KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 101

El Kariah Goditësja e Madhe

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 11 ajete • Ajetet 1–11

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

101:1

ٱلْقَارِعَةُ ١

Goditësja e Madhe (Kiameti)!1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Goditësja e Madhe (Dita e Kiametit) është ajo që do t’i tronditë dhe do t’i godasë zemrat e njerëzve me tmerrin dhe frikën e saj. “El-Qāriʿah” do të thotë “ajo që godet fort, ajo që troket me forcë, që trondit fortë”. Është një nga emrat e Ditës së Gjykimit, sepse ajo do të trokasë në zemrat dhe ndërgjegjet e njerëzve me një tronditje të pamëshirshme.

101:2

مَا ٱلْقَارِعَةُ ٢

Ç’është Goditësja e Madhe?2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Pyetje retorike që nxit frikë dhe kureshtje: “A e di ti çfarë është ajo goditje dhe ajo tronditje?”

101:3

وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا ٱلْقَارِعَةُ ٣

E ç’të bën ty të dish, se ç’është e Goditësja e Madhe?3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Përsëritja në tre forma (emër, pyetje, dhe pyetje e theksuar) është për të tronditur mendjen e njeriut dhe për të theksuar madhështinë e asaj dite. Pra: “A e di ti çfarë është ajo që do të godasë çdo shpirt dhe çdo botë?” As profeti, as ndonjë krijesë nuk e di plotësisht se si do të jetë ajo ditë — vetëm Zoti e di përmasën e saj.

101:4

يَوْمَ يَكُونُ ٱلنَّاسُ كَٱلْفَرَاشِ ٱلْمَبْثُوثِ ٤

(Ajo është) Dita, kur njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Ajo ëshët Disa kur njerëzit – për nga numri i madh, shpërndarja dhe lëvizja e tyre të çoroditur – do të jenë si fluturat që shpërndahen e përplasen kudo, ashtu si ato që bien në zjarr. - Pamje e kaosit total: njerëzit do të enden të hutuar, pa drejtim, pa kontroll, përballë tronditjes së madhe. Kjo simbolizon humbjen e rendit dhe krenarisë njerëzore: sundimtarë, të varfër, të gjithë të barabartë para Zotit.

101:5

وَتَكُونُ ٱلْجِبَالُ كَٱلْعِهْنِ ٱلْمَنفُوشِ ٥

dhe malet do të jenë si leshi i shkrifur.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Dhe malet do të bëhen si leshi i shkriftuar që fryhet e shpërndahet me dorë, derisa të shpërndahet krejt dhe të zhduket si pluhur. Malet, që janë simbol i qëndrueshmërisë, do të bëhen si pluhur — shenjë e shkatërrimit të çdo fuqie tokësore. Një kontrast i madh: njeriu që mendonte se është i pathyeshëm, do të shohë edhe malet të shuhen si re tymi.

101:6

فَأَمَّا مَن ثَقُلَتْ مَوَٰزِينُهُۥ ٦

Sa për atë, peshoja e veprave të të cilit do të jetë e rëndë,6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Sa për atë që peshorja e veprave të tij të mira do të jetë më e rëndë; pra veprat e tij të mira do të peshojnë më shumë se të këqijat. Pesha këtu është simbol i drejtësisë Hyjnore — çdo vepër, qëllim dhe fjalë do të vendoset në peshore.

101:7

فَهُوَ فِى عِيشَةٍۢ رَّاضِيَةٍۢ ٧

ai do të jetojë në një jetë të kënaqshme.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

ai do të jetë në një jetë të kënaqshme dhe të lumtur në Xhenet. Çdo njeri që mbush jetën me vepra të mira, sinqeritet dhe besim, do të gjejë këtë shpërblim. Jo vetëm që ai do të jetë i kënaqur, por edhe jeta vetë do të jetë e kënaqur me të. Ky është kulmi i paqes shpirtërore: kënaqësia e ndërsjellë mes Zotit dhe robit të Tij.

101:8

وَأَمَّا مَنْ خَفَّتْ مَوَٰزِينُهُۥ ٨

E sa për atë, peshoja e veprave të të cilit do të jetë e lehtë,8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Por ai, peshorja e veprave të mira të të cilit do t’i jetë e lehtë, ndërsa ajo e të këqijave më e rëndë; ai që nuk ka vepra të mira të mjaftueshme, ose i ka prishur me mëkate e padrejtësi. “Khiffat maëāzīnuhu” – nuk ka peshë, sepse veprat e tij s’kanë pasur sinqeritet ose kanë qenë për interes.

101:9

فَأُمُّهُۥ هَاوِيَةٌۭ ٩

strehimi i tij do të jetë Humnera (Zjarri i thellë).9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Strehimi i tij do të jetë në zjarrin e thellë të Xhehenemit. “Fa ummuhū hāëiyah” – strehimi (shtëpia) e tij do të jetë Havije, që do të thotë gropë e thellë, humnerë, një nga emrat e Xhehenemit. Si një fëmijë që kthehet në prehërin e nënës, ai do të bjerë në “nënën” e veprave të tij – në humnerën që vetë e ndërtoi.

101:10

وَمَآ أَدْرَىٰكَ مَا هِيَهْ ١٠

E ç’të bën ty të dish, se ç’është ajo (Humnera)?10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Pyetja retorike përsëritet për të shtuar tmerrin dhe realitetin e këtij dënimi.

101:11

نَارٌ حَامِيَةٌۢ ١١

Ajo është një Zjarr i ndezur fort.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Ajo është një Zjarr i stërnxehtë, që digjet pa shuarje dhe nuk ka fund. Ky është përfundimi i atyre që nënvlerësojnë veprat e tyre dhe Ditën e Llogarisë. Ky ajet mbyll me ton të ashpër: ajo nuk është thjesht zjarr, por dënim moral e shpirtëror për njeriun që nuk i dha peshë veprave të veta.

El Kariah · 11 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi