KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 107

El Maun Ndihma shoqërore

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 7 ajete • Ajetet 1–7

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

107:1

أَرَءَيْتَ ٱلَّذِى يُكَذِّبُ بِٱلدِّينِ ١

A e ke parë atë që përgënjeshtron shpërblimin (Ditën e Llogarisë)?1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

A e ke parë gjendjen e atij që mohon ringjalljen dhe shpërblimin në botën tjetër? Fjalia “a e ke parë?” nuk është për pyetje, por për nxjerrje në pah të shembullit të njeriut që jeton pa ndërgjegje shpirtërore. Kur dikush s’e beson gjykimin, ai humbet ndjenjën e përgjegjësisë — dhe prej andej fillon çdo padrejtësi.

107:2

فَذَٰلِكَ ٱلَّذِى يَدُعُّ ٱلْيَتِيمَ ٢

Ky është ai, që e shtyn me ashpërsi jetimin,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ky është ai që e shtyn dhe e largon jetimin me ashpërsi, duke ia mohuar të drejtën e tij, për shkak të ngurtësisë së zemrës së tij. Ky është njeriu që nuk ka mëshirë për më të dobëtin. Tregon mungesë zemre dhe besimi. Profeti ﷺ ka thënë:“Unë dhe ai që kujdeset për një jetim do të jemi në Xhenet si këta dy.” (dhe bëri shenjë me gishtat tregues e të mesëm). (Buhariu).

107:3

وَلَا يَحُضُّ عَلَىٰ طَعَامِ ٱلْمِسْكِينِ ٣

dhe nuk nxit për t’i ushqyer të varfrit.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Dhe nuk e nxit as të tjerët të ushqejnë të varfrin — e si do ta ushqente ai vetë? Nuk është vetëm mungesë dhënieje, por mungesë frymëzimi dhe shembulli. Kjo është shenjë e zemrës që ka humbur ndjeshmërinë shoqërore. Besimtari i vërtetë, përkundrazi, nxit për bamirësi dhe solidaritet. Mospërkujdesja për të varfrit është shenjë e shpirtit të ngurtë.

107:4

فَوَيْلٌۭ لِّلْمُصَلِّينَ ٤

Mjerë për ata, të cilët falen,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Pra, mjerim dhe dënim i ashpër për ata që falen, por janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre — nuk e falin siç duhet dhe nuk e kryejnë në kohën e tij. Fjala “Ëayl” tregon mallkim, dënim të rëndë. Por këtu Allahu nuk flet për mohuesit, por për ata që falen në pamje, pa sinqeritet.

107:5

ٱلَّذِينَ هُمْ عَن صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ ٥

por janë të pakujdesshëm ndaj faljeve të tyre;5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Jo “në” namaz, por “ndaj” namazit – d.m.th. e lënë, e vonojnë, e bëjnë pa shpirt. Tregon hipokrizi fetare: ritual pa përkushtim.

107:6

ٱلَّذِينَ هُمْ يُرَآءُونَ ٦

që veprojnë për sy e faqe6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Ata që i bëjnë veprat e mira vetëm për t’u dukur para njerëzve dhe për t’u lavdëruar prej tyre. Kjo është hipokrizi — veprim pa sinqeritet. Për ta, feja është maskë shoqërore, jo përkushtim. Kjo është forma më e rrezikshme e mashtrimit shpirtëror: duken si besimtarë, por veprojnë për famë.

107:7

وَيَمْنَعُونَ ٱلْمَاعُونَ ٧

dhe nuk japin as ndihmën më të vogël (për të tjerët).7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Dhe e pengojnë edhe dhënien hua të gjërave që nuk u sjell dëm t’i huazojnë, si enët apo mjetet e tjera të dobishme; kështu që as nuk e kanë adhuruar mirë Zotin e tyre, e as nuk janë sjellë mirë me krijesat e Tij. “Maʿūn” = ndihma e përditshme: enë, ujë, sendet e zakonshme, huazim, ose gjithçka që ndihmon të tjerët. Hipokriti nuk jep as gjënë më të vogël. Këtu përmbyllet portreti i njeriut të ftohtë, pa ndjenja e pa besim të vërtetë.

El Maun · 7 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi