Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit (5)

KAPITULLI I PESTË

Jeta e zemrës dhe shëndeti i saj


Jeta e zemrës dhe shëndeti i saj nuk mund të arrihet vetëm në rast se ajo e percepton të vërtetën, e do atë dhe e privilegjon mbi gjithçka tjetër.

Dhe përderisa në zemër gjenden dy forca: forca e dijes dhe dallimit dhe forca e dëshirës dhe dashurisë, atëherë përsosmëria dhe shëndeti i saj arrihet me shfrytëzimin e këtyre dy forcave në atë që i bën dobi asaj dhe i kthen shëndetin e lumturinë.

Pra, përsosmëria e zemrës arrihet me shfrytëzimin e forcës së dijes në perceptimin e të vërtetës, njohjen e saj dhe dallimin ndërmjet saj dhe të pavërtetës, si dhe me shfrytëzimin e forcës së dëshirës dhe dashurisë në kërkimin e të vërtetës dhe privilegjimin e saj mbi të pavërtetën.

Ndaj, ai i cili nuk e njeh të vërtetën, ai është i humbur, ndërsa ai i cili e njeh atë por privilegjon diçka tjetër mbi të, ai ka merituar zemërimin e Allahut mbi vete, dhe ai i cili e njeh të vërtetën dhe e pason atë, atij i është dhuruar mirësia e Allahut.

Prej këtu, Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që në çdo namaz që ne falim, t’i kërkojmë Atij të na udhëzojë në rrugën e atyre të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi dhe jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin e Tij dhe as në rrugën e të humburve. Për këtë shkak, të krishterët janë veçuar me humbjen dhe errësirën, sepse ata janë popull injorant, ndërsa çifutët janë veçuar me meritimin e zemërimit sepse ata janë popull kryeneç. Ndërsa ky popull, populli musliman janë ata të cilëve u është dhuruar Mirësia e Allahut. Për këtë shkak, Sufjan ibën Ujejne ka thënë: “Kushdo që prishet prej robëve tanë (muslimanë), në të ka ngjashmëri me të krishterët, ndërsa ai që prishet prej dijetarëve tanë, në të ka ngjashmëri me çifutët. Kjo sepse të krishterët e kryejnë adhurimin pa pasur dije (të sigurtë), ndërsa çifutët e njohën të vërtetën dhe devijuan nga ajo.”

Në Musnedin e imam Ahmedit dhe në Sunenet e Tirmidhiut, transmetohet nga Adij ibën Hatim (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çifutët janë ata të cilët kanë tërhequr zemërimin e Allahut, ndërsa të krishterët janë të humbur (nga rruga e drejtë).”

Allahu i Madhëruar ka bashkuar mes këtyre dy esencave (dija dhe dëshira – bindja dhe besimi) në disa vende, në Librin e Tij:

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur robët e Mi të të pyesin ty për Mua, atëherë Unë jam afër dhe i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai më lutet Mua. Ndaj të më binden Mua dhe të më besojnë Mua, me qëllim që të mund të udhëhiqen drejt.” [El Bekare: 186]. Këtu, Allahu ka bashkuar mes bindjes ndaj Tij dhe besimit tek Ai.

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Ata të cilët e besojnë atë (Muhamedin), që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që ndjekin dritën (Kuranin) e zbritur me të, pikërisht këta janë më të fituarit.” [El Araf: 157].

Dhe thotë: “Elif-Lam-Mim. Ky është Libri (Kurani) mbi të cilin nuk ka asnjë dyshim, udhëheqje për të devotshmit. Të cilët besojnë në të fshehtën (me të cilën ka njoftuar Allahu), kryejnë faljen dhe shpenzojnë nga ajo që Ne i kemi furnizuar (japin zekatin). Dhe të cilt besojnë në atë që të është zbritur ty (o Muhamed) dhe ato që janë zbritur para teje (Librat e mëparshëm Hyjnor), si dhe që besojnë në Botën e Përtejme. Ata udhëhiqen në rrugë të vërtetë nga Zoti i tyre dhe ata janë më të sukseshmit.” [El Bejare: 1-5].

 

Ndërsa në mes të sures, Allahu thotë: “Nuk është përkushtim se ju e ktheni fytyrën tuaj drejt lindjes dhe perëndimit (në falje), por përkushtim është (cilësi e atij) i cili beson në Allahun, në Ditën e Fundit, në engjëjt, në Librin, në Pejgamberët dhe u jep pasurinë e tij, pavarësisht nga dashuria për të, të afërmve, jetimëve, të varfërve, endacakave dhe kujtdo që kërkon, (e jep edhe) për të liruar robët, kryen faljen e namazit dhe jep zekatin.” [El Bekare: 177].

“(Betohem) Për kohën! Me të vërtetë që njeriu është në humbje të plotë. Përveç atyre që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën, edhe që e këshillojnë njëri-tjetrin për durim.” [Suretu el Asr].

Këtu, Allahu i Madhëruar është betuar në kohën, e cila është koha e punëve fitimprurëse dhe humbëse, se çdokush është në humbje të sigurtë, përveç atij që e plotëson forcën e tij të dijes me besimin në Allahun e Madhëruar, dhe forcën e tij të vepruarit me bindjen ndaj Allahut. Kjo është përsosmëria e njeriut në vetvete. Pastaj ai plotësoi edhe të tjerët me këshillimin e tyre për këtë gjë dhe i urdhëroi ata për të dhe për kokën e kësaj, durimin. Ai e përsosi veten e tij me dijen e dobishme dhe punën e mirë, dhe plotësoi të tjerët me të mësuarin e tyre këtë gjë si dhe të këshilluarit për durin në këtë. Për këtë shkak, imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Sikur njerëzit të meditonin rreth sures “El Asr”, ajo do t’u mjaftonte atyre.”

Këtë domethënie e gjejmë në shumë vende në Kuran, ku Allahu i Madhëruar njofton se të lumturit janë ata të cilët e njohin të vërtetën dhe e pasojnë atë, ndërsa të mjerët janë ata të cilët e injorojnë të vërtetën dhe e kanë humbur rrugën e drejtë, ose që e dinë të vërtetën dhe e kundërshtojnë atë apo ndjekin rrugë tjetër nga ajo e saj.

Duhet të jetë e ditur se këto dy forca nuk shterin kurrë në zemër, por nëse forca e dijes nuk shfrytëzohet për njohjen e të vërtetës dhe perceptimin e saj, ajo do të shfrytëzohet për të njohur atë që i përshtatet dhe i shkon përshtat nga e kota dhe e pavërteta. Po kështu edhe forca e dëshirës dhe veprës, nëse nuk shfrytëzohet për të vepruar me të vërtetën që njohi, ajo do të shfrytëzohet në të kundërtën e kësaj.

Ndaj njeriu është bujk dhe energjik, siç ka thënë edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Emrat më të vërtetë janë Harith –bujk dhe Hemam – energjik.”1E transmeton Ebu Daudi (4950), Ahmedi (4/345) etj, dhe el Albani e ka konsideruar të saktë në Es Sahiha (1040).

Bujku është punëtori që punon për të fituar, ndërsa energjiku është ai që ka ambicje dhe dëshira. Shpirti lëviz nga ambicja dhe lëvizja ambicioze e tij ka rrjedhoja të ndërsjellta; ambicja bën të domosdoshme diçka të synuar, të përfytyruar dhe të veçantë për të. Kështu që nëse nuk e përfytyron të vërtetën, nuk e kërkon dhe nuk e dëshiron atë, ti do të përfytyrosh të kotën, do ta kërkosh dhe do ta dëshirosh atë, patjetër.

Këtë e shpjegon më mirë kapitulli në vijim.


Kapitulli i Parë: Ndarja e zemrave në të shëndoshë, të sëmurë dhe të vdekur.

Kapitulli i dytë: Ekzistimi i pamohueshëm i sëmundjes së zemrës.

Kapitulli i tretë: Ndarja e kurave të sëmundjeve të zemrës në natyrale dhe fetare.

Kapitulli i katërt: Jeta e zemrës dhe shkëlqimi i saj është esenca e çdo të mire në të, ndërsa vdekja dhe nxirja e saj është esenca e çdo të keqeje dhe çrregullimi në të.

Kapitulli i pestë: Jeta e zemrës dhe shëndeti i saj nuk arrihet veçse duke qenë njohës i të vërtetës, dëshirues i saj dhe t’i japësh përparësi asaj mbi çdo gjë tjetër.

Kapitulli i gjashtë: Nuk ka lumturi për zemrën dhe as kënaqësi e rregullim vetëm duke qenë se Zoti i saj dhe Krijuesi i saj, vetëm Ai të jetë i Adhuruari i saj, pikësynimi i asaj që ajo kërkon dhe më i dashur për të se çdo gjë tjetër.

Kapitulli i shtatë: Kurani Fisnik përmban ilaçet e zemrës dhe kurat për të gjitha sëmundjet e saj.

Kapitulli i tetë: Kultivimi i zemrës.

Kapitulli i nëntë: Pastrimi i zemrës nga nyjëzat dhe papastërtitë e saj

Kapitulli i dhjetë: Shenjat e sëmundjes së zemrës dhe shëndetit të saj.

Kapitulli i njëmbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga pushtimi i vetvetes mbi të.

Kapitulli i dymbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga djalli.

Kapitulli i trembëdhjetë: Intrigat e djallit kundër njeriut


 

  • 1
    E transmeton Ebu Daudi (4950), Ahmedi (4/345) etj, dhe el Albani e ka konsideruar të saktë në Es Sahiha (1040).