ZEKATI (7)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


SADAKAJA VULLNETARE

Islami bën thirrje për individin të shpenzojë lirshëm në rrugët që e kënaqin zemrën e atij që dhuron dhe thërret për bujari, mirësi, adhurim dhe bindje ndaj Allahut. Në Kuran thuhet:

مَثَلُ الَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمْوَالَهُمْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ كَمَثَلِ حَبَّةٍ أَنْبَتَتْ سَبْعَ سَنَابِلَ فِي كُلِّ سُنْبُلَةٍ مِائَةُ حَبَّةٍ وَاللَّهُ يُضَاعِفُ لِمَنْ يَشَاءُ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ”

“Shembulli i atyre që shpenzojnë në rrugë të Allahut është si fara, nga e cila dalin shtatë kallinj dhe secili prej tyre ka nga 100 kokrra. Allahu ua shton atyre që e kënaqin atë. Ai kujdeset për gjithçka dhe njeh çdo gjë”. (El-Bekare, 261)

Po ashtu, në një varg tjetër kuranor thuhet:

يَعْلَمُ مَا يَلِجُ فِي الأَرْضِ وَمَا يَخْرُجُ مِنْهَا وَمَا يَنْزِلُ مِنْ السَّمَاءِ وَمَا يَعْرُجُ فِيهَا…

“Ai e di çfarë futet dhe çfarë del nga toka, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngjitet në të…”. (El-Hadid, 4)

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja zbut zemërimin e Zotit dhe shmang përfundimin e keq në vdekje”.[1] Transmeton Tirmidhiu, i cili e cilëson hadithin si hadith hasen.

Në të njëjtën mënyrë transmetohet nga i Dërguari i Allahut se ai ka thënë: “Sadakaja është shkak që muslimanit t’i shtohet jeta. Ajo gjithashtu shmang përfundimin e keq në vdekje dhe nëpërmjet saj Zoti largon arrogancën dhe mendjemadhësinë”.[2]

Në një hadith tjetër ka thënë: “Çdo ditë që robi ngrihet në mëngjes, dy engjëj zbresin dhe thonë: O Allah! Shpërbleje atë që shpenzon me trashëgim pasurie! Një tjetër thotë: O Zoti im, shkatërroje atë që nuk jep!”[3] Këtë hadith e transmeton Muslimi.

Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Gjestet e mirësisë e mbrojnë njeriun nga fatkeqësitë. Sadakaja e dhënë në mënyrë të fshehtë zbut zemërimin e Zotit dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore të shton jetën. Të gjitha veprat e mira janë sadaka. Ata që bëjnë mirësi në këtë botë, janë gjithashtu të njëjtët persona dhe në botën tjetër. Ata që bëjnë vepra të këqija në këtë botë, janë të njëjtët dhe ne botën tjetër. Të parët që do të hyjnë në xhenet janë ata bamirësit”.[4] Ky hadith transmetohet nga Tabaraniu në librin e tij “El Ausat”, ndërsa Mundhiri në lidhje me këtë hadith hesht.

Llojet e sadakasë

Sadakaja nuk është e kufizuar për ndonjë vepër të mirë të veçantë. Rregulli i përgjithshëm është se të gjitha veprat e mira konsiderohen sadaka. Disa prej tyre janë si më poshtë:

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdo musliman duhet të japë sadaka”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Po ai që nuk ka asgjë për të dhënë? Ai tha: “Ai duhet të punojë që të ketë dobi për vete dhe të japë sadaka”. E pyetën sërish: “Po nëse ai nuk mund të gjejë punë? Ai u përgjigj: “Ai duhet të ndihmojë nevojtarin që kërkon ndihmë”. [5] Pastaj e pyetën përsëri: “Po nëse nuk mund ta bëjë këtë?” Në fund, Profeti (a.s.) u përgjigj: “Atëherë duhet të bëjë vepra të mira dhe të largohet nga e keqja pasi edhe kjo konsiderohet sadaka”.[6] Transmetohet nga Buhariu dhe të tjerë.

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja është caktuar për çdo person çdo ditë që lind dielli. Të mbash drejtësinë midis dy personave është sadaka. Të ndihmosh dikë të hipë në kafshën e tij që ta ngasë atë dhe të vendosësh rrobat e tij mbi kafshë është sadaka. Të largosh pengesën nga rruga është sadaka. Një fjalë e mirë është sadaka. Çdo hap që bën për të shkuar në namaz është sadaka”.[7] Transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë.

Ebu Dherr El Gafari transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja është e caktuar për çdo person çdo ditë që lind dielli”. Pasi e ka dëgjuar, Ebu Dherri i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Nga se të japim sadaka nëse nuk kemi pasuri?” Ai tha: “Nga dyert e sadakasë janë Tekbiri (të thuash Allahu ekber – Zoti është më i madh); Subhane Allah (i madhëruar është Allahu); Elhamdulilah (falënderimet i takojnë Allahut); La ilahe il Allah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut); Estagfirullah (O Zot më fal); të urdhërosh për të mirë; të ndalosh nga e keqja; të pastrosh rrugën nga ferrat, kockat, gurët; t’i tregosh rrugën të verbërit (duke e shoqëruar); të dëgjosh atë që është shurdhmemec derisa ta kuptosh (çfarë kërkon të thotë); të drejtosh dikë për tek vendi që ka nevojë, nëse e di ku është; të nxitosh sa të kesh fuqi me këmbët e tua për tek ai që është në vështirësi dhe kërkon ndihmë; ta ndihmosh të dobtin me forcën e krahëve të tu. Të gjitha këto janë dyer të sadakasë. Sadakaja është caktuar për të gjithë ju dhe ju keni shpërblim edhe kur kryeni marrëdhënie me gratë tuaja”.[8] Transmetohet nga Ahmedi dhe teksti është i tij, ndërsa domethënien e tij e transmeton gjithashtu edhe Muslimi.

Sipas Muslimit, ata kanë thënë: “O i Dërguari i Allahut! A ka shpërblim për atë që njeriu bën me gruan e vet?” Ai tha: “A e dini se ai ngarkohet me gjynahe, nëse i plotëson epshet e tij në rrugë të ndaluara? Në të njëjtën mënyrë, nëse i plotëson dëshirat e tij në rrugë të lejuara, ai do të shpërblehet”.[9]

Po ashtu, transmetohet nga Ebu Dherri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja është e caktuar për çdo pasardhës të Ademit çdo ditë që lind dielli”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut!” Nga se duhet të japim sadaka çdo ditë? Ai tha: “Dyert e mirësisë janë të shumta; tesbihu (të madhëruarit e Allahut), tahmidi (falënderimi i Allahut), tehlili (te njehsuarit e Allahut), të urdhëruarit për të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja, të largosh pengesën nga rruga, të ndihmosh atë që është shurdh, të drejtosh të verbërin, ta drejtosh dikë për tek vendi që ka nevojë, të shpejtosh me sa ke fuqi për tek ai që është në vështirësi dhe kërkon ndihmë dhe të mbështetësh të dobtin me forcën e krahëve të tu. Të gjitha këto janë sadaka të caktuara për ju”.[10] Transmetohet nga Ibën Hibani në librin e tij “Es-Sahih”.

Bejhakiu e transmeton në një formë të shkurtuar dhe shton në transmetimin e tij: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka. Largimi nga rruga i ferrave, kockave apo gurëve është sadaka. T’i tregosh rrugën atij që ka humbur është sadaka”.[11]

Gjithashtu, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush prej jush ka mundësi ta mbrojë veten nga zjarri, duhet të japë sadaka, qoftë dhe gjysmë hurme.[12] Nëse nuk e gjen as atë, atëherë me një fjalë të mirë.”[13] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Pejgamberi (a.s.) thotë: “Allahu i Madhëruar dhe i Gjithëpushtetshëm do të thotë në Ditën e Gjykimit: O biri i Ademit! Unë isha i sëmurë dhe nuk më bëre vizitë. Ai do të përgjigjet: O Zoti im! Si mund të të vizitoja Ty që je Zoti i botërave? Allahu do të thotë: A nuk e dije se robi im filani, ishte i sëmurë dhe ti nuk e vizitove? Po ta kishe vizituar atë do të më kishe gjetur Mua me të.

O biri i Ademit! Unë të kërkova ushqim dhe ti nuk me dhe. Ai do të përgjigjet: O Zoti im! Si mund të të jepja ushqim Ty që je Zoti i botërave? Allahu do të thotë: A nuk të kërkoi ushqim robi im filani dhe ti nuk i dhe? A nuk e di se po t’i kishe dhënë atij do të më kishe dhënë Mua?

O biri i Ademit! Të kërkova të shuaje etjen Time dhe ti nuk e bëre. Ai do të thotë: O Zoti im! Si mund ta shuaja unë etjen Tënde, kur Ti je Zoti i botërave? Allahu do të thotë: Robi im filani të kërkoi t’ia shuaje etjen e tij dhe ti nuk e bëre. Po t’i kishe dhënë atij për të pirë do të kishe gjetur atë te Unë”.[14] Transmetohet nga Muslimi.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Për çdo gjë që mbjell muslimani, nga e cila ha një njeri apo kafshë, ajo konsiderohet sadaka për të”.[15] Transmeton Buhariu.

Po ashtu, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Çdo vepër e mirë është sadaka. Takimi me vëllain tënd me fytyrë të qeshur është sadaka. Të derdhësh nga kova jote në enën e tij është sadaka”.[16]Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e konsideron të vërtetë hadithin në fjalë.

Ata që kanë përparësi për të marrë sadaka

Ata që kanë përparësi për këtë janë fëmijët, familja dhe të afërmit. Nuk lejohet që sadakaja t’i jepet një të huaji, ndërkohë që personi dhe ata që janë në varësi të tij kanë nevojë për të.

Transmetohet nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse dikush prej jush është i varfër, duhet të fillojë nga vetja e tij. Nëse mbetet diçka, ai e shpenzon për familjen. Nëse përsëri mbetet diçka, ai e shpenzon për të afërmit dhe nëse përsëri i mbetet diçka, ai e jep gjetkë”.[17]Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Në një transmetim tjetër, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Jepni sadaka!” Një burrë ka thënë: “Unë kam një dinar”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Shpenzoje për veten tënde”. Ai ka thënë: “Kam dhe një tjetër”. Pastaj Profeti (a.s.) i është drejtuar: “Jepja gruas tënde si sadaka”. Ai ka thënë prapë: “Kam dhe një dinar tjetër”. Profeti (a.s.) i ka thënë: “Jepja fëmijëve të tu si sadaka”. Burri ka përsëritur se kishte edhe një dinar tjetër. Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Jepja shërbëtorit tënd si sadaka”. Në fund ai përsëriti sërish se dispononte edhe një dinar tjetër. Atëherë Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ti mund ta caktosh më mirë (se kujt t’ia japësh)”.[18] Transmetohet nga Ebu Daudi, Nesaiu dhe Hakimi. Ky i fundit e konsideron hadithin të vërtetë.

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Njeriu bën gjynah, nëse nuk përfill të ushqejë ata që ka për detyrë t’i mbajë”.[19] Ky hadith transmetohet nga Muslimi dhe Ebu Daudi.

Gjithashtu, në një transmetim të Tabaranit dhe Hakimit thuhet: “Sadakaja më e mirë është ajo që i jepet një personi të afërm që nuk ka simpati[20] për ty”.[21] Hakimi e cilëson të vërtetë këtë hadith.

Çfarë e bën të pavlefshme sadakanë?

Nuk lejohet për atë që jep sadaka t’i përmendë tjetrit bujarinë e tij, për të mos e ofenduar atë dhe për të mos e dhënë sadakanë e tij sa për sy e faqe. Në lidhje me këtë, Allahu na tërheq vemendjen dhe na thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لاَ تُبْطِلُوا صَدَقَاتِكُمْ بِالْمَنِّ وَالأَذَى كَالَّذِي يُنفِقُ مَالَهُ رِئَاءَ النَّاسِ

“O ju që keni besuar! Mos e zhvlerësoni sadakanë tuaj uke përmendur bujarinë tuaj apo duke ofenduar, si ata që shpenzojnë pasurinë e tyre për t’i parë njerëzit!”. (El-Bekare, 264)

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Allahu në Ditën e Gjykimit tre personave nuk ka për t’u folur, nuk ka për t’i parë dhe nuk ka për t’i pastruar (nga mëkatet). Për ta është caktuar një dënim i dhembshëm”. Ebu Dherri pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Kush janë këta që paskan gabuar kaq shumë dhe paskan humbur rrugën e drejtë?” Ai u përgjigj: “Ata që me mendjemadhësi zgjasin rrobat e tyre derisa i tërheqin përtokë, ata që japin sadaka dhe ta zënë shpesh me gojë[22] dhe ata që tregtojnë duke u betuar dhe gënjejnë (rreth cilësisë së mallit)”.[23]

Të dhënit sadaka nga ajo që është e ndaluar (haram)

Allahu nuk e pranon sadakanë, nëse ajo përftohet nga pasuria haram.

I Dërguari i Allahut ka thënë: “O njerëz! Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Ai i ka urdhëruar besimtarët me atë çka urdhëruar dhe të dërguarit e Tij”.

Pastaj ai ka përmendur ajetet e mëposhtme kuranore:

يَاأَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحًا إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ

“O ju të dërguar! Hani atë që është e mirë dhe punoni me drejtësi. Unë e di mirë se çfarë punoni” (El-Muminunë, 51) dhe “O ju që keni besuar! Hani prej të mirave që ua ka dhuruar Allahu!”.

Pastaj Profeti (a.s.) përmendi shembullin e një burri që kishte udhëtuar për një kohë të gjatë dhe flokët i ishin shpupuritur dhe ishte mbuluar me pluhur. Ai ngriti duart nga qielli dhe thirri: “O Zoti im! O Zoti im!”. Ndërkohë ajo që kishte ngrënë ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram dhe ushqimi i tij ishte gjithashtu haram. E si mund të pranohej lutja e tij?!”[24] Transmeton Muslimi.

Në një hadith të transmetuar nga Buhariu thuhet: “Nëse dikush jep aq sa një hurmë që është blerë me para të fituara në mënyrë të ndershme, -se Allahu nuk e pranon veç të mirën, – Allahu e pranon atë me dorën e Tij të djathtë dhe e rrit shpërblimin për pronarin e saj, derisa ajo bëhet e madhe sa një mal”.[25]

 

Sadakaja e gruas nga pasuria e burrit të saj

Lejohet për gruan të japë sadaka nga pasuria e burrit të saj, nëse ajo e di që ai nuk do kishte kundërshtim për këtë. Megjithatë, nëse ajo nuk është e sigurt për këtë, atëherë kjo nuk lejohet. Transmetohet nga Aishja (r.a.) se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur një grua jep diçka si sadaka nga ushqimi i shtëpisë së saj pa shkaktuar ndonjë humbje, ajo do të shpërblehet për atë që ka dhënë. Burri i saj do të shpërblehet për atë që fiton dhe ruajtësi (nëse ka ndonjë) do të shpërblehet në mënyrë të njëjtë. Asnjëri prej tyre nuk ia pakëson shpërblimin tjetrit”.[26] Transmeton Buhariu.

Ebu Umame tregon se e ka dëgjuar Muhamedin (a.s.) të thotë në një predikim gjatë vitit të haxhit të lamtumirës: “Gruaja nuk duhet të shpenzojë asgjë nga pasuria e shtëpisë së burrit të saj, pa lejen e tij”. Ai e ka pyetur: “O i Dërguari i Allahut! As ushqim jo?” Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Ai (ushqimi) është një nga pasuritë tona më të mira”.[27] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i besueshëm.

Nuk është e nevojshme që gruaja t’i kërkojë leje burrit për ato gjëra të vogla që ajo e ka bërë zakon të japë sadaka. Transmetohet nga Esmaja – e bija e Ebu Bekrit – se ajo i ka thënë Profetit (a.s.) se Zubejri ishte një burrë i rreptë. Ajo i tha Profetit se i jepte sadaka nevojtarëve nga ekonomia e shtëpisë së burrit pa lejen e tij. Pasi e dëgjoi, Profeti (a.s.) i tha: “Jep atë që ke bërë zakon të japësh nga gjërat e vogla dhe mos e rezervo atë pasuri në ndonjë enë e të ndalohesh për këtë nga burri, që Allahu të mos ndalojë bekimet mbi ty”.[28] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Lejimi i dhënies së gjithë pasurisë për sadaka

Për atë që është i shëndetshëm dhe i aftë për të fituar jetesën e tij, lejohet ta japë sadaka të gjithë pasurinë e tij. Umeri tregon se i Dërguari i Allahut kishte urdhëruar për sadaka, në një kohë që atij i ishte gjendur një pasuri. Kështu Umeri kishte menduar se atë ditë do t’ia kalonte Ebu Bekrit në bamirësi, se asnjëherë nuk ia kishte kaluar atij. Ai çoi për sadaka gjysmën e pasurisë së tij. Kur e pa, Profeti (a.s.) i tha: “Çfarë ke lënë për familjen tënde?” Umeri iu përgjigj se kishte lënë gjysmën tjetër të pasurisë. Ndërkohë, Ebu Bekri u paraqit me të gjithë pasurinë e tij, ndërkohë që sërish Profeti (a.s.) e pyeti: “Çfarë i le familjes tënde o Ebu Bekër?” Ai u përgjigj: “Kam lënë Allahun dhe të Dërguarin e tij për ta”. Pastaj Umeri i tha se kurrë nuk do të mund t’ia kalonte atij në asnjë gjë.[29] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e konsideron hadithin të vërtetë.

Dhënia e gjithë pasurisë

Juristët janë të mendimit se dhënia e gjithë pasurisë është e lejueshme, nëse ai që e bën këtë është i shëndetshëm, mund të fitojë jetesën, i vendosur, i durueshëm, nuk ka borxhe, nuk ka persona nën kujdestari, që e ka për detyrë t’i mbajë. Nëse nuk i përmbush këto kushte, veprimi i tij është mekruh (i papëlqyeshëm).

Xhabiri tregon se, ndërkohë që po rrinin me Pejgamberin (a.s.), u afrua një burrë me diçka të florinjtë që ishte në formën e vezës. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! E mora nga një thesar i groposur, kështu që merre. Është sadaka dhe nuk kam tjetër përveç saj”. Profeti u largua dhe ai iu afrua nga e majta. Atëherë Profeti (a.s.) u largua përsëri nga ai dhe ai iu afrua sërish nga pas. Atëherë, i Dërguari i Allahut e mori atë dhe e gjuajti, mirëpo aq fort, sa po ta kishte zënë do ta kishte goditur. Pastaj ai tha: “Ndodh që dikush nga ju vjen me gjithë pasurinë e tij për ta dhënë për sadaka dhe pas kësaj ai ulet në rrugë dhe lyp nga njerëzit duke shtrirë dorën. Sadakaja jepet nga ai që është i pasur”.[30] Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi. Ky i fundit thotë se hadithi është i vërtetë sipas kushteve të Muslimit. Në vargun e këtij transmetimi gjendet Muhmaed ibën Is’hak (i përfolur).

Dhënia e sadakasë dhimiut dhe jomuslimanit

Sadakaja mund t’i jepet dhimiut ose ushtarit dhe për këtë ka shpërblim. Allahu i ka lavdëruar njerëzit që bëjnë bamirësi, kur ka thënë:

وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا

 “Ata janë që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe atyre që janë zënë robër”. (El-Insan, 8) Fjala “robër” këtu nënkupton ushtarin e zënë rob. Në një ajet tjetër kuranor, Allahu i Madhëruar thotë:

لاَ يَنْهَاكُمْ اللَّهُ عَنْ الَّذِينَ لَمْ يُقَاتِلُوكُمْ فِي الدِّينِ وَلَمْ يُخْرِجُوكُمْ مِنْ دِيَارِكُمْ أَنْ تَبَرُّوهُمْ وَتُقْسِطُوا إِلَيْهِمْ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُقْسِطِينَ

“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë”. (El-Mumtehine, 8)

Esmaja, e bija e Ebu Bekrit, transmeton: “Nëna ime, e cila ishte një idhujtare erdhi tek unë. Unë pyeta të Dërguarin e Allahut, (nëse nëna ime vinte tek unë dhe dëshironte të vendosë lidhje me mua), a ishte e lejuar që dhe unë të vendosja lidhje me të. Ai m’u përgjigj: “Po, vendos lidhje me nënën tënde”.[31]

Bamirësia ndaj kafshëve

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi (a.s.) ka treguar: “Ndërsa një burrë po ecte përgjatë rrugës, ai pati shumë etje dhe gjeti një bunar (pus). Zbriti në të, piu ujë dhe doli prej andej, kur pa një qen që po lëpinte vendin e lagësht rreth bunarit nga etja. Burri mendoi: “Ky qen qenka këputur nga etja njëlloj si unë”. Zbriti përsëri në bunar dhe mori ujë me këpucën e tij, e mbajti atë me gojë derisa u ngjit. Pasi doli nga pusi i dha qenit ujë. Allahu e nderoi për këtë veprim dhe e fali atë”.

E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! A ka shpërblim për ne për kafshët tona? Ai tha: “Shpërblim ka për çdo gjë të gjallë”.[32]

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Një qen po ecte rreth një pusi, ndërkohë që etja po e vriste. Një prostitutë nga Beni Israilët e pa, hoqi kepucën e saj dhe mori ujë për të që t’ia shuante etjen. Për këtë ajo fitoi faljen e Zotit”.[33]

Sadakaja e vazhdueshme

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur vdes një person, veprat e tij përfundojnë, përveç tre gjërave; sadakaja e vazhdueshme, dituria nga e cila përfitojnë të tjerët dhe një fëmijë i mirë që e lut Allahun për të”.[34]

Të falënderuarit për një vepër të mirë

Abdullah ibën Umer transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që kërkon mbrojtjen e Allahut, jepini atij mbrojtje. Kushdo që ju kërkon në emër të Allahut, jepini atij. Kushdo që ju kërkon strehë në emër të Allahut, ndihmojeni atë. Kushdo që ju bën një të mirë shpërblejeni atë dhe nëse nuk gjeni diçka për ta bërë këtë, luteni Allahun për të derisa të mësoni se ai u shpërblye”.[35] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Nesaiu me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Esh’ath ibën Kajs transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Allahun”.[36] Transmetohet nga Ahmedi me transmetues të besueshëm.

Usama ibën Zejd shton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kujt i bëhet një e mirë dhe i thotë atij personi: “Zoti ta shpërbleftë me të mira”, ia ka dhënë hakun falënderimit”.[37] Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i besueshëm.

Zoti është i Gjithëdijshmi dhe të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Atij.

 



[1] Hadith Daif. “El Irva” 885. E ka nxjerrë Tirmidhiu 664, Ibën Hibani 816, Bagaviu 1/186.

[2] Hadith Daif Xhiden – shumë i dobët. “Et Targib” 526. E ka nxjerrë Taberani në “El Kebir” 17/22,23. Ndërsa Tirmidhiu nuk e ka nxjerrë atë.

[3] Buhariu 1442, Muslimi 2333, Ahmedi 5/197.

[4] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 392, “Ed Daife” 5815.

[5] Qoftë ky një person që është viktimë e një padrejtësie, apo një person që nuk ka realisht mundësi.

[6] Buhariu 1445,6022, Muslimi 2330, Nesai 2538.

[7] Buhariu 2707, 2891, 2989, Muslimi 2332, Ahmedi 2/316, 350.

[8] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 575. E ka nxjerrë Ahmedi 5/168, Ibën Asakir 10/105.

[9] Muslimi 2326.

[10] Sahih Ligajrihi. “Et Targib” 2970. E ka nxjerrë Ibën Hibani 3368.

[11] Sahih Ligajrihi. “Et Targib” 2970 b.

[12] Nga kjo dëshmi nxjerrim që muslimani kurrë nuk duhet ta nënvleftësojë vlerën e sadakasë, sado e vogël qoftë ajo.

[13] Buhariu 1417, 6023, Muslimi 2344, 2346, Nesai 2552, Ahmedi 1/388, 446, 4/256, 258, 259.

[14] Muslimi 6501.

[15] Buhariu 6012, Muslimi 3946, Ahmedi 3/147, 192, 243.

[16] Hadith Sahih. “Et Targib” 2684, “El Mishkat” 1910. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1970, Ahmedi 3/344, 360.

[17] Hadith Sahih. “El Irva” 833, 2165. E ka nxjerrë Ebu Daudi 3957, Ahmedi 3/305, 369. Muslimi e ka cekur transmetimin e tij por nuk e ka përmendur tekstin.

[18] Hadith Hasen. “El Irva” 895. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1691, Nesai 2535, Ibën Hibani 828-830, el Hakim 1/415, Ahmedi 2/471. 

[19] Muslimi 2309, Ebu Daudi 1692, Ahmedi 2/160, 193-195.

[20] Një njeri që fsheh një farë urrejtjej ndaj teje.

[21] Hadith Sahih. “El Irva” 892. E ka nxjerrë Ahmedi 3/402, 5/416, Taberani në “El Kebir” 1/153, el Hakim 1/406, Bejhakiu 7/27.

[22] Këtu bëhet fjalë për ata që japin sadaka dhe e zënë shpesh me gojë një gjë të tillë, duke shprehur mendjemadhësi, duke i ofenduar të tjerët dhe duke e hequr veten shumë më lartë se personi të cilit i ka dhënë sadaka. Në këtë rast, sadakaja e personit jo vetëm që është e pavlefshme, por ai ngarkon veten me gjynahe. (Shënim i redaktorit).

[23] Muslimi 289, Ebu Daudi 4087, Tirmidhiu 1211, Nesai 2562, 2563, 4470, 4471, Ibën Maxheh 2208, Ahmedi 5/158, 162, 168.

[24] Muslimi 2343, Tirmidhiu 2989, Ahmedi 2/328, Darimi 2/210.

[25] Buhariu 1410, Muslimi 2340 me shprehje të përafërt, Tirmidhiu 661, Nesai 2525, Ibën Maxheh 1842, Ahmedi 2/331, 381, 382, 418, 6/251, Darimi 1/395, Bejhakiu 4/191.

[26] Buhariu 1425, 1439, 2065, Muslimi 2361, Ebu Daudi 1685, Tirmidhiu 671, Ibën Maxheh 2294, Ahmedi 6/44, 99, 278.

[27] Hadith Hasen. “Et Tealik er Ragib” 2/45. E ka nxjerrë Tirmidhiu 670, Ebu Daudi 3565, Ibën Maxheh 2295.

[28] Buhariu 1434, Muslimi 2373, 2375, Nesai 2550, Ahmedi 6/345, 346, 353, 354.

[29] Hadith Hasen. “El Mishkat” 6021. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1678, Tirmidhiu 3675, Darimi 1/391,392.

[30] Hadith Daif, vetëm se citati “Sadakaja jepet nga ai që është i pasur” është i saktë, pasi ka një transmetim tjetër të tij te Ahmedi 3/346 nga Xhabiri, si dhe tek Buhariu e të tjerë nga Ebu Hurejra. “Tamamul Mineh” 393, “El Irva” 3/316.  E ka nxjerrë Ahmedi 3/330, 346, Ibën Hibani 826, Begaviu 2/2, el Hakim 1/413, Darimi 1/391.

[31] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[32] Buhariu 2363, 2466, 6009, Muslimi 5820, Ebu Daudi 2550, Ahmedi 2/375, 517.

[33] Buhariu 3467, Muslimi 5822, Ahmedi 2/507.

[34] Muslimi 4199, Tirmidhiu 1376, Nesai 3651, Ahmedi 2/372.

[35] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 254. E ka nxjerrë Buhariu në “El Edeb el Mufrad” 216, Ebu Daudi 1672, Nesai 2567, el Hakim 1/412, Bejhakiu 4/199, Ahmedi 2/68, 95, 96, 99, 127.

[36] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 416, “Et Targib” 971, “Sahihul Xhami” 6601. E ka nxjerrë Ahmedi 5/211, 212, Ebu Daudi 4811, Tirmidhiu 1954.

[37] Hadith Sahih. “El Mishkat” 3024, “Et Targib” 969. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2035.