. Ti, para tij, nuk dije as për Librat e mëparshëm, as për besimin, as për Ligjet hyjnore. Por Ne e bëmë Kuranin një dritë për njerëzit, me të cilën udhëzojmë kë të duam prej robërve Tanë në Rrugën e Drejtë. Dhe ti – o i Dërguar – me lejen e Allahut, udhëzon dhe orienton drejt rrugës së drejtë, që është Islami,

42:53

صِرَٰطِ ٱللَّهِ ٱلَّذِى لَهُۥ مَا فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۗ أَلَآ إِلَى ٱللَّهِ تَصِيرُ ٱلْأُمُورُ٥٣

Drejt Rrugës së Allahut, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe gjithçka që ndodhet në Tokë. Padyshim, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.53

Komentimi 1 shënim

Shënimi 53

Drejt Rrugës së Allahut, të Cilit i përket sundimi i gjithçkaje që është në qiej dhe në Tokë; nuk ka asnjë ortak në këtë. Padyshim, tek Allahu – o njerëz – kthehen të gjitha çështjet tuaja, të mirat dhe të këqijat, dhe Ai do ta shpërblejë secilin sipas veprës së tij: nëse është mirë, atëherë me të mirë; dhe nëse është keq, atëherë me të keq.

Esh Shura · 53 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi