Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit (3)

KAPITULLI I TRETË

Ndarja e kurave të sëmundjeve të zemrës në natyrale dhe fetare


Sëmundja e zemrës është dy llojesh:

  1. Sëmundje nga e cila i godituri me të nuk ndjen dhimbje në cast, dhe kjo është sëmundja paraprirëse, si sëmundja e injorancës, sëmundja e dyshimeve e dilemave dhe sëmundja e epsheve e dëshirave.

Ky lloj i sëmundjes është më i rëndë prej dy llojeve të saj, por si rezultat i prishjes së zemrës, personi nuk e ndjen atë. Dhe sepse dehja e injorancës dhe e epshit është bërë pengesë mes tij dhe perceptimit të sëmundjes. Por sëmundja e tij është prezente tek ai dhe e ka goditur atë, megjithëse është e fshehur dhe personi nuk e sheh atë por angazhohet me gjëra të tjera.

Kjo sëmundje është më e rrezikshmja prej dy llojeve të saj dhe kurimi i saj gjendet tek të Dërguarit e Allahut dhe pasuesit e tyre, sepse ata janë doktorët e kësaj sëmundjeje.

  1. Lloji i dytë është sëmundje e cila shkakton dhimbje në cast, si, shqetësimi, pikëllimi, inati, etj. Kjo sëmundje mund të kurohet me ilaçe natyrale, si eliminimi i shkaqeve të saj, apo kurimi me të kundërtën e shkaqeve të saj.

Kjo sepse zemrës mund t’i shkaktohet dhimbje me të njëjtat gjëra të cilat i shkaktojnë dhimbje edhe trupit dhe vuan me atë që vuan edhe trupi. Po kështu edhe trupi ndjen dhimbje të mëdha nga ato gjëra të cilat i shkaktojnë dhimbje zemrës, si dhe vuan me atë që vuan edhe zemra.

Domethënë, sëmundjet e zemrës të cilat kurohen me ilaçe natyrore, janë nga lloji i sëmundjeve të trupit. Kjo lloj sëmundjeje, e pa shoqëruar me sëmundje tjetër, mund të mos jetë shkak për vuajtjen dhe dënimin e personit të prekur nga ajo, pas vdekjes së tij.

Ndërsa sëmundjet e zemrës të cilat nuk mund të kurohen veçse me kura besimi e Hyjnore, ato sëmundje janë shkak për vuajtjen dhe dënimin e përjetshëm të personit të prekur nga ato, nëse ai nuk arrin ta kurojë atë me ilaçet sulmuese të tyre.

Nëse njeriu i përdor këto ilaçe, ai shërohet, dhe për këtë shkak thuhet: “Mjekoi inatin e tij.” Por nëse armiku i tij triumfon mbi të, kjo gjë e dëmton atë dhe i shkakton dhimbje atij, e nëse ky triumfon mbi të, zemra e tij shërohet. Allahu i Madhëruar thotë:

“قاتلوهم يعذبهم الله بأيديكم و يُخزِهم و يَنصركم عليهم و يشف صدور قوم مؤمنين و يُذهبْ غيظ قلوبهم و يتوب الله على من يشاء”

Luftojini ata, dhe Allahu do t’i ndëshkojë ata me duart tuaja dhe do t’i poshtërojë, që Allahu t’ju japë juve fitore mbi ta dhe të shërojë gjokset e popullit besimtar. Dhe të largojë inatin e zemrave të tyre (të besimtarëve), Allahu pranon pendimin e atij që do dhe Allahu është i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.” [Et Teube: 14-15].

  • Inati i shkakton dhimbje zemrës dhe shërimi i saj është në kurimin e inatit të saj. Nëse personi e mjekon atë me hak dhe të vërtetë, ajo shërohet, e nëse e mjekon atë me padrejtësi dhe të kotë, ai i shton asaj sëmundjen duke menduar se po e shëron atë. Shembulli i kësaj është si ai që është prekur nga sëmundja e dashurisë dhe e mjekon atë duke kryer marrëdhënie të paligjshme me atë që është dashuruar. Kjo gjë i shton atij sëmundjen, madje i nxjerë sëmundje të tjera edhe më të rënda se sëmundja e dashurisë e epsheve, siç do ta shohim më pas, me Lejen e Allahut.
  • Po kështu edhe pikëllimi, shqetësimi dhe mërzia janë sëmundje për zemrën, ndërsa shërimi prej tyre bëhet me të kundërtën e tyre; me gaz e hare. E nëse kjo bëhet me hak dhe sipas të vërtetës, zemra shërohet, pastrohet dhe bëhet e shëndetshme. Ndërsa në të kundërt, nëse kjo bëhet me të kotë, jo sipas të vërtetës, sëmundja e tij fshehet dhe mbulohet, e do të vazhdojë të qëndrojë, ndërsa dihet që sëmundja e vazhdueshme është sëmundja më e rëndë dhe më e rrezikshme.
  • Po kështu edhe injoranca është sëmundje e cila i shkakton dhimbje zemrës. Disa prej njerëzve e kurojnë këtë sëmundje duke mësuar dije e njohura të padobishme, duke menduar se me to ai është shëruar nga ssëmundja e tij, por në të vërtetë kjo ia shton edhe më shumë sëmundjen atij. Ai e preokupon zemrën me këto njohuri, duke mos e perceptuar dhimbjen e fshehur në zemrën e tij për shkak të injorancës së tij kundrejt njohurive të dobishme, të cilat janë kusht në shërimin dhe shëndetin e zemrës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për ata të cilët dhanë opinion pa pasur dije dhe si rezultat, pyetësi ndërroi jetë, ka thënë: “E vranë, i vraftë Allahu! A nuk mund të pyesnin kur qe se nuk dinin? Vërtet që shërimi i vetëm i sëmundjes është të pyeturit.”1Hadith Hasen. E transmeton Ebu Daudi. Shejh Albani e ka konsideruar Hasen.

Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka quajtur injorancën sëmundje, shërimi nga e cila arrihet duke pyetur ata që dinë.

  • Po kështu edhe ai që dyshon në diçka dhe është në dilemë për të, zemra e tij ndjen dhimbje deri sa ai të arrijë dijen e saktë, sigurinë e vendosmërinë. Përderisa kjo gjë (dyshimi) i shkakton atij nxehtësi e temperaturë, prej këtu i thuhet atij që ka arritur bindjen e plotë dhe sigurinë: “Atij i është bërë gjoksi akull dhe ai ka arritur të ftohtën e bindjes dhe vendosmërisë.”
  • Po kështu, me injorancë e humbje nga rruga e drejtë, zemra ngushtohet, ndërsa me dije e udhëzim, ajo zgjerohet. Allahu i Madhëruar thotë:

“فمن يرد الله أن يهديه يشرح صدره للإسلام و من يرد أن يضله يجعل صدره ضيقا حرجا كأنما يَصَعَدُ في السماء”

Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, Ai ia hap atij gjoksin për Islamin, kurse atij që Ai dëshiron ta humbasë, ia mbyll dhe ia shtrëngon gjoksin sikur të jetë duke u ngjitur në qiell. [El Enam: 125].

Përmendja e sëmundjes së shtrëngimit e ngushtimit të gjoksit, shkaku dhe ilaçi i saj, do të vijnë më pas, me Lejen e Allahut të Madhëruar.

Qëllimi është se disa prej sëmundjeve të zemrës eliminohen me ilaçe natyrale, ndërsa disa të tjera nuk mund të shërohen veçse me kura besimi dhe Sheriati.

Zemra ka vdekje dhe jetë, sëmundje dhe shërim, gjë e cila është shumë herë më e madhe dhe më serioze se ato të trupit.


Kapitulli i Parë: Ndarja e zemrave në të shëndoshë, të sëmurë dhe të vdekur.

Kapitulli i dytë: Ekzistimi i pamohueshëm i sëmundjes së zemrës.

Kapitulli i tretë: Ndarja e kurave të sëmundjeve të zemrës në natyrale dhe fetare.

Kapitulli i katërt: Jeta e zemrës dhe shkëlqimi i saj është esenca e çdo të mire në të, ndërsa vdekja dhe nxirja e saj është esenca e çdo të keqeje dhe çrregullimi në të.

Kapitulli i pestë: Jeta e zemrës dhe shëndeti i saj nuk arrihet veçse duke qenë njohës i të vërtetës, dëshirues i saj dhe t’i japësh përparësi asaj mbi çdo gjë tjetër.

Kapitulli i gjashtë: Nuk ka lumturi për zemrën dhe as kënaqësi e rregullim vetëm duke qenë se Zoti i saj dhe Krijuesi i saj, vetëm Ai të jetë i Adhuruari i saj, pikësynimi i asaj që ajo kërkon dhe më i dashur për të se çdo gjë tjetër.

Kapitulli i shtatë: Kurani Fisnik përmban ilaçet e zemrës dhe kurat për të gjitha sëmundjet e saj.

Kapitulli i tetë: Kultivimi i zemrës.

Kapitulli i nëntë: Pastrimi i zemrës nga nyjëzat dhe papastërtitë e saj

Kapitulli i dhjetë: Shenjat e sëmundjes së zemrës dhe shëndetit të saj.

Kapitulli i njëmbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga pushtimi i vetvetes mbi të.

Kapitulli i dymbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga djalli.

Kapitulli i trembëdhjetë: Intrigat e djallit kundër njeriut

  • 1
    Hadith Hasen. E transmeton Ebu Daudi. Shejh Albani e ka konsideruar Hasen.