Tema

Zekati i Fitrit

91. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e bëri detyrim zekatin e Fitrit në Ramazan: një tas me hurma, ose një tas me elb, për çdo të lirë apo skllav, mashkull apo femër, të vogël apo të madh, prej muslimanëve.” E transmeton Grupi. Ahmedi, Buhariu dhe Ebu Daudi shtojnë në transmetimet e tyre: “Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) jepte gjithnjë hurma, por një viti kishte nevojë për hurmat, kështu që dha elb.” Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “E jepnin atë (zekatin e Fitrit) një apo dy ditë para festës së Fitrit.”

92. Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ne e jepnin zekatin e Fitrit një tas ushqim (grurë), ose një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas gjizë, ose një tas rrush të thatë.” E ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte në mesin tonë, ne e jepnim zekatin e Fitrit një tas ushqim, ose një tas hurma, ose një tas elb, ose një tas rrush të thatë, ose një tas gjizë. Vazhduam kështu deri sa erdhi Muavija në Medine dhe tha: “Unë mendoj se dy grushta nga gruri i shamit janë të barabarta me një tas hurma.” Atëherë njerëzit vepruan sipas kësaj. Ebu Seidi thotë: “Por unë vazhdoj ta jap atë (zekatin e fitrit) njësoj si e jepja më parë.” E transmeton Grupi, por Buhariu nuk e përmend pjesën e fundit: “Ebu Seidi thotë: “Por unë vazhdoj…”, kurse Ibën Maxheh nuk e përmend lidhësen “ose” në asnjë pjesë të hadithit.

Kurse Nesai transmeton nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e bëri detyrim zekatin e Fitrit: një tas ushqim (grurë), ose një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas gjizë.” Hadithi është argument se gjiza është në kategori bazë në llojet e ushqimit që jepen për zekatin e Fitrit.

Darakutni transmeton nga Ibën Ujejne, ky nga Ibën Axhelan, ky nga Ijad ibën Abdullah, kurse ky nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “Nuk kemi dhënë zekat Fitri në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) veçse një tas grurë, ose një tas hurma, ose një tas nga një lloj elbi i veçantë, ose një tas rrush të thatë, ose një tas elb, ose një tas gjizë.” Ibnul Medini i tha Sufjanit: “O Ebu Muhamed! Akush nuk e përmend grurin në këto transmetime.” Sufjani i tha: “Po, po. Ai është në mesin e tyre.” E transmeton Darakutni dhe me këtë është argumentuar Ahmedi për vlefshmërinë e grurit për zekatin e Fitrit.

93. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që zekati i Fitrit të jepej para daljes së njerëzve për namazin e Bajramit.” E transmeton Grupi, me përjashtim të Ibën Maxhes.

94. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e bëri detyrim zekatin e Fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe grindjet, dhe si ushqim për të varfërit. Kush e jep atë para namazit të Bajramit, ai është zekat Fitri i pranuar, kurse kush e jep pas namazit të Bajramit, atëherë ajo është lëmoshë e zakonshme.” E transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh. [Hasen – I mirë. Irvaul Galil 843].

95. Is’hak ibën Sulejman er Razi thotë: “I thashë Malik ibën Enesit: O Ebu Abdullah! Sa ishin përmasat e tasit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?” Ai tha: “Pesë Ertal e një e treta e ratlit nga ato të Irakut, sipas përcaktimit tim.” I thashë: “O Ebu Abdullah! Kështu ti po kundërshton dijetarin e njeërzve të këtij vendi.” Ai tha: “E kush është ai?” I thashë: “Ebu Hanife thotë se ai ka qenë tetë Ertal.” Atëherë ai (Maliku) u zemërua shumë dhe i tha atyre që ishin ulur rreth tij: “O filan, më sill tasin e gjyshit tënd! Kurse ti tjetri tasin e xhaxhait tënd, dhe ti tjetri atë të gjyshes tënde.” Is’haku thotë: “U mblodhën gjithë ato tasa dhe pastaj ai (imam Maliku) tha: “Çfarë dini për këto tasa?” Njëri prej tyre tha: “Më ka treguar babai im, se me këtë tas, babai i tij jepte zekatin e Fitrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” Kurse i dyti tha: “Më ka treguar babai im, se me këtë tas, vëllai i tij jepte zekatin e Fitrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” Dhe i treti tha: “Më ka treguar babai im, se me këtë tas, nëna e tij jepte zekatin e Fitrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).” Atëherë Maliku tha: “Unë i peshova këto dhe më dolën pesë Ertal e një e treta e Ratlit .” E transmeton Darakutni.

_________________________________

Sipas Komisionit te Perhershem twe Fetvave ne Arabine Saudite, nje tas (Saa) eshte rreth 3 kg.

الصاع والمد