KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 92

El Lejl Nata

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 21 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

92:1

وَٱلَّيْلِ إِذَا يَغْشَىٰ ١

Betohem për natën, kur ajo mbulon (çdo gjë),1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Allahu i Lartësuar betohet në natën, kur ajo mbulon tokën dhe gjithçka mbi të me errësirën e saj;

92:2

وَٱلنَّهَارِ إِذَا تَجَلَّىٰ ٢

dhe për ditën, kur ajo shfaqet e ndritshme,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

dhe në ditën, kur ajo e zbardh errësirën me dritën e saj; Nata e mbulon botën me errësirë, duke sjellë qetësi; dita e zbulon, duke sjellë aktivitet e jetë. Disa mufessirë theksojnë se ky kontrast nënkupton dy rrugët shpirtërore të njeriut: e mira dhe e keqja, drita dhe errësira.

92:3

وَمَا خَلَقَ ٱلذَّكَرَ وَٱلْأُنثَىٰٓ ٣

dhe për Atë, që krijoi mashkullin dhe femrën!3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

dhe në krijimin e çifteve – mashkullit dhe femrës. Kjo është dëshmi për rendin e krijimit dhe dallimin e roleve, që plotësojnë njëri-tjetrin. Krijimi në dysh (mashkull-femër, ditë-natë) është shenjë e urtësisë së Zotit në ekuilibër.

92:4

إِنَّ سَعْيَكُمْ لَشَتَّىٰ ٤

Vërtet, përpjekjet tuaja janë të ndryshme.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Vërtet, veprat dhe përpjekjet tuaja janë të ndryshme: disa punojnë për jetën e kësaj bote, e disa për jetën e botës tjetër. Disa njerëz përpiqen për mirësi, devotshmëri dhe bamirësi, ndërsa të tjerë për mëkat, lakmi dhe harresë të Zotit.

92:5

فَأَمَّا مَنْ أَعْطَىٰ وَٱتَّقَىٰ ٥

Sa për atë që jep (në rrugë të Zotit) dhe ruhet (nga gjynahu),5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Sa për atë që jep nga pasuria e tij dhe ka frikë nga Allahu në atë që jep,

92:6

وَصَدَّقَ بِٱلْحُسْنَىٰ ٦

dhe beson në shpërblimin më të mirë,6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

dhe beson se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe në atë që ajo nënkupton, si dhe në shpërblimin që vjen prej saj — shpërblimi më i mirë, pra shpërblimi hyjnor, ose vetë La ilaha illa Allah.

92:7

فَسَنُيَسِّرُهُۥ لِلْيُسْرَىٰ ٧

Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën e lehtë (drejtë).7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Ne do ta udhëzojmë dhe do ta ndihmojmë drejt shkaqeve të mirësisë e drejtësisë, dhe do t’ia lehtësojmë çështjet e tij. Allahu ia lehtëson rrugën drejt së mirës — çdo vepër bëhet më e lehtë për zemrën e pastruar.

92:8

وَأَمَّا مَنۢ بَخِلَ وَٱسْتَغْنَىٰ ٨

Por, sa për atë që është koprrac, dhe mendon se s’ka nevojë (për Zotin),8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Por sa për atë që është koprrac me pasurinë e tij, mendon se nuk ka nevojë për shpërblimin e Zotit të tij,

92:9

وَكَذَّبَ بِٱلْحُسْنَىٰ ٩

dhe përgënjeshtron shpërblimin më të mirë,9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

dhe përgënjeshtron fjalën “La ilahe il-la Allah” dhe gjithçka që ajo nënkupton e sjell pas vetes —

92:10

فَسَنُيَسِّرُهُۥ لِلْعُسْرَىٰ ١٠

Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën e vështirë (drejt dënimit),10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Ne do ta çojmë drejt shkaqeve të fatkeqësisë dhe dënimit; - Kur njeriu refuzon të japë e të besojë, Allahu ia lehtëson rrugën e shkatërrimit — si ndëshkim brenda jetës së vet. Rruga e vështirë, d.m.th. rruga e shkatërrimit shpirtëror.

92:11

وَمَا يُغْنِى عَنْهُ مَالُهُۥٓ إِذَا تَرَدَّىٰٓ ١١

dhe pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi, kur të bjerë (në Zjarr).11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

dhe pasuria me të cilën ai ka qenë koprrac nuk do t’i bëjë dobi aspak kur të hidhet në Zjarr. Pasuria që nuk u përdor për Zotin s’ka asnjë vlerë në botën tjetër.

92:12

إِنَّ عَلَيْنَا لَلْهُدَىٰ ١٢

Me të vërtetë, Ne e kemi për detyrë (të tregojmë) udhëzimin,12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Vërtet, është detyrë e Jona – me mirësinë dhe urtësinë Tonë – të sqarojmë rrugën e udhëzimit që çon tek Allahu dhe Xheneti i Tij, duke e dalluar nga rruga e humbjes.

92:13

وَإِنَّ لَنَا لَلْـَٔاخِرَةَ وَٱلْأُولَىٰ ١٣

dhe, me të vërtetë, Neve na përket edhe bota tjetër, edhe kjo botë.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Dhe Allahu është Zotërues i jetës së botës tjetër dhe i jetës së kësaj bote.

92:14

فَأَنذَرْتُكُمْ نَارًۭا تَلَظَّىٰ ١٤

Prandaj, ju paralajmëroj për një Zjarr që ndizet fort,14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Prandaj, ju kam paralajmëruar, o njerëz, dhe ju kam frikësuar nga një zjarr që përflaket me nxehtësi të madhe — zjarri i Xhehenemit.

92:15

لَا يَصْلَىٰهَآ إِلَّا ٱلْأَشْقَى ١٥

ku nuk do të hyjë askush tjetër, përveç më të mbrapshtit,15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Nuk do të hyjë në atë Zjarr veçse ai që është tepër i mbrapsht —

92:16

ٱلَّذِى كَذَّبَ وَتَوَلَّىٰ ١٦

që përgënjeshtroi dhe u largua (nga e vërteta)!16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

ai që e ka përgënjeshtruar të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ, dhe është shmangur nga besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, duke mos iu bindur atyre. Ai e përgënjeshtron fenë dhe nuk i bindet as thirrjes as ndërgjegjes.

92:17

وَسَيُجَنَّبُهَا ٱلْأَتْقَى ١٧

Ndërsa më i devotshmi do të shmanget prej saj,17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Por, prej tij (Zjarrit) do të largohet ai që ka qenë me devotshmëri të madhe — njeriu më i devotshëm, i pastruar, që vepron vetëm për kënaqësinë e Zotit, jo për lavdi apo interes.

92:18

ٱلَّذِى يُؤْتِى مَالَهُۥ يَتَزَكَّىٰ ١٨

ai që jep pasurinë e vet për t’u pastruar,18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

ai që shpenzon nga pasuria e tij për të kërkuar edhe më shumë mirësi nga Allahu;

92:19

وَمَا لِأَحَدٍ عِندَهُۥ مِن نِّعْمَةٍۢ تُجْزَىٰٓ ١٩

jo sepse dikush ka ndonjë të mirë ndaj tij, që duhet shpërblyer,19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Ai nuk e jep këtë (pasuri) si shpërblim për ndonjë mirësi që i është bërë; - Kjo pjesë është zbuluar (sipas shumë transmetimeve) për Ebu Bekër Es-Siddîkun (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që liron robërit dhe jep pasurinë pa pritur shpërblim njerëzor.

92:20

إِلَّا ٱبْتِغَآءَ وَجْهِ رَبِّهِ ٱلْأَعْلَىٰ ٢٠

por vetëm duke kërkuar Fytyrën (pëlqimin) e Zotit të tij më të Lartë;20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

por vetëm për të kërkuar fytyrën dhe kënaqësinë e Zotit të tij, më të Lartit. - Motiv i pastër: vetëm kënaqësia e Zotit. Nuk kërkon falënderim, as kthim, as emër. Ky ajet është përkufizimi i sinqeritetit (ikhlās).

92:21

وَلَسَوْفَ يَرْضَىٰ ٢١

dhe padyshim, ai do të jetë plotësisht i kënaqur!21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Dhe me siguri Allahu do t’i japë atij në Xhenet atë që do ta kënaqë plotësisht. - Kënaqësia përfundimtare: në Xhenet, por edhe në zemrën e qetë që jeton me Zotin. Ky është premtim hyjnor për çdo besimtar të sinqertë. Allahu nuk harron asnjë vepër të pastër.

El Lejl · 21 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi