KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 87

El Eala Më i Larti

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 19 ajete • Ajetet 1–19

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

87:1

سَبِّحِ ٱسْمَ رَبِّكَ ٱلْأَعْلَى ١

Lartësoje (me lavdi) Emrin e Zotit tënd, më të Lartit,1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Pastroje dhe lartësoje emrin e Zotit tënd, të Lartmadhërishëm, nga çdo shok dhe nga çdo mangësi — ashtu siç i takon madhështisë së Tij. Është urdhër për Profetin ﷺ dhe për çdo besimtar: të thotë “Subhāna Rabbiyal-A‘lā” — siç bëjmë në sexhde. Disa sahabë (si Ibn Abbas) thonë: “Ky ajet është arsyeja pse në sexhde themi këtë frazë.” Ky ajet na mëson të fillojmë çdo adhurim me madhërim të Zotit, duke njohur lartësinë dhe përsosmërinë e Tij absolute.

87:2

ٱلَّذِى خَلَقَ فَسَوَّىٰ ٢

i Cili krijoi dhe përsosi,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

I Cili krijoi të gjitha krijesat dhe e përsosi krijimin e tyre në mënyrën më të bukur; Allahu është Krijuesi që jo vetëm krijon, por jep përsosmëri dhe harmoni çdo krijese.

87:3

وَٱلَّذِى قَدَّرَ فَهَدَىٰ ٣

dhe i Cili përcaktoi dhe udhëzoi,3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ai që përcaktoi çdo gjë me masë (si madhësi, jetë, risk, udhëtim) dhe udhëzoi çdo krijesë drejt asaj që i përshtatet natyrës së saj (bleta e di si të bëjë mjaltë, zogjtë të ndërtojnë fole, njeriu të njohë Zotin përmes arsyes dhe shpalljes).

87:4

وَٱلَّذِىٓ أَخْرَجَ ٱلْمَرْعَىٰ ٤

dhe i Cili nxori kullotën (bimësinë),4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

dhe Ai që nxori barin e gjelbër, çdo gjë që mbin nga toka për ushqim e jetë.

87:5

فَجَعَلَهُۥ غُثَآءً أَحْوَىٰ ٥

pastaj e bëri atë të thahet e të nxihet.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Ashtu si bima thahet, edhe jeta e kësaj bote ka një fund; qëllimi është përgatitja për Ahiretin. Ky ajet përkujton kalueshmërinë e jetës — nga gjelbërimi në shkatërrim.

87:6

سَنُقْرِئُكَ فَلَا تَنسَىٰٓ ٦

Ne do të të bëjmë ty (Muhamed) ta lexosh (Kuranin), dhe nuk do ta harrosh,6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Ne do të të bëjmë ta lexosh këtë Kuran, o i Dërguar, në mënyrë që të mos e harrosh,

87:7

إِلَّا مَا شَآءَ ٱللَّهُ ۚ إِنَّهُۥ يَعْلَمُ ٱلْجَهْرَ وَمَا يَخْفَىٰ ٧

përveç asaj që do Allahu; me të vërtetë, Ai di ç’është e dukshme dhe ç’është e fshehtë.7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

përveç asaj që Allahu do që ta harrosh — ashtu siç e kërkon urtësia e Tij, për një dobi që vetëm Ai e di (p.sh. abrogimi i disa ajeteve). Vërtet, Ai – i Lartësuari – e di atë që thuhet dhe veprohet haptas, si edhe atë që fshihet prej tyre. Allahu Vetë mori përsipër ruajtjen e Kuranit, fillimisht në zemrën e Profetit, pastaj në ummetin e tij.

87:8

وَنُيَسِّرُكَ لِلْيُسْرَىٰ ٨

Ne do ta lehtësojmë ty rrugën më të lehtë.8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Ne do ta bëjmë të lehtë për ty rrugën e lehtësisë në të gjitha çështjet e tua — ndër to edhe lehtësimin për të përballuar barrën e shpalljes dhe dërgimit të mesazhit, si dhe bërjen e fesë tënde një fe të lehtë, pa vështirësi e pa rëndim. - Kush ndjek rrugën e Zotit, Ai ia lehtëson çdo gjë.

87:9

فَذَكِّرْ إِن نَّفَعَتِ ٱلذِّكْرَىٰ ٩

Prandaj këshillo, nëse këshilla sjell dobi!9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Prandaj, këshillo dhe përkujto popullin tënd, o i Dërguar, sipas asaj që Ne ta kemi lehtësuar përmes shpalljes që të dërgohet, dhe udhëzoji ata drejt asaj që është në të mirën e tyre; por përkujto veçanërisht ata prej të cilëve pritet që këshilla t’u sjellë dobi; mos e lodh veten me ata që këshilla vetëm sa i shton në kokëfortësi dhe largim.

87:10

سَيَذَّكَّرُ مَن يَخْشَىٰ ١٠

Do të përfitojë (nga këshilla) ai që ka frikë (Allahun),10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Do të përfitojë nga këshilla ai që ka frikë nga Zoti i vet dhe e respekton Atë.

87:11

وَيَتَجَنَّبُهَا ٱلْأَشْقَى ١١

dhe do ta shmangë atë më i mjeri,11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

dhe do të shmanget prej saj ai më i mbrapshti, që nuk ka frikë nga Zoti i tij; njeriu më i mjerë, që refuzon këshillën dhe mbetet në krenari e mosbesim. - Ky është kontrasti mes të butit që pranon dhe krenarit që kthen shpinën.

87:12

ٱلَّذِى يَصْلَى ٱلنَّارَ ٱلْكُبْرَىٰ ١٢

i cili do të hyjë në Zjarrin e madh,12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

ai që do të hyjë në zjarrin e madh të Xhehenemit, duke përjetuar nxehtësinë e tij të tmerrshme.

87:13

ثُمَّ لَا يَمُوتُ فِيهَا وَلَا يَحْيَىٰ ١٣

ku as nuk do të vdesë, as nuk do të jetojë.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Aty ai as nuk do të vdesë që të pushojë, as nuk do të jetojë një jetë që t’i sjellë dobi — vetëm vuajtje e vazhdueshme.

87:14

قَدْ أَفْلَحَ مَن تَزَكَّىٰ ١٤

Ka shpëtuar ai që pastrohet (nga gjynahet),14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Ka shpëtuar dhe ka arritur sukses ai që e pastron veten nga mohimi, idhujtaria dhe cilësitë e moralet e këqija,

87:15

وَذَكَرَ ٱسْمَ رَبِّهِۦ فَصَلَّىٰ ١٥

që përmend Emrin e Zotit të vet dhe falet.15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

që e kujton Allahun duke e njësuar, duke iu lutur dhe duke vepruar sipas asaj që e kënaq Atë, dhe që e fal namazin në kohën e tij — duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke iu bindur ligjit të Tij.

87:16

بَلْ تُؤْثِرُونَ ٱلْحَيَوٰةَ ٱلدُّنْيَا ١٦

Por, ju e parapëlqeni jetën e kësaj bote,16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Vërtet, ju – o njerëz – e parapëlqeni zbukurimin dhe kënaqësitë e jetës së kësaj bote mbi begatitë e botës tjetër. Ky ajet na kujton që jeta e kësaj bote është kalimtare si bari që thahet.

87:17

وَٱلْـَٔاخِرَةُ خَيْرٌۭ وَأَبْقَىٰٓ ١٧

ndonëse bota tjetër është më e mirë dhe më e qëndrueshme.17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Ndërsa bota tjetër, me gjithë begatitë e përhershme që përmban, është më e mirë se kjo botë dhe shumë më e qëndrueshme – e përhershme.

87:18

إِنَّ هَـٰذَا لَفِى ٱلصُّحُفِ ٱلْأُولَىٰ ١٨

Vërtet, kjo gjendet në Fletët e mëparshme -

87:19

صُحُفِ إِبْرَٰهِيمَ وَمُوسَىٰ ١٩

në Fletët e Ibrahimit dhe të Musait.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Vërtet, kjo që ju është treguar në këtë sure është nga mësimet dhe kuptimet që janë përmendur edhe në shkrimet e shpallura para Kuranit — në shkrimet e Ibrahimit dhe Musait, paqja qoftë mbi ta. - Parimet e këtij mesazhi (pastrimi, përulësia, përgatitja për botën tjetër) janë universale dhe kanë qenë në të gjitha shpalljet e mëparshme.

El Eala · 19 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi