Të drejtat e Fëmijëve

Të drejtat e Fëmijëve

Muslimani e pohon se fëmijët kanë të drejtat e tyre mbi prindërit e tyre, të cilat të drejta prindi (babai) duhet t’i përmbushë. Gjithashtu ai e pohon se ka disa sjellje dhe morale kundrejt fëmijës, të cilat i detyrohen prindit. Prej këtyre të drejtave është zgjedhja e nënës së fëmijës së tij, vendosja fëmijës emër të bukur e të mirë, therrja e akikas (kurbanit për dhurimin e fëmijës) në ditën e shtatë të lindjes, prerja e lafshës së tij (bërja synet), mëshirimi dhe butësia me të, shpenzimi për të, edukimi i mirë i tij, përkujdesja për arsimimin e tij, edukimin e tij, për të kapurit me mësimet Islame, të ushtruarit e tij në kryerjen e obligimeve të Fesë, suneteve dhe edukatave të saj, dhe kur ai të mbushë moshën e pjekurisë, ta martojë atë, pastaj ta lërë të zgjedhë nëse dëshiron të qëndrojë nën kujdesin e prindit të tij, apo të ndahet nga ata dhe të ndërtojë lavdinë dhe jetën e tij me duart e tij.

Për të gjitha këto dëshmojnë argumentet nga Kurani dhe Suneti, si në vijim:

  1. Allahu i Madhëruar thotë: “Nënat duhet t’u japin gji foshnjave të tyre për dy vjet të plota. (Kjo është) për ata prindër që dëshirojnë të plotësojnë kohën e gjidhënies, dhe babai i fëmijës do të mbajë përsipër ushqimin dhe veshjen e nënës së fëmijës mbi baza të arsyeshme.” [El Bekare: 233].

Dhe thotë: “O ju që keni besuar! Shmanguni dhe largoni prej vetes suaj dhe prej familjeve tuaja një Zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët, mbi të cilin janë caktuar engjëj të vrazhdë e të ashpër të cilët nuk kundërshtojnë Urdhërimet që marrin prej Allahut, por zbatojnë atë që u urdhërohet.” [Et Tahrim: 6].

Në këtë ajet urdhërohemi që të ruajmë familjen nga zjarri dhe kjo bëhet duke iu bindur Allahut, por bindja ndaj Allahut të Madhëruar kërkon njohjen e asaj për të cilën duhet t’i bindesh Allahut, gjë e cila nuk arrihet veçse duke mësuar. Dhe përderisa fëmija është prej pjesëtarëve të familjes së burrit, atëherë ajeti është argument për obligueshmërinë e të arsimuarit e fëmijës, të edukuarit e tij, të udhëzuarit e tij, të nxiturit e tij për të mira e bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si dhe të larguarit e tij nga kufri, gjynahet, veprat e këqia dhe sherret, me qëllim që ta ruash atë në këtë mënyrë, nga dënimi i Zjarrit.

Ndërsa ajeti i parë: “Nënat duhet t’u japin gji foshnjave të tyre për dy vjet të plota.”, është argument për obligueshmërinë e shpenzimeve për fëmijën mbi të atin e tij, pasi që edhe shpenzimi i detyrueshëm që i jepet gjidhënëses (e cila nuk është nëna e fëmijës), i jepet për shkak të dhënies gji foshnjes së tij.

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Dhe mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë!” [El Isra: 31].

  1. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për gjynahin më të madh dhe ai tha: “T’i shoqërosh Allahut shok, ndërsa Ai të ka krijuar ty, të vrasësh fëmijën tënd nga frika e të ngrënit e tij me ty dhe të bësh zina (imoralitet) me gruan e komshiut tënd.”1E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

Ndalimi nga vrasja e fëmijëve bën të domosdoshme mëshirimin e tyre, butësinë me ta, ruajtjen e trupave, mendjeve dhe shpirtrave të tyre.

Ndërsa për therrjen kurban për fëmijën (el Akika), i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Fëmija është peng kundrejt akikas (kurbanit) që therret për të në ditën e shtatë (të lindjes), në të cilën ditë atij i vendoset edhe emri dhe i rruhet koka.”2E transmeton El Hakim në Mustedrak dhe Tirmidhiu (1522). Shejh Albani e ka konsideruar të saktë.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Pesë gjëra janë nga fitra (natyrshmëria e njeriut): Prerja e lafshës (bërja synet), rruajtja e qimeve nga vendet e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve dhe shkulja e qimeve nën sqetulla.”3E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Nderojini fëmijët tuaj dhe edukojini mirë ata, pasi që fëmijët tuaj janë dhuratë për ju.”4E transmeton Ibën Maxheh me sened të dobët.

Dhe ka thënë: “Barazoni mes fëmijëve në dhurata. E nëse unë do të bëja dallim mes ndokujt, do të kisha bërë dallim mes grave të mia.”5E transmeton Bejhakiu dhe Taberani. Ndërsa Ibën Haxheri me senedin e tij e ka konsideruar të mirë.

Dhe ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj që të fallen kur ata kanë mbushur shtatë vjeç dhe goditini (lehtë ata nëse nuk falen), kur mbushin dhjetë vjeç, si dhe ndajini në shtrat (në këtë moshë).”6E transmeton El Hakim në Mustedrak dhe Tirmidhiu (407). Shejh Albani e ka konsideruar Hasen Sahih.

Ndërsa në një ether (fjalë e sahabiut) thuhet: “Prej të drejtave të fëmijës mbi prindin e tij është që ta edukojë mirë atë dhe t’i vendosë atij emër të bukur.”

Ndërsa Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Prej të drejtave të fëmijës mbi prindin e tij është që ai t’i mësojë atij shkrim e lexim dhe përdorimin e harkut. Si dhe të mos e ushqejë atë veçse me hallall të mirë.”

Transmetohet gjithashtu se ai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Martohuni në derë të mirë, sepse prejardhja është intrigante.”

Share this post

  • 1
    E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.
  • 2
    E transmeton El Hakim në Mustedrak dhe Tirmidhiu (1522). Shejh Albani e ka konsideruar të saktë.
  • 3
    E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.
  • 4
    E transmeton Ibën Maxheh me sened të dobët.
  • 5
    E transmeton Bejhakiu dhe Taberani. Ndërsa Ibën Haxheri me senedin e tij e ka konsideruar të mirë.
  • 6
    E transmeton El Hakim në Mustedrak dhe Tirmidhiu (407). Shejh Albani e ka konsideruar Hasen Sahih.