KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 70

El Mearixh Shtigjet e ngjitjes qiellore

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 44 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

70:1

سَأَلَ سَآئِلٌۢ بِعَذَابٍۢ وَاقِعٍۢ ١

Dikush kërkoi ndëshkimin - që do të bjerë1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Një nga idhujtarët e Mekës, En-Nadr ibn Al-Harith, e sfidoi Allahun, duke thënë: "Nëse kjo është me të vërtetë e vërteta prej Teje, atëherë lësho gurë nga qielli mbi ne, ose na godit me një ndëshkim të dhembshëm." [Surja El Enfal, 32]. Pra, ai u lut që të zbresë dënimi – i cili në fakt është i pashmagshëm dhe do të vijë patjetër -

70:2

لِّلْكَـٰفِرِينَ لَيْسَ لَهُۥ دَافِعٌۭ ٢

për mohuesit - askush nuk mund ta pengojë atë -2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

mbi të dhe mbi popullin e tij mohues e idhujtar, në formë tallje dhe mohimi, dhe ai dënim do t’u ndodhë atyre në Ditën e Kiametit, pa dyshim - nuk ka kush që ta pengojë atë -

70:3

مِّنَ ٱللَّهِ ذِى ٱلْمَعَارِجِ ٣

nga Allahu, Zotëruesi i Shtigjeve të Ngjitjes Qiellore.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

nga ana e Allahut, të Lartësuarit dhe të Madhërishmit, Zotit të Shtigjeve të Ngjitjes Qiellore, nëpër të cilat kalojnë engjëjt.

70:4

تَعْرُجُ ٱلْمَلَـٰٓئِكَةُ وَٱلرُّوحُ إِلَيْهِ فِى يَوْمٍۢ كَانَ مِقْدَارُهُۥ خَمْسِينَ أَلْفَ سَنَةٍۢ ٤

Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) ngjiten tek Ai brenda një dite, që është sa pesëdhjetë mijë vjet (largësi).4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Engjëjt dhe Xhibrili ngjiten tek Allahu, nëpërmjet Shtigjeve të Ngjitjes Qiellore, brenda një dite - koha e ngjitjes së tyre është një ditë, duke përshkruar një largësi sa pesëdhjetë mijë vjet të viteve të kësaj bote. Pra, engjëjt ngjiten nga fundi i asaj që është nën tokën e shtatë, deri në fundin e asaj që është mbi shtatë qiejt, brenda një dite, që me llogarinë e kësaj bote është 50 mijë vjet largësi. Mund të jetë për qëllim edhe gjatësia e Ditës së Llogarisë, e cila do të jetë 50 mijë vjet, por që për secilin njeri do të jetë e gjatë në varësi të besimit dhe veprave që ka bërë në këtë botë.

70:5

فَٱصْبِرْ صَبْرًۭا جَمِيلًا ٥

Prandaj, duro me durim të hijshëm!5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Prandaj, ji i durueshëm, o i Dërguar, ndaj talljeve të tyre dhe nxitimit të tyre për të kërkuar dënimin — me një durim të tillë që nuk ka ankth e as ankesë ndaj askujt tjetër përveç Allahut.

70:6

إِنَّهُمْ يَرَوْنَهُۥ بَعِيدًۭا ٦

Ata e shohin atë (dënimin) si diçka të largët,6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Vërtet, mohuesit mendojnë se dënimi është i largët dhe e konsiderojnë të pamundur që të ndodhë,

70:7

وَنَرَىٰهُ قَرِيبًۭا ٧

por Ne e shohim atë si diçka të afërt.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

ndërsa Ne e shohim atë si diçka të afërt dhe të pashmangshme.

70:8

يَوْمَ تَكُونُ ٱلسَّمَآءُ كَٱلْمُهْلِ ٨

Atë Ditë, qielli do të bëhet i shkrirë, si llumi i vajit,8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Atë Ditë qielli do të bëhet i shkrirë, si llumi i vajit,

70:9

وَتَكُونُ ٱلْجِبَالُ كَٱلْعِهْنِ ٩

ndërsa malet do të bëhen si (tufa) leshi.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

ndërsa malet do të bëhen si tufa leshi i shkriftuar, që i merr e i shpërndan era, nga që do të bëhen të lehtë.

70:10

وَلَا يَسْـَٔلُ حَمِيمٌ حَمِيمًۭا ١٠

Asnjë mik nuk do të pyesë për mikun e tij,10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Asnjë i afërm nuk do ta pyesë të afërmin e tij për gjendjen e tij, sepse secili do të jetë i preokupuar vetëm me veten e vet;

70:11

يُبَصَّرُونَهُمْ ۚ يَوَدُّ ٱلْمُجْرِمُ لَوْ يَفْتَدِى مِنْ عَذَابِ يَوْمِئِذٍۭ بِبَنِيهِ ١١

megjithëse do ta shohin njëri-tjetrin; keqbërësi do të dëshironte të shpëtonte nga dënimi i asaj Dite, duke paguar qoftë edhe me fëmijët e tij,11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Ata që kanë qenë miq e të afërm do ta shohin dhe do ta njohin njëri-tjetrin, por askush nuk do të mund t’i bëjë dobi tjetrit. Mohuesi do të dëshironte të shpëtonte nga dënimi i Ditës së Kiametit, sikur të mund të jepte si shpërblim edhe bijtë e vet,

70:12

وَصَـٰحِبَتِهِۦ وَأَخِيهِ ١٢

me bashkëshorten e tij dhe me vëllanë e tij,12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

bashkëshorten e vet dhe vëllain e vet,

70:13

وَفَصِيلَتِهِ ٱلَّتِى تُـْٔوِيهِ ١٣

me fisin e tij që e strehonte,13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

farefisin e afërt që e mbronte dhe e strehonte më parë,

70:14

وَمَن فِى ٱلْأَرْضِ جَمِيعًۭا ثُمَّ يُنجِيهِ ١٤

madje me të gjitha krijesat e tokës, nëse kjo do ta shpëtonte.14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

madje edhe të gjithë ata që janë në tokë — njerëz e krijesa — vetëm që të shpëtonte nga dënimi i Allahut.

70:15

كَلَّآ ۖ إِنَّهَا لَظَىٰ ١٥

Por jo! Me të vërtetë, ai (Xhehenemi) është Zjarr flakërues,15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Jo, çështja nuk është ashtu siç dëshiron ti, o mohues! Xhehenemi, ku do të futesh, është zjarr që ndizet e përflaket me flakë të fuqishme,

70:16

نَزَّاعَةًۭ لِّلشَّوَىٰ ١٦

që rrjep lëkurën e kokës.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

që me nxehtësinë e tij rrjep lëkurën e kokës dhe të gjitha pjesët e trupit.

70:17

تَدْعُواْ مَنْ أَدْبَرَ وَتَوَلَّىٰ ١٧

Ai thërret atë që ka kthyer shpinën dhe është larguar,17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Zjarri thërret ata, që në botë u shmangën nga e vërteta, lanë pas dore bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij,

70:18

وَجَمَعَ فَأَوْعَىٰٓ ١٨

që ka mbledhur pasuri dhe e ka ruajtur atë (pa dhënë zekatin).18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

që grumbulluan pasuri dhe e ruajtën në thesarët e tyre, pa dhënë të drejtën e Allahut (zekatin dhe lëmoshën) prej saj.

70:19

۞ إِنَّ ٱلْإِنسَـٰنَ خُلِقَ هَلُوعًا ١٩

Me të vërtetë, njeriu është krijuar frikacak lakmues:19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Vërtet, njeriu është krijuar me prirje ndaj frikës dhe lakmisë së tepruar:

70:20

إِذَا مَسَّهُ ٱلشَّرُّ جَزُوعًۭا ٢٠

kur e godet e keqja, bëhet i frikësuar,20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

kur e godet ndonjë e keqe apo vështirësi, ai bëhet shumë i shqetësuar, i frikësuar dhe i paduruar;

70:21

وَإِذَا مَسَّهُ ٱلْخَيْرُ مَنُوعًا ٢١

dhe kur e prek e mira, bëhet dorështrënguar -21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

dhe kur e prek ndonjë mirësi apo lehtësi, ai bëhet lakmues dhe dorështrënguar – që nuk jep zekat e lëmoshë prej saj.

70:22

إِلَّا ٱلْمُصَلِّينَ ٢٢

përveç atyre që falen rregullisht,22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

përveç atyre që falin rregullisht namazin;

70:23

ٱلَّذِينَ هُمْ عَلَىٰ صَلَاتِهِمْ دَآئِمُونَ ٢٣

të cilët janë të vazhdueshëm në faljet e tyre,23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

dhe janë të qëndrueshëm në kryerjen e tij në çdo kohë, pa lejuar që ndonjë gjë t’i shpërqendrojë prej tij;

70:24

وَٱلَّذِينَ فِىٓ أَمْوَٰلِهِمْ حَقٌّۭ مَّعْلُومٌۭ ٢٤

dhe që në pasurinë e tyre ndajnë pjesë të caktuar,24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

dhe që në pasurinë e tyre ndajnë një pjesë të caktuar që Allahu ua ka bërë detyrim — zekatin —

70:25

لِّلسَّآئِلِ وَٱلْمَحْرُومِ ٢٥

për lypësin dhe për të varfërin (që nuk lyp);25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

për atë që lyp e kërkon ndihmë dhe për atë që ruan dinjitetin e vet pa kërkuar;

70:26

وَٱلَّذِينَ يُصَدِّقُونَ بِيَوْمِ ٱلدِّينِ ٢٦

dhe që besojnë në Ditën e Llogarisë,26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

dhe atyre që besojnë në Ditën e Llogarisë, e përgatiten për të me vepra të mira;

70:27

وَٱلَّذِينَ هُم مِّنْ عَذَابِ رَبِّهِم مُّشْفِقُونَ ٢٧

dhe që kanë frikë nga dënimi i Zotit të tyre,27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

dhe atyre që kanë frikë nga dënimi i Zotit të tyre-

70:28

إِنَّ عَذَابَ رَبِّهِمْ غَيْرُ مَأْمُونٍۢ ٢٨

- sepse vërtet, askush nuk është i sigurt nga dënimi i Zotit të vet -28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

— sepse askush nuk duhet ta ndjejë veten të sigurt nga dënimi i Zotit -

70:29

وَٱلَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَـٰفِظُونَ ٢٩

dhe që ruajnë dëlirësinë e tyre (organet gjenitale - nga e ndaluara),29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

dhe atyre që ruajnë pastërtinë e vet dhe i ruajnë organet e tyre gjenitale nga çdo gjë që Allahu e ka ndaluar,

70:30

إِلَّا عَلَىٰٓ أَزْوَٰجِهِمْ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَـٰنُهُمْ فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ ٣٠

përveçse ndaj bashkëshorteve të tyre, ose atyre që i kanë nën pronësi – për këtë nuk qortohen,30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

përveç ndaj bashkëshorteve të tyre ose robëreshave të ligjshme që i zotërojnë - në këtë ata nuk janë të qortuar;

70:31

فَمَنِ ٱبْتَغَىٰ وَرَآءَ ذَٰلِكَ فَأُوْلَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْعَادُونَ ٣١

por kush kërkon përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelësit -;31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

por kushdo që kërkon të plotësojë epshin e vet jashtë bashkëshorteve apo robëreshave të ligjshme, ata janë që e kalojnë kufirin nga e lejuara në të ndaluarën;

70:32

وَٱلَّذِينَ هُمْ لِأَمَـٰنَـٰتِهِمْ وَعَهْدِهِمْ رَٰعُونَ ٣٢

dhe që i ruajnë amanetet dhe i përmbahen besëlidhjeve të tyre,32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

dhe ata që ruajnë amanetet — si ato që u ka besuar Allahu, ashtu edhe ato që u kanë besuar njerëzit — dhe i përmbahen besëlidhjeve të tyre me Allahun dhe me njerëzit;

70:33

وَٱلَّذِينَ هُم بِشَهَـٰدَٰتِهِمْ قَآئِمُونَ ٣٣

dhe që dëshmojnë drejt në dëshmitë e tyre,33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

ata që e japin dëshminë e tyre me të drejtë, pa shtrembërim e pa fshehje;

70:34

وَٱلَّذِينَ هُمْ عَلَىٰ صَلَاتِهِمْ يُحَافِظُونَ ٣٤

dhe që kujdesen për faljet e tyre.34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

dhe që janë të përkushtuar ndaj faljes së namazit, duke mos lënë pas dore asgjë nga detyrimet e tij —

70:35

أُوْلَـٰٓئِكَ فِى جَنَّـٰتٍۢ مُّكْرَمُونَ ٣٥

Pikërisht këta do të jenë në kopshtet e Xhenetit, të nderuar.35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Pikërisht këta, që kanë këto cilësi të larta, do të jenë të qëndrueshëm në kopshtet e begatisë, të nderuar aty me çdo lloj nderimi e mirësie.

70:36

فَمَالِ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ قِبَلَكَ مُهْطِعِينَ ٣٦

E ç’është me ata që mohojnë, që vrapojnë drejt teje me qafa të zgjatura,36

Komentimi 1 shënim

Shënimi 36

Çfarë është ajo që i shtyn këta mohues të vrapojnë drejt teje, o i Dërguar, me qafat e tyre të zgjatura e sytë të drejtuar nga ti,

70:37

عَنِ ٱلْيَمِينِ وَعَنِ ٱلشِّمَالِ عِزِينَ ٣٧

nga e djathta dhe nga e majta, grupe- grupe?37

Komentimi 1 shënim

Shënimi 37

duke u mbledhur përreth teje në të djathtë dhe në të majtë, në grupe të shumta e rrethe të shpërndara, duke biseduar e duke u habitur?

70:38

أَيَطْمَعُ كُلُّ ٱمْرِئٍۢ مِّنْهُمْ أَن يُدْخَلَ جَنَّةَ نَعِيمٍۢ ٣٨

A shpreson secili prej tyre të futet në një kopsht lumturie?38

Komentimi 1 shënim

Shënimi 38

A mos vallë, secili prej këtyre mohuesve shpreson që Allahu ta fusë në kopshte të begatisë së përjetshme?

70:39

كَلَّآ ۖ إِنَّا خَلَقْنَـٰهُم مِّمَّا يَعْلَمُونَ ٣٩

Jo, kurrsesi! Ne i kemi krijuar ata nga ajo që e dinë tashmë.39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Jo, kurrsesi! Nuk është siç shpresojnë ata, sepse ata nuk do të hyjnë kurrë në të. Ne i kemi krijuar ata nga ajo që e dinë tashmë — nga një pikë uji e përulur, si gjithë të tjerët — e megjithatë nuk besojnë; si pra pretendojnë të nderohen me hyrje në Xhenet?

70:40

فَلَآ أُقْسِمُ بِرَبِّ ٱلْمَشَـٰرِقِ وَٱلْمَغَـٰرِبِ إِنَّا لَقَـٰدِرُونَ ٤٠

Betohem për Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, se Ne jemi vërtet të Fuqishëm,40

Komentimi 1 shënim

Shënimi 40

Betohem në Zotin e lindjeve dhe perëndimeve të Diellit dhe yjeve — Ne jemi me të vërtetë të Fuqishëm,

70:41

عَلَىٰٓ أَن نُّبَدِّلَ خَيْرًۭا مِّنْهُمْ وَمَا نَحْنُ بِمَسْبُوقِينَ ٤١

që t’i zëvendësojmë ata me më të mirë se ata, dhe askush nuk mund të na pengojë.41

Komentimi 1 shënim

Shënimi 41

që t’i zëvendësojmë ata me një popull më të mirë se ata, më të bindur ndaj Allahut. Dhe askush nuk mund të na paraprijë, t’i shpëtojë pushtetit Tonë, apo të na bëjë të paaftë kur Ne duam ta rikthejmë krijimin përsëri (në jetën pas vdekjes).

70:42

فَذَرْهُمْ يَخُوضُواْ وَيَلْعَبُواْ حَتَّىٰ يُلَـٰقُواْ يَوْمَهُمُ ٱلَّذِى يُوعَدُونَ ٤٢

Prandaj, lëri ata të zhyten në fjalë boshe dhe të luajnë, derisa të përballen me Ditën që u është premtuar.42

Komentimi 1 shënim

Shënimi 42

Prandaj, lëri të zhytën në të pavërtetën e tyre dhe të luajnë në jetën e kësaj bote, derisa t’u vijë Dita e Kiametit, për të cilën u është premtuar dënimi;

70:43

يَوْمَ يَخْرُجُونَ مِنَ ٱلْأَجْدَاثِ سِرَاعًۭا كَأَنَّهُمْ إِلَىٰ نُصُبٍۢ يُوفِضُونَ ٤٣

Ditën, kur do të dalin nga varret me nxitim, sikur të nxitonin drejt ndonjë altari,43

Komentimi 1 shënim

Shënimi 43

Ditën, kur do të dalin nga varret e tyre me nxitim, ashtu si në botë nxitoheshin ndaj idhujve të tyre që i shpikën për adhurim në vend të Allahut;

70:44

خَـٰشِعَةً أَبْصَـٰرُهُمْ تَرْهَقُهُمْ ذِلَّةٌۭ ۚ ذَٰلِكَ ٱلْيَوْمُ ٱلَّذِى كَانُواْ يُوعَدُونَ ٤٤

me shikim të përulur, të mbuluar nga poshtërimi; Kjo është Dita që u premtohej atyre.44

Komentimi 1 shënim

Shënimi 44

vrapojnë e nxitojnë me sytë të përulur e të ulur drejt tokës, të mbuluar nga turpi dhe poshtërimi. Kjo është ajo Ditë që u ishte premtuar në botë, me të cilën ata talleshin dhe e mohonin.

El Mearixh · 44 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi