KURANI FISNIK • PËRKTHIM ME KOMENTIM

SURJA 93

Ed Duha Shkëlqimi i paradites

Përkthyes dhe komentues: Dr. Bledar Albani

Mekase • 11 ajete • Ajetet 1–11

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

93:1

وَٱلضُّحَىٰ ١

Betohem për shkëlqimin e paradites,1

Komentimi 1 shënim

Shënimi 1

Allahu betohet në kohën e mëngjesit të ndritshëm – kohën e paradites, kur drita është e butë dhe e qetë. Allahu bën betim në këtë kohë si simbol i dritës, ngrohtësisë dhe shpresës pas errësirës. Kjo është metaforë për shpirtin e Profetit ﷺ: pas periudhës së errët të heshtjes, po vjen drita e ngushëllimit.

93:2

وَٱلَّيْلِ إِذَا سَجَىٰ ٢

dhe për natën, kur mbulon qetësisht,2

Komentimi 1 shënim

Shënimi 2

dhe për natën kur mbulon gjithçka me qetësinë dhe errësirën e saj. Nata nuk është kërcënim, por pushim dhe qetësi — edhe periudhat e errëta kanë qëllimin e tyre. Allahu betohet për dy skajet e ditës, dritën dhe qetësinë, për të përçuar një mesazh ngushëllimi dhe balancimi. Ky fillim tregon: ashtu si pas natës vjen mëngjesi, edhe pas trishtimit vjen ngushëllimi. Allahu betohet në çfarë të dojë prej krijesave të Tij, ndërsa krijesës nuk i lejohet të betohet në askënd tjetër përveç Krijuesit të vet; sepse betimi në diçka tjetër përveç Allahut është shirk (idhujtari).

93:3

مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَىٰ ٣

Zoti yt (o Muhamed) nuk të ka braktisur, dhe nuk të ka urryer,3

Komentimi 1 shënim

Shënimi 3

Zoti yt, o Profet, nuk të ka braktisur dhe as nuk të ka urryer për shkak të vonesës së shpalljes. Pas një periudhe të shkurtër ndërprerjeje të shpalljes, disa politeistë të Mekës e tallën Profetin ﷺ duke thënë: “Zoti yt e ka lënë.” Allahu i thotë Profetit: “Unë nuk të kam harruar, as nuk jam zemëruar me ty.” Ky është mesazh ngushëllues për çdo besimtar që ndien se Zoti e ka lënë në vështirësi.

93:4

وَلَلْـَٔاخِرَةُ خَيْرٌۭ لَّكَ مِنَ ٱلْأُولَىٰ ٤

dhe me të vërtetë, bota tjetër është më e mirë për ty, se kjo e para,4

Komentimi 1 shënim

Shënimi 4

Dhe me të vërtetë, bota tjetër është më e mirë për ty se kjo botë e përkohshme. Allahu e siguron Profetin ﷺ se çdo e ardhme e tij (në këtë botë dhe në botën tjetër) do të jetë më e mirë se e kaluara. Pas çdo periudhe vështirësie do të vijë lehtësim, nder dhe shpërblim.

93:5

وَلَسَوْفَ يُعْطِيكَ رَبُّكَ فَتَرْضَىٰٓ ٥

dhe Zoti yt do të të japë, derisa të jesh plotësisht i kënaqur.5

Komentimi 1 shënim

Shënimi 5

Dhe Zoti yt, o Profet, do të të japë në botën tjetër nga mirësitë dhe begatitë e shumta, derisa të jesh plotësisht i kënaqur. “Fetardā” – do të jesh i kënaqur plotësisht — aludon për kënaqësinë e përjetshme në Xhenet dhe për triumfin e fesë. Disa dijetarë thonë: Ky ajet është më shpresëdhënësi në gjithë Kuranin. Allahu i Premton Profetit ﷺ aq mirësi, sa ai do të ndiejë kënaqësi absolute në Ditën e Gjykimit, veçanërisht kur sheh se shumë nga populli i tij janë shpëtuar me ndërmjetësinë e tij.

93:6

أَلَمْ يَجِدْكَ يَتِيمًۭا فَـَٔاوَىٰ ٦

A nuk të gjeti Ai jetim, e të strehoi?6

Komentimi 1 shënim

Shënimi 6

A nuk të gjeti Ai më parë jetim, e pastaj të strehoi dhe të mbrojti?

93:7

وَوَجَدَكَ ضَآلًّۭا فَهَدَىٰ ٧

A nuk të gjeti të humbur (pa shpallje), e të udhëzoi?7

Komentimi 1 shënim

Shënimi 7

Dhe të gjeti pa dije për Librin dhe për besimin, e të mësoi atë që nuk e dije dhe të udhëzoi drejt veprave më të mira?

93:8

وَوَجَدَكَ عَآئِلًۭا فَأَغْنَىٰ ٨

A nuk të gjeti të varfër, e të pasuroi?8

Komentimi 1 shënim

Shënimi 8

Dhe të gjeti të varfër, e të furnizoi dhe të pasuroi shpirtin me kënaqësi dhe durim? - Allahu i kujton Profetit ﷺ mirësitë e mëparshme, që të kujtojë se gjithmonë ka qenë nën kujdesin e Tij: Jetim – i strehuar: Pa baba e nënë, por Allahu i dërgoi kujdesin e gjyshit dhe xhaxhait. Pa shpallje – i udhëzuar: Ai nuk e njihte ende shpalljen hyjnore, por Zoti e udhëzoi drejt profetësisë. Në varfëri – i pasuruar: Fillimisht në mungesë mjetesh, pastaj Allahu e pasuroi me dashuri, ndjekës, dhe më së shumti — me shpallje dhe dituri. Këto tre ajete janë përkujtesë dhe ngushëllim: Allahu gjithmonë ka qenë me ty, në çdo moment.

93:9

فَأَمَّا ٱلْيَتِيمَ فَلَا تَقْهَرْ ٩

Prandaj, jetimin mos e shtyp,9

Komentimi 1 shënim

Shënimi 9

Tani vjen pjesa praktike: si të tregosh mirënjohjen ndaj Zotit: Mos e trajto me ashpërsi dhe mos e përbuz jetimin, sepse ti vetë ke qenë i tillë!

93:10

وَأَمَّا ٱلسَّآئِلَ فَلَا تَنْهَرْ ١٠

lypësin mos e qorto,10

Komentimi 1 shënim

Shënimi 10

Sa për lypësin – mos e qorto dhe mos e largo, por ushqeje dhe plotësoja nevojën.

93:11

وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ ١١

dhe për mirësitë e Zotit tënd, trego!11

Komentimi 1 shënim

Shënimi 11

Dhe sa për mirësinë e Zotit tënd, me të cilën Ai të ka begatuar, trego për të dhe shpërndaje atë me falënderim. Shpall dhe përmend mirësitë e Zotit — me fjalë, me vepra, me falënderim!

Ed Duha · 11 ajete

© Dr. Bledar Albani · Përkthimi dhe komentimi