ZEKATI (3)

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


ZEKATI MBI BIMËT DHE FRUTAT

Zoti na e ka bërë detyrë zekatin për të mbjellat dhe frutat, kur thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ …

“O ju që besuat! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës”. (El-Bekare, 267)

Zekati quhet shpenzim (nafakah). Duke dhënë arsyen e pagesës së zekatit mbi prodhimin, Allahu i Madhëruar thotë: “…. hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojtarëve) dhe mos e teproni…”. Në shpjegimin e fjalës “hak” në ajetin pararendës, Ibën Abasi thotë që me fjalën “hak” nënkuptohet si detyrimi i zekatit, ashtu dhe 1/10 (el-ushr) dhe ½ e të dhjetës.

Zekati mbi të mbjellat dhe frutat në kohën e Profetit (a.s.)

Gjatë kohës së Profetit (a.s.) zekati paguhej për grurin, elbin, hurmat dhe rrushin e thatë. Ebu Burdah transmeton nga Ebu Musa dhe Muadhi, se kur i Dërguari i Allahut i dërgoi në Jemen t’u mësonin jemenasve Islamin, ai i urdhëroi ata të merrnin zekatin, përveç katër llojeve: grurin, elbin, hurmat dhe rrushin e thatë.[1] Ky hadith transmetohet nga Darakutni, Hakimi, Tabaraniu dhe Bejhakiu. Madje Bejhakiu, kur flet për statutin e transmetimit të këtij hadithi thotë se zinxhiri i tij është muttasil (i pandërprerë) dhe transmetuesit janë të besueshëm.

A duhet konsideruar sadakaja e detyrueshme apo jo?

Ibën El Mundhiri dhe Ibën Abdulberri thonë se dijetarët janë të mendimit se

sadakaja është e detyrueshme për artikujt e tillë si gruri, elbi, hurmat dhe rrushi i thatë. Ky mendim i ka rrënjët në thënien e Ibën Maxhes, se Pejgamberi (a.s.) e bëri rregull zekatin e grurit, elbit, hurmave, rrushit të thatë dhe misrit.[2] Një prej transmetuesve në zinxhirin e këtij hadithi është Muhamed ibën Ubejdullah El Arzemi, të cilin dijetarët e shohin si të lënë anash dhe si i tillë transmetimi i tij nuk merret parasysh.

Bimët dhe frutat për të cilat nuk merret zekat

Zekati nuk merret për perimet ose frutat, me përjashtim të rrushit dhe hurmave të freskëta. Ata’ ibën Es Saibi transmeton se Abdullah ibën El Mugire dëshironte të merrte sadaka për perimet e Musa ibën Talhas. Ky i fundit kundërshtoi duke thënë: “Nuk ke të drejtë ta bësh këtë. I Dërguari i Zotit ka thënë se nuk ka sadaka për perimet”.[3] Ky hadith transmetohet nga Darakutni, Hakimi dhe El Athrami në librin e tij “Es-Sunen”. Ky hadith është mursel.

Musa ibën Talha thotë: “Pesë gjëra që trajtoheshin për zekat përmendeshin nga i Dërguari i Allahut: elbi, gruri, sulti (një lloj drithi pa lëvore), rrushi i thatë dhe hurmat. Çfarëdolloj gjëje tjetër që prodhon toka, nuk hyn në 1/10 (el-ushr)”. Ai (Musa ibën Talha) gjithashtu thotë se Muadhi nuk mblodhi sadaka për perimet”.[4]

Bejhakiu thotë për statutin e këtyre transmetimeve se të gjitha këto hadithe janë të llojit mursel, por të përcjella nga burime të ndryshme. Megjithatë, ata konfirmojnë njëri-tjetrin. Ky hadith përmban thënien e Aliut, Umerit dhe Aishes për këtë temë.

El Athrami tregon se një nga guvernatorët e kalifit Umer i shkroi atij rreth plantacioneve të rrushit, përfshi pjeshkë dhe shegë që prodhonin dyfishin e vjeljeve të rrushit. Ai iu përgjigj: “Nuk ka 1/10 (el-ushr) për to”. Ata janë artikuj që nuk trashëgohen.[5] Tirmidhiu bie dakord me këtë dhe thotë: “Në bazë të këtij parimi veprojnë dijetarët” .[6]

Këtë e mbështet gjithashtu edhe El Kurtubi, i cili është i mendimit se zekati nuk merret për prodhimet e tokës që përdoren si ushqim i vazhdueshëm dhe për perimet. Në Taif rriteshin shegë, pjeshkë dhe agrume dhe nuk ka ndonjë konfirmim që Profeti (a.s.) dhe kalifët pas tij të mblidhnin zekat për to.

Ibën El Kajimi sqaron se nuk ishte praktikë e Profetit (a.s.) të mblidhte zekat për kuajt, skllevërit, mushkat, gomerët dhe për perimet: pjeprin, kastravecat dhe frutat që nuk mund të ruhen ose të maten me rendiment. Përjashtim bënin rrushi dhe hurmat e freskëta. Për këto dy lloje, zekati mblidhej në tërësi, pa dallime në ishin të thata apo jo.

Mendimi i juristëve

Nuk ka dallime mendimesh mes juristëve për detyrimin e zekatit për të mbjellat dhe

frutat, por ata kanë mendime të ndryshme për llojin e bimëve dhe frutave për të cilat jepet zekat. Më poshtë do trajtojmë spektrin e gjerë të mendimeve për këtë temë.

Hasan El Basriu dhe Shabiu thonë se zekati është i detyrueshëm mbi çdo lloj që është theksuar me tekst. Këtu bëjnë pjesë gruri, elbi, misri, hurmat dhe rrushi i thatë. Për të tjerat nuk ka tekst që flasin për zekatin e tyre. Sheukani e ka konsideruar këtë si mendimin e vërtetë.

Ebu Hanife mbron idenë se zekati është i detyrueshëm mbi çdo produkt të tokës, përfshi edhe perimet, duke përjashtuar çfarë nuk është mbjellë dhe kultivuar me dëshirë siç është: druri i zjarrit, bambuja, bari dhe pemët që nuk nxjerrin fruta. Mendimi i tij bazohet mbi kuptimin e përgjithshëm të thënies së Profetit: “Për çfarë ujit qielli (shiu), jepet 1/10”.[7]

Kuptimi është i përgjithshëm dhe i përfshin të gjitha llojet e prodhimeve të kultivueshme që mbillen për të rritur pjellorinë e tokës dhe për këtë i referohet praktikave bujqësore të ngjashme me rritjen e drithërave.

Ebu Jusufi dhe Muhamedi mbështesin mendimin se zekati paguhet për çdo produkt të tokës, me kusht që të zgjasë gjithë vitin pa shumë kujdesje dhe trajtime. Kjo përfshin prodhimet e matura me rendiment, siç janë drithërat ose me masë siç janë pambuku dhe sheqeri. Nëse produkti nuk zgjat për një vit të plotë, siç janë llojet e kastravecit, shalqirit etj., për ato nuk ka zekat.

Maliku është i mendimit që zekati paguhet për atë që prodhohet në tokë dhe qëndron, thahet e mbillet nga njerëzit. Kjo përfshin prodhimet e tokës të përdorura si ushqim që qëndrojnë gjatë si gruri dhe elbi ose që nuk përdoren si ushqim si luledielli dhe farat e susamit. Sipas tij nuk paguhet zekat për perimet dhe frutat si fiku, shegët dhe mollët. Shafiu mbron idenë se zekati paguhet mbi çdo prodhim, frutat e të cilit përdoren si ushqim i rregullt, i cili mund të ruhet dhe mbillet nga njerëzit siç janë drithërat.

Neveviu është i mendimit se nuk ka zekat për pemët e tjera, përveç palmës (hurmës) dhe hardhisë dhe se nuk paguhet zekat për drithërat, përveç atyre që përdoren për ushqim dhe mund të ruhen. Po ashtu, ai thotë se nuk ka zekat për perimet. Nga ana tjetër, Ahmedi mendon se zekati është për çdo gjë që Allahu nxjerr nga toka, siç janë drithërat dhe frutat. Ato mund të jenë të thara, të ruajtura, të matura dhe të mbjella nga njerëzit, qofshin ushqime që qëndrojnë gjatë si gruri, fasulet, bizelet, thjerrëzat dhe drithra të tjera si këto ose erëzat dhe barërat si bari i gjumit, fara e lirit, fara e dy llojeve të kastravecit, farat e susamit etj.

Sipas Ahmedit, zekati paguhet për frutat e thara si hurmat, rrushi thatë, fiqtë, kajsitë, bajamet dhe lajthitë, nëse ato u përshtaten veçorive të përmendura më sipër. Zekati nuk paguhet për frutat e freskëta si pjeshkët, dardhat, mollët, kajsitë dhe fiqtë. Në të njëjtën mënyrë zekati nuk është i detyrueshëm për perimet, si dy llojet e kastravecit, shalqiri, patëllxhani, rrepa dhe karrota.

Zekati për ullinjtë

Imam Neveviu thotë: “Përsa i përket ullinjve, mendimi ynë (i shafive) është se

nuk ka zekat për to”. Ky është mendimi i Hasan ibën Salih, Ibën Ebu Lejlës dhe Ebu Ubejdes.

Dijetarët si Zuhri, El Lejthi, Euzai, Maliku, El Theuri, Ebu Hanife dhe Ebu Thauri janë të mendimit se ullinjtë përfshihen në zekat. Zuhri, El Lejthi dhe Euzai janë të mendimit se duhet përcaktuar sasia e tij me hamendje dhe më pas mblidhet zekati i tij në formën e vajit të ullirit. Ndërsa Maliku thotë: “Nuk ka nevojë të llogaritet sasia e tij me hamendje; merr të dhjetën që vjen prej ullinjve të shtypur, derisa të arrish peshën 5 evsuk”.[8]

Origjina e mendimeve të ndryshme rreth zekatit për bimët dhe frutat

Ibn Rushdi na informon rreth ndryshimeve për pagesën e zekatit, përsa i përket bimëve dhe frutave duke thënë: “Ndryshimi i mendimeve qëndron në faktin se disa juristë e kufizojnë pagesën e zekatit vetëm për ato artikuj, për të cilat kemi rënë dakord në përgjithësi, ndërsa të tjerë shkojnë më tej duke përfshirë gjithashtu edhe frutat e thara. Thelbi i çështjes është se çfarë i klasifikon katër artikujt e ngrënshëm (gruri, elbi, hurma dhe rrushi i thatë) për zekat? A janë ato temë e zekatit, pasi janë të tilla apo për shkak të rëndësisë së tyre të veçantë që kanë për jetën? Ata që pajtohen me pikëpamjen e parë, e kufizojnë zekatin për katër artikujt e ngrënshëm, ndërsa ata që pajtohen me pikëpamjen e dytë e zgjerojnë detyrimin për të gjitha prodhimet e tokës, përveç barit, drurit të zjarrit dhe bambusë”.

Ka një konsensus për përjashtimin e këtyre të fundit nga zekati, megjithatë kur është fjala për një analogji të bazuar mbi një qëndrim të përgjithshëm, të dy grupet janë të lëkundur. Profeti (a.s.) ka përdorur një mënyrë përgjithësimi, kur ka thënë: “Për çfarë ujitet nga qielli jepet 1/10 dhe për çfarë është vaditur jepet gjysma e një të dhjetës”.[9]

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

وَهُوَ الَّذِي أَنْشَأَ جَنَّاتٍ مَعْرُوشَاتٍ وَغَيْرَ مَعْرُوشَاتٍ وَالنَّخْلَ وَالزَّرْعَ مُخْتَلِفًا أُكُلُهُ وَالزَّيْتُونَ وَالرُّمَّانَ مُتَشَابِهًا وَغَيْرَ مُتَشَابِهٍ كُلُوا مِنْ ثَمَرِهِ إِذَا أَثْمَرَ وَآتُوا حَقَّهُ يَوْمَ حَصَادِهِ …

“është Ai që ka krijuar kopshte, thurima të larta dhe të shtruara, hurma dhe bimë, me shije të ndryshme, ullinj e shegë, të ngjashme dhe të ndryshme. Hani frutat e tyre kurdo që të prodhojnë dhe jepni atë që është detyrë në ditën e vjeljes së tyre! Por mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë!”. (El-En’am, 141)

Duke folur në mënyrë analogjike, zekati synon t’i kundërvihet varfërisë dhe kjo nuk mund të arrihet përmes zekatit për prodhimin tokësor që është i ngrënshëm dhe jetësor, por për prodhimet shtesë.

Kufizimi i një thënieje të përgjithshme me këtë lloj logjike indirekte e zhvlerëson zekatin mbi të gjitha produktet e tokës, përveç atyre që janë jetike. Ata që ndjekin rëndësinë e përgjithshme të thënies së Profetit (a.s.), u shtojnë diçka më tepër katër artikujve përgjithësisht të njohur. Sigurisht, bëjnë përjashtim ata artikuj, për të cilët ka një konsensus. Përsëri ata që bien dakord me prodhimet jetike të tokës, shpesh ndahen në mendime, nëse mund të konsiderohen jetësore apo jo ato prodhime. A mund të jetë të menduarit analogjik baza, mbi të cilën ata bien dakord ose jo? Një shembull i një mosmarrëveshjeje të tillë është ajo e Malikut dhe Shafiut, përsa i përket ullinjve. Maliku mbron idenë se zekati për ullinjtë është i detyrueshëm, ndërsa Shafiu është kundër këtij mendimi, sipas një mendimi të tij të fundit të shprehur në Egjipt. Arsyeja e mospranimit të tij është dyshimi nëse ullinjtë mund të konsiderohen apo jo si ushqim vital për jetën.

Nisabi për bimët dhe frutat

Shumica e dijetarëve thonë se nuk ka zekat për bimët dhe frutat, derisa ato të arrijnë sasinë 5 evsuk. Për më tepër kjo aplikohet vetëm pasi hiqet byku, kashta dhe lëvorja. Nëse nuk është pastruar nga lëvoret, atëherë sasia e nisabit të zekatit duhet të jetë 10 evsuk. Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka sadaka (zekat) për atë që është më pak se pesë evsuk”.[10] Transmetohet nga Ahmedi dhe Bejhakiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Ebu Seid El Hudri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka sadaka për çfarëdolloj sasie të hurmave ose drithërave më pak se pesë evsuk”.[11]

Një evsuk me konsensus është i barabartë me 60 sa’a (masë kubike që varion në përmasa. Më lartë, në hadith, është përmendur se një sa’a është e barabartë me 3 kg).[12] Ky hadith mendohet të jetë me zinxhir të shkëputur (munkat’i).

Ebu Hanife dhe Muxhahidi janë të mendimit se zekati është një detyrë për çdo sasi, të vogël ose të madhe në përputhje me thënien e Profetit (a.s.): “Për çka ujit qielli jepet një e dhjeta”.

Kjo, pasi prodhimi i tokës dëmtohet me kalimin e kohës dhe nuk mund të ruhet për një vit të tërë. Në këtë rast, një prodhim i tillë nuk e arrin nisabin në një periudhë njëvjeçare.

Ibën El Kajimi, duke diskutuar rreth kësaj çështjeje, ka thënë: “Tradita profetike është shumë e qartë në përcaktimin e të dhjetës së nisabit  me pesë evsuk dhe kjo shpjegohet në hadithin: “Nga ajo që ujit qielli jepet një e dhjeta dhe nga ajo që ujitet (me enë, kovë, etj.) jepet gjysma e të dhjetës”.[13]

Kjo aplikohet si për sasi të vogla, ashtu edhe për të mëdha, ndryshe nga sasia specifike e përmendur në një hadith tjetër. Në aplikimin e tij, një thënie e përgjithshme është aq e rëndësishme, po edhe sa një thënie specifike. Duhet të ketë një përballim midis të dyjave dhe të aplikohet ajo që është më e përshtatshmja. Ky është rregulli që duhet ndjekur”.

Është thënë që të dy hadithet pararendës duhen ndjekur. Në thelbin e tyre, hadithet nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk e shfuqizon tjetrin. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Nga ajo që ujit qielli jepet një e dhjeta…” Kjo thënie bën dallimin ndërmjet dy kategorive: atë për të cilën jepet një e dhjeta dhe atë për të cilën detyrohet ½ e të dhjetës. Për këtë ai bëri dallimin midis dy kategorive, vetëm përsa i përket sasisë së detyrueshme. Nuk është përmendur asnjë sasi nisabi në këtë hadith. Megjithatë ai e ka trajtuar hapur në një hadith tjetër, i cili nuk mund të injorohet si diçka e përgjithshme ose që mendohet për të qenë e tillë dhe jo tjetërsoj.

Kjo është e ngjashme me thëniet e tjera me rëndësi të përgjithshme që janë shpjeguar në këtë tekst. Ibën Kudame nxjerr përfundimin: “Është rënë dakord me thënien e Profetit (a.s.) se nuk ka sadaka (zekat) për çdo gjë më pak se 5 evsuk. Ky hadith është specifik dhe për këtë merr përparësi dhe sqaron thëniet e mëparshme të një rëndësie të përgjithshme. Kjo është e njëjtë me thënien e tij, që zekati është i detyrueshëm për të gjitha devetë që kullosin lirshëm, e cila sqarohet nga thënia tjetër e tij mbi të njëjtën temë: “Nuk ka sadaka (zekat) për çdo gjë më pak se 5 Dheude[14]”.[15]

Thënia tjetër e tij: “Sadakaja për argjendin është ¼ e të dhjetës”[16] specifikohet nga një thënie e mëvonshme: “Nuk ka sadaka për sasi më pak se 5 evak”.[17] Për këtë është e mundur të kesh pasuri që klasifikohen për zekat, por mbi të cilat nuk paguhet taksë.

Kur është fjala për prodhimin e tokës, zotërimi i një pasurie për një vit nuk mund të përdoret si kriter, pasi rritja e tyre plotësohet në kohën e të vjelave dhe jo gjatë kohëzgjatjes së tyre për një vit.

Megjithatë, zotërimi i pasurisë llogaritet për mallra veç nga prodhimi i tokës, përderisa përgjithësisht pranohet që deri në fund të vitit ato duhet të jenë rritur plotësisht. Parimi për të plotësuar nisabin për ndonjë pronë të caktuar, bazohet në të kuptuarit që nisabi është një sasi e mjaftueshme për t’u trajtuar si temë e zekatit. Kjo shpjegohet duke përmendur faktin se sadakaja është e detyrueshme për të pasurit, kur është plotësuar nisabi që rrjedh nga posedimet e tyre. Për produktin që nuk mund të matet, por klasifikohet për zekat përdoret njësia matëse sa’a. Një sa’a është një masë e barabartë me 1 e 1/3 e kupës. Për këtë një nisab është i barabartë me 50 kajla.[18]

Për prodhimin që nuk mund të matet, Ibën Kudame thotë: “Nisabi i pambukut, shafranit dhe artikujve të tillë duhet të matet deri në 1.600 paund irakienë. Në këtë mënyrë pesha e tij është e vlefshme.

Ebu Jusufi është i mendimit se, nëse prodhimi nuk mund të matet, zekati për të nuk mund të mblidhet kur vlera e tij arrin nisabin në standartin më të ulët të masës. Kështu, zekati nuk mblidhet për pambukun, derisa vlera e tij të arrijë 5 evsuk të një artikulli me vlerë më të ulët të matur si për shembull elbi etj. Kjo, pasi është e pamundur për të matur artikullin në vetvete, përveçse me çmimin më të ulët të dy nisabëve. Sipas Muhamed ibën El Hasanit, prodhimi duhet të arrijë pesëfish të vlerës më të madhe të llojit të tij për t’u përfshirë në zekat. Kështu, zekati nuk paguhet për pambukun, kur ai arrin pesë kintarë,[19] sepse vlerësimi me evsuk është bazuar mbi vlerësimin se vlera e pambukut është më e lartë se vlerësimi në llojin e tij.

Tarifa e zekatit

Tarifa e zekatit ndryshon sipas metodës së ujitjes.

Nëse toka është ujitur në mënyrë natyrale, pa përdorur mjete artificiale, atëherë zekati që paguhet për të është një e dhjeta e prodhimit. Nëse është ujitur me mjete mekanike ose me ujë të siguruar në mënyra të tjera, atëherë zekati që paguhet është gjysma e të dhjetës. Muadhi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çfarë ujit qielli apo ujitet vetvetiu ose me një kanal ujitës (natyral), një e dhjeta është detyrë, ndërsa për çfarë ujitet nëpërmjet pusit ose një vije uji, jepet ½ e të dhjetës”.[20] Transmeton Bejhakiu dhe Hakimi, i cili e konsideron hadith të vërtetë.

Ibën Umeri tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çfarë ujit qielli ose nëpërmjet ndonjë burimi, një e dhjeta është detyrë, ndërsa për çfarë ujitet nëpërmjet pusit ose një vije uji, jepet ½ e të dhjetës”.[21] Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe të tjerë.

Në rast se toka është ujitur në sasi të barabartë si në mënyrë natyrale, ashtu edhe në atë artificiale, atëherë zekati që do të paguhet do të jetë ¾ e të dhjetës.

Ibën Kudame ka thënë se nuk njihte mendime të ndryshme rreth kësaj. Nëse një mënyrë ujitjeje përdoret më shumë se një tjetër, atëherë ajo do të ishte faktori përcaktues për të llogaritur zekatin. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Ahmedit, El Thaurit dhe Shafiut (në njërin nga dy mendimet e tij). Të gjitha shpenzimet që përfshihen në të korrat, pastrimin, transportin, ruajtjen, shirjen etj., duhet të përballohen nga pasuria e pronarit dhe nuk duhet të llogariten në pagesën e zekatit. Ibën Abasi dhe Ibën Umeri janë të mendimit se çfarëdo që është marrë borxh me qëllim mbjellje, korrje, për punimin e tokës, etj., duhet që fillimisht të hiqen mënjanë. Kjo është e qartë në thëniet e mëposhtme të transmetuara nga Xhabir ibën Zejdi, se Ibën Abasi dhe Ibën Umeri i kanë thënë një burri, i cili kishte marrë borxh për kultivimin e tokës për familjen e tij, se ai në radhë të parë duhet të paguante borxhet e tij e më pas të paguante zekat për pjesën e mbetur. Jahja ibën Adem e transmeton këtë në librin “El Haraxh”.

Ibën Hazmi transmeton nga Ata’ se në fillim duhet të reduktohen të gjitha shpenzimet, e nëse zekati është i detyrueshëm për pjesën e mbetur, vetëm atëherë duhet paguar.

Zekati për tokën, për të cilën paguhet taksë

Toka që është caktuar për të paguar taksë, ndahet në dy kategori:

1-Toka e të dhjetës: tokë e njerëzve që e kanë pranuar Islamin me dëshirë; ose që janë çliruar dhe toka e tyre u është ndarë çliruesve; ose toka e kthyer në pjellore dhe e kultivuar nga muslimanët.

2-Toka për të cilën paguhet taksë (haraç); tokë e marrë me forcë dhe lënë te pronarët e saj të vërtetë me kusht që ata të paguajnë taksën e kërkuar për tokën.

Zekati, ashtu siç paguhet për tokën e të dhjetës, po ashtu paguhet për të dyja llojet e tokave. Në rast se banorët e mëvonshëm pranojnë Islamin, ose kur muslimani e blen tokën është i detyruar të paguajë taksën e tokës. Në atë rast, si e dhjeta dhe haraçi bëhen të detyrueshme dhe asnjëra prej tyre nuk mohon vënien në praktikë të tjetrës.

Ibën El Mundhiri thotë: “Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, përfshi këtu Umer ibën Abdulazizin, Rabian, Zuhrin, Jahja El Ensarin, Malikun, Euzain, El Thaurin, El Hasan ibën Salih, Ibën Ebu Lejlën, El Lejthin, Ibën El Mubarakun, Ahmedin, Is’hakun, Ebu Ubejden dhe Daudin. Mendimi i tyre bazohet në Kuran, Sunet dhe në përvojën e intelektit të dijetarëve që e kanë ndërtuar në bazë të logjikës analoge.

Vargu kuranor që i referohet kësaj është thënia e Allahut të Madhëruar:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ…

“O ju që besuat! Jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës” (El-Bekare, 267)

Ndarja e prodhimit të tokës me të varfërin është detyrë për të dyja llojet e tokave. Tradita profetike, të cilës i referohemi thotë: “Për çka ujit qielli jepet një e dhjeta”. Ky hadith, në kuptimin e tij të përgjithshëm i përfshin të dyja llojet e tokave të mësipërme.

Sipas logjikës analoge, si zekati, ashtu edhe haraçi janë një lloj detyrimi, secila e bazuar në arsye të ndryshme dhe asnjëra prej tyre nuk e eleminon tjetrën. Kjo është e ngjashme me rastin e muhrimit (që ka veshur ihramin[22] në haxh apo umra), i cili vret një gjah që është pronë e dikujt tjetër. Përderisa e dhjeta është një detyrim me tekst, nuk mund të mohohet nga haraçi, i cili është bërë i detyrueshëm me anë të ixhdtihadit[23]. Ebu Hanife thotë se një e dhjeta nuk paguhet për tokën e haraçit. Sipas tij, haraçi është detyrë vetëm atëherë kur toka është e pushtuar, ndërsa njëri nga kushtet kryesore të detyrimit të një të dhjetës është që toka nuk duhet të jetë e këtij lloji.

Argumentet e mendimit të Ebu Hanifes

Imam Ebu Hanife sjell këto fakte për mendimin e tij:

Sipas Ibën Mesudit, Profeti (a.s.) ka thënë: “As haraçi dhe as e dhjeta nuk paguhen njëkohësisht për tokën e një muslimani”. Megjithatë ky hadith konsiderohet i dobët, sipas konsensusit të dijetarëve. Jahja ibën Anbasa e transmeton atë nga Ebu Hanife nga Hamadi, ai nga Ibrahim Nahai, ai nga Alkamah, ai nga Ibën Mesudi dhe ai nga Profeti (a.s.). Bejhakiu, pasi ka hetuar zinxhirin e këtij transmetimi, ka thënë në “Ma’rifetu Es-Sunen ue El Athar” se hadithi i përmendur ka ardhur nëpërmjet Ebu Hanifes, ai nga Hamadi, ai nga Ibrahimi nën përgjegjësinë e tij. Kështu, Jahja e transmeton atë në formë merfu’. Jahja ibën Ansabah është i njohur për transmetime të dobëta, ngase ai transmeton nga njerëz të sigurt hadithe të trilluara. Kjo thuhet edhe nga Ebu Ahmed ibën Adij El Hafidh, siç na informon rreth tij Ebu Said El Malini. Po kështu, Kemal ibën Humami[24], një prej imamëve hanefi, e konsideron këtë hadith të dobët.

Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (a.s.) ka thënë: “Iraku nuk do të paguajë kafizin[25] e tij dhe dirhemët; Shami nuk do të paguajë madin dhe dinarët e tij dhe Egjipti erdabët dhe dinarët e tij. Kështu, ju do të ktheheni në pikën ku ishit nisur”[26].[27] Ai e ka përsëritur këtë tre herë dhe Ebu Hurejra e ka dëgjuar personalisht. Ky hadith nuk përbën ndonjë fakt se zekati nuk duhet të paguhet për tokën e haraçit. Dijetarët e interpretojnë kuptimin e tij se kthimi i këtyre vendeve në fenë islame do të eleminojë taksat e tokës. Gjithashtu mund të jetë një aludim (hamendje) për sprovat që mund të shfaqen në kohët e fundit dhe që do të çojnë në neglizhencën e plotësimit të detyrimit të zekatit, xhizjes e të tjerave nga ana e tyre.

Imam Neveviu thotë: “Nëse ky hadith do të thotë se çfarë thonë ata (hanefitë), atëherë kjo do të thotë se zekati nuk mund të jetë i detyrueshëm për derhemët,

dinarët dhe tregtinë. Këtë nuk e thotë askush” . Transmetohet në kohën kur një njeri me famë i Bahrelmulkut përqafoi Islamin, Umer ibën El Hatabi tha: “Jepini atij tokë dhe merrni nga ai taksën e saj”. Ky është një qëndrim i qartë për çështjen e marrjes së haraçit, pa kërkuar pagimin e të dhjetës. Ky rast tregon se haraçi nuk anullohet për ndonjë person që përqafon Islamin dhe as nuk çon në heqjen e të dhjetës. Ai e përmend këtu haraçin si një mënyrë për të treguar që ai nuk anulohet me përqafimin e Islamin, si në rastin e xhizjes.

Për sa i përket të dhjetës, dihet se ka të bëjë me një musliman të lirë, kështu që nuk ka nevojë ta përmendim. Gjithashtu, ai nuk e përmendi zekatin për bagëtitë. Kjo mbron pagesën e zekatit për argjendin, floririn dhe sendet e tjera me vlerë. Ndoshta njeriu me famë nuk zotëronte ndonjë gjë, për të cilën duhej të merrej e dhjeta.

Thuhet se tradita e udhëheqësve dhe imamëve nuk ishte që të bashkonin mes haraçit dhe të dhjetës. Ibën El Mundhiri e kundërshton këtë, pasi Umer ibën Abdulazizi i ka kombinuar të dyja. Gjithashtu, thuhet se haraçi është e kundërta e të dhjetës. Kjo do të thotë se haraçi është detyrim si dënim, ndërkohë që e dhjeta është një veprim adhurimi. Për këtë, këto të dyja nuk mund të kombinohen (në të njëjtën kohë) dhe të përftohen njëkohësisht nga i njëjti person. Kjo gjë qëndronte në fillim (kur tokat pushtoheshin), por nuk ka qenë e vlefshme për më tej. Megjithatë, jo të gjitha format e haraçit bazohen në forcë dhe pushtim, përderisa disa nga format e tij janë të institucionalizuara pa forcë si për shembull në rastin e haraçit të tokave fqinje ose në rastin e tokave të reja të përftuara, të gjallëruara nga ujitja nëpërmjet ndonjë vije uji.

Po ashtu, thuhet se arsyeja për të cilën është bërë i detyrueshëm haraçi dhe e dhjeta është e njëjtë dhe është toka potencialisht dhe aktualisht prodhuese. Kjo mund të shpjegohet duke kujtuar se, nëse ajo është tokë moçalishte pa përfitime, nuk paguhet as haraç dhe as e dhjetë për të. Kjo, pasi një çështje nuk mund të kërkojë dy detyrime të të njëjtit lloji. Kjo është e ngjashme me rastin e atij njeriu që posedon për një vit deve që kullosin lirshëm me qëllim për tregti. Për një person të tillë nuk kërkohet të paguajë dy lloje zekatesh; si për posedim ashtu edhe për tregti. Pra, nuk është kështu, pasi e dhjeta paguhet për prodhimet e tokës dhe haraçi për vetë tokën, pavarësisht nëse është e mbjellë apo jo.

Për sa i përket pranimit të bashkimit të çështjes, Kemal ibën Humami shpjegon se asgjë nuk e ndalon lidhjen e dy detyrimeve për një arsye të njëjtë që është toka.

Zekati për tokën e marrë me qera

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se, çdokush që merr me qera një pjesë toke dhe e kultivon atë, është ai që duhet të paguajë zekat dhe jo pronari i tokës. Ebu Hanife ka mendimin se zekati është i detyrueshëm për vetë pronarin e tokës.

Ibën Rushdi mbron mendimin se: “Ndryshimi i tyre qëndron në faktin se e dhjeta paguhet për tokën apo për prodhimin e saj”.

Në mënyrë të qartë, zekati, siç sugjeron mendimi i tyre, paguhet për të dyja. Ndryshimi është vetëm tek përparësia, duke konsideruar faktin se, si prodhimi, ashtu edhe toka i përkasin të njëjtit pronar. Shumica e dijetarëve thonë se zekati është detyrë për farërat. Ebu Hanife mbron idenë që thelbi i detyrimit është toka.

Ibën Kudame pajtohet me mendimin e shumicës dhe thotë: “Detyrimi qëndron tek prodhimi dhe paguhet nga pronari i tij në rastin e vlerës së destinuar për tregti. Gjithashtu kjo është e ngjashme me të dhjetën që paguhet për prodhimin e tokës së përftuar. Mendimi i tyre (hanefive) nuk është autentik, pasi nëse zekati duhet të mblidhet për vlerën e tokës, atëherë ai duhet të ketë qenë i detyrueshëm edhe nëse toka nuk do të kultivohej, si në rastin e taksës së tokës. Madje dhe jomuslimanët nuk përjashtohen nga pagesa e saj. Për këtë rast, haraçi duhet të vlerësohet për vetë tokën dhe jo për vlerën e prodhimit të saj, që do të thotë se do të konsiderohet pjesë e shpenzimeve të pasurive të jobesimtarëve të përftuara nga muslimanët pa luftë dhe jo shpenzime të zekatit”.

Vlera e nisabit për palmën dhe hardhitë, e matur me hamendje dhe jo me masë

Sapo piqen palmat (hurmat) dhe hardhitë, prodhimi i tyre është gati për t’u marrë. Vlerësimi i nisabit të tyre bëhet pa marrë parasysh peshën e tyre aktuale. Procesi merret përsipër nga një person i ditur dhe i besueshëm, i cili vlerëson sasinë e rrushit të freskët dhe hurmave për zekat, duke qenë ende në pemë, sikur të ishin hurma të thara dhe rrush i thatë. Sasia e zekatit paguhet kur frutet janë tharë.

Ebu Humeid Es-Saidi transmeton: “Shkuam në një ekspeditë në Tebuk me Profetin (a.s.). Kur arritëm në Vadi El Kura[28] pamë një grua në kopështin e saj. Profeti (a.s.) tha: “Vlerësoheni (zekatin e kopështit të saj)!” Pastaj Pejgamberi (a.s.) e vlerësoi 10 evsuk dhe i tha asaj: “Llogarite sa do të nxjerrësh për zekat nga prodhimi yt!”[29] Transmeton Buhariu.

Kjo është një praktikë e të Dërguarit të Allahut, shokëve të tij dhe dijetarëve të tjerë, të cilët e kanë zbatuar atë. Ky është dhe mendimi i shumicës.[30]

Hanefitë e kundërshtojnë këtë mendim, pasi ata e konsiderojnë hamendjen të pasigurt dhe rrjedhimisht të pavlefshme për të caktuar sasinë që duhet të merret për zekat. Por Suneti i Profetit (a.s.) është orientimi më i mirë, pasi hamendja nuk është kuturi, po është një përpjekje serioze për të vlerësuar prodhimin. Është e njëjta gjë me të vlerësuarit e sasisë së prodhimit të humbur (për shkak të kalbjes apo ngrënies nga krimbat dhe insektet). Baza për një formë të tillë vlerësimi qëndron mbi zakonin që njerëzit hanë fruta të freskëta dhe si të tilla është e nevojshme për të llogaritur sasinë për zekat përpara se të hahen ose të vilen.

Në këtë mënyrë pronarët janë të lejuar të veprojnë si të duan dhe në të njëjtën kohë kanë të sigurt sasinë e zekatit. Ai që e çmon këtë duhet të mos marrë parasysh një të tretën ose një të katërtën e prodhimit, si lehtësim për pronën e pronarëve, derisa të afërmit dhe komshinjtë e tyre kanë nevojë të hanë një pjesë të këtij prodhimi. Gjithashtu, prodhimi ekspozohet ndaj rreziqeve të tilla si zogjtë, era, kalimtarët, prishja etj. Çdo vlerësim i sasisë së zekatit për të gjithë prodhimin, pa përjashtuar një të tretën ose një të katërtën e tij (për arsyet e sipërpërmendura), do të kishte cënuar interesat e pastra të pronarëve.

Sehël ibën Ebu Hathame transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Në çdo rast kur përdorni hamendjen, vlerësoni zekatin dhe shpërfillni një të tretën. Nëse nuk e bëni, atëherë lini (të paktën) një të katërtën”.[31] Ky hadith është transmetuar nga Ahmedi dhe autorët e “Es-Sunan”, përveç Ibën Maxhes. Gjithashtu, ai transmetohet edhe nga Hakimi dhe Ibën Hibani, të cilët e vërtetojnë atë.

Duke komentuar mbi statutin e transmetimit të hadithit të mësipërm, Tirmidhiu thotë: “Hadithi që transmetohet nga Sehli është kthyer në ligj dhe ndiqet nga shumica e dijetarëve”.

Beshir ibën Jesar thotë: “Kur Umer ibën Hatabi caktoi Ebu Hathame El Ensarin për të vlerësuar pronën e muslimanëve i tha atij: “Gjithmonë kur të shohësh se njerëzit kanë lënë disa hurma të pambledhura për vjeshtë, mos e vlerëso zekatin për to dhe lëri për njerëzit që t’i hanë”.[32]

Makhuli tregon: “Gjithmonë kur Profeti (a.s.) caktonte një njeri për vlerësim, i thoshte: “Ji i butë me njerëzit, pasi disa nga pronat e tyre (pemët) mund të jenë djerrë, disa pa shumë prodhim, disa për ushqim për ta”.[33]

Këtë e transmeton Ebu Ubejd, i cili shpjegon se nuk jepet zekat për pemën e ulët të hurmës që quhet es-sabilah se kalimtarët mund t’i këpusin lehtë frutat e saj. Po ashtu, pema e ngrënshme është një pemë palme el akilah, veçanërisht e caktuar për të ngrënë nga familja dhe për këdo që është i lidhur me atë familje.

Ngrënia prej drithërave dhe të mbjellave

Pronarit i lejohet të hajë nga drithërat dhe atë që ai e përdor për ushqim para vjeljes nuk do të përfshihet në sasinë e caktuar për zekat. Kjo gjë është shndërruar në një zakon që aplikohet prej kohësh dhe ajo që hahet në këtë formë është sasi e pakët.

Sidoqoftë, vetëm një sasi e vogël përdoret për konsum si në rastin e një pronari të një peme me fruta, i cili ha disa nga frutat e saj. Kështu, zekati do të vlerësohet mbi shumën aktuale, pasi ai ta vjelë atë dhe të qërojë farat. E pyetën Ahmedin për ngrënien e farikut (grurit të gjelbër të gatuar) dhe ai u përgjigj se, nuk ka asnjë dëmtim, nëse pronari ha nga çfarë ka nevojë. Ky është mendimi i Shafiut, El Lajthit dhe Ibën Hazmit.

Megjithatë, Maliku dhe Ebu Hanife janë të mendimit se duhet të llogaritet edhe ajo që pronari konsumon nga të mbjellat dhe frutat, përpara se ato të vilen.

Përzierja e drithërave dhe frutave

Dijetarët bien dakord që lloje të ndryshme frutash mund të përzihen, edhe nëse cilësia e tyre është e ndryshme. Lloje të ndryshme rrushi të thatë mund të përzihen bashkë e po ashtu edhe lloje të ndryshme drithërash.[34] Ata, gjithashtu, bien dakord se tregtia dhe vlera e saj e fituar mund të bashkohen. Shafiu nuk e lejon përzierjen e mallrave dhe valutës gjatë blerjes, përveç me llojin e blerë, pasi nisabi llogaritet për të. Dijetarët nuk lejojnë bashkimin e kategorive të caktuara me të tjera për të arritur nisabin, me përjashtim të drithërave dhe frutave. Kjo është arsyeja, pse një kategori kafshësh nuk mund të bashkohet me një tjetër. Për shembull, devetë nuk mund t’u shtohen lopëve për të plotësuar nisabin dhe as frutat e freskëta nuk mund t’u shtohen frutave të thara, e as hurmave nuk mund t’u shtohet rrushi i thatë.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me bashkimin e llojeve të ndryshme të drithërave. Mendimi më i saktë dhe më i mirë është ai se dy kategori nuk mund të kombinohen për të llogaritur nisabin, prandaj ai duhet llogaritur për çdo kategori më vete. Kjo, pasi ekzistojnë kategori dhe lloje të ndryshme. Për këtë, elbi nuk mund t’i shtohet grurit dhe anasjelltas. E njëjta gjë vlen edhe për hurmat dhe rrushin e thatë apo qiqrat dhe thjerrëzat. Ky është mendimi i Ebu Hanifes, Shafiut dhe Ahmedit (sipas njërit prej transmetimeve të tij). Shumica e dijetarëve të hershëm e mbrojnë këtë mendim.

Ibën El Mundhir thotë se të gjithë dijetarët bien dakord se devetë nuk mund të kombinohen me lopët ose delet, apo lopët me delet dhe po ashtu as hurmat me rrushin e thatë. Për këtë arsye nuk mund të ketë përzierje të llojeve të ndryshme të prodhimeve dhe kafshëve. Ata që e lejojnë një gjë të tillë e bëjnë pa pasur ndonjë argument të vërtetë për atë që kanë thënë.

Kur detyrohet zekati për bimët dhe frutat?

Zekati është i detyruar për të mbjellat, kur drithërat janë pjekur dhe janë gati për t’u mbledhur dhe për frutat kur ato piqen. Tregues do të ishte ngjyra e tyre e kuqe dhe shkëlqimi, ndërsa për rrushin tregues për pjekjen e tij do të ishte ëmbëlsia e tij.[35]

Nxjerrja e zekatit është detyrë vetëm pasi drithërat të jenë pastruar nga byku ose frutat pasi të jenë tharë. Nëse fermeri e ka shitur frutin e tij, pasi është pjekur, zekatin e tyre e paguan ai dhe jo blerësi. Kjo, pasi detyrimi për të paguar zekat është bërë detyrë kur prodhimi ka qenë ende në pronësi të vetë pronarit.

Zekati paguhet nga pjesa cilësore e mallrave

Allahu i Madhëruar urdhëron paguesit e zekatit ta paguajnë atë nga pjesa e mirë e pronës së tyre dhe jo nga ajo e keqe. Në lidhje me këtë, Zoti i Lartësuar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَنفِقُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا كَسَبْتُمْ وَمِمَّا أَخْرَجْنَا لَكُمْ مِنْ الأَرْضِ وَلاَ تَيَمَّمُوا الْخَبِيثَ مِنْهُ تُنفِقُونَ وَلَسْتُمْ بِآخِذِيهِ إِلاَّ أَنْ تُغْمِضُوا فِيهِ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ حَمِيدٌ

“O ju besimtarë! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllurazi. Ta dini mirë se Allahu s’ka nevojë për ju e Ai është i Madhëruar”. (El-Bekare, 267)

Ebu Daudi, Nesaiu dhe të tjerë transmetojnë nga Sehël ibën Hanif dhe ai nga babai i tij se: “I dërguari i Allahut e ndaloi pagimin e zekatit për dy lloje hurmash të quajtura xhurur dhe habik(hurma të një lloji shumë të dobët)”.[36]

Në atë kohë njerëzit kishin zakon të linin mënjanë pjesën më të keqe të frutave për sadaka, por një gjë e tillë më vonë u ndalua nga Allahu, kur thotë: “…e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, që ju nuk do ta pranonit për vete…”. Gjatë përmendjes së këtij ajeti, El Berra thotë: “Ky ajet është shpallur në lidhje me ne ensarët, pasi ne zotëronim hurma. Një njeri sillte nga pema e tij në varësi të asaj që kishte pasur, një apo dy grumbuj dhe i varte në xhami. Pastaj njerëzit e varfër prej muhaxhirëve që nuk kishin ushqim shkonin atje dhe e godisnin grumbullin me thuprat e tyre. Hurmat jeshile dhe të papjekura binin dhe ata i hanin. Kishte dhe njerëz që nuk rendnin drejt së mirës. Dikush sillte një grumbull hurmash të cilësisë së ulët ose të këqija apo një grumbull të hapur (përpara se të piqen) dhe i varnin në xhami. Në këtë kohë Allahu shpalli ajetin: O ju besimtarë! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo…”

El Berra thotë se, nëse ndonjëri merr ndonjë dhuratë të njëjtë me atë që jep, ai do ta pranonte atë me një kënaqësi të shtirur duke u turpëruar. Pastaj El Bara’a vazhdon: “Kështu, më vonë secili prej nesh ofronte pjesën më të mirë të mallit që kishte”.[37] Transmetohet nga Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i sigurt (hasen sahih garijb).

Sheukani në përmbledhjen e tij për këtë temë thotë: “Kjo do të thotë që pronarit nuk i lejohet të ndajë veç pjesën e keqe nga ajo e mira, për të cilën detyrohet zekati. Kjo, veçanërisht për hurmat dhe në mënyrë analoge për kategoritë e tjera për të cilat paguhet zekat. Për më tepër, mbledhësve të zekatit nuk u lejohet të grumbullojnë pjesën e keqe të lënë mënjanë”.

Zekati për mjaltin

Shumica e dijetarëve janë të memdimit se nuk ka zekat për mjaltin. Buhariu ka thënë se nuk ekziston ndonjë hadith i vërtetë që flet për zekatin e mjaltit.

Shafiu shpjegon: “Për mendimin tim nuk ka zekat për të, pasi nuk ka prova të qarta nga hadithet apo traditat për një veprim të tillë, kështu që ai (mjalti) është përjashtuar nga zekati.

Ibën El Mundhiri pohon: “Nuk ka ndonjë argument dhe as konsensus dijetarësh që të mbështesë idenë se duhet paguar zekat për mjaltin. Nuk ka zekat për mjaltin dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve”.

Hanefitë dhe Ahmedi janë të mendimit se zekati paguhet për mjaltin, megjithëse kjo gjë nuk vërtetohet nga ndonjë hadith, përveç disa transmetimeve që mbështesin njëri-tjetrin. Arsyetimi i tyre është se, përderisa ai prodhohet nga lulet dhe pemët dhe peshohet e ruhet si llojet e tjera të prodhimeve, atëherë zekati është i detyrueshëm për të. Gjithashtu, thuhet se zekati është i detyrueshëm për të, përderisa kostoja e prodhimit të tij është më e ulët se ajo e rritjes së frutave dhe bimëve. Ebu Hanife e bëri kusht që kur të mblidhet zekati i mjaltit, të mblidhet nga mjalti i prodhuar në një tokë që paguan taksën e të dhjetës. Megjithatë, ai nuk ka përcaktuar ndonjë nisab për të. Nëse është kështu, atëherë arsyeja të çon se e dhjeta duhet të paguhet për çdo sasi, qoftë shumë apo pak. Nga ana tjetër, imam Ahmedi përcaktoi nisabin që duhet të përftohej prej 10 afrak. Një afrak është i barabartë me 16 paund irakienë. Nuk ka ndonjë ndryshim se në ç’lloj toke prodhohet (tokë haraçi apo të dhjete).

Ebu Jusufi kundërshton duke thënë se nisabi i tij është 10 paund, ndërsa Muhamedi thotë se nisabi duhet të jetë sa 5 afrak. Një afrak është i barabartë me 36 paund.

ZEKATI PËR KAFSHËT

 Vijon …



[1] Hadith Sahih. “El Irva” 801, “Tamamul Mineh” 369. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 4/19, Darakutni 201, el Hakim 1/401, Bejhakiu  4/128-129.

[2] Hadith Daif xhiden – shumë i dobët. “El Irva” 801, “Tamamul Mineh” 369. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 1815, Bejhakiu 4/129.

[3] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “El Irva” 3/279. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/129, El Ethrem në “Sunenet” e tij, siç thuhet në “El Munteka” 4/29.

[4] Hadith Sahih. “El Irva” 801. E ka nxjerrë Ibën Ebi Shejbe 4/19.

[5] Bejhakiu 4/125.

[6] Nënkupton shumicën e tyre.

[7] Buhariu 1483, Muslimi 2269 me kuptim të njëjtë, Ebu Daudi 1596, Tirmidhiu 640, nesai 2489, Ibën Maxheh 1816,1817, Maliku 1/270, Ahmedi 1/145, 3/341,353.

[8] Pesë evsuk janë të barabartë me 1600 ratl irakienë. Një ratl irakian është afërsisht i barabartë me 130 derhem.

[9] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[10] Buhariu 1447 dhe Muslimi 2260; nga Ebu Seid el Hudri, Ahmedi 2/402, Bejhakiu 4/120, Tirmidhiu 626.

[11] Buhariu 1405, 1447, Muslimi 2264, Ebu Daudi 1558, Tirmidhiu 626,627, Nesai 2445,2472, Ibën Maxheh 1793.

[12] Transmetim Daif. “El Irva” 803. E ka nxjerrë Ahmedi 3/296, Ebu Daudi 1560, Ibën Maxheh 1832.

[13] Hadith Sahih. Nxjerrja e tij u përmend më sipër.

[14] Një dheud në arabisht përdoret për devetë, minimalisht dy deve. Thuhet që është kusht që ato të jenë të tëra femra. Shih Lisanul-Arab dhe Taxhul-Arus. (Shënim i Red.)

[15] Muttefekun alejhi. Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[16] Buhariu 1454, Ebu Daudi 1567, Tirmidhiu 620, Maliku 1/257,258.

[17] Muttefekun alejhi.

[18] Njësi matëse në Egjypt është e barabartë me 16. 72 L.

[19] Një peshë që varion 100 paund. Në Egjypt është e barabartë me 44. 93 kg.

[20] El Hakim 1/401, Bejhakiu 4/129.

[21] Muttefekun alejhi. Është përmendur më sipër.

2 Ihrami është veshja që mban personi gjatë peligrinazhit në Mekë. Pelegrini zakonisht mban veshur dy copa të bardha të njëjta.

[23] Ixhtihadi është një gjykim i pavarur në një çështje ligjore ose teologjike, e cila bazohet në interpretimin dhe përdorimin e katër parimeve bazë të jurisprudencës islame.

[24] Vetë ky dijetar hanefi e konsideron mendimin e shumicës si më të saktë.

[25] Kafizi, madi dhe erdebi janë njësi matëse të përdorura në këto vende muslimane.

[26] Forma e argumentimit: Ky hadith përmban në kontekst një paralajmërim për ndalimin e detyrimeve dhe bën sqarimin e tyre dhe se këto detyrime përfaqësojnë vetëm haraçin (taksën): Nëse e dhjeta do të ishte detyrim, atëherë nuk do të lihej pa përmendur. 

[27] Muslimi 7206, Ebu Daudi 3035, Ahmedi 2/262.

[28] Emër vendi. “Vadi El Kura” shqipërohet “Lugina e fshatrave”. – Shënim i redaktorit.

[29] Buhariu 1872, Muslimi 3358,5907, Ebu Daudi 3079, Ahmedi 5/424.

[30] Maliku është i mendimit se kjo është vaxhib, ndërsa Shafiu dhe Ahmedi e shohin sunet.

[31] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 373, “Ed Daife” 2556, “Daiful Xhami” 476. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1605, Nesai 2491, Tirmidhiu 643, Ahmedi 3/448, 4/322.

[32] Transmetim Munkati – i ndërprerë. “Tamamul Mineh” 373.

[33] Transmetim Mursel. “Tamamul Mineh” 374. E ka nxjerrë Ebu Ubejd 1453.

[34] Nëse një sasie prodhimi të mirë i bashkohet një sasi tjetër jo e një cilësie të mirë, atëherë zekati merret në raport të drejtë me sasinë e secilit prej tyre, e nëse sasia në total përfshin disa lloje prodhimi atëherë zekati merret prej llojit të një cilësie të mesme.

[35] Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Për Ebu Hanifen, zekati bëhet i detyrueshëm qysh me daljen e farave dhe fryteve.

[36] Hadith Sahih. “Sahih Ebi Daud” 1425. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1607, Nesai 2492.

[37] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu 2987, Ibën Maxheh 1822.