Biblioteka · Akide

BINDJA E MUSLIMANIT

SIPAS KURANIT TË SHENJTË, HADITHIT TË SAKTË PROFETIK DHE RRUGËS SË TË PARËVE TANË TË MIRË

Përgatiti

Komisioni i kërkimeve shkencore dhe i vërtetimeve të trashëgimisë Islame

Qendra “Imam Albani” për studimet metodologjike dhe kërkimet shkencore - Jordani

Përktheu: Bledar Albani

Përse na ka krijuar Allahu i Lartësuar?

Allahu i Lartësuar na ka krijuar për të adhuruar Atë dhe mos t'i shoqërojmë Atij askënd.

Allahu i Lartësuar thotë: "Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse për të më adhuruar Mua." [Edh-Dharijat, 56].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "E drejta e Allahut mbi njerëzit është që të Adhurojnë vetëm Atë dhe mos t'i shoqërojnë Atij asgjë."

Si duhet ta adhurojmë Allahun e Lartësuar?

Ashtu si na ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij; me sinqeritet dhe sipas rrugës profetike.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe nuk ishin të urdhëruar për tjetër vetëm se për të adhuruar Allahun me sinqeritet." [El-Bejjineh, 5].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush vepron një vepër e cila nuk është sipas rrugës sonë, ajo është e kthyer mbrapsht (nuk pranohet)."

Si mund ta realizojmë kuptimin e adhurimit të vërtetë në zemrat tona?

Duke adhuruar Allahun e Lartësuar, me frikë nga Zjarri i Tij, me shpresë për Xhenetin e Tij dhe dashuri për Të.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe luteni Atë me frikë e shpresë" [Frikë prej Zjarrit të Tij dhe duke shpresuar Xhenetin e Tij]. [El-A'raf, 56]. Në një ajet tjetër thotë: "…Atëherë Allahu do të bjerë një popull të cilin e do dhe ata e duan Atë." [El-Maide, 54].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "I lutem Allahut për Xhenetin dhe i kërkoj mbrojtje Atij nga Zjarri."

Ç'është Ihsani- bamirësia në adhurim?

Të ndjesh mbikëqyrjen e Allahut të Vetëm, i Cili na sheh dhe i di të gjitha çështjet tona.

Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtetë që Allahu është mbikëqyrës mbi ju" [En-Nisa, 1]. "Është Ai i Cili të sheh kur ti ngrihesh në këmbë (kur falesh) si dhe përmbysjen tënde në mesin e atyre që bëjnë sexhde (në namaz)." [Esh-Shuara, 218].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Bamirësia është të adhurosh Allahun sikur ta shihje Atë, e edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty."

Përse i ka dërguar Allahu të Dërguarit e Tij?

Për të ftuar njerëzit në adhurimin e Tij dhe të mohojnë idhujtarinë.

Allahu i Lartësuar thotë: "Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar që t'i urdhërojnë ata për të adhuruar Allahun e t'i largohen idhujve." [En-Nahl, 36].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Të Dërguarit e Allahut janë vëllezër dhe feja e tyre është një." [D.m.th. të gjithë të Dërguarit kanë ftuar popujt e tyre në Njësimin e Allahut].

Ç'do të thotë: Njësimi i Allahut në adhurim?

Ta bësh adhurimin vetëm për Allahun, siç është lutja, premtimi, gjykimi e adhurime të tjera.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dije se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut." [Muhamed, 19] (D.m.th. nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Le të jetë gjëja e parë në të cilën do i ftosh ata: Njësimi i Allahut të Lartësuar."

Ç'do të thotë: "La ilahe il-la Allah"?

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashoq.

Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo, sepse Allahu është i Vërteti dhe se çdo gjë që adhurojnë përveç Tij është e kotë." [Lukman, 30].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush thotë "La ilahe il-la Allah" dhe mohon çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, pasuria dhe gjaku i tij janë të ndaluara për muslimanët.”

Ç'do të thotë fjala: Muhamedi është i Dërguari i Allahut?

Nuk ka kush që meriton të pasohet përveç tij (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!).

Allahu i Lartësuar thotë: "E nëse i bindeni atij (Muhamedit), atëherë jeni të udhëzuar." [En-Nur, 54].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nëse do të ishte gjallë Musai (alejhi selam), nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të më pasonte mua."

Ç'do të thotë: Njësimi i Allahut në Cilësitë dhe Emrat e Tij?

Pohimi i cilësive me të cilat Allahu e ka cilësuar Veten e Tij apo e ka cilësuar Atë i Dërguari i Tij, pa përngjasim, shëmbëllim, komentim të devijuar apo mohim të tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk është si Ai, e Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi."[Esh Shura, 11].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra; kush i mëson ato do të hyjë në Xhenet." [Dhe çdo emër prej emrave të Allahut të Lartësuar tregon një cilësi prej cilësive të Tij, në formën që i përket Lartësisë e Madhështisë së Tij.]

Ç'dobi ka Njësimi i Zotit për muslimanin?

Udhëzimi në këtë botë dhe siguria në botën tjetër, gjë që i siguron atij lumturinë në të dyja botët.

Allahu i Lartësuar thotë: "Ata të cilët kanë besuar dhe nuk e kanë përzierë besimin e tyre me padrejtësi, për ta është siguria dhe ata janë të udhëzuar drejt." [El-En'am, 82].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "E drejta e njerëzve tek Allahu është që të mos e dënojë atë që nuk i bën shok Atij."

Çfarë është besimi i vërtetë?

Besimi është: Shprehje me gjuhë, vepër me gjymtyrë dhe bindje me zemër e përulje.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe flisni fjalë të drejtë, që Allahu tjua rregullojë juve punët tuaja dhe tjua falë gjynahet tuaja." [El Ahzab, 70].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Besimi është shtatëdhjetë e disa degë; më e larta prej tyre është fjala "La ilahe il-la Allah", kurse më e ulëta është largimi i një pengese nga rruga. Edhe turpi është një prej degëve të besimit."

A lejohet të mjaftuarit me thënien “jam besimtar”?

Që të vërtetohet besimi i vërtetë duhen prova.

Allahu i Lartësuar thotë: "Beduinët thanë: “Kemi besuar”. Thuaj: “Ju nuk keni besuar, por thoni: “Jemi dorëzuar”, sepse akoma nuk ka hyrë besimi në zemrat tuaja”. E nëse i bindeni Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, Ai nuk ua pakëson punët tuaja (të mira). Allahu është shumë Falës, shumë Mëshirues." [El Huxhurat, 14].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "O ju që jeni bërë muslimanë me gjuhën tuaj, por që nuk ka hyrë besimi në zemrat tuaja! Mos i dëmtoni muslimanët!..."

Ku është Allahu i Lartësuar?

Allahu është në qiell, mbi Arsh, në atë mënyrë që i përshtatet Madhështisë së Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: "Mëshiruesi qëndroi mbi Arsh." [Ta Ha, 5] (D.m.th: u ngrit e u lartësua -siç thuhet në Sahihun e Buhariut).

I Dërguari i Allahut e pyeti atë robëreshën: “Ku është Allahu?” Ajo tha: “Në qiell”. Atëherë ai i tha zotëriut të saj: “Liroje atë, sepse ajo është besimtare!"

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: "Allahu ka shkruar në një libër: "Mëshira Ime e ka kaluar Zemërimin Tim", e ai libër ndodhet i shkruajtur tek Ai, mbi Arsh."

A është Allahu me ne, me Qënien e Tij apo me Dijen e Tij?

Allahu është me ne ashtu si i përket Madhështisë së Tij, me Dijen e Tij, na sheh e na dëgjon.

Allahu i Lartësuar thotë: "Tha (Allahu Musës dhe Harunit): Mos kini frikë sepse Unë jam me ju, ju dëgjoj dhe ju shoh." [Ta Ha, 46].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Ju i luteni Atij që dëgjon e është afër, Atij që është me ju." [D.m.th: që ju dëgjon e ju sheh].

Cili është gjynahu më i madh?

Gjynahu më i madh është shokvënia Allahut (idhujtaria).

Allahu i Lartësuar thotë, në gjuhën e Lukmanit (alejhi selam): "O biri im! Mos i shoqëro Allahut askënd, sepse shokvënia Allahut është padrejtësia më e madhe." [Lukman, 13].

E pyetën të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!): “Cili është gjynahu më i madh?” Ai tha: “T'i bësh Allahut shok, kurse Ai të ka krijuar."

Ç'është 'shirku i madh' – idhujtaria?

Shirku i madh është drejtimi i çdo lloj adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut, siç është lutja, premtimi, kurbani etj.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: Unë i lutem Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd." [El Xhinn, 20].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Gjynahu më i madh prej të mëdhave është të shoqëruarit Allahut shok."

Cili është dëmi i shirkut të madh?

Shirku i madh është shkak për të qëndruarit e përhershëm në Zjarr.

Allahu i Lartësuar thotë: "Atij që i shoqëron Allahut ndokënd, Allahu ia bën haram Xhenetin dhe vendi i tij është Zjarri." [El Maide,72].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush vdes duke i pas shoqëruar Allahut shok do të hyjë në Zjarr."

A ka dobi vepra e shoqëruar me shirk të madh?

Nuk bën dobi asnjë punë e shoqëruar me shirk të madh.

Allahu i Lartësuar thotë: "E nëse ata do të adhuronin tjetër me Allahun, atëherë do t'i fshiheshin të gjitha punët që ata kishin punuar." [El En'am, 88], "Dhe do t'i kthehemi punëve që ata kishin punuar e do t'i bëjmë ato pluhur e hi." [El Furkan, 23].

Kurse në një hadith kudsij, Allahu i Lartësuar thotë: "Kush vepron një punë në të cilën shoqëron dikënd tjetër me Mua, e kam lënë atë dhe idhullin e tij."

A ndodhet shirku në mesin e muslimanëve?

Po, gjendet me shumicë- me keqardhje!-

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe nuk beson shumica e tyre vetëm se duke i shoqëruar Allahut shok." [Junus, 106].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nuk do të bëhet Kiameti derisa të bashkohen disa fise prej popullit tim me idhujtarët dhe derisa të adhurohen idhujt."

Cili është gjykimi për akuzimin e muslimanit se ai ka dalë nga Islami, pa pasur argument?

Kjo gjë nuk lejohet dhe është prej gjynaheve të mëdha.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: Zoti im i ka ndaluar punët e ndyta, qofshin ato hapurazi apo fshehtazi, gjithashtu (ka ndaluar) çdo lloj krimi, shtypjen pa të drejtë, vënien shok Allahut në adhurim, gjë për të cilën ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, si dhe (ka ndaluar) përfoljen për Allahun për gjëra për të cilat ju nuk keni asnjë dijeni." [El A'raf, 33].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nëse dikush i thotë vëllait të tij (në fe): “Ti je mosbesimtar (qafir)!”; ajo fjalë do të bjerë mbi njërin nga ata të dy."

Cili është gjykimi i drejtimit të lutjes të tjerëve përveç Allahut - siç janë "njerëzit e mirë"?

Të luturit atyre është shirk i cili të fut në Zjarr.

Allahu i Lartësuar thotë: "Mos lut zot tjetër me Allahun se përndryshe do të jesh prej atyre që ndëshkohen!" [Esh Shuara, 213].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush vdes duke qenë që ka lutur dikë tjetër përveç Allahut, do të hyjë në Zjarr."

A është lutja adhurim?

Po, sigurisht që lutja është prej adhurimit të Allahut, madje prej adhurimeve më të mëdha.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Zoti juaj thotë: M'u lutni Mua, Unë do t'ju përgjigjem!" [Gafir, 60].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Lutja është vetë adhurimi."

A e dëgjojnë të vdekurit lutjen?

Të vdekurit nuk dëgjojnë as lutjen as ndonjë gjë tjetër.

Allahu i Lartësuar thotë: "Sigurisht që ti nuk mund të bësh të vdekurit të dëgjojnë." [En Neml, 80], "…Ndërsa ti nuk mund t'i bësh të dëgjojnë ata që janë ndër varre." [Fatir, 22].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Allahu ka zbritur disa engjëj që sillen nëpër tokë e që më dërgojnë selam nga populli im." (D.m.th: që engjëjt janë ata që transportojnë selamin, ndërsa njerëzit nuk mund të kenë lidhje me ata të botës tjetër).

A lejohet kërkimi i ndihmës prej të vdekurve apo prej atyre që nuk janë prezent?

Nuk lejohet kërkimi i ndihmës prej tyre, kjo gjë është shirk, por kërkojmë ndihmë vetëm nga Allahu i Lartësuar.

Allahu i Lartësuar thotë: "(Përkujtoni!) Kur ju kërkuat ndihmë te Zoti juaj e Ai iu përgjigj juve." [El Enfal, 9].

Kur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e godiste ndonjë brengë apo vështirësi, thoshte: "O Ti që je i Përjetshëm dhe Mbajtës e Mbrojtës i gjithçkaje që ekziston! Tek mëshira Jote kërkoj ndihmë!"

A lejohet mbështetja në ndihmën e ndokujt tjetër përveç Allahut?

Kjo gjë nuk lejohet sepse është shirk. Për ndihmë mbështetemi vetëm te Allahu i Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të kërkojmë ndihmë e mbështetje (kudo, në çdo kohë e për çdo gjë)." [El Fatiha, 5].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Allahut e nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut."

A lejohet të kërkojmë ndihmë prej të gjallëve që janë prezent?

Po, lejohet në ato gjëra që janë brenda mundësive të njeriut.

Allahu i Lartësuar thotë: "…Dhe ndihmoni njëri-tjetrin në punë të mira e devotshmëri të Allahut; dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynah e zemërim (armiqësi)." [El Maid, 2].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Allahu është në ndihmën e robit të Tij, përderisa robi të jetë në ndihmën e vëllait të vet."

A lejohet kushtimi i diçkaje dikujt tjetër përveç Allahut?

Nuk lejohet kushtimi vetëm se për Allahun e Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur gruaja e Imranit tha: "Zoti im! Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim, që të jetë vetëm në shërbimin Tënd, prandaj, pranoje prej meje!" [El Imran, 35].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush kushtohet për të kryer një punë të mirë që është bindje ndaj Allahut, le ta bëjë atë, e kush kushtohet për të bërë një punë të keqe që thyen urdhërin e Allahut, mos ta bëjë."

A lejohet prerja e kurbanit për dikë tjetër përveç Allahut?

Nuk lejohet, sepse kjo gjë është prej shirkut të madh.

Allahu i Lartësuar thotë: "Falu për Zotin tënd dhe pre kurban vetëm për Të!" [El- Keuther, 2].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: " Allahu e mallkoftë atë që prêt kurban për dikë tjetër përveç Allahut!"

A lejohet tavafi-ardhja përreth- varreve?

Nuk lejohet tavafi rreth ndonjë gjëje tjetër përveç Qabes.

Allahu i Lartësuar thotë: "…Dhe le të sillen rreth Shtëpisë së Lashtë (Qabes në Mekë)." [El Haxh, 29].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush sillet rreth Qabes shtatë here, pastaj fal dy rekate, i quhet sikur ka liruar një skllav."

A lejohet të falesh duke pasur përpara ndonjë varr?

Nuk lejohet falja drejt varreve, sepse kjo gjë të çon në madhërimin dhe adhurimin e tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: "…Kështu pra, ktheje fytyrën tënde (gjatë faljes) në drejtim të Xhamisë së Shenjtë-Qabes!" [El Bekare, 144].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Mos u ulni mbi varre dhe mos u falni në drejtim të tyre!"

Cili është gjykimi i bërjes magji?

Të bësh magji është prej gjynaheve më të mëdha të cilat të çojnë në mosbesim e mohim të Allahut të Lartësuar. Po ashtu edhe të mësuarit e magjisë është njësoj si bërja e saj.

Allahu i Lartësuar thotë: "…Por shejtanët mohuan (u bënë mosbesimtarë) duke u mësuar njerëzve magjinë." [El Bekare, 102].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Largojuni shtatë shkatërrueseve (që të fusin në Zjarr): Shirkut-shokvënies Allahut, magjisë…"

A mund t'i besojmë fallxhorit e magjistarit?

Nuk i besojmë ata për asgjë që thonë, madje nuk shkojmë kurrë tek ata.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: Nuk e di të fshehtën askush që ndodhet në qiej apo në tokë përveç Allahut." [En Neml, 65].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush shkon te ndonjë fallxhor apo magjistar dhe e beson atë në ato që thotë, ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit."

A e di të fshehtën ndokush prej krijesave?

Nuk e di të fshehtën askush përveç Allahut të Lartësuar.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe tek Ai janë çelësat e të fshehtës, e askush nuk i di ato përveç Atij." [El En'am, 59].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nuk e di të fshehtën askush tjetër përveç Allahut."

Me ç'ligj duhet të gjykojnë muslimanët?

Muslimanët duhet të gjykojnë sipas Kur'anit dhe Sunetit- rrugës së të Dërguarit të Allahut, qofshin ata individë, kolektiv apo pushtetarë.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe gjyko në mes tyre me atë që ka zbritur Allahu." [El Maide, 49].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Allahu është Gjykatësi dhe tek Ai është kthimi."

Cili është gjykimi për ligjet e vendosura nga shtetet sot dhe të cilat kundërshtojnë Islamin?

Nëse personi i quan të lejuara apo i paraprin mbi Ligjin e Allahut (Kur'anin dhe Sunetin), duke besuar se janë më të mira, atëherë ai ka dalë nga Islami.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kushdo që nuk gjykon me Atë që ka shpallur Allahu, ata janë mosbesimtarë." [El Maide, 44].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nëse prijësit e tyre do të vazhdojnë të mos gjykojnë me Ligjin e Allahut e të mos zgjedhin ndërmjet atyre që ka zbritur Allahu, atëherë Allahu i jep secilit pjesën që i takon (të dënimit për shkak të padrejtësisë që i kanë bërë njerëzve duke gjykuar me ligje jo të drejta).

A lejohet betimi në dike apo diçka tjetër përveç Allahut?

Nuk lejohet betimi vetëm se në Allahun e Madhëruar.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: Po! Për Zotin tim! Ju padyshim që do të ringjalleni."

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush betohet në dikë tjetër përveç Allahut, ka bërë shirk (i ka bërë Allahut shok)."

A lejohet lidhja e nuskave dhe hajmalive?

Nuk lejohet varja apo lidhja e nuskave apo e hajmalive, sepse kjo gjë është idhujtari.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe nëse Allahu iu prek me ndonjë të keqe, askush nuk mund ta largojë atë përveç Atij." [El En'am, 17].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush var apo lidh nuskë, i ka bërë Allahut shok." (Nuskë është çdo gjë që lidhet për të larguar syrin e keq apo smirën).

Me ç'farë ndërmjetësohemi tek Allahu i Lartësuar?

Ndërmjetësohemi tek Allahu me Emrat dhe Cilësitë e Tij- të Pastërtit nga të metat-, me punët tona të mira dhe më duanë-lutjen e një besimtari të mirë.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe të Allahut janë gjithë Emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me to." [El A'raf, 80].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Të lutem Ty me çdo Emër Tëndin me të cilin Ti ke quajtur Veten Tënde!"

A ka nevojë duaja-lutja për ndërmjetësinë e ndonjë krijese?

Kur lutemi nuk është nevoja për ndonjë ndërmjetës prej krijesave.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kur robët e Mi të pyesin ty (o Muhamed) për Mua, atëherë (thuaju): Vërtet Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më drejtohet Mua me lutje." [El Bekare, 186].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Ju i luteni Atij që Dëgjon e është afër, Atij që është me ju." (D.m.th: që ju dëgjon e ju sheh."

Cili është misioni i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!)?

Misioni i tij është shpallja, sqarimi dhe ngritja e argumentit.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ti i Dërguar! Shpalle mesazhin i cili të është zbritur nga Zoti yt." [El Maide, 67].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "O Zoti im! Dëshmo!" E tha këtë si përgjigje për fjalën e shokëve të tij kur thanë: "Dëshmojmë që ti e kreve shpalljen, e çove në vend amanetin dhe këshillove."

Prej kujt e kërkojmë që të na mundësohet ndërmjetësimi i Profetit në Ditën e Gjykimit?

E kërkojmë ndërmjetësinë e Muhamedit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) vetëm prej Allahut të Lartësuar.

Allahu i Lartësuar thotë: "Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij?" [El Bekare, 255].

"Thuaj: I gjithë ndërmjetësimi i takon Allahut." [Ez Zumer, 44].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e mësoi njërin prej shokëve të tij të thotë: "O Zoti im! Bëje atë (Muhamedin) ndërmjetës për mua!"

Si mund ta duam Allahun dhe të Dërguarin e Tij?

Dashuria vërtetohet në bindje dhe zbatimin e urdhërave.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: Nëse jeni që e doni Allahun atëherë më ndiqni mua që t'iu dojë Allahu." [Al Imran, 31].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nuk beson askush prej jush deri sa të jem më i dashur tek ai se prindi apo fëmija i tij, dhe të gjithë njerëzit."

A mund ta teprojmë në lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!)?

Nuk lejohet ta teprojmë në lavdërimin e të Dërguarit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) apo ngritjen e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (O Muhamed): Unë jam vetëm një njeri sikurse edhe ju, (por) mua më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i Adhuruar i Vetëm." [El Kehf, 110].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Mos më lavdëroni ashtu siç bënë të krishterët me birin e Merjemes, sepse unë jam thjesht rob i Allahut, por thoni: Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij."

Kush është krijesa e parë?

Krijesa e parë prej njerëzve është Ademi -alejhi selam- (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), ndërsa prej sendeve është lapsi.

Allahu i Lartësuar thotë: "(Kujto) Kur Zoti yt u tha engjëjve: Me të vërtetë që Unë do të krijoj njeriun nga balta." [Sad, 71].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Sendi i parë që ka krijuar Allahu është kalemi-lapsi."

Nga ç’gjë është krijuar Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!)?

Allahu e ka krijuar Muhamedin (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ashtu si ka krijuar njerëzit e tjerë (me përjashtim të Ademit, Havasë dhe Isait, birit të Merjemes).

Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (O Muhamed): Unë jam vetëm një njeri sikurse edhe ju, por që më shpallet…" [El Kehf, 110]. "Ai është i Cili ju ka krijuar juve nga dheu e pastaj prej një pike uji." [Gafir, 67].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Ç'dokush prej jush krijohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë në gjëndje të lëngët…"

Cili është gjykimi për Xhihadin-luftën në Rrugë të Allahut?

Xhihadi është obligim mbi muslimanët qoftë me pasuri, me gjuhë apo me trup.

Allahu i Lartësuar thotë: "Ecni përpara qoftë kur e keni të lehtë (jeni të shëndoshë) apo të rëndë dhe luftoni me pasuritë dhe vetet tuaja në Rrugë të Allahut." [Et Teube, 41].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Luftojini idhujtarët me pasuritë, vetet dhe gjuhët tuaja!"

Xhihadi është detyrë mbi çdo musliman të mundshëm nëse pushtohet një tokë prej tokave të muslimanëve. Në fillim e kanë për detyrë ata që janë më afër e kështu me radhë derisa të mposhtet e të largohet armiku.

Ç'është miqësia për besimtarët?

Ajo është dashuria dhe përkrahja për besimtarët njësues.

Allahu i Lartësuar thotë: "Besimtarët dhe besimtaret janë Eulija (ndihmues, mbrojtës e miq) për njëri-tjetrin." [Et Teube, 71].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë e vetme; mbajnë dhe shtrëngojnë njëri-tjetrin."

A lejohet miqësia me mosbesimtarët dhe përkrahja e tyre?

Nuk lejohet miqësia me mosbesimtarët dhe as përkrahja e tyre sepse kjo është prej njollave të besimit.

Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kush i miqëson ata (mosbesimtarët) prej jush, ai është prej tyre." [El Maide, 51].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Bijtë e filan fisi nuk janë miq të mitë." (Nga që ishin mosbesimtarë).

Kush është mik e i dashur?

Mik është besimtari i devotshëm sunit - që ndjek rrugën e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!).

Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka fare dyshim! Me të vërtetë për Eulijatë-miqtë e Allahut, as frikë nuk do të ketë mbi ta, as nuk do të pikëllohen. Ata të cilët besuan dhe gjithnjë e patën frikë Allahun." [Junus, 62-63].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Miku im është Allahu dhe besimtari i mirë."

Përse e ka zbritur Allahu Kuranin?

Allahu e ka zbritur Kuranin për ta lexuar atë, për të medituar në të dhe për të punuar sipas tij.

Allahu i Lartësuar thotë: "Pasoni atë që iu është zbritur nga Zoti juaj dhe mos pasoni asnjë të dashur tjetër përveç Allahut." [El A'raf, 3].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Lexojeni Kur'anin dhe punoni me të; por mos hani me Kuranin dhe mos shtoni (pasurinë) me të."

A mjafohemi me Kuranin pa Hadithin?

Nuk mund të mjaftohemi me Kuranin pa Hadithin e të Dërguarit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!).

Allahu i Lartësuar thotë: "Ne të zbritëm ty Përkujtimin (hadithin), që tua sqarosh njerëzve atë që u është zbritur atyre (Kuranin)." [En Nahl, 44].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Vërtetë, mua më është dhënë Kurani dhe një tjetër me të si ai (Hadithi)."

A mund të privilegjojmë fjalën e ndokujt prej krijesave para Fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij?

Nuk lejohet të paraprijmë fjalën e askujt, kushdo qoftë ai, para Fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Mos vendosni (mos flisni) para se të vendosë Allahu dhe i Dërguari i Tij" [El Huxhurat, 1].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nuk lejohet t'i bindesh krijesës nëse të urdhëron për atë që kundërshton Fjalën e Krijuesit, por bindja është vetëm në punë të mira."

Ç'farë duhet të bëjmë nëse kundërshtohemi?

Kthehemi tek Libri i Ndershëm (Kurani) dhe te Suneti i saktë, sipas kuptimit të selefëve - të parëve të mirë të kësaj feje, dhe duke u këshilluar me dijetarët e vërtetë.

Allahu i Lartësuar thotë: "E nëse kundërshtoheni në ndonjë gjë, atëherë kthejeni atë tek Allahu (Libri i Tij) dhe te i Dërguari i Tij." [En Nisa, 59].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kam lënë në mesin tuaj dy gjëra me të cilat nuk do të humbni kurrë nëse kapeni pas tyre: Librin e Allahut dhe Sunetin tim."

Ç'është bidati - shtesa në fe?

Bidat është çdo gjë me të cilën adhurohet Allahu pa pasur ndonjë argument në fe.

Allahu i Lartësuar thotë: "A kanë ata shok (idhuj) të cilët kanë themeluar e përcaktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu." [Esh Shura, 21].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush vjen me diçka të re në çështjen tonë, e cila nuk është prej saj, ajo është e refuzuar."

A ka bidat të mirë në fe?

Nuk ka në fe bidat të mirë, por ato janë epshet dhe dëshirat e atyre që vijnë me to.

Allahu i Lartësuar thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” [El Maide, 3].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Ruajuni punëve të shpikura (risive në Fe) sepse çdo punë e shpikur është bidat - shtesë në Fe dhe çdo bidat të çon në humbje."

A ka në Islam hapje të një rruge të mirë?

Po, siç është ai person që fillon i pari me një punë të mirë për t'u pasuar e për të qenë shembull për të tjerët.

Allahu i Lartësuar thotë: "O Zoti ynë!...Dhe na bëj prijës të Muttekinëve-të të përkushtuarëve në besimin e pastër Islam." [El Furkan, 74].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Kush hap në Islam një rrugë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe të gjithë atyre që do ta pasojnë atë pas tij."

A i mjafton muslimanit rregullimi i vetes së tij?

Duhet patjetër që të rregullojë veten dhe familjen e tij, si dhe sa të mundet prej njerëzve të tjerë.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një Zjarri, lëndë djegëse e të cilët janë njerëzit dhe gurët."

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Allahu i Lartësuar do ta pyesë çdo përgjegjës për atë që kishte në përgjegjësi; A e ruajti apo e humbi atë?

Kur trimfojnë muslimanët?

Nëse ndihmojnë Fenë e Allahut, duke punuar sipas Librit të Zotit të tyre dhe sipas Rrugës së të Dërguarit të tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Nëse ju ndihmoni Allahun, Ai do t'ju ndihmojë juve dhe do t'ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja." [Muhamed, 7].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Nëse do të tregtoni me hile, do të ndiqni bishtat e lopëve (do të shkoni pas pasurisë) e do të kënaqeni me të mbjellat, e ta lini Luftën në Rrugë të Allahut, atëherë Allahu do të hedhë mbi ju një përçmim të cilin nuk do ta heqë prej jush deri sa të ktheheni në Fenë tuaj."

Si mund të shpëtojmë prej përçarjes dhe sprovës?

Shpëtimi është duke u kthyer tek Feja e vërtetë dhe e saktë sipas kuptimit të Selefëve të mirë dhe duke lënë grindjet dhe mosmarrëveshjet.

Allahu i Lartësuar thotë: "Kushdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është bërë i qartë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur dhe e fusim në Xhehenem; e nuk ka vend më të keq se ai." [En Nisa, 115].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "…E ai që do të jetojë prej jush do të shohë mosmarrëveshje të shumta. Kështu që kapuni pas Sunetit tim dhe Sunetit (rrugës) së prijësve të drejtë e të udhëzuar që do të jenë pas meje. Shtrëngohuni pas tyre fort me dhëmballë!"

Cila është detyra e muslimanëve sot?

Kapja e të gjithëve për Litarin e Allahut që të jenë një dorë e vetme.

Allahu i Lartësuar thotë: "…Dhe kapuni që të gjithë për Litarin e Allahut dhe mos u përçani." [Al Imran, 102].

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) thotë: "Shembulli i muslimanëve në dashurinë e tyre për njëri-tjetrin, mëshirën e tyre dhe butësinë e tyre ndaj njëri-tjetrit është si shembulli i një trupi të vetëm, nëse ankohet njëra prej gjymtyrëve të tij, atëherë i gjithë trupi ndjen dhimbje e ethe."