Ndihma e nevojtarit kundër kurtheve të djallit (4)

KAPITULLI I KATËRT

Jeta e zemrës dhe drita e saj janë esenca e çdo të mire në të, ndërsa vdekja dhe errësira e saj janë esenca e çdo të keqe e çrregullimi në të


 

Esenca e çdo të mire dhe lumturia e robit, madje e çdo të gjalli që flet, është jeta e gjallëria e tij e plotë dhe drita e tij. Jeta dhe drita janë esenca e çdo të mire. Allahu i Lartësuar thotë:

“أو من كان ميتا فأحييناه و جعلنا له نورا يمشي به في الناس كمن مثله في الظلمات ليس بخارج منها”

A mos vallë është njësoj ai i cili ishte i vdekur (pa besim) dhe që Ne i dhamë atij jetë duke i vënë atij një dritë (besimin) me anë të së cilës ai të ecë mes njerëzve, me atë i cili është në errësirë, nga e cila kurrë nuk mund të dalë?!” [El Enam: 122]. Këtu, Allahu ka bashkur mes dy esencave, jetës dhe dritës.

Kështu, jeta është fuqia e zemrës, dëgjimi dhe shikimi i saj, turpi dhe nderi, trimëria dhe durimi, e të gjitha moralet e larta, si dhe dashuria për të mirën dhe urrejtja e të keqes. Sa më shumë të forcohet jeta e saj, aq më shumë forcohen këto virtyte, e në të kundërt, nëse jeta e zemrës dobësohet, atëherë dobësohen edhe këto virtyte. Turpërimi nga veprat e shëmtuara është në varësi të jetës së zemrës në vetvete. Kështu, nëse zemrë së gjallë e të shëndoshë i paraqiten gjëra të shëmtuara, ajo largohet vetevetiu nga ato, i urren ato dhe nuk ia hedh aspak vështrimin atyre. Ndryshe nga zemra e vdekur, e cila nuk bën dallim mes të bukurës dhe të shëmtuarës, siç ka thënë edhe Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Ai i cili nuk ka zemër që të njohë të mirën dhe të refuzojë të keqen, ai është i shkatërruar.”1E ka nxjerë Taberani në “El Muxhem el Kebir” (8564).

Po kështu edhe zemra e sëmurë nga epshet dhe dëshirat, për shkak të dobësisë së saj, ajo anon nga ato që i shfaqen asaj prej punëve të shëmtuara, në varësi me fuqinë e sëmundjes dhe dobësinë e saj.

E njëjta gjë është edhe me forcimin e dritës së zemrës dhe shkëlqimit të saj. Në këtë rast, zemrës i zbulohen përshkrimet e njohurive dhe të vërtetat e dijes ashtu siç janë në realitet. Kështu, kësaj zemre i qartësohet bukuria e të bukurës me dritën e saj dhe po kështu shëmtimi i të shëmtuarës.

Allahu i Madhëruar i ka përmendur këto dy esenca në disa vende, në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë:

“و كذلك أوحينا إليك روحا من أمرنا ما كنت تدري ما الكتاب و لا الإيمان و لكن جعلناه نورا نهدي به مَن نشاء مِن عبادنا و إنك لتهدي إلى صراط مستقيم”

Dhe kështu Ne të kemi shpallur ty shpirtin (Frymëzim e Mëshirë) nga Urdhëri e Vullneti ynë. Ti nuk e dije as ç’është Libri dhe as besimi, por Ne e kemi bërë atë (Kuranin) dritë, që Ne të udhëzojmë me anë të tij atë që Ne duam nga robët tanë. Dhe padyshim që ti (Muhamed) po udhëheq në Udhën e Drejtë.” [Esh Shura: 52].

Këtu, Allahu i Madhëruar ka bashkuar mes shpirtit, me të cilin zemra fiton jetën, dhe dritës, me të cilën arrin ndriçimin dhe shkëlqimin.

Allahu i Madhëruar ka njoftuar gjithashtu se Libri i Tij, të cilin Ai ia ka shpallur të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i përmban të dyja këto; ai është shpirt, me të cilin ngjallen zemrat dhe dritë, me të cilën ndriçohet e shkëlqen, siç thotë Allahu i Madhëruar:

“أو من كان ميتا فأحييناه و جعلنا له نورا يمشي به في الناس كمن مثله في الظلمات ليس بخارج منها”

A mos vallë është njësoj ai i cili ishte i vdekur (pa besim) dhe që Ne i dhamë atij jetë duke i vënë atij një dritë (besimin) me anë të së cilës ai të ecë mes njerëzve, me atë i cili është në errësirë, nga e cila kurrë nuk mund të dalë?!” [El Enam: 122]. D.m.th: A mos vallë është njësoj ai i cili ka qenë mosbesimtar, me zemër të vdekur dhe i mbuluar nga errësira e injorancës, pastaj Ne e udhëzuam atë në Rrugën e Drejtë dhe e mundësuam që të besojë, e bëmë zemrën e tij të gjallë dhe me jetë pas vdekjes së saj, dhe të ndritur e me shkëlqim, pas errësirës së saj. Këtu, Allahu i Madhëruar e ka quajtur mosbesimtarin të vdekur, për shkak të devijimit të tij nga bindja ndaj Allahut, injorancës së tij nga njohja e Allahut dhe Teuhidit e Sheriatit të Tij, si dhe për shkak se ai ka lënë mënjanë marrjen e shkaqeve për arritjen e Kënaqësisë së Allahut dhe të punëve që  e shpienë atë në shpëtim e lumturi. Allahu e ka krahasuar këtë me të vdekurin i cili nuk i bën dobi as vetes së tij dhe as nuk largon ndonjë të keqe nga ajo. Këtë njeri, Allahu e ka udhëzuar në Islam dhe i ka dhënë jetë me të, kështu që ai filloi ta njohë atë që i bën dëm dhe atë që i bën dobi atij, dhe punon për shpëtimin e saj (vetes së tij) nga Zemërimi i Allahut të Madhëruar dhe dënimi i Tij. Ai e pa të vërtetën pasi ishte i verbër kundrejt saj, e njohu atë, pasi e injoronte atë, e pasoi atë pasi i kishte kthyer shpinën asaj dhe atij iu bë një dritë dhe shkëlqim me të cilin ai ndriçohet dhe ecën me të në mesin e njerëzve.

Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar shpeshherë sjell dy shembujt e ujit dhe të zjarrit për Shpalljen dhe robët e Tij:

 E para (sjellja e tyre si shembull për Shpalljen e Tij): Shembull për këtë është Fjala e Allahut në suren Er Rad:

“أنزل من السماء ماء فسالت أودية بقدرها فاحتمل السيلُ زبدا رابيا و مما يوقدون عليه في النار ابتغاء حلية أو متاعٍ زبدٌ مثله كذلك يضرب الله الحق و الباطل فأما الزبد فيذهب جفاء و أما ما ينفع الناسَ فيمكث في الأرض كذلك يضرب الله الأمثال”

Ai lëshon ujë nga qielli dhe luginat rrjedhin sipas masës së tyre, ndërsa vërshimi mbart shkumën që del në sipërfaqe, si dhe nga ai (ari) të cilin ata (njerëzit) e nxehin në zjarr me qëllim që të bëjnë zbukurime ose enë, në të ka gjithashtu një shkumë të ngjashme. Kësisoj Allahu nxjerr në shesh të vërtetën nga e pavërteta. Pastaj shkuma kalon si ngjyrë mbi brigjet e lumit, ndërsa ajo që është për të mirën e njerëzve, mbetet në tokë. Kështu pra i sjell Allahu shembujt.” [Er Rad: 17].

Këtu, Allahu i Madhëruar ka sjellë shembull për Shpalljen e Tij, ujin nga i cili vjen jetë, dhe zjarrin, i cili bën dritë dhe shkëlqim.

Allahu ka njoftuar gjithashtu se rrëketë e ujit rrjedhin sipas masës së luginës; një luginë e madhe mbart ujë të shumtë dhe një e vogël mbart ujë më pak. Po kështu edhe zemrat janë të ngjashme me luginat; një zemër e madhe mbart shumë dije dhe një tjetër e vogël, mbart aq dije sa masa e saj. Ndërsa atë që mbartin zemrat prej dyshimeve e epsheve për shkak të përzierjes së Shpalljes me to, me atë që mbart vërshimi i ujit prej shkumës e papastërtive. Po kështu ka krahasuar prishjen e atyre dyshimeve me zënien vend të dijes së dobishme në to (në zemra), me largimin e asaj shkume dhe mospranimi i luginës atë, por ai që zë vend në të është uji i dobishëm.

Po kështu edhe në shembullin pas tij; papastërtia e asaj lënde me vlerë (arit) hiqet (nga zjarri) dhe në të qëndron esenca e tij e pastër.

E dyta: Ndërsa sjellja e këtyre dy gjërave si shembull për robët e Tij, shembull për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar:

“مثلهم كمثل الذي استوقد نارا فلما أضاءت ما حوله ذهب الله بنورهم و تركهم في ظلمات لا يبصرون صم بكم عمي فهم لا يرجعون”

Kjo ngjason si me atë që ndezi zjarrin dhe pasi ai ndriçoi gjithandej rreth tij, Allahu ua mori dritën dhe i la në errësirë, kështu që, ata nuk mund të shihnin. Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, kështu që ata ata nuk kthehen (në Rrugën e Drejtë). [El Bekare: 17-18]. Ky është shembulli i zjarrit.

Pastaj Allahu thotë:

“أو كصيب من السماء فيه ظلمات و رعد و برق يجعلون أصابعهم في آذانهم من الصوائق حذر الموت”

Ose si një shtrëngatë nga qielli me errësirë, vetëtimë e bubullimë. Ata i vënë gishtat në veshë për të mos dëgjuar ushtimën tmerruese nga frika e vdekjes. [El Bekare: 119]. Ky është shembulli i ujit.

Më hollësisht për këto dy shembuj dhe çfarë përmbajnë ato prej urtësive, kemi folur në librin “El Mealim – Shenjat”, e të tjerë.

Qëllimi është se shërimi i zemrës, shpëtimi dhe lumturia e saj qëndrojnë në këto dy baza (drita dhe uji).

Allahu i Lartësuar thotë:

“إن هو إلا ذكر و قرآن مبين ليُنظرَ من كان حيا”

Ky është veçse Mesazh përkujtues dhe Kuran i qartë. Me qëllim që ai të këshillojë atë që është i gjallë. [Jasin: 69-70]. Allahu na njofton këtu se të pasurit dobi me Kuranin dhe të marrurit këshillë nga ai, i ndodh atij që është me zemër të gjallë, siç thotë Allahu në një ajet tjetër:

“يا أيها الذين آمنوا استجيبوا لله و للرسول إذا دعاكم لما يُحييكم

O ju që keni besuar! Përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ai (i Dërguari, Muhamedi) ju thërret ju drejt asaj që do t’ju japë juve jetë…” [El Enfal: 24].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

“إن في ذلك لذكرى لمن كان له قلب”

Në këtë ka përkujtim (mësim) për atë që ka zemër. [Kaf: 37].

Allahu i Madhëruar na ka njoftuar se jeta jonë është në të përgjigjurit asaj për të cilën na ka thirrur Allahu dhe i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) prej dijes dhe besimit. Kështu, na bëhet e qartë se vdekja e zemrës dhe shkatërrimi i saj ndodh nga humbja e këtyre të dyjave (dijes dhe besimit).

Ndërsa atë, i cili nuk i përgjigjet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Allahu e ka krahasuar me banorët e varrezave, dhe ky është krahasimi më i përshtatshëm; trupat e tyre janë varre të zemrave të tyre, sepse zemrat e tyre kanë vdekur dhe janë varrosur në trupat e tyre. Allahu i Madhëruar thotë:

“إن الله يُسمعُ من يشاء و ما أنت بمُسمعٍ من في القبور”

Sigurisht që Allahu bën të dëgjojë kë do Ai, ndërsa ti nuk mund t’i bësh të dëgjojnë ata që janë në varre. [Fatir: 22].

Mirë e ka thënë edhe poeti:

Vetë injoranca para vdekjes është vdekje për ta!

Dhe trupat e tyre para varreve janë vetë varre!

Ndërsa shpirtrat e tyre janë në vetmi në trupat e tyre!

Dhe deri në Ditën e Ringjalljes për ta nuk do të ketë ringjallje!

 

Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar e ka bërë Shpalljen e Tij të cilën ua shpall Pejgamberëve, shpirt dhe jetë, siç thotë Allahu i Madhëruar:

“يلقي الروح من أمره على من يشاء من عباده”

Ai e dërgon shpirtin (Shpalljen) me Urdhërin e Tij te cili të dojë prej robëve të Tij… [Gafir: 15]. Këtë ajet e ka përsëritur në dy vende në Librin e Tij.

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “و كذلك أوحينا إليك روحا من أمرنا” “Dhe kështu Ne të kemi shpallur ty shpirtin (Frymëzim e Mëshirë) nga Urdhëri e Vullneti ynë.” [Esh Shura: 52]. Kjo, sepse jeta e shpirtërave dhe e zemrave qëndron me të.

Pikërisht kjo jetë e mirë dhe e lumtur është ajo jetë me të cilën Allahu ka veçuar posaçërisht ata të cilët e pranojnë Shpalljen e Tij dhe punojnë me të. Allahu i Madhëruar thotë:

“من عمل صالحا من ذكر أو أنثى و هو مؤمن فلنحيينه حياة طيبة و لنجزينهم أجرهم بأحسن ما كانوا يعملون”

Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë, dhe Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.” En Nahl: 97].

Kështu, Allahu i Madhëruar i ka veçuar ata me jetë të mirë në të dyja banesat.

E ngjashme me këtë është edhe Fjala e Allahut të Lartësuar:

“و أن استغفروا ربكم ثم توبوا إليه يمتِّعْكم متاعا حسنا إلى أجل مسمى  و يؤتي كل ذي فضل فضله”

Dhe (duke iu urdhëruar ju): “Kërkoni faljen e Zotit tuaj dhe kthehuni Atij me pendim, që Ai t’iu dhurojë kënaqësi për një kohë të përcaktuar dhe të derdhë Mirësitë e Tij të mëdha ndaj cilitdo që ka në veten e tij dashamirësi. [Hud: 3].

Po kështu edhe Fjala e Allahut të Lartëmadhëruar:

“للذين أحسنوا في هذه الدنيا حسنة و لدار الآخرة خير و لَنِعم دار المتقين”

Për ata që bëjnë mirësi në këtë botë, do të ketë mirësi, ndërsa banesa e botës së fundit do të jetë akoma edhe më e mirë. Vërtetë e shkëlqyer do të jetë banesa e të përkushtuarve. [En Nahl: 30].

Po kështu edhe Fjala e Allahut të Lartëmadhëruar:

“للذين أحسنوا في هذه الدنيا حسنة  و أرض الله واسعة”

Për ata të cilët kanë vepruar mirësi në këtë botë, do të ketë mirësi dhe toka e Allahut është e gjërë.” [Ez Zumer: 10].

Allahu i Madhëruar ka sqaruar se vepërmiri do të jetë i lumtur si rezultat i veprave të tij të mira, në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër, si dhe ka njoftuar për mjerimin e vepërkeqit si rezultat i veprave të tij të këqija, në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu i Madhëruar thotë:

“و من أعرض عن ذكري فإن له معيشة ضنكا و نحشره يوم القيامة أعمى”

Por kushdo që i kthen shpinën Mesazhit Tim, padyshim që për të do të ketë jetë të vështirë dhe Ne do t’a ringjallim të verbuar në Ditën e Ringjalljes.” [Ta Ha: 124].

Allahu i Madhëruar ka bashkuar mes këtyre dyjave (udhëzimit dhe humbjes) në një ajet, dhe thotë:

“فمن يرد الله أن يهديه يشرح صدره للإسلام و من يرد أن يضله يجعل صدره ضيقا حرجا كأنما يصعد في السماء كذلك يجعل الله الرجس على الذين لا يؤمنون”

Dhe atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, Ai ia hap atij gjoksin për Islamin, kurse atij që Ai dëshiron ta humbasë, ia mbyll dhe ia shtrëngon gjoksin sikur të jetë duke u ngjitur në qiell. Në këtë mënyrë Allahu lëshon Zemërimin e Tij mbi ata që nuk besojnë.” [El Enam: 125].

Kështu, të udhëzuarit dhe besimtarët kanë hapje dhe zgjerim të gjoksit, ndërsa të humburit kanë ngushtim dhe shtrëngim të tij.

Allahu i Madhëruar thotë:

“أفمن شرح الله صدره للإسلام فهو على نور من ربه”

A është ai të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin me Islam, duke qenë në dritë prej Zotit të tij (si ai që nuk është musliman).” [Ez Zumer: 22].

Pra, besimtarët janë në dritë dhe me gjoks të gjerë e të hapur, ndërsa të humburit janë në errësirë dhe me gjoks të shtrënguar e të ngushtë.

Më shumë për këtë do të flasim në kapitullin për pastrimin e zemrës, me Lejen e Allahut të Madhëruar.

Qëllimi këtu është se jeta e zemrës dhe drita e saj janë esenca e çdo të mire në të, ndërsa vdekja e zemrës dhe errësira e saj janë esenca e çdo të keqe në të.


Kapitulli i Parë: Ndarja e zemrave në të shëndoshë, të sëmurë dhe të vdekur.

Kapitulli i dytë: Ekzistimi i pamohueshëm i sëmundjes së zemrës.

Kapitulli i tretë: Ndarja e kurave të sëmundjeve të zemrës në natyrale dhe fetare.

Kapitulli i katërt: Jeta e zemrës dhe shkëlqimi i saj është esenca e çdo të mire në të, ndërsa vdekja dhe nxirja e saj është esenca e çdo të keqeje dhe çrregullimi në të.

Kapitulli i pestë: Jeta e zemrës dhe shëndeti i saj nuk arrihet veçse duke qenë njohës i të vërtetës, dëshirues i saj dhe t’i japësh përparësi asaj mbi çdo gjë tjetër.

Kapitulli i gjashtë: Nuk ka lumturi për zemrën dhe as kënaqësi e rregullim vetëm duke qenë se Zoti i saj dhe Krijuesi i saj, vetëm Ai të jetë i Adhuruari i saj, pikësynimi i asaj që ajo kërkon dhe më i dashur për të se çdo gjë tjetër.

Kapitulli i shtatë: Kurani Fisnik përmban ilaçet e zemrës dhe kurat për të gjitha sëmundjet e saj.

Kapitulli i tetë: Kultivimi i zemrës.

Kapitulli i nëntë: Pastrimi i zemrës nga nyjëzat dhe papastërtitë e saj

Kapitulli i dhjetë: Shenjat e sëmundjes së zemrës dhe shëndetit të saj.

Kapitulli i njëmbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga pushtimi i vetvetes mbi të.

Kapitulli i dymbëdhjetë: Kurimi i zemrës së sëmurë nga djalli.

Kapitulli i trembëdhjetë: Intrigat e djallit kundër njeriut

  • 1
    E ka nxjerë Taberani në “El Muxhem el Kebir” (8564).