KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 63

El Munafikun Hipokritët

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 11 ajete • Ajetet 1–11

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

63:1

إِذَا جَآءَكَ ٱلْمُنَـٰفِقُونَ قَالُواْ نَشْهَدُ إِنَّكَ لَرَسُولُ ٱللَّهِ ۗ وَٱللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّكَ لَرَسُولُهُۥ وَٱللَّهُ يَشْهَدُ إِنَّ ٱلْمُنَـٰفِقِينَ لَكَـٰذِبُونَ ١

Kur hipokritët vijnë tek ti, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Kur hipokritët vijnë në tubimin tënd — o i Dërguar — thonë me gjuhët e tyre: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut”, e Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë në atë që shfaqin si dëshmi për ty; ata betohen me gojët e tyre, por brenda fshehin mohimin e tyre.

63:2

ٱتَّخَذُوٓاْ أَيْمَـٰنَهُمْ جُنَّةًۭ فَصَدُّواْ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ ۚ إِنَّهُمْ سَآءَ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ ٢

Ata i përdorin betimet e tyre si mburojë, dhe pengojnë njerëzit nga Rruga e Allahut. Sa të këqija janë veprat e tyre!2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Vërtet, hipokritët bënë që betimet e tyre — me të cilat u betuan — të jenë një mbulesë dhe një mjet mbrojtjeje për ta nga marrja në përgjegjësi dhe nga dënimi; ata e privuan vetveten dhe i penguan njerëzit nga rruga e drejtë e Allahut. Sa të këqija janë veprat që bëjnë!

63:3

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ ءَامَنُواْ ثُمَّ كَفَرُواْ فَطُبِعَ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ فَهُمْ لَا يَفْقَهُونَ ٣

Kjo, sepse ata besuan, por pastaj mohuan; prandaj zemrat e tyre janë vulosur, kështu që ata nuk kuptojnë.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Kjo, sepse ata besuan në dukje, e pastaj mohuan në brendësi; prandaj Allahu i vulosi zemrat e tyre për shkak të mohimit të tyre, kështu që ata nuk kuptojnë atë që u sjell dobi.

63:4

۞ وَإِذَا رَأَيْتَهُمْ تُعْجِبُكَ أَجْسَامُهُمْ ۖ وَإِن يَقُولُواْ تَسْمَعْ لِقَوْلِهِمْ ۖ كَأَنَّهُمْ خُشُبٌۭ مُّسَنَّدَةٌۭ ۖ يَحْسَبُونَ كُلَّ صَيْحَةٍ عَلَيْهِمْ ۚ هُمُ ٱلْعَدُوُّ فَٱحْذَرْهُمْ ۚ قَـٰتَلَهُمُ ٱللَّهُ ۖ أَنَّىٰ يُؤْفَكُونَ ٤

Kur i sheh ata, pamja e tyre të mahnit; e kur flasin, fjalët e tyre dëgjohen. Por, ata janë si trarë të mbështetur në mur. Çdo thirrje e mendojnë kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, prandaj ruaju prej tyre! Allahu i vraftë! Si shmangen nga e vërteta!4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Kur i sheh këta hipokritë, pamjet dhe trupat e tyre të mahnisin, dhe kur flasin, i dëgjon fjalët e tyre për shkak të hijeshisë së të folurit të tyre; e megjithatë zemrat e tyre janë të zbrazëta nga besimi, dhe mendjet e tyre të zbrazëta nga kuptimi dhe dija e dobishme, si trarë druri të mbështetura në mur që nuk kanë jetë; ata mendojnë se çdo thirrje që bëhet, është kundër tyre dhe do t’i dëmtojë, për shkak të dijenisë së tyre për të vërtetën e gjendjes së tyre të brendshme dhe për shkak të frikës së madhe dhe tmerrit që u ka kapluar zemrat; ata janë armiqtë e vërtetë, me urrejtje të madhe ndaj teje, o i Dërguar, dhe ndaj besimtarëve, prandaj ruaju prej tyre; Allahu i shkatërroftë dhe i dëboftëë nga mëshira e Tij — si mund të largohen ata nga e vërteta dhe të mbeten në hipokrizi e humbje?!

63:5

وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ تَعَالَوْاْ يَسْتَغْفِرْ لَكُمْ رَسُولُ ٱللَّهِ لَوَّوْاْ رُءُوسَهُمْ وَرَأَيْتَهُمْ يَصُدُّونَ وَهُم مُّسْتَكْبِرُونَ ٥

Kur atyre u thuhet: “Ejani, që i Dërguari i Allahut të kërkojë falje për ju,” ata tundin kokat e tyre (me përbuzje), dhe i sheh të largohen me mendjemadhësi.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Kur u thuhet hipokritëve: “Ejani të penduar dhe kërkoni falje për fjalët e këqia që kanë dalë prej jush ka dhe për bisedat e shthurura; i Dërguari i Allahut do të lutet dhe do t’i kërkojë Allahut falje për ju dhe amnisti për gjynahet tuaja”, ata i përkulin dhe i lëvizin kokat me tallje dhe mendjemadhësi; dhe ti i sheh, o i Dërguar, që largohen prej teje, ndërsa janë mendjemëdhenj dhe nuk duan të përmbushin atë që u është kërkuar.

63:6

سَوَآءٌ عَلَيْهِمْ أَسْتَغْفَرْتَ لَهُمْ أَمْ لَمْ تَسْتَغْفِرْ لَهُمْ لَن يَغْفِرَ ٱللَّهُ لَهُمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلْفَـٰسِقِينَ ٦

Për ta është njësoj, nëse kërkon apo nuk kërkon falje për ta — Allahu nuk do t’i falë kurrë. Vërtet, Allahu nuk i udhëzon njerëzit e pabindur.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Njësoj është për hipokritët, qoftë nëse ti, o i Dërguar, kërkon falje tek Allahu për ta apo jo, Allahu nuk do t’i falë kurrë ata; për shkak të ngulmimit të tyre në mëkat dhe të qëndrueshmërisë së tyre në mohim. Me të vërtetë, Allahu nuk i udhëzon drejt besimit njerëzit që e kanë mohuar Atë dhe që dalin nga bindja ndaj Tij.

63:7

هُمُ ٱلَّذِينَ يَقُولُونَ لَا تُنفِقُواْ عَلَىٰ مَنْ عِندَ رَسُولِ ٱللَّهِ حَتَّىٰ يَنفَضُّواْ ۗ وَلِلَّهِ خَزَآئِنُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَلَـٰكِنَّ ٱلْمُنَـٰفِقِينَ لَا يَفْقَهُونَ ٧

Janë ata që thonë: “Mos u jepni ndihmë atyre që janë pranë të Dërguarit të Allahut, derisa të largohen prej tij!” Mirëpo, Allahut i përkasin thesaret e qiejve dhe të Tokës, por hipokritët nuk kuptojnë.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Këta hipokritë janë ata që u thonë njerëzve të “Medines”: “Mos shpenzoni për shokët e të Dërguarit nga emigrantët, që ata të largohen prej tij!” Mirëpo, vetëm te Allahu janë thesaret e qiejve dhe të Tokës dhe gjithçka ka në to nga përkujdesjet; Ai ia jep kujt të dojë dhe ia ndal kujt të dojë, por hipokritët nuk kanë kuptim (njohuri të thella) dhe kjo nuk u sjell asnjë dobi.

63:8

يَقُولُونَ لَئِن رَّجَعْنَآ إِلَى ٱلْمَدِينَةِ لَيُخْرِجَنَّ ٱلْأَعَزُّ مِنْهَا ٱلْأَذَلَّ ۚ وَلِلَّهِ ٱلْعِزَّةُ وَلِرَسُولِهِۦ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَلَـٰكِنَّ ٱلْمُنَـٰفِقِينَ لَا يَعْلَمُونَ ٨

Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medine, më të nderuarit (vetë hipokritët) do t’i nxjerrin prej andej më të përbuzurit (besimtarët).” Ndërkohë që, nderi i përket vetëm Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Këta hipokritë thonë: “Nëse kthehemi në Medine, me siguri që grupi ynë, që është më i nderuari, më i pasuri dhe më i fuqishmi, do ta nxjerrë prej saj grupin e besimtarëve, që është më i përbuzur, më i varfër dhe më i dobët.” Por nderi dhe fuqia i takon vetëm Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij, dhe besimtarëve që besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, jo të tjerëve; megjithatë hipokritët nuk e dinë këtë, për shkak të injorancës së tyre të madhe.

63:9

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا تُلْهِكُمْ أَمْوَٰلُكُمْ وَلَآ أَوْلَـٰدُكُمْ عَن ذِكْرِ ٱللَّهِ ۚ وَمَن يَفْعَلْ ذَٰلِكَ فَأُوْلَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْخَـٰسِرُونَ ٩

O besimtarë! Mos t’ju shpërqendrojnë as pasuritë tuaja, as fëmijët tuaj nga përmendja e Allahut! Kushdo që e bën këtë, është prej të humburve.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

O ju që keni besuar në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe veproni sipas ligjit të Tij, mos lejoni që pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj t’ju shpërqendrojnë nga adhurimi i Allahut dhe bindja ndaj Tij; sepse ata që bëjnë kështu, janë të humbur—u është cënuar pjesa e tyre nga dinjiteti dhe mëshira e Allahut.

63:10

وَأَنفِقُواْ مِن مَّا رَزَقْنَـٰكُم مِّن قَبْلِ أَن يَأْتِىَ أَحَدَكُمُ ٱلْمَوْتُ فَيَقُولَ رَبِّ لَوْلَآ أَخَّرْتَنِىٓ إِلَىٰٓ أَجَلٍۢ قَرِيبٍۢ فَأَصَّدَّقَ وَأَكُن مِّنَ ٱلصَّـٰلِحِينَ ١٠

Dhe jepni (lëmoshë) nga ajo që ju kemi dhënë, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e të thotë: “Zoti im! Sikur të më kishe vonuar edhe pak, që të jepja lëmoshë dhe të isha ndër të drejtët!”10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Dhe shpenzoni — o besimtarë — për Allahun dhe për të Dërguarin e Tij një pjesë nga ajo që ju kemi dhënë, në rrugë të mira, duke qenë të nxitshëm për këtë para se t’ju vijë vdekja dhe të shihni shenjat e saj, e të thoni me pendim: “O Zoti im, përse nuk më jep afat, përse nuk e ke shtyn vdekjen time edhe pak, që të jap lëmoshë nga pasuria ime dhe të jem nga të drejtët e devotshëm.”

63:11

وَلَن يُؤَخِّرَ ٱللَّهُ نَفْسًا إِذَا جَآءَ أَجَلُهَا ۚ وَٱللَّهُ خَبِيرٌۢ بِمَا تَعْمَلُونَ ١١

Por, Allahu nuk do ta vonojë asnjë shpirt, kur t’i vijë koha e tij. Allahu di mirë gjithçka që ju bëni.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Por Allahu nuk do ta vonojë asnjë shpirt kur të vijë koha e vdekjes së tij dhe kur të ketë përfunduar afati i jetës së tij. Allahu i Lartësuar, e di mirë atë që ju bëni, qoftë e mirë apo e keqe, dhe do t’ju shpërblejë për të.

El Munafikun · 11 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi