KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 30

Er Rum Romakët

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 60 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

30:1

الٓمٓ ١

Elif Lâm Mîm.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Këto janë nga shkronjat e ndara (huruf muqatta‘a) që gjenden në fillim të disa sureve të Kuranit. Është përmendur më parë shpjegimi i tyre në hyrje të Sures El-Bekare; Allahu e di më së miri qëllimin e tyre, ndërsa dijetarët kanë thënë se ato janë prej mistereve të Kuranit, të cilat tregojnë madhështinë e librit hyjnor dhe se ky libër i shenjtë është i përbërë nga këto shkronja, të cilat arabët i njohin, por megjithatë nuk janë në gjendje të sjellin diçka si ai.

30:2

غُلِبَتِ ٱلرُّومُ ٢

Romakët u mundën,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Persët i mundën Romakët e Perandorisë Bizantine (në vitin 615 të erës sonë).

30:3

فِىٓ أَدْنَى ٱلْأَرْضِ وَهُم مِّنۢ بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَ ٣

në tokën më të ulët; por ata, pas kësaj disfate të tyre, do të fitojnë,3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

në tokën më të afërt të Shamit drejt Persisë, apo në vendin më të ulët të Tokës nga niveli i Detit; por Romakët do t’i mundin Persët,

30:4

فِى بِضْعِ سِنِينَ ۗ لِلَّهِ ٱلْأَمْرُ مِن قَبْلُ وَمِنۢ بَعْدُ ۚ وَيَوْمَئِذٍۢ يَفْرَحُ ٱلْمُؤْمِنُونَ ٤

brenda disa vitesh. Çështja është e Allahut, si më parë, ashtu edhe më pas. Dhe atë ditë, do të gëzohen besimtarët,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

por Romakët do t’i mundin Persët brenda një periudhe kohore që nuk do të kalojë dhjetë vjet dhe nuk do të jetë më pak se tre. Allahut të Madhëruar i përket urdhri dhe vendimi para fitores së Romakëve dhe pas saj. Dhe në ditën kur Romakët do të fitojnë mbi Persët, besimtarët do të gëzohen me ndihmën e Allahut.

30:5

بِنَصْرِ ٱللَّهِ ۚ يَنصُرُ مَن يَشَآءُ ۖ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلرَّحِيمُ ٥

për ndihmën e Allahut. Ai e ndihmon kë të dojë, dhe Ai është i Plotfuqishmi, Mëshirëploti.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Besimtarët do të gëzohen me ndihmën e Allahut që u dha fitoren Romakëve mbi Persët, dhe vetë atyre kundër idhujtarëve të Mekes në luftën e Bedrit; Allahu i Lartësuar i jep fitore kujt të dojë dhe e lë pa ndihmë kë të dojë; Ai është i Plotfuqishmi që nuk mposhtet, i Mëshirshmi ndaj kujt të dojë prej krijesave të Tij. Dhe vërtet, kjo ndodhi: Romakët i mundën Persët pas shtatë vitesh, dhe myslimanët u gëzuan për këtë fitore, pasi Romakët ishin ithtarë të Librit, edhe pse e kishin shtrembëruar atë; dhe Xhibrili i njoftoi ata për fitoren e Romakëvë kundër Persëve pikërisht në kohën kur besimtarët fituan kundër idhujtarëve të Mekes në Luftën e Bedrit, kështu që u gëzuan dyfish për fitoret kundër idhujtarëve.

30:6

وَعْدَ ٱللَّهِ ۖ لَا يُخْلِفُ ٱللَّهُ وَعْدَهُۥ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ ٦

Premtimi i Allahut, e Allahu kurrë nuk e shkel premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Allahu u ka dhënë besimtarëve një premtim të prerë, që nuk prishet, se Romakët e krishterë do të fitojnë mbi Persët idhujtarë. Por shumica e mohuesve të Mekës nuk e dinë se ajo që Allahu premton është e vërtetë.

30:7

يَعْلَمُونَ ظَـٰهِرًۭا مِّنَ ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا وَهُمْ عَنِ ٱلْـَٔاخِرَةِ هُمْ غَـٰفِلُونَ ٧

Ata njohin vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote, por për jetën tjetër, ata janë krejtësisht të pavëmendshëm.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Ata njohin vetëm dukuritë e jashtme të kësaj bote dhe stolitë e saj, ndërsa për çështjet e botës tjetër dhe atë që u sjell dobi vërtetë, janë të pakujdesshëm e nuk mendojnë aspak.

30:8

أَوَلَمْ يَتَفَكَّرُواْ فِىٓ أَنفُسِهِم ۗ مَّا خَلَقَ ٱللَّهُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَآ إِلَّا بِٱلْحَقِّ وَأَجَلٍۢ مُّسَمًّۭى ۗ وَإِنَّ كَثِيرًۭا مِّنَ ٱلنَّاسِ بِلِقَآئِ رَبِّهِمْ لَكَـٰفِرُونَ ٨

A nuk mendojnë ata në vetvete se Allahu ka krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet mes tyre me të vërtetën dhe për një afat të caktuar? Por, shumë njerëz nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

A nuk kanë menduar këta përgënjeshtrues të të dërguarve të Allahut dhe të takimit me Të, se Ai i krijoi ata kur nuk ishin asgjë? Allahu nuk i krijoi qiejt dhe Tokën dhe çfarë ka mes tyre veçse për të vendosur drejtësinë, shpërblimin dhe ndëshkimin, si dhe për të treguar Njësimin e Tij dhe fuqinë e Tij, dhe për një afat të caktuar që do të përfundojë në Ditën e Kiametit. Por shumë njerëz e mohojnë takimin me Zotin e tyre, duke qenë të paditur se kthimi i tyre pas vdekjes është tek Allahu, dhe të pakujdesshëm ndaj botës tjetër.

30:9

أَوَلَمْ يَسِيرُواْ فِى ٱلْأَرْضِ فَيَنظُرُواْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۚ كَانُوٓاْ أَشَدَّ مِنْهُمْ قُوَّةًۭ وَأَثَارُواْ ٱلْأَرْضَ وَعَمَرُوهَآ أَكْثَرَ مِمَّا عَمَرُوهَا وَجَآءَتْهُمْ رُسُلُهُم بِٱلْبَيِّنَـٰتِ ۖ فَمَا كَانَ ٱللَّهُ لِيَظْلِمَهُمْ وَلَـٰكِن كَانُوٓاْ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ ٩

A nuk kanë udhëtuar ata nëpër tokë, e të shohin si ishte përfundimi i atyre që ishin para tyre? Ata ishin më të fortë se këta, e punuan tokën dhe e zhvilluan atë më shumë se sa e zhvillojnë këta. Dhe atyre u erdhën të dërguarit e tyre me argumente të qarta, por Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi; ata i bënin padrejtësi vetvetes.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

A nuk kanë udhëtuar nëpër tokë këta që mohojnë Allahun dhe janë të pakujdesshëm ndaj botës tjetër, me udhëtim të menduar e për të mësuar, që të shohin se si qe fundi i kombeve që përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut – si Adi dhe Themudi? Ata ishin më të fuqishëm se këta për nga shtati, më të aftë për t’u kënaqur me jetën: lëruan e mbollën tokën, ndërtuan pallate dhe banesa në to; pra e bënë këtë botë të lulëzojë më shumë se sa e kanë bërë banorët e Mekës. Por as lulëzimi i tyre e as jetëgjatësia nuk u bënë dobi. U erdhën të dërguarit e tyre me prova të qarta e dëshmi të shndritshme; ata i përgënjeshtruan, prandaj Allahu i shkatërroi. Allahu nuk u bëri padrejtësi me atë shkatërrim; përkundrazi, ata i bënë padrejtësi vetes së tyre me idhujtari dhe mosbindje ndaj Allahut.

30:10

ثُمَّ كَانَ عَـٰقِبَةَ ٱلَّذِينَ أَسَـٰٓـُٔواْ ٱلسُّوٓأَىٰٓ أَن كَذَّبُواْ بِـَٔايَـٰتِ ٱللَّهِ وَكَانُواْ بِهَا يَسْتَهْزِءُونَ١٠

Pastaj, përfundimi i atyre që bënin të këqija ishte më e keqja (Xhehenemi), për shkak se përgënjeshtruan shpalljet e Allahut dhe talleshin me to.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Pastaj, përfundimi i njerëzve të këqij – tiranëve dhe mohuesve – ishte më i keqi dhe më i shëmtuari, në këtë botë dhe në botën tjetër, për shkak se përgënjeshtruan Allahun dhe talleshin me shenjat e Tij, që Ai i zbriti te të dërguarit e Vet.

30:11

ٱللَّهُ يَبْدَؤُاْ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ ١١

Allahu është Ai që e nis krijimin, pastaj e përsërit (ringjall) atë, pastaj tek Ai do të ktheheni.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Allahu i Vetëm është Ai që krijon gjithë krijesat nga fillimi dhe asgjëja, dhe vetëm Ai ka fuqinë t’i ringjallë përsëri. Pastaj tek Ai kthehen të gjitha krijesat, e Ai shpërblen atë që ka bërë mirë për mirësinë e tij dhe ndëshkon atë që ka bërë keq për të keqen e tij.

30:12

وَيَوْمَ تَقُومُ ٱلسَّاعَةُ يُبْلِسُ ٱلْمُجْرِمُونَ ١٢

Ditën kur të vijë Ora (Kiameti), kriminelët do të mbesin të dëshpëruar.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Ditën kur të vijë Ora e Kiametit, kriminelët humbasin çdo shpresë për shpëtim nga dënimi, i kap hutimi dhe u ndërpritet çdo argument.

30:13

وَلَمْ يَكُن لَّهُم مِّن شُرَكَآئِهِمْ شُفَعَـٰٓؤُاْ وَكَانُواْ بِشُرَكَآئِهِمْ كَـٰفِرِينَ ١٣

Ata nuk do të kenë ndonjë ndërmjetës nga idhujt e tyre, por do t’i mohojnë krejtësisht ata.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Atë ditë, idhujtarët nuk do të kenë asnjë ndërmjetës nga ata që adhuronin në vend të Allahut; përkundrazi, ata do të shkëputen prej tyre dhe idhujt do të mohojnë adhuruesit e tyre. Ndërmjetësimi i takon vetëm Allahut dhe nuk kërkohet nga askush tjetër.

30:14

وَيَوْمَ تَقُومُ ٱلسَّاعَةُ يَوْمَئِذٍۢ يَتَفَرَّقُونَ ١٤

Ditën kur të vijë Ora, atë Ditë njerëzit do të ndahen.14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Ditën kur të vijë Ora (Kiameti), do të ndahen njerëzit e besimit nga ata të kufrit.

30:15

فَأَمَّا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ فَهُمْ فِى رَوْضَةٍۢ يُحْبَرُونَ ١٥

Sa për ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata do të jenë në kopshte, duke u gëzuar me lumturi.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Sa për besimtarët në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që kanë vepruar vepra të mira, ata do të jenë në xhenet, të nderuar, të gëzuar dhe të begatuar me mirësi.

30:16

وَأَمَّا ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَكَذَّبُواْ بِـَٔايَـٰتِنَا وَلِقَآئِ ٱلْـَٔاخِرَةِ فَأُوْلَـٰٓئِكَ فِى ٱلْعَذَابِ مُحْضَرُونَ ١٦

Kurse ata që mohuan dhe përgënjeshtruan shpalljet Tona dhe takimin e botës tjetër, ata do të jenë të pranishëm në dënim.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Kurse ata që nuk besuan Allahun, përgënjeshtruan atë me të cilën erdhën të dërguarit dhe mohuan ringjalljen pas vdekjes, ata do të qëndrojnë në dënim të përhershëm, si shpërblim për mohimin e tyre në dynja.

30:17

فَسُبْحَـٰنَ ٱللَّهِ حِينَ تُمْسُونَ وَحِينَ تُصْبِحُونَ ١٧

Pra, lavdërojeni Allahun, kur hyni në mbrëmje dhe kur zgjoheni në mëngjes.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Prandaj, o besimtarë, madhërojeni Allahun dhe lartësojeni Atë nga çdo shok, bashkëshorte apo fëmijë, dhe përshkruajeni me cilësitë e përsosurisë me gjuhët tuaja, dhe vërtetojeni këtë me veprat e gjymtyrëve tuaja, kur të jeni në mbrëmje (me faljen e namazit të akshamit dhe të darkës) dhe kur të zgjoheni në mëngjes (në namazin e sabahut),

30:18

وَلَهُ ٱلْحَمْدُ فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَعَشِيًّۭا وَحِينَ تُظْهِرُونَ ١٨

Atij i takon falënderimi në qiej dhe në Tokë; po ashtu (lavdërojeni) pasdite dhe në mesditë.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Atij – të Lartmadhëruarit – i takon lavdërimi dhe falënderimi në qiej dhe në Tokë; dhe madhërojeni Atë në kohën e pasdites (me faljen e namazit të ikindisë) dhe në mesditë (në namazin e drekës).

30:19

يُخْرِجُ ٱلْحَىَّ مِنَ ٱلْمَيِّتِ وَيُخْرِجُ ٱلْمَيِّتَ مِنَ ٱلْحَىِّ وَيُحْىِ ٱلْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَا ۚ وَكَذَٰلِكَ تُخْرَجُونَ ١٩

Ai nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe nxjerr të vdekurin nga i gjalli, dhe e ringjall tokën pas vdekjes së saj; po kështu do të nxirreni edhe ju (nga varret).19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Allahu nxjerr të gjallin nga i vdekuri, siç del njeriu nga pika e farës dhe shpendi nga veza; dhe nxjerr të vdekurin nga i gjalli, siç del fara nga njeriu dhe veza nga shpendi. Ai e ringjall tokën me bimë pas tharjes dhe shkretimit të saj. Dhe ashtu siç ringjall tokën, do të nxirreni edhe ju, o njerëz, nga varret tuaj të gjallë, për llogari dhe shpërblim.

30:20

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦٓ أَنْ خَلَقَكُم مِّن تُرَابٍۢ ثُمَّ إِذَآ أَنتُم بَشَرٌۭ تَنتَشِرُونَ ٢٠

Nga shenjat e Tij është se Ai ju krijoi prej dheut; pastaj, ja ku u bëtë njerëz që shpërndaheni (nëpër botë).20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Ndër shenjat e Allahut që tregojnë madhështinë e Tij dhe përsosmërinë e fuqisë së Tij është se krijoi babanë tuaj, Ademin, nga dheu, pastaj ju u bëtë njerëz që shumoheni e përhapeni në tokë, duke kërkuar prej mirësisë dhe furnizimit të Allahut.

30:21

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦٓ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًۭا لِّتَسْكُنُوٓاْ إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةًۭ وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَتَفَكَّرُونَ ٢١

Nga shenjat e Tij është se Ai krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Ndër shenjat e Allahut që tregojnë madhështinë dhe përsosmërinë e fuqisë së Tij është se krijoi për ju, o burra, prej gjinisë suaj bashkëshorte, që të gjeni tek ato qetësi dhe prehje shpirtërore. Dhe vendosi mes burrit e gruas dashuri dhe mëshirë. Vërtet, në këtë krijim të Allahut ka shenja të qarta për fuqinë dhe njëshmërinë e Tij, për një popull që mendon dhe reflekton.

30:22

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦ خَلْقُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَٱخْتِلَـٰفُ أَلْسِنَتِكُمْ وَأَلْوَٰنِكُمْ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّلْعَـٰلِمِينَ ٢٢

Nga shenjat e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, si edhe ndryshimi i gjuhëve dhe ngjyrave tuaja. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit me dije.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Ndër shenjat e fuqisë hyjnore janë: krijimi i qiejve dhe ngritja e tyre pa shtylla, krijimi i Tokës me gjerësinë dhe shtrirjen e saj, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe dallimi i ngjyrave tuaja. Vërtet, në këtë ka mësim për çdo njeri me dije dhe mençuri.

30:23

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦ مَنَامُكُم بِٱلَّيْلِ وَٱلنَّهَارِ وَٱبْتِغَآؤُكُم مِّن فَضْلِهِۦٓ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَسْمَعُونَ ٢٣

Nga shenjat e Tij është gjumi juaj natën dhe ditën, si edhe kërkimi i mirësisë së Tij. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë.23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Ndër shenjat e kësaj fuqie është se Allahu e bëri gjumin pushim për ju, qoftë natën apo ditën; sepse në gjumë gjendet qetësia dhe zhdukja e lodhjes. Dhe ju bëri ditën kohë për t’u shpërndarë në kërkim të furnizimit. Vërtet, në këtë ka shenja të qarta për përsosmërinë e fuqisë së Allahut dhe zbatimin e vullnetit të Tij, për një popull që dëgjon këshillat me vëmendje, me mendim dhe me përsiatje.

30:24

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦ يُرِيكُمُ ٱلْبَرْقَ خَوْفًۭا وَطَمَعًۭا وَيُنَزِّلُ مِنَ ٱلسَّمَآءِ مَآءًۭ فَيُحْىِۦ بِهِ ٱلْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَآ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَعْقِلُونَ ٢٤

Nga shenjat e Tij është se ju tregon vetëtimën, si frikë ashtu edhe shpresë, dhe zbret nga qielli ujë, me të cilin e ringjall tokën pas vdekjes së saj. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Ndër shenjat e fuqisë së Tij të përsosur është se Ai ju tregon vetëtimën, prej së cilës frikësoheni nga rrufetë dhe njëkohësisht shpresoni në shiun e dobishëm. Dhe Ai zbret nga retë ujin, me të cilin e ringjall tokën pas tharjes dhe shkretimit të saj. Vërtet, në këtë ka një dëshmi të qartë për përsosmërinë e fuqisë së Allahut, urtësinë e Tij madhështore dhe mirësinë e Tij ndaj çdo kujt që ka mend dhe udhëzohet me të.

30:25

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦٓ أَن تَقُومَ ٱلسَّمَآءُ وَٱلْأَرْضُ بِأَمْرِهِۦ ۚ ثُمَّ إِذَا دَعَاكُمْ دَعْوَةًۭ مِّنَ ٱلْأَرْضِ إِذَآ أَنتُمْ تَخْرُجُونَ ٢٥

Nga shenjat e Tij është se qiejt dhe Toka qëndrojnë me urdhrin e Tij; pastaj, kur t’ju thërrasë një thirrje nga Toka, menjëherë do të dilni jashtë.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Ndër shenjat e fuqisë së Allahut është qëndrueshmëria dhe stabiliteti i qiellit dhe Tokës me urdhrin e Tij: as qielli nuk bie mbi Tokë, e as Toka nuk lëkundet jashtë vullnetit të Tij. Pastaj, kur t’ju thërrasë Allahu për ringjalljen në Ditën e Kiametit, menjëherë do të dilni nga varret tuaja me nxitim.

30:26

وَلَهُۥ مَن فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ كُلٌّۭ لَّهُۥ قَـٰنِتُونَ ٢٦

Atij i përkasin të gjithë ata që janë në qiej dhe në Tokë; të gjithë i përulen Atij.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Vetëm Allahut i përket gjithçka që është në qiej dhe në Tokë: engjëjt, njerëzit, xhinët, kafshët, bimët e madje edhe sendet e pajeta. Të gjitha këto janë të nënshtruara ndaj urdhrit të Tij dhe të përulura para përsosmërisë së Tij.

30:27

وَهُوَ ٱلَّذِى يَبْدَؤُاْ ٱلْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ وَهُوَ أَهْوَنُ عَلَيْهِ ۚ وَلَهُ ٱلْمَثَلُ ٱلْأَعْلَىٰ فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ ٢٧

Ai e nis krijimin, pastaj e përsërit atë – gjë që është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë; dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Vetëm Allahu është Ai që e fillon krijimin nga asgjëja, pastaj e përsërit atë pas vdekjes, dhe rikthimi i krijesave të gjalla pas vdekjes është edhe më i lehtë për Të se sa krijimi i tyre për herë të parë – ndonëse të dyja janë të lehta për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë në çdo cilësi që përshkruhet, nuk ka asgjë që i ngjan Atij. Ai është Dëgjuesi i gjithçkaje dhe Shikuesi i gjithçkaje. Ai është i Plotfuqishmi që askush nuk mund ta mposhtë, i Urti në fjalët dhe veprat e Tij, si edhe në drejtimin e çështjeve të krijesave të Tij.

30:28

ضَرَبَ لَكُم مَّثَلًۭا مِّنْ أَنفُسِكُمْ ۖ هَل لَّكُم مِّن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَـٰنُكُم مِّن شُرَكَآءَ فِى مَا رَزَقْنَـٰكُمْ فَأَنتُمْ فِيهِ سَوَآءٌۭ تَخَافُونَهُمْ كَخِيفَتِكُمْ أَنفُسَكُمْ ۚ كَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلْـَٔايَـٰتِ لِقَوْمٍۢ يَعْقِلُونَ ٢٨

Ai ju sjell një shembull nga vetë vetja juaj: A keni ju ortakë nga ata që i zotëroni (skllevërit apo shërbëtorët tuaj), në ato pasuri që Ne ju kemi dhënë, e që ju të bëheni të barabartë me ta dhe t’i frikësoheni atyre siç i frikësoheni njëri-tjetrit (ortakëve)? Kështu ua shpjegojmë argumentet Tona njerëzve që mendojnë.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Allahu ju jep një shembull juve, o idhujtarë, nga vetë jeta juaj: A keni nga skllevërit apo shërbëtoret tuaja ndonjë ortak që të marrë pjesë me ju në pasurinë tuaj, dhe t’i shihni ata të barabartë me ju në pasuri, duke u frikësuar prej tyre sikurse frikësoheni nga ortakët tuaj të lirë në ndarjen e pasurisë? Sigurisht që ju nuk do ta pranoni këtë. E si pra e pranoni në lidhje me Allahun që t’i bëni Atij shokë nga krijesat e Tij? Me shembuj të tillë Ne shpjegojmë argumentet dhe provat për njerëzit me mendje të shëndoshë, që përfitojnë prej tyre.

30:29

بَلِ ٱتَّبَعَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوٓاْ أَهْوَآءَهُم بِغَيْرِ عِلْمٍۢ ۖ فَمَن يَهْدِى مَنْ أَضَلَّ ٱللَّهُ ۖ وَمَا لَهُم مِّن نَّـٰصِرِينَ ٢٩

Por, ata që bëjnë padrejtësi ndjekin dëshirat e veta pa asnjë dije. E kush mund ta udhëzojë atë që Allahu e ka lënë në humbje? Ata nuk do të kenë asnjë ndihmës.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Por idhujtarët ndjekin dëshirat e veta duke imituar baballarët e tyre pa kurrfarë dije, kështu që u bënë ortakë me ta në injorancë dhe humbje. Askush nuk është në gjendje të udhëzojë atë që Allahu e ka lënë në humbje për shkak të teprimit të tij në mosbesim dhe kokëfortësi. Për këta nuk ka ndihmues që t’i shpëtojnë prej ndëshkimit të Allahut.

30:30

فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًۭا ۚ فِطْرَتَ ٱللَّهِ ٱلَّتِى فَطَرَ ٱلنَّاسَ عَلَيْهَا ۚ لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ ٱللَّهِ ۚ ذَٰلِكَ ٱلدِّينُ ٱلْقَيِّمُ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ ٣٠

Ktheje fytyrën tënde nga Feja e pastër, e drejtë, natyra e Allahut, sipas së cilës Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Drejtohu – o i Dërguar, ti dhe kush të ka pasuar – dhe ktheje fytyrën tënde kah feja që Allahu ta ka caktuar, Islami, feja mbi të cilën Allahu i krijoi njerëzit. Qëndrimi dhe përkushtimi në të është përputhje me natyrën e pastër që Allahu e ka vendosur te njeriu: besimin në Një Zot të vetëm. Nuk ka ndryshim në krijimin dhe fenë e Allahut. Ajo është rruga e drejtë që të çon te kënaqësia e Zotit të botëve dhe te xheneti i Tij. Por shumica e njerëzve nuk e dinë se ajo me të cilën Ai të ka urdhëruar – o i Dërguar – është feja e vërtetë, pa të dytë.

30:31

۞ مُنِيبِينَ إِلَيْهِ وَٱتَّقُوهُ وَأَقِيمُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَلَا تَكُونُواْ مِنَ ٱلْمُشْرِكِينَ ٣١

Kthehuni tek Ai me pendim, kini frikë prej Tij, kryeni namazin dhe mos u bëni nga idhujtarët;31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

Kthehuni te Allahu me pendim të sinqertë dhe me punë të pastra vetëm për Të. Kini frikë prej Tij duke kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Kryeni namazin plotësisht me shtyllat, detyrimet dhe kushtet e tij. Dhe mos u bëni prej atyre që i bëjnë shok Allahut në adhurim.

30:32

مِنَ ٱلَّذِينَ فَرَّقُواْ دِينَهُمْ وَكَانُواْ شِيَعًۭا ۖ كُلُّ حِزْبٍۭ بِمَا لَدَيْهِمْ فَرِحُونَ ٣٢

nga ata që e copëtuan fenë e tyre dhe u ndanë në grupe; ku secili grup është i kënaqur me atë që ka.32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

Dhe mos u bëni prej idhujtarëve dhe ndjekësve të tekave e risive, të cilët e shtrembëruan fenë e tyre dhe e ndryshuan: morën një pjesë prej saj dhe lanë pjesën tjetër, duke ndjekur dëshirat e tyre. Kështu u bënë grupe e fraksione, duke u radhitur pas prijësve, partive dhe mendimeve të tyre, duke ndihmuar njëri-tjetrin në të pavërtetën. Çdo grup është i gëzuar e i kënaqur me atë që ka në dorë, duke menduar se janë në të drejtën, ndërsa të tjerët në të gabuarën.

30:33

وَإِذَا مَسَّ ٱلنَّاسَ ضُرٌّۭ دَعَوْاْ رَبَّهُم مُّنِيبِينَ إِلَيْهِ ثُمَّ إِذَآ أَذَاقَهُم مِّنْهُ رَحْمَةً إِذَا فَرِيقٌۭ مِّنْهُم بِرَبِّهِمْ يُشْرِكُونَ ٣٣

Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, i luten Zotit të tyre, duke iu kthyer Atij me përulje; por kur Ai u jep atyre të shijojnë mëshirën e Tij, menjëherë, një pjesë e tyre i bëjnë shok Zotit të tyre;33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

Kur njerëzit i godet ndonjë vështirësi apo fatkeqësi, i luten Zotit të tyre me sinqeritet që t’ua largojë dëmin. Por, kur Ai i mëshiron dhe ua largon vështirësinë, një pjesë prej tyre kthehen sërish në idhujtari, duke adhuruar me Allahun edhe të tjerë.

30:34

لِيَكْفُرُواْ بِمَآ ءَاتَيْنَـٰهُمْ ۚ فَتَمَتَّعُواْ فَسَوْفَ تَعْلَمُونَ ٣٤

që të mohojnë atë që Ne u kemi dhënë. Atëherë, shijoni (kënaqësitë e kësaj bote); por shpejt do ta mësoni (pasojën).34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Që të mohojnë atë që Ne u dhamë dhe mirësinë që u bëmë, duke ua larguar dëmin dhe vështirësinë. Andaj, gëzohuni e shijoni, o idhujtarë, rehatinë dhe begatinë e kësaj bote; por shumë shpejt do ta mësoni se çfarë dënimi e ndëshkimi do t’ju arrijë.

30:35

أَمْ أَنزَلْنَا عَلَيْهِمْ سُلْطَـٰنًۭا فَهُوَ يَتَكَلَّمُ بِمَا كَانُواْ بِهِۦ يُشْرِكُونَ ٣٥

A mos vallë, Ne u kemi zbritur atyre ndonjë argument (apo libër), që flet për idhujtarinë që ata bëjnë?35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

A mos vallë Ne u kemi zbritur këtyre idhujtarëve një dëshmi të qartë e një libër të prerë, që flet për vërtetësinë e shirkut të tyre dhe mohimin e tyre ndaj Allahut dhe shenjave të Tij?

30:36

وَإِذَآ أَذَقْنَا ٱلنَّاسَ رَحْمَةًۭ فَرِحُواْ بِهَا ۖ وَإِن تُصِبْهُمْ سَيِّئَةٌۢ بِمَا قَدَّمَتْ أَيْدِيهِمْ إِذَا هُمْ يَقْنَطُونَ ٣٦

Kur Ne u japim njerëzve të shijojnë mëshirën, ata gëzohen me të; por kur i godet ndonjë e keqe, për shkak të asaj që kanë bërë duart e tyre, menjëherë bëhen të dëshpëruar.36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Kur Ne i bëjmë njerëzit të shijojnë prej Nesh një mirësi – si shëndet, siguri dhe begati – ata gëzohen me të, por gëzim mendjemadhësie e jo falënderimi. E nëse i godet sëmundja, varfëria, frika apo vështirësia, për shkak të mëkateve dhe kundërshtimeve të tyre, atëherë ata humbasin shpresën për largimin e saj. Kjo është gjendja dhe natyra e shumicës së njerëzve, si në mirësi ashtu edhe në sprova.

30:37

أَوَلَمْ يَرَوْاْ أَنَّ ٱللَّهَ يَبْسُطُ ٱلرِّزْقَ لِمَن يَشَآءُ وَيَقْدِرُ ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَـَٔايَـٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ ٣٧

A nuk e shohin se Allahu i jep furnizim me bollëk atij që do dhe ia pakëson atij që do? Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëz që besojnë.37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

A nuk e dinë ata se Allahu ia zgjeron furnizimin kujt të dojë – si sprovë, për të parë nëse falënderon apo mohon – dhe ia ngushton kujt të dojë – si provë, për të parë nëse duron apo ankohet? Në këtë zgjerim dhe ngushtim ka shenja të qarta për ata që besojnë Allahun dhe njohin urtësinë dhe mëshirën e Tij.

30:38

فَـَٔاتِ ذَا ٱلْقُرْبَىٰ حَقَّهُۥ وَٱلْمِسْكِينَ وَٱبْنَ ٱلسَّبِيلِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ لِّلَّذِينَ يُرِيدُونَ وَجْهَ ٱللَّهِ ۖ وَأُوْلَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُفْلِحُونَ ٣٨

Jepi të afërmit të drejtën e tij, të varfrit dhe udhëtarit (që ka mbetur pa mjete). Kjo është më e mirë për ata që kërkojnë Fytyrën e Allahut; pikërisht këta janë të fituarit.38

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

O besimtar, jepi të afërmit tënd të drejtën e tij në lidhje, bamirësi dhe ndihmë, dhe jepi të varfrit e të nevojshmit që ka mbetur pa mjete udhëtimi nga zekati dhe sadakaja. Kjo dhënie është më e mira për ata që e bëjnë veprën e tyre duke kërkuar Fytyrën e Allahut. Dhe ata që punojnë këto vepra e të tjera të mirësisë, janë të fituarit me shpërblimin e Allahut dhe të shpëtuarit nga dënimi i Tij.

30:39

وَمَآ ءَاتَيْتُم مِّن رِّبًۭا لِّيَرْبُوَاْ فِىٓ أَمْوَٰلِ ٱلنَّاسِ فَلَا يَرْبُواْ عِندَ ٱللَّهِ ۖ وَمَآ ءَاتَيْتُم مِّن زَكَوٰةٍۢ تُرِيدُونَ وَجْهَ ٱللَّهِ فَأُوْلَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُضْعِفُونَ ٣٩

Çfarëdo që jepni me kamatë, për t’u shtuar në kurriz të pasurisë së njerëzve, nuk shtohet te Allahu. Por, çfarëdo që jepni prej zekatit, duke kërkuar Fytyrën e Allahut, ata do të shpërblehen shumëfish.39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Dhe çdo hua që jepni prej pasurisë me qëllim kamatën, duke kërkuar shtim mbi atë që keni dhënë, nuk shtohet tek Allahu, përkundrazi Ai e zhduk dhe e bën të pavlefshme. Ndërsa ajo që jepni nga zekati dhe sadakaja për ata që e meritojnë, duke kërkuar me të kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij, kjo është ajo që Allahu e pranon dhe e shumëfishon për ju shumëfish.

30:40

ٱللَّهُ ٱلَّذِى خَلَقَكُمْ ثُمَّ رَزَقَكُمْ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ ۖ هَلْ مِن شُرَكَآئِكُم مَّن يَفْعَلُ مِن ذَٰلِكُم مِّن شَىْءٍۢ ۚ سُبْحَـٰنَهُۥ وَتَعَـٰلَىٰ عَمَّا يُشْرِكُونَ ٤٠

Allahu është Ai që ju krijoi, pastaj ju furnizoi, pastaj do t’ju japë vdekjen, pastaj do t’ju ringjallë. A ka ndonjë nga ortakët tuaj që bën diçka nga këto? I Lartësuar dhe i Pastër është Ai nga gjithçka që i shoqërojnë Atij.40

Komentimi 1 shënim

Shënimi 40

Vetëm Allahu është Ai që ju krijoi – o njerëz – pastaj ju furnizoi në këtë jetë, pastaj ju vdes kur t’ju mbarojnë afatet, pastaj ju ringjall nga varret të gjallë për llogari dhe shpërblim. A ka ndonjë prej idhujve tuaj të trilluar që bën ndonjë nga këto gjëra? I Lartësuar dhe i Shenjtëruar është Allahu nga shoqërimi që i bëjnë këta idhujtarë në adhurim.

30:41

ظَهَرَ ٱلْفَسَادُ فِى ٱلْبَرِّ وَٱلْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِى ٱلنَّاسِ لِيُذِيقَهُم بَعْضَ ٱلَّذِى عَمِلُواْ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ٤١

Është shfaqur shkatërrimi në tokë dhe në det, për shkak të asaj që bëjnë duart e njerëzve, që Ai t’u bëjë atyre të shijojnë një pjesë të asaj që kanë vepruar, në mënyrë që ata të kthehen (në Rrugën e Drejtë).41

Komentimi 1 shënim

Shënimi 41

Është shfaqur shkatërrimi dhe prishja në tokë dhe në det – si thatësira, pakësimi i shirave, shumimi i sëmundjeve dhe epidemive – për shkak të mëkateve që kryejnë njerëzit; që Allahu t’i dënojë me një pjesë të asaj që kanë bërë në këtë botë, në mënyrë që ata të pendohen tek Ai dhe të kthehen prej mëkateve, që gjendja e tyre të rregullohet dhe çështjet e tyre të drejtohen.

30:42

قُلْ سِيرُواْ فِى ٱلْأَرْضِ فَٱنظُرُواْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلُ ۚ كَانَ أَكْثَرُهُم مُّشْرِكِينَ ٤٢

Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni si ishte përfundimi i atyre që ishin para jush; shumica e tyre ishin idhujtarë.”42

Komentimi 1 shënim

Shënimi 42

Thuaju – o i Dërguar – atyre që përgënjeshtrojnë atë me të cilën ke ardhur: “Udhëtoni nëpër tokë me sy të mendjes dhe të kujdesit, e shikoni si qe fundi i kombeve të mëparshme që përgënjeshtruan, si populli i Nuhut, Adi dhe Themudi; do të gjeni se përfundimi i tyre ishte më i keqi dhe fundi i tyre më i shëmtuari, sepse shumica e tyre ishin idhujtarë ndaj Allahut.”

30:43

فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ ٱلْقَيِّمِ مِن قَبْلِ أَن يَأْتِىَ يَوْمٌۭ لَّا مَرَدَّ لَهُۥ مِنَ ٱللَّهِ ۖ يَوْمَئِذٍۢ يَصَّدَّعُونَ ٤٣

Ktheje fytyrën tënde nga Feja e Drejtë (Islame), para se të vijë një Ditë nga Allahu, që nuk do të kthehet mbrapsht; atë Ditë njerëzit do të ndahen (në grupe):43

Komentimi 1 shënim

Shënimi 43

Drejtoje fytyrën tënde – o i Dërguar – kah feja e drejtë, që është Islami, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të tij, dhe qëndro fort në të para se të vijë Dita e Kiametit. E kur të vijë ajo Ditë, askush nuk do të mund ta kthejë mbrapsht, dhe krijesat do të shpërndahen në grupe të ndryshme, për t’u treguar veprat e tyre.

30:44

مَن كَفَرَ فَعَلَيْهِ كُفْرُهُۥ ۖ وَمَنْ عَمِلَ صَـٰلِحًۭا فَلِأَنفُسِهِمْ يَمْهَدُونَ ٤٤

Kush mohon, kundër vetes së tij është mohimi; e kush bën vepra të mira, për veten e tyre përgatisin (shpërblimin);44

Komentimi 1 shënim

Shënimi 44

Kush mohon, mbi të do të bjerë dënimi i mohimit të tij – dhe ky është qëndrimi i përhershëm në zjarr. Ndërsa ata që besuan dhe vepruan mirë, ata përgatitin për vetet e tyre vendbanime në xhenet, si shpërblim për përkushtimin dhe bindjen ndaj Zotit të tyre.

30:45

لِيَجْزِىَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ مِن فَضْلِهِۦٓ ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْكَـٰفِرِينَ٤٥

në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë ata që besuan dhe bënë vepra të mira nga mirësia e Tij. Me të vërtetë, Ai nuk i do mohuesit.45

Komentimi 1 shënim

Shënimi 45

Që Allahu t’i shpërblejë ata që besuan në Të dhe në të Dërguarin e Tij dhe bënë vepra të mira, nga mirësia dhe bujaria e Tij. Vërtet, Ai nuk i do jobesimtarët, për shkak të hidhërimit dhe zemërimit të Tij ndaj tyre.

30:46

وَمِنْ ءَايَـٰتِهِۦٓ أَن يُرْسِلَ ٱلرِّيَاحَ مُبَشِّرَٰتٍۢ وَلِيُذِيقَكُم مِّن رَّحْمَتِهِۦ وَلِتَجْرِىَ ٱلْفُلْكُ بِأَمْرِهِۦ وَلِتَبْتَغُواْ مِن فَضْلِهِۦ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ ٤٦

Dhe, nga shenjat e Tij është se Ai dërgon erërat si përgëzuese, për t’ju bërë të shijoni nga mëshira e Tij, për të lundruar anijet me urdhrin e Tij dhe që të kërkoni nga mirësia e Tij; në mënyrë që të jeni falënderues.46

Komentimi 1 shënim

Shënimi 46

Dhe prej shenjave të Allahut, që tregojnë se Ai është i vetmi Zot i vërtetë pa shok dhe se e madhërishme është fuqia e Tij, është dërgimi i erërave si përgëzuese përpara shiut, duke lëvizur retë. Zemrat gëzohen me këtë, që t’ju bëjë të shijoni nga mëshira e Tij duke zbritur shiun me të cilin gjallërohen vendet dhe njerëzit, dhe që të lundrojnë anijet në det me urdhrin dhe vullnetin e Tij, e që të kërkoni nga begatia e Tij përmes tregtisë e të tjera. Allahu e bëri këtë në mënyrë që ju të falënderoni për begatitë e Tij dhe ta adhuroni vetëm Atë.

30:47

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ رُسُلًا إِلَىٰ قَوْمِهِمْ فَجَآءُوهُم بِٱلْبَيِّنَـٰتِ فَٱنتَقَمْنَا مِنَ ٱلَّذِينَ أَجْرَمُواْ ۖ وَكَانَ حَقًّا عَلَيْنَا نَصْرُ ٱلْمُؤْمِنِينَ ٤٧

Me të vërtetë, para teje, Ne dërguam të dërguar te popujt e tyre; ata u sollën atyre argumente të qarta, pastaj Ne ndëshkuam ata që bënë krime. Dhe ishte detyrë për Ne t’i ndihmonim besimtarët.47

Komentimi 1 shënim

Shënimi 47

Ne kemi dërguar përpara teje – o Muhamed – të dërguar të tjerë te popujt e tyre, si përgëzues për ata që besonin dhe si paralajmërues për ata që mohonin, duke i thirrur në Njësimin e Allahut dhe duke i paralajmëruar nga idhujtaria. Ata erdhën me mrekulli dhe prova të qarta, por shumica prej tyre mohuan Zotin e tyre. Atëherë Ne i ndëshkuam ata që fituan mëkatet dhe i shkatërruam, ndërsa i ndihmuam besimtarët që pasuan të dërguarit. Dhe kështu do të veprojmë edhe me ata që të përgënjeshtrojnë ty, nëse vazhdojnë në mohimin e tyre dhe nuk besojnë.

30:48

ٱللَّهُ ٱلَّذِى يُرْسِلُ ٱلرِّيَـٰحَ فَتُثِيرُ سَحَابًۭا فَيَبْسُطُهُۥ فِى ٱلسَّمَآءِ كَيْفَ يَشَآءُ وَيَجْعَلُهُۥ كِسَفًۭا فَتَرَى ٱلْوَدْقَ يَخْرُجُ مِنْ خِلَـٰلِهِۦ ۖ فَإِذَآ أَصَابَ بِهِۦ مَن يَشَآءُ مِنْ عِبَادِهِۦٓ إِذَا هُمْ يَسْتَبْشِرُونَ ٤٨

Allahu është Ai që dërgon erërat, ato lëvizin retë, pastaj Ai i shpërndan ato në qiell si të dojë dhe i bën copa-copa, e atëherë e sheh shiun që del prej tyre. Kur Ai e bën atë të bjerë mbi cilindo nga robërit e Vet që dëshiron, ata menjëherë gëzohen;48

Komentimi 1 shënim

Shënimi 48

Allahu – i Lartësuar – është Ai që dërgon erërat, të cilat lëvizin retë e rënda me ujë; pastaj Ai i shpërndan ato në qiell si të dojë, dhe i bën copa të ndara. Atëherë ti sheh shiun që del nga mes tyre. Dhe kur Ai e drejton atë tek robërit e Tij, ja, ata gëzohen dhe ndihen të lumtur që Allahu ua solli atyre këtë mëshirë.

30:49

وَإِن كَانُواْ مِن قَبْلِ أَن يُنَزَّلَ عَلَيْهِم مِّن قَبْلِهِۦ لَمُبْلِسِينَ ٤٩

edhe pse më parë, para se t’u zbriste (shiu), ata ishin të dëshpëruar.49

Komentimi 1 shënim

Shënimi 49

Edhe pse, me të vërtetë, para se të zbriste shiu, ata ishin në dëshpërim e humbje shprese, për shkak se ai ishte mbajtur larg prej tyre.

30:50

فَٱنظُرْ إِلَىٰٓ ءَاثَـٰرِ رَحْمَتِ ٱللَّهِ كَيْفَ يُحْىِ ٱلْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَآ ۚ إِنَّ ذَٰلِكَ لَمُحْىِ ٱلْمَوْتَىٰ ۖ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ ٥٠

Shiko pra gjurmët e mëshirës së Allahut: si e ringjall Ai tokën pas vdekjes së saj. Me të vërtetë, Ai do t’i ringjallë të vdekurit, dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.50

Komentimi 1 shënim

Shënimi 50

Prandaj shiko –o shikues– me sy vëzhgues dhe zemër menduese te gjurmët e shiut në bimë, të mbjella dhe pemë: si e ringjall Allahu tokën pas vdekjes së saj, e bën të nxjerrë gjelbërim e jetë? Vërtet, Ai që pati fuqi ta ringjallte këtë tokë, do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Dhe Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë, asgjë nuk e pamundëson.

30:51

وَلَئِنْ أَرْسَلْنَا رِيحًۭا فَرَأَوْهُ مُصْفَرًّۭا لَّظَلُّواْ مِنۢ بَعْدِهِۦ يَكْفُرُونَ ٥١

Por, nëse Ne u dërgojmë erë shkatërruese, dhe ata e shohin të verdhë (bimësinë e tyre), ata me siguri do t’i mohojnë të gjitha të mirat menjëherë pas kësaj.51

Komentimi 1 shënim

Shënimi 51

Dhe sikur Ne të dërgonim mbi të mbjellat dhe bimësinë e tyre një erë shkatërruese, e ata ta shihnin bimësinë e tyre të prishur prej saj, e pas gjelbërimit të vet nga shiu të kthehej në të verdhë të tharë, atëherë do të mbeteshin pas asaj mohues ndaj Allahut dhe ndaj begative të Tij të mëparshme.

30:52

فَإِنَّكَ لَا تُسْمِعُ ٱلْمَوْتَىٰ وَلَا تُسْمِعُ ٱلصُّمَّ ٱلدُّعَآءَ إِذَا وَلَّوْاْ مُدْبِرِينَ ٥٢

Ti (o Muhamed) nuk mund t’i bësh të dëgjojnë të vdekurit, as të bësh që të të dëgjojnë të shurdhët, kur ata largohen duke u kthyer mbrapa.52

Komentimi 1 shënim

Shënimi 52

Ti – o i Dërguar – nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që u ka vdekur zemra, apo ata që kanë mbyllur veshët ndaj të vërtetës. Prandaj mos u mërzit e mos u hidhëro për mosbesimin e këtyre idhujtarëve ndaj teje, sepse ata janë si të shurdhërit dhe si të vdekurit: nuk dëgjojnë, nuk kuptojnë, edhe sikur të ishin të pranishëm para teje, e aq më pak kur janë larguar e kanë kthyer shpinën.

30:53

وَمَآ أَنتَ بِهَـٰدِ ٱلْعُمْىِ عَن ضَلَـٰلَتِهِمْ ۖ إِن تُسْمِعُ إِلَّا مَن يُؤْمِنُ بِـَٔايَـٰتِنَا فَهُم مُّسْلِمُونَ ٥٣

As nuk mund t’i udhëzosh të verbërit nga devijimi i tyre. Ti mund të bësh që të dëgjojnë vetëm ata që besojnë në argumentet Tona dhe që i janë dorëzuar plotësisht Allahut.53

Komentimi 1 shënim

Shënimi 53

Dhe ti – o i Dërguar – nuk mund ta udhëzosh atë që Allahu e ka verbuar nga rruga e së vërtetës. Nuk mund t’i bësh të dëgjojnë fjalën e dobishme veçse ata që besojnë në shpalljet Tona; ata janë të përulur dhe të bindur ndaj urdhrave të Allahut dhe janë muslimanë të vërtetë.

30:54

۞ ٱللَّهُ ٱلَّذِى خَلَقَكُم مِّن ضَعْفٍۢ ثُمَّ جَعَلَ مِنۢ بَعْدِ ضَعْفٍۢ قُوَّةًۭ ثُمَّ جَعَلَ مِنۢ بَعْدِ قُوَّةٍۢ ضَعْفًۭا وَشَيْبَةًۭ ۚ يَخْلُقُ مَا يَشَآءُ ۖ وَهُوَ ٱلْعَلِيمُ ٱلْقَدِيرُ ٥٤

Allahu është Ai që ju krijoi të dobët; pastaj, pas dobësisë, ju dha forcë; pastaj, pas forcës, ju bëri të dobët dhe pleq. Ai krijon ç’të dojë dhe Ai është i Gjithëdijshmi, i Fuqishmi.54

Komentimi 1 shënim

Shënimi 54

Allahu i Lartësuar është Ai që ju krijoi nga ujë i dobët e i përbuzur – nga pika e farës. Pastaj, pas dobësisë së fëmijërisë, ju dha forcën e burrërisë. Pastaj, pas kësaj force, ju kthen në dobësinë e pleqërisë e plakjes. Allahu krijon çfarë të dojë prej dobësisë e forcës. Ai është i Dijshmi për krijesat e Tij dhe i Plotfuqishmi mbi çdo gjë.

30:55

وَيَوْمَ تَقُومُ ٱلسَّاعَةُ يُقْسِمُ ٱلْمُجْرِمُونَ مَا لَبِثُواْ غَيْرَ سَاعَةٍۢ ۚ كَذَٰلِكَ كَانُواْ يُؤْفَكُونَ٥٥

Ditën kur të vijë Ora (Kiameti), keqbërësit do të betohen se nuk kanë qëndruar (në këtë botë) veçse një orë. Kështu kanë qenë gjithnjë të mashtruar.55

Komentimi 1 shënim

Shënimi 55

Ditën kur të vijë Ora - Kiameti, kur Allahu do t’i ringjallë krijesat nga varret e tyre, idhujtarët do të betohen se nuk kanë qëndruar në dynja veçse për një kohë të shkurtër. Ata gënjejnë në betimin e tyre, ashtu siç gënjenin edhe në dynja, duke mohuar të vërtetën me të cilën erdhën pejgamberët.

30:56

وَقَالَ ٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلْعِلْمَ وَٱلْإِيمَـٰنَ لَقَدْ لَبِثْتُمْ فِى كِتَـٰبِ ٱللَّهِ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْبَعْثِ ۖ فَهَـٰذَا يَوْمُ ٱلْبَعْثِ وَلَـٰكِنَّكُمْ كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ٥٦

Por, ata që u është dhënë dituria dhe besimi, do të thonë: “Ju keni qëndruar aq sa ishte caktuar nga Allahu në Libër - deri në Ditën e Ringjalljes. Ja pra, kjo është Dita e Ringjalljes, por ju nuk e dinit (se ishte e vërtetë).”56

Komentimi 1 shënim

Shënimi 56

Ata që u është dhënë dituria dhe besimi në Allah nga engjëjt, pejgamberët dhe besimtarët, do të thonë: “Ju keni qëndruar aq sa Allahu kishte caktuar më parë në dijen e Tij, nga dita që u krijuat e deri sa u ringjallët. Epo, kjo është Dita e Ringjalljes, por ju nuk e dinit dhe e mohuat atë në dynja, madje e përgënjeshtruat.

30:57

فَيَوْمَئِذٍۢ لَّا يَنفَعُ ٱلَّذِينَ ظَلَمُواْ مَعْذِرَتُهُمْ وَلَا هُمْ يُسْتَعْتَبُونَ ٥٧

Atë Ditë, atyre që bënë padrejtësi nuk do t’u vlejë aspak arsyetimi, as nuk do të mund të kërkojnë falje.57

Komentimi 1 shënim

Shënimi 57

Në Ditën e Kiametit, të padrejtëve nuk do t’u bëjë dobi asnjë justifikim që do të paraqesin, dhe nuk do t’u kërkohet të fitojnë kënaqësinë e Allahut me pendim apo bindje, por do të ndëshkohen për mëkatet dhe veprat e tyre të këqija.

30:58

وَلَقَدْ ضَرَبْنَا لِلنَّاسِ فِى هَـٰذَا ٱلْقُرْءَانِ مِن كُلِّ مَثَلٍۢ ۚ وَلَئِن جِئْتَهُم بِـَٔايَةٍۢ لَّيَقُولَنَّ ٱلَّذِينَ كَفَرُوٓاْ إِنْ أَنتُمْ إِلَّا مُبْطِلُونَ ٥٨

Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran çdo lloj shembulli. Por, edhe sikur ti (o Muhamed) t’u sillje një mrekulli, ata që mohuan do të thoshin: “Ju jeni vetëm të rremë!”58

Komentimi 1 shënim

Shënimi 58

Ne ua kemi sqaruar njerëzve në këtë Kuran çdo lloj shembulli, në mënyrë që të ngrihet prova kundër tyre dhe të vërtetohet Njëshmëria e Allahut të Lartësuar. Por edhe sikur t’u sillje – o i Dërguar – çdo argument që dëshmon vërtetësinë tënde, ata që mohuan do të thoshin: “Ju nuk jeni tjetër veçse të rremë në atë që na sillni.”

30:59

كَذَٰلِكَ يَطْبَعُ ٱللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِ ٱلَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ٥٩

Kështu ua vulos Allahu zemrat e atyre që nuk dinë.59

Komentimi 1 shënim

Shënimi 59

Me një vulë të tillë, Allahu i vulos zemrat e atyre që nuk e kuptojnë të vërtetën e asaj që u sjell ti – o i Dërguar – nga Allahu, prej këtyre mësimeve dhe argumenteve të qarta.

30:60

فَٱصْبِرْ إِنَّ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقٌّۭ ۖ وَلَا يَسْتَخِفَّنَّكَ ٱلَّذِينَ لَا يُوقِنُونَ ٦٠

Pra, bëhu i durueshëm, se me të vërtetë, premtimi i Allahut është i vërtetë. Dhe, kurrsesi mos të bëjnë të humbasësh durimin ata që nuk janë të bindur (mohuesit)!60

Komentimi 1 shënim

Shënimi 60

Prandaj duro – o i Dërguar – për atë që të godet nga populli yt, nga fyerjet dhe përgënjeshtrimet e tyre, sepse ajo që Allahu të ka premtuar ty nga ndihma, fuqizimi dhe shpërblimi është e vërtetë dhe pa dyshim. Dhe mos të lëkundin e mos të largojnë nga feja jote ata që nuk besojnë në premtimin e botës tjetër dhe nuk e pranojnë ringjalljen dhe shpërblimin!

Er Rum · 60 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi