ZEKATI (4)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


ZEKATI PËR KAFSHËT

Ekzistojnë hadithe autentike që tregojnë hapur se zekati është i detyrueshëm për devetë, gjedhin dhe delet. Ky fakt gëzon një konsensus të plotë. Megjithatë, duhet të plotësohen disa kushte:

1- Kafshët që përfshihen në zekat duhet të plotësojnë nisabin e tyre.

2- Duhet të zotërohen për një vit të plotë.

3- Duhet të kenë kullotur vetë, që do të thotë të kenë kullotur pjesën më të madhe të vitit në kullota të disponueshme.[1]

Shumica e dijetarëve bien dakord me kushtin e fundit. Megjithatë Maliku dhe El Lejthi thonë se zekati është i detyrueshëm për kafshët, qoftë për ato që kanë kullotur dhe për ato që janë ushqyer me ushqim të gatshëm, është përdorur për të mbajtur ngarkesë apo jo.

Megjithatë, hadithet e transmetuara janë të qarta në kufizimin e zekatit vetëm për gjënë e gjallë që kullot e lirë. Kjo gjë sugjeron se nuk ka zekat për gjënë e gjallë të rritur me ushqime të gatshme. Është gjithmonë më e sigurt ta bazosh një mendim mbi fakte, sesa mbi hamendje të përgjithshme. Kjo bëhet për të mënjanuar keqkuptimet e mundshme të qëllimit të Profetit (a.s.).

Ibën Abdulberri thotë se nuk njeh ndonjë jurist që të ketë ndjekur Malikun ose El Lejthin përsa i përket kësaj teme.

Zekati për devetë

Nuk ka zekat për devetë, nëse ato nuk e arrijnë numrin pesë. Zekati për to jepet vetëm atëherë, kur ato arrijnë në pesë krerë, kullosin lirisht në mjedise të hapura dhe zotërohen nga dikush për një periudhë kohore njëvjeçare. Kur janë 5 deve, zekati i tyre është një dele[2]. Kur janë 10, zekati i tyre është dy dele. Kështu, sa herë që numri tyre rritet me pesë, zekati për to është një dele më shumë. Në 25 deve nxirret një deve femër që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në vitin e dytë e nëse nuk ka, jepet një deve mashkull dyvjeçar dhe ka hyrë në të tretin. Në qoftë se janë 36 deve, nxirret një deve femër në qumësht. Në qoftë se numri arrin në 46, nxirret një deve që ka mbushur tre vjet dhe ka hyrë në të katërtin. Në qoftë se numri arrin në 61, nxirret për zekat një deve që ka mbushur katër vjeç dhe ka hyrë në të pestin. Në qoftë se numri arrin 76, nxirren dy deve femra në qumësht. Nëse numri arrin në 91 dhe deri në 120, nxirren dy deve që kanë mbushur tre vjeç dhe kanë hyrë për katër. Në qoftë se numri kalon nga 121 deve e sipër, atëherë nxirret për çdo 40 prej tyre një deve femër në qumësht e në çdo 50 prej tyre nxirret një deve që ka mbushur tre vjet dhe ka hyrë për katër.

Për sa i përket atyre që duhet të jenë në një moshë të caktuar dhe ajo nuk gjendet ndër to (devetë), atëherë nxirret ajo që ndodhet më e vogël në moshë se ajo që kërkohet, duke shtuar dy dele ose 20 derhem, duke marrë parasysh se ai mund ta paguajë këtë shumë. Nëse personi ka vetëm 4 deve, ai nuk është i detyruar të paguajë ndonjë gjë, vetëm në rast se ka dëshirë.[3]

Këto janë rregullat përsa i përket zekatit për devetë që janë aplikuar nga Ebu Bekr Es-Sidiku dhe askush nga shokët e tij nuk kishte mendim të kundërt me të në lidhje me këtë çështje.

Zuhri transmeton nga Selimi e ai nga babai i tij: “I Dërguari i Allahut i kishte të shkruara rregullat e sadakasë, por nuk mundi t’ia dërgonte mëkëmbësve të tij. Pas vdekjes së tij, Ebu Bekri (r.a.) i shpërndau ato dhe i aplikoi. Një praktikë të tillë e ndoqi edhe kalifi Umer dhe dëshironte që ta ndiqnin dhe pasardhësit e tjerë”.[4]

Zekati për gjedhin[5]

Kusht për të dhënë zekat për gjedhin, ashtu si edhe për devenë, është plotësimi i kriterit të numrit dhe periudhës së caktuar. Nisabi për lopët është 30 krerë dhe ajo që është e detyruar të nxirret për zekat nga këta 30 krerë është një viç motak njëvjeçar. Në qoftë se numri arrin në 40, atëherë nxirret një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet[6] e kjo gjë aplikohet deri në 59 krerë. Nëse numri arrin në 60, atëherë nxirren për zekat dy viça motakë. Nëse numri arrin 70, nxirret për zekat një viç motak, bashkë me një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet. Nëse numri arrin në 80, atëherë nxirren për zekat dy mëshqerra që kanë mbushur dy vjet. Në qoftë se numri arrin në 90, nxirren për zekat tre viça motakë. Nëse numri arrin në 100, nxirren për zekat dy viça motakë dhe një mëshqerrë që ka mbushur dy vjet. Nëse numri arrin në 110, nxirren për zekat dy mëshqerra që kanë mbushur dy vjet dhe një viç motak. Në qoftë se numri arrin në 120, atëherë nxirren për zekat tre mëshqerra që kanë mbushur dy vjet ose katër viça motakë.

Kështu, nëse numri rritet, në çdo 30 krerë nxirret një viç motak dhe në çdo 40, nxirret një mëshqerrë, siç e cituam më sipër.

Zekati për bagëtitë e imëta[7]

Tek bagëtitë e imëta hyjnë dhentë dhe dhitë. Kusht për të dhënë zekat për to është të plotësojnë nisabin dhe periudhën e caktuar. Nisabi për bagëtitë e imëta është për 40 krerë një dele. Kjo gjë aplikohet deri nëse ato arrijnë 120. Në qoftë se numri arrin 121, për to nxirren dy dele. Kjo gjë aplikohet deri nëse numri arrin 200 krerë. Në qoftë se numri arrin 201 dhe deri në 300 krerë, për to nxirren tre dele. Nëse numri i bagëtive të imëta i kalon 300 krerët, atëherë për çdo 100 prej tyre nxirret një dele. Dijetarët e lejojnë marrjen e deshëve për zekat, nëse të gjitha bagëtitë e nisabit janë meshkuj. Nëse bagëtitë janë të përziera meshkuj dhe femra, hanefitë e lejojnë nxjerrjen e meshkujve për zekat, ndërkohë që të tjerët specifikojnë bagëtitë femra.[8]

Ç’është avkasi ?- Përkufizimi i tij

Avkas është fjalë arabe dhe shumësi i fjalës vaks. Një vaks[9] është çfarëdolloj sasie ose numri që qëndron midis një mase më të ulët të urdhëruar (për zekat) dhe asaj më të lartë (për shembull 25-36 deve). Dijetarët bien dakord që një vaks i tillë është i përjashtuar nga zekati. Konfirmohet nga Profeti (a.s.) se ka thënë rreth sadakasë për devetë: “Kur numri i deveve arrin 25 (jepet për zekat) një deve e re femër që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në të dytin. Kur ato arrijnë numrin 36-45, atëherë zekati për to është një deve femër e re dyvjeçare që ka hyrë në të tretin”.[10]

Përsa i përket sadakasë së gjedhit, ai ka thënë: “Kur gjedhi arrin numrin 30-40, zekati është një viç motak një vjeç ose një mëshqerrë që ka hyrë në vitin e dytë. Kur arrin numri 40, jepet një lopë dyvjeçare që ka hyrë në të tretin”.[11]

Ndërsa përsa i përket sadakasë së bagëtive të imëta, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur numri i deleve që kanë kullotur lirisht është midis 42-120, zekati i tyre është një dele”.[12]

Duke u nisur nga faktet e mësipërme, ajo që qëndron midis 25-36 deveve është konsideruar vaks, që do të thotë se nuk ka zekat për to. Në të njëjtën mënyrë çfarëdo numri të gjedhëve që qëndron midis 30-40, konsiderohet vaks. Kjo aplikohet gjithashtu edhe për delet.

Çfarë nuk duhet të përfshihet në zekat?

Kur pronat e dikujt llogariten për zekat, duhen marrë parasysh të drejtat e tij si pronar. Gjërat më të mira prej mallrave të ndryshme nuk merren për zekat, derisa këtë ta pranojë vetë pronari me dëshirë. Gjithashtu, duhen marrë parasysh të drejtat e të varfërve. Një kafshë me mangësi nuk merret për zekat, vetëm në rast se të gjitha kafshët e disponueshme janë të mangëta. Zekati është i detyrueshëm nga mesatarja e asaj prone. Këtë mendim e mbështesin faktet e mëposhtme: Ebu Bekri (r.a.) ka thënë: “Nuk merren për sadaka ato që janë të vjetra[13], ato që janë me mangësi[14] dhe cjeptë”.[15]

Sufjan ibën Abdullah Thekafiu tregon se Umeri (r.a.) e ndaloi mbledhësin e zekatit të mblidhte për zekat delet shterpë, ato që mbahen në shtëpi për qumësht, ato që janë të mbarsura dhe dashi që mbahet për mbarështimin e kopesë.[16]

Abdullah ibën Muavije El Gadiri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që i plotëson këto tre kushte, do të shijojë besimin (imanin): Ai që e adhuron Zotin një dhe beson se nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe e jep me zemër zekatin e pronës së tij çdo vit dhe nuk ofron bagëti të vjetra, shterpa, të sëmura, të zgjebosura, ato që janë më të këqijat dhe ato që s’japin qumësht. Ju duhet të jepni një prej mesit të bagëtive tuaja. Me të vërtetë, Allahu nuk ju kërkon të jepni më të mirën e as nuk ju urdhëron të jepni më të keqen”.[17] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Tabaraniu me një zinxhir të mirë transmetimi.

Zekati për kafshët e tjera

Zekati nuk aplikohet për kafshë të tjera përveç gjedhit dhe bagëtive të imëta. Për

këtë nuk ka zekat për kuajt, mushkat ose gomerët. Zekati për ta jepet vetëm në atë rast, kur ato përdoren për tregti.

Aliu (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu nuk e ka për detyrë të japë sadaka për kalin dhe robin e tij”.[18] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Ahmedi me një zinxhir të mirë transmetimi.

Po ashtu, nuk qëndron që Profeti (a.s.) të ketë marrë sadaka për mushkat dhe gomerët.

Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) u pyet nëse ka zekat për gomerët dhe ai u përgjigj: “Asgjë nuk është përmendur (në shpallje), përveç versetit kuranor:

فَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَه(وَمَنْ يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَه

“Kush ka punuar ndonjë të mirë sa grimca, do ta gjejë dhe kush ka punuar ndonjë të keqe sa grimca, ka për ta gjetur”.[19] (Ez-Zelzele, 7-8)

Kjo transmetohet nga Ahmedi dhe detajet e tij tashmë janë përmendur.

Harithete ibën Mudarrib transmeton se ai kishte bërë haxhin me kalif Umerin (r.a.) dhe tek ai kishte shkuar paria e Sirisë. Këta të fundit i kishin thënë Umerit (r.a.): “O prijës i besimtarëve! Ne kemi mbledhur disa robër dhe kafshë, kështu që merr sadaka nga pasuria jonë të na pastrosh”. Nërsa prijësi i besimtarëve u ishte përgjigjur: “Dy pararendësit e mi[20] nuk e kanë bërë më parë këtë, por prisni njëherë t’i pyes muslimanët për këtë”.[21] Ky është transmetim i El Hajthemit, i cili citon se atë e ka treguar Ahmedi dhe po ashtu Tabaraniu në librin e tij “El Kebir”. Transmetuesit e këtij hadithi konsiderohen të besueshëm.

Zuhri transmeton nga Selman ibën Jesar se populli i Sirisë i tha Ebu Ubejde ibën Xherrahit: “Merr sadaka për kuajt dhe robërit tanë!”. Ai refuzoi e më pas i shkroi Umerit (r.a.), i cili refuzoi gjithashtu. Ata folën me të përsëri dhe ai i shkroi Umerit (r.a.) sërish. Umeri (r.a.), pasi vuri re këmbënguljen e letërshkruesit, iu përgjigj: “Nëse e dëshirojnë këtë, merre prej tyre dhe ktheje përsëri tek ata (të varfërit e tyre) dhe robërit e tyre”.[22] Kjo ngjarje transmetohet nga Maliku dhe Bejhakiu.

Zekati për devetë e reja, viçat e njomë dhe qengjat

Kur një person disponon nisabin e deveve, lopëve dhe deleve dhe gjatë të njëjtit vit ata pjellin të vegjël dhe shtohen, atëherë zekati është i detyrueshëm në fund të vitit, si për numrin e llogaritur më parë, ashtu edhe për pasardhësit e tyre. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se zekati i tyre konsiderohet si zekat i pasurisë së përgjithshme. Maliku dhe Shafiu transmetojnë nga Sufjan ibën Abdullah Thekafiu se Umer ibën El Hatabi ka thënë: “Numëroji bagëtitë e sapolindura që mbahen në krah nga bariu dhe mos i llogarit për zekat. Po kështu nuk llogariten për zekat as delet shterpë, të sëmura, ato që mbahen në shtëpi për qumësht, ato që janë të mbarsura dhe dashi që mbahet për mbarështimin e kopesë. Zekati mblidhet nga cilësia mesatare e pasurisë”.[23]

Ebu Hanife, Shafiu dhe Ebu Thauri janë të mendimit se bagëtia e posalindur nuk llogaritet në pagesën e zekatit, vetëm në rast se kafshët e rritura përbëjnë një nisab. Gjithashtu, Ebu Hanife ka thënë që qengji mund të shtohet për të plotësuar një nisab, qoftë të lindur nga e njëjta bagëti ose jo. Ato do të llogariten për zekat në fund të vitit. Shafiu përcakton kushtin që kafsha e re duhet të lindë nga nisabi përpara përmbushjes së tij. Sipas Ebu Hanifes, Daudit, Sha’biut dhe Ahmedit nuk ka zekat për kafshët e reja.

Ahmedi, Ebu Daudi, Darakutni, Nesaiu dhe Bejhakiu transmetojnë se Suvejd ibën Gafle ka thënë: “Mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) erdhi tek ne dhe e dëgjova të thoshte: “Në pozitën time si zyrtar, nuk merret zekat për kafshën që është me qumësht gjiri”. Në zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi është Hilal ibën Habab, të cilin shumë e kanë cilësuar të besueshëm, por disa të tjerë nuk e kanë konsideruar të tillë.

Sipas mendimit të Malikut dhe Ahmedit kafshët e reja, ashtu si edhe të rriturat, përfshihen në zekat. Shafiu dhe Ebu Jusufi mbrojnë idenë që të paktën një kafshë e re prej kafshëve të tjera të reja është e detyrueshme (për zekat).

Kombinimi ose ndarja e kafshëve të reja nga të vjetrat

1- Suvejd ibën Gafle ka thënë se: “Mbledhësi i zekatit i Pejgamberit (a.s.) erdhi tek ne dhe e dëgjova të thoshte: “Ne nuk mbledhim zekat për kafshët që janë me qumësht, as i ndajmë midis tyre të reja dhe të vjetra dhe as i kombinojmë bashkë”. Një burrë shkoi tek ai me një deve që kishte një gungë të madhe[24] dhe ai nuk e pranoi atë për zekat.[25] Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Nesaiu.

2- Enesi citon një letër që ia kishte dërguar Ebu Bekri (r.a.), ku, ndër të tjera, i shkruante: “Këto janë sadaka të detyruara, të cilat i Dërguari i Allahut i bëri obligim për muslimanët. Nuk është e nevojshme të grumbulloni (të reja dhe të vjetra) ose t’i ndani ato për të përftuar sasinë e saktë të sadakasë. Kur zekati është caktuar për dy gjëra bashkë, atëherë ne duhet ta ndajmë në mënyrë të barabartë ndërmjet tyre”.[26] Transmeton Buhariu.[27]

Maliku në librin e tij “El Mua’ta” thotë: “Kjo shpjegohet kur gjenden tre ortakë dhe secili prej tyre disponon 40 krerë bagëti, për të cilat paguan zekat. Nëse ata i bashkojnë bagëtitë bashkë, zekati i tyre do të jetë vetëm një dele. Marrim një shembull tjetër. Dy ortakë kanë 201 bagëti. Zekati për to është tre bagëti. Nëse ata e ndajnë tufën në mes tyre, atëherë zekati i tyre do të jetë nga një dele për secilin”.

Shafiu mbron idenë se ky pohim i adresohet si pronarit, ashtu edhe mbledhësit të zekatit. Secili urdhërohet të mos shtojë ose ndajë nga pasuria që posedon, për të përftuar një zekat më të ulët apo më të lartë. Përderisa pronari nga natyra e tij do të preferonte një zekat më të ulët për pasurinë e tij, ai sipas kësaj çështjeje do t’i kombinonte dhe do t’i ndante pasuritë e tij. E njëjta gjë vlen edhe për mbledhësin e zekatit, i cili mund të dojë të mbledhë sa më shumë zekat që të jetë e mundur. Duke përdorur frazën “khashjetus-sadaka” frikë e sadakasë, Profeti (a.s.) nënkupton se ajo mund të ulej dhe rritej, përderisa të dyja alternativat janë të mundshme. Kjo tregon se ai nuk preferonte njërën zgjedhje në vend të tjetrës. Kështu, ai i mundësoi të dyja alternativat.

Sipas hanefive, kjo në një farë mënyre është një ndalesë për ndarjen e pasurisë së dikujt nga mbledhësi i zekatit, kështu që sadakaja e tij të mos rritet. Për shembull, nëse një njeri posedon 120 dele dhe ato ndahen në tre tufa nga 40 secila, zekati do të ishte tre dele. Një tjetër shembull: Nëse kemi ndonjë rast, kur dikush e bashkon pasurinë me një tjetër mundet që sadakaja të rritet. Për këtë, nëse dikush zotëron 101 dele dhe një tjetër ka po të njëjtin numër, atëherë mbledhësi i zekatit nëse i bashkon të dyja tufat, do të siguronte tre dele si pagesë për zekat, ndërkohë që sasia reale e detyrueshme për zekat është vetëm dy.

A ka ndikim kombinimi i kafshëve?

Hanefitë janë të mendimit se, përderisa përcaktimi i zekatit është i përzier, kombinimi i kafshëve nuk ka efekt. Nuk ka rëndësi nëse një kombinim i tillë bëhet ndërmjet ortakëve apo nëse ka dalë si përfundim për shkak të fqinjësisë. Nuk do të ketë zekat për bashkimin e pronave të ortakëve, vetëm në rast se secili prej tyre arrin një nisab. Për më tepër, ato duhet të kenë një bari të përbashkët, një vathë të përbashkët dhe një racë të përbashkët. Po ashtu, pronarët duhet të shprehin qëllimin për t’u bashkuar në pronësi. Pasuria e secilit duhet të njihet, përndryshe ata do të konsiderohen si ortakë. Në këtë rast, secili individ duhet të jetë i përgjegjshëm për nxjerrjen e zekatit dhe duhet të jetë i njohur me rregullat e tij. Përzierja ndikon vetëm në gjënë e gjallë. Çfarë merret si zekat do të shpërndahet ndërmjet ortakëve në përputhje me pjesën e gjithësecilit.

Sipas shafive çdo pjesë e kombinimit ndikon në zekat dhe në këtë mënyrë zekati bëhet detyrë për t’u paguar për dy ose më shumë pjesë të pasurisë së bashkuar.

Kjo mund të ketë efekt mbi sasinë e detyruar të zekatit. Për shembull, nëse një burrë apo dy burra që posedojnë secili nga 20 dele dhe i bashkojnë dhentë e tyre, zekati i tyre në këtë rast është një dele, por nëse nuk i bashkojnë, atëherë nuk ka zekat për asnjërin. Nga ana tjetër, bashkimi i 101 dhenve me të njëjtin numër rezulton për një zekat prej një dele e gjysmë për secilin. Megjithatë, nëse tufat e dhenve do të llogariteshin veçmas, atëherë zekati i detyruar për secilën tufë do të ishte vetëm një dele. Në rastin e tre bashkimeve, ku secili prej tyre ka 40 dele e në rast se i bashkojnë ato, zekati i detyruar është një dele, që do të thotë se zekati i detyrueshëm për çdo ortak është 1/3 e një deleje. Megjithatë, nëse këtë çështje e trajtojmë veçmas, secili duhet të paguajë nga një dele. Për më tepër, duke vijuar në këtë temë, shafitë kushtëzojnë disa gjëra të tjera, si më poshtë:

1- Ortakët duhet ta përshkruajnë financiarisht se do të paguajnë zekatin.

2- Pausria e tyre duhet të arrijë nisabin.

3- Zekati i tij është i detyrueshëm në fund të vitit.

4- Asnjë nga pasuritë nuk veçohet nga të tjerat si vatha e pushimit, hapësira për kullotje, ujitja, barinjtë, vendi ku ato milen etj.

5- Tufat e të njëjtit lloji mbarështohen nga i njëjti dash.

Ahmedi bie dakord me Shafiun, përveç faktit se ai i kufizoi efektet e bashkimit tek kafshët e kullotës dhe nuk i merr në konsideratë pasuritë e tjera.

ZEKATI PËR THESARET E FSHEHURA

DHE MINERALET E ÇMUARA

Termi rikaz nga ana etimologjike rrjedh nga fjala “rakaza”, që në gjuhën arabe do të thotë “diçka e fshehur”. Allahu i Madhëruar thotë:

وَكَمْ أَهْلَكْنَا قَبْلَهُمْ مِنْ قَرْنٍ هَلْ تُحِسُّ مِنْهُمْ مِنْ أَحَدٍ أَوْ تَسْمَعُ لَهُمْ رِكْزًا

“A po vëreni ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?” (Merjem, 98). Në këtë kontekst, kjo i referohet asaj çfarë ruhej, groposej dhe fshihej në kohën e injorancës (periudha paraislame)[28].

Maliku dhe shumë dijetarë të tjerë janë të mendimit që rikaz do të thotë objekt i groposur, siç bënin arabët përpara se të përqafonin Islamin. Që të quhet rikaz, objekti duhet të gjendet pa përpjekje, vështirësi dhe shpenzime. Nëse nuk plotësohen këto kushte, atëherë ai nuk konsiderohet rikaz.

Ebu Hanife është i mendimit që rikaz është emri i një subjekti të fshehur nga Krijuesi ose nga krijesa e Tij, njeriu.

Vlerësimi i mineraleve dhe kushteve të tyre për zekat

Termi ma’din (mineral) vjen nga fjala “adana” që do të thotë “të qëndrosh”, pra të qëndruarit e diçkaje në një vend.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme për mineralet për të cilat jepet zekat.

Ahmedi ka mendimin se gjithçka e nxjerrë nga toka, që formohet brenda saj, apo e groposur nga njeriu dhe ka vlerë si (ari, argjendi, hekuri, bakri, çeliku, zafirët, agatet, katrani, kristali, arseniku, nafta, squfuri etj.) është detyrim të jepet zekat për to. Megjithatë, ai e kushtëzon faktin që mineralet e nxjerra duhet të arrijnë sasinë e nisabit, qoftë vetë ose me vlerën e tyre.

Ebu Hanife është i mendimit se zekati paguhet për çdo mineral që mund të merret siç është ose mund të shkrihet nga zjarri si: ari, argjendi, hekuri ose bakri. Përsa i përket lëngjeve si katrani ose mineraleve të ngurta që nuk mund të shkrihen nga zjarri si rubinët, për to nuk kushtëzohet nisabi. Në rastin e parë, administrimi i nisabit nuk është kusht prioritar. Për ato raste kur merret zekat, sasia është një e pesta e tij, sado qoftë ajo sasi, shumë apo pak.

Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se zekati jepet vetëm për arin dhe argjendin jepet. Ashtu si Ahmedi, ata insistojnë se ari duhet të peshojë të paktën 20 mithkal (peshë e barabartë me 4. 68 gr) dhe argjendi të paktën të ketë vlerën e 200 derhemëve. Ata bien dakord me hanefitë që këto minerale nuk e kanë të nevojshme plotësimin e një viti për të paguar zekat. Zekati për to bëhet i detyrueshëm në çdo kohë që kjo sasi është e vlefshme.

Sipas dijetarëve të mësipërm, duhet të ndiqen procedurat e ngjashme me zekatin në përgjithësi në shpërndarjen e këtij lloji zekati. Për Ebu Hanifen kjo shpërndarje është e ngjashme me atë të plaçkës së luftës.

Legjitimiteti i zekatit për thesarin dhe mineralet

Qenia detyrim e zekatit për thesarin dhe mineralet tregohet në thënien e Ebu Hurejrës. Ai tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka kompensim për një të vrarë ose të plagosur nga një kafshë, për atë që bie në pus ose nga dëmtimi (vdekja) gjatë punës në minierë, por një e pesta e thesarit është e detyrueshme”.[29]

Ibën El Mundhir thotë se ai nuk njeh ndonjë që ta kundërshtojë këtë hadith, përveç El Hasanit që bën dallime midis asaj që është në tokën e luftës dhe asaj që ndodhet në tokën islame. Pikëpamja e tij mbron idenë se, nëse rikazi gjendet në tokën e luftës, atëherë është e detyrueshme që të jepet një e pesta e nëse gjendet në tokën islame do t’i nënshtrohet zekatit të rregullt.

Duke e shpjeguar frazën “Nuk ka kompensim për dëmtimin gjatë punës në minierë”, Ibën El Kajimi thotë se ka dy interpretime për këtë thënie:

Interpretimi i parë është se, gjithmonë kur dikush paguan dikë për të gërmuar një minierë dhe pastaj bie në të dhe vritet, nuk ka kompensim për të. Ky mendim mbrohet nga thënia e Profetit (a.s.): “Nuk ka kompensim për një të vrarë ose të plagosur nga një kafshë dhe për atë që bie në pus”.

Interpretimi i dytë është se nuk ka zekat për mineralet. Ky mendim mbrohet nga thënia e Profetit: “… por një e pesta e thesarit është e detyrueshme”. Kështu, ai bëri dallim midis mineraleve “ma’din” dhe thesarit “rikaz”. Ai e bëri të detyrueshëm zekatin për rikazin, pasi është një pasuri e fituar pa kosto apo përpjekje. Ai përjashtoi mineralet “ma’din” nga zekati, pasi ato kërkojnë shpenzime dhe përpjekje të mëdha për t’u nxjerrë mbi sipërfaqen e tokës.

Rikazi për të cilin paguhet zekat

Rikaz janë të gjitha ato substanca me vlerë, për të cilat paguhet një e pesta si: floriri, argjendi, hekuri, bronxi dhe të tjera të ngjashme me to. Ky është mendimi i hanefive, hanbelive, Is’hakut, dhe Ibën El Mundhirit. Një transmetim nga Maliku dhe një nga dy mendimet e Shafiut e mbështesin atë. Gjithashtu, në një thënie tjetër Shafiu mbron idenë që një e pesta është detyrim vetëm për arin dhe argjendin.

Vendi i rikazit (thesarit)

Thesari mund të gjendet në vendet e mëposhtme:

1- Në një tokë djerrë, në një tokë që nuk i njihet pronari ose në një rrugë të vështirë apo në ndonjë fshat të rrënuar. Në këtë rast duhet paguar një e pesta (1/5) dhe ai i cili e gjen atë, mund t’i mbajë katër të pestat (4/5) për veten e tij. Kjo është e bazuar nga Nesaiu në një transmetim nga Amër ibën Shuajbi, ai nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij, i cili ka thënë se kur është pyetur i Dërguari i Allahut rreth një gjetjeje fatlume, ai u përgjigj: “Për çdo gjë që është gjetur në një rrugë të përdorshme ose në një fshat të banuar, ajo mbahet duke u bërë publike për një vit. Nëse pronari e kërkon atë, është e tij.[30] Por, kur një artikull gjendet në një rrugë të pakalueshme ose në një fshat të pabanuar, atëherë për të dhe për thesarin paguhet një e pesta”.[31]

2- Nëse thesari gjendet nga dikush në tokën që i është dhënë, atëherë ai është i tij meqë është depozituar në tokë. Në të vërtetë pronarët zotërojnë tokën dhe atë çka është e dukshme mbi sipërfaqen e saj dhe jo atë që është poshtë saj. Në mënyrë të përafërt, kjo lloj gjetjeje bën pjesë në kategorinë e barit, drurit të zjarrit që gjenden në tokën që nuk është e tij. Ai mund t’i marrë ato në pronësinë e tij, nëse ai i cili e dha tokën nuk i kërkon ato. Nëse pronari i vërtetë i kërkon, ato do të jenë të tijat, pasi në origjinë toka i takonte atij. Ky është mendimi i Ebu Jusufit dhe hanbelive, të cilët e konsiderojnë atë si të vërtetë.

Shafiu thotë se ajo i takon pronarit që e dha tokën (nëse ai e kërkon) para tij dhe kështu me radhë derisa të kërkohet nga pronari i parë i saj. Kurdo që toka jepet përmes trashëgimisë, konsiderohet një trashëgimi. Nëse trashëgimtarët bien dakord se nuk i përkiste atij prej të cilit e trashëguan, atëherë ajo i përket pronarit fillestar. Nëse ai nuk dihet, atëherë ajo konsiderohet pronë e humbur e një pronari të panjohur. Ebu Hanife dhe Muhamedi thonë se ajo i përket pronarit fillestar të tokës ose trashëgimtarëve të tij nëse ata njihen, e nëse jo vendoset në pasurinë publike (Bejt El-Mal).

3- Nëse gjendet në tokën e muslimanëve ose të një jomuslimani të lirë, atëherë i përket pronarit të tokës, sipas Ebu Hanifes, Muhamedit dhe Ahmedit. Gjithashtu, transmetohet nga Ahmedi se ajo i përket atij që e gjen atë thesar. Edhe Hasan ibën Salih, Ebu Thauri dhe Ebu Jusuf e preferojnë këtë mendim. Ky mendim bazohet në besimin se thesari nuk është e thënë që të zotërohet me zotërimin e tokës, përveçse kur kërkohet nga ai vetë. Në këtë rast fjala e tij është vendimtare, pasi ai ka të drejtën mbi tokën. Nëse ai nuk e kërkon, ajo i përket atij që e gjen. Shafiu ka mendimin se i përket pronarit, nëse ai e kërkon e në të kundërt i përket pronarit fillestar.

Sasia e detyruar që duhet paguar për rikazin

Sasia e zekatit që duhet paguar për rikaz është një e pesta, ndërsa katër të pestat e mbetura i takojnë pronarit më të hershëm nëse ai është i njohur. Nëse ai ka vdekur, atëherë u takon trashëgimtarëve të tij, nëse ata njihen e në të kundërtën dorëzohen në thesarin publik të muslimanëve. Sipas Ebu Hanifes, Ahmedit dhe dy prej transmetimeve të sakta të Malikut dhe Shafiut, pavarësisht nga nisabi, duhet të jepet një e pesta. Ndërsa për plotësimin e vitit, të gjithë dijetarët janë të mendimit se nuk qëndron si kusht.

Kush duhet të paguajë një të pestën?

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se një të pestën duhet ta paguajë çdokush që gjen një thesar, qoftë ai musliman, një njeri i lirë jomusliman (dhimi), i ri, i vjetër, i shëndoshë ose jo nga ana mendore. Kujdestarët e të rinjve dhe ata të sëmurëve mendorë, duhet ta paguajnë atë me përgjegjësinë e tyre. Ibën El Mundhiri komenton se të gjithë dijetarët bien dakord se “dhimiu” që gjen rikaz duhet ta paguajë një të pestën e tij. Gjithashtu, ky është mendimi i Malikut, dijetarëve të Medines, El Thaurit, Auzait, hanefive, dijetarëve të Irakut dhe të tjerëve.

Shafiu pohon se një e pesta është e detyrueshme vetëm për ata persona që janë të detyruar të paguajnë zekatin.

Shpërndarja e 1/5 së thesarit

Sipas Shafiut, shpërndarja e një të pestës është e njëjtë me atë të zekatit.

Ahmedi dhe Bejhakiu tregojnë nga Bishr El Hathami se një burrë nga fisi i tij kishte thënë: “Kur isha në Kufe më ra në dorë një vazo nga një manastir i vjetër. Në të ishin 4000 derhemë. E çova tek Aliu (r.a.) dhe më tha ta ndaja në pesë pjesë dhe ashtu veprova. Pastaj, Aliu (r.a.) mori një nga ato pesë pjesë dhe më la mua katër. Kur u nisa, ai më thirri dhe më pyeti nëse kishte persona nevojtarë afër meje. Iu përgjigja se kishte dhe ai ma ktheu sërish një të pestën dhe kërkoi t’ua ndaja atyre”.[32]

Ebu Hanife, Maliku dhe Ahmedi janë të mendimit se shpërndarja e tij është e ngjashme me atë të plaçkës së luftës.

Sha’biu tregon se një njeri gjatë rrugës për në Medine gjeti 1000 dinarë të futura nën dhé. Ai ia dorëzoi Umer ibën Hatabit, i cili mori një të pestën, pra 200 dinarë dhe pjesën tjetër ia dha burrit që e gjeti. Umeri (r.a.) filloi t’ua shpërndante 200 dinarët muslimanëve që ishin të pranishëm. Në fund mbetën pak dinarë dhe ai pyeti: “Ku është ai që i gjeti këto dinarë?” Kur burri u përgjigj, Umeri (r.a.) i tha atij t’i merrte ato dinarë që kishin mbetur se ishin të tij.[33]

Në “El Mugni” thuhet se po të ishte si zekati, ai nuk do t’ia kthente personit që i gjeti dhe do t’ua shpërndante atyre që e meritonin. Për më tepër, një të pestën e rikazit duhet ta japë edhe dhimiu, ndërsa zekati nuk është detyrim për të.

ZEKATI PËR PASURINË E NXJERRË NGA DETI

Shumica e dijetarëve bien dakord që zekati nuk paguhet për çdo gjë që nxirret nga deti si: perlat, koralet, qelibarët, peshqit e kështu me radhë. Megjithatë, ka një transmetim nga Ahmedi se, nëse sasia e nxjerrë arrin nisabin, zekati është i detyrueshëm për të. Ebu Jusufi bie dakord me të në rastin e perlave dhe kashalotit, pasi është një objekt që e nxjerr vetë deti. Xhabiri ka thënë që nuk ka zekat për kashalotin, por atë e merr ai që e gjen.

Përfitimi i pasurisë nëpërmjet grumbullimit të saj

Kur dikush grumbullon pasuri që ka arritur vlerën e nisabit dhe e zotëron për një vit, duke mos pasur pasuri tjetër ose ka pasuri të ngjashme me të parën, por që nuk e ka arritur nisabin, përveç nëse i shtohet pasuria e përftuar, atëherë viti i zekatit fillon të llogaritet që në momentin e parë të zotërimit të tij. Zekati do të paguhet në fund të plotësimit të haulit. Në këtë rast, pasuria e përftuar mund të klasifikohet në këto kategori të mundshme:

1. Sendet e përftuara rriten në vlerë, si nga fitimet e tregëtisë, ashtu dhe nga rritja në prodhimin e kafshëve. Për këto lloj pasurish aplikohet zekati dhe hauli. Nëse malli i tregtisë apo kafshët e dikujt përmbushin vlerën e nisabit dhe biznesi i tij sjell fitime apo kafshët riprodhohen gjatë periudhës së haulit, personi duhet t’i llogarisë si pasuritë e para, ashtu dhe shtesat si një të tërë për zekat. Nuk ka diskutime midis dijetarëve për këtë.

2. Përsa i përket pasurisë së mbledhur, e cila është në të njëjtën kategori me nisabin e arritur por që nuk ka rrjedhur prej tij, që do të thotë se është mbledhur përmes blerjes, dhuratës apo trashëgimisë. Ebu Hanife mbron idenë se kjo pasuri mund të bashkohet me nisabin, duke u bërë pjesë e tij në llogaritjen e haulit dhe pagesës së zekatit. Për këtë, pasuritë fillestare dhe fitimet bashkohen për të paguar taksën.

Shafiu dhe Ahmedi sugjerojnë që pasuritë e reja të fituara do të bashkohen me pasurinë fillestare që të përftojnë një nisab dhe që të fillojë llogaritja e një hauli të ri, pa dallim nëse pasuria fillestare ishte në valutë apo kafshë.

Për shembull, nëse dikush ka si pronë të tijën 200 derhemë dhe gjatë një viti arrin të marrë 200 të tjerë, ai duhet të paguajë zekat për të dyja shumat në fund të haulit, i cili fillon në momentin e përftimit të pronës së re. Mendimi i Malikut është i ngjashëm me atë të Ebu Hanifes përsa i përket kafshëve dhe i ngjashëm me atë të Ahmedit për floririn dhe argjendin.

3. Sendet e përftuara që nuk janë të njëjta me ato që ka pasur në zotërim personi. Për këtë, ato nuk mund të përzihen me njëra-tjetrën, si për nisabin ashtu dhe për numërimin e vitit të zekatit. Megjithatë, nëse sendet e fituara e arrijnë nisabin vetë, viti i tyre i zekatit do të llogaritet veçmas dhe pronari do ta paguajë zekatin e tyre në përfundim të vitit. Në mungesë të këtyre kushteve, asgjë nuk aplikohet për këto sende në zotërim. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Zekati është përgjegjësi e pronarit dhe jo e pronës

Hanefitë, malikitë dhe një transmetim nga Shafiu dhe Ahmedi hedhin idenë që është prona, ajo për të cilën detyrohet zekati. Mendimi i dytë është ai i Shafiut dhe Ahmedit, që thonë se zekati është përgjegjësi në ndërgjegjen e pronarit dhe jo për shkak të ekzistimit të pronës. Ndryshimi midis dy mendimeve është i qartë:

Për shembull, nëse dikush ka në zotërim 200 derhemë dhe nuk ka paguar zekat

për këtë shumë për dy vjet. Mendimi që thotë se zekati është i detyrueshëm për vetë pronën, thotë se sasia e detyruar për t’u paguar është ajo e një viti, përderisa pas kësaj sasia ulet me pesë derhemë, që ishte sasia detyruar e zekatit për t’u paguar në fund të vitit të parë.

Mendimi i dytë që e quan zekatin përgjegjësi të pronarit, thotë se ai duhet ta paguajë zekatin dy herë, një për çdo vit, pasi zekati është përgjegjësi e pronarit dhe nuk ndikohet nga ulja e nisabit.

Ibën Hazmi favorizon mendimin e të qënit përgjegjësi e pronarit.

Sipas tij nuk ka patur mendime të ndryshme midis muslimanëve të kohës së Profetit (a.s.) deri në fund të saj për sa i përket dhënies së zekatit për grurin, elbin, hurmat, argjendin, floririn, devetë, gjedhin dhe bagëtitë. Për zekatin nga një grumbull i ndryshëm gruri, elbi, hurme, argjendi, ari, devesh, gjedhi dhe bagëtie, ai thotë se nuk ka rëndësi, nëse personi e paguan atë nga e njëjta sasi, nga një sasi tjetër që është pronë e tij apo nga një sasi që mund të jetë blerë, marrë si dhuratë ose marrë hua.

Bindja se zekati është një përgjegjësi e pronarit dhe jo e pronës është një parim i saktë, pasi nëse zekati bëhet i detyrueshëm për pronën, pronarit nuk do t’i lejohej të paguante zekatin nga një sasi tjetër. Kjo është e ngjashme me rastin kur një ortaku i është ndaluar dhënia e parave të dala nga një burim tjetër nga ai i lidhjes së tyre, përjashtuar këtu rastin kur ortaku e lejon vetë një gjë të tillë dhe kjo gjë nuk shkel kushtet e kontratës midis tyre. Për më tepër, nëse zekati do të ishte i detyrueshëm për vetë pronën mund të dalin vetëm dy situata:

Në rastin e parë zekati paguhet për të gjitha pjesët e asaj prone dhe aplikohet për çdo sasi të veçantë të saj, pa veçuar ndonjë prej këtyre pronave.

Në rastin e dytë, nëse aplikohet për çdo pjesë të saj, nuk lejohet të shesësh nga ndonjë drith apo tufë (bagëtish), përderisa mbledhësit e zekatit në këtë rast do të bëheshin ortakë. Kështu, pronarit nuk i lejohet të marrë asgjë nga kjo pronë. Kjo është e ndaluar pa asnjë kundërshtim. Për më tepër do të jetë e detyrueshme për pronarin të specifikojë në mënyrë të saktë çmimin e bagëtisë që ai dëshiron të japë për zekat, ashtu siç bëhen ndërmjet një grupi ortakësh.

Nëse zekati është i detyrueshëm për çdo pjesë të pronës, sesa për të, atëherë ai bëhet i pavlefshëm. Kjo qëndron për një rast të tillë, përderisa ai nuk di dhe mund ta shesë apo to konsumojë atë që duhet t’ia japë mbledhësit të sadakasë. Kjo sjell si rezultat ato çka thamë më sipër.

Humbja e pasurisë, pasi zekati është bërë i detyrueshëm për të

Kur zekati është bërë i detryrueshëm për t’u paguar mbi pasurinë e dikujt, qoftë si pasojë e plotësimit të vitit apo të kohës së të vjelave dhe një pjesë e pasurisë ose e gjitha humbin, pronari përsëri është i detyruar ta paguajë zekatin për të. Nuk ka rëndësi nëse humbja ka ndodhur si neglizhencë e pronarit apo jo. Ky është mendimi i Ibën Hazmit dhe mendimi më i njohur nga hanbelitë. Ebu Hanife mbron idenë se ndalohet pagesa e zekatit, nëse e gjithë prona zhduket, pa pasur pronari dorë në shkatërrimin e saj. Kur një pjesë e saj humbet, kjo pjesë nuk llogaritet për zekat. Kjo ka të bëjë me rregullin, se zekati është i lidhur me vetë pronën.

Zekati duhet paguar, kur pronari e shkatërron vetë pronën e tij. Shafiu, Hasan ibën Salih, Is’haku, Ebu Thauri dhe Ibën El Mundhiri janë të mendimit se nëse nisabi zhduket përpara mundësisë për pagimin e zekatit, atëherë pronari nuk detyrohet të paguajë gjë.

Nëse zhduket pas krijimit të mundësisë për dhënien e tij, pronari duhet ta paguajë zekatin.

Ibën Kudame është i mendimit se ndalohet pagesa e zekatit, kur pasuria zhduket pa asnjë lloj neglizhence nga ana e pronarit. Kjo, pasi ai është i detyrueshëm për shkak të bamirësisë kur një pronë është ekzistente dhe nuk ka për qëllim varfërimin e paguesit të zekatit. Në këtë kontekst neglizhenca nënkupton se pronari e ka mbledhur nisabin dhe në këtë mënyrë ai ka pasur mundësi të paguante zekat, por ai nuk e bëri këtë dhe pasuria e tij humbi. Në të kundërt, nëse ai nuk e ka zotëruar nisabin e plotë ose ajo nuk ka qenë pronë e tij, apo ka qenë për t’u blerë dhe ai nuk mundi, kjo nuk përbën një rast neglizhence.

Po kështu, nëse supozohet që detyrimi për të paguar zekatin është i vlefshëm edhe pasi prona ka humbur dhe pronari ka mënyra për ta paguar, ai duhet ta paguajë atë. Përndryshe, atij duhet t’i garantohet një shtyrje e afatit, në mënyrë që ta plotësojë detyrimin e zekatit. Kjo është e ngjashme me një borxh, të cilin i detyrohesh dikujt, por borxhi që i detyrohesh Allahut është më me përparësi.

Humbja e zekatit, pasi është lënë mënjanë për t’u paguar

Kur dikush lë mënjanë zekatin që do t’ua shpërndante të varfërve dhe ai zekat ose një pjesë e tij humbet, personi duhet ta ripaguajë atë, pasi është ende përgjegjësi e tij.

Ibën Hazmi thotë se njeh një transmetim nga Ibën Ebu Shejbe nga Hafs ibën Gajath, Xhariri, El Mutemir ibën Sulejman Et Tejmi, Zejd ibën El Habab dhe Abdulvahab ibën Atau dhe po ashtu edhe nga Hafsi, i cili transmeton nga Hisham ibën Hasan nga Hasan El Basri. Xhariri ka thënë se transmetohet nga El Mugire e ai nga shokët e tij dhe El Muatemir transmeton nga Muamar dhe ky nga Hamadi dhe Zejdi ka thënë se është transmetuar nga Shuabe e ai nga El Hakem. Abdulvahabi transmeton nga Ibën Ebu Aruba dhe ky nga Hamadi ai nga Ibrahim Nahai. Të gjithë ata kanë rënë dakord se kushdo që lë mënjanë zekatin nga pasuria e tij dhe ai humbet, detyrimi për të paguar zekatin qëndron akoma dhe personi duhet ta mbledhë sërish atë.

Megjithatë, ekziston një mendim tjetër për këtë. Ibën Hazmi thotë: “Sipas një transmetimi të Ataut, detyrimi do të binte si detyrim, nëse zekati i hequr mënjanë do të humbiste”.

Vonimi i pagesës së zekatit nuk e mënjanon atë

Shafiu është i mendimit se, nëse dikush e vonon pagimin e zekatit për disa vjet, duhet ta paguajë atë për të gjitha vitet e lëna së bashku. Nuk ka rëndësi nëse ai ishte apo jo në dijeni të pagimit të tij dhe nuk ka ndryshim, nëse është në një territor musliman apo jomusliman.

Duke u bazuar në mendimin e Malikut, Shafiut dhe Ebu Thaurit, Ibën El Mundhiri thotë: “Kur njerëzit e padrejtë drejtojnë një vend dhe njerëzit e tij nuk e paguajnë zekatin për disa vjet, atëherë udhëheqësi i ri duhet t’ua marrë atyre atë zekat”.

Pagesa e një vlere në vend të vetë mallit

Nuk lejohet të paguash vlerë (monetare) për vetë mallin, vetëm në rast mosekzistence, pasi zekati është një akt adhurimi që mund të përmbushet vetëm sipas disa mënyrave të veçanta, nëpërmjet të cilave të pasurit e ndajnë pasurinë e tyre me të varfërit.

Muadhi transmeton se Profeti (a.s.) e dërgoi atë në Jemen dhe i tha: “Merr drithëra nga drithërat e tyre, bagëti nga bagëtitë e tyre, deve nga devetë e tyre dhe lopë nga lopët e tyre”.[34] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi, Ibën Maxhe, Bejhakiu dhe Hakimi. Është për t’u vënë re se ka një ndërprerje në zinxhirin e këtij hadithi, pasi Atau nuk e ka dëgjuar vetë atë nga Muadhi.

Duke e kundërshtuar zëvendësimin, Sheukani thotë: “E vërteta e çështjes qëndron në atë se zekati është i detyruar për vetë mallin dhe nuk duhet zëvendësuar me vlerën e tij, vetëm në rast kur ka një arsye të vlefshme për të”.

Ebu Hanife e lejon pranimin e vlerës, qoftë edhe kur individi ka mundësi ta paguajë me vetë mallin. Kjo, pasi zekati është e drejtë e të varfërve dhe ai beson se nuk ka ndryshim nëse paguhet me mallin përkatës apo me diçka tjetër të së njëjtës vlerë. Buhariu përmend në formën mualak (pa zinxhir) se Muadhi i kërkoi njerëzve të Jemenit të jepnin si zekat materiale ose tesha të mëndafsha dhe veshje të tjera, në vend të elbit dhe misrit, pasi kjo gjë ishte më e lehtë për ta dhe më e mirë për shokët e Pejgamberit a.s. në Medine.[35]

Zekati për pronën e përbashkët

Kur pasuria është pronë e përbashkët e dy ose më shumë ortakëve, zekati nuk është i detyrueshëm për asnjërin prej tyre, përderisa ata të gjithë në mënyrë individuale të arrijnë vlerën e nisabit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Kjo nuk përfshin bashkimin e kafshëve, për të cilat është diskutuar më sipër.

Shmangia nga pagesa e zekatit

Mendimi i Malikut, Euzait, Is’hakut, Ahmedit dhe Ebu Ubejdes është se, kushdo që zotëron një nisab për çfarëdolloj pasurie dhe pastaj e shet përpara përfundimit të haulit, e jep si dhuratë ose e dëmton një pjesë të tij me qëllim shmangien nga një pjesë e zekatit, ai duhet ta paguajë zekatin e pronës së tij. Nëse ai e angazhon veten në një nga veprat e mësipërme, në një kohë kur obligimi i tij për të paguar zekatin është gati për t’u plotësuar, ai duhet të detyrohet me forcë ta paguajë atë. Nëse ndonjë nga veprimet e mësipërme ndodh në fillim të haulit, kjo nuk do të ishte një shkelje dhe ai nuk do të ishte i detyruar ligjërisht ta paguante zekatin, ngase kjo nuk do të ishte në pozitën e shmangies.

Ebu Hanife dhe Shafiu janë të mendimit se, përderisa sasia është e zvogëluar përpara plotësimit të haulit, zekati nuk duhet të paguhet. Megjithatë, ai përsëri do të konsiderohet një njeri gabimtar dhe mosbindës ndaj Allahut, duke u përpjekur t’i shmanget zekatit. Ata që përfaqësojnë mendimin e parë e bazojnë gjykimin e tyre mbi ajetet, në të cilat Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّا بَلَوْنَاهُمْ كَمَا بَلَوْنَا أَصْحَابَ الْجَنَّةِ إِذْ أَقْسَمُوا لَيَصْرِمُنَّهَا مُصْبِحِينَ(وَلاَ يَسْتَثْنُونَ(فَطَافَ عَلَيْهَا طَائِفٌ مِنْ رَبِّكَ وَهُمْ نَائِمُونَ)فَأَصْبَحَتْ كَالصَّرِيمِ)فَتَنَادَوا مُصْبِحِينَ

“Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat; e nuk patën thënë “Në dashtë Zoti!” Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin  dhe gdhiu i përvjelë”. (El-Kalem, 17-20)

Si i tillë, zekati do të vazhdojë të jetë detyrë për personin, pasi njerëzit, për të cilët flitet në ajetin e mësipërm kishin për qëllim t’u hiqnin të varfërve të drejtën që ata kishin nga pjesa e pasurisë së tij.

Kjo do të ishte e ngjashme me rastin e një burri, i cili e ndan gruan e tij, duke qenë me një sëmundje të pashërueshme. Në këtë rast qëllimi i tij djallëzor kërkon një ndëshkim. Një rast tjetër i kësaj natyre do të ishte i atij personi që vret të afërmin e tij për të shpejtuar sa më shumë marrjen e trashëgimisë. Në atë rast, Zoti e dënon atë duke e lënë mënjanë nga trashëgimia e tij.

PËRFITUESIT E ZEKATIT

 Vijon … 


[1] Ky është mendimi i Ebu Hanifes dhe Ahmedit. Shafiu është i mendimit që, nëse kafshës i jepet tagji në një sasi jo të konsiderueshme pa të cilën mund të mbijetojë, duhet të jepet zekat për të e në të kundërt jo. Ajo nuk mund të durojë pa tagji më shumë se dy ditë.

[2] Prej dhenve, një dele ose shqerrë, e cila është më e madhe se gjashtë muaj, të jep përshtypjen se është e rritur. Prej të dhirtave, një dhi ose cjap që ka mbushur vitin.

[3] Sheukani thotë: “Kjo dëshmon se, zekati është detyrim i përcaktuar mbi sendin, mallin, vlerën apo kafshën e përmendur konkretisht. Në rast se zekati do të ishte detyrim i përcaktuar, duke u nisur nga vlera monetare e llojeve të ndryshme të asaj që konsiderohet pasuri, atëherë do të rezultonte se të gjitha këto kushte dhe kategori të përmendura, nuk do kishin kurrfarë vlere.

[4] Ahmedi 2/15, Darimi 1/382 me shprehje të përafërt.

[5] Në të përfshihet edhe bualli.

[6] Medh’hebi hanef lejon të jepet edhe viç, jo vetëm mëshqerrë, e cila ka mbushur dy vjet. Disa të tjerë thonë që është detyrim dhënia si zekat e një mëshqerre femër vetëm, dhe në rast se janë të tërë meshkuj, me konsensus lejohet të jepet viç sipas kriterit të moshës së lartpërmendur.

[7] Në bagëtitë e imëta përfshihen dhentë e dhitë.

[8] Në lidhje me temat që përmendëm më sipër, po citojmë disa pika që i ka shtjelluar Ebu Bekër Xhabir El Xhezairi në librin e tij “Minhaxh El Muslim” fq. 255. (Shënim i redaktorit).

– Pjesa më e madhe e dijetarëve kanë vënë si kusht edhe kullotën e bagëtive. Pra, të kullosin më tepër se një vit në kullotat e hapura të shkretëtirës apo gjetkë, ndërsa imam Maliku nuk e ka bërë këtë kusht për detyrimin e zekatit. Argument për pjesën më të madhe të dijetarëve është thënia e Profetit (a.s.): “Bagëtitë e kullotës nëse janë 40 deri 120, nxirret për zekat një prej tyre”. Ky grup dijetarësh ka nxjerrë nga ky hadith argumentin për kushtin e kullotës në nxjerrjen e zekatit të bagëtive. Pra, për bagëtitë është ky tekst hadithi, ndërsa për lopët dhe devetë aplikohet barazvlerësimi. Kullota duhet të merret parasysh, se në mungesë të saj ka vështirësi në rritjen e këtyre gjedhëve.

– Nuk ka zekat për bagëtitë për numrin e ndërmjetëm 40-120. Detyrë është të nxjerrësh një për 40 deri në 120. Nëse shtohet numri qoftë edhe një i vetëm, pra 121, atëherë duhen nxjerrë dy dele. Po kështu, nuk ka zekat për numrat e ndërmjetëm të lopëve dhe deveve. Kjo, për faktin se Profeti (a.s.) ka përmendur se, nëse arrin këtë numër ke kaq si detyrim për zekat e me radhë.

-Lejohet që gjatë nxjerrjes së zekatit të nxirret dhia në vend të deles, duke qenë nga e njëjta gjini. Po ashtu, lejohet të veprohet me lopën dhe buallicën.

-Nuk pranohen për zekat bagëtitë e vogla, viçat e njomë dhe as deveja që nuk ka mbushur vitin. Umeri (r.a.) i ka thënë mbledhësit të zekatit: “Kthejua atyre bagëtitë e vogla dhe mos ua merr!”

– Nuk merren për zekat bagëtitë dhe gjedhët plaka dhe as ato që kanë ndonjë mangësi, gjë e cila e ul vlerën e tyre. Ebu Bekri (r.a.) ka thënë se: “Nuk merren për sadaka bagëtitë e vjetra, ato që janë me mangësi dhe cjeptë”.

[9] Bëhet fjalë për numrin që varion ndërmjet dy numrave, për të cilët jepet zekat sipas rastit. –Shënim i redaktorit.

[10] Hadith Sahih. “El Irva” 792. E ka nxjerrë Ebu daudi 1567, Nesai 2447, Tirmidhiu 621, Ibën Maxheh 1798, Darakutni 209, Bejhakiu 4/86, Ahmedi 1/11-12.

[11] Hadith Hasen Sahih. Nesai 2453.

[12] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[13] Që u kanë rënë dhëmbët.

[14] Qorre nga një sy.

[15] Pjesë e hadithit të saktë të përmendur më sipër.

[16] Maliku 2/286.

[17] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 1046, “Et Targib” 750, “Sahihul Xhami” 3041. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1574, Taberani në “Es Sagir” f.115, Bejhakiu 4/95.

[18] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[19] Buhariu 2371, 2860, Muslimi 2287, Nesai 3565, Ahmedi 2/262, 383, 423, 424.

[20] Bëhet fjalë për Profetin (a.s.) dhe Ebu Bekrin (r.a.).

[21] Mexhmea ez Zevaid 3/69.

[22] Maliku 1/277, Bejhakiu 4/118.

[23] Maliku 1/265.

[24] Sepse ajo konsiderohet prej bagëtive më të mira.

[25] Hadith Hasen Sahih. Ebu Daudi 1579, Nesai 2457, Ibën Maxheh 1409, Ahmedi 4/315.

[26] Buhariu 1450, Nesai 2455, Ibën Maxheh 1801, 1805, Darimi 1/383, Ahmedi 2/15.

[27] Hatabi thotë: “Kuptimi i hadithit është që nëse dy ortakë kanë 40 krerë bagëti, për secilin nga 20, mbledhësi i zekatit merr nga njëri prej tyre një dele, dhe ortakut nga bagëtia e të cilit u morr zekati i totalit, i kthehet vlera e gjysmës së deles nga ortaku tjetër”.

[28] Sendet e groposura ose të fshehura në periudhën e injrancës, njiheshin si të tilla për shkak të shenjave dalluese si emrat apo gdhendjet mbi to, quhen (kenz) thesare, ndërsa ata që datojnë ndonjë periudhë të Islamit ose nuk përcaktohet saktësisht se kujt periudhe i përkasin, asaj të injorancës apo së islamit, quhen gjetjeje fatlume (lukata) dhe jo thesare.

[29] Buhariu 6912, Muslimi 4440, Nesai 2495, Tirmidhiu 642,1377, Ibën Maxheh 2673,2676, Ahmedi 2/228, 475.

[30] Në rast se malli apo thesari gjendet në vende të banuara dhe gjetja është bërë e njohur, mirëpo pronari nuk gjendet brenda një viti, atëherë mallin e mban për vete ai që e gjen, nëse është i varfër. Nëse personi që e ka gjetur është i pasur, ai duhet ta shpërndajë atë si sadaka për nevojtarët. (Shënim i redaktorit. Marrë nga libri origjinal në gjuhën arabe. Vëll. I-rë. Fq.256).

[31] Hadith Hasen. “El Mishkat” 3036, “Sahihul Xhami” 5658. E ka nxjerrë Nesai 2494, Ebu Daudi 1710 me shprehje të përafërt.

[32] Ether Daif. “El Irva” 851. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/157 dhe Seid ibën Mensur.

[33] Ether Daif. “El Irva” 812. E ka nxjerrë Ebu Ubejd 342 / 874.

[34] Hadith Daif. “Ed Daife” 3544, “Daiful Xhami” 2816. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1599, Ibën Maxheh 1814, Bejhakiu 4/112, el Hakim 1/388.

[35] Transmetim Daif. “Tamamul Mineh” 379. E ka përmendur Buhariu në formën Mualak, “Kapitulli i Zekatit”, tema “Borxhi në Zekat”.