ZEKATI (5)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve me gjykimet e shejh Albanit: Rrugetepaqes.net


PËRFITUESIT E ZEKATIT

Ka tetë kategori që përfitojnë zekat, të cilat Allahu i ka qartësuar në Kuran. Ai thotë:

إِنَّمَا الصَّدَقَاتُ لِلْفُقَرَاءِ وَالْمَسَاكِينِ وَالْعَامِلِينَ عَلَيْهَا وَالْمُؤَلَّفَةِ قُلُوبُهُمْ وَفِي الرِّقَابِ وَالْغَارِمِينَ وَفِي سَبِيلِ اللَّهِ وَاِبْنِ السَّبِيلِ فَرِيضَةً مِنْ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ

“Lëmosha e zeqatit u takon vetëm të varfërve, nevojtarëve, atyre që e mbledhin atë për ta qeverisur dhe atyre që u duhet fituar zemra (drejt Islamit); dhe për lirim nga skllavëria, të ngarkuarve në borxhe, dhe për rrugën e Allahut, dhe udhëtarit të rastit. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Se, me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Et-Teube, 60)

Zijad ibën El Harith Es Sudai tregon: “Shkova te i Dërguari i Allahut dhe i dhashë besën. Pastaj erdhi një burrë dhe i tha Profetit (a.s.): “Më jep një pjesë nga sadakaja e mbledhur”. Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Zoti nuk e ka lënë çështjen e sadakasë të vendoset nga Profeti apo nga ndonjë tjetër. Ai vetë i ka klasifikuar në tetë grupe. Nëse bën pjesë në njërin prej tyre do të jap pjesën tënde”.[1]Transmetohet nga Ebu Daudi, megjithëse në zinxhirin e këtij transmetimi është edhe Abdurrahman El Afriti, i cili ka disa cilësi që lënë vend për diskutim.

Më poshtë do të japim një shtjellim të tetë grupeve që përfitojnë zekat:

1- Të varfërit:

I varfër është ai që nuk ka pasuri për të plotëuar nevojat e tij dhe nevojat e atyre për të cilët ai është përgjegjës në ushqim, veshmbathje dhe strehim,të cilat janë nevoja të domosdoshme.

2- Nevojtari:

Ky është si i varfëri dhe hyn nën një përkufizim. Mund të jetë më pak i varfër ose më tepër në hall nga vetë i varfëri. Profeti (a.s.) e ka përkufizuar nevojtarin (miskinin) kur thotë se: “Nevojtar nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që nuk i plotëson nevojat e tij dhe kushtet e të cilit nuk njihen nga të tjerët. Kështu, sadakaja i jepet atij dhe ai nuk lyp nga njerëzit”.[2]

Siç është thënë, një person konsiderohet i pasur nëse posedon nisabin, që është sasia e tepërt e nevojave të tij thelbësore dhe e personave për të cilët ai përgjigjet. Për shembull; ushqimi, pija, veshmbathja, strehimi, kafshët, mjetet e punës dhe nevoja të tjera të ngjashme. Kështu, nëse dikush që nuk zotëron këto, konsiderohet i varfër dhe i takon të marrë zekat. Profeti (a.s.) thotë në lidhje me zekatin: “Merret nga të pasurit e tyre dhe u jepet të varfërve të tyre”.[3]

Këtu nuk është bërë ndonjë dallim midis të varfërve dhe nevojtarëve përsa i përket nevojës, varfërisë dhe të drejtës për të marrë zekat. Të dy grupet janë bashkuar në ajetet e mësipërme kuranore me lidhëzën e nevojshme, kështu që mund të ndahen nga njëri-tjetri. Kjo nuk e kundërshton ndarjen e miskinëve si nëngrup i të varfërve. Kurani i përmend ata, pasi për shkak të modestisë së tyre, mund të ngelen pa vënë re.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nevojtari nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që ka shumë turp të kërkojë. Nëse doni, lexoni ajetin kuranor: لاَ يَسْأَلُونَ النَّاسَ إِلْحَافًا “…ata nuk kërkojnë e as nuk i mërzitin njerëzit”. (El-Bekare, 273)[4]

Në një variant tjetër të këtij transmetimi thuhet: “Nevojtari nuk është ai që shkon vërdallë duke kërkuar një ose dy hurma apo për një ose dy kafshata, por është ai që nuk i plotëson nevojat e tij dhe kushtet e të cilit nuk njihen nga të tjerët. Kështu, sadakaja i jepet atij dhe ai nuk lyp nga njerëzit”.[5] Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Sasia e zekatit që u jepet të varfërve

Zekati ka për qëllim ta mbështesë të varfërin dhe të plotësojë nevojat e tij. Një sasi e caktuar jepet për këtë në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar gjendjen e tyre të varfërisë. Kjo shumë ndryshon në varësi të rrethanave dhe individëve.

Omeri (r.a.) tregon: “Nëse ju ndodh të jepni (sadaka), duhet të jepni aq sa për të plotësuar nevojat e dikujt”.[6]

Kadi Abduluahabi thotë se Maliku kurrë nuk vendosi një sasi që duhet dhënë.

Sipas tij, zekati mund t’i jepet dhe dikujt që ka një shtëpi, një shërbëtor dhe një kafshë (mjet transporti), përderisa është në nevojë. Rëndësia e hadithit të mësipërm është e qartë; të kërkuarit e ndihmës është e lejuar për një person të varfër, derisa ai të gjejë çfarë i nevojitet për jetesën e tij dhe të shpëtojë nga nevojat.

Kabisa ibën Muharik El Hilali tregon: “Kisha një borxh, shkova tek Profeti (a.s.) dhe i kërkova ndihmë. Ai u përgjigj: “Prit, derisa të kemi fondet e sadakasë dhe atëherë ne do të japim një pjesë”. Pastaj tha: “O Kabisa! Të kërkuarit (lypja) është e lejuar vetëm për tre grupe: Një burrë që është me borxhe, për rastin e tij lejohet të kërkojë, derisa ta kalojë hallin; një njeri që e ka kapur fatkeqësia dhe i prish pronat e tij, gjë që e lejon për të marrë, derisa të jetë në gjendje që të fitojë jetesën (ose Profeti ka thënë: …çfarë plotëson nevojat e tij dhe e bën të ketë mundësi të sigurojë çfarë i duhet për vete); një njeri që është i varfër, kur tre persona me rëndësi nga njerëzit e mençur dëshmojnë për situatën e tij të vështirë. Ai do të kërkojë derisa të gjejë një mënyrë për të mbajtur veten. (ose ai ka thënë thënë : “…çfarë plotëson nevojat e tij dhe e bën të ketë mundësi të sigurojë çfarë i duhet për vete)”. Më pas, Profeti (a.s.) ka vazhduar: “Për raste të tjera o Kabisa, nuk lejohet. Një person që merr duke lypur për një qëllim tjetër do të jetë duke konsumuar ose duke ngrënë një pronë të ndaluar”.[7] Transmetohet nga Muslimi, Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

A i jepet zekat atij që punon?

Personat që janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë mundësi të punojnë nuk përfshihen në zekat. Trajtimi i tyre është i ngjashëm me atë të të pasurve.

1- Ubejdullah ibën Adij El Hijar transmeton: “Dy burra më thanë se kishin shkuar tek Profeti (a.s.) në haxhin e lamtumirës gjatë shpërndarjes së zekatit. Ata i kishin kërkuar atij ndihmë. Ai u kishte hedhur një vështrim nga koka tek këmbët dhe kishte parë që ata ishin të fuqishëm e më pas u kishte thënë: “Nëse dëshironi, unë do t’ua jap, por nuk ka hise për atë që është i pasur dhe as për atë që është i fortë dhe mund të fitojë”.[8] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Nesaiu.

Përsa i përket vlerave të këtij hadithi, El Hatabi thotë se ai siguron kriterin që, nëse një person njihet që nuk ka mjete apo mënyra të mjaftueshme për të siguruar jetesën, ai llogaritet i varfër. Gjithashtu, hadithi siguron rregullin që, nëse dikush është i fuqishëm, nuk përjashtohet nga marrja e zekatit, vetëm nëse të ardhurat e tij duhen bërë të ditura, pasi ka disa njerëz që janë të fortë në trup, por për një arsye apo për një tjetër nuk mund të punojnë. Njerëz të tillë, sipas hadithit, përfshihen në zekat.

2- Transmetohet nga Rejhan ibën Jezid dhe ai nga Abdullah ibën Amër se Profeti (a.s.) ka thënë: “Sadakaja nuk lejohet as për të pasurit as për atë që është i fuqishëm, që ka trup të plotë dhe gjymtyrë të shëndetshëm”.[9] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e vlerëson atë si të vërtetë.

Shafiu, Is’haku, Ebu Ubejd dhe Ahmedi e mbështesin këtë. Hanefitë thonë se një person i shëndetshëm dhe dhe në gjendje të mirë fizike mund të marrë sadaka, nëse nuk posedon të paktën 200 derhemë.

Neveviu thotë: “Është pyetur Gazaliu nëse lejohet t’i jepet zekat nga hisja e të varfërve një personi të aftë fizikisht që vjen nga një familje e pasur dhe nuk është mësuar me lodhje fizike për të fituar jetesën. Ai është përgjigjur se një gjë e tillë ishte e mundur”.

Ky është një rregull i pakundërshtueshëm që merr në konsideratë prirjet e personit.

Pronari që nuk plotëson nevojat e tij

Kur pronat e një personi arrijnë nisabin, por nuk janë të mjaftueshme për nevojat e tij, për shkak të numrit të madh të personave të familjes së tij apo për shkak të kostos së lartë të jetesës, ai konsiderohet i pasur duke marrë parasysh se plotëson nisabin dhe zekati është i detyrueshëm për të. Në të njëjtën kohë ai konsiderohet edhe i varfër, pasi pronat e tij nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij. Si i tillë, atij duhet t’i jepet zekat, sikurse dhe të varfërit.

Neveviu thotë se dikush që ka një pjesë të pasurisë së patundshme, por nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij, duhet të konsiderohet i varfër dhe i mundshëm për atë sasi zekati që do t’i plotësonte atij ato nevoja. Në këtë mënyrë, ai nuk është i detyruar ta shesë pronën e tij.

Në “El Mugni” përmendet se El Mejmumi ka thënë: “Bisedova me Ebu Abdullahun (Ahmed ibën Hanbelin) dhe i thashë: “Një njeri mund të ketë deve dhe bagëti, për të cilat detyrohet zekati dhe prapë konsiderohet si i varfër. Ai mund të ketë në zotërim 40 dele ose mbase të ketë në pronësi një tokë dhe mos të jenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e tij. A do t’i lejohet këtij të përfitojë nga zekati?” Ai u përgjigj: “Po, pasi ai nuk zotëron atë që është e mjaftueshme për të dhe nuk është në gjendje të fitojë ato që ka nevojë. Në këtë rast i lejohet të marrë zekat dhe ajo çfarë ai ka në pronësi nuk bën pjesë në detyrimin e zekatit”.

3 – Mbledhësit e zekatit:

Këta janë punonjësit zyrtarë të caktuar nga udhëheqësi ose zëvendësi i tij, që merren me grumbullimin dhe regjistrimin e zekatit dhe marrin shpërblim për punën e tyre, edhe nëse janë të pasur. Midis tyre ka barinj që ruajnë bagëtitë e zekatit, ruajtës të zekatit dhe nëpunës për administrimin e tij. Ata duhet të jenë muslimanë dhe mos të jenë nga personat që nuk u lejohet zekati, që nënkupton familjen e Profetit (a.s.), që është Benu Hashim dhe Benu Abdul Mutalib.

Transmetohet nga el Mutalib ibën Rabia ibën Harith ibën Abdul Mutalib se ai dhe Fadël ibën Abasi shkuan tek Profeti (a.s.). Ai tregon se njëri prej tyre tha: “O i Dërguari i Allahut! Ne kemi ardhur që të na caktosh administrimin e zekatit, që të mbledhim bamirësitë që do t’u jepen njerëzve dhe t’ju japim atë që njerëzit nxjerrin për zekat”. I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Me të vërtetë zekati nuk duhet t’i jepet Muhamedit ose familjes së Muhamedit. Ato janë pasuri të përlyera të njerëzve”.[10]Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Muslimi.

Njerëz të caktuar, megjithëse të pasur, prapë mund të përfitojnë zekat.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Sadakaja nuk u jepet të pasurve përveç pesë grupeve; mbledhësit të saj, një burrë që e ka blerë atë me pasurinë e tij, ai që ka borxhe, një luftëtar në rrugë të Allahut apo ndonjë nevojtar që merr ndonjë sadaka dhe ia dhuron ndonjë të pasuri”.[11] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Ky i fundit e vlerëson këtë hadith të vërtetë (sahih), sipas kritereve te Buhariut dhe Muslimit.

Mbledhësit e zekatit e marrin shpërblimin e tyre për punën e bërë nga zekati që është mbledhur

Abdullah ibën Seadi transmeton se ai erdhi nga Siria për të parë Umer ibën Hatabin, i cili e pyeti: “A është e vërtetë që ti bën një punë të caktuar për muslimanët dhe të jepet rrogë për të e ti nuk e pranon?” Ai iu përgjigj: “Po, është e vërtetë. Unë kam kuaj dhe robër, unë jam i pasur. Unë dua që puna ime të jetë bamirësi për muslimanët”. Atëherë Umeri (r.a.) i tha: “Dhe unë doja të njëjtën gjë, por Profeti (a.s.) më paguante. Unë i thosha t’ia jepte dikujt që ishte më i varfër se unë. Njëherë më dha para dhe i thashë: Jepja dikujt më nevojtar se unë. Atëherë Profeti (a.s.) më tha: “Merr nga ajo që Allahu i Madhëruar të jep nga begatitë e Tij, pa ia kërkuar ti dhe pa pasur lakmi për të. Kështu që merre dhe mbaje ose jepe për bamirësi dhe ajo që nuk jepet, nuk duhet të kërkohet”.[12] Transmetohet nga Buhariu dhe Nesaiu.

Pagat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë

El Mustaurid ibën Shedad transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush bën një punë për ne dhe nuk ka shtëpi, jepini mundësinë të ketë një shtëpi; nëse ai nuk është i martuar, jepini mundësinë të ketë një grua; nëse nuk ka shërbëtor, jepini mundësinë të ketë një shërbëtor; nëse nuk ka një kafshë shale, jepini mundësinë që ta ketë. Ai që kërkon diçka tjetër nga këto, e tepron”.[13] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.

Duke komentuar këtë temë, El Hatabi thotë: “Kjo mund të interpretohet në dy mënyra: E para; individit i lejohet një shërbëtor ose një shtëpi, duke i zbritur nga shpërblimet për punën e bërë, që janë të ngjashme me çdo lloj rroge tjetër. Atij nuk i lejohet të marrë asgjë tjetër. E dyta; punëtori i zekatit ka të drejtën të ketë një strehë dhe një shërbëtor. Nëse nuk ka një shtëpi ose një shërbëtor, dikush mund të paguhet për t’i shërbyer atij dhe një shtëpi mund të merret me qera për të, gjatë periudhës së qëndrimit të tij në këtë detyrë.

4- Bashkimi (zbutja) i zemrave

Kjo aplikohet fillimisht tek njerëzit, zemrat e të cilëve kanë një lidhje të zbehtë me Islamin dhe kjo lidhje ka nevojë të forcohet. Në këtë rast, zekati shpërndahet për të ruajtur muslimanët nga e keqja e tyre ose për të siguruar ndihmën e tyre në mbrojtje të muslimanëve. Juristët i ndajnë persona të tillë në muslimanë dhe jobesimtarë. Muslimanët ndahen në katër grupe:

– Udhëheqësit:

Njerëz që janë udhëheqës dhe të shquar ndërmjet muslimanëve dhe me influencë në mesin e të afërmve të tyre. I tillë është rasti i Ebu Bekrit (r.a.), kur i dha Adij ibën Hatimit dhe Zibarkan ibën Bedrit sadaka, për shkak të pozitës së tyre të lartë që gëzonin në mes të njerëzve të tyre.

– Udhëheqësit muslimanë me besim të dobët:

Këtu bëhet fjalë për njerëzit e ngritur që janë me besim të dobët dhe sapo kanë hyrë në Islam. Megjithatë, atyre ende u dëgjohet fjala në rrethin e tyre dhe, nëse u jepet sadaka dhe mendimi i tyre kërkohet në çështjen e xhihadit dhe në çështje të tjera, ata mund të forcojnë lidhjet e tyre me Islamin. Një rast i ngjashëm me këtë është ai i mekasve që u bënë muslimanë, pas çlirimit të Mekës. Profeti (a.s.) u dha një plaçkë të madhe lufte, pas fitores së tij mbi Huazanin. Shumica e tyre më vonë u bënë muslimanë shumë të mirë dhe të ndërgjegjshëm.

– Muslimanët që jetojnë në kufi:

Këta janë ata muslimanë që jetojnë brenda shtetit islam, por në kufi me vende jomuslimane. Kjo bëhet për t’i ndihmuar ata që të mbrojnë territorin islam të shtetit të tyre.

Autori i “El Menar” thotë se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e umetit. Juristët e vendosin atë nën kuotën e caktuar për çështjet në rrugë të Allahut. Kjo është e ngjashme me një ekspeditë ushtarake. Në kohën tonë njerëzit që më së shumti e meritojnë ndihmën tonë janë muslimanët, të cilët jobesimtarët i kanë kthyer në anën e tyre, duke i vënë nën mbrojtjen e tyre ose duke i kthyer në fenë e tyre. Ne kemi vënë re se fuqitë kolonizatore po punojnë për nënshtrimin e gjithë muslimanëve dhe po përpiqen t’i largojnë ata nga rruga e tyre. Shtete të tilla, caktojnë një sasi të caktuar nga burimet e tyre për të fituar zemrat e muslimanëve. Për disa ia kanë arritur duke i kthyer në Krishtërim dhe të tjerë janë ndikuar ose janë tërhequr në tutelën e tyre. Kjo po krijon probleme për shtetet muslimane dhe unitetin islam. Pra, a nuk e meritojnë këta muslimanë zekatin para të tjerëve?

– Zekati i nëpunësve:

Muslimanët që janë punësuar për të mbledhur zekatin, qoftë edhe me forcë nga ata që nuk duan ta japin, mund të kualifikohen si marrës të zekatit, pasi është më mirë që ata të përdoren për të ruajtur unitetin e muslimanëve. Mbështetja e tyre dhe marrja përsipër për të ndihmuar qeverinë është e keqja më e vogël dhe një zgjidhje e pëlqyeshme.

– Jobesimtarët

Ata ndahen në dy kategori:

1- Ata që hyjnë në Islam përmes zbutjes së zemrave të tyre. Ky ishtë rasti i Safuan ibën Umejes, të cilit Profeti (a.s.) i garantoi siguri ditën e çlirimit të Mekës. Profeti (a.s.) e lejoi atë të mendonte për gjendjen e tij katër muaj dhe në fund të zgjidhte vetë për veten e tij. Ai nuk ishte i pranishëm në atë kohë, por erdhi më vonë dhe u bashkua me muslimanët për të luftuar në betejën e Hunejnit, përpara se të pranonte Islamin. Profeti (a.s.) i mori hua armët e tij për ekspeditën e Hunejnit dhe kur u kthye i dha një numër të madh devesh, të ngarkuara me mallra, që ndodheshin në një luginë. Për këtë Safuani tha: “Kjo është një dhuratë nga dikush që nuk e ka frikë varfërinë. Pasha Allahun, Profeti (a.s.) m’i ka dhënë të gjitha këto dhe me të vërtetë ai ka qenë personi që unë e urreja shumë , por ai vazhdoi të më dhuronte gjëra, derisa u bë njeriu më i dashur për mua”.[14]

2- Sadaka u jepet edhe njerëzve, të cilëve u frikësohemi se mos na dëmtojnë dhe duke bërë këtë veprim shpresojmë në neutralizimin e armiqësisë së tyre. Ibën Abasi transmeton: “Një grup njerëzish vinin te Profeti (a.s.) dhe nëse ai u jepte atyre ndonjë gjë, ata e vlerësonin Islamin dhe thoshin: “Kjo është një fe e mirë”. Nëse ai nuk u jepte gjë, ata kritikonin dhe pretendonin se gjenin gabime te Islami”. Midis njerëzve të tillë ishte Ebu Sufjan ibën Harb, El Akra ibën Habis dhe Ujejna ibën Hisn. Profeti (a.s.) u dha atyre nga 100 deve secilit.[15]

Hanefitë janë të mendimit se pjesa e njerëzve të tillë nuk llogariten, kur shteti islam është i fuqishëm. Për shembull; Ujejna ibën Hisn, El Akra ibën Habis dhe Abas ibën Mirdasi shkuan te Ebu Bekri (r.a.) dhe i kërkuan pjesën e tyre. Ai u shkroi një letër, të cilën e morën dhe e çuan tek Umeri (r.a.). Ai e grisi letrën dhe u tha: “Kjo është diçka që Profeti (a.s.) ua jepte juve për t’ju pajtuar me Islamin. Tani Allahu e ka fortifikuar Islamin dhe nuk është e nevojshme ndihma juaj për fenë. Nëse nuk pajtoheni me Islamin, atëherë neve do të na ndajë shpata”. Pastaj Umeri (r.a.) lexoi ajetin vijues:

وَقُلْ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Thuaj se e vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë…” (Kuran: El Kehf 29). Ata më pas u kthyen te Ebu Bekri (r.a.) dhe i thanë: “Ti je kalifi apo Umeri? Ju shkruajtët një letër për ne dhe ai na e grisi”. Ebu Bekri (r.a.) u përgjigj: “Po qe se do ai”.

Hanefitë thonë: “Me të vërtetë Ebu Bekri (r.a.) ra dakord me fjalët e Umerit (r.a.) dhe asnjë nga sahabët nuk e kundërshtoi këtë. Po ashtu, nuk është transmetuar se Othmani (r.a.) dhe Aliu (r.a.) t’i kenë dhënë ndonjë gjë ndonjë personi të kësaj kategorie”.

Mund të themi se rasti në diskutim ishte gjykimi i vetë Umerit (r.a.). Ai vuri re se nuk do të kishte përfitim në zbutjen e këtyre njerëzve, pasi Islami kishte një pozitë të qëndrueshme tek njerëzit e tyre dhe nuk kishte asnjë rrezik të mundshëm, nëse ata e braktisnin fenë islame. Gjithashtu, nëse Othmani dhe Aliu e ndaluan së paguari këtë lloj pagese, kjo nuk do të thotë se detyrimisht rezervat për një gjë të tillë ishin tërhequr. Është e mundur se ndryshimi i rrethanave kërkonte ndërprejen e një dhurimi të tillë për jobesimtarët. Megjithatë, kjo nuk arrin deri në anulimin e fondit për dhurime të tilla. Dhurimet e kësaj kategorie mund të jepen, nëse del një rast i paparashikueshëm. Kjo, pasi sanksionet e tyre qëndrojnë Kuran dhe Sunet.

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi se gjithmonë kur i kërkonin Profetit (a.s.) ndonjë gjë për hatër të Islamit, ai e jepte.

Një burrë shkoi te Profeti (a.s.) dhe i kërkoi sadaka. Ai urdhëroi t’i jepnin një kope të tërë me bagëti, të përhapur midis dy kodrave. Ato bagëti ishin pjesë e sadakasë. Burri u kthye te njerëzit e tij dhe u tha: “O populli im! Pranoni Islamin, se me të vërtetë Muhamedi jep aq shumë sa të mos e kishte frikë varfërinë”.[16]

Sheukani thotë që El Itrah, El Xhebai, El Balkhi dhe Ibën Mubashiri mbrojnë idenë se sadakaja mund t’u jepet atyre njerëzve, që duam t’i afrojmë me Islamin.[17] Imam Shafiu ka një pikëpamje të kundërt me atë të mësipërmen dhe ai mbron idenë që dhurime të tilla nuk jepen për jobesimtarët, megjithëse ai i lejon këto lloj dhurimesh për muslimanët mëkatarë apo me besim të dobët.

Ebu Hanife dhe ndjekësit e tij janë të mendimit se ky lloj dhurimi është hequr me përhapjen dhe dominimin e Islamit dhe si provë, ata citojnë refuzimin e Ebu Bekrit për të vendosur për dhurimin e Ebu Sufjanit, Ujejnës, El Akras dhe El Abas ibën Mirdasit. Pajtimi (bashkimi i zemrave) lejohet kur nevoja për të rritet. Me fjalë të tjera lejohet t’u japësh atyre sadaka për pajtim, kur një popull i bindet prijësit musliman vetëm për çështjet e dynjasë dhe ata nuk duan ta pranojnë Islamin me asnjë lloj mënyre, përveçse me forcë. Kjo gjë bëhet për t’i afruar ata, ndonëse në këtë rast kjo nuk ndikon në përhapjen e Islamit.

Autori i “El Menar” thotë: “ Kjo është krejt e vërteta. Vetëm gjykimi i pavarur mund të përdoret për të përpunuar mbi përshtatshmërinë dhe sasinë e sadakasë ose të plaçkës së luftës për t’u dhënë kur janë të disponueshme, bashkë me llojet e tjera të pasurisë (të luajtshme dhe të paluajtshme). Është e nevojshme të kërkojmë këshillim nga njerëzit kompetentë (Ehli Shura), siç bënin kalifët në ato çështje që kërkonin ixhtihad. Nëse duhet që një udhëheqës t’i detyrojë ata (me forcë), për t’i bindur me veprime shtrënguese përpara se të përdorë dhurimin, është një çështje e pavendosur. Megjithatë, kjo mund të ndiqet si rregull, por më shumë si një parim që anon nga e keqja më e pakët e dy të këqijave dhe nga përfitimi më i mirë i shoqërisë”.

5- Për lirimin e robërve

Ky grup përfshin dy lloje robërish: robët e përkohshëm dhe ata që janë gjithmonë të tillë. Të dyja kategoritë ndihmohen me sadaka për të përfituar lirinë e tyre.

El Berra transmeton: “Një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha atij: Më thuaj të bëj një punë që me të të hyj në xhenet dhe të largohem nga zjarri. Atëherë Profeti (a.s.) i tha: “Liro një njeri dhe shpëto një rob”. Pastaj El Berra e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A nuk janë të dy njëlloj? Ai u përgjigj: “Jo! Të lirosh një person do të thotë t’i garantosh atij lirinë (duke e shpëtuar atë nga skllavëria), por të shpëtosh një rob do të thotë të blesh lirinë e tij”.[18] Transmeton Ahmedi dhe Darakutni nga njerëz të besueshëm.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Tre njerëz gëzojnë të drejtën e ndihmës së Allahut; luftëtari që lufton në rrugë të Allahut, robi i përkohshëm që vonon ta fitojë lirinë e tij dhe ai që dëshiron të martohet për shkak të pastërtisë morale”.[19] Transmetohet nga Ahmedi dhe autorët e “Es Sunan”. Tirmidhiu thotë se ky hadith është i vërtetë.

Për sa i përket kuptimit të fjalës “…edhe për lirimin e robërve…” (Et-Teube, 60). Sheukani thotë se dijetarët kanë mendime të ndryshme për të. Ali ibën Ebu Talib, Seid ibën Xhubejr, El Lejth, Eth Thauri, hanefitë, shafitë dhe shumica e dijetarëve bëjnë të ditur se besojnë që ajo i referohet robërve të përkohshëm, liria e të cilëve sigurohet nëpërmjet pagesës nga zekati.

Sipas Ibën Abasit, Hasan El Basrit, Malikut, Ahmed ibën Hanbelit, Ebu Thaurit dhe Ebu Ubejd, kjo do të thotë të përdorësh zekatin për lirimin e çdo lloj robi. Buhariu dhe El Mundhiri e mbështesin këtë mendim. Arsyeja e këtij mendimi është se, shprehja “…edhe për lirimin e robërve…” nuk mund të kufizohet me llojin e skllavërisë që vjen nga një kontratë, pasi po të ishte kështu, atëherë do të bënte pjesë në grupin e atyre që kanë borxhe, pasi rasti i tyre është i qartë. Si i tillë, lirimi i një robi është më mirë se të shpëtosh një skllav të përkohshëm. Ky i fundit mund të ndihmohet, por jo të lirohet, pasi skllavi i përkohshëm është skllav, derisa të ketë borxh edhe një derhem të vetëm. Në të njëjtën kohë, lirimi i një robi është i mundur në çdo kohë, ndryshe nga situata e robit të përkohshëm.

Duke e komentuar këtë temë, Zuhri thotë se pozita e përmendur përmban dy mundësi. Ajetet kuranore i aludojnë këto mundësi për këtë temë, të cilat janë nxjerrë në pah në librin “Muntaka El Ehbar”.

Në këtë hadith të transmetuar nga El Berra, provat tregojnë se shpëtimi i robërve nuk është i njëjtë me lirimin e tyre. Po ashtu, nuk është i njëjtë lirimi i një skllavi me ndihmën që i jepet një skllavi të përkohshëm, duke i dhënë para të shlyejë kontratën. Të dyja këto e afrojnë njeriun me xhenetin dhe e largojnë nga zjarri.

6- Ata që kanë borxhe: Debitorët

Me këta nënkuptojmë ata që kanë marrë borxhe dhe e kanë të vështirë t’i shlyejnë ato. Në këtë rast, atyre u jepet nga zekati për shlyerjen e borxheve.

Debitorët janë disa llojesh: ata që kanë marrë përsipër të shlyejnë borxhin, ata që

kanë hyrë garanci për borxhin e të tjerëve, ata që kanë marrë borxh, pasi kanë qenë të detyruar dhe ata që kanë qenë përfshirë në veprime mëkatare dhe pasi janë penduar duhet të paguajnë gjobë për pendimin. Të gjithë këta mund të marrin sadaka për të paguar borxhet e tyre. Enesi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Të kërkuarit e sadakasë lejohet vetëm për këto tre grupe njerëzish; ai që është shumë i varfër, ai që ka shumë borxhe dhe ai, të cilit i kërkohet dëmshpërblim për gjakun”.[20] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Tirmidhiu. Ky i fundit e konsideron këtë hadith të besueshëm.

Muslimi transmeton nga Ebu Seid El Hudri, se një burrë bëri një marrëveshje të pasuksesshme për frutat dhe hyri në borxhe të rënda. Profeti (a.s.) këshilloi: “Jepini sadaka!”. Njerëzit i dhanë atij sadaka, por përsëri shuma nuk ishte e mjaftueshme që ai t’i shlyente të gjitha borxhet. Atëherë Profeti (a.s.) u tha njerëzve, që burri u detyrohej: “Merrni ato që iu dha dhe nuk keni gjë tjetër! [21] ” [22]

Për sa i përket hadithit të mëparshëm të Kabisa ibën Muharik, në të cilin ai thotë: “Unë kisha borxhe, shkova te Profeti (a.s.) dhe i kërkova ndihmë. Ai u përgjigj: “Prit sa të marrim fondet e sadakasë dhe pastaj do të japim një pjesë”.[23]

Në kohët para Islamit, gjithmonë kur kishte mosmarrëveshje midis fiseve arabe dhe derdhej gjak, kërkohej kompensim. Në një rast të tillë njëri prej tyre, në mënyrë vullnetare do të plotësonte detyrimin, derisa mosmarrëveshja të merrte fund. Pa dyshim, ky është një gjest fisnik për këta njerëz. Kur arabët merrnin vesh se njëri prej tyre kishte marrë mbi vete përgjegjësinë e borxheve të dikujt, do të shpejtonin në ndihmë të tij për të shlyer përgjegjësinë e tij. Nëse një njeri i tillë kërkonte ndihmë, konsiderohej si një veprim i nderuar dhe jo përçmues për karakterin e tij. Për këtë nuk ishin përcaktuar kushte. Që të llogaritet si i mundshëm për të përfituar zekat që të shlyejë borxhe të tilla, nuk është e kushtëzuar që personi që ka marrë përsipër borxhet e tjetrit, të mos jetë i aftë t’i paguajë ato. Në fakt, ai ka të drejtë të kërkojë zekat për shlyerjen e borxheve të tilla.

7- Në rrugë të Allahut:

Më këtë kuptojmë atë punë që i pëlqen Allahut dhe të çon në xhenetet e Tij dhe ajo që është më e veçanta është xhihadi për të ngritur fjalën e Allahut të Lartësuar. Pra, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, zekat i jepet edhe luftëtarit në rrugë të Allahut, qoftë edhe nëse ai është i pasur.

Më sipër është përmendur hadithi i Profetit (a.s.), ku thotë: “Sadakaja nuk u

lejohet të pasurve, përveç pesë grupeve; luftëtarit në rrugë të Allahut…”.[24]

Përsa i përket haxhit, nuk hyn në zekatin e caktuar për në rrugë të Allahut, pasi haxhi është detyrim për atë person që ka mundësi.

Duke e komentuar këtë çështje, në “El Menar” thuhet: “Lejohet shpenzimi nga kjo pjesë për sigurimin e rrugës së haxhit dhe për t’iu siguruar ushqim dhe shërbime shëndetësore haxhilerëve, nëse fondet nga burime të tjera nuk janë të mjaftueshme”.

Këtu hyjnë të gjitha interesat e përgjithshme të muslimanëve, nga të cilat përfiton feja dhe shteti. Interesi i parë është xhihadi e ai ka nevojë që në fillim për përgatitjen e armëve, furnizimeve ushqimore, luftëtarëve, pajisjeve luftarake dhe gjithë kërkesat e tjera të luftës në rrugë të Allahut (xh.sh.). Rezervat për ushtarët duhet të kthehen në arkën e shtetit pas luftës. Kjo ka të bëjë më shumë për artikujt e pakonsumueshëm si kuajt, armët etj. Luftëtari në rrugë të Allahut nuk i zotëron gjithnjë këto lloj pajisjesh, pasi i përdor ato në rrugë të Allahut vetëm kur është e nevojshme.

Ky nuk është rast i njëjtë me përfituesit e tjerë të zekatit, si mbledhësit e zekatit, debitorët, njerëzit që marrin para nën llogarinë e shpenzimeve, pajtimi i zemrave dhe udhëtarëve. Ata nuk janë të detyruar ta kthejnë zekatin, edhe nëse nuk përfshihen më në të.

Gjithashtu, të përfshira në llogarinë e shpenzimeve në rrugë të Allahut janë edhe projektet e tilla si: ngritja e një spitali ushtarak, hapja e rrugëve, ndërtimi i ambulancave, avionëve luftarakë, fortesave, hendeqeve etj. Një gjë tepër e rëndësishme në këtë kategori do të ishte përgatitja e misionarëve muslimanë dhe dërgimi i tyre në vende joislame për të përhapur Islamin, ashtu si misionarët jomuslimanë po përhapin tani fenë e tyre në vendet islame. Gjithashtu, këtu do të bënin pjesë edhe shpenzimet e shkollës për të përgatitur kurse në shkencat fetare dhe fushat e tjera të interesit publik. Mësuesve të përfshirë në programe të tilla, duhet t’u jepet sadaka, për aq kohë sa ata bëjnë punën e tyre, pa përdorur mënyra të tjera të ardhurash. Dijetarët që janë të pasur nuk duhet të paguhen për punën e tyre, pavarësisht se ata janë tepër të dobishëm për njerëzit.

8- Udhëtari:

Me udhëtar kuptojmë një person që është shumë larg vendit të tij, ka mbetur në mes të rugës dhe nuk ka asnjë grosh në xhep. Atij i jepet nga zekati, për të plotësuar nevojat e tij gjatë rrugës, edhe nëse është i pasur në vendin e vet, duke pasur parasysh se ai është në gjendje të vështirë larg shtëpisë së tij. Në këtë rast, dhënia e zekatit është e lidhur me kushtin që udhëtimi të jetë ndërmarrë për arsye të pranueshme nga ana e Islamit. Se çfarë përfshin ky udhëtim, kjo është një çështje e hapur. Mendimi i pëlqyer midis shafive është se sadakaja jepet për udhëtarin, edhe kur ky i fundit udhëton për kënaqësi dhe turizëm. Udhëtari sipas tyre është dy llojesh:

1- Një person që udhëton brenda vendit të tij

2- Një person që udhëton e ka lon në një vend të huaj

Të dy këta gëzojnë të drejtën e zekatit, edhe pse ata mund të gjejnë dikë që t’ua japë borxh sasinë e nevojitur dhe kanë burime të mjaftueshme në vendin e tyre për të paguar borxhet. Sipas Malikut dhe Ahmedit, vetëm kalimtari ka të drejtën e zekatit dhe jo ai që udhëton vetëm brenda vendit të tij. Ata kanë mendimin se zekati nuk i jepet atij që ka mundësi të gjejë dikë që t’ia marrë borxh dhe ka mundësi t’i përballojë këto borxhe kur të kthehet në vendin e tij.

Kush paraqet përparësi prej tetë kategorive që përfitojnë zekatin?

Shpërndarja e zekatit duhet t’u bëhet atyre që e meritojnë e siç dihet janë: të varfërit, nevojtarët, mbledhësit e zekatit, personat që duam t’i afrojmë në fe dhe duam të fitojmë zemrat e tyre, robërit, ata që kanë borxhe, udhëtarët dhe luftëtarët në rrugë të Allahut.

Juristët kanë mendime të ndryshme për ndarjen e zekatit midis tetë grupeve të mësipërme.

Shafiu dhe ndjekësit e tij janë të mendimit se kur shpërndarësi i zekatit është pronar i pronës, atëherë ai nuk ka pjesë që i takon si mbledhës zekati. Në këtë rast bëhet e detyrueshme ndarja e shumës së mbledhur në mes shtatë grupeve të mbetur. Nëse grupet e tjera për arsye të ndryshme nuk e gëzojnë të drejtën për të marrë zekat, atëherë do të shpërndahet ndërmjet atyre që vazhdojnë ta gëzojnë këtë të drejtë. Nuk lejohet të lihet mënjanë ndonjë kategori që i plotëson kushtet për të pasur të drejtën e zekatit.

Ibrahim Nehai thotë: “Nëse sasia e zekatit të marrë është e madhe, atëherë është e mundur ta ndash ndërmjet kategorive të ndryshme e nëse ajo është e vogël, lejohet t’ia japësh vetëm një kategorie”.

Ahmed ibën Hanbeli ka mendimin se ndarja e zekatit ka prioritet, por është e lejueshme t’ia japësh të gjithë atë sasi një kategorie të vetme.

Maliku ka mendimin se, shpërndarësi i zekatit duhet të përpiqet të zbulojë se cilët janë ata që janë më në nevojë. Ai duhet ta ndajë atë sipas kushteve imediate të të varfërve dhe nevojtarëve. Nëse ai e sheh se në vite të caktuara të varfërit kanë më shumë nevojë, atëherë atyre duhet t’u jepet prioritet. Nëse ai e shikon se në një vit tjetër udhëtarët kanë më shumë nevojë, atëhërë ai duhet ta ndajë zekatin ndërmjet tyre.

Hanefitë dhe Sufjan El Theuri mendojnë se paguesi i zekatit mund të zgjedhë

kategorinë, të cilës dëshiron t’i japë zekat. Kjo transmetohet nga Hudhejfe, Ibën Abasi, Hasan El Basri dhe Ata’ ibën Ebu Rabah.

Ebu Hanife mbron idenë se shpërndarësi i zekatit mund t’ia japë atë dhe një personi të vetëm, që i përket njërës prej tetë kategorive.

Pse dijetarët kanë mendime të ndryshme?

Sipas Ibën Rushdit, arsyeja e mendimeve të ndryshme të dijetarëve qëndron ndërmjet kuptimit gjuhësor dhe atij të nënkuptuar. Kuptimi gjuhësor përcakton ndarjen në të gjitha kategoritë, ndërsa kuptimi për të cilin është pasur qëllim tregon se si i duhet dhënë prioritet nevojtarit sipas emergjencës së nevojave të tij, përderisa qëllimi (i shpërndarjes së zekatit) është eleminimi i varfërisë. Numërimi i këtyre kategorive në Kuranin e Shenjtë është bërë për të dalluar ndryshimet e llojeve të njerëzve që e gëzojnë të drejtën e zekatit dhe jo detyrimisht pjesëmarrjen në zekat.

Interpretimi i parë është ai gjuhësor, ndërsa i dyti është interpretimi i pasur për qëllim (i nënkuptuar).

Shafiu e mbështet mendimin e tij në hadithin e Sudait, i cili transmeton nga Ebu Daudi se një burrë shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i kërkoi zekat. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Zoti nuk e ka lënë çështjen e sadakasë të vendoset nga Profeti apo nga ndonjë tjetër. Ai vetë i ka klasifikuar në tetë grupe. Nëse bën pjesë në njërin prej tyre, do të jap pjesën tënde”.[25]

 

Parapëlqimi i mendimit të shumicës së dijetarëve nga ai i Shafiut

Autori i “Raudah En Nadijah” thotë se shpërndarja e gjithë zekatit për një grup është më frutdhënëse në plotësimin e fjalës së Allahut. Shkurtimisht, themi se Allahu e bëri zekatin të aplikueshëm në mënyrë të veçantë për tetë kategoritë e përmendura. Cilësimi i këtyre kategorive në veçanti nuk do të thotë që zekati do të ndahet ndërmjet tyre në mënyrë të barabartë apo se duhet të ndahet vetëm ndërmjet tyre. Kuptimi që është pasur për qëllim është se kategoritë e sadakasë janë të ngjashme me grupe të ndryshme njerëzish, që gëzojnë të drejtën për të. Kështu, nëse dikush e ka për detyrë t’i paguajë diçka njërës prej këtyre kategorive dhe ia jep grupit paralel, pranohet se e ka plotësuar urdhërin e Allahut. Në të kundërtën, nëse dikush do ta ndante zekatin e tij të detyruar në mes tetë grupeve të njohura, në rast se do të ekzistonin të tetë, atëherë kjo jo vetëm që do të ishte në kundërshtim me praktikën e muslimanëve gjatë gjithë historisë, por do t’i shkaktonte vështirësi edhe vetë paguesit të zekatit. Për shembull, nëse zekati është i pakët, nuk do t’i shërbente asnjë kategorie për të cilën ishte caktuar, po të ishte e një lloji, pa folur nëse ajo do të ishte disa llojesh. Për të mbështetur një praktikë të tillë do të ishte e njëjtë me kundërshtimin e asaj që bëri Profeti (a.s.), kur lejoi pagimin e shlyerjes nga bamirësia e mbledhur për Seleme ibën Sahr. Sigurisht, hadithi i Sudait nuk mund të përdoret si argument.

Nuk ekziston asnjë rast i vetëm në literaturën e hadithit që të përdoret për të bërë të detyrueshëm shpërndarjen e zekatit tek të gjitha grupet që e përfitojnë atë.

Po ashtu, nuk merret si argument edhe hadithi i Muadhit, kur Profeti (a.s.) e urdhëroi atë të merrte zekat nga të pasurit e Jemenit dhe t’ua jepte të varfërve të tyre, pasi hadithi në fjalë nuk përcakton se zekati iu nda të gjitha grupeve.

As hadithi i Zijad ibën El Harithe Es Sudait nuk është i vlefshëm në këtë rast, pasi në zinxhirin e këtij transmetimi është Abdurrahman ibën Zijad El Afriki, besueshmëria e të cilit ka qenë e diskutueshme nga shumë dijetarë. Nëse e marrim këtë hadith si të vlefshëm për pikën që po diskutojmë, kuptimi i ndarjes së zekatit në pjesë është shpërndarja e tij sipas kuptimit sipërfaqësor të ajetit të Kuranit dhe asaj çfarë Profeti (a.s.) kishte për qëllim. Nëse supozojmë se ndarja e zekatit është e nënkuptuar, ndarja duhet të bëhet sipas kategorive të veçanta. Në këtë rast, çdo transferim i pjesës së një grupi te një tjetër, madje edhe nëse grupi për të cilin bëhet fjalë, për një arsye apo për një tjetër nuk do të ekzistonte, nuk do të ishte i lejueshëm. Një praktikë e tillë do të ishte në kundërshtim me konsensusin e dijetarëve muslimanë. Nëse e pranojmë këtë, atëherë faktori vendimtar për ndarjen e sadakasë do të ishte dëshira e udhëheqësit dhe jo kategoritë e njerëzve që e gëzojnë këtë të drejtë.

Kështu, nuk ka fakte që ta bëjnë të detyrueshme ndarjen dhe si rrjedhim është e lejuar t’ua japësh një pjesë të sadakasë atyre personave që e gëzojnë këtë të drejtë dhe një pjesë grupeve të tjera. Në të vërtetë, kur udhëheqesi i mbledh të gjitha sadakatë e popullit të tij dhe të tetë kategorive janë të predispozuar për ta marrë, secili grup ka të drejtë të kërkojë pjesën e tij.

Megjithatë, udhëheqësi nuk është i detyruar t’i ndajë sadakatë në mënyra të barabarta ndërmjet tyre apo ta ndajë pa ndonjë dallim, pasi ai mund t’i japë çfarëdolloj sasie cilitdo prej grupeve që ai dëshiron ose mund t’i japë një pjesë pa e dhënë pjesën tjetër, nëse mendon se është në të mirë të Islamit ose në interes të popullit të tij. Për shembull, nëse sadakaja u mblodh dhe pastaj bëhet thirrja për xhihad, që do të thotë se është e nevojshme të mbrohen territoret islame nga jobesimtarët, udhëheqësi mund t’ua japë një pjesë të sadakasë ose të gjithën luftëtarëve që e meritojnë atë.

Gjithashtu, kjo përdoret edhe për çështje të tjera, nëse e kërkon interesi i përgjithshëm.

Njerëzit për të cilët është i ndaluar zekati

Vijon … 


[1] Hadith Daif. “Ed Daife” 1320, “El Irva” 859, “El Mishkat” 1835. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1630, Darakutni 218-219, Bejhakiu 4/173-174, Taberani në “El Kebir” 5/302.

[2] Buhariu 1476 me shprehje të përafërt, Muslimi 2390.

[3] Pjesë nga hadithi i saktë i Muadhit.

[4] Buhariu 4539, Muslimi 2391, Nesai 2570.

[5] Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[6] Ether Daif. “Tahrixh Mushkiletil Fakr”, nr. 83, f. 47.

[7] Muslimi 2401, Ebu Daudi 1640, Nesai 2580, Ahmedi 5/60 me shprehje të përafërt, Darimi 1/396.

[8] Hadith Sahih. “El Irva” 876. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1633, Nesai 2598, Ibën Ebi Shejbe 4/56-57, Ebu Ubejd 1725, Tahaviu 1/303,304, Darakutni 211, Bejhakiu 7/14, Ahmedi 4/224.

[9] Hadith Sahih. “El Irva” 877. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1634, Tirmidhiu 652, Darimi 1/386, Ibën Ebi Shejbe 4/56, Ebu Ubejd 1726, Tahaviu 1/303, el Hakim 1/407, Daraktuni 211, Bejhakiu 7/13, Ebu Daud et Tajalisi 1/177.

[10] Muslimi 2478, Ebu Daudi 2985, Nesai 2608, Ahmedi 4/166.

[11] Hadith Sahih. “El Irva” 870. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1635, Ibën Maxheh 1841, Ibën Xharudi 365, el Hakim 1/407, Bejhakiu 7/15, Ahmedi 3/56.

[12] Buhariu 7164, Muslimi 2402, Nesai 2608,2609, Ahmedi 1/17,21, 2/99.

[13] Hadith Sahih. “El Mishkat” 3751. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2945, Ahmedi 4/229.

[14] Muslimi 5976.

[15] Muslimi 2440.

[16] Muslimi 5974, Ahmedi 3/108, 175, 259, 284.

[17] Gjithashtu edhe Maliku, Ahmedi dhe Shafiu në një transmetim.

[18] Hadith Sahih. “El Mishkat” 3384, “Et Targib” 1898. E ka nxjerrë Ahmedi 4/299, Darakutni 2/135, Bejhakiu 10/273.

[19] Hadith Hasen. “Gajetul Meram” 210, “El Mishkat” 3089. E ka nxjerrë Tirmidhiu 1655, Nesai 3218, Ibën Maxheh 2518, Ahmedi 2/251, 437, Bejhakiu 7/78.

[20] Hadith Daif. “El Irva” 867, “Et Targib” 834. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1641, Tirmidhiu 653, Ibën Maxheh 2198, Ahmedi 3/114, 126-127.

[21] Pra, merrni tani çfarë i gjendet, porse nuk keni të drejtë ta burgosni përderisa është në vështirësi ekonomike dhe gjithashtu kjo nuk nënkupton fshirjen e pjesës së borxhit të mbetur.

[22] Muslimi 3958, Ebu Daudi 3469, Tirmidhiu 655, Nesai 4530, 4678.

[23] Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[24] Hadith Sahih. U përmend më sipër.

[25] Hadith Daif. U përmend më sipër.