ZEKATI

Nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


 

Ligjshmëria e zekatit

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا هَلْ أَدُلُّكُمْ عَلَى تِجَارَةٍ تُنجِيكُمْ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ)تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتُجَاهِدُونَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ بِأَمْوَالِكُمْ وَأَنفُسِكُمْ ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ إِنْ كُنتُمْ تَعْلَمُونَ

(O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm: T’i besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë tuaj dhe me veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini). (Es-Saf, 10-11)

وَاذْكُرْ فِي الْكِتَابِ إِسْمَاعِيلَ إِنَّهُ كَانَ صَادِقَ الْوَعْدِ وَكَانَ رَسُولاً نَبِيًّا(وَكَانَ يَأْمُرُ أَهْلَهُ بِالصَّلاَةِ وَالزَّكَاةِ وَكَانَ عِنْدَ رَبِّهِ مَرْضِيًّا

(Përkujtoju në këtë libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtimin (premtoi të bëhej kurban) dhe i dërguar, pejgamber. Ai urdhëronte familjen e vet në faljen e namazit e në dhënien e zekatit dhe ishte shumë i pranishëm tek Zoti i tij). (Merjem, 54-55)

وَإِذْ أَخَذْنَا مِيثَاقَ بَنِي إِسْرَائِيلَ لاَ تَعْبُدُونَ إِلاَّ اللَّهَ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا وَذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَقُولُوا لِلنَّاسِ حُسْنًا وَأَقِيمُوا الصَّلاَةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ ثُمَّ تَوَلَّيْتُمْ إِلاً قَلِيلاً مِنْكُمْ وَأَنْتُمْ مُعْرِضُونَ

((Përkujtoni) Kur ne morëm zotimin e bijve të Izraelit; mos adhuroni tjetërkënd përveç Allahut, të silleni mirë me prindërit, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve dhe njerëzve u thoni fjalë të mira; falni namazin dhe jepni zekatin, e pastaj ju e thyet zotimin përveç një pakice prej jush dhe ja kthyet shpinën zotimit). (El-Bekare, 83)

قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّهِ آتَانِي الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ وَأَوْصَانِي بِالصَّلاَةِ وَالزَّكَاةِ مَا دُمْتُ حَيًّا

(Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Allahut, mua më ka thënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) dhe zekat për sa kohë jam gjallë). (Merjem, 30-33)

Mbi zekatin dhe sadakanë

Në gjithë këtë libër fjalët sadaka janë përdorur në mënyrë të ndërthurur, gjë që mund të ngatërrojë disi lexuesit. Arsyeja për një gjë të tillë është e qartë: nëse fjalët sadaka dhe zekat janë të njëjta, atëherë përse të mos përqëndrohemi te njëra prej tyre. Nga ana tjetër, nëse këto dy fjalë ndryshojnë në kuptim, atëherë përse të mos përdorim sipas tekstit përdorimet e tyre të sakta?

Për këtë arsye është shpjegimi i mëposhtëm.

Nga ana gjuhësore fjala sadaka rrjedh nga rrënja “sidk” ose “sadk” që do të thotë “të flasësh të vërtetën”, “të jesh i sinqertë”.

Gjithashtu, mund të përkthehet “çiltërsi” apo “efikasitet”. Përdorimi leksikor kuranor e ka shndërruar këtë rrënjë foljore në “sadaka”, një term i përdorur për konceptin e dhuratës së ofruar dikujt nga ai që e zotëronte me të drejtë, pa rezerva ose pendim dhe pa arsye të tjera, e thënë shkurt për kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye ajo përmban katër elemente thelbësore: ligjshmërinë e pronës së dikujt, sinqeritetin e qëllimit, arsyet altruiste dhe kushtin që të jetë vetëm për hir të Zotit.

Në pamje të parë sinqeriteti i qëllimit, altruizmi dhe kërkimi i kënaqësisë së Zotit mund të shkaktojë një rast teprimi, megjithatë të tre elementët janë të varur nga njëri-tjetri. Për shembull, dikush mund të jetë i sinqertë kur ndihmon të tjerët dhe gjithashtu mund të jetë i motivuar nga altruizmi. Megjithatë, këto dy elemente nuk mund t’i japin karakterin e sadakasë këtij veprimi sepse mungon njëri prej tyre, që është qëllimi vetëm për hir të Zotit. Ndodh kështu pasi sadakaja nuk është një koncept i veçantë për Islamin. Megjithëse është e futur në eskatologjinë e Islamit, e cila në mënyrë paradoksale përfshin dhe interesat e kësaj bote. Jo rastësisht Kurani i referohet dhënies së sadakasë si një përbërës kryesor në programin e tij për njerëzimin. Shokët e Muhamedit (a.s.), gjatë dhënies së besës për besnikëri, i premtonin atij se, ndër të tjera do të shpenzonin në rrugë të Allahut si në bollëk, po ashtu edhe në varfëri.

Hadithi i Ubade ibën Samitit ka të bëjë me këtë çështje. Ai tregon: “I Dërguari i Zotit merrte premtimin tonë për besnikëri dhe ne zotoheshim se do të qëndronim me të në çdo rrethanë, do të shpenzonim në rrugë të Allahut në pasuri dhe në varfëri, do të urdhëronim për punë të mira, do të ndalonim të tjerët nga punët e këqija dhe do të thonim të vërtetën për Allahun, pavarësisht nga pasojat”.

Një pyetje me vlerë që bëhet është se: Përse sadakaja u bë pjesë e premtimit?

Premtimi për të dhënë sadaka, megjithëse i vullnetshëm, ishtë një pjesë thelbësore e besës, pasi pa një përgjegjësi të tillë shoqëria e re nuk do të mund të kishte mbijetuar as në provën e saj të parë. Sadakaja simbolizon një solidaritet kuptimplotë dhe vëllazërinë midis pjesëtarëve të umetit musliman. Ata sigurojnë një rrjet të sigurt për fillestarët që e kanë tjetërsuar veten nga shoqëria jobesimtare dhe si rrjedhim përballen me vështirësi ekonomike. Kufizimi i sadakasë në një sasi të caktuar do të kishte dëmtuar konceptin bazë duke dhunuar karakterin e saj vullnetar.

Në të njëjtën kohë do t’i kishte mohuar shoqërisë burimet e mëdha që ajo siguron për nevojat e saj nëpërmjet sadakasë. Si përfundim, ky kufizim do të kishte vonuar rritjen shpirtërore dhe morale të pjesëtarëve të kësaj shoqërie, të cilën ia premtonte Islami. Është tipik për shpirtin e Islamit, i cili mori mbi vete të rindërtojë një shoqëri të re, ku të varfërit nuk përjashtohen apo injorohen dhe ku njerëzit ndihen të lidhur ngushtë ndërmjet tyre si rrjedhojë e kujdesit reciprok. Ky lloj rindërtimi i shoqërisë buron nga koncepti islam që Zoti është Mëshirues dhe është Ai, i Cili, siç thuhet dhe në fjalët domethënëse të Kuranit, ka marrë përsipër t’i mëshirojë besimtarët. Për këtë virtyti hyjnor duhet të reflektohej në karakterin e besimtarëve. Sadakaja nuk siguroi vetëm një pastrim për ndjenjën individuale të fajit ndaj të shtypurve, por ajo gjithashtu i dha një ndjenjë arritjeje dhënësit të sadakasë si pjesëtar në përpjekje të përbashkëta për një fillim të ri.

Për këtë sadakaja duhet të shkonte përtej kuptimit të bamirësisë. Megjithëse dhënia e parave ishte shfaqja e saj më e fuqishme, sadakaja nuk qëndroi e kufizuar në natyrën materiale; ajo u zgjerua duke u bërë stil jetese dhe një model i ri. Kjo është arsyeja që sipas një hadithi, sadaka mund të jetë gjithçka. Përmasa, sasia dhe forma janë të parëndësishme. Një buzëqeshje e besimtarit në sytë e një besimtari tjetër, heqja e pengesave nga rruga është aq me vlerë, sa mund të jetë një dhurim i madh parash.

Në një hadith të njohur, të transmetuar nga Ebu Musa El-Eshari thuhet se i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s.), ka thënë se çdo musliman duhet të japë sadaka. Kur e pyetën se si mund të vepronte dikush që nuk dispononte asgjë, ai u përgjigj se ai duhet të punojë në mënyrë që të fitojë të mira materiale për veten e tij dhe në këtë mënyrë të japë edhe sadaka. Kur e pyetën se çfarë do të ndodhte me dikë që nuk ka mundësi ose nuk e bën këtë, Profeti (a.s.) është përgjigjur duke thënë se ai duhet të ndihmonte dikë që është në nevojë. Kur është pyetur se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën këtë, ai ka thënë se ai person duhet të urdhërojë dhe nxisë për vepra të mira. Kur e pyetën se çfarë duhet të bëjë ai që nuk e bën as këtë, ai është përgjigjur se ai person në këtët rast duhet të ndalojë nga e keqja, pasi dhe ajo do të ishte sadaka për të. [1]

Ai çfarë është i rëndësishëm në këto raste është qëllimi. Nëse bëhet për hir të Allahut, atëherë hyn në kufijtë e adhurimit. Në mënyrë paradoksale sadakaja nuk merr karakterin e një obligimi, megjithëse shpërblimi i saj nuk i përfill kornizat e kohës dhe vepruesi i saj vazhdon të përfitojë nga ajo, për aq kohë sa sadakaja e tij ka vlerë në jetë. Për shembull ndërtimi i një shkolle ose ngritja e një familjeje të mirë muslimane e mban ngjall të vdekurin dhe ai përfiton nga çdo e mirë që rrjedh prej tyre. Kjo është tërësisht e ndryshme nga namazi dhe agjërimi, të cilat për nga natyra e tyre personale shkojnë bashkë me të vdekurin në momentin e vdekjes.

Nga ana tjetër, zekati është një sadaka e detyrueshme, të cilën i pasuri duhet t’ia paguajë shtetit islam, në mënyrë që ta ndihmojë atë e të krijojë një mjedis të favorshëm, ku qytetarët të jetojnë në dashuri dhe qetësi. Nëpërmjet këtij mjedisi shteti realizon detyrimet e tij karshi qytetarëve. Me fjalë të tjera, zekati në qëllimin e tij të gjerë merret me politikat fiskale të shtetit, pasi ndikon mbi klimën shpirtërore dhe morale duke qenë një mjet për ndryshime shoqërore, burim i vazhdimësisë së tij dhe një mjet për sigurinë e kufijve te tij ideologjikë në një botë jo shumë miqësore. Është vërtetuar se Profeti (a.s.) e zotëronte zekatin si një mjet shumë efikas, të cilin ai e përdorte në mënyrë të përfyturuar për të ndërtuar lëvizjen islame, për të fituar mbi armiqtë e saj dhe në këtë mënyrë të përhapte ndikimin e kësaj lëvizjeje.

Ta cilësosh zekatin si një lëmoshë, jo vetëm që e minimizon qëllimin e tij, por e poshtëron atë. Kurani e ngre zekatin në nivelin e namazit (një adhurim vetëm për Zotin) dhe u jep të dyve një barazi që qëndron unike në stilin kuranor të të shprehurit. Mënyra se si është mbledhur zekati pa asnjë gjurmë dhune – duke i dhënë të drejtën individit të ndajë të mirat e tij materiale që do t’i japë për zekat dhe duke e kufizuar mbledhësin e zekatit që të marrë çfarëdo që t’i jepet dhe në pikën më kulminante duke bërë lutje për dhënësin që pasuria e tij të rritet – e ndan zekatin nga një natyrë që shkon shumë përtej asaj të taksës.

Ajo që duhet vlerësuar së tepërmi rreth zekatit është se ai kryen një punë që sistemi i taksave nuk mund ta përmbushë. Të gjitha sistemet e taksave, të ngritura nga shteti, janë të karakterizuara nga mosmarrveshjet midis qeverisë dhe qytetarëve. Fakti se një tensionim i tillë shprehet apo jo nuk i përket kësaj teme. Ajo që duhet marrë në konsideratë është fakti se ky tensionim është prezent. Madje dhe në shoqëritë e ashtuquajtura të zhvilluara, ku roli i taksave në një shtet modern është i kuptuar drejtë, ka një konflikt interesash ndërmjet dhënësit dhe marrësit të taksave. Pyetja “Pse duhet të mbështes programet sociale?” vazhdon të shfaqet në forma dhe debate të ndryshme.

Zekati nuk mbart në vetvete probleme të tilla, pasi ai merr parasysh kontekstet njerëzore të marrëdhënieve ekonomike. Në thelb të programit të tij është njeriu. Alija Ali Izetbegoviç (Zoti e mëshiroftë!) e ka vënë në dukje shumë qartë këtë pikë kur ka thënë: “Çdo zgjidhje sociale duhet të përfshijë zgjidhjet njerëzore. Ajo nuk duhet të ndryshojë vetëm marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe ato midis njerëzve. Kjo duhet të sjellë, bashkë me shpërndarjen e të mirave materiale, edhe përhapjen e dashurisë, zhvillimit dhe mëshirës për njëri-tjetrin.Varfëria është një problem, por gjithashtu është edhe një mëkat (social). Ajo nuk zgjidhet vetëm përmes ndryshimit të zotëruesit të këtyre të mirave, por përmes sakrificës personale, qëllimit dhe vullnetit të mirë. Asgjë nuk mund të arrihej nëse do të kishte vetëm ndërrim të pronarit, ndërkohë që urrejtja, shfrytëzimi dhe nënshtrimi do të ekzistonin në shpirtrat e njerëzve. Kjo është arsyeja e dështimit të revoltave fetare kristiane dhe revolucioneve socialiste. [2]

Interesimi i Islamit është shumë i madh për të varfërit dhe nevojtarët, saqë kur sistemi dështon në arritjen e rezultateve ose kur të pasurit janë të papërgjegjshëm për të shtypurit, këtyre të fundit u lejohet të rrëmbejnë për nevojat e tyre nga të parët, veçanërisht në një situatë urie. Ky lloj radikalizmi është tipik për Islamin dhe nuk mund të shpjegohet në zhargonet socialiste ose të dënohet nga interesat borgjeze për ligj dhe rregull. Është njeriu dhe e drejta e tij për të jetuar që udhëheq çdo gjë. Parapëlqimi i Sejid Sabikut për fjalën “shumë për të paguar” për termin zekat, megjithëse i pranuar në literaturën e jurisprudencës islame, nuk i ka shpëtuar diskutimeve. Në një hadith që flet për “Sadakanë e Fitrit” është përdorur gjithashtu edhe fjala “Zekati i Fitrit”, kjo mbase për të theksuar më shumë detyrimin e saj. Profeti (a.s.) e bëri detyrë për çdo femër dhe mashkull, të lirë apo skllav, pagesën e një sa’a (njësi matëse e barabartë me 3 kg) hurmash ose elbi si zekat të Fitrit[3] (që quhet ndryshe sadakaja e ramazanit).

Në një hadith tjetër Ibën Abasi transmeton se Profeti (a.s.) urdhëroi për sadakanë e Fitrit, që siç pastroheshin agjëruesit nga veprat e këqija dhe gabimet e tyre, ashtu dhe të varfërve t’u jepej mundësia të siguronin nevojat e tyre bazë për ushqim dhe veshmbathje. Për këtë, sadakaja e një personi që e jep atë para faljes së Bajramit të Madh do të pranohet nga Allahu si zekat i Fitrit, ndërsa sadakaja e

atij që e vonon do të quhet si bamirësi e zakonshme.[4]

Nga ky hadith rrjedhin katër parime:

  1. Sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për të gjithë.
  2. Dhënia e saj e pastron atë që e jep nga veprat e këqija e në këtë mënyrë e bën më perfekt agjërimin e tij.
  3. Qëllimi i saj është t’i ndihmojë të varfërit dhe nevojtarët të gëzojnë në festën e Bajramit.
  4. Pagesa sa më shpejt e tij sjell shpërblim të madh.

Disa juristë, megjithëse e pranojnë detyrimin e sadakasë së Fitrit, e caktojnë atë në rastin e zotërimit të nisabit[5]. Për këtë, nëse dikush në mëngjesin e Bajramit nuk e ka minimumin e sasisë që do ta detyronte të paguajë zekatin, atëherë ai nuk është i detyruar të paguajë sadakanë e Fitrit. Të tjerë mbrojnë idenë se zotërimi i kësaj sasie nuk është kusht i detyrueshëm. Çdo person që zotëron rezervat e një dite duhet të paguajë sadakanë e Fitrit. Ka tre argumente që e mbështesin pikëpamjen e mësipërme:

  1. Pothuajse në të gjithë hadithet mbi këtë temë nuk gjendet kushtëzimi për zotërimin e sasisë që bën të detyruar pagimin e zekatit.
  2. Sasia që duhet paguar është shumë e vogël – 2176 gramë hurma, elb, grurë ose ndonjë njësi ushqimore tjetër e vlefshme në lloj ose vlerë.
  3. Veçoritë e zekatit që kanë të bëjnë me sasinë e detyruar për ta paguar atë nuk gjenden në sadakanë e Fitrit. Për shembull, zekati nuk është i detyrueshëm për fëmijët (pa sasinë e detyrueshme për dhënien e zekatit), ndërkohë që sadakaja e Fitrit është e detyrueshme për ta

Përveç kësaj, për pagesën e zekatit duhet të plotësohet hauli (një vit i plotë), ndërkohë që nuk ka një periudhë të tillë për sadakanë e Fitrit. Prindërit duhet ta paguajnë sadakanë e Fitrit edhe për një fëmijë që lind para agimit të ditës së Bajramit. Personi që vdes përpara agimit të ditës së Bajramit përjashtohet nga pagesa e sadakasë së Fitrit, ndërsa në rastin e zekatit, nëse personi vdes përpara mbarimit të përmbushjes së vitit dhe zekati ka qenë i detyrueshëm për të, në këtë rast zekati paguhet nga trashëgimtarët.

Zekati si një institucion është i lidhur ngushtë me politikat fiskale, madje ai luan një rol të rëndësishëm në zhdukjen e pabarazisë në shoqëri. Zbatimi i tij nuk është i kufizuar në një apo në dy ditë, por vazhdon gjatë gjithë vitit. Në të kundërt, sadakaja e Fitrit është specifike për Bajramin, duke bërë që ata që nuk kanë ushqim ose gjëra të tjera të gëzojnë në festë duke mos u ndjerë të përjashtuar nga atmosfera festive e Bajramit.

Një referim i rastit mund t’i bëhet dhe zekatit për frutat dhe perimet. Në literaturën klasike rreth zekatit, ashtu si edhe në këtë libër, artikujt si perimet dhe frutat, përveç rrushit dhe hurmës kanë qenë të përjashtuara nga zekati. Një politikë e tillë e zekatit mbrohet dhe nga thëniet profetike. Megjithatë, nëse në çështje të tilla qëllimi i Sheriatit është vendimtar si një përcaktues, atëherë një arsyetim logjik mund të ngrihet për të gjetur arsyen pse Profeti i përjashtoi ato (rrushin dhe hurmën) nga zekati.

Ekzistojnë dy lloje artikuj të ngrënshëm:

 – të qëndrueshme dhe jo të dëmtueshme

 – të dëmtueshme që prishen lehtë

Profeti (a.s.) i bëri të detyrueshëm për zekat artikujt e qëndrueshëm për arsyen e mundshme të jetëgjatësisë së tyre gjatë ruajtjes. Ai la jashtë zekatit artikujt e dëmtueshëm, ku bëjnë pjesë frutat dhe perimet. Përjashtim bën rrushi për të cilin ndonjë mund të thotë se, përderisa ai mund të kthehet në rrush të thatë Profeti (a.s.) e ka përfshirë në zekat, pavarësisht se ai është një frut. Nëse ky lloj arsyetimi është i pranueshëm, atëherë mund të diskutohet fakti se nga ruajtja në frigorifer e frutave, dallimi midis artikujve të dëmtueshëm dhe të padëmtueshëm si përcaktues për zekat nuk është më i vlefshëm, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për mollët, portokallet, bananet dhe pjeshkët. Në mënyrë të ngjashme me rrushin, i cili mund të kthehet në rrush të thatë, mund të jenë dhe mollët, kajsitë, ananasi dhe bananet. Të gjitha këto fruta mund të thahen dhe ruhen për një kohë të gjatë, kështu që ekziston mundësia për t’u përfshirë në zekat. Zoti e di më së miri.

Zekati në jurisprudencën islame

Përkufizim

Zekati është ajo pjesë e caktuar e pasurisë së dikujt që Zoti obligon që ajo të jetë e destinuar për të varfërit.

Termi rrjedh nga rrënja e foljes arabe “të shtosh”, “të pastrosh” dhe “të bekosh”. Origjina e tij është në urdhërat e Allahut:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِمْ بِهَا…

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh…” (Et-Teube, 103)

Kjo është arsyeja që kjo lloj sadakaje është quajtur zekat, pasi me pagesën e saj personi shpreson të marrë bekimin, pastrimin dhe rritjen e veprave të mira.

Duke marrë parasysh natyrën e tij, nuk është e çuditshme që zekati përbën një

nga pesë shtyllat e Islamit. Ai i është bashkangjitur namazit në 82 ajete kuranore. Allahu i Lartësuar ka porositur për të në Kuran, Profeti e vërteton atë me Sunetin e tij dhe po ashtu umeti është unik në këtë.

Ibën Abasi transmeton se, kur Profeti (a.s.) e dërgoi Muadh ibën Xhebelin ne Jemen (si guvernator të tij), i tha: “Ti po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit. Ftoi ata të pranojnë shehadetin: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij. Nëse e pranojnë dhe e deklarojnë këtë, thuaju që Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar për pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse e pranojnë, thuaju gjithashtu se Ai ka urdhëruar për sadaka nga pasuritë e tyre, e cila merret nga të pasurit e shoqërisë muslimane dhe u ndahet të varfërve të tyre. Nëse e pranojnë edhe këtë, ki kujdes dhe mos e merr pasurinë më të dashur të tyre dhe frikësohu lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, pasi nuk ka pengesë midis asaj dhe Allahut”. [6]

Tabaraniu në librin e tij “El-Ausat” dhe “Es-Sagir” transmeton nga Aliu (r.a.) se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu ka detyruar muslimanët e pasur të japin një pjesë nga pasuria e tyre sipas nevojave të të varfërve të tyre. Të varfërit nuk do të vuajnë kurrë nga uria apo mungesa e veshmbathjes, derisa të pasurit të mos e neglizhojnë detyrimin e tyre. Nëse veprojnë kështu, Zoti me siguri do t’u kërkojë llogari dhe do t’i dënojë ashpër”.[7]Hadithi transmetohet nga Tabaraniu dhe ai ka thënë se ky hadith është përcjellë vetëm nga ana e Thabit ibën Muhamed Zahidit.

Në ditët e hershme të Islamit në Mekë nuk ishte vendosur kufi ose përcaktim mbi sasinë që do dhurohej. Ky vendim i ishte lënë ndërgjegjes dhe bujarisë së individit musliman. Vitin e dytë të hixhretit, sipas autoriteteve të njohura gjerësisht, si lloji ashtu edhe sasia e zekatit, ishin të caktuara dhe ishin siguruar ilustrime të detajuara.

 

Nxitja për të dhënë zekat

a) Argumente nga Kurani

Nëpërmjet sures Teube në ajetin 103, Profeti (a.s.) autorizohet të marrrë një sasi të caktuar nga pasuria e besimtarëve në formën e zekatit të detyrueshëm ose një shumë të pacaktuar vullnetare të zekatit (zekati tetavu). Në këtë ajet, “pastrimi” do të thotë t’i pastrojë ata nga kopracia dhe lakmia. Gjithashtu dhe nga harresa e të varfërve dhe të vobektëve. T’i shenjtërosh ata, do të thotë t’i vlerësosh dhe respektosh përmes veprave të mira dhe bekimeve, në mënyrë që ata të jenë të lumtur si në këtë botë, ashtu dhe në tjetrën. Duke iu referuar jetës në botën tjetër, Allahu thotë:

إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَعُيُونٍ)آخِذِينَ مَا آتَاهُمْ رَبُّهُمْ إِنَّهُمْ كَانُوا قَبْلَ ذَلِكَ مُحْسِنِينَ)كَانُوا قَلِيلاً

مِنْ اللَّيْلِ مَا يَهْجَعُونَ(وَبِالأَسْحَارِ هُمْ يَسْتَغْفِرُونَ(وَفِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ لِلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ

“Të devotshmit janë në kopshte dhe burime. Të kënaqur që kanë atë që u dha Zoti i tyre se ata më parë ishin mirëbërës. Ata ishin që flinin pak natën, në syfyr kërkonin falje per mëkatet dhe në pasuritë e tyre kishin caktuar të drejtë për lypësin dhe të ngratin”. (Edh-Dharijatë, 15-19) 

Allahu e cilëson bamirësinë dhe të vepruarit drejt si cilësi të veçantë të përkushtimit. Si pasojë e bamirësisë së tyre, ata falen natën dhe kërkojnë falje nga Allahu në agim si një mënyrë adhurimi dhe afrimi tek ai. Bamirësia e tyre shfaqet kur ata u japin të varfërve të drejtën e tyre në shenjë respekti dhe mëshire për ta.

Zoti i Madhëruar më tej thotë:

وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنْ الْمُنكَرِ وَيُقِيمُونَ الصَّلاَةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَيُطِيعُونَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ أُوْلَئِكَ سَيَرْحَمُهُمْ اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur me njëri-tjetrin; urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja; falin namazin dhe japin zekatin; respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Njerëz të tillë Allahu ka për t’i mëshiruar…”. (Et-Teube, 71)

Të tillë persona janë ata që janë bekuar nga Zoti i tyre dhe u është dhënë mëshira e Tij. Ata që i besojnë sinqerisht Allahut, kujdesen për njëri-tjetrin me mbështetje e dashuri dhe nxisin për të mirë dhe ndalojnë nga punët e këqija. Ata kanë një lidhje të fortë me Allahun nëpërmjet lutjes dhe që i forcojnë lidhjet e ndërsjella midis tyre përmes zekatit. Si përfundim, këta njerëz janë ashtu siç paraqiten në suren El-Haxh në ajetin 41, ku thuhet:

الَّذِينَ إِنْ مَكَّنَّاهُمْ فِي الأَرْضِ أَقَامُوا الصَّلاَةَ وَآتَوْا الزَّكَاةَ وَأَمَرُوا بِالْمَعْرُوفِ وَنَهَوْا عَنْ الْمُنْكَرِ وَلِلَّهِ عَاقِبَةُ الأُمُورِ

“…ata të cilët, pasi janë vendosur në tokë, e falin namazin, japin zekatin, urdhërojnë për punë të mira dhe ndalojnë nga punët e këqija. Allahut i takon përfundimi i çështjeve”. Pra, dhënia e zekatit është një nga arsyet që njerëzve të drejtë u jepet fuqi në tokë.

 

b) Argumente nga hadithi

 Tirmidhiu transmeton nga Ebu-Kebsheh El-Amari se Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem mbi tre gjëra dhe ju kërkoj t’i mbani mend fjalët e mia: Sadakaja nuk e pakëson kurrë pasurinë nga e cila nxirret; një person të cilit i bëhet padrejtësi dhe bën durim në këtë, Zoti do t’i shtojë krenari; një njeri që fillon të lypë, Zoti do ta bëjë atë të varfër”.[8]

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu e merr bamirësinë e bërë me dorën e Tij të djathtë dhe pastaj e shton atë për ndonjërin nga ju, në të njëjtën mënyrë siç ju rritni një mëz, një viç ose një deve të vogël, kështu që grimca bëhet aq e madhe sa mali i Uhudit”.[9]Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu dhe ky i fundit e gradon këtë hadith të vërtetë.

Për përmbajtjen e këtij hadithi Uakiu thotë: “Kjo gjë është e vërtetuar edhe nga Kurani:

أَلَمْ يَعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ هُوَ يَقْبَلُ التَّوْبَةَ عَنْ عِبَادِهِ وَيَأْخُذُ الصَّدَقَاتِ وَأَنَّ اللَّهَ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

A nuk e dinin ata se Allahu është ai që pranon pendimin e robërve të Tij, pranon lëmoshat…(Et-teube, 104) dhe

يَمْحَقُ اللَّهُ الرِّبَا وَيُرْبِي الصَّدَقَاتِ

Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën …(El-Bekare, 276)

Përsëri Ahmedi transmeton me një zinxhir transmetuesish që konsiderohet i vërtetë se Enesi ka thënë: “Një njeri i fisit Temim shkoi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam shumë pasuri, një familje të madhe, një shumë të madhe parash dhe e nderoj mysafirin. Më trego çfarë të bëj dhe si ta shpenzoj atë?” I Dërguari i Zotit iu përgjigj: “Ndaje zekatin e pasurisë tënde, se me të vërtetë ai ështe një pastrues që të pastron, ji i sjellshëm me të afërmit e tu dhe prano të drejtat e të varfërve, fqinjëve dhe lypsëve!”[10]

Transmetohet nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem mbi tre gjëra: Allahu nuk e barazon atë që ka hise në Islam me atë që nuk ka. Hiset e Islamit janë tre: namazi, agjërimi dhe zekati. Në qoftë se një njeri kujdeset për një tjetër në këtë botë, Allahu do të kujdeset për të Ditën e Gjykimit. Nëse Allahu pëlqen një njeri të caktuar në këtë botë, me siguri që do ta bëjë atë edhe Ditën e Gjykimit. Përsa i përket të katërtës, unë po  të betohem mbi të shpresoj të mos bëj gjynah e ajo është se, nëse Allahu ia mbulon gabimet një robi në këtë botë, me siguri se do t’ia mbulojë edhe në Ditën e Gjykimit”.[11]

Tabaraniu transmeton në librin “El-Eusat” se Xhabiri tregon: “Një burrë tha: O i dërguar i Allahut! Çfarë fiton dikush që paguan zekatin e mallit të tij? I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Shpërblimi për atë që jep zekatin e mallit të tij është largimi i së keqes brenda vetes”.[12]

Për të njëjtën temë, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Xherir ibën Abdullahu ka thënë: “Unë i dhashë besën Muhamedit (a.s.) se do të falja namazin, do të jepja zekatin dhe do të këshilloja çdo musliman”.[13]

 

Kërcënimi për mosdhënien e zekatit

a)      Argumente nga Kurani

 Allahu i Madhëruar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ كَثِيرًا مِنْ الأَحْبَارِ وَالرُّهْبَانِ لَيَأْكُلُونَ أَمْوَالَ النَّاسِ بِالْبَاطِلِ وَيَصُدُّونَ عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“O ju që besuat! Me të vërtetë një shumicë e parisë fetare të çifutëve dhe të krishterëve në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Lajmëroi për një dënim të dhembshëm ata që e ruajnë arin dhe argjendin dhe nuk e japin në rrugën e Allahut!” (Et-Teube, 34) dhe

“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit.”. (Ali Imran, 180)

 

b) Argumente nga hadithi

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Asnjë zotërues pasurie[14] që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet nga djegia e tij në zjarrin e xhehenemit dhe do të kthehet në pllaka. Pjesët anësore të kokës dhe balli i atij personi do të vulosen me to, derisa Allahu të gjykojë robërit e tij Ditën e Gjykimit, ditë e cila zgjat 50 000 vjet. Pastaj individit do t’i tregohet rruga, e cila e çon në parajsë ose në ferr. Asnjë pronar devesh që nuk e paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet mbi një fushë të rrafshët rëre dhe devetë e tij do të kalojnë mbi të njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë deveja e fundit, do të kthehet rishtaz të kalojë mbi të deveja e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të tij në një ditë që zgjat 50 000 vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga e tij që e çon në parajsë ose në ferr. Në të njëjtën mënyrë, asnjë pronar delesh, që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet përpara tyre në një fushë me rërë dhe delet do të kalojnë sipër tij me aq fuqi sa do vijnë dhe do ta shkelin me thundrat e tyre dhe do ta shpojnë me brirët e tyre – me brirë të përdredhura ose pa brirë vijnë njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë kafsha e fundit, do të kthehet rishtaz të kalojë mbi të kafsha e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të Tij në një ditë që zgjat 50 000 vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga që e çon në parajsë ose në ferr”.

Shokët e pyetën Profetin (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Po për kuajt?” Ai iu përgjigj: “Kuajt mbajnë mirësi në ballin e tyre” (ose ka thënë): “Mirësia qëndron në ballin e kuajve deri në Ditën e Gjykimit. Kuajt janë tre llojesh: Ata mund të jenë shkak për shpërblimin e pronarit, mund të jenë një mbulesë ose një barrë për të. Përsa i përket asaj që sjellin shpërblim është për atë që i rrit dhe i stërvit ata për hir të Allahut. Ai person ka shpërblim, aq sa dhe i gjithë ushqimi që ata hanë konsiderohet shpërblim për atë person. Për çdo fije bari në lëndinën ku ata kullosin ka shpërblim, për çdo pikë uji që dikush ua jep atyre për të pirë nga ndonjë lumë ka shpërblim…”. Ai vazhdoi kështu derisa përmendi shpërblim për fekalet (jashtëqitjen) dhe urinën e tyre. Pastaj ai vazhdoi: “Pra, dhe për çdo hap që ata hedhin në malore ka shpërblim. Ai që i rrit ata me krenari dhe i kujton të drejtat e shpinëve dhe barqeve të tyre si në bollëk, ashtu edhe në mjerim, atij ata do t’i falin mbulim (në botën tjetër). Për atë person, për të cilin kuajt janë një barrë, është ai person që i rrit për lavdi dhe për t’u dukur në sytë e njerëzve”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Po për gomerët?” Ai tha: “Zoti nuk më ka shpallur ndonjë gjë për ta, përveç këtij ajeti kuptimplotë dhe të veçantë:“E kush punoi ndonjë gjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”.[15] (Ez-Zelzele, 7)

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Profeti (a.s.) se ai ka thënë: “Çdokush që Allahu e ka pasuruar dhe ai nuk paguan zekat nga pasuria e tij, në Ditën e Gjykimit ajo do të kthehet në një gjarpër helmues i shogët me dy njolla të zeza mbi sytë e tij. Gjarpëri në Ditën e Gjykimit do ta rrethojë qafën e tij dhe do t’ia kafshojë faqet duke i thënë: “Unë jam pasuria dhe thesari yt”. Pastaj Profeti (a.s.) lexoi vargun kuranor:

وَلاَ يَحْسَبَنَّ الَّذِينَ يَبْخَلُونَ بِمَا آتَاهُمْ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ هُوَ خَيْرًا لَهُمْ بَلْ هُوَ شَرٌّ لَهُمْ سَيُطَوَّقُونَ مَا بَخِلُوا بِهِ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلِلَّهِ مِيرَاثُ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

“Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit. E Allahut është trashëgimia e qiejve dhe e Tokës dhe Allahu e di mirë ç’punoni ju”.[16](Ali Imran, 180)

Ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “O muhaxhirun! Bëni kujdes nga pesë gjëra: nëse sprovoheni me to ose gjenden në mesin tuaj, i kërkoj Allahut të mos i arrini: Nëse imoraliteti përhapet në një shoqëri dhe nuk ekziston ndjenja e turpit për përhapjen e tij dhe përmendjen e tij (njerëzit flasin rreth tij sikur asgjë e keqe të mos kishte ndodhur) mes tyre do të shfaqen sëmundje që nuk kanë ekzistuar tek parardhësit e tyre. Nëse masin mangut ata do t’i përfshijë varfëria, rezervat do t’u pakësohen dhe udhëheqësi i tyre do të jetë zullumqar. Nëse nuk e paguajnë zekatin e detyruar mbi pronën e tyre, do t’u ndalohen reshjet nga qielli dhe po të mos ishin shtazët nuk do të binte shi. Nëse ata deklarojnë shkëputjen e lidhjeve të tyre me Allahun dhe të Dërguarin e Tij, do të udhëhiqen nga një armik që do të jetë i huaj për ta dhe do t’u marrë një pjesë të pasurisë së tyre. Nëse udhëheqësi i tyre nuk udhëheq sipas ligjeve të librit të Allahut, ata njerëz do të përfshihen nga lufta civile”.[17]Transmeton Ibën Maxhe, El Bezari dhe Bejhakiu.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga El Ehnaf ibën Kajs se ai ka thënë: “Isha me disa burra nga fisi i Kurejshëve, kur erdhi një burrë[18] me flokë, rroba dhe pamje të çrregullt. Ai qëndroi, i përshëndeti ata dhe u tha: “Lajmëroni ata që kanë grumbulluar pasuri që një gur do të nxehet në zjarrin e xhehenemit dhe do të vendoset në majën e gjokseve të tyre, derisa të dalë në majë të shpatullës. Pastaj do të vendoset në majë të shpatullës derisa të dalë nga maja e gjokseve të tyre dhe ata do të tronditen”.

Pastaj ai u largua – tregon El Ehnaf ibën Kajsi – u ul pranë një shtylle e ndoqa dhe u ula pranë tij, pa e ditur se kush ishte. I thashë: “Këta njerëz nuk e pëlqyen atë që u the”. Ai më vështroi dhe tha: “Ata nuk kanë kuptuar asgjë nga ato që tha shoku im”. Unë e pyeta: “Kush është shoku yt?” Ai u përgjigj: Profeti (a.s.). Një ditë ai më pyeti: “A e shikon malin e Uhudit?” Unë vështrova diellin për të parë edhe sa kohë kishte mbetur nga dita, pasi mendova se ai do të më dërgonte për të marrë diçka për të. I thashë: “Po”. Më pas ai tha: “Asgjë nuk do të më kënaqte më tepër se të kisha flori aq sa madhësia e Uhudit dhe ta shpenzoja të tërën në rrugë të Allahut, përveç tre dinarëve”. Me të vërtetë këta njerëz nuk kuptojnë asgjë dhe vazhdojnë të grumbullojnë pasuri. Pasha Allahun! Unë nuk i kërkoj atyre asgjë nga kjo botë e as nga feja derisa të takoj Allahun e Lartësuar”.[19]

Gjykimi për mosdhënësit e zekatit

Zekati është një nga kërkesat themelore të Islamit dhe obligim për muslimanët. Në lidhje me këtë i gjithë umeti musliman është unik dhe është bërë aq e njohur sa, nëse dikush e mohon këtë detyrim, ai do të ishte jashtë Islamit dhe ligjërisht mud të dënohej me vdekje për mosbesimin e tij, përveç rastit nëse ai do të ishte një musliman i ri dhe do të justifikohej me paditurinë e tij. Nëse dikush nuk e paguan atë, pa e mohuar obligimin e tij, ai konsiderohet si mëkatar dhe ky veprim nuk e nxjerr atë jashtë Islamit. Është detyrë e udhëheqësit të mbledhë zekatin nga debitorët e vonuar me forcë dhe qortohet, duke marrë parasysh rastin kur ai mbledh më shumë se sasia e caktuar. Megjithatë, sipas pikëpamjes së Ahmedit dhe Shafiut (në mendimin e tij të hershëm), udhëheqësi mund të merrte ½ e sasisë së pasurisë së debitorëve të vonshëm mbi sasinë e llogaritur për zekat si dënim.

Ky mendim bazohet në atë që Ahmedi, Nesaiu, Hakimi, Ebu Dauti dhe Bejhakiu kanë transmetuar nga Behz ibën Hakimi dhe zinxhiri i transmetuesve shkon deri tek gjyshi i tij, i cili thotë: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: “Nuk ka dallim në llogari për paguesin me dëshirë, nëse devetë e tij janë të rritura apo janë të vogla. Por, në qoftë se dikush nuk e paguan atë, atëherë do t’i merret atij si detyrim ½ e pasurisë së tij, kjo pasi është një e drejtë e Zotit tonë të Lartësuar dhe të Madhëruar dhe nuk i takon asgjë nga ajo pasuri familjes së Muhamedit”.[20]

Ahmedi është pyetur për zinxhirin e këtij hadithi dhe ai e ka konsideruar si të mirë. Hakimi thotë për Behzin se hadithi tij është autentik. Imam Shafiu, sipas Bejhakiut, nuk e ka përfshirë atë në konsideratën e fik’hut duke thënë se ky hadith nuk është konfirmuar nga studiuesit e hadithit e po të vërtetohej ky hadith, do të vepronim sipas tij.

Në qoftë se disa njerëz nuk e paguajnë zekatin duke e ditur se është detyrë dhe duke pasur mundësi për ta paguar, ata duhet të luftohen, derisa ta dorëzojnë dhe ta paguajnë atë.

Buhariu dhe Muslimi tansmetojnë nga Umeri se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë kanë siguruar jetën dhe pasuritë e tyre, përveçse nga ajo që i detyrohen Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu”.[21]

Ebu Hurejra transmeton të ketë thënë se kur vdiq Muhamedi (a.s.) dhe atë e pasoi si kalif Ebu Bekri (r.a.), disa arabë e lanë fenë duke u bërë shkak që Ebu Bekri t’u shpallë luftë atyre.[22] Umeri i tha atij: “Pse duhet t’i luftosh këta njerëz, kur Profeti (a.s.) thotë: “Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë kanë siguruar jetën dhe pasuritë e tyre, përveçse nga ajo që i detyrohen Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu”.

Ebu Bekri (r.a.) iu përgjigj: “Pasha Allahun! Unë do t’i luftoj ata që e ndajnë namazin nga zekati, se zekati është detyrë mbi pasurinë. Pasha Allahun! Nëse ata do mbanin edhe një kec që e paguanin në kohën e të Dërguarit të Allahut, unë do t’i luftoja ata për atë ndalesë”.

Pastaj Umeri (r.a.) tha: “Për Zotin! Ishte Ai që ia dha Ebu Bekrit (r.a.) njohurinë e saktë për të luftuar dhe unë e mora vesh mirë se ai kishte pasur të drejtë”.[23]

I njëjti hadith i transmetuar nga Muslimi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu ka variantin vijues: “Nëse ata ndalojnë edhe litarin e devesë”[24], në vend të kecit.

Kush detyrohet të paguajë zekat

Vijon …


[1] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2 Marrë nga libri “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit” i Alija Izetbegoviç.

[3] Libri “Sahihul-Buhari” fq. 342.

[4] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

[5] Me nisab kuptojmë përmbushjen e sasisë së duhur të pasurisë, e cila obligon nxjerrjen e zekatit. ( Shënim i redaktorit).

[6] Buhariu 1395, 1496, 2448, 4347, 7371, Muslimi 121, Ebu Daudi 1584, Tirmidhiu 625, 2014, Nesai 2434, Ibën Maxheh 1783, Ahmedi 1/233.

[7] Hadith Daif. “Et Targib” 462, “Tamamul Mineh” 357. E ka nxjerrë Taberani në “Es Sagir” 1/162, , Ebu Ubejd 1909.

[8] Hadith Sahih. “El Mishkat” 5287, “Et Targib” 16,869,2463, “Sahihul Xhami” 3024. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2325, Ibën Maxheh 4228, Ahmedi 17339.

[9] Hadith Sahih Ligajrihi. “Et Targib” nën hadithin nr. 856. E ka nxjerrë Tirmidhiu 661, Ahmedi 2/268,404,471.

[10] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 358. E ka nxjerrë Ahmedi 3/136.

[11] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1387, “Et Targib” 374. E ka nxjerrë Ebu Jeala në “Musnedin” e tij 2/216, Ahmedi 6/145, Tahaviu në “El Mushkil” 2/50, el Hakim 1/19, 4/384.

[12] Hadith Hasen Ligajrihi. “Et Targib” 743. E ka nxjerrë Taberani në “El Eusat”, Ibën Huzejme, El Hakim.

[13] Buhariu 57, 501, 1336, 2049, 2566, Muslimi 197, Tirmidhiu 1925, Darimi 2/248, Ahmedi 4/358,361,364,365.

[14] Çdo pasuri e akumuluar, për të cilën nuk është dhënë zekati, quhet thesar (kenz), ndërsa pasuria e cila është pastruar me dhënien e zekatit nuk quhet thesar, sado e madhe qoftë.

[15] Buhariu 1402 me kuptim të përafërt dhe të shkurtuar, Muslimi 2289, Ebu Daudi 1658, Ibën Maxheh 2788, Ahmedi 2/262,383.

[16] Buhariu 1403, Muslimi 2293 me kuptim të përafërt, Nesai 2482, Ahmedi 2/98, 137, 156, 355, 489.

[17] Hadith Sahih. “Et Targib” 764. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 4019.

[18] Ky burrë ka qenë sahabi i njohur Ebu Dherr El-Gafari.

[19] Buhariu 1407, Muslimi 2303.

[20] Hadith Hasen. “El Irva” 791 (3/263). E ka nxjerrë Ebu Daudi 1575, Nesai 2444, Darimi 1/396, Ibën Ebi Shejbe 4/10, Ibën Xharudi 174, el Hakim 1/398, Bejhakiu 4/105, Ahmedi 4/2,4.

[21] Buhariu 25, Muslimi 128, Ebu Daudi 2641, Nesai 3967, Bejhakiu 4/104, el Hakim 1/387.

[22] Këta arabë ishin antarë të fisit Beni Jerbuë. Ata kishin grumbulluar zekatin për t’ia dërguar Ebu Bekrit, por Malik ibën Nuejre i ndaloi që ta jepnin dhe ua shpërndau atë mes tyre. Ishin këta individë, për të cilët Umeri r.a. ishte në mëdyshje dhe u bënë shkak për diskutimin që pati me Ebu Bekrin në lidhje me rastin e tyre, për të cilët argumentoi me hadithin e lartpërmendur. Luftimi i tyre u zhvillua në vitin e 11 pas hixhretit te Profetit a.s.

[23] Buhariu 1399, Muslimi 124, Ebu Daudi 1556,1557, Tirmidhiu 2607, Nesai 2443, Bejhakiu 4/104, el Hakim 1/387. 

[24] Sipas verifikimit të tekstit të hadithit, përmendet se termi “litari që lidh devenë”, është përmendur për t’i dhënë një rëndësi të veçantë dhënies së zekatit.