KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 110

En Nasr Ndihma hyjnore

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 3 ajete • Ajetet 1–3

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

110:1

إِذَا جَآءَ نَصْرُ ٱللَّهِ وَٱلْفَتْحُ ١

Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës),1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Kur të të jepet, o i Dërguar, fitorja mbi jobesimtarët e Kurejshëve dhe të të mundësohet çlirimi i Mekës. “Naṣrullāh” = ndihma e Allahut, mbështetja hyjnore që e sjell fitoren pa luftë. “El-fatḥ” = çlirimi, fitimi i madh — këtu nënkuptohet çlirimi i Mekës, në vitin 8 Hixhri. Fjala “idha” (kur) tregon siguri të plotë, jo nëse, por “kur të ndodhë” – pra është premtim Hyjnor. Ky ajet përmbyll ciklin e përpjekjes profetike: nga sprovat në Mekë, deri te triumfi pa gjakderdhje.

110:2

وَرَأَيْتَ ٱلنَّاسَ يَدْخُلُونَ فِى دِينِ ٱللَّهِ أَفْوَاجًۭا ٢

dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut, në turma;2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Dhe kur të shohësh shumë njerëz duke hyrë në Islam, në grupe të tëra, njëri pas tjetrit. Përshkruan përhapjen e gjerë të Islamit pas çlirimit të Mekës. Fiset arabe, që më parë e kundërshtonin, hynë me turma në Islam. Ky është triumfi përfundimtar shpirtëror, jo vetëm ushtarak.

110:3

فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَٱسْتَغْفِرْهُ ۚ إِنَّهُۥ كَانَ تَوَّابًۢا ٣

atëherë, madhëroje Zotin tënd me lavdërim dhe kërko falje prej Tij; vërtet, Ai është Pranues i Madh i pendimit.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Kur të ndodhë kjo, përgatitu për takimin me Zotin tënd, duke e madhëruar dhe lavdëruar Atë shpesh, dhe duke kërkuar shumë falje prej Tij. Vërtet, Ai është Pranues i Madh i pendimit — pranon pendimin, i mëshiron dhe i fal ata që e madhërojnë dhe kërkojnë falje prej Tij. “Fasabbih bi-ḥamdi rabbik” = madhëroje Zotin tënd me lavdërim — thuaj “Subḥānallāh” dhe “Elḥamdulillāh” me sinqeritet. Dhe kërko falje — edhe pas triumfit, mos e harro përulësinë. Vërtet, Ai është Pranues i pendimit — Zoti që e do kthimin e robit tek Ai. Ky ajet përmban tri porosi madhështore: 1. Të lavdërosh Zotin pas suksesit — sepse çdo fitore është nga Ai. 2. Të kërkosh falje, sepse në çdo arritje njerëzore ka gabime të vogla që duhen pastruar. 3. Të qëndrosh i përulur, sepse lavdia i përket vetëm Zotit. Ibën Abasi (radhiallahu anhuma) thotë: “Kjo sure ishte shenjë se afati i Profetit ﷺ po afrohej.” Pas saj, Profeti ﷺ filloi të thoshte shpesh: “Subḥāneke Allāhumme ue biḥamdike, estaghfiruke ue etūbu ilejk.” (Transmetuar nga Buhariu).

En Nasr · 3 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi