ZEKATI (2)

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani


Këtu do të gjeni:

Kush detyrohet të paguajë zekat

Debitorët e paaftë për të paguar

Zekati i përftuar nga një person i vdekur

Nijeti

Pagimi i zekatit në kohën e caktuar

Lutja për atë që paguan zekatin

PASURITË QË PËRFSHIHEN NË ZEKAT

Kush detyrohet të paguajë zekat

 

Zekati duhet të paguhet nga çdo musliman që ka një shumë të caktuar (nisab) nga çdo lloj pasurie, nga e cila duhet të jepet zekati. Nisabi është i kushtëzuar nga sa më poshtë:

 

1- Zekati paguhet për çdo shumë që mbetet, pasi të jenë mbuluar shpenzimet e domosdoshme për ushqim, veshmbathje, strehim, automjete dhe makineri të nevojshme.

 

2- Duhet të kalojë një vit i plotë sipas kalendarit të Hixhrit që nga koha e zotërimit të nisabit, pa asnjë rënie gjatë vitit. Në rast uljeje (të qenit më pak se nisabi) viti i llogaritjes (hauli) fillon nga dita e përmbushjes (plotësimit) të nisabit.

Duke komentuar këtë çështje, Neveviu ka thënë: “Sipas mendimit tonë, Malikut, Ahmedit dhe shumicës së dijetarëve, sasia e pasurisë që bën të detyruar pagimin e zekatit si për floririn, argjendin dhe kafshët e kullotës, është e lidhur me plotësimin e nisabit gjatë një viti të plotë. Nëse sasia e zekatit ulet në çfarëdo kohë të vitit, llogaritja e vitit nuk vazhdon. Më vonë, kur plotësohet nisabi, llogaritja e vitit bëhet nga momenti i plotësimit të nisabit. Për të njëjtën temë, Ebu Hanife mbron idenë: “Ajo çka është e rëndësishme është ekzistimi i nisabit në fillim dhe në fund të vitit. Ulja e tij në mes të vitit nuk ka rëndësi, edhe nëse paguesi i zekatit kishte 200 derhem dhe i humbi të gjitha përveç 1 derhemi gjatë vitit dhe nëse ai kishte 40 dele dhe nga ngordhja e të cilave i mbetet vetëm një gjatë vitit. Në qoftë se në fund të vitit ai kishte 200 derhem ose 40 dele, ai duhet të paguajë zekat për të gjitha këto. Ky kusht nuk aplikohet me zekatin e të mbjelljeve dhe frutave. Për zekatin e tyre duhet të paguhet ditën e vjeljes. Allahu i Madhëruar thotë: “Jepeni hakun e tyre ditën e vjeljes”.

El Abderi e ka shtjelluar këtë temë duke thënë se pasuritë e zekatit ndahen në dy lloje: Lloji i parë rritet vetë dhe këtu hyjnë drithërat dhe frutat, ndërsa lloji i dytë përdoret për rritje dhe prodhim si paratë, tregtia dhe kafshët e kullotës. Në rastin e parë, zekati duhet të paguhet për shkak të ekzistimit të tij, ndërsa në rastin tjetër duhet paguar në fund të periudhës së caktuar dhe nuk jepet zekati para se të plotësohet viti. Ky është mendimi i gjithë juristëve siç është raportuar në “Al Maxhmu” të Neveviut.

 

Zekati nga pasuria e fëmijëve dhe të sëmurëve mendorë

Kujdestari i një fëmije ose një të sëmuri mendor duhet të paguajë zekat nga pasuria e tyre nëse plotësojnë nisabin. Amr ibën Shuajbi transmeton nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij, i cili transmeton nga Abdullah ibën Amr se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush merr në kujdes një jetim që ka pasuri, le të tregtojë me atë pasuri për interes të tij (jetimit) e të mos e lërë pasive e kështu të harxhohet duke dhënë zekatin”[1].[2] Megjithatë, ky hadith ka dobësi në zinxhirin e tij.

El Hafidh thotë se ka një hadith të ngjashëm të llojit mursel në përmbledhjen e Shafiut, i cili konfirmon këtë hadith duke u mbështetur në domethënien e haditheve të tjera, të cilat flasin mbi zekatin. Aishja (r.a.) e nxirrte gjithnjë zekatin e disa jetimëve që ishin nën kujdestarinë e saj.[3]

Si përfundim, Tirmidhiu[4] thotë: “Juristët kanë mendime të ndryshme mbi këtë çështje. Më shumë se një nga sahabët e Profetit (a.s.) kanë thënë se zekati duhet të merret nga pasuria e jetimit. Ndër ta është Umeri (r.a.), Aishja (r.a.), Aliu (r.a.) dhe Ibën Umeri (r.a.). Ky mendim përkrahet gjithashtu dhe nga Maliku, Ahmedi, Shafiu dhe Is’haku. Një grup tjetër që përfshin Sufjanin dhe Ibën Mubarekun mbrojnë idenë se zekati nuk duhet të merret nga pasuria e jetimit.

 

Debitorët e paaftë për të paguar

Kushdo që zotëron pasuri, duhet të paguajë zekatin e saj. Nëse zotëruesi është në borxhe, ai duhet të paguajë në fillim borxhet dhe në rast se ajo që mbetet mjafton për të përmbushur nisabin, ai duhet të paguajë zekat. Nëse nuk mjafton për nisabin, ai nuk ka detyrim ta paguajë zekatin, pasi ai konsiderohet i varfër. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Vetëm të pasurit duhet ta paguajnë zekatin”.[5] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe Buhariu. Ky i fundit e ka regjistruar atë në formën mualak.

Profeti (a.s.) ka thënë gjithashtu: “Zekati u merret të pasurve dhe u jepet të varfërve”.[6]

Është e njëjta gjë, qoftë ai debitor tek Allahu ose tek njeriu, sepse një hadith thotë: “Borxhi ndaj Allahut meriton të paguhet më parë”.[7]

 

Zekati i përftuar nga një person i vdekur

Nëse një person vdes përpara se të paguajë zekatin, atëherë atij i merret nga pasuria e patundshme e tij. Sipas Shafiut, Ahmedit, Is’hakut dhe Ebu Theurit, është e detyrueshme që zekati të paguhet nga pasuria e një personi të vdekur dhe kjo pagesë merr përparësi mbi borxhin, testamentin dhe trashëgiminë. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë:

مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِينَ بِهَا أَوْ دَيْنٍ وَلَهُنَّ الرُّبُعُ مِمَّا تَرَكْتُمْ

pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi, atyre u takon ¼ nga ajo që ju lini”. (En-Nisa, 12)

Zekati është një borxh që i paguhet Zotit të Madhëruar.

Një burrë shkoi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: “Nëna ime vdiq dhe i kishte mbetur për të agjëruar një muaj. A ta mbaj unë për të? Profeti (a.s.) ia ktheu: “Nëse nëna jote do të kishte borxhe, a do t’i shlyeje ti borxhet e saj? “Po, – u përgjigj burri”. Pastaj Profeti (a.s.) i tha: “Borxhi ndaj Allahut meriton të paguhet më parë”.[8] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

 

Nijeti (qëllimi)

Meqë pagimi i zekatit është një veprim adhurimi, vlefshmëria e tij varet nga shprehja e qëllimit të personit. Për këtë, ai që paguan zekatin, duhet ta paguajë atë për hir të Zotit. Ai duhet ta vendosë në mendje dhe në zemër që zekati është një detyrim që duhet kryer. Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا أُمِرُوا إِلاَّ لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلاَةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

“Ata nuk ishin urdhëruar për tjetër gjë, veçse të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë, të largohen nga çdo besim i kotë, të falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë”. (El-Bejine, 5)

Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi se Profeti (a.s.) ka thënë: “Veprat janë sipas qëllimit dhe çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim”.[9] Maliku dhe Shafiu thonë se nijeti duhet të bëhet në kohën kur dorëzohet zekati. Ebu Hanife mbron idenë se qëllimi duhet të bëhet në momentin e pagimit të zekatit ose kur zekati fillon të grumbullohet nga pasuria e dikujt. Ndërsa Ahmedi është i mendimit se është e lejueshme që të shprehësh qëllimin (nijetin) pak kohë përpara pagesës së zekatit.

 

Pagimi i zekatit në kohën e caktuar

Zekati duhet të paguhet menjëherë dhe në kohën e tij. Vonesa e pagesës së zekatit është e ndaluar, përveç rastit kur paguesi nuk ëshrtë në gjendje ta bëjë këtë për arsye të forta.

Transmetohet nga Buhariu dhe Ahmedi se Ukbe ibën El Harith ka thënë: “Njëherë unë fala namazin e iqindisë me Profetin (a.s.). Kur e mbaruam namazin, ai shkoi me nxitim në shtëpinë e tij dhe u kthye në çast. Pasi i vuri re fytyrat e habitura, tha: “Kisha lënë në shtëpi një copë floriri që ishte për sadaka dhe nuk doja ta lija asnjë natë në shtëpinë time, kështu që urdhërova ta ndanin”[10].[11]

Shafiu dhe Buhariu (ky i fundit në librin e tij “Et Tarih”) transmetojnë nga Aishja se Profeti (a.s.) ka thënë: “Gjithmonë kur sadakaja përzihet me ndonjë pasuri, ajo e shkatërron atë pasuri”.[12] I njëjti hadith transmetohet nga El Humejdi me shtesën e mëposhtme: “Nëse ke në pasurinë tënde sadakanë që duhet paguar, atëherë duhet ta lësh mënjanë, përndryshe harami do ta shkatërrojë hallallin”.[13]

 

Pagimi i zekatit përpara kohës së tij

Është e lejuar që zekati të paguhet madje dhe dy vjet përpara. Zuhri nuk ka parë ndonjë problem në pagesën e zekatit të tij para mbushjes së haulit (periudhës së caktuar). Njëherë e pyetën El Hasenin për një njeri që e kishte paguar zekatin 3 vjet përpara kohës, nëse e kishte plotësuar apo jo detyrimin e tij. Ai u përgjigj pozitivisht duke e konfirmuar këtë.

Në lidhje me këtë mendim, Sheukani ka thënë: “Ky ka qenë mendimi i Shafiut, Ahmedit dhe Ebu Hanifes. Mbrohej gjithashtu nga El Hadi dhe El Kasim”.

El Muajedbilah pajtohet me këtë ide, si më e mira, por ai thotë që Maliku, Er-Rabia, Sufjan Eth-Theuri, Daudi, Ebu Ubejde ibën El Harith dhe Nasiri, janë të mendimit se detyrimi i atij që e paguan zekatin përpara kohës nuk shlyhet. Ata e kanë formuluar qëndrimin e tyre mbi hadithin e Profetit (a.s.) që tashmë e përmendëm, i cili e cilëson zekatin si të detyrueshëm për paguesin, vetëm kur ky i fundit e zotëron pasurinë e tij për një vit të plotë. Megjithëse kjo nuk e zhvlerëson mendimin e atyre që pagesa e zekatit para kohës është e ligjshme, është e pamohueshme që detyrimi i zekatit është i lidhur me përmbushjen e një viti të plotë. Ndryshimi qëndron vetëm në pikën se shfuqizohet obligimi i një personi nëse paguan zekatin para kohës së përfundimit të nxjerrjes së zekatit.

Ibën Rushdi e përmbledh kështu temën: “Mosmarrëveshjet lindin nga pyetja nëse zekati është një vepër adhurimi apo një detyrim që i dedikohet të varfërit. Grupi që e konsideron atë vepër adhurimi si namazi, nuk bie dakord me pagesën e tij para kohe. Nga ana tjetër, grupi i cili e konsideron atë të njëjtë me rastin e detyrimeve që mund të kryhen në çdo lloj momenti pranon pagimin vullnetar të tij para kohës së caktuar”. Në mbrojtje të mendimit të tij, Shafiu transmeton një hadith nga Aliu (r.a.), se “Profeti (a.s.) kërkoi sadakanë e Abasit përpara kohës së saj të detyrueshme.”[14]

 

Lutja për atë që paguan zekatin

Është e pëlqyeshme që marrësi i zekatit të lutet për paguesin e zekatit në kohën e dhënies së tij.

Allahu (xh.sh.) thotë:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِمْ بِهَا وَصَلِّ عَلَيْهِمْ إِنَّ صَلاَتَكَ سَكَنٌ لَهُمْ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’i shtosh

(të mirat) dhe njëkohësisht lutu për të, se lutja jote është qetësim për ta”. (Et-Teube, 103)

Transmetohet nga Abdullah ibën Ebu Aufa se Profeti (a.s.), kur merrte sadakanë thoshte: “O Allah, mëshiroji ata!”. Ai thotë se kur babai i tij dorëzoi sadakanë, Pejgamberi (a.s.) tha: “O Allah! Mëshiroje familjen e Ebu Aufës!”[15] Ky hadith transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë.

Uail ibën Huxhër transmeton se Profeti (a.s.) u lut për një burrë që kishte ofruar për zekat një deve të mirë: “Allahu e mëshiroftë atë dhe i dhëntë bereqet në devetë e tij”.[16] Transmeton Nesaiu.

Shafiu thotë: “Sipas këtij hadithi, udhëheqësi duhet të lutet për paguesit e zekatit në kohën e mbledhjes së tij duke thënë: “Allahu ta shpërbleftë për këtë që dhe e të begatoftë në atë që të ka mbetur!”.

 

 

 

PASURITË QË PËRFSHIHEN NË ZEKAT

 

Islami urdhëroi zekatin mbi arin, argjendin, të mbjellat, frutat, mallrat e tregtisë, mineralet dhe xeherorët.

 

Zekati për floririn dhe argjendin dhe detyrimi për to

Allahu thotë në lidhje me zekatin mbi floririn dhe argjendin:

وَالَّذِينَ يَكْنِزُونَ الذَّهَبَ وَالْفِضَّةَ وَلاَ يُنفِقُونَهَا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“Lajmëroi për një dënim të dhemshëm ata që e ruajnë arin dhe argjendin dhe nuk e japin në rrugë të Allahut”. (Et-Teube, 34)

Pra, zekati është i caktuar për floririn dhe argjendin, qofshin ato në monedha, pluhur apo shufra, përderisa sasia e zotëruar përmbush nisabin, ka kaluar koha e një viti, borxhet janë paguar dhe janë siguruar nevojat bazë.

 

Nisabi i floririt dhe pagesa e zekatit të tij

Minimumi i nisabit të floririt është 20 dinarë të poseduar për një vit. Shuma që duhet të jepet është çereku i 1/10 që është e barazvlefshme me ½ dinarë. Për çdo shumë mbi 20 dinarë, jepet gjithashtu çereku i 1/10 për të. Alia (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: Nuk ka asnjë përgjegjësi për ju për floririn, derisa të arrijë vlerën e 20 dinarëve. Atëherë nëse keni 20 dinarë në fund të vitit, gjysmë dinari e keni detyrë për ta dhënë nga ato. Për çdo sasi shtesë llogaritet në të njëjtën mënyrë dhe nuk paguhet zekat për një pasuri pa kaluar një vit në pronësi”.[17] Këtë hadith e transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu. Buhariu e cilëson atë autentik dhe El Hafidhi e vlerëson si hasen.

Zuraiku transmeton se Umer ibën Abdulaziz i shkroi atij, pasi u bë kalif: “Merr nga ajo që kalon tek ti nga tregtia e muslimanëve – ato që tregtojnë me pasuritë e tyre, 1 dinar për çdo 40 dinarë. Për atë që ka më pak se 40, llogarite me një sasi më të vogël, derisa sasia të bëhet 20 dinarë. Nëse do të duhet të marrësh 1/3 e dinarit, mos e llogarit dhe mos merr asgjë për të. Pastaj jepu një shkresë për atë që u ke marrë, deri në mbarimin e afatit të një viti”. Kjo është transmetuar nga Ibën Ebi Shejbe.

Maliku thotë në librin e tij “El-Mua’ta”: “Suneti i pandryshueshëm që ne veprojmë është se, zekati i detyruar mbi 20 dinarë është si zekati i detyruar mbi 200 derhemë”. 20 dinarë janë të barabarta me 4/8 e 28 derhemëve egjiptianë në peshë.

 

Nisabi i argjendit dhe sasia e detyruar

Zekati nuk paguhet për argjendin, derisa sasia e tij të arrijë 200 derhemë. Sasia që paguhet është çereku i 1/10 për çdo sasi. Zekati për monedhat e argjendit jepet vetëm atëherë kur ato arrijnë nisabin.

Aliu (r.a.) transmeton nga Profeti (a.s.) se ai ka thënë: “Unë ju kam falur nga detyrimet e zekatit për kuajt dhe skllevërit. Atëherë paguani zekatin për argjendin, 1 derhem për çdo 40 derhemë. Zekati nuk detyrohet për 90 apo 100 derhemë argjendi. Nëse shuma arrin 200 derhemë, paguhen 5 derhemë”.[18] Ky hadith transmetohet nga autorët e “Suneneve”.

Tirmidhiu transmeton se e ka pyetur Buhariun, nëse e konfirmonte këtë hadith e ai i ka thënë: “Është i vërtetë”. Gjithashtu, Tirmidhiu thotë: “Juristët e dinë se nuk ka zekat për çdo sasi më pak se 5 njësi dhe çdo njësi është e barabartë me 40 derhemë dhe rrjedhimisht pesë njësi janë të barabarta me 200 derhemë”.

 

Kombinimi i floririt dhe argjendit

Nëse dikush zotëron flori dhe argjend, por asnjëri prej tyre nuk e plotëson nisabin, ai nuk duhet t’i kombinojë të dyja në mënyrë që të plotësojë nisabin. Kjo, pasi ato nuk janë të të njëjtit lloji. Rregulli bazë është se asnjë kategori nuk kombinohet (përzihet) me një tjetër. E njëjta gjë është edhe për lopët dhe delet. Për shembull, nëse dikush ka 199 derhemë dhe 19 dinarë, nuk paguan zekat për to.

 

Zekati mbi borxhet

Borxhet ndahen në dy lloje:

1- Borxhi i njohur nga borxhliu me dëshirën për ta paguar atë.

2- Një borxh që nuk njihet, pasi ai që e ka marrë është i paaftë për ta paguar dhe për arsyen tjetër që pagesa e tij është shtyrë për më vonë.

Për rastin e parë dijetarët kanë dhënë mendimet e mëposhtme:

Mendimi i parë: Aliu, El Theuri, Ebu Thaur, hanefitë dhe hanbelitë mbrojnë idenë se ai që ka dhënë të hollat për borxh duhet të paguajë zekat edhe për borxhet, por nuk është i detyruar të japë zekatin për to derisa t’i kthehen në pronësi dhe atëherë ai e jep zekatin për periudhën e kaluar.

Mendimi i dytë: Othmani, Ibën Umeri, Xhabiri, Taus, Nehai, El Hasan, Zuhri, Katade dhe Shafiu kanë mendimin se ai që jep borxh duhet të paguajë zekat mbi vlerën e borxhit të dhënë hua pa vonesë dhe nëse ai nuk e ka marrë atë ende, përderisa ka mundësi ta marrë dhe do ta përdorë atë. Është e njëjta gjë si në zekatin e çdo gjëje të depozituar.

 

Mendimi i tretë: Ikrime, Aishja dhe Ibën Umeri janë të mendimit se nuk duhet të paguhet zekat mbi borxhet, përderisa ato nuk rriten. Është e njëjta gjë me rastin e pasurisë së lënë trashëgimi.

Mendimi i katërt: Seid ibën El Musejeb dhe Ata’ ibën Ebu Rabah ndajnë idenë që zekati duhet të paguhet për një vit, në qoftë se borxhi i kthehet kreditorit.

Për rastin e dytë Katade, Is’haku, Ebu Thauri dhe hanefitë ndajnë idenë se zekati i borxhit nuk është i detyrueshëm për këtë lloj borxhi, përderisa kreditori nuk ka mundësi të përfitojë nga ai. El Thauri dhe Ebu Ubajde kanë mendimin se pas marrjes në dorëzim, kreditori duhet të paguajë zekatin me prapaveprim, përderisa ai mund ta përdorë atë lirisht, si zekati mbi borxhet e një personi të pasur. Në lidhje me këtë çështje janë përcjellë nga Shafiu dy mendime. Umer ibën Abdulazizi, El Hasani, El Lejthi, Euzai dhe Maliku janë të mendimit që ai duhet ta paguajë zekatin mbi borxhin vetëm për një vit, nga momenti kur e merr atë.

 

Zekati i letrave me vlerë dhe i bonove të thesarit

Meqë ato janë dokumente kredite të garantuara, letrat me vlerë dhe bonot e thesarit trajtohen për zekat, përderisa përmbushin minimumin e nisabit, që do të thotë se një person mund ta kthejë vlerën e tyre në argjend menjëherë.

 

Zekati për stolitë e çmuara

Dijetarët janë të një mendimi se nuk duhet të paguhet zekati për diamantët, perlat, safiret, rubinët, koralet, kristalet ose çdo lloj tjetër të gurëve të çmuar, duke përjashtuar rastin kur ato tregtohen. Atëherë duhet të paguhet zekati i tyre. Përbën diskutim çështja e stolive prej floriri dhe argjendi të grave (nësë bëjnë apo jo përjashtim).

Ebu Hanife dhe Ibën Hazmi[19] janë të mendimit se zekati është i detyrueshëm për stolitë e arit dhe argjendit, përderisa ato përmbushin nisabin. Mendimi i tyre është bazuar mbi transmetimin e Amër ibën Shuajbit nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij se: “Dy gra me byzylykë floriri në kyçet e dorës shkuan te Profeti (a.s.) dhe ai u tha: “A doni që Allahu t’ju vërë byzylykë prej zjarri në ditën e gjykimit?” Ato iu përgjigjën: “Jo!” Pastaj ai tha: “Atëherë paguani zekatin për ato që mbani në kyçe”.[20]

Në të njëjtën mënyrë transmeton Esmaja, e bija e Jezidit: “Tezja ime dhe unë shkuam te Profeti (a.s.) dhe kishim vënë në dorë byzylykë ari. Ai na pyeti nëse e kishim paguar zekatin e tyre dhe ne i thamë se nuk e kishim paguar. Atëherë Profeti (a.s.) tha: “A nuk keni frikë se mos Allahu ju vë byzylykë prej zjarri? Paguajeni zekatin e tyre!”[21] El Hejthemi konfirmon se ky hadith është transmetuar nga Ahmedi nëpërmjet një zinxhiri të besueshëm transmetimi.

Aishja (r.a.) transmeton: “I Dërguari i Allahut erdhi tek unë dhe vuri re që mbaja unaza argjendi. Pas kësaj më pyeti: Çfarë është kjo Aishe?” Unë iu përgjigja: “I bëra për të zbukuruar veten për ty, o i Dërguar i Allahut”. Ai tha: “A e ke paguar zekatin e tyre?” Unë i thashë: “Jo!” Pastaj ai m’u drejtua dhe më tha: “Do të ishte i mjaftueshëm vetëm shkaku i mospagimit të zekatit të tyre për t’u dënuar në zjarr”.[22] Ky hadith transmetohet nga Ebu Daudi, Darakutni dhe Bejhakiu.

Maliku, Shafiu dhe Ahmed ibën Hanbeli mbrojnë idenë se nuk ka zekat për stolitë e grave, pavarësisht nga sasia e tyre. Bejhakiu transmeton se e pyetën njëherë Xhabir ibën Abdullahun nëse duhej të jepej zekat për stolitë apo jo. Ai tha se jo. I thanë:  “Edhe nëse vlera e tyre kalon mbi 1000 dinarë?” Xhabiri tha: “Madje edhe më tepër”.[23]

Po ashtu, Bejhakiu transmeton rastin e Esmasë, bijës së Ebu Bekrit, e cila e kishte zakon t’i zbukuronte vajzat e saj me flori. Megjithëse vlera e tij mund të kalonte 50000 dinarë, ajo nuk paguante zekat për to.[24]

Transmetohet në librin “El Mua’ta” nga Abdurrahman ibën El Kasim, i cili transmeton nga i ati se Aishja kujdesej për mbesat e saj jetime që kishte nën kujdestari dhe i zbukuronte ato me stoli, pa e paguar zekatin e tyre.[25] Gjithashtu në “El Mua’ta” transmetohet se Abdullah ibën Umeri i zbukuronte vajzat e tij dhe robinjat me flori pa e paguar zekatin e tyre.[26]

Duke e përmbledhur këtë temë, El Hatabi përfundon: “Ajo çka është objektive në Kuran[27] mbron mendimin e atyre që mendojnë se zekati për arin dhe argjendin është i detyrueshëm dhe gjithashtu transmetimet e mbrojnë këtë. Ata që nuk e konsiderojnë atë të detyrueshëm e bazojnë mendimin e tyre në spekullime dhe në disa transmetime. Megjithatë, për të qenë të sigurt është mirë të paguash”.

Këto ndryshime në mendime kanë të bëjnë me zbukurime të lejuara prej ari dhe argjendi. Ndërsa për zbukurime të tjera që janë të ndaluara, siç është mbajtja e zbukurimeve të një burri si shpata apo diçka tjetër nga një grua, zekati i tyre duhet paguar. Është i njëjti ligj që zbatohet për enët prej ari dhe argjendi.

 

Zekati për pajën (mehrin) e nuses

Ebu Hanife është i mendimit se nuk duhet paguar zekat mbi pajën e nuses, derisa ajo ta ketë në zotërim atë. Njëkohësisht, paja pasi të jetë në pronësi duhet të plotësojë nisabin në fund të vitit. Do të ishte gjë tjetër, nëse gruaja ka grumbulluar një nisab tjetër, përveç pajës së saj. Në këtë rast, çdo shumë që ajo merr duhet t’i shtohet nisabit dhe zekati duhet të paguhet në fund të vitit për pasurinë që ajo zotëron. Shafiu mbështet idenë se gruaja duhet ta paguajë zekatin e pajës së saj në fund të vitit edhe para martesës. Mundësia e kthimit është për shkak të shfuqizimit ose 50% e kthimit të parave në rast divorci, por dhe kjo nuk e përjashton atë nga dhënia e zekatit. Hanbelitë janë të mendimit se paja është një kredit për gruan siç janë borxhet. Nëse marrësi i pajës është i pasur, pagimi i zekatit është i detyrueshëm dhe kur ta marrë në pronësi e jep zekatin për periudhën e kaluar. Nëse marrësi është i paaftë për të paguar ose nuk ka njohuri rreth pagimit të zekatit, atëherë sipas Hirakiut zekati përsëri është i detyrueshëm, pavarësisht nëse është para apo pas martesës. Nëse një grua merr ½ e pajës në rast të divorcit të saj para martesës, ajo duhet të paguajë zekatin vetëm mbi gjysmën që ka marrë. Gjithashtu, në qoftë se e gjithë paja është anuluar përpara se ajo ta marrë atë, (në rast anulimi të martesës mbi përgjegjësinë e saj), ajo nuk është e detyruar ta paguajë atë.

 

Zekati mbi qeranë e shtëpisë

Ebu Hanife dhe Maliku janë të mendimit se qeraja nuk i paguhet pronarit në kohën e kontratës, por në përfundimin e periudhës së qerasë. Për këtë, pronari që jep me qera një shtëpi duhet të paguajë zekat mbi qeranë e shtëpisë së tij, nëse sasia e caktuar plotëson kushtet e mëposhtme:

– marrja e parave

– plotësimi i nisabit në fund të vitit.

Hanbelitë thonë se pronari ka të drejtë ta harxhojë qeranë në mënyrën që dëshiron. Mundësia e anulimit të kontratës së qerasë nuk e zhvlerëson detyrimin për të paguar zekatin. Ky rast është i ngjashëm me rastin e pajës para mbarimit të martesës. Nëse qeraja është një qera e prapambetur, atëherë ajo duhet të trajtohet si një borxh i paguar ose i shtyrë. Në librin “El-Maxhmu”, imam Neveviu thotë: “Nëse dikush lidh një kontratë për një shtëpi dhe paguhet përpara afatit, ai duhet ta paguajë zekatin e tij kur ta marrë atë. Kjo është e pakundërshtueshme”.

 

Zekati mbi tregtinë

Shumica e dijetarëve prej sahabëve, tabi’inëve[28] dhe juristëve të mëvonshëm janë të mendimit se zekati mbi tregtinë[29] është i detyrueshëm. Ebu Daudi dhe Bejhakiu transmetojnë se Semure ibën Xhundub ka thënë: “Profeti (a.s.) na urdhëronte të paguanim sadaka nga ato që kishim për të shitur”.[30]

Darakutni dhe Bejhakiu kanë thënë se Ebu Dherri transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “…ka sadaka mbi devetë, delet, lopët dhe mobiljet e shtëpisë”.[31]

Shafiu, Ahmedi Ebu Ubejde, Darakutni, Bejhakiu dhe Abdurezaku transmetojnë se Ebu Amr ibën Hamasi ka transmetuar nga babai i tij se ka thënë: “Unë shisja lëkurë dhe enë. Njëherë Umer ibën Hatabi kaloi pranë meje dhe tha: “Paguaj sadakanë mbi pronën tënde”. Unë i thashë: “O prijës i besimtarëve! Po kjo është lëkurë”. Ai u përgjigj: “Vlerësoje (çmoje) dhe paguaj sadakanë që detyrohesh për të”.[32]

Duke komentuar mbi besueshmërinë e tij, Ibën Kudame thotë në “El Mugni” se kjo është një ngjarje e njohur dhe e pakundërshtueshme. Ky duhet të jetë një mendim konsensual.

Nga ana tjetër, dhahiritë kanë mendimin se tregtia nuk është temë për zekat. Ibën Rushdi thotë se ata kanë mendime të ndryshme, për shkak të logjikës së tyre analoge rreth obligimit të zekatit dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre mbi vërtetësinë e hadithit të Semures dhe Ebu Dherrit.

Megjithatë, shumica e juristëve e shohin tregtinë si një pronë që rritet në vlerë. Kështu që me analogji është e njëjtë me ato tre kategori, me të cilat zekati duhet të paguhet: të mbjellat, kafshët, ari dhe argjendi.

Në “El Manar” thuhet se shumica e dijetarëve bien dakord mbi zekatin e tregtisë, megjithëse nuk ka tekst të qartë në Kuran dhe Sunet për këtë temë, përveç faktit se një numër transmetimesh vërtetojnë njëri-tjetrin, sipas fakteve që sigurohen nga tekstet e tyre. Logjika e tyre është se, përderisa tregtia është një formë të ardhurash, nuk ka ndryshim midis saj dhe dinarëve apo derhemëve përsa i përket vlerësimit. Kjo do të thotë që forma e nisabit mund të ndryshojë midis vlerës në para dhe asaj që vlerësohet në formën e tregtisë. Nëse zekati nuk do të kishte qenë i detyrueshëm mbi tregtinë, të pasurit ose shumica e tyre do t’i kishin kthyer paratë e tyre në mallra për arsye tregtimi, duke u siguruar që nisabi i floririt dhe i argjendit të mos zotërohej nga ata për një vit.

Gjëja më e rëndësishme këtu është që me anë të vjeljes së zekatit nga të pasurit, Allahu i Madhëruar dëshiron që ta ndihmojë të varfërin dhe të nxisë mirëqënien e njerëzve në përgjithësi. Për të pasurit e mira e tyre qëndron në pastrimin e veteve të tyre dhe të kopracisë, si në para, ashtu edhe në ndjenja. Kështu ata do ta ndihmonin shtetin dhe umetin. Për të varfërin, dobia është lehtësimi i rrethanave. Në këtë mënyrë zekati eleminon arsyet e korrupsionit që rezulton nga rritja e madhe e pasurisë në pak duar (monopolet). Kjo është një urtësi, të cilës Kurani i referohet, kur bën fjalë për shpërndarjen e plaçkës së luftës. Allahu (xh.sh.) thotë:

 

مَا أَفَاءَ اللَّهُ عَلَى رَسُولِهِ مِنْ أَهْلِ الْقُرَى فَلِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ

السَّبِيلِ كَيْ لاَ يَكُونَ دُولَةً بَيْنَ الأَغْنِيَاءِ مِنْكُمْ وَمَا آتَاكُمْ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Atë që Allahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon Allahut, të dërguarit, të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet në mes pasanikëve tuaj. Çka ju jep pejgamberi, atë e merrni dhe çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Ai është ndëshkues i ashpër”. (El-Hashr, 7)

Për këtë arsye nuk është e logjikshme të përjashtohen biznesmenët nga detyrimet e tyre shoqërore, në rastin kur ata kanë në dorë shumicën e pasurisë së umetit.

 

Kur konsiderohen mallrat si mallra tregtarë?

Autori i librit “El-Mugni”[33] pohon se tregtia nuk mund të konsiderohet tregti mallrash vetëm për dy arsye:

1-Posedimi aktual i tregtisë është përftuar nga veprime të tilla si marrëveshjet tregtare, martesa, kërkesa e divorcit nga gruaja, pranimi i një dhurate, trashëgimia, plaçkë lufte dhe përfitime të tjera ligjore. Kjo, pasi ajo që nuk është temë e zekatit, nuk mund të konsiderohet e tillë dhe një gjë e tillë nuk bëhet vetëm nëpërmjet nijetit siç është rasti i agjërimit. Nuk ka ndonjë ndryshim, nëse dikush posedon mallra të tillë nga blerja apo nga trashëgimia që i është lënë.

2-Mallrat janë të destinuara për tregti në momentin e posedimit. Këto konsiderohen mallra jotregtarë, edhe nëse personi ka për qëllim t’i përdorë ato për tregti më vonë. Megjithatë, nëse ai i posedon këto mallra nga trashëgimia dhe ka për qëllim t’i tregtojë, ato nuk konsiderohen mallra tregtie, pasi faktori përcaktues në këto raste është statuti i fitimit dhe jo gjendja e përkohshme e tregtisë. Vetëm qëllimi nuk siguron një arsye të vlefshme për të ndryshuar statutin e saj. Për shembull, nëse dikush ka për qëllim të udhëtojë, atëherë vetëm shprehja e qëllimit të tij nuk do të përbënte aktin e udhëtimit. Po kështu, nëse një person ka blerë mallra për tregti dhe pastaj ka për qëllim t’i mbajë për vete, duhet të konsiderohen për konsumim vetjak dhe për to nuk paguhet zekat.

 

Si paguhet zekati mbi të ardhurat e tregtisë?

Çdo njeri që zotëron mallra tregtie në sasinë e nisabit për një vit, duhet të paguajë zekat, sasia e të cilit është sa çereku i 1/10-ës së vlerës së tij. Kjo duhet të bëhet nga një biznesmen çdo vit. Megjithatë, periudha prej një viti nuk ka vlerë në rast se nuk përmbushet nisabi.[34] Nëse një biznesmen zotëron mall në vlerën që nuk e arrin nisabin dhe një pjesë e vitit ka kaluar, inventari i tij i mëvonshëm rritet me një rritje në vlerë të pazakontë (si pasojë e kërkesës dhe furnizimit ose përmes luhatjes së çmimeve) në mënyrë të tillë që përbën një nisab; ose ai e ka shitur mallin me çmimin e nisabit; ose gjatë kohës së një viti ai posedon mallra të tjera tregtie, të cilat bashkë me sasinë e mëparshme plotësojnë nisabin; atëherë hauli (periudha e zekatit) fillon në këtë kohë dhe koha e kaluar nuk merret parasysh. Ky është mendimi i hanefive, El Thaurit, Shafiut, Is’hakut, Ebu Ubejdes, Ebu Thaurit dhe Ibën El Mundhirit.

Sipas Ebu Hanifes, nëse malli i zotëruar përbën një nisab si në fillim ashtu edhe në fund të vitit, zekati do të praktikohet, edhe nëse do të ketë rënie gjatë kësaj kohe. Arsyeja e kësaj është vështirësia për të siguruar plotësimin e tij në periudhën e kaluar. Hanbelitë kanë mendimin se, nëse malli ulet gjatë vitit dhe ngrihet përsëri derisa potëson nisabin, periudha e nevojshme e një viti fillon nga fillimi, pasi është ndërprerë nga rënia.

 

ZEKATI MBI BIMËT DHE FRUTAT

Vijon … 


[1] P.sh. duke shitur një pjesë të pasurisë gjatë vitit, ose duke e konvertuar atë me një lloj tjetër pasurie, me qëllim që të mos përmbushet kushti i zekatit për një lloj të caktuar pasurie, duke bërë kështu të mundur që ajo pasuri e transformuar në një lloj tjetër, t’i përkasë një viti të ri të përllogaritjes së zekatit.

[2] Hadith Daif. “El Irva” 788. E ka nxjerrë Tirmidhiu 641, Darakutni 206, Bejhakiu 4/107.

[3] Maliku 1/251, Darakutni 2/109,110.

[4] Tirmidhiu 641.

[5] Hadith Sahih. “Es Sahiha” 2243. E ka nxjerrë Buhariu Mualak “Kitabul Vesaja”, tema nr. 9, në formë të prerë si fjalë e Pejgamberit a.s., Taberani në “El Kebir” 3/227, Ahmedi 2/394, 

[6] Nxjerrja e tij është përmendur më parë nga hadithi i Muadh ibën Xhebel kur u dërgua në Jemen.

[7] Do të përmendet më poshtë.

[8] Buhariu 1953, Muslimi 2689, Ebu Daudi 3310, Tirmidhiu 716,717, Ibën Maxheh 1758.

[9] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[10] Nxjerrja e tij është përmendur më parë.

[11] Ibni Batal thotë: “Nga ky hadith përfitojmë që njeriu duhet të nxitojë në kryerjen e veprave të mira, pasi jetës nuk i dihet dhe vdekja s’ka siguri, ashtu si pengesat dhe sëmundjet që i shfaqen njeriut pa pritur e pa kujtuar, prandaj dhe zvarritja e punëve në kësi rastesh nuk është kurrsesi e pëlqyer.

[12] Hadith Daif. “Ed Daife” 5069, “Et Targib” 469, “Daiful Xhami” 5057.

[13] Hadith Daif. “El Mishkat” 1793. E ka nxjerrë el Humejdi 1/115.

[14] Hadith Hasen. “El Irva” 857. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1624, Tirmidhiu 678, Ibën Maxheh 1795, Darimi 1/385, Ibën Xharudi 360, Ibën Seid 4/17, Darakutni 212-213, el Hakim 3/332, Bejhakiu 4/111, Ahmedi 1/104.

[15] Buhariu 1497, Muslimi 2489, Ebu Daudi 1590, Nesai 2458, Ibën Maxheh 1796.

[16] Hadith Sahih. Nesai 2458, Bejhakiu 4/157.

[17] Hadith Sahih. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1573, Bejhakiu 4/160.

[18] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 4375. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1574, Tirmidhiu 620, Nesai 2477,2478, Ibën Maxheh 1790.

[19] Ibën Hazmi, me këtë hadith, nuk ka argumentuar të njëjtin mendim të lartpërmendur, sepse ai e konsideron këtë hadith të dobët, prandaj dhe rezulton që kjo të jetë shndërruar në një çështje të përgjithshme. Shih El-Muhala 80-86/6; Temamul Minneh, El Albani.

[20] Hadith Hasen. “El Irva” 3/296 (817), “El Mishkat” 1809, “Et Targib” 768  E ka nxjerrë  Ebu Daudi 1563, Tirmidhiu 637, Nesai 2479, Ahmedi 2/178, 204, 208.

[21] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 361-362. E ka nxjerrë Ahmedi 6/453, 454, 455, 459, 460.

[22] Hadith Sahih. “El Irva” 3/296, “Et Targib” 769, “Adabu Zifaf” 191. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1565, Darakutni 205, el Hakim 1/389-390, Bejhakiu 4/139.

[23] Hadith Sahih. “El Irva” 3/295. E ka nxjerrë Shafiu 1/239, Ebu Ubejdi 442, Darakutni 205, Bejhakiu 4/138.

[24] Bejhakiu 4/138.

[25] Hadith Sahih. “Adabu Zifaf” 192. Maliku 1/250, Bejhakiu 4/138.

[26] Maliku 1/250.

[27] I referohet ajetit: “Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm.”

[28] Brezi i muslimanëve fill pas brezit të sahabëve. – Shënim i redaktorit.

[29] Këtu përfshihen mallrat dhe jo vlera e tyre monetare.

[30] Hadith Daif. “El Irva” 827. E ka nxjerrë Ebu Daudi 1562, Bejhakiu 4/146,147, Darakutni f. 214.

[31] Hadith Daif. “Ed Daife” 1178. E ka nxjerrë Darakutni f. 203, Ibën Hibani në “Eth Thikat” 9/234, el Hakim 1/388, Bejhakiu 4/147.

[32] Ether Daif. “Tamamul Mineh” 368, “El Irva” 828. E ka nxjerrë Ebu Ubejd në “El Emval” 425 (1179), Shafiu 1/236, Bejhakiu 4/147, Darakutni 2/125.

[33] Edhe mendimi i medh’hebit përkatës është në përputhje me këtë gjykim.

[34] Sipas Imam Malikut viti merret parasysh edhe nëse nuk është përmbushur nisabi. Nëse në fund të vitit mallrat e tregtarit e plotësojnë nisabit, atëherë ai duhet të japë zekat për to.