KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 46

El Ahkaf Dunat e shkretëtirës

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 35 ajete • Ajetet 1–20

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

46:1

حمٓ ١

Ḥā Mīm.1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Është folur më parë për shkronjat e ndara në fillim të sures El Bekare.

46:2

تَنزِيلُ ٱلْكِتَـٰبِ مِنَ ٱللَّهِ ٱلْعَزِيزِ ٱلْحَكِيمِ ٢

Shpallja e këtij Libri është nga Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti.2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

Ky Kuran është shpallje nga Allahu, i Plotfuqishmi që nuk mposhtet, i Urti në drejtimin dhe krijimin e Tij.

46:3

مَا خَلَقْنَا ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَآ إِلَّا بِٱلْحَقِّ وَأَجَلٍۢ مُّسَمًّۭى ۚ وَٱلَّذِينَ كَفَرُواْ عَمَّآ أُنذِرُواْ مُعْرِضُونَ ٣

Ne nuk i kemi krijuar qiejt dhe Tokën, dhe çfarë gjendet midis tyre, veçse me të vërtetën (me qëllim) dhe me një afat të caktuar. Por, mohuesit shmangen nga ajo me të cilën u paralajmëruan.3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Ne nuk i krijuam qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre veçse me të vërtetën dhe me qëllim të plotë – jo kot e as pa qëllim – por që robërit të njohin madhështinë e Krijuesit të tyre dhe të adhurojnë vetëm Atë, ta dinë se Ai është i aftë t’i ringjallë pas vdekjes, si edhe që ata të vendosin të vërtetën dhe drejtësinë mes tyre, deri në një afat të caktuar prej Tij. Ndërsa ata që mohuan se Allahu është i vetmi Zot i vërtetë, janë të larguar nga paralajmërimet e Kuranit; ata as nuk marrin mësim dhe as nuk mendojnë.

46:4

قُلْ أَرَءَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ أَرُونِى مَاذَا خَلَقُواْ مِنَ ٱلْأَرْضِ أَمْ لَهُمْ شِرْكٌۭ فِى ٱلسَّمَـٰوَٰتِ ۖ ٱئْتُونِى بِكِتَـٰبٍۢ مِّن قَبْلِ هَـٰذَآ أَوْ أَثَـٰرَةٍۢ مِّنْ عِلْمٍ إِن كُنتُمْ صَـٰدِقِينَ ٤

Thuaj: “A i keni parë ata që i thërrisni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë kanë krijuar ata prej Tokës, apo a kanë ata ndonjë pjesë në krijimin e qiejve? Sillmëni një libër para këtij, ose ndonjë gjurmë dije (hyjnore), nëse thoni të vërtetën!”4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Thuaj – o i Dërguar – këtyre jobesimtarëve: “A i shihni hyjnitë dhe idhujt që adhuroni përveç Allahut? Më tregoni, çfarë kanë krijuar ata nga Toka? Apo a kanë ndonjë pjesë me Allahun në krijimin e qiejve? Sillni një libër nga Allahu, të shpallur para këtij Kurani, ose ndonjë gjurmë diturie, nëse jeni të vërtetë në atë që pretendoni!”

46:5

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّن يَدْعُواْ مِن دُونِ ٱللَّهِ مَن لَّا يَسْتَجِيبُ لَهُۥٓ إِلَىٰ يَوْمِ ٱلْقِيَـٰمَةِ وَهُمْ عَن دُعَآئِهِمْ غَـٰفِلُونَ ٥

E kush është më i humbur se ai, që në vend të Allahut, u lutet atyre që nuk i përgjigjen atij, deri në Ditën e Kijametit, dhe që janë të pavetëdijshëm ndaj lutjes që u bëhet?5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Askush nuk është më i humbur dhe më injorant sesa ai, që përveç Allahut lut hyjni që kurrë nuk i përgjigjen lutjes së tij, sepse ato janë të vdekur, ose gurë, pemë e të ngjashme me këto. Ato janë të pavetëdijshme për lutjen e atij që i adhuron dhe janë të paafta t’i sjellin atij dobi ose dëm.

46:6

وَإِذَا حُشِرَ ٱلنَّاسُ كَانُواْ لَهُمْ أَعْدَآءًۭ وَكَانُواْ بِعِبَادَتِهِمْ كَـٰفِرِينَ ٦

Dhe, kur njerëzit të tubohen (Ditën e Kiametit), ata (idhujt) do të jenë armiq të tyre (idhujtarëve) dhe do ta mohojnë adhurimin që u bëhej.6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

Dhe kur njerëzit të mblidhen në Ditën e Kiametit për llogari dhe shpërblim, idhujt që ata i adhuronin në dynja do të jenë armiq për ta: do t’i mallkojnë, do të distancohen prej tyre dhe do të mohojnë se kanë ditur ndonjëherë për adhurimin e tyre ndaj tyre.

46:7

وَإِذَا تُتْلَىٰ عَلَيْهِمْ ءَايَـٰتُنَا بَيِّنَـٰتٍۢ قَالَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لِلْحَقِّ لَمَّا جَآءَهُمْ هَـٰذَا سِحْرٌۭ مُّبِينٌ ٧

Kur mohuesve u lexohen shpalljet Tona të qarta, ata thonë për të vërtetën (Kuranin) që u vjen: “Kjo është vetëm një magji e qartë!”7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Kur u lexohen idhujtarëve shpalljet Tona të qarta, ata thonë për të vërtetën që u vjen nga Kurani: “Kjo është një magji e qartë!”

46:8

أَمْ يَقُولُونَ ٱفْتَرَىٰهُ ۖ قُلْ إِنِ ٱفْتَرَيْتُهُۥ فَلَا تَمْلِكُونَ لِى مِنَ ٱللَّهِ شَيْـًٔا ۖ هُوَ أَعْلَمُ بِمَا تُفِيضُونَ فِيهِ ۖ كَفَىٰ بِهِۦ شَهِيدًۢا بَيْنِى وَبَيْنَكُمْ ۖ وَهُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ ٨

Apo thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar vetë atë.” Thuaju: “Nëse unë e kam trilluar atë, ju nuk keni fuqi të më mbroni prej dënimit të Allahut. Ai e di më së miri atë që ju shpifni për të (Kuranin). Mjafton Ai si dëshmitar mes meje dhe jush. Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti.”8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Apo vallë thonë: “Muhamedi e ka trilluar këtë Kuran”? Thuaju – o i Dërguar: “Nëse unë e kam trilluar atë dhe ia kam veshur Allahut, ju nuk do të mund të më mbroni aspak nga dënimi i Allahut, nëse Ai më ndëshkon për këtë. Ai është më i Dijshmi se të gjithë për atë që thoni ju lidhur me këtë Kuran. Mjafton Allahu si Dëshmitar mes meje dhe jush. Ai është Falës për këdo që pendohet tek Ai, i Mëshirshëm ndaj robërve të Tij besimtarë.”

46:9

قُلْ مَا كُنتُ بِدْعًۭا مِّنَ ٱلرُّسُلِ وَمَآ أَدْرِى مَا يُفْعَلُ بِى وَلَا بِكُمْ ۖ إِنْ أَتَّبِعُ إِلَّا مَا يُوحَىٰٓ إِلَىَّ وَمَآ أَنَا۠ إِلَّا نَذِيرٌۭ مُّبِينٌۭ ٩

Thuaju: “Unë nuk jam i dërguari i parë, dhe nuk e di ç’do të bëhet me mua, dhe as me ju. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet, dhe nuk jam veçse një paralajmërues i qartë.”9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Thuaj – o i Dërguar – idhujtarëve nga populli yt: “Unë nuk jam i pari nga të dërguarit e Allahut tek krijesat e Tij, dhe unë nuk e di se çfarë do të bëjë Allahu me mua dhe me ju, në këtë botë. Unë nuk ndjek, në atë që ju urdhëroj dhe në atë që veproj, veçse shpalljen e Allahut që Ai ma shpall mua. Dhe unë nuk jam tjetër veçse një paralajmërues me paralajmërim të qartë për ju.”

46:10

قُلْ أَرَءَيْتُمْ إِن كَانَ مِنْ عِندِ ٱللَّهِ وَكَفَرْتُم بِهِۦ وَشَهِدَ شَاهِدٌۭ مِّنۢ بَنِىٓ إِسْرَٰٓءِيلَ عَلَىٰ مِثْلِهِۦ فَـَٔامَنَ وَٱسْتَكْبَرْتُمْ ۖ إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَهْدِى ٱلْقَوْمَ ٱلظَّـٰلِمِينَ ١٠

Thuaju: “Më tregoni (për gjendjen tuaj), nëse (Kurani) është vërtet prej Allahut dhe ju e mohoni atë, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Izraelit dëshmoi për diçka të ngjashme me të (në Teurat) dhe e besoi, ndërsa ju u treguat mendjemëdhenj?! Vërtet, Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë?”10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Thuaju – o i Dërguar – idhujtarëve nga populli yt: “Më tregoni, nëse ky Kuran është nga Allahu dhe ju e mohoni atë, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Iszraelit – si Abdullah ibn Selami – dëshmoi për diçka të ngjashme me këtë Kuran, që është në Teurat për vërtetimin e profetësisë së Muhamedit ﷺ, dhe ai e besoi dhe veproi sipas asaj që solli Kurani, ndërsa ju e mohuat atë nga mendjemadhësia – a nuk është kjo padrejtësia më e madhe dhe mohimi më i rëndë? Vërtet, Allahu nuk i udhëzon drejt Islamit dhe së vërtetës ata që i kanë bërë padrejtësi vetes së tyre duke mohuar Allahun.”

46:11

وَقَالَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لِلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَوْ كَانَ خَيْرًۭا مَّا سَبَقُونَآ إِلَيْهِ ۚ وَإِذْ لَمْ يَهْتَدُواْ بِهِۦ فَسَيَقُولُونَ هَـٰذَآ إِفْكٌۭ قَدِيمٌۭ ١١

Mohuesit thanë për besimtarët: “Sikur ky (Kurani) të ishte diçka e mirë, ata nuk do të na kishin paraprirë në të.” Por, meqënëse nuk u udhëzuan me të, ata do të thonë: “Ky është një trillim i vjetër.”11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Ata që e mohuan profetësinë e Muhamedit ﷺ u thanë atyre që besuan në të: “Sikur besimi juaj në Muhamedin dhe në atë që solli ai (Kuran) të ishte i mirë, ju nuk do të na kishit paraprirë neve në besimin tek ai.” Dhe, meqë ata nuk u udhëzuan me Kuranin dhe nuk përfituan nga e vërteta që ka në të, patjetër që do të thonë: “Ky është një trillim, i marrë nga njerëzit e lashtë.”

46:12

وَمِن قَبْلِهِۦ كِتَـٰبُ مُوسَىٰٓ إِمَامًۭا وَرَحْمَةًۭ ۚ وَهَـٰذَا كِتَـٰبٌۭ مُّصَدِّقٌۭ لِّسَانًا عَرَبِيًّۭا لِّيُنذِرَ ٱلَّذِينَ ظَلَمُواْ وَبُشْرَىٰ لِلْمُحْسِنِينَ ١٢

Para tij (Kuranit) ishte Libri i Musait - udhëzim dhe mëshirë. Dhe ky është një Libër vërtetues (i Librave të mëparshëm), në gjuhën arabe, për të paralajmëruar ata që bëjnë padrejtësi dhe si përgëzim për bamirësit.12

Komentimi 1 shënim

Shënimi 12

Para këtij Kurani, Ne zbritëm Teuratin si udhëzues për bijtë e Izraelit që ta ndiqnin atë, dhe si mëshirë për ata që besuan dhe vepruan sipas tij. Ndërsa ky Kuran është vërtetues i librave që erdhën para tij; Ne e zbritëm atë në gjuhën arabe për të paralajmëruar ata që i bënë padrejtësi vetes së tyre me mohim dhe mëkat, dhe si përgëzim për ata që iu bindën Allahut, duke u treguar të mirë në besimin dhe bindjen e tyre në këtë botë.

46:13

إِنَّ ٱلَّذِينَ قَالُواْ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسْتَقَـٰمُواْ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ ١٣

Vërtet, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe qëndrojnë të palëkundur, për ta nuk do të ketë as frikë, as nuk do të trishtohen.13

Komentimi 1 shënim

Shënimi 13

Vërtet, ata që thanë: “Zoti ynë është Allahu” dhe qëndruan të palëkundur në besimin tek Ai, nuk do të kenë frikë nga tmerri dhe ngjarjet e rënda të Ditës së Kiametit, as nuk do të pikëllohen për ato që lanë pas tyre nga të mirat e kësaj bote pas vdekjes së tyre.

46:14

أُوْلَـٰٓئِكَ أَصْحَـٰبُ ٱلْجَنَّةِ خَـٰلِدِينَ فِيهَا جَزَآءًۢ بِمَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ ١٤

Ata janë banorët e Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që vepruan.14

Komentimi 1 shënim

Shënimi 14

Ata janë banorët e Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, me mëshirën e Allahut ndaj tyre dhe për shkak të veprave të mira që kanë bërë në jetën e tyre në këtë botë.

46:15

وَوَصَّيْنَا ٱلْإِنسَـٰنَ بِوَٰلِدَيْهِ إِحْسَـٰنًا ۖ حَمَلَتْهُ أُمُّهُۥ كُرْهًۭا وَوَضَعَتْهُ كُرْهًۭا ۖ وَحَمْلُهُۥ وَفِصَـٰلُهُۥ ثَلَـٰثُونَ شَهْرًا ۚ حَتَّىٰٓ إِذَا بَلَغَ أَشُدَّهُۥ وَبَلَغَ أَرْبَعِينَ سَنَةًۭ قَالَ رَبِّ أَوْزِعْنِىٓ أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ ٱلَّتِىٓ أَنْعَمْتَ عَلَىَّ وَعَلَىٰ وَٰلِدَىَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَـٰلِحًۭا تَرْضَىٰهُ وَأَصْلِحْ لِى فِى ذُرِّيَّتِىٓ ۖ إِنِّى تُبْتُ إِلَيْكَ وَإِنِّى مِنَ ٱلْمُسْلِمِينَ ١٥

Ne e kemi urdhëruar njeriun që të sillet mirë me prindërit e tij. Nëna e tij e mbart atë me vështirësi dhe e lind me vështirësi. Bartja e tij dhe gjidhënia zgjat tridhjetë muaj. Derisa, kur ai arrin pjekurinë dhe mbush dyzet vjet, thotë: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për dhuntinë Tënde që ma ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen; dhe bëji të drejtë pasardhësit e mi! Vërtet, unë pendohem tek Ti, dhe jam prej atyre që të nënshtrohen Ty.”15

Komentimi 1 shënim

Shënimi 15

Ne e porositëm njeriun që të sillet mirë me prindërit e tij, duke u treguar i mirë dhe i sjellshëm me ta, si gjatë jetës së tyre ashtu edhe pas vdekjes së tyre. Nëna e tij e mbajti si fetus në bark me mundim dhe lodhje, dhe e lindi me mundim e vuajtje. Koha e mbajtjes në bark dhe e gjidhënies së tij është tridhjetë muaj. Përmendja e këtyre vështirësive që i duron nëna, e jo babai, është dëshmi se e drejta e saj ndaj fëmijës është më e madhe se e drejta e babait. Kur njeriu arrin kulmin e forcës së tij fizike e mendore, dhe mbush të dyzetat, ai i lutet Zotit të tij duke thënë: “O Zoti im, më frymëzo që të të falënderoj për mirësinë që më dhurove mua dhe prindërve të mi! Më bëj të kryej vepra të mira që Ti i pranon! Më përmirëso pasardhësit e mi! Vërtet, unë jam penduar tek Ti për gjynahet e mia dhe jam prej atyre që të nënshtrohen Ty me bindje dhe i dorëzohen urdhrit dhe ndalesave të Tua, duke pranuar gjykimin Tënd.”

46:16

أُوْلَـٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ نَتَقَبَّلُ عَنْهُمْ أَحْسَنَ مَا عَمِلُواْ وَنَتَجَاوَزُ عَن سَيِّـَٔاتِهِمْ فِىٓ أَصْحَـٰبِ ٱلْجَنَّةِ ۖ وَعْدَ ٱلصِّدْقِ ٱلَّذِى كَانُواْ يُوعَدُونَ ١٦

Të tillët janë ata, prej të cilëve Ne e pranojmë më të mirën e veprave të tyre dhe u falim të këqijat e tyre. Ata do të jenë banorë të Xhenetit – premtimi i vërtetë që u është premtuar.16

Komentimi 1 shënim

Shënimi 16

Të tillët janë ata, prej të cilëve Ne pranojmë veprat më të mira që kanë bërë nga punët e mira, dhe ua falim të këqijat e tyre. Ata do të jenë mes banorëve të Xhenetit. Ky premtim që Ne u kemi dhënë atyre është premtimi i vërtetë dhe i sigurt, për të cilin nuk ka dyshim.

46:17

وَٱلَّذِى قَالَ لِوَٰلِدَيْهِ أُفٍّۢ لَّكُمَآ أَتَعِدَانِنِىٓ أَنْ أُخْرَجَ وَقَدْ خَلَتِ ٱلْقُرُونُ مِن قَبْلِى وَهُمَا يَسْتَغِيثَانِ ٱللَّهَ وَيْلَكَ ءَامِنْ إِنَّ وَعْدَ ٱللَّهِ حَقٌّۭ فَيَقُولُ مَا هَـٰذَآ إِلَّآ أَسَـٰطِيرُ ٱلْأَوَّلِينَ ١٧

Kurse, ai që u thotë prindërve të vet: “Uf, për ju! A po më premtoni se do të nxirrem (nga varri), ndërkohë që para meje kanë kaluar shumë breza (dhe nuk janë ringjallur)?” – Ndërsa ata (prindërit) i luten Allahut për ndihmë (dhe i thonë djalit): “Mjerë ti! Beso, sepse premtimi i Allahut është i vërtetë!” Kurse ai thotë: “Këto nuk janë tjetër, veçse përralla të lashta!”17

Komentimi 1 shënim

Shënimi 17

Kurse ai që i thotë prindërve të tij – kur ata e thërrasin drejt besimit në Allahun dhe pranimit të ringjalljes: “Mjerë për ju! A më premtoni se do të nxirrem i gjallë nga varri, ndërkohë që kanë kaluar breza të shumtë para meje dhe ata u shkatërruan e nuk u ringjall asnjë prej tyre?” Ndërsa prindërit e tij i luten Allahut për udhëzimin e tij, duke i thënë: “Mjerë ti! Beso, prano dhe vepro mirë, sepse premtimi i Allahut për ringjalljen është i vërtetë, pa dyshim!” Por ai u përgjigjet: “Kjo që po thoni nuk është tjetër veçse trillim i të lashtëve, i marrë nga librat e tyre.”

46:18

أُوْلَـٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ حَقَّ عَلَيْهِمُ ٱلْقَوْلُ فِىٓ أُمَمٍۢ قَدْ خَلَتْ مِن قَبْلِهِم مِّنَ ٱلْجِنِّ وَٱلْإِنسِ ۖ إِنَّهُمْ كَانُواْ خَـٰسِرِينَ ١٨

Të tillët janë ata, mbi të cilët është bërë e vërtetë Fjala (e dënimit), së bashku me popuj të tjerë që kanë kaluar para tyre, prej xhinëve dhe njerëzve. Vërtet, ata janë humbës.18

Komentimi 1 shënim

Shënimi 18

Ata që kanë këtë cilësi, mbi ta ka rënë dënimi i Allahut, dhe i ka goditur ndëshkimi dhe zemërimi i Tij, ashtu siç ndodhi me popujt që kaluan para tyre nga xhinët dhe njerëzit, që jetuan në mohim dhe përgënjeshtrim. Vërtet, ata ishin humbës, sepse e shitën udhëzimin për humbje dhe begatinë për dënim.

46:19

وَلِكُلٍّۢ دَرَجَـٰتٌۭ مِّمَّا عَمِلُواْ ۖ وَلِيُوَفِّيَهُمْ أَعْمَـٰلَهُمْ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ ١٩

Për secilin do të ketë shkallë sipas asaj që kanë bërë, dhe (Allahu) do t’u japë plotësisht shpërblimin e veprave të tyre, pa u bërë padrejtësi.19

Komentimi 1 shënim

Shënimi 19

Për secilin grup – të mirëve dhe të këqijve – ka shkallë dhe gradë tek Allahu në Ditën e Kiametit, sipas veprave që kanë bërë në këtë botë, secili sipas shkallës së tij. Allahu do t’ua japë shpërblimin e plotë për veprat e tyre, dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi – as duke u shtuar gjynahet, e as duke u pakësuar të mirat.

46:20

وَيَوْمَ يُعْرَضُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ عَلَى ٱلنَّارِ أَذْهَبْتُمْ طَيِّبَـٰتِكُمْ فِى حَيَاتِكُمُ ٱلدُّنْيَا وَٱسْتَمْتَعْتُم بِهَا فَٱلْيَوْمَ تُجْزَوْنَ عَذَابَ ٱلْهُونِ بِمَا كُنتُمْ تَسْتَكْبِرُونَ فِى ٱلْأَرْضِ بِغَيْرِ ٱلْحَقِّ وَبِمَا كُنتُمْ تَفْسُقُونَ ٢٠

Ditën, kur ata që mohuan do të paraqiten para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju i shfrytëzuat të mirat tuaja në jetën e kaluar (në dynja) dhe u kënaqët me to, kështu që sot, do të shpërbleheni me dënimin poshtërues, për shkak të arrogancës suaj në Tokë pa të drejtë, dhe për shkak se ishit të pabindur.”20

Komentimi 1 shënim

Shënimi 20

Ditën, kur mohuesit të sillen përpara zjarrit për ndëshkim, do t’u thuhet me qortim: “Ju i shfrytëzuat të mirat tuaja në jetën e botës së kaluar dhe u kënaqët me to. Prandaj sot – o jobesimtarë – do të shpërbleheni me dënimin e poshtërimit dhe të turpit në Zjarr, për shkak se tregoheshit mendjemëdhenj në Tokë pa të drejtë dhe dilnit nga bindja ndaj Allahut.”

46:21

۞ وَٱذْكُرْ أَخَا عَادٍ إِذْ أَنذَرَ قَوْمَهُۥ بِٱلْأَحْقَافِ وَقَدْ خَلَتِ ٱلنُّذُرُ مِنۢ بَيْنِ يَدَيْهِ وَمِنْ خَلْفِهِۦٓ أَلَّا تَعْبُدُوٓاْ إِلَّا ٱللَّهَ إِنِّىٓ أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍۢ ٢١

Kujto vëllanë e ‘Ad-it (Hudin), kur ai e paralajmëroi popullin e vet në Ahqaf (Dunat e Shkretëtirës), ndërkohë që para tij dhe pas tij kishin ardhur paralajmërues: “Mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut! Unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të Madhe!”21

Komentimi 1 shënim

Shënimi 21

Kujto – o i Dërguar – pejgamberin e Allahut, Hudin, vëllaë e Adit në prejardhje, jo në fe, kur ai e paralajmëroi popullin e tij se do t’i godiste ndëshkimi i Allahut, ndërsa ata banonin në vendet e tyre të njohura si “Ahkaf” – që janë dunat e shumta të shkretëtirës në jug të Gadishullit Arabik. Dhe, ashtu siç kishin ardhur të dërguarit përpara Hud-it dhe pas tij për të paralajmëruar popujt e tyre: “Mos i shoqëroni Allahut asgjë në adhurimin tuaj ndaj Tij! Unë kam frikë për ju nga ndëshkimi i Allahut në një ditë me tmerr të madh – dhe ajo është Dita e Kiametit.”

46:22

قَالُوٓاْ أَجِئْتَنَا لِتَأْفِكَنَا عَنْ ءَالِهَتِنَا فَأْتِنَا بِمَا تَعِدُنَآ إِن كُنتَ مِنَ ٱلصَّـٰدِقِينَ ٢٢

Ata thanë: “A erdhe tek ne, që të na largosh nga hyjnitë tona? Atëherë sillna atë, me të cilin na kërcënon, nëse thua të vërtetën!”22

Komentimi 1 shënim

Shënimi 22

Ata thanë: “A erdhe tek ne me thirrjen tënde vetëm që të na largosh nga adhurimi i zotave tanë? Atëherë sill mbi ne atë me të cilin na kërcënon nga dënimi, nëse je prej atyre që thonë të vërtetën në fjalën dhe premtimin tënd.”

46:23

قَالَ إِنَّمَا ٱلْعِلْمُ عِندَ ٱللَّهِ وَأُبَلِّغُكُم مَّآ أُرْسِلْتُ بِهِۦ وَلَـٰكِنِّىٓ أَرَىٰكُمْ قَوْمًۭا تَجْهَلُونَ ٢٣

Ai tha: “Dija (se kur do t’ju vijë dënimi) është vetëm tek Allahu; unë vetëm ju përcjell mesazhin me të cilin jam dërguar. Por, unë shoh se ju jeni një popull që nuk dini.”23

Komentimi 1 shënim

Shënimi 23

Hudi (paqja qoftë mbi të) tha: “Dituria për kohën e ardhjes së asaj që ju është premtuar nga dënimi është vetëm tek Allahu. Unë jam vetëm i Dërguar i Allahut tek ju, ju përcjell prej Tij atë me të cilin më ka dërguar. Por unë ju shoh si një popull injorant, në nxitimin tuaj për të kërkuar dënimin dhe në guximin tuaj ndaj Allahut.”

46:24

فَلَمَّا رَأَوْهُ عَارِضًۭا مُّسْتَقْبِلَ أَوْدِيَتِهِمْ قَالُواْ هَـٰذَا عَارِضٌۭ مُّمْطِرُنَا ۚ بَلْ هُوَ مَا ٱسْتَعْجَلْتُم بِهِۦ ۖ رِيحٌۭ فِيهَا عَذَابٌ أَلِيمٌۭ ٢٤

Kur e panë atë (dënimin) si një re që vinte drejt luginave të tyre, thanë: “Kjo është një re, që do të na sjellë shi!” – “Jo!” – tha Hudi – “Përkundrazi, kjo është ajo që ju e kërkonit me ngut: një erë që bart një dënim të dhembshëm.24

Komentimi 1 shënim

Shënimi 24

Kur panë ndëshkimin që e kishin kërkuar me nxitim si një re e dendur që u shfaq në qiell, duke ardhur drejt luginave të tyre, thanë: “Kjo është një re që do të na sjellë shi.” Hudi (paqja qoftë mbi të) u tha: “Jo, kjo nuk është re shiu e mëshire, siç menduat ju, por është re ndëshkimi që e kërkuat të vinte sa më parë. Ajo është një erë që bart me vete një dënim të dhembshëm e të rëndë.”

46:25

تُدَمِّرُ كُلَّ شَىْءٍۭ بِأَمْرِ رَبِّهَا فَأَصْبَحُواْ لَا يُرَىٰٓ إِلَّا مَسَـٰكِنُهُمْ ۚ كَذَٰلِكَ نَجْزِى ٱلْقَوْمَ ٱلْمُجْرِمِينَ ٢٥

Ajo shkatërron çdo gjë, me urdhrin e Zotit të saj. E në mëngjes, nuk u panë veçse banesat e tyre. Kështu i shpërblejmë Ne popujt keqbërës.25

Komentimi 1 shënim

Shënimi 25

Ajo erë shkatërroi çdo gjë që kalonte pranë saj, nga ato që ishte dërguar për t’i zhdukur, me urdhrin dhe dëshirën e Zotit të saj. Kështu që, nuk mbeti në vendet e tyre asgjë për t’u parë, përveç banesave ku banonin. Me një ndëshkim të tillë, Ne i shpërblejmë popujt kriminelë, për shkak të krimeve dhe arrogancës së tyre.

46:26

وَلَقَدْ مَكَّنَّـٰهُمْ فِيمَآ إِن مَّكَّنَّـٰكُمْ فِيهِ وَجَعَلْنَا لَهُمْ سَمْعًۭا وَأَبْصَـٰرًۭا وَأَفْـِٔدَةًۭ فَمَآ أَغْنَىٰ عَنْهُمْ سَمْعُهُمْ وَلَآ أَبْصَـٰرُهُمْ وَلَآ أَفْـِٔدَتُهُم مِّن شَىْءٍ إِذْ كَانُواْ يَجْحَدُونَ بِـَٔايَـٰتِ ٱللَّهِ وَحَاقَ بِهِم مَّا كَانُواْ بِهِۦ يَسْتَهْزِءُونَ ٢٦

Ne u dhamë atyre mundësi (fuqi) në gjëra që nuk jua kemi dhënë juve (idhujtarëve të Mekes), dhe u dhamë atyre dëgjim, shikim dhe zemra; por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre, as zemrat e tyre nuk u bënë të dobishme për ta, ngase mohonin shpalljet e Allahut. Kështu që, i goditi ajo me të cilën talleshin.26

Komentimi 1 shënim

Shënimi 26

Ne ia lehtësuam popullit Ad mjetet e fuqizimit në këtë botë në një mënyrë që nuk ua kemi dhënë juve, o mohues të Kurejshit. Ne u dhamë atyre veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe zemra për të kuptuar, por ata i përdorën ato në atë që e hidhëronte Allahun. Prandaj, nuk u sollën dobi, sepse ata përgënjeshtronin argumentet e Allahut, dhe mbi ta zbriti ndëshkimi për të cilin talleshin dhe që e kërkonin me ngut. - Ky është një kërcënim nga Allahu i Madhëruar dhe një paralajmërim për jobesimtarët.

46:27

وَلَقَدْ أَهْلَكْنَا مَا حَوْلَكُم مِّنَ ٱلْقُرَىٰ وَصَرَّفْنَا ٱلْـَٔايَـٰتِ لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ ٢٧

Ne i kemi shkatërruar edhe qytetet përreth jush, dhe ua treguam atyre argumentet në mënyra të ndryshme, që ata të ktheheshin.27

Komentimi 1 shënim

Shënimi 27

Ne i kemi shkatërruar – o banorë të Mekës – edhe vendbanimet përreth jush, si popullin e Adit dhe Themudit, duke i lënë ato të rrënuara e të braktisura mbi themelet e tyre. Ne u shfaqëm atyre lloje të ndryshme argumentesh dhe dëshmish, që ata të ktheheshin nga ajo që ishin – mohimi i Allahut dhe i ajeteve të Tij.

46:28

فَلَوْلَا نَصَرَهُمُ ٱلَّذِينَ ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِ ٱللَّهِ قُرْبَانًا ءَالِهَةًۢ ۖ بَلْ ضَلُّواْ عَنْهُمْ ۚ وَذَٰلِكَ إِفْكُهُمْ وَمَا كَانُواْ يَفْتَرُونَ ٢٨

E pse atëherë, nuk i ndihmuan ata, të cilët i kishin marrë për hyjni, krahas Allahut, për t’u afruar tek Ai? Përkundrazi, ata u humbën atyre. Kjo ishte shpifja e tyre dhe ajo që trilluan.28

Komentimi 1 shënim

Shënimi 28

Pse nuk i ndihmuan hyjnitë këta, që Ne i shkatërruam nga popujt e mëparshëm, të cilave ata ua kushtonin adhurimin si mjet afrimi tek Zoti i tyre, që ato të ndërmjetësonin për ta tek Ai? Përkundrazi, hyjnitë e tyre u zhdukën dhe humbën, nuk iu përgjigjën dhe nuk i mbrojtën. Ky ishte mashtrimi dhe gënjeshtra e tyre në adhurimin e tyre si hyjni.

46:29

وَإِذْ صَرَفْنَآ إِلَيْكَ نَفَرًۭا مِّنَ ٱلْجِنِّ يَسْتَمِعُونَ ٱلْقُرْءَانَ فَلَمَّا حَضَرُوهُ قَالُوٓاْ أَنصِتُواْ ۖ فَلَمَّا قُضِىَ وَلَّوْاْ إِلَىٰ قَوْمِهِم مُّنذِرِينَ ٢٩

(Kujto) Kur Ne dërguam tek ti (o Muhamed) një grup xhindesh që të dëgjonin Kuranin. Kur ata morën pjesë në leximin e tij, i thanë njëri-tjetrit: “Dëgjoni me vëmendje!” Dhe kur mbaroi, u kthyen te populli i tyre si paralajmërues.29

Komentimi 1 shënim

Shënimi 29

Dhe kujto, o i Dërguar, kur Ne dërguam tek ti një grup xhindësh për të dëgjuar Kuranin. Kur ata arritën aty, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ po lexonte, disa prej tyre u thanë të tjerëve: “Dëgjoni me vëmendje, që të marrim fjalën e Kuranit!” E kur i Dërguari mbaroi recitimin dhe ata e kishin kuptuar dhe ai kishte ndikuar tek ta, u kthyen te populli i tyre, për t’i paralajmëruar e për t’i frikësuar nga dënimi i Allahut, nëse nuk besonin në Të.

46:30

قَالُواْ يَـٰقَوْمَنَآ إِنَّا سَمِعْنَا كِتَـٰبًا أُنزِلَ مِنۢ بَعْدِ مُوسَىٰ مُصَدِّقًۭا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ يَهْدِىٓ إِلَى ٱلْحَقِّ وَإِلَىٰ طَرِيقٍۢ مُّسْتَقِيمٍۢ ٣٠

Ata thanë: “O populli ynë, ne dëgjuam një Libër që është shpallur pas Musait, që vërteton atë që ishte para tij, dhe që udhëzon në të vërtetën dhe në rrugë të drejtë.30

Komentimi 1 shënim

Shënimi 30

Xhindet i thanë popullit të tyre: “O populli ynë, ne dëgjuam një Libër që është zbritur pas Musait, që vërteton atë që ka qenë para tij nga Librat e Allahut të zbritur mbi të dërguarit e Tij, udhëzon drejt së vërtetës dhe së drejtës, dhe në një rrugë të drejtë e të vërtetë.”

46:31

يَـٰقَوْمَنَآ أَجِيبُواْ دَاعِىَ ٱللَّهِ وَءَامِنُواْ بِهِۦ يَغْفِرْ لَكُم مِّن ذُنُوبِكُمْ وَيُجِرْكُم مِّنْ عَذَابٍ أَلِيمٍۢ ٣١

O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni në Të! Ai do t’ju falë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej një dënimi të dhembshëm.31

Komentimi 1 shënim

Shënimi 31

O populli ynë, përgjigjuni të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, në atë për të cilën ju thërret, besojeni dhe veproni sipas asaj që ju ka sjellë! Allahu do t’ju falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë nga një dënim i dhimbshëm e i rëndë.

46:32

وَمَن لَّا يُجِبْ دَاعِىَ ٱللَّهِ فَلَيْسَ بِمُعْجِزٍۢ فِى ٱلْأَرْضِ وَلَيْسَ لَهُۥ مِن دُونِهِۦٓ أَوْلِيَآءُ ۚ أُوْلَـٰٓئِكَ فِى ضَلَـٰلٍۢ مُّبِينٍ ٣٢

E kush nuk i përgjigjet thirrësit të Allahut, nuk mund të shpëtojë në Tokë, dhe përveç Allahut nuk ka ndihmës tjetër. Ata janë vërtet në një humbje të qartë.”32

Komentimi 1 shënim

Shënimi 32

E kush nuk i përgjigjet të Dërguarit të Allahut në atë për të cilën ai thërret, nuk mund t’i shpëtojë Allahut në Tokë, nëse Ai dëshiron ta ndëshkojë, dhe nuk ka për të pasur mbrojtës që ta shpëtojnë nga dënimi i Tij. Ata janë në një humbje të qartë, larg së vërtetës.

46:33

أَوَلَمْ يَرَوْاْ أَنَّ ٱللَّهَ ٱلَّذِى خَلَقَ ٱلسَّمَـٰوَٰتِ وَٱلْأَرْضَ وَلَمْ يَعْىَ بِخَلْقِهِنَّ بِقَـٰدِرٍ عَلَىٰٓ أَن يُحْـِۧىَ ٱلْمَوْتَىٰ ۚ بَلَىٰٓ إِنَّهُۥ عَلَىٰ كُلِّ شَىْءٍۢ قَدِيرٌۭ ٣٣

A nuk e shohin ata se Allahu, i Cili ka krijuar qiejt dhe Tokën - dhe nuk është lodhur aspak nga krijimi i tyre - është i Fuqishëm t’i ringjallë të vdekurit? Po, sigurisht! Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.33

Komentimi 1 shënim

Shënimi 33

A mos vallë, ata u treguan të pakujdesshëm dhe nuk e ditën se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën pa shembull paraardhës, dhe nuk u lodh aspak nga krijimi i tyre, është i Fuqishëm të ringjallë edhe të vdekurit, të cilët i krijoi për herë të parë? Po, sigurisht, kjo është diçka e lehtë për Allahun e Lartësuar, të Cilin nuk e sfidon asgjë. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.

46:34

وَيَوْمَ يُعْرَضُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ عَلَى ٱلنَّارِ أَلَيْسَ هَـٰذَا بِٱلْحَقِّ ۖ قَالُواْ بَلَىٰ وَرَبِّنَا ۚ قَالَ فَذُوقُواْ ٱلْعَذَابَ بِمَا كُنتُمْ تَكْفُرُونَ ٣٤

Ditën, kur ata që mohuan do të paraqiten para Zjarrit, do t’u thuhet: “A nuk është ky (dënim) i vërtetë?” Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë!” Ai do t’u thotë: “Atëherë, shijoni dënimin, për shkak të mohimit tuaj!”34

Komentimi 1 shënim

Shënimi 34

Ditën e Kiametit, ata që nuk besuan do të sillen përpara Zjarrit të Xhehenemit për t’u dënuar, e do t’u thuhet: “A nuk është ky dënim i vërtetë?” Ata do të përgjigjen duke thënë: “Po, për Zotin tonë, ai është i vërtetë!” Atëherë do t’u thuhet: “Shijoni dënimin, për shkak se ju e mohoni dhe e refuzonit në dynja dënimin e Zjarrit!”

46:35

فَٱصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُوْلُواْ ٱلْعَزْمِ مِنَ ٱلرُّسُلِ وَلَا تَسْتَعْجِل لَّهُمْ ۚ كَأَنَّهُمْ يَوْمَ يَرَوْنَ مَا يُوعَدُونَ لَمْ يَلْبَثُوٓاْ إِلَّا سَاعَةًۭ مِّن نَّهَارٍۭ ۚ بَلَـٰغٌۭ ۚ فَهَلْ يُهْلَكُ إِلَّا ٱلْقَوْمُ ٱلْفَـٰسِقُونَ٣٥

Prandaj, duro (o Muhamed), ashtu si duruan të dërguarit e vendosmërisë së plotë, dhe mos u ngut (me kërkimin e dënimit) për ta! Atë ditë, kur ta shohin atë që u është premtuar, atyre do t’u duket sikur kanë qëndruar (në Tokë) vetëm një orë të ditës. Ky është një kumtim. A shkatërrohen të tjerë, përveç njerëzve të pabindur?35

Komentimi 1 shënim

Shënimi 35

Prandaj, bëhu i durueshëm, o i Dërguar, ndaj asaj që të goditi nga dëmtimet e popullit tënd që të përgënjeshtruan, ashtu siç patën durim të fortët prej të dërguarve para teje – e ata, sipas mendimit më të njohur, janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai, dhe ti (o Muhamed) je prej tyre – dhe mos u ngut duke kërkuar dënimin për popullin tënd! Kur dënimi të bjerë mbi ta dhe ta shohin, do t’u duket sikur nuk kanë qëndruar në dynja veçse një orë nga dita. Ky është një paralajmërim për ta dhe për të tjerët. Nuk shkatërrohet nga dënimi i Allahut veçse populli që del kundër urdhrit dhe bindjes ndaj Tij.

El Ahkaf · 35 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi