Zemra, fjala dhe puna e saj

 


Shkëputur nga parathënia e librit “Et Tuhfetu el Irakije”, e Ibën Tejmijes, ndërsa parathënia është e Jahja ibën Muhamed el Hunejdi, profesor në degën e Akides, në Ebha (Arabi Saudite)
Përktheu: Bledar Albani


 

Zemra, në kuptimin gjuhësor është “Organi qendror i sistemit të qarkullimit të gjakut te njeriu dhe te kafshët, në trajtën e një koni muskulor me majë poshtë, që gjendet në anën e majtë të zgavrës së kraharorit në mes të mushkërive.”[1]

Zemër mund t’i thuhet edhe mendjes, siç ka thënë El Ferra, në komentimin e Fjalës së Allahut: “… për atë që ka zemër.” [Kaf, 37], d.m.th. që ka mendje.

Ndërsa Gazali e ka përkufizuar kështu: “Fjala ‘zemër’ përdoret në dy kuptime: i pari: një copë mishi në trajtë koni, që gjendet në anën e majtë të kraharorit; një copë mishi e veçantë me zgavër nga brenda, në të cilën ka gjak të zi, i cili është burimi i shpirtit …

Ndërsa kuptimi i dytë: është dhurim hyjnor i cili ka lidhje me këtë zemër materiale dhe që është esenca natyrore njerëzore; është perceptuesi dhe njohësi tek njeriu; i adresuari (që i adresohet urdhërimi dhe ndalimi), i kritikuari dhe nga i cili kërkohet; që ka lidhje me zemrën materiale.”[2]

Gjykatësi Ebu Bekër ibën el Arabi thotë: “Zemra është një pjesë e trupit, të cilën Allahu e ka krijuar dhe e ka bërë për njeriun vend të dijes, të fjalës dhe të atributeve të tjera të padukshme, ndërsa pjesën e jashtme të trupit e ka bërë vend të sjelljeve veprore dhe të shprehura. Allahu ka ngarkuar për zemrën një melek i cili e urdhëron atë për mirë dhe një shejtan i cili e urdhëron për keq. Mendja (arsyeja, logjika) me dritën e saj e udhëzon atë, ndërsa epshi me errësirën e tij e humb atë, ndërsa paracaktimi dhe përmbushja e tij (elkadau uel kader) sundon mbi të gjitha. Zemra sillet mes ideve të mira dhe të këqia dhe herë anon nga meleku e herë nga shejtani, ndërsa i ruajturi është ai të cilin e ka ruajtur Allahu i Madhëruar.”[3]

Zemra është quajtur me këtë emër (Kalb, në arabisht) për shkak të ndryshimit dhe përmbysjes së saj nga një gjendje në një tjetër, dhe jo se vetë ajo përmbyset e rrotullohet në trup.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ata e kanë frikë një Ditë kur zemrat dhe sytë do të rrotullohen e do të përmbysen (nga tmerri i ndëshkimit të Ditës së Llogarisë).”  [En Nur, 37]

Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën el Asi س, të thotë se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ح të thotë: “Zemrat e bijëve të Ademit janë të gjitha në mes dy gishtave nga Gishtat e Mëshiruesit sikur të ishin një zemër e vetme, të cilën Ai e e rrotullon nga të dojë!” Pastaj i Dërguari i Allahut ح tha: “O Zot, Ndryshues i Zemrave! Ktheji zemrat tona nga bindja ndaj Teje!”[4]

Transmetohet nga ibën Umeri س se ka thënë: “Betimi it ë Dërguarit të Allahut ح ishte kështu: “Jo”, për Ndryshuesin e zemrave!”[5]

Thuhet gjithashtu se zemra është quajtur zemër për shkak se ajo është më e pastërta në trup dhe esenca e tij, dhe esenca e çdo gjëje është zemra e saj.

Ose, është quajtur zemër sepse është vendosur e përmbysur në trup.[6]

Përmendja e zemrës në Kuran dhe në Sunet

Zemra është përmendur në shumë ajete, në Librin e Allahut të Madhëruar, nga të cilat është Fjala e Allahut: “Të cilët e patën frikë të Gjithëmëshirshmin (Allah) në Gajb (pa e parë Atë) dhe erdhën me zemër të përkushtuar ndaj Tij dhe që i drejtoheshin Atij me pendim.” [Kaf, 33].

Dhe Fjala e Allahut: “Vërtet që në të ka padyshim kujtim për atë që ka zemër, ose që vë veshin e dëgjon duke qenë i vëmendshëm e dëshmues.” [Kaf, 37].

Dhe Fjala e Allahut: “Allahu nuk ka sjellë për ndonjë njeri dy zemra në trupin e tij…” [El Ahzab, 4].

Në disa libra të Tefsirit është përmendur se ky ajet ka zbritur për shkak të një burri nga Kurejshët të cilit i thonin: “Poseduesi i dy zemrave”, dhe ai pretendonte se kishte dy zemra, që të dyja me mendje të shëndoshë; atëherë Allahu zbriti këtë ajet si kundërpërgjigje për të.[7]

Zemrës mund t’i thuhet gjithashtu kraharor dhe gjoks. Allahu i Madhëruar thotë: “Kështu (e zbresim Ne në pjesë) që Ne të mund të forcojmë me anë të tij zemrën tënde…” [El Furkan, 32].

Dhe thotë: “A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd (O Muhammed)?” [El Inshirah, 1].

Në të dyja ajetet kuptimi është “zemrën tënde.”[8]

Fjala “zemër” është përmendur gjithashtu në Sunetin Pejgamberik, në shumë hadithe, prej të cilave është edhe fjala e Pejgamberit ح, në hadithin e saktë: “A nuk gjendet në trup një copë mishi, e cila nëse është e shëndetshme, i gjithë trupi është i shëndetshëm e nëse është e prishur, i gjithë trupi është i prishur. Ajo është zemra.”[9]

Po kështu edhe fjala e tij ح: “Tre gjëra nuk i imponohen zemrës së muslimanit…”[10]

Zemra është vendi i mendjes dhe arsyes

Ndaj arsyeja mund të shprehet me fjalën “zemër”, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: ““Vërtet që në të ka padyshim kujtim për atë që ka zemër…” [Kaf, 37].

Muxhahidi thotë: “D.m.th. që ka mendje, arsye.”[11]

Dhe sipas fjalës së shumicës së dijetarëve, zemra është vendi i arsyes dhe mendjes, dhe për këtë argumenton Fjala e Allahut të Madhëruar: “A nuk kanë udhëtuar ata në tokë dhe a nuk kanë zemra që të kuptojnë e veshë që të dëgjojnë?” [El Haxh, 46].

Kjo është edhe fjala e dijetarit të Islamit, Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “Me “arsyen” mund të jetë për qëllim forca inspiruese tek njeriu, me të cilën ai arsyeton, dhe mund të jetë për qëllim një shpirt që arsyeton dhe di.

E para është fjala e imam Ahmedit e të tjerë prej selefëve, se arsyeja është inspirim dhe urtësia është zgjuarsi.

Ndërsa e dyta është fjala e disa shokëve tanë e të tjerë, se arsyeja është një nga llojet e shkencave të domosdoshme.

Dhe që të dyja këto fjalë janë të sakta, sepse arsyeja është në zemër ashtu siç është shikimi në sy.”[12]

Fjala e zemrës dhe puna e saj

Ibën Tejmije dhe nxënësi i tij, Ibën el Kajim (Allahu i msëhiroftë!), mendojnë se zemra ka fjalë dhe punë të kryera nga ajo, përveç fjalës me gjuhë. Por ata të dy nuk kanë dhënë një përkufizim të prerë për fjalën e zemrës dhe punën e saj, por Ibën Tejmije vetëm sa ka sjellë shembull besimin dhe përgënjeshtrimin si fjalë të zemrës dhe dashurinë e urrejtjen si punë të saj.

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), duke sqaruar fjalën dhe punën e zemrës, thotë: “Madje fjala e zemrës dhe puna e saj është esenca (baza), si p.sh. besimi dhe përgënjeshtrimi i zemrës dhe dashuria e urrejtja e saj. Prej këtyre gjërave mund të arrish të lavdërohesh ose të fajësohesh e të dënohesh, edhe pa aktivizimin e gjymtyrëve të jashtme. Ndërsa disa të tjera prej këtyre (fjalëve dhe punëve të zemrës) nuk mund të realizohen veçse të shoqëruara me aktivizimin e gjymtyrëve të jashtme, nëse është e mundur. Por nëse lihet diçka prej punëve të gjymtyrëve të jashtme për shkak të pamundësisë, atëherë gjykimi për autorin e kësaj është njësoj sikur ta vepronte atë.”[13]

Ibën Tejmije beson se fjalët e zemrës dhe punët e saj ndahen në tre lloje. Ai thotë: “Fjalët e zemrës dhe punët e saj janë tre llojesh:

  1. Diçka që është e mirë apo e keqe në vetvete.
  1. Diçka që nuk është e keqe në vetvete deri sa të veprohet, dhe kjo është e keqja të cilën ke mundësi ta bësh.
  2. Diçka që me pamundësinë (e kryerjes së saj) është njësoj si e kryera, dhe nuk është njësoj si e mira apo e keqja e kryer në rastin e mundësisë së kryerjes.

Lloji i parë: lidhet me bazat e besimit, prej besimit, përgënjeshtrimit, dashurisë, urrejtjes, dhe rezultatet e këtyre. Me këto gjëra vjen shpërblimi ose dënimi, ngritja e gradave (në xhenet) ose funosja në humnerë (të xhehenemit) , në varësi të asaj që gjendet në zemër prej këtyre gjërave, edhe pse ato nuk shfaqen në gjymtyrët e njeriut, madje hipokritët me gjymtyrët e tyre të jashtme shfaqin fjalët dhe punët e mira, por fakti se ata do të dënohen në fundin më të thellë të zjarrit, është për shkak të sëmundjeve që kanë në zemrat e tyre, edhe pse me këtë mund të shoqërohet ndonjë herë urrejtja e fjalës apo veprës, por dënimi nuk është i kufizuar vetëm për këtë urrejtje të pakët, por ajo urrejtje është argument, sipor dënimi nuk është i kufizuar vetëm për këtë urrejtje të pakët, por ajo urrejtje është argument, siç thotë Allahu i Madhëruar: ” E sikur të donim Ne, do t’ju tregonim juve se cilët janë ata, e do t’i njihshit nga shenjat e tyre, por ju me siguri që do t’i njihni ata nga toni i të folurit! Dhe Allahu i di mirë të gjitha veprat tuaja.” [Muhamed, 30]

Pra, ka njoftuar se ata patjetër që do të njihen nga toni i të folurit.

Lloji i dytë dhe i tretë: janë gjëra të cilat nuk i prishin bazat e imanit, siç janë gjynahet e zakonshme, si p.sh. prostitucioni, vjedhja, pirja e alkoolit. Është transmetuar në hadith të saktë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që vdes duke dëshmuar se nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ai do të hyjë në xhenet, edhe nëse ka bërë zina (prostitucion), edhe nëse ka vjedhur, edhe nëse ka pirë alkool.”[14]

Po kështu edhe dëshmia e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem) në hadithin e saktë[15], për atë burrin i cili pinte alkool.”[16]

Ndërsa Ibën el Kajim, duke sqaruar se zemra ka fjalë dhe punë që i kryen, thotë: “Fjalët e zemrës janë bindjet që ajo ka, fjalët e gjuhës njoftojnë për atë që gjendet në zemër dhe punët e zemrës janë vullneti, dashuria, urrejtja dhe rezultatet e këtyre.”[17]

Ndërsa Shejh Hafidh el Hakemi thotë: “Fjala e zemrës është besimi dhe bindja e saj.”[18]

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ai (Muhammedi a.s.) i cili erdhi dhe solli të vërtetën dhe e vërteton atë (ai dhe ata që besuan në të, në këtë Besim të Pastër Islam), mu këta janë vërtet ata El-Muttekunë (të përkushtuarit në Besimin e Pastër Islam).” [Ez Zumer, 33]

“Kështu Ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, që ai të ishte prej atyre që kanë Besim të vendosur.” [El Enam, 75].

Ndërsa për përgënjeshtruesit, Allahu i Madhëruar ka thënë: “… duke thënë me gojën e tyre çfarë nuk ishte në të vërtetë në zemrat e tyre.” [Al Imran, 167].

Allahu i Madhëruar thotë: ” O i Dërguar! Mos u shqetëso për ata të cilët me të shpejt bien në mosbesim, të atillë që thonë: “Ne besojmë” me gojë, por në zemrat e tyre nuk ka aspak besim.” [El Maide, 41].

“Kur vijnë Munafikët (njerëzit me dy fytyra, hipokritët) tek ti, thonë: “Ne dëshmojmë se ti vërtet je i Dërguar i Allahut.” Allahu e di se ti je vërtet i Dërguari i Tij dhe Allahu dëshmon se hipokritët janë me të vërtetë gënjeshtarë.” [El Munafikun, 1]. D.m.th. janë gënjeshtarë në fjalën e tyre “dëshmojmë”, pra ata gënjejnë dhe nuk dëshmojnë me zemrat e tyre, por vetëm me gojët e tyre për t’u ruajtur, për të qenë hipokritë dhe për të mashtruar.”[19]

Puna e zemrës është nijeti, sinqeriteti (në adhurimin vetëm të Allahut), dashuria, përulja dhe drejtimi për tek Allahu i Madhëruar dhe mbështetja tek Ai, si dhe rezultatet dhe rrjedhojat e këtyre.

Për nijetin, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe mos i kthe prapa ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje duke kërkuar Fytyrën e Tij (të Allahut).” [El Enam, 52].

” Dhe i cili nuk ka në mendjen e tij për të përfituar ndonjë mirësi nga kushdo qoftë prej të cilit pritet ndonjë shpërblim në kthim, por vetëm për të kërkuar Fytyrën e Allahut, më të Lartit.” {El Lejl, 19-20].

Ndërsa për sinqeritetin në adhurimin vetëm Allahun, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, pos asaj që duheshin të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë…” [El Bejine, 5].

Ndërsa për dashurinë, Allahu i Madhëruar thotë: “… por ata që besojnë, e duan Allahun më shumë (se gjithçka tjetër).” [El Bekare, 165].

“… por Allahu e ka futur thellë Besimin te ju dhe e ka zbukuruar atë në zemrat tuaja…” [El Huxhurat, 7].

Ndërsa për përuljen dhe nënshtrimin, Allahu i Madhëruar thotë: ” Dhe kush mund të jetë më i mirë në fe se sa ai që ia nënshtron fytyrën (vetveten) e tij Allahut (duke ndjekur fenë e Allahut, Islamin). Ky është Muhsin (që bën punë të mira)…” [En Nisa, 125].

Dhe për mbështetjen, Allahu i Madhëruar thotë: “dhe vetëm tek Allahu mbështetuni, nëse me të vërtetë jeni besimtarë.” [El Maide, 23].[20]

Dhe kështu për të gjitha punët e zemrës për të cilat Allahu i ka urdhëruar robët e Tij, sqarimi dhe fjala rreth të cilave do të vijë më pas, me Lejen e Allahut të Madhëruar.

 


[1] “Fjalor i Shqipes së sotme” (botim i 1984).

[2] “Ihjau Ulumid Din”, (3/4).

[3] “Fet’hul Bari”, i Ibën Haxherit, (11/257).

[4] “Sahihu Muslim”, Kap. El Kader, nr. 46.

[5] “Sahihu el Buhari”, me sherhun e Ibën Haxherit, Kap. El Ejman uen Nudhur, nr. 83.

[6] “Fet’hul Bari”, (1/128).

[7] “Tefsir Ibën Kethir”, (3/466).

[8] “El Xhamiu Liahkamil Kuran”, i Kurtubiut, (1/189).

[9] “Sahihu el Buhari”, Kap. El Iman, nr. 2.

[10] E ka nxjerrë El Hakim, në “El Mustedrak”, (1/86-87) dhe e ka kosideruar të saktë. Këtë e ka aprovuar edhe Dhehebiu.

[11] “El Xhamiu Liahkamil Kuran”, i Kurtubiut, (1/189).

[12] “El Istikame”, i Ibën Tejmijes, 2/161-162.

[13] “Es Suluk”, i Ibën Tejmijes, 10/758.

[14] “Sahihu Muslim”, Kap. El Iman, tema nr. 40.

[15] Është fjala për hadithin e atij burrit i cili pinte alkool shpesh. Hadithi gjendet në Sahihun e Buhariut, në Kap. El Hudud, tema nr. 5.

[16] “Es Suluk”, i Ibën Tejmijes, 10/759-760.

[17] “Igathetu el lehefan min mesaidi esh shejtan”, i Ibën Kajimit, 1/8.

[18] “Mearixhul kabul”, i El Hakemi, 2/15.

[19] “Mearixhul kabul”, i El Hakemi, 2/16.

[20] “Igathetu elehefan”, 1/12.