KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 88

El Gashije Ngjarja Përfshirëse

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 26 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

88:1

هَلْ أَتَىٰكَ حَدِيثُ ٱلْغَـٰشِيَةِ ١

A të ka ardhur ty lajmi për Ngjarjen Përfshirëse?1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

A të ka arritur ty, o i Dërguar, lajmi për Ditën e Kiametit, e cila do t’i mbulojë e do t’i përfshijë njerëzit me tmerrin dhe frikën e saj? Pyetja është retorike dhe tronditëse: “A e ke dëgjuar? A e ke menduar madhështinë e saj?” Fillimi i sures zgjon ndërgjegjen e fjetur — përballë një ngjarjeje që askush s’mund ta shmangë.

88:2

وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍ خَـٰشِعَةٌ ٢

Atë Ditë, disa fytyra do të jenë të përulura (poshtëruara),2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Këtu përshkruhen fytyrat e mohuesve në Ditën e Gjykimit: të poshtëruar, pa dinjitet, pa dritë.

88:3

عَامِلَةٌۭ نَّاصِبَةٌۭ ٣

të lodhura, të munduara.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Fytyrat e mohuesve atë Ditë do të jenë të poshtëruara nga dënimi, të lodhura nga mundimi e vuajtja; Disa dijetarë thonë: që kanë punuar shumë në dynja, por jo për hir të Allahut, prandaj mundi i tyre është i pavlefshëm. Të tjerë thonë: i referohet torturës në zjarr, ku ata “punojnë” në mundime pa pushim.

88:4

تَصْلَىٰ نَارًا حَامِيَةًۭ ٤

Ata do të hyjnë në një Zjarr të nxehtë,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

do t’i përfshijë një zjarr flakërues dhe i nxehtë; “Hāmiyah” = zjarr që digjet fort, pa pushim. Përdorimi i fjalës në formë të paemërtuar e bën më të frikshme — zjarr i padurueshëm, i përhershëm.

88:5

تُسْقَىٰ مِنْ عَيْنٍ ءَانِيَةٍۢ ٥

do t’u jepet të pinë nga një burim i valë,5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

dhe do të pinë nga një burim me ujë tepër të nxehtë. Kjo “pije” është pjesë e ndëshkimit të tyre (krahaso me Suren El Uākiah 56:54).

88:6

لَّيْسَ لَهُمْ طَعَامٌ إِلَّا مِن ضَرِيعٍۢ ٦

dhe për ta nuk ka ushqim tjetër, përveç një bime të hidhur (helmuese),

88:7

لَّا يُسْمِنُ وَلَا يُغْنِى مِن جُوعٍۢ ٧

që as nuk ushqen, as nuk shuan urinë.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Banorët e zjarrit nuk do të kenë ushqim tjetër përveç “Darīj‘” - një bimë helmuese e shkretëtirës që as kafshët nuk e hanë — një ushqim ndër më të këqijtë dhe më të neveritshmit, që as nuk i jep trupit ushqim për t’u forcuar, as nuk ia shuan urinë.

88:8

وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍۢ نَّاعِمَةٌۭ ٨

Atë Ditë, do të ketë edhe fytyra të ndritshme e të lumtura,7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Tani vjen kontrasti: fytyrat e besimtarëve, që ndriçojnë nga gëzimi, rehati e nder. “Na‘im” nënkupton kënaqësi trupore dhe shpirtërore.

88:9

لِّسَعْيِهَا رَاضِيَةٌۭ ٩

të kënaqura me përpjekjen e tyre,8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Ndryshe nga ata që punuan kot, këta gëzohen për mundin e tyre, sepse shpërblimi është i dukshëm. Ky është gëzimi i shpirtit të qetë që sheh frytin e veprave të veta.

88:10

فِى جَنَّةٍ عَالِيَةٍۢ ١٠

në një kopsht të lartë,9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Ata do të jenë në një xhenet të lartë në vend dhe në gradë,

88:11

لَّا تَسْمَعُ فِيهَا لَـٰغِيَةًۭ ١١

ku nuk dëgjohet asnjë fjalë e kotë.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Në Xhenet nuk ka fjalë të pavlera, as ofendime, as shqetësime. Vetëm fjalë paqeje, lavdie dhe falënderimi.

88:12

فِيهَا عَيْنٌۭ جَارِيَةٌۭ ١٢

Aty ka burime që rrjedhin,11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Aty ka burime që rrjedhin me ujë të pastër vazhdimisht – shenjë e jetës pa fund,

88:13

فِيهَا سُرُرٌۭ مَّرْفُوعَةٌۭ ١٣

shtretër të lartë,12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

shtretër të lartë dhe të rehatshëm - nder e kënaqësi për banorët.

88:14

وَأَكْوَابٌۭ مَّوْضُوعَةٌۭ ١٤

kupa të vendosura pranë,13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

kupa të përgatitura për pirësit,

88:15

وَنَمَارِقُ مَصْفُوفَةٌۭ ١٥

jastëkë të radhitur,14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

jastëkë të vendosur në rreshta - Përshkrim i rehatisë fizike dhe estetikës së Xhenetit: bukuri, rregull, harmoni.

88:16

وَزَرَابِىُّ مَبْثُوثَةٌ ١٦

dhe qilima të shtruar.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

qilima të butë, të hollë, të shtruar gjerësisht — shenjë e rehatisë dhe qetësisë.

88:17

أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى ٱلْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ ١٧

Vallë, a nuk i shohin ata devetë, se si janë krijuar;16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

A nuk i shohin ata, që mohojnë të vërtetën, devetë – se si janë krijuar me këtë krijim dhe strukturë të mrekullueshme, dhe dobi të panumërta për ushqimin dhe kurimin e njerëzve?

88:18

وَإِلَى ٱلسَّمَآءِ كَيْفَ رُفِعَتْ ١٨

dhe qiellin, se si është ngritur;17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Dhe a nuk e shohin qiellin – se si është ngritur me këtë ngritje madhështore?

88:19

وَإِلَى ٱلْجِبَالِ كَيْفَ نُصِبَتْ ١٩

dhe malet, se si janë vendosur;18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Dhe malet – se si janë vendosur fort, duke i dhënë tokës qëndrueshmëri dhe stabilitet?

88:20

وَإِلَى ٱلْأَرْضِ كَيْفَ سُطِحَتْ ٢٠

dhe Tokën, se si është sheshuar?!19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Dhe Tokën – se si është shtruar dhe rrafshuar për jetesën e tyre? - Njeriu urdhërohet të reflektojë: kush krijoi këto, Ai është i aftë të të ringjallë.

88:21

فَذَكِّرْ إِنَّمَآ أَنتَ مُذَكِّرٌۭ ٢١

Pra, këshillo — sepse ti je vetëm këshillues,20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Prandaj, këshilloji – o i Dërguar – ata që janë shmangur, me mesazhin që të është dërguar për ta, dhe mos u trishto për refuzimin e tyre. Ti je vetëm një këshillues për ta;

88:22

لَّسْتَ عَلَيْهِم بِمُصَيْطِرٍ ٢٢

dhe nuk je sundues mbi ta.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

nuk je i ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë që të besojnë.

88:23

إِلَّا مَن تَوَلَّىٰ وَكَفَرَ ٢٣

Por, ai që kthehet mbrapa dhe mohon,

88:24

فَيُعَذِّبُهُ ٱللَّهُ ٱلْعَذَابَ ٱلْأَكْبَرَ ٢٤

Allahu do ta ndëshkojë me dënimin më të madh.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Por ai që shmanget nga përkujtimi dhe këshilla, dhe ngul këmbë në mohimin e tij, Allahu do ta dënojë atë me një dënim të ashpër në Zjarr.

88:25

إِنَّ إِلَيْنَآ إِيَابَهُمْ ٢٥

Me të vërtetë, tek Ne është kthimi i tyre,23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Vërtet, tek Ne është kthimi i tyre pas vdekjes - çdo krijesë do të kthehet te Krijuesi,

88:26

ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا حِسَابَهُم ٢٦

dhe pastaj, me të vërtetë, është detyra Jonë që t’i marrim ata në llogari.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

dhe pastaj është detyra Jonë që t’i shpërblejmë ata sipas veprave që kanë bërë.

El Gashije · 26 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi