ZEKATI (6)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Njerëzit për të cilët është i ndaluar zekati

Deri tani ne kemi diskutuar shpërndarjen e zekatit dhe kategoritë e njerëzve që e gëzojnë të drejtën për ta marrë atë. Tani do të flasim për ata njerëz, të cilëve u ndalohet ta marrin zekatin. Ata janë:

1- Jobesimtarët dhe ateistët

Juristët bien dakord se jobesimtarët dhe ateistët nuk përfitojnë zekat. Në hadithin ku thuhet: “Zekati merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”, fjala “të pasur” i referohet muslimanëve të pasur dhe fjala “të varfër”, u referohet muslimanëve të varfër.

Ibën El Mundhiri ka thënë se, të gjithë dijetarët bien dakord se një jomuslimani të lirë nuk i jepet zekat. Përjashtim bëjnë ata njerëz, zemrat e të cilëve janë të prirura drejt Islamit.

Megjithatë, lejohet t’i japësh një jomuslimani të lirë nga bamirësia vullnetare (e padetyrueshme). Duke aluduar mbi karakteristikat e besimtarëve Kurani thotë:

وَيُطْعِمُونَ الطَّعَامَ عَلَى حُبِّهِ مِسْكِينًا وَيَتِيمًا وَأَسِيرًا

“Ata janë që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe atyre që janë zënë robër”. (El-Insan, 8)

Kjo mbështetet gjithashtu nga hadithi vijues: “Mbaji lidhjet me nënën tënde”.[1] Gruaja, në këtë rast ishte një idhujtare.

2- Benu Hashim (pasardhësit e Profetit a.s.)

Kjo përfshin familjet e Aliut, Ukejlit, Xhaferit, Abasit dhe Harithit.

Ibën Kudame thotë se nuk ka ditur ndonjë mospajtim midis dijetarëve  përsa i përket ndalimit të Benu Hashimit për të marrë zekat.

Profeti (a.s.) ka deklaruar: “Me të vërtetë sadakaja nuk duhet t’i jepet familjes së Muhamedit. Ato janë psuri të përlyera të njerëzve”.[2] Transmeton Muslimi.

Ebu Hurejra tregon se, kur Hasani mori një hurmë nga hurmat e sadakasë, Profeti (a.s.) iu drejtua dhe i tha: “Pështyje (nxirre) atë! A nuk e di ti se ne nuk duhet të hamë nga sadakatë?!”[3]Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Përsa i përket të drejtës së Benu El Mutalib për zekat, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Shafiu ka mendimin se, si Benu Hashim edhe Benu El Mutalib u ndalohet të marrin zekat. Për ta mbështetur këtë ide, Shafiu, Ahmedi dhe Buhariu transmetojnë nga Xhubejr ibën Mut’im, i cili ka thënë: “Në betejën e Hajberit, Profeti (a.s.) e anuloi pjesën e të afërmve të familjes së Benu Hashimit dhe Benu El Mutalibit dhe la pjesën e Benu Naufel dhe Benu Abdushems. Unë dhe Othman ibën Afani shkuam te Profeti (a.s.) dhe i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Mos ia moho Benu Hashimit mirësinë e pozitës së tyre, pasi Allahu të vendosi ty ndërmjet tyre. Po përsa i përket vëllezërve tanë Benu El Mutalib, ti u dhe atyre dhe na le ne. A nuk është lidhja jonë e njëjtë?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Unë dhe Benu El Mutalib nuk jemi ndarë as gjatë injorancës dhe as në Islam. Ne dhe ata jemi një”. Pastaj ai ka ndërthurur gishtat e tij për të treguar lidhjen e ngushtë midis tyre.[4]

Ibën Hazmi thotë: “Arsyeja të çon se, nuk duhen bërë dallime ndërmjet tyre në asnjë çështje ligjore, sepse sipas thënies së Profetit (a.s.) ata janë një. Është e qartë se ata janë familja e Muhamedit dhe për këtë sadakatë janë të ndaluara për ta. Ebu Hanife është i mendimit se familja e Benu El Mutalibit mund të marrë zekat. Të dyja transmetimet e mësipërme janë transmetuar nga Ahmedi dhe shprehin pikëpamjen e tij.

Muhamedi (a.s.) ashtu siç e bëri të paligjshme lëmoshën për familjen e Benu Hashimit, po ashtu ai e bëri të paligjshme për ata që gëzojnë mbrojtjen e tyre.

Ebu Rafi, një ndër personat që kanë qenë nën mbrojtjen e Profetit (a.s.), ka thënë se i Dërguari i Allahut caktoi një burrë nga familja e Benu Mahzumit për të mbledhur sadakatë. Ky burrë i tha Ebu Rafit: “Më shoqëro që të marrësh një pjesë prej saj”. Ai nuk pranoi, derisa ta takonte të Dërguarin e Allahut dhe ta pyeste vetë. Shkoi te Profeti (a.s.) dhe e pyeti në lidhje me këtë çështje. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Sadakaja nuk është e ligjshme për ne dhe personat që ishin skllevërit e një fisi të caktuar kanë qenë të njëjtë me ta (trajtohen si anëtarë të atij fisi)”.[5] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson hadithin si të vërtetë.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme, nëse është apo jo e ligjshme sadakaja vullnetare për familjen e Profetit (a.s.).

Sheukani, pasi i ka përmbledhur mendimet për këtë temë, thotë se kuptimi sipërfaqësor i hadithit të Profetit: “Sadakaja është e paligjshme për ne” është se, si sadakaja e detyrueshme, ashtu dhe ajo vullnetare janë të paligjshme për ta. Një grup dijetarësh, përfshi këtu edhe El Hatabin, mendojnë se ky ndalim për Profetin (a.s.) bazohet në konsensus. Duke u bazuar në transmetimin e Shafiut, shumë të tjerë kanë vendosur se, ndalimi i zekatit për Profetin nuk e përfshin sadakanë vullnetare. Një transmetim nga Ahmedi thotë të njëjtën gjë, por Ibën Kudame nuk i pranon të gjitha këto trasmetime, për shkak të mungesës së provave të qarta.

Përsa i përket familjes së Profetit (a.s.), shumica e hanefive, shafive, hanbelive dhe pjesa më e madhe e zejdive kanë mendimin se sadakaja vullnetare është e lejuar për familjen e Profetit, por ajo e detyrueshme nuk është e tillë, përderisa për ta kjo e fundit është veç një mall i përlyer që del nga pasuria e njerëzve. Kjo do të thotë se, zekati është i ndaluar për ta dhe jo sadakaja vullnetare. Në “El Bahr” thuhet se sadakaja vullnetare është e kufizuar në donacion ose dhurim. Ebu Jusufi dhe Ebu El Abasi janë të mendimit se ajo është e paligjshme për ta, pasi është sadaka e caktuar dhe nuk ka argumente për të kundërtën.[6]

3. Baballarët dhe bijtë:

Juristët bien dakord se nuk është e lejueshme për dikë t’ia japë zekatin babait, gjyshit, nënës, gjyshes, djalit, nipit, vajzës dhe fëmijëve të saj, pasi paguesi i zekatit gjithsesi është i detyruar të kujdeset për këta njerëz.

Në rast të varfërisë së tyre, ata duhet të varen nga bujaria e tij pasi është e drejta e tyre. Kështu, nëse ai u paguan zekat atyre, ai përfiton për veten e tij dhe shmang detyrimin e mbështetjes për ta. Maliku i përjashton gjyshin, gjyshen, nipërit dhe mbesat, pasi nuk është obligimi i një personi t’i mbështesë (mbajë) ata, nëse janë të varfër.[7] Megjithatë, nëse ata janë të pasur dhe luftojnë në rrugë të Allahut, paguesi i zekatit mund t’u japë një pjesë të këtij zekati të caktuar për ata që luftojnë ne rrugë të Allahut. Ai mund t’u japë gjithashtu një pjesë nga ajo e caktuar për debitorët, megjithëse ai nuk është i detyruar të shlyejë borxhet e tyre. Po ashtu, mund t’u japë një pjesë nga sasia e lënë mënjanë për mbledhësit e zekatit, duke marrë parasysh se ata janë pjesë e kësaj kategorie.

4. Bashkëshortja:

Ibën El Mundhiri thotë se të gjithë dijetarët janë të mendimit se burri nuk është i detyruar t’i japë gruas së tij zekat, pasi ai tashmë është i detyruar të jetë mbështetës për të, vetëm në rast se ajo është në borxhe. Në atë rast, asaj mund t’i jepet nga pjesa e debitorëve për të shlyer borxhin e saj.

5. Shpërndarja e zekatit për të fituar kënaqësinë e Allahut:

Nuk lejohet të shpërndash zekat, duke pasur për qëllim afrimin me Allahun, ndryshe nga ajo çka Ai ka përmendur në ajetin kuranor:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَاِبْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنْ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“Allahu caktoi obligim që zekati t’u takojë vetëm të varfërve, nevojtarëve. (Et-Teube, 60).

Kështu, zekati nuk mund të paguhet për ndërtimin e xhamive, urave, riparimin e rrugëve, mbështjelljen me qefin të të vdekurve e të tjera si këto. Ebu Daudi përmend se ka dëgjuar Ahmedin kur dikush po e pyeste nëse lejohej shpenzimi i një pjese të zekatit për mbështjelljen e të vdekurit. Ai ka thënë: “Jo! As nuk mund të përdoret për të shlyer borxhet e të vdekurit”[8]. Pastaj ai ka thënë se njeriu mund të paguajë borxhet e një personi të gjallë nga zekati, por nuk mund ta bëjë këtë për borxhet e një të vdekuri, pasi për personin që vdes nuk ka borxhe. Gjithashtu, Ahmedi është pyetur, nëse është e lejueshme t’u jepet ndihmë familjarëve për të larë borxhet dhe ai është përgjigjur se një gjë e tillë është e mundur.

Kush e shpërndan zekatin?

Profeti (a.s.) dërgonte njerëz të autorizuar për të mbledhur zekatin. Pastaj ai e shpërndante atë për njerëzit që e meritonin. Po ashtu, Ebu Bekri (r.a.) dhe Umeri (r.a.) kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Nuk ka ndryshim midis pasurisë objektive (bimët, frutat, gjedhi dhe mineralet) dhe asaj subjektive (mallrat e tregtisë, ari, argjendi dhe thesari).

Kur Othmani (r.a.) u bë kalif, ai e ndoqi këtë praktikë për një kohë të shkurtër. Më vonë, kur ai pa se pasuria subjektive u shumua dhe kërkimi i saj vinte në vështirësi bashkësinë e njerëzve gjatë kontrollit të saj, ai e la pagesën e një zekati të tillë në ndërgjegjen e njerëzve.[9]

Juristët pajtohen me idenë se, vetë pronarët duhet të marrin përsipër shpërndarjen e zekatit, veçanërisht kur kemi të bëjmë me pasuri të tilla.

Saib ibën Jezidi tregon: “Një herë e kam dëgjuar Othman ibën Afanin duke mbajtur hytbe në minberin e të Dërguarit të Allahut dhe thoshte: “Ky është muaji i zekatit tuaj. Nëse ndonjë ka ndonjë borxh, le ta paguajë në mënyrë që pasuria e tij të shpëtojë nga borxhet. Pastaj mund të paguani zekat për to (pronat tuaja)”.[10] Këtë hadith e transmeton Bejhakiu me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Neveviu thotë se dijetarët bien dakord me këtë praktikë. Lind pyetja: A është më e pëlqyeshme për pronarët ta shpërndajnë zekatin për pasurinë e tyre subjektive apo është më mirë që këtë ta bëjë udhëheqësi?

Për këtë temë ka më shumë se nje mendim. Zgjidhja e pëlqyer midis shafive është se zekati duhet t’i paguhet udhëheqësit, veçanërisht kur është një qeveri e drejtë. Sipas hanbelive, është e pëlqyeshme që paguesi i zekatit ta shpërndajë atë vetë, megjithëse është e lejuar që t’ia japë edhe udhëheqësit. Nga ana tjetër, Maliku dhe hanefitë janë të mendimit se, nëse pasuria nuk është subjektive, udhëheqësi musliman dhe njerëzit e tij kanë të drejtë ta kërkojnë dhe ta marrin zekatin e saj. Mendimi i shafive dhe hanbelive rreth pasurisë subjektive dhe asaj objektive është i njëjtë.

Dhënia e pagesës së zekatit udhëheqësit, qoftë ai i drejtë ose jo

Duke marrë parasysh se udhëheqësi drejton sipas ligjeve islame, lejohet t’ia japësh atij zekatin, qoftë udhëheqësi në fjalë i drejtë apo jo. Pronari i pasurisë heq nga vetja përgjegjësinë, duke ia paguar zekatin udhëheqësit. Nëse imami apo drejtuesi i shtetit nuk e shpërndan zekatin ashtu siç duhet, është e pëlqyeshme që pronari ta bëjë vetë këtë, vetëm nëse udhëheqësi ose vartësit e tij ia kërkojnë atij këtë.

Enesi transmeton: “Një burrë nga fisi Benu Tamim shkoi tek Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë ia paguaj zekatin përfaqësuesit tuaj, a e shlyej përgjegjësinë time te Allahu dhe i Dërguari i Tij?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po. Nëse ua paguan përfaqësuesve të mi, e ke shpëtuar veten tënde. Shpërblimet e saj janë tuat dhe gjynahet janë për atë që e keqpërdor atë”.[11] Këtë hadith e transmeton Ahmedi.

Ibën Mesudi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pas meje do të ketë egoizëm dhe ju do t’i mohoni detyrimet”. Ata që e dëgjuan, i thanë: “Çfarë na këshillon të bëjmë o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “Paguani detyrimet tuaja dhe kërkoni prej Allahut atë që është e mirë për ju”.[12] Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Uail ibën Huxhër tregon: “Unë e kam dëgjuar Pejgamberin (a.s.) të ketë thënë, kur një burrë e kishte kërkuar mendimin e tij për udhëheqësit që mohonin të drejtat e tyre (të mbledhjes dhe shpërndarjes së zekatit) dhe kërkonin të drejtat e veta: “Dëgjoni dhe binduni, pasi me të vërtetë që ata kanë përgjegjësitë e tyre dhe ju keni tuajat”.[13] Transmetohet nga Muslimi.

Duke komentuar rreth kësaj teme, Sheukani thotë se hadithet e përmendura në këtë kapitull përdoren nga shumë dijetarë në lejimin e dorëzimit të zekatit tek udhëheqësit e padrejtë. Këtu bëhet fjalë për udhëheqësin e muslimanëve në shtetin islam (Dar El Islam).

Përsa i përket qeverive muslimane bashkëkohore, Shejh Rashid Rida ka mendimin se sot për sot, shumica e muslimanëve nuk kanë një qeveri islame që të vendosë Sheriatin, ta propagandojë dhe ta mbrojë atë. Po ashtu, nuk ka shtet të bëjë thirrje për xhihad individual dhe kolektiv, të zbatojë urdhëresat hyjnore, të mbledhë dhe të shpërndajë zekatin sipas rregullave të vendosura nga Allahu i Lartësuar. Disa udhëheqës muslimanë janë nën ndikimin e fuqive perëndimore, ndërsa të tjerë janë nën tutelën e politeistëve. Këto fuqi të huaja i përdorin udhëheqësit muslimanë për të nënshtruar njerëzit në emër të Islamit, duke e shkatërruar vetë Islamin. Ata përdorin ndikimin e udhëheqësve muslimanë dhe burimet muslimane, duke përfshirë këtu zekatin dhe dhurimin për të çuar më tej interesat e tyre. Prandaj, nuk lejohet që liderëve të tillë t’u dorëzohet ndonjë pjesë e zekatit, pavarësisht nga profesioni dhe titulli që gëzojnë.

Përsa i përket pjesës tjetër të qeverive islame, udhëheqësit e të cilave janë muslimanë të mirë, e shfaqin atë dhe financat e tyre nuk kontrollohen nga të huajt, atyre duhet t’u jepet pagesa e zekatit të pasurive të ndryshme, kur ata e kërkojnë një gjë të tillë, edhe nëse ata janë të padrejtë në disa nga gjykimet e tyre, siç thuhet nga juristët.

Zekati preferohet t’u jepet njerëzve të mirë

Zekati i jepet një muslimani duke marrë parasysh se e gëzon të drejtën për ta marrë atë. Nuk ka rëndësi nëse ai është i mirë apo me gabime. Megjithatë, nëse dihet se ai do ta përdorë atë për të kryer veprime që janë të ndaluara nga Allahu, në këtë rast nuk është e lejuar që atij t’i jepet zekat. Transmetohet nga Ebu Seid El Hudri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Çështja e besimtarit dhe e besimit është e ngjashme me atë të kalit që është i lidhur tek kunji i tij dhe pasi ecën e ecën vërdallë përsëri kthehet tek ai. Besimtari mund të harrojë, por ai kthehet tek besimi i tij. Për këtë, jepjani ushqimin tuaj të drejtëve dhe bëni mirësi me besimtarët”.[14] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të besueshëm dhe Sujuti e vlerëson atë si hasen.

Ibën Tejmije thotë se nevojtarit që lë namazin, nuk duhet t’i jepet asgjë, derisa të pendohet dhe të kthehet të falet përsëri, pasi lënia e namazit është një gabim tepër i rëndë. Nuk është e drejtë që dikush që bën një gabim të tillë të ndihmohet financiarisht, derisa të pendohet tek Allahu.

Në një kategori me personat që lënë namazin hyjnë dhe ata që ofendojnë të tjerët, nuk turpërohen nga veprimet e këqija dhe nuk pendohen. Gjithashtu, nuk lejohet t’u jepet zekati personave me ndërgjegje jo të pastër, që nuk dallojnë të mirën nga e keqja dhe kanë një karakter të shformuar. Këtyre u jepet, vetëm në rast se veprimi në fjalë do t’i ndihmonte ata për të përmirësuar veten e tyre dhe për t’u kthyer në rrugë të drejtë.

Paguesit të zekatit nuk i lejohet të blejë përsëri atë që ka dhënë për bamirësi

Profeti (a.s.) i ndaloi ata që japin zekatin ta blejnë sërish atë që kanë dhënë për hir të Allahut të Madhëruar. Kjo i ngjan rastit të atyre që ishin larguar nga Meka si emigrantë, të cilët Profeti (a.s.) i kishte ndaluar të ktheheshin atje përsëri.

Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri se, njëherë Umeri dha për hir të Allahut si sadaka një kalë. Më vonë ai donte ta blinte atë përsëri. Kështu, ai e pyeti të Dërguarin e Allahut, nëse mund ta bënte këtë. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Mos e ble përsëri atë që ke dhënë për bamirësi dhe mos u kthe në sadakanë tënde”.[15] Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Neveviu thotë se kjo ndalesë nuk është e shkallës së prerë, por është një ndalim i formës së urryer. Është e papëlqyeshme që një person të blejë përsëri atë që ka dhënë për bamirësi, si një pendesë për një premtim të bërë e çdo lloj gjëje e kësaj natyre që e afron dikë me Allahun. Kjo vlen dhe për një dhuratë, që dikush e ka marrë nga një person tjetër që nuk mund ta ketë në zotërim, madje dhe nëse ia lejon ai që e mori. Megjithatë, ai mund ta marrë atë, nëse e trashëgon më vonë. Sipas Ibën Batalit, shumë dijetarë nuk e pëlqenin që dikush të blinte atë që kishte dhënë më parë në bamirësi. Kjo gjë përputhet me hadithin e Umerit.

Ibën El Mundhiri thotë se Hasani, Ikrima, Rabia dhe Euzai e lejuan blerjen e sadakasë së dhënë. Po ashtu, Ibën Hazmi ka të njëjtin mendim bazuar në hadithin që transmeton Ebu Seid El Hudri, në të cilin i Dërguari i Allahut ka thënë: “Sadakaja nuk u jepet të pasurve, përveç pesë grupeve: mbledhësit të saj; një burrë që e ka blerë atë me pasurinë e tij; ai që ka borxhe; një luftëtar në rrugë të Allahut dhe dikush që ka një komshi të varfër, të cilit i ka dhënë zekatin dhe pastaj ai ia ka kthyer të pasurit në formën e dhuratës”.[16]

Parapëlqimi për t’i dhënë zekat bashkëshortit ose të afërmve

Bashkëshorti i varfër përfshihet në zekatin e gruas së tij të pasur, megjithëse nuk është ajo që duhet ta mbajë atë. Shpërblimi i saj për këtë gjë është më i madh, sesa t’ia jepte ndonjë të huaji.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Zejnebja, gruaja e Ibën Mesudit, i ka thënë Profetit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Me të vërtetë ti na urdhërove sot të japim sadaka dhe unë kam disa stoli që doja t’i jepja për sadaka, por Ibën Mesudi thotë që ai dhe fëmijët e tij e meritojnë më shumë atë sadaka se kushdo tjetër”. Profeti (a.s.) i tha: “Ibën Mesudi ka të drejtë. Burri dhe fëmijët e tu e meritojnë më shumë”.[17] Transmeton Buhariu.

Po ashtu, Shafiu, Ibën El Mundhiri, Ebu Jusufi, Muhamedi, dhahiritë dhe një transmetim i Ahmedit e mbështesin këtë mendim.

Ebu Hanife dhe dijetarë të tjerë kanë mendim tjetër, duke thënë se gruas nuk i lejohet t’i japë sadaka burrit të saj. Ata mbrojnë idenë se hadithi i Zejnebes bën fjalë për sadakanë vullnetare dhe jo për atë që është e detyruar.

Maliku mendon se nuk i lejohet burrit ta shpenzojë për vete sadakanë që merr nga gruaja e tij. Nuk përbën ndonjë problem, nëse e shpenzon për qëllime të tjera.

Megjithatë, mendimi i shumicës së dijetarëve është se: vëllezërit, motrat, dajallarët, tezet, xhaxhallarët dhe hallat, nëse e gëzojnë të drejtën për të përfituar zekat, mund ta marrin atë. Mendimi i tyre bazohet në hadithin që thotë: “Sadakaja për të varfërin shpërblehet si një sadaka, ndërsa në rastin e një të afërmi, konsiderohen si dy të tilla: (një shpërblim) për lidhjen e gjakut dhe (shpërblimi tjetër) për vetë sadakanë”.[18] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson hadithin si hasen.

Dhënia e zekatit për ata që kërkojnë dije fetare

Neveviu thotë se dikujt që i jepet mundësia për të fituar një jetesë të përshtatshme dhe dëshiron të merret me studimin e disa shkencave fetare, por puna e tij nuk do ta lejonte këtë, atëherë atij mund t’i jepet sadaka, pasi kërkimi i diturisë konsiderohet si detyrim i kufizuar (farz kifaje). Zekati nuk lejohet për atë që është i aftë ta fitojë vetë jetesën.

Neveviu thotë se ata që bëjnë vepra vullnetare në adhurim ose të tjerë që nuk kanë kohë të sigurojnë jetesën e tyre, pasi janë të zënë me punë vullnetare, atyre nuk u jepet zekat, sepse, ndryshe nga ai që kërkon dituri, në këtë rast nga dhurimi i zekatit është vetëm ai që përfiton dhe jo një pjesë e bashkësisë islame.

Larja e borxheve me anë të zekatit

Neveviu thotë në librin e tij “El Maxhmu” për këtë çështje: “Supozojmë se një person që i detyrohet dikujt një borxh dhe në të njëjtën kohë klasifikohet për pagesën e zekatin. Kur zekati është detyë, ai i thotë atij që i ka marrë borxhin: “Këtë po e jap në emër të zekatit”. Në këtë rast a do të ishte e pranueshme?

Neveviu thotë se ka dy mendime për këtë. Sipas Ahmedit dhe Ebu Hanifes që mbrojnë mendimin më të mirë, nuk quhet si zekat, pasi zekati nuk shlyhet, derisa të jetë paguar. Hasan El Basriu dhe Atau mendojnë se përgjegjësia e zekatit shlyhet, megjithëse zekati nuk paguhet nga personi në atë kohë të caktuar. Në të njëjtën mënyrë, nëse individi me mirëbesim ia dorëzon një shumë parash një personi tjetër në ruajtje dhe në kohën e zekatit ai ia lë shumën atij për të shlyer zekatin e tij (si zekat për të), kjo gjë është e vlefshme.

Megjithatë, juristët bien dakord se, nëse një person ia paguan zekatin një tjetri, i cili i detyrohet atij para dhe pastaj ia merr përsëri, si larje e borxhit që i kishte ai tjetri, nuk e shlyen detyrimin e zekatit.

Gjithashtu, nuk është e vlefshme që një person të pranojë zekat nga dikush, të cilit i detyrohet ndonjë borxh, me kushtin që do t’ia kthejë mbrapsht atij për t’i shlyer borxhin. Megjithatë, nëse në momentin e dhënies së borxhit të dy kanë rënë dakord për të vepruar kështu, megjithëse nuk përmendet në marrëveshje, kjo do të jetë e vlefshme për zekat.

Transferimi i zekatit

Juristët bien dakord se zekati mund të transferohet nga një vend në tjetrin, në rast se nevojat e banorëve të vendit nga i cili është transferuar ai zekat janë plotësuar. Një numër i madh hadithesh theksojnë nevojën e shpërndarjes së zekatit ndërmjet të varfërve dhe nevojtarëve të vendit nga është mbledhur. Kjo, pasi zekati synon të shpëtojë nga nevoja banorët e varfër të vendit, ku është mbledhur dhe transferimi i tij do të çonte në mohimin e kësaj të drejte.

Kjo gjë mbështetet nga hadithi i Muadhit: “Thuaju atyre se ka një sadaka të detyrueshme që u merret të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”.[19]

Ebu Xhuhejfe transmeton se mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) kishte shkuar tek ata dhe kishte marrë zekatin nga të pasurit e tyre dhe ua kishte dhënë të varfërve të tyre. Ebu Xhuhejfe citon se atëherë ishte jetim dhe kishte përfituar një deve të re femër.[20] Transmetohet nga Tirmidhiu, i cili e ka vlerësuar si hasen.

Imran ibën Husejn tregon se ai u punësua si mbledhës i sadakasë. Kur u kthye nga detyra, e pyetën se ku ishte sasia e mbedhur. Ai u përgjigj: “A nuk më dërguat për të mbledhur? Ne e morëm zekatin dhe e ndamë atë, ashtu siç bënim në kohën e Profetit (a.s.)”.[21] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Për të njëjtën temë, Tausi thotë se Muadhi kishte shkruar në letrën e tij se, kushdo që lëvizte nga një vend në tjetrin, sadakaja e tij dhe një e dhjeta mbeteshin në vendin e fisit të tij.[22] Këtë e transmeton El Ethrami në librin e tij të hadithit.

Duke u bazuar në hadithe të tilla, juristët thonë se të varfërit e një vendi kanë prioritet për ta marrë zekatin e atij vendi më tepër se të varfërit e ndonjë vendi tjetër. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme me kushtet që duhet të plotësohen, përpara se zekati të transferohet nga një vend në tjetrin.

Hanefitë mendojnë se transferimi i zekatit është i papëlqyeshëm. Kjo mund të bëhet vetëm në rast se është për të afërmit nevojtarë dhe i shërben lidhjes së gjakut ose kur nevojat e një grupi muslimanësh janë më të theksuara se ato të vendit ku është mbledhur. Për shembull, kur kjo është e lidhur ngushtë me interesin e përgjithshëm të muslimanëve, kur kërkohet nga një vend në luftë kundër muslimanëve në tokën e tyre, kur është caktuar për një dijetar ose kur zekati paguhet para përmbushjes së haulit. Në këto raste transferimi i zekatit nuk është i papëlqyeshëm.

Shafitë janë të mendimit se transferimi i zekatit nuk lejohet dhe ai duhet shpenzuar në vendet nga është mbledhur, vetëm në rast se nuk ka të varfër ose kategori të tjera që e përfitojnë zekatin në atë vend. Amër ibën Shuajbi transmeton se i Dërguari i Allahut caktoi Muadh ibën Xhebelin në një pozitë në Xhund, ku ky i fundit qëndroi deri në vdekjen e Profetit (a.s.). Pas vdekjes së Profetit (a.s.), ai shkoi tek Umeri (r.a.), i cili e ngarkoi përsëri me këtë detyrë. Muadhi i dërgoi Umerit (r.a.) një të tretën e sadakave të mbledhura nga njerëzit e atij vendi, por Umerit (r.a.) nuk i pëlqeu kjo gjë dhe i tha: “Unë nuk të caktova të shkoje atje si taksambledhës, as si marrës i xhizjes. Unë të caktova të mblidhje sadakatë nga të pasurit dhe t’ua jepje të varfërve të tyre”. Muadhi u përgjigj: “Nuk do të të kisha dërguar asgjë, po të kisha gjetur ndonjë që pranonte atë prej meje”. Vitin e dytë ai i dërgoi gjysmën e sadakave të mbledhura dhe ndodhi po i njëjti diskutim. Vitin e tretë ai e dërgoi të gjithë sadakanë e mbledhur dhe Umeri (r.a.) përsëri debatoi me të. Muadhi u përgjigj: “Nuk gjeta ndonjë që të kishte nevojë të merrte diçka prej meje”.[23] Kjo transmetohet nga Ebu Ubejd.

Maliku mendon se transferimi i zekatit lejohet të bëhet vetëm kur është tepër e nevojshme. Administrata, pasi t’i marrë parasysh të gjitha faktet, mund ta dërgojë atë në një vend tjetër. Hanbelitë thonë se nuk lejohet ta transferosh zekatin nga vendi ku është mbledhur në një vend tjetër larg tij. Ai duhet të shpenzohet në vendin që mblidhet ose afër tij, por jo jashtë kufirit, në të cilin aplikohet shkurtimi i namazit për shkak të largësisë së tij.

Ebu Daudi thotë se e ka dëgjuar Ahmedin duke thëne se nuk është e mundur të transferohet zekati nga një vend në vendin tjetër. Kur e pyetën për të afërmit (e atij që paguan zekat) nëse ndodheshin në një vend tjetër, ai tha: “Jo! Ai mund të transferohet, vetëm kur të jenë plotësuar nevojat e banorëve të vendit”. Ai e bazon mendimin e tij tek hadithi i mësipërm i Ebu Ubejdes.

Ibën Kudame mendon se, edhe nëse paguesi i zekatit i shkel kushtet e mësipërme, duke e transferuar zekatin e tij, ai e ka plotësuar detyrimin. Ky mendim mbrohet nga shumica e dijetarëve.

Kur dikush qëndron në një vend dhe ndodh që pasuria e tij është në një vend tjetër, duhet t’i jepet përparësi vendit ku është pasuria, pasi kjo pasuri ka dhënë zekatin dhe njerëzit që e meritojnë do të jenë duke pritur për të. Nëse një pjesë e pasurive janë në të njëjtin vend që ndodhet pronari dhe pjesa tjetër në një vend tjetër, zekati do të paguhet për secilën pjesë në vendin e vet.

Përsa i përket zekatit të Fitrit, ai ndahet në vendin ku është pronari, ndodhen apo nuk ndodhen aty pasuritë e paguesit. Kjo, pasi ky lloj zekati është i lidhur më shumë me personin sesa me pasurinë e tij.

Disa gabime në shpërndarjen e zekatit

Çështja e atyre që përfitojnë ose nuk përfitojnë zekat tashmë u trajtua. Por, ndodh që paguesi i zekatit ia jep atë një personi që nuk e meriton, në vend të një tjetri që e ka këtë të drejtë. Lind pyetja: Për këtë gabim që ai bën a do të konsiderohet i shlyer detyrimi i zekatit apo ai do ta ketë përsëri mbi vete derisa t’ia paguajë atij që e meriton? Juristët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë pikë.

Ata që mendojnë se personi nuk duhet të paguajë zekat tjetër janë Ebu Hanife, Muhamedi, Hasani dhe Ebu Ubejde.

Ma’an ibën Jezid tregon se babai i kishte lënë mënjanë disa dinarë për sadaka dhe ia dha një burri në xhami. Ky kishte shkuar, ia kishte marrë dhe ia kishte dhënë babait. Babai nuk e kishte pranuar një gjë të tillë duke i thënë: “Pasha Allahun, nuk kam pasur për qëllim t’i jap ty”. Më pas ky ishte këshilluar me Profetin dhe ai i kishte thënë: “O Jezid! Ty të takon ajo që pate për qëllim dhe ty o Ma’an të takon ajo që ke marrë”.[24] Transmetohet nga Ahmedi dhe Buhariu.

Kuptimi i hadithit është se sadakaja në këtë rast mund të ketë qenë vullnetare, megjithëse fjalët e përdorura në këtë hadith tregojnë përgjithësim.

Ebu Hanife dhe Muhamedi mbështeten në qëndrimin e tyre nga një hadith i Ebu Hurejres, në të cilin thuhet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Një burrë (nga Benu Israilët) i tha vetes: Sonte do të jap diçka për sadaka. Doli jashtë dhe ia dha, pa e ditur, sadakanë e tij një hajduti. Njerëzit filluan të flasin se atë ditë i ishte dhënë sadaka një hajduti. (Kur e mori vesh) Ai tha: I lavdëruar qofsh O Allah! Patjetër që do të jap përsëri sadaka. Doli jashtë dhe ia dha pa e ditur sadakanë e tij një gruaje imorale. Njerëzit filluan të flasin se atë ditë i ishte dhënë sadaka një gruaje imorale. (Kur e mori vesh) Burri tha: I lavdëruar qofsh O Allah! (Ia dhashë sadakanë time) Një imoraleje. Patjetër që do të jap përsëri sadaka. Kështu, doli jashtë përsëri dhe pa e ditur ia dha sadakanë e tij një të pasuri. Mëngjesin tjetër njerëzit i thanë se një natë më parë ia kishte dhënë sadakanë e tij një të pasuri. Ai tha sërish: I lavdëruar qofsh O Allah! (Ia dhashë sadakanë time) Një hajduti, një imoraleje dhe një të pasuri. Ai shikon në ëndërr dikë që i thotë: Sadakaja që i dhe hajdutit mund ta ndalojë atë nga vjedhja, ajo që i dhe asaj që ishte imorale mund ta ndalojë nga imoraliteti i saj dhe ajo që i dhe të pasurit mund ta mësojë se si ta shpenzojë pasurinë që ia ka dhënë Allahu në rrugën e Tij”.[25]Transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Pejgamberi (a.s.) i tha një burri që i kërkoi zekat: “Nëse do të kishe të drejtë të merrje zekat, do të ta kisha dhënë pjesën tënde” [Hadith Daif; siç u përmend më sipër]. Profeti u dha zekat dy personave duke u thënë: “Nëse doni sadaka, unë ju jap prej saj, por nuk ka pjesë në të për të pasurin dhe për një njeri të shëndetshëm që është i aftë të fitojë vetë”.[26]

Ibën Kudame e komenton këtë se, nëse ai do të kishte marrë parasysh gjendjen e të pasurve, nuk do të kishte qenë i kënaqur me atë çfarë ata thanë (rreth kësaj çështjeje).

Mendimi i Malikut, Shafiut, Ebu Jusufit, El Thaurit dhe Ibën El Mundhirit është se nuk shlyhet përgjegjësia e zekatit, nëse personi që e ndan atë ia jep dikujt që nuk e meriton, veçanërisht kur kjo gjë është e qartë. Ai duhet ta paguajë përsëri zekatin tek një person që e meriton atë, nëse kemi të bëjmë me një rast të tillë. Kjo i përngjan pagimit të borxheve.

Ahmedi thotë se ka dy mendime rreth një personi që ia jep zekatin e tij një të varfëri dhe më vonë merr vesh se ai është i pasur. Sipas mendimit të parë të tij zekati quhet i paguar, ndërsa mendimi i dytë është se ai nuk duhet të konsiderohet i paguar.

Kur mësohet se ai që e ka marrë zekatin ka qenë një skllav, një jobesimtar, një pjesëtar i familjes së Profetit apo një i afërm i atij që paguan zekat që nuk ka të drejtë ta marrë atë, atëherë detyrimi nuk është shlyer. Arsyeja pse është e vështirë të dallohet kush është i pasur dhe kush është i varfër tregohet në Kuran:

 يَحْسَبُهُمْ الْجَاهِلُ أَغْنِيَاءَ مِنْ التَّعَفُّفِ

“Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin”. (El-Bekare, 273)

Të shfaqurit e sadakasë

Sadakaja, qoftë ajo vullnetare apo e detyrueshme, mund të shfaqet, përderisa personi nuk e bën këtë veprim për tu dukur, megjithëse më mirë është që ajo të mos tregohet.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

إِنْ تُبْدُوا الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ وَإِنْ تُخْفُوهَا وَتُؤْتُوهَا الْفُقَرَاءَ فَهُوَ خَيْرٌ لَكُمْ ٌ

“Nëse i jepni lëmoshat haptas, nuk përbën problem, por nëse ua jepni fshehtas të varfërve ajo është më e mirë për ju…”. (El-Bekare, 271)

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi tregojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish do të jenë nën hijen e Allahut atë ditë që nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij. Ata janë: Udhëheqësi i drejtë; i riu që rritet në adhurim për Allahun; njeriu që e ka zemrën të lidhur me xhaminë; dy njerëz që duhen për hir të Allahut duke u takuar dhe ndarë (për hir të Tij) në rrugë të Tij; ai që e jep sadakanë aq fshehtas, saqë dora e majtë nuk e di çfarë jep e djathta; një njeri që e kujton Allahun në vetmi dhe qan dhe një burrë që refuzon një grua të bukur e me pushtet (kur ajo e fton për imoralitet), duke i thënë se i frikësohet Allahut të Madhëruar”.[27]

SADAKAJA VULLNETARE

Vijon … 



[1] Buhariu 2620, 3183, 5978, 5979, Muslimi 2321,2322, Ebu Daudi 1668, Ahmedi 6/344, 347.

[2] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[3] Buhariu 1491, 3072, Muslimi 2470, Darimi 1/386, 387, Ahmedi 2/409, 444, 476.

[4] Buhariu 3140 me shprehje tjetër, Ebu Daudi 2980.

[5] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1613, “El Irva” 880, “Sahihul Xhami” 1663. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1650, Tirmidhiu 657, Nesai 2612, el Hakim 1/404, Ahmedi 6/10, 390.

[6] Ky është mendimi më i saktë.

[7] Ibën Tejmije lejon dhënien e zekatit prindërve, nëse nuk ka mundësi t’i mbështesë ata drejtpërdrejtë nga pasuria personale dhe që të dy prindërit kanë nevojë për ndihmë.

[8] Sepse debitori është i vdekur, dhe nuk mund t’i jepet zekati atij. Nëse i jepet kreditorit nga zekati borxhi i debitorit, është sikur t’i jepet kreditorit drejtpërdrejtë. Prandaj nuk lejohen të shlyhen borxhet e të vdekurit me zekat.

[9] Nuk ka transmetime për këto, dhe ndoshta janë marrë nga autorët e librave të ndryshëm të fikhut, të cilët nuk i verifikojnë transmetimet që përmendin. “Tamamul Mineh” 382.

[10] Ether Sahih. “El Irva” 789, 850. Maliku 1/253, Shafiu 1/237, Bejhakiu 4/148, Ibën Ebi Shejbe 4/48.

[11] Hadith Daif. Është përmendur në fillim të kapitullit të Zekatit. “Tamamul Mineh” 384.

[12] Buhariu 3603, 7052, Muslimi 4752, Tirmidhiu 2190, Ahmedi 1/384, 386-387.

[13] Muslimi 4759, Tirmidhiu 2199.

[14] Hadith Daif. “Et Targib” 1831. E ka nxjerrë Ahmedi 3/55.

[15] Buhariu 2971, 3002, Muslimi 4143, Ebu Daudi 1593, Nesai 2617, Tirmidhiu 668, Maliku 1/282, Ahmedi 2/7,55,103.

[16] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[17] Buhariu 1462.

[18] Hadith Sahih. “El Mishkat” 1939, “Et Tealik er Ragib” 2/32. E ka nxjerrë Nesai 2582, Tirmidhiu 658, Ibën Maxheh 1844, Darimi 1/397, Ahmedi 4/17, 18, 214.

[19] Muttefekun aleji. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[20] Transmetim Daif. “Tamamul Mineh” 384. E ka nxjerrë Tirmidhiu 649, Bejhakiu 7/9.

[21] Hadith Sahih. “Sahihu Ebi Daud” 1437. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1625, Ibën Maxheh 1811.

[22] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 385.

[23] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 385. E ka nxjerrë Ebu Ubejdi në librin “El Emual”, nr. 1911.

[24] Buhariu 1422, Darimi 1/385, Ahmedi 3/470.

[25] Buhariu 1421, Muslimi 2359, Nesai 2523.

[26] Hadith Sahih. Është përmendur më parë.

[27] Buhariu 660, 1423, 6479, Muslimi 2377, Tirmidhiu 2391, Nesai 5380, Maliku 2/952, Ahmedi 2/439.