KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 58

El Muxhadile Diskutuesja

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 22 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

58:1

قَدْ سَمِعَ ٱللَّهُ قَوْلَ ٱلَّتِى تُجَـٰدِلُكَ فِى زَوْجِهَا وَتَشْتَكِىٓ إِلَى ٱللَّهِ وَٱللَّهُ يَسْمَعُ تَحَاوُرَكُمَآ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ سَمِيعٌۢ بَصِيرٌ ١

Allahu e dëgjoi fjalën e asaj që diskutoi me ty (o Muhamed) për burrin e saj, dhe ankohej tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Allahu është Dëgjues dhe Vëshgues.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Allahu e dëgjoi fjalën e Haula bint Tha‘labe, e cila u ankua për çështjen e saj me burrin e saj, Aus ibn Es Samit, për shkak të fjalës që ai kishte thënë kundër saj në formën e dhiharit (shprehje që e ndalon gruan si nënën). Ai (burri i saj) i kishte thënë asaj: “Ti je për mua si shpina e nënës sime.” Pastaj ajo e pyeti Profetin ﷺ për këtë çështje, dhe ai iu përgjigj se, sipas zakonit që kishin atëherë, një shprehje e tillë (dhihar) e bënte gruan të ndaluar për burrin përgjithmonë. “Ajo iu ankua Allahut” — për vetminë dhe varfërinë e saj, si edhe për fëmijët e saj të vegjël: nëse do t’i linte me të (me burrin), ata do të humbnin; e nëse do t’i merrte me vete, ata do të uriteshin. Ajo iu lut Allahut të Lartësuar për ta lehtësuar vuajtjen e saj, dhe Allahu e dëgjoi bisedën dhe diskutimin e saj me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Me të vërtetë, Allahu është Dëgjues i çdo fjale dhe Vëzhgues i çdo gjëje; Asgjë nuk i fshihet Atij.

58:2

ٱلَّذِينَ يُظَـٰهِرُونَ مِنكُم مِّن نِّسَآئِهِم مَّا هُنَّ أُمَّهَـٰتِهِمْ ۖ إِنْ أُمَّهَـٰتُهُمْ إِلَّا ٱلَّـٰٓـِٔى وَلَدْنَهُمْ ۚ وَإِنَّهُمْ لَيَقُولُونَ مُنكَرًۭا مِّنَ ٱلْقَوْلِ وَزُورًۭا ۚ وَإِنَّ ٱللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٌۭ ٢

Ata prej jush, që i ndajnë gratë e tyre duke i krahasuar me nënat e veta (dhihar), duhet ta dinë se ato gra nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Me të vërtetë, ata thonë një fjalë të neveritshme dhe të rreme. Megjithatë, Allahu është Shlyes i gjynaheve, Falës i Madh.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ata që bëjnë dhihar prej jush ndaj grave të tyre — kur burri i thotë gruas së vet: “Ti je për mua si shpina e nënës sime”, që do të thotë se ajo i bëhet e ndaluar për martesë — kanë kundërshtuar Allahun dhe kanë shkelur ligjin e Tij. Gratë e tyre nuk janë në të vërtetë nënat e tyre; nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Këta burra që thonë një fjalë të tillë, thonë një fjalë të shëmtuar dhe të rreme, pa asnjë bazë të drejtë. Megjithatë, Allahu është i Butë dhe Falës ndaj atyre që kanë bërë mëkate, por janë penduar me pendim të sinqertë.

58:3

وَٱلَّذِينَ يُظَـٰهِرُونَ مِن نِّسَآئِهِمْ ثُمَّ يَعُودُونَ لِمَا قَالُواْ فَتَحْرِيرُ رَقَبَةٍۢ مِّن قَبْلِ أَن يَتَمَآسَّا ۚ ذَٰلِكُمْ تُوعَظُونَ بِهِۦ ۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌۭ ٣

Ata që e bëjnë këtë (dhihar) me gratë e tyre, pastaj kthehen tek ajo që kanë thënë, duhet të lirojnë një skllav, para se të prekin njëri-tjetrin. Kështu jeni urdhëruar, dhe Allahu është i Dijshëm për atë që veproni.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ata që e shpallin të ndaluar gruan e tyre për veten e tyre me dhihar, e pastaj pendohen për fjalën e thënë dhe vendosin të kthehen te gratë e tyre (të kryejnë marrëdhënie bashkëshortore), atëherë për burrin që ka bërë dhihar është e detyrueshme të japë shlyerjen (kafaren) për këtë ndalim. Kjo shlyerje është çlirimi i një skllavi besimtar, mashkull apo femër, para se të prekë gruan e tij me të cilën ka bërë dhihar. Ky është gjykimi i Allahut për atë që ka bërë dhihar ndaj gruas së vet — ju këshillohet me këtë, o besimtarë, që të mos bini në këtë gjynah, të mos thoni fjalë të rreme, dhe nëse ndodh, ta shlyeni siç është urdhëruar, që të mos ktheheni më në të. Allahut nuk i fshihet asgjë nga veprat tuaja, dhe Ai do t’ju shpërblejë për to siç e meritoni.

58:4

فَمَن لَّمْ يَجِدْ فَصِيَامُ شَهْرَيْنِ مُتَتَابِعَيْنِ مِن قَبْلِ أَن يَتَمَآسَّا ۖ فَمَن لَّمْ يَسْتَطِعْ فَإِطْعَامُ سِتِّينَ مِسْكِينًۭا ۚ ذَٰلِكَ لِتُؤْمِنُواْ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ ۚ وَتِلْكَ حُدُودُ ٱللَّهِ ۗ وَلِلْكَـٰفِرِينَ عَذَابٌ أَلِيمٌ ٤

Ai që nuk gjen (skllav për të liruar), duhet të agjërojë dy muaj rresht, para se të prekin njëri-tjetrin (si bashkëshortë). E kush nuk mundet (të agjërojë), le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këto janë kufijtë e Allahut; e për mohuesit ka ndëshkim të dhembshëm.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Ai që nuk gjen një skllav për ta liruar, është i detyruar të agjërojë dy muaj rresht pa ndërprerje, para se të prekë gruan e vet. E kush nuk është në gjendje t’i agjërojë dy muajt për një arsye të vlefshme fetare, atëherë duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër, duke i ngopur me ushqim. Këto janë rregullat që Ne ua kemi sqaruar lidhur me dhiharin, në mënyrë që të besoni Allahun, të pasoni të Dërguarin e Tij, të zbatoni atë që Allahu ka ligjësuar dhe të hiqni dorë nga zakonet e injorancës (të para Islamit). Këto dispozita janë urdhrat dhe kufijtë e Allahut, prandaj mos i kaloni ato, sepse për ata që i mohojnë këto ligje, ka dënim të dhembshëm.

58:5

إِنَّ ٱلَّذِينَ يُحَآدُّونَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ كُبِتُواْ كَمَا كُبِتَ ٱلَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ ۚ وَقَدْ أَنزَلْنَآ ءَايَـٰتٍۭ بَيِّنَـٰتٍۢ ۚ وَلِلْكَـٰفِرِينَ عَذَابٌۭ مُّهِينٌۭ ٥

Vërtet, ata që kundështojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do të poshtërohen, ashtu siç u poshtëruan ata që ishin para tyre. Ne kemi zbritur shpallje të qarta; prandaj, për mohuesit do të ketë një ndëshkim poshtërues,5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Me të vërtetë, ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe veprojnë në kundërshtim me urdhrat e tyre, janë të poshtëruar dhe të turpëruar, ashtu siç u poshtëruan edhe popujt para tyre që u ngritën kundër Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ne kemi zbritur ajete të qarta dhe me dëshmi të forta, që tregojnë se ligji dhe kufijtë e Allahut janë të vërteta. Ndërsa për ata që i mohojnë këto ajete, do të kenë dënim poshtërues në Xhehenem;

58:6

يَوْمَ يَبْعَثُهُمُ ٱللَّهُ جَمِيعًۭا فَيُنَبِّئُهُم بِمَا عَمِلُوٓاْ ۚ أَحْصَىٰهُ ٱللَّهُ وَنَسُوهُ ۚ وَٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ شَهِيدٌ ٦

në Ditën kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë dhe do t’i njoftojë për ato që kanë bërë. Allahu i ka numëruar (shënuar) të gjitha, ndërsa ata i kanë harruar. Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

në Ditën e Kiametit, Ditën kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë të vdekurit dhe do t’i mbledhë të parët dhe të fundit në një vend të vetëm. Atëherë Ai do t’i njoftojë për çdo vepër që kanë bërë — të mirë apo të keqe. Allahu i ka numëruar dhe i ka shkruar të gjitha në Librin e Ruajtur (el-Lauh el-Mahfudh) dhe i ka ruajtur në regjistrat e veprave të tyre, ndërsa ata vetë i kanë harruar. Allahu është Dëshmitar i çdo gjëje, asgjë nuk i fshihet Atij.

58:7

أَلَمْ تَرَ أَنَّ ٱللَّهَ يَعْلَمُ مَا فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَمَا فِى ٱلْأَرْضِ ۖ مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَىٰ ثَلَـٰثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَآ أَدْنَىٰ مِن ذَٰلِكَ وَلَآ أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُواْ ۖ ثُمَّ يُنَبِّئُهُم بِمَا عَمِلُواْ يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌ٧

A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe çdo gjë që është në Tokë? Nuk ka bisedë të fshehtë mes tre vetave pa qenë Ai i katërti i tyre; as mes pesë vetash pa qenë Ai i gjashti i tyre; as më pak se aq, as më shumë, pa qenë Ai me ta kudo që të jenë. Pastaj, në Ditën e Kiametit, Ai do t’i njoftojë për atë që kanë bërë. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

A nuk e di ti, se Allahu i Lartësuar di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë? Nuk ka tre vetë që bisedojnë fshehurazi, pa qenë Ai i Katërti me dijen e Tij; as pesë, pa qenë Ai i Gjashti. Madje, qoftë më pak apo më shumë se këto, Ai është gjithmonë me ta me dijen e Tij, kudo që të jenë — asgjë nga çështjet e tyre nuk i fshihet Atij. Pastaj, në Ditën e Kiametit, Allahu do t’i njoftojë për gjithçka që kanë bërë, të mirë apo të keqe, dhe do t’i shpërblejë sipas veprave të tyre. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.

58:8

أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ نُهُواْ عَنِ ٱلنَّجْوَىٰ ثُمَّ يَعُودُونَ لِمَا نُهُواْ عَنْهُ وَيَتَنَـٰجَوْنَ بِٱلْإِثْمِ وَٱلْعُدْوَٰنِ وَمَعْصِيَتِ ٱلرَّسُولِ وَإِذَا جَآءُوكَ حَيَّوْكَ بِمَا لَمْ يُحَيِّكَ بِهِ ٱللَّهُ وَيَقُولُونَ فِىٓ أَنفُسِهِمْ لَوْلَا يُعَذِّبُنَا ٱللَّهُ بِمَا نَقُولُ ۚ حَسْبُهُمْ جَهَنَّمُ يَصْلَوْنَهَا ۖ فَبِئْسَ ٱلْمَصِيرُ٨

A nuk i sheh ata (hebrenjë) që u ndaluan nga bisedat e fshehta, e megjithatë kthehen tek ajo që u është ndaluar, dhe bisedojnë fshehurazi për gjynahe, armiqësi dhe kundërshtim të të Dërguarit? Kur vijnë tek ti, të përshëndesin me një përshëndetje që Allahu nuk të ka përshëndetur me të, dhe thonë me veten e tyre: “Pse nuk na dënon Allahu për këtë që po themi?” Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të digjen — sa vend i keq është ai!8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

A nuk i ke parë, o i Dërguar, ata hebrenjë, të cilëve u ishte ndaluar të bisedonin fshehurazi për gjëra që mbjellin dyshim në zemrat e besimtarëve, por megjithatë kthehen tek ajo që u është ndaluar dhe flasin fshehurazi për mëkat, armiqësi dhe kundërshtim të urdhrit të të Dërguarit? Kur vijnë tek ti për ndonjë çështje, o i Dërguar, të përshëndesin me një përshëndetje që Allahu nuk e ka bërë për ty, duke thënë: “Es-samu alejk” – që do të thotë: “Vdekja qoftë mbi ty!” Pastaj thonë mes vete: “Pse nuk na ndëshkon Allahu për atë që i themi Muhamedit, nëse ai është me të vërtetë i Dërguar?” Por mjafton për ta Xhehenemi, ku do të futen dhe do të ndiejnë nxehtësinë e tij përvëluese. Sa vend i keq është ai!

58:9

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِذَا تَنَـٰجَيْتُمْ فَلَا تَتَنَـٰجَوْاْ بِٱلْإِثْمِ وَٱلْعُدْوَٰنِ وَمَعْصِيَتِ ٱلرَّسُولِ وَتَنَـٰجَوْاْ بِٱلْبِرِّ وَٱلتَّقْوَىٰ ۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ ٱلَّذِىٓ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ ٩

O besimtarë! Kur të bisedoni fshehurazi mes jush, mos bisedoni për gjynahe, armiqësi dhe kundërshtim të të Dërguarit, por bisedoni për bamirësi dhe devotshmëri. Dhe, kini frikë Allahun, tek i Cili do të grumbulloheni!9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe veproni sipas ligjit të Tij, kur të flisni mes jush fshehurazi, mos flisni për gjëra që janë mëkat, as për armiqësi ndaj të tjerëve, as për kundërshtim të urdhrit të të Dërguarit. Flisni për gjëra që sjellin mirësi, bindje dhe bamirësi. Kini frikë Allahun duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, sepse tek Ai do të ktheheni për çdo vepër dhe fjalë që keni bërë; Ai i ka numëruar të gjitha dhe do t’ju shpërblejë për to.

58:10

إِنَّمَا ٱلنَّجْوَىٰ مِنَ ٱلشَّيْطَـٰنِ لِيَحْزُنَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَلَيْسَ بِضَآرِّهِمْ شَيْـًٔا إِلَّا بِإِذْنِ ٱللَّهِ ۚ وَعَلَى ٱللَّهِ فَلْيَتَوَكَّلِ ٱلْمُؤْمِنُونَ ١٠

Me të vërtetë, bisedat e fshehta janë të nxitura nga djalli, për të trishtuar besimtarët; por ai nuk mund t’ju bëjë asnjë dëm, përveç me lejen e Allahut. Prandaj, vetëm te Allahu të mbështeten besimtarët!10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Me të vërtetë, bisedat e fshehta që kanë për qëllim mëkatin dhe armiqësinë janë prej pëshpëritjeve të shejtanit; ai është që i zbukuron dhe i nxit ato, me qëllim që të fusë trishtim në zemrat e besimtarëve. Por ai nuk mund t’u bëjë asnjë dëm besimtarëve, përveçse me lejen dhe vullnetin e Allahut të Lartësuar. Prandaj, vetëm te Allahu le të mbështeten ata që besojnë në Të!

58:11

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِذَا قِيلَ لَكُمْ تَفَسَّحُواْ فِى ٱلْمَجَـٰلِسِ فَٱفْسَحُواْ يَفْسَحِ ٱللَّهُ لَكُمْ ۖ وَإِذَا قِيلَ ٱنشُزُواْ فَٱنشُزُواْ يَرْفَعِ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مِنكُمْ وَٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلْعِلْمَ دَرَجَـٰتٍۢ ۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌۭ ١١

O besimtarë! Kur t’ju thuhet: “Bëni vend!” nëpër tubime, atëherë bëni vend, që Allahu do t’ju bëjë vend juve. Dhe, kur t’ju thuhet: “Ngrihuni”, ngrihuni! Allahu do t’i ngrejë në shkallë ata që besojnë prej jush dhe ata që u është dhënë dituria. Allahu është i Dijshëm për atë që veproni.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe veproni sipas ligjit të Tij, kur t’ju kërkohet t’u bëni vend të tjerëve nëpër tubime, atëherë bëni vend — Allahu do t’ju bëjë vend dhe do t’ju japë hapësirë dhe lehtësi në këtë botë dhe në botën tjetër. Dhe kur t’ju kërkohet, o besimtarë, të ngriheni nga vendet tuaja për ndonjë çështje që sjell të mirë për ju, atëherë ngrihuni! Allahu e ngre në gradë më të larta atë që ka besim të sinqertë ndër ju, dhe e ngre edhe më shumë në gradë atë që është i ditur, duke i dhënë shpërblim të madh dhe kënaqësi të përjetshme. Allahu është i dijshëm për veprat tuaja, asgjë nuk i fshihet Atij, dhe Ai do t’ju shpërblejë sipas tyre. - Në këtë ajet theksohet vlera e madhe e dijetarëve dhe lartësimi i pozitës së tyre.

58:12

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِذَا نَـٰجَيْتُمُ ٱلرَّسُولَ فَقَدِّمُواْ بَيْنَ يَدَىْ نَجْوَىٰكُمْ صَدَقَةًۭ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ لَّكُمْ وَأَطْهَرُ ۚ فَإِن لَّمْ تَجِدُواْ فَإِنَّ ٱللَّهَ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌ ١٢

O besimtarë! Kur doni të bisedoni privatësisht me të Dërguarin, jepni lëmoshë, para bisedës suaj me të. Kjo është më e mirë dhe më e pastër për ju. Por, nëse nuk gjeni (mundësi për të dhënë), atëherë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

O ju që keni besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe veproni sipas ligjit të Tij, kur dëshironi të konsultoheni privatësisht me të Dërguarin e Allahut ﷺ, jepni më parë një lëmoshë për ata që janë në nevojë. Kjo është më e mirë për ju, sepse sjell shpërblim dhe është më e pastër për zemrat tuaja nga mëkatet. Por nëse nuk gjeni gjë për të dhënë si sadaka, nuk ka gjynah për ju, sepse Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë ndaj robërve të Tij besimtarë.

58:13

ءَأَشْفَقْتُمْ أَن تُقَدِّمُواْ بَيْنَ يَدَىْ نَجْوَىٰكُمْ صَدَقَـٰتٍۢ ۚ فَإِذْ لَمْ تَفْعَلُواْ وَتَابَ ٱللَّهُ عَلَيْكُمْ فَأَقِيمُواْ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتُواْ ٱلزَّكَوٰةَ وَأَطِيعُواْ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ ۚ وَٱللَّهُ خَبِيرٌۢ بِمَا تَعْمَلُونَ ١٣

A patët frikë të jepni lëmoshë para bisedave tuaja të fshehta me të Dërguarin? Meqenëse nuk e bëtë këtë dhe Allahu ju fali, atëherë falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij! Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që veproni.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

A u frikësuat nga varfëria pse duhej të jepnit sadaka para se të flisnit privatësisht me të Dërguarin e Allahut ﷺ? Meqë nuk e zbatuat atë që ju ishte urdhëruar, Allahu ju fali dhe ju dha lehtësi që të mos e bëni këtë më. Prandaj vazhdoni me vendosmëri në faljen e namazit, dhënien e zekatit dhe bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij në çdo gjë që jeni urdhëruar. Allahu është i Dijshëm për veprat tuaja dhe do t’ju shpërblejë sipas tyre.

58:14

۞ أَلَمْ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ تَوَلَّوْاْ قَوْمًا غَضِبَ ٱللَّهُ عَلَيْهِم مَّا هُم مِّنكُمْ وَلَا مِنْهُمْ وَيَحْلِفُونَ عَلَى ٱلْكَذِبِ وَهُمْ يَعْلَمُونَ ١٤

A nuk i sheh ata (hipokritë) që kanë miqësi me një popull ndaj të cilit Allahu është zemëruar? Ata nuk janë as prej jush, as prej tyre, dhe betohen me gënjeshtër, ndërkohë që e dinë (se po gënjejnë).14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

A nuk i ke parë hipokritët që kanë marrë hebrenjtë për miq dhe aleatë? Hipokritët, në të vërtetë, nuk janë as nga myslimanët e as nga hebrenjtë, por betohen rrejshëm se janë myslimanë dhe se ti je i Dërguari i Allahut, ndërkohë që e dinë mirë se po gënjejnë në atë për të cilën betohen.

58:15

أَعَدَّ ٱللَّهُ لَهُمْ عَذَابًۭا شَدِيدًا ۖ إِنَّهُمْ سَآءَ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ ١٥

Allahu u ka përgatitur atyre një dënim të ashpër, sepse është vërtet e keqe ajo që veprojnë!15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Allahu u ka përgatitur hipokritëve një dënim tepër të ashpër dhe të dhembshëm, sepse shumë të këqija janë veprat që ata bënin — hipokrizia dhe betimi i rremë.

58:16

ٱتَّخَذُوٓاْ أَيْمَـٰنَهُمْ جُنَّةًۭ فَصَدُّواْ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ فَلَهُمْ عَذَابٌۭ مُّهِينٌۭ ١٦

Ata i përdorin betimet e tyre si mburojë, dhe pengojnë njerëzit nga Rruga e Allahut; për ta ka një dënim poshtërues.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Hipokritët i kanë përdorur betimet e tyre të rreme si mburojë, për t’u shpëtuar dënimit për shkak të mohimit të tyre dhe për të penguar myslimanët që t’i luftojnë ose t’u marrin pasuritë. Për këtë shkak, ata e penguan veten dhe të tjerët nga rruga e Allahut, që është Islami. Prandaj ata do të kenë një dënim poshtërues në Zjarr, për shkak të mendjemadhësisë së tyre ndaj besimit në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe për shkak të pengimit të njerëzve nga rruga e Tij.

58:17

لَّن تُغْنِىَ عَنْهُمْ أَمْوَٰلُهُمْ وَلَآ أَوْلَـٰدُهُم مِّنَ ٱللَّهِ شَيْـًٔا ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ أَصْحَـٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَـٰلِدُونَ ١٧

As pasuria e tyre, as fëmijët e tyre nuk do t’u vlejnë aspak para Allahut. Ata janë banorët e Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

As pasuritë, as fëmijët nuk do t’i shpëtojnë hipokritët nga dënimi i Allahut në asnjë mënyrë. Ata janë banorët e zjarrit, do të hyjnë në të dhe do të qëndrojnë aty përgjithmonë, pa dalë kurrë prej tij. Ky dënim përfshin çdo person që pengon njerëzit nga feja e Allahut, me fjalë apo me vepra.

58:18

يَوْمَ يَبْعَثُهُمُ ٱللَّهُ جَمِيعًۭا فَيَحْلِفُونَ لَهُۥ كَمَا يَحْلِفُونَ لَكُمْ ۖ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُمْ عَلَىٰ شَىْءٍ ۚ أَلَآ إِنَّهُمْ هُمُ ٱلْكَـٰذِبُونَ ١٨

Ditën, kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij ashtu siç ju betohen juve, duke menduar se kanë me të vërtetë diçka mbi të cilën të mbështeten. Padyshim, ata janë gënjeshtarët e vërtetë.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Në Ditën e Kiametit, Allahu do t’i ringjallë të gjithë hipokritët nga varret e tyre, dhe ata do t’i bëjnë be Allahut se kanë qenë besimtarë, ashtu siç ju betoheshin juve, o besimtarë, në këtë botë. Ata do të mendojnë se kjo do t’u sjellë dobi edhe para Allahut, ashtu siç u sillte dobi në botë kur gënjenin myslimanët. Por jo! Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarët më të mëdhenj, të cilët e kanë tejkaluar çdo kufi në gënjeshtër.

58:19

ٱسْتَحْوَذَ عَلَيْهِمُ ٱلشَّيْطَـٰنُ فَأَنسَىٰهُمْ ذِكْرَ ٱللَّهِ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ حِزْبُ ٱلشَّيْطَـٰنِ ۚ أَلَآ إِنَّ حِزْبَ ٱلشَّيْطَـٰنِ هُمُ ٱلْخَـٰسِرُونَ ١٩

Djalli i ka pushtuar ata dhe i ka bërë të harrojnë përmendjen e Allahut. Ata janë pala e djallit. Padyshim, pala e djallit janë humbësit e vërtetë.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Shejtani i ka pushtuar dhe i ka nënshtruar ata, derisa i kanë braktisur urdhrat e Allahut dhe veprat e bindjes ndaj Tij. Ata janë pala dhe ndjekësit e shejtanit. Vërtet, pala e shejtanit janë humbësit — si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

58:20

إِنَّ ٱلَّذِينَ يُحَآدُّونَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥٓ أُوْلَـٰٓئِكَ فِى ٱلْأَذَلِّينَ ٢٠

Me të vërtetë, ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, janë ndër më të poshtëruarit.20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Vërtet, ata që kundërshtojnë urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë prej atyre që do të jenë të poshtëruar, të mundur dhe të nënçmuar — si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

58:21

كَتَبَ ٱللَّهُ لَأَغْلِبَنَّ أَنَا۠ وَرُسُلِىٓ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ قَوِىٌّ عَزِيزٌۭ ٢١

Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të fitojmë, me siguri!” Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Allahu ka shkruar në Librin e Ruajtur (el-Lauh el-Mahfudh) dhe ka vendosur me urdhërin e Tij, se ndihma dhe fitorja do të jenë për Të, për Librin e Tij, për të dërguarit e Tij dhe për robërit e Tij besimtarë. Vërtet, Allahu është i Fortë, asgjë nuk e mund, dhe i Plotfuqishëm mbi gjithë krijesat e Tij.

58:22

لَّا تَجِدُ قَوْمًۭا يُؤْمِنُونَ بِٱللَّهِ وَٱلْيَوْمِ ٱلْـَٔاخِرِ يُوَآدُّونَ مَنْ حَآدَّ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ وَلَوْ كَانُوٓاْ ءَابَآءَهُمْ أَوْ أَبْنَآءَهُمْ أَوْ إِخْوَٰنَهُمْ أَوْ عَشِيرَتَهُمْ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ كَتَبَ فِى قُلُوبِهِمُ ٱلْإِيمَـٰنَ وَأَيَّدَهُم بِرُوحٍۢ مِّنْهُ ۖ وَيُدْخِلُهُمْ جَنَّـٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ خَـٰلِدِينَ فِيهَا ۚ رَضِىَ ٱللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُواْ عَنْهُ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ حِزْبُ ٱللَّهِ ۚ أَلَآ إِنَّ حِزْبَ ٱللَّهِ هُمُ ٱلْمُفْلِحُونَ ٢٢

Nuk do të gjesh njerëz që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, të jenë miqësorë me ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, qoftë edhe nëse janë etërit e tyre, bijtë e tyre, vëllezërit e tyre apo farefisi i tyre. Të tillët janë ata, në zemrat e të cilëve Allahu ka shkruar besimin dhe i ka forcuar me një shpirt (dritë) prej Tij. Ai do t’i fusë ata në kopshte (Xheneti), nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta, dhe ata janë të kënaqur me Të. Këta janë pala e Allahut — vërtet, Pala e Allahut janë fituesit e vërtetë.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Nuk do të gjesh, o i Dërguar, njerëz që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që veprojnë sipas ligjit të Tij, të duan apo të mbajnë miqësi me ata që janë armiq të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, edhe sikur të jenë baballarët e tyre, bijtë e tyre, vëllezërit e tyre apo të afërmit e tyre.

Ata që duan për hir të Allahut dhe armiqësohen për hir të Tij, Allahu ka forcuar besimin në zemrat e tyre dhe i ka ndihmuar me ndihmën e Tij hyjnore kundër armiqve të tyre në këtë botë. Në botën tjetër, Ai do t’i futë në Xhenete, nën hijet e të cilave rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu do t’u japë kënaqësinë e Tij, dhe nuk do të zemërohet më me ta, ndërsa ata do të jenë të kënaqur me Zotin e tyre për nderin dhe gradat e larta që u ka dhënë. Këta janë pala e Allahut, miqtë e Tij të dashur; dhe vërtet, pala e Allahut janë të fituarit, ata që gëzojnë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

El Muxhadile · 22 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi