ZOTIMET

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Kuptimi i Zotimit

Zotimi nënkupton shprehjen në mënyrë të qartë të angazhimit për kryerjen e një vepre të mirë e cila nuk është obligim fetar, p.sh. kur dikush thotë “Do ta jap këtë shumë të hollash lëmoshë për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.)” ose “Në qoftë se Allahu (xh.sh.) e shëron të afërmin tim të sëmurë do të agjëroj tri ditë”, etj.

Zotimi është i vlefshëm vetëm atëherë kur bëhet nga një person në moshë madhore, i shëndoshë nga ana mendore dhe i lirë për të zgjedhur, pa marrë parasysh nëse është musliman apo jo.

 

Zotimi është ritual i vjetër adhurimi

 

Allahu i Madhëruar përmend në Kuran zotimin e nënës së Merjemes për t’ia kushtuar Allahut (xh.sh.) foshnjën në barkun e saj:

إِذْ قَالَتْ امْرَأَةُ عِمْرَانَ رَبِّ إِنِّي نَذَرْتُ لَكَ مَا فِي بَطْنِي مُحَرَّرًا فَتَقَبَّلْ مِنِّي إِنَّكَ أَنْتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

“(Përkujto) Kur gruaja e Imranit ka thënë: “Zoti im, unë vendosa ta kushtoj vetëm për shërbimin Tënd këtë (foshnjë) që është në barkun tim. Pranoje këtë prej meje, vërtetë Ti je Ai që dëgjon dhe di çdo gjë.”[1]

 

Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar Merjemen për t’u zotuar duke i thënë:

فَإِمَّا تَرَيْنَ مِنْ الْبَشَرِ أَحَدًا فَقُولِي إِنِّي نَذَرْتُ لِلرَّحْمَنِ صَوْمًا فَلَنْ أُكَلِّمَ الْيَوْمَ إِنسِيًّا

“Dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur që të hesht për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj sot nuk i flas asnjë njeriu !”[2]

 

 

Zotimi në periudhën e injorancës paraislame

 

Allahu i Lartësuar tregon në Kuran se si idhujtarët kryenin zotime për t’u afruar tek zotërat e tyre në mënyrë që ata t’i ndërmjetësonin tek Allahu (xh.sh) dhe t’i afronin pranë tij. Allahu (xh.sh.) thotë:

وَجَعَلُوا لِلَّهِ مِمَّا ذَرَأَ مِنْ الْحَرْثِ وَالأَنْعَامِ نَصِيبًا فَقَالُوا هَذَا لِلَّهِ بِزَعْمِهِمْ وَهَذَا لِشُرَكَائِنَا فَمَا كَانَ لِشُرَكَائِهِمْ فَلا يَصِلُ إِلَى اللَّهِ وَمَا كَانَ لِلَّهِ فَهُوَ يَصِلُ إِلَى شُرَكَائِهِمْ سَاءَ مَا يَحْكُمُونَ

“Ata (idhujtarët) ia kushtuan Allahut një pjesë të asaj që Ai krijoi prej të mbjellave dhe prej kafshëve shtëpiake duke thënë: Kjo është për Allahun, siç pretendonin ata, dhe kjo është për idhujt tanë. Ajo që ishte për idhujt nuk shkon te Allahu, dhe ajo që ishte për Allahun shkon tek idhujt e tyre. Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre.”[3]

 

Baza ligjore e zotimit në Islam

 

Zotimi: është një veprim i ligjshëm duke u bazuar në Kuran dhe në Traditën Profetike. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

وَمَا أَنفَقْتُمْ مِنْ نَفَقَةٍ أَوْ نَذَرْتُمْ مِنْ نَذْرٍ فَإِنَّ اللَّهَ يَعْلَمُهُ

“Allahu e di çfarë keni dhënë nga pasuria ose çfarë keni zbatuar nga zotimet tuaja.”[4]

 

ثُمَّ لِيَقْضُوا تَفَثَهُمْ وَلْيُوفُوا نُذُورَهُمْ وَلْيَطَّوَّفُوا بِالْبَيْتِ الْعَتِيقِ

“Pastaj le ta heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë zotimet dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë.”[5]

 

يُوفُونَ بِالنَّذْرِ وَيَخَافُونَ يَوْمًا كَانَ شَرُّهُ مُسْتَطِيرًا

“Ata i zbatojnë zotimet e tyre dhe i frikësohen një dite, dëmi i së cilës ka përmasa të mëdha.”[6]

Katadeh ka thënë rreth këtij ajeti: “Ata ishin zotuar për t’ju bindur Allahut dhe falnin namazin, agjëronin, jepnin zekat, kryenin Haxhin dhe Umren dhe zbatonin të gjitha obligimet fetare. Për këtë Allahu i ka quajtur të mirë.” Transmetuar nga Taberaniu sipas një vargu të saktë transmetimi.

Ndërsa në Traditën Profetike, Profeti (s.a.u.s.) thotë: “Kush zotohet për t’ju bindur Allahut, le t’i bindet Atij. Kush zotohet për t’i thyer urdhërat e Allahut të mos i thyejë ato.”[7]

Megjithëse zotimi është i lejuar në Islam, ai nuk është i pëlqyer. Ibn Omeri tregon se Profeti (s.a.u.s.) e ka ndaluar zotimin duke thënë: “Zotimi nuk sjell diçka të mirë por me anë të tij nxirret (pasuria) prej kopracit.”[8]

 

 

Kur është zotimi i vlefshëm dhe jo i vlefshëm

 

Zotimi është i vlefshëm kur bëhet për një vepër të mirë me qëllim për t’u afruar tek Allahu (xh.sh.). Në këtë rast obligohet realizimi i tij.

Zotimi është i pavlefshëm kur bëhet për të thyer urdhërat e Allahut (xh.sh.) ,siç është zotimi për të ofruar diçka tek varret apo zotimi për të ndihmuar gjynahqarët në gjynahet e tyre , si p.sh. kur dikush zotohet për të pirë alkool, për të vrarë, për të lënë namazin, për t’u sjellur keq me prindërit etj. Në këtë rast nuk obligohet zbatimi i zotimit, përkundrazi zbatimi i diçkaje të tillë është i ndaluar. Sipas Hanefijve dhe Ahmedit, nuk obligohet shlyerja e thyerjes së këtij zotimi, pasi ai nuk është i vlefshëm.

Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Nuk lejohet zotimi për të thyer urdhërat e Allahut.”[9]

Shumica e juristëve, prej tyre edhe Malikijtë dhe Shafijtë, mendojnë se obligohet shlyerja e thyerjes së këtij zotimi si shenjë ndalimi dhe ashpërsie ndaj tij.

 

Zotimi i lejuar

 

Sqaruam më sipër se zotimi është i vlefshëm kur bëhet për ndonjë vepër të mirë dhe i pavlefshëm kur bëhet për të thyer urdhërat e Allahut (xh.sh.).

Përsa i përket zotimeve të lejuara, si p.sh. kur dikush thotë: “Zotohem se do të udhëtoj me këtë tren”, ose “ Zotohem se do të vesh këtë rrobë”, shumica e dijetarëve mendojnë se ky nuk konsiderohet zotim dhe për pasojë, nuk obligohet realizimi i tij.

Ahmedi transmeton se Profeti (s.a.u.s.) ishte duke predikuar kur pa një beduin që qëndronte në këmbë në diell. Atëherë ai e pyeti: “Përse qëndron në diell?” Beduini iu përgjigj: “Jam zotuar se do të qëndroj në diell derisa i Dërguari i Allahut ta përfundojë predikimin e tij.” Profeti (s.a.u.s.) tha “Ky nuk konsiderohet zotim sepse zotimi bëhet vetëm për gjëra me të cilat fitohet kënaqësia e Allahut.”[10]

Ahmedi mendon se ky lloj zotimi(zotimi i lejuar) është i vlefshëm dhe se personi që është zotuar është i lirë të zgjedhë realizimin e zotimit ose lënien e tij. Në rast se ai vendos mosrealizimin e zotimit, atëherë obligohet shlyerja e tij.

Autori i “Err-rreudah En-nedijjeh” e ka parë si më të saktë  këtë mendim duke thënë: “Zotimet e lejuara futen në kategorinë e zotimeve të përgjithshme të cilat duhet të realizohen.” Këtë mendim e mbështet edhe hadithi i transmetuar nga Ebu Daudi, i cili tregon se një grua i ka thënë Profetit (s.a.u.s.) : “O i Dërguari i Allahut, unë jam zotuar se në qoftë se kthehesh nga lufta shëndoshë e mirë, do i bie dajres në prezencën tënde.” Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Realizoje zotimin tënd.”[11]

Rënia e dajres, në qoftë se nuk është e lejuar, është e papëlqyer ose diçka më shumë dhe nuk futet kurrësesi tek veprat e mira. Në qoftë se rënia e dajrës është e lejuar, atëherë kjo argumenton domosdoshmërinë e realizimit të zotimeve të lejuara. Në qoftë se ajo është e papëlqyer, atëherë lejimi i realizimit të këtij zotimi argumenton se realizimi i zotimit të lejuar ka më shumë prioritet.

Zotimi i kushtëzuar dhe i pakushtëzuar

Zotimi mund të jetë i kushtëzuar ose i pakushtëzuar.

1-      Zotimi i kushtëzuar është atëherë kur dikush angazhohet për të kryer një vepër të mirë në qoftë se i ndodh ndonjë mirësi ose shpëton nga një fatkeqësi , si p.sh. kur dikush thotë: “Në qoftë se Allahu (xh.sh.) e shëron të afërmin tim të sëmurë do të ushqej tre të varfër.”, ose “Në qoftë se Allahu (xh.sh.) e realizon dëshirën time do të bëj këtë gjë”. Në këtë rast obligohet realizimi i zotimit kur plotësohet kushti i përmendur në zotim.

2-      Zotimi i pakushtëzuar është kur dikush angazhohet për të bërë diçka pa e kushtëzuar me diçka tjetër si p.sh.kur dikush thotë: “Zotohem se do të falem dy rekatë”. Në këtë rast obligohet realizimi i zotimit sepse ai hyn tek fjala e Profetit (s.a.u.s.): “Kush zotohet se do t’i bindet Allahut, le t’i bindet Atij.”[12]

 

 

Zotimi për të vdekurit

 

Sipas librave të Hanefijve në këtë kategori përfshihen zotimet që shumë njerëz i praktikojnë për të vdekurit duke lënë një sasi të hollash, qirinj, vaj, etj. tek varret e dijetarëve të nderuar me qëllim që të afrohen pranë tyre, si p.sh.m të thotë: “O zotëria im,filan  në qoftë se kthehet i afërmi im i larguar ose shërohet i afërmi im i sëmurë, ose realizohet ajo për të cilën kam nevojë, t’i dhuroj ty këto të holla, këtë ushqim, këta qirinj ose këtë vaj.”

Sipas mendimit unanim të juristëve, ky veprim është i pavlefshëm dhe i ndaluar për disa arsye, ndër të cilat mund të përmendim:

Ky zotim bëhet për një krijesë dhe si i tillë është i ndaluar pasi ai nënkupton adhurimin e kësaj krijese, por adhurimi i takon vetëm Allahut (xh.sh.).

Ky zotim bëhet për të vdekurit dhe dihet se i vdekuri nuk posedon asgjë.

Në qoftë se zotuesi mendon se i vdekuri ka në dorë të bëjë diçka jashtë dëshirës së Allahut, atëherë ky besim i tij konsiderohet dalje nga feja , Allahu na ruajtë.

Në qoftë se personi thotë: “O Allah, të zotohem se nëse shërohet i afërmi im i sëmurë, ose kthehet i afërmi im i humbur ose realizohet ajo për të cilën unë kam nevojë, do të ushqej të varfërit që rrinë tek dera e varrit të këtij dijetari, ose do të blej rrogoze për xhaminë ose vaj për llampat e saj, ose do t’u jap të holla atyre që shërbejnë në xhami, ose diçka tjetër të ngjashme që u sjell dobi të varfërve”, atëherë në këtë rast zotimi bëhet për Allahun dhe përmendja e të vdekurve bëhet thjesht për të treguar vendin e realizimit të këtij zotimi për të ndihmuar të varfërit që rrinë tek varri ose xhamia e këtij dijetari të vdekur. Nga kjo pikëpamje, zotimi është i lejuar.

Nuk lejohet dhënia e këtyre gjërave një të pasuri, një të ngrituri, një personi në pozitë, një pasardhësi të një fisi të ngritur apo një dijetari në qoftë se ata nuk janë të varfër. Nuk ka argumente në legjislacionin islam që e lejojnë dhënien e diçkaj të tillë për të pasurit.

Zotimi për të kryer një adhurim në një vend të caktuar

 

Në qoftë se dikush zotohet për t’u falur, për të agjëruar, për të lexuar Kuran ose për të bërë Itikaf në një vend të caktuar i cili ka një pozitë të veçantë në islam si p.sh. të falurit në tre xhamitë e shenjta, atëherë obligohet realizimi i këtij zotimi sepse në të kundërt nuk do të futej në kategorinë e zotimeve që Allahu (xh.sh.) na e ka obliguar t’i plotësojmë.

Shafijtë kanë thënë: “Nëse dikush zotohet për t’u dhënë lëmoshë banorëve të një vendi të caktuar, atëherë ai është i obliguar ta realizojë angazhimin e tij. Në qoftë se dikush zotohet për të agjëruar në një vend të caktuar atëherë ai duhet ta plotësojë agjërimin sepse ai është një punë e mirë por nuk është e detyrueshme të agjërohet në atë vend por mund të agjërohet edhe në ndonjë  vend tjetër, sepse agjërimi është vepër e mirë.

Nëse dikush zotohet për t’u falur në një vend të caktuar, atëherë ai mund të falet edhe në vende të tjera sepse vlera e namazit nuk ndryshon me ndryshimin e vendeve përveç rastit të tre xhamive të shenjta (Qabes, xhamisë se Profetit (s.a.u.s.) dhe xhamisë Al Aksa).

Nëse dikush zotohet për t’u falur në njërën nga këto tre xhami, atëherë ai duhet të realizojë faljen në to për shkak të tëndësisë dhe vlerës së madhe të të falurit në këto tre xhami.

Në lidhje me këtë Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Mos ndërmerrni udhëtime (me qëllim adhurimi në një vend tjetër) përveç për të shkuar tek tre xhamitë: në xhaminë e shenjtë në Mekë, në xhaminë time dhe në xhaminë Al Aksa.”[13]

Shafijtë kanë lejuar gjithashtu lejimin e zotimit për të dhënë lëmoshë në një vend të caktuar duke e argumentuar këtë me hadithin e mëposhtëm:

Amer Bin Shauajbi tregon nga babai nga gjyshi i tij se një grua erdhi tek Profeti (s.a.u.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, jam zotuar se do të ther ashtu dhe kështu në vendin ku kanë therur më përpara idhujtarët”. Profeti (s.a.u.s.) e pyeti: “A do të therësh për ndonjë statujë?” Ajo iu përgjigj: “Jo”. Atëherë Profeti (s.a.u.s.) i tha: “Realizoje zotimin tënd”.[14]

Hanefijtë kanë thënë: “Kush zotohet se do të falë dy rekatë në një vend të caktuar ose do të japë lëmoshë për të varfërit e një vendi të caktuar për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.)”, sipas Ebu Hanifes dhe dy shokëve të tij i lejohet që ta realizojë këtë zotim edhe në ndonjë vend tjetër sepse qëllimi i zotimit është afrimi tek Allahu (xh.sh.) dhe përcaktimi i vendit nuk ndikon në kryerjen e kësaj vepre të mirë. Në qoftë se dikush zotohet për të falur dy rekatë në xhaminë e shenjtë në Mekë dhe i fal ato në një vend tjetër ku falja ka më pak vlerë, ai konsiderohet se e ka plotësuar zotimin sepse qëllimi i tij është afrimi tek Allahu (xh.sh.) dhe kjo realizohet në çdo vend.”

Zotimi për një dijetar të caktuar

Kush zotohet për një dijetar të caktuar që është gjallë dhe ka për qëllim që t’i japë lëmoshë për shkak të varfërisë së tij ose për të plotësuar nevojat e tij jetike, atëherë ky zotim është i lejuar dhe hyn në kategorinë e mirësisë e cila pëlqehet në Islam.

Në qoftë se dijetari është i vdekur dhe zotuesi ka për qëllim të kërkojë prej tij ndihmë ose t’i plotësojë nevojat e tij, atëherë ky zotim konsiderohet thyerje e urdhërave të Allahut (xh.sh.) dhe nuk lejohet realizimi i tij.

Kush zotohet për të agjëruar dhe nuk mund ta realizojë atë

 

Kush zotohet për jë agjërim të ligjshëm dhe nuk arrin ta realizojë atë për shkak të moshës së thyer apo të një sëmundjeje nga e cila nuk ka shpresë të shërohet, atëherë ai nuk është i obliguar ta realizojë atë. Në këtë rast ai nuk agjëron por duhet ta shlyejë këtë sikurse thyerjen e betimit ose duke ushqyer një të varfër për çdo ditë agjërimi.

Betimi për të dhënë sadaka pasurinë

 

Kush betohet  për të dhënë lëmoshë gjithë pasurinë e tij ose thotë: “Do ta jap pasurinë time në rrugë të Allahut”, konsiderohet se ai këmbëngul në zotimin e tij dhe nëse nuk e realizon atë, sipas mendimit të Shafiut, duhet ta shlyejë thyerjen e betimit. Maliku mendon se ai duhet të japë një të tretën e pasurisë së tij.

Kurse Ebu Hanifja thotë: “Kjo paguhet vetëm për pasurinë prej të cilës duhet të jepet zekat duke përjashtuar pasurinë për të cilën nuk jepet zekat siç janë pronat e patundshme, kafshët e punës, etj.”

Shlyerja e zotimit

 

Në rast se zotimi thyhet dhe nuk realizohet, atëherë obligohet shlyerja e zotimit si në rastin e thyerjes së betimit.

Ukbeh Bin Amiri tregon se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Shlyerja e zotimit të thyer, nëse nuk është përcaktuar, është njëlloj sikurse shlyerja e betimit”.[15]

Transmetuar nga Ibn Maxheh dhe Tirmidhiu i cili thotë se hadithi është “hasen sahih garib”.

Kush vdes pa e plotësuar zotimin për të agjëruar

Ibn Maxhe transmeton se një grua e ka pyetur Profetin (s.a.u.s.) duke i thënë: “ Nëna ime ishte zotuar se do të agjërojë por ka vdekur pa e plotësuar atë”. Profeti (s.a.u.s.) i ka thënë: “Le të agjërojë për të kujdestari i saj”.[16]

 


[1] Kuran: Ali Imran 35

[2] Kuran: Merjem 26

[3] Kuran: El Ena’m 136

[4] Kuran: El Bekare 270

[5] Kuran: El Haxhxh 29

[6] Kuran: El Insan 7

[7] Buhariu “Kapitulli i betimeve dhe zotimeve”, tema “Zotimi në bindje ndaj Allahut”, Ebu Daudi 3289, Tirmidhiu 1526, Nesai 3806, Ibën Maxheh 2126; nga Aisha. Ndërsa në Sahihun e Muslimit ky hadith nuk gjendet.

[8] Buhariu “Kapitulli i betimeve dhe zotimeve”, tema “Përmbushja e zotimit”, Muslimi: 4215, “Kapitulli i zotimeve”. Teksti i përmendur është i Muslimit.

[9] Pjesë nga hadithi i Imran ibën Husajn, të cilin e transmeton Muslimi 4221, “Kapitulli i Zotimeve”, dhe Nesai 3812. Ndërsa Ibën Maxheh 2125, Tirmidhiu 1524 dhe Ebu Daudi 3290 e transmetojnë nga Aisha (radiallahu anha).

[10] Hadith Sahih. “Es Silsiletu es Sahiha” 2859

[11] Hadith Hasen Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3312

[12] Nxjerrja e tij është përmendur pak më parë

[13] Hadith Mutevatir, i përcjellë nga një grup sahabesh. E transmeton Buhariu: “Kapitulli i të Xhumasë”, tema “Vlera e namazit në Mekë dhe në Medine”, Muslimi: 3370, “Kapitulli i Haxhit”, tema “Nuk ndërmerret udhëtim adhurimi veçse në tre xhami”.

[14] Pjesë nga hadithi i përmendur më sipër për atë gruan e cila pyeti Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem). Hadithi është Hasen Sahih. “Sunenu Ebi Daud” 3312

[15] Muslimi: 4229, por pa shprehjen “nëse nuk është përcaktuar”, Tirmidhiu 1528 dhe Sujuti në “Xhami es Sagir”. Shejh Albani e ka konsideruar të dobët shprehjen “nëse nuk është përcaktuar”, në “Sahih el Xhami” 4488.

[16] Hadith Sahih. “Sunenu Ibën Maxheh” 2133.