KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 73

El Muzzemmil I mbështjelli me rroba

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 20 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

73:1

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلْمُزَّمِّلُ ١

O ti, i mbështjellë me rroba!1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

O ti që je mbuluar me rrobat e tua!

73:2

قُمِ ٱلَّيْلَ إِلَّا قَلِيلًۭا ٢

Ngrihu të falesh gjithë natën, përveç një pjese të vogël të saj,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ngrihu dhe falu natën, përveç një pjese të vogël të saj,

73:3

نِّصْفَهُۥٓ أَوِ ٱنقُصْ مِنْهُ قَلِيلًا ٣

gjysmën e saj ose diçka më pak,3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Falu gjysmën e natës, ose pak më pak se gjysma — derisa të arrish rreth një të tretën e saj —

73:4

أَوْ زِدْ عَلَيْهِ وَرَتِّلِ ٱلْقُرْءَانَ تَرْتِيلًا ٤

ose shto mbi të (gjysmën e natës), dhe lexoje Kuranin me qetësi e qartësi!4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

ose shto mbi gjysmën, derisa të arrish dy të tretat. Dhe lexoje Kuranin me qetësi, përkushtim dhe me shqiptim të qartë të shkronjave dhe ndalesave të tij.

73:5

إِنَّا سَنُلْقِى عَلَيْكَ قَوْلًۭا ثَقِيلًا ٥

Vërtet, Ne do të të shpallim një fjalë të rëndë (me peshë e me përgjegjësi të madhe).5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Vërtet, Ne do të ta shpallim ty, o Muhamed, një Kuran madhështor, që përmban urdhra, ndalesa dhe ligje hyjnore.

73:6

إِنَّ نَاشِئَةَ ٱلَّيْلِ هِىَ أَشَدُّ وَطْـًۭٔا وَأَقْوَمُ قِيلًا ٦

Vërtet, adhurimi i natës është më i fortë në ndikim dhe më i përshtatshëm për lexim të përqendruar.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Vërtet, adhurimi që kryhet në thellësinë e natës ka ndikimin më të fortë në zemër dhe është më i qartë në fjalë, sepse zemra në atë kohë është e lirë nga shqetësimet dhe angështitë e kësaj bote.

73:7

إِنَّ لَكَ فِى ٱلنَّهَارِ سَبْحًۭا طَوِيلًۭا ٧

Kurse gjatë ditës, ti ke shumë angazhime.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Vërtet, gjatë ditës ti ke lëvizje dhe angazhime në punët e tua, duke u marrë gjerësisht me çështjet e shpalljes dhe të misionit tënd, prandaj natën çliroje veten për adhurimin e Zotit tënd.

73:8

وَٱذْكُرِ ٱسْمَ رَبِّكَ وَتَبَتَّلْ إِلَيْهِ تَبْتِيلًۭا ٨

Përmende vazhdimisht emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju Atij me përkushtim të plotë!8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Dhe përmende, o i Dërguar, Emrin e Zotit tënd dhe përkushtohu plotësisht ndaj Tij në adhurimin tënd, duke u mbështetur tek Ai!

73:9

رَّبُّ ٱلْمَشْرِقِ وَٱلْمَغْرِبِ لَآ إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ فَٱتَّخِذْهُ وَكِيلًۭا ٩

Zoti i lindjes dhe i perëndimit – s’ka të adhuruar tjetër të denjë, përveç Tij; Atë merr për Mbrojtës!9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Ai është Zotëruesi i lindjes dhe i perëndimit; nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, prandaj mbështetu tek Ai dhe dorëzoja çështjet e tua Atij.

73:10

وَٱصْبِرْ عَلَىٰ مَا يَقُولُونَ وَٱهْجُرْهُمْ هَجْرًۭا جَمِيلًۭا ١٠

Duro ndaj asaj që thonë dhe largoju atyre me një largim fisnik!10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Dhe bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë idhujtarët për ty dhe për fenë tënde; mos i ndiq në veprat e tyre të kota, por largohu prej tyre me butësi dhe shmangu, pa u hakmarrë ndaj tyre!

73:11

وَذَرْنِى وَٱلْمُكَذِّبِينَ أُوْلِى ٱلنَّعْمَةِ وَمَهِّلْهُمْ قَلِيلًا ١١

M’i lër Mua përgënjeshtruesit -njerëzit e luksit - dhe jepu atyre pak kohë.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

M’i lër Mua, o i Dërguar, të merrem Unë me këta që mohojnë shenjat e Mia — ata që jetojnë në begati dhe luks në këtë botë — dhe jepu vetëm pak kohë, duke ua shtyrë dënimin për një afat të shkurtër, derisa të vijë koha e caktuar për ndëshkimin e tyre.

73:12

إِنَّ لَدَيْنَآ أَنكَالًۭا وَجَحِيمًۭا ١٢

Me të vërtetë, Ne kemi për ta pranga hekuri dhe Zjarr të flaktë,12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Për ta, tek Ne në botën tjetër ka pranga të rënda dhe një zjarr të përflakur në të cilin do të digjen;

73:13

وَطَعَامًۭا ذَا غُصَّةٍۢ وَعَذَابًا أَلِيمًۭا ١٣

ushqim që ngec në grykë dhe dënim të dhembshëm,13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

ushqim të neveritshëm që u ngel në fyt dhe nuk që nuk hahet; dhe një dënim të dhembshëm,

73:14

يَوْمَ تَرْجُفُ ٱلْأَرْضُ وَٱلْجِبَالُ وَكَانَتِ ٱلْجِبَالُ كَثِيبًۭا مَّهِيلًا ١٤

Ditën, kur Toka dhe malet do të dridhen, dhe malet do të shndërrohen në kodra rëre të lëvizshme.14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Ditën, kur Toka dhe malet do të tronditen e do të dridhen fort, derisa malet të shndërrohen në një grumbull rëre të lëvizshme e të shpërndarë — pasi më parë kanë qenë të forta e të palëvizshme.

73:15

إِنَّآ أَرْسَلْنَآ إِلَيْكُمْ رَسُولًۭا شَـٰهِدًا عَلَيْكُمْ كَمَآ أَرْسَلْنَآ إِلَىٰ فِرْعَوْنَ رَسُولًۭا ١٥

Vërtet, Ne ju kemi dërguar juve një të Dërguar (Muhamedin), dëshmitar mbi ju, ashtu siç i dërguam një të Dërguar (Musain) Faraonit.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Vërtet, Ne ju kemi dërguar juve, o banorë të Mekës, Muhamedin si të Dërguar, dëshmitar ndaj jush për atë që keni bërë nga mohimi dhe mosbindja — ashtu siç i dërguam Musain si të Dërguar te tirani Faraon.

73:16

فَعَصَىٰ فِرْعَوْنُ ٱلرَّسُولَ فَأَخَذْنَـٰهُ أَخْذًۭا وَبِيلًۭا ١٦

Por, Faraoni e kundërshtoi të Dërguarin, kështu që e ndëshkuam me ndëshkim të rëndë.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Por Faraoni e mohoi Musain dhe nuk besoi në mesazhin e tij, duke kundërshtuar urdhrin e tij; prandaj Ne e shkatërruam me një shkatërrim të ashpër. - Në këtë ka një paralajmërim të fortë kundër mosbindjes ndaj të Dërguarit Muhamed ﷺ, që askënd të mos e godasë ndëshkimi siç e goditi Faraonin dhe popullin e tij.

73:17

فَكَيْفَ تَتَّقُونَ إِن كَفَرْتُمْ يَوْمًۭا يَجْعَلُ ٱلْوِلْدَٰنَ شِيبًا ١٧

Si do të mbroheni ju - nëse mohoni - nga Dita që do t’i bëjë fëmijët të thinjur?17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

E si do t’i mbroni vetet tuaja — nëse mohoni — nga dënimi i Ditës së Kiametit, ditë aq e tmerrshme sa që prej tronditjes dhe tmerrit të saj edhe fëmijëve të vegjël do t’u thinjen flokët?

73:18

ٱلسَّمَآءُ مُنفَطِرٌۢ بِهِۦ ۚ كَانَ وَعْدُهُۥ مَفْعُولًا ١٨

Qielli do të çahet prej saj; premtimi i Tij do të përmbushet.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Atë ditë, qielli do të çahet nga tmerri dhe madhështia e saj; dhe premtimi i Allahut për ardhjen e asaj dite është i vërtetë dhe i pashmangshëm.

73:19

إِنَّ هَـٰذِهِۦ تَذْكِرَةٌۭ ۖ فَمَن شَآءَ ٱتَّخَذَ إِلَىٰ رَبِّهِۦ سَبِيلًا ١٩

Vërtet, kjo është këshillë, prandaj kush dëshiron, le të zgjedhë rrugën e drejtë për te Zoti i vet.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Vërtet, këto ajete të frikshme, që përmbajnë paralajmërime dhe qortime, janë këshillë dhe mësim për njerëzit. Prandaj, kush dëshiron të marrë mësim dhe të përfitojë prej tyre, le ta marrë bindjen dhe devotshmërinë si rrugë që e çon drejt kënaqësisë së Zotit të tij, i Cili e ka krijuar dhe e ka ushqyer.

73:20

۞ إِنَّ رَبَّكَ يَعْلَمُ أَنَّكَ تَقُومُ أَدْنَىٰ مِن ثُلُثَىِ ٱلَّيْلِ وَنِصْفَهُۥ وَثُلُثَهُۥ وَطَآئِفَةٌۭ مِّنَ ٱلَّذِينَ مَعَكَ ۚ وَٱللَّهُ يُقَدِّرُ ٱلَّيْلَ وَٱلنَّهَارَ ۚ عَلِمَ أَن لَّن تُحْصُوهُ فَتَابَ عَلَيْكُمْ ۖ فَٱقْرَءُواْ مَا تَيَسَّرَ مِنَ ٱلْقُرْءَانِ ۚ عَلِمَ أَن سَيَكُونُ مِنكُم مَّرْضَىٰ ۙ وَءَاخَرُونَ يَضْرِبُونَ فِى ٱلْأَرْضِ يَبْتَغُونَ مِن فَضْلِ ٱللَّهِ ۙ وَءَاخَرُونَ يُقَـٰتِلُونَ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ ۖ فَٱقْرَءُواْ مَا تَيَسَّرَ مِنْهُ ۚ وَأَقِيمُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُواْ ٱلزَّكَوٰةَ وَأَقْرِضُواْ ٱللَّهَ قَرْضًا حَسَنًۭا ۚ وَمَا تُقَدِّمُواْ لِأَنفُسِكُم مِّنْ خَيْرٍۢ تَجِدُوهُ عِندَ ٱللَّهِ هُوَ خَيْرًۭا وَأَعْظَمَ أَجْرًۭا ۚ وَٱسْتَغْفِرُواْ ٱللَّهَ ۖ إِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۢ ٢٠

Vërtet, Zoti yt e di se ti (o Muhamed) falesh gati dy të tretat e natës, gjysmën e saj ose një të tretën e saj; si dhe një grup prej atyre që janë me ty (bëjnë të njëjtën). Allahu e cakton saktë masën e natës dhe të ditës; Ai e di se ju nuk do ta përllogarisni saktësisht, prandaj ju ka lehtësuar. Lexoni, pra (gjatë namazit të natës), aq sa mundeni nga Kurani! Ai e di se do të ketë prej jush të sëmurë, të tjerë që udhëtojnë nëpër tokë duke kërkuar nga mirësia e Allahut, e të tjerë që luftojnë në Rrugën e Allahut; prandaj lexoni nga ai (Kurani) aq sa mundeni! Dhe faleni namazin, jepeni zekatin dhe jepini Allahut hua të mirë! Çfarëdo të mire që bëni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu, më të mirë dhe më të shpërblyer. Dhe, kërkoni falje nga Allahu, sepse vërtet, Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë!20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Vërtet, Zoti yt, o Muhamed, e di se ti ngrihesh për namaz nate, ndonjëherë më pak se dy të tretat e natës, ndonjëherë gjysmën e natës, e ndonjëherë një të tretën e saj, dhe se një grup nga shokët e tu ngrihen gjithashtu. Allahu e di se ju nuk mund ta përballoni gjithë natën në adhurim, prandaj ju lehtësoi. Pra, lexoni në namazin e natës aq sa ju lehtësohet nga Kurani. Allahu e di se ndër ju ka të sëmurë që nuk munden të qëndrojnë gjatë në këmbë, të tjerë që udhëtojnë nëpër tokë duke kërkuar furnizimin hallall nga Allahu përmes tregtisë dhe punës, dhe të tjerë që luftojnë në rrugën e Allahut për të lartësuar Fjalën e Tij dhe për të përhapur fenë e Tij, prandaj lexoni në namazin e natës aq sa mundeni nga Kurani, përmbushni rregullisht namazet e detyruara, jepni zekatin dhe jepni nga pasuria juaj në vepra të mira dhe bamirësi, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut. Çfarëdo të mire që të bëni, do ta gjeni shpërblimin e saj tek Allahu më të mirë se ajo që keni dhënë në këtë botë dhe më të madh në shpërblim. Dhe kërkoni faljen e Allahut në çdo gjendje, sepse Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirues ndaj jush!

El Muzzemmil · 20 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi