KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 07

El Araf Lartësitë e murit ndarës

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 206 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

7:1

الٓمٓصٓ ١

Elif, Lam, Mim, Sad.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Këto janë germa prej germave të alfabetit arab. Njëzet e nëntë sure të Kuranit hapen me një apo më shumë germa të ndryshme për domethënien e të cilave ka shumë mendime tek dijetarët e tefsirit, por domethënien e vërtetë të tyre nuk e di veçse Allahu i Madhëruar. Këto i gjen në tefsirin e Taberiut, Kurtubiut, etj.

7:2

كِتَـٰبٌ أُنزِلَ إِلَيْكَ فَلَا يَكُن فِى صَدْرِكَ حَرَجٌۭ مِّنْهُ لِتُنذِرَ بِهِۦ وَذِكْرَىٰ لِلْمُؤْمِنِينَ٢

Ky është një Libër, që të është shpallur ty,2 prandaj të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në gjoksin tënd prej tij,3 që nëpërmjet tij të paralajmërosh;4 dhe si këshillë për besimtarët.5

Komentimi 4 shënime

Shënimi 2

Ky Kuran është Libër që Allahu ta ka shpallyr ty, o Muhamed; një Libër Madhështor, që ka përfshirë gjithçka që i nevojitet njerëzve dhe gjithçka që kërkon Allahu prej adhurimeve, urdhrave dhe ndalesave; në mënyrë të qartë dhe të detajuar.

Shënimi 3

Të mos kesh shtrëngim, ngushtim, dyshim apo pështjellim.

Shënimi 4

Të gjithë njerëzimin.

Shënimi 5

Që të rikujtojnë vazhdimisht rrugën e drejtë dhe veprat e mira që duhet të bëjnë.

7:3

ٱتَّبِعُوا مَآ أُنزِلَ إِلَيْكُم مِّن رَّبِّكُمْ وَلَا تَتَّبِعُوا مِن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءَ ۗ قَلِيلًۭا مَّا تَذَكَّرُونَ ٣

Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj,6 dhe mos ndiqni miq të tjerë,7 përveç Tij. Sa pak që kujtoni!8

Komentimi 3 shënime

Shënimi 6

Allahu i drejtohet të gjithë njerëzve, që të ndjekin Librin që ka zbritur Zoti i tyre, Kuranin që ia ka shpallur Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Shënimi 7

Mos ndiqni miq idhujtarë dhe të djallëzuar që ju largojnë nga rruga e Allahut dhe ju urdhërojnë të adhuroni idhujt dhe t’i bëni shok Allahut, sepse ata ju çojnë në humbje dhe shkatërrim.

Shënimi 8

Sa pak mësim që merrni; sa pak që i pranoni i këshillat; sa pak që ktheheni te e vërteta, se përndryshe nuk do të zgjidhnit atë që ju dëmton mbi atë që ju bën dobi, dhe as mikun tuaj - që në realitet është armiku juaj - mbi Mikun dhe Mbështetësin e Vërtetë.

7:4

وَكَم مِّن قَرْيَةٍ أَهْلَكْنَـٰهَا فَجَآءَهَا بَأْسُنَا بَيَـٰتًا أَوْ هُمْ قَآئِلُونَ ٤

Sa e sa qytete kemi rrënuar, duke iu ardhur Dënimi Ynë, natën ose ditën, kur ata pushonin.9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Dënimi i Allahut vinte në kohën para agimit, ose në kohën e pushimit të drekës, kur ata ishin të pavëmendshëm dhe kur nuk e prisnin; dhe kur iu vinte dënimi, ata nuk mund ta largonin atë dhe idhujt e tyre nuk mund t’i ndihmonin; prandaj merrni mësim o njerëz që adhuroni të tjerë përveç Allahut dhe që mohoni Allahun dhe Provat e Tij.

7:5

فَمَا كَانَ دَعْوَىٰهُمْ إِذْ جَآءَهُم بَأْسُنَآ إِلَّآ أَن قَالُوٓا إِنَّا كُنَّا ظَـٰلِمِينَ ٥

Kur u vinte dënimi, thirrja e tyre e vetme ishte: “Ne kemi qenë vërtet të padrejtë!”10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

E pohonin se i kishin bërë padrejtësi vetvetes me shkeljen e urdhrave dhe ndalesave të Zotit të tyre, kështu që merituan zemërimin dhe dënimin e Tij të rëndë në këtë botë, dhe dënimin edhe më të rëndë dhe të përhershëm që i pret në botën tjetër.

7:6

فَلَنَسْـَٔلَنَّ ٱلَّذِينَ أُرْسِلَ إِلَيْهِمْ وَلَنَسْـَٔلَنَّ ٱلْمُرْسَلِينَ ٦

Sigurisht, Ne do t’i pyesim ata, të cilëve u kemi dërguar të dërguar,11 dhe do t’i pyesim edhe të dërguarit.12

Komentimi 2 shënime

Shënimi 11

Do të marrim në llogari popujt që iu kemi dërguar të dërguar dhe do t’i pyesim se çfarë bënë me atë që iu sollën të dërguarit prej urdhrave dhe ndalesave të Mia? A i zbatuat ato apo i thyet urdhrat e Mia dhe i kundërshtuat të dërguarit e Mi?

Shënimi 12

Nëse i komunikuan shpalljet e Allahut në mënyrën më të plotë, dhe se si iu përgjigjën atyre popujt e tyre.

7:7

فَلَنَقُصَّنَّ عَلَيْهِم بِعِلْمٍۢ ۖ وَمَا كُنَّا غَآئِبِينَ ٧

Dhe do ua tregojmë atyre gjithçka në detaje,13 me dije,14 sepse Ne nuk kemi qenë të papranishëm.15

Komentimi 3 shënime

Shënimi 13

Gjithçka që kanë vepruar në këtë botë, gjithësecilit.

Shënimi 14

Me dijen e sigurtë dhe absolute të Allahut, i Cili di dhe regjistron gjithçka veprojnë krijesat e Tij.

Shënimi 15

Për asnjë çast nuk kemi munguar, dhe asgjë nuk mund të na shpëtojë, në të gjithë krijimin Tonë.

7:8

وَٱلْوَزْنُ يَوْمَئِذٍ ٱلْحَقُّ ۚ فَمَن ثَقُلَتْ مَوَٰزِينُهُۥ فَأُولَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُفْلِحُونَ ٨

Peshimi, në atë Ditë do të jetë i drejtë;16 Ata që u rëndon peshorja17, do të jenë të shpëtuarit;18

Komentimi 3 shënime

Shënimi 16

Peshimi i veprave që ka bërë secili në këtë botë do të jetë i drejtë, dhe askujt nuk do i bëhët padrejtësia më e vogël.

Shënimi 17

E veprave të mira.

Shënimi 18

Nga dënimi, dhe do të fitojnë lumturinë e përhershme.

7:9

وَمَنْ خَفَّتْ مَوَٰزِينُهُۥ فَأُولَـٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ خَسِرُوٓا أَنفُسَهُم بِمَا كَانُوا بِـَٔايَـٰتِنَا يَظْلِمُونَ٩

Kurse ata që do e kënë të lehtë peshoren,19 do të humbin veten e tyre,20 për shkak se ishin të padrejtë me shpalljet Tona.21

Komentimi 3 shënime

Shënimi 19

Anën e veprave të mira të peshores; që nuk i rëndon peshorja me Njësimin e Allahut, besimin në të dërguarit e Tij dhe zbatimin e urdhrave dhe ndalesave të Tij.

Shënimi 20

I bënë padrejtësi vetvetes duke i humbur shpërblimin e madh të Allahut

Shënimi 21

Për shkak të mohimit të provave dhe shpalljeve të Allahut dhe mosnënshtrimit para tyre.

7:10

وَلَقَدْ مَكَّنَّـٰكُمْ فِى ٱلْأَرْضِ وَجَعَلْنَا لَكُمْ فِيهَا مَعَـٰيِشَ ۗ قَلِيلًۭا مَّا تَشْكُرُونَ ١٠

Ne ju vendosëm në Tokë, dhe aty ju mundësuam gjithçka ju nevojitet për jetesë. Por, shumë pak falënderoni!22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Ne e bëmë tokën të përshtatme për jetesën tuaj, o njerëz, dhe ju mundësuam mjetet që ju duhen për jetën që do të kaloni në dynja, dhe të gjitha të mirat nga Zoti juaj, si mirësi dhe provë për ju, por shumë i vogël është falënderimi juaj për mirësitë që ju kam dhënë, sa që adhuroni dhe merrni zota të tjerë përveç Meje.

7:11

وَلَقَدْ خَلَقْنَـٰكُمْ ثُمَّ صَوَّرْنَـٰكُمْ ثُمَّ قُلْنَا لِلْمَلَـٰٓئِكَةِ ٱسْجُدُوا لِـَٔادَمَ فَسَجَدُوٓا إِلَّآ إِبْلِيسَ لَمْ يَكُن مِّنَ ٱلسَّـٰجِدِينَ ١١

Ne ju krijuam,23 pastaj ju dhamë formë,24 pastaj u thamë engjëjve:25 “Përuljuni në sexhde Ademit!”26 Dhe ata iu përulën menjëherë, përveç Iblisit, i cili nuk ishte nga ata që u përulën.27

Komentimi 5 shënime

Shënimi 23

Me krijimin e origjinës dhe lëndës nga e cila krijuam babanë tuaj, Ademin (alejhis selam).

Shënimi 24

Formën më të mirë dhe më të bukur, që i dhamë babait tuaj, Ademit (alejhis selam).

Shënimi 25

Pasi e krijuam Ademin, i dhamë formë dhe shpirt, i thamë engjëjve…

Shënimi 26

Ky urdhër për përulje para Ademit ishte provë nga Allahu për engjëjt, mes të cilëve në atë kohë ishte edhe Iblisi, megjithëse ky ishte prej xhinëve dhe nuk ishte engjëll, por për shkak të adhurimit të madh që bënte në tokë, Allahu e kishte ngritur në të njëjtin vend me engjëjt, si provë për të, dhe pikërisht urdhëri për t’u përulur para Ademit zbuloi hapur Iblisin para engjëjve.

Shënimi 27

Nuk iu bind urdhrit të Allahut duke mos iu përulur Ademit, dhe ai nuk ishte prej engjëjve të bindur por prej xhinëve.

7:12

قَالَ مَا مَنَعَكَ أَلَّا تَسْجُدَ إِذْ أَمَرْتُكَ ۖ قَالَ أَنَا۠ خَيْرٌۭ مِّنْهُ خَلَقْتَنِى مِن نَّارٍۢ وَخَلَقْتَهُۥ مِن طِينٍۢ ١٢

Allahu i tha (Iblisit): “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai; Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.”28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Me mendjemadhësi dhe pëlqim të vetvetes, duke sjellë arsyetim dhe krahasim të paqëndrueshëm dhe të pasaktë; mjafton që ai kundërshtoi urdhrin e Allahut me mendjemadhësi dhe mendjelehtësi, dhe kjo e rrëzoi atë nga vendi i lartë që i kishte dhënë Allahu, në më të ultin e të ultëve.

7:13

قَالَ فَٱهْبِطْ مِنْهَا فَمَا يَكُونُ لَكَ أَن تَتَكَبَّرَ فِيهَا فَٱخْرُجْ إِنَّكَ مِنَ ٱلصَّـٰغِرِينَ١٣

Allahu i tha: “Zbrit nga aty!29 Ti nuk ke të drejtë të krenohesh në të!30 Dil! Vërtet, ti je prej të poshtëruarve.”31

Komentimi 3 shënime

Shënimi 29

Nga vendi dhe grada që Iblisi kishte në mesin e engjëjve, ose nga Xheneti, por e para është më afër kuptimit. [Ibën Kethiri].

Shënimi 30

Duke bërë mendjemadhësi dhe kryeneçësi ndaj urdhrit Tim në atë vend të lartë në mesin e engjëjve, ose në Xhenet.

Shënimi 31

Si ndëshkim për mendjemadhësinë e tij.

7:14

قَالَ أَنظِرْنِىٓ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُونَ ١٤

Ai (Iblisi) tha: “Më jep afat, deri në ditën kur ata të ringjallen!”32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

Kur Iblisi shpalli armiqësinë ndaj Allahut dhe ndaj njeriut, i kërkoi Allahut që ta afatizojë dhe ta lërë gjallë deri në ditën e ringjalljes, me qëllim që të mashtronte dhe të merrte me vete në Zjarr sa më shumë të mundej prej njerëzve; dhe përderisa urtësia e Allahut përfshinte provimin e robërve të Tij në këtë botë, për t’u ndarë të sinqertët nga gënjeshtarët dhe ata që i binden Allahut nga ata që nuk i binden Atij, i dha afat Iblisit deri në ditën e Kiametit.

7:15

قَالَ إِنَّكَ مِنَ ٱلْمُنظَرِينَ ١٥

Allahu i tha: “Ti je nga ata, të cilëve u është dhënë afat.”33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

Deri në ditën e caktuar të Kiametit, siç thuhet në suren El Hixhr, Ajeti 38; ditën kur Allahu ka shkruar për të shkatërrimin, vdekjen dhe fundin, bashkë me të gjitha krijesat e tjera të Allahut, ditën kur do t’i fruhet Surit për herë të parë; dhe nuk iu përgjigj kërkesës së Iblisit për t’i dhënë afat deri në ditën e ringjalljes, që është dita kur do i fryhet Surit për herë të dytë dhe kur njerëzit të ringjallen për të dhënë llogari, ditë pas së cilës nuk ka më vdekje. Iblisi kërkoi afat deri në ditën e ringjalljes që të mos vdiste asnjëherë dhe të ishte i pavdekshëm, pra të mos vdiste në ditën e Kiametit, me fryrjen e parë të Surit, sepse po të mos vdiste atëherë, nuk do të vdiste më kurrë. Por atij do t’i vijë fundi dhe do të vdesë njësoj si të gjitha krijesat e tjera, dhe Ai që është i Përjetshëm është vetëm Allahu.

7:16

قَالَ فَبِمَآ أَغْوَيْتَنِى لَأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَٰطَكَ ٱلْمُسْتَقِيمَ ١٦

Ai (Iblisi) tha: “Meqenëse më dëbove nga Rruga e Drejtë, unë do t’u zë pritë atyre (njerëzve) në Rrugën Tënde të Drejtë.34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Me qëllim që t’i pengoj nga futja në të.

7:17

ثُمَّ لَـَٔاتِيَنَّهُم مِّنۢ بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَـٰنِهِمْ وَعَن شَمَآئِلِهِمْ ۖ وَلَا تَجِدُ أَكْثَرَهُمْ شَـٰكِرِينَ ١٧

Përveç kësaj, do t’u vij atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta;35 e kështu, shumica e tyre nuk do të jenë mirënjohës!”36

Komentimi 2 shënime

Shënimi 35

D.m.th. do i futem njerëzve nga të gjitha anët dhe drejtimet, dhe nga të gjitha rrugët që mund të gjej për të arritur qoftë edhe diçka të vogël nga qëllimi im në humbjen e tyre. Por ai nuk shtoi edhe “nga lartë atyre”, sepse nuk mund t’iu vijë atyre nga lart, pasi që nga lart, njerëzve iu vjen mëshira e Allahut.

Shënimi 36

Nuk do të jenë mirënjohës të mirësive të Tua ndaj tyre; sepse falënderimi është sjellje e atyre që ndjekin rrugën e drejtë, kurse djalli kërkon t’i pengojë ata nga ajo rrugë. Iblisi e tha këtë fjalë pasi mësoi se njeriu ka dobësi, epshe dhe dëshira, dhe shpesh mund të jetë i pavëmendshëm, kështu që vendosi me të gjithë vullnetin dhe përpjekjen e tij se do t’i zinte pritë për ta larguar nga rruga e drejtë, dhe mendoi se do ia arrinte qëllimit të tij, prandaj e tha këtë fjalë. Kurse Allahu na ka tërhequr vëmendjen këtu, duke na treguar se çfarë synimi ka djalli i mallkuar në këtë botë, me qëllim që të marrim masat dhe të ruhemi prej armikut tonë të betuar; të mësojmë rrugët nga të cilat mund të na vijë, me qëllim që t’ia mbyllim ato rrugë. Këto mësime janë padyshim mirësi e madhe e Allahut ndaj nesh, për të cilat duhet ta falënderojmë Atë.

7:18

قَالَ ٱخْرُجْ مِنْهَا مَذْءُومًۭا مَّدْحُورًۭا ۖ لَّمَن تَبِعَكَ مِنْهُمْ لَأَمْلَأَنَّ جَهَنَّمَ مِنكُمْ أَجْمَعِينَ ١٨

Allahu i tha (Iblisit): “Dil nga ai (Xheneti) i përbuzur, i dëbuar!37 Ata që do të ndjekin ty prej tyre, do ta mbush Xhehenemin me të gjithë ju!”38

Komentimi 2 shënime

Shënimi 37

I poshtëruar dhe i mallkuar, i dëbuar nga mëshira e Allahut dhe nga çdo e mirë.

Shënimi 38

Me mohuesit dhe ndjekësit e Iblisit prej njerëzve, dhe me vetë Iblisin dhe pasardhësit e tij prej xhinëve. Allahu e mëshiroftë atë njeri që nuk e plotëson hamendjen e Iblisit në veten e tij, dhe e zhgënjen atë, duke mos ndjekur rrugën e tij, por duke kujtuar gjithnjë paralajmërimin e Allahut nga armiku i tij i përbetuar që në fillim të krijimit të Ademit, dhe duke ndjekur rrugën e drejtë të Allahut dhe duke iu bindur vetëm Allahut.

7:19

وَيَـٰٓـَٔادَمُ ٱسْكُنْ أَنتَ وَزَوْجُكَ ٱلْجَنَّةَ فَكُلَا مِنْ حَيْثُ شِئْتُمَا وَلَا تَقْرَبَا هَـٰذِهِ ٱلشَّجَرَةَ فَتَكُونَا مِنَ ٱلظَّـٰلِمِينَ ١٩

Ndërsa ti, o Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në Xhenet dhe hani nga të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do të bëheni nga të padrejtët!”39

Komentimi 1 shënim

Shënimi 39

Pasi e zbriti Iblisin në Tokë, Allahu e vendosi Ademin dhe bashkëshorten e tij, Havanë, në Xhenet, dhe i lejoi ata të hanin nga çdo vend të dëshironin dhe nga çdo pemë apo ushqim, me përjashtim të një peme të caktuar, përndryshe do të bëheshin nga të padrejtët: ata që ndjekin rrugën e atyre që i kalojnë kufijtë e Mi, kundërshtojnë urdhrin Tim dhe bëjnë të lejuara ndalesat e Mia.

7:20

فَوَسْوَسَ لَهُمَا ٱلشَّيْطَـٰنُ لِيُبْدِىَ لَهُمَا مَا وُۥرِىَ عَنْهُمَا مِن سَوْءَٰتِهِمَا وَقَالَ مَا نَهَىٰكُمَا رَبُّكُمَا عَنْ هَـٰذِهِ ٱلشَّجَرَةِ إِلَّآ أَن تَكُونَا مَلَكَيْنِ أَوْ تَكُونَا مِنَ ٱلْخَـٰلِدِينَ ٢٠

Djalli u fëshfëriti atyre,40 për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të trupit që i kishin të mbuluara,41 dhe u tha: “Zoti juaj nuk jua ka ndaluar këtë pemë për gjë tjetër, por vetëm që të mos bëheni dy engjëj, ose të mos bëheni të pavdekshëm.”42

Komentimi 3 shënime

Shënimi 40

Iblisi i fëshfëriti Ademit dhe Havasë me frymëzimin apo ngacmimin e tij, duke i çuar në mendje diçka të pavërtetë dhe duke i mashtruar, në mënyrë që të shkelin ndalesën e Zotit të tyre.

Shënimi 41

Nëse do të hanin nga pema e ndaluar, atyre do i zbuloheshin pjesët e turpshme të trupit, të cilat Allahu ua kishte mbuluar me dritë.

Shënimi 42

Duke i tunduar që të hanin nga pema, që të bëheshin engjëj, ose të bëheshin të përjetshëm, dhe kështu do ta adhuronin Allahun njësoj si engjëjt.

7:21

وَقَاسَمَهُمَآ إِنِّى لَكُمَا لَمِنَ ٱلنَّـٰصِحِينَ ٢١

Dhe iu betua atyre:43 “Vërtet, Unë jam prej këshilluesve për ju!”44

Komentimi 2 shënime

Shënimi 43

Iu betua në Allahun, për t’i mashtruar.

Shënimi 44

Unë di më shumë se ju sepse jam krijuar para jush, dhe unë ju këshilloj bazuar në atë që kam mësuar para se ju të krijoheshit, kështu që veproni ashtu si ju këshilloj, se është për të mirën tuaj.

7:22

فَدَلَّىٰهُمَا بِغُرُورٍۢ ۚ فَلَمَّا ذَاقَا ٱلشَّجَرَةَ بَدَتْ لَهُمَا سَوْءَٰتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِن وَرَقِ ٱلْجَنَّةِ ۖ وَنَادَىٰهُمَا رَبُّهُمَآ أَلَمْ أَنْهَكُمَا عَن تِلْكُمَا ٱلشَّجَرَةِ وَأَقُل لَّكُمَآ إِنَّ ٱلشَّيْطَـٰنَ لَكُمَا عَدُوٌّۭ مُّبِينٌۭ ٢٢

Dhe i mashtroi me dinakëri.45 Kur e shijuan pemën,46 atyre të dyve iu zbuluan vendet e turpshme47 dhe filluan të mbulohen me gjethet e Xhenetit.48 Në atë çast, Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë, juve të dyve?49 Dhe a nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?”50

Komentimi 6 shënime

Shënimi 45

Ia arriti t’i mashtrojë dhe t’i bëjë që të hanë nga pema e ndaluar.

Shënimi 46

Ademi dhe Havaja; kur shijuan frutat e pemës së ndaluar.

Shënimi 47

Iu largua drita që i mbulonte vendet e turpshme, për shkak të mëkatit që bënë ndaj Allahut me ngrënien e pemës së ndaluar.

Shënimi 48

Nga turpi që i zuri kur panë vendet e tyre të turpshme, ndërsa më parë nuk i shihnin se ishin të mbuluara nga drita.

Shënimi 49

A nuk jua kisha ndaluar ngrënien e frutave të asaj peme?

Shënimi 50

Kur ai nuk iu përul Ademit në sexhde, nga zilia dhe duke thyer urdhrin e Allahut.

7:23

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَآ أَنفُسَنَا وَإِن لَّمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ ٱلْخَـٰسِرِينَ ٢٣

Ata të dy (Ademi dhe Havaja) thanë: “O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetes sonë,51 e nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet, do të jemi nga të humburit!”52

Komentimi 2 shënime

Shënimi 51

I bëmë keq vetes sonë me mëkatin që bëmë, me thyerjen e urdhrit Tënd dhe me bindjen që bëmë ndaj armikut tonë dhe armikut Tënd, ndërkohë që nuk duhet t’i bindeshim atij për ngrënien nga pema që na kishe ndaluar.

Shënimi 52

Ademi dhe Havaja e pranuan gabimin që bënë, dhe i kërkuan Allahut që t’i falë dhe t’i mëshirojë; ndryshe nga Iblisi i mallkuar, i cili në vend që t’i kërkonte Allahut falje për thyerjen e urdhrit të Tij në çastin e dobësisë dhe zilisë që i hyri kundrejt Ademit, ai i kërkoi ta afatizojë deri në ditën e Gjykimit, dhe në vend që të lutej për të shpëtuar veten në këtë botë dhe në botën tjetër, zgjodhi që jetën e vet t’ia kushtonte armiqësisë ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij.

7:24

قَالَ ٱهْبِطُوا بَعْضُكُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّۭ ۖ وَلَكُمْ فِى ٱلْأَرْضِ مُسْتَقَرٌّۭ وَمَتَـٰعٌ إِلَىٰ حِينٍۢ٢٤

Ai (Allahu) tha: “Zbritni!53 Ju jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të keni vendqëndrim dhe jetesë, deri në një kohë të caktuar.54

Komentimi 2 shënime

Shënimi 53

Nga Xheneti dhe qielli në Tokë; që të gjithë ju: Ademi, Havaja dhe Iblisi.

Shënimi 54

Do të jetoni dhe do të kënaqeni në të brez pas brezi deri në ditën e kiametit.

7:25

قَالَ فِيهَا تَحْيَوْنَ وَفِيهَا تَمُوتُونَ وَمِنْهَا تُخْرَجُونَ ٢٥

Mbi të (Tokë) do të jetoni, në të do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni.”55

Komentimi 1 shënim

Shënimi 55

Prej tokës do ju nxjerrë Zoti juaj kur t’ju ringjallë në ditën e Gjykimit.

7:26

يَـٰبَنِىٓ ءَادَمَ قَدْ أَنزَلْنَا عَلَيْكُمْ لِبَاسًۭا يُوَٰرِى سَوْءَٰتِكُمْ وَرِيشًۭا ۖ وَلِبَاسُ ٱلتَّقْوَىٰ ذَٰلِكَ خَيْرٌۭ ۚ ذَٰلِكَ مِنْ ءَايَـٰتِ ٱللَّهِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ ٢٦

O bijtë e Ademit! Ne ju kemi zbritur rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si dhe rroba për zbukurim; 56 por, petku i devotshmërisë është më i miri.57 Këto janë nga provat e Allahut, që ata të kujtojnë.

Komentimi 2 shënime

Shënimi 56

Kemi krijuar dhe ju kemi inspiruar të vishni rroba që janë të domosdoshme për të mbuluar vendet e turpshme, si dhe rroba të tjera që janë plotësuese dhe zbukuruese.

Shënimi 57

Por, qëllimi nga këto rroba është që ju të ndihmoheni me to në adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut, dhe jo thjesht për t’u mbuluar e zbukuruar, sepse bukuria e tyre është e përkohshme dhe nuk tregon bukurinë e vërtetë, e cila është bukurua e zemrës dhe e shpirtit; veprat e mira, turpi, frika ndaj Allahut, morali dhe sjellja e mirë.

7:27

يَـٰبَنِىٓ ءَادَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ ٱلشَّيْطَـٰنُ كَمَآ أَخْرَجَ أَبَوَيْكُم مِّنَ ٱلْجَنَّةِ يَنزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْءَٰتِهِمَآ ۗ إِنَّهُۥ يَرَىٰكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُۥ مِنْ حَيْثُ لَا تَرَوْنَهُمْ ۗ إِنَّا جَعَلْنَا ٱلشَّيَـٰطِينَ أَوْلِيَآءَ لِلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ ٢٧

O bijtë e Ademit! Të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti; ua hoqi petkun për t’u dukur vendet e tyre të turpshme!58 Ai dhe lloji i tij59 ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata.60 Ne i kemi bërë djajtë miq të atyre që nuk besojnë.61

Komentimi 4 shënime

Shënimi 58

O njerëz, të mos ju mashtrojë shejtani dhe tju bëjë që të shfaqni vendet e turpshme të trupit tuaj nga bindja juaj ndaj tij kur ai ju provokon, siç bëri me prindërit tuaj, Ademin dhe Havanë, kur i provokoi dhe i mashtroi, e ata iu bindën atij dhe shkelën ndalesën e Allahut, kështu që për shkak të dinakërisë dhe mashtrimit të tij, ata u nxorën nga xheneti dhe iu hoq petku që Allahu u kishte veshur atyre dyve.

Shënimi 59

Iblisi dhe të gjithë xhinët bashkë me shejtanët prej tyre.

Shënimi 60

Ata ju shohin, ndërsa ju nuk i shihni ata në këtë botë.

Shënimi 61

Mosbesimi është kushti i lidhjes së miqësisë mes njeriut dhe shejtanit.

7:28

وَإِذَا فَعَلُوا فَـٰحِشَةًۭ قَالُوا وَجَدْنَا عَلَيْهَآ ءَابَآءَنَا وَٱللَّهُ أَمَرَنَا بِهَا ۗ قُلْ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَأْمُرُ بِٱلْفَحْشَآءِ ۖ أَتَقُولُونَ عَلَى ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ ٢٨

Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar,62 thonë: “Kështu i kemi gjetur prindërit tanë të bënin, dhe Allahu na ka urdhëruar kështu.” Thuaj: “Allahu nuk urdhëron për vepra të shëmtuara! A thoni për Allahun diçka që nuk e dini?”

Komentimi 1 shënim

Shënimi 62

Kur idhujtarët dhe mohuesit bëjnë një vepër të shëmtuar dhe të turpshme, siç ishte tavafi lakuriq rreth Kabes që bënin idhujtarët para dhe në fillim të Islamit, si dhe çdo lloj vepre tjetër të turpshme dhe të pamoralshme.

7:29

قُلْ أَمَرَ رَبِّى بِٱلْقِسْطِ ۖ وَأَقِيمُوا وُجُوهَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍۢ وَٱدْعُوهُ مُخْلِصِينَ لَهُ ٱلدِّينَ ۚ كَمَا بَدَأَكُمْ تَعُودُونَ ٢٩

Thuaj: “Zoti im urdhëron për drejtësi;63 Dhe drejtohuni vetëm nga Ai në çdo përulje (sexhde), e lutjuni Atij me sinqeritet dhe besim të pastër!64 Ashtu si ju ka krijuar fillimisht, do të riktheheni.65

Komentimi 3 shënime

Shënimi 63

Dhe jo për vepra të shëmtuara e padrejtësi.

Shënimi 64

Përkuluni dhe bëni sexhde vetëm për Allahun dhe për asnjë idhull apo çfarëdo qoftë, dhe lutjen e të gjitha adhurimet tuaja ia drejtoni vetëm Allahut dhe mos i përzieni ato me idhujtari e paganizëm.

Shënimi 65

Ashtu si ju krijoi Allahu nga asgjëja, po ashtu do ju rikthejë dhe do ju ringjallë në ditën e gjykimit pasi të keni vdekur dhe t’ju ketë zhdukur në këtë botë; dhe do të shpërblejë secilin për atë që ka vepruar.

7:30

فَرِيقًا هَدَىٰ وَفَرِيقًا حَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلضَّلَـٰلَةُ ۗ إِنَّهُمُ ٱتَّخَذُوا ٱلشَّيَـٰطِينَ أَوْلِيَآءَ مِن دُونِ ٱللَّهِ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُم مُّهْتَدُونَ ٣٠

Njërin grup, Ai e udhëzoi në rrugë të drejtë,66 kurse grupi tjetër meritoi humbjen.67 Këta të dytët zgjodhën djajtë për miq në vend të Allahut dhe mendonin se ishin në rrugë të drejtë.68

Komentimi 3 shënime

Shënimi 66

Duke i dhënë sukses të udhëzohen; duke i lehtësuar shkaqet e udhëzimit dhe duke larguar pengesat e tij.

Shënimi 67

Për shkak të veprave të tyre të këqia dhe rrugës së humbjes që zgjodhën.

Shënimi 68

Sepse atyre iu përmbys realiteti kur me injorancën dhe padrejtësinë e tyre zgjodhën për miq djajtë në vend të Allahut, dhe kështu që e merrnin të pavërtetën për të vërtetë dhe të vërtetën për të pavërtetë.

7:31

۞ يَـٰبَنِىٓ ءَادَمَ خُذُوا زِينَتَكُمْ عِندَ كُلِّ مَسْجِدٍۢ وَكُلُوا وَٱشْرَبُوا وَلَا تُسْرِفُوٓا ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُسْرِفِينَ ٣١

O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz!69 Hani e pini, por mos e teproni,70 sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë.71

Komentimi 3 shënime

Shënimi 69

Vishni rrobat më të mira dhe më të bukura që keni, dhe që ju mbulojnë sa më shumë, për çdo namaz dhe në çdo xhami apo vend që të faleni, sepse mbulimi i trupit është zbukurim, kurse zbulimi dhe zhveshja është shëmti; dhe mos bëni ashtu si bënin idhujtarët që silleshin lakuriq rreth Kabes.

Shënimi 70

Hani e pini nga të mirat e Zotit tuaj që jua ka lejuar, por mos e teproni në përdorimin e hallallit duke kaluar në shpërdorim, mburrje dhe mendjemadhësi, apo duke ngrënë haramin.

Shënimi 71

Në hallall apo në haram, apo që lejojnë haramin dhe ndalojnë hallallin. I gjithë teprimi është i ndaluar, sepse ai e dëmton njeriun në shumë aspekte, duke filluar nga shëndeti, ekonomia, shoqëria, etj.; e Allahu ia ka ndaluar njerëzve gjithçka që i dëmton ata, duke i drejtuar në më të mirën, si mëshirë për ta.

7:32

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ ٱللَّهِ ٱلَّتِىٓ أَخْرَجَ لِعِبَادِهِۦ وَٱلطَّيِّبَـٰتِ مِنَ ٱلرِّزْقِ ۚ قُلْ هِىَ لِلَّذِينَ ءَامَنُوا فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا خَالِصَةًۭ يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ ۗ كَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلْـَٔايَـٰتِ لِقَوْمٍۢ يَعْلَمُونَ ٣٢

Thuaj: “Kush i ka ndaluar veshjet e bukura të Allahut, që i ka nxjerrë për robërit e Tij,72 si dhe ushqimet e mira?”73 Thuaj: “Ato janë për besimtarët në këtë botë, por veçanërisht për ta në botën tjetër.74 Kështu ua shpjegojmë provat njerëzve që dinë.75

Komentimi 4 shënime

Shënimi 72

Veshjet e çdo lloji, pëlhure apo ngjyre, që e mbulojnë dhe zbukurojnë njeriun.

Shënimi 73

Ushqimet e mira dhe të shijshme, që i bëjnë mirë njeriut dhe që nuk e dëmtojnë shëndetin e tij, që janë hallall.

Shënimi 74

Veshjet e bukura dhe ushqimet e mira dhe hallall janë për besimtarët dhe njerëzit e tjerë që nuk janë besimtarë në këtë botë, por në botën tjetër do të jenë posaçërisht për besimtarët.

Shënimi 75

Sepse vetëm ata i kuptojnë provat e Allahut dhe përfitojnë prej tyre.

7:33

قُلْ إِنَّمَا حَرَّمَ رَبِّىَ ٱلْفَوَٰحِشَ مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَمَا بَطَنَ وَٱلْإِثْمَ وَٱلْبَغْىَ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَأَن تُشْرِكُوا بِٱللَّهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ بِهِۦ سُلْطَـٰنًۭا وَأَن تَقُولُوا عَلَى ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ ٣٣

Thuaj: “Zoti im ka ndaluar vetëm76 veprat e turpshme, qofshin ato të hapura apo të fshehura,77 gjynahun,78 shtypjen pa të drejtë,79 t’i bëni Allahut shok,80 gjë për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë prove,81 dhe të thoni për Allahun diçka që nuk e dini.82

Komentimi 7 shënime

Shënimi 76

Allahu ka ndaluar vetëm këto që do të numërohen në vijim të ajetit, dhe jo ato që idhujtarët i kanë bërë të ndaluara si bindje ndaj shejtanit dhe idhujve të tyre.

Shënimi 77

Veprat e turpshme janë mëkatet e mëdha që quhen turp, si kurvëria dhe homoseksualiteti; qoftë haptazi apo fshehtazi, në publik apo në vetmi, me vepër dhe trup apo me mendje dhe zemër, si mendjemadhësia dhe hipokrizia.

Shënimi 78

Shkeljen e ndalesave të Allahut në përgjithësi, për të cilat ka ndëshkim tek Allahu; të drejtat e Allahut ndaj njerëzve.

Shënimi 79

Shtypjen e njerëzve dhe padrejtësinë ndaj tyre; gjërat që lidhen me gjakun (vrasjen), pasurinë dhe nderin; të drejtat e njerëzve kundrejt njëri-tjetrit.

Shënimi 80

Të adhuroni të tjerë përveç Allahut ose përkrah Tij.

Shënimi 81

Por ju ka dhënë prova për Njësimin e Tij.

Shënimi 82

Të thoni që Allahu ka ndaluar këtë e ka lejuar atë, pa pasur dije dhe provë nga Allahu, por duke trilluar gënjeshtër ndaj Tij, për të ndryshuar fenë dhe ligjet e Tij, dhe për të shkelur të drejtat e njerëzve.

7:34

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ أَجَلٌۭ ۖ فَإِذَا جَآءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةًۭ ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ ٣٤

Çdo popull ka afatin e vet.83 Kur iu vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë asnjë çast, as nuk mund ta shpejtojnë.84

Komentimi 2 shënime

Shënimi 83

Afatin e zbritjes së ndëshkimit mbi ta për shkak të idhujtarisë dhe mosbindjes nga Allahut dhe ndaj të dërguarve të Tij. Ky është kërcënim dhe paralajmërim për idhujtarët dhe mohuesit.

Shënimi 84

Nuk kanë fuqi apo mundësi që ta shtyjnë apo ta shpejtojnë afatin e shkatërrimit dhe zhdukjes së tyre nga kjo botë, por ai do të ndodhë në afatin që e ka caktuar Allahu të ndodhë.

7:35

يَـٰبَنِىٓ ءَادَمَ إِمَّا يَأْتِيَنَّكُمْ رُسُلٌۭ مِّنكُمْ يَقُصُّونَ عَلَيْكُمْ ءَايَـٰتِى ۙ فَمَنِ ٱتَّقَىٰ وَأَصْلَحَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ ٣٥

O bijtë e Ademit! Nëse ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, që ju tregojnë shpalljet e Mia, atëherë, për ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira,85 nuk do të ketë frikë, as nuk do të pikëllohen.86

Komentimi 2 shënime

Shënimi 85

Kush i beson të dërguarit dhe ato që Allahu u ka shpallur atyre, dhe si rezultat i ruhet ndalesave të Allahut prej idhujtarisë, mohimit dhe mëkateve, dhe vepron ato që Ai ka urdhëruar si bindje ndaj Tij...

Shënimi 86

Për ta nuk do të ketë frikë nga ndëshkimi i Allahut në botën tjetër dhe nuk do të pikëllohen për atë që lanë mbrapa prej dynjasë dhe kënaqësive të saj. Nëse eliminohet frika dhe pikëllimi, atëherë arrihet siguria e plotë, qetësia dhe lumturia e përhershme.

7:36

وَٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَٱسْتَكْبَرُوا عَنْهَآ أُولَـٰٓئِكَ أَصْحَـٰبُ ٱلنَّارِ ۖ هُمْ فِيهَا خَـٰلِدُونَ ٣٦

Kurse ata që i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona dhe bëjnë mendjemadhësi ndaj tyre, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.87

Komentimi 1 shënim

Shënimi 87

Këta do të jenë banorë të zjarrit të Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim, dhe të poshtëruar, si ndëshkim i merituar për shkak të përçmimit dhe mohimit që i bënë shpalljeve të Allahut dhe të dërguarve të Tij.

7:37

فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ ٱفْتَرَىٰ عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا أَوْ كَذَّبَ بِـَٔايَـٰتِهِۦٓ ۚ أُولَـٰٓئِكَ يَنَالُهُمْ نَصِيبُهُم مِّنَ ٱلْكِتَـٰبِ ۖ حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَتْهُمْ رُسُلُنَا يَتَوَفَّوْنَهُمْ قَالُوٓا أَيْنَ مَا كُنتُمْ تَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ ۖ قَالُوا ضَلُّوا عَنَّا وَشَهِدُوا عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ أَنَّهُمْ كَانُوا كَـٰفِرِينَ ٣٧

Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut,88 ose që përgënjeshtron provat e Tij? Ata do ta marrin atë që është shkruar për ta, deri sa t’u vijnë të dërguarit Tanë (engjëjt) për t’u marrë shpirtin, dhe t’u thonë: “Ku janë ata që lutnit në vend të Allahut?” Ata do të thonë: “Na braktisën!”89 Kështu, ata dëshmuan kundër vetes, që kanë qenë mohues.90

Komentimi 3 shënime

Shënimi 88

Duke i bërë shok në adhurim, duke i atribuar diçka të mangët, apo duke trilluar për Të diçka që nuk e ka thënë.

Shënimi 89

Na braktisën kur kishim nevojë për ta dhe nuk na ndihmuan apo të na bënin ndonjë dobi përballë ndëshkimit të Allahut.

Shënimi 90

Mohues të Allahut dhe të Njësimit të Tij, që e meritojnë dënimin poshtërues të përhershëm.

7:38

قَالَ ٱدْخُلُوا فِىٓ أُمَمٍۢ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِكُم مِّنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ فِى ٱلنَّارِ ۖ كُلَّمَا دَخَلَتْ أُمَّةٌۭ لَّعَنَتْ أُخْتَهَا ۖ حَتَّىٰٓ إِذَا ٱدَّارَكُوا فِيهَا جَمِيعًۭا قَالَتْ أُخْرَىٰهُمْ لِأُولَىٰهُمْ رَبَّنَا هَـٰٓؤُلَآءِ أَضَلُّونَا فَـَٔاتِهِمْ عَذَابًۭا ضِعْفًۭا مِّنَ ٱلنَّارِ ۖ قَالَ لِكُلٍّۢ ضِعْفٌۭ وَلَـٰكِن لَّا تَعْلَمُونَ ٣٨

Ai (Allahu) do t’u thotë: “Hyni në Zjarr bashkë me popuj të tjerë prej xhinëve dhe njerëzve, që kanë qenë para jush!”91 Sa herë që një grup do të hyjë në të (Zjarr), do të mallkojë grupin e mëparshëm.92 Deri sa të tubohen të gjithë atje, atëherë të fundit do të thonë për të mëparshmit:93 “O Zoti ynë! Këta na çuan në humbje, prandaj jepu atyre dënim të dyfishtë Zjarri!”94 Ai (Allahu) do t’u thotë: “Për secilin do të ketë dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini.”95

Komentimi 5 shënime

Shënimi 91

Popuj dhe grupe që kanë qenë para jush idhujtarë dhe mohues të provave dhe të dërguarve të Allahut; secili do t’i bashkohet grupit të fesë dhe besimit të vet që ka ndjekur në dynja.

Shënimi 92

Do të mallkojë grupin e fesë dhe besimit të vet që do e gjejë të ketë hyrë në zjarr më parë, për të treguar braktisjen e atij grupi, ndërkohë që në dynja e kishte pasuar dhe ishte ithtar i tij; idhujtarët do të mallkojnë idhujtarët, mexhusët do të mallkojnë mexhusët, hebrenjtë do të mallojnë hebrenjtë, të krishterët do të mallkojnë të krishterët, e kështu, ata që do të hyjnë më pas në zjarr, do të mallkojnë ata që do të gjejnë aty prej grupit dhe fesë së tyre.

Shënimi 93

Ata që kanë qenë më pas në dynja, do të thonë për brezin para tyre, që ata pasonin dhe madhëronin.

Shënimi 94

Sepse ata ishin shkak për humbjen tonë nga rruga Jote, duke na zbukuruar bindjen ndaj shejtanit dhe duke na ftuar në adhurimin e të tjerëve përveç Teje.

Shënimi 95

Nuk e dini sasinë apo përmasën e dënimit që Allahu ka përgatitur për të gjithë ju, o banorët e zjarrit!

7:39

وَقَالَتْ أُولَىٰهُمْ لِأُخْرَىٰهُمْ فَمَا كَانَ لَكُمْ عَلَيْنَا مِن فَضْلٍۢ فَذُوقُوا ٱلْعَذَابَ بِمَا كُنتُمْ تَكْسِبُونَ ٣٩

Kurse të parët do t’u thonë të mëpasshmëve:96 “Ju nuk keni ndonjë avantazh mbi ne,97 prandaj shijoni dënimin për atë që keni fituar.”98

Komentimi 3 shënime

Shënimi 96

Atyre që erdhën në dynja pas tyre dhe që ndoqën rrugën e tyre.

Shënimi 97

Kur e mësuat si na erdhi dënimi i Allahut në dynja për shkak të mosbesimit dhe mosbindjes ndaj Tij, duhet të kishit marrë mësim; po kështu të dërguarit dhe paralajmëruesit e Allahut na erdhën neve ashtu si dhe juve, por ju nuk u kthyet nga humbja dhe rruga juaj e gabuar, ashtu si nuk ishim kthyer as ne më parë, kështu që nuk keni gojë të flisni, sepse duhet të kishit marrë mësim nga përfundimi ynë në dynja dhe jo të ndiqnit rrugën tonë.

Shënimi 98

Me veprat tuaja të këqia në dynja.

7:40

إِنَّ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَٱسْتَكْبَرُوا عَنْهَا لَا تُفَتَّحُ لَهُمْ أَبْوَٰبُ ٱلسَّمَآءِ وَلَا يَدْخُلُونَ ٱلْجَنَّةَ حَتَّىٰ يَلِجَ ٱلْجَمَلُ فِى سَمِّ ٱلْخِيَاطِ ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْمُجْرِمِينَ ٤٠

Me të vërtetë, atyre që i përgënjeshtruan provat Tona dhe bënë mendjemadhësi ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit99 dhe nuk do të hyjnë në Xhenet, derisa të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës.100 Kështu i shpërblejmë keqbërësit.101

Komentimi 3 shënime

Shënimi 99

Nuk hapen dyert e qiellit për t’u ngjitur shpirtrat e tyre kur të vdesin, dhe nuk iu ngjitet atyre tek Allahu asnjë vepër gjatë jetës së tyre në dynja, sepse veprat e tyre janë të prishura dhe të këqia, kurse tek Allahu ngjiten vetëm veprat dhe fjalët e mira.

Shënimi 100

Nuk do të hyjnë kurrë në xhenet, ashtu si nuk mund të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës.

Shënimi 101

Kështu i shpërblejmë ata që bëjnë keq në këtë botë, duke i dhënë dënimin e merituar në botën tjetër.

7:41

لَهُم مِّن جَهَنَّمَ مِهَادٌۭ وَمِن فَوْقِهِمْ غَوَاشٍۢ ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلظَّـٰلِمِينَ ٤١

Ata do të kenë shtretër nga zjarri dhe sipër tyre, mbulesa nga zjarri.102 Kështu i ndëshkojmë Ne të padrejtët.103

Komentimi 2 shënime

Shënimi 102

Shtretërit dhe mbulesat e tyre do të jenë nga zjarri i xhehenemit.

Shënimi 103

Që i bënë padrejtësi vetes së tyre me tërheqjen e zemërimit të Allahut, dhe kjo për shkak të mohimit të Allahut dhe përgënjeshtrimit të dërguarve të Tij.

7:42

وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا وَعَمِلُوا ٱلصَّـٰلِحَـٰتِ لَا نُكَلِّفُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَآ أُولَـٰٓئِكَ أَصْحَـٰبُ ٱلْجَنَّةِ ۖ هُمْ فِيهَا خَـٰلِدُونَ ٤٢

Kurse ata që besuan104 dhe bënë vepra të mira105 – e Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër mundësive -106, ata janë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.107

Komentimi 4 shënime

Shënimi 104

Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe pranuan gjithçka që iu shpalli Allahu dhe iu sqaroi i Dërguari i Tij.

Shënimi 105

Vepruan sipas asaj që urdhëroi Allahu dhe iu larguan atyre që Ai ndaloi.

Shënimi 106

Secili sipas mundësisë që ka pasur, mjafton që të ketë dhënë më të mirën, sepse Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive.

Shënimi 107

Nuk do të dalin kurrë prej tij dhe nuk do t’iu hiqet asnjë prej mirësive të tij.

7:43

وَنَزَعْنَا مَا فِى صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهِمُ ٱلْأَنْهَـٰرُ ۖ وَقَالُوا ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى هَدَىٰنَا لِهَـٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِىَ لَوْلَآ أَنْ هَدَىٰنَا ٱللَّهُ ۖ لَقَدْ جَآءَتْ رُسُلُ رَبِّنَا بِٱلْحَقِّ ۖ وَنُودُوٓا أَن تِلْكُمُ ٱلْجَنَّةُ أُورِثْتُمُوهَا بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ ٤٣

Ne do ta heqim mërinë nga gjokset e tyre.108 Nën ta do të rrjedhin lumenj109 dhe ata do të thonë: “I gjithë lavdërimi i përket Allahut, që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me të vërtetën.”110 Atëherë një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëguat për atë që keni vepruar.”111

Komentimi 4 shënime

Shënimi 108

Do të heqim mërinë, urrjejten e armiqësinë që mund të kenë pasur ndaj njëri-tjetrit në dynja; askush nuk do e ketë zili tjetrin për ndonjë avantazh që i ka dhënë Allahu në xhenet.

Shënimi 109

Të cilët i drejtojnë dhe i vendosin të rrjedhin ku të duan dhe nga të duan; mes kështjellave, nën dhoma, nëpër kopshte dhe poshtë tyre, pa pasur kufij apo kanale; dhe nga të mirat pakufi, ata do të falënderojnë Allahun.

Shënimi 110

Kur të hyjnë në Xhenet dhe të shohin mirësitë e papërshkrueshme që Allahu do t’u japë, si dhe poshtërimin që do kenë banorët e zjarrit, banorët e Xhenetit do të betohen se të Dërguarit e Zotit kanë ardhur në dynja tek ne dhe tek këta që janë në zjarr, dhe thanë të vërtetën nga Zoti ynë, për premtimin që i bëri besimtarëve të bindur ndaj Tij dhe të dërguarve të Tij, dhe paralajmërimin që i bëri mohuesve të pabindur ndaj Tij dhe të dërguarve të Tij.

Shënimi 111

Ky është Xheneti që jua trashëgoi Allahu për atë që vepruat në dynja.

7:44

وَنَادَىٰٓ أَصْحَـٰبُ ٱلْجَنَّةِ أَصْحَـٰبَ ٱلنَّارِ أَن قَدْ وَجَدْنَا مَا وَعَدَنَا رَبُّنَا حَقًّۭا فَهَلْ وَجَدتُّم مَّا وَعَدَ رَبُّكُمْ حَقًّۭا ۖ قَالُوا نَعَمْ ۚ فَأَذَّنَ مُؤَذِّنٌۢ بَيْنَهُمْ أَن لَّعْنَةُ ٱللَّهِ عَلَى ٱلظَّـٰلِمِينَ ٤٤

Atëherë, banorët e Xhenetit do t’u thërrasin banorëve të Zjarrit: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë;112 po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?”113 Ata do të thonë: “Po!” Atëherë, një thirrës në mes tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët;114

Komentimi 3 shënime

Shënimi 112

Gjetëm atë që na premtoi Zoti ynë në dynja, në gjuhën e të dërguarve të Tij; shpërblimin e Tij të madh për besimin në Të dhe në të dërguarit e Tij, dhe për bindjen ndaj Tij.

Shënimi 113

A e gjetët të vërtetë atë që paralajmëruan të dërguarit e Allahut; ndëshkimin për mohimin e Tij dhe për shkeljen e urdhrave e ndalesave të Tij?

Shënimi 114

Zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut qoftë mbi ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes me mohimin e Allahut dhe mosbindjen ndaj Tij!

7:45

ٱلَّذِينَ يَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ وَيَبْغُونَهَا عِوَجًۭا وَهُم بِٱلْـَٔاخِرَةِ كَـٰفِرُونَ ٤٥

ata të cilët i pengonin të tjerët nga Rruga e Allahut,115 duke dashur ta shtrembëronin atë,116 dhe që ishin mohues të botës tjetër!”117

Komentimi 3 shënime

Shënimi 115

Nga feja e vërtetë e Allahut, Islami.

Shënimi 116

Me trillime, shpifje e deformime.

Shënimi 117

Mohonin ditën e Kiametit, ringjalljen, llogarinë dhe shpërblimin e ndëshkimin në botën tjetër.

7:46

وَبَيْنَهُمَا حِجَابٌۭ ۚ وَعَلَى ٱلْأَعْرَافِ رِجَالٌۭ يَعْرِفُونَ كُلًّۢا بِسِيمَىٰهُمْ ۚ وَنَادَوْا أَصْحَـٰبَ ٱلْجَنَّةِ أَن سَلَـٰمٌ عَلَيْكُمْ ۚ لَمْ يَدْخُلُوهَا وَهُمْ يَطْمَعُونَ ٤٦

Mes tyre do të jetë një mur ndarës,118 dhe mbi A’raf119 (murin ndarës) do të ndodhen disa burra,120 të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve.121 Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Paqe qoftë mbi ju!”122 Ata nuk do të kenë hyrë ende në të (Xhenet), megjithëse shpresojnë.123

Komentimi 6 shënime

Shënimi 118

Mes Xhenetit dhe Xhehenemit do të jetë një mur ndarës i madh, që quhet El A’raf, i cili përmendet gjithashtu në suren El Hadid, Ajeti 13.

Shënimi 119

El A’raf do të thotë lartësitë, pra muri ndarës do të jetë i lartë.

Shënimi 120

Këta burra do të jenë të fundit që do të marrin gjykimin për hyrjen në Xhenet dhe do të jenë të çliruarit e Allahut, për shkak se këta dolën nga zjarri për shkak të veprave të tyre të mira që kishin bërë në dynja, por ato vepra nuk ishin të mjaftueshme që t’i fusnin në Xhenet, por ishin të barabarta me të këqiat që kishin bërë, kështu që Allahu do i çlirojë ata me mëshirën dhe bujarinë e Tij, dhe do i fusë në Xhenet, inshaAllah.

Shënimi 121

Burrat që do të qëndrojnë mbi el A’raf do të mund t’i shohin të dy palët: edhe banorët e Xhenetit edhe banorët e Zjarrit, dhe do t’i njohin ata nga tiparet e tyre; fytyrat e ndritshme dhe të lumtura të banorëve të xhenetit, dhe fytyrat e nxira e sytë blu që tregojnë vuajtjen dhe dënimin e banorëve të Zjarrit.

Shënimi 122

Paqa dhe Siguria e Allahut nga ndëshkimi dhe dënimi i Tij i dhembshëm qoftë mbi ju!

Shënimi 123

Që Allahu t’i fusë në Xhenet.

7:47

۞ وَإِذَا صُرِفَتْ أَبْصَـٰرُهُمْ تِلْقَآءَ أَصْحَـٰبِ ٱلنَّارِ قَالُوا رَبَّنَا لَا تَجْعَلْنَا مَعَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّـٰلِمِينَ ٤٧

Dhe kur t’iu kthehen sytë nga banorët e zjarrit,124 do të thonë: “O Zoti ynë! Mos na bashko me njerëzit e padrejtë!”125

Komentimi 2 shënime

Shënimi 124

Kur atyre burrave që ndodhen mbi A’raf do t’iu kthehen sytë, pa dashjen e tyre, drejt banorëve të Zjarrit, dhe të shohin shpërfytyrimin që Allahu u ka bërë atyre dhe tmerrin që heqin.

Shënimi 125

Të cilët i bënë padrejtësi vetvetes duke i sjellë asaj zemërimin dhe ndëshkimin Tënd.

7:48

وَنَادَىٰٓ أَصْحَـٰبُ ٱلْأَعْرَافِ رِجَالًۭا يَعْرِفُونَهُم بِسِيمَىٰهُمْ قَالُوا مَآ أَغْنَىٰ عَنكُمْ جَمْعُكُمْ وَمَا كُنتُمْ تَسْتَكْبِرُونَ ٤٨

Atëherë, njerëzit e A’rafit do t’u thërrasin disa burrave që i njohin nga tiparet,126 duke u thënë: “Nuk ju ndihmoi as pasuria që grumbullat,127 as mendjemadhësia që bënit.”128

Komentimi 3 shënime

Shënimi 126

Nga tiparet e banorëve të zjarrit: fytyra e zezë dhe sytë blu; ose nga tiparet me të cilat i kanë njohur në dynja, si mendjemadhësia dhe pasuria apo pushteti.

Shënimi 127

Këtu nuk ju bën dobi pasuria që grumbulluat në dynja në mënyrë të padrejtë, ashtu si ju bënte dobi atje për të arritur ato që dëshironit padrejtësisht.

Shënimi 128

Mendjemadhësia ndaj të vërtetës, ndaj lajmëtarëve të Zotit dhe ndaj pasuesve të tyre besimtarë.

7:49

أَهَـٰٓؤُلَآءِ ٱلَّذِينَ أَقْسَمْتُمْ لَا يَنَالُهُمُ ٱللَّهُ بِرَحْمَةٍ ۚ ٱدْخُلُوا ٱلْجَنَّةَ لَا خَوْفٌ عَلَيْكُمْ وَلَآ أَنتُمْ تَحْزَنُونَ ٤٩

A nuk janë këta ata, për të cilët u betuat se Allahu nuk do t’i përfshinte me mëshirë?129 “Hyni në Xhenet! Për ju nuk ka më frikë, as nuk do të pikëlloheni!”130

Komentimi 2 shënime

Shënimi 129

Kjo fjalë i drejtohet banorëve të Zjarrit në shenjë ironie: “A nuk janë këta, njerëzit e A’rafit, ose besimtarët e varfër me të cilët ju talleshit në dynja dhe thonit se ata nuk do të kenë ndonjëherë dhe nuk do të mëshirohen kurrë nga Allahu?” Ata do të pohojnë në heshtje, duke e ditur mirë se janë ata.

Shënimi 130

Do i thuhet të gjithë besimtarëve, ose besimtarëve të varfër, ose njerëzve të A’rafit; ose njerëzve të A’rafit që kanë qenë besimtarë të varfër, me të cilët banorët e Zjarrit talleshin në dynja: “Hyni në Xhenet, dhe kënaquni në të, sepse për ju nuk do të ketë më frikë për atë që do të vijë, dhe as nuk do të pikëlloheni kurrë për atë që ka kaluar.” E gjithë kjo në sy të banorëve të Zjarrit, që të jetë si një ndëshkim shpirtëror dhe psikologjik i tyre; tallje dhe ironi e ngjashme me atë që bënin ata në dynja kundrejt besimtarëve.

7:50

وَنَادَىٰٓ أَصْحَـٰبُ ٱلنَّارِ أَصْحَـٰبَ ٱلْجَنَّةِ أَنْ أَفِيضُوا عَلَيْنَا مِنَ ٱلْمَآءِ أَوْ مِمَّا رَزَقَكُمُ ٱللَّهُ ۚ قَالُوٓا إِنَّ ٱللَّهَ حَرَّمَهُمَا عَلَى ٱلْكَـٰفِرِينَ ٥٠

Banorët e Zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Lëshoni mbi ne pak nga uji, ose nga ajo që ju ka furnizuar Allahu!”131 Ata (banorët e Xhenetit) do të thonë: “Allahu i ka ndaluar këto132 për mohuesit;133

Komentimi 3 shënime

Shënimi 131

Na lëshoni pak ujë apo ushqim nga ato që ju ka furnizuar Allahu. Banorët e Zjarrit do ia thonë këtë njerëzve të tyre të njohur apo të afërm që do të jenë në Xhenet.

Shënimi 132

Ushqimet dhe pijet e Xhenetit.

Shënimi 133

Ata të cilët mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

7:51

ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُوا دِينَهُمْ لَهْوًۭا وَلَعِبًۭا وَغَرَّتْهُمُ ٱلْحَيَوٰةُ ٱلدُّنْيَا ۚ فَٱلْيَوْمَ نَنسَىٰهُمْ كَمَا نَسُوا لِقَآءَ يَوْمِهِمْ هَـٰذَا وَمَا كَانُوا بِـَٔايَـٰتِنَا يَجْحَدُونَ ٥١

ata të cilët e morën fenë për tallje dhe lojë, dhe i mashtroi jeta e dynjasë.”134 Kështu që sot, Ne do t’i harrojmë ata,135 ashtu siç e harruan takimin e kësaj Dite,136 dhe siç i mohonin provat Tona.137

Komentimi 4 shënime

Shënimi 134

Kur dikush i ftonte në fenë e Allahut, ata e merrnin për tallje dhe lojë, duke bërë mendjemadhësi, për shkak se i mashtroi ajo që kishin arritur nga dynjaja prej pasurisë, pushtetit dhe jetës së shthurur.

Shënimi 135

Do t’i lëmë në dënimin e dhembshëm dhe poshtërues; të etur dhe të uritur, ashtu si e lanë ata punën dhe përgatitjen për takimin e kësaj dite.

Shënimi 136

Takimin me Allahun në ditën e Llogarisë.

Shënimi 137

Mohuan të gjitha provat që Allahu ua solli atyre nëpërmjet të dërguarve dhe Librave të Tij.

7:52

وَلَقَدْ جِئْنَـٰهُم بِكِتَـٰبٍۢ فَصَّلْنَـٰهُ عَلَىٰ عِلْمٍ هُدًۭى وَرَحْمَةًۭ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ ٥٢

Ne u kemi sjellë atyre një Libër,138 të cilin e kemi sqaruar me dije,139 që të jetë udhëzues dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.140

Komentimi 3 shënime

Shënimi 138

O Muhamed, ne u kemi sjellë mohuesve të Mekes dhe mbarë njerëzimit Kuranin që të është shpallur ty.

Shënimi 139

Me dije nga ana Jonë për sqarimin dhe dallimin e të vërtetës nga e pavërteta.

Shënimi 140

Që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

7:53

هَلْ يَنظُرُونَ إِلَّا تَأْوِيلَهُۥ ۚ يَوْمَ يَأْتِى تَأْوِيلُهُۥ يَقُولُ ٱلَّذِينَ نَسُوهُ مِن قَبْلُ قَدْ جَآءَتْ رُسُلُ رَبِّنَا بِٱلْحَقِّ فَهَل لَّنَا مِن شُفَعَآءَ فَيَشْفَعُوا لَنَآ أَوْ نُرَدُّ فَنَعْمَلَ غَيْرَ ٱلَّذِى كُنَّا نَعْمَلُ ۚ قَدْ خَسِرُوٓا أَنفُسَهُمْ وَضَلَّ عَنْهُم مَّا كَانُوا يَفْتَرُونَ ٥٣

A mos vallë presin përmbushjen e tij?141 Ditën, kur të vijë përmbushja e tij,142 ata që e patën harruar atë më parë143 do të thonë: “Të dërguarit e Zotit tonë sollën të vërtetën!144 A ka ndonjë ndërmjetësues që të ndërmjetësojë për ne,145 ose të kthehemi sërish që të veprojmë ndryshe nga ç’vepruam?”146 Ata e humbën veten e tyre dhe ato që trillonin, i braktisën.147

Komentimi 7 shënime

Shënimi 141

Përmbushjen e asaj që thuhet në Kuran për përfundimin dhe ndëshkimin e mohuesve.

Shënimi 142

Ditën e përmbushjes së asaj që thuhet në Kuran, Ditën e Kiametit, kur mohuesit të futen në Zjarr.

Shënimi 143

Mohuesit, që e patën harruar takimin e asaj Dite me Allahun për të dhënë llogari.

Shënimi 144

Të vërtetën e besimit dhe të vërtetën e kësaj dite, por ne nuk i besuam dhe nuk i pasuam ata.

Shënimi 145

A ka ndonjë mik apo shok që mund të ndërmjetësojë për ne tek Allahu, që të na shpëtojë nga kjo që na ka zënë prej zemërimit të Allahut dhe ndëshkimit të Tij.

Shënimi 146

A mund të kthehemi përsëri në dynja dhe të veprojmë vepra të mira siç urdhëron Allahu, ndryshe nga ato që vepruam?

Shënimi 147

E humbën veten e tyre duke i shitur të mirat e përhershme të Xhenetit me çmimin e lirë të stolive të dynjasë së përkohshme; dhe miqtë dhe idhujt që ata i adhuronin në dynja dhe që trillonin për Allahun gënjeshtër, duke thënë se ata janë zota të tyre dhe se Allahu i ka urdhëruar t’i adhurojnë ato, sot i braktisën ata dhe nuk mund t’i ndihmojnë apo të ndërmjetësojnë për ta, madje as për veten e tyre.

7:54

إِنَّ رَبَّكُمُ ٱللَّهُ ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ فِى سِتَّةِ أَيَّامٍۢ ثُمَّ ٱسْتَوَىٰ عَلَى ٱلْعَرْشِ يُغْشِى ٱلَّيْلَ ٱلنَّهَارَ يَطْلُبُهُۥ حَثِيثًۭا وَٱلشَّمْسَ وَٱلْقَمَرَ وَٱلنُّجُومَ مُسَخَّرَٰتٍۭ بِأَمْرِهِۦٓ ۗ أَلَا لَهُ ٱلْخَلْقُ وَٱلْأَمْرُ ۗ تَبَارَكَ ٱللَّهُ رَبُّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ٥٤

Me të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë,148 pastaj u ngrit mbi Arsh.149 Ai e mbulon ditën me errësirën e natës, e cila e ndjek atë (ditën) me shpejtësi.150 Krijoi Diellin, Hënën dhe yjet, të përulura me urdhrin e Tij.151 Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhri.152 I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve!153

Komentimi 6 shënime

Shënimi 148

Pra, adhuroni vetëm Zotin tuaj, që ju ka krijuar juve dhe që ka krijuar qiejt e Tokën për gjashtë ditë -nga e djela në të premte- dhe mos i bëni shok Atij!

Shënimi 149

Arshi është Froni Hyjnor i Madhërishëm, i cili përfshin në gjerësinë e tij qiejtë dhe Tokën, dhe gjithçka në to dhe mes tyre; Allahu u ngrit dhe u lartësua mbi Fronin e Tij, mbi Arsh, në atë mënyrë që i përshtatet Madhështisë dhe Pushtetit të Tij; Ai u ngrit mbi Arsh dhe rregulloi e sistemoi gjithësinë, vendosi ligjet e Tij mbi gjithçka krijoi, ligjet fizike dhe ato shpirtërore e fetare.

Shënimi 150

Do të vazhdojnë kështu të zbatojnë ligjin që Allahu ka vendosur për to, deri në ditën e Kiametit, kur Allahu ta palosë këtë botë, dhe t’i çojë njerëzit në një botë tjetër.

Shënimi 151

Të bindura dhe të nënshtruara vetëm ndaj urdhrit të Allahut, i cili nuk kundërshtohet dhe nuk kthehet; dhe që nuk i binden urdhrit apo dëshirës së askujt tjetër përveç Allahut, siç janë idhujt apo zotat që adhurojnë idhujtarët, të cilat nuk kanë fuqi të sjellin as dëm as dobi, dhe sigurisht që as mund të krijojnë as të urdhërojnë! I Lartësuar qoftë Zoti ynë, të Cilit i përket adhurimi i çdo gjëje që ka krijuar, Zoti i botëve!

Shënimi 152

Vetëm Allahut i përket Krijimi, që përfshin vendosjen e ligjeve fizike të ekzistencës; dhe Urdhri, që përfshin vendosjen e ligjeve fetare dhe ligjeve të shpërblimit apo ndëshkimit në botën e përhershme.

Shënimi 153

I Lartësuar dhe i Madhëruar në Veten e Tij, dhe i Bekuar që i jep mirësi e begati krijesave të Tij. Çdo begati dhe mirësi që gjendet në gjithësi, është nga gjurmët e mëshirës së Allahut, Zotit të Botëve.

7:55

ٱدْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعًۭا وَخُفْيَةً ۚ إِنَّهُۥ لَا يُحِبُّ ٱلْمُعْتَدِينَ ٥٥

Lutjuni Zotit tuaj të përulur dhe fshehtas!154 Vërtet, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.155

Komentimi 2 shënime

Shënimi 154

Lutjuni vetëm Zotit dhe askujt tjetër, dhe lutjuni Atij të përulur, me këmbëngulje dhe në mënyrë të fshehtë e të sinqertë, dhe jo duke ngritur zërin për t’u dukur dhe me hipokrizi.

Shënimi 155

Në lutje, duke ngritur zërin që ta dëgjojnë apo ta shohin të tjerët, ose duke kërkuar gjëra që nuk i takojnë (p.sh. të kërkosh vendin apo shkallën e profetëve); apo që i kalon kufijtë e Allahut në çdo lloj vepre qoftë.

7:56

وَلَا تُفْسِدُوا فِى ٱلْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَـٰحِهَا وَٱدْعُوهُ خَوْفًۭا وَطَمَعًا ۚ إِنَّ رَحْمَتَ ٱللَّهِ قَرِيبٌۭ مِّنَ ٱلْمُحْسِنِينَ ٥٦

Dhe mos bëni çrregullime në Tokë,156 pas rregullimit të saj,157 por lutjuni Atij (Allahut) me frikë dhe shpresë!158 Vërtet, mëshira e Allahut është pranë atyre që veprojnë mirë.159

Komentimi 4 shënime

Shënimi 156

Mos i bëni shok Allahut duke adhuruar idhujt në Tokë, dhe mos i shkelni urdhrat dhe ndalesat e Tij; ky është shkatërrimi në Tokë; sepse këto prishin moralin, veprat dhe bereqetin e njerëzve në Tokë.

Shënimi 157

Pasi Allahu e ka rregulluar atë për njerëzit që i binden Atij, duke dërguar Lajmëtarë që ftojnë në të vërtetën dhe sqarojnë provat dhe shpalljet e Allahut.

Shënimi 158

Lutjuni vetëm Allahut dhe askujt tjetër; dhe lutja e adhurimi juaj duhet të jetë me frikë nga ndëshkimi i Allahut dhe me shpresë për arritjen e shpërblimit të Tij; me frikë se nuk do të pranohet dhe me shpresë se do të pranohet.

Shënimi 159

Që i bëjnë mirë adhurimet e Allahut dhe që i bëjnë mirë njerëzve gjithashtu; pra sa më shumë vepër mirë dhe bamirës të jetë njeriu, aq më pranë mëshirës së Zotit të tij është ai, dhe aq më pranë tij është Zoti me mëshirën e Vet.

7:57

وَهُوَ ٱلَّذِى يُرْسِلُ ٱلرِّيَـٰحَ بُشْرًۢا بَيْنَ يَدَىْ رَحْمَتِهِۦ ۖ حَتَّىٰٓ إِذَآ أَقَلَّتْ سَحَابًۭا ثِقَالًۭا سُقْنَـٰهُ لِبَلَدٍۢ مَّيِّتٍۢ فَأَنزَلْنَا بِهِ ٱلْمَآءَ فَأَخْرَجْنَا بِهِۦ مِن كُلِّ ٱلثَّمَرَٰتِ ۚ كَذَٰلِكَ نُخْرِجُ ٱلْمَوْتَىٰ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ ٥٧

Ai i dërgon erërat si lajmëruese të mëshirës së Tij.160 Kur ato (erërat) mbartin re të rënda, Ne i drejtojmë në një vend të vdekur, ku zbresim ujin e shiut, me anë të cilit nxjerrim nga të gjitha frutat; po kështu do i nxjerrim edhe të vdekurit;161 me qëllim që të kujtoni.162

Komentimi 3 shënime

Shënimi 160

Lajmëruese të afrimit të shiut, si mëshirë për njerëzit.

Shënimi 161

Nga varret e tyre pasi të jenë tretur dhe zhdukur; do t’i ringjallim në ditën e Gjykimit, dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun, njësoj si ngjall Tokën e vdekur me anë të shiut. Muslimi ka nxjerrë nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu!) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Mes dy fryrjeve në Sur janë dyzet (ditë, muaj, ose vite – nuk është e përcaktuar). Pastaj Allahu do të zbresë shi nga qielli dhe të gjithë të vdekurit do të mbijnë, ashtu si mbijnë bishtajoret. Nuk ka pjesë nga trupi i njeriut që nuk do të tretet, me përjashtim të një kocke të vetme, që është bishti kockor (tailbone, coccyx), dhe nga kjo kockë do të rikrijohen njerëzit në ditën e Gjykimit.”

Shënimi 162

Të kujtoni provat dhe shenjat e Allahut, që të bëni krahasimet dhe të merrni mësim, e jo t’i kaloni në neglizhencë dhe pa ia vënë veshin.

7:58

وَٱلْبَلَدُ ٱلطَّيِّبُ يَخْرُجُ نَبَاتُهُۥ بِإِذْنِ رَبِّهِۦ ۖ وَٱلَّذِى خَبُثَ لَا يَخْرُجُ إِلَّا نَكِدًۭا ۚ كَذَٰلِكَ نُصَرِّفُ ٱلْـَٔايَـٰتِ لِقَوْمٍۢ يَشْكُرُونَ ٥٨

Toka e mirë i nxjerr bimët, me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, nuk nxjerr veçse diçka me zor.163 Kështu i sjellim provat njëra pas tjetrës për njerëzit që falënderojnë.164

Komentimi 2 shënime

Shënimi 163

Toka e mirë jep prodhime të mira, me lejen e Allahut, kur mbi të zbret shi, kurse toka e keqe nxjerr vetëm bimë të këqia dhe të padobishme, edhe ato me vështirësi; kështu është shembulli i besimtarit dhe i mosbesimtarit.

Shënimi 164

Që falënderojnë Allahun për udhëzimin që i ka dhuruar dhe që i ka bërë ta shohin rrugën e humbjes, duke ndjekur urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

7:59

لَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًا إِلَىٰ قَوْمِهِۦ فَقَالَ يَـٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَـٰهٍ غَيْرُهُۥٓ إِنِّىٓ أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍۢ ٥٩

Ne e dërguam Nuhun te populli i tij,165 e ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!166 Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të madhe!”167

Komentimi 3 shënime

Shënimi 165

Pasi përmendi historinë e Ademit, si dhe një numër të provave që vërtetojnë Njësimin e Tij, Allahu i përforcoi ato duke treguar çfarë i ndodhi të dërguarve të Tij me popujt e tyre mohues dhe se si Allahu përkrahu dhe shpëtoi besimtarët njësues të Tij, dhe si i shkatërroi ata që nuk iu bindën Allahut dhe të dërguarve të Tij, duke treguar se thirrja e të gjithë të dërguarve ka qenë e njëjtë dhe feja e tyre e njëjtë; duke filluar me Nuhin (alejhi selam), profetin e parë të dërguar në Tokë pas Ademit (alejhis selam).

Shënimi 166

Nuk keni zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut.

Shënimi 167

Në rast se nuk adhuroni vetëm Allahun, por i bëni Atij shok dhe nuk i bindeni Atij, atëherë kam frikë se do ju vijë patjetër ndëshkimi i një dite të madhe, në të cilën do të meritoni zemërimin e Zotit tuaj mbi ju. Ju paralajmëroj sepse më vjen keq për ju dhe nuk dua që të dënoheni.

7:60

قَالَ ٱلْمَلَأُ مِن قَوْمِهِۦٓ إِنَّا لَنَرَىٰكَ فِى ضَلَـٰلٍۢ مُّبِينٍۢ ٦٠

Paria e popullit të tij i tha: “Ne të shohim ty në humbje të qartë.”168

Komentimi 1 shënim

Shënimi 168

Jo vetëm që nuk iu bindën Nuhut, por i bënë mendjemadhësi dhe e quajtën të humbur dhe në rrugë krejtësisht të gabuar, gjë që është e qartë për çdo njeri, sipas tyre. Në fakt, në humbje të sigurtë dhe krejtësisht të qartë ishin ata, paria apo shtresa e pasur dhe udhëheqëse nga populli i Nuhut, si dhe pasuesit e tyre, të cilët i gdhëndnin dhe i pikturonin idhujt nga drurët apo gurët që nuk shikojnë apo dëgjojnë, pastaj i adhuronin ato në vend të Allahut, Krijuesit të tyre; a nuk janë këta më të humbur se njerëzit e çmendur dhe budallenj?!

7:61

قَالَ يَـٰقَوْمِ لَيْسَ بِى ضَلَـٰلَةٌۭ وَلَـٰكِنِّى رَسُولٌۭ مِّن رَّبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ٦١

Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam aspak në humbje, por jam i dërguar nga Zoti i botëve!169

Komentimi 1 shënim

Shënimi 169

Gjithçka ju them, urdhra apo ndalesa, janë nga Zoti i gjithësisë, dhe jo nga vetja ime.

7:62

أُبَلِّغُكُمْ رِسَـٰلَـٰتِ رَبِّى وَأَنصَحُ لَكُمْ وَأَعْلَمُ مِنَ ٱللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ ٦٢

Unë ju komunikoj shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj,170 dhe di nga Allahu atë që ju nuk e dini.171

Komentimi 2 shënime

Shënimi 170

Ju paralajmëroj për ndëshkimin e Allahut, nëse nuk më dëgjoni.

Shënimi 171

Që ndëshkimi i Tij nuk mund të kthehet, por do të bjerë mbi popullin mohues dhe idhujtar.

7:63

أَوَعَجِبْتُمْ أَن جَآءَكُمْ ذِكْرٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ عَلَىٰ رَجُلٍۢ مِّنكُمْ لِيُنذِرَكُمْ وَلِتَتَّقُوا وَلَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ ٦٣

A u çuditët që ju erdhi këshillë nga Zoti juaj nëpërmjet një njeriu prej jush,172 për t’ju paralajmëruar,173 që të ruheni,174 dhe në mënyrë që të mëshiroheni?!175

Komentimi 4 shënime

Shënimi 172

Të cilin e njihni mirë dhe e dini çfarë njeriu është; që është i sinqertë, i butë, i urtë dhe që kurrë nuk gënjen.

Shënimi 173

Nga ndëshkimi i Allahut për shkak të mohimit tuaj.

Shënimi 174

Ti ruheni dënimit të Allahut dhe zemërimit të Tij, duke adhuruar vetëm Allahun dhe duke iu bindur Atij dhe të dërguarit të Tij.

Shënimi 175

Të mëshiroheni nga Zoti juaj, dhe të mos ju ndëshkojë, por tju shpërblejë me të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.

7:64

فَكَذَّبُوهُ فَأَنجَيْنَـٰهُ وَٱلَّذِينَ مَعَهُۥ فِى ٱلْفُلْكِ وَأَغْرَقْنَا ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَآ ۚ إِنَّهُمْ كَانُوا قَوْمًا عَمِينَ ٦٤

Por, ata e quajtën gënjeshtar atë (Nuhun).176 Atëherë, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të,177 në barkë,178 dhe i mbytëm ata që i përgënjeshtruan provat Tona. Vërtet, ata ishin një popull i verbër.179

Komentimi 4 shënime

Shënimi 176

Nuk e dëgjuan Nuhun dhe thyen urdhrin e Zotit të tyre, duke iu drejtuar idhujve dhe duke shkuar pas kënaqësive dhe mendjemadhësisë së tyre.

Shënimi 177

Prej besimtarëve.

Shënimi 178

Në anijen që Allahu urdhëroi Nuhun të ndërtonte dhe të ngarkonte mbi të nga të gjitha llojet e kafshëve në çift, familjen e tij –përveç djalit dhe gruas, të cilët mohuan- dhe ata që i besuan; që në fakt ishin shumë pak në numër.

Shënimi 179

Sepse i panë provat e qarta me sytë e tyre, por nuk i panë me zemrat e tyre, kështu që në të vërtetë ishin të verbër ndaj të vërtetës.

7:65

۞ وَإِلَىٰ عَادٍ أَخَاهُمْ هُودًۭا ۗ قَالَ يَـٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَـٰهٍ غَيْرُهُۥٓ ۚ أَفَلَا تَتَّقُونَ ٦٥

Edhe popullit Ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin.180 Ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun; ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk keni frikë?”181

Komentimi 2 shënime

Shënimi 180

Populli Ad ka jetuar në Jemen. Ata janë bijtë e Ad ibën Iram, ibën Aus, ibën Sam, ibën Nuh; pra nga pasardhësit e Nuhut (alejhis selam).

Shënimi 181

A nuk keni frikë nga Zoti juaj dhe nga ndëshkimi i Tij për shkak të adhurimit të tjerëve përveç Tij, dhe mosbindjes ndaj Tij?

7:66

قَالَ ٱلْمَلَأُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا مِن قَوْمِهِۦٓ إِنَّا لَنَرَىٰكَ فِى سَفَاهَةٍۢ وَإِنَّا لَنَظُنُّكَ مِنَ ٱلْكَـٰذِبِينَ ٦٦

Paria që mohoi,182 nga populli i tij, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi183 dhe mendojmë se je vërtet gënjeshtar.”184

Komentimi 3 shënime

Shënimi 182

Që mohuan Allahun dhe Njësimin e Tij, dhe rezufuan shpalljen e Allahut dhe të dërguarin e Tij, Hudin (Paqa dhe Siguria e Allahut qoftë mbi të!).

Shënimi 183

Larg të vërtetës dhe në humbje, për shkak të lënies së fesë dhe zotave tanë; duke e quajtur këtë gjë mendjelehtësi, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë dhe mendjelehtët janë ata.

Shënimi 184

Kur thua se je i dërguar nga Zoti i botëve.

7:67

قَالَ يَـٰقَوْمِ لَيْسَ بِى سَفَاهَةٌۭ وَلَـٰكِنِّى رَسُولٌۭ مِّن رَّبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ٦٧

Ai tha: “O populli im! Unë nuk kam ndonjë mendjelehtësi, por jam i dërguar nga Zoti i botëve.185

Komentimi 1 shënim

Shënimi 185

Nuk jam mendjelehtë, por jam dërguar vërtet nga Zoti i botëve, që tju komunikoj atë që më urdhëron Ai.

7:68

أُبَلِّغُكُمْ رِسَـٰلَـٰتِ رَبِّى وَأَنَا۠ لَكُمْ نَاصِحٌ أَمِينٌ ٦٨

Unë ju komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju.186

Komentimi 1 shënim

Shënimi 186

Që ju këshilloj vetëm për të mirën tuaj, ashtu si më ka urdhëruar Zoti, pa gënjyer, pa shtuar e pa ndryshuar asgjë.

7:69

أَوَعَجِبْتُمْ أَن جَآءَكُمْ ذِكْرٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ عَلَىٰ رَجُلٍۢ مِّنكُمْ لِيُنذِرَكُمْ ۚ وَٱذْكُرُوٓا إِذْ جَعَلَكُمْ خُلَفَآءَ مِنۢ بَعْدِ قَوْمِ نُوحٍۢ وَزَادَكُمْ فِى ٱلْخَلْقِ بَصْۜطَةًۭ ۖ فَٱذْكُرُوٓا ءَالَآءَ ٱللَّهِ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ ٦٩

A u çuditët që ju erdhi këshillë nga Zoti juaj, nëpërmjet një njeriu prej jush, për t’ju paralajmëruar?187 Kujtoni që Ai ju bëri trashëgues (të Tokës) pas popullit të Nuhut dhe ju shtoi madhësinë e shtatit.188 Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush, në mënyrë që të shpëtoni!”189

Komentimi 3 shënime

Shënimi 187

Nga ndëshkimi i Allahut dhe zemërimi i Tij.

Shënimi 188

Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju bëri zëvendës në Tokë dhe trashëgues të saj, pas popullit Nuhut, me lutjen e të cilit Allahu përmbyti të gjithë njerëzit e Tokës, kur ata e përgënjeshtruan atë; dhe kujtoni që Allahu ju ka bërë më të mëdhenj në trup dhe më të fortë se populli i Nuhut, dhe se të gjithë bashkëkohësit tuaj; si favorizim dhe mirësi ndaj jush; por ata nuk falënderuan Allahun për këtë mirësi, por e shfrytëzuan atë për të terroziruar dhe shtypur popujt e tjerë rreth tyre, dhe nuk e besuan Hudin (Alejhis selam).

Shënimi 189

Falënderoni Allahun për mirësitë e mëdha që ju ka dhuruar, duke adhuruar vetëm Allahun dhe duke ju bindur Atij dhe të dërguarit të Tij, dhe duke ju larguar idhujtarisë dhe shkeljes së Ligjeve të Tij; në mënyrë që të shpëtoni nga ndëshkimi i Allahut dhe të fitoni shpërblimin e Tij.

7:70

قَالُوٓا أَجِئْتَنَا لِنَعْبُدَ ٱللَّهَ وَحْدَهُۥ وَنَذَرَ مَا كَانَ يَعْبُدُ ءَابَآؤُنَا ۖ فَأْتِنَا بِمَا تَعِدُنَآ إِن كُنتَ مِنَ ٱلصَّـٰدِقِينَ ٧٠

Ata thanë:190 “A ke ardhur te ne që të adhurojmë vetëm Allahun, e t’i lëmë ato që adhuronin prindërit tanë?! Atëherë na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je i sinqertë!”191

Komentimi 2 shënime

Shënimi 190

Populli i Adit i tha Hudit, të dërguarit të tyre.

Shënimi 191

Ne nuk do e lëmë adhurimin e idhujve që bënin prindërit tanë, dhe nuk do të pasojmë ty në atë që na fton prej Njësimit të Allahut dhe bindjen ndaj Tij, prandaj na e sill dënimin me të cilin na kërcënon, nëse je i sinqertë dhe nëse fjalët e tua janë të vërteta.

7:71

قَالَ قَدْ وَقَعَ عَلَيْكُم مِّن رَّبِّكُمْ رِجْسٌۭ وَغَضَبٌ ۖ أَتُجَـٰدِلُونَنِى فِىٓ أَسْمَآءٍۢ سَمَّيْتُمُوهَآ أَنتُمْ وَءَابَآؤُكُم مَّا نَزَّلَ ٱللَّهُ بِهَا مِن سُلْطَـٰنٍۢ ۚ فَٱنتَظِرُوٓا إِنِّى مَعَكُم مِّنَ ٱلْمُنتَظِرِينَ ٧١

Ai (Hudi) tha: “Tashmë ka rënë mbi ju pakënaqësi dhe zemërim nga Zoti juaj.192 A më kundërshtoni mua për disa emra (idhujsh), që i keni vendosur vetë ju dhe prindërit tuaj, e për të cilët Allahu nuk ka zbritur kurrfarë argumenti?193 Kështu që pritni, se edhe unë po pres bashkë me ju!”194

Komentimi 3 shënime

Shënimi 192

Me këto fjalë që thatë, e bëtë të detyrueshme rënien e dënimit dhe zemërimit të Zotit tuaj mbi ju.

Shënimi 193

Adhuroni idhuj e zota që vetë ju dhe prindërit tuaj i prodhoni dhe i vendosni emra nga vetja juaj, dhe sigurisht që nuk keni asnjë lloj prove apo leje nga Allahu që të veproni kështu; atëherë me çfarë logjike më kundërshtoni mua, kur ju ftoj të adhuroni vetëm Allahun, Krijuesin tuaj?!

Shënimi 194

Pritni gjykimin e Allahut mes nesh, se edhe unë jam duke e pritur atë; dhe të shohim si do të jetë përfundimi i secilit.

7:72

فَأَنجَيْنَـٰهُ وَٱلَّذِينَ مَعَهُۥ بِرَحْمَةٍۢ مِّنَّا وَقَطَعْنَا دَابِرَ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا ۖ وَمَا كَانُوا مُؤْمِنِينَ ٧٢

Atëherë, Ne e shpëtuam atë (Hudin) dhe ata që ishin me të,195 me mëshirën Tonë,196 dhe i shfarosëm ata që i përgënjeshtruan provat Tona.197 Ata nuk ishin aspak besimtarë.198

Komentimi 4 shënime

Shënimi 195

Besimtarët që i besuan Hudit dhe e pasuan atë në adhurimin e Allahut dhe bindjen ndaj Tij.

Shënimi 196

Allahu i udhëzoi ata në besimin e vërtetë, dhe e bëri besimin e tyre shkak për arritjen e mëshirës së Tij, kështu që i shpëtoi me mëshirën e Tij.

Shënimi 197

I shfarosëm të gjithë dhe nuk lamë asnjë prej tyre që mund t’i trashëgonte. Shfarosja e tyre ishte me anë të erës shkatërruese, e cila nuk linte gjë pa e kthyer në kalbësirë, kudo që të kalonte. Historia e tyre është përmendur në disa sure të Kuranit.

Shënimi 198

Nuk e besonin Allahun dhe as të dërguarin e Tij, Hudin (Alejhis selam), kështu që morën ndëshkimin që merituan.

7:73

وَإِلَىٰ ثَمُودَ أَخَاهُمْ صَـٰلِحًۭا ۗ قَالَ يَـٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَـٰهٍ غَيْرُهُۥ ۖ قَدْ جَآءَتْكُم بَيِّنَةٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ ۖ هَـٰذِهِۦ نَاقَةُ ٱللَّهِ لَكُمْ ءَايَةًۭ ۖ فَذَرُوهَا تَأْكُلْ فِىٓ أَرْضِ ٱللَّهِ ۖ وَلَا تَمَسُّوهَا بِسُوٓءٍۢ فَيَأْخُذَكُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌۭ ٧٣

Ndërsa popullit Themud i dërguam vëllanë e tyre, Salihun.199 Ai u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Vërtet, juve ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj:200 Kjo është deveja e Allahut, si mrekulli për ju.201 Lëreni të kullosë në tokën e Allahut, dhe mos e prekni kurrë për t’i bërë keq, se përndryshe do t’ju zërë ndëshkim i dhembshëm!202

Komentimi 4 shënime

Shënimi 199

Populli Themud është gjithashtu nga pasardhësit e Samit, birit të Nuhut (alejhis selam). Ky popull ka jetuar në Veri të Arabisë Saudite, mes Medines dhe Petras - në Jordani. Vendi i tyre ekziston edhe sot dhe quhet El Hixhr (Hegra-Greqisht), ose Madain Salih. Populli i Themudit ka jetuar pas popullit të Adit.

Shënimi 200

Që vërteton atë në të cilën ju ftoj, për të adhuruar vetëm Allahun pa i shoqëruar asgjë, dhe të më besoni mua që jam i dërguari i Tij tek ju.

Shënimi 201

Allahu e krijoi atë deve nga shkëmbi, si mrekulli për ta, meqenëse i kërkuan Salihut një mrekulli nga Zoti që të besonin se ai ishte i dërguar i Zotit; ata i kërkuan Salihut që nga një shkëmb i caktuar të nxirrte një deve barsë, që sa të dilte nga shkëmbi, të lindte fëmijën e saj. Atëherë Salihu i mori atyre besën dhe premtimin që nëse Allahu do e bënte atë që kërkonin, ata do ta besonin atë dhe gjithçka që ju thoshte. Kur i dhanë besën, Salihu u ngrit të falej dhe t’i lutej Allahut, dhe në atë çast shkëmbi lëvizi dhe u ça duke nxjerrë një deve të madhe me fëmijën e saj në bark që lëvizte për të dalë, ashtu si e kishin kërkuar ata. Atëherë besoi i pari i popullit dhe ata që ishin me të, kurse pjesa tjetër e parisë dhe e popullit nuk besoi për shkak të disave prej tyre që ishin idhujtarë, të cilët i ndaluan të besonin Salihun dhe të linin fenë e të parëve.

Shënimi 202

Lëreni devenë e Allahut të ushqehet vetë, pa u lodhur për ushqyerjen e saj, por thjesht mos i bëni gjë të keqe. Dhe ranë dakord që uji i Burimit të Devesë të ndahej përgjysmë: një ditë të ishte vetëm për devenë, kurse ditën tjetër për njerëzit; por në ditën që burimi ishte vetëm për devenë, njerëzit do të merrnin qumështin e saj, i cili ishte në sasi të madhe që iu mjaftonte për të pirë e për të rezervuar. Kurse në ditën kur kishin rradhën për të pirë nga burimi, ata nuk merrnin nga qumështi i devesë, por mund të rezervonin ujë nga burimi sa të donin, për vete dhe për bagëtitë e tyre. Kaluan disa vite kështu, deri sa më të këqinjtë e tyre e therën devenë, dhe atyre iu erdhi dënimi që iu ishte paralajmëruar.

7:74

وَٱذْكُرُوٓا إِذْ جَعَلَكُمْ خُلَفَآءَ مِنۢ بَعْدِ عَادٍۢ وَبَوَّأَكُمْ فِى ٱلْأَرْضِ تَتَّخِذُونَ مِن سُهُولِهَا قُصُورًۭا وَتَنْحِتُونَ ٱلْجِبَالَ بُيُوتًۭا ۖ فَٱذْكُرُوٓا ءَالَآءَ ٱللَّهِ وَلَا تَعْثَوْا فِى ٱلْأَرْضِ مُفْسِدِينَ ٧٤

Kujtoni që Ai ju bëri trashëgues (të Tokës) pas Adit dhe ju strehoi në Tokë;203 në rrafshinat e saj ndërtoni kështjella, kurse malet i skalitni dhe i bëni shtëpi.204 Kujtoni mirësitë e Allahut dhe mos u bëni çrregullues në Tokë!”205

Komentimi 3 shënime

Shënimi 203

Ju bëri vend në Tokë dhe jua lehtësoi gjithçka ju nevojitet dhe që dëshironi.

Shënimi 204

Të gjitha këto jua mundësoi Allahu duke ju dhënë fuqi dhe duke ju inspiruar që t’i realizoni ato, prandaj falënderoni për mirësitë e Allahut ndaj jush.

Shënimi 205

Mos adhuroni tjetër përveç Allahut dhe mos shkelni urdhrat dhe ndalesat e Allahut.

7:75

قَالَ ٱلْمَلَأُ ٱلَّذِينَ ٱسْتَكْبَرُوا مِن قَوْمِهِۦ لِلَّذِينَ ٱسْتُضْعِفُوا لِمَنْ ءَامَنَ مِنْهُمْ أَتَعْلَمُونَ أَنَّ صَـٰلِحًۭا مُّرْسَلٌۭ مِّن رَّبِّهِۦ ۚ قَالُوٓا إِنَّا بِمَآ أُرْسِلَ بِهِۦ مُؤْمِنُونَ ٧٥

Ata që bënë mendjemadhësi, nga paria e popullit të tij,206 u thanë të dobtëve që kishin besuar:207 “A e dini me siguri që Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?”208 Ata thanë: “Sigurisht, ne besojmë në gjithçka me të cilën ai është dërguar (nga Allahu).”209

Komentimi 4 shënime

Shënimi 206

Ata që bënë mendjemadhësi ndaj pasimit të Salihut dhe besimit të Allahut; duke mos e pasuar Salihun dhe duke mos e besuar Allahun.

Shënimi 207

Iu drejtuan besimtarëve të dobët e të varfër, dhe jo atyre që ishin të pasur dhe pjesë e parisë.

Shënimi 208

A jeni të sigurtë dhe a keni dije të vërtetë që Allahu e ka dërguar Salihun tek ne për të na ftuar në besimin dhe rrugën e vërtetë? Duke pasur qëllim që t’i largojnë nga pasimi i Salihut dhe nga besimi i vërtetë.

Shënimi 209

Prej të vërtetës dhe udhëzimit; Ne e besojmë se ai është dërguar nga Allahu dhe se ato që na thotë ai, ia ka urdhëruar Allahu.

7:76

قَالَ ٱلَّذِينَ ٱسْتَكْبَرُوٓا إِنَّا بِٱلَّذِىٓ ءَامَنتُم بِهِۦ كَـٰفِرُونَ ٧٦

Ata që bënë mendjemadhësi thanë: “Ne jemi mohues të asaj që besoni ju.”210

Komentimi 1 shënim

Shënimi 210

Mohues dhe refuzues të profetësisë së Salihut dhe të gjithçkaje që i ishte shpallur atij nga Allahu.

7:77

فَعَقَرُوا ٱلنَّاقَةَ وَعَتَوْا عَنْ أَمْرِ رَبِّهِمْ وَقَالُوا يَـٰصَـٰلِحُ ٱئْتِنَا بِمَا تَعِدُنَآ إِن كُنتَ مِنَ ٱلْمُرْسَلِينَ ٧٧

Dhe e therën devenë, përbuzën urdhrin e Zotit të tyre211 dhe thanë: “O Salih! Na e sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je vërtet prej të dërguarve!”212

Komentimi 2 shënime

Shënimi 211

Therën devenë e Allahut që ju kishte ardhur si provë dhe mrekulli nga Allahu, dhe përbuzën urdhrin e Tij me mendjemadhësi e kryeneçësi.

Shënimi 212

Nëse je vërtetë i dërguar nga Allahu, atëherë na e sill dënimin me të cilin na kërcënove nëse do e thernim devenë e Allahut.

7:78

فَأَخَذَتْهُمُ ٱلرَّجْفَةُ فَأَصْبَحُوا فِى دَارِهِمْ جَـٰثِمِينَ ٧٨

Atëherë i erdhi dridhja e fortë,213 dhe ata u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre.214

Komentimi 2 shënime

Shënimi 213

Populli Themud u ndëshkua dhe u shfaros me një zë shumë të fortë nga qielli, i cili shkaktoi edhe dridhje të fortë.

Shënimi 214

Ndëshkimi i erdhi para agimit, dhe ata u gdhinë të vdekur në vendin dhe tokën e tyre.

7:79

فَتَوَلَّىٰ عَنْهُمْ وَقَالَ يَـٰقَوْمِ لَقَدْ أَبْلَغْتُكُمْ رِسَالَةَ رَبِّى وَنَصَحْتُ لَكُمْ وَلَـٰكِن لَّا تُحِبُّونَ ٱلنَّـٰصِحِينَ ٧٩

Ai (Salihu) u largua prej tyre215 dhe tha: “O populli im! Unë jua komunikova mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë.”216

Komentimi 2 shënime

Shënimi 215

Kur ata therën devenë e Allahut dhe i kërkuan zbritjen e dënimit, ai u largua prej tyre dhe doli nga toka e tyre, sepse Allahu i shpalli që dënimi i tyre do të zbriste pas tri ditëve; dhe nuk mund të dënohet një popull kur profeti i tij vazhdon të jetë në mesin e tyre.

Shënimi 216

Nuk i donit ata që ju këshillojnë për Hir të Allahut; që ju urdhërojnë të adhuroni vetëm Allahun dhe t’i bindeni atij, me qëllim që të fitoni në këtë botë dhe në botën tjetër; dhe që ju ndalojnë nga idhujtaria dhe shkelja e ndalesave të Allahut, që të mos ndëshkoheni në këtë botë dhe në botën tjetër.

7:80

وَلُوطًا إِذْ قَالَ لِقَوْمِهِۦٓ أَتَأْتُونَ ٱلْفَـٰحِشَةَ مَا سَبَقَكُم بِهَا مِنْ أَحَدٍۢ مِّنَ ٱلْعَـٰلَمِينَ٨٠

(Kujto) Edhe Lutin,217 kur i tha popullit të vet:218 “A po bëni veprën e shëmtuar që nuk e ka bërë askush para jush, në asnjë botë?219

Komentimi 3 shënime

Shënimi 217

Kujto edhe Lutin, o Muhamed; ose “Dërguam edhe Lutin”. Luti është i biri Haranit, i biri i Azerit, ose biri i vëllait të Ibrahimit (Paqa dhe siguria e Allahut qoftë mbi të dy ata!). Luti besoi bashkë me Ibrahimin, që kur ishin në Persi, dhe emigruan së bashku në tokat e Levantit (rreth Palestinës).

Shënimi 218

Populli i Lutit quhej Sedum.

Shënimi 219

As në botën e njerëzve, as në botën e xhinëve dhe në asnjë botë tjetër të krijesave të Allahut. Populli i Lutit ishte i pari që bëri veprën e turpshme dhe të shëmtuar të shkuarjes së mashkullit me mashkull, pra kryerjen e marrëdhënieve intime mes të njëjtës gjini.

7:81

إِنَّكُمْ لَتَأْتُونَ ٱلرِّجَالَ شَهْوَةًۭ مِّن دُونِ ٱلنِّسَآءِ ۚ بَلْ أَنتُمْ قَوْمٌۭ مُّسْرِفُونَ ٨١

Po i afroheni meshkujve me epsh, në vend të femrave.220 Vërtet, ju jeni një popull që e teproni!”221

Komentimi 2 shënime

Shënimi 220

Në vend që meshkujt e atij populli t’i afroheshin femrave, siç e ka lejuar dhe caktuar Allahu për martesë, ata i afroheshin meshkujve të tjerë me epsh, për të kryer veprën e turpshme dhe të neveritshme, që nuk e kishte kryer askush para tyre, dhe për të cilën morën ndëshkimin e rëndë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Shënimi 221

Që shkelni ligjet e Allahut më së shumti dhe në mënyrën më të shëmtuar.

7:82

وَمَا كَانَ جَوَابَ قَوْمِهِۦٓ إِلَّآ أَن قَالُوٓا أَخْرِجُوهُم مِّن قَرْيَتِكُمْ ۖ إِنَّهُمْ أُنَاسٌۭ يَتَطَهَّرُونَ٨٢

Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte ndryshe, por të thoshin: “Dëbojini ata nga qyteti juaj!222 Ata janë njerëz që pastrohen!”223

Komentimi 2 shënime

Shënimi 222

Dëboni Lutin dhe ata që kanë besuar bashkë me të.

Shënimi 223

Që janë të pastër nga mëkati i shëmtuar që bënin ata, dhe që pastrohen fizikisht gjithashtu. Janë të pastër nga afrimi në vendin e jashtëqitjes (anusin) e burrave apo të grave.

7:83

فَأَنجَيْنَـٰهُ وَأَهْلَهُۥٓ إِلَّا ٱمْرَأَتَهُۥ كَانَتْ مِنَ ٱلْغَـٰبِرِينَ ٨٣

Atëherë, Ne e shpëtuam atë (Lutin) dhe familjen e tij,224 me përjashtim të gruas së tij, e cila ishte nga të mbeturit.225

Komentimi 2 shënime

Shënimi 224

Sepse askush nga populli i tij nuk besoi, përveç familjes së tij; dhe nga familja e tij, gruaja e tij nuk besoi, kështu që u dënua bashkë me ata që u dënuan.

Shënimi 225

Nga të mbeturit që do ju vinte dënimi; Allahu e urdhëroi Lutin që dilte nga qyteti natën, bashkë me familjen e tij, sepse dënimi do të vinte në mëngjes; dhe ai doli nga qyteti bashkë me familjen, përveç gruas së tij, e cila ishte një prej mosbesimtarëve dhe prej atyre që mbetën dhe përjetuan dënimin e rëndë.

7:84

وَأَمْطَرْنَا عَلَيْهِم مَّطَرًۭا ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلْمُجْرِمِينَ ٨٤

Dhe mbi ta226 lëshuam një rrebesh (gurësh).227 Shiko, si ishte përfundimi i keqbërësve!228

Komentimi 3 shënime

Shënimi 226

Populin e Lutit që nuk besuan dhe nuk u kthyen nga vepra e tyre e shëmtuar.

Shënimi 227

Rrebesh gurësh argjilor që ranë nga qielli.

Shënimi 228

Shiko, si ishte përfundimi i atyre që përgënjestruan Allahun dhe të dërguarin e Tij, Lutin; dhe që bënë mëkatin më të shëmtuar, duke i lejuar vetes homoseksualitetin që Allahu ia kishte ndaluar rreptësisht; A nuk ishte përfundimi i tyre shkatërrimi dhe ndëshkimi i tmerrshëm në këtë botë, dhe dënimi më i madh i pret në botën tjetër; po kështu do të jetë përfundimi dhe ndëshkimi i atyre që të përgjënjeshtrojnë ty, o Muhamed, në rast se nuk pendohen dhe nuk kthehen në rrugën e drejtë dhe besimin e vërtetë.

7:85

وَإِلَىٰ مَدْيَنَ أَخَاهُمْ شُعَيْبًۭا ۗ قَالَ يَـٰقَوْمِ ٱعْبُدُوا ٱللَّهَ مَا لَكُم مِّنْ إِلَـٰهٍ غَيْرُهُۥ ۖ قَدْ جَآءَتْكُم بَيِّنَةٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ ۖ فَأَوْفُوا ٱلْكَيْلَ وَٱلْمِيزَانَ وَلَا تَبْخَسُوا ٱلنَّاسَ أَشْيَآءَهُمْ وَلَا تُفْسِدُوا فِى ٱلْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَـٰحِهَا ۚ ذَٰلِكُمْ خَيْرٌۭ لَّكُمْ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ ٨٥

Edhe popullit të Medjenit229 i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.230 Vërtet, juve ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj,231 prandaj përmbusheni matjen dhe peshimin, mos ua hani njerëzve hakun dhe mos bëni çrregullime në tokë, pas rregullimit të saj.232 Kjo është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë!233

Komentimi 5 shënime

Shënimi 229

Populli i Medjenit janë pasardhësit e Medjanit, të birit të Ibrahimit (alejhis selam). Medjen quhet edhe populli, po edhe qyteti ku kanë banuar, i cili ka qenë pranë qytetit Mean, në Jordan. Ata janë quajtur gjithashtu Banorët e Ejkes, siç do të përmendet më pas në suren Es Shuara, 176-190. Në këtë qytet emigroi edhe Musai (alejhis selam) për 8 apo 10 vjet, siç është përmendur në Suren El Kasas, ajeti 23].

Shënimi 230

Kjo ka qenë thirrja e të gjithë profetëve.

Shënimi 231

Që vërteton atë në të cilën ju ftoj, për të adhuruar vetëm Allahun pa i shoqëruar asgjë, dhe të më besoni mua që jam i dërguari i Tij tek ju.

Shënimi 232

Mos veproni në kundërshtim me urdhrin e Allahut në Tokë, se kështu e prishni rregullin e saj, të vendosur nga i Dërguari i Allahut tek ju, i cili urdhëron për të mirën dhe ndalon nga e keqja.

Shënimi 233

Këto këshilla janë më të mira për ju, në këtë botë dhe në botën tjetër, nëse më besoni muaj dhe atë që më shpallet nga Allahu.

7:86

وَلَا تَقْعُدُوا بِكُلِّ صِرَٰطٍۢ تُوعِدُونَ وَتَصُدُّونَ عَن سَبِيلِ ٱللَّهِ مَنْ ءَامَنَ بِهِۦ وَتَبْغُونَهَا عِوَجًۭا ۚ وَٱذْكُرُوٓا إِذْ كُنتُمْ قَلِيلًۭا فَكَثَّرَكُمْ ۖ وَٱنظُرُوا كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلْمُفْسِدِينَ ٨٦

Mos zini pritë në çdo rrugë, duke kërcënuar234 dhe penguar nga rruga e Allahut ata që e besojnë Atë,235 dhe duke dëshiruar shtrembërimin e saj!236 Kujtoni kur ishit të paktë në numër, e Ai ju shumoi,237 dhe shikoni si ishte fundi i çrregulluesve!238

Komentimi 5 shënime

Shënimi 234

Duke kërcënuar njerëzit me vrasje për t’iu marrë pasurinë.

Shënimi 235

Duke penguar besimtarët që shkonin te Shuajbi (Alejhis selam) për ta pasuar atë.

Shënimi 236

Do të donit që rruga e Allahut të ishte e shtrembër dhe që ju t’i jepnit drejtimin që dëshironit, ndërkohë që detyra juaj është që ta respektoni, ta madhëroni dhe ta ndiqni atë rrugë që Allahu e shtriu dhe e drejtoi për robët e Tij, me qëllim që ajo rrugë t’i drejtojë ata te Allahu, kënaqësia e Tij dhe xheneti i Tij. Ka gjithashtu kuptimin që ata dëshirojnë dhe ruajnë që besimtarët të rrëshqasin dhe të dalin nga rruga e drejtë, në humbje.

Shënimi 237

Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, i Cili e shtoi numrin tuaj pasi kishit qenë shumë pak në numër, dhe ju ngriti mbi popujt e tjerë pasi kishit qenë të përulur dhe të përçmuar; pra falënderoni Allahun për mirësitë e Tij dhe adhuroni vetëm Atë, dhe ruajuni ndëshkimit të Tij në rast se nuk ktheheni në rrugën e Drejtë.

Shënimi 238

Shikoni si përfunduan ata që kanë qenë para jush kur kundërshtuan urdhrin e Allahut dhe nuk i besuan të dërguarve të Allahut tek ata; disa i mbyti me ujë, disa i shfarosi me erë të fortë, disa me zë të fortë, disa me gura nga qielli; kështu do të jetë edhe fundi juaj, në rast se nuk më besoni mua (Shuajbin), të dërguarin e Allahut tek ju.

7:87

وَإِن كَانَ طَآئِفَةٌۭ مِّنكُمْ ءَامَنُوا بِٱلَّذِىٓ أُرْسِلْتُ بِهِۦ وَطَآئِفَةٌۭ لَّمْ يُؤْمِنُوا فَٱصْبِرُوا حَتَّىٰ يَحْكُمَ ٱللَّهُ بَيْنَنَا ۚ وَهُوَ خَيْرُ ٱلْحَـٰكِمِينَ ٨٧

Meqenëse një grup prej jush besoi në atë me të cilën jam dërguar,239 ndërsa grupi tjetër nuk besoi,240 atëherë, duroni derisa Allahu të gjykojë mes nesh, e Ai është Gjykatësi më i mirë!”241

Komentimi 3 shënime

Shënimi 239

Në njësimin e Allahut në adhurim, në lënien e mëkateve dhe lënien e padrejtësisë ndaj njerëzve, mosngrënien në kandar; duke më besuar dhe pasur mua.

Shënimi 240

Grupi që nuk besoi ishte shumica.

Shënimi 241

Që gjykon me drejtësi dhe që nuk i bën padrejtësi askujt; dhe atëherë do të triumfojë e vërteta, dhe ndëshkimi do të bjerë mbi çrregulluesit keqbërës.

7:88

۞ قَالَ ٱلْمَلَأُ ٱلَّذِينَ ٱسْتَكْبَرُوا مِن قَوْمِهِۦ لَنُخْرِجَنَّكَ يَـٰشُعَيْبُ وَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا مَعَكَ مِن قَرْيَتِنَآ أَوْ لَتَعُودُنَّ فِى مِلَّتِنَا ۚ قَالَ أَوَلَوْ كُنَّا كَـٰرِهِينَ ٨٨

Ata që bënë mendjemadhësi242 nga paria e popullit të tij thanë: “Ose do të dëbojmë nga qyteti ynë, o Shuajb, ty bashkë me ata që kanë besuar, ose do të ktheheni në fenë tonë!”243 Ai (Shuajbi) tha: “Edhe nëse e urrejmë atë?!244

Komentimi 3 shënime

Shënimi 242

Ndaj besimit në Allah dhe në atë që i ftonte Shuajbi (alejhis selam).

Shënimi 243

Kur Shuajbi (alejhis selam) i paralajmëroi ata për dënimin e Allahut, nëse ata nuk do i besonin atij dhe nuk do i bindeshin urdhrit të Allahut, ata e kërcënuan me dëbim nga qyteti i tyre, bashkë me besimtarët që e pasonin atë, ose të ktheheshin në fenë e tyre të idhujtarisë.

Shënimi 244

A do të na detyroni me forcë që të futemi në fenë tuaj të pavërtetë, ndërkohë që ne e urrejmë atë dhe ju ftojmë me të mirë dhe logjikë që të adhuroni vetëm Krijuesin tuaj dhe t’i bindeni Atij, pa i shoqëruar asgjë?!

7:89

قَدِ ٱفْتَرَيْنَا عَلَى ٱللَّهِ كَذِبًا إِنْ عُدْنَا فِى مِلَّتِكُم بَعْدَ إِذْ نَجَّىٰنَا ٱللَّهُ مِنْهَا ۚ وَمَا يَكُونُ لَنَآ أَن نَّعُودَ فِيهَآ إِلَّآ أَن يَشَآءَ ٱللَّهُ رَبُّنَا ۚ وَسِعَ رَبُّنَا كُلَّ شَىْءٍ عِلْمًا ۚ عَلَى ٱللَّهِ تَوَكَّلْنَا ۚ رَبَّنَا ٱفْتَحْ بَيْنَنَا وَبَيْنَ قَوْمِنَا بِٱلْحَقِّ وَأَنتَ خَيْرُ ٱلْفَـٰتِحِينَ ٨٩

Ne do trillonim gënjeshtër ndaj Allahut, nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi prej saj.245 Neve nuk na lejohet të kthehemi në të,246 përveç nëse do Allahu, Zoti ynë.247 Zoti ynë përfshin çdo gjë me dijen e Vet.248 Ne mbështetemi tek Allahu.249 - O Zoti ynë! Gjyko mes nesh dhe popullit tonë me të drejtën!250 Ti je Gjykatësi më i mirë!”251

Komentimi 7 shënime

Shënimi 245

Si mund ta lëmë të vërtetën dhe udhëzimin që na ka dhuruar Allahu, dhe të kthehemi në idhujtari dhe humbje të sigurtë, pasi që Allahu na bëri ta shikojmë realitetin.

Shënimi 246

Në fenë tuaj të trilluar, dhe të lëmë fenë e vërtetë të Allahut.

Shënimi 247

Përveç nëse për ndonjë nga ne është shkruar kështu nga Allahu, atëherë do të zbatohet caktimi i Tij, e Ai ka në dorë gjithçka.

Shënimi 248

Allahu di gjithçka që ka qenë dhe gjithçka që do të vijë, dhe nëse Allahu di për ne që më parë se ne do të kthehemi në fenë tuaj, atëherë kjo do të ndodhë, përndryshe ne kurrë nuk do të kthehemi në fenë tuaj, dhe Allahu kurrë nuk e dëshiron idhujtarinë për robërit e Tij.

Shënimi 249

Për çdo çështje dhe për të na mbrojtur nga kërcënimi juaj, e Allahu është mbrojtës i atij që mbështetet tek Ai.

Shënimi 250

Pasi i hoqi shpresat se populli i tij mund të udhëzohej në rrugën e drejtë, dhe pasi u frikësua për besimtarët që ishin me të se mos i vinte ndonjë e keqe nga mosbesimtarët dhe të padrejtët, atëherë Shuajbi iu lut Allahut kundër popullit të tij, që të gjykonte mes tyre me gjykimin e Tij të drejtë, sipas të cilit do të zbriste dënimin mbi mosbesimtarët dhe do të shpëtonte besimtarët.

Shënimi 251

Dhe më i drejtë, që i jep secilit atë që meriton dhe askujt nuk i bën as padrejtësinë më të vogël.

7:90

وَقَالَ ٱلْمَلَأُ ٱلَّذِينَ كَفَرُوا مِن قَوْمِهِۦ لَئِنِ ٱتَّبَعْتُمْ شُعَيْبًا إِنَّكُمْ إِذًۭا لَّخَـٰسِرُونَ ٩٠

Paria që nuk besoi nga populli i tij, tha: “Nëse pasoni Shuajbin, atëherë, padyshim që do të jeni të humbur.”252

Komentimi 1 shënim

Shënimi 252

Nëse besoni Shuajbin dhe lini fenë tuaj dhe të prindërve tuaj, do të humbni dhe do të shkatërroheni.

7:91

فَأَخَذَتْهُمُ ٱلرَّجْفَةُ فَأَصْبَحُوا فِى دَارِهِمْ جَـٰثِمِينَ ٩١

Atëherë u erdhi dridhja e fortë, dhe ata u gdhinë kufoma të ngrira në shtëpitë e tyre.253

Komentimi 1 shënim

Shënimi 253

Dënimi i Allahut mbi popullin e Shuajbit ishte ashtu si e meritonin, si i kërcënonin besimtarët dhe siç e kërkuan edhe vetë ata; një re e madhe dhe e errët nga qielli lëshonte mbi ta rrufe dhe flakë, pastaj iu erdhi një zë i fortë dhe i tmerrshëm nga qielli, dhe në njëjtën kohë edhe dridhje e fortë nga toka, dhe kështu ata u gdhinë kufoma të vdekura në shtëpitë e tyre. Dënimi i tyre është përshkruar në disa Sure të Kuranit, si: Hud, 94; dhe Esh Shuara, 189.

7:92

ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا شُعَيْبًۭا كَأَن لَّمْ يَغْنَوْا فِيهَا ۚ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا شُعَيْبًۭا كَانُوا هُمُ ٱلْخَـٰسِرِينَ٩٢

Ata që përgënjeshtruan Shuajbin, sikur të mos kishin jetuar kurrë aty;254 ata që përgënjeshtruan Shuajbin, ata ishin vërtet të humburit.255

Komentimi 2 shënime

Shënimi 254

U shfarosën sikur të mos kishin ekzistuar dhe të mos kishin jetuar ndonjëherë në atë vend.

Shënimi 255

Dhe jo besimtarët që pasuan Shuajbin (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!), siç thonin mosbesimtarët.

7:93

فَتَوَلَّىٰ عَنْهُمْ وَقَالَ يَـٰقَوْمِ لَقَدْ أَبْلَغْتُكُمْ رِسَـٰلَـٰتِ رَبِّى وَنَصَحْتُ لَكُمْ ۖ فَكَيْفَ ءَاسَىٰ عَلَىٰ قَوْمٍۢ كَـٰفِرِينَ ٩٣

Ai (Shuajbi) u largua prej tyre256 dhe tha: “O populli im! Unë jua komunikova mesazhet e Zotit tim, dhe ju këshillova,257 kështu që si të hidhërohem për një popull mohues?!”258

Komentimi 3 shënime

Shënimi 256

Kur pa se dënimi i Allahut do të zbriste mbi popullin e tij përgënjeshtrues dhe nuk kishte më kthim.

Shënimi 257

Me të gjitha mënyrat, që t’i bindeshit Allahut dhe t’i largoheshit ndalesave të Tij, përndryshe do ju vinte dënim i rëndë, por ju nuk dëgjuat, por i refuzuat këshillat e mia dhe provat e Allahut me mendjemadhësi, kështu që merituat dënimin.

Shënimi 258

Si të më vijë keq dhe si të mërzitem për dënimin e një populli që e mohoi Allahun dhe të dërgarin e Allahut.

7:94

وَمَآ أَرْسَلْنَا فِى قَرْيَةٍۢ مِّن نَّبِىٍّ إِلَّآ أَخَذْنَآ أَهْلَهَا بِٱلْبَأْسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ لَعَلَّهُمْ يَضَّرَّعُونَ٩٤

Nuk ka qytet ku të kemi dërguar Lajmëtar,259 dhe banorët i tij të mos i kemi sprovuar me skamje dhe fatkeqësi, në mënyrë që të përuleshin.260

Komentimi 2 shënime

Shënimi 259

Lajmëtar të Allahut nga vetë mesi i tyre, i cili i ftonte ata në adhurimin e Allahut dhe i ndalonte nga idhujtaria dhe veprat e këqia.

Shënimi 260

Që t’i përuleshin Allahut dhe të ktheheshin tek Ai të penduar dhe duke i kërkuar falje. Pra, skamja dhe fatkeqësia mund të jenë tërheqje e vërejtjes nga Allahu, në mënyrë që të kthehesh nga rruga e gabuar apo mëkati, dhe t’i kërkosh Allahut falje me pendesë dhe përulje.

7:95

ثُمَّ بَدَّلْنَا مَكَانَ ٱلسَّيِّئَةِ ٱلْحَسَنَةَ حَتَّىٰ عَفَوا وَّقَالُوا قَدْ مَسَّ ءَابَآءَنَا ٱلضَّرَّآءُ وَٱلسَّرَّآءُ فَأَخَذْنَـٰهُم بَغْتَةًۭ وَهُمْ لَا يَشْعُرُونَ ٩٥

Pastaj ua shndërronim të keqen me të mirën,261 deri sa shtoheshin e begatoheshin;262 ndërsa ata thonin: “Edhe etërit tanë prekeshin nga e keqa dhe nga e mira.”263 Atëherë Ne i dënonim ata papritmas dhe pa e kuptuar.264

Komentimi 4 shënime

Shënimi 261

I largonim fatkeqësinë dhe i jepnim shëndet e bollëk.

Shënimi 262

Shtoheshin me fëmijë dhe begati.

Shënimi 263

Në vend që të falënderonin Allahun për largimin e fatkeqësisë dhe zëvendësimin e saj me mirësi e begati, ata thonin që kështu ka ndodhur edhe me prindërit dhe të parët tanë, kështu ndodh edhe me ne; herë goditemi me fatkeqësi dhe herë na vjen e mira; duke harruar dhe duke mos e ditur se e mira vazhdon të qëndrojë me njeriun në rast se ai falënderon Allahun për të dhe vazhdon në bindje ndaj Tij, dhe në të kundërt, e mira ngrihet dhe vendin e saj e zë e keqja, e cila vjen papritur dhe pa e kuptuar, nëse ai nuk falënderon për të dhe vepron në mosbindja ndaj Allahut. Kurse besimtari qëndron gjithnjë mes falënderimit dhe durimit; nëse i vjen mira, ai falënderon Allahun, e nëse e godet ndonjë e keqe, ai duron dhe i drejtohet ALlahut me falje e lutje që t’ia largojë atë.

Shënimi 264

Duke mos e pritur dhe duke mos e besuar që do iu vinte dënimi; dhe kur iu vinte papritmas, nuk e kuptonin që i kishte zënë dënimi.

7:96

وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ ٱلْقُرَىٰٓ ءَامَنُوا وَٱتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِم بَرَكَـٰتٍۢ مِّنَ ٱلسَّمَآءِ وَٱلْأَرْضِ وَلَـٰكِن كَذَّبُوا فَأَخَذْنَـٰهُم بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ ٩٦

Sikur banorët e atyre qyteteve265 të besonin dhe të ruheshin,266 Ne do t’u hapnim atyre begati nga qielli dhe Toka,267 por ata përgënjeshtruan,268 kështu që i dënuam për atë që vepronin.269

Komentimi 5 shënime

Shënimi 265

Që Ne u dërguam të dërguar.

Shënimi 266

Të besonin Allahun dhe të dërguarin e tyre, dhe t’i ruheshin Allahut dhe ndëshkimit të Tij duke iu larguar ndalesave të Tij dhe duke vepruar ato që Ai pëlqen dhe urdhëron.

Shënimi 267

Do i zbrisnim shi nga qielli dhe do i bënim tokat e tyre të jepnin prodhime të bollshme.

Shënimi 268

Allahun dhe të dërguarin e Tij.

Shënimi 269

Për atë që fituan me veprat e tyre të këqia; mohimi i Allahut dhe provave të Tij.

7:97

أَفَأَمِنَ أَهْلُ ٱلْقُرَىٰٓ أَن يَأْتِيَهُم بَأْسُنَا بَيَـٰتًۭا وَهُمْ نَآئِمُونَ ٩٧

Atëherë, a ndiheshin të sigurt banorët e qyteteve270 nga ardhja e dënimit Tonë natën, ndërsa ishin në gjumë?!271

Komentimi 2 shënime

Shënimi 270

Banorët mohues dhe përgënjeshtrues të Allahut dhe të dërguarve të Tij.

Shënimi 271

A ndiheshin të sigurt nga ardhja e dënimit të Allahut papritmas, për shkak të mohimit dhe përgënjeshtrimit të tyre? Si mund të ndiheshin të sigurt nga rdhja e dënimitë të Allahut kur ata e përgënjeshtronin Allahun dhe të dërguarin e Tij tek ata?!

7:98

أَوَأَمِنَ أَهْلُ ٱلْقُرَىٰٓ أَن يَأْتِيَهُم بَأْسُنَا ضُحًۭى وَهُمْ يَلْعَبُونَ ٩٨

Apo, a ndiheshin të sigurt banorët e qyteteve nga ardhja e dënimit Tonë paradite, ndërsa argëtoheshin?!272

Komentimi 1 shënim

Shënimi 272

Dhe nuk e prisnin që t’iu vinte dënimi, megjithëse bënin vepra që meritonin të dënoheshin.

7:99

أَفَأَمِنُوا مَكْرَ ٱللَّهِ ۚ فَلَا يَأْمَنُ مَكْرَ ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْقَوْمُ ٱلْخَـٰسِرُونَ ٩٩

Atëherë, a ndiheshin ata të sigurt nga plani i Allahut?273 Por, askush nuk ndihet i sigurt nga plani i Allahut, përveç njerëzve humbës.274

Komentimi 2 shënime

Shënimi 273

I cili i tërheq dhe josh ata me disa të mira të përkohshme të kësaj bote, shëndet e jetë të mirë, megjithëse ata vazhdojnë në mosbesimin dhe mëkatet e tyre.

Shënimi 274

Ai që ndihet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut, megjithëse vazhdon në mohim dhe mëkat ndaj Allahut, ai nuk e beson shpërblimin për veprat që kryen njeriu në këtë botë, dhe as nuk i ka besuar të dërguarit e Allahut; padyshim se ky është humbësi i vërtetë në këtë botë dhe në botën tjetër. Besimtari i vërtetë duhet të ketë vazhdimisht frikë se mos sprovohet me ndonjë sprovë e cila i zhvesh besimin, dhe duhet që vazhdimisht të lutet me lutjen që na ka mësuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!): “O përmbysës i zemrave! Forcoje dhe bëje të qëndrueshme zemrën time në fenë Tënde!”; dhe të vazhdojë me punë të mira dhe përmendje të Allahut në çdo kohë, dhe veçanërisht në kohë sprove; sepse askush nuk e di përfundimin e vet dhe askush nuk është i sigurt deri sa të futet në xhenet.

7:100

أَوَلَمْ يَهْدِ لِلَّذِينَ يَرِثُونَ ٱلْأَرْضَ مِنۢ بَعْدِ أَهْلِهَآ أَن لَّوْ نَشَآءُ أَصَبْنَـٰهُم بِذُنُوبِهِمْ ۚ وَنَطْبَعُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ فَهُمْ لَا يَسْمَعُونَ ١٠٠

A nuk u është bërë e qartë atyre që trashëguan Tokën pas banorëve të saj (të mëparshëm), se, nëse duam Ne, i dënojmë ata për mëkatet e tyre?275 Por, Ne ua vulosim zemrat,276 kështu që, ata nuk dëgjojnë.277

Komentimi 3 shënime

Shënimi 275

Ashtu si ndëshkuam popujt e mëparshëm idhujtarë për shkak të veprave të tyre, duke ua shpejtuar dënimin në këtë botë, për t’i pritur dënimi i botës tjetër që është edhe më i rëndë dhe i përhershëm; A nuk marrin mësim pasardhësit nga paraardhësit e tyre?!

Shënimi 276

Zemrat e tyre vulosen dhe nxihen, sa që drita nuk mund të hyjë në to, dhe e mira nuk mund t’i arrijë ato.

Shënimi 277

Nuk dëgjojnë të vërtetën dhe atë që iu bën dobi, por dëgjojnë provat me të cilat iu ngrihet argumenti dhe nuk i mbetet justifikim.

7:101

تِلْكَ ٱلْقُرَىٰ نَقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنۢبَآئِهَا ۚ وَلَقَدْ جَآءَتْهُمْ رُسُلُهُم بِٱلْبَيِّنَـٰتِ فَمَا كَانُوا لِيُؤْمِنُوا بِمَا كَذَّبُوا مِن قَبْلُ ۚ كَذَٰلِكَ يَطْبَعُ ٱللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِ ٱلْكَـٰفِرِينَ ١٠١

Ne po të tregojmë ty (o Muhamed) disa nga ngjarjet e atyre qyteteve.278 Vërtet, të dërguarit e tyre u erdhën me prova të qarta, por ata nuk do të besonin diçka që e kishin mohuar më parë.279 Kështu ua vulos Allahu zemrat mohuesve.280

Komentimi 3 shënime

Shënimi 278

Disa ngjarje dhe çështje që lidhen me popullin e Nuhut, Adit, Themudit, Lutit dhe Shuajbit; se si vepruan mosbesimtarët me të dërguarit e Allahut dhe çfarë përfundimi patën ata, me qëllim që përgënjeshtarët nga populli yt, o Muhamed, të marrin mësim dhe të mos ndjekin rrugën e atyre të parëve, se përndryshe do të përfundojnë si ata; por të ndjekin dhe të pasojnë ty dhe atë që ti iu komunikon nga Allahu.

Shënimi 279

Që e kishin mohuar kur e dëgjuan për herë të parë; ose që e kishin mohuar më parë në dijen e Allahut kur Ai i nxori ata nga palca e Ademit dhe ata dëshmuan se Ai është Zoti i tyre.

Shënimi 280

Ashtu si ua vulosi zemrat atyre që mohuan Allahun dhe të dërguarit e Tij më parë, po ashtu ia vulos edhe atyre që nuk të besuan ty, o Muhamed.

7:102

وَمَا وَجَدْنَا لِأَكْثَرِهِم مِّنْ عَهْدٍۢ ۖ وَإِن وَجَدْنَآ أَكْثَرَهُمْ لَفَـٰسِقِينَ ١٠٢

Për shumicën e tyre, Ne nuk gjetëm ndonjë besëlidhje;281 madje gjetëm se shumica e tyre ishin të pabindur.282

Komentimi 2 shënime

Shënimi 281

Shumica e banorëve të atyre qyteteve që Ne shkatërruam dhe që treguam më sipër, nuk e zbatonin besëlidhjen e Allahut dhe porosinë eTij ditën kur i nxori nga palca e Ademit; si dhe nuk i bindeshin urdhrave të Allahut që ia komunikoi nëpërmjet të dërguarve të Tij.

Shënimi 282

Të pabindur ndaj Allahut, që e shkelnin besën dhe porosinë e Tij.

7:103

ثُمَّ بَعَثْنَا مِنۢ بَعْدِهِم مُّوسَىٰ بِـَٔايَـٰتِنَآ إِلَىٰ فِرْعَوْنَ وَمَلَإِيهِۦ فَظَلَمُوا بِهَا ۖ فَٱنظُرْ كَيْفَ كَانَ عَـٰقِبَةُ ٱلْمُفْسِدِينَ ١٠٣

Pas tyre,283 Ne dërguam Musain me provat Tona, te Faraoni dhe paria e tij, por ata u treguan të padrejtë ndaj tyre (provave).284 Pra, shiko si ishte përfundimi i shkatërruesve!285

Komentimi 3 shënime

Shënimi 283

Të dërguarve që dërguam në popujt e mëparshëm që u përmendën më sipër.

Shënimi 284

Nuk u përulën para provave dhe mrekullive që u solli Musai, ashtu si i takonte dhe si e meritonin, por i mohuan ato.

Shënimi 285

Shiko, o Muhamed, si ishte përfundimi i atyre që bëjnë shkatërrime dhe çrregullime në Tokë; d.m.th. përfundimi i Faraonit dhe njerëzve të tij, të cilët mohuan provat dhe mrekullitë që u solli Musai (alejhis selam); që të gjithë ata u mbytën në det.

7:104

وَقَالَ مُوسَىٰ يَـٰفِرْعَوْنُ إِنِّى رَسُولٌۭ مِّن رَّبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ١٠٤

Musai tha:286 “O Faraon! Me të vërtetë, unë jam një i dërguar nga Zoti i botëve!287

Komentimi 2 shënime

Shënimi 286

Kur shkoi te Faraoni për ta ftuar në besim dhe bindje ndaj Allahut.

Shënimi 287

Më ka dërguar një Dërgues i Madh, që është Zoti i botëve.

7:105

حَقِيقٌ عَلَىٰٓ أَن لَّآ أَقُولَ عَلَى ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْحَقَّ ۚ قَدْ جِئْتُكُم بِبَيِّنَةٍۢ مِّن رَّبِّكُمْ فَأَرْسِلْ مَعِىَ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ١٠٥

E kam detyrë që të mos them për Allahun veçse të vërtetën.288 Unë kam ardhur tek ju me provë të qartë nga Zoti juaj;289 prandaj, lëri bijtë e Izraelit të vijnë me mua!”

Komentimi 2 shënime

Shënimi 288

Përderisa më ka dërguar një Dërgues i Madh, që është Zoti i botëve, unë nuk mund të them veçse të vërtetën që më shpall Ai, përndryshe do të më shpejtonte ndëshkimin me fuqinë e Tij; prandaj më besoni dhe më pasoni mua, që të shpëtoni.

Shënimi 289

Që dëshmon vërtetësinë e asaj që them dhe që jam i dërguar nga Allahu tek ju.

7:106

قَالَ إِن كُنتَ جِئْتَ بِـَٔايَةٍۢ فَأْتِ بِهَآ إِن كُنتَ مِنَ ٱلصَّـٰدِقِينَ ١٠٦

Faraoni tha: “Nëse ke ardhur me ndonjë provë,290 atëherë tregoje, nëse je i sinqertë.”

Komentimi 1 shënim

Shënimi 290

Që vërteton fjalën tënde.

7:107

فَأَلْقَىٰ عَصَاهُ فَإِذَا هِىَ ثُعْبَانٌۭ مُّبِينٌۭ ١٠٧

Atëherë, ai (Musai) hodhi shkopin e tij, dhe papritmas ai bë gjarpër i qartë!291

Komentimi 1 shënim

Shënimi 291

Gjarpër i vërtetë, i qartë për ata që e shihnin, i madh dhe i lëvizshëm.

7:108

وَنَزَعَ يَدَهُۥ فَإِذَا هِىَ بَيْضَآءُ لِلنَّـٰظِرِينَ ١٠٨

Pastaj nxori dorën e tij, veç kur ajo ishte e bardhë (me shkëlqim) për ata që shikonin.292

Komentimi 1 shënim

Shënimi 292

Nxori dorën nga xhepi apo nga rrobja me të cilën e kishte mbuluar, dhe ajo ishte e bardhë që shkëlqente, ndryshe nga duart normale që kanë një nga ngjyrat e ndryshme të lëkurës sipas rracave të ndryshme. Këto ishin dy prova dhe shenja të qarta që vërtetonin fjalët e Musait dhe se ai ishte vërtet i Dërguar nga Zoti i botëve.

7:109

قَالَ ٱلْمَلَأُ مِن قَوْمِ فِرْعَوْنَ إِنَّ هَـٰذَا لَسَـٰحِرٌ عَلِيمٌۭ ١٠٩

Paria e popullit të Faraonit tha: “Ky qenka vërtet një magjistar i ditur,293

Komentimi 1 shënim

Shënimi 293

Që i mashtron njerëzit duke i bërë që të imagjinojnë sikur shkopi është gjarpër apo ngjyra e lëkurës së dorës sikur është e bardhë; ndryshe nga realiteti.

7:110

يُرِيدُ أَن يُخْرِجَكُم مِّنْ أَرْضِكُمْ ۖ فَمَاذَا تَأْمُرُونَ ١١٠

i cili kërkon t’ju nxjerrë nga Toka juaj!”294 -“Atëherë, çfarë këshilloni?” (-tha Faraoni).295

Komentimi 2 shënime

Shënimi 294

Kërkon tju nxjerrë nga Egjipti me magjinë e tij – duke iu drejtuar Faraonit dhe njerëzve të tij.

Shënimi 295

Faraoni i tha këshilltarëve të tij se çfarë këshillonin të bënte me Musain (alejhis selam).

7:111

قَالُوٓا أَرْجِهْ وَأَخَاهُ وَأَرْسِلْ فِى ٱلْمَدَآئِنِ حَـٰشِرِينَ ١١١

Ata thanë:296 “Shtyje çështjen e tij dhe të vëllait të tij,297 dhe dërgo nëpër qytete mbledhës,298

Komentimi 3 shënime

Shënimi 296

Paria dhe këshilltarët e Faraonit i thanë Faraonit.

Shënimi 297

Shtyje çështjen e tyre duke i mbajtur të mbyllur apo të burgosur.

Shënimi 298

Ushtarë apo policë të Faraonit, që do të mblidhnin magjistarët dhe do i sillnin te Faraoni.

7:112

يَأْتُوكَ بِكُلِّ سَـٰحِرٍ عَلِيمٍۢ ١١٢

që të të sjellin çdo magjistar të ditur.”299

Komentimi 1 shënim

Shënimi 299

Që t’i sjellin Faraonit magjistarët më të ditur dhe më të mëdhenj të gjitha qyteteve; dhe ashtu bënë.

7:113

وَجَآءَ ٱلسَّحَرَةُ فِرْعَوْنَ قَالُوٓا إِنَّ لَنَا لَأَجْرًا إِن كُنَّا نَحْنُ ٱلْغَـٰلِبِينَ ١١٣

Magjistarët erdhën te Faraoni, dhe thanë: “Është e vërtetë që për ne ka një shpërblim, nëse do të jemi ne fituesit?”300

Komentimi 1 shënim

Shënimi 300

Kundër Musait dhe Harunit (alejhimas selam).

7:114

قَالَ نَعَمْ وَإِنَّكُمْ لَمِنَ ٱلْمُقَرَّبِينَ ١١٤

Faraoni tha: “Po, dhe për më tepër, do të jeni nga ata që janë më afër meje.”301

Komentimi 1 shënim

Shënimi 301

Duke i premtuar pasuri dhe vend të lartë tek ai, për t’i nxitur që të japin maksimumin e tyre me qëllim që të fitojnë mbi Musain dhe Harunin (alejhima selam).

7:115

قَالُوا يَـٰمُوسَىٰٓ إِمَّآ أَن تُلْقِىَ وَإِمَّآ أَن نَّكُونَ نَحْنُ ٱلْمُلْقِينَ ١١٥

Ata (magjistarët) thanë: “O Musa! Ose hidh ti (shkopin tënd), ose të hedhim ne të parët (shkopinjtë tanë)!”

7:116

قَالَ أَلْقُوا ۖ فَلَمَّآ أَلْقَوْا سَحَرُوٓا أَعْيُنَ ٱلنَّاسِ وَٱسْتَرْهَبُوهُمْ وَجَآءُو بِسِحْرٍ عَظِيمٍۢ ١١٦

Ai (Musai) tha: “Hidhni ju!” Kur ata hodhën,302 i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe.303

Komentimi 2 shënime

Shënimi 302

Shkopinjtë dhe litarët e tyre; dhe thuhet se ishin mbi 30 mijë magjistarë.

Shënimi 303

Imagjinim, përfytyrim dhe iluzion të madh, me të cilin i frikësuan njerëzit e pranishëm, përfshirë edhe Musain dhe Harunin.

7:117

۞ وَأَوْحَيْنَآ إِلَىٰ مُوسَىٰٓ أَنْ أَلْقِ عَصَاكَ ۖ فَإِذَا هِىَ تَلْقَفُ مَا يَأْفِكُونَ ١١٧

Atëherë Ne i frymëzuam Musait: “Hidhe shkopin tënd!” - dhe ai filloi të gllabëronte gjithçka që trilluan ata.304

Komentimi 1 shënim

Shënimi 304

Atëherë Musai (alejhis selam) e hodhin shkopin e tij, dhe ai u kthye në gjarpër të madh, i cili i gllabëroi të gjithë gjarpërinjtë dhe magjitë e tyre të falsifikuara.

7:118

فَوَقَعَ ٱلْحَقُّ وَبَطَلَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ ١١٨

Pra, e vërteta u vërtetua dhe ajo që bënin ata u shfuqizua.305

Komentimi 1 shënim

Shënimi 305

E vërteta fitoi dhe u bë e qartë për të gjithë ata që ishin të pranishëm; pra, Musai thoshte të vërtetën dhe ai ishte i dërguar nga Allahu për të ftuar njerëzit në rrugën e drejtë dhe fenë e vërtetë.

7:119

فَغُلِبُوا هُنَالِكَ وَٱنقَلَبُوا صَـٰغِرِينَ ١١٩

Kështu, ata (Faraoni dhe njerëzit e tij) u mundën pikërisht atje dhe u kthyen të poshtëruar.306

Komentimi 1 shënim

Shënimi 306

U mundën nga Musai dhe e vërteta që ishte me të, dhe u kthyen të poshtëruar nga vendi ku ishin mbledhur.

7:120

وَأُلْقِىَ ٱلسَّحَرَةُ سَـٰجِدِينَ ١٢٠

Kurse magjistarët u përulën në sexhde,307

Komentimi 1 shënim

Shënimi 307

Për Allahun; kur panë se ajo që solli Musai nuk ishte magji, sepse ata e njihnin magjinë, por ishte diçka tjetër, ishte mrekulli dhe provë nga Allahu, kështu që u dorëzuan dhe iu nënshtruan menjëherë Allahut.

7:121

قَالُوٓا ءَامَنَّا بِرَبِّ ٱلْعَـٰلَمِينَ ١٢١

dhe thanë: “Ne besuam në Zotin e botëve;308

Komentimi 1 shënim

Shënimi 308

Besuam në atë që thotë Musai, dhe se Allahu që duhet të adhurojmë është Zoti i botëve, i Cili ka krijuar dhe zotëron njerëzit, xhinët dhe gjithçka që ekziston.

7:122

رَبِّ مُوسَىٰ وَهَـٰرُونَ ١٢٢

Zotin e Musait dhe të Harunit.”309

Komentimi 1 shënim

Shënimi 309

Besuam në Zotin e Musait dhe të Harunit, i Cili është Zoti i vërtetë; dhe mohuam hyjnizimin e Faraonit.

7:123

قَالَ فِرْعَوْنُ ءَامَنتُم بِهِۦ قَبْلَ أَنْ ءَاذَنَ لَكُمْ ۖ إِنَّ هَـٰذَا لَمَكْرٌۭ مَّكَرْتُمُوهُ فِى ٱلْمَدِينَةِ لِتُخْرِجُوا مِنْهَآ أَهْلَهَا ۖ فَسَوْفَ تَعْلَمُونَ ١٢٣

Faraoni tha: “Ju i besuat atij para se t’ju jepja leje?!310 Padyshim, ky është një komplot që e keni përgatitur në qytet, me qëllim që të nxirrni prej tij banorët e tij! Por, do ta shihni!311

Komentimi 2 shënime

Shënimi 310

Ju i besuat Musait dhe pranuat që ai është i dërguar i Allahut, para se tju jepja leje që t’i besonit atij?!

Shënimi 311

Se çfarë do të bëj me ju, meqenëse keni kompletuar kundër meje dhe popullit tim. Faraoni ishte diktator dhe urdhri i tij nuk diskutohej, madje askush nuk mund të shfaqte diçka që ai nuk e pëlqente, prandaj populli e kishte frikë, dhe ky veprim i magjistarëve që besuan haptas, ishte një kurajo vërtet e madhe prej tyre, që shtyhej nga besimi i vërtetë.

7:124

لَأُقَطِّعَنَّ أَيْدِيَكُمْ وَأَرْجُلَكُم مِّنْ خِلَـٰفٍۢ ثُمَّ لَأُصَلِّبَنَّكُمْ أَجْمَعِينَ ١٢٤

Do t’jua pres duart dhe këmbët këmbyerazi,312 pastaj do t’ju kryqëzoj të gjithëve.”313

Komentimi 2 shënime

Shënimi 312

Do ju pres njërën dorë dhe njërën këmbë; dorën e djathtë dhe këmbën e majtë, ose dorën e majtë dhe këmbën e djathtë, të këmbyera.

Shënimi 313

Faraoni u zemërua kaq shumë dhe mori këtë vendim për shkak të poshtërimit që iu bë atij nga Allahu dhe fitores së Musait (Paqja dhe siguria e Allahut qoftë mbi të!) ndaj tij.

7:125

قَالُوٓا إِنَّآ إِلَىٰ رَبِّنَا مُنقَلِبُونَ ١٢٥

Ata thanë: “Ne, me siguri, tek Zoti ynë do të kthehemi!314

Komentimi 1 shënim

Shënimi 314

Herët a vonë, dhe do të marrim shpërblimin për besimin dhe sakrifikimin tonë, kështu që nuk trembemi nga dënimi yt, o Faraon!

7:126

وَمَا تَنقِمُ مِنَّآ إِلَّآ أَنْ ءَامَنَّا بِـَٔايَـٰتِ رَبِّنَا لَمَّا جَآءَتْنَا ۚ رَبَّنَآ أَفْرِغْ عَلَيْنَا صَبْرًۭا وَتَوَفَّنَا مُسْلِمِينَ ١٢٦

Ti nuk po hakmerresh ndaj nesh, veçse pse besuam në provat e Zotit tonë, posa na erdhën.315 - Zoti ynë! Derdh mbi ne durim316 dhe na merr jetën duke qenë muslimanë!”317

Komentimi 3 shënime

Shënimi 315

Sepse e pamë që ato janë prova dhe argumente të qarta nga Zoti i botëve, dhe nuk janë vepër e njeriut të pafuqishëm dhe të mangët, siç je ti, o Faraon!

Shënimi 316

Që të mos kthehemi kurrë në mosbesim, pavarësisht torturave të Faraonit!

Shënimi 317

Të nënshtruar vetëm ndaj Teje dhe si pasues të dërguarit Tënd, Musait (alejhis selam); Dhe Allahu ua plotësoi lutjen atyre.

7:127

وَقَالَ ٱلْمَلَأُ مِن قَوْمِ فِرْعَوْنَ أَتَذَرُ مُوسَىٰ وَقَوْمَهُۥ لِيُفْسِدُوا فِى ٱلْأَرْضِ وَيَذَرَكَ وَءَالِهَتَكَ ۚ قَالَ سَنُقَتِّلُ أَبْنَآءَهُمْ وَنَسْتَحْىِۦ نِسَآءَهُمْ وَإِنَّا فَوْقَهُمْ قَـٰهِرُونَ ١٢٧

Paria e popullit të Faraonit tha: “A do ta lejosh Musain dhe popullin e tij318 që të shkaktojnë prishje në Tokë319 dhe të braktisin ty dhe zotat e tu?”320 Ai (Faraoni) tha: “Ne do t’i vrasim bijtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre;321 sepse ne jemi nënshtrues të tyre.”322

Komentimi 5 shënime

Shënimi 318

Prej bijve të Izraelit.

Shënimi 319

Duke i ftuar njerëzit në besimin në Një Zot, në moralet dhe veprat e mira; që janë rregullim në Tokë; kurse prishja dhe çrregullimi në Tokë është rruga që ndjek Faraoni dhe njerëzit e tij, por ata i përmbysin gjërat.

Shënimi 320

Dhe kështu nuk do të jenë më shërbëtoët dhe skllevërit e tu.

Shënimi 321

Dhe kështu nuk do të shtohen në numër, dhe do t’i mbajmë më lehtë nën kontroll dhe nën shërbimin tonë.

Shënimi 322

I kemi nënshtruar me forcë dhe ata nuk mund të dalin nga bindja ndaj nesh, sepse nuk kanë fuqi dhe mundësi që ta bëjnë këtë.

7:128

قَالَ مُوسَىٰ لِقَوْمِهِ ٱسْتَعِينُوا بِٱللَّهِ وَٱصْبِرُوٓا ۖ إِنَّ ٱلْأَرْضَ لِلَّهِ يُورِثُهَا مَن يَشَآءُ مِنْ عِبَادِهِۦ ۖ وَٱلْعَـٰقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ ١٢٨

Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe bëni durim!323 Vërtet, Toka është e Allahut dhe Ai ia trashëgon atë kujt të dojë prej robërve të Tij.324 Dhe përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.”325

Komentimi 3 shënime

Shënimi 323

Kërkoni ndihmë nga Allahu kundër padrejtësive dhe tiranive të Faraonit dhe njerëzve të tij ndaj jush, dhe bëni durim për dëmet që ju shkakton Faraoni në veten dhe fëmijët tuaj.

Shënimi 324

Dhe ndoshta Allahu jua trashëgon Tokën juve, nëse duroni ndaj dëmeve të Faraonit.

Shënimi 325

Të cilët ruajnë Allahun dhe i frikësohen Atij, duke zbatuar udhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij.

7:129

قَالُوٓا أُوذِينَا مِن قَبْلِ أَن تَأْتِيَنَا وَمِنۢ بَعْدِ مَا جِئْتَنَا ۚ قَالَ عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يُهْلِكَ عَدُوَّكُمْ وَيَسْتَخْلِفَكُمْ فِى ٱلْأَرْضِ فَيَنظُرَ كَيْفَ تَعْمَلُونَ ١٢٩

Ata (populli i Musait) thanë: “Ne kemi vuajtur para se të na vish ti dhe po vuajmë edhe pasi na erdhe ti.”326 Ai (Musai) tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta shkatërrojë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë zëvendës në Tokë;327 dhe kështu do të shohë se si do të veproni.”328

Komentimi 3 shënime

Shënimi 326

Vuajtën nga Faraoni para ardhjes së Musait si i Dërguar i Allahut, në kohën kur Faraoni vriste të posalindurit e tyre prej djemve ne kohën kur lindi edhe Musai (alejhis selam), siç është përmendur më parë në interpretimin e ajetit 49, nga surja El Bekare. Po kështu, pas triumfit mbi magjistarët, Faraoni vendosi të përsërisë dënimin e mëparshëm me vrasjen e fëmijëve meshkuj. Është përmendur më parë se populli i Musait ishte vërtet shumë i vështirë, i pabindur dhe që ankohej shumë.

Shënimi 327

Ndoshta Allahu e shkatërron armikun tuaj, Faraonin dhe njerëzit e tij, dhe ju bën vend në Tokë, që të mos i frikësoheni askujt prej njerëzve të Tokës.

Shënimi 328

Nëse do e falënderoni Allahun apo do e mohoni mirësinë e Tij ndaj jush.

7:130

وَلَقَدْ أَخَذْنَآ ءَالَ فِرْعَوْنَ بِٱلسِّنِينَ وَنَقْصٍۢ مِّنَ ٱلثَّمَرَٰتِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ ١٣٠

Dhe Ne i goditëm njerëzit e Faraonit me vite thatësire dhe mungesë të prodhimeve, se ndoshta do të kujtoheshin.329

Komentimi 1 shënim

Shënimi 329

Do të merrnin mësim dhe do të ktheheshin te Zoti i tyre me pendim, pasi e panë që Ai mund t’i dënojë ata kur të dojë dhe me çfarë të dojë.

7:131

فَإِذَا جَآءَتْهُمُ ٱلْحَسَنَةُ قَالُوا لَنَا هَـٰذِهِۦ ۖ وَإِن تُصِبْهُمْ سَيِّئَةٌۭ يَطَّيَّرُوا بِمُوسَىٰ وَمَن مَّعَهُۥٓ ۗ أَلَآ إِنَّمَا طَـٰٓئِرُهُمْ عِندَ ٱللَّهِ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَهُمْ لَا يَعْلَمُونَ ١٣١

Por, sa herë që u vinte e mira,330 ata thonin: “Kjo na takon neve!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë e merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe atyre që ishin me të. Por, jo! Oguri i tyre ishte tek Allahu,331 por shumica e tyre nuk e dinin!

Komentimi 2 shënime

Shënimi 330

Gjatë viteve të thatësirës; kur iu vinte ndonjë shi apo shtim i përkohshëm i prodhimeve.

Shënimi 331

Qoftë fati i mirë apo i keq, është në dorë të Allahut dhe me caktimin e Tij, me qëllim të provimit të tyre; madje veprat e tyre të këqia dhe mosbesimi i tyre ishte shkak për fatin e tyre të keq, por shumica e tyre nuk e dinin, prandaj thonin atë që thonin.

7:132

وَقَالُوا مَهْمَا تَأْتِنَا بِهِۦ مِنْ ءَايَةٍۢ لِّتَسْحَرَنَا بِهَا فَمَا نَحْنُ لَكَ بِمُؤْمِنِينَ ١٣٢

Ata i thanë (Musait): “Çfarëdo prove që të na sjellësh për të na magjepsur me të,332 ne nuk do të të besojmë.”

Komentimi 1 shënim

Shënimi 332

Duke na bërë magji me qëllim që të na largosh nga feja e Faraonit, i cili e quante veten “zot”.

7:133

فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمُ ٱلطُّوفَانَ وَٱلْجَرَادَ وَٱلْقُمَّلَ وَٱلضَّفَادِعَ وَٱلدَّمَ ءَايَـٰتٍۢ مُّفَصَّلَـٰتٍۢ فَٱسْتَكْبَرُوا وَكَانُوا قَوْمًۭا مُّجْرِمِينَ ١٣٣

Kështu, Ne u dërguam atyre përmbytjen, karkalecat, morrat, bretkosat dhe gjakun; si prova të qarta njëra pas tjetrës,333 por ata bënin mendjemadhësi dhe ishin popull keqbërës.334

Komentimi 2 shënime

Shënimi 333

Këto ishin nga mrekullitë që Allahu i dha Musait (alejhis selam) kundër Faraonit dhe njerëzve të tij; përmbytjen me shi, karkalecat që u shkatërruan të mbjellat, morrat që i shkaktonin kërruajtje të forta, bretkosat që i mbushën shtëpitë e tyre dhe iu futeshin në gojë, dhe gjakun në ujin e tyre që pinin dhe që vadisnin, pra edhe lumenjtë u kthyen ne gjak. Këto mrekulli dhe këto prova erdhën njëra pas tjetrës; kur erdhi përmbytja, Faraoni i kërkoi Musait që t’i lutej Zotit të tij që ta largonte atë, dhe kështu ai do i besonte Musait dhe do i lejonte bijtë e Izraelit të shkonin me të. Por me largimin e rrezikut, Faraoni nuk e mbante fjalën dhe rikthehej në mosbesim. Atëherë vinte një provë tjetër me qëllim që ai të kthehej, por përsëri ai kërkonte nga Musai që t’i lutej Zotit ta largonte atë fatkeqësi, duke i premtuar se do të besonte, por kur Allahu e largonte fatkeqësinë, Faraoni dhe njerëzit e tij e mohonin përsëri.

Shënimi 334

Vepronin vepra që Allahu i urrente, prej mëkateve dhe shthurjes, me mendjemadhësi dhe arrogancë.

7:134

وَلَمَّا وَقَعَ عَلَيْهِمُ ٱلرِّجْزُ قَالُوا يَـٰمُوسَى ٱدْعُ لَنَا رَبَّكَ بِمَا عَهِدَ عِندَكَ ۖ لَئِن كَشَفْتَ عَنَّا ٱلرِّجْزَ لَنُؤْمِنَنَّ لَكَ وَلَنُرْسِلَنَّ مَعَكَ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ١٣٤

E kur u zbriste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, me atë që të ka besuar!335 Nëse na e largon këtë dënim, ne, me siguri që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të vijnë me ty.”

Komentimi 1 shënim

Shënimi 335

Meqenëse të ka besuar shpalljen e Tij dhe të ka dërguar tek ne.

7:135

فَلَمَّا كَشَفْنَا عَنْهُمُ ٱلرِّجْزَ إِلَىٰٓ أَجَلٍ هُم بَـٰلِغُوهُ إِذَا هُمْ يَنكُثُونَ ١٣٥

Por, kur e largonim dënimin deri në një afat, që ata do e arrinin,336 ata përsëri e thyenin premtimin.337

Komentimi 2 shënime

Shënimi 336

Kur e larguam dënimin për herë të fundit - që ishte gjaku - deri në një afat të caktuar, dhe jo përgjithmonë.

Shënimi 337

Që i kishin dhënë Musait; se do ta besonin atë dhe do i lejonin bijtë e Izraelit të shkonin me të.

7:136

فَٱنتَقَمْنَا مِنْهُمْ فَأَغْرَقْنَـٰهُمْ فِى ٱلْيَمِّ بِأَنَّهُمْ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَكَانُوا عَنْهَا غَـٰفِلِينَ ١٣٦

Kështu, Ne u hakmorëm ndaj tyre338 dhe i fundosëm në det,339 sepse ata i mohuan provat Tona dhe ishin të pakujdesshëm ndaj tyre.340

Komentimi 3 shënime

Shënimi 338

Kur u erdhi afati i caktuar nga Allahu.

Shënimi 339

Faraonin dhe ushtrinë e tij; kur ndoqën nga pas Musain dhe bijtë e Izraelit, dhe Allahu hapi detin për të kaluar Musai dhe populli i tij, dhe mbyti në det Faraonin dhe ushtrinë e tij.

Shënimi 340

I mohuan të gjitha provat dhe mrekullitë që Allahu ua solli atyre nëpërmjet Musait, dhe ishin të pavëmendshëm dhe shpërfillës të ndëshkimit që i priste për shkak të mohimit dhe arrogancës së tyre.

7:137

وَأَوْرَثْنَا ٱلْقَوْمَ ٱلَّذِينَ كَانُوا يُسْتَضْعَفُونَ مَشَـٰرِقَ ٱلْأَرْضِ وَمَغَـٰرِبَهَا ٱلَّتِى بَـٰرَكْنَا فِيهَا ۖ وَتَمَّتْ كَلِمَتُ رَبِّكَ ٱلْحُسْنَىٰ عَلَىٰ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ بِمَا صَبَرُوا ۖ وَدَمَّرْنَا مَا كَانَ يَصْنَعُ فِرْعَوْنُ وَقَوْمُهُۥ وَمَا كَانُوا يَعْرِشُونَ ١٣٧

Ndërsa popullit që kishte qenë i shtypur,341 Ne i trashëguam rajonet lindore dhe perëndimore të Tokës që kishim bekuar.342 Kështu, premtimi i mirë i Zotit tënd ndaj bijve të Izraelit u përmbush, për shkak të durimit që treguan.343 Ndërsa, ato që prodhonte Faraoni dhe populli i tij, dhe ato që ndërtonin ata, Ne i shkatërruam.344

Komentimi 4 shënime

Shënimi 341

Nga Faraoni dhe njerëzit e tij; bijtë e Izraelit, populli i Musait (alejhis selam).

Shënimi 342

Allahu u trashëgoi bijve të Izraelit tokën e Levantit, pasi asgjësoi gjigandët që e banonin atë; dhe Allahu e kishte bekuar atë Tokë me të mira dhe begati të përhershme për banorët e saj.

Shënimi 343

Premtimi i bukur që Allahu u kishte dhënë bijve të Izraelit nëse do të duronin, ishte që t’i bënte vend në Tokë dhe t’i jepte fitoren ndaj armikut të tyre që i kishte skllavëruar, Faraonit; siç do ta shohim në suren El Kasas, 5-6].

Shënimi 344

I shkatërruam prodhimet dhe ndërtimet madhështore të Faraonit dhe popullit të tij, dhe askush nuk përfitonte më prej tyre.

7:138

وَجَـٰوَزْنَا بِبَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ ٱلْبَحْرَ فَأَتَوْا عَلَىٰ قَوْمٍۢ يَعْكُفُونَ عَلَىٰٓ أَصْنَامٍۢ لَّهُمْ ۚ قَالُوا يَـٰمُوسَى ٱجْعَل لَّنَآ إِلَـٰهًۭا كَمَا لَهُمْ ءَالِهَةٌۭ ۚ قَالَ إِنَّكُمْ قَوْمٌۭ تَجْهَلُونَ ١٣٨

Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit,345 dhe ata hasën disa njerëz që adhuronin disa idhuj të tyre.346 Atëherë thanë: “O Musa! Na bëj edhe neve një idhull që ta adhurojmë, ashtu si kanë ata idhuj!” Musai tha: “Ju jeni vërtet një popull injorant!347

Komentimi 3 shënime

Shënimi 345

Duke i shpëtuar ata nga Faraoni dhe duke i bërë të shohin mrekulli të mëdha, nga të cilat edhe hapja e detit dhe kalimi në anën tjetër të tij.

Shënimi 346

Qëndronin rreth tyre dhe i adhuronin e i luteshin.

Shënimi 347

I kërkuan Musait që t’i caktonte një idhull që ta adhuronin në vend të Allahut, megjithëse kishin parë prova dhe mrekulli të mëdha nga Allahu në duart e Musait (alejhis selam); por vërtet ata ishin një popull që e injoronin madhështinë e Allahut dhe të drejtën e Tij mbi ta; dhe injoronin se adhurimi nuk lejohet t’i dedikohet askujt tjetër përveç Allahut, Zotëruesit të qiejve dhe Tokës.

7:139

إِنَّ هَـٰٓؤُلَآءِ مُتَبَّرٌۭ مَّا هُمْ فِيهِ وَبَـٰطِلٌۭ مَّا كَانُوا يَعْمَلُونَ ١٣٩

E shkatërruar është ajo në të cilën ata ndodhen,348 dhe e pavlefshme është çdo gjë që ata bëjnë.”349

Komentimi 2 shënime

Shënimi 348

Idhujtaria dhe feja e tyre është e shkatërruar dhe e humbur, dhe i çon ata në dënim të dhembshëm dhe poshtërues.

Shënimi 349

Adhurimi që ata i bëjnë idhujve është i pavlerë në vetvete dhe i padobishëm për ata, sepse ato idhuj, statuja apo pemë, janë krijesa të Allahut që nuk meritojnë të adhurohen, dhe nga ana tjetër, adhurimi dhe lutja e tyre nuk mund ta largojë dënimin e Allahut nga idhujtarët dhe nuk mund t’i shpëtojë ata nga zjarri në botën tjetër.

7:140

قَالَ أَغَيْرَ ٱللَّهِ أَبْغِيكُمْ إِلَـٰهًۭا وَهُوَ فَضَّلَكُمْ عَلَى ٱلْعَـٰلَمِينَ ١٤٠

Pastaj (Musai) tha: “A të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut,350 i Cili ju ka ngritur mbi gjithë të tjerët?!”351

Komentimi 2 shënime

Shënimi 350

Idhull që ta adhuroni në vend të Allahut.

Shënimi 351

Ndërsa Allahu ju ka ngritur mbi të gjithë njerëzit e kohës suaj, dhe është vetëm Ai që duhet të falënderoni dhe të adhuroni, dhe jo të kërkoni adhurimin e idhujve që nuk ju bëjnë as dëm as dobi; a ka injorancë dhe humbje më të madhe se kjo?!

7:141

وَإِذْ أَنجَيْنَـٰكُم مِّنْ ءَالِ فِرْعَوْنَ يَسُومُونَكُمْ سُوٓءَ ٱلْعَذَابِ ۖ يُقَتِّلُونَ أَبْنَآءَكُمْ وَيَسْتَحْيُونَ نِسَآءَكُمْ ۚ وَفِى ذَٰلِكُم بَلَآءٌۭ مِّن رَّبِّكُمْ عَظِيمٌۭ ١٤١

Dhe (kujtoni),352 kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, të cilët ju mundonin me mundimin më të keq – duke vrarë djemtë tuaj dhe duke lënë gjallë gratë tuaja. Kjo ishte një sprovë e madhe nga Zoti juaj.353

Komentimi 2 shënime

Shënimi 352

O bijtë e Izraelit!

Shënimi 353

Sprovë me shpërblim të madh.

7:142

۞ وَوَٰعَدْنَا مُوسَىٰ ثَلَـٰثِينَ لَيْلَةًۭ وَأَتْمَمْنَـٰهَا بِعَشْرٍۢ فَتَمَّ مِيقَـٰتُ رَبِّهِۦٓ أَرْبَعِينَ لَيْلَةًۭ ۚ وَقَالَ مُوسَىٰ لِأَخِيهِ هَـٰرُونَ ٱخْلُفْنِى فِى قَوْمِى وَأَصْلِحْ وَلَا تَتَّبِعْ سَبِيلَ ٱلْمُفْسِدِينَ١٤٢

Ne e takuam Musain për tridhjetë net rresht,354 pastaj i plotësuam ato edhe me dhjetë të tjera,355 dhe kështu, takimi me Zotin e tij zgjati dyzet netë të plota. Musai i tha vëllait të vet,356 Harunit: “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull357 dhe mos ndiq rrugën e prishësve!”358

Komentimi 5 shënime

Shënimi 354

Për t’i shpallur atij Librin e shenjtë, Teuratin, si plotësim i mirësive të Allahut ndaj bijve të Izraelit.

Shënimi 355

Thuhet se 30 netët ishin muaji Dhul Kaade, kurse 10 netët plotësuese ishin nga muaji Dhul Hixhe.

Shënimi 356

Para se të shkonte në takimin me Zotin.

Shënimi 357

Duke i urdhëruar që t’i binden Allahut dhe të adhurojnë vetëm Atë.

Shënimi 358

Mos shko pas atyre që bëjnë prishje dhe çrregullime të Tokë; që thyejnë urdhrat e Allahut dhe që përkrahin mëkatarët.

7:143

وَلَمَّا جَآءَ مُوسَىٰ لِمِيقَـٰتِنَا وَكَلَّمَهُۥ رَبُّهُۥ قَالَ رَبِّ أَرِنِىٓ أَنظُرْ إِلَيْكَ ۚ قَالَ لَن تَرَىٰنِى وَلَـٰكِنِ ٱنظُرْ إِلَى ٱلْجَبَلِ فَإِنِ ٱسْتَقَرَّ مَكَانَهُۥ فَسَوْفَ تَرَىٰنِى ۚ فَلَمَّا تَجَلَّىٰ رَبُّهُۥ لِلْجَبَلِ جَعَلَهُۥ دَكًّۭا وَخَرَّ مُوسَىٰ صَعِقًۭا ۚ فَلَمَّآ أَفَاقَ قَالَ سُبْحَـٰنَكَ تُبْتُ إِلَيْكَ وَأَنَا۠ أَوَّلُ ٱلْمُؤْمِنِينَ ١٤٣

Kur Musai erdhi në takimin Tonë, dhe Zoti i tij foli me të,359 ai tha: “Zoti im! Më mundëso që të të shoh!”360 Ai (Allahu) tha: “Ti nuk mund të më shohësh!361 Por shiko në atë mal; nëse ai do të qëndrojë në vend, atëherë do të më shohësh.” E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e bëri atë pluhur,362 ndërsa Musai ra pa ndjenja.363 Kur erdhi në vete, ai tha: “I lartësuar je Ti!364 Kthehem te Ti i penduar365 dhe unë jam i pari i besimtarëve!”366

Komentimi 8 shënime

Shënimi 359

I shpalli Librin dhe i tregoi urdhrat dhe ndalesat e Tij.

Shënimi 360

Kur dëgjoi zërin e Allahut dhe fjalët e Tij, Musai ndjeu një ndjesi të fortë përmallimi, dhe i kërkoi Allahut që t’i mundësonte ta shihte Atë direkt dhe pa perde.

Shënimi 361

Askush nuk mund ta shohë Allahun në këtë botë, për një urtësi që e di Allahu, dhe fiziku i askujt nuk është krijuar që të mund ta përballojë shikimin e Allahut në mënyrë direkte, përndryshe vdes dhe shkatërrohet; kurse në botën tjetër, vetëm besimtarët që do të jenë në Xhenet do ta shohin Zotin e tyre në mënyrë direkte dhe pa perde. Allahu na bëftë prej tyre!

Shënimi 362

Sepse as mali dhe asnjë krijesë nuk mund ta përballojë shikimin e Allahut dhe nuk mund të qëndrojë para Dritës së Tij në këtë botë.

Shënimi 363

Kur pa që mali u bë pluhur vetëm se iu shfaq një pjesë shumë e vogël e Dritës së Zotit të Gjithësisë.

Shënimi 364

I Pastër nga çdo e metë dhe i Madhëruar je Ti, o Zot!

Shënimi 365

Për atë që kërkova të të shoh, dhe nga të gjitha mëkatet!

Shënimi 366

Nga populli im; që të besova Ty dhe besova se askush nuk mund të të shohë në këtë botë, përndryshe vdes.

7:144

قَالَ يَـٰمُوسَىٰٓ إِنِّى ٱصْطَفَيْتُكَ عَلَى ٱلنَّاسِ بِرِسَـٰلَـٰتِى وَبِكَلَـٰمِى فَخُذْ مَآ ءَاتَيْتُكَ وَكُن مِّنَ ٱلشَّـٰكِرِينَ ١٤٤

Ai (Allahu) tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të gjithë njerëzit - me shpalljet e Mia367 dhe të Folurin Tim (të drejtpërdrejtë).368 Prandaj, merre atë që të dhashë dhe bëhu prej mirënjohësve!”369

Komentimi 3 shënime

Shënimi 367

Të kam zgjedhur të dërguarin Tim te njerëzit që t’u komunikosh atyre shpalljet e Mia.

Shënimi 368

Të kam zgjedhur gjithashtu veçanërisht ty nga të gjithë njerëzit me të folurin Tim të drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetës; një veçori që Allahu ia ka dhënë vetëm Musait në mesin e të gjithë vëllezërve të tij të dërguar të Allahut.

Shënimi 369

Merr me kënaqësi ato që të dhashë prej urdhrave dhe ndalesave të Mia, zbatoi ato në mënyrën më të mirë, dhe bëhu prej mirënjohësve dhe falënderuesve të Allahut për veçoritë dhe mirësitë që të ka dhënë.

7:145

وَكَتَبْنَا لَهُۥ فِى ٱلْأَلْوَاحِ مِن كُلِّ شَىْءٍۢ مَّوْعِظَةًۭ وَتَفْصِيلًۭا لِّكُلِّ شَىْءٍۢ فَخُذْهَا بِقُوَّةٍۢ وَأْمُرْ قَوْمَكَ يَأْخُذُوا بِأَحْسَنِهَا ۚ سَأُورِيكُمْ دَارَ ٱلْفَـٰسِقِينَ ١٤٥

Ne i shkruam atij (Musait) në Pllaka nga çdo gjë,370 si këshillë dhe shpjegim për gjithçka;371 (Dhe i thamë): “Merri këto me vendosmëri dhe urdhëroje popullin tënd që t’i marrë ato në mënyrën më të mirë.372 Unë do t’jua tregoj vendbanimin e të pabindurve.373

Komentimi 4 shënime

Shënimi 370

Diçka nga çdo gjë; që të kujton dhe të mëson madhështinë e Allahut dhe fuqinë e Tij.

Shënimi 371

Si këshillë për popullin e tij dhe sqarim të gjithçkaje prej urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

Shënimi 372

Ti zbatojë ato që thuhen në Pllaka - d.m.th. në Teurat - në mënyrën më të mirë dhe më të plotë.

Shënimi 373

Në zjarrin e xhehenemit, në botën tjetër, për shkak të mohimit të Musait, idhujtarisë dhe mëkateve të tyre; ose mund të jetë për qëllim vendbanimi i mosbesimtarëve gjigantë që ishin në atë kohë në Levant, në Tokën e premtuar të bijve të Izraelit; se si i shkatërroi Allahu ata dhe si i la banesat e tyre argument për ata që do vinin më pas.

7:146

سَأَصْرِفُ عَنْ ءَايَـٰتِىَ ٱلَّذِينَ يَتَكَبَّرُونَ فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَإِن يَرَوْا كُلَّ ءَايَةٍۢ لَّا يُؤْمِنُوا بِهَا وَإِن يَرَوْا سَبِيلَ ٱلرُّشْدِ لَا يَتَّخِذُوهُ سَبِيلًۭا وَإِن يَرَوْا سَبِيلَ ٱلْغَىِّ يَتَّخِذُوهُ سَبِيلًۭا ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَكَانُوا عَنْهَا غَـٰفِلِينَ ١٤٦

Do t’i largoj nga provat e Mia374 ata që sillen me mendjemadhësi në Tokë pa asnjë të drejtë,375 kështu që, edhe nëse do të shohin çdo provë,376 nuk do ta besojnë atë;377 dhe nëse do të shohin rrugën e drejtë, nuk do ta ndjekin atë;378 por nëse do të shohin rrugën e gabuar, do ta ndjekin atë,379 sepse ata i përgënjeshtruan provat Tona dhe ishin të pavëmendshëm ndaj tyre.380

Komentimi 7 shënime

Shënimi 374

Do bëj të mos i kuptojnë.

Shënimi 375

Sillen me mendjemadhësi ndaj besimit në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, dhe ndaj nështrimit ndaj urdhrave dhe ndalesave të Allahut, megjithëse janë robër të Allahut që ushqehen dhe jetojnë nga mirësitë e Tij.

Shënimi 376

Çdo provë që vërteton se Allahu është Një dhe i Pashoq, dhe se asnjë krijesë nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet në vend të Allahut apo përkrah Tij.

Shënimi 377

Por do të thonë se është magji dhe mashtrim.

Shënimi 378

Edhe nëse e shohin rrugën e drejtë që të çon në kënaqësinë dhe lumturinë e përhershme, dhe që të shpëton nga shkatërrimi dhe vuajtja e përhershme, nuk e ndjekin atë rrugë, nga injoranca dhe mendjemadhësia e tyre.

Shënimi 379

Nëse shohin rrugën e shkatërrimit dhe të humbjes, e marrin atë dhe e bëjnë rrugë të tyren.

Shënimi 380

I përgënjeshtruan provat e Allahut dhe të Dërguarin e Tij, dhe u treguan të pakujdesshëm ndaj tyre duke mos menduar rreth tyre dhe duke mos marrë mësim prej tyre, kështu që merituan ndëshkimin e Allahut dhe humbjen.

7:147

وَٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَلِقَآءِ ٱلْـَٔاخِرَةِ حَبِطَتْ أَعْمَـٰلُهُمْ ۚ هَلْ يُجْزَوْنَ إِلَّا مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ ١٤٧

Atyre që përgënjeshtrojnë provat Tona dhe takimin e botës tjetër, do t’u zhvlerësohen veprat.381 A mund të shpërblehen ndryshe, veçse sipas veprave që kanë bërë?!382

Komentimi 2 shënime

Shënimi 381

Do t’u bëhen të pavlefshme dhe do të jenë barrë për ta, sepse ata nuk i bënë ato vepra për Hir të Allahut dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij, por i bënë për të plotësuar dëshirat dhe kënaqësitë e tyre dhe për shejtanin dhe idhujt e tyre.

Shënimi 382

Në zjarrin e Xhehenemit ku do të jenë përgjithmonë.

7:148

وَٱتَّخَذَ قَوْمُ مُوسَىٰ مِنۢ بَعْدِهِۦ مِنْ حُلِيِّهِمْ عِجْلًۭا جَسَدًۭا لَّهُۥ خُوَارٌ ۚ أَلَمْ يَرَوْا أَنَّهُۥ لَا يُكَلِّمُهُمْ وَلَا يَهْدِيهِمْ سَبِيلًا ۘ ٱتَّخَذُوهُ وَكَانُوا ظَـٰلِمِينَ ١٤٨

Populli i Musait, pas largimit të tij,383 bënë një viç nga stolitë e tyre; një statujë që nxirrte një zë si pëllitje.384 A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?!385 Ata e morën atë viç për zot dhe ishin të padrejtë.386

Komentimi 4 shënime

Shënimi 383

Në takimin me Allahun, nga fundi i atyre 40 netëve të takimit.

Shënimi 384

Kur panë që Musai u vonua më shumë se 30 netë në takimin me Allahun, siç i kishte njoftuar para largimit, një burrë nga Samura, i cili shfaqte besimin por fshehte mosbesimin, e mashtroi popullin e Musait duke i kërkuar atyre disa stoli prej ari që i kishin marrë nga Egjipti, të cilat i shkriu dhe i dha formë viçi, mbi të cilin hodhi ca pluhur që e kishte ruajtur nga gjurmët e engjëjve të cilët hapën detin dhe mbytën Faraonin dhe ushtrinë e tij, dhe atëherë ai viç prej ari lëshoi një zë si pëllitje e lopës; dhe i urdhëroi bijtë e Izrailit që ta adhuronin atë; dhe ata e adhuruan.

Shënimi 385

Si mund ta adhuronin diçka që nuk mund t’iu fliste, t’i udhëzonte, t’i sillte ndonjë dobi apo t’iu largonte ndonjë të keqe; si mund të adhuronin një statujë në vend të Allahut, Krijuesit dhe Shpëtuesit të tyre nga Faraoni, i Cili i zgjodhi ata në mesin e njerëzve të kohës së tyre; A mund ta bënte këtë dikush që ka logjikë?! Kurse Zoti i vërtetë i Musait dhe i tyre, i foli Musait drejtpërdrejt.

Shënimi 386

Ndaj vetes së tyre; sepse do të marrin ndëshkimin e rëndë për shkak të adhurimit të dikujt tjetër përveç Allahut dhe hyjnizimit të diçkaje tjetër përveç Allahut.

7:149

وَلَمَّا سُقِطَ فِىٓ أَيْدِيهِمْ وَرَأَوْا أَنَّهُمْ قَدْ ضَلُّوا قَالُوا لَئِن لَّمْ يَرْحَمْنَا رَبُّنَا وَيَغْفِرْ لَنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ ٱلْخَـٰسِرِينَ ١٤٩

Por, kur i pushtoi keqardhja387 dhe e kuptuan se kishin humbur rrugë,388 ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi prej të humburve!”389

Komentimi 3 shënime

Shënimi 387

Kur erdhi Musai dhe i bëri të qartë humbjen e tyre me adhurimin e viçit, ata u penduan për atë që kishin bërë dhe iu dorëzuan Musait dhe gjykimit të tij kundrejt tyre.

Shënimi 388

Kur kuptuan që ishin larguar nga feja e Allahut, kishin mohuar Allahun dhe i kishin bërë shok Atij.

Shënimi 389

Prej atyre që i janë zhvlerësuar dhe fshirë të gjitha veprat e mira, dhe si rezultat do të humbim këtë botë dhe botën tjetër.

7:150

وَلَمَّا رَجَعَ مُوسَىٰٓ إِلَىٰ قَوْمِهِۦ غَضْبَـٰنَ أَسِفًۭا قَالَ بِئْسَمَا خَلَفْتُمُونِى مِنۢ بَعْدِىٓ ۖ أَعَجِلْتُمْ أَمْرَ رَبِّكُمْ ۖ وَأَلْقَى ٱلْأَلْوَاحَ وَأَخَذَ بِرَأْسِ أَخِيهِ يَجُرُّهُۥٓ إِلَيْهِ ۚ قَالَ ٱبْنَ أُمَّ إِنَّ ٱلْقَوْمَ ٱسْتَضْعَفُونِى وَكَادُوا يَقْتُلُونَنِى فَلَا تُشْمِتْ بِىَ ٱلْأَعْدَآءَ وَلَا تَجْعَلْنِى مَعَ ٱلْقَوْمِ ٱلظَّـٰلِمِينَ ١٥٠

Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i hidhëruar,390 tha: “Sa keq më paskit zëvendësuar gjatë mungesës sime!391 A donit të paraprinit çështjen e Zotit tuaj?”392 Pastaj i hodhi Pllakat393 dhe e kapi vëllanë (Harunin) për koke (prej flokësh), duke e tërhequr nga vetja.394 Ai (Haruni) i tha: “O djali i nënës sime!395 Në të vërtetë, këta njerëz më shtypën dhe gati më mbytën,396 prandaj mos bëj që armiqtë të ngazëllohen me mua dhe mos më llogarit ndër njerëzit e padrejtë!”397

Komentimi 8 shënime

Shënimi 390

Allahu e kishte njoftuar Musain se populli i tij ishte sprovuar me adhurimin e viçit dhe se Samiriu i kishte çuar ata në humbje, kështu që Musai u kthye i zemëruar dhe i hidhëruar para se t’i shihte me sytë e vet që ata adhuronin viçin.

Shënimi 391

Sa keq keni vepruar me amanetin tim gjatë mungesës sime; me fenë dhe urdhrat e Allahut.

Shënimi 392

Allahu ju kishte premtuar zbritjen e Librit, Teuratit, gjatë takimit me mua, kurse ju donit ta paraprinit atë me mendjen dhe veprën tuaj të prishur dhe të shëmtuar!

Shënimi 393

Nga zemërimi i madh ndaj popullit të tij që adhuruan viçin, Musa ii hodhi Pllakat e Teuratit në tokë, për t’i marrë përsëri pas pak çastesh.

Shënimi 394

Nga zemërimi që kishte edhe ndaj tij përse nuk i kishte ndaluar bijtë e Izraelit të adhuronin viçin dhe përse kishte vazhduar të qëndronte me ta kur e bënë atë vepër.

Shënimi 395

I kujtoi që janë vëllezër të një nëne, megjithëse ata janë vëllezër të një babe e të një nëne, por Haruni i kujtoi nënën Musait në ato çaste me qëllim që të prekej dhe të zbutej më shpejt, dhe t’a linte të thoshte atë që kishte ndodhur.

Shënimi 396

Kur unë i ndalova nga adhurimi i viçit me të cilin u sprovuan.

Shënimi 397

Sepse unë nuk jam prej tyre, nuk i kam shkuar kurrë mbas, madje i ndalova ata, dhe nuk e kam thyer kurrë urdhrin tënd dhe urdhrin e Allahut.

7:151

قَالَ رَبِّ ٱغْفِرْ لِى وَلِأَخِى وَأَدْخِلْنَا فِى رَحْمَتِكَ ۖ وَأَنتَ أَرْحَمُ ٱلرَّٰحِمِينَ ١٥١

Atëherë398 ai (Musai) tha: “Zoti im! Më fal mua dhe vëllanë tim, dhe na fut në mëshirën Tënde!399 Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.”400

Komentimi 3 shënime

Shënimi 398

Kur e pa që vëllai i tij, Haruni ishte i pafajshëm dhe nuk kishte neglizhuar aspak në detyrën që kishte, Musai u pendua që u nxitua në sjelljen ndaj tij, kështu që menjëherë ngriti duart nga qielli dhe i kërkoi Allahut falje për vete dhe për vëllanë e tij.

Shënimi 399

Na fut në mes të mëshirës tënde, në atë mënyrë që mëshira Jote të na rrethojë nga çdo anë.

Shënimi 400

Më i mëshirshëm ndaj nesh se çdokush tjetër; se nëna apo babai, fëmijët apo vetet tona.

7:152

إِنَّ ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُوا ٱلْعِجْلَ سَيَنَالُهُمْ غَضَبٌۭ مِّن رَّبِّهِمْ وَذِلَّةٌۭ فِى ٱلْحَيَوٰةِ ٱلدُّنْيَا ۚ وَكَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْمُفْتَرِينَ ١٥٢

Me të vërtetë, ata që morën viçin (për zot), do t’i zërë zemërim nga Zoti i tyre dhe poshtërim në jetën e kësaj bote.401 Kështu i ndëshkojmë Ne trilluesit.402

Komentimi 2 shënime

Shënimi 401

Ata u ndëshkuan me vrasje të njëri-tjetrit që të mund t’u falej vepra që bënë me adhurimin e viçit, dhe ky ishte poshtërimi i tyre në këtë botë.

Shënimi 402

Kështu si poshtëruam këta që adhuruan viçin, që mohuan Allahun dhe dezertuan nga feja e tyre, po kështu i poshtërojmë të gjithë ata që trillojnë gënjeshtër ndaj Allahut dhe marrin zota të tjerë për t’i adhuruar në vend të Allahut, pasi që e kishin pranuar Njësimin e Allahut dhe pasi kishin besuar në Allahun dhe në të dërguarit e Tij.

7:153

وَٱلَّذِينَ عَمِلُوا ٱلسَّيِّـَٔاتِ ثُمَّ تَابُوا مِنۢ بَعْدِهَا وَءَامَنُوٓا إِنَّ رَبَّكَ مِنۢ بَعْدِهَا لَغَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ ١٥٣

Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija,403 pastaj pendohen dhe besojnë,404 me të vërtetë, Zoti yt pas kësaj është Falës dhe Mëshirëplotë.405

Komentimi 3 shënime

Shënimi 403

Qofshin të mëdha apo të vogla, madje edhe mohim apo shokvënie Allahut, siç bënë ata që adhuruan viçin nga populli i Musait.

Shënimi 404

Pendohen sinqerisht për veprat e tyre të këqia dhe besojnë Allahun dhe gjithçka që Ai ka urdhëruar të besohet dhe të veprohet.

Shënimi 405

I falë të gjitha gjynahet dhe mëkatet dhe e pranon pendimin me mëshirën e Tij.

7:154

وَلَمَّا سَكَتَ عَن مُّوسَى ٱلْغَضَبُ أَخَذَ ٱلْأَلْوَاحَ ۖ وَفِى نُسْخَتِهَا هُدًۭى وَرَحْمَةٌۭ لِّلَّذِينَ هُمْ لِرَبِّهِمْ يَرْهَبُونَ ١٥٤

Kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat,406 në mbishkrimet e të cilave kishte udhëzim dhe mëshirë407 për ata që i frikësohen Zotit të tyre.408

Komentimi 3 shënime

Shënimi 406

Pasi i kaloi zemërimi, dhe e kapi veten, Musai (alejhis selam) filloi me gjënë më të rëndësishme që kishte: marrjen e Pllakave që hodhi, të cilat ishin shumë të rëndësishme dhe madhështore, sepse ishin nga Allahu dhe ishin Shpallja dhe Libri i Allahut për të dhe bijtë e Izraelit.

Shënimi 407

Udhëzim në rrugën e drejtë të Allahut, sqarim i të vërtetës nga e pavërteta dhe i veprave të mira nga ato të këqia, dhe gjithçka që i duhej bijve të Izraelit për këtë botë dhe për botën tjetër, si mëshirë nga Allahu për ata që i besojnë dhe i zbatojnë ato.

Shënimi 408

Vetëm ata që i frikësohen Allahut dhe takimit me Të përfitojnë nga udhëzimi dhe mëshira e Allahut, ndërsa ata që nuk i frikësohen Allahut dhe takimit me Të, iu shtohet arroganca dhe mendjemadhësia, dhe këto Pllaka dhe Shpallje të Allahut janë argument kundër tyre, për lënien e të cilave do të marrin dënimin në këtë botë dhe në botën tjetër.

7:155

وَٱخْتَارَ مُوسَىٰ قَوْمَهُۥ سَبْعِينَ رَجُلًۭا لِّمِيقَـٰتِنَا ۖ فَلَمَّآ أَخَذَتْهُمُ ٱلرَّجْفَةُ قَالَ رَبِّ لَوْ شِئْتَ أَهْلَكْتَهُم مِّن قَبْلُ وَإِيَّـٰىَ ۖ أَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ ٱلسُّفَهَآءُ مِنَّآ ۖ إِنْ هِىَ إِلَّا فِتْنَتُكَ تُضِلُّ بِهَا مَن تَشَآءُ وَتَهْدِى مَن تَشَآءُ ۖ أَنتَ وَلِيُّنَا فَٱغْفِرْ لَنَا وَٱرْحَمْنَا ۖ وَأَنتَ خَيْرُ ٱلْغَـٰفِرِينَ ١٥٥

Dhe Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë.409 Kur ata i goditi dridhja,410 ai tha: “Zoti im! Sikur të doje, do t’i kishe zhdukur që më parë, ata dhe mua.411 A do të na shkatërrosh për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?!412 Ajo ishte një sprovë nga Ti,413 me të cilën Ti çon në humbje kë të duash dhe udhëzon kë të duash.414 Ti je Ndihmuesi ynë, prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i Miri i atyre që falin!415

Komentimi 7 shënime

Shënimi 409

Musai zgjodhi 70 besimtarët më të mirë nga populli i tij, për takimin që i kishte premtuar Allahu, pas adhurimit të viçit, me qëllim që të kërkojnë falje dhe ndjesë për popullin e tyre që adhuroi viçin.

Shënimi 410

Vdiqën nga dridhja e fortë dhe vetëtima, kur i kërkuan Musait që të shohin Allahun drejtpërdrejt.

Shënimi 411

Kur të zgjedhurit vdiqën të gjithë, Musai iu lut Allahut me përgjërim që t’i ringjallte ata, duke i thënë se çfarë mund t’i thoshte bijve të Izraelit për vdekjen e më të zgjedhurve dhe më të mirëve prej tyre. Atëherë Allahu i ringjalli ata.

Shënimi 412

Të cilët nuk kanë logjikë dhe mendje që t’i ndalonte nga lajthitja e tyre në adhurimin e viçit.

Shënimi 413

Çështja e viçit prej arid he adhurimi i tij.

Shënimi 414

Udhëzimi është vetëm në dorë të Allahut, dhe Ai udhëzon kë të dojë dhe humb kë të dojë.

Shënimi 415

Ti je më i Miri që fal dhe mbulon mëkatet tona.

7:156

۞ وَٱكْتُبْ لَنَا فِى هَـٰذِهِ ٱلدُّنْيَا حَسَنَةًۭ وَفِى ٱلْـَٔاخِرَةِ إِنَّا هُدْنَآ إِلَيْكَ ۚ قَالَ عَذَابِىٓ أُصِيبُ بِهِۦ مَنْ أَشَآءُ ۖ وَرَحْمَتِى وَسِعَتْ كُلَّ شَىْءٍۢ ۚ فَسَأَكْتُبُهَا لِلَّذِينَ يَتَّقُونَ وَيُؤْتُونَ ٱلزَّكَوٰةَ وَٱلَّذِينَ هُم بِـَٔايَـٰتِنَا يُؤْمِنُونَ ١٥٦

Na cakto të mira në këtë botë416 dhe në botën tjetër,417 sepse vërtet, ne jemi kthyer tek Ti!”418 Ai (Allahu) tha: “Ky është dënimi Im,419 me të cilin godas kë të dua, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.420 Unë do ua jap atë (mëshirën e posaçme) atyre që ruhen,421 që japin zeqatin, dhe që besojnë në provat Tona;422

Komentimi 7 shënime

Shënimi 416

Dije të dobishme, kryerjen e veprave të mira dhe begati e bollëk.

Shënimi 417

Faljen e mëkateve dhe shpërblimin që i ke premtuar besimtarëve vepërmirë.

Shënimi 418

Ne kthehemi tek Ti të penduar. Deri këtu ishte lutja e Musait (alejhis selam).

Shënimi 419

Dënimi me të cilin godita popullin tënd; dridhja e fortë dhe vdekja e 70 të zgjedhurve nga populli i Musait.

Shënimi 420

Të mirë e të keq, sepse që të gjithë me mëshirën e Allahut ekzistojnë dhe jetojnë; por mëshira e veçantë, që përfshin lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër, është posaçërisht për të devotshmit, siç thuhet në vazhdim të ajetit.

Shënimi 421

Nga idhujtaria dhe mohimi, nga gjynahet e mëdha e të vogla; ata janë populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Shënimi 422

Në argumentet dhe shpalljet e Allahut, nga të cilat është edhe besimi dhe pasimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në të gjitha bazat e fesë dhe degët e saj.

7:157

ٱلَّذِينَ يَتَّبِعُونَ ٱلرَّسُولَ ٱلنَّبِىَّ ٱلْأُمِّىَّ ٱلَّذِى يَجِدُونَهُۥ مَكْتُوبًا عِندَهُمْ فِى ٱلتَّوْرَىٰةِ وَٱلْإِنجِيلِ يَأْمُرُهُم بِٱلْمَعْرُوفِ وَيَنْهَىٰهُمْ عَنِ ٱلْمُنكَرِ وَيُحِلُّ لَهُمُ ٱلطَّيِّبَـٰتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمُ ٱلْخَبَـٰٓئِثَ وَيَضَعُ عَنْهُمْ إِصْرَهُمْ وَٱلْأَغْلَـٰلَ ٱلَّتِى كَانَتْ عَلَيْهِمْ ۚ فَٱلَّذِينَ ءَامَنُوا بِهِۦ وَعَزَّرُوهُ وَنَصَرُوهُ وَٱتَّبَعُوا ٱلنُّورَ ٱلَّذِىٓ أُنزِلَ مَعَهُۥٓ ۙ أُولَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْمُفْلِحُونَ ١٥٧

Atyre423 që ndjekin të Dërguarin, Profetin që nuk di shkrim e lexim (Muhamedin), të cilin e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill;424 Ai i urdhëron ata për mirë dhe i ndalon nga e keqja; u lejon të gjitha të mirat425 dhe u ndalon të këqijat;426 dhe heq nga ata barrët e rënda dhe prangat që kanë pasur.427 Kështu, ata që e besojnë atë (Muhamedin), që e nderojnë, që e ndihmojnë, dhe që ndjekin dritën që ka zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.”428

Komentimi 6 shënime

Shënimi 423

Do ia jap mëshirën Time të posaçme atyre që ndjekin të Dërguarin Muhamed, nga çdo kombësi që të jenë; këtu përfshihen edhe vetë pasardhësit e izraelitëve, madje fjala duket se i drejtohet atyre, që kur të vijë profeti Muhamed, ta besojnë dhe ta pasojnë atë bashkë me popullin e tij arab, në mënyrë që të vazhojnë të jenë besimtarë dhe të përfshihen në mëshirën e Allahut.

Shënimi 424

E gjejnë Muhamedin të shënuar në Teurat dhe Inxhil me emrin dhe cilësitë e tij, nga të cilat urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja… Ajetet i drejtohen bijve të Izraelit, kështu që besimi në Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është kusht që ata të quhen besimtarë, sepse vetëm ata që e besojnë Muhamedin dhe që e pasojnë atë, vetëm ata do i përfshijë mëshira e posaçme e Allahut.

Shënimi 425

Ushqimet e mira dhe të padëmshme; bagëtitë që i ndalonin idhujtarët e Mekës, për të cilat u fol në suren El En’am.

Shënimi 426

Gjërat e këqia dhe të dëmshme për shëndetin, si mishi i derrit, e ngordhta, gjaku; apo që janë të dëmshme për ekonominë, si kamata, vjedhja, mashtrimi në tregti; dhe çdo gjë e keqe që Allahu e ka ndaluar.

Shënimi 427

Për shkak të mohimit dhe mosbindjes së bijve të Izraelit ndaj Musait (alejhis selam), atyre iu vështirësuan dhe iu rënduan shumë ligje dhe rregulla si ndëshkim për ta, por kur erdhi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), Allahu i hoqi ato ligje dhe rregulla të rënda dhe solli lehtësim për besimtarët; kështu që ata Izraelitë që do e besojnë dhe do e pasojnë Muhamedin, nuk do i kenë më mbi shpinë ato barra të rënda dhe vështirësi e pranga që kanë pasur më parë në ligjin e Musait (alejhis selam).

Shënimi 428

Që do të arrijnë fitoren, shpëtimin dhe shpërblimin e Allahut; kurse të gjithë të tjerët janë të humburit në këtë botë dhe në botën tjetër.

7:158

قُلْ يَـٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ إِنِّى رَسُولُ ٱللَّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعًا ٱلَّذِى لَهُۥ مُلْكُ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۖ لَآ إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ يُحْىِۦ وَيُمِيتُ ۖ فَـَٔامِنُوا بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِ ٱلنَّبِىِّ ٱلْأُمِّىِّ ٱلَّذِى يُؤْمِنُ بِٱللَّهِ وَكَلِمَـٰتِهِۦ وَٱتَّبِعُوهُ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ ١٥٨

Thuaj (o Muhamed): “O njerëz! Unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju; 429 të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës.430 Nuk ka hyjni tjetër përveç Tij;431 Ai jep jetë dhe vdekje,432 prandaj besoni në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim, i cili beson në Allahun dhe Fjalët e Tij; dhe pasojeni atë, që të udhëzoheni në Rrugën e Drejtë!”433

Komentimi 5 shënime

Shënimi 429

I drejtohet të gjithë njerëzve të botës, në çdo vend dhe në çdo kohë, arab dhe jo-arab, ithtarë të Librave të mëparshëm dhe të tjerë; që kur Allahu i shpalli atij Kuranin deri në ditën e Kiametit; ndryshe nga të dërguarit para tij që dërgoheshin posaçërisht te popujt e tyre.

Shënimi 430

Unë jam i Dërguari i Allahut, të Cilit i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe mbajtja e drejtimi i tyre.

Shënimi 431

Nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një e të Pashoq; dhe mënyra e adhurimit të Tij nuk mësohet veçse nga të Dërguarit e Tij.

Shënimi 432

Dhe askush e asgjë tjetër përveç Tij nuk mund të japë jetë apo vdekje, kështu që si mund të adhuroni gjëra të tjera në vend të Allahut?!

Shënimi 433

Dhe të jeni të fituarit në këtë botë dhe në botën tjetër.

7:159

وَمِن قَوْمِ مُوسَىٰٓ أُمَّةٌۭ يَهْدُونَ بِٱلْحَقِّ وَبِهِۦ يَعْدِلُونَ ١٥٩

Nga populli i Musait ka pasur disa njerëz që udhëzoheshin me të vërtetën dhe me të mbanin drejtësi.434

Komentimi 1 shënim

Shënimi 434

Jo i gjithë populli i Musait ishte i pabindur dhe me cilësitë e përmendura më sipër, por kishte prej tyre një grup, që ishin të udhëzuar dhe udhezonin të tjerët e mbanin drejtësi me të vërtetën që thuhej në Teurat; vepronin sipas të vërtetës, ftonin në të vërtetën, dhe gjykonin mes njerëzve dhe njëri-tjetrit me të vërtetën, pa i bërë padrejtësi askujt.

7:160

وَقَطَّعْنَـٰهُمُ ٱثْنَتَىْ عَشْرَةَ أَسْبَاطًا أُمَمًۭا ۚ وَأَوْحَيْنَآ إِلَىٰ مُوسَىٰٓ إِذِ ٱسْتَسْقَىٰهُ قَوْمُهُۥٓ أَنِ ٱضْرِب بِّعَصَاكَ ٱلْحَجَرَ ۖ فَٱنۢبَجَسَتْ مِنْهُ ٱثْنَتَا عَشْرَةَ عَيْنًۭا ۖ قَدْ عَلِمَ كُلُّ أُنَاسٍۢ مَّشْرَبَهُمْ ۚ وَظَلَّلْنَا عَلَيْهِمُ ٱلْغَمَـٰمَ وَأَنزَلْنَا عَلَيْهِمُ ٱلْمَنَّ وَٱلسَّلْوَىٰ ۖ كُلُوا مِن طَيِّبَـٰتِ مَا رَزَقْنَـٰكُمْ ۚ وَمَا ظَلَمُونَا وَلَـٰكِن كَانُوٓا أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُونَ ١٦٠

Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë fise, si kombe të ndryshme.435 Dhe i frymëzuam Musait, kur populli i kërkoi ujë:436 “Godite shkëmbin me shkopin tënd!”; dhe në çast, prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime, ku secili grup e dinte burimin e vet. Ne i bëmë retë hije për ta, dhe u zbritëm lëngun e pemës437 dhe thëllëzat, duke iu thënë: “Hani nga të mirat që ju kemi furnizuar!” Ata nuk na dëmtuan Neve, por i bënin dëm vetvetes.438

Komentimi 4 shënime

Shënimi 435

Ku secili fis apo komb kishte profetin e vet; një nga pasardhësit e Israilit apo Jakubit (alejhis selam).

Shënimi 436

Në kohën e atyre dyzet viteve që silleshin të çoroditur nëpër tokë, populli i Musait i kërkoi atij t’i lutej Allahut që t’iu zbriste ujë për të pirë veta ata dhe bagëtitë e tyre, pasi që vendi ku ndodheshin nuk kishte ujë, ose kishte shumë pak ujë.

Shënimi 437

Një ushqim të posaçëm të tyre, që Allahu ia zbriste nga qielli, bashkë me thëllëzat e pjekura.

Shënimi 438

Kur kërkuan ushqim tjetër, pasi që u mërzitën me të njëjtin ushqim që iu vinte nga qielli; nuk i bënë dëm Allahut, sepse asgjë nuk pakësohej nga sundimi i Tij, por i bënë dëm vetes së tyre, duke shprehur pakënaqësi ndaj dhuratës së Allahut dhe duke kërkuar ndërrimin e më të lartës dhe më të mirës me më të ultën.

7:161

وَإِذْ قِيلَ لَهُمُ ٱسْكُنُوا هَـٰذِهِ ٱلْقَرْيَةَ وَكُلُوا مِنْهَا حَيْثُ شِئْتُمْ وَقُولُوا حِطَّةٌۭ وَٱدْخُلُوا ٱلْبَابَ سُجَّدًۭا نَّغْفِرْ لَكُمْ خَطِيٓـَٔـٰتِكُمْ ۚ سَنَزِيدُ ٱلْمُحْسِنِينَ ١٦١

(Kujto) Kur atyre iu tha: “Banoni në këtë qytet439 dhe hani prej tij nga të doni; thoni: “Falje!”440 dhe hyni në portën e tij të përkulur,441 që t’jua falim gabimet. Punëmirëve, Ne do t’ua shtojmë shpërblimin.”442

Komentimi 4 shënime

Shënimi 439

Në Kuds të Palestinës.

Shënimi 440

Kjo vepër është falje që fshin gjynahet tona.

Shënimi 441

Në sexhde.

Shënimi 442

Atyre që bëjnë vepra të mira prej jush – atyre që i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, Musait – do i shtojmë shpërblimin, kurse mëkatarëve do i falim gjynahet.

7:162

فَبَدَّلَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا مِنْهُمْ قَوْلًا غَيْرَ ٱلَّذِى قِيلَ لَهُمْ فَأَرْسَلْنَا عَلَيْهِمْ رِجْزًۭا مِّنَ ٱلسَّمَآءِ بِمَا كَانُوا يَظْلِمُونَ١٦٢

Por, ata që bënë padrejtësi mes tyre, e ndërruan atë me fjalë tjetër nga ajo që u ishte thënë.443 Kështu që, Ne u dërguam atyre një dënim nga qielli, për shkak të padrejtësisë që bënin.444

Komentimi 2 shënime

Shënimi 443

Ata që mohuan Allahun prej bijve të Izraelit, thanë fjalë tjetër nga ajo që u urdhëruan të thonin; në vend që të thonin “Falje”, thanë “Grurë”, apo fjalë tjetër në formë tallje.

Shënimi 444

Mosbindjes ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, Musait (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

7:163

وَسْـَٔلْهُمْ عَنِ ٱلْقَرْيَةِ ٱلَّتِى كَانَتْ حَاضِرَةَ ٱلْبَحْرِ إِذْ يَعْدُونَ فِى ٱلسَّبْتِ إِذْ تَأْتِيهِمْ حِيتَانُهُمْ يَوْمَ سَبْتِهِمْ شُرَّعًۭا وَيَوْمَ لَا يَسْبِتُونَ ۙ لَا تَأْتِيهِمْ ۚ كَذَٰلِكَ نَبْلُوهُم بِمَا كَانُوا يَفْسُقُونَ ١٦٣

Pyeti ata (O Muhamed!)445 për qytetin që gjendej buzë detit – kur ata bënë shkelje në të Shtunën446 – sepse në ditën shtunë atyre u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin,447 nuk u vinin. Kështu, Ne i sprovuam ata,448 sepse ishin të pabindur.449

Komentimi 5 shënime

Shënimi 445

Allahu i drejtohet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) që të pyesë hebrenjtë që jetonin në Medine bashkë me të.

Shënimi 446

Dita e shtunë ishte ditë kremtimi, që madhërohej nga hebrenjtë, dhe Allahu ia kishte ndaluar punën në atë ditë, por ata e shkelën ndalesën dhe shenjtërinë e ditës së shtunë, duke peshkuar në atë ditë, por me hile.

Shënimi 447

Që nuk i madhëronin si ditën e shtunë.

Shënimi 448

Duke i çuar peshqit me shumicë vetëm ditën e shtunë, kurse ditëve të tjera jo; për t’i vënë në provë.

Shënimi 449

Dilnin shpejt nga bindja ndaj Allahut dhe i shkelnin ndalesat dhe urdhrat e Tij.

7:164

وَإِذْ قَالَتْ أُمَّةٌۭ مِّنْهُمْ لِمَ تَعِظُونَ قَوْمًا ۙ ٱللَّهُ مُهْلِكُهُمْ أَوْ مُعَذِّبُهُمْ عَذَابًۭا شَدِيدًۭا ۖ قَالُوا مَعْذِرَةً إِلَىٰ رَبِّكُمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ ١٦٤

Dhe kur një grup prej tyre tha:450 “Përse këshilloni një popull, të cilin Allahu do e shkatërrojë ose do e dënojë me dënim të ashpër?!”451 - Ata (këshilluesit) thanë: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj,452 dhe se ndoshta do të ruhen.”453

Komentimi 4 shënime

Shënimi 450

Kujto gjithashtu, o Muhamed, kur një grup prej popullit të Musait i tha një grupi tjetër këshillues të atyre që shkelën ndalimin e të shtunës; pra ishin ndarë në tre grupe: një grup mëkatar; një grup jo-mëkatar por as këshillues –duke menduar se këshilla nuk bënte dobi për ata njerëz mëkatarë; dhe grupi i tretë që vazhdonte të këshillonte pa u dorëzuar.

Shënimi 451

Për shkak të mëkatit të tyre, shkeljes së ditës së shtunë dhe mosbindjes ndaj Allahut.

Shënimi 452

Për të bërë detyrën që na ngarkuar Allahu; për të urdhëruar për mirë dhe për të ndaluar nga e keqja. Që kur të na pyesë Allahu se çfarë vepruam kur i pamë ata të shkelin ndalesat e Allahut, t’i themi që i ndaluam nga e keqja ashtu si na kishe urdhëruar Ti.

Shënimi 453

Ndoshta do të ruhen nga Allahu dhe do të kenë frikë nga Ai, dhe kështu do të kthehen në bindjen ndaj Tij dhe do të pendohen nga mëkati i tyre dhe shkelja e ditës së shtunë.

7:165

فَلَمَّا نَسُوا مَا ذُكِّرُوا بِهِۦٓ أَنجَيْنَا ٱلَّذِينَ يَنْهَوْنَ عَنِ ٱلسُّوٓءِ وَأَخَذْنَا ٱلَّذِينَ ظَلَمُوا بِعَذَابٍۭ بَـِٔيسٍۭ بِمَا كَانُوا يَفْسُقُونَ ١٦٥

Dhe, kur ata e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që ndalonin nga e keqja, kurse ata që bënë padrejtësi i ndëshkuam me ndëshkim të fortë, për shkak të mosbindjes së tyre.454

Komentimi 1 shënim

Shënimi 454

Kur grupi mëkatar e hodhi pas shpine urdhrin e Allahut dhe e shkeli ndalesën e peshkimit në ditën e shtunë, duke qenë se u paralajmëruan dhe u këshilluan vazhdimisht nga grupi këshillues, atëherë Allahu i ndëshkoi ata që bënë mëkat dhe padrejtësi, dhe i shpëtoi ata që këshillonin dhe ndalonin nga e keqja. Kurse për grupin e tretë, që nuk bëri mëkat, por as nuk këshilloi dhe nuk ndaloi nga e keqja, ka mospajtim në mesin e dijetarëve të Tefsirit nëse shpëtuan apo u ndëshkuan; por ajo që kuptohet nga ajeti është se ata shpëtuan, sepse Allahu thotë që ndëshkimi ishte për ata që bënë padrejtësi prej tyre, d.m.th. për grupin mëkatar që shkeli ndalesën e ditës së shtunë; dhe sepse urdhri për mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrim shoqëror, të cilin nëse e bëjnë si duhet disa, të tjerët shkarkohen nga detyrimi (farz kifaje); dhe këta u mjaftuan me urrejtjen e mëkatit të tyre kur thanë që ata do të marrin dënimin që meritojnë, e Allahu është i Gjithëdijshmi. [Es Seadi].

7:166

فَلَمَّا عَتَوْا عَن مَّا نُهُوا عَنْهُ قُلْنَا لَهُمْ كُونُوا قِرَدَةً خَـٰسِـِٔينَ ١٦٦

Pra, kur ata u sollën me arrogancë ndaj asaj që u ishte ndaluar,455 Ne u thamë atyre: “Bëhuni majmunë të përbuzur!”456

Komentimi 2 shënime

Shënimi 455

E kundërshtuan me arrogancë dhe kryeneçësi ndalesën e Allahut, duke peshkuar në ditën e shtunë.

Shënimi 456

Larg çdo të mire; Allahu i shndërroi ata në majmunë dhe në derra.

7:167

وَإِذْ تَأَذَّنَ رَبُّكَ لَيَبْعَثَنَّ عَلَيْهِمْ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَـٰمَةِ مَن يَسُومُهُمْ سُوٓءَ ٱلْعَذَابِ ۗ إِنَّ رَبَّكَ لَسَرِيعُ ٱلْعِقَابِ ۖ وَإِنَّهُۥ لَغَفُورٌۭ رَّحِيمٌۭ ١٦٧

Dhe (kujto), kur Zoti yt deklaroi se do t’u dërgonte atyre457 njerëz që do t’i mundonin ata me dënimin më të keq, deri në Ditën e Kiametit.458 Me të vërtetë, Zoti yt është i shpejtë në ndëshkim,459 por me të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.460

Komentimi 4 shënime

Shënimi 457

Hebrenjve, pasardhësve të Izraelit.

Shënimi 458

Mund të jetë qëllim haraçi (xhizja), ose çdo lloj tjetër dënimi poshtërues.

Shënimi 459

Ndaj atyre që e mohojnë atë dhe që shkelin urdhrat e Tij; të cilëve jua shpejton ndëshkimin që në këtë botë, para botës tjetër.

Shënimi 460

Ndaj atyre që pendohen për mëkatet e tyre dhe kthehen tek Allahu me bindje dhe përkushtim; i mëshiron dhe nuk i dënon ata për mëkatet që ua ka falur.

7:168

وَقَطَّعْنَـٰهُمْ فِى ٱلْأَرْضِ أُمَمًۭا ۖ مِّنْهُمُ ٱلصَّـٰلِحُونَ وَمِنْهُمْ دُونَ ذَٰلِكَ ۖ وَبَلَوْنَـٰهُم بِٱلْحَسَنَـٰتِ وَٱلسَّيِّـَٔاتِ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ١٦٨

Ne i shpërndamë ata nëpër Tokë, grupe-grupe.461 Disa prej tyre ishin të mirë, ndërsa disa të tjerë jo.462 Ne i sprovuam ata me të mira dhe të këqija,463 me qëllim që të ktheheshin.464

Komentimi 4 shënime

Shënimi 461

Allahu i shpërndau bijtë e Izraelit nëpër vende të ndryshme të botës, në grupe të ndarë nga njëri-tjetri.

Shënimi 462

Disa prej bijve të Izraelit që Allahu i shpërndau nëpër botë, ishin besimtarë dhe punëmirë, ndërsa disa të tjerë nuk ishin të tillë. Ata ishin besimtarë deri në kohën kur Allahu dërgoi Isain, birin e Merjemes, të cilin ata e mohuan dhe kështu dezertuan nga feja e Allahut dhe u bënë mohues të Allahut.

Shënimi 463

Me mirësi e begati, dhe me fatkeqësi e vështirësi.

Shënimi 464

Që të ktheheshin në bindjen ndaj Allahut dhe të pendoheshin për mëkatet e tyre.

7:169

فَخَلَفَ مِنۢ بَعْدِهِمْ خَلْفٌۭ وَرِثُوا ٱلْكِتَـٰبَ يَأْخُذُونَ عَرَضَ هَـٰذَا ٱلْأَدْنَىٰ وَيَقُولُونَ سَيُغْفَرُ لَنَا وَإِن يَأْتِهِمْ عَرَضٌۭ مِّثْلُهُۥ يَأْخُذُوهُ ۚ أَلَمْ يُؤْخَذْ عَلَيْهِم مِّيثَـٰقُ ٱلْكِتَـٰبِ أَن لَّا يَقُولُوا عَلَى ٱللَّهِ إِلَّا ٱلْحَقَّ وَدَرَسُوا مَا فِيهِ ۗ وَٱلدَّارُ ٱلْـَٔاخِرَةُ خَيْرٌۭ لِّلَّذِينَ يَتَّقُونَ ۗ أَفَلَا تَعْقِلُونَ ١٦٩

Pas tyre, erdhi një brez i keq, i cili trashëgoi Librin (Teuratin), por duke marrë gjërat e pavlera të kësaj bote465 dhe duke thënë: “Do të na falet!”466 Por, edhe nëse u vinte ndonjë ofertë e ngjashme,467 ata përsëri e merrnin atë.468 A nuk iu ishte marrë atyre besëlidhja e Librit – që të mos thoshin për Allahun veçse të vërtetën – duke qenë se e kishin studiuar çfarë kishte në të (Teurat)? 469 Bota tjetër është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut;470 A nuk logjikoni?!471

Komentimi 7 shënime

Shënimi 465

Brezi që erdhi më pas nga bijtë e Izraelit, pas kohës së Musait (alejhis selam), ishte një brez i keq, i cili megjithëse e trashëgoi Librin e Allahut, Teuratin, nga të parët e tyre, e lanë zbatimin e tij dhe i shkelën ligjet e tij, madje e kthyen atë në mjet fitimi për të marrë rryshfet nga njerëzit kur gjykonin mes tyre sipas Teuratit; pra për një fitim të pavlerë të kësaj bote ata hodhën pas shpine dhe shkelën Librin e Allahut.

Shënimi 466

Do të na falet kjo që po bëjmë; duke e pranuar se vepra e tyre ishte mëkat, por duke mos u penduar për të dhe duke mos kërkuar falje në mënyrën e duhur; sikur ta kishin të sigurtë se do i falej çfarëdo që të bënin.

Shënimi 467

Ofertë e ngjashme me atë për të cilën kërkuan një lloj faljeje.

Shënimi 468

Pa pasur asnjë lloj droje apo frike nga Allahu, dhe pa kujtuar asnjë nga mësimet e përmendura në Teurat për popujt e mëparshëm; por duke vazhduar në mëkate.

Shënimi 469

Allahu i mori besën bijve të Izraelit që ta zbatonin Teuratin me përpikmëri dhe të mos thoshin për Allahun veçse të vërtetën, dhe këtu i kujton këtij brezi të prishur besën që kanë dhënë të parët e tyre, me qëllim që të kujtojnë dhe të kthehen nga shkelja e besës së Allahut.

Shënimi 470

Ajo që Allahu ka përgatitur për miqtë dhe të dashurit e Tij në botën tjetër, për ata që i ruhen Allahut dhe kanë frikë dënimin e Tij, është padyshim më e mirë se gjërat e pavlera të kësaj bote, me të cilat ata shesin Librin e Allahut.

Shënimi 471

A nuk kanë logjikë që ta kuptojnë humbjen e madhe që kanë zgjedhur ata që shkelin besëlidhjen e Allahut, dhe se bota tjetër është më e mirë për të devotshmit, se kjo botë kalimtare?!

7:170

وَٱلَّذِينَ يُمَسِّكُونَ بِٱلْكِتَـٰبِ وَأَقَامُوا ٱلصَّلَوٰةَ إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجْرَ ٱلْمُصْلِحِينَ ١٧٠

Ata që i përmbahen Librit dhe e kryejnë faljen472 – me të vërtetë, Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin rregulluesve.473

Komentimi 2 shënime

Shënimi 472

Ata që e zbatojnë Librin e Allahut me të cilin erdhi Musai (alejhis selam), pra Teuratin; si dhe falin namazin e rregullt ditor në formën më të mirë; duke iu drejtuar bijve të Izraelit, hebrenjve dhe të krishterëve, deri para se Allahu të dërgonte Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) me Kuranin.

Shënimi 473

Që rregullojnë veten dhe të tjerët; që bëjnë vepra të mira dhe urdhërojnë për mirë e ndalojnë nga e keqja.

7:171

۞ وَإِذْ نَتَقْنَا ٱلْجَبَلَ فَوْقَهُمْ كَأَنَّهُۥ ظُلَّةٌۭ وَظَنُّوٓا أَنَّهُۥ وَاقِعٌۢ بِهِمْ خُذُوا مَآ ءَاتَيْنَـٰكُم بِقُوَّةٍۢ وَٱذْكُرُوا مَا فِيهِ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ١٧١

(Kujto) Kur Ne ngritëm sipër tyre malin,474 sikur të ishte një re e errët, sa që menduan se do të binte mbi ta; (u thamë:) “Merreni me vendosmëri atë që ju dhamë,475 dhe kujtoni çfarë thuhet në të,476 në mënyrë që të ruheni.”477

Komentimi 4 shënime

Shënimi 474

Kur ne e shkulëm malin Tur dhe e ngritëm mbi kokat e bijve të Izraelit, duke i kërcënuar me forcë që të merrnin Librin dhe ta zbatonin atë, sepse kjo ishte për të mirën e tyre, por nga injoranca dhe arroganca e tyre, ata nuk pranonin as të mirën për veten e vet, përveç nëse u jepej me force.

Shënimi 475

Merreni me seriozitet dhe përpiquni në maksimum që ta zbatoni me përpikmëri Librin që ju dhamë.

Shënimi 476

Kujtoni besëlidhjet që ju kemi marrë dhe që i kemi shënuar në Libër – në Teurat.

Shënimi 477

Të ruheni nga Zoti juaj dhe të keni frikë ndëshkimin e Tij për lënien dhe shkeljen e atyre që ju ka urdhëruar dhe besës që ju ka marrë në Libër.

7:172

وَإِذْ أَخَذَ رَبُّكَ مِنۢ بَنِىٓ ءَادَمَ مِن ظُهُورِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَأَشْهَدَهُمْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ ۖ قَالُوا بَلَىٰ ۛ شَهِدْنَآ ۛ أَن تَقُولُوا يَوْمَ ٱلْقِيَـٰمَةِ إِنَّا كُنَّا عَنْ هَـٰذَا غَـٰفِلِينَ ١٧٢

Dhe (kujto) kur Zoti yt nxori nga bijtë e Ademit – nga shpinat e tyre478 - pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, (duke u thënë): “A nuk jam Unë Zoti juaj?”479 Ata thanë: “Po, dëshmojmë!”480 - Që të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne ishim të pavëmendshëm ndaj kësaj.”481

Komentimi 4 shënime

Shënimi 478

Nga palca e shtyllës kurrizore të prindërve të tyre, brez pas brezi, që nga Ademi deri te njeriu i fundit mbi Tokë.

Shënimi 479

Zoti, Krijuesi dhe Zotëruesi juaj; duke i bërë të pohojnë Njësimin e Tij, gjë të cilën ua vendosi në natyrshmërinë dhe ndërgjegjen e tyre të brendshme.

Shënimi 480

Dëshmojmë që Ti je Zoti ynë! Ebu Hurejra (radiallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë njerëzore (të besimit të pastër Islam), por janë prindërit ata që e bëjnë atë hebre, të krishter, apo mexhus (adhurues të zjarrit apo idhujtar); ashtu si bagëtitë që lindin viça të plotë, a mos shihni të lindin viça me vesh apo hundë të prerë?!” Pastaj Ebu Hurejra përmendi Fjalën e Allahut: “Natyrshmëria në të cilën Allahu ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë…” [Er Rum, 30]. Hadithin e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

Shënimi 481

Nuk e dinim këtë.

7:173

أَوْ تَقُولُوٓا إِنَّمَآ أَشْرَكَ ءَابَآؤُنَا مِن قَبْلُ وَكُنَّا ذُرِّيَّةًۭ مِّنۢ بَعْدِهِمْ ۖ أَفَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ ٱلْمُبْطِلُونَ ١٧٣

Apo të thoni: “Baballarët tanë ishin idhujtarë para nesh, kurse ne ishim pasardhësi të tyre. A do të na shkatërrosh për atë që kanë bërë falsifikuesit?”482

Komentimi 1 shënim

Shënimi 482

Për shkak të idhujtarisë dhe falsifikimit që kanë bërë të parët tanë, duke falsifikuar adhurimin e vërtetë të Allahut dhe duke adhuruar idhujt; kurse ne ndoqëm rrugën e tyre pa e ditur të vërtetën. Por e vërteta është se Allahu i bëri ata të dëshmojnë kundër vetes dhe ua mbolli këtë gjë në ndërgjegjen e tyre, dhe secili njeri e ka në natyrshmërinë e tij Njësimin e Allahut, Krijuesit dhe Zotit të tij; dhe përveç kësaj, Allahu u ka dërguar atyre profetë dhe Libra qiellor, me qëllim që t’ua kujtojë dëshminë e tyre kundër vetes, dhe të qëndrojnë në rrugën e drejtë.

7:174

وَكَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ ٱلْـَٔايَـٰتِ وَلَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ١٧٤

Kështu i shpjegojmë Ne provat, me hollësi,483 me qëllim që ata të kthehen.484

Komentimi 2 shënime

Shënimi 483

Si në këtë sure edhe në sure të tjera.

Shënimi 484

Me qëllim që populli yt, o Muhamed, dhe të gjithë njerëzit, të marrin mësim dhe të kthehen në bindjen ndaj Meje, të pendohen nga idhujtaria dhe mosbesimi dhe të kthehen në besimin e vërtetë, në Njësimin Tim dhe në adhurimin Tim, pa më shoqëruar asgjë dhe askënd.

7:175

وَٱتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ ٱلَّذِىٓ ءَاتَيْنَـٰهُ ءَايَـٰتِنَا فَٱنسَلَخَ مِنْهَا فَأَتْبَعَهُ ٱلشَّيْطَـٰنُ فَكَانَ مِنَ ٱلْغَاوِينَ ١٧٥

Lexoju atyre historinë e atij,485 të cilit Ne i dhamë provat Tona, por ai u zhvesh prej tyre. Kështu, djalli e bëri atë pasues të vetin, dhe ai u bë nga të humburit.

Komentimi 1 shënim

Shënimi 485

O Muhamed, tregoi popullit tënd dhe hebrenjve që janë në Medine, dhe të gjithë njerëzimit, historinë e një njeriu të cilit Allahu i dha disa nga provat dhe argumentet e Tij. Dijetarët e Tefsirit përmendin disa transmetime ku bëhet fjalë për një burrë nga bijtë e Izraelit apo nga gjigandët, në kohën e Musait, i cili quhej Bel’am, dhe të cilit Allahu i kishte mësuar disa nga provat e Tij, si Emri më i Madh i Allahut, me anë të cilit përgjigjet çdo lutje në çast; por që ai nuk e shfrytëzoi si duhet këtë dhunti, por u mashtrua nga dynjaja dhe ndoqi rrugën e shejtanit, duke u lutur kundër Musait dhe popullit të tij.

7:176

وَلَوْ شِئْنَا لَرَفَعْنَـٰهُ بِهَا وَلَـٰكِنَّهُۥٓ أَخْلَدَ إِلَى ٱلْأَرْضِ وَٱتَّبَعَ هَوَىٰهُ ۚ فَمَثَلُهُۥ كَمَثَلِ ٱلْكَلْبِ إِن تَحْمِلْ عَلَيْهِ يَلْهَثْ أَوْ تَتْرُكْهُ يَلْهَث ۚ ذَّٰلِكَ مَثَلُ ٱلْقَوْمِ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا ۚ فَٱقْصُصِ ٱلْقَصَصَ لَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ ١٧٦

Sikur të donim, do ta ngrinim me to (provat), por ai anoi nga Toka486 dhe ndoqi dëshirën e vet. Kështu që, shembulli i tij487 është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai nxjerr gjuhën, dhe nëse e lë, ai përsëri nxjerr gjuhën.488 Ky është shembulli i njerëzve që i përgënjeshtrojnë provat Tona. Tregojua këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.489

Komentimi 4 shënime

Shënimi 486

Anoi nga jeta e kësaj bote, duke i dhënë përparësi asaj ndaj jetës së botës tjetër.

Shënimi 487

Në dëshirën e fortë për gjërat e kësaj bote.

Shënimi 488

Ashtu si qeni që e mban gjuhën jashtë në çdo gjëndje që të jetë, po ashtu edhe ky vazhdon ta dojë dynajë dhe ta lidhë zemrën me të aq fortë, sa asgjë nga dynjaja nuk e ngop, dhe ai vazhdon të shkojë pas saj.

Shënimi 489

Tregoja këto ngjarje që të kemi treguar në këtë sure, popullit tënd, o Muhamed, si dhe hebrenjve që gjenden në Medine dhe mbarë njerëzimit, me qëllim që të mendojnë rreth tyre dhe të marrin mësim e të kthehen në bindjen ndaj Nesh; dhe që të mos i zërë ndëshkim si ai i atyre që përgënjeshtruan provat dhe të dërguarit Tanë më parë.

7:177

سَآءَ مَثَلًا ٱلْقَوْمُ ٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا وَأَنفُسَهُمْ كَانُوا يَظْلِمُونَ ١٧٧

Sa shembull i shëmtuar janë ata njerëz, që i mohojnë provat Tona, por ata i bëjnë padrejtësi vetëm vetvetes.490

Komentimi 1 shënim

Shënimi 490

Me mohimin e tyre, sepse do të marrin dënimin e rëndë nga Allahu.

7:178

مَن يَهْدِ ٱللَّهُ فَهُوَ ٱلْمُهْتَدِى ۖ وَمَن يُضْلِلْ فَأُولَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْخَـٰسِرُونَ ١٧٨

Këdo që Allahu e udhëzon - ai është i udhëzuari; dhe këdo që lë në humbje - ata janë të humburit.491

Komentimi 1 shënim

Shënimi 491

Udhëzimi dhe humbja janë në dorë të Allahut; I udhëzuari është ai që ndjek rrugën e drejtë dhe të vërtetë të fesë, me udhëzimin dhe suksesin që i ka dhënë Allahu; kurse i humburi është ai që Allahu e ka lënë dhe nuk i ka dhënë sukses për bindje ndaj Allahut – për atë që di Allahu nga zemrat e njerëzve dhe veprat e tyre – dhe ky padyshim që është i humbur, humbës dhe i shkatërruar, që humb veten dhe familjen e tij, në këtë botë dhe në botën tjetër.

7:179

وَلَقَدْ ذَرَأْنَا لِجَهَنَّمَ كَثِيرًۭا مِّنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ ۖ لَهُمْ قُلُوبٌۭ لَّا يَفْقَهُونَ بِهَا وَلَهُمْ أَعْيُنٌۭ لَّا يُبْصِرُونَ بِهَا وَلَهُمْ ءَاذَانٌۭ لَّا يَسْمَعُونَ بِهَآ ۚ أُولَـٰٓئِكَ كَٱلْأَنْعَـٰمِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ ۚ أُولَـٰٓئِكَ هُمُ ٱلْغَـٰفِلُونَ ١٧٩

Ne kemi krijuar për Xhehenemin shumë nga xhindet dhe njerëzit; Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë,492 kanë sy me të cilët nuk shohin493 dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë,494 madje edhe më të humbur.495 Pikërisht ata janë të shkujdesurit.496

Komentimi 5 shënime

Shënimi 492

Nuk mendojnë dhe nuk meditojnë në provat dhe shenjat e Allahut, që vërtetojnë Njësimin e Tij; në zemrat e tyre nuk arrin as kuptim as dije, përveç ngritjes së argumentit.

Shënimi 493

Nuk shohin të vërtetën, provat dhe argumentet e Allahut, atë që i bën dobi; nuk shohin të keqen dhë dëmin e idhujtarisë dhe mosbesimit të tyre.

Shënimi 494

Pa logjikë, që nuk kuptojnë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, dhe nuk dallojnë mes të mirës dhe të keqes.

Shënimi 495

Sepse kafshët, megjithëse nuk kuptojnë, por ato janë të inspiruara të largohen nga ajo që i bën keq, dhe të kërkojnë ushqimin më të mirë; kurse këta që janë krijuar për Xhehenemin, megjithëse kanë mendje dhe logjikë për të dalluar mes të mirës dhe të keqes, e lënë atë që është e mirë për ta në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe kërkojnë atë që i dëmton në këtë botë dhe në botën tjetër; pra kafshët janë më të udhëzuara se këta, kurse këta janë më të humbur se kafshët.

Shënimi 496

Ndaj provave dhe argumenteve të Allahut; duke i lënë ato në harresë dhe duke mos medituar në domethënien e tyre; dhe ndaj gjërave më të dobishme dhe më të rëndësishme për ta: besimi në Allahun, bindja ndaj Tij dhe përmendja e Tij.

7:180

وَلِلَّهِ ٱلْأَسْمَآءُ ٱلْحُسْنَىٰ فَٱدْعُوهُ بِهَا ۖ وَذَرُوا ٱلَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِىٓ أَسْمَـٰٓئِهِۦ ۚ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ ١٨٠

Allahut i përkasin emrat më të mirë,497 prandaj lutjuni Atij me to,498 dhe largohuni nga ata që bëjnë shtrembërime në emrat e Tij;499 ata do të ndëshkohen për ato që vepronin.500

Komentimi 4 shënime

Shënimi 497

Allahu ka emrat më të mirë dhe më të bukur, dhe çdo emër i Tij tregon një atribut apo cilësi të përsosur dhe madhështore të Tij; prandaj janë emra të mirë, sepse kanë kuptim të mirë, të plotë dhe të përsosur dhe nuk janë thjesht emra pa kuptim.

Shënimi 498

Lutja në këtë rast përfshin: adhurimin e Allahut dhe kërkimin nga Ai. Allahut i lutesh me atë emër që është i përshtatshëm për llojin e lutjes që bën; për shembull: “O Zoti im! Më fal dhe më mëshiro mua, sepse Ti je Falësi dhe Mëshirëploti!”; Ose: “Pranoje pendimin tim, o Pranuesi i pendimit!”; Ose: “Më furnizo mua, o Furnizues!” E kështu.

Shënimi 499

Shtrembërimi dhe devijimi në emrat e Allahut: ose duke quajtur dikë tjetër me ato emra, siç bënin idhujtarët që i quanin idhujt e tyre me disa nga emrat e Allahut me ndryshime të vogla; ose duke e mohuar kuptimin e tyre dhe duke e shtrembëruar atë; ose duke i dhënë kuptim tjetër që nuk e ka pasur për qëllim Allahu apo i Dërguari i Tij; ose duke i shëmbëllyer emrat dhe atributet e Allahut me ndonjë prej krijesave të Tij. Pra, duhet të ruhesh nga shtrembërimi i emrave dhe atributeve të Allahut, si dhe nga ata që e bëjnë këtë gjë, duke u larguar prej tyre. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra; kush i mëson ato të gjitha, do të hyjë në xhenet.”

Shënimi 500

Do të marrin ndëshkimin që meritojnë për shkak të veprave që bënin para se t’u vinte vdekja: prej mohimit të Allahut, shtrembërimit të emrave të Tij, përgënjeshtrimit të Dërguarit të Tij.

7:181

وَمِمَّنْ خَلَقْنَآ أُمَّةٌۭ يَهْدُونَ بِٱلْحَقِّ وَبِهِۦ يَعْدِلُونَ ١٨١

Në mesin e atyre që kemi krijuar, ka njerëz që udhëzohen me të vërtetën dhe me të mbajnë drejtësi.501

Komentimi 1 shënim

Shënimi 501

Këta janë dijetarët e sinqertë dhe edukues nga populli i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), deri në Ditën e Kiametit.

7:182

وَٱلَّذِينَ كَذَّبُوا بِـَٔايَـٰتِنَا سَنَسْتَدْرِجُهُم مِّنْ حَيْثُ لَا يَعْلَمُونَ ١٨٢

Ndërsa ata që i përgënjeshtrojnë provat Tona, Ne do t’i tërheqim drejt shkatërrimit,502 pa e kuptuar;

Komentimi 1 shënim

Shënimi 502

Do t’ia zbukurojmë veprën e keqe sa të mendojë se ajo që po bën prej përgënjeshtrimit dhe mohimit të provave dhe shpalljeve të Allahut, t’i duket vepër e mirë; deri sa t’i përmbushet afati, pastaj do e llogarisim për veprat e tij të këqia dhe do i japim ndëshkimin që meriton.

7:183

وَأُمْلِى لَهُمْ ۚ إِنَّ كَيْدِى مَتِينٌ ١٨٣

Dhe do t’u jap afat.503 Me të vërtetë, plani Im është i fortë.504

Komentimi 2 shënime

Shënimi 503

Deri në një kohë të caktuar, kur të mendojnë se nuk do të ndëshkohen për mohimin dhe veprat e tyre të këqia, kështu që do të vazhdojnë edhe më shumë në mosbesim dhe arrogancë, atëherë do të marrin ndëshkimin e caktuar për ta në këtë botë, para se të japin shpirtin.

Shënimi 504

Dhe nuk mund të prishet apo të dështojë.

7:184

أَوَلَمْ يَتَفَكَّرُوا ۗ مَا بِصَاحِبِهِم مِّن جِنَّةٍ ۚ إِنْ هُوَ إِلَّا نَذِيرٌۭ مُّبِينٌ ١٨٤

Ende nuk e kanë menduar ata? Shoku i tyre (Muhamedi) nuk ka kurrfarë çmendurie.505 Ai është vetëm paralajmërues i qartë.506

Komentimi 2 shënime

Shënimi 505

A nuk e kanë vënë mendjen në punë mohuesit dhe idhujtarët se shoku i tyre, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të cilin e njohin mirë dhe i shohin cilësitë dhe moralin e tij, nuk është i çmendur, por përkundrazi, është më i logjikshmi nga të gjithë ata dhe me atributet më të larta se të gjithë ata dhe mbarë njerëzimi, dhe ai i fton ata vetëm në atë që është për të mirën e tyre dhe i ndalon nga ajo që është e keqe për ta?!

Shënimi 506

Që ju paralajmëron në mënyrë plotësisht të qartë dënimin e Allahut për shkak të mosbesimit tuaj, në rast se nuk ktheheni në besimin e vërtetë, në bindjen ndaj Allahut dhe në pasimin e të Dërguarit të Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

7:185

أَوَلَمْ يَنظُرُوا فِى مَلَكُوتِ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ وَمَا خَلَقَ ٱللَّهُ مِن شَىْءٍۢ وَأَنْ عَسَىٰٓ أَن يَكُونَ قَدِ ٱقْتَرَبَ أَجَلُهُمْ ۖ فَبِأَىِّ حَدِيثٍۭ بَعْدَهُۥ يُؤْمِنُونَ ١٨٥

A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që Allahu ka krijuar,507 dhe të mendojnë se mund t’u jetë afruar afati?!508 Në çfarë thënie tjetër pas kësaj do të besojnë?!509

Komentimi 3 shënime

Shënimi 507

Çdo grimcë e universit provon fuqinë, dijen, urtësinë dhe mëshirën absolute të Allahut, dhe se mbi të gjitha Ai është Krijuesi dhe mbajtësi i tyre; kështu që përse nuk meditojnë pak dhe të marrin mësim, e të mos adhurojnë idhuj e sende që nuk mund të sjellin dëm apo dobi, dhe që nuk mund të mbajnë as vetveten, por të adhurojnë Krijuesin e tyre dhe të gjithçkaje që ekziston.

Shënimi 508

Afati i vdekjes dhe i shkuarjes tek Allahu, ku do të marrin ndëshkimin e rëndë dhe të përhershëm për mohimin dhe veprat e tyre të këqia, në rast se nuk pendohen dhe nuk kthehen në bindje ndaj Allahut para se t’iu vijë ai afat.

Shënimi 509

Nëse nuk besojnë këtë Libër që i është shpallur Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), dhe në të cilin gjendet e vërteta e ekizstencës së gjithësisë, dhe gjithçka i duhet njeriut për të jetuar mirë në këtë botë dhe në botën tjetër kur të kthehet te Zoti i tij; atëherë çfarë thënie dhe çfarë libri do të besojnë idhujtarët, mohuesit dhe mbarë njerëzimi?

7:186

مَن يُضْلِلِ ٱللَّهُ فَلَا هَادِىَ لَهُۥ ۚ وَيَذَرُهُمْ فِى طُغْيَـٰنِهِمْ يَعْمَهُونَ ١٨٦

Këdo që Allahu e humb – nuk ka udhëzues për të!510 Ai i lë ata në mëkatin e tyre, duke u endur verbërisht.511

Komentimi 2 shënime

Shënimi 510

Atë që Allahu e humb nga rruga e drejtë, askush nuk mund ta udhëzojë atë, sepse udhëzimi është vetëm në Dorë të Allahut dhe vetëm Ai i di zemrat e krijesave të Tij.

Shënimi 511

Allahu i lë ata të thellohen në mosbesimin dhe idhujtarinë e tyre, duke bredhur në verbëri nga e cila nuk mund të dalin, deri sa të arrijnë cakun e tyre që u ka caktuar Allahu, për të marrë ndëshkimin e rëndë që meritojnë.

7:187

يَسْـَٔلُونَكَ عَنِ ٱلسَّاعَةِ أَيَّانَ مُرْسَىٰهَا ۖ قُلْ إِنَّمَا عِلْمُهَا عِندَ رَبِّى ۖ لَا يُجَلِّيهَا لِوَقْتِهَآ إِلَّا هُوَ ۚ ثَقُلَتْ فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضِ ۚ لَا تَأْتِيكُمْ إِلَّا بَغْتَةًۭ ۗ يَسْـَٔلُونَكَ كَأَنَّكَ حَفِىٌّ عَنْهَا ۖ قُلْ إِنَّمَا عِلْمُهَا عِندَ ٱللَّهِ وَلَـٰكِنَّ أَكْثَرَ ٱلنَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ ١٨٧

Ata të pyesin ty (O Muhamed) për Orën (e Kiametit), se kur do të ndodhë ajo?512 Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im.513 Askush nuk mund ta zbulojë kohën e saj, përveç Tij.514 Ajo është shumë e rëndë në qiej dhe Tokë;515 nuk do t’ju vijë veçse befasisht.”516 Ata të pyesin sikur ti ta dije mirë atë.517 Thuaj: “Njohja e saj (Orës së Kiametit) është vetëm tek Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”518

Komentimi 7 shënime

Shënimi 512

Ata që të përgënjeshtrojnë dhe të mohojnë ty, o Muhamed - nga kurejshët ose hebrenjtë e Medines - të pyesin se kur do të ndodhë Kiameti.

Shënimi 513

I Cili di të fshehtën dhe të dukshmen, dhe Ai nuk ia ka treguar kohën se kur do të ndodhë Kiameti askujt nga krijesat e Tij.

Shënimi 514

Kurse njerëzit dhe të gjitha krijesat do ta mësojnë atë vetëm kur të ndodhë papritmas.

Shënimi 515

Njohja e Orës së Kiametit është fshehur nga krijesat e qiejve dhe të Tokës, dhe çështja e saj është gjithashtu shumë e rëndë për ta, dhe ata kanë frikë nga ndodhja e saj.

Shënimi 516

Pa e pritur dhe pa e kuptuar, krejtëisht papritmas dhe pa u përgatitur për të.

Shënimi 517

Idhujtarët dhe mohuesit të pyesin për kohën kur do të ndodhë Kiameti, duke menduar sikur ti ke pyetur shumë rreth saj dhe je interesuar për kohën kur do të ndodhë, dhe se e di mirë se kur do të ndodhë; ndërsa e vërteta është se ti nuk ke pyetur për kohën e Kiametit, sepse nuk është diçka që do të sillte ndonjë dobi, dhe as nuk e di kohën e tij, sepse kohën se kur do të ndodhë Kiameti nuk di asnjë i dërguar nga Allahu dhe asnjë engjëll që është më pranë Allahut, por Allahu e ka mbajtur atë të fshehtë nga të gjithë, me dijen dhe urtësinë e Tij absolute. Kështu që, mos e pyesni se kur do të ndodhë Kiameti, por përgatituni për të duke besuar Allahun dhe duke ju bindur Atij dhe të Dërguarit të Tij.

Shënimi 518

Kohën se kur do të bëhet Kiameti e di vetëm Allahu, i Cili di të fshehtat e qiejve dhe të Tokës, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë, dhe mendojnë se ndonjë nga krijesat mund ta dijë; por ata janë gabim, sespe asnjë krijesë nuk ka asnjë rrugë dhe asnjë mënyrë për ta mësuar se kur do të ndodhë Kiameti.

7:188

قُل لَّآ أَمْلِكُ لِنَفْسِى نَفْعًۭا وَلَا ضَرًّا إِلَّا مَا شَآءَ ٱللَّهُ ۚ وَلَوْ كُنتُ أَعْلَمُ ٱلْغَيْبَ لَٱسْتَكْثَرْتُ مِنَ ٱلْخَيْرِ وَمَا مَسَّنِىَ ٱلسُّوٓءُ ۚ إِنْ أَنَا۠ إِلَّا نَذِيرٌۭ وَبَشِيرٌۭ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ١٨٨

Thuaj: “Unë nuk kam në dorë t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveç asaj që dëshiron Allahu;519 dhe sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte e keqa.520 Unë nuk jam veçse një paralajmërues521 dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.”522

Komentimi 4 shënime

Shënimi 519

Unë jam krijesë e Allahut; nuk më vjen e mira veçse nga Allahu dhe nuk ma largon të keqen veçse Allahu; dhe unë nuk di asgjë përveç asaj që më ka mësuar Allahu.

Shënimi 520

Sikur ta dija të fshehtën dhe të ardhmen, do të bëja ato shkaqe që e dija sigurtë se do të sillnin fitim dhe të mira, dhe do të ruhesha nga ato gjëra që do më sillnin humbje dhe dëmtim; por unë nuk e di të fshehtën, kështu që mund të më shpëtojnë disa të mira të dynjasë dhe mund të më prekin disa të këqija të saj, sepse unë jam njeri, ashtu si edhe ju.

Shënimi 521

Jam dërguar nga Allahu si paralajmërues i ndëshkimit në këtë botë dhe në botën tjetër, duke sqaruar veprat që meritojnë ndëshkim dhe duke ndaluar prej tyre.

Shënimi 522

Dhe jam derguar gjithashtu si lajmërues për shpërblimin në këtë botë dhe në botën tjetër të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, duke i sqaruar ato vepra dhe duke nxitur për kryerjen e tyre; pra lajmet e mira janë vetëm për besimtarët që veprojnë vepra të mira, dhe për askënd tjetër përveç tyre.

7:189

۞ هُوَ ٱلَّذِى خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍۢ وَٰحِدَةٍۢ وَجَعَلَ مِنْهَا زَوْجَهَا لِيَسْكُنَ إِلَيْهَا ۖ فَلَمَّا تَغَشَّىٰهَا حَمَلَتْ حَمْلًا خَفِيفًۭا فَمَرَّتْ بِهِۦ ۖ فَلَمَّآ أَثْقَلَت دَّعَوَا ٱللَّهَ رَبَّهُمَا لَئِنْ ءَاتَيْتَنَا صَـٰلِحًۭا لَّنَكُونَنَّ مِنَ ٱلشَّـٰكِرِينَ ١٨٩

Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm,523 dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij,524 që të qetësohej tek ajo.525 Kur ai (burri) e mbështjell atë (gruan),526 ajo mbart një barrë të lehtë, dhe vazhdon pa e ndier.527 Kur barra rëndohet, ata të dy i luten Allahut, Zotit të tyre:528 “Nëse na dhuron fëmijë të saktë,529 ne me siguri do të jemi ndër mirënjohësit!”530

Komentimi 8 shënime

Shënimi 523

O burrat dhe gratë e gjithë botës, të çdo vendi apo kohe, që të gjithë ju jeni krijuar fillimisht nga një njeri i vetëm, që është babai i njerëzimit, Ademi (Paqja e Allahut qoftë mbi të!).

Shënimi 524

Nga brinja e Ademit, Allahu krijoi bashkëshorten e tij, nënën e njerëzimit, Havanë.

Shënimi 525

Sepse duke qenë se ajo ishte pjesë e tij, kështu mund të përshtateshin me njëri-tjetrin, të qetësoheshin te njëri-tjetri dhe të gjenin kënaqësi te njëri-tjetri.

Shënimi 526

Kur kryejnë marrëdhënie bashkëshortore intime, dhe kur Allahu ka caktuar që nga ajo marrëdhënie të ketë shtatzani.

Shënimi 527

Vazhdon jetën pa e ndier rëndesën e barrës në fillim të shtatzanisë, madje duke dyshuar dhe pa qenë e sigurtë nëse është shtatzënë apo jo, deri sa barra të rëndohet.

Shënimi 528

Dhe akujt tjetër përveç Allahut; as idhujve as shejtanit dhe askujt.

Shënimi 529

Pa të meta fizike apo mendore.

Shënimi 530

Do të të faënderojmë vetëm Ty, Zoti ynë, për dhurimin e fëmijes së saktë dhe pa të meta.

7:190

فَلَمَّآ ءَاتَىٰهُمَا صَـٰلِحًۭا جَعَلَا لَهُۥ شُرَكَآءَ فِيمَآ ءَاتَىٰهُمَا ۚ فَتَعَـٰلَى ٱللَّهُ عَمَّا يُشْرِكُونَ١٩٠

Por, pasi Ai u dhuron atyre fëmijë të saktë,531 ata të dy i përshkruajnë Atij shokë në atë që Ai u dha atyre.532 I Lartësuar është Allahu mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij!533

Komentimi 3 shënime

Shënimi 531

Ashtu si e kërkuan dhe si iu lutën Allahut që t’ua dhuronte.

Shënimi 532

I përshkruan shok Allahut në fëmijën, të cilin ua dhuroi Allahu - dhe të cilin pa dyshim që nuk mund ta dhurojë askush tjetër përveç Allahut – duke e quajtur atë “rob” të dikujt tjetër përveç Allahut (duke i vendosur emër që i dedikohet idhujve apo ndonjë krijese), ose duke ia dedikuar meritën për fëmijën e saktë që iu lindi, dikujt tjetër përveç Allahut, qoftë idhull, shejtan, magjistar apo çfarëdo, në vend që t’ia dedikojnë meritën Allahut dhe të falënderojnë Allahun, Zotin e tyre që e lutën më parë, dhe i Cili është i Vetmi që i dhuron fëmijë kujt të dojë nga krijesat e Tij.

Shënimi 533

I Lartë dhe i Pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë idhujtarët dhe nga idhujt që ata lusin e adhurojnë përkrah apo në vend të Tij.

7:191

أَيُشْرِكُونَ مَا لَا يَخْلُقُ شَيْـًۭٔا وَهُمْ يُخْلَقُونَ ١٩١

A i shoqërojnë Atij ortakë që nuk mund të krijojnë asgjë, madje vetë ata janë të krijuar;534

Komentimi 1 shënim

Shënimi 534

A i shoqërojnë Allahut ortakë në adhurim, të cilët jo vetëm që nuk mund të krijojnë asgjë, por vetë janë të krijuar; kështu që si adhurojnë diçka të krijuar e të dobët, në vend që të adhurojnë vetëm Krijuesin e tyre të Përsosur dhe Absolut.

7:192

وَلَا يَسْتَطِيعُونَ لَهُمْ نَصْرًۭا وَلَآ أَنفُسَهُمْ يَنصُرُونَ ١٩٢

dhe që nuk mund t’u japin atyre ndonjë ndihmë, e as vetveten nuk mund ta ndihmojnë?!535

Komentimi 1 shënim

Shënimi 535

Si mund të adhuroni në vend të Allahut idhuj dhe krijesa të dobta dhe të pafuqishme, që nuk mund t’ju ndihmojnë as ju as vetveten, në rast se ju vjen ndonjë e keqe apo ndonjë dënim nga Allahu? A nuk është kjo padrejtësia më e madhe dhe mendjelehtësia më e madhe?!

7:193

وَإِن تَدْعُوهُمْ إِلَى ٱلْهُدَىٰ لَا يَتَّبِعُوكُمْ ۚ سَوَآءٌ عَلَيْكُمْ أَدَعَوْتُمُوهُمْ أَمْ أَنتُمْ صَـٰمِتُونَ ١٩٣

E nëse ju i ftoni ata në udhëzim (idhujt), ata nuk do t’ju ndjekin.536 Për ju është e njëjta gjë, nëse i ftoni apo heshtni.537

Komentimi 2 shënime

Shënimi 536

Sepse nuk kuptojnë, nuk dëgjojnë, nuk shikojnë dhe nuk lëvizin; sepse janë thjesht gurë e drurë që ju i adhuroni.

Shënimi 537

Sepse ata gjithësesi nuk dëgjojnë dhe nuk kuptojnë; dhe përderisa janë të tillë, që nuk mund të udhëzohen dhe të bëjnë atë që i thoni ju, atëherë si mund të jenë ato që t’ju udhëzojnë në rrugë të drejtë e që ju t’i adhuroni?! Vërtet që zgjedhja juaj është e gabuar, dhe gabimi e lajthitja juaj është e rëndë.

7:194

إِنَّ ٱلَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ عِبَادٌ أَمْثَالُكُمْ ۖ فَٱدْعُوهُمْ فَلْيَسْتَجِيبُوا لَكُمْ إِن كُنتُمْ صَـٰدِقِينَ ١٩٤

Në të vërtetë, ata që ju lutni në vend të Allahut, janë robër si ju.538 Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse jeni të sinqertë!539

Komentimi 2 shënime

Shënimi 538

Idhujt të cilët idhujtarët lutin dhe adhurojnë janë robër dhe krijesa të Allahut, njësoj si vetë ata; dhe kështu që si mund të adhurojnë dhe t’i luten një krijese tjetër në vend që t’i luten e të adhurojnë Krijuesin e tyre?

Shënimi 539

Por ata nuk mund të përgjigjen sepse nuk dëgjojnë, po edhe sikur të dëgjonin, nuk do mund t’u përgjigjeshin dhe nuk mund t’i plotësonin lutjet e tyre, sepse nuk kanë fuqi apo mundësi që ta bëjnë këtë.

7:195

أَلَهُمْ أَرْجُلٌۭ يَمْشُونَ بِهَآ ۖ أَمْ لَهُمْ أَيْدٍۢ يَبْطِشُونَ بِهَآ ۖ أَمْ لَهُمْ أَعْيُنٌۭ يُبْصِرُونَ بِهَآ ۖ أَمْ لَهُمْ ءَاذَانٌۭ يَسْمَعُونَ بِهَا ۗ قُلِ ٱدْعُوا شُرَكَآءَكُمْ ثُمَّ كِيدُونِ فَلَا تُنظِرُونِ ١٩٥

A kanë ata (idhujt) këmbë për të ecur;540 apo a kanë duar për të kapur?541 Apo a kanë sy për të parë;542 apo a kanë veshë për të dëgjuar?543 Thuaj (O Muhamed): “Thirrni idhujt tuaj dhe komplotoni kundër meje, pa më dhënë afat!544

Komentimi 5 shënime

Shënimi 540

Që të ecin për të plotësuar nevojat dhe dëshirat tuaja, o idhujtarë!

Shënimi 541

Që tju mbrojnë dhe tju ndihmojnë kur dikush kërkon tju sulmojë.

Shënimi 542

Ato gjëra që ju nuk i shihni, me qëllim që të mund tju paralajmërojnë apo tju ndihmojnë.

Shënimi 543

Gjëra që ju nuk i dëgjoni, që të mund tju bëjnë dobi diçka. Nëse idhujt tuaj që ju i adhuroni nuk kanë asnjë nga cilësi, me të cilat mund tju ndihmonin, atëherë për çfarë arsye dhe me çfarë logjike i adhuroni ata?!

Shënimi 544

Por duke nxituar që të më dëmtoni sa më shpejt; por ju nuk do të mund të më dëmtoni aspak, sepse mua më mbron dhe më ruan Allahu, i Cili ka fuqi mbi gjithçka dhe ka në dorë gjithçka, ndryshe nga idhujt tuaj që nuk kanë fuqi për asgjë, madje ato janë më të dobët se vetë ju që i lutni ata.

7:196

إِنَّ وَلِـِّۧىَ ٱللَّهُ ٱلَّذِى نَزَّلَ ٱلْكِتَـٰبَ ۖ وَهُوَ يَتَوَلَّى ٱلصَّـٰلِحِينَ ١٩٦

Në të vërtetë, Mbrojtësi im545 është Allahu, i Cili ka zbritur Librin,546 dhe është Ai që kujdeset për të mirët.547

Komentimi 3 shënime

Shënimi 545

Që më mbron nga ju, o idhujtarë dhe mohues, dhe që më ndihmon kundër jush.

Shënimi 546

Kuranin, që ia shpalli Muhamedit (salallahu alejhi ue selem).

Shënimi 547

Allahu i mbron dhe kujdeset për ata që e besojnë Atë dhe bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Tij.

7:197

وَٱلَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِهِۦ لَا يَسْتَطِيعُونَ نَصْرَكُمْ وَلَآ أَنفُسَهُمْ يَنصُرُونَ ١٩٧

Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë ju, madje as vetveten nuk mund ta ndihmojnë.548

Komentimi 1 shënim

Shënimi 548

Atëherë, a mund të krahasohet Mbrojtësi im, Allahu, të cilin unë adhuroj dhe i bindem, me idhujt tuaj që ju i merrni për mbrojtës dhe që i adhuroni në vend të Allahut?

7:198

وَإِن تَدْعُوهُمْ إِلَى ٱلْهُدَىٰ لَا يَسْمَعُوا ۖ وَتَرَىٰهُمْ يَنظُرُونَ إِلَيْكَ وَهُمْ لَا يُبْصِرُونَ ١٩٨

Edhe nëse i ftoni ata (idhujt) në udhëzim, ata nuk dëgjojnë! Ty të duket sikur ata (idhujt) të vështrojnë, por ata nuk shohin.549

Komentimi 1 shënim

Shënimi 549

Idhujtarët i kanë skalitur idhujt e tyre në formë të njerëzve apo kafshëve, dhe u kanë bërë atyre sy apo vesh, por ata mbeten sende të ngurta që nuk shohin e nuk dëgjojnë, megjithëse në pamje të parë, kur sheh në sytë e tyre të ngrira, duket sikur të shohin, por ata nuk mund të shohin, sepse janë sende të ngurta; e megjithatë, idhujtarët përsëri i adhurojnë. Thuhet gjithashtu se mund të jenë për qëllim idhujtarët dhe jo idhujt e tyre, pra Muhamedit i duket sikur idhujtarët e vështrojnë me vëmendje dhe e dëgjojnë atë kur ai u flet, por ata nuk e shohin realitetin e tij, cilësitë e tij dhe sinqeritetin e tij kur i fton në besimin e vërtetë dhe në bindje ndaj Krijuesit të tyre.

7:199

خُذِ ٱلْعَفْوَ وَأْمُرْ بِٱلْعُرْفِ وَأَعْرِضْ عَنِ ٱلْجَـٰهِلِينَ ١٩٩

Prano të tepërtën (e pasurisë, për zekat),550 urdhëro për të mirën551 dhe largohu nga injorantët!552

Komentimi 3 shënime

Shënimi 550

Prano prej njerëzve atë që e kanë tepër dhe që e japin me dëshirë nga pasuria e tyre për zekat; dhe prano prej tyre sjelljen e natyrshme qoftë edhe e tepërt apo e vrazhdë; dhe mos i ngarko ata më tepër mundësive apo moraleve të tyre të natyrshme; por sillu mirë me ta për çdo rast dhe prano çdo sjellje të tyre me zemërgjerësi dhe mirësjellje. Dhe vërtet, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), e zbatoi këtë urdhër të Allahut në formën më të plotë, sa që Allahu i tha: “Ti –O Muhamed-, je vërtet me moral madhështor.” [El Kalem, 4].

Shënimi 551

Për çdo vepër, fjalë apo sjellje të mirë; dhe ndalo nga çdo vepër, fjalë apo moral i keq.

Shënimi 552

Nëse dikush të lëndon apo të dëmton me fjalë apo vepër, për shkak të injorancës së tij, mos ia kthe njësoj, por largohu prej tij; kush të ndalon diçka që është e jotja, ti mos ia ndalo atë që është e tij; kush e shkëput lidhjen me ty prej të afërmve, ti mos e këput lidhjen me të; kush të bën padrejtësi, ti gjyko drejt ndaj tij.

7:200

وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ ٱلشَّيْطَـٰنِ نَزْغٌۭ فَٱسْتَعِذْ بِٱللَّهِ ۚ إِنَّهُۥ سَمِيعٌ عَلِيمٌ ٢٠٠

Kurdo që të vjen ndonjë cytje nga djalli, kërko strehim tek Allahu.553 Vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.554

Komentimi 2 shënime

Shënimi 553

Në çdo kohë dhe në çdo gjendje që shejtani të cyt me ndonjë cytje për të lënë një të mirë apo për të bërë një të keqe, kërko strehim dhe mbrotje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar – thuaj: Eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhim!

Shënimi 554

Allahu e dëgjon fjalën tënde kur i kërkon mbrojtje Atij nga shejtani i mallkuar, dhe e di qëllimin tënd dhe forcën e mbështetjes tek Ai, kështu që do të të ruajë nga sprova dhe cytja e shejtanit.

7:201

إِنَّ ٱلَّذِينَ ٱتَّقَوْا إِذَا مَسَّهُمْ طَـٰٓئِفٌۭ مِّنَ ٱلشَّيْطَـٰنِ تَذَكَّرُوا فَإِذَا هُم مُّبْصِرُونَ ٢٠١

Me të vërtetë, ata që i frikësohen Allahut,555 kur u vjen ndonjë iluzion nga djalli,556 kujtohen shpejt,557 dhe atëherë shohin qartë.558

Komentimi 4 shënime

Shënimi 555

Të devotshmit, të cilët kanë frikë ndëshkimin e Allahut; ata që kryejnë urdhrat e Allahut dhe i largohen ndalesave të Tij.

Shënimi 556

Kur shejtani i shtyn drejt zemërimit, nxehjes së gjakut, apo çdo cytje për keq, duke çuar në shkeljen e të drejtave të Allahut apo të njerëzve.

Shënimi 557

Kujtojnë Allahun; ndëshkimin dhe shpërblimin e Tij; premtimin dhe kërcënimin e Tij.

Shënimi 558

Shohin të vërtetën dhe kthehen menjëherë tek ajo, duke iu bindur Allahut në ato që i ka urdhëruar, dhe duke lënë shejtanin dhe bindjen ndaj tij.

7:202

وَإِخْوَٰنُهُمْ يَمُدُّونَهُمْ فِى ٱلْغَىِّ ثُمَّ لَا يُقْصِرُونَ ٢٠٢

Ndërsa vëllezërit e tyre559 - ata (djajtë) i shtyjnë edhe më shumë në humbje, dhe nuk përmbahen.560

Komentimi 2 shënime

Shënimi 559

Vëllezërit e djajve prej njerëzve; ata të cilët i binden shejtanit dhe shkelin urdhrat dhe ndalesat e Allahut.

Shënimi 560

Nuk e pakësojnë cytjen dhe nxitjen e tyre drejt humbjes dhe drejt çdo të keqe, që i bën ata të humbin këtë botë dhe botën tjetër.

7:203

وَإِذَا لَمْ تَأْتِهِم بِـَٔايَةٍۢ قَالُوا لَوْلَا ٱجْتَبَيْتَهَا ۚ قُلْ إِنَّمَآ أَتَّبِعُ مَا يُوحَىٰٓ إِلَىَّ مِن رَّبِّى ۚ هَـٰذَا بَصَآئِرُ مِن رَّبِّكُمْ وَهُدًۭى وَرَحْمَةٌۭ لِّقَوْمٍۢ يُؤْمِنُونَ ٢٠٣

E kur ti (O Muhamed) nuk u sjell atyre ndonjë provë, ata thonë: “Përse nuk e sajon vetë!”561 Thuaju: “Unë ndjek vetëm atë që më shpallet nga Zoti im.562 Ky (Kuran) është ndriçues563 nga Zoti juaj, udhëzim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.”564

Komentimi 4 shënime

Shënimi 561

Provën që ata kërkojnë; ta shpikësh vetë.

Shënimi 562

Dhe nuk më lejohet, as nuk është në mundësinë time që të sajoj shpallje dhe prova nga vetja ime; por detyra ime është të ndjek atë që më shpall Allahu, sepse unë jam rob dhe i Dërguar i Tij, dhe i bindem vetëm Atij.

Shënimi 563

Që sqaron mirë të gjitha kërkesat Hyjnore dhe qëllimet njerëzore; që është argument kundër të gjithë atyre që dëgjojnë për të dhe nuk e besojnë dhe nuk e zbatojnë.

Shënimi 564

Kurani dhe shpalljet e Allahut janë, ndriçim, udhëzim dhe mëshirë vetëm për ata që besojnë se Kurani është zbritur nga Allahu dhe është shpallje e Tij, si dhe e zbatojnë atë që thuhet në të; kurse për ata që nuk e besojnë Kuranin dhe e përgënjeshtrojnë atë, ai është mjerim dhe poshtërim në të dyja botët.

7:204

وَإِذَا قُرِئَ ٱلْقُرْءَانُ فَٱسْتَمِعُوا لَهُۥ وَأَنصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ ٢٠٤

Pra, kur lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni!565

Komentimi 1 shënim

Shënimi 565

O besimtarë – ju, për të cilët Kurani është ndriçues, udhëzim e mëshirë – duhet të dini se kushti që të mëshiroheni kur lexohet Kuran, është: 1. Që ta dëgjoni atë me vëmendje dhe meditim; 2. Duke heshtur dhe duke mos u angazhuar me diçka tjetër, por duke u përqendruar në kuptimin e tij. Ai që i plotëson këto dy kushte kur lexohet Kuran, fiton të mira të shumta, dije të madhe, besim të vazhdueshëm dhe të ripërtërirë, udhëzim që shtohet vazhdimisht dhe mprehtësi në fe.

7:205

وَٱذْكُر رَّبَّكَ فِى نَفْسِكَ تَضَرُّعًۭا وَخِيفَةًۭ وَدُونَ ٱلْجَهْرِ مِنَ ٱلْقَوْلِ بِٱلْغُدُوِّ وَٱلْـَٔاصَالِ وَلَا تَكُن مِّنَ ٱلْغَـٰفِلِينَ ٢٠٥

Përmende Zotin tënd me vete,566 me përulje dhe frikë,567 pa e ngritur zërin568 - në mëngjes dhe në mbrëmje;569 Dhe mos u bëj nga të pavëmendshmit!570

Komentimi 5 shënime

Shënimi 566

Me sinqeritet; jo sa për sy e faqe.

Shënimi 567

Me respekt, madhërim dhe frikë nga Allahu dhe dënimi i Tij për neglizhimin tënd në marrjen mësim nga Kurani që dëgjon, apo për pakujdesinë tënde ndaj ligjeve që Allahu ka sqaruar në të.

Shënimi 568

Lutja duhet të bëhet me zë të ulët dhe në vetvete, dhe jo duke ngritur zërin, por duke ruajtur një të mesme, dhe duke iu ruajtur syefaqësisë dhe hipokrizisë.

Shënimi 569

Në fillim të ditës dhe në mbarim të saj; pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit, dhe pas namazit të asrit (ikindisë) deri në perëndim të diellit; këto janë dy kohët më të veçanta për përmendjen e Allahut dhe për lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes që na ka mësuar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) t’i bëjmë çdo ditë.

Shënimi 570

Të pavëmendshmit dhe të pakujdesshmit janë ata që e harrojnë Allahun dhe përmendjen e Allahut, dhe kështu që Allahu i bën ata të harrojnë vetveten; këta i humbin vetes të mirat e kësaj bote, si dhe të mirat e botës tjetër dhe lumturinë e përhershme. Allahu nuk i përgjigjet lutjes së atij që nuk e ka mendjen gjatë lutjes dhe që e ka zemrën të angazhuar me gjëra të tjera.

7:206

إِنَّ ٱلَّذِينَ عِندَ رَبِّكَ لَا يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِهِۦ وَيُسَبِّحُونَهُۥ وَلَهُۥ يَسْجُدُونَ ۩٢٠٦

Me të vërtetë, ata që janë afër Zotit tënd,571 nuk i pengon mendjemadhësia nga adhurimi i Tij,572 por e lartësojnë Atë dhe vetëm Atij i përulen në Sexhde۩.573

Komentimi 3 shënime

Shënimi 571

Engjëjt e afërt te Allahu, engjëjt që mbartin Arshin, dhe engjëjt në përgjithësi.

Shënimi 572

Nuk kanë aspak mendjemadhësi ndaj adhurimit të Allahut, por e adhurojnë Atë me përulje dhe frikë.

Shënimi 573

۩ [Ajet Sexhde] Madhërojnë Allahun me përulje dhe i bëjnë sexhde vetëm Atij; kështu që i merrni për shembull engjëjt e afërm të Allahut dhe madhëroni e adhuroni Allahun me sinqeritet dhe pa i shoqëruar askënd. Ky është ajeti i parë i sexhdes në renditjen e Kuranit nga 15 ajetet e sexhdes që gjenden në të gjithë Kuranin; pra kur lexohet ose dëgjohet ky ajet, si dhe ajetet e tjera të sexhdes, duhet të bëhet një sexhde e vetme, dhe ky është sunet i fortë, të cilin i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e bënte gjithnjë dhe nuk e linte, por që ka sqaruar gjithashtu se nuk është i detyrueshëm, por i pëlqyeshëm.

El Araf · 206 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi