KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 48

El Fet’h Fitorja e qartë

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Medinase • 29 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

48:1

إِنَّا فَتَحْنَا لَكَ فَتْحًۭا مُّبِينًۭا ١

Ne të dhamë ty një fitore të qartë,1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Ne të kemi dhënë ty, o i Dërguar, një fitore të qartë, në të cilën Allahu do ta shfaqë fenë tënde dhe do të të ndihmojë kundër armikut tënd. - Kjo është marrëveshja e Hudejbijes, me të cilën njerëzit patën siguri mes tyre dhe ndaluan luftën, duke u hapur më gjerë thirrja për fenë e Allahut. Kështu, kush dëshironte të njihej me të vërtetën e Islamit, pati mundësinë ta kuptojë atë, dhe shumë njerëz hynë gjatë asaj periudhe në fenë e Allahut me turma të mëdha. Për këtë arsye, Allahu e quajti atë një fitore të qartë, të dukshme dhe të hapur.

48:2

لِّيَغْفِرَ لَكَ ٱللَّهُ مَا تَقَدَّمَ مِن ذَنۢبِكَ وَمَا تَأَخَّرَ وَيُتِمَّ نِعْمَتَهُۥ عَلَيْكَ وَيَهْدِيَكَ صِرَٰطًۭا مُّسْتَقِيمًۭا ٢

që Allahu të të falë ty gabimet që ke bërë më parë dhe ato që do të bësh më pas, të plotësojë mbi ty dhuntinë e Tij dhe të të udhëzojë në një rrugë të drejtë;2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ne ta dhamë ty atë fitore dhe e lehtësuam atë për ty; që Allahu të të falë për gabimet e kaluara dhe të ardhshme — për shkak të shumë adhurimeve dhe veprave të mira që erdhën nga kjo fitore dhe nga mundimet që durove — dhe për të plotësuar dhuntinë e Tij mbi ty, duke e shfaqur fenë tënde dhe duke të ndihmuar ndaj armiqve; dhe për të të udhëzuar në një rrugë të drejtë të fesë, pa devijim;

48:3

وَيَنصُرَكَ ٱللَّهُ نَصْرًا عَزِيزًا ٣

dhe që Allahu të të ndihmojë me një ndihmë të fuqishme.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

dhe që Allahu të të japë një ndihmë të fuqishme, me të cilën Islami nuk do të dobësohet.

48:4

هُوَ ٱلَّذِىٓ أَنزَلَ ٱلسَّكِينَةَ فِى قُلُوبِ ٱلْمُؤْمِنِينَ لِيَزْدَادُوٓاْ إِيمَـٰنًۭا مَّعَ إِيمَـٰنِهِمْ ۗ وَلِلَّهِ جُنُودُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلِيمًا حَكِيمًۭا ٤

Është Ai, që zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, për të shtuar besim mbi besimin e tyre. Allahut i përkasin ushtritë e qiejve dhe të Tokës. Allahu është gjithnjë i Dijshëm, i Urtë.4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Është Allahu Ai, i Cili zbriti qetësinë dhe sigurinë në zemrat e besimtarëve, në ditën e Hudejbijes, kështu që zemrat e tyre u qetësuan dhe bindja e tyre u përforcua, në mënyrë që të shtohej besimi i tyre në Allahun dhe ndjekja e të Dërguarit bashkë me atë që tashmë kishin besuar. Allahut të Lartësuar i përkasin ushtritë e qiejve dhe të Tokës, me të cilat Ai i ndihmon robërit e Tij besimtarë. Dhe Allahu është gjithnjë i Dijshëm për interesat e krijesave të Tij dhe i Urtë në planin dhe veprimin e Tij.

48:5

لِّيُدْخِلَ ٱلْمُؤْمِنِينَ وَٱلْمُؤْمِنَـٰتِ جَنَّـٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ خَـٰلِدِينَ فِيهَا وَيُكَفِّرَ عَنْهُمْ سَيِّـَٔاتِهِمْ ۚ وَكَانَ ذَٰلِكَ عِندَ ٱللَّهِ فَوْزًا عَظِيمًۭا ٥

Që t’i fusë besimtarët dhe besimtaret në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si dhe që t’ua shlyejë atyre gjynahet. Dhe kjo, te Allahu, është fitorja e madhe.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Allahu i bëri këto që u thanë më sipër, me qëllim që t’i fusë besimtarët dhe besimtaret në kopshtet e Xhenetit, nën pemët dhe pallatet e të cilave rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, dhe që t’ua fshijë të këqijat e veprave që bënë, pa i ndëshkuar për to. Ky shpërblim tek Allahu është shpëtim nga çdo brengë dhe fitore e plotë e çdo gjëje që ata dëshirojnë.

48:6

وَيُعَذِّبَ ٱلْمُنَـٰفِقِينَ وَٱلْمُنَـٰفِقَـٰتِ وَٱلْمُشْرِكِينَ وَٱلْمُشْرِكَـٰتِ ٱلظَّآنِّينَ بِٱللَّهِ ظَنَّ ٱلسَّوْءِ ۚ عَلَيْهِمْ دَآئِرَةُ ٱلسَّوْءِ ۖ وَغَضِبَ ٱللَّهُ عَلَيْهِمْ وَلَعَنَهُمْ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَهَنَّمَ ۖ وَسَآءَتْ مَصِيرًۭا ٦

Dhe, që t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, të cilët mendojnë për Allahun mendime të këqija. Rreth tyre sillet e keqja (dënimi). Allahu është i zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe u ka përgatitur Xhehenemin. Sa i keq është ai përfundim!6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Dhe që Allahu t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, të cilët mendojnë keq për Allahun – duke menduar se Ai nuk do ta ndihmojë të Dërguarin e Tij dhe besimtarët me të kundër armiqve të tyre, dhe se nuk do ta shfaqë fenë e Tij. Rreth këtyre rrotullohet rrethi i dënimit dhe çdo gjë që i dëmton; Allahu është i zemëruar me ta, i ka përzënë prej mëshirës së Tij dhe u ka përgatitur Zjarrin e Xhehenemit. E sa vend i keq është ai në të cilin do të përfundojnë!

48:7

وَلِلَّهِ جُنُودُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ عَزِيزًا حَكِيمًا ٧

Allahut i përkasin ushtritë e qiejve dhe të Tokës. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Allahut të Madhëruar i përkasin ushtritë e qiejve dhe të Tokës, me të cilat Ai i përforcon dhe i ndihmon robërit e Tij besimtarë. Allahu është gjithmonë i Plotfuqishëm mbi krijesat e Tij dhe i Urtë në rregullimin e çështjeve të tyre.

48:8

إِنَّآ أَرْسَلْنَـٰكَ شَـٰهِدًۭا وَمُبَشِّرًۭا وَنَذِيرًۭا ٨

Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues,8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Ne të kemi dërguar ty, o Muhamed, si dëshmitar mbi popullin tënd se ua përcolle mesazhin, si sqarues për ta për atë me të cilin të kemi dërguar, si përgëzues për ata që të binden me Xhenet dhe si paralajmërues për ata që të kundërshtojnë me dënim në këtë botë dhe në tjetrën;

48:9

لِّتُؤْمِنُواْ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ وَتُعَزِّرُوهُ وَتُوَقِّرُوهُ وَتُسَبِّحُوهُ بُكْرَةًۭ وَأَصِيلًا ٩

që të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e ta ndihmoni dhe ta nderoni atë, dhe ta madhëroni Allahun mëngjes e mbrëmje.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

që të besoni në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ta ndihmoni Allahun duke ndihmuar fenë e Tij, ta madhëroni Atë dhe ta lavdëroni në mëngjes dhe në mbrëmje.

48:10

إِنَّ ٱلَّذِينَ يُبَايِعُونَكَ إِنَّمَا يُبَايِعُونَ ٱللَّهَ يَدُ ٱللَّهِ فَوْقَ أَيْدِيهِمْ ۚ فَمَن نَّكَثَ فَإِنَّمَا يَنكُثُ عَلَىٰ نَفْسِهِۦ ۖ وَمَنْ أَوْفَىٰ بِمَا عَـٰهَدَ عَلَيْهُ ٱللَّهَ فَسَيُؤْتِيهِ أَجْرًا عَظِيمًۭا ١٠

Vërtet, ata që të japin besën ty (o Muhamed), në të vërtetë i japin besën Allahut. Dora e Allahut është mbi duart e tyre! Kush e shkel besën, vetëm kundër vetes e ka shkelur atë, e kush e përmbush atë që është zotuar ndaj Allahut, Ai do t’i japë atij një shpërblim të madh.10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Vërtet, ata që të dhanë besën ty, o i Dërguar, në Hudejbije për të luftuar, në të vërtetë ia dhanë besën Allahut dhe lidhën marrëveshje me Të, duke kërkuar Xhenetin dhe kënaqësinë e Tij. Dora e Allahut është mbi duart e tyre, pra Ai është me ta, i dëgjon fjalët e tyre, i sheh vendet e tyre dhe i di si brendësitë, ashtu edhe të jashtmet e tyre. Kush e thyen besën, pasoja bie mbi vetveten e tij, ndërsa kush i përmbahet asaj që ia ka premtuar Allahut – të jetë i durueshëm kur të takohet me armikun në rrugën e Allahut dhe të ndihmojë të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ – Allahu do t’i japë shpërblim të madh, e ai shpërblim është Xheneti. - Në këtë ajet vërtetohet cilësia e Dorës, për Allahun e Madhëruar, ashtu si i takon Atij, pa krahasim dhe pa përfytyrim.

48:11

سَيَقُولُ لَكَ ٱلْمُخَلَّفُونَ مِنَ ٱلْأَعْرَابِ شَغَلَتْنَآ أَمْوَٰلُنَا وَأَهْلُونَا فَٱسْتَغْفِرْ لَنَا ۚ يَقُولُونَ بِأَلْسِنَتِهِم مَّا لَيْسَ فِى قُلُوبِهِمْ ۚ قُلْ فَمَن يَمْلِكُ لَكُم مِّنَ ٱللَّهِ شَيْـًٔا إِنْ أَرَادَ بِكُمْ ضَرًّا أَوْ أَرَادَ بِكُمْ نَفْعًۢا ۚ بَلْ كَانَ ٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرًۢا ١١

Do të të thonë ty beduinët, që qëndruan pas: “Na penguan pasuritë dhe familjet tona, prandaj kërko falje (Allahut) për ne!” Ata thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaju: “Kush mund t’ju mbrojë nga Allahu, nëse Ai dëshiron t’ju sjellë dëm, apo t’ju sjellë dobi?” - Jo (nuk është ashtu si thoni), por Allahu është i Dijshëm për gjithçka që vepronit.11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Do të të thonë ty – o i Dërguar – ata beduinë që mbetën prapa dhe nuk dolën me ty drejt Mekës, kur t’i qortosh: “Na penguan pasuritë tona dhe familjet tona, prandaj lute Zotin tënd që të na falë për këtë mospjesëmarrje!” Ata e thonë këtë me gjuhët e tyre, por nuk është e vërtetë në zemrat e tyre. Thuaju: “E kush mund t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai do t’ju dojë një të keqe, ose t’ju dojë një të mirë?” Nuk është siç menduan këta hipokritë, se Allahu nuk e di atë që fshehin në brendësitë e tyre prej hipokrizie; përkundrazi, Allahu i Madhëruar është gjithnjë i Dijshëm për atë që veprojnë, dhe prej Tij nuk fshihet asgjë nga veprat e krijesave.

48:12

بَلْ ظَنَنتُمْ أَن لَّن يَنقَلِبَ ٱلرَّسُولُ وَٱلْمُؤْمِنُونَ إِلَىٰٓ أَهْلِيهِمْ أَبَدًۭا وَزُيِّنَ ذَٰلِكَ فِى قُلُوبِكُمْ وَظَنَنتُمْ ظَنَّ ٱلسَّوْءِ وَكُنتُمْ قَوْمًۢا بُورًۭا ١٢

Jo, por ju menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të ktheheshin kurrë më te familjet e tyre, dhe kjo ju zbukurua në zemrat tuaja. Ju ushqenit mendime të këqija dhe kështu u bëtë një popull i shkatërruar.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Nuk është aspak siç pretenduat ju, se u penguat nga pasuritë dhe familjet tuaja, por në të vërtetë ju menduat se i Dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij do të shkatërroheshin dhe nuk do të ktheheshin më kurrë tek ju. Shejtani ua zbukuroi këtë mendim në zemrat tuaja, dhe ju menduat keq, se Allahu nuk do ta ndihmonte të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, dhe shokët e tij mbi armiqtë e tyre. Dhe kështu u bëtë një popull i humbur, pa të mirë.

48:13

وَمَن لَّمْ يُؤْمِنۢ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ فَإِنَّآ أَعْتَدْنَا لِلْكَـٰفِرِينَ سَعِيرًۭا ١٣

E kush nuk beson në Allahun dhe të Dërguarin e Tij – me të vërtetë, Ne kemi përgatitur për mohuesit një Zjarr flakërues.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Ai që nuk i beson Allahut dhe as atij që solli i Dërguari i Tij ﷺ dhe nuk vepron sipas ligjit të Tij, është jobesimtar dhe meriton dënimin; Ne, me të vërtetë, u kemi përgatitur mohuesve dënimin e zjarrit flakërues në Xhehenem.

48:14

وَلِلَّهِ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ يَغْفِرُ لِمَن يَشَآءُ وَيُعَذِّبُ مَن يَشَآءُ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ غَفُورًۭا رَّحِيمًۭا ١٤

Vetëm Allahut i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës. Ai fal kë të dojë dhe ndëshkon kë të dojë. Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Vetëm Allahut të Madhëruar i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçkaje që ka në to. Ai, me mëshirën e Tij, ia fal kujt të dojë dhe ia mbulon mëkatet, ndërsa me drejtësinë e Tij ndëshkon kë të dojë. Allahu është gjithnjë Falës për atë që pendohet tek Ai dhe i Mëshirshëm me të.

48:15

سَيَقُولُ ٱلْمُخَلَّفُونَ إِذَا ٱنطَلَقْتُمْ إِلَىٰ مَغَانِمَ لِتَأْخُذُوهَا ذَرُونَا نَتَّبِعْكُمْ ۖ يُرِيدُونَ أَن يُبَدِّلُواْ كَلَـٰمَ ٱللَّهِ ۚ قُل لَّن تَتَّبِعُونَا كَذَٰلِكُمْ قَالَ ٱللَّهُ مِن قَبْلُ ۖ فَسَيَقُولُونَ بَلْ تَحْسُدُونَنَا ۚ بَلْ كَانُواْ لَا يَفْقَهُونَ إِلَّا قَلِيلًۭا ١٥

Ata që qëndruan pas - kur ju të niseni për të marrë plaçkën e luftës - do tju thonë: “Na lejoni edhe ne të vijmë pas jush.” Ata duan të ndryshojnë Fjalën (premtimin) e Allahut. Thuaju: “Ju kurrë nuk do të vini pas nesh! Kështu e ka thënë Allahu që më parë.” Atëherë, ata do të thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili.” Jo, por ata nuk kuptojnë veçse pak.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Ata që qëndruan prapa, kur ti – o i Dërguar – të nisesh me shokët e tu drejt plaçkave të luftës në Hajber, të cilat Allahu jua kishte premtuar juve, do t’ju thonë: “Na lini të vijmë me ju në Hajber”, duke dashur me këtë të ndryshojnë premtimin e Allahut për ju. Thuaju: “Ju nuk do të dilni me ne për në Hajber, sepse Allahu na ka thënë para se të ktheheshim në Medinë se plaçkat e Hajberit janë vetëm për ata që ishin me ne në Hudejbije.” Atëherë ata do të thonë: “Nuk është ashtu siç thoni ju, Allahu nuk ju ka urdhëruar për këtë; por ju po na ndaloni nga dalja me ju, nga zilia, që të mos fitojmë plaçkë së bashku me ju!” Por, nuk është siç pretendojnë ata, sepse ata nuk kuptojnë nga çështjet e fesë dhe nga ajo që kanë për detyrë ndaj Allahut veçse pak.

48:16

قُل لِّلْمُخَلَّفِينَ مِنَ ٱلْأَعْرَابِ سَتُدْعَوْنَ إِلَىٰ قَوْمٍ أُوْلِى بَأْسٍۢ شَدِيدٍۢ تُقَـٰتِلُونَهُمْ أَوْ يُسْلِمُونَ ۖ فَإِن تُطِيعُواْ يُؤْتِكُمُ ٱللَّهُ أَجْرًا حَسَنًۭا ۖ وَإِن تَتَوَلَّوْاْ كَمَا تَوَلَّيْتُم مِّن قَبْلُ يُعَذِّبْكُمْ عَذَابًا أَلِيمًۭا ١٦

Thuaju atyre beduinëve që qëndruan pas: “Do të thirreni për të luftuar kundër një populli luftarak dhe të fortë; ose do të luftoni me ta, ose ata do të dorëzohen (në Islam). Nëse bindeni, Allahu do t’ju japë shpërblim të mirë, por nëse shmangeni, ashtu siç u shmangët edhe më parë, Ai do t’ju ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.”16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Thuaju atyre beduinëve që mbetën prapa nga lufta: “Do t’ju thërrasin të luftoni kundër një populli që është jashtëzakonisht i ashpër në luftime — ju ose do t’i përballoni me armë, ose ata do t’ju bëjnë paqë pa luftë. Nëse i bindeni Allahut dhe i përgjigjeni thirrjes së Tij për të luftuar kundër këtyre njerëzve, Ai do t’ju japë Xhenetin; por nëse kundërshtoni, ashtu si bëtë kur nuk u nisët me të Dërguarin e Allahut ﷺ drejt Mekës, atëherë Ai do t’ju ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.”

48:17

لَّيْسَ عَلَى ٱلْأَعْمَىٰ حَرَجٌۭ وَلَا عَلَى ٱلْأَعْرَجِ حَرَجٌۭ وَلَا عَلَى ٱلْمَرِيضِ حَرَجٌۭ ۗ وَمَن يُطِعِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ يُدْخِلْهُ جَنَّـٰتٍۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهَا ٱلْأَنْهَـٰرُ ۖ وَمَن يَتَوَلَّ يُعَذِّبْهُ عَذَابًا أَلِيمًۭا ١٧

Nuk ka gjynah për të verbrin, as për çalin, as për të sëmurin (që të mos vijnë në luftë). Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta fusë në Xhenete, nën të cilat rrjedhin lumenj, por kush shmanget, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

S’ka mëkat për të verbërin prej jush — o njerëz — as për të çalin, as për të sëmurin, që të qëndrojnë mbrapa nga xhihadi dhe të mos marrë pjesë në të me besimtarët, për shkak se nuk kanë mundësi. Ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Allahu do ta fusë atë në kopshtet e Xhenetit, nën pemët dhe pallatet e të cilit rrjedhin lumenj; e ai që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin dhe qëndron prapa nga xhihadi me besimtarët, Allahu do t’i japë atij dënim të hidhur dhe të dhembshëm.

48:18

۞ لَّقَدْ رَضِىَ ٱللَّهُ عَنِ ٱلْمُؤْمِنِينَ إِذْ يُبَايِعُونَكَ تَحْتَ ٱلشَّجَرَةِ فَعَلِمَ مَا فِى قُلُوبِهِمْ فَأَنزَلَ ٱلسَّكِينَةَ عَلَيْهِمْ وَأَثَـٰبَهُمْ فَتْحًۭا قَرِيبًۭا ١٨

Me të vërtetë, Allahu u kënaq me besimtarët, kur ata të dhanë besën nën hijen e pemës; Ai e dinte se ç’kishin në zemrat e tyre, prandaj u zbriti qetësinë dhe i shpërbleu me një fitore të afërt18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Allahu u kënaq me besimtarët kur të dhanë besën, o i Dërguar, nën hijen e pemës — kjo ishte Beteja e Ridvanit në Hudejbije. Ai e dinte çfarë kishte në zemrat e tyre prej besimit, sinqeritetit dhe besnikërisë, prandaj zbriti qetësinë mbi ta, ua forcoi zemrat dhe i shpërbleu për atë që nuk arritën nëpërmjet marrëveshjes së Hudejbijes me një fitore të afërt: fitoren e Hajberit

48:19

وَمَغَانِمَ كَثِيرَةًۭ يَأْخُذُونَهَا ۗ وَكَانَ ٱللَّهُ عَزِيزًا حَكِيمًۭا ١٩

dhe me shumë plaçka lufte që do t’i marrin. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

dhe me plaçka të shumta lufte nga pasuritë e hebrenjve të Hajberit. Allahu është gjithmonë i Plotfuqishëm në ndëshkimin e armiqve të Tij dhe i Urtë në rregullimin e çështjeve të krijesave të Tij.

48:20

وَعَدَكُمُ ٱللَّهُ مَغَانِمَ كَثِيرَةًۭ تَأْخُذُونَهَا فَعَجَّلَ لَكُمْ هَـٰذِهِۦ وَكَفَّ أَيْدِىَ ٱلنَّاسِ عَنكُمْ وَلِتَكُونَ ءَايَةًۭ لِّلْمُؤْمِنِينَ وَيَهْدِيَكُمْ صِرَٰطًۭا مُّسْتَقِيمًۭا ٢٠

Allahu ju ka premtuar shumë plaçka të tjera që do t’i merrni, por këtë (të Hajberit) jua shpejtoi dhe pengoi duart e njerëzve nga ju, që të bëhet një shenjë për besimtarët dhe t’ju udhëheqë në Rrugën e Drejtë.20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Allahu ju ka premtuar plaçka të shumta që do t’i merrni në kohët që Ai i ka përcaktuar për ju; por Ai jua përshpejtoi plaçkat e Hajberit dhe i mbajti duart e njerëzve larg jush, kështu që nuk ju prek asgjë e keqe nga ajo që armiqtë tuaj kishin planifikuar kundër jush për luftë e betejë, as nga rreziku që t’ju arrinin ata që i kishit lënë pas në Medinë. Le të jenë për ju disfata e tyre, paqja dhe plaçkat që morët, shenja për t’u menduar dhe provë që Allahu ju ruajti dhe ju ndihmoi, dhe që ju udhëzoi në një rrugë të drejtë pa devijim.

48:21

وَأُخْرَىٰ لَمْ تَقْدِرُواْ عَلَيْهَا قَدْ أَحَاطَ ٱللَّهُ بِهَا ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرًۭا ٢١

Dhe (ju ka premtuar) të tjera (fitore e plaçka lufte) që nuk keni pasur fuqi t’i merrni (nga Romakët dhe Persët), por Allahu i ka përfshirë ato në dijen e Tij. Allahu ka fuqi mbi çdo gjë.21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Dhe Allahu ju ka premtuar edhe fitore e plaçka të tjera, që nuk ishit në gjendje t’i merrnit vetë në atë çast – nga dy fuqitë e mëdha të asaj kohe: Romakët dhe Persët; Allahu, i Lartëruar, është i Plotfuqishëm për të, ajo është nën prokurimin dhe pushtetin e Tij, dhe Ai jua ka premtuar — dhe patjetër do të ndodhë ajo që Ai ka premtuar. Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë dhe asgjë nuk është e pamundur për Të.

48:22

وَلَوْ قَـٰتَلَكُمُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لَوَلَّوُاْ ٱلْأَدْبَـٰرَ ثُمَّ لَا يَجِدُونَ وَلِيًّۭا وَلَا نَصِيرًۭا ٢٢

Sikur mohuesit t’ju luftonin (në Hudejbije), ata do t’ju kthenin shpinën (nga disfata) dhe nuk do të gjenin as mbrojtës, as ndihmues.22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Sikur mohuesit e Kurejshit tju kishin luftuar në Hudejbije, do të kishin pësuar disfatë dhe do t’ju kishin kthyer shpinën, ashtu si vepron i mposhturi në betejë, dhe atëherë nuk do të gjenin për vete ndonjë mbrojtës përveç Allahut, që t’u qëndrojë pranë në luftë kundër jush, as ndihmës që t’i mbështesë në betejën kundër jush.

48:23

سُنَّةَ ٱللَّهِ ٱلَّتِى قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلُ ۖ وَلَن تَجِدَ لِسُنَّةِ ٱللَّهِ تَبْدِيلًۭا ٢٣

Ky është Ligji i Allahut që ka qenë edhe më parë, dhe kurrë nuk do të gjesh ndryshim në Ligjin e Allahut.23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Kjo është mënyra e Allahut që ka caktuar që më herët për krijesat e Tij: të ndihmojë ushtrinë e Tij dhe të mposhtë armiqtë e saj. Dhe ti – o i Dërguar – nuk do të gjesh kurrë ndonjë ndryshim në ligjin dhe mënyrën e Allahut.

48:24

وَهُوَ ٱلَّذِى كَفَّ أَيْدِيَهُمْ عَنكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ عَنْهُم بِبَطْنِ مَكَّةَ مِنۢ بَعْدِ أَنْ أَظْفَرَكُمْ عَلَيْهِمْ ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرًا ٢٤

Është Ai që i pengoi duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre, në zemër të Mekës, pasi ju bëri fitimtarë mbi ta. Allahu sheh gjithçka që veproni ju.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Është Ai që i ndaloi duart e idhujtarëve nga ju dhe duart tuaja nga ata, në vetë zemrën e Mekës, pasi tashmë kishit mundur t’i kapnit dhe ata ishin nën pushtetin tuaj. (Këta idhujtarë ishin ata që dolën kundër ushtrisë së të Dërguarit të Allahut ﷺ në Hudejbije; muslimanët i zunë rob, por pastaj i lanë të lirë dhe nuk i vranë; ata ishin rreth tetëdhjetë burra.) Allahu i shihte veprat tuaja, asgjë nuk fshihet prej Tij.

48:25

هُمُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ وَصَدُّوكُمْ عَنِ ٱلْمَسْجِدِ ٱلْحَرَامِ وَٱلْهَدْىَ مَعْكُوفًا أَن يَبْلُغَ مَحِلَّهُۥ ۚ وَلَوْلَا رِجَالٌۭ مُّؤْمِنُونَ وَنِسَآءٌۭ مُّؤْمِنَـٰتٌۭ لَّمْ تَعْلَمُوهُمْ أَن تَطَـُٔوهُمْ فَتُصِيبَكُم مِّنْهُم مَّعَرَّةٌۢ بِغَيْرِ عِلْمٍۢ ۖ لِّيُدْخِلَ ٱللَّهُ فِى رَحْمَتِهِۦ مَن يَشَآءُ ۚ لَوْ تَزَيَّلُواْ لَعَذَّبْنَا ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ مِنْهُمْ عَذَابًا أَلِيمًا ٢٥

Janë ata, që nuk besuan dhe ju penguan nga Xhamia e Shenjtë, dhe penguan edhe kurbanet që të arrinin vendin e vet. Sikur të mos ishin disa burra besimtarë dhe disa gra besimtare (brenda Mekes), që ju nuk i njihnit, që mund t’i shkelnit (bashkë me idhujtarët) e t’ju binte dënim pa e ditur, (do t’ju lejonim t’i sulmonit idhujtarët në Meke). Kjo, që Allahu të fuste në mëshirën e Tij (të udhëzonte) kë të donte. Sikur të ishin ndarë ata (besimtarë nga jobesimtarët), Ne do t’i kishim ndëshkuar mohuesit (e Mekës) me një dënim të dhembshëm.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Mohuesit Kurashit ishin ata që mohuan Njësinë e Allahut dhe ju penguan në ditën e Hudejbijes të hynit në Xhaminë e Shenjtë të Mekës, dhe ndaluan kurbanët tuaj, duke i penguar të arrinin vendin e therjes së tyre në Harem. E sikur të mos kishte midis tyre në Mekë burra besimtarë të dobësuar dhe gra besimtare që e fshihnin besimin e tyre nga frika për jetën, të cilët ju nuk i njihnit, e të cilët rrezikonit t’i shkelni me ushtrinë tuaj e t’i vrisnit pa e ditur, dhe kështu t’ju binte mbi ju përgjegjësia dhe turpi për gjakun e tyre pa qëllim – Ne do t’ju kishim dhënë pushtet të plotë mbi ta. Por Allahu i ndali që të mos i godisnit, me qëllim që të fuste në mëshirën e Tij kë të donte, duke i dhënë atyre besimin pas mohimit. E sikur ata besimtarë dhe besimtare të ishin ndarë qartë nga idhujtarët e Mekës dhe të kishin dalë prej tyre, atëherë Ne do t’i kishim dënuar ata që nuk besuan dhe përgënjeshtruan me një dënim të dhembshëm.

48:26

إِذْ جَعَلَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ فِى قُلُوبِهِمُ ٱلْحَمِيَّةَ حَمِيَّةَ ٱلْجَـٰهِلِيَّةِ فَأَنزَلَ ٱللَّهُ سَكِينَتَهُۥ عَلَىٰ رَسُولِهِۦ وَعَلَى ٱلْمُؤْمِنِينَ وَأَلْزَمَهُمْ كَلِمَةَ ٱلتَّقْوَىٰ وَكَانُوٓاْ أَحَقَّ بِهَا وَأَهْلَهَا ۚ وَكَانَ ٱللَّهُ بِكُلِّ شَىْءٍ عَلِيمًۭا ٢٦

Kur mohuesit e mbushën zemrën e tyre me kryelartësi - kryelartësinë e injorancës pagane, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët, dhe i bëri ata të kapen fort pas fjalës së devotshmërisë, për të cilën ata kishin më të drejtë dhe ishin më të denjë (se idhujtarët). Allahu është gjithnjë e Gjithëdijshëm për çdo gjë.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Kur ata që nuk besuan i mbushën zemrat e tyre me mendjemadhësinë dhe kryelartësinë e injorancës pagane para Islamike – për të mos e pranuar shpalljen e Muhamedit ﷺ – e prej saj ishte edhe refuzimi i tyre që në marrëveshjen e Hudejbijes të shkruhej “Bismil-lahir-Rrahmanir-Rrahim” dhe refuzimi i tyre që të shkruhej “Ky është pajtimi që bëri Muhamedi, i Dërguari i Allahut” – atëherë Allahu e zbriti qetësinë mbi të Dërguarin e Tij dhe mbi besimtarët që ishin me të, dhe i bëri të kapeshin fort pas fjalës “La ilahe il-lAllah”, e cila është themeli i çdo devotshmërie. I Dërguari ﷺ dhe besimtarët që ishin me të ishin më të denjë për këtë fjalë të devotshmërisë sesa idhujtarët, dhe vetëm ata ishin njerëzit e saj, e jo ata. Allahu është gjithmonë i Dijshëm për çdo gjë dhe asgjë nuk i fshihet Atij.

48:27

لَّقَدْ صَدَقَ ٱللَّهُ رَسُولَهُ ٱلرُّءْيَا بِٱلْحَقِّ ۖ لَتَدْخُلُنَّ ٱلْمَسْجِدَ ٱلْحَرَامَ إِن شَآءَ ٱللَّهُ ءَامِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ ۖ فَعَلِمَ مَا لَمْ تَعْلَمُواْ فَجَعَلَ مِن دُونِ ذَٰلِكَ فَتْحًۭا قَرِيبًا ٢٧

Me të vërtetë, Allahu ia vërtetoi të Dërguarit të Vet ëndrrën e vërtetë që ai pa, kur tha: “Me siguri, do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, nëse do Allahu, të sigurt, me kokat të rruara dhe disa me flokë të shkurtuar, pa asnjë frikë.” Allahu dinte atë që ju nuk e dinit, prandaj para kësaj, ju dha një fitore të afërt.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Allahu ia përmbushi të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ, ëndrrën e vërtetë që ia kishte treguar më parë: se ai dhe shokët e tij do të hynin të sigurt në Shtëpinë e Allahut (Kaben), pa pasur frikë nga idhujtarët, me kokat e rruara ose flokët të shkurtuara. Por Allahu e dinte të mirën dhe dobinë (në shtyrjen e hyrjes suaj në Mekë atë vit dhe në hyrjen tuaj në të më vonë) që ju nuk e dinit; ndaj, para hyrjes tuaj në Mekë që ju qe premtuar, Ai bëri për ju një fitore të afërt: marrëveshjen e Hudejbijes dhe fitoren e Hajberit.

48:28

هُوَ ٱلَّذِىٓ أَرْسَلَ رَسُولَهُۥ بِٱلْهُدَىٰ وَدِينِ ٱلْحَقِّ لِيُظْهِرَهُۥ عَلَى ٱلدِّينِ كُلِّهِۦ ۚ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ شَهِيدًۭا ٢٨

Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Vet me udhëzimin dhe Fenë e vërtetë, që ta bëjë atë të triumfojë mbi të gjitha fetë. Dhe, Allahu mjafton si Dëshmitar.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Është Allahu, Ai që e dërgoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, me shpalljen e qartë dhe me fenë e Islamit, për ta lartësuar dhe ngritur atë mbi të gjitha besimet e tjera. Dhe të mjafton ty – o i Dërguar – që Allahu është Dëshmitar se Ai është ndihmëtari yt dhe lartësues i fesë sate mbi çdo fe.

48:29

مُّحَمَّدٌۭ رَّسُولُ ٱللَّهِ ۚ وَٱلَّذِينَ مَعَهُۥٓ أَشِدَّآءُ عَلَى ٱلْكُفَّارِ رُحَمَآءُ بَيْنَهُمْ ۖ تَرَىٰهُمْ رُكَّعًۭا سُجَّدًۭا يَبْتَغُونَ فَضْلًۭا مِّنَ ٱللَّهِ وَرِضْوَٰنًۭا ۖ سِيمَاهُمْ فِى وُجُوهِهِم مِّنْ أَثَرِ ٱلسُّجُودِ ۚ ذَٰلِكَ مَثَلُهُمْ فِى ٱلتَّوْرَىٰةِ ۚ وَمَثَلُهُمْ فِى ٱلْإِنجِيلِ كَزَرْعٍ أَخْرَجَ شَطْـَٔهُۥ فَـَٔازَرَهُۥ فَٱسْتَغْلَظَ فَٱسْتَوَىٰ عَلَىٰ سُوقِهِۦ يُعْجِبُ ٱلزُّرَّاعَ لِيَغِيظَ بِهِمُ ٱلْكُفَّارَ ۗ وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ مِنْهُم مَّغْفِرَةًۭ وَأَجْرًا عَظِيمًۢا ٢٩

Muhammedi është i Dërguari i Allahut. Dhe, ata që janë me të, janë të ashpër ndaj mohuesve, e të mëshirshëm me njëri-tjetrin. I sheh ata të përkulur e të përulur në sexhde, duke kërkuar prej Allahut mirësinë dhe kënaqësinë e Tij. Shenja e tyre është në fytyrat e tyre nga gjurma e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa përshkrimi i tyre në Inxhil (Ungjill) është si një farë e mbjellë që nxjerr filizin e saj, e forcon atë, pastaj ai bëhet i trashë e qëndron drejt mbi kërcellin e vet, duke i mahnitur bujqit - (ky përshkrim është) me qëllim që, Allahu t’i bëjë besimtarët burim zemërimi për mohuesit. Allahu u ka premtuar atyre, që besojnë dhe bëjnë vepra të mira prej tyre, falje dhe shpërblim të madh.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Allahut. Ata që janë me të, në fenë e tij, janë të ashpër ndaj mohuesve, por të mëshirshëm ndërmjet tyre. I sheh ata të përkulur dhe të përulur në sexhde ndaj Allahut në namazin e tyre, duke shpresuar që Zoti i tyre t’i begatojë, t’i fusë në Xhenet dhe të jetë i kënaqur me ta. Shenja e bindjes së tyre ndaj Allahut shihet në fytyrat e tyre nga gjurma e sexhdes dhe e adhurimit. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa përshkrimi i tyre në Inxhil është si një farë e mbjellë në Tokë, që nxerr filizin dhe kërcellin e saj, pastaj degët e saj shtohen e forcohen, dhe e mbështetin bimën, e cila bëhet e fuqishme dhe qëndron drejt mbi kërcellin e vet, me pamje të bukur, që ua gëzon sytë bujqve. Allahu e bëri këtë shembull që mohuesit të zemërohen dhe të hidhërohen nga shumësia dhe bukuria e besimtarëve. - Në këtë ka argument se ai që urren shokët e Muhamedit ﷺ është mohues, sepse kush hidhërohet nga ata që Allahu i bëri shkak për forcimin e Islamit, ka në vete shenjën e mosbesimit. Kush ecën në gjurmët e shokëve të të Dërguarit të Allahut ﷺ, ai hyn në rregullin e tyre për të merituar faljen dhe shpërblimin e madh. Megjithatë, atyre u mbetet përparësia, nderi dhe përsosmëria, të cilat askush nga ky ummet nuk i arrin. Allahu qoftë i kënaqur me ta dhe i mëshirshëm ndaj tyre!

El Fet’h · 29 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi