– 122-

83. Kur dëgjojnë atë që i është zbritur të Dërguarit (Kuranin), i sheh sytë e tyre t’u rrjedhin lotë, për shkak të së vërtetës që mësuan, dhe thonë: “Zoti ynë! Ne besuam1, prandaj na llogarit ndër ata që dëshmojnë2!
84. E si të mos besojmë Allahun dhe të Vërtetën që na ka ardhur, kur shpresojmë se Zoti ynë do të na bashkojë me njerëzit e mirë?!”3
85. Për këtë që thanë, Allahu do t’i shpërblejë ata me kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Ky është shpërblimi i punëmirëve.4
86. Ndërsa ata që mohuan dhe i përgënjeshtruan shpalljet Tona, ata do të jenë banorët e Zjarrit.5
87. O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes ato të mira që Allahu jua ka lejuar dhe as mos e kaloni kufirin6! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.7
88. Hani nga ato të mira të lejuara që ju ka dhënë Allahu, dhe frikësojuni Allahut, të Cilit ju i besoni!8
89. Allahu nuk ju ndëshkon për betimet tuaja të paqëllimta9, por ju ndëshkon për betimet e bëra me qëllim10; larja e gjynahut për thyerjen e këtij të fundit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e asaj që ushqeni familjen tuaj ose veshja e tyre, ose lirimi i një skllavi. Ai që nuk ka mundësi (për asnjërën nga këto), le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, kur betoheni. Pra, ruani betimet tuaja11! Kështu jua shpjegon Allahu provat e Veta12, që të jeni mirënjohës.13

_________________________________
1 Besuam atë që dëgjuam prej Librit dhe shpalljes Tënde tek i Dërguari yt, Muhamedi, e pranuam atë dhe dëshmojmë se ai është i vërtetë dhe ka ardhur prej Teje.
2 Ndër popullin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ndër muslimanët. Ajo që dëshmojnë muslimanët është se Muhamedi dhe gjithçka me të cilën ai ka ardhur, është prej Allahut dhe se Muhamedi e përmbushi misionin e tij në komunikimin e fesë së Allahut në mënyrën më të mirë e më të plotë.
3 Njerëzit e mirë janë ata që besojnë Allahun dhe i binden Atij; Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), shokët e tij, e të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.
4 Punëmirët janë ata që adhurojnë vetëm Një Zot të Vetëm, të Cilit nuk i bëjnë shok, që besojnë të gjithë të Dërguarit e Zotit dhe gjithçka iu është shpallur atyre nga Zoti, që zbatojnë Urdhrat e Zotit dhe i largohen ndalesave të Tij.
5 Ata që mohuan Njëshmërinë e Allahut dhe përgënjeshtruan profetësinë e Muhamedit dhe shenjat e Shpalljen e Allahut, ata janë banorët e përjetshëm të zjarrit përvëlues të xhehenemit.
6 Allahu i drejtohet besimtarëve muslimanë që të mos ia ndalojnë vetes ato të mira që ata i duan e i pëlqejnë, e që Ai ua ka lejuar dhe të mos marrin shembull murgjët dhe priftërinjtë të cilët i ndaluan vetes martesën dhe ushqimet e mira e të lejuara, por njëkohësisht iu tërheq vërejtjen që të mos e teprojnë dhe të mos i kalojnë kufijtë dhe ligjet e Tij.
7 Allahu nuk i do ata që i kalojnë kufijtë që Ai u ka vendosur krijesave të Tij në lidhje me ato gjëra që u ka lejuar dhe ato që u ka ndaluar.
8 Frikësojuni Allahut dhe përmbajuni ligjeve të Tij, nëse jeni besimtarë njësues të Tij, sepse besimi e kërkon këtë dhe nuk plotësohet veçse me këtë.
9 Betimi i paqëllimtë është ai betim që bëhet nga pavëmendja apo kur mendon se fjala apo çështja për të cilën betohesh është ashtu si kujton ti, por që në realitet është ndryshe dhe ti nuk e di që është ndryshe dhe betohesh sipas asaj që di.
10 Allahu ndëshkon për thyerjen e betimit të bërë me qëllim, d.m.th. të atij betimi që bëhet me vetëdije dhe pastaj thyhet. Në këtë gjykim përfshihet edhe thyerja e zotimit i cili ka kuptim të përafërt me këtë lloj të betimit.
11 Nga betimi i rrejshëm, nga betimet e shumta dhe nga thyerja e betimeve, me përjashtim të rastit kur thyerja e betimit është më e mirë se përmbushja e tij.
12 Ligjet dhe rregullat e fesë së Tij.
13 Ndaj Allahut për gjithçka që ju ka dhuruar e që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë.

-123-

90. O besimtarë! Me të vërtetë, alkooli1, bixhozi2, idhujt dhe shigjetat e fallit3 janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni prej tyre, që të shpëtoni!4
91. Vërtet, djalli kërkon që nëpërmjet alkoolit dhe bixhozit të fusë armiqësi e urrejtje5 midis jush dhe t’ju pengojë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Pra, a po i jepni fund?6
92. Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit,7 e bëni Kujdes8! Nëse ktheni shpinën9, ta dini se i Dërguari ka për detyrë vetëm të komunikojë shpalljen e qartë!10
93. Ata që besuan dhe bënë vepra të mira nuk kanë gjynah për atë që kanë ngrënë (më parë)11, përderisa janë ruajtur (nga të ndaluarat), kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, e më pas sërish janë ruajtur dhe kanë besuar, e sërish janë ruajtur e kanë vepruar mirë12. Allahu i do vepërmirët13.
94. O besimtarë! Allahu do t’ju provojë14 me diçka prej gjahut që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja15, që Allahu të dijë se kush i frikësohet Atij në fshehtësi.16 E, kushdo që pas këtij (sqarimi) i kalon kufijtë, ai do të ketë dënim të dhembshëm.17
95. O besimtarë! Mos e vrisni gjahun duke qenë në gjendje të shenjtë (Ihram)!18 E kushdo prej jush që e vret atë (gjahun) me vetëdije, shpagimi për të është që të therë kurban në Qabe, një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur, sipas vlerësimit të dy njerëzve të drejtë midis jush;19 ose të ushqejë disa të varfër për të larë gjynahun20; ose të agjërojë në të njëjtën masë21, në mënyrë që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë22. Allahu e fal atë që ka kaluar23, por kush i kthehet asaj (gjuetisë gjatë Ihramit)24, Allahu do të hakmerret ndaj tij. Allahu është i Plotfuqishëm, i Zoti për hakmarrje.25

___________________________________
1 Alkool është çdo pije dehëse, që të humb logjikën dhe arsyen, pa marrë parasysh frutin apo lëndën nga përfitohet ai.
2 Kumari dhe të gjitha lojërat e fatit.
3 Shih ajetin 3 të kësaj sure për kuptimet e hollësishme të këtyre fjalëve.
4 Sepse shpëtimi i vërtetë është vetëm me largimin nga ato që ka ndaluar Allahu dhe bindjen ndaj urdhrave të Tij.
5 Sepse alkooli dhe bixhozi janë vërtet nënë e çdo të keqeje dhe prishje e përçarje mes njerëzve.
6 Alkoolit dhe bixhozit, e t’i ktheheni bindjes ndaj Zotit tuaj, kryerjes së namazeve të detyruara dhe përmendjes së Zotit sa më shpesh, që të arrini suksesin e dëshiruar nga ju në këtë botë dhe në botën tjetër.
7 Në gjithçka që ju urdhërojnë dhe ju ndalojnë.
8 Bëni kujdes që Allahu të mos ju shohë duke vepruar ato gjëra që ju ka ndaluar apo të mos veproni ato që ju ka urdhëruar.
9 Bindjes ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij.
10 Që t’ju sqarojë rrugën e vërtetë të Allahut, e nëse ju nuk i bindeni, pasojat do të bienë mbi ju dhe jo mbi atë, dhe ju nuk do të keni asnjë justifikim tek Allahu.
11 Janë për qëllim ata besimtarë që vdiqën para se të shpallet ndalimi për alkoolin dhe bixhozin dhe ata i kanë pas bërë ato, e Allahu thotë se ata nuk kanë gjynah për atë që ka kaluar, përderisa kanë besuar dhe kanë praktikuar gjithçka që kishte zbritur nga Allahu përsa ishin në jetë.
12 Këtu janë për qëllim veprat e mira vullnetare dhe jo ato të detyrueshme, gjë që tregon arritjen e gradave të larta të besimit në mënyrë graduale, siç e përshkruan ajeti. Ruajtja e parë në ajet: është ruajtja e Allahut duke e pranuar dhe besuar urdhrin e Tij dhe duke e zbatuar atë; ruajtja e dytë: duke qëndruar me vendosmëri në këtë besim dhe duke mos ndryshuar; ruajtja e tretë: ruajtja duke vepruar vepra të mira dhe duke u afruar tek Allahu me vepra vullnetare.
13 Ata që veprojnë mirë kundrejt Krijuesit me zbatimin e ligjeve të Tijdhe kundrejt krijesave duke vepruar në dobi të tyre.
14 Gjatë kohës kur jeni në Ihram për kryerjen e Haxhit ose të Umras.
15 Gjah i vogël që kapet me dorë apo i madh që e gjuani me shigjeta; e këto kanë të bëjnë me gjahun e tokës dhe jo të detit, sepse i detit lejohet për muhrimin; e qëllimi është që prova do të jetë me diçka që zihet lehtë me dorë apo shigjetë, e jo me diçka të pamundur, se përndryshe prova nuk do të kishte kuptim.
16 Padyshim se Allahu e di se kush i frikësohet e kush jo, e Ai di gjithçka në hollësi që para se të ndodhë, por kjo është për të provuar me fakte të qarta dhe të dukshme për të gjithë, për të qenë të gjithë dëshmitarë se Allahu është i Drejtë dhe askujt nuk i bën padrejtësinë më të vogël; kush i frikësohet Allahut në fshehtësi, duke u ruajtur nga ndalesat e Tij dhe duke kryer urdhrat e Tij, edhe pse nuk e sheh Atë, Allahu e di atë dhe do i japë shpërblim të madh dhe bujar, kurse ai që i frikësohet syrit të njerëzve dhe vepron me syefaqësi, padyshim se Allahu e di shumë mirë këtë dhe do i japë atë që meriton.
17 Nga Allahu.
18 Në gjendje të Shenjtë. Këtu vjen ndalesa e prerë dhe e qartë e gjahut kur je në Ihram, pra kur je në “gjendje të shenjtë e të ndaluar”, dhe ke veshur rrobën e bardhë të Ihramit, e ke bërë nijetin për kryerjen e Haxhit apo të Umras.
19 Dy njerëz të drejtë dhe ekspertë në përcaktimin e kafshës më të përafërt nga madhësia apo vlera me kafshën e vrarë si gjah nga muhrimi.
20 Aq të varfër sa mund të ushqehen me kafshën shtëpiake të caktuar në vend të gjahut të vrarë.
21 Aq ditë sa numri i të varfërve që mund të ushqehente me atë kafshë.
22 Për vrasjen me vetëdije të gjahut, gjë të cilën e Allahu e ndaloi për muhrimin gjatë Ihramit, si provë për të.
23 Vrasjen e gjahut gjatë Ihramit në Haxh apo në Umra, para Islamit dhe para zbritjes së ndalimit nga Allahu në Kuran.
24 Gjë që bëhej nga pelegrinët në kohën e injorancës paraislamike.
25 Asgjë nuk mund ta ndalojë apo ta pengojë Allahun nga hakmarrja dhe nga ndëshkimi i çdokujt që Ai do, sepse të gjitha krijesat janë krijesat e Tij dhe e gjithë çështja dhe urdhri i përket vetëm Atij. E Ai është i Drejti, i Urti.

-124-

96. Ju është lejuar juve1 gjahu i detit dhe çdo ushqim prej tij2, si kënaqësi për ju3 dhe udhëtarët4, por ju është ndaluar gjuetia e tokës, derisa të jeni në gjendje të shenjtë (Muhrim). Kijeni frikë Allahun, tek i Cili do të tuboheni!5
97. Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Kabes, muajin e shenjtë, kurbanin dhe kafshët e shënuara me gjerdan,6 mbajtëse të njerëzimit7, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e gjithçka që gjendet në Tokë8 dhe se Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.9
98. Dijeni se Allahu është i Ashpër në ndëshkim10, dhe se Allahu është Falës, Mëshirëplotë.11
99. I Dërguari nuk ka për detyrë veçse të kumtojë Shpalljen, e Allahu e di çfarë bëni haptazi e çfarë fshehni.12
100. Thuaj: “Nuk është e barabartë e keqja me të mirën13, edhe sikur të të habisë moria e së keqes.14 Prandaj kijeni frikë Allahun,15 o njerëz me intelekt16, në mënyrë që të shpëtoni”17.
101. O besimtarë! Mos pyesni për gjëra, që, sikur t’ju tregoheshin hapur, do t’ju bënin të ndjeheshit keq,18 e nëse pyesni për to gjatë shpalljes së Kuranit, do t’ju bëhen të qarta.19 Allahu jua ka falur ato20. Allahu është Falës, i Butë.21
102. Pyetje të tilla kanë bërë edhe disa njerëz para jush,22 por pastaj u bënë mohues të tyre.23
103. Allahu nuk ka shenjtëruar ndonjë Behira24, Saibe25, Vesile26 apo Ham27, por ata që mohuan trillojnë gënjeshtra për Allahun,28 kurse shumica e tyre nuk kuptojnë.29

_________________________________
1 O Besimtarë muslimanë, qofshit në Ihram apo jo.
2 Peshk apo çdo gjallesë e detit që ka ngordhur në det dhe ka dalë në sipërfaqe.
3 Kur jeni në udhëtim për në Haxh apo Umra, apo në çdo udhëtim tjetër.
4 Udhëtarët që janë bashkë me ju në rrugën për në Haxh por që nuk synojnë haxhin. Sigurisht që lejimi përfshin të gjithë udhëtarët e detit pa përjashtim.
5 Ky është paralajmërim nga Allahu që njerëzit t’i përmbahen ndalesave të Tij dhe të mos i shkelin ato, sepse që të gjithë do të tubohen para Tij në Ditën e Llogarisë dhe do të japin llogari për veprat e tyre, pastaj do të shpërblehen me atë që meritojnë.
6 Kurbanet e shënuara duke u vendosur gjerdan në qafë me qëllim që të shfaqen simbolet e Allahut dhe ajo kafshë të respektohet. Kur pelegrini e shënon kurbanin e tij që do e sakrifikojë në Meke, ai menjëherë hyn në Ihram dhe duhet të veshë rroben e bardhë të Ihramit.
7 Këto janë shenjat e mëdha të Allahut në tokë dhe vlera të mëdha për të mirën e njerëzimit, sepse në bazë të këtyre vlerave dhe qëndrueshmërisë e ngritjes së tyre në tokë, vazhdon jeta dhe besimi, kurse me humbjen e këtyre vlerave dhe shenjave, vjen Kiameti dhe fundi i kësaj bote. Shih ajetin nr. 2 të kësaj sure për të rikujtuar domethënien e hollësishme të këtyre shenjave.
8 Dhe duke e ditur se çfarë është e mirë për njerëzimin, Ai e ka bërë këtë Shtëpi të Shenjtë, Kaben dhe Haxhin e çfarë lidhet me të, për të mirën e njerëzimit, prandaj detyra e njerëzve është që t’i madhërojnë këto shenja të Allahut ashtu si ka urdhëruar Ai dhe si ka mësuar i Dërguari i Tij, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
9 Di gjithçka që vepron secili prej jush në publik apo në fshehtësi dhe e shpërblen sipas veprës së vet.
10 Në ndëshkimin e atyre që i thyejnë urdhrat dhe që shkelin ligjet e Tij.
11 Falës i atyre që i binden dhe i kthehen Atij me pendim, dhe i Mëshirshëm ndaj tyre prandaj nuk i ndëshkon për veprat e tyre të mëparshme pasi që janë penduar dhe i kanë kërkuar falje Atij.
12 Detyra e të Dërguarit të Allahut është kumtimi i asaj që i shpallet nga Allahu, kurse Allahu është Ai që shpërblen atë që i bindet të Dërguarit dhe që dënon atë që nuk i bindet, e Allahu di gjithçka për çdokënd; Atij nuk i shpëton vepra e askujt, qoftë e publikuar apo e bërë në fshehtësi, dhe secilit i jep shpërblimin sipas veprave të veta.
13 Idhujtaria dhe mosbesimi me njësimin dhe besimin, vepra e keqe me veprën e mirë në përgjithësi, apo njeriu i keq e jobesimtar me njeriun e mirë besimtar, banorët e zjarrit me banorët e xhenetit.
14 Edhe sikur e keqja dhe të këqinjtë të jenë të shumtë në numër, sepse e keqja nuk do i bëjë dobi vepruesit të saj dhe përveç kësaj, vendimtar është përfundimi i secilit; Allahu i afatizon të këqinjtë por fundi i tyre nuk mund të barazohet kurrë me fundin e të mirëve të bindur ndaj Allahut.
15 Duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke iu ruajtur ndalesave të Tij.
16 Njerëz me logjikë e mendje të shëndoshë; sepse nga ata që kuptojnë e logjikojnë pritet t’i përgjigjen thirrjes dhe pritet që të besojnë e të veprojnë mirë e drejt.
17 Të shpëtoni nga dënimi i zjarrit në botën tjetër dhe të fitoni atë që shpresoni tek Zoti juaj.
18 Allahu i ndalon robët e Tij nga pyetja për gjëra që nëse i mësojnë, do i mërzisin dhe do i bëjnë të ndjehen keq, siç ishte për shembull pyetja e disa prej shokëve të Pejgamberit në lidhje me prindërit e tyre: se cili ishte vendi dhe gjendja e tyre në botën tjetër; sepse nëse dikujt do i thuhej se babai yt është në zjarr, padyshim se kjo gjë do e mërziste së tepërmi. Po kështu pyetja për gjëra të supozuara, për gjëra të padobishme dhe që nuk i interesojnë kujt, apo pyetja për provokim.
19 Nëse pyetja juaj përkon me kohën e shpalljes së Kuranit, Allahu do jua sqarojë atë që ta kuptoni mirë, por nëse Allahu hesht për diçka, atëherë mos pyesni, sepse Allahu jua ka falur dhe ju ka bërë lëshim në të, e nëse do të pyesnit, do ju ngarkoheshin detyrime që do ju rëndonin dhe do ishin të vështira për ju, ashtu si ndodhi me hebrenjtë që shumë prej detyrimeve të rënda i kishin si dënim për pyetjet e tyre.
20 Pyetjet tuaja të pavend që i keni bërë më parë.
21 Allahu është gjithnjë Falës, i Butë dhe Bamirës, prandaj kërkoni faljen dhe mirësinë e Tij, mëshirën dhe kënaqësinë e Tij.
22 Pyetje provokuese apo kërkim të mrekullive, por jo me qëllim të përfitimit por të arrogancës dhe talljes.
23 E mohuan mrekullinë që kërkuan apo përgjigjen që ju erdhi nga qielli, duke vulosur kështu mohimin dhe mosbesimin e tyre.
24 Behira (veshshpuar) quhej ajo deve, të cilës idhujtarët e kohës së injorancës i shponin veshin dhe e ndalonin hipjen mbi të, duke e konsideruar si të shenjtë.
25 Saibe (e lënë) ishe ajo kafshë, që po të plotësonte apo arrinte diçka të caktuar tek ata, lihej dhe shpallej e shenjtë; asaj nuk i hipej, nuk ngarkohej dhe nuk therrej për mish. Disa prej tyre thjesht zotoheshin për një kafshë që donin dhe e bënin të lënë – Saibe.
26 Vesile (lidhëse) ishte kafsha femër prej dy binjakëve që lindte një kafshë, kur lindte një mashkull dhe një femër, dhe në këtë rast ata nuk e therrnin mashkullin dhe nuk e bënin kurban për zotat e tyre.
27 Ham (i mbrojtur) ishte deveja mashkull që kishte kaluar një moshë të caktuar dhe një numër të caktuar ndërzimesh, i cili shpallej i mbrojtur nga hipja mbi të dhe përfitimi prej tij.
28 Duke thënë se është Allahu Ai që i ka shenjtëruar këto kafshë me këto cilësi. E vërteta është se paria e idhujtarëve dhe e mohuesve (ku nuk përjashtohen hebrenjtë) ishin ata që i trillonin këto gjëra, kurse shumica e pasuesve të tyre ishin imitues të verbër që nuk kuptonin.
29 Por pasojnë verbërisht dhe në injorancë trillimet e mohuesve, duke mos e kuptuar se ato ishin trillime dhe dalje nga e vërteta dhe rruga e drejtë e Allahut.

-125-

104. E kur u thuhet atyre1: “Ejani në atë që ka zbritur Allahu dhe te i Dërguari”!2 ata thonë: “Na mjafton rruga në të cilën kemi gjetur etërit tanë”3. A edhe pse etërit e tyre nuk kanë ditur asgjë4 e as nuk kanë qenë në udhën e drejtë?!
105. O besimtarë! Ruani veten tuaj!5 Ai që ka humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse ju jeni në rrugë të drejtë.6 Kthimi i të gjithëve ju është tek Allahu, e Ai do t’ju njoftojë për gjithçka që keni punuar.7
106. O besimtarë! Kur t’ju afrohet vdekja e të lini testamentin, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush8 ose dy të tjerë që nuk janë prej jush,9 nëse ju vjen vdekja ndërsa jeni duke udhëtuar nëpër botë10. Nëse dyshoni në ndershmërinë e atyre dyve, mbajini ata pas namazit dhe të betohen në Allahun (duke thënë): “Ne nuk do ta shesim betimin me asnjë çmim edhe nëse është fjala për ndonjë të afërm dhe nuk do ta fshehim dëshminë e Allahut11, sepse, atëherë do të ishim vërtet mëkatarë”. 12
107. Nëse më pas zbulohet se ata dy kanë merituar mëkat13, atëherë të zëvendësohen nga dy të tjerë prej atyre që këta u kanë bërë padrejtësi14, dhe këta dy (të fundit) le të betohen në Allahun (duke thënë): “Pa dyshim, dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e atyre dy të parëve. Ne nuk e kapërcyem të vërtetën (në betimin tonë), sepse përndryshe do të ishim prej të padrejtëve”.15
108. Kështu është më afër që ata ta bëjnë dëshminë e tyre ashtu si qëndron ose përndryshe të frikësohen se e drejta e betimit do t’i kthehet të tjerëve pas betimit të tyre (të rrejshëm)16. Kini frikë Allahun17 dhe dëgjoni18! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e prishur.19

_______________________________
1 Atyre që kishin trilluar çështjen e shenjtërimit të disa kafshëve dhe ndjekësve të tyre idhujtarë që nuk kuptonin.
2 Ejani të mësoni se ç’thotë Allahu në Kuran dhe ç’thotë i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në mënyrë që të njihni të vërtetën dhe të ndiqni rrugën e drejtë të Allahut.
3 Këmbëngulin me fanatizëm dhe verbërisht në ndjekjen e rrugës së të parëve të tyre të humbur e të devijuar nga rruga e drejtë.
4 Rreth të vërtetës në lidhje me ato kafshë që i shenjtëronin dhe në lidhje me besimin e vërtetë tek Allahu.
5 Duke ju bindur urdhrave të Allahut dhe duke ju larguar ndalesave të Tij me qëllim që ta shpëtoni veten tuaj nga dënimi i Allahut dhe ta afroni atë tek Ai dhe shpërblimi i Tij.
6 Nëse ju besimtarë, jeni në rrugën e drejtë të Allahut: zbatoni urdhrat e Tij dhe i ndaloheni ndalesave të Tij, kryeni detyrën tuaj kundrejt atyre që nuk janë udhëzuar duke i ftuar ata në fenë e Allahut, urdhëroni për mirë dhe ndaloni nga e keqja, atëherë mohuesit dhe ata që ndjekin rrugë tjetër nga ajo e drejta, të cilët nuk e marrin parasysh këshillën dhe ftesën tuaj për t’u kthyer në rrugën e drejtë, por vazhdojnë me kryeneçësi e arrogancë në humbjen e tyre, nuk mund t’ju dëmtojnë aspak në besimin tuaj, përderisa ju e keni kryer detyrimin tuaj kundrejt tyre, pra përderisa i keni ftuar në fenë e Allahut dhe i keni urdhëruar për mirë e i keni ndaluar nga e keqja. Dijetarët e tefsirit përmendin këtu edhe Hadithin ku i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kushdo prej jush që sheh ndonjë të keqe, ta ndalojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me zemrën e tij, por kjo e fundit është besimi më i dobët.” [Hadith Sahih; “Sahihul Xhami”, 6250]. Pra, thirrja dhe ndalimi nga e keqja bëhet sipas mundësisë, por assesi nuk lejohet që të lihet, sepse përndryshe i kemi për shembull të keq njerëzit e të shtunës prej beni Israilëve, historinë e të cilëve Allahu e përmend në Suren el A’raf, ajeti 163.
7 Kthimi i të gjithë njerëzve është tek Allahu, e Ai di gjithçka në hollësi për secilin se çfarë ka vepruar në dynja, kështu që secilin do e njoftojë me veprat e veta në gjykimin e tij para Sunduesit të Ditës së Gjykimit, pastaj do t’i japë secilit shpërblimin apo ndëshkimin që meriton.
8 Prej muslimanëve të ndershëm e të drejtë, apo prej të afërmve tuaj muslimanë të drejtë.
9 Që nuk janë prej muslimanëve, qofshin ata hebrenj, të krishterë apo të tjerë, por marrja e këtyre për dëshmitarë bëhet vetëm në rast nevoje të domosdoshme kur nuk gjen muslimanë. Disa dijetarë mendojnë se me “dy të tjerët” në këtë ajet janë për qëllim dy muslimanëqë nuk janë nga të afërmit apo fisi i atij që gjendet në shtratin e vdekjes dhe lë testament. Por gjithësesi, në rast se nuk ka muslimanë, lejohet që të merrën dëshmitarë dy jomuslimanë në këtë rast.
10 Pra, kushti i marrjes së dëshmitarëve jomuslimanë është mungesa e muslimanëve, gjë që ndodh zakonisht kur je në udhëtim nëpër vende të ndryshme të botës, në vende jomuslimane.
11 Dëshminë dhe amanetin e marrë në Emër të Allahut dhe për të cilin Allahu ka urdhëruar që të përmbushet dhe të çohet saktë dhe me ndershmëri në vendin e vet.
12 Nëse njerëzit e të vdekurit që ka vdekur në udhëtim e sipër dhe që u ka lënë testament dy dëshmitarëve që kanë qenë me të, dyshojnë në dëshminë e dëshmitarëve duke menduar se ata fshehin diçka nga testamenti dhe nga pasuria që ka lënë i vdekuri amanet, atëherë ata duhet t’i mbajnë ata të dy në xhami pas namazit të ikindisë, dhe në këtë rast që akuzohen me diçka, ata kanë të drejtën e vetëmbrojtjes duke u betuar në Allahun se nuk fshehin gjë nga dëshmia dhe se kurrë nuk do e shisnin betimin dhe besimin e tyre në Allahun me diçka të përkohshme nga gjërat e kësaj bote.
13 Kanë gënjyer në dëshminë e tyre dhe kanë merituar dënimin e Allahut për këtë mëkat të tyre.
14 Nga dy prej trashëgimtarëve të të vdekurit, sepse në origjinë trashëgimtarët janë ata që trashëgojnë të gjithë pasurinë e trashguesit të tyre kur ai vdes, e nëse dy dëshmitarët që kanë qenë present në vdekjen e tij pretendojnë se ai ka lënë testament apo porosi pë rata apo për ndonjë të afërm të tyre, por më pas zbulohet dhe dalin në pah prova që ata kanë gënjyer, atëherë dy prej trashëgimtarëve të të vdekurit betohen se e gjithë trashëgimia u takon atyre dhe se i vdekuri nuk i ka lënë testament apo porosi askujt tjetër përveç atyre.
15 Prej atyre që marrin padrejtësisht diçka që nuk i takon dhe që betohen rrejshëm për të grabitur pasuritë e njerëzve; prej atyre që duan dhe kënaqen me haramin, dënimi i të cilëve është i ashpër tek Allahut i Madhëruar, në këtë botë dhe në botën tjetër.
16 Kur pala akuzuese nuk ka provë, pala e akuzuar ka të drejtën e mbrojtjes me betim në Allahun dhe kështu del e pafajshme, por nëse zbulohet se pala e akuzuar është betuar rrejshëm, atëherë e drejta e betimit i kalon palës akuzuese që nuk kishte provë ne akuzën e saj. Nëse dëshmitarët e dinë këtë, atëherë le të kenë frikë në dëshminë e tyre dhe t’i ruhen turpërimit me hedhjen poshtë të betimit dhe dëshmisë së tyre dhe kthimin e betimit tek pala akuzuese. Ky turpërim në sytë e njerëzve është një pengesë më shumë dhe një shkak i fortë që ata që mbartin një dëshmi dhe një amanet të mos gënjejnë por ta çojnë në vend atë ashtu si qëndron, kurse tek Allahu ata ndëshkim tjetër edhe më të rëndë.
17 Në betimet tuaja dhe në çdo vepër apo fjalë.
18 Atë që ju thotë e ju këshillon Allahu, dhe veproni sipas saj.
19 Allahu nuk i jep sukses atyre që dalin nga rruga e Zotit, që thyejnë urdhrat e Tij dhe që i binden djallit. Ata që betohen rrejshëm janë prej këtyre njerëzve.

-126-

109. Atë ditë1 që Allahu do t’i tubojë të dërguarit e do t’u thotë: “Si ju përgjigjën2 (njerëzit thirrjes suaj?” Ata do të thonë: “Ne s’kemi dijeni;3 vetëm Ti i di të gjitha fshehtësitë”.4
110. Allahu do të thotë5: “O Isa, biri i Merjemes, kujto mirësinë Time ndaj teje dhe nënës tënde: se si të përforcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhibrilin)6, e ti u flisje njerëzve kur ishe në djep dhe i rritur7; se si të mësova Librin dhe Urtësinë8, Teuratin dhe Ungjillin; se si me vullnetin Tim formoje nga balta një formë shpendi, pastaj fryje në të dhe ai bëhej zog me vullnetin Tim; se si me vullnetin Tim i shëroje të verbërit e të lebrosurit; se si me vullnetin Tim i ngjallje të vdekurit;9 se si i pengova tentativat e beni israilëve ndaj teje10, kur iu solle atyre prova të qarta11 e mohuesit prej tyre thanë: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse magji e qartë!”;
111. dhe se si kur i frymëzova apostujt12: “Më besoni Mua dhe të Dërguarin Tim!” – ata u përgjigjën: “Ne besuam, prandaj dëshmo se ne jemi muslimanë (të nënshtruar Ty, o Zoti ynë)!”
112. Kujto kur apostujt thanë: “O Isa, biri i Merjemes, a mundet Zoti yt të na zbresë një sofër nga qielli?”13 Ai tha: “Kini frikë Allahun, nëse jeni besimtarë të vërtetë!”14
113. “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo15 – thanë ata –, të na qetësohen zemrat16, ta dimë se na ke thënë të vërtetën17 dhe të jemi dëshmitarë të saj”.18

__________________________________
1 Kini frikë, kujtojeni dhe përgatituni për atë ditë…
2 Çfarë përgjigje morët nga popujt tuaj kur ju i ftuat të besojnë Allahun dhe të ndjekin fenë e Tij, dhe si iu përgjigjën ata thirrjes suaj?
3 Nuk kemi dijeni të hollësishme përveç asaj që kemi parë nga jashtë dhe asaj që na ke mësuar Ti.
4 Di të vërtetën e gjërave, të dukshmen dhe të fshehtën, dhe di gjithçka në hollësi.
5 Ditën që do të tubojë të dërguarit e Tij. Në vijim, Allahu numëron disa prej mrekullive dhe provave që ju ka dhënë disa prej të Dërguarve të Tij, e pikërisht Isait, birit të Merjemes, me qëllim të qortimit të mosbesimtarëve që i panë ato prova dhe megjithatë nuk e besuan të Dërguarin.
6 Me engjëllin Xhibril, i cili është quajtur “shpirti i shenjtë” për arsye se Allahu e ka krijuar atë duke ia dhënë vetë shpirtin, pa e lindur atë ndonjë prind, dhe kështu e quajti “shpirt”. Po për këtë arsye është quajtur edhe Isai “shpirt”, ngaqë Allahu e krijoi atë duke ia dhënë vetë shpirtin atij, pa pasur baba. Ndërsa fjala “i shenjtë” (el kudus), ka kuptimin “i pastër”.
7 Në djep ai foli për pastërtinë dhe pafajësinë e nënës së tij nga ajo me të cilën e akuzuan, kurse i rritur ai predikoi dhe kumtoi shpalljen e Allahut, Teuratin dhe Inxhilin.
8 “Libri” në këtë rast është shkrimi e leximi, kurse “Urtësia” është kuptimi i domethënieve të Teuratit dhe të Inxhilit.
9 Të gjitha këto ishin mrekulli dhe prova të mëdha që Allahu ia dha Isait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), e ai sfidoi me to të gjithë mjekët e kohës së vet dhe të gjitha kohërave, por që në kohën e tij mjekësia ishte në lulëzimin e saj, prandaj edhe mrekullitë që Allahu i dha atij ishin në kohën dhe vendin e duhur.
10 Kur ata kishin vendosur vrasjen e tij.
11 Që dëshmonin për profetësinë tënde dhe se gjithçka me të cilën kishe ardhur ishte e vërtetë nga Allahu.
12 Apostujt janë ndihmuesit e Isait, nxënësit e tij, shokët e tij që e besuan dhe e ndoqën rrugën e tij.
13 Apostujt i kërkuan Isait një mrekulli të prekshme: një sofër me ushqime të llojllojshme që të zbriste nga qielli, që ta shihnin me sytë e tyre për të larguar çdo dyshim dhe për të forcuar bindjen tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.
14 Kërkesa e apostujve të jep të kuptosh se ata kishin dyshim në profetësinë e Isait apo në fuqinë e Zotit, prandaj Isai e quajti të madhe fjalën e tyre dhe u tha që të kenë frikë Allahun e të mos e bëjnë këtë pyetje, në qoftë se janë vërtetë besimtarë.
15 Nga sofra e zbritur direkt nga Zoti; diçka mahnitëse dhe bereqet i pakufishëm. Kjo fjalë e tyre tregon gjithashtu se ata kishin vërtet nevojë për të ngrënë dhe nuk e kërkuarn thjesht për provë.
16 Të bindemi plotësisht për fuqinë e Allahut dhe të mos mbesë në zemrën tonë asnjë grimcë dyshimi nga e cila mund të futet shejtani për të bërë cytje.
17 Për profetësinë tënde dhe ato që na thua për Zotin.
18 Apostujt këmbëngulën në kërkesën e tyre, që të bindeshin plotësisht në besimin e tyre, të hanin vërtetë nga bereqeti i zbritur direkt nga Allahu dhe të ishin dëshmitarë të asaj që panë tek njerëzit e tjerë.

-127-

114. Isai, biri i Merjemes tha: “O Allah, o Zoti ynë! Na zbrit një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parët dhe të fundit tanë1, si dhe provë prej Teje2, dhe na furnizo, se Ti je Furnizuesi më i mirë!”3
115. Allahu tha: “Unë do t’jua zbres atë. Por cilido nga ju që do të mohojë pas saj, Unë do ta dënoj atë me një dënim që nuk do të dënoj askënd tjetër në botë”.4
116. Pastaj Allahu tha5: “O Isa, biri i Merjemes! A ishe ti ai që u the njerëzve: “Më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota përveç Allahut”?!6 Ai (Isai) tha: “I Lartësuar dhe larg çdo të mete je Ti!”7 Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam të drejtë!8 Po ta kisha thënë këtë, Ti me siguri do ta dije.9 Ti e di çfarë ka brenda meje10, kurse unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde.11 Vetëm Ti i di të gjitha fshehtësitë.12
117. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!”13 Kam qenë dëshmitar ndaj tyre14, për sa kohë që isha midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre.15 Ti je Dëshmitar për çdo gjë.16
118. Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi, i Urti.” 17
119. Allahu tha: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u bën dobi sinqeriteti i tyre.18 Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, e aty do të qëndrojnë përjetësisht, përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të.19 Kjo është fitorja e madhe!”20
120. Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka gjendet në to.21 Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.

________________________________
1 Për ata që janë gjallë prej nesh dhe prej atyre që do të vijnë më pas nga ndjekësit tanë.
2 Provë për Fuqinë dhe Njëshmërinë Tënde dhe për vërtetësinë e të qenët tim i Dërguari Yt.
3 Na jep nga të mirat e Tua të pafund, sepse Ti je Buajri më i madh dhe Dhuruesi më i mirë. Pra, Isai (alejhis selam) e kërkoi sofrën për dy arsye të dobishme: e para ishte arsye fetare dhe besimi: që të jetë provë e vazhdueshme dhe mrekulli që do e përkujtojnë njerëzit çdo vit, dhe e dyta arsye dhe dobi materiale e kësaj bote: që të jetë furnizim për ta.
4 Ka mendime të ndryshme në lidhje me sofrën, nëse Allahu e zbriti atë apo jo, edhe për shkakun se ajo nuk përmendet absolutisht në Bibël, por shumica mbështesin transmetimet që thonë se Allahu e mbajti premtimin e Tij dhe e zbriti sofrën, por disa prej tyre e mohuan atë, kështu që merituan dënimin më të rëndë të Allahut, siç ka ardhur në disa transmetime, ku në njërin prej tyre, Abdullah Ibën Amër thotë: “Njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë janë tre: hipokritët, ata që mohuan prej njerëzve të sofrës dhe njerëzit e Faraonit.” [Taberiu].
5 Në ditën e Gjykimit kur do të tubojë të dërguarit e Tij.
6 Ky është qortim i të krishterëve që besojnë e madhërojnë Isain dhe Merjemen, apo që besojnë trinitetin, gjë të cilën e kanë shpikur vetë ata, kurse Isai shfajësohet duke e mohuar fuqimisht këtë të pavërtetë dhe trillim të madh ndaj tij dhe nënës së tij.
7 Larg çdo të mete je Ti o Zot, dhe i Lartësuar e i Pastër nga ky trillim i shëmtuar.
8 Dhe që nuk është e vërtetë, sepse unë jam rob i krijuar dhe nëna ime është robëresha Jote, kështu që si mund të pretendojmë hyjnizimin dhe të kërkojmë nga njerëzit që të na adhurojnë në vend të Allahut apo përkrah Tij?! As engjëjt, as të dërguarit dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të adhurohet apo të kërkojë të adhurohet, sepse që të gjithë janë krijesa të Allahut, të dobëta dhe që kanë nevojë për Allahun, që nuk kanë fuqi t’i sjellin dobi apo t’i largojnë të keqen as vetes së tyre, por vetëm Allahut i drejtohen për gjithçka, sepse vetëm Ai është Zot i gjithçkaje, i Plotfuqishëm për çdo gjë, që nuk ia ka nevojën askujt, por të gjithë kanë nevojë për Të.
9 Dhe nuk ka dyshim se Allahu e di se çfarë i ka thënë e çfarë nuk i ka thënë Isai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) popullit të tij, por këtu është për qëllim që të gjithë të krishterët që e besuan atë në dynja ta dëgjojnë hapur nga goja e tij se besimi i tyre ishte i përzierë me të pavërteta dhe se ata i bënin shok Allahut në diçka që i përket vetëm Atij, e shokvënien Allahu nuk e fal në asnjë mënyrë, përveç nëse personi që e bën atë pendohet sinqerisht para se të vdesë.
10 Ti o Zot, di jo vetëm atë që e kam shprehur por edhe atë që e kam çuar në mendje dhe që nuk e kam shprehur, e Ti di gjithçka në hollësi.
11 Unë nuk di për Ty vetëm se atë që më ke treguar vetë Ti, sepse vetëm Ti je Zot kurse unë jam krijesa jote që nuk di asgjë tjeter përveç asaj që më mëson Ti.
12 Ti di gjithçka të fshehtë që nuk mund ta dijë askush tjetër përveç Teje.
13 Kjo është fjala që u ka thënë Isai popullit të vet dhe këtë e dëshmon edhe Bibla tekstualisht, kështu që Isai shfajësohet totalisht nga devijimet dhe besimet e gabuara që ndoqi populli i tij pas tij, dhe ja në këtë vend, në Ditën e Gjykimit, ai do të dëshmojë të vërtetën në lidhje me besimin dhe do të shfajësohet nga rruga që ndoqi populli dhe ndjekësit e tij.
14 Dhe veprave të tyre.
15 Unë dëshmova prej punëve të tyre ato që i vepruan sa isha mes tyre, kurse pasi më more Ti në qiell, vetëm Ti ishe Mbikëqyrës dhe Ruajtës i tyre.
16 Sepse Ti sheh dhe di gjithçka në hollësi, dhe dëshmon të vërtetën, kurse unë (Isai) nuk di veçse një pjesë të atyre që kam parë kur kam qenë në mesin e njerëzve.
17 Nëse i dënon ata që kanë besuar trinitetin dhe që kanë adhuruar Isain (Jezusin) dhe nënën e tij përkrah Allahut, duke i lënë të vdesin në këtë gjendje dhe pa u penduar dhe pa u kthyer në besimin e drejtë dhe në Njësimin e Allahut, padyshim se dënimi Yt është i merituar nga ata dhe është i drejtë, por gjithësesi ata janë robët e Tu dhe, nëse i fal ata, kjo do të ishte nga bujaria dhe mëshira jote e Madhe, se përndryshe Ti je i Plotëfuqishëm për t’i dënuar ata ashtu si e meritojnë, dhe Ti je i Urtë; e di mirë se çfarë është më e mirë të bëhet dhe se kë duhet të dënosh e kë jo. Këtu tregohet mëshira dhe dhembshuria që ka vendosur Allahu në zemrat e të dërguarve të Tij për popujt e tyre, dhe fjalët e Isait e tregojnë më së miri këtë gjë, edhe pse ai e di mirë se kushdo që ka vdekur duke i bërë shok Allahut, atij nuk i falet kjo gjë dhe vendi i tij është Zjarri përvëlues ku do të jetë përgjithmonë.
18 Dita e Gjykimit, dita në të cilën Allahu do të tubojë edhe të dërguarit e Tij, është dita në të cilën bën dobi vetëm sinqeriteti i njeriut gjatë jetës së tij në tokë, d.m.th. sinqeriteti në besimin dhe adhurimin e Një Zoti të Vetëm, Allahut, dhe veprat e sinqerta të urdhëruara nga Allahu dhe konform mënyrës dhe traditës së të Dërguarit të Tij të fundit, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kjo është dita në të cilën çdo njeri do të shpërblehet me veprën e vet ashtu si e meriton, pa iu bërë padrejtësia më e vogël, madje tolerimi do të jetë dominant në çdo rast, sepse Mëshira e Allahut dominon mbi Zemërimin e Tij, por ligji është ligj: Allahu fal çdo mëkat tjetër që ka bërë njeriu dhe ka vdekur pa u penduar prej saj, përveç shokvënies Allahut dhe adhurimit të dikujt apo diçkaje tjetër përveç apo përkrah Tij; këtë gjë Allahu nuk e fal. Kjo ishte njëkohësisht përgjigje për fjalën e Isait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur kërkoi nga Allahu që ta falte popullin e tij.
19 Allahu është i kënaqur me veprën dhe jetën e besimtarëve muslimanë konform ligjeve të Allahut në dynja, dhe ata janë gjithashtu të kënaqur me Allahun dhe me shpërblimin e madh që Ai do u japë në botën tjetër, dhe kjo është padyshim fitorja e madhe e përjetshme.
20 Fitorja që ata kërkonin në dynja dhe për të cilën u përpoqën dhe punuan me trupin dhe jetën e tyre, dhe më në fund e arritën atë, sepse kur e kërkon sinqerisht diçka dhe përpiqesh për ta arritur atë, patjetër që Allahu do ta japë atë, sepse ky është ligj universal i vendosur nga Allahu, i Gjithëdijshmi, i Urti.
21 Sundimi i gjithçkaje që ekziston i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër përveç Tij, as ndonjë engjëlli as ndonjë profeti, as Isait apo nënës së tij, dhe askujt tjetër, por vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë.

-128-

SURJA EL-EN‘ÂM – Bagëtitë
Mekase – 165 vargje
Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

1. I gjithë lavdërimi i përket Allahut1 që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirat dhe dritën.2 E megjithatë, ata që mohuan, barazojnë të tjerë me Zotin e tyre.3
2. Është Ai që ju krijoi nga balta4, pastaj caktoi një afat5 (vdekjen) dhe një afat tjetër që është tek Ai6 (ringjallja), por përsëri ju dyshoni.7
3. Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë8; Ai di çfarë fshihni dhe çfarë shfaqni, dhe di çfarë punoni.9
4. Sa herë që atyre (mohuesve) u vjen ndonjë provë nga provat e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën.10
5. Kur u erdhi e vërteta11, ata e mohuan atë, por së shpejti do t’u vijnë lajmet e asaj me të cilën talleshin.12
6. A nuk e kanë parë ata13 se sa breza kemi zhdukur para tyre14?! Madje, atyre u kishim dhënë më shumë fuqi në tokë15 sesa ju kemi dhënë juve16, u zbritëm atyre shira të bollshëm dhe bëmë që ndër ta të rrjedhin lumenj; por, për shkak të gjynaheve të tyre17, i shfarosëm ata dhe, pas tyre krijuam breza të tjerë.18
7. Edhe sikur Ne të të zbritnim ty (o Muhamed) një Libër të shkruar në letër e ata ta preknin me duart e tyre,19 ata që mohuan me siguri që do të thoshin: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse magji e qartë20.”
8. Ata thanë21: “Përse të mos i zbresë atij (Muhamedit) një engjëll?!22 Por, sikur të zbrisnim engjëll, gjithçka do të merrte fund dhe atyre nuk do t’u jepej asnjë afat.23

_________________________________
1 Prandaj vetëm Allahun lavdëroni e falënderoni me sinqeritet, sepse Ai është Krijuesi dhe Zoti juaj, dhe Krijuesi i gjithçkaje që ekziston.
2 Bëri errësirat e natës dhe dritën e ditës; errësirat e injorancës, mohimit dhe idhujtarisë, dhe dritën e dijes, besimit dhe bindjes ndaj Tij. Kjo është provë e prerë se Allahu i Madhëruar është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe adhurimi duhet te jetë vetëm për Të, por megjithatë, ata që mohuan barazojnë të tjerë me Allahun në adhurim duke i adhuruar dhe madhëruar ata ashtu si i përket vetëm Allahut.
3 I bëjnë shok Allahut duke adhuruar idhujt dhe gjëra të tjera përveç apo përkrah Allahut, ndërkohë që ato gjëra që ata i barazojnë me Allahun nuk kanë krijuar asgjë as nuk kanë fuqi për asgjë, as për vete as për të tjerët; atëherë me çfarë logjike i bëjnë shok Allahut dhe adhurojnë të tjerë ashtu si duhet të adhurojnë vetëm Allahun?! Thuhet se ky ajet ka qenë ajeti i parë hapës i Teuratit, apo Fatihaja e Teuratit. [Taberiu]. Ky ajet është me të vërtetë një provë më se e qartë dhe shumë domethënëse, këshillë e shkurtër dhe kuptimplotë për ata që meditojnë me logjikë dhe arsyetojnë me mendje të shëndoshë rreth tij.
4 Njeriu i parë në tokë dhe babai i njerëzimit është krijuar nga balta.
5 Afatin e jetës në këtë botë për të vepruar dhe për t’u provuar.
6 Ringjallja në Ditën e Llogarisë ku secili do të shpërblehet për veprat e bëra në dynja.
7 Dyshoni në Fuqinë e Allahut për krijimin e qiejve e të Tokës, për krijimin tuaj nga balta, për ringjalljen tuaj pas vdekjes dhe dhënien llogari për veprat tuaja para Allahut.
8 Allahu është Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe vetëm Ai duhet të adhurohet në qiej e në Tokë. Atij i takon adhurimi dhe madhërimi në qiej e në Tokë, nga engjëjt dhe nga njerëzit e xhinët, e nga të gjitha krijesat e Tij.
9 Prandaj ruajuni mëkatit ndaj Tij dhe kujdesuni të bëni ato punë që ju afrojnë tek Ai dhe te Mëshira e Tij, sepse Ai jua regjistron të gjitha veprat që bëni dhe i di qëllimet tuaja, pastaj ju shpërblen sipas asaj që meritoni kur të ktheheni tek Ai.
10 I mohojnë me kryeneçësi dhe arrogancë.
11 Kur iu erdhi Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) me Kuranin dhe Islamin.
12 Do ta marrin vesh të vërtetën e asaj me të cilën mohuesit talleshin prej provave të Allahut, dhe do të shijojnë ndëshkimin e rëndë e të merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.
13 Ata që mohuan provat e Allahut dhe profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
14 Popujt e mëparshëm që mohuan të dërguarit e Allahut tek ata dhe që Allahu i shfarosi për shkak të mohimit dhe kryeneçësisë së tyre edhe pasi i panë hapur me sytë e tyre provat e qarta të Allahut, dhe si pasojë, mirësitë e mëdha të Allahut iu shndërruan në ndëshkim të merituar.
15 Iu kishim dhënë më shumë pushtet, pasuri, fëmijë e komoditet.
16 Mohuesve të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të provave të Allahut.
17 Mohimit të mirësive të Allahut dhe mosfalënderimin e Allahut për to, mohimin e të dërguarve të Allahut dhe të provave të Allahut, e të gjitha gjynahet dhe veprat e tyre të këqia.
18 Njerëz dhe popuj të tjerë të ndryshëm nga ata.
19 Sikur të zbritnim një libër direkt nga qielli e ata ta shihnin këtë gjë dhe ta preknin me duart e tyre për t’u siguruar që është real.
20 Magji e qartë për ata që e vështrojnë mirë dhe që nuk iu mashtrohen sytë, sepse sipas tyre, ajo është diçka joreale. Kështu janë mohuesit e së vërtetës: kryeneçë të pabindur, sepse nuk është se i Dërguari e la mangut misionin e tij apo se nuk u solli atyre prova të qarta e të padiskutueshme, as sepse ata nuk dinin dhe nuk e kishin parë të vërtetën, por nga ligësia, padrejtësia dhe kryeneçësia e tyre i mohuan provat e Allahut dhe i quajtën ato “magji e qartë”. Kjo, që të bëhet e qartë se dënimi i tyre është më se i merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.
21 Mohuesit dhe idhujtarët e Mekës në atë kohë, duke vazhduar me kokëfortësi në arrogancën dhe kryeneçësinë e tyre të mbështetur në injorancë dhe jashtë çdo logjike.
22 Në formën e tij reale dhe të dëshmojë se ti, o Muhamed, je vërtet i Dërguari i Allahut dhe se ajo që të shpallet ty është vërtet nga Allahu. (Shih gjithashtu ajetin nr. 7, të sures El Furkan).
23 Sikur të zbritnim engjëll nga qielli në formën e tij dhe ata ta shihnin me sytë e tyre pastaj ta mohonin atë, atyre do t’u vinte dënimi i Allahut dhe do të shfaroseshin në vend pa ju dhënë asnjë afat tjetër që të mund të pendoheshin e të kërkonin falje, njësoj si ka ndodhur me popujt e mëhershëm që mohuan provat e qarta të Allahut edhe pse vetë ata i kërkuan dhe pastaj i mohuan, e Allahu i shfarosi ata pa i dhënë afat tjetër. Ky është ligj universal i Allahut për të gjithë ata që kërkojnë prova nga Allahu, por kur i shohin me sytë e tyre, i mohojnë ato me kryeneçësi: atyre u vjen dënimi i merituar menjëherë; kështu që moszbritja e engjëllit nga Allahu ishte mëshirë për ata që e kërkuan atë si rezultat i mëshirës për të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili gjithësesi nuk e kërkoi kurrë provën e Allahut dhe as zbritjen e dënimit mbi popullin e vet.

-129-

9. Edhe sikur Ne ta dërgonim engjëll atë (të dërguarin),1 sigurisht që do t’i jepnim atij pamje njeriu2 dhe, kështu, do të bënim që të pështjelloheshin ashtu si aktualisht janë të pështjelluar.3
10. Edhe të dërguar të tjerë para teje janë përqeshur, por ata që përqeshnin i përfshiu dënimi me të cilën ata talleshin.4
11. Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shihni çfarë përfundimi kanë pasur përgënjeshtruesit”.5
12. Thuaj: “Kujt i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë?” Përgjigju: “Vetëm Allahut!”6 Ai ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën7 dhe, me siguri, do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka pikë dyshimi.8 Ata që i kanë shkaktuar humbjen vetvetes, kurrë nuk do të besojnë.9
13. E Tij është gjithçka që pushon natën apo ditën.10 Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.11
14. Thuaj: “A të marr mbrojtës tjetër përveç Allahut,12 Krijuesit të qiejve e të Tokës,13 i Cili ushqen,14 ndërsa Vetë nuk ushqehet”15. Thuaj (o Muhamed): “Unë jam urdhëruar që të jem i pari që i nënshtrohet Allahut”16 dhe kurrsesi mos u bë prej idhujtarëve!
15. Thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një Dite të Madhe, nëse e kundërshtoj Zotin tim”. 17
16. Ai që shpëtohet nga dënimi i asaj dite, atë e ka mëshiruar Zoti18; Ky është shpëtimi i qartë19.
17. Nëse Allahu të godet me ndonjë fatkeqësi,20 askush përveç Tij nuk mund të ta largojë atë.21 E nëse të dhuron ndonjë mirësi22, padyshim se Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.23
18. Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet24; Ai është i Urti, Njohësi i gjithçkaje në hollësi.25

____________________________________
1 Sikur Allahu t’i dërgonte engjëll njerëzve për të kumtuar shpalljen e Tij.
2 Sepse njerëzit nuk mund ta shohin engjëllin në pamjen e tij reale, sepse krijimi i tyre nuk e përballon dot këtë.
3 Në lidhje me të dërguarin e Allahut tek ata, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili është njeri dhe ata janë të pështjelluar në lidhje me çështjen e tij; po kështu do të ishin edhe sikur ai të kishte qenë engjëll me pamje njeriu, sepse ata gjithësesi nuk do e dinin realitetin e tij dhe rruga që ata kërkojnë për ta mësuar atë është e gabuar sepse nuk të çon veçse në pështjellim tjetër të njëjtë si ai që kërkojnë të vërtetojnë. Kur e vërteta u erdhi atyre nga rruga e saktë dhe reale, ata i mbyllën derën asaj dhe hapën dyert e humbjes dhe pështjellimit, kështu që faji është gjithësesi i vetë atyre.
4 Kur popujt e mëparshëm i mohonin provat që Allahu i jepte të dërguarve të Tij dhe talleshin me ta dhe me dënimin me të cilin ata i kishin kërcënuar nëse do të mohonin provat e qarta të Allahut, ai dënim me të cilin ata talleshin zbriste mbi ta dhe i shfaroste nga faqa e dheut.
5 Thuaju atyre që barazojnë idhujt me Allahun dhe që i adhurojnë ato përkrah Allahut, të udhëtojnë nëpër botë dhe të shohin se si janë zhdukur e shfarosur përgënjeshtruesit e të dërguarve të Allahut, se ndoshta kjo gjë po i bën t’i thërrasin mendjes dhe të mos përgënjeshtrojnë ty, o Muhamed, nga frika se mos i gjen ajo që i gjeti edhe të tjerët para tyre. Meqënëse atyre nuk ju bëjnë dobi provat e Allahut, le të shohin këtë realitet të kryer që të jetë shembull për ta, se ndoshta marrin mësim dhe kthehen te e vërteta.
6 Gjithçka në qiej e në tokë i përket vetëm Allahut, dhe askush nuk mund të thotë se i përket dikujt tjetër, apo idhujve që nuk zotërojnë as vetveten; kështu që përse vazhdoni në arrogancë e përgënjeshtrim?!
7 Mëshirën ndaj robërve të Tij, duke mos iua shpejtuar atyre dënimin dhe vdekjen menjëherë pas mohimit dhe gjynahut, por duke iu dhënë afat që të pendohen.
8 Dhe atje do i japë secilit atë që meriton si rezultat i veprave të veta në dynja.
9 Idhujtarët dhe mohuesit i shkaktojnë humbjen vetvetes me idhujtarinë dhe mohimin e tyre, sepse kështu ata tërheqin hidhërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij të rreptë; dhe ata kurrë nuk do të besojnë pas mohimit të provave të patundshme logjike dhe hyjnore që Allahu i ka përmend në këtë sure për të vërtetuar Njësimin e Tij dhe për të rrëzuar çdo grimcë të idhujtarisë dhe mosbesimit.
10 Çdo krijesë është pronë e Allahut, dhe shprehja “që pushon” i përfshin të gjitha krijesat që ekzistojnë, qoftë ato që nuk lëvizin apo ato që ndalen pas lëvizjes, dhe përderisa është kështu, atëherë si mund të adhurohet tjetërkush përveç Krijesit dhe Zotëruesit të gjithçkaje që ekziston?! Me çfarë logjike mund të adhurohet tjetërkush përveç Zotit të vërtetë!
11 Allahu dëgjon çdokënd, gjithçka, çdo zë, kudo, dhe po kështu di dhe njeh në hollësi gjithçka për çdokënd, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai di edhe atë që nuk ekziston, e nëse do të ekzistonte, e di se si do të ishte. Ai di gjithçka të shfaqur apo të fshehur, regjistron gjithçka për çdo njeri dhe secilit i jep shpërblimin e veprës që bën në këtë botë.
12 Prej krijesave të Allahut që janë të pafuqishme dhe që nuk kanë mundësi të më mbrojnë nga e keqja apo të më sjellin dobi?
13 Krijuesit, rregulluesit dhe mbajtësit të qiejve dhe tokës.
14 Furnizon dhe mban gjallë të gjitha krijesat e Veta.
15 Ushqimi është i nevojshëm për njeriun dhe krijesa të tjera, por Allahu nuk ka nevojë për asgjë, as për të ngrënë e as për të pirë, sepse Ai është Zot, Krijues, Absolut, larg dobësive dhe të metave, Zot i gjithçkaje që nuk ia ka nevojën asgjëje, por të gjitha krijesat kanë nevojë për Të.
16 I pari musliman i nënshtruar Allahut, në kohën e vet; që adhuron vetëm Allahun, i bindet urdhrave të Tij dhe i largohet ndalesave të Tij.
17 Thuaju atyre idhujtarëve që të ftojnë në idhujtari, se Allahu ta ka ndaluar të adhurosh dikë apo diçka tjetër përveç Tij, e nëse e thyen urdhrin e Tij dhe i bën shok Allahut, atëherë do të kesh dënim të rëndë në Ditën e madhe të llogarisë para Krijuesit të gjithësisë.
18 Vetëm me mëshirën e Allahut mund të shpëtojë njeriu nga dënimi i sigurtë që meriton në botën tjetër për veprat që ka bërë në dynja, vërtet Allahu është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti; Zoti ynë! Na përfshi me dhë në mëshirën Tënde!
19 Shpëtimi nga dënimi i sigurtë dhe fitorja e madhe dhe e qartë e asaj që besimtari do dhe kërkon: arritja e kënaqësisë së Allahut dhe e shpërblimit të Tij bujar e të pashtershëm.
20 Me ndonjë vështirësi apo çdo lloj sprove në jetën e kësaj bote.
21 Askush përveç Allahut nuk mund të ta largojë të keqen që të ka rënë, as ndonjë idhull, as ndonjë shenjtor i gjallë apo i vdekur, e askush tjetër, por vetëm Allahu; kështu që si adhuroni e lusni të tjerë përveç Allahut?!
22 Nga të mirat dhe begatitë e jetës së kësaj bote.
23 Fuqia e Allahut është absolute dhe askush e asgjë nuk mund ta pengojë Atë, kurse idhujt që adhurojnë idhujtarët, e çdo gjë tjetër që adhurohet përveç Allahut, nuk ka fuqi të ndihmojë as vetveten as të tjerët; atëherë, si adhuroni tjetër përveç Allahut?!
24 Allahu është Sunduesi, nënshtruesi, gjunjëzuesi i krijesave të Tij, dhe Ai është mbi ta.
25 Allahu është i Urtë në ngritjen dhe lartësinë e Tij mbi krijesat e Tij, i Plotëfuqishëm mbi ta me Fuqinë e Tij, Njohës i mirë i gjithçkaje që është në të mirë apo në të keqe të krijesave të Tij, që nuk i shpëton asgjë nga përfundimi i gjërave apo fillimi i tyre, rregullit dhe sistemimit të të Cilit nuk mund t’i ndodhë asnjë defekt apo mangësi.

-130-

19. Thuaj (O Muhamed!): “Cila është dëshmia më e madhe që ekziston1?” – Përgjigju: “Allahu është dëshmitar mes meje dhe jush2. Mua më është shpallur ky Kuran, që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që ai i kumtohet3. A mos vallë ju dëshmoni se përveç Allahut ka të adhuruar të tjerë4?” Thuaj: “Unë nuk dëshmoj5”. Thuaj: “I Adhuruari është vetëm Një Zot dhe unë jam i pastër nga gjithçka që ju i shoqëroni Atij”6.
20. Ata, të cilëve Ne u kemi dhënë Librin, e njohin atë7 (Muhamedin dhe Islamin), ashtu si i njohin fëmijët e tyre, por ata që e humbin vetveten8, ata nuk besojnë.9
21. E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron provat e Tij?! Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë.10
22. Atë ditë kur t’i tubojmë të gjithë11, pastaj t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, që pretendonit12?!”
23. Ata nuk do të shfajësohen ndryshe, veçse duke thënë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, nuk kemi qenë idhujtarë!”13
24. Shiko se si gënjejnë kundër vetvetes; kurse sa për zotat që ata i trilluan, nuk do i gjejnë kurrkund.14
25. Disa prej tyre15 të dëgjojnë ty (o Muhamed), por Ne kemi vënë mbulesë mbi zemrat e tyre dhe shurdhim në veshët e tyre, që ata të mos e kuptojnë atë që thua (Kuranin). Madje edhe sikur t’i shihnin të gjitha provat Tona, ata sërish nuk do të besonin, prandaj kur vijnë tek ti për të polemizuar, mohuesit thonë: “Ky (Kurani) nuk është tjetër, veçse legjenda të të parëve”!
26. Ata i ndalojnë të tjerët nga ai (Muhamedi dhe Kurani), dhe i largohen edhe vetë, por ata nuk dëmtojnë veçse vetveten, ndonëse nuk e vënë re.16
27. Veç sikur t’i shihje ata (idhujtarët) kur të ndalen mbi zjarr, e të thonë: “Ah! Sikur të ktheheshim edhe një herë (në dynja), nuk do t’i mohonim provat e Zotit tonë dhe do të ishim prej besimtarëve!”17
28. Përkundrazi, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin18, por edhe sikur të ktheheshin (në dynja), ata përsëri do t’i ktheheshin atyre që iu ishin ndaluar.1 Vërtet, ata janë gënjeshtarë.2

_____________________________________
1 Cila është dëshmia më e madhe, më e vërtetë dhe më e pagabueshme që ekziston dhe Cili është Dëshmuesi më i Madh dhe më i Vërtetë, që të dëshmojë të vërtetën rreth profetësisë së Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fesë së tij?
2 Dëshmia më e madhe e Dëshmitarit Absolut është gjykuese mes meje dhe jush; e ajo dëshmi është në krahun e të Dërguarit të Allahut dhe kundër idhujtarëve mohues të tij dhe misionit të tij.
3 Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) urdhërohet t’u thotë idhujtarëve përgënjestrues të tij se Allahu është Dëshimtar mes tij dhe atyre, dhe se atij i është shpallur Mesazhi i madh qiellor, që i paralajmëron ata idhujtarë dhe këdo që dëgjon për të (Kuranin dhe Muhamedin) në çdo kohë e vend, deri në Ditën e Kiametit, se kushdo që nuk e beson atë dhe nuk vepron sipas mësimeve dhe udhëzimeve të tij, do të marrë dënimin e merituar nga Allahu dhe do të jetë i humbur e i mjerë përgjithmonë.
4 Idhuj që ju, o idhujtarë, i adhuroni.
5 Atë që dëshmoni ju: që përveç Allahut të ketë të adhuruar e zota të tjerë, madje e mohoj dhe e luftoj fuqishëm këtë.
6 Vetëm Zoti meriton të adhurohet dhe vetëm Atij duhet t’i dedikohet adhurimi i të gjitha krijesave, sepse vetëm Ai është Zoti dhe Krijuesi i tyre i vetëm dhe absolut. Ky ishte misioni i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i të gjithë të dërguarve të Allahut para tij: adhurimi i Një Zoti të vetëm dhe thirrja e njerëzve në këtë adhurim, si dhe luftimi i idhujve dhe gjithçkaje tjetër që adhurohet përveç Allahut.
7 Hebrenjtë dhe të krishterët e njohin njësimin e Allahut dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet, dhe e njohin profetësinë e Muhamedit dhe se ai është i dërguari i Allahut me fenë e vërtetë për mbarë njerëzimin, deri në ditën e Kiametit; e njohin dhe e dinë mirë këtë gjë sepse e gjejnë të shënuar në Librat e tyre qiellorë, në Teurat dhe në Inxhil.
8 Ata që i sjellin humbjen vetvetes me mohimin e Muhamedit dhe fesë së tij, ndërkohë që ishin të vetëdijshëm për vërtetësinë e tij, duke shkaktuar kështu hedhjen e tyre në zjarrin e xhehenemit, ata megjithëkëtë nuk besojnë, d.m.th. nuk e ndjekin besimin e vërtetë edhe pse e dinë që ai është i vërtetë!
9 Vazhdojnë me kokëfortësi në mosnënshtrimin e tyre para së vërtetës, dhe kjo gjë është mosbesim, kështu që humbja e tyre pas kësaj është vërtetë e madhe: humbja e banimit të përjetshëm në parajsë, dhe ndërrimi i tij me qëndrim të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit, Allahut na ruajtë!
10 Të padrejtët, ata të cilët trillojnë gënjeshtër për Allahun dhe i bëjnë shok Atij; ata të cilët përgënjeshtrojnë provat e Allahut dhe të Dërguarit e Tij, nuk do të kenë shpëtim në këtë botë, e padyshim se ndëshkimi në botën tjetër do të jetë më i ashpër dhe pa mbarim, sepse kjo është padrejtësia më e madhe që bën njeriu: mohimi i Allahut dhe i provave të Tij, dhe shokvënia Allahut në adhurim dhe gjithka që i përket vetëm Allahut.
11 Në Ditën e Gjykimit.
12 Që pretendonit se ishin zota dhe që i adhuronit padrejtësisht në vend të Allahut apo përkrah Tij. Pyetje ironike, poshtëruese dhe sfiduese, sepse ata e dinë shumë mirë se idhujt e tyre nuk mund të shpëtojnë as veten e tyre, dhe ato nuk mund të sjellin dobi dhe as të dëmtojnë, por afati i jetës në banesën e provës mbaroi dhe tani është koha e shpërblimit për veprat e bëra.
13 Do e mohojnë idhujtarinë dhe zotat që adhuronin në dynja, duke qenë të vetëdijshëm se ata e kanë bërë atë gjë dhe Allahu e di shumë mirë se ç’kanë bërë ata, por që të vërtetohet se kush janë ata dhe cila është natyra e tyre përgënjeshtruese dhe fshehëse e së vërtetës. Kur ata ta mohojnë idhujtarinë dhe zotat që adhuronin në dynja, atëherë do të jenë gjymtyrët e tyre ato që do të flasin dhe do të përgënjeshtrojnë fjalët e tyre, sepse gjymtyrët do të dëshmojnë atë që ato kanë vepruar në dynja, siç e tregon Allahu në ajetin 42 të sures En Nisa.
14 Zotat dhe idhujt e tyre nuk do ju bëjnë dobi atë Ditë, madje ato do të ndëshkohen për vete, nëse kanë qenë tagutë (që i urdhëronin njerëzit t’i adhuronin ata apo që iu pëlqente të adhuroheshin). Në disa transmetime thuhet se kur idhujtarët do të shohin atë Ditë se në xhenet do të hyjnë vetëm muslimanët, i thanë njëri-tjetrit që të thonë se ata nuk kanë qenë kurrë idhujtarë, por Allahu iua mbylli gojët dhe i urdhëroi gjymtyrët e tyre që të flasin dhe të dëshmojnë se çfarë kanë vepruar ata në dynja [Jasin, 65]; atëherë, kur panë këtë gjë, idhujtarët dhe mohuesit “dëshiruan të rrafshoheshin me tokën dhe Allahut të mos i kishin fshehur asnjë fjalë.” [En Nisa, 42].
15 Disa prej idhujtarëve kurashit e dëgjonin ndonjëherë atë që thoshte i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), por jo me qëllim që të mësonin të vërtetën dhe të besonin, por me qëllim që ta luftonin atë, prandaj edhe nuk mund ta kuptonin atë që ai thoshte prej shpalljes Hyjnore, Kuranit.
16 Sa do që të përpiqen mohuesit dhe idhujtarët për të penguar njerëzit nga e vërteta dhe rruga e drejtë, ata nuk do të munden kurrë të çojnë në humbje atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, kështu që nuk do të dëmtojnë e shkatërrojnë veçse veten e tyre duke tërhequr zemërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij të ashpër në të dyja botët.
17 Në fakt ata nuk janë të sinqertë as në këtë dëshirë të tyre, sepse nuk kanë për qëllim që të kthehen në dynja e të bëhen vërtet të mirë, të besojnë e të bëjnë vepra të mira, por kanë për qëllim vetëm shprehjen e gjoja keqardhjes dhe pendimit si e si të shpëtojnë nga zjarri dhe asgjë tjetër; përndryshe, edhe sikur të ktheheshin në dynja, ata do të vepronin përsëri njësoj si herën e parë, siç e thotë i Gjithëdijshmi në ajetin në vijim.
18 Veprat e këqija që bënin në dynja dhe që i fshihnin nga sytë e njerëzve, tashmë iu dolën sheshit dhe u turpëruan para të gjithëve.

-131-

29. Dhe do të thoshin: “Nuk ekziston veçse jeta në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi”.3
30. Veç sikur t’i shihje ata kur të ndalen para Zotit! Ai do t’iu thotë: “A nuk është e vërtetë kjo (ringjallja)?” Ata do të përgjigjen: “Po, për Zotin tonë, e vërtetë është!” Allahu do t’u thotë: “Atëherë, shijoni dënimin, meqenëse e mohonit atë!”4
31. S’ka dyshim që janë të humbur ata që e përgënjeshtrojnë takimin me Allahun!5 Kur Ora (e Ringjalljes) t’u vijë befasisht,6 ata do të thonë: “Të mjerët ne, sa shumë që e neglizhuam atë7!”, dhe ndërkohë, mbi shpinë ata bartin gjynahet e veta. Sa barrë të keqe që bartin!8
32. Në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim,9 kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut.10 Pra, a nuk po arsyetoni?11
33. Ne e dimë se ty (o Muhamed) të brengos ajo që thonë ata12. Por, në të vërtetë, nuk je ti ai që përgënjeshtrojnë ata, por janë provat e Allahut ato që të padrejtët përgënjeshtrojnë.13
34. Edhe para teje (o Muhamed!), janë përgënjeshtruar shumë të dërguar, por ata e duruan përgënjeshtrimin dhe lëndimin që iu bë, deri sa u erdhi ndihma Jonë, e askush nuk mund t’i ndryshojë Fjalët e Allahut.14 Ty tashmë të kanë ardhur disa lajme për ata të dërguar.15
35. E nëse ty të mundon refuzimi i tyre, atëherë po munde, kërko një zgavër në tokë ose shkallë në qiell, që t’u sjellësh atyre një provë16! Sikur të donte Allahu, do t’i kishte udhëzuar të gjithë ata në rrugë të drejtë, prandaj mos u bëj nga të padijshmit!17
36. Vetëm ata që dëgjojnë vërtet (me zemër) do të të përgjigjen18. Kurse sa për të vdekurit, Allahu do t’i ringjallë ata, pastaj të gjithë do të kthehen tek Ai.1

_____________________________________
1 Do t’i ktheheshin të njëjtave vepra që bënin edhe më parë në dynja: mohimit të Allahut dhe të provave e shpalljeve të Tij, përgënjeshtrimit të të Dërguarit të Allahut, veprave të këqija që Allahu i ka ndaluar.
2 Gënjejnë kur thonë se do të besonin dhe do të bënin vepra të mira sikur të ktheheshin edhe një herë në dynja. Përkundrazi, ata do t’i ktheheshin të njëjtave vepra dhe nuk e thonë këtë gjë në këtë ditë vetëm e vetëm që t’i shpëtojnë dënimit dhe zjarrit.
3 Sikur të ktheheshin edhe një herë në dynja, idhujtarët dhe mohuesit përsëri do e mohonin jetën pas vdekjes dhe ringjalljen pas tretjes dhe zhdukjes nga kjo botë, sepse duke e mohuar botën tjetër, ata nuk kishin pse t’a vrisnin mendjen për gjynahet dhe të këqiat që bënin, përderisa nuk shpresonin as shpërblim për besimin dhe veprat e mira dhe as nuk i frikësoheshin dënimit për mohimin e Allahut dhe veprat e këqia. Ata gjithësesi do të mohonin ashtu si mohuan herën e parë dhe ashtu si mohojnë të gjithë mohuesit e Allahut dhe të fesë së vërtetë në jetën e kësaj bote.
4 Atë ditë, kur të ndalen para Zotit të tyre, idhujtarët dhe mohuesit do ta shohin të vërtetën e ringjalljes dhe llogarisë, dhe do të marrin dënimin e tyre të merituar për shkak të mohimit të Zotit dhe provave të Tij që ata i panë dhe i përjetuan në dynja, dhe për ta nuk do të ketë asnjë justifikim.
5 Ata që e përgënjeshtrojnë takimin me Allahun; ringjalljen pas vdekjes, shpërblimin dhe dënimin në botën tjetër për veprat e bëra në këtë botë, xhenetin dhe xhehenemin, s’ka dyshim se ata kanë humbur humbjen më të madhe: dënim të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit!
6 Ora kur Allahu do të ringjallë të vdekurit nga varret e tyre.
7 Ringjalljen dhe llogarinë për veprat e bëra në dynja. Vetëm pasi e shohin humbjen e vërtetë në tregtinë e jetës së tyre, duke blerë dynjanë dhe duke shitur besimin dhe botën tjetër, vetëm atëherë shprehin pendimin e tyre të thellë për neglizhimin e tyre në dynja.
8 Veprat e tyre të këqia; barra që do i tërheqë dhe do i fundosë përjetësisht në xhehenem!
9 Lojë dhe argëtim i përkohshëm dhe mashtrues, dhe jo ashtu si thonë idhujtarët: “nuk ekziston veçse jeta në këtë botë”, sepse jeta në këtë botë mbaron shpejt, njësoj si loja dhe dëfrimi, dhe pas saj vjen llogaria dhe shperblimi apo dënimi, sepse kjo botë është provë për njeriun, në kalimin apo jo të së cilës qëndron shpërblimi apo dënimi i tij në botën tjetër të përheshme. Prandaj mos u mashtroni nga dynjaja, sepse ai që mashtrohet prej saj, së shpejti do të pendohet për këtë.
10 Besimi tek Allahu dhe te i Dërguari i Tij, bindja ndaj urdhrave të Allahut dhe largimi nga ndalesat e Tij, veprat e mira për Hir të Allahut dhe duke shpresuar arritjen e pëlqimit dhe kënaqësisë së Tij, si dhe shpërblimin e Tij të madh në botën tjetër, të gjitha ato vepra që mbesin përgjithmonë dhe që e shoqërojnë njeriun në varr dhe në botën tjetër, padyshim se është më e mirë se loja dhe kënaqësitë mashtruese të kësaj bote të përkohshme dhe shumë të shkurtër, kënaqësitë e së cilës përfundojnë së bashku me të.
11 I drejtohet përgënjeshtruesve të ringjalljes dhe botës tjetër: a nuk arsyetoni për të vërtetën e ringjalljes që ne po ju tregojmë, dhe se jeta e kësaj bote është lojë e argëtim i përkohshëm, ndërkohë që ju e shihni me sytë tuaj këtë realitet tek njerëzit tuaj që vdesin e nuk kthehen, tek fatkeqësitë që ju kapin befasisht, tek jetëshkurtësia e kënaqësisë që kaloni dhe dhimbjet e pendimi që e pasojnë atë kënaqësi të shkurtër; pra, a nuk po arsyetoni dhe të ktheheni tek logjika juaj: t’i përuleni Allahut dhe të adhuroni vetëm Atë me sinqeritet, e t’i bindeni Atij tërësisht, në mënyrë që të shpëtoni nga dënimi i zjarrit në botën tjetër dhe të fitoni xhenetin dhe shpërblimin e Allahut?!
12 Përgënjeshtrimi që të bëjnë ty si i Dërguari i Allahut, dhe fjala e tyre se Kurani që të shpallet nga Allahu nuk është prej Tij.
13 Të padrejtët: idhujtarët dhe mohuesit, në realitet e dinin se Muhamedi nuk gënjen dhe se ai është vërtet i dërguari i Allahut, por ata mohonin dhe përgënjeshtronin Allahun dhe të vërtetën që ka ardhur prej Tij, nga kryeneçësia dhe arroganca e tyre; kështu që ti, o Muhamed, nuk ke pse të mërzitesh e të brengosesh nga përgënjeshtrimi i tyre, por ndiq misionin tënd që të ka ngarkuar Allahu, ashtu si vëllezërit e tu të dërguar të Allahut para teje.
14 Fjala e Allahut në këtë rast është premtimi që Allahu i dha Muhamedit dhe të dërguarve para tij, se ata do të triumfojnë mbi përgënjeshtruesit dhe kundërshtarët e tyre, dhe askush nuk mund ta ndryshojë premtimin dhe Fjalën e Allahut.
15 T’i ka shpallur Allahu në Kuran, dhe ti je njohur me historitë e tyre dhe të popujve të tyre, se si ka qenë përfundimi i përgënjeshtruesve dhe si kanë triumfuar të dërguarit e Allahut dhe ndjekësit e tyre. Prandaj, mos u mërzit dhe mos u brengos, o Muhamed, sepse premtimi i Allahut për ty është njësoj si ka qenë edhe për të dërguarit e mëparshëm, dhe në fund do të triumfojë e mira që ti bart dhe në të cilën ti i fton njerëzit.
16 Për të vërtetuar fjalën dhe profetësinë tënde, o Muhamed –por ti kurrësesi nuk mundesh ta bësh këtë, kështu që duro dhe mos u trishto nga përgënjeshtrimi dhe refuzimi që ata të bëjnë ty.
17 Të cilët nuk i dinë dhe nuk i kuptojnë të vërtetat e gjërave dhe nuk i vendosin ato në vendin e vet. I Gjithë trishtimi i Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vinte si rezultat i mëshirës që ai kishte për popullin e vet, sepse ai e dinte se me përgënjeshtrimin që ata i bënin atij, përgënjeshtronin Allahun dhe si rezultat do të dënoheshin në zjarrin e xhehenemit, dhe kjo e brengoste atë sepse kishte zemër të butë dhe të ndjeshme, por megjithatë, Allahu i tërhoqi vërejtjen atij duke i thënë se ai nuk mund të bëjë asgjë për udhëzimin e tyre, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë, kurse ai duhet të bënte detyrën e tij si i Dërguar i Allahut dhe të ndiqte udhëzimet e Allahut. Pa dyshim, se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) bëri atë që i urdhëroi Allahu dhe e përmbushi misionin e tij në mënyrën më të mirë dhe më të plotë, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e mëshirshëm e zemërbutë!
18 Vetëm ata që Allahu do i hapë zemrat për ta dëgjuar të vërtetën, do i përgjigjen thirrjes tënde, o Muhamed.

-132-

37. Ata thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë mrekulli2 nga Zoti i tij?” Thuaj: “Allahu është i Fuqishëm të zbresë mrekulli, por shumica e tyre nuk e dinë”.3
38. Të gjitha kafshët në Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me dy krahët e tyre, janë bashkësi të ngjashme me ju.4 Ne nuk kemi lënë asgjë pa e shënuar në Libër5. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.6
39. Ata që i mohojnë provat Tona janë shurdhë e memecë7, në errësirat e plota8. Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë.9
40. Thuaju: “Nëse jeni të sinqertë, më thoni: nëse ju vjen dënimi i Allahut10 ose ju vjen Ora e Kiametit11, a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër, përveç Allahut?!12
41. Përkundrazi! Ju do të thërrisnit vetëm Atë!13 E nëse do të donte, Ai do t’ju shpëtonte nga ajo për të cilën e thërrisnit dhe ju do t’i harronit idhujt që ia shoqëronit Atij (në adhurim).14
42. Ne iu kemi dërguar të dërguar edhe popujve të tjerë para teje dhe i kemi dënuar ata (popujt) me skamje dhe fatkeqësi,15 që të bëheshin të përulur (para Allahut).16
43. Veç sikur të ishin përulur kur u erdhi ndëshkimi Ynë!17 Por zemrat e tyre u bënë gur, dhe djalli ua zbukuroi veprat që bënin.18
44. Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm atyre dyert e çdo gjëje.19 Por, sapo u gëzuan me atë që iu dha, Ne i befasuam me dënimim Tonë dhe ata u zhytën në dëshpërim.20
45. Dhe kështu, fara e popullit që bëri padrejtësi u zhduk21; lavdërimi qoftë i Allahut, Zotit të gjithësisë.1

_____________________________________
1 Mund të jenë për qëllim njerëzit me zemër të vdekur, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me zemër të hapur, dhe kështu që në realitet ata janë të vdekur sepse nuk besojnë, dhe ditën e Gjykimit, Allahu do i ringjallë ata dhe do i japë dënimin e merituar. Ose është për qëllim kuptimi i drejtpërdrejtë, që Allahu do i ringjallë të gjithë të vdekurit në ditën e Gjykimit dhe secilit do i japë atë që meriton.
2 Mrekulli që i prodhonte mendja e tyre me qëllim të talljes, se përndryshe mrekullitë dhe provat e Allahut ata i shihnin qartë te shpallja e Allahut dhe i Dërguari i Tij.
3 Nuk e dinë se çfarë i pret ata nëse e shohin mrekullinë pastaj e mohojnë atë. Kështu ka ndodhur me popujt e mëparshëm: kur kërkonin një mrekulli nga i dërguari i tyre dhe më pas e përgënjeshtronin dhe e përbuznin atë, atyre iu vinte dënimi shfarosës, dhe shembujt për këtë në Kuran janë të shumta.
4 Të ngjashme në krijim, në inspirimin për të jetuar dhe për t’u shumuar, në sjellje dhe njohje brenda të njëjtës bashkësi, e ngjashmëri të tjera shumicën e të cilave ne nuk i dimë ende. Të gjitha krijesave Allahu ua regjistron edhe punët që bëjnë në dynja, edhe kafshëve e shpendëve, e jo më njeriut! Kështu që, të gjitha krijesat do të kthehen tek Allahun dhe do të japin llogari për veprat e tyre në dynja, madje edhe kafshët do të ringjallen dhe do të marrin hak për padrejtësitë që i kanë bërë njëra-tjetrës në dynja.
5 Allahu nuk ka neglizhuar dhe nuk ka lënë asgjë të vogël apo të madhe, veçse e ka shënuar në Pllakën e Ruajtur mirë tek Ai, apo në Librin Nënë (El Leuhu el Mahfudh, apo Ummul Kitab), që para se të krijonte qiejtë dhe Tokën me 50 mijë vjet, siç ka ardhur në disa transmetime profetike. Thuhet gjithashtu se me këtë Libër mund të jetë për qëllim Kurani, në të cilin Allahu ka përfshirë gjithçka të nevojshme për njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe kuptimi në këtë rast është i njëjtë me një ajet tjetër ku thuhet: “Ne të kemi shpallur ty (o Muhamed) Librin, për të qenë sqarues për gjithçka.” [En Nahl, 89]. – Ky ajet është argument se Libri i Parë ka përfshirë gjithçka ka krijuar Allahu deri në Ditën e Kiametit, dhe kjo është një prej kategorive të besimit në Caktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, i cili ka katër kategori: 1. Besimi se dija e Allahut është gjithëpërfshirëse, 2. Libri i Allahut ka përfshirë gjithçka që ekziston, 3. Vullneti dhe Fuqia e Allahut ka përfshirë gjithçka, 4. Ai ka krijuar të gjitha krijesat, madje edhe veprat e njerëzve. [Es Seadi].
6 Në ditën e madhe të Gjykimit dhe të Llogarisë, ku secila krijesë dhe secili individ, do të marrë shpërblimin apo dënimin që meriton. Njeriu do të japë llogari dhe më pas do të jetojë përgjithmonë në xhenet (parajsë), ose do të dënohet përjetësisht në xhehenem (ferr), kurse kafshët, pas dhënies së llogarisë dhe marrjes së hakut nga njëra-tjetra apo nga njerëzit që i kanë torturuar, do të kthehen në pluhur, prandaj edhe mohuesit që janë dënuar me zjarr të përjetshëm, atë ditë do të thonë: “Ah, sikur të bëhesha pluhur!” [En Nebe, 40]. Pra, o mohues dhe përgënjeshtrues të ringjalljes dhe botës tjetër, ju nuk keni ku të shkoni dhe për ju nuk do të ketë justifikim dhe as ndihmues në atë ditë, prandaj kthehuni tek Allahu me pendim dhe besim të sinqertë para se të jetë tepër vonë dhe para se pendimi të mos ju bëjë më asnjë dobi!
7 Nuk e dëgjojnë të vërtetën me zemrën e tyre dhe nuk e thonë atë me gjuhët e tyre.
8 Në errësirat e mosbesimit dhe injorancës, të kryeneçësisë dhe mëkateve. Ata nuk i shohin provat dhe shenjat e Allahut që të merrnin mësim prej tyre, megjithëse e dinë se Ai që i krijoi dhe i inspiroi të jetojnë, Ai që u dha fuqi dhe mendje, nuk mund t’i ketë krijuar pa asnjë qëllim apo t’i ketë lënë pa ndonjë ngarkim e detyrë. Allahu nuk ia ka dhënë të gjitha këto njeriut vetëm që si e si t’i përdorë ato në bindje ndaj Allahut, dhe duke iu larguar ndalesave të Tij dhe atyre që Ai urren.
9 Vetëm Allahu e ka në Dorë udhëzimin në rrugë të drejtë apo humbjen nga rruga e drejtë në errësirat e mosbesimit dhe idhujtarisë, sipas Bujarisë dhe Urtësisë së Tij absolute.
10 Ashtu si u erdhi popujve të tjerë para jush, siç ndodhi me popullin e Nuhit, Lutit, Salihut, etj., të cilët i mohuan provat e Allahut dhe i përgënjeshtruan të Dërguarit e Tij, dhe kështu ata u shfarosën me tufan, zë të fortë, furtunë dhe erë të furishme, etj.
11 Kur të ringjalleni dhe të dilni para Allahut në ditën e madhe të llogarisë.
12 Padyshim se ata nuk do të kishin përgjigje për këtë pyetje, se përndryshe duhet ta pohonin se askënd përveç Allahut nuk mund të thërrisnin për ndihmë, sepse ata e dinë se zotat e tyre dhe asgjë tjetër nuk mund t’i shpëtojë ata nga dënimi i Allahut.
13 Do të thërrisnit vetëm Zotin tuaj që ju ka krijuar dhe vetëm Atij do i kërkonit ndihmë dhe shpëtim.
14 Atëherë përse nuk i braktisni idhujt tuaj dhe t’i luteni një Zoti të Vetëm e të Vërtetë sa jeni ende në kohë dhe para se të jetë tepër vonë?!
15 Për shkak se ata i përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut tek ata.
16 Kështu që merrni mësim, o ju idhujtarë e përgënjeshtrues të provave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që të mos përfundoni si ata.
17 Sikur popujt përgënjeshtrues e idhujtarë të ishin përulur para Allahut, t’i ktheheshin Atij me pendim dhe t’i bindeshin Atij, padyshim se Ai do e ngrinte dënimin prej tyre dhe do i mëshironte ata.
18 Ata vazhduan me kryeneçësi në përgënjeshtrimin e të dërguarve të Allahut dhe e përçmuan dënimin e Allahut si rezultat i ngurësimit të zemrave të tyre, dhe shejtani ua zbukuronte veprat e tyre të këqia për t’i çuar ata në humbjen e sigurtë dhe për t’i nxjerrë nga mëshira e Allahut, për t’i pasur shokë të vet në zjarrin e xhehenemit.
19 Kur popujt e mëparshëm i lanë mënjanë këshillat dhe paralajmërimet e të dërguarve të Allahut, Allahu ua hapi atyre dyert e dynjasë që ua kishte mbyllur më parë, dhe u dha nga të gjitha të mirat, duke i tërhequr kështu drejt një kurthi.
20 Mbetën pa asnjë shpresë, dhe ky lloj dënimi është më i dhembshmi: ndërsa ata janë në kulmin e kënaqësisë, sigurisë e pavëmendshmërisë, t’iu vijë dënimi befasisht dhe t’iu prishë çdo kënaqësi e çdo të mirë që gëzonin. Pra, të mirat e dynjasë që ju erdhën atyre ishte e gjitha një kurth!
21 U zhduk fara e atij populli që kundërshtoi Zotin e vet dhe përgënjeshtroi të dërguarit e Tij.

-133-

46. Thuaju: “Më thoni: Sikur Allahu t’jua merrte dëgjimin dhe shikimin e t’ua vuloste zemrat2, atëherë cili zot tjetër përveç Allahut, do t’jua kthente ato?!” Shih si u sjellim vazhdimisht prova të ndryshme, kurse ata përsëri kthejnë shpinën.3
47. Thuaju: “Më thoni, nëse dënimi i Allahut ju vjen befasisht ose dukshëm4, a do të zhdukej tjetërkush përveç popullit të padrejtë?”5
48. Ne nuk i dërgojmë të dërguarit ndryshe, veçse si përgëzues dhe paralajmërues.6 Kushdo që i beson ata (të dërguarit) dhe vepron mirë, nuk do të ketë frikë e as nuk do të pikëllohet.7
49. Kurse ata që i mohuan provat tona8, do t’i godasë dënimi për shkak se përgënjeshtronin.
50. Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të fshehtën, dhe as nuk ju them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet (nga Allahu)”.9 Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh? A nuk mendoni?”10
51. Paralajmëro me të (Kuranin) ata që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre11, ku nuk do të kenë ndihmues tjetër përveç Tij12 dhe as ndërmjetës13, në mënyrë që të bëhen të devotshëm.14
52. Dhe mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet mëngjes e mbrëmje,15 duke pasur për qëllim vetëm Fytyrën e Tij!16 Ti nuk do të japësh llogari për ta dhe as ata nuk do të japin llogari për ty.17 Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të bëhesh prej të padrejtëve.18
53. Kështu, Ne i kemi bërë ata sprovë për njëri-tjetrin,1 që të thonë: “Vallë, në mesin tonë, këta janë ata që Allahu u ka dhuruar mirësi (Islamin)?!”2 – Por, a nuk është Allahu Ai që i njeh më mirë ata që janë falënderues të Tij?3

___________________________________________
1 Për mirësinë që i ka dhënë të dërguarve të Tij dhe besimtarëve që i binden Atij, duke bërë që fjalët dhe provat e tyre të triumfojnë mbi ato të kundërshtarëve të tyre prej mohuesve dhe idhujtarëve, dhe që të dalin paralajmërimet që ata i bënë mohuesve dhe përgënjeshtruesve të Allahut dhe të dërguarve të Tij: se dënimi i Allahut do t’u vijë atyre së shpejti në dynja, kurse në botën tjetër do të kenë dënim edhe më të rëndë.
2 Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve përgënjeshtrues të Allahut dhe të profetësisë tënde: nëse Allahu jua merr dëgjimin dhe shikimin, dhe jua vulos zemrat, në mënyrë që të mos e dëgjoni, të mos e shihni dhe të mos e kuptoni të vërtetën, atëherë kush do të mund t’jua kthente ato përveç Allahut, Zotit tuaj të vetëm? Atëherë si mundeni që t’i bëni shok Atij e të adhuroni idhuj e zota të trilluar nga vetë ju, e që nuk mund t’ju sjellin asnjë të mirë apo tju largojnë ndonjë të keqe?!
3 Megjithëse Allahu sjell gjithnjë prova dhe shenja të llojeve të ndryshme, me qëllim që të sqarohet plotësisht e vërteta dhe të mos mbetet asnjë dyshim rreth saj, përgënjeshtruesit dhe mohuesit vazhdimisht largohen nga e vërteta dhe i kthejnë shpinën provave të Allahut. Atëherë, nëse ata nuk kthehen nga rruga e gabuar, a nuk e meritojnë dënimin e Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër?
4 Me shenja paraprake të paralajmëruara, të cilat janë të dukshme dhe ata mund t’i shohin me sytë e tyre.
5 Atyre që u bënë shkak për zbritjen e atij dënimi me padrejtësinë dhe kryeneçësinë e tyre. Prandaj, kini kujdes nga qëndrimi në padrejtësi, sepse kjo gjë të sjell shkatërrim të përjetshëm dhe vuajtje të përhershme.
6 Përgëzues të besimtarëve me xhenet dhe fitore në ditën e Gjykimit, si shpërblim i bindjes së tyre ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe veprave të tyre të mira në dynja, dhe paralajmërues të mosbesimtarëve, përgënjeshtruesve dhe keqbërësve me dënim të dhembshëm dhe të përhershëm në botën tjetër. Pra, çdo gjë është e qartë dhe për askënd nuk ka justifikim tek Allahu.
7 Nuk do të kenë frikë nga tmerret e ditës së Kiametit dhe nga dënimi i Allahut, për shkak se iu bindën Allahut në dynja dhe ndoqën udhëzimin dhe rrugën e Tij, dhe nuk do të pikëllohen për atë që kanë lënë mbrapa në dynja.
8 Shpalljet, provat, shenjat, të dërguarit.
9 Allahu e urdhëron Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që t’u thotë përgënjeshtruesve të provave të Allahut dhe të profetësisë së tij, se Ai është thjesht njeri, i veçuar nga Allahu me profetësinë dhe shpalljen e Allahut, dhe se ai nuk i ka në dorë çelësat e thesareve dhe të mëshirës së Allahut, as nuk e di të fshehtën, sepse është vetëm Allahu Ai që di gjithçka të dukshme e të padukshme, të shkuar, të tashme e të ardhme, dhe Allahu është Ai që i jep kujt të dojë prej njerëzve dhe i ndalon kujt të dojë; as nuk jam engjëll, përndryshe nuk do të më shihnit, sepse njerëzit nuk mund t’i shohin engjëjt ne dynja, kështu që përse më përgënjeshtroni, kur unë nuk ju them asgjë që s’jam, por vetëm atë që jam dhe me të cilën më ka veçuar Allahu: profetësinë.
10 A mund të barazohet i verbri, ai që nuk e dallon të vërtetën dhe e mohon atë, ai që është i verbër përballë provave të Allahut dhe nuk i ndjek ato, me atë që sheh, me besimtarin që e dallon të vërtetën dhe i sheh qartë provat e Allahut, i beson e i ndjek ato, ndriçohet me dritën e tyre? –A nuk mendoni pak, o ju mohues dhe përgënjeshtrues, për ato prova që ju i mohoni, dhe për këto shembuj e fakte që ju sqarohen, në mënyrë që ta mësoni dhe ta shihni qartë se ajo që ju them është e vërtetë dhe nuk mund të barazohet me atë që bëni ju prej idhujtarisë dhe shoqërimit të idhujve Zotit tuaj të vërtetë, dhe t’a lini mohimin dhe idhujtarinë në të cilën ndodheni, e të ndiqni besimin e vërtetë në të cilin ju ftoj dhe ju thërras, dhe me të cilin ju shpëtoni dhe fitoni, në këtë botë dhe në botën tjetër.
11 Ata që e besojnë tubimin para Zotit dhe dhënien llogari për veprat e tyre në dynja, por që kanë frikë nga gjynahet që mund të kenë bërë në dynja, për të cilat mund të ndëshkohen.
12 Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.
13 Që të ndërmjetësojë tek Allahu për ta, që të mos dënohen për të këqiat që kanë bërë.
14 T’i ruhen gjynaheve dhe ndalesave të Allahut që t’i shpëtojnë dënimit dhe zemërimit të Tij.
15 Ata që adhurojnë Zotin e tyre me sinqeritet, që luten mëngjes e mbrëmje, që kryejnë namazet e detyrueshme dhe vullnetare të ditës dhe të natës ashtu si ka urdhëruar Allahu dhe si ka mësuar i Dërguari i Allahut. Shkaku i zbritjes së këtij ajeti ishte se paria idhujtare e Mekës i tha të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) që t’i largonte besimtarët e varfër e të dobët nga tubimet e tij, dhe vetëm atëherë ata do të prezentonin në ato tubime dhe do të dëgjonin prej tij.
16 Me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij dhe shpërblimin e Tij në botën tjetër, pa i shoqëruar Atij askënd dhe asgjë, dhe pa dyftyrësi apo hipokrizi. Këta janë besimtarët e vërtetë, e si mund t’i largosh këta për të afruar kryeneçët mohues e idhujtarë që e mbajnë veten për të lartë për shkak të pasurisë apo postit të tyre? Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij që të bëjë kujdes në këtë pikë dhe të mos i përgjigjet kërkesës së padrejtë të parisë Mekase, megjithëse ai lakmonte në udhëzimin e tyre në Islam me qëllim që muslimanët të forcoheshin dhe kështu do e përhapnin atë më lehtë tek të tjerët; por i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), iu bind Zotit të tij dhe i afroi edhe më shumë besimtarët e vobektë në veçanti dhe i mbronte ata.
17 Secili do të japë llogari për vete dhe për veprat e veta të mira apo të këqia, dhe askush nuk do të japë llogari për tjetrin dhe për veprat e tjetrit, përndryshe kjo do të ishte e padrejtë, kurse Allahu është më i Drejti që nuk bën as padrejtësinë më të vogël. Kështu që ti, o Muhamed, nuk ke pse të shqetësohesh për udhëzimin apo jo të idhujtarëve kurashit, sepse udhëzimi është në Dorë të Allahut, përhapja e fesë së Allahut është gjithashtu në Dorë të Allahut dhe secili njeri do të japë llogarinë e vetë para Allahut, prandaj ti thjesht kryej misionin tënd si i Dërguar i Allahut dhe komunikoje Fjalën e Allahut tek ata që të dëgjojnë dhe që besojnë, sepse vetëm ata përfitojnë prej saj, kurse për mohuesit është njësoj, si ta dëgjojnë Fjalën e Allahut dhe provat e Tij apo të mos i dëgjojnë ato.
18 Por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), nuk mund të bëhej i padrejtë assesi, sepse jo më kot Allahu e kishte zgjedhur atë për të qenë vula e profetëve dhe më i miri prej të gjithë bijve të Ademit pa përjashtim.

-134-

54. Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona4, thuaju: “Paqja qoftë mbi ju! Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën;5 nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe në injorancë,6 e më pas pendohet e përmirësohet, pa dyshim se Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.7
55. Kështu i sqarojmë Ne provat, në mënyrë që të qartësohet rruga e keqbërësve.8
56. Thuaj: “Mua më është ndaluar t’i adhuroj ato që ju i adhuroni në vend të Allahut”9. Thuaj: “Unë nuk ndjek dëshirat tuaja të kota, përndryshe do të isha i humbur dhe nuk do të isha prej të udhëzuarve”.10
57. Thuaj: “Unë jam plotësisht i vetëdijshëm për Zotin tim,11 kurse ju e përgënjeshtruat Atë.12 E sa për atë që ju kërkoni t’ju vijë sa më shpejt (dënimin e Allahut), kjo gjë nuk është në dorën time.13 Vendimi i takon vetëm Allahut. Ai e thotë prerë të vërtetën dhe Ai është Gjykuesi më i mirë”.14
58. Thuaj: “Sikur ta kisha në dorë atë që ju kërkoni me ngut, çështja midis meje dhe jush do të kishte marrë fund tashmë, por Allahu i di më së miri të padrejtët.15
59. Vetëm Ai i ka çelësat e së fshehtës dhe askush nuk i di ato përveç Atij.16 Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, asgjë e njomë apo e thatë17, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (el Leuhi el Mahfudh).18

_________________________________________
1 I kemi bërë njerëzit sprovë për njëri-tjetrin, duke i bërë disa të pasur e disa të varfër, disa fisnikë të lartë e disa të shtresës së ulët; e kështu, nëse Allahu i jep mirësinë e besimit një të varfëri apo dikujt prej shtresës së ulët, kjo do të ishte sprovë e rëndë për të pasurin dhe fisnikun; nëse qëllimi i këtyre të fundit është njohja e të vërtetës dhe ndjekja e saj, ata do të besojnë dhe do t’i nënshtrohen Allahut, dhe nuk do e pengonte aspak prezenca e njerëzve që janë shtresë më e ulët se ai në pasuri apo fisnikëri e autoritet, kurse në të kundërt, nëse nuk është i sinqertë në kërkimin e të vërtetës, prezenca e kësaj shtrese do i bëhej pengesë atij nga ndjekja e të vërtetës.
2 Kjo është fjalë e shtresës së lartë për shtresën e ulët, në shenjë përçmimi dhe tallje me ta dhe me Islamin.
3 Allahu e di më mirë se çdokush tjetër se kush është mirënjohës ndaj Tij për mirësitë që i ka dhënë, i pohon ato mirësi dhe falënderon Dhuruesin e tyre me fjalë e me vepra të mira siç i takon Atij, dhe Ai e di se kush nuk është mirënjohës ndaj Tij për të mirat që i ka dhënë; kështu që Allahu nuk e vendos mirësinë e Tij më të madhe, e që është udhëzimi në besimin e pastër Islam, tek ata që nuk e meritojnë atë. Kurse ata që e mbajnë veten për të lartë dhe që nuk përulen para Allahut, Dhuruesit të çdo të mire, le të vazhdojnë me kryeneçsinë dhe talljen e tyre, se do ta shohin përfundimin e secilit dhe se kush do të qesh i fundit.
4 Kur vjen një besimtar dhe të pyet nëse ka pendim për të dhe a mund t’i falet një gjynah që ka bërë.
5 Allahu është i Gjithëmëshrishëm dhe mëshirën për krijesat e veta ia ka bërë detyrim Vetes së Tij, e Ai është Falës i madh i gjynaheve dhe Pranues i pendimit të atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai me sinqeritet.
6 Kushdo që bën gjynah, e bën atë në injorancë, d.m.th. në çastin që e bën atë, ai është në injorancë; injoron shëmtinë e veprës, mbikqyrjen e Allahut, dënimin për atë gjynah të caktuar, pasojat e këqia të tij, etj. Ai do të vazhdojë të jetë në injorancë deri sat ë pendohet sinqerisht për atë gjynah të caktuar, t’i kërkojë Allahut falje për të, të vendosë se nuk do t’i kthehet më atij gjynahu dhe të shtojë sa më shumë veprat e mira.
7 Padyshim se Allahu e pranon pendimin e besimtarëve kur ata pendohen për një gjynah që bëjnë dhe derdh mbi ta faljen dhe mëshirën e Tij, në varësi të asaj që ata kryejnë prej urdhrave të Tij.
8 Allahu i zbret shpalljet e Tij dhe i sqaron provat dhe argumentet e Tij të njëpasnjëshme, që nga fillimi i kësaj sure e deri në këtë ajet, madje në të gjithë Kuranin, me qëllim që të sqarojë të vërtetën nga e pavërtetë, të drejtën nga e shtrembërta, të mirën nga e keqa, besimin nga mosbesimi, të mirët nga të këqinjtë, rrugën e mirë nga rruga e keqe; dhe kështu: ai që udhëzohet në Islam, udhëzohet me vetëdije dhe me zgjedhjen e vet të rrugës së drejtë, kurse ai që i kthen shpinën Islamit, ai e bën këtë me vetëdije dhe me zjedhjen e tij të lirë rrugën e keqe; sepse tashmë të dyja rrugët janë të qarta para njeriut, dhe ai është i lirë të zgjedh rrugën që dëshiron, duke e ditur mirë se ku të çon secila rrugë.
9 I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhërohet që t’u thotë idhujtarëve të Mekes, të cilët e ftuan atë që të aprovonte fenë e tyre dhe adhurimin e idhujve: “Allahu më ka ndaluar nga adhurimi i atyre që adhuroni ju dhe unë nuk ju ndjek kurrë në kërkesën tuaj dhe as nuk e aprovoj atë që ju bëni.” E si mund ta aprovonte i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) fenë e idhujtarëve kur misioni i tij parësor ishte pikërisht luftimi i idhujtarisë dhe thirrja e njerëzve në besimin e vërtetë dhe adhurimin e Një Zoti të Vetëm.
10 Nëse do i ndiqja dëshirat tuaja të kota e të palogjikshme, do të isha i humbur në rrugë të shtrembër ashtu siç jeni ju tani, ndërkohë që unë jam i udhëzuar në rrugën e drejtë e të vërtetë, për të cilën dëshmojnë të gjitha faktet e padiskutueshme dhe provat e qarta e të prera.
11 I bindur plotësisht me prova të padiskutueshme se Allahu është Një Zot i vetëm që meriton të adhurohet dhe se çdo gjë tjetër që ju adhuroni përveç Tij nuk është veçse idhull i trilluar nga vetë ju, dhe që nuk mban dot vetveten e si mund të jetë zot që krijon, apo që ju sjell dëm apo dobi?!
12 E mohuat Zotin tuaj dhe i shoqëruat shok Atij në adhurim, e nuk ka vepër më të palogjikshme dhe padrejtësi më të madhe se kjo që ju bëni; sepse Ai që ju krijon, që ju mban gjallë e që ju furnizon me pasuri e fëmijë, që ju jep shikimin e dëgjimin, e çdo të mirë që ju posedoni, Ai është vetëm Allahu, Një Zot i vetëm, kurse ju në vend që ta falënderoni Atë për dhuntitë që ju ka dhënë, dhe të adhuroni e madhëroni vetëm Atë, ju shkoni e i bëni shok Atij dhe i adhuroni ato në vend të Allahut apo përkrah Tij; a ka padrejtësi më të madhe se kjo?
13 Idhujtarët kurashit kërkuan nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që t’u sjellë atyre dënimin e Allahut, në qoftë se është me të vërtetë i Dërguari i Tij; e nëse i Dërguari do i kërkonte Allahut që ta sillte dënimin e Tij mbi ta, çështja e tyre do të kishte marrë fund dhe ata do të ishin shuar njësoj si popujt e mëparshëm, por ai i duroi talljet dhe përçmimet e tyre sepse lakmonte të mirën për ta, lakmonte udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë, sepse vetëm kështu ai e quante të suksesshëm misionin e tij, dhe jo duke ju sjellë dënimin atyre, i cili gjithësesi nuk ishte në dorë të tij, sepse ai ishte thjesht njeri dhe nuk kishte fuqi të mbinatyrshme, por gjithçka kishte ai ishte zgjedhja që Allahu i kishte bërë për të qenë Lajmëtari i Tij në tokë, dhe vetë ai kishte në dorë lutjen dhe kërkimin nga Allahu që t’i sillte atë që ai donte.
14 Allahu e ndan të vërtetën nga e pavërteta dhe Ai gjykon drejtë mes meje dhe mes jush, dhe gjykimi i Tij është i drejtë e nuk mund të korruptohet.
15 Zbritja e dënimit është në dorë të Allahut dhe Ai e di më së miri kohën e zbritjes së dënimit të Tij dhe se mbi cilët të padrejtë do e zbresë atë, e Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti; ndoshta në mesin tuaj, ka ndonjë që do të pendohet dhe do të kthehet në rrugën e drejtë, madje ndoshta shumica prej jush do të udhëzohet në Islam së shpejti, e këtë e di vetëm Allahu. Dhe vërtet ashtu ndodhi, shumë prej atyre idhujtarëve që e luftonin më së shumti të Dërguarin e Allahut dhe besimtarët, pranuan Islamin, dhe i gjithë populli më pas hyri në Islam, e nëse do u kishte zbritur dënimi i Allahut, ai popull do të ishte shuar. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshmi, i Urti. Të padrejtët janë ata që adhurimin e tyre ia dedikojnë dikujt tjetër përveç Allahut, ndërkohë që adhurimi nuk i përket veçse Allahut, Zotit të tyre dhe të gjithçkaje që ekziston.
16 Vetëm Allahu e di të fshehtën, vetëm Ai e di të ardhmen, të dukshmen e të padukshmen, gjithçka të vogël apo të madhe, dhe vetëm Ai e di se kur dhe mbi kë e zbret dënimin e Tij; ajeti është vazhdim i përgjigjes së të Dërguarit për idhujtarët që i kërkuan t’u zbriste dënimin e Allahut.
17 Gjithçka që ekziston, në det apo në Tokë, në Tokë apo në qiell, që ekziston apo që nuk ka ardhur ende në ekzistencë; Allahu i di që të gjitha në hollësi dhe në detaje, dhe gjithçka e ka shënuar në Librin e qartë, El Leuhu el Mahfudh, që gjendet tek Ai.
18 Libri në të cilin Allahu ka shkruar gjithçka për gjithçka në detaje; në sasi, përmasë, gjendje, vend e kohë; gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në fund, deri në ditën e Kiametit. I Madhëruar qoftë Allahu, dija e të Cilit ka përfshirë gjithçka, dhe Libri i të Cilit ka ruajtur çdo gjë për të qenë provë në Ditën e Gjykimit dhe për të vërtetuar se dija e Allahut është e pakufishme, e Allahu e di më mirë se çfarë ka tjetër për qëllim me shënimin e gjithçkaje në këtë Libër (El Leuhu el Mahfudh).

-135-

60. Ai jua merr shpirtrat natën (ju vë në gjumë), duke e ditur ç’keni bërë ditën1, pastaj ju zgjon ditën, e kështu deri sa të plotësoni afatin tuaj të caktuar (të vdisni). Pastaj, tek Ai do të ktheheni dhe Ai do t’ju tregojë gjithçka që keni bërë (në dynja).2
61. Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet.3 Ai dërgon roje (engjëj) për secilin prej jush,4 dhe kur ndonjërit nga ju t’i vijë vdekja, të dërguarit tanë (engjëlli i vdekjes dhe ndihmuesit e tij) ia marrin shpirtin, duke mos neglizhuar aspak.5
62. Pastaj do të kthehen të gjithë tek Allahu, Zoti tyre i vërtetë.6 Vetëm Atij i takon gjykimi dhe Ai është më i Shpejti në llogari.7
63. Thuaju8: “Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur ju i luteni Atij (Allahut) të përulur (haptazi) ose fshehurazi (duke thënë): “Nëse Ai na shpëton prej kësaj (rrezikut), patjetër që do të bëhemi prej falënderuesve”.9
64. Thuaju: “Allahu ju shpëton nga kjo dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij”.10
65. Thuaju: “Ai (Allahu) ka fuqi t’ju zbresë dënim prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vriteni nga duart e njëri-tjetrit.” Shih si u sjellim vazhdimisht prova të ndryshme, në mënyrë që ata të kuptojnë!11
66. Kombi yt12 (o Muhamed) e përgënjeshtroi atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaju: “Unë nuk jam roja juaj.13
67. Çdo profetësi ka kohën e vet të përmbushjes dhe ju do ta merrni vesh.”14
68. Kur t’i shohësh ata që sulmojnë (me tallje) shpalljet Tona15, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër!16 E, nëse djalli të bën të harrosh17, sapo të përmendesh, mos qëndro më me njerëzit e padrejtë!18

___________________________
1 Duke e ditur se çfarë gjynahesh keni bërë gjatë ditës, e megjithatë jua kthen shpirtin dhe ju zgjon përsëri të nesërmen, e kështu deri sa të plotësohet afati i jetës tuaj në dynja dhe t’ju vijë vdekja. Gjumi i natës është provë e qartë për mohuesit e ringjalljes, se Allahu e ka shumë të lehtë ringjalljen pas vdekjes, njësoj si zgjimi pas gjumit, sepse në të dyja rastet shpirti del nga trupi dhe kthehet përsëri në të, e këtë gjë e bën vetëm Allahu i Plotfuqishëm e askush tjetër përveç Tij. Atëherë si e mohoni ringjalljen pas vdekjes, kur ju çdo ditë ringjalleni pas vdekjes në gjumin e natës!
2 Pas vdekjes së njeriut në këtë botë, ai nuk mund të zhduket përfundimisht, sepse asgjë që ekziston nuk mund të zhduket nga ekzistenca, kjo sipas ligjeve materiale të përcaktuara nga Allahu në këtë botë, dhe që shkenca moderne i ka aprovuar, por njeriu do të kthehet tek Krijuesi i tij, pas ringjalljes që Allahu do i bëjë të gjithë njerëzve në ditën e Gjykimit, dhe atje secili do të marrë shpërblimin apo dënimin për veprat që ka bërë në dynja.
3 Allahu është Sunduesi, nënshtruesi, gjunjëzuesi i të gjitha krijesave të Tij, dhe Ai është mbi ta në të gjitha pikëpamjet, kurse krijesat nuk kanë asgjë në dorë, madje ato nuk mund të lëvizin dhe as të qëndrojnë veçse me lejen e Tij.
4 Allahu i dërgon engjëj ruajtës dhe shkrues të veprave çdo njeriu. Këta engjëj i ruajnë me shkrim të gjitha veprat që bën njeriu, ditën apo natën, për të qenë provë e pamohueshme në ditën e Gjykimit, por njëkohësisht ata engjëj e ruajnë njeriun nga ndonjë aksident fizik material i mundshëm, deri sa të plotësohet afati i caktuar dhe të vijë exheli (vdekja) e caktuar nga Allahu për secilin njeri dhe për secilën krijesë. Janë dy engjëj ditën dhe dy të tjerë natën, njëri qëndron në të djathtë dhe shkruan veprat e mira, kurse tjetri në të majtë dhe shkruan veprat e këqia.
5 Engjëlli i vdekjes bashkë me engjëjt ndihmues të tij, i marrin shpirtrat e njerëzve në kohën e caktuar nga Allahu për secilin prej tyre, dhe ata nuk bëjnë asnjë gabim apo neglizhim në punën që Allahu u ka ngarkuar atyre; as vonesën apo përshpejtimin më të vogël të afatit të caktuar nga Allahu për secilin njeri dhe për secilën krijesë.
6 Pas vdekjes dhe jetës së varrit që zgjat deri në Ditën e Kiametit, të gjitha krijesat do të ringjallen tek Allahu, Zotëruesi i tyre i vërtetë, sepse ata nuk kanë zot tjetër përveç Allahut, megjithëse shumë prej tyre adhuronin të tjerë në vend të Allahut në dynja.
7 Allahu është i Shpejtë në llogarinë e veprave të të gjitha krijesave të Tij, sepse Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti, më i Drejti dhe më i Shpejti në gjykim.
8 Thuaju, o Muhamed, idhujtarëve të Mekes dhe të gjithë njerëzve.
9 Kur njerëzit i kap një e keqe dhe kur e shohin veten ngushtë, të humbur në ndonjë vend të tokës apo në mes të detit, ata menjëherë i drejtohen Allahut që t’i shpëtojë, edhe ata që janë atesitë apo idhujtarë; në ato çaste i harrojnë idhujt e tyre sepse e dinë që nuk kanë asnjë lloj fuqie dhe nuk kanë asgjë në dorë, por instiktivisht zemrat e tyre i drejtohen Allahut, edhe ata që nuk e bëjnë me përulje dhe në publik këtë gjë, në të vërtetë e bëjnë fshehtazi nën zë dhe me zemrën e tyre. A nuk është kjo një provë e pamohueshme se Allahu është Zoti i Vetëm i të gjitha krijesave, dhe se vetëm Ai meriton të adhurohet? Në çastet e vështirësisë, të gjithë ata zotohen se nëse Allahu i shpëton nga rreziku që i kanoset, ata do t’i jenë mirënjohës vetëm Atij dhe do të adhurojnë vetëm Atë. Por a i përmbahen zotimit të tyre?
10 Askush nuk ju shpëton nga rreziku përveç Allahut, dhe ju e dini mirë këtë, por megjithatë, kur dilni nga rreziku, në vend që të falënderoni Allahun, ju e harroni Atë dhe ia dedikoni falënderimin dhe adhurimin zotave tuaj të rremë! A ka humbje më të madhe se kjo? A nuk e meritojnë dënimin e Allahut ata që veprojnë kështu?
11 Allahu ka fuqi që t’u zbresë dënim nga qielli (si gurët, tufani, etj) ose nga Toka (si për shembull fundosja e tokës bashkë me ta, etj.), ose t’i përçajë dhe t’i fusë në grindje e në luftë me njëri-tjetrin ata që pasi i shpëton nga rreziku i tokës apo i detit, shkojnë e adhurojnë të tjerë përveç Allahut. Nga mëshira e Allahut, Ai e ka ngritur ndëshkimin nga qielli dhe nga toka për popullin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por ndëshkimin me përçarje mes njëri-tjetrit Ai ia ka zbritur një pjese prej tyre, si ndëshkim i shpejtë në këtë botë me qëllim që të marrin mësim ata që marrin mësim dhe për të treguar se ligjet e Tij zbatohen mbi të gjithë. Në një hadith të transmetuar nga Muslimi, e të tjerë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Allahu e mblodhi Tokën para meje dhe unë e pashë Lindjen dhe Perëndimin e saj, dhe më tregoi se pushteti i popullit tim do të arrijë aq sa pashë unë prej Tokës së mbledhur. M’u dhanë gjithashtu dy thesaret: i kuqi dhe i bardhi (ari dhe argjendi; thesaret e Kisras -mbretit të Persisë dhe të Kajsarit –mbretit të romakëve [dhe kështu ndodhi vërtet, dhe kjo është një prej profetësive të Muhamedit]. Unë i kërkova Zotit tim për ymetin tim: që të mos i shkatërrojë ata me thatësirë të jashtëzakonshme dhe të mos i rrëzojë ata nën pushtetin e armiqve të jashtëm shfarosës të tyre dhe të pushtetit të tyre. Zoti im më tha: “O Muhamed, kur unë vendos për diçka, vendimi Im nuk kthehet mbrapsht; e Unë po të jap për popullin tënd këto: që të mos e shkatërroj atë me thatësirë të përgjithshme, dhe të mos i vendos ata nën pushtetin e armiqve të jashtëm që i shfarosin ata dhe pushtetin e tyre, qoftë edhe nëse ata (armiqtë) bashkohen nga të gjitha anët e botës; përveç nëse populli yt do të vrasë njëri-tjetrin dhe do të robërojë njëri-tjetrin.” [Muslimi, 2889]. Këto janë profetësi të pamohueshme që vërtetojnë profetësinë e Muhamedit, dhe fakti që shumë vende të muslimanëve vuajnë nga pushtimi i huaj në ditët e sotme, nuk bie ndesh me hadithin, sepse hadithi ka përjashtuar pushtimin e plotë dhe rrënues, e jo pushtimin e pjesshëm, i cili gjithësesi ka ardhur si rrjedhojë e përçarjes së muslimanëve mes njëri-tjetrit.
12 Është për qëllim fisi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) si dhe fiset e tjera të Mekës që ishin idhujtarë dhe përgënjeshtrues të Muhamedit, dhe jo ymeti-populli i tij, sepse ymeti i Muhamedit janë të gjithë besimtarët muslimanë në çdo kohë e vend, deri në ditën e Kiametit.
13 Unë nuk jam mbikqyrës mbi ju dhe as rojë që ju detyron çfarë të bëni, por jam thjesht i Dërguar i Allahut dhe ju përcjell atë që më shpallet.
14 Do ta merrni vesh të vërtetën e atyre që ju them dhe që më shpallen nga Allahu. E nuk ka dyshim se gjithçka që paralajmëroi i Dërguari i Allahut, Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), u përmbush dhe shumë paralajmërime e profetësi të tjera presin afatin e tyre të caktuar nga Allahu, dhe kur të ndodhë kjo, të gjithë do ta marrin vesh.
15 Ata që flasin keq për Kuranin dhe që tallen me të.
16 Në këtë ajet, Muhamedi dhe të gjithë besimtarët muslimanë urdhërohen që të mos qëndrojnë në atë tubim dhe ambjent ku përdhoset dhe flitet keq e me tallje për Kuranin apo për ndonjë çështje të Islamit, se përndryshe ata do të jenë të barabartë dhe të njëjtë me ta.
17 Duke bërë që nga harresa dhe pakujdesia të qëndrosh në mesin e atyre që tallen me shpalljet dhe fenë e Allahut.
18 Largohu menjëherë nga njerëzit e padrejtë, të cilët tallen me fenë e Allahut, ose që flasin apo veprojnë gjëra të ndaluara nga Allahu, përderisa ti nuk mundesh t’i ndalosh ata nga vepra apo fjala e tyre.

-136-

69. E sa për ata që i frikësohen Allahut (dhe qëndrojnë me të padrejtët), s’kanë kurrfarë përgjegjësie për gjynahet e tyre, por t’i këshillojnë me qëllim që ata të ruhen.1
70. Largohu nga ata që fenë e tyre e marrin për lojë e dëfrim,2 dhe që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote.3 Këshillo me të (Kuranin), me qëllim që të mos mbetet kush peng për shkak të veprave të veta4, dhe atëherë, përveç Allahut, nuk do të ketë as ndihmues5, as ndërmjetës,6 madje edhe sikur të ofrojë çdo lloj shpagimi, nuk do t’i pranohet.7 Këta janë ata që do të mbeten peng (në ferr) për shkak të veprave që kanë bërë (në dynja). Pija e tyre do të jetë uji i vluar dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm për shkak se ishin mohues.8
71. Thuaju: “A të adhurojmë në vend të Allahut diçka që nuk na sjell as dobi, as dëm e të kthehemi mbrapa, pasi Allahu na udhëzoi,9 duke u bërë si ai që mashtrohet nga djajtë dhe sillet i çoroditur nëpër botë,10 ndonëse disa shokë (besimtarë) e thërrasin në rrugë të drejtë: “Eja tek ne”?!”11 Thuaju: “Vetëm udhëzimi i Allahut është udhëzimi i drejtë.12 Ne jemi urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve,13
72. të falim namazin dhe ta kemi frikë Atë.14 Dhe është Ai, tek i Cili do të tuboheni.15
73. Është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësi.16 Ditën (e Kiametit) kur Ai të thotë “Bëhu”, ai do të bëhet.17 Fjala e Tij është e Vërteta dhe Atij i përket pushteti Ditën kur fryhet në Sur.18 Ai është i Gjithëdituri i së fshehtës dhe të dukshmes, më i Urti, Njohësi i gjithçkaje në hollësi.19

_______________________________________
1 Të ruhen nga tallja, të kenë frikë Allahun dhe të kthejnë rrugë. Ajeti është argument për lejimin e qëndrimit me mohuesit e mëkatarët, por me kusht që të jesh i devotshëm dhe t’i këshillosh e t’i ndalosh ata nga vepra e keqe, ose së paku të mundësosh reduktimin dhe pakësimin e së keqes, se ndoshta po udhëzohen e po kthehen nga rruga e keqe në rrugën e drejtë të besimit të pastër Islam. Në të kundërt, nëse nuk ndikon pozitivisht, apo nëse e keqja dhe tallja e tyre shtohet edhe më shumë me këshillën tënde, apo nëse ndikohesh prej tyre dhe bie në gjynahun që bëjnë ata, atëherë nuk lejohet të qëndrosh me ta, por duhet të ngrihesh e të largohesh prej tyre. Disa dijetarë të Tefsirit thonë se përbajtja e këtij ajeti është shfuqizuar më pas në Medine, nga ajeti 140, i sures En Nisa.
2 Ata të cilët tallen me shpalljet dhe provat e Allahut prej idhutarëve të Mekes dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.
3 Shumë prej dijetarëve të Tefsirit thonë se kjo pjesë e këtij ajeti është shfuqizuar kur i Dërguari i Allahut dhe muslimanët që ishin me të u urdhëruan t’i luftonin idhujtarët pasi që kjo iu ishte ndaluar në fillim të Islamit dhe deri kur muslimanët u fuqizuan në Medine; dhe atje, Allahu shpalli ajetin nr. 5, të sures “Et Teube”, ku thuhet: “Kur të kalojnë muajt e shenjtë (në të cilët ndalohet lufta), atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Atëherë, besimtarëve iu lejua luftimi i armiqve të tyre idhujtarë e mohues, nën udhëheqjen e të Dërguarit të Allahut, dhe pas vdekjes së tij, nën udhëheqjen e prijësve të tyre, konform kushteve të caktuara në sheriatin Islam, e që mësohen në librat e jurisprudencës Islame (Fikhut). Bazat e këtyre ligjeve do i ndeshim në ajete të ndryshme të Kuranit, e veçanërisht në suret “El Enfal” dhe “Et Teube”.
4 Që të mos ia dorëzojnë veten shkatërrimit, duke mbetur peng i burgosur në zjarrin e xhehenemit për shkak të mosbesimit dhe veprave të këqia.
5 Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.
6 Që të ndërmjetësojë tek Allahu për ta, që të mos dënohen për të këqiat që kanë bërë.
7 Edhe sikur të zotëronte të gjithë botën me gjithë çka në të, dhe ta jepte me qëllim që të çlironte veten e tij nga dënimi i Allahut, nuk do të pranohej nga ai aspak, por do të dënohej për mosbesimin dhe veprat e tij të këqia në dynja gjithësesi.
8 Për shkak se e mohuan Allahun në dynja, nuk e njësuan Atë si një Zot i Vetëm Fuqiplotë dhe adhuruan idhuj e zota të tjerë përveç Tij.
9 E të kthehemi në idhujtari e mosbesim, pasi që Allahu na udhëzoi në besimin e drejtë Islam?! Me çfarë logjike na kërkoni, o idhujtarë, që të kthehemi mbrapa e të adhurojmë diçka që nuk na sjell as dobi, as dëm, madje dëmi i tyre është i paevitueshëm?!
10 Si ai që joshet nga djajtë dhe ata e çojnë në rrugën e gabuar të humbjes dhe mosbesimit, e ai sillet i hutuar e i çoroditur nëpër botë, pa ndonjë qëllim dhe pa e ditur se çfarë do!
11 Allahu e sjell këtë shembull për atë që e mohon Allahun pas besimit te Ai, dhe ka ndjekur djajtë prej idhujtarëve e mohuesve të Allahut, kurse ata që ishin shokët e tij muslimanë kur ky ishte në Islam, të cilët vazhdojnë me qëndrueshmëri në besimin dhe fenë e tyre, e thërrasin atë me sinqeritet për të mirën e tij që të kthehet në rrugën e drejtë, por ai refuzon dhe vazhdon të ndjekë rrugën e djajve duke adhuruar idhujt dhe zotat e trilluar prej tyre, ndonëse është në huti të plotë dhe nuk e di çfarë rruge duhet të ndjekë! Pastaj vazhdon ajeti për të treguar se rruga e drejtë dhe e saktë është vetëm Rruga e Allahut dhe asnjë rrugë tjetër.
12 Kurse të gjitha rrugët dhe bestytintë e tjera të shpikura nga djajtë njerëz apo xhin, janë rrugë të shtrembëra e të gabuara, që nuk të çojnë veçse në humbje e shkatërrim të plotë në të dyja botët.
13 Zoti ynë na ka urdhëruar që ta njësojmë Atë si Një Zot i vetëm e i Gjithëfuqishëm, të adhurojmë vetëm Atë, t’i nënshtrohemi Atij dhe të pranojmë gjithçka që Ai i ka shpallur të Dërguarit të Tij, Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).
14 Të kryejmë namazin e detyrueshëm ashtu si ka urdhëruar Allahut dhe sipas traditës së të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe të kemi frikë Allahun duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.
15 Para Allahut do të tubohen të gjithë në ditën e Gjykimit dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas veprave që ka bërë në dynja.
16 Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën me urtësinë e Tij absolute, me saktësi dhe precizitet absolut, me rregull dhe ligj universal, me qëllim të caktuar dhe jo më kot, për të qenë prova e Tij e pamohueshme për mbarë njerëzimin; për të vërtetën e pamohueshme: mjafton të shohësh qiellin dhe Tokën për të mësuar madhështinë e Krijuesit të tyre Fuqiplotë, i Cili krijon me urtësi dhe qëllim; atëherë, si mund të adhurohen idhuj e zota të trilluar që nuk mund të krijojnë asgjë, madje ato vetë janë të krijuar, e pastaj të krahasohen e të vihen përkrah Krijuesit Absolut që e ka krijuar gjithçka nga asgjëja, që ka krijuar lëndën e parë dhe që i ka dhënë formë e jetë gjithçkaje!
17 Do të bëhet Kiameti me të gjitha dukuritë e asaj dite: “Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.” [Ibrahim, 48]. Mjafton që Allahu të thotë “Bëhu” dhe gjithçka që Ai dëshiron bëhet, dhe kështu do të jetë edhe me bërjen e Kiametit, ndërrimin e Tokës me Tokë tjetër dhe të qiejve në qiej të tjerë, ringjalljen dhe llogarinë e shpejtë që Allahu do të bëjë atë Ditë. Ashtu si e ka filluar Allahu krijimin me fjalën “Bëhu”, po ashtu do ta zhdukë dhe do ta rikthejë atë po me atë fjalë, e Fjala e Allahut dhe premtimi i Tij është e vërtetë, në të cilën nuk ka dyshim.
18 Suri është një bri të cilit i fryn engjëlli Israfil dy herë: kur të bëhet Kiameti dhe kur të bëhet ringjallja. Në këtë ajet është për qëllim fryrja e dytë e Surit, kur Allahu të ringjallë krijesat e Tij dhe t’i nxjerrë para Tij në Ditën e Llogarisë së madhe, ditë në të cilën i gjithë pushteti, sundimi dhe gjykimi i takon vetëm Allahut, dhe nuk do të ekzistojë atë ditë asnjë sundues tjetër përveç Tij, siç ishte në dynja.
19 Allahu është i Vetmi që e di të fshehtën dhe të dukshmen në detaje, Ai është Urtë në gjithçka që vepron, krijon, zhduk apo ringjall e shpërblen, dhe Ai e di shumë mirë dhe në hollësi gjithçka; e di se çfarë veprash të mira apo të këqia bëjnë njerëzit, ua shënon ato atyre dhe i shpërblen sipas asaj që meritojnë, e në të gjitha rastet, Ai është Bujar dhe i Mëshirshëm; jep ndëshkim më të lehtë nga ai që meritojnë dhe jep shpërblim më të madh nga ai që meritojnë, madje shpërblimi i Tij nuk është veçse dhuratë nga Vetë Ai.

-137-

Vijon …