KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 57

El Hadid Hekuri

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 29 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

57:1

سَبَّحَ لِلَّهِ مَا فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ وَهُوَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ ١

Allahun e madhëron gjithçka që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë prej krijesave të Allahut e madhëron dhe e pastron Atë nga çdo e metë. Ai është i Plotfuqishmi ndaj krijesave të Tij dhe i Urti në drejtimin e çështjeve të tyre.

57:2

لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ يُحْىِۦ وَيُمِيتُ ۖ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌ ٢

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës; Ai jep jetë dhe vdekje, dhe Ai është i Pushtetshëm për çdo gjë.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që gjendet në to. Ai është Zotëruesi Absolut dhe Rregulluesi i krijesave të Tij; Ai jep jetë dhe sjell vdekjen, dhe është i Fuqishëm mbi çdo gjë. Asgjë nuk është e pamundur për Të — çfarëdo që Ai do, ndodh, dhe çfarë Ai nuk do, nuk ndodh.

57:3

هُوَ ٱلْأَوَّلُ وَٱلْـَٔاخِرُ وَٱلظَّـٰهِرُ وَٱلْبَاطِنُ ۖ وَهُوَ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمٌ ٣

Ai është i Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Padukshmi; dhe Ai i di të gjitha gjërat.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka asgjë; dhe i Fundit, pas të Cilit nuk ka asgjë. Ai është I Dukshmi, mbi të Cilin nuk ka asgjë; dhe I Padukshmi, nën Të nuk ka asgjë. Asgjë nuk i fshihet Atij as në Tokë, as në qiell — dhe Ai është i Dijshëm për çdo gjë.

57:4

هُوَ ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ فِى سِتَّةِ أَيَّامٍۢ ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ ۚ يَعْلَمُ مَا يَلِجُ فِى ٱلْأَرْضِ وَمَا يَخْرُجُ مِنْهَا وَمَا يَنزِلُ مِنَ ٱلسَّمَآءِ وَمَا يَعْرُجُ فِيهَا ۖ وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ ۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌۭ ٤

Është Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën në gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Arsh (Fron). Ai di çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngjitet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu sheh gjithçka që veproni.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Është Ai që krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet mes tyre në gjashtë ditë, pastaj u ngrit dhe u lartësua mbi Arshin e Tij, mbi të gjitha krijesat, në një mënyrë që i takon madhështisë së Tij. Ai di çfarë hyn në tokë — si fara, shiu e të tjera — dhe çfarë del prej saj — bimët, të mbjellat e frutat; di çfarë zbret nga qielli — si shiu e urdhërat hyjnore — dhe çfarë ngjitet në të — si engjëjt dhe veprat. Ai është me ju përmes dijes së Tij, kudo që të gjendeni. Allahu sheh mirë veprat që ju bëni, dhe do t’ju shpërblejë sipas tyre.

57:5

لَّهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَإِلَى ٱللَّهِ تُرْجَعُ ٱلْأُمُورُ ٥

Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës, dhe tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës, dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet e krijesave në botën tjetër; Ai do t’i shpërblejë ata sipas veprave të tyre.

57:6

يُولِجُ ٱلَّيْلَ فِى ٱلنَّهَارِ وَيُولِجُ ٱلنَّهَارَ فِى ٱلَّيْلِ ۚ وَهُوَ عَلِيمٌۢ بِذَاتِ ٱلصُّدُورِ ٦

Ai e fut natën në ditë dhe e fut ditën në natë; dhe Ai i di mirë sekretet e zemrave.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Allahu fut në ditë orët që shkurtohen nga nata, duke e zgjatur ditën; dhe fut në natë orët që shkurtohen nga dita, duke e zgjatur natën. Ai, i Lartësuari, është i Dijshëm për atë që ndodhet në gjokset (zemrat) e krijesave të Tij.

57:7

ءَامِنُواْ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ وَأَنفِقُواْ مِمَّا جَعَلَكُم مُّسْتَخْلَفِينَ فِيهِ ۖ فَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْمِنكُمْ وَأَنفَقُواْ لَهُمْ أَجْرٌۭ كَبِيرٌۭ ٧

Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë trashëgim; sepse ata prej jush, që besojnë dhe japin nga pasuria e tyre, do të kenë shpërblim të madh.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), dhe jepni nga pasuria me të cilën ju ka furnizuar Allahu dhe ju ka bërë trashëgimtarë të saj. Ata prej jush, o muslimanë, që besojnë dhe japin nga pasuria e tyre, do të kenë shpërblim të madh.

57:8

وَمَا لَكُمْ لَا تُؤْمِنُونَ بِٱللَّهِ ۙ وَٱلرَّسُولُ يَدْعُوكُمْ لِتُؤْمِنُواْ بِرَبِّكُمْ وَقَدْ أَخَذَ مِيثَـٰقَكُمْ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ ٨

Çfarë keni që nuk besoni në Allahun, ndërsa i Dërguari ju thërret të besoni në Zotin tuaj, ndërkohë që Ai tashmë e ka marrë besën tuaj, nëse jeni vërtet besimtarë?8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

E ç’arsyetim mund të keni që të mos besoni në Njëshmërinë e Allahut dhe të veproni sipas ligjit të Tij, ndërkohë që i Dërguari ju thërret në këtë, dhe Allahu ka marrë prej jush besëlidhjen për këtë, nëse jeni vërtet besimtarë në Allahun, Krijuesin tuaj?

57:9

هُوَ ٱلَّذِى يُنَزِّلُ عَلَىٰ عَبْدِهِۦٓ ءَايَـٰتٍۭ بَيِّنَـٰتٍۢ لِّيُخْرِجَكُم مِّنَ ٱلظُّلُمَـٰتِ إِلَى ٱلنُّورِ ۚ وَإِنَّ ٱللَّهَ بِكُمْ لَرَءُوفٌۭ رَّحِيمٌۭ ٩

Është Ai që i zbriti robit të Vet shpallje të qarta, për t’ju nxjerrë nga errësira në Dritë. Me të vërtetë, Allahu është i Butë dhe Mëshirëplotë ndaj jush.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Është Ai që i zbriti robit të Tij, Muhamedit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), ajete të qarta dhe të detajuara nga Kurani, për t’ju nxjerrë prej errësirës së mohimit në dritën e besimit. Vërtet, Allahu, nëpërmjet nxjerrjes suaj nga errësirat në dritë, dëshiron t’ju mëshirojë me një mëshirë të gjerë, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, dhe t’ju shpërblejë me shpërblimin më të mirë.

57:10

وَمَا لَكُمْ أَلَّا تُنفِقُواْ فِى سَبِيلِ ٱللَّهِ وَلِلَّهِ مِيرَٰثُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ لَا يَسْتَوِى مِنكُم مَّنْ أَنفَقَ مِن قَبْلِ ٱلْفَتْحِ وَقَـٰتَلَ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ أَعْظَمُ دَرَجَةًۭ مِّنَ ٱلَّذِينَ أَنفَقُواْ مِنۢ بَعْدُ وَقَـٰتَلُواْ ۚ وَكُلًّۭا وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلْحُسْنَىٰ ۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌۭ ١٠

Çfarë keni që nuk shpenzoni në Rrugën e Allahut, ndërkohë që vetëm Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata, pre jush, që kanë dhënë (nga pasuria) dhe kanë luftuar para fitores (çlirimit të Mekes), me ata që kanë dhënë dhe kanë luftuar më pas; të parët kanë shkallë më të lartë. E megjithatë, Allahu u ka premtuar të gjithëve shpërblim të mirë. Dhe, Allahu e di mirë çfarë bëni ju.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

E çfarë ju pengon të shpenzoni në rrugën e Allahut? Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës — Ai do të trashëgojë gjithçka që gjendet në to, dhe askush nuk do të mbetet pronar i ndonjë gjëje në to. Nuk janë të barabartë në shpërblim ata prej jush që shpenzuan dhe luftuan në rrugën e Allahut para çlirimit të Mekës, me ata që e bënë këtë pas çlirimit. Ata të parët janë në një shkallë më të lartë tek Allahu sesa ata që erdhën pas tyre. Megjithatë, Allahu u ka premtuar Xhenetin të dy palëve. Allahu është i Dijshëm për veprat tuaja — asgjë prej tyre nuk i fshihet — dhe do t’ju shpërblejë për to.

57:11

مَّن ذَا ٱلَّذِى يُقْرِضُ ٱللَّهَ قَرْضًا حَسَنًۭا فَيُضَـٰعِفَهُۥ لَهُۥ وَلَهُۥٓ أَجْرٌۭ كَرِيمٌۭ ١١

Kush është ai që do t’i japë Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe t’i japë shpërblim fisnik?11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Kush është ai që shpenzon në rrugën e Allahut me sinqeritet nga zemra, pa përmendur të mirën e bërë dhe pa e lënduar (përfituesin)? Atij Zoti i tij do t’ia shumëfishojë shpërblimin dhe do t’i japë një shpërblim fisnik — Xhenetin.

57:12

يَوْمَ تَرَى ٱلْمُؤْمِنِينَ وَٱلْمُؤْمِنَـٰتِ يَسْعَىٰ نُورُهُم بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَبِأَيْمَـٰنِهِم بُشْرَىٰكُمُ ٱلْيَوْمَ جَنَّـٰتٌۭ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ خَـٰلِدِينَ فِيهَا ۚ ذَٰلِكَ هُوَ ٱلْفَوْزُ ٱلْعَظِيمُ ١٢

Ditën, kur do t’i shohësh besimtarët dhe besimtaret, drita e tyre do të shkëlqejë përpara tyre dhe në të djathtën e tyre, (e do t’u thuhet): “Përgëzimi juaj sot janë kopshtet e Xhenetit, nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndroni përgjithmonë.” Kjo është fitorja më e madhe.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Në ditën kur do t’i shohësh besimtarët dhe besimtaret, drita e tyre do të lëvizë përpara tyre dhe në të djathtën e tyre, sipas veprave që kanë bërë. Atyre do t’u thuhet: “Përgëzohuni sot me hyrjen në kopshtet e gjera, nën hijet e të cilave rrjedhin lumenj! Nuk do të dilni kurrë prej tyre.” Ky shpërblim është fitorja e madhe për ju, në botën tjetër.

57:13

يَوْمَ يَقُولُ ٱلْمُنَـٰفِقُونَ وَٱلْمُنَـٰفِقَـٰتُ لِلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱنظُرُونَا نَقْتَبِسْ مِن نُّورِكُمْ قِيلَ ٱرْجِعُواْ وَرَآءَكُمْ فَٱلْتَمِسُواْ نُورًۭا فَضُرِبَ بَيْنَهُم بِسُورٍۢ لَّهُۥ بَابٌۢ بَاطِنُهُۥ فِيهِ ٱلرَّحْمَةُ وَظَـٰهِرُهُۥ مِن قِبَلِهِ ٱلْعَذَابُ ١٣

Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë atyre që kanë besuar: “Na prisni pak, që të marrim edhe ne pak nga drita juaj!” Por, do t’u thuhet: “Kthehuni prapa, e kërkoni dritë tjetër për veten tuaj!” Pastaj do të ngrihet një mur ndërmjet tyre, që do të ketë një portë: brenda tij është mëshira, kurse jashtë, përballë tij, është dënimi.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Në atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve, ndërsa janë mbi Urën e Siratit: “Na pritni pak që të marrim dritë nga drita juaj!” Por engjëjt do t’u thonë: “Kthehuni pas dhe kërkoni dritë tjetër (nëse mundeni)!” — si tallje ndaj tyre. Atëherë do të vendoset mes tyre një mur që do të ketë një portë: brenda, nga ana e besimtarëve, do të jetë mëshira, ndërsa jashtë, nga ana e hipokritëve, do të jetë ndëshkimi.

57:14

يُنَادُونَهُمْ أَلَمْ نَكُن مَّعَكُمْ ۖ قَالُواْ بَلَىٰ وَلَـٰكِنَّكُمْ فَتَنتُمْ أَنفُسَكُمْ وَتَرَبَّصْتُمْ وَٱرْتَبْتُمْ وَغَرَّتْكُمُ ٱلْأَمَانِىُّ حَتَّىٰ جَآءَ أَمْرُ ٱللَّهِ وَغَرَّكُم بِٱللَّهِ ٱلْغَرُورُ ١٤

Ata do t’i thërrasin (besimtarëve): “A nuk ishim edhe ne me ju?” Ata do t’u përgjigjen: “Po, por ju e mashtruat veten, pritët (me dyshim), dyshuat dhe ju mashtruan shpresat e kota, derisa erdhi urdhri i Allahut; dhe mashtruesi (djalli) ju mashtroi lidhur me Allahun.”14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Hipokritët do t’u thërrasin besimtarëve duke thënë: “A nuk ishim edhe ne me ju në jetën e botës së kaluar? A nuk kryenim edhe ne ritet e fesë si ju?” Besimtarët do t’u përgjigjen: “Po, ishit me ne në pamje të jashtme, por ju shkatërruat vetveten me hipokrizi dhe mëkate; prisnit që profeti të vdiste dhe që besimtarëve t’u ndodhte ndonjë fatkeqësi; dyshuat në ringjalljen pas vdekjes; ju mashtruan dëshirat tuaja të kota dhe qëndruat në këtë gjendje derisa ju erdhi vdekja, e djalli ju mashtroi në lidhje me Allahun.”

57:15

فَٱلْيَوْمَ لَا يُؤْخَذُ مِنكُمْ فِدْيَةٌۭ وَلَا مِنَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ ۚ مَأْوَىٰكُمُ ٱلنَّارُ ۖ هِىَ مَوْلَىٰكُمْ ۖ وَبِئْسَ ٱلْمَصِيرُ ١٥

Kështu që, sot nuk do të pranohet shpërblim as prej jush, as prej atyre që mohuan. Strehimi juaj është Zjarri; ai është vendi i vetëm i përshtatshëm për ju; e sa vend i keq është ai përfundim!15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Sot nuk pranohet prej askujt prej jush, o hipokritë, asnjë shpërblim apo kompensim për t’u shpëtuar nga dënimi i Allahut, dhe as prej atyre që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Vendqëndrimi juaj i përbashkët është Zjarri — ai është më i përshtatshmi për ju se çdo vend tjetër, dhe sa vend i keq është ai përfundim!

57:16

۞ أَلَمْ يَأْنِ لِلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَن تَخْشَعَ قُلُوبُهُمْ لِذِكْرِ ٱللَّهِ وَمَا نَزَلَ مِنَ ٱلْحَقِّ وَلَا يَكُونُواْ كَٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلْكِتَـٰبَ مِن قَبْلُ فَطَالَ عَلَيْهِمُ ٱلْأَمَدُ فَقَسَتْ قُلُوبُهُمْ ۖ وَكَثِيرٌۭ مِّنْهُمْ فَـٰسِقُونَ ١٦

A nuk ka ardhur ende koha që zemrat e besimtarëve të përulen para përmendjes të Allahut dhe asaj që është shpallur nga e Vërteta, e të mos bëhen si ata që iu dha Libri më parë, të cilëve, me kalimin e një kohë të gjatë, zemrat iu ngurtësuan dhe shumë prej tyre janë ende të pabindur.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

A nuk ka ardhur ende koha për ata që kanë besuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe kanë ndjekur udhëzimin e Tij, që zemrat e tyre të zbuten kur përmendet Allahu dhe kur dëgjojnë Kuranin, dhe të mos jenë si ata që u është dhënë Libri para tyre – hebrenjtë dhe të krishterët – të cilëve u kaloi shumë kohë dhe ndryshuan fjalën e Allahut, e kështu zemrat e tyre u bënë të ashpra e të ngurta? Shumica prej tyre dolën nga bindja ndaj Allahut. - Në këtë ajet, ka nxitje për butësi dhe përulësi ndaj Allahut të Lartësuar kur dëgjohet ajo që Ai ka zbritur prej Librit dhe Urtësisë, si dhe një paralajmërim për t’u ruajtur nga ngjashmëria me hebrenjtë dhe të krishterët, në ngurtësimin e zemrave të tyre dhe në largimin e tyre nga bindja ndaj Allahut.

57:17

ٱعْلَمُوٓاْ أَنَّ ٱللَّهَ يُحْىِ ٱلْأَرْضَ بَعْدَ مَوْتِهَا ۚ قَدْ بَيَّنَّا لَكُمُ ٱلْـَٔايَـٰتِ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ١٧

Dijeni se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne jua kemi sqaruar shenjat, që ju të mendoni.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Dijeni se Allahu i Lartësuar e ngjall tokën pas vdekjes së saj, duke zbritur mbi të shiun, e ajo nxjerr bimët e saj. Po kështu, Allahu është i Fuqishëm të ringjallë të vdekurit në Ditën e Kiametit, dhe Ai është i aftë t’i zbusë zemrat pas ashpërsisë së tyre. Ne ju kemi treguar shenjat e fuqisë Sonë, që t’i kuptoni dhe të merrni mësim.

57:18

إِنَّ ٱلْمُصَّدِّقِينَ وَٱلْمُصَّدِّقَـٰتِ وَأَقْرَضُواْ ٱللَّهَ قَرْضًا حَسَنًۭا يُضَـٰعَفُ لَهُمْ وَلَهُمْ أَجْرٌۭ كَرِيمٌۭ ١٨

Me të vërtetë, ata që japin lëmoshë, burra dhe gra, dhe i japin Allahut hua të mirë, do t’u shumëfishohet shpërblimi, dhe për ta ka një shpërblim fisnik.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Vërtet, ata burra dhe gra që japin lëmoshë nga pasuria e tyre dhe shpenzojnë në rrugën e Allahut me zemër të kënaqur, duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, atyre u shumëfishohet shpërblimi, dhe përveç kësaj, do të kenë një shpërblim të madh — Xhenetin.

57:19

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦٓ أُوْلَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلصِّدِّيقُونَ ۖ وَٱلشُّهَدَآءُ عِندَ رَبِّهِمْ لَهُمْ أَجْرُهُمْ وَنُورُهُمْ ۖ وَٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَكَذَّبُواْ بِـَٔايَـٰتِنَآ أُوْلَـٰٓئِكَ أَصْحَـٰبُ ٱلْجَحِيمِ ١٩

Ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, pikërisht ata janë të sinqertët. Edhe dëshmorët, te Zoti i tyre, do të kenë shpërblimin dhe dritën e tyre. Ndërsa ata që mohuan dhe përgënjeshtruan shpalljet Tona, ata do të jenë banorët e Zjarrit.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Ata që besuan Allahun dhe të Dërguarit e Tij dhe nuk bënë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Allahut, janë të drejtët e vërtetë — ata që e kanë plotësuar besimin e tyre në atë që sollën të dërguarit, me bindje, fjalë dhe vepra. Edhe dëshmorët, tek Zotit të tyre, do të kenë shpërblim të madh dhe dritë të ndritshme në Ditën e Kiametit. Ndërsa ata që mohuan dhe përgënjeshtruan shenjat dhe argumentet Tona, janë banorët e Zjarrit të Xhehennemit — për ta nuk ka as shpërblim, as dritë.

57:20

ٱعْلَمُوٓاْ أَنَّمَا ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا لَعِبٌۭ وَلَهْوٌۭ وَزِينَةٌۭ وَتَفَاخُرٌۢ بَيْنَكُمْ وَتَكَاثُرٌۭ فِى ٱلْأَمْوَٰلِ وَٱلْأَوْلَـٰدِ ۖ كَمَثَلِ غَيْثٍ أَعْجَبَ ٱلْكُفَّارَ نَبَاتُهُۥ ثُمَّ يَهِيجُ فَتَرَىٰهُ مُصْفَرًّۭا ثُمَّ يَكُونُ حُطَـٰمًۭا ۖ وَفِى ٱلْـَٔاخِرَةِ عَذَابٌۭ شَدِيدٌۭ وَمَغْفِرَةٌۭ مِّنَ ٱللَّهِ وَرِضْوَٰنٌۭ ۚ وَمَا ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَآ إِلَّا مَتَـٰعُ ٱلْغُرُورِ ٢٠

Dijeni, se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, zbavitje, stoli, mburrje mes jush dhe garë për pasuri e fëmijë — si shiu, bimësia e të cilit i mahnit bujqit, pastaj ajo thahet, e ti e sheh të verdhë, e në fund bëhet kashtë e copëtuar. Në botën tjetër ka ndëshkim të ashpër, por edhe falje dhe kënaqësi nga Allahu; ndërsa jeta e kësaj bote nuk është tjetër, veçse një kënaqësi mashtrese.20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Dijeni, o njerëz, se jeta e kësaj bote është vetëm lojë dhe argëtim, me të cilën merren trupat, dhe zbavitje, me të cilën ngazëllehen zemrat; është stoli me të cilën ju zbukuroni veten, mburrje ndërmjet jush me pasuritë dhe me pozitën, dhe garë në shumimin e pasurisë dhe të fëmijëve. Shembulli i saj është si shiu që i mahnit bujqit me bimët që rriten prej tij; por pastaj ato thahen, i sheh të verdha pas gjelbërimit të tyre, e më pas bëhen kashtë e thatë dhe e copëtuar. Në botën tjetër ka ndëshkim të ashpër për jobesimtarët, e për besimtarët ka falje dhe kënaqësi nga Allahu; kurse jeta e kësaj bote, për atë që punon vetëm për të dhe harron botën tjetër, nuk është tjetër veçse një kënaqësi mashtruese kalimtare.

57:21

سَابِقُوٓاْ إِلَىٰ مَغْفِرَةٍۢ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا كَعَرْضِ ٱلسَّمَآءِ وَٱلْأَرْضِ أُعِدَّتْ لِلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱللَّهِ وَرُسُلِهِۦ ۚ ذَٰلِكَ فَضْلُ ٱللَّهِ يُؤْتِيهِ مَن يَشَآءُ ۚ وَٱللَّهُ ذُو ٱلْفَضْلِ ٱلْعَظِيمِ ٢١

Pra, konkurroni për falje nga Zoti juaj dhe për një kopsht (në Xhenet), gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e Tokës, i përgatitur për ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij! Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu është Zotëruesi i mirësisë së pafundme.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Konkurroni dhe nxitoni, o njerëz, drejt shkaqeve të faljes — me pendim të sinqertë dhe me largim nga mëkatet — që të shpërbleheni me faljen e Zotit tuaj dhe me një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e Tokës. Ai është përgatitur për ata që e kanë Njësuar Allahun dhe kanë ndjekur të dërguarit e Tij. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë prej krijesave të Tij. Vërtet, Xheneti nuk arrihet veçse me mëshirën dhe hirin e Allahut, së bashku me veprat e mira. Dhe Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe ndaj robërve të Tij besimtarë.

57:22

مَآ أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍۢ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَا فِىٓ أَنفُسِكُمْ إِلَّا فِى كِتَـٰبٍۢ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَآ ۚ إِنَّ ذَٰلِكَ عَلَى ٱللَّهِ يَسِيرٌۭ ٢٢

Asnjë fatkeqësi që ndodh në Tokë, apo në vetveten tuaj, nuk ndodh pa qenë e shkruar në Libër, para se Ne ta krijojmë atë. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Asnjë fatkeqësi që ju godet ju, o njerëz — qoftë në Tokë apo në vetveten tuaj, si tërmet, thatësirë, sëmundje, uri apo vuajtje — nuk ndodh pa qenë e shkruar më parë në Librin e Ruajtur (El-Leuhi el-Mahfudh), para se të krijoheshin krijesat. Vërtet, kjo është e lehtë për Allahun e Lartësuar.

57:23

لِّكَيْلَا تَأْسَوْاْ عَلَىٰ مَا فَاتَكُمْ وَلَا تَفْرَحُواْ بِمَآ ءَاتَىٰكُمْ ۗ وَٱللَّهُ لَا يُحِبُّ كُلَّ مُخْتَالٍۢ فَخُورٍ ٢٣

(Jua bëjmë të ditur këtë) Që të mos pikëlloheni për atë që ju ka ikur dhe të mos gëzoheni tej mase për atë që ju është dhënë; se Allahu nuk do asnjë mendjemadh mburravec;23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Jua bëjmë të ditur këtë çështjen e paracaktimit, që të mos hidhëroheni për atë që ju ka ikur nga të mirat e kësaj bote dhe të mos gëzoheni me mendjemadhësi e arrogancë për atë që ju është dhënë prej saj; sepse Allahu nuk e do asnjë mendjemadh që mburret me atë që i është dhënë nga jeta e kësaj bote mbi të tjerët.

57:24

ٱلَّذِينَ يَبْخَلُونَ وَيَأْمُرُونَ ٱلنَّاسَ بِٱلْبُخْلِ ۗ وَمَن يَتَوَلَّ فَإِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ٱلْحَمِيدُ٢٤

ata që janë koprracë dhe i nxisin njerëzit për koprraci — e kushdo që largohet (nga bindja ndaj Allahut), duhet ta dijë se Allahu është i Pasuri, i Denji për çdo lavdërim.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Këta mendjemëdhenj janë ata që janë koprracë me pasurinë e tyre, nuk shpenzojnë në rrugën e Allahut dhe madje i nxisin edhe të tjerët të jenë koprracë, duke ua zbukuruar këtë vepër. Kushdo që largohet nga bindja ndaj Allahut, nuk dëmton askënd tjetër përveç vetvetes. Ai nuk i shkakton asnjë dëm Allahut, sepse Allahu është i Pasuri, i Pavaruri nga krijesat e Tij, dhe i Lavdëruari, të Cilit i takon çdo cilësi e përsosur dhe çdo vepër e bukur, për të cilën meriton të falënderohet.

57:25

لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بِٱلْبَيِّنَـٰتِ وَأَنزَلْنَا مَعَهُمُ ٱلْكِتَـٰبَ وَٱلْمِيزَانَ لِيَقُومَ ٱلنَّاسُ بِٱلْقِسْطِ ۖ وَأَنزَلْنَا ٱلْحَدِيدَ فِيهِ بَأْسٌۭ شَدِيدٌۭ وَمَنَـٰفِعُ لِلنَّاسِ وَلِيَعْلَمَ ٱللَّهُ مَن يَنصُرُهُۥ وَرُسُلَهُۥ بِٱلْغَيْبِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ قَوِىٌّ عَزِيزٌۭ ٢٥

Ne i dërguam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe zbritëm me ta Librin dhe peshoren (e drejtësisë), që njerëzit të veprojnë me drejtësi. Dhe, Ne e kemi zbritur hekurin, në të cilin ka forcë të madhe dhe dobi për njerëzit, që Allahu të bëjë të ditur se kush e ndihmon Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Ne i kemi dërguar të dërguarit Tanë me prova të qarta, dhe u kemi zbritur atyre Librin me ligje e dispozita, si dhe peshojën (drejtësinë), që njerëzit të veprojnë me drejtësi mes tyre. Dhe u kemi zbritur hekurin, në të cilin ka forcë të madhe (ndër të cilat armatimi luftarak) dhe shumë dobi për njerëzit, në mënyrë që Allahu ta bëjë të qartë për krijesat se kush e ndihmon fenë e Tij dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Allahun. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Pathyeshëm, i Plotfuqishëm dhe i Pamposhtur. Allahut nuk i duhet ndihma e askujt, por ajo i sjell dobi atij që e jep.

57:26

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًۭا وَإِبْرَٰهِيمَ وَجَعَلْنَا فِى ذُرِّيَّتِهِمَا ٱلنُّبُوَّةَ وَٱلْكِتَـٰبَ ۖ فَمِنْهُم مُّهْتَدٍۢ ۖ وَكَثِيرٌۭ مِّنْهُمْ فَـٰسِقُونَ ٢٦

Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin, dhe vendosëm në pasardhësit e tyre Profetësinë dhe Librin; disa prej tyre janë të udhëzuar, por shumë prej tyre janë të pabindur.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Ne e dërguam Nuhun dhe Ibrahimin te popujt e tyre, dhe vendosëm në pasardhësit e tyre profetësinë dhe Librat e shpallur: Teuratin, Inxhilin, Zeburin dhe Kuranin. Disa prej pasardhësve të tyre janë të udhëzuar në të vërtetën, por shumë prej tyre janë larguar nga bindja ndaj Allahut.

57:27

ثُمَّ قَفَّيْنَا عَلَىٰٓ ءَاثَـٰرِهِم بِرُسُلِنَا وَقَفَّيْنَا بِعِيسَى ٱبْنِ مَرْيَمَ وَءَاتَيْنَـٰهُ ٱلْإِنجِيلَ وَجَعَلْنَا فِى قُلُوبِ ٱلَّذِينَ ٱتَّبَعُوهُ رَأْفَةًۭ وَرَحْمَةًۭ وَرَهْبَانِيَّةً ٱبْتَدَعُوهَا مَا كَتَبْنَـٰهَا عَلَيْهِمْ إِلَّا ٱبْتِغَآءَ رِضْوَٰنِ ٱللَّهِ فَمَا رَعَوْهَا حَقَّ رِعَايَتِهَا ۖ فَـَٔاتَيْنَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مِنْهُمْ أَجْرَهُمْ ۖ وَكَثِيرٌۭ مِّنْهُمْ فَـٰسِقُونَ ٢٧

Pastaj, në gjurmët e tyre, Ne dërguam të dërguarit Tanë; dërguam Isain, birin e Merjemes, dhe i dhamë atij Ungjillin, dhe në zemrat e ithtarëve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë. Sa për murgërinë — Ne nuk ua kishim urdhëruar — ata e shpikën vetë atë, duke kërkuar për kënaqësinë e Allahut; por megjithatë, nuk e respektuan siç duhej. Ne u dhamë shpërblimin atyre që besuan prej tyre, por shumë prej tyre janë të pabindur.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Pastaj, pas Nuhut dhe Ibrahimit, në gjurmët e tyre Ne dërguam të dërguarit tanë, të cilët i dërguam me prova të qarta. Dhe i pasuam me Isain, birin e Merjemes, të cilit i dhamë Ungjillin, dhe vendosëm në zemrat e atyre që e ndoqën në fenë e tij butësi dhe mëshirë; ata ishin të dashur dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. Por ata shpikën vetë murgërinë — Ne nuk ua kishim urdhëruar atë — por ata vetë e morën përsipër duke synuar me të kënaqësinë e Allahut. Megjithatë, nuk e zbatuan siç duhej. Prandaj, atyre që besuan sinqerisht prej tyre në Allahun dhe në të dërguarit e Tij, Ne u dhamë shpërblimin sipas besimit të tyre. Ndërsa shumë prej tyre dolën nga bindja ndaj Allahut dhe e mohuan të Dërguarin e fundit, Muhamedin ﷺ.

57:28

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَءَامِنُواْ بِرَسُولِهِۦ يُؤْتِكُمْ كِفْلَيْنِ مِن رَّحْمَتِهِۦ وَيَجْعَل لَّكُمْ نُورًۭا تَمْشُونَ بِهِۦ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۚ وَٱللَّهُ غَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ ٢٨

O ju që besuat (Musain dhe Isain), kini frikë Allahun dhe besoni në të dërguarin e Tij (Muhamedin); në këtë mënyrë, Ai do t’ju japë dyfish nga mëshira e Tij, do t’ju japë një dritë me të cilën do të ecni, dhe do t’ju falë! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë;28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

O ju ithtarë të Librit, që keni besuar Allahun dhe të dërguarit e Tij para Muhamedit, kini frikë Allahun duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, dhe besoni në të Dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin ﷺ; sepse kështu, Allahu do t’ju japë dyfish nga mëshira e Tij, për besimin tuaj në Musain dhe Isain (Jezusin) ﷺ dhe për besimin tuaj në Muhamedin ﷺ, pasi ai u dërgua si profet; do t’ju dhurojë një dritë me të cilën do të udhëzoheni, dhe do t’ju falë mëkatet tuaja. Vërtet, Allahu është Falës ndaj robërve të Tij dhe i Mëshirshëm ndaj tyre.

57:29

لِّئَلَّا يَعْلَمَ أَهْلُ ٱلْكِتَـٰبِ أَلَّا يَقْدِرُونَ عَلَىٰ شَىْءٍۢ مِّن فَضْلِ ٱللَّهِ ۙ وَأَنَّ ٱلْفَضْلَ بِيَدِ ٱللَّهِ يُؤْتِيهِ مَن يَشَآءُ ۚ وَٱللَّهُ ذُو ٱلْفَضْلِ ٱلْعَظِيمِ ٢٩

Që ta dinë mirë ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët), se ata nuk kanë asnjë pushtet mbi mirësinë e Allahut, dhe se mirësia është vetëm në Dorën e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë, dhe Allahu është Zotërues i mirësisë së pafundme.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Allahu i Lartësuari jua dha juve gjithë këtë, që të kuptojnë ithtarët e Librit, të cilët nuk besuan në Muhamedin ﷺ, se ata nuk kanë asnjë fuqi mbi mirësinë e Allahut — nuk mund ta fitojnë vetë dhe as t’ua japin të tjerëve. Vërtet, gjithë mirësia është vetëm në Dorën e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë prej robërve të Tij. Dhe Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe ndaj krijesave të Tij.

El Hadid · 29 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi