148. Allahu nuk e do publikimin e fjalëve të këqija, përveç nga dikush që i është bërë padrejtësi.[1] Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.[2]

149. Në qoftë se e publikoni një të mirë që bëni apo e fshehni atë,[3] ose falni për ndonjë të keqe[4], pa dyshim se Allahu është Falës i madh, i Plotfuqishëm.[5]

150. Vërtet, ata që mohojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij,[6] duke thënë: “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë”[7] dhe duke dashur të ndjekin një rrugë të mesme,

151. pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë,[8] e për mohuesit, Ne kemi përgatitur dënim poshtërues.[9]

152. Kurse atyre që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij,[10] dhe nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre, Ai do t’u japë shpërblimin e tyre.[11] Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[12]

153. Ithtarët e Librit të kërkojnë t’u zbresësh një libër nga qielli.[13] Ata edhe Musait i kërkuan diçka edhe më të madhe se kjo; i thanë: “Na e trego Allahun ta shohim haptazi!”[14] Atëherë i goditi rrufeja për shkak të padrejtësisë së tyre.[15] Pastaj morën viçin (për adhurim),[16] pasi u kishin ardhur provat e qarta.[17] Por Ne ua falëm edhe këtë[18] dhe i dhamë Musait pushtet të qartë.[19]

154. Ngritëm mbi ta malin Tur, që të merrnim besën e tyre.[20] Më pas u thamë: “Hyni në portë të përkulur!”[21] Dhe u thamë: “Mos e shkelni të shtunën!”[22] Dhe morëm prej tyre besë të fortë.[23]

-102-

_____________________________________

[1] Allahu nuk e do shprehjen hapur të fjalëve të këqia dhe negative, qofshin lutje kundër dikujt, sharje, mallkime, etj. madje e urren këtë dhe e ndëshkon autorin e tyre. Por dikujt që i është bërë padrejtësi, i lejohet që të bëjë lutje kundër atij që ia ka bërë padrejtësinë dhe të ankohet për të, duke e shprehur dhe shfaqur të keqen që i është bërë pa gënjyer asgjë dhe pa sharë njeri tjetër përveç zullumqarit të tij, megjithëse më e mira për të do të ishte që të përmbahej dhe të ankohej vetëm tek Allahu.

[2] Dëgjon gjithçka që ju flisni dhe i di qëllimet tuaja, prandaj bëni kujdes që të mos flisni gjëra që e zemërojnë Zotin tuaj dhe për të cilat ju ndëshkon.

[3] Qoftë ajo e mirë fjalë apo vepër, e dukshme apo e padukshme, e detyrueshme apo e preferuar.

[4] Që ju është bërë nga ndokush, dhe nuk e publikoni atë, nuk ankoheni për të dhe nuk e mallkoni apo shani autorin e saj, megjithëse në këtë rast është e lejuar.

[5] Nëse ju bëni vepër të mirë dhe falni të keqen që ju bëhet, atëherë dijeni se Allahu është Falësi më i madh, dhe ju fal ju të gjitha mëkatet edhe pse Ai është i Plotfuqishëm që t’ju japë dënimin e merituar për to, prandaj falni për Hir të Allahut edhe kur keni mundësi të hakmerreni.

[6] Duke besuar vetëm Allahun dhe duke përgënjeshtruar të dërguarit që Ai i ka dërguar me shpalljet e Tij, apo duke pëgënjeshtruar qoftë edhe njërin prej tyre, sepse mohimi i një të dërguari të vetëm të Allahut është mohim dhe përgënjeshtrim i të gjithë të dërguarve dhe mohim e përgënjeshtrim i Vetë Allahut të Madhëruar, i Cili e ka dërguar atë.

[7] Siç bëjnë jehuditë me përgënjeshtrimin e Isait dhe të Muhamedit (Paqja e Allahut qoftë mbi të dy ata!) dhe me besimin e Musait dhe të gjithë të dërguarve para tij. Dhe ashtu siç bëjnë të krishterët me përgënjeshtrimin e Muhamedit dhe me besimin e Isait dhe të gjithë të dërguarve para tij.

[8] Sepse e mësuan të vërtetën dhe e mohuan atë pasi e panë dhe pasi ju bë e qartë. Të gjitha provat për profetësinë e Muhamedit ishin para syve të tyre dhe i kishin të shënuara në librat e tyre, por ata ndoqën dëhirat dhe epshet e tyre dhe e mohuan të Dërguarin e Allahut dhe shpalljen që i zbriti nga Allahu, dhe njëkohësisht pretendonin se ishin besimtarë të Allahut dhe të profetëve të dërguar nga Ai më parë, duke menduar se kështu po zgjedhin një rrugë të mesme; që të besojnë disa të dërguar të Allahut dhe të mohojnë disa të tjerë, por ky është mashtrim nga ana e tyre dhe përgënjeshtrim i Allahut dhe i të dërguarve të Tij, prandaj Allahu i quan ata si mohuesit e vërtetë të Tij dhe të dërguarve të Tij, dhe se nuk ka rrugë të mesme në lidhje me besimin e Allahut dhe të dërguarve të Tij. Prandaj, bëni kujdes, o besimtarë, që të mos mashtroheni prej tyre, sepse besimtar është vetëm Ai që e beson Allahun dhe të gjithë të dërguarit e Tij pa përjashtim, si dhe gjithçka që është shpallur nga Allahu.

[9] Ku do të qëndrojnë përgjithmonë të poshtëruar si rezultat i përgënjeshtrimit të tyre të dërguarit e Allahut apo njërin prej tyre, dhe më shumë është për qëllim mohimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), të cilin e kanë mohuar jehuditë dhe të krishterët, edhe pse ai ishte vazhdim i vargut të profetëve të dërguar nga Allahu dhe vula e tyre, gjë të cilën ata e gjenin të shënuar në Teurat dhe në Inxhil.

[10] Besimi i vërtetë është që të besosh Allahun dhe gjithçka që ka ardhur nga Ai, qofshin të dërguarit e Tij të gjithë pa përjashtim, shpalljet e Tij që ua ka zbritur të dërguarve dhe çdo gjë që Ai ka njoftuar në shpalljet e Tij.

[11] Që meritojnë si rezultat i besimit dhe veprave të tyre të mira.

[12] Allahu i fal ata që më parë kanë qenë mohues të Tij apo të ndonjë prej të dërguarve të Tij, por që më pas janë penduar, dhe i fal të gjithë robët e Tij për gjynahet e mëparshme kur ata kthehen tek Ai të penduar. Ai është Mëshirëplotë me robët e Tij, me udhëzimin në rrugën e drejtë dhe me suksesin që u jep atyre në ato gjëra me rë cilat shpëtojnë vetet e tyre nga zjarri i xhehenemit.

[13] Ithtarët e Teuratit, hebrenjtë që ishin në Medine, i kërkuan Muhamedit që t’u sillte një libër të shkruar nga qielli, ashtu si u solli Musai pllakat e shkruara. D.m.th. i kërkuan që ta sillte Kuranin të gjithë njëherësh, ashtu si kishte zbritur Teurati, dhe jo të ndarë në pjesë. Përveç kryeneçësisë dhe mohimit të tyre të paskrupull, kjo fjalë e tyre tregon gjithashtu humbje të logjikës dhe injorancë, sepse i Dërguari i Allahut, Muhamedi, ishte thjesht njeri dhe nuk sillte gjë nga vetja e vet dhe nuk kishte asgjë në dorë, por e gjithë çështja ishte në Dorë të Allahut i Cili i shpallte ç’të donte të Dërguarit të Tij. Ata në fakt nuk duan të ndjekin të vërtetën vetëm e vetëm nga që profeti i fundit nuk erdhi nga mesi i tyre, përndryshe, akuzat dhe dyshimet që hedhin ata janë krejtësisht të pabaza, sepse janë thjesht kryeneçësi dhe kundërshtim i hapur i të vërtetës, sepse në asnjë libër qiellor nuk thuhet se sikur një profet të vijë me libër të ndarë në pjesë, mos e besoni dhe në të kundërt e besoni. Madje, edhe sikur pas kësaj fjale të tyre, Allahu t’ia zbriste Kuranin Muhamedit të gjithë njëherësh, ata përsëri nuk do ta pranonin dhe do ta mohonin atë, sepse nuk u intereson e vërteta, por vetëm interesi i tyre i mbështetur mbi shpresat e tyre të kota se gjoja ata janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, dhe se vetëm ata do të hyjnë në xhenet dhe askush tjetër prej njerëzve, dhe se të gjithë njerëzit e tjerë në tokë, të çdo feje qofshin, janë krijuar për t’u shërbyer atyre. A ka humbje më të madhe se kjo?! Përfundimin e tyre të merituar e tregon Allahu këtu në Kuran, prandaj mos u mashtro prej tyre dhe mos u bëj si ata e të vetëmashtrohesh.

[14] Kështu që mos u ligështo nga fjala dhe mosbesimi i hebrenjve, o Muhamed, sepse ata edhe të dërguarit të tyre, që pretendojnë se e besojnë dhe e ndjekin, në fakt e kundërshtonin dhe e bënin të vuante më së shumti prej tyre dhe arrogancës e mohimit të tyre, edhe pse i shihnin haptazi shenjat e Allahut, mrekullitë që Ai ia kishte dhënë Musait (alejhis selam).

[15] Siç e pamë më gjerësisht këtë ngjarje në suren el Bekare, ajeti 55.

[16] Siç do ta shohim më hollësisht këtë ngjarje në suren Ta-ha.

[17] Nga Allahu me anë të të Dërguarit të Tij tek ata, me anë të Musait (alejhis selam). Atyre u kishin ardhur të gjitha provat për të vërtetën rreth Krijuesit dhe krijesave të Tij, dhe për ta nuk kishte më asnjë justifikim.

[18] Për shkak të pendimit të tyre, kushti i të cilit ishte që të vetëvriteshin, siç e pamë në suren el Bekare: 54.

[19] Prova të qarta që vërtetojnë se ai është i dërguar nga Allahu. Allahu i dha Musait nëntë prova të qarta për bijtë e Israilit, siç do ta shohim në suren el Isra: 101 dhe en Neml: 12.

[20] Shiko ajetet 63 dhe 93, nga surja el Bekare.

[21] Shiko ajetin 58, të sures el Bekare.

[22] U ndaluan nga peshkimi në ditën e shtunë. Shiko ajetin 65, të sures el Bekare.

[23] Se do të vepronin sipas asaj që i urdhëronte Allahu dhe do t’u përmbaheshin ndalesave të Tij, ashtu si thuhej në Teurat. Pra, kështu janë hebrenjtë dhe këto janë veprat e tyre të mëparshme, prandaj mos u brengos nga mohimi dhe kërkesa e tyre që t’u sjellësh një libër nga qielli që ta shohin me sytë e tyre.

 

155. Dhe kështu[24], për shkak të thyerjes së besës së dhënë, për shkak të mohimit të provave të Allahut,[25] për shkak të vrasjes së pejgambereve pa kurrfarë të drejte[26] dhe për thënien e tyre: “Zemrat tona janë të mbyllura në këllëf!”[27] Nuk është ashtu (si thonë ata), por Allahu ua ka vulosur ato (zemrat) për shkak të mohimit të tyre, prandaj nuk besojnë veçse pak.[28]

156. Dhe për shkak të mohimit të tyre dhe shpifjes së tyre të madhe kundër Merjemes.[29]

157. Edhe për fjalën e tyre: “Ne e vramë Mesihun Isa, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut.”[30] Por ata as e vranë, as e kryqëzuan atë, por ashtu iu shëmbëllye atyre.[31] Vërtet, ata që u kundërshtuan për çështjen e tij, janë në dyshim të plotë për të.[32] Ata nuk kanë asnjë lloj njohurie për të, përveç ndjekjes së hamendjes.[33] E vërteta e sigurtë është se ata nuk e vranë atë.[34]

158. Por Allahu e ngriti atë pranë Vetes.[35] Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[36]

159. Nuk ka asnjë prej ithtarëve të Librit që nuk do t’i besojë atij (Isait) para se ai të vdesë dhe, në ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre.[37]

160. Madje, për shkak të padrejtësive që bënë jehudët[38] dhe për shkak të pengimit të shumtë nga rruga e Allahut,[39] Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat më parë i kishin të lejuara.[40]

161. Edhe për shkak të marrjes së kamatës, gjë e cila iu ishte ndaluar, si dhe për përvetësimin e pasurisë së njerëzve padrejtësisht.[41] Mohuesve nga mesi i tyre, ne u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.[42]

162. Mirëpo të thelluarit në dije prej tyre[43] dhe besimtarët[44] besojnë në atë që të është zbritur ty (o Muhamed) dhe në atë që është zbritur para teje. Posaçërisht atyre që falin namazin[45], atyre që japin zekatin dhe atyre që besojnë Allahun dhe ditën e Fundit, pikërisht këtyre do t’u japim shpërblim të madh.[46]

-103-

______________________________________

[24] Ne i mallkuam dhe hodhëm zemërimin tonë mbi ta, për shkak të veprave të tyre, që përmenden në ajetet në vijim.

[25] Të cilat ua solli me anë të të dërguarve të Tij tek ata për të vërtetuar profetësinë e tyre.

[26] Jehudët i vranë disa prej të dërguarve të Allahut padrejtësisht, jo se kishin bërë ndonjë krim për të cilin duheshin dënuar.

[27] Prandaj nuk i kuptojmë ato që na thonë profetët.

[28] Besim të mangët, duke besuar vetëm në disa të dërguar dhe duke përgënjeshtruar të tjerë, dhe duke besuar vetëm disa libra hyjnorë dhe duke mohuar të tjerë, ndërkohë që të gjithë të dërguarit e Allahut dhe librat e Tij janë të pandarë dhe vërtetues të njëri-tjetrit.

[29] Shpifja që bënë ndaj saj duke e akuzuar padrejtësisht për imoralitet dhe se Isai (Mesihu) ishte bir i një lidhje imorale të paligjshme.

[30] Ata e mohuan të Dërguarin e Allahut, Isain dhe tentuan ta vrisnin atë, madje menduan se e vranë, gjë e cila tregon qartë mohimin dhe kryeneçësinë e tyre ndaj Allahut.

[31] Allahu ia vendosi shëmbëlltyrën e Isait dikujt tjetër prej jehudëve apo njërit prej shokëve të tij, dhe ata vranë dhe kryqëzuan atë tjetrin, duke kujtuar se kishin vrarë Isain.

[32] Qoftë jehudët që menduan se e vranë por më pas ishin në dilemë për shkak të humbjes së shokut të tyre apo se trupi i atij që menduan se ishte Isai, ishte i dikujt tjetër dhe vetëm fytyra e tij ishte ajo e Isait, ose dilema të tjera rreth çështjes së Isait. Qoftë të krishterët, të cilët janë gjithashtu në dilemë për çështjen e Isait, nëse është vrarë vërtet apo jo, apo është ngritur në qiell pa u vrarë, apo është bir i Zotit, apo është Zoti, etj.!

[33] Jehudët nuk ishin të sigurtë nëse ai që vranë ishte Isai apo dikush tjetër, por ndoqën hamendjen dhe iluzionin e tyre, duke vrarë atë që i ngjante atij, edhe pse gjithnjë dyshonin nëse ishte ai apo jo.

[34] E vërteta e sigurtë rreth çështjes së Isait është se ai nuk u vra nga jehudët, por Allahu e ngriti atë në qiell me trup e me shpirt, dhe do ta zbresë atë para ditës së Kiametit, për urtësi që i di Allahu i Gjithëdijshëm e i Urtë.

[35] Allahu e ngriti Isain, të birin e Merjemes pranë Vetes, dhe e ruajti të paprekur nga mohuesit.

[36] Allahu ka fuqi për gjithçka (edhe që ta ngrejë Isain në qiell) dhe vepron e gjykon me Urtësinë e Tij absolute. Allahu është i Plotfuqishëm ndaj atyre që mohojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, dhe merr hak për të dërguarit e Tij kur të dojë; i Urtë në veprimet dhe vendimet e Tij. Prandaj të kenë kujdes ata që i kërkojnë Muhamedit t’u zbresë një Libër nga qielli, se mos u vjen ndonjë ndëshkim nga Allahu, ashtu si u erdhi paraardhësve të tyre kur përgënjeshtruan të dërguarit e Allahut dhe shpifën për miqtë e Tij.

[37] Ajeti përmban dy kuptime: I pari: Të gjithë ithtarët e Librit, prej jehudëve dhe të krishterëve, do ta besojnë Isain para se të vdesin, apo në çastet e fundit të jetës së tyre, kur të shohin vdekjen me sy dhe t’u hiqet perdja e t’u zbulohet e vërteta, por që nuk do t’ju bëjë aspak dobi në atë çast dhe do të marrin dënimin e tyre në ditën e Kiametit. Kuptimi i dytë, dhe më i favorizuar edhe për shkak të haditheve të shumta profetike që kanë ardhur në lidhje me Isain, është: Të gjithë ithtarët e Librit do ta besojnë Isain para vdekjes së Isait, i cili do të zbresë përsëri në dynja, pak para Kiametit, dhe do të vrasë Dexhalin, do të heqë xhizjen (taksën që Ithtarët e Librit i paguajnë shtetit mysliman për të jetuar nën hijen dhe ligjet e tij), dhe të gjithë Ithtarët e Librit do t’i besojnë atij dhe do të bashkohen me besimtarët muslimanë në besimin e vërtetë Islam, duke besuar të gjithë të dërguarit e Allahut dhe duke pasur Kuranin për legjislacion të tyre. Kuptohet se ata që do ta besojnë Isain dhe do të bashkohen me të dhe muslimanët në besimin e vërtetë Islam, janë ata që do të jenë në kohën e zbritjes së Isait në tokë, para Kiametit. Isai do të gjykojë në tokë me ligjin e Islamit dhe do të sqarojë të gjitha devijimet e ithtarëve të Librit. Kurse në Ditën e Kiametit ai do të dëshmojë kundër ithtarëve të Librit që ishin në dilemë në lidhje me të (nëse është bir Zoti, apo Zot që adhurohet, apo i treti i të treve) dhe që nuk e besuan të dërguarin e fundit, Muhamedin, për të cilin ai njoftoi se do të vinte. Isai do të dëshmojë kundër tyre duke dëshmuar se ishte vetëm rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.

[38] Disa prej të cilave u përmendën në ajetet e mësipërme.

[39] I pengonin njerëzit nga ndjekja e rrugës së drejtë e Allahut, duke thënë për Allahun të pavërtetën, duke ndryshuar Librin e Allahut dhe duke shtrembëruar domethëniet e tij, dhe më e madhja e të gjithave ishte: mohimi i tyre profetësinë e Muhamedit dhe fshehjen e asaj që e dinin të sigurtë nga Libri i tyre për çështjen e tij, nga ata njerëz që nuk dinin gjë për të.

[40] Shumë ushqime e gjëra të tjera të mira iu ndaluan jehudëve si dënim për ta për shkak të padrejtësive të tyre, kurse ato që Allahu i ka ndaluar popullit mysliman, janë për shkak të dëmit të tyre.

[41] U ndëshkuan, u mallkuan dhe iu ndaluan shumë gjëra që i kishin të lejuara për shkak të të gjitha këtyre veprave të padrejta të tyre.

[42] Atyre jehudëve që mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), Allahu u ka përgatitur dënim të dhembshëm në zjarrin e xhehenemit.

[43] Kishte disa prej ithtarëve të Librit, në zemrat e të cilëve dija kishte zënë rrënjë dhe i dha frytet e saj që u shfaqën me pohimin e të vërtetës dhe besimin e tyre te Muhamedi dhe ajo që ju shpall atij, ashtu si kishin besuar edhe te ajo që u ishte shpallur të dërguarve të tjerë para Muhamedit nga Allahu i Madhëruar, siç ishte për shembull Abdullah ibën Selam.

[44] Shokët e Muhamedit, muslimanët.

[45] Rregullisht. Në këtë ajet, fjala “atyre që falin namazin”, vjen në rasën kallëzore në arabisht, ndryshe nga të gjitha fjalët e tjera të lidhura me të, si “atyre që japin zekatin’, “atyre që besojnë Allahun”, të cilat vijnë në rasën emërore në arabisht, për të treguar veçimin e namazit nga të gjitha urdhrat e tjera dhe vlerën e tij të madhe tek Allahu, prandaj e kemi përshtatur: “Posaçërisht atyre që falin namazin”.

[46] Xhenetin, sepse ata bashkuan mes dijes, besimit në të gjithë librat dhe të dërguarit e Allahut pa përjashtim, dhe bënë vepra të mira ashtu si urdhëron Allahu.

 

163. Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje edhe Nuhun dhe profetët pas tij; ashtu siç frymëzuam me shpallje Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin, Esbatët[47], Isain, Ejubin, Junusin, Harunin dhe Sulejmanin.[48] Edhe Daudit i dhamë Zeburin.[49]

164. (Kemi dërguar) Edhe të dërguar të tjerë më parë, për të cilët të kemi treguar, si dhe të tjerë për të cilët nuk të kemi treguar.[50] Kurse Musait, Allahu i ka folur drejtpërdrejt.[51]

165. Të dërguar që ishin lajmëtarë e paralajmërues,[52] në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim para Allahut, pas ardhjes së të dërguarve.[53] Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[54]

166. Por Allahu dëshmon për atë që të ka shpallur ty (o Muhamed),[55] se e ka shpallur me dijeninë e Vet. Po ashtu edhe engjëjt dëshmojnë për këtë, por mjafton Allahu si dëshmitar.[56]

167. Me të vërtetë, ata që mohojnë[57] dhe pengojnë nga rruga e Allahut, kanë humbur një humbje të largët.[58]

168. Me të vërtetë, ata që mohojnë dhe bëjnë padrejtësi,[59] Allahu nuk do t’i falë, as nuk do t’i drejtojë në ndonjë rrugë,[60]

169. përveç rrugës drejt Xhehenemit,[61] ku do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim. Kjo për Allahun është e lehtë.[62]

170. O njerëz![63] I Dërguari ju ka ardhur me të vërtetën nga Zoti juaj,[64] prandaj besoni, se kjo është më mirë për ju![65] E në qoftë se mohoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.[66] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[67]

-104-

______________________________________

[47] Ata pasardhës të Jakubit (alejhi selam), të cilët kanë qenë profetë.

[48] Allahu i shpalli Muhamedit shpallje Hyjnore ashtu siç i kishte shpallur edhe profetëve të tjerë para tij, kështu që nuk kishte çudi në profetësinë e tij, por ai ishte vazhdim i vargut të profetëve të dërguar nga Allahu dhe vula e tyre, pas të cilit nuk do të ketë më të dërguar deri në ditën e Kiametit.

[49] Librin që i shpalli Allahu.

[50] Dhe patjetër që në mesin e tyre ka pasur edhe të dërguar që janë dërguar pas Musait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ata!), për këtë nuk ka dyshim te muslimanët as te të krishterët, sepse për dërgimin e Isait pas Musait, janë të dy grupet dakord, por është për qëllim hedhja poshtë e pretendimit të jehudëve të cilët thanë se Allahu nuk ka dërguar asnjë të dërguar pas Musait (alejhis selam), gjë e cila është fshehje e të vërtetës nga ana e tyre, duke qenë se e dinë mirë atë. Kjo tregon edhe një herë se çfarë kombi janë ata.

[51] Musai (alejhis selam) e dëgjoi drejtpërdrejt kur Allahu i foli atij, pa ndërmjetësinë e engjëllit Xhibril, dhe kjo ishte diçka e madhe me të cilën Allahu e veçoi atë, ashtu si veçoi disa të dërguar mbi disa të tjerë me veçori të ndryshme, kurse Profetin tonë, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) e veçoi me më shumë veçori se të gjithë ata. E Allahu veçon me mirësinë e Vet kë të dojë.

[52] Të gjithë të dërguarit e Allahut kishin mision lajmërimin e njerëzve me shpërblimin e Allahut, për ata që i binden Allahut dhe ndjekin të dërguarit e Tij, dhe paralajmërimin e tyre me ndëshkimin e Allahut, për ata që e thyejnë urdhrin e Allahut dhe përgënjeshtrojnë të dërguarit e Tij.

[53] Që njerëzit të mos thonë në ditën e Kiametit: “Nuk denim gjë për këtë sepse nuk na njoftoi kush!”

[54] Allahu ka fuqi të hakmerret ndaj mohuesve të Tij për mohimin e tyre, dhe ka fuqi për gjithçka, por Ai vepron e gjykon me Urtësinë e Tij absolute.

[55] Edhe nëse ithtarët e Librit e mohojnë atë dhe të përgënjeshtrojnë ty.

[56] Mjafton Allahu si dëshmitar për vërtetësinë e profetësisë tënde, o Muhamed, pa qenë nevoja e ndonjë dëshmitari tjetër prej krijesave të Tij, dhe nëse Allahu dëshmon për ty, atëherë nuk të dëmton aspak përgënjeshtrimi i atyre që të përgënjestrojnë. Kur Allahu dëshmon për diçka, do të thotë se ajo është shumë e rëndësishme. Po kështu edhe kur Ai urdhëron të dëshmojnë të veçantët prej krijesave të Tij, siç janë engjëjt dhe dijetarët, do të thotë se çështja për të cilën ata dëshmojnë është e një rëndësie të veçantë.

[57] Që mohojnë profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), pasi e mësuan atë, prej ithtarëve të Librit, e të tjerë.

[58] Sepse ata kanë humbur vetet e tyre dhe të tjerët, duke u bërë kështu koka të mohimit dhe thirrës të së pavërtetës.

[59] Duke u thelluar edhe më shumë në mohimin dhe veprat e tyre të këqia.

[60] Prej rrugëve të hajrit me anë të së cilës mund të arrijnë kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij me xhenet. Është qëllimi për rrugën e drejtë të Allahut, Islamin.

[61] Dhe ajo është rruga e mohimit që të çon drejt xhehenemit.

[62] Askush nuk mund ta ndalojë Allahu nga kjo gjë, edhe sikur të dëshironte, sepse të gjitha krijesat janë të Tij dhe gjithçka ndodh me urdhrin dhe vullnetin e Tij.

[63] Të të gjitha kombeve dhe kohërave. Allahu urdhëron mbarë njerëzimin që të besojnë të Dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), duke treguar shkakun që e bën të detyruar besimin tek ai, dobinë e këtij besimi dhe dëmin e mosbesimit tek ai.

[64] Me Islamin, fenë të cilën Allahu e zgjodhi për robët e Tij.

[65] Në këtë botë dhe në botën tjetër.

[66] Nëse mohoni, pasojat e mohimit tuaj ju kthehen vetëm juve, kurse Allahun nuk mund ta dëmtoni aspak, sepse mohimi juaj nuk e pakëson aspak sundimin dhe pushtetin e Tij.

[67] Allahu di gjithçka dhe vepron me Urtësinë e Tij absolute. Allahu e di se kush meriton udhëzimin dhe kush meriton humbjen dhe vendos çdo gjë në vendin e vet me urtësinë më të madhe.

 

171. O ithtarët e Librit![68] Mos e teproni në fenë tuaj[69] dhe mos thoni për Allahun veçse të vërtetën![70] Mesihu[71] Isa, biri i Merjemes është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia dërgoi Merjemes, si dhe shpirt nga Ai.[72] Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij dhe mos thoni: “Tre zota (trini)!” Jepini fund kësaj, se është më mirë për ju![73] Allahu është vetëm Një i adhuruar i vetëm.[74] Tepër i Lartësuar është Ai për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.[75] Mjafton Allahu si mbajtës i gjithësisë.[76]

172. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë të qenët rob i Allahut. As engjëjt më të afërm.[77] Ata që e përbuzin adhurimin ndaj Tij dhe bëjnë mendjemadhësi, Ai do t’i ringjallë të gjithë para Vetes.[78]

173. Sa për ata që besojnë[79] dhe punojnë vepra të mira, Ai do t’ua japë shpërblimin të plotë dhe do t’ua shtojë atë nga mirësia e Tij.[80] Kurse ata që përbuzin (adhurimin ndaj Allahut) dhe bëjnë mendjemadhësi, Ai do t’i dënojë me dënim të dhembshëm dhe ata nuk do të gjejnë për vete as mbrojtës dhe as ndihmës tjetër përveç Allahut.[81]

174. Ju, o njerëz! Ju ka ardhur provë bindëse nga Zoti juaj[82] dhe ju kemi zbritur dritë të qartë.[83]

175. Kështu, ata që besojnë Allahun dhe i mbështeten Atij,[84] Ai do t’i fusë në mëshirën dhe mirësinë e Vet[85] dhe do t’i udhëzojë drejt Vetes përmes rrugës së drejtë.[86]

-105-

__________________________________

[68] Janë për qëllim ithtarët e Inxhilit, të krishterët.

[69] Duke kaluar kufijtë e vendosur nga Allahu në lidhje me besimin tek Isai, duke e ngritur atë mbi gradën e profetësisë dhe njerëzores, në gradën e hyjnizimit dhe adhurimit, gjë e cila nuk i përket veçse Allahut.

[70] Mos shpifni gënjeshtër për Allahun, mos flisni pa pasur dije në lidhje me emrat dhe atributet e Allahut, as për ligjet dhe të dërguarit e Tij, por thoni vetëm të vërtetën për Të, siç është fakti që Allahu nuk ka fëmijë dhe se Ai është i pastër nga të pasurit bashkëshorte.

[71] E kemi përmendur më parë që “Mesih” do të thotë: i pastruar nga gjynahet, dikush që Allahu ia ka fshirë gjynahet, e ka bekuar.

[72] Isai u quajt “Fjala e Allahut”, sepse ai u krijua me një Fjalë nga Allahu, me fjalën “Bëhu!”, sepse rasti e tij ka dalë nga shkaqet e zakonshme dhe Allahu e ka bërë atë nga shenjat dhe mrekullitë e krijimit të Tij. Allahu dërgoi engjëllin Xhibril te Merjemja dhe ai fryu në jakën e rrobës së saj. Ajo frymë e zgjuar, e këtij engjëlli të pastër, u fut te Merjemja, dhe nga ajo, Allahu krijoi këtë shpirt të pastër. Pra, Isai nuk u krijua nga sperma e njeriut por nga lëndë shpirtërore, prandaj u quajt “Shpirti i Allahut”. Këto shprehje duhen kuptuar mirë, sepse pikërisht këtu kanë devijuar të krishterët dhe e kanë ngritur Isain më tepër se ç’duhet, madje e kanë madhëruar deri sa e kanë bërë Zot, apo bir Zoti, apo pjesë e Zotit – i treti i të treve. Isai nuk e pranon kurrë këtë gjë dhe Allahu është i Pastër dhe i Lartë nga ajo që i përshkruajnë.

[73] Që t’i jepni fund fjalëve të pavërteta rreth Isait dhe Allahut, dhe që të besoni dhe të thoni vetëm të vërtetën që urdhëron Allahu, është në të mirën tuaj, sepse kështu ju shpëtoni nga dënimi i xhehenemit dhe fitoni xhenetin që Allahu e ka përgatitur për besimtarët e Tij të sinqertë.

[74] Allahu është vetëm një Zot që meriton të gjithë adhurimin, dhe Ai nuk është tre zota, as i treti i të treve, as nuk ka fëmijë dhe as bashkëshorte. Ai është i Pashoq.

[75] Allahu ka krijuar gjithçka, drejton gjithçka, furnizon dhe mban gjithçka, sundon gjithçka dhe nuk ka nevojë të ketë fëmijë që ta ndihmojë në punët e Tij, dhe as nuk ka nevojë për ndihmën e askujt, por përkundrazi, Ai mban gjithçka që ekziston dhe të gjitha krijesat ja kanë nevojën Atij. Nuk mund të ekzistojnë pa Të.

[76] Të gjitha krijesave që gjenden në qiej e në tokë iu mjafton Allahu si mbajtës, furnizues dhe plotësues i çdo nevoje, pa pasur nevojën e askujt tjetër, që në fakt nuk do të ishte i aftë t’ua plotësonte nevojat atyre, sepse do të ishte krijesë për vete dhe do të kishte nevojë për Krijesin e saj.

[77] As engjëjt që Allahu i ka afruar dhe i ka ngritur në gradë mbi krijesat e tjera të Tij, nuk do ta përbuznin të qenët rob të nënshtruar dhe adhurues të Allahut.

[78] Kushdo që e përbuz adhurimin ndaj Allahut dhe nënshtrimin me bindje ndaj Tij, dhe kushdo që bën mendjemadhësi ndaj kësaj, ta dijë se do të ringjallet në ditën e Kiametit si gjithë krijesat e tjera dhe do të japë llogari para Allahut, pastaj do të marrë atë që ka merituar.

[79] Me besimin e vërtetë Islam.

[80] Do t’ua shtojë shpërblimin edhe më shumë nga mirësia e Tij dhe jo nga arritja e veprave të tyre, madje ata as që nuk mund ta imagjinonjnë atë shpërblim të pallogaritshëm që do t’u japë Allahu në xhenet. Kush vepron një të mirë me sinqeritet për Allahun, Allahu ia shpërblen atë dhjetëfish apo më shumë, nga mirësia dhe bujaria e Tij, përmbi shpërblimin e premtuar për veprat e mira.

[81] Nuk do të gjejnë kujt t’i drejtohen për t’i mbrojtur nga dënimi i Allahut dhe për t’i ndihmuar që të shpëtojnë nga dënimi i Tij, askënd prej krijesave, por do të jenë në Dorë të Allahut, i Cili do i lërë ata në dënimin e merituar dhe përçmues të zjarrit të xhehenemit, dhe nuk ka kthim të vendimit të Allahut dhe as ndryshim të ekzekutimit të Tij.

[82] Provë që vërteton rrugën tuaj të gabuar, e ajo provë është i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimit e Allahut qofshin mbi të!), me anë të të cilit Allahu nuk la më asnjë justifikim për ju, duke qenë se ju (ithtarët e Librit) kishit dijeni për të dhe e njihnit atë nga cilësitë e përshkruara në Librat tuaj.

[83] Kuranin, me anë të të cilit ju bëhet e qartë rruga e vërtetë dhe e ndriçuar, e cila ju çon drejt shpëtimit nga dënimi i dhembshëm i Allahut dhe drejt fitores së shpërblimit të Tij dhe arritjes së kënaqësisë së Tij në xhenet.

[84] Ata që besojnë në një Zot të vetëm dhe nuk i bëjnë shok Atij, por mbështeten tek Ai dhe jo te forcat e tyre, duke u kapur për dritën e qartë që Ai ia shpalli të Dërguarit të Tij, Kuranin.

[85] Ata do t’i përfshijë mëshira e Tij, kështu që nuk do të dënohen në zjarr dhe do të përfitojnë nga mirësia e Tij të mirat e xhenetit bashkë me besimtarët e tjerë.

[86] Do t’u japë sukses në gjetjen dhe ndjekjen e rrugës së drejtë e të vërtetë.

 

176. Ata kërkojnë gjykimin tënd (o Muhamed).[87] Thuaju: “Allahu ju përgjigjet në lidhje me çështjen e Kelales (kur dikush vdes pa lënë baba ose fëmijë trashëgimtarë): Nëse vdes një burrë që nuk ka fëmijë por që ka një motër, asaj i takon gjysma e trashëgimisë së lënë nga ai.[88] Kurse ai është i vetmi trashëgues i saj, nëse ajo nuk ka pasur fëmijë.[89] E në qoftë se ai ka dy motra, atëherë të dyjave atyre u takon dy e treta e trashëgimisë. E nëse ka edhe vëllezër edhe motra, atëherë mashkullit i takon sa pjesa e dy femrave. Kështu ju sqaron Allahu, që të mos humbni.[90] Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[91]

SURJA EL MAIDE

(Surja Nr. 5, Medinase, 120 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

1. O besimtarë[92]! Përmbushni marrëveshjet[93]! Ju është lejuar mishi i kafshëve[94], përveç atyre që ju lexohen (në këtë sure) dhe përveç gjahut derisa të jeni në Ihram.[95] Allahu vendos çfarë të dëshirojë.[96]

2. O besimtarë! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut,[97] as të muajit të shenjtë,[98] as të kurbanit,[99] as të kurbanit të shënuar me gjerdan,[100] as të atyre që vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë,[101] duke kërkuar mirësinë e Zotit të tyre[102] dhe kënaqësinë e Tij.[103] Pasi të hiqni Ihramin, mund të gjuani.[104]Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, për shkak se ju penguan të vizitoni Xhaminë e Shenjtë, që t’i kaloni kufijtë (kundrejt tyre)![105] Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqiat[106] dhe jo në gjynahe e armiqësi![107] Kini frikë Allahun, sepse vërtet, dënimi i Allahut është i ashpër.[108]

-106-

____________________________________

[87] Në lidhje me dikë që vdes dhe nuk lë baba ose fëmijë që ta trashëgojnë.

[88] Nëse dikush vdes dhe nuk ka fëmijë, meshkuj apo femra, as nipër e mbesa dhe as babë apo gjysh, por që ka një motër prej babe e nëne ose vetëm prej babe, atëherë gjysma e trashëgimisë së lënë nga ai, i takon motrës së tij, kurse pjesa tjetër i takon të afërmve të tjerë të tij që janë asabe (mashkullit më të afërm nga gjaku me të vdekurin).

[89] Dhe anasjelltas, nëse vdes motra para tij dhe nuk lë fëmijë apo prindër trashëgimtarë, atëherë ai e merr të gjithë pasurinë e trashëguar nga ajo.

[90] Që të mos devijoni nga e drejta në ndarjen e trashëgimisë dhe të mos gaboni në të. Për rëndësinë e madhe që ka trashëgimia për njeriun dhe për delikatesën e saj, Allahu e ka bërë Vetë ndarjen e saj në hollësi, me ligj Hyjnor të pacënueshëm dhe të padiskutueshëm, që nuk lejohet të shkelet nga askush.

[91] Allahu e di më së miri se çfarë është e mirë për robët e Tij dhe çfarë jo, dhe Ai e di se cila është më e mira për ta në mënyrën e ndarjes së trashëgimisë dhe në çdo çështje tjetër, dhe Ai i vendos ligjet me dijen dhe urtësinë e Tij absolute.

[92] Ju, që keni besuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe gjithçka që ka ardhur nga Allahu.

[93] Të gjitha marrëveshjet, qoftë ato që keni lidhur me Allahun, për të adhuruar vetëm Atë dhe për t’ju bindur dhe nënshtruar urdhrave të Tij në mënyrën më të plotë, apo marrëveshjet e lidhura me njerëzit dhe detyrimet ndaj tyre.

[94] Të gjitha kafshëve të buta e të egra, me përjashtim të atyre që ndalohen në këtë sure, në ajetin nr. 3, dhe të atyre që i ka ndaluar Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), me urdhër të Allahut, sepse ai nuk ndalon asgjë nga vetja e tij, siç është mishi i kafshëve dhe shpendëve mishngrënëse (si luani, tigri, ujku, qeni, shqiponja, etj.).

[95] Allahu e ka ndaluar për myslimanin që ka veshur rrobën e bardhë të Ihramit dhe që ka bërë nijetin për Haxh apo për Umra në Meke, që të gjuajë dhe të hajë nga mishi i asaj që gjuan. Por nëse dikush tjetër që nuk është muhrim (në Ihram), ka kapur gjah për veten e vet dhe i jep të hajë prej tij ndonjë muhrimi që ndesh rastësisht, kjo lejohet.

[96] Dhe të gjitha vendimet dhe ligjet e Allahut janë në përputhje me urtësinë e Tij absolute.

[97] Simbolet e Allahut janë shenjat që Allahu i ka vendosur për të treguar bindjen ndaj Tij, ndalesat e Allahut, ritet e pelegrinazhit, ndalesat e Ihramit, haremi i Allahut (vendet e shenjta). Besimtarët ndalohen nga cenimi i shenjtërisë së këtyre simboleve dhe nga shkelja e tyre, qoftë duke besuar lejueshmërinë e tyre apo duke i shkelur ato me veprat e tyre.

[98] Mos e cenoni shenjtërinë e katër muajve të shenjtë të Allahut, duke luftuar në këto muaj apo duke bërë padrejtësi të tjera në to [Shiko ajetin 217, të sures el bekare]. Më hollësisht për muajt e shenjtë dhe shenjtërinë e tyre do të flitet në suren “Et Teube”.

[99] Është për qëllim kurbani i dedikuar Allahut për t’u flijuar në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, në Meke. Allahu ndalon që të shkelet shenjtëria e këtyre kurbaneve, qoftë me pengimin e arritjes së tyre në Meke, apo me vjedhjen apo me dëmtimin e tyre.

[100] Kurbanet e shënuara duke u vendosur gjerdan në qafë me qëllim që të shfaqen simbolet e Allahut dhe ajo kafshë të respektohet. Kur pelegrini e shënon kurbanin e tij që do e sakrifikojë në Meke, ai menjëherë hyn në Ihram dhe duhet të veshë rroben e bardhë të Ihramit.

[101] Mos e cenoni shenjtërinë e vizitorëve të Kabes, as me fyerje e ofendim, por i respektoni dhe i nderoni ata. Këtu përfshihet edhe sigurimi i rrugës së tyre për në Meke, që të mos cenohen rrugës nga asnjë dëmtim njerëzor.

[102] Të bëjnë tregti të lejuar dhe të fitojnë nga ajo, si mirësi nga Allahu që ua ka lejuar këtë gjë edhe kur shkojnë për pelegrinazh.

[103] Me kryerjen e riteve të pelegrinazhit ashtu si ka urdhëruar Allahu dhe si ka vepruar i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[104] Pas heqjes së Ihramit, pelegrinit i lejohet të gjuajë kafshët e steres, gjë e cila i ndalohej gjatë Ihramit për kuptime të tjera që kanë të bëjnë me shenjtërimin e simboleve të Allahut, prej të cilave edhe Ihrami.

[105] Allahu i ndalon besimtarët nga padrejtësia dhe nga tejkalimi i kufijve të Tij edhe kundrejt atyre që i kanë penguar nga vizita e Shtëpisë së Shenjtë për Haxh apo Umra, edhe nëse ata u kanë bërë padrejtësi besimtarëve. Besimtarët janë të drejtë dhe ndjekin urdhrat dhe ligjet e Allahut në çdo rast dhe ndaj çdo individi, pa marrë parasysh emocionet dhe dëshirat e tyre vetjake.

[106] Ndihmojeni njëri-tjetrin për të kryer urdhrat e Allahut dhe për t’ju ruajtur ndalesave të Tij.

[107] Mos e ndihmoni dhe mos e përkrahni njëri-tjetrin në mëkate dhe lënie të urdhrave të Allahut, dhe as në tejkalimin e kufijve të Allahut duke cenuar të drejtat e të tjerëve.

[108] Kini frikë Allahun dhe ruani urdhrat dhe ndalesat e Tij, sepse dënimi i Allahut është vërtetë i ashpër ndaj atyre që thyejnë urdhrat e Tij dhe që shkelin ndalesat dhe simbolet e Tij.

 

3. Ju është ndaluar e ngordhura[109], gjaku,[110] mishi i derrit,[111] ajo që theret jo në emër të Allahut,[112] kafsha e mbytur[113], kafsha e ngordhur nga goditja[114], kafsha e ngordhur nga rrëzimi nga lartësia, kafsha e ngordhur nga brirët e kafshëve të tjera, kafsha e ngrënë nga egërsirat[115] – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin,[116] si dhe kafsha e therur mbi idhuj.[117] Ju ndalohet gjithashtu kërkimi i njohjes së fatit me short.[118] Të gjitha këto janë dalje nga bindja ndaj Allahut.[119] Sot,[120] ata që nuk besojnë e humbën çdo shpresë për t’ju larguar nga feja tuaj,[121] prandaj mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë vetëm prej Meje![122] Sot jua përsosa fenë tuaj[123], e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.[124] Por nëse dikush detyrohet nga uria,[125] pa anuar nga gjynahu,[126] padyshim se Allahu është Falës, Mëshirëplotë.[127]

4. Të pyesin ty (o Muhamed) çfarë ju lejohet atyre (nga ushqimet)? Thuaju: “Ju lejohet çdo ushqim i mirë[128] dhe ato që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur për gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu.[129] Pra, hani atë që e zënë për ju, dhe përmendni emrin e Allahut![130] Kini frikë Allahun! Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari.[131]

5. Sot u lejuan për ju gjërat e mira e të pastra.[132] Edhe ushqimet (të therurat) e atyre që u është dhënë Libri janë të lejuara për ju, dhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata.[133] Ju janë lejuar gjithashtu femrat e lira e të ndershme besimtare (muslimane) dhe femrat e lira e të ndershme prej atyre që u është dhënë Libri para jush[134], nëse ju u jepni dhuratën e martesës (mehrin), duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. E Kushdo që mohon besimin,[135] veprat e tij asgjësohen menjëherë dhe në jetën tjetër ai do të jetë prej të humburve.[136]

-107-

________________________________

[109] Allahu e ka ndaluar ngrënien e mishit të kafshës së ngordhur, kafshës së cilës i ka dalë shpirti pa u therur dhe që nuk i ka dalë gjaku bashkë me daljen e shpirtit. Por karkaleci dhe peshku janë përjashtuar nga ky gjykim, dhe janë lejuar të hahen, siç ka ardhur një gjë e tillë në hadithet e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[110] Gjaku i derdhur i kafshës është i ndaluar. Padyshim se ai përmban sëmundje e dëme për njeriun, të cilat Allahu i di më së miri, ndaj edhe e ka ndaluar atë me Dijen dhe Urtësinë e Tij.

[111] Të butë dhe të egër, që të dy janë të ndaluar të hahen, dhe nuk është e vërtetë ajo që pretendojnë Ithtarët e Librave të mëparshëm prej hebrenjve dhe të krishterëve, se Allahu ua ka lejuar atyre ngrënien e mishit të derrit, prandaj edhe e ka theksuar këtu. Mishi i derrit është nga gjërat e ndyta, të këqija e të dëmshme, të cilat Allahu i ka ndaluar për besimtarët.

[112] D.m.th. që është therur në emër të idhujve, apo njerëzve të mirë, yjeve, etj, gjë e cila është shokvënie Allahut (shirk).

[113] Me lak apo me dorë duke i shtrënguar fytin deri sa të ngordhë. Nuk lejohet të hahet sepse nuk i ka dalë gjaku bashkë me shpirtin.

[114] Me shkop, gurë apo diçka tjetër të rëndë, që nuk e çan por e shëmb. As kësaj nuk i del gjaku me daljen e shpirtit, prandaj nuk lejohet.

[115] Nëse kafsha ngordh nga kafshimi i egërsirave, ajo nuk lejohet të hahet. Këtu pëfshihen edhe kafshët apo zogjtë e gjyetisë.

[116] Nëse kafsha që i ballafaqohet ngordhjes, theret para se të ngordhë, atëherë lejohet të hahet.

[117] Apo për idhuj dhe në emër të tyre. Thuhet gjithashtu se mund të jenë për qëllim therja e kurbaneve mbi disa gurë të caktuar dhe lyerja e tyre me gjakun e kurbaneve si madhërim për ata gurë.

[118] Në kohën e injorancës paraislamike, kur dikush donte të ndërmerrte një udhëtim apo një luftë, a diçka tjetër, hidhte short me disa kupa të posaçme, ku në njërën prej të cilave shkruhej “bëje”, në një tjetër “mos e bëj” dhe një e tretë ishte pa shënim në të. Nëse i qëllonte kupa ku shkruhej “bëje”, ata vazhdonin atë që kishin ndërmarrë, e në të kundërt, jo. Ky lloj falli apo shorti u ndalua sepse ai u bë sikur të ishte ndarësi i fatit të tyre. Në vend të këtij shorti, Allahu i mësoi të Dërguarit të Tij namazin dhe lutjen e quajtur “Istihara”, dhe i dërguari ua mësoi atë besimtarëve, për t’ju lutur Allahut që t’ju japë zgjidhjen më të mirë në një çështje të caktuar para se ata ta ndërmarrin atë.

[119] Të gjitha ndalesat që u përmendën më sipër janë dalje nga bindja ndaj Allahut në bindjen ndaj djallit.

[120] Këto ajete iu shpallën të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), në ditën e Arafatit, në vitin kur ai bëri haxhin për herë të fundit në jetën e tij.

[121] Mohuesit dhe idhujtarët i humbën të gjitha shpresat që kishin për t’i kthyer muslimanët nga feja e tyre në idhujtari e mohim të fesë së Allahut. Këtë vit, në të cilin i Dërguari i Allahut bëri haxhin e tij të lamtumirës, asnjë idhujtar nuk bëri haxh dhe asnjë i zhveshur nuk bëri tavaf rreth Kabes, ashtu si bënin më parë.

[122] Mos ju trembni idhujtarëve dhe mohuesve të Islamit, o besimtarë, sepse ata nuk mund të triumfojnë mbi ju, por të më keni frikën vetëm Mua, që të mos kundërshtoni urdhrin Tim dhe të mos tejkaloni kufijtë e Mi, përndryshe do të meritoni dënimin Tim.

[123] Urdhrat dhe ndalesat, hallallin dhe haramin, bazat dhe degët, dhe çdo gjë që ju nevojitet në fenë dhe në të gjitha lëmitë e jetës suaj, në dynja dhe në botën tjetër; të gjitha këto jua kam sqaruar në Kuran dhe në Sunetin (traditën) e të Dërguarit Tim. Prej këtu, kushdo që pretendon se njeriu ka nevojë të mësojë filozofinë apo shkenca të tjera për të njohur gjërat që lidhen me besimin dhe me ligjet e Allahut, ai është injorant dhe i gabuar në pretendimin e tij, sepse ai pretendon që feja nuk plotësohet veçse me atë që thotë ai, dhe kjo është prej padrejtësisë dhe përgënjeshtrimit më të madh ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[124]E zgjodha Islamin si fenë tuaj dhe ju zgjodha ju që të jeni ithtarët e tij, prandaj praktikojeni atë plotësisht në mënyrë që kështu të falënderoni Zotin tuaj për të gjitha mirësitë e Tij ndaj jush, më e madhja e të cilave, ajo që Ai jua zgjodhi Islamin si fenë tuaj, jua plotësoi atë me zbritjen e Kuranit dhe të Dërguarit të Tij të fundit, dhe ju bëri muslimanë. Islami është feja e të gjithë të Dërguarve të Allahut, por me dërgimin e Muhamedit ai u plotësua përfundimisht, dhe përveç plotësimit, ai pastroi pluhurin dhe sqaroi devijimin që i ishte bërë atij nga ithtarët e Librave të mëparshëm prej hebrenjve dhe të krishterëve.

[125] Dhe ha diçka prej atyre që u ndaluan më sipër.

[126] Pa pasur për qëllim të shkelë ndalesat e Allahut.

[127] Ia mbulon këtë gjynah këtij personi të detyruar në këtë rast, ia fal atij atë dhe nuk e dënon për të në botën tjetër, sepse Allahu është Mëshirëplotë dhe nga mëshira e Tij, Ai e ka lejuar ngrënien e të ndaluarave kur të kanoset vdekja nga uria.

[128] Çdo ushqim i dobishëm apo i shijshëm, që nuk e dëmton shëndetin fizik apo mendor të njeriut. Prej këtu, të gjitha ato ushqime apo lëndë të ndryshme që e dëmtojnë shëndetin fizik apo mendor të njeriut, janë haram, të ndaluara në Islam.

[129] Gjahu i zënë nga kafshët apo shpendët e gjuetisë që janë të mësuara dhe të stërvitura për gjah, është i lejuar që të hahet, përderisa ato nuk e zënë gjahun për ta ngrënë vet, por e zënë për padronin e tyre, duke mos ngrënë prej mishit të tij. Nga ajeti përfitohet gjithashtu lejimi i mbajtjes së qenve të gjyetisë, kurse mbajtja e qenëve pa nevojë është e ndaluar në Islam, siç thuhet në hadithet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem).

[130] Allahu i mëson njerëzit që përdorin kafshë gjuetie, që t’i stërvisin kafshët e tyre se si të gjuajnë për ta dhe të mos hanë nga gjahu, si dhe të përmendin emrin e Allahut (të thonë “Bismilah”) kur i lëshojnë kafshët e gjuetisë. Prej rregullave që duhet të dijnë gjuetarët është gjithashtu se nëse kur arrijnë te gjahu, e ai është ende gjallë, duhet ta therin atë në mënyrë që të lejohet ngrënia e mishit të tij. Po kështu, kusht për lejimin e ngrënies së gjahut është që ai të ketë ngordhur nga çarja e dhëmbëve të kafshës së gjahut apo nga shtiza apo shigjeta, ose arma e gjyetarit, e cila e ka çare gjahun dhe i ka nxjerrë gjakun atij, përndryshe, nëse gjahu ka ngordhur nga ndonjë rrëzim apo faktor tjetër si ato që u përmendën në ajetin para këtij, mishi i tij nuk lejohet të hahet. Vërtet që Allahu me mirësinë e Tij e ka zgjeruar së tepërmi rrethin e të lejuarës për njerëzit, dhe kjo vërehet edhe te lejimi i ngrënies së gjahut të zënë nga kafshët e gjuetisë.

[131] Ruajuni ndalesave të Allahut dhe përmbajuni ligjeve të Tij, qoftë në lidhje me hallallin dhe haramin në ushqim apo në çdo gjë tjetër, sepse Allahu llogarit shpejt gjithçka që ju veproni dhe ju merr në llogari për to, pastaj ju jep atë që meritoni prej shpërblimit apo dënimit të Tij.

[132] Prej kafshëve të lejuara që i therni apo që i zini gjah, dhe prej ushqimeve të mira e të dobishme. Kurse ushqimet e dëmshme dhe të ndyta janë haram në Islam.

[133] Allahu na e ka lejuar ngrënien e mishit të kafshës së therur nga ithtarët e Librit, prej hebrenjve dhe të krishterëve, dhe na e ka ndaluar mishin e therur nga mohuesit e Islamit apo idhujtarët e tjerë të çdo feje qofshin. Kjo sepse ithtarët e Librit i anëtarësohen besimit në të Dërguarit e Allahut dhe në Librat e shpallur nga Ai, dhe të gjithë të Dërguarit e Allahut u kanë mësuar popujve të tyre se therja në emër të dikujt apo diçkaje tjetër përveç Allahut është shirk (idhujtari, shokvënie Allahut). Ajeti ka për qëllim të therurat e ithtarëve të Librit dhe jo ushqimet e tjera, pasi që këto të fundit janë të lejuara për muslimanët edhe nëse merren nga idhujtarët e çdo besimi qofshin, përderisa në origjinë janë gjëra të lejuara në Islam. Myslimanit i lejohet t’i japë apo t’i shesë ithtarëve të Librit nga ushqimet dhe të therurat e tij.

[134] Prej hebrenjve dhe të krishterëve. Me këtë ajet i bëhet një përjashtim ajetit 221, të sures Bekare, ku thuhet: “Mos u martoni me idhujtaret, deri sa ato të besojnë.” Nga ajeti kuptohet se martesa me femrat robëresha është e ndaluar, edhe nëse ato janë besimtare myslimane, me përjashtim të dy rasteve: kur dikush nuk ka mundësi materiale që të martohet me femër të lirë besimtare dhe kur dikush i druhet rënies në kurvëri nëse nuk martohet me atë robëreshë, siç e pamë në ajetin 25, të sures En Nisa. Kurse martesa me robëreshë çifute apo të krishtere nuk lejohet në asnjë rast. Po kështu nuk lejohet në asnjë mënyrë martesa me prostituta, myslimane qofshin apo të çdo feje tjetër, sepse Allahu thotë: “Laviri nuk mund të martohet veçse me lavire apo idhujtare, dhe laviren nuk mund ta marrë veçse një lavir apo një idhujtar. Kurse për besimtarët, kjo është e ndaluar.” [En Nur, 3].

[135] Kushdo që mohon ato që Allahu ka urdhëruar të besohen, prej Njësimit të Tij, profetësisë së Muhamedit dhe të gjithçkaje me të cilën Allahu e ka dërguar atë.

[136] Shpërblimi për veprat e mira që ka bërë në dynja ky njeri, do të anullohet në botën tjetër, dhe atje ai do të jetë nga të humburit dhe të mjeruarit, për shkak të mohimit të Muhamedit dhe veprës jo në bindje ndaj Allahut. Duket sikur këtu janë për qëllim më shumë ithtarët e Librit, prej hebrenjve dhe të krishterëve.

 

6. O besimtarë![137]Kur të ngriheni për të falur namaz,[138] lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje.[139] E nëse jeni të papastër (xhunub),[140] pastrohuni (duke u larë krejtësisht)![141] Por, në qoftë se jeni të sëmurë ose gjendeni në udhëtim,[142] ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë synoni diçka të sheshtë e të pastër që gjendet mbi tokë[143] dhe fërkoni fytyrat e duart me të.[144] Allahu nuk dëshiron t’ju ngarkojë ndonjë vështirësi,[145] por dëshiron t’ju pastrojë[146] dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush,[147] që të jeni falënderues (të Tij).

7. Kujtoni dhuntinë e Allahut ndaj jush dhe besën që ka marrë nga ju, kur thatë: “Dëgjuam dhe u bindëm!”[148] Pra, kini frikë Allahun[149]! Vërtet, Allahu di se ç’fshihet në gjokse.[150]

8. O besimtarë! Të jeni dëshmues dhe zbatues të drejtësisë për Hir të Allahut dhe të mos ju nxisë urrejtja ndaj dikujt për të bërë padrejtësi.[151] Mbani drejtësi, se kjo është më afër devotshmërisë![152] Dhe kini frikë Allahun![153] Pa dyshim, Allahu është Njohës i thellë i gjithçkaje që ju veproni.[154]

9. Allahu u ka premtuar falje (të gjynaheve) dhe shpërblim të madh të gjithë atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.[155]

-108-

__________________________________

[137] Ju, që keni besuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe gjithçka që ka ardhur nga Allahu.

[138] Kur të ngriheni për të falur namaz, qoftë të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), vullnetar apo namazin e xhenazes, duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.

[139] Ajeti rendit pjesët e trupit që duhen larë gjatë pastrimit të posaçëm (abdes) për të falur namaz, kurse tradita profetike sqaron në hollësi mënyrën e marrjes së abdesit, duke filluar me larjen e duarve së pari, pastaj me shpëlarjen e gojës dhe të hundës, të cilat përfshihen në fytyrë, pastaj me larjen e fytyrës, pastaj me larjen e parakrahëve deri në bërryla duke filluar me të djathtin, të gjitha këto duke i larë nga tre herë. Pastaj fërkon kokën me njërën ose me të dyja duart e lagëta dhe në fund lan këmbët deri në kyçe duke filluar me larjen e këmbës së djathtë pastaj të së majtës.

[140] Është fjala për papastërtinë e madhe, xhunubllëkun; gjendjen e njeriut pas marrëdhënieve intime apo pas daljes së spermës në çdo mënyrë që të ndodhë, zgjuar apo në gjumë.

[141] Pastrohuni me pastrimin e madh; merrni gusël, duke larë të gjithë trupin me ujë të pastër.

[142] Dhe ju ndodh të bëheni xhunub, duke ju dalë sperma nga ëndërrimi në gjumë apo duke qenë zgjuar.

[143] Ndonjë pllakë, gurë, apo dhe të pastër që gjendet mbi sipërfaqen e tokës.

[144] Nga mëshira e Allahut për robët e Tij, ua ka lehtësuar atyre praktikimin e fesë dhe kryerjen e obligimeve të tyre fetare. Kjo vërehet edhe në këtë ajet, ku Allahu i lejon besimtarëve që të përdorin dheun e pastër për pastrim simbolik, në vend të larjes së trupit (guslit) dhe abdesit, kur ngrihen për t’u falur dhe nuk gjejnë ujë për t’u pastruar. Ky pastrim simbolik quhet “Tejemmum” dhe bëhet thjesht duke fërkuar shuplakat e duarve mbi dhe të pastër dhe pastaj me to të fërkohet fytyra dhe pastaj duart me njëra-tjetrën, deri në kyçe. Marrja e Tejemumit në vend të guslit apo abdesit lejohet vetëm në rast sëmundje, gjatë së cilës përdorimi i ujit do e përkeqësonte atë, si dhe në rast se gjendesh në udhëtim e sipër dhe nuk gjen ujë, apo uji që të ndodhet është i mjaftueshëm vetëm për të pirë gjatë udhëtimit.

[145] Me urdhrin për pastrim të përgjithshëm të trupit (gusël) apo të pjesshëm (abdes), prandaj edhe ua ka bërë këto lehtësime në kryerjen e obligimeve fetare, duke marrë në konsideratë gjendjen tuaj.

[146] Trupin e jashtëm nga papastërtitë, dhe shpirtin nga gjynahet.

[147] Prej të cilave edhe lejimi i marrjes Tejemum në vend të guslit ose abdesit, kur nuk gjen ujë apo nuk mund ta përdorësh atë për shkak të sëmundjes.

[148] Allahu i drejtohet besimtarëve që të kujtojnë mirësitë e Tij, fetare dhe materiale, sepse kështu ata e falënderojnë Atë, si dhe të kujtojnë besën që i kanë dhënë Allahut me hyrjen në Islam, me besimin tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, gjë e cila bën të detyrueshme bindjen ndaj tyre, prandaj thotë: “kur thatë: “Dëgjuam dhe u bindëm”, d.m.th. dëgjuam ajetet e Tua kuranore, pamë shenjat e tua në gjithësi dhe t’u bindëm Ty në gjithçka që na urdhëron apo na ndalon. Duke kujtuar vazhdimisht besën e dhënë Allahut, besimtarët do i zbatojnë me përpikmëri ato për të cilat janë urdhëruar dhe do t’u largohen atyre nga të cilat janë ndaluar.

[149] Vazhdimisht, në gjithçka dhe në të gjitha gjendjet, dhe mos e thyeni kurrë besën që Ai ka marrë nga ju, o besimtarë!

[150] Allahu e di në hollësi se ç’fshehin zemrat e robërve të Tij, dhe Ai e di se kush është besimtar i sinqertë dhe kush jo, prandaj mos guxoni të fshehni mosbindjen ndaj Tij në zemrat tuaja dhe të shprehni të kundërtën me fjalët dhe veprat tuaja.

[151] Allahu i urdhëron besimtarët që të zbatojnë drejtësinë dhe urdhrat e Tij në të gjitha gjendjet dhe rastet, dhe këtë ta bëjnë vetëm për Hir të Allahut dhe jo për ndonjë interes personal apo duke qenë të njëanshëm në dëshmi për shkak të afërsisë së gjakut apo armiqësisë ndaj dikujt, sepse Allahu nuk e do padrejtësinë dhe i ndëshkon të padrejtët. [Kthehu në ajetin 135, të sures en Nisa].

[152] Mbani drejtësi ndaj çdokujt prej njerëzve, qoftë mik apo armik, sepse drejtësia ju bën më të devotshëm ndaj Allahut dhe më të ruajtur nga shkelja e ndonjë urdhri të Tij apo kryerja e ndonjë ndalese të Tij. Kurse padrejtësia çon në të kundërtën e devotshmërisë ndaj Allahut, sepse ajo çon në shkeljen e urdhrave të Allahut dhe në kryerjen e ndalesave të Tij.

[153] Veproni drejt ashtu si ka urdhëruar Allahu, në çdo vepër e fjalë, vend e kohë, rast e gjendje, përndryshe do të meritoni ndëshkimin e Tij.

[154] Dhe ua regjistron të gjitha ato, për t’ju dhënë shpërblimin e merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër, prandaj ruajuni Atij dhe përmbajuni ligjeve të Tij.

[155] Atyre që besojnë Allahun, të gjithë të Dërguarit e Tij, Librat e Tij dhe botën tjetër, si dhe bëjnë vepra të mira që burojnë nga ky besim, ashtu si i ka urdhëruar Allahu, këtyre Allahu u ka premtuar falje të gjynaheve dhe shpërblim të madh, madhësinë e të cilit nuk e di veçse Allahu i Madhëruar, e Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e Vet.

 

10. Kurse ata që nuk besojnë dhe i mohojnë provat tona, ata janë banorët e zjarrit.[156]

11. O besimtarë! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush edhe kur një popull tentoi të zgjaste duart mbi ju, por Allahu i pengoi duart e tyre nga ju.[157] Kini frikë Allahun dhe vetëm Allahut t’i mbështeten besimtarët![158]

12. Allahu u pati marrë besën bijve të Israilit, dhe prej tyre dërguam dymbëdhjetë mbikëqyrës.[159] Allahu u tha atyre[160]: “Unë jam me ju![161] Në qoftë se do e kryeni namazin, do e jepni zekatin, do i besoni të dërguarit e Mi dhe do i ndihmoni ata[162], si dhe do i jepni Allahut hua të mirë[163], patjetër që Unë do t’jua shlyej gjynahet dhe do t’ju fut në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj.[164] Por, kushdo që mohon prej jush pas kësaj, ai, domosdo, e ka humbur rrugën e drejtë.[165]

13. Por, për shkak se ata e thyen besën e tyre, Ne i mallkuam dhe ua ngurtësuam zemrat.[166] Ata shtrembërojnë fjalët nga konteksti i tyre[167] dhe një pjesë të mirë të atyre që u thuheshin e kanë harruar.[168] Ti (Muhamed) vazhdimisht do ta vëresh pabesinë e tyre, përveç një pakice prej tyre;[169] por fali ata dhe mos ua vë re, sepse vërtet, Allahu i do bamirësit.[170]

-109-

_________________________________

[156] Ata që e mohojnë Allahun apo diçka nga ato që kanë ardhur prej Tij, si dhe përgënjeshtrojnë provat e Allahut që argumentojnë të vërtetën e qartë e të sigurtë, këta do të jenë banorët e përhershëm të zjarrit të xhehenemit, nga ku nuk do të dalin kurrë.

[157] Allahu u kujton besimtarëve mirësitë e Tij, në mes të të cilave edhe asgjësimin e kurtheve të armiqve dhe pengimin e tyre nga arritja e dëmtimit të muslimanëve, në mënyrë që muslimanët të falënderojnë Allahun për të gjitha këto mirësi. Sigurisht që mirësia e pengimit të armiqve të muslimanëve nga dëmtimi dhe luftimi i tyre është e përgjithshme, në çdo vend e kohë, por në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, ka disa mendime në mesin e dijetarëve të tefsirit, ku secili bazohet në transmetime të ndryshme, që kanë të bëjnë në përgjithësi me dështimin e hebrenjve apo të idhujtarëve, kur tentonin që të vrisnin të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij bashkë me të, e ndoshta këtu është pikërisht për qëllim shpëtimi që Allahu i bëri të Dërguari të Tij dhe besimtarëve që ishin bashkë me të te hebrenjtë e fisit Beni Nadir, ku shkuan për të paguar gjakun e një burri që vrau Amër ibën Umejje, sepse ajetet në vijim do të flasim pikërisht kundër hebrenjve dhe do i kërkohet profetit që t’i falë ata. (Tefsiri i Taberiut, Zadul Mesir i Ibnul Xheuzi, Tefsiri i Es Seadi).

[158] Kini frikë Allahun, o besimtarë, dhe mos e shkelni besën që i keni dhënë Atij, dhe vetëm tek Allahu mbështetuni në të gjitha çështjet tuaja të fesë dhe të dynjasë, dhe jo në forcat tuaja, e padyshim se kushdo që i mbështetet Allahut, Allahu i mjafton atij, e mbron atë dhe e ndihmon gjithnjë. Mbështetja tek Allahu është nga detyrimet e zemrës së besimtarit dhe ajo ndryshon në gradë nga një besimtar te tjetri në varësi të forcës së besimit.

[159] Allahu u pati marrë besën hebrenjve prej bijve të Israilit (Jakubit, alejhis selam), në Teurat (Dhiata e Vjetër) se ata do t’i bindeshin Atij, do t’i besonin të gjithë të Dërguarit e Tij dhe do t’i ndiqnin ata, siç thuhet edhe në vazhdim të ajetit. Dhe për t’i kujtuar vazhdimisht me këtë besë, Allahu u caktoi atyre 12 mbikëqyrës e përfaqësues, që t’i shtynin në zbatimin e asaj që ishin urdhëruar dhe që të ishin dëshmitarë kundër tyre. Dijetarët e Tefsirit përmendin këtu disa transmetime ku thuhet se në kohën kur Allahu urdhëroi Musën (alejhis selam) të shkonte bashkë me popullin e vet në tokën e shenjtë, e cila banohej nga tiranët, i tha atij: “Shko atje dhe lufto armiqtë që gjenden në të. Zgjidh 12 përfaqësues nga populli yt, nga çdo fis nga një përfaqësues, me qëllim që të jetë garantues se fisi i tij do e përmbushte atë që urdhërohej.”

[160] Mbikëqyrësve dhe të gjithë bijve të Israilit.

[161] Unë jam me ju, me ndihmën dhe me përkrahjen Time kundër armikut tuaj dhe armikut Tim, që ju urdhërova t’i luftoni, nëse ju e përmbushni besën që më keni dhënë.

[162] Të gjithë të Dërguarit e Allahut pa përjashtim, mes të cilëve edhe vulën e tyre, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut!). Allahu i urdhëron ata që t’i besojnë të gjithë të dërguarit e Tij dhe gjithçka me të cilën ata kanë ardhur nga Allahu, t’i madhërojnë ata, t’i respektojnë, tu binden atyre dhe t’i ndihmojnë ata me të gjitha mundësitë, me pasuritë dhe me jetët e tyre.

[163] Jepni lëmoshë në mënyrë vullnetare nga pasuria e pastër dhe e lejuar, vetëm për Hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. E kemi sqaruar më parë, në ajetin 245, të sures el Bekare, domethënien e “Huasë së mirë” dhe thamë se ajo është shpenzimi nga pasuria e pastër dhe e lejuar me të cilën kërkohet të arrihet kënaqësia e Allahut të Madhëruar, duke e shpenzuar atë në rrugë të hajrit, dhe se askush që ka logjikë nuk thotë se Allahu ka nevojë për hua nga njerëzit, ashtu siç thanë hebrenjtë, sepse çdo gjë që ekziston është pronë e Allahut. Këtu mund të përfshihet edhe ndalesa nga borxhi me kamatë, gjë me të cilën u dalluan dhe dallohen sot hebrenjtë, duke i hapur luftë Allahut dhe duke e çuar njerëzimin në kriza ekonomike për shkak të përlyrjes së tyre me kamatën. Allahu i urdhëron bijtë e Israilit dhe pasardhësit e tyre që të japin zekatin e detyruar, lëmoshë vullnetare dhe borxh pa kamatë, dhe padyshim se në dhënien e borxhit pa kamatë ka shpërblim tek Allahu i Madhëruar.

[164] Në qoftë se ata do e përmbushnin besën e dhënë Allahut, duke i zbatuar këto që u përmendën më sipër, Allahu do ia falte dhe do ia shlyente gjynahet atyre, duke mos i ndëshkuar për to, dhe do i fuste në kopshtet e xhenetit, ku do jetonin përgjithmonë, dhe Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, por janë ata që e thyen besën e tyre që i dhanë Allahut, megjithëse secili është peng e veprës së vetë dhe përderisa vazhdon të jetë i gjallë në këtë botë, e ka mundësinë para vetes që të pendohet tek Allahu dhe t’i kthehet besës së dhënë Atij, duke besuar Allahun dhe të gjithë të dërguarit e Tij, mes të cilëve edhe Muhamedin padyshim. Pra, të pranonte Islamin dhe gjithçka me të cilën Muhamedi ka ardhur nga Allahu.

[165] Kushdo prej hebrenjve që e mohon besën e dhënë Allahut për besimin e Tij dhe të dërguarve të Tij, si dhe për bindjen ndaj urdhrave të Tij dhe të dërguarve të Tij, gjë për të cilën ata do të kishin shpërblim të madh te Allahu, ashtu si u ka premtuar Allahu besimtarëve të Tij, padyshim se ata e kanë humbur rrugën e drejtë me vetëdije të plotë, kështu që do të marrin ndëshkimin e merituar. Dhe ashtu ndodhi, siç e vërteton ajeti në vazhdim.

[166] Por bijtë e Israilit dhe pasardhësit e tyre prej hebrenjve, e thyen besën e dhënë Allahut, dhe si rezultat merituan ndëshkimin e Tij; Allahu i mallkoi ata, i nxori dhe i largoi nga mëshira e Tij, i ngurtësoi zemrat dhe i ashpërsoi ato duke i bërë që të mos u bëjnë dobi këshillat, paralajmërimet dhe provat e Allahut; sa që nuk ka gjë që t’i bëjë për vete apo që t’i frikësojë nga dënimi i Allahut, e ky është ndëshkimi më i madh që mund t’i bëhet njeriut në këtë botë; të ketë një zemër të tillë, që nga udhëzimi dhe e mira të mos nxjerrë e përfitojë veçse të keqen. Dhe padyshim që në një zemër të tillë nuk ekziston pikë mëshire për krijesat e Allahut, gjë te cilën e shohim qartë në veprat dhe fjalët e hebrenjve, në çdo kohë e vend, prandaj edhe njerëzit që i njohin dhe që i kanë pasur pranë, nuk duan t’i kenë në shtetin e tyre, madje as në kontinentin e tyre, sepse ata nuk kanë zemër njeriu por janë zemërgurë, që mendojnë vetëm për vete në llogari të gjithë njerëzve apo krijesave të tjera.

[167] Ndryshojnë fjalët ose kuptimin dhe interpretimin e teksteve të Teuratit, ose të dyja këto së bashku.

[168] Ata harruan dhe humbën një pjesë të asaj që Allahu i shpalli Musës (alejhis selam) në Teurat (Dhiata e Vjetër), si ndëshkim për ta. Por kjo ka edhe kuptimin figurativ, me kuptimin se harruan besimin dhe zbatimin e një pjesë të mirë të asaj që thuhej në Teurat, dhe këtu përfshihet edhe mohimi i disa të dërguarve të Allahut që erdhën pas Musës (alejhis selam), siç është Isai dhe profeti ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi te gjithë të dërguarit e Allahut!).

[169] Hebrenjtë janë të pabesë dhe kjo është cilësi e tyre e pandarë, me përjashtim të ndonjë pakice që udhëzon Allahu me mëshirën e Tij, për shkak se ata e përmbushin besën e tyre të dhënë Allahut, duke besuar Muhamedin dhe të gjithë të dërguarit e Allahut, dhe duke hyrë në Islam të nënshtruar ndaj Allahut.

[170] Përderisa i njohe se cilët janë hebrenjtë, nuk ke pse të habitesh për veprat dhe pabesinë e tyre ndaj teje kur tentuan të vrasin, o Muhamed, prandaj falja kësaj rradhe dhe mos i ndëshko për pabesinë e tyre ndaj teje, sepse falja është bamirësi dhe Allahu i do bamirësit. Dijetarët janë ndarë në dy mendime në lidhje me abrogimin apo jo të këtij gjykimi, por mund të thuhet se të dyja qëndrimet lejohen dhe të pabesët mund të ndëshkohen ose të falen, si të shihet më e përshtatshme dhe më e dobishme, duke parë në të ardhmen, e Allahu është i Gjithëdijshmi, i Urti.

 

14. Edhe prej atyre që thanë: “Ne jemi përkrahës (të Isait)”[171], e morëm besën, por edhe ata harruan një pjesë të mirë të atyre që u thuheshin (në Libër),[172] kështu që Ne futëm armiqësinë dhe urrejtjen mes tyre deri në Ditën e Kiametit,[173] dhe patjetër që Allahu do t’i njoftojë ata për veprat që kanë bërë.[174]

15. O ithtarët e Librit![175] Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhamedi), i cili ju sqaron shumë gjëra që ju i fshinit prej Librit dhe ju fal shumë gjëra të tjera.[176] Juve ju ka ardhur prej Allahut dritë (Islami dhe Muhamedi) dhe Libër i qartë (Kurani).[177]

16. Me anë të tij (Kuranit), Allahu udhëzon këdo që ndjek pëlqimin e Tij, drejt rrugëve të paqes, i nxjerr ata nga errësira në dritë me Vullnetin e Tij dhe i udhëzon në Rrugën e Drejtë.[178]

17. Pa dyshim, kanë mohuar ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”[179] Thuaj: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?”[180] Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë.[181] Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.[182]

-110-

___________________________________

[171] Edhe prej atyre që thanë se janë përkrahës dhe pasues të Isait (alejhis selam), apo të krishterë, Allahu mori besën, ashtu si edhe prej bijve të Israilit, apo hebrenjve prej tyre.

[172] Në Inxhil (Dhiata e re), pra harruan një pjesë të mirë të tij, si dhe harruan të vepronin sipas asaj që thuhej në të, duke ndjekur kështu rrugën e popullit të humbur prej hebrenjve, në thyerjen e besës së dhënë Allahut dhe në mohimin e të dërguarve të Tij, siç bënë me mohimin e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut!), megjithëse e kishin të shënuar në Librin e tyre.

[173] Përderisa ata e thyen besën e dhënë Allahut, patjetër që merituan ndëshkimin e Tij për thyerjen e besës; Allahu nxiti armiqësinë dhe urrejtjen mes tyre. Këtu përfshihet edhe ndarja e tyre në grupe të ndryshme në lidhje me çështjen e Isait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe çështje të tjera që lidhen me besimin dhe bindjet. Megjithatë, ndëshkimi i tyre nuk ishte si ai i hebrenjve me mallkim dhe ngurtësim të zemrës, prandaj edhe numri i atyre që kthehen përsëri tek besa e dhënë Allahut duke pranuar Islamin, prej të krishterëve, ka qenë dhe do të vazhdojë gjithnjë e në rritje, me mirësinë dhe mëshirën e Allahut që ua mundëson atyre që kërkojnë vërtet të vërtetën dhe pëlqimin e Zotit të tyre. Do ta shohim në ajetin 82 të kësaj sureje, se Allahu dëshmon se të krishterët janë më të afërt me muslimanët se sa hebrenjtë dhe të gjithë idhujtarët.

[174] Allahu i ka regjistruar të gjitha veprat që ata kanë bërë në dynja dhe do t’ua tregojë në Ditën e Gjykimit, që të jenë edhe vetë dëshmitarë kundër vetvetes, pastaj do i japë ndëshkimin e merituar në zjarrin e Xhehenemit. Ky është përfundimi nëse vazhdon në thyerjen e besës së dhënë Allahut dhe nuk pendohesh e nuk kthehesh tek Ai, por nëse pendohesh dhe kthehesh tek Allahu me sinqeritet, Atëherë Allahu është Falës i Madh dhe e pranon pendimin e robërve të Tij. Përderisa vazhdon të jesh i gjallë në tokë, nuk është kurrë vonë që të pendohesh dhe të kthehesh në besën e dhënë Allahut: t’i besosh Atij dhe të gjithë të dërguarve dhe Librave të Tij, të cilët janë vulosur me Muhamedin dhe me Kuranin, dhe çdo gjë që Allahu e ka shpallur në Librat e mëparshëm e gjen në Kuran dhe Traditën profetike të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[175] Prej hebrenjve dhe të krishterëve.

[176] Pas thyerjes së besës në Teurat dhe Inxhil, Allahu i jep një mundësi tjetër hebrenjve dhe të krishterëve për ripërtëritjen e saj, duke i urdhëruar të besojnë Muhamedin, vulën e vargut të profëteve të Tij, për profetësinë e të cilit ka fakte dhe prova të padiskutueshme, prej të cilave është pikërisht ky Kuran, i cili ua nxjerr në shesh shumë gjëra që ata ua fshehnin njerëzve, nga Libri i Shenjtë, madje edhe vetë popullit të tyre të paditur. Paria hebreje dhe ajo e krishtere ishin të vetmit që kishin dije nga Shpallja Hyjnore në atë kohë dhe kushdo që kërkonte dijen, nuk mund ta arrinte atë veçse duke shkuar tek ata, kështu që ardhja e Muhamedit analfabet me këtë Kuran madhështor, i cili sqaron dhe nxjerr në dukje ato gjëra që hebrenjtë dhe të krishterët i fshehnin prej Librit, është nga provat e padiskutueshme të profetësisë së tij. Nga gjërat që ata i fshihnin në Librat e tyre, ishte për shembull: përmendja e emrit dhe cilësive të Muhamedit, përgëzimet për ardhjen e tij, gurëzimi i imoralit dhe imorales së martuar, etj. Kurse gjëra të tjera të ithtarëve të Librit, zbulimi i të cilave nuk ishte prej urtësisë dhe nuk sillte ndonjë dobi, Kurani nuk i përmend qëllimisht, dhe jo sepse Allahu nuk i dinte ato dhe se hebrenjtë mund t’ja fshehnin ato gjëra edhe Allahut, por zbulimi i tyre nuk ishte prej urtësisë, e Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.

[177] Allahu u drejtohet ithtarëve të Librit dhe mbarë njerëzimit, duke u thënë se Ai ka dërguar tek ata dritën e udhëzimit, e ajo dritë është Islami dhe Muhamedi, si dhe Libër të qartë, e ai libër është Kurani i Shenjtë, në të cilin sqarohet gjithçka që njerëzit kanë nevojë në jetën e tyre materiale dhe shpirtërore, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[178] Me Kuranin mund të udhëzohen vetëm ata që kërkojnë pëlqimin e Allahut dhe që kanë qëllim të pastër. Kurani udhëzon drejt rrugëve të paqes e të shpëtimit nga dënimi i Allahut në të dyja botët, të shpie në banesën e paqes së përjetshme, në Xhennet, të nxjerr nga errësira e idhujtarisë, mohimit, mëkateve, shpikjeve në fe dhe injorancës, në dritën e besimit të pastër, bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe dijes; dhe e gjitha kjo ndodh me Vullnetin e Allahut dhe suksesin që vjen nga Ai. Rrugët e paqes janë rrugët e dijes dhe njohjes së të vërtetës dhe të vepruarit me të. Rrugët e paqes janë rrugët që të çojnë drejt Allahut dhe që përfshijnë gjithçka që Allahu ka ligjëruar në Islam, në fenë dhe rrugën e Tij të drejtë.

[179] Kjo është fjala e disa prej të krishterëve, e cila provon pikërisht thyerjen e besës së dhënë Allahut në Inxhil. Këta të krishterë kanë thënë një fjalë që nuk e ka thënë askush para tyre në të gjithë njerëzimin, duke e quajtur të Dërguarin e Allahut, Mesihun Isa, të birin e Merjemes, si zotin e tyre në vend të Allahut, apo si bir të Zotit, dhe e gjitha kjo nga që ai lindi pa babë, por vetëm me nënë, megjithëse njësoj si shembulli i tij u krijua edhe nëna e njerëzimit, Havaja, pa babë, madje Ademi u krijua pa babë e pa nënë. Atëherë përse nuk i quajtën zota edhe këta?! Jo, por fjala e tyre është e padrejtë, e pavërtetë, e pabazë dhe shumë e rëndë para Allahut, madje mohim i Tij dhe shokvënie Atij, duke i dhënë krijesës së Tij cilësi Hyjnore. Përveçse është e palogjikshme, kjo fjalë e tyre është humbja më e madhe për ta në të dyja botët, përveç nëse pendohen, kthehen nga ajo fjalë, dhe dëshmojnë njësimin e Allahut dhe ndjekin fenë e Tij, Islamin, përndryshe i pret dënimi i Allahut, i përgatitur për mohuesit e Tij.

[180] Sepse që të gjitha këto janë krijesa të Allahut dhe askush nuk e pengon Allahun që të veprojë me krijesat e Tij si të dëshirojë. Po kështu edhe Mesihu Isa dhe nëna e tij janë prej krijesave të Allahut, dhe askush nuk e pengon Allahun të bëjë me ta çfarë të dojë. Pra, a do të mendoni dhe të flisni drejt, apo dëshironi të merrni dënimin e merituar?!

[181] Përderisa e dini se është kështu, atëherë përse çuditeni me krijimin e Mesihut Isa pa babë?

[182] Allahu krijon dhe vepron çtë dojë dhe si të dojë, e Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.

 

18. Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”.[183] Thuaju: “Atëherë, përse Ai ju dënon për gjynahet tuaja?[184] Përkundrazi, ju jeni njerëz nga ata që Ai ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë.[185] Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre, dhe vetëm tek Ai është kthimi.[186]

19. O ithtarët e Librit! Juve ju ka ardhur i Dërguari Ynë (Muhamedi), i cili jua qartëson gjërat pas një ndërprerje relativisht të gjatë të (vargut të) të dërguarve,[187] që të mos thoni: “Nuk na ka ardhur asnjë përgëzues e as ndonjë paralajmërues.”[188] -Ja, ju erdhi përgëzues dhe paralajmërues.[189] Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.[190]

20. Kujto[191] kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur prej jush bëri profetë[192], iu bëri sovranë[193] dhe ju dha atë që nuk ia kishte dhënë asnjë populli para jush![194]

21. O populli im![195] Hyni në Tokën e shenjtë[196] që Allahu e ka caktuar për ju[197] dhe mos u ktheni prapa, se përndryshe do të ktheheni të humbur!”[198]

22. Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fuqishëm[199] dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata. Vetëm nëse ata dalin, atëherë do të hyjmë.”[200]

23. Dy burra nga ata që frikësoheshin dhe të cilëve Allahu u dhuroi mirësi,[201] thanë: “U hyni atyre nga porta (e qytetit), sepse nëse hyni në të, do të jeni triumfues. Dhe vetëm tek Allahu mbështetuni, në qoftë se jeni besimtarë!”[202]

-111-

______________________________________

[183] Me fjalën “bijtë e Allahut”, hebrenjtë kanë për qëllim “të dashurit e Tij” dhe jo bijtë e vërtetë, sepse sipas tyre, Allahu i shpalli Israilit (Jakubit) se njërin prej fëmijëve të tu bashkë me pasardhësit e tij do i fus në zjarr, ku do të qëndrojnë 40 ditë, deri sa zjarri t’i pastrojë ata dhe të përpijë gjynahet e tyre. Pastaj do të thërrasë një thirrës (prej engjëjve) dhe do të thotë: “Nxirrni nga zjarri të gjithë rrethprerët (e bërë synet) nga bijtë e Israilit!” Dhe ata do të dalin nga zjarri. Kjo është edhe për qëllim me fjalën e tyre: “Ne nuk do të na prekë zjarri veçse disa ditë të numëruara” [Al Imran, 24]. Kurse disa të krishterë thonë se Mesihu është biri i Allahut, për t’u mburrur me dikë që thonë se është nga mesi i tyre dhe jo se të gjithë ata janë bijtë e Allahut. Por sigurisht që këto janë pretendime të shpikura prej tyre dhe të pabazuara, prandaj edhe në vijim të ajetit, Allahu u kundërpërgjigjet atyre me argumente logjike.

[184] Siç e pohuat edhe vetë që do të dënoheni vetëm 40 ditë, nëse do të supozonim vërtetësinë e fjalës suaj, por jo vetëm që ju do të dënoheni, por do të qëndroni përgjithmonë në zjarr, nëse vdisni në atë jeni prej mohimit të Allahut me mohimin e një pjese të Shpalljeve Hyjnore apo të Dërguarve të Tij, siç është Kurani dhe Muhamedi. Pra, ju jeni gënjeshtarë dhe mashtrues të vetvetes dhe të njerëzve të tjerë.

[185] Ju, o ithtarë të Librit, jeni si gjithë njerëzit e tjerë, pa asnjë dallim, përndryshe kjo do të ishte padrejtësi ndaj disa njerëzve dhe Allahu nuk i bën askujt padrejtësi, por Ai gjykon mes tyre me drejtësinë e Tij absolute dhe me mirësinë e Tij, duke ia falur gjynahet atij që do, me mirësinë e Tij, nëse ai plotëson kushtet e faljes së gjynaheve, dhe duke e dënuar atë që do (që është mohues dhe që nuk pendohet për gjynahet e veta), me drejtësinë e Tij. Tek Allahu nuk ka dallim i bardhi nga i ziu apo i pasuri nga i varfri, veçse në varësi të devotshmërisë dhe bindjes ndaj Allahut, dhe ky dallim është vetëm në ligjet që kanë të bëjnë me botën tjetër, kurse në këtë botë, që të gjithë gjykohen me të njëjtat ligje të Allahut, qofshin besimtarë apo mohues.

[186] Ku secili do të marrë shpërblimin e vet ashtu si e meriton, pa iu bërë padrejtësi askujt.

[187] I Dërguari i fundit i vargut të profetëve të Allahut, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut!) erdhi pas një periudhe kohore të gjatë që nga profeti i fundit që kishte ardhur para tij, Mesihu Isa, biri i Merjemes, me rreth 500 e disa vjet, në një kohë kur nevoja e njerëzve për një të dërguar nga Allahu ishte më se e domosdoshme, dhe kjo ishte një arsye më shumë për besimin tek ai dhe tek ajo me të cilën ishte dërguar nga Allahu. Faktet për profetësinë e Muhamedit ishin të pamohueshme, sepse ai erdhi me të vërtetën, me udhëzimin e drejtë, me sqarimin dhe dallimin e së vërtetës nga e pavërteta, gjë e cila ishte pështjelluar nga ithatëret e Librit prej hebrenjve dhe të krishterëve, madje ishte e pështjelluar edhe për vetë këta të fundit, siç ishte çështja rreth Isait dhe nënës së tij. Dhe kështu, përderisa e vërteta u bë e qartë dhe u nda përfundimisht nga e pavërteta, ithtarëve të Librit dhe njerëzve në përgjithësi, nuk u ka mbetur më asnjë justifikim para Allahut, për të thënë se nuk e dinim, apo se nuk na kishte ardhur ndonjë paralajmërues.

[188] As ndonjë përgëzues me shpërblimin e madh të Allahut në dynja dhe në xhenet për ata që e besojnë dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, as ndonjë paralajmërues me dënimin e ashpër e të dhembshëm të Allahut në dynja dhe në xhehenem për ata që e mohojnë Allahun dhe e përgënjeshtrojnë të Dërguarin e Tij, si dhe veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[189] E Ai është Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Kështu që, tashmë nuk ka më justifikim për ju, o ithtarë të Librit, dhe për asnjë njeri në faqen e dheut, që dëgjon dhe mëson për ardhjen e Muhamedit, të Dërguarit të fundit të Allahut për mbarë njerëzimin.

[190] Allahu e ka të lehtë ta ndëshkojë atë që e kundërshton Urdhrin e Tij dhe ta shpërblejë atë që i bindet Atij, prandaj kini frikë ndëshkimin e Allahut dhe mos e kundërshtoni Atë apo të përgënjeshtroni të Dërguarin e Tij, dhe kërkoni shpërblimin e Allahut duke ju bindur Atij dhe duke besuar përgëzuesin dhe paralajmëruesin e Tij, Muhamedin, të cilin e ka dërguar për mbarë njerëzimin.

[191] Allahu i drejtohet Muhamedit dhe mbarë njerëzimit, që të kujtojnë historinë e hebrenjve dhe të parëve të tyre, që në kohën e profetit të tyre, Musait (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), për të parë se si kanë qenë të parët e tyre, megjithëse Allahu u kishte dhënë mirësi të shumta dhe i kishte ngritur mbi popujt e tjerë që ishin paganë, duke u dërguar atyre të dërguar nga mesi i tyre dhe duke i bërë sovranë të vetes, dhe se si vazhdojnë ata të jenë edhe sot e kësaj dite, në mënyrë që të mos brengosen nga tirania dhe padrejtësitë e tyre, sepse largimi nga Allahu dhe nga e vërteta i sjell këto gjëra, dhe ata do të marrin dënimin e merituar nga Allahu, në këtë botë dhe në botën tjetër. Dënimi në botën tjetër është i qartë, kurse dënimi në këtë botë është pikërisht jeta e mjeruar që ata bëjnë, fakti se ata nuk e dinë se ç’është lumturia, e ndëshkime të tjera që ata i shijojnë në këtë botë, e të cilët nuk i di veçse Allahu. Shpërblimi është sipas veprës, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

[192] Dërgoi lajmëtarë të Tij nga mesi i tyre, që iu vinin me shpalljet e Tij, gjë të cilën nuk ia kishte mundësuar asnjë populli tjetër bashkëkohës të tyre.

[193] Popull sovran dhe zotërues të vetes dhe të familjes e pasurisë së tyre, madje u mundësoi edhe marrjen e robërve që u shërbenin atyre, dhe në atë kohë nuk ishin të robëruar nga të tjerët, siç kishin qenë më parë apo siç u ndodhi më pas kur ata thyen besën e Zotit të tyre.

[194] Në kohën e Musait (salallahu alejhi ue selem), Allahu i kishte ngritur bijtë e Israilit mbi të gjithë popujt e tjerë dhe u kishte dhënë nga mirësitë e tij gjëra të cilat nuk ia kishte dhënë asnjë populli tjetër deri në atë kohë, dhe në shenjë falënderimi ndaj Allahut, ata duhet t’i kujtonin këto mirësi dhe të vepronin ashtu si urdhëroheshin nga Allahu, por ata mohuan, dhe mirësitë që iu ishin dhënë, iu kthyen në ndëshkim të merituar.

[195] Vazhdon fjala e Musait drejtuar popullit të tij, prej bijve të Israilit.

[196] Në tokën e pastër nga idhujtaria dhe të begatë. Është për qëllim me Tokën e Shenjtë: Toka e Kudsit në Jerusalem, ose kodra Tur dhe zona rreth saj, ose të gjitha vendet e Shamit, ku përfshihet Palestina, Siria, Libani dhe Jordania.

[197] Nëse ju e meritoni atë me bindjen tuaj ndaj Allahut dhe duke ju bindur të Dërguarit të Tij, Musait (alejhis selam). Por, përderisa ata nuk ju bindën Musait (alejhis selam), ajo tokë ju ndalua nga Allahu për 40 vjet, dhe pas kësaj kohe, hyri në të Joshea dhe Kalib, prej bijve të Israilit që ishin bashkëkohës të Musait (alejhis selam) dhe që ishin subjekt i kësaj fjale të Allahut. Por thuhet gjithashtu se me fjalën “ketebe” është për qëllim urdhërimi i tyre nga Allahu për të hyrë në Tokën e shenjtë, dhe jo se ajo ishte caktuar për ta apo që u ishte premtuar atyre.

[198] Allahu i urdhëron bijtë e Israilit që ishin me Musain (alejhis selam), që t’i binden atij dhe të shkojnë përpara drejt Tokës së shenjtë, qoftë edhe duke luftuar tiranët që e kishin pushtuar atë, sepse ajo tokë u takonte atyre, por nëse ata do të ktheheshin mbrapa dhe nuk do t’i bindeshin Allahut dhe të dërguarit të Tij, padyshim se do të humbnin dynjanë dhe botën tjetër; dhe ashtu ndodhi, siç do ta shohim në vijim.

[199] Sipas transmetimeve thuhet se ata ishin një popull i fuqishëm, trupmëdhenj (viganë) dhe tiranë, të cilët kishin mundur të gjithë popujt e tjerë të vendeve përreth.

[200] Këtu tregohet se sa frikacakë ishin dhe vazhdojnë të jenë beni Israilët, dhe sa të luhatur në besimin e tyre, ndërkohë që u mjaftonte atyre t’i bindeshin urdhrit të Allahut, dhe Ai do të kujdesej për ta dhe do u jepte triumfin, ashtu si bën Allahu me robët e Tij besimtarë që i binden Atij dhe të Dërguarit të Tij.

[201] Thuhet se ata dy burra ishin Joshea ibën Nun dhe Kalib ibën Jufna, të cilët e përmbushën besën që i dhanë Musait (alejhis selam), kur i dërgoi bashkë me 10 mbikëqyrësit e tjerë për të sjellë lajmet e popullit tiran dhe ushtrisë së tyre, se nuk do i tregonin popullit të tij se çfarë kishin parë atje prej fuqisë dhe forcës së armikut, kurse 10 të tjerët treguan. Por thuhet gjithashtu se ata ishin dy burra nga populli tiran, të cilët ju frikësuan Musait dhe popullit të tij, dhe pranuan Islamin duke ju bashkuar Musait. Këta e dinin se populli i tyre tiran ishte gjithashtu i frikësuar dhe mjaftonte që populli i Musait të hynte nga porta e qytetit për t’ia dorëzuar atij qytetin në paqë dhe pa luftë. Nëse është kështu, mirësia që Allahu u dha këtyre ishte udhëzimi në Islam, e nëse janë për qëllim dy burra nga populli i Musait, atëherë frika që kishin ata ishte ajo nga Allahu dhe mirësia që Allahu u dha atyre ishte trimëria, bindja e vendosmëria, gjë e cila i bëri ata t’i jepnin zemër dhe kurajo popullit të tyre për të sulmuar armikun.

[202] Mjaftonte që ata të ishin të vendosur dhe të ndërmerrnin sulmin kundër armikut, duke ju mbështetur Allahut të Madhëruar, i Cili është i Vetmi që i jep triumfin kujt të dojë, pastaj të shkonin deri te porta e qytetit ku gjendeshin tiranët, dhe ata menjëherë do të dorëzoheshin para tyre, por ata nuk e bënë këtë, duke treguar se ishin frikacakë, të luhatur në besimin e tyre dhe të pabindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Do ta shohim në ajetin në vijim se çfarë i thanë ata Musait (alejhis selam), dhe le të bëjmë një krahasim midis këtyre ndjekësve të Musait (alejhis selam) prej hebrenjve, dhe midis ndjekësve të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) prej shokëve të tij, kur ai i urdhëronte për diçka, qoftë edhe duke dhënë jetën dhe pasurinë e tyre në rrugë të Allahut.

 

24. Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë në të, përderisa ata (tiranët) vazhdojnë të gjenden aty. Kështu që, shko ti dhe Zoti yt e luftoni, kurse ne do të qëndrojmë këtu.”[1]

25. Musai tha[2]: “O Zoti im! Unë nuk mund të detyroj askënd përveç vetes dhe vëllait tim, prandaj na veço ne prej këtij populli të pabindur!”[3]

26. Allahu tha [4]: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet, duke u sjellë të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur.”[5]

27. Lexoju (o Muhamed) atyre[6] saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit[7], kur ata që të dy flijuan nga një kurban, i cili njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Atëherë ky i tha: “Unë do të të vras gjithsesi.” Ai ia ktheu: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve.[8]

28. E nëse ti zgjat dorën të më vrasësh mua, unë kurrë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.[9]

29. Unë preferoj të kthehesh (tek Allahu) me gjynahun tim dhe gjynahun tend[10], e kështu të bëhesh prej banorëve të zjarrit. Ky është ndëshkimi i të padrejtëve.”[11]

30. Por vetja e tij e shtyu atë në vrasjen e të vëllait dhe ai e vrau atë, për t’u bërë kështu, nga të humburit.[12]

31. Pastaj Allahu dërgoi një sorrë që filloi të gërmonte në tokë, për t’i treguar atij se si ta groposte kufomën e të vëllait.[13] Ai (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i aftë të bëj si kjo sorrë e ta gropos trupin e vëllait tim?!” Dhe kështu, u bë nga të penduarit.[14]

-112-

______________________________

[1] Nuk ka fjalë më të shëmtuar se kjo me të cilën ata ia kthyen të Dërguarit të tyre në këtë gjendje të vështirë, kur ata e kishin detyrim dhe njëkohësisht nder e krenari përkrahjen dhe ndihmën e të Dërguarit të tyre. Krahaso tani mes kësaj thënie dhe qëndrimin të hebrenjve ndaj të Dërguarit të tyre, Musait (alejhis selam) dhe mes popullit mysliman, e pikërisht shokëve të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) ndaj tij, kur ai u konsultua me ta në lidhje me luftën e Bedrit, edhe pse ai nuk ua kishte bërë të detyruar atë luftë, kurse ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Edhe sikur të na drejtosh drejt detit, do të vijmë pas teje (megjithëse thënësit e asaj fjale e kishin frikë detin dhe lundrimin në të, e aq më tepër luftën në det), edhe sikur të synosh qytetin e Abisinisë, askush nga ne nuk do të kthehej mbrapa. Ne nuk themi kurrë ashtu si i tha populli i Musait Musait: “shko ti dhe Zoti yt e luftoni, kurse ne do të qëndrojmë këtu”, por ne themi: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, dhe ne do të luftojmë bashkë me ju.” Kush lexon librat e historisë profetike të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), i sheh qartë atributet dhe cilësitë e shokëve të tij, histori të cilat kurrë nuk i ka shkruar historia as para dhe as pas tyre, sepse me të vërtetë ata ishin burra të cilët Allahu i zgjodhi për të qenë shokë të profetit të Tij të fundit dhe ndihmues e mbartës të fesë së Tij. Këta janë populli i Muhamedit, populli më i mirë që ka parë njerëzimi, siç e thotë edhe Allahu në ajetin 110, të sures Al Imran.

[2] Pasi që pa paturpësinë e popullit të vet, Musai iu drejtoi Allahut i dëshpëruar.

[3] Të pabindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe mohues të tyre, prandaj Musai i kërkoi Allahut që ta veçojë atë nga populli i tij, duke kërkuar kështu që Allahu të zbresë ndonjë dënim mbi ta sipas Urtësisë së Tij, dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij, si në ajetin në vijim.

[4] Në përgjigje të lutjes së Musait kundër popullit të tij.

[5] Meqënëse Musait i vinte keq për popullin e tij, nga mëshira që Allahu kishte futur në zemrën e tij, Allahu i thotë atij që të mos ndiejë keqardhje, sepse ata po marrin ndëshkimin e merituar dhe ndoshta ky ndëshkim u jep mësim dhe i bën që t’u fallen gjynahet e mëparshme.

[6] Hebrenjve që ishin në kohën e tij dhe që tentuan ta vrisnin atë dhe shokët e tij, që ta dijë i gjithë njerëzimi se hebrenjtë janë si biri i Ademit, Kabili, i cili për shkak të zilisë ndaj vëllait të tij përse Allahu ia pranoi atij kurbanin kurse këtij jo, dhe për shkak të kryeneçësisë ndaj Allahut dhe babait të tij, zgjati dorën dhe vrau vëllanë e tij, për t’u bërë kështu vrasësi i parë në tokë. Po kështu, edhe këta hebrenj që zgjasin duart e tyre kundër teje, o Muhamed, dhe kundër çdo njeriu tjetër, e bëjnë këtë për të njëjtat arsye, duke harruar se kështu ngarkojnë veten e tyre me gjynahe dhe për këtë do të marrin dënimin e merituar nga Allahu i Madhëruar.

[7] Kabilit dhe Habilit.

[8] Shkaku që Habilit ju pranua kurbani dhe Kabilit jo, ishte devotshmëria e të parit ndaj Allahut të Madhëruar dhe sinqeriteti i tij ndaj Allahut, gjë të cilën tjetri nuk e kishte, madje kishte të kundërtën e saj. Shenja e pranimit të Kurbanit në atë kohë, ishte zbritja e një zjarri nga qielli dhe përpirja e kurbanit prej tij, e në të kundërt, nëse zjarri nuk zbriste dhe nuk e përpinte kurbanin, kjo do të thoshte se ai nuk pranohej nga Allahu për shkak të mungesës apo mangësisë në sinqeritetin dhe devotshmërinë ndaj Allahut të atij që e ofronte atë kurban.

[9] Dhe jo nga frika prej teje dhe as sepse jam i dobët, por ai që ka frikë Allahun, nuk guxon të bëjë gjynahe, e aq më tepër ato të mëdhatë, siç është vrasja. Kështu që, edhe ti, o vëllai im, ki frikë Allahun dhe mos guxo të bësh një krim të tillë!

[10] Unë nuk e ngre dorën të të vras, ashtu si ti, por preferoj që ti të kthehesh tek Allahu me gjynahun që do të marrësh nga vrasja ime dhe me gjynahet e tua që ke bërë më parë dhe që do të bësh më pas, dhe të marrësh dënimin e merituar, kurse unë të shpëtoj nga dënimi i zjarrit, me devotshmërinë time ndaj Allahut në zbatimin e urdhrave të Tij dhe në ndalimin nga ndalesat e Tij, prej të cilave edhe mosngritja e dorës kundër teje për të të vrarë, gjë të cilën Allahu e ka ndaluar.

[11] Ajeti tregon se vrasja është nga mëkatet e mëdha, autori i të cilave meriton zjarrin e xhehenemit nëse nuk pendohet për to dhe nëse Allahu nuk ia fal ato.

[12] Nga ata që kanë humbur dynjanë dhe ahiretin. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk ka njeri që vritet padrejtësisht, veçse një pjesë e gjynahut të atij gjaku të derdhur i shkon edhe atij birit të parë të Ademit, sepse ai ishte i pari që e hapi rrugën e vrasjes.” [Buhariu dhe Muslimi].

[13] Meqenëse ai ishte i vdekuri i parë në tokë dhe ky nuk e dinte se si veprohej me të vdekurin, Allahu dërgoi një sorrë të gjallë tek një sorrë e ngordhur, për ta groposur atë në tokë, duke i mësuar kështu bijve të Ademit se si duhej të vepronin me të vdekurit e tyre që nga ajo kohë e deri në ditën e Kiametit.

[14] Për vrasjen e të vëllait, ashtu si ndodh edhe me të gjithë ata bëjnë gjynahe pas gjynaheve të tyre, të cilat u mbjellin atyre pendim në zemër dhe i bëjnë të ndiehen keq shpirtërisht.

 

32. Për këtë arsye,[15] Ne gjykuam ndaj bijve të Israilit se kushdo që vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri apo që nuk ka bërë ndonjë shkatërrim në Tokë,[16] është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit.[17] Dhe se, kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e të gjithë njerëzve.[18] Të dërguarit tanë u sollën atyre prova të qarta, por shumë nga ata (bijtë e Israilit), edhe pas kësaj, i tejkalojnë kufijtë (e Allahut) në Tokë.[19]

33. Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë[20], është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët në mënyrë tërthore, ose të dëbohen nga vendi.[21] Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ata do të ketë dënim shumë të madh.[22]

34. Me përjashtim të atyre që pendohen[23] para se t’i zini ju. Ta dini se Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.[24]

35. O besimtarë! Kini frikë Allahun[25], përpiquni t’i afroheni Atij[26] dhe luftoni në rrugën e Tij[27] në mënyrë që të dilni me sukses![28]

36. Me të vërtetë, sikur jobesimtarët të kishin tërë pasurinë që gjendet në tokë, madje edhe një herë aq, e ta sakrifikonin për të shpëtuar nga dënimi i Ditës së Kiametit, nuk do të pranohej prej tyre. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.[29]

-113-

________________________________

[15] Që e përmendëm në historinë e dy bijve të Ademit, ku njëri vrau tjetrin dhe u bë vrasësi i parë në tokë, duke marrë kështu gjynahun e vet dhe të vëllait të vet, si dhe një pjesë të gjynahut të të gjithë atyre që do të vrisnin në tokë padrejtësisht, dhe duke u bërë prej të humburve dhe të penduarve në këtë botë dhe në botën tjetër për shkak të kësaj vepre të shëmtuar.

[16] Allahu ia ndaloi vrasjen bijve të Israilit (hebrenjve) dhe të gjithë njerëzimit, përveç dy rasteve ku vrasja është e drejtë, e ato dy raste janë: kur dikush vret dikë padrejtësisht, ai vritet për gjakun e derdhur, dhe rasti i dytë kur dikush bën shkatërrime dhe çrregullime në tokë, qoftë duke terrorizuar njerëzit, duke u zënë rrugën atyre për t’u grabitur pasuritë, duke bërë kryengritje të armatosur kundër shtetit, apo duke përhapur bidatet dhe devijimet nga feja në mesin e njerëzve. Vrasja e këtyre është e drejtë dhe e merituar, sepse dëmi i këtyre nuk mund të eliminohet veçse në këtë mënyrë. Në një hadith të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) thuhet: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të asnjë myslimani që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, veçse në një nga këto tre raste: një burrë i martuar që bën kurvëri, ai që vret dikë tjetër (padrejtësisht) dhe ai që e braktis fenë dhe ndahet nga shoqëria myslimane.” [E ka nxjerrë Buhariu, Muslimi, etj.] Kurse shkatërrimi në tokë që përmendet në ajet, është për qëllim vepra e atyre që u zënë pritë njerëzve për t’i plaçkitur e për t’i vrarë, vepra e banditëve dhe e kusarëve.

[17] Gjynahu i tij është shumë i madh, dhe ndëshkimi i tij gjithashtu i madh, njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit. Këtë vrasës që guxon të vrasë një njeri, nuk e pengon asgjë nga vrasja e një tjetri, e kështu me rradhë, prandaj ai duhet vrarë, sepse vetëm me këtë mënyrë shpëtohet jeta e njerëzve që mund t’i kanoset vdekja prej tij, dhe vetëm me këtë mënyrë zhduket e keqja dhe dëmi i tij nga shoqëria. Rritja e dënimit për atë që vret një njeri deri në atë masë sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit është bërë për herë të parë ndaj bijve të Israilit dhe ata qenë të parët që e merituan këtë rritje të dënimit për shkak të mosbindjes së tyre edhe pse e dinin të vërtetën dhe e shihnin qartë atë, prandaj edhe Allahu i kujton ata me birin e parë të Ademit që vrau vëllanë e tij dhe mori edhe gjynahet e tij bashkë me të vetat. E gjithë kjo erdhi kur ata tentuan disa herë për të vrarë jo një njeri të thjeshtë, por të Dërguarin e Allahut, vulën e profetëve, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), ashtu siç kishin tentuar edhe më parë me të dërguarit e Allahut, madje disa prej tyre i vranë vërtet, edhe pse e kishin të ndaluar dhe dënimin për vrasjen e një njeriu e kishin shumëfish. Këta janë hebrenjtë.

[18] Kush e lë gjallë një njeri duke pasur frikë Allahun dhe dënimin e Tij, megjithëse vetja dhe emocioni i tij dëshiron ta vrasë atë, e ka shpërblimin gjithashtu të madh, dhe padyshim se këtu përfshihet në mënyrë parësore edhe ai që bëhet shkak për shpëtimin e një jete me çdo lloj mënyre qoftë.

[19] Me gjynahe dhe thyerje të urdhrrave të Allahut dhe të Dërguarve të Tij, prandaj ti, o Muhamed, mos u brengos me tentativat e tyre për të të vrarë ty dhe shokët e tu, sepse ata janë si biri i Ademit vrasës dhe do të marrin ndëshkimin e tyre të merituar.

[20] Që luftojnë fenë e Allahut dhe robët e Tij, që u zënë pritë njerëzve për t’i frikësuar, për t’i plaçkitur dhe për t’i vrarë ata, që janë kusarë e banditë. Këta janë ata që bëjnë shkatërrime në tokë, që u përmendën edhe në ajetin para këtij.

[21] Dënimi i këtyre njerëzve është në varësi të krimit që bën secili prej tyre: dënimi i atij që pret rrugën dhe vret, është të vritet, dënimi i atij që pret rrugën, plaçkit dhe vret, është të kryqëzohet, dënimi i atij që pret rrugën dhe plaçkit, por nuk vret, është t’i pritet njëra dorë dhe njëra këmbë në mënyrë të tërthortë (dora e djathtë dhe këmba e majtë), dhe dënimi i atij që pret rrugën dhe frikëson udhëtarët, por nuk plaçkit dhe nuk vret, është të dëbohet nga vendet e banuara deri sa të pendohet. Të gjitha këto dënime zbatohen nga shteti Islam përderisa autori i tyre kapet para se të pendohet dhe të kthejë rrugë, duke i kthyer edhe të drejtat atyre që jua ka shkelur nëse mund të kthehen, përndryshe, nëse ai pendohet para se të kapet, lirohet nga dënimi, siç thuhet në ajetin pas këtij.

[22] Në zjarrin e xhehenemit,nëse vdesin në këtë gjendje, pa u penduar për veprat e tyre dhe pa u kthyer në rrugën e drejtë të Allahut. Kjo tregon se kusaria dhe banditizmi janë prej gjynaheve të mëdha që meritojnë poshtërimin dhe fëlliqjen në këtë botë dhe dënimin e ashpër të botës tjetër, dhe se kush e bën një vepër të tillë, ai ka luftuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kjo do të thotë gjithashtu se pastrimi i tokës nga këta kusarë e banditë dhe sigurimi i rrugëve dhe shtegjeve të njerëzve, është nga veprat më të mira që Allahu ka urdhëruar dhe i do. Pra, kjo gjë është përmirësim në tokë, e kundërta e shkatërrimit dhe prishjes në të.

[23] Për këto vepra të shëmtuara, të kusarisë dhe banditizmit, dhe kthehen të penduar te Allahu i Madhëruar dhe rruga e Tij e drejtë.

[24] Dhe nga bujaria e Tij, Allahu e rrëzon të drejtën e Vet (dënimet e përmendura më sipër) kundrejt atij kusari e banditi që pendohet para se të zihet nga shteti musliman, madje rrëzon edhe të drejtën e njerëzve (pasuria e plaçkitur dhe gjaku i derdhur) që ky u ka hyrë në hak nëse më parë ka qenë jomusliman dhe pastaj pendohet dhe bëhet musliman, por kuptohet se e drejta e njerëzve në këtë rast iu kthehet nga shteti musliman.

[25] Ruajuni dënimit të Tij duke iu larguar ndalesave dhe duke zbatuar urdhrat e Tij.

[26] Me besim tek Ai dhe me ato vepra që Ai pëlqen, prej atyre që jua ka bërë detyrim dhe atyre vullnetare.

[27] Përpiquni me të gjitha forcat dhe mundësitë materiale, fizike dhe ideologjike të luftoni armiqtë e Islamit dhe armiqtë tuaj.

[28] Të shpëtoni nga zjarri i xhehenemit dhe nga çdo e keqe që i keni frikën dhe të fitoni xhenetin dhe çdo të mirë që dëshironim duke arritur kështu lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e pafund.

[29] Kjo do të jetë gjendja e atyre që mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, apo qoftë edhe diçka të vogël nga ato që Allahu i ka shpallur të Dërguarit të Tij, dhe vdesin në këtë gjendje, pa u penduar dhe pa u kthyer tek Allahu, dënimi i tyre do të jetë i padurueshëm dhe i pafund, ashtu si e kanë merituar, e Zoti nuk i bën padrejtësi askujt.

 

37. Ata (jobesimtarët) do të dëshirojnë të dalin nga zjarri, por nuk kanë për të dalë kurrë prej tij. Ata do të kenë dënim të përhershëm.

38. Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart,[30] si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga Allahu.[31] Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[32]

39. Kurse atij që pendohet pas padrejtësisë së bërë dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin. Vërtetë, Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë. [33]

40. A nuk e di ti se vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës?! Ai dënon kë të dojë dhe fal kë të dojë. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.[34]

41. O i Dërguar (Muhamed)! Mos u brengos për ata që nxitojnë në mosbesim,[35] qofshin nga ata që me gojët e tyre thonë: “Besojmë”, ndërkohë që zemrat e tyre nuk besojnë, apo prej hebrenjve, të cilët i dëgjojnë shumë trillimet[36]; dëgjojnë njerëzit e tjerë që nuk kanë ardhur tek ti.[37] Ata i shtrembërojnë fjalët (e Teuratit) nga vendi (kuptimi) i tyre dhe thonë: “Nëse ju jepet kjo, pranojeni e, nëse nuk ju jepet, atëherë ruhuni!”[38] Kur Allahu dëshiron ta lërë dikë në humbje,[39] ti nuk mund të bësh asgjë për të.[40] Këta janë ata të cilëve Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat.[41] Ata do të kenë poshtërim në këtë jetë, dhe ndëshkim të rëndë në jetën tjetër.[42]

-114-

________________________________

[30] Ligji për atë që vjedh ¼ dinar ar (1 dinar ar = 4.25 gr.; ¼ dinar ar = 1.08 gr. ar) ose vlerën e tyre, a më shumë, fshehurazi, nga vendi ku ato ruhen zakonisht, duke qenë person juridik dhe kur nuk ekziston ndonjë dyshim që e anullon zbatimin e këtij ligji, është që t’i pritet dora e djathtë që nga kyçi i saj, nga shteti Islam. Nëse vjedhësit që i është prerë dora, e përsërit vjedhjen, atëherë i pritet këmba e majtë, e nëse vjedh përsëri, atëherë i pritet dora e majtë, pastaj këmba e djathtë, ose burgoset deri në vdekje. Ky është dënimi i vjedhësit që cënon pasurinë e të tjerëve padrejtësisht dhe pa pëlqimin e tyre, dhe vetëm me vendosjen e këtij ligji hyjnor mund të ruhen pasuritë e njerëzve, dhe të pakësohen vjedhjet dhe prishjet në tokë. Këto kushte dhe rregulla janë përfituar nga hadithet profetike dhe nga domethënia gjuhësore e fjalës vjedhje.

[31] Për shkeljen e ligjit të Tij dhe për cënimin e pasurisë së tjetrit. Ligji me prerjen e dorës së vjedhësit, është pastrim për vjedhësin nga mëkati i tij, nëse ai pendohet, si dhe ruajtje e pasurive të njerëzve nga vjedhja.

[32] Allahu është i Plotfuqishëm për ndëshkimin evjedhësit dhe të gjithë mëkatarëve që shkelin ligjet e Tij, dhe Ai është i Urtë në vendosjen e ligjeve të Tij dhe në vendimet e Tij mbi ata që i shkelin ato ligje. Prandaj, zbatoni këto ligje, sepse Allahu që di gjithçka dhe është i Urtë, nuk ndalon veçse atë që është e keqe dhe në dëmin tuaj dhe të shkelësve të ligjit të Tij gjithashtu, dhe nuk urdhëron veçse të mirat për ju, në të dyja botët.

[33] Vjedhësit që pendohet për mëkatin e tij, dhe për çdo mëkat tjetër me të cilin i bën padrejtësi të tjerëve apo vetvetes duke tërhequr mbi vete ndëshkimin e Allahut, dhe që përmirësohet duke vepruar në bindje ndaj Allahut, patjetër që Allahu ia pranon pendimin atij, dhe nuk e ndëshkon për atë gjynah në botën tjetër, sepse Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë ndaj robërve të Tij besimtarë.

[34] Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij me këtë fjalë, por ka për qëllim ato grupe të Beni Israilëve që thonë se nuk do i prekë zjarri veçse disa ditë të pakta, dhe se ata janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, a nuk e dinë ata se Allahu sundon gjithçka që gjendet në qiej e në tokë, dhe se ai ndëshkon kë të dojë prej atyre që mohojnë dhe kundërshtojnë urdhrat e Tij, që në këtë botë edhe në botën tjetër, e Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka, e asgjë nuk mund ta pengojë?!

[35] Nga mëshira që Allahu kishte vënë në zemrën e të Dërguarit të Tij, ai ishte i mëshirshëm me krijesat dhe në merak për to, prandaj edhe shqetësohej shumë kur ndonjë prej njerëzve që kishte shfaqur besimin më parë, të kthehej në mosbesim, por Allahu e qetëson atë duke i thënë se këta njerëz janë hipokritë dhe nuk kanë hyrë sinqerisht në besim, por vetëm me gojët e tyre, kështu që mos u merakos për ta. Besimtarët e vërtetë që hyjnë në Islam, nuk kthehen kurrë më prej tij dhe nuk dalin nga ai. Ata që e bëjnë këtë, janë ose hipokritë, ose çifutë, cilësitë e të cilëve përmenden në vijim të ajetit.

[36] Trillimet e parisë dhe udhëheqësve të tyre shpirtërorë, të cilët ndryshojnë kuptimin e fjalëve të Librit të shenjtë dhe shumë të tjera i fshehin, ashtu siç bënë edhe me ligjin për dënimin e të martuarit që bën prostitucion. Kur dikush prej fisnikëve të beni israilëve që ishte i martuar bëri imoralitet, ata u mblodhën që ta gurëzonin atë (ta godisnin me gurë deri në vdekje), por fisnikët dhe shkalla e lartë e tyre e ndaluan zbatimin e këtij ligji mbi këtë person. Më pas, bëri prostitucion dikush prej shtresës së ulët, dhe pasi u mblodhën që ta gurëzonin, njerëzit e kësaj shtrese e ndaluan këtë gjë duke u thënë që të gurëzojnë edhe njeriun e tyre po qe se gurëzojnë këtë. Atëherë, bijtë e Israilit u mblodhën për të gjetur një zgjidhje, duke e shfuqizuar gurëzimin, dhe në vend të tij caktuan dënimin me 40 shkopinj dhe hipjen mbrapsht mbi një gomar, me fytyrë të nxirë, duke u sjellë rrotull nëpër qytet. Kështu vepruan deri sa Allahu dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kur një grua prej fisnikëve të hebrenjve bëri prostitucion, babai i saj dërgoi disa njerëz, shokë të vet, te i Dërguari i Allahut, dhe u tha: “Pyeteni për ligjin e kurvërisë dhe se çfarë i është shpalluar atij për këtë? Sepse kemi frikë se mos na fëlliq dhe na zbulon atë që kemi bërë (prej fshehjes dhe ndryshimit të këtij ligji nga vetja e tyre). Nëse ai ju thotë se ligji për këtë është goditje me kamxhik, merreni fjalën e tij dhe zbatojeni, por nëse ju urdhëron për gurëzim, atëherë ruhuni dhe mos e merrni atë.” Ata erdhën te i Dërguari i Allahut dhe e pyetën, e ai u tha “Gurëzim!” Me këtë rast zbriti edhe ajeti në fjalë.

[37] Parinë dhe dijetarët e tyre që dërguan njerëz te i Dërguari i Allahut për ta pyetur për ligjin e atij që bën prostitucion duke qenë i martuar.

[38] Ata e kishin ndryshuar ligjin e Allahut që thuhej në Teurat, në lidhje me dënimin e të martuarit që bën prostitucion, dhe për të treguar edhe një herë këmbënguljen e tyre në arrogancë dhe në mohim të Allahut dhe të dërguarit të Tij, Muhamedit, ata dërguan njerëz (ndoshta ishin ata hipokritët që përmenden më sipër) tek ai për ta pyetur se çfarë i ishte shpallur nga Allahu për këtë; jo për ta zbatuar këtë ligj dhe për të ndjekur Muhamedin, por për ta parë të vërtetën e profetësisë së tij edhe një herë dhe për ta refuzuar atë hapur dhe me kryeneçësi, dhe ashtu bënë. A thua i bënë dëm Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe besimtarëve?! Apo i bënë dëm Allahut?! Vazhdimi i ajetit e tregon përfundimin e tyre.

[39] Qoftë nga hipokrizia apo kryeneçësia e tij.

[40] Kështu që mos u mërzit për ta, sepse tashmë e di se kush dhe si janë ata.

[41] Si hipokritët edhe kryeneçët hebrenj, kanë zgjedhur mohimin, idhujtarinë, kryeneçësinë dhe gjithçka të keqe, të prishur e të ndytë që u ka pushtuar zemrat, kështu që zemrat e tyre janë të vulosura dhe kurrë nuk mund të pastrohen me pastërtinë e Islamit dhe të besimit, përveç nëse Allahu dëshiron të pastrojë ndonjërin prej tyre dhe ta udhëzojë në Islam dhe në besimin e vërtetë, për ndonjë cilësi që gjendet tek ai, përndryshe, të gjithë ata që Allahu i lë në humbje, do të marrin dënimin e merituar: poshtërimin dhe përçmimin në këtë botë, dhe dënimin e përhershëm të zjarrit në botën tjetër.

[42] Turpërim dhe përbuzje në dynja, dhe dënim në zjarrin e xhehenemit e zemërimin e Allahut në botën tjetër.

 

42. Ata janë pranues të gënjeshtrës dhe ngrënës të mëdhenj të së pandershmes (ryshfetit).[43] Nëse vijnë tek ti (për gjykim), gjyko mes tyre ose shmangiu! E, nëse u shmangesh, nuk do mund të të dëmtojnë aspak por, nëse gjykon, gjyko mes tyre me drejtësi![44] Vërtet, Allahu i do të drejtët.[45]

43. E si të drejtohen ty (o Muhamed) për t’i gjykuar, përderisa e kanë Teuratin, në të cilin gjendet gjykimi i Allahut, e më pas shmangen gjithsesi?![46] Ata assesi nuk janë besimtarë.[47]

44. Ne e kemi zbritur Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë[48]. Sipas tij, profetët e nënshtruar Allahut,[49] i gjykonin hebrenjtë, dhe po kështu vepronin edhe dijetarët e devotshëm dhe rabinët, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut dhe ishin dëshmitarë të tij.[50] Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje, dhe mos i këmbeni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! [51] Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ata janë mohuesit.[52]

45. Ne u përcaktuam atyre (jehudëve) në Teurat: jeta (shpaguhet) me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plagët shpaguhen në masë të njëjtë.[53] Por kushdo që e fal shpagimin si lëmoshë, kjo është falje gjynahesh për të.[54] E kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ata janë të padrejtët.[55]

-115-

_________________________________

[43] Këto janë cilësi të hebrenjve, që u përmendën edhe në ajetin para këtij.

[44] Allahu e lë të dërguarin e Tij të zgjedhë vetë nëse dëshiron të gjykojë mes ithtarëve të Librit që vijnë tek ai për gjykim mes tyre, apo të mos gjykojë; por nëse gjykon mes tyre, ai urdhërohet të gjykojë drejt sipas ligjit të Allahut, e nëse iu shmanget dhe nuk gjykon mes tyre, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak. Kjo, sepse ata nuk vijnë tek i Dërguari i Allahut me qëllim që ai të gjykojë drejt mes tyre dhe pastaj ata ta zbatojnë gjykimin e tij, sepse në çdo rast do të ndjekin epshet dhe interesat e tyre. Po kështu edhe të gjithë gjykatësit muslimanë tek të cilët shkojnë për gjykim njerëz jomuslimanë, u lejohet të gjykojnë mes tyre, por me kusht që të gjykojnë me drejtësi sipas ligjit të Allahut.

[45] Allahu i do ata që gjykojnë drejt në gjykimet e tyre mes njerëzve dhe që zbatojnë ligjin e Allahut (drejtësinë) që e ka shpallur në Librin e Tij dhe që ua ka zbritur të dërguarve të Tij.

[46] Si vijnë të marrin gjykimin tënd, o Muhamed, duke qenë se ata e mohojnë profetësinë tënde, ndërkohë që ata i janë shmangur gjykimit Tim që gjendet në librin e tyre, në Teurat, në librin që i kemi shpallur Musait, profetësinë e të cilit ata e pranojnë?!

[47] Hebrenjtë shpresonin të merrnin nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) një gjykim që i përputhej epsheve të tyre në lidhje me çështjen e kurvërisë, megjithëse e kishin shumë të qartë në Teurat, në librin që Allahu ia kishte zbritur Musait (alejhis selam) dhe të cilin ata e besonin dhe pretendonin se e ndiqnin, por kur ai u dha gjykimin e Allahut të njëjtë me atë që gjendej në Teurat, ata iu shmangën, si gjykimit të Muhamedit ashtu edhe gjykimit që e kishin në Teurat, e kjo vepër nuk del nga besimtarët dhe as kjo rrugë nuk është rruga e besimtarëve, prandaj në fund të ajetit thuhet se ata nuk janë besimtarë.

[48] Allahu i shpalli Musait (alejhis selam) Teuratin, në të cilin kishte udhëzim në rrugën e drejtë të Allahut dhe dritë për t’u ndriçuar në errrësirën e mosbesimit, injorancës, dyshimit dhe epsheve.

[49] Të gjithë profetët që erdhën pas Musait, i gjykonin bijtë e Israilit sipas ligjit të Allahut të shpallur në Teurat. Madje edhe i Dërguari ynë, Muhamedi, në çështjen e gurëzimit të imoralëve, gjykoi mes tyre sipas ligjit të Allahut të shpallur në Teurat dhe në Kuran gjithashtu.

[50] Dijetarëve dhe rabinëve iu qe besuar ruajtja e Librit të Allahut, Teuratit, nga ndryshimet, shtesa apo heqja në të, si dhe ishin urdhëruar të mos e fshihnin atë, por të ishin dëshmitarë të drejtë të tij.

[51] Ajeti i drejtohet së pari dijetarëve dhe rabinëve hebrenj që ishin prezent në kohën e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), duke i kujtuar atyre detyrën që iu ishte ngarkuar për ruajtjen e Librit të Allahut nga devijimi dhe gjykimin sipas tij pa fshehur asgjë, kështu që të gjykonin sipas ligjit të Allahut në Teurat në lidhje me ndëshkimin e atyre që bëjnë kurvëri dhe të mos e fshehin atë nga frika prej njerëzve, apo për ndonjë interes a përfitim të ulët të kësaj bote. Megjithatë, në kuptimin e përgjithshëm të ajetit përfshihen të gjithë dijetarët që kanë mbi supet e tyre dijen dhe fenë e Allahut, të cilën duhet t’iua mësojnë njerëzve ashtu si e ka shpallur Allahu dhe ta praktikojnë vetë gjithashtu.

[52] Gjykimi me ligj tjetër nga ai që ka shpallur Allahu është prej veprave të kufrit (mohimit të Allahut), që mund të jetë kufër i madh që të nxjerr nga Islami, dhe kjo është në rastin kur e mohon ligjin e Allahut apo beson se lejohet të gjykosh me ligj tjetër përveç ligjit të Allahut; por mund të jetë edhe mëkat i madh dhe vepër kufri, autori i të cilit meriton ndëshkimin e Allahut. [Es Seadi]. Kurse Taberiu, në Tefsirin e tij, në lidhje me këtë ajet dhe dy ajetet e mëpasshme “ata janë të padrejtët (45)” dhe “ata janë të shthururit (47)”, përmend pesë mendime të dijetarëve: 1. Janë për qëllim hebrenjtë, të cilët shtrembëruan Librin e Allahut dhe ndryshuan ligjin e Tij (si në çështjen e ndëshkimit të imoralit). 2. Në ajetin e parë “mohuesit” i drejtohet muslimanëve, “të padrejtët” i drejtohet hebrenjve dhe “të shthururit” i drejtohet të krishterëve. 3. Me këëto ajete është për qëllim kufri i vogël që nuk të nxjerr nga Islami, padrejtësia që nuk të nxjerr nga Islami dhe shthurja që nuk të nxjerr nga Islami. Kjo është përcjellë edhe nga Ibën Abasi e të tjerë. 4. Këto ajete kanë zbritur për ithatërt e Librit por në to përfshihen të gjithë njerëzit, muslimanë e jomuslimanë. 5. Mohues janë ata që e mohojnë ligjin e Allahut, kurse të padrejtë dhe të shthurur janë ata që e pohojnë ligjin e Allahut por veprojnë në kundërshtim me të për ndonjë interes apo përfitim personal duke ndjekur epshet e tyre. Pas renditjes së këtyre fjalëve dhe transmetimeve të atyre që i thonë ato, Taberiu thotë: Fjala më e saktë, sipas mendimit tim, është fjala e atyre që thonë se këto ajete kanë zbritur në lidhje me mohuesit prej ithtarëve të Librit, sepse ajetet para dhe pas këtyre flasin pikërisht për ta. Nëse dikush thotë: “Ajetet flasin në përgjithësi për të gjithë ata që nuk gjykojnë me atë që ka zbritur Allahu, atëherë si i kufizon ato për një grup të veçantë njerëzish?” I thuhet: “Allahu i Madhëruar ka përgjithësuar në këtë gjykim njerëzit e një populli që e mohuan gjykimin e Allahut në librin e Tij, dhe njofton se ata u bënë mohues me lënien e tyre ligjin e Allahut me atë mënyrë që ata e lanë atë, dhe ky përfundim vlen për të gjithë ata që nuk gjykojnë me atë që ka zbritur Allahu duke e mohuar atë, padyshim se ata janë mohues (të dalë nga Islami), siç ka thënë edhe Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sepse në këtë rast , mohimi i ligjit të Allahut pasi e ka mësuar se ai është ligji i Allahut që e ka shpallur në Librin e Tij, është njësoj si mohimi i profetësisë së Muhamedit pasi e mëson se ai është i Dërguar i Allahut.”

[53] Kjo ishte masa e shpagimit dhe hakmarrjes e përcaktuar në Teurat: kush vret padrejtësisht dhe me qëllim, vritet, dhe kush plagos, plagoset në të njëjtën masë. Ky ligj i Allahut ishte për të gjithë njerëzit pa përjashtim, por si zakonisht, hebrenjtë edhe kësaj rradhe e shtrembëruan atë ligj duke e praktikuar vetëm ndaj më të dobtëve të tyre, kurse ndaj të fortëve dhe parisë, nuk e praktikonin, prandaj edhe Allahu thotë në fund të ajetit se: kush nuk gjykon me ligjin e Allahut, ata janë të padrejtët në veprën dhe gjykimin e tyre, të devijuar nga ligji i Allahut.

[54] Ligji i shpagimit apo i hakmarrjes tek hebrenjtë ishte vetëm shpagimi në të njëtën masë ose falja krejtësisht e hakmarrjes kundrejt asgjëje. Kurse me ardhjen e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), i cili erdhi me lehtësim për njerëzit nga ato barra që iu ishin ngarkuar bijve të Israilit si pasojë e veprave të tyre, në ligjin e hakmarrjes u shtua edhe shpagimi me vlerë materiale, dhe kështu, njerëzit e të vrarit kanë të drejtë të hakmerren duke marrë gjakun e njeriut të tyre të vrarë me paramendim dhe padrejtësisht, ose të pranojnë vlerën e përcaktuar material që quhet “ed dijeh” dhe që është 100 deve.

[55] Të devijuarit nga ligji dhe rruga e drejtë e Allahut. Padrejtësia në këtë rast mund të jetë e madhe që arrin deri në dalje nga feja e Allahut, dhe mund të jetë mëkat i madh, siç e pamë në sqarimet e ajetit para këtij.

 

46. Në pasim të gjurmëve të tyre (profetëve), Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij[56], dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin kishte udhëzim dhe dritë,[57] si vërtetues të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhëzim e këshillë për të devotshmit.[58]

47. Pra, le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit sipas asaj që ka shpallur Allahu në të (Ungjill),[59] e kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ata janë të pabindurit.[60]

48. Pastaj të zbritëm ty (o Muhamed) Librin (Kuranin) me të vërtetën[61], si vërtetues të shkrimeve të mëparshme dhe mbikëqyrës të tyre.[62] Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke iu shmangur të Vërtetës që të është shpallur.[63] Për secilin prej jush[64], Ne caktuam ligj dhe rrugë të qartë.[65] Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë[66], andaj bëni garë për punë të mira![67] Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju njoftojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti. [68]

49. Pra, gjykoji ata sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre![69] Dhe bëj kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata i kthejnë kurrizin gjykimit tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të shthurur.[70]

50. A mos kërkojnë ata gjykimin e kohës së injorancës (paganizmit paraislamik)?! E ku ka gjykim më të mirë se ai i Allahut për një popull që beson bindshëm?[71]

-116-

_______________________________________

[56] Teurati ishte Libri që Allahu i shpalli Musait, e Isai e vërtetonte këtë gjë dhe gjykonte sipas Teuratit, me përjashtim të disa ligjeve me natyrë lehtësuese që Allahu i zbriti atij si mëshirë për njerëzit, dhe këto ligje lehtësuese gjenden kryesisht në Ungjill, plotësuesin e Teuratit, vërtetuesin e tij si Fjalë të Zotit dhe lehtësuesin e disa ligjeve që iu ishin ngarkuar hebrenjve si ndëshkim për veprat e tyre.

[57] Në Ungjill kishte sqarim të ligjeve që njerëzit në kohën e Isait (alejhis selam) nuk i njihnin, dhe ndriçim të errësirës së injorancës dhe mosbesimit.

[58] Sepse vetëm ata që i binden Allahut me devocion, ata e ndjekin udhëzimin e Tij dhe marrin mësim nga këshillat e Tij.

[59] Ithtarët e Ungjillit, të krishterët ishin të urdhëruar që të gjykonin sipas Ungjillit, deri sa të shpallej Kurani, sepse kur të shpallej Kurani, ata urdhëroheshin në Ungjill që ta besonin dhe ta ndiqnin atë, ashtu si edhe hebrenjtë ishin urdhëruar me të njëjtën gjë në Teurat.

[60] Të dalët nga bindja ndaj Allahut dhe urdhrat që i gjejnë në Librin e Tij. Shih sqarimin e ajetit 44 për kuptim sa më të plotë të ajetit.

[61] Kurani ka zbritur nga Allahu me të vërtetën, gjithçka që thuhet në të është e vërtetë dhe ai nuk përmban asnjë të pavërtetë. Nuk ka dyshim se ai është nga Allahu, dhe ai ndan të vërtetën nga e pavërteta në shkrimet që ithtarët e Librit kishin në duart e tyre dhe në të cilat kishin përzierë të vërtetën me të pavërtetën.

[62] Allahu e zbriti Kuranin si vërtetues të Librave të mëparshëm dhe mbikëqyrës mbi ta, dëshmues dhe ruajtës të origjinalitetit të tyre, d.m.th. të asaj që është shpallur vërtet nga Allahu prej Librave qiellor para Kuranit, gjë të cilën Kurani e përfshin në vargjet e tij dhe zbardh të vërtetën në lidhje me shtrembërimet që ka bërë dora e njeriut, prej hebrenjve dhe të krishterëve, në librat qiellor.

[63] Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), që nëse gjykon mes ithtarëve të Librit dhe çdokujt tjetër prej mohuesve e idhujtarëve që vijnë tek ai për gjykim, të gjykojë me drejtësinë që i ka shpallur Allahu në Kuran dhe të mos ndjekë dëshirat dhe interesat e tyre.

[64] Për secilin popull, prej ithtarëve të Librit dhe muslimanëve.

[65] Të gjithë të dërguarit e Allahut kanë ardhur me të njëjtën fe dhe të njëjtat baza të besimit, dhe kjo nuk bie ndesh me faktin se disa dispozita dhe ligje të posaçme që u janë shpallur të dërguarve të ndryshëm të ndryshojnë nga njëri-tjetri si sprovë për njerëzit dhe ne përshtatje me kohën apo vendin e secilit prej tyre. Kështu, nuk është kusht që të gjitha dispozitat juridike të Kuranit të jenë të njëjta me ato të Teuratit apo të Inxhilit dhe anasjelltas, por bazat e besimit janë të njëjta dhe të pandryshueshme.

[66] Sikur të donte Allahu, të gjitha ligjet e shpallura të dërguarve të ndryshëm mund t’i bënte të njëjta për të gjithë, por Ai vepron me urtësinë e Tij si të dëshirojë, dhe i sprovon njerëzit në bindjen ndaj Tij dhe të Dërguarve të Tij me çfarë të dëshirojë, pa iu bërë atyre padrejtësinë më të vogël.

[67] Për çdo punë të mirë që ka urdhëruar Allahu dhe duke iu larguar çdo ndalese të Allahut, qoftë kundrejt Allahut apo kundrejt krijesave të tij duke i dhënë secilit hakun që i takon dhe duke mos iu futur askujt në hak.

[68] Të gjithë popujt e hershëm e të mëvonshëm do të kthehen tek Allahu dhe do të japin llogari për veprat e tyre dhe nëse i janë bindur apo jo ligjeve të Allahut që i kishin në Librat e shpallur nga Ai. Atje do të mësojnë se kush ka qenë në të drejtë dhe kush në të gabuar, dhe secili do të marrë shpërblimin që meriton.

[69] Përsëritet ndalesa nga ndjekia e dëshirave të ithtarëve të Librit për të zmadhuar rrezikun e saj.

[70] Shumë prej hebrenjve në veçanti dhe prej njerzve në përgjithësi nuk e zbatojnë atë që thuhet në Librin e Allahut dhe dalin nga bindja ndaj Tij, e si pasojë e veprave të tyre të këqia pësojnë ndëshkim në këtë botë para botës tjetër.

[71] Cili gjykim dhe ligj është më i mirë se ai i Allahut për një popull që beson bindshëm dhe me dije të plotë se Allahu është Një, nëse O ithatrë të Librit, jeni vërtët njësues të Tij?

 

51. O besimtarë! Mos i bëni miq as hebrenjtë as të krishterët! Ata janë miq të njëri-tjetrit. Kushdo prej jush që i bën ata miq, ai është prej tyre.[72] Vërtet, Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit e padrejtë.[73]

52. I sheh disa që kanë sëmundje[74] në zemrat e tyre, se si vrapojnë për t’u miqësuar me ata (hebrenjtë), duke thënë: “Druajmë se mos na vijnë kohë të këqia”.[75] Por ndoshta Allahu do të sjellë fitoren[76] ose diçka tjetër nga ana e Tij (për muslimanët), kështu që ata do të pendohen për atë që kanë fshehur në veten e tyre.[77]

53. Atëherë besimtarët do të thonë: “Vallë, këta janë ata që betoheshin solemnisht për Allahun, se me të vërtetë ishin me ju[78]?!” Veprat e tyre do të fshihen dhe ata do të jenë të humburit.[79]

54. O besimtarë[80]! Kushdo prej jush që braktis fenë e vet,[81] ta dijë se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të butë me besimtarët dhe të ashpër me mohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben kërcënimit të asnjë kërcënuesi.[82] Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh, i Gjithëditur.[83]

55. Miku dhe mbrojtësi juaj është vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zeqatin, duke qenë të përulur.[84]

56. E ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, pa dyshim se pala e Allahut do të jetë ngadhënjyese.[85]

57. O besimtarë! Mos i bëni miq ata që fenë tuaj e marrin për tallje dhe lojë, qofshin ata prej atyre që u është dhënë Libri para jush apo prej mohuesve; frikësojuni Allahut, nëse jeni besimtarë![86]

-117-

__________________________________

[72] Allahu i Madhëruar, pasi përshkruan cilësitë e hebrenjve dhe të krishterëve në ajetet e mësipërme, i udhëzon robët e Tij besimtarë që të mos i marrin ata për miq e përkrahës kundër muslimanëve, sepse ata janë miq vetëm të njëri-tjetrit: hebrenjtë miq të hebrenjve dhe të krishterët miq të krishterëve, dhe bashkohen së bashku kur vjen rasti kundër muslimanëve, madje nuk kursejnë asgjë për t’i larguar ata nga feja e Allahut. Nuk i bën miq hebrenjtë dhe të krishterët veçse dikush që është si ata sepse miqësia e plotë do të thotë kalim në fenë e tyre, kurse miqësia e pakët të tërheq tek e shumta dhe më pas bëhesh gradualisht si ata. Gjithësesi, muslimani duhet të bëjë dallim mes miqësisë dhe dashurisë për hebrenjte apo të krishterët, gjë që nuk lejohet sepse ka lidhje me fenë, dhe mes marrëdhënieve ekonomike apo shoqërore që kanë të bëjnë me dynjanë, gjë që Islami e lejon dhe urdhëron që muslimanët të jenë të drejtë dhe të veshur me moralet Islame kundrejt çdokujt me të cilin kanë marrëdhënie dynjaje të çfarëdo lloji.

[73] Allahu nuk i jep sukses në udhëzimin e drejtë atyre që e vendosin miqësinë jo në vendin e saj, duke i bërë për miq hebrenjtë apo të krishterët të cilët i kanë shpallur armiqësi Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve.

[74] Sëmundje hipokrizie, dyshimi dhe besimi të dobët.

[75] Se ndoshta rrotullohen gjërat dhe vjen një kohë që hebrenjtë apo të krishterët arrijnë ndonjë fitore ose nëse ju vjen ndonjë sulm i jashtëm apo fatkeqësi tjetër dhe këta hipokritë nuk kanë kujt t’i kërkojnë mbrojtje.

[76] Çlirimin e Mekës apo çdo lloj triumfi tjetër të muslimanëve kundër armiqve të tyre.

[77] Sepse atëherë do të shohin se kanë humbur vërtet gjithçka të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[78] Besimtarët do të shohin të habitur përfundimin në këtë botë dhe në botën tjetër të hipokritëve që betoheshin rrejshëm me betime solemne sikur ishin në anën e besimtarëve, ndërkohë që ata ishin në anën e armikut.

[79] Veprat e mira sipërfaqësore që ata bënë në sy të besimtarëve do të fshihen për shkak se ata e shitën botën tjetër për këtë botë dhe ata do të jenë humbësit e vërtetë të kësaj bote dhe të botës tjetër.

[80] Që besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[81] Fenë e vërtetë të Allahut, Islamin. Kushdo që e braktis Islamin, nuk i bën dën veçse vetvetes, sepse Allahu nuk ia ka nevojën askujt dhe Atij nuk i bëhet asnjë lloj dëmi.

[82] Allahu i paralajmëron besimtarët me besim të luhatshëm, për dezertimin nga Islami pas vdekjes së të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), siç ndodhi vërtetë me disa njerëz të fshatrave dhe beduinë, dhe historia tregon se Allahu solli në vend të tyre besimtarë të devotshëm dhe me të gjitha cilësitë dhe virtytet me të cilat Allahu i përshkruan ata në ajet. Në shumë transmetime dhe komentime të dijetarëve thuhet se këta besimtarë me këto cilësi janë Ebu Bekri dhe shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, të cilët i luftuan dezertorët deri sa ata u rikthyen në Islam.

[83] Allahu i jep sa të dojë dhe kujt të dojë prej të dashurve të Tij besimtarë, dhe Ai e di mirë se kush e meriton mirësinë dhe bujarinë e Tij e kush jo, si dhe sasinë e përshtatshme e të dobishme të secilit.

[84] Miqtë e vërtetë dhe të vetëm të besimtarëve muslimanë janë Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët e sinqertë, dhe nuk janë as hebrenjtë, as të krishterët dhe askush tjetër. Pra, çështja e miqësisë dhe përkrahjes është e një rëndësie serioze dhe të rrezikshme, sepse sipas saj vendosesh në krahun me të cilin je në të vërtetë, kështu që besimtari musliman duhet të marrë për miq, përkrahës e mbrotjës vetëm ata që ka urdhëruar Allahut dhe jo ata që Allahu ka ndaluar të merren për miq.

[85] Ata që kanë mik Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, këta janë pala e Allahut dhe e kundërta e palës së shejtanit, dhe padyshim se pala e Allahut është ngadhënjyese.

[86] Allahu i ndalon robët e Tij besimtarë nga marrja për mik e hebrenjve, të krishterëve dhe mohuesve të ndryshëm, duke i dashur ata, duke i ndihmuar në ndonjë çështje që është në dëm të Islamit dhe muslimanëve apo duke u zbuluar të fshehtat e muslimanëve. E këtë gjë nuk e bëjnë vetëm se besimtarët e vërtetë, ata të cilët i frikësohen Allahut dhe i binden urdhrave të Tij.

 

58. Edhe kur thërrisni për namaz (ezanin), ata e marrin atë për tallje dhe lojë, sepse janë njerëz që nuk kuptojnë.[87]

59. Thuaju: “O ithtarët e Librit! A na urreni për gjë tjetër, përveç asaj se besojmë Allahun, shpalljet që na janë zbritur neve dhe ato qe janë zbritur më parë, kurse shumica prej jush janë të pabindur ndaj Allahut?”[88]

60. Thuaju (gjithashtu): “A t’ju tregoj një dënim më të rëndë se ky[89] tek Allahu? Mallkimi i atyre që Allahu i ka mallkuar, me të cilët është zemëruar dhe disa prej të cilëve i ka shndërruar në majmunë dhe derra, si dhe ata që adhurojnë djallin. Ata janë në vendin më të mjerueshëm dhe më larg rrugës së vërtetë”.

61. Kur vijnë te ju, thonë: “Besojmë”. Por në të vërtetë, ata me mosbesim hyjnë e me mosbesim dalin! Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.[90]

62. Ti i sheh shumë prej tyre[91] të nxitojnë drejt gjynahut[92], tejkalimit të kufijve (të Allahut) dhe ngrënies së haramit[93]. Njëmend, sa të këqija janë ato që veprojnë![94]

63. Përse rabinët dhe dijetarët nuk i ndalojnë ata nga fjalët e paligjshme[95] dhe ngrënia e haramit? Njëmend, sa e keqe është vepra e tyre![96]

64. Hebrenjtë thanë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.”[97] Iu lidhshin duart[98] atyre dhe qofshin të mallkuar[99] për atë që thanë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura e Ai jep si të dojë.[100] Kjo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt,[101] me siguri që shumë prej tyre do t’ua shtojë teprimin[102] dhe mohimin[103]. Ne kemi hedhur midis tyre[104] armiqësinë dhe urrejtjen deri në Ditën e Kiametit[105]. Sa herë që ata ndezin zjarrin e luftës,[106] Allahu e shuan atë.[107] Ata përpiqen për shkatërrime në Tokë, por Allahu nuk i do shkatërrimtarët.[108]

-118-

____________________________________

[87] Sepse nuk e njohin Zotin dhe nuk e kuptojnë se çfarë të mire kanë nëse i përgjigjen thirrjes për namaz dhe çfarë e keqe i pret nëse tallen me të, përndryshe nuk do e bënin këtë gjë.

[88] Disa prej hebrenjve shkuan tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe e pyetën: “ Cilët janë të dërguarit e Zotit qe ti beson?” Ai u përgjigj: “Besoj në Allahun, në atë që na është shpallur neve dhe në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve, si dhe atë që i është dhënë Musait dhe Isait, dhe atë që i është dhënë të gjithë të Dërguarve nga Zoti i tyre, pa bërë asnjë dallim mes tyre. Ne i jemi nënshtruar plotësisht Allahut.”Kur përmendi Isan (Mesihun), ata e mohuan profetësinë e tij dhe thanë: “Ne nuk besojmë në atë që beson ti (Isanë – Mesihun). Në atë çast, Allahu i shpall të Dërguarit të Tij këtë ajet. [Taberiu]. Në një transmetim tjetër thuhet se ata thanë: “Pasha Zotin! Nuk dim të ketë popull të ndonjë feje më të pafat se ju në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe as fe më të keqe se feja juaj!” Atëherë Allahu zbriti këtë ajet ku thuhet se feja jonë dhe besimi ynë është pikërisht ky, që është besimi i drejtë e i vërtetë, por jeni ju ata që keni devijuar dhe keni dalë nga rruga e Zotit, ne kërkim të dynjasë dhe pushtetit në të, prandaj edhe na urreni e na sulmoni. Megjithatë, jo të gjithë ithatërt e Librit janë kështu, sepse ka prej tyre që e besuan dhe vazhdojnë ta besojnë Muhamedin menjëherë sa mësojnë për të.

[89] Për të cilën na tallni, apo që thoni se kemi fenë më të keqe në tokë! E supozojmë se është ashtu si thoni ju, por e keqja juaj është më e madhe se kjo dhe dënimi juaj do të jetë dënimi më i madh që ekziston! Atëherë kush meriton të jetë i talluri: ne apo ju?!

[90] Në zemrat e tyre prej hipokrizisë dhe mosbesimit, prej intrigave dhe devijimit nga rruga e drejtë, kështu që do u japë ndëshkimin që meritojnë.

[91] Prej hebrenjve, e veçanërisht gjykatësit prej tyre.

[92] Mëkatit dhe mohimit.

[93] Pasurinë e paligjshme si: ryshfeti, etj.

[94] Ata janë të prirë për të këqija, kështu që si tallen me muslimanët dhe pretendojnë se janë të mirë?! Padyshim se ata janë sprovë për njerëzit në tokë dhe djaj prej njerëzve ashtu siç është Iblisi djall prej xhinëve! Prandaj muslimanët i luten Allahut në suren el Fatiha që të mos ndjekin rrugën e tyre e të mos veshen me asnjë prej cilësive të tyre.

[95] Gënjeshtrat dhe betimet e rreme në gjykimet e tyre mes njerëzve, duke lënë mënjanë Ligjin e Allahut në Librin e tyre (Teurat dhe Inxhil), dhe duke gënjyer për Allahun (duke thënë se gjykimi i tyre është gjykimi i caktuar nga Allahu në Libër). E gjitha kjo për disa fitime të dynjasë. Po kështu ngrënia e haramit dhe marrja e ryshfetit ishte një krim tjetër i rëndë që ata bënin.

[96] Krimi i parisë fetare të tyre është edhe më i madh, sepse mosndalimi i njerëzve nga e keqja që këta e dinë është krim i ndërtuar mbi dije dhe mosndalimi është lënie e detyrës dhe dezertim.

[97] Hebrenjtë nuk kanë lënë fjalën më të keqe dhe blasfeminë më të madhe për Allahun veçse e kanë thënë, dhe këtu thonë se Allahu është dorështrënguar, ndërkohë që Allahu është Bujari më i madh dhe bujaria është atribut absolut i Tij. Në të vërtetë kopracia është cilësi dalluese e vetë hebrenjve, si mallkim kundër tyre për shkak të fjalës së rëndë e të padrejtë që thanë për Allahun.

[98] Iu lidhshin duart nga kryerja e veprave të mira, mosbëfshin bamirësi apo hajër!

[99] Mallkimi është largimi nga mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij.

[100] Allahu është Bujari më i madh. Ai i mban krijesat e Tij dhe Ai i furnzion ato. Ai i jep kujt të dojë me tepricë nga mirësia e Tij dhe i ndalon kujt të dojë me urtësinë e Tij. Gjithçka shkon sipas një Ligji universal preciz të vendosur nga Allahu, i Gjithëdijshmi, i Urti. Ajeti tregon gjithashtu se Allahu ka dy duar, dhe ato janë cilësi e Tij, por duart e Tij nuk i ngjajnë duarve të njerëzve apo të ndonjë krijese tjetër, sepse Ai ka cilësitë më të larta dhe askush e asgjë nuk i përngjet Atij.

[101] Kurani në përgjithësi dhe këto sekrete që dijetarët dhe paria e beni israilëve i mbanin të fshehta në veçanti.

[102] Teprimin në mohimin e profetësisë së Muhamedit megjithëse e dinë shumë mirë vërtetësinë e saj.

[103] Mohimin e madhështisë së Allahut dhe cilësimin e Tij me cilësi nga të cilat ai është i pastër dhe larg tyre, siç e cilësuan atë me kopraci.

[104] Hebrenjve dhe të krishterëve.

[105] Prandaj ata kurrë nuk e duan njëri-tjetrin dhe kurrë nuk bashkohen në një mendje, përveç ndonjë bashkimi sipërfaqësor për interesa të përbashkëta.

[106] Duke ngritur kurthe të njëpasnjëshme kundër Islamit dhe muslimanëve, madje kundër gjithë njerëzimit.

[107] Allahu ua prish kurthet dhe atyre nuk u realizohet asnjë qëllim, por dështojnë në gjithçka. Ky është përfundimi i tyre sa herë që ndezin zjarrin e luftës dhe fusin përçarje mes popujve, dështimi dhe përçmimi, e megjithatë ata fillojnë nga e para dhe vazhdojnë me ngritjen e kurtheve megjithëse e dinë se nuk do të kenë kurrë sukses deri në ditën e Kiametit. Vërtet, ata janë e keqja në tokë që kërkon të luftojë të mirën, por e mira triumfon gjithnjë në fund, sepse e mira është pala e Allahut.

[108] Hebrenjtë prishin në tokë,shkelin ligjet e Allahut, mohojnë provat e Tij, përgënjeshtrojnë të dërguarit e Tij, kundërshtojnë urdhrat dhe ndalesat e Tij, por Allahu nuk i do këto gjëra në tokën e Tij kështu që do u japë atyre dënimin që meritojnë për veprat e tyre.

 

65. Sikur ithtarët e Librit të besonin[109] dhe të ruheshin[110], Ne do t’ua shlyenim veprat e këqija dhe do t’i fusnim në kopshtet e lumturisë.[111]

66. Sikur ata t’i përmbaheshin Teuratit e Inxhilit dhe asaj që u është shpallur nga Zoti i tyre,[112] ata do të furnizoheshin nga lartë dhe nga poshtë tyre[113]. Disa prej tyre janë të matur,[114] por veprat e shumë prej tyre janë të këqija.[115]

67. O i Dërguar! Komunikoje atë që të shpallet nga Zoti yt![116] Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij[117]; Allahu të ruan ty prej njerëzve.[118] Natyrisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit mohues.[119]

68. Thuaj (O Muhamed): “O ithtarët e Librit! Nuk do të jeni në asgjë,[120] derisa t’i përmbaheni Teuratit e Inxhilit dhe asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj.[121] Kjo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt,[122] me siguri që shumë prej tyre do t’ua shtojë teprimin[123] dhe mohimin[124]. Por ti mos u hidhëro për popullin mohues.[125]

69. Padyshim, ata që besojnë[126], hebrenjtë, të krishterët dhe sabinët[127]- kushdo prej tyre që beson Allahun dhe Ditën e Fundit (sipas Kuranit) dhe bën vepra të mira (sipas Islamit), nuk do të ketë frikë dhe nuk do të pikëllohet.[128]

70. Vërtet, Ne u morëm besën bijve të Izraelit dhe u dërguam atyre të dërguar.[129] Por, sa herë që u vinte ndonjë i dërguar me diçka që nuk i përshtatej dëshirave të tyre, ata ose e përgënjeshtronin, ose e vrisnin.[130]

-119-

_____________________________________

[109] Të besonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem) dhe të ndiqnin atë që iu shpall atij nga Allahu (Kuranin dhe Sunetin).

[110] Nga mohimi i Allahut dhe nga gjithçka që Allahu ua ndaloi.

[111] Megjithë përmendjen e veprave negative të hebrenjve dhe nxjerjen në pah të palarat e tyre, Allahu me bujarinë e Vet ua jep rastin gjithësesi për t’u penduar dhe për t’u kthyer nga rruga e tyre sa do të këqia të kenë bërë, mjafton të pendohen sa të jenë gjallë në këtë jetë dhe Allahu do ua falë gjithçka të keqe e do i fusë në kopshte të begata, në xhenet, ku do të jetojnë të lumtur përgjithmonë. Por sa prej tyre e bëjnë këtë?!

[112] Për profetësinë e Muhamedit. Pra, sikur hebrenjtë dhe të krishterët t’i përmbaheshin Teuratit (Toras) e Inxhilit (Ungjillit) dhe asaj që Allahu u shpalli atyre në këto Libra për profetësinë e Muhamedit -siç është shpallur në Teurat me të njëjtin emër-, apo Ahmedit –siç është shpallur në Inxhil dhe me të cilin është për qëllim Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), do të kishin shpërblimin e përmendur në vazhdim të ajetit.

[113] Nga qielli dhe nga toka, me ujin dhe begatinë e qiellit dhe prodhimet e begatitë e tokës.

[114] Të përmbajtur para blasfemisë dhe gjynaheve; të matur në fjalën për Mesihun, Isanë, të birin e Merjemes, duke mos e quajtur Zot apo bir të Zotit, por rob të Zotit dhe të dërguar të Tij.

[115] Sepse mohojnë Allahun dhe të Dërguarit e Tij; të krishterët mohuan profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe thanë se Mesihu është biri i Allahut, kurse hebrenjtë mohuan profetësinë e Isait dhe të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dy ata!).

[116] Kuranin dhe Sunetin, si dhe gjithçka që Allahu të ka shpallur në lidhje me zbulimin e sekreteve të hebrenjve dhe të krishterëve që përmenden në këtë sure dhe në sure të tjera të Kuranit.

[117] E padyshim se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi shpalljen të plotë, e përmbushi amanetin dhe e këshilloi ymetin musliman e mbarë njerëzimin.

[118] Prandaj mos ju frikëso numrit dhe fuqisë së atyre që nuk të besojnë ty dhe numrit të vogël të besimtarëve që janë përkrah teje, sepse Allahu të ruan ty nga njerëzit dhe çdo krijesë e Tij.

[119] Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë dhe nuk i jep sukses atij që devijon nga e vërteta me vetëdije, që mohon profetësinë e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem), apo që nuk i përmbahet urdhrave dhe ndalesave të Allahut.

[120] Nga ajo që pretendoni se besoni në atë që i është shpallur Musait dhe Isait.

[121] Dalluesi i të vërtetës nga e kota – Furkani, e që është Kurani. Ai që u shpall pas Teuratit dhe Inxhilit ishte Furkani – Kurani që iu shpall Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) nga Zoti, njësoj si iu shpall Teurati Musait dhe Inxhili Isait (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!), prandaj hebrenjtë dhe të krishterët e pretendojnë kot besimin në Zot përderisa i Njëjti Zot që i ka shpallur Librat që ata besojnë, e ka shpallur edhe Kuranin, kështu që nuk mund të bëjnë dallim mes të dërguarve të Zotit duke i besuar disa e duke i përgënjeshtruar të tjerë, sepse kjo është mohim i Zotit që i ka dërguar ata. Padyshim, kush përgënjeshtron një të dërguar apo një Libër të Allahut, ai i ka përgënjeshtruar dhe mohuar të gjithë ata, dhe si rrjedhojë ka mohuar Allahun.

[122] Kurani në përgjithësi dhe këto sekrete që dijetarët dhe paria e beni israilëve i mbanin të fshehta në veçanti.

[123] Teprimin në mohimin e profetësisë së Muhamedit megjithëse e dinë shumë mirë vërtetësinë e saj.

[124] Mohimin e madhështisë së Allahut dhe cilësimin e Tij me cilësi nga të cilat ai është i pastër dhe larg tyre, siç e cilësuan atë me kopraci.

[125] Sepse ata e kanë zakon përgënjeshtrimin e profetëve, madje edhe të profetëve që janë dërguar nga vetë mesi i tyre, e jo më me ty, o Muhamed.

[126] Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, si dhe gjithçka që i është shpallur atij nga Allahu.

[127] Popull që adhuronin engjëjt.

[128] Të gjithë popujt e tjerë para ardhjes së të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kanë pasur kusht ndjekjen e të Dërguarit të tyre dhe atë që i shpallej atij nga Allahu, dhe vetëm ata që e kanë bërë këtë nuk do të kenë frikë e nuk do të pikëllohen në botën tjetër, por me ardhjen e Muhamedit, që të gjithë ata e kanë detyrim besimin në të dhe ndjekjen e tij që të mund të plotësojnë kushtin për t’u siguruar nga frika dhe pikëllimi. Shih komentin e ajetit 62 të sures El Bekare, ku flitet më gjerë rreth kësaj çështje.

[129] Allahu e përmend besën e marrë nga bijtë e Izraelit (Jakubit) për të dytën herë në këtë sure, pas përmendjes së saj në ajetin 12, përt’ua rikujtuar atyre atyre vazhdimisht atë se ndoshta kthehen në besën e dhënë, dhe për t’u thënë muslimanëve dhe të gjithë botës që të mos e harrojnë se si është ai popull i pabindur dhe të mos mashtrohen assesi prej tyre apo të bëhen si ata.

[130] Dhe në këtë mënyrë ata thyenin vazhdimisht besën e dhënë Allahut. (Shih ajetin 12 të kësaj sure).

 

71. Ata kujtuan se nuk do t’i vinte kurrfarë sprove,[131] prandaj u bënë të verbër dhe të shurdhër[132]. Pastaj, Allahu ua pranoi pendimin,[133] por më pas shumë nga ata u bënë përsëri të verbër dhe të shurdhër (ndaj së vërtetës); Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata.[134]

72. Pa dyshim, kanë mohuar (Allahun) ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”[135], ndërsa vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Israilit, adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin juaj!” Pa dyshim, kushdo që i bën Allahut shok, Allahu ia ka ndaluar Xhenetin dhe vendi i tij do të jetë Zjarri. Për të padrejtët nuk ka ndihmës.[136]

73. Pa dyshim, kanë mohuar (Allahun) edhe ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!”[137] Por, në të vërtetë, nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë![138] Kështu që, nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë[139], patjetër që mohuesit nga mesi i tyre[140] do t’i godasë dënim i dhembshëm.

74. Përse nuk kthehen me pendim tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij[141]?! Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë![142]

75. Mesihu, i biri i Merjemes, nuk është tjetër veçse i dërguar (i Allahut), para të cilit kanë kaluar edhe të dërguarit e tjerë.[143] Edhe nëna e tij nuk ka qenë veçse njeri i drejtë e i sinqertë (sidikah)[144]. Që të dy hanin ushqim (si të gjithë njerëzit)[145]. Shiko si ua sqarojmë atyre provat Tona,[146] pastaj shih se si i kthejnë shpinën[147]!

76. Thuaju (o Muhamed)[148]: “A adhuroni përveç Allahut atë që nuk është në gjendje t’ju sjellë as dëm e as dobi, ndërkohë që Allahu është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi?!”.[149]

-120-

____________________________________

[131] Kur bijtë e Israilit thyen besën dhe bënë ato që bënë, kujtuan se nuk do iu vinte asnjë sprovë për të provuar mbajtjen e besës së tyre, apo ndonjë ndëshkim nga Allahu si rezultat i veprave të tyre.

[132] Përballë të vërtetës dhe mbajtjes së besës së dhënë.

[133] Kur iu erdhën sprovat e ndryshme, ata u penduan për një farë kohe për veprat e tyre të këqija dhe Allahu iua pranoi pendimin.

[134] Dhe do i japë shpërblimin e merituar për të gjitha veprat e tyre; të mirat me të mirë dhe të këqijat me të keqe.

[135] Këtë e thotë sekti i krishter i qujtur Yakubieh apo Yacoubiyah.

[136] Që t’i ndihmojnë e t’i shpëtojnë në ditën e Kiametit nga Allahu dhe ndëshkimi i Tij.

[137] Siç thotë dhe beson shumica e të krishterëve.

[138] Nuk ekziston Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç një Zoti të Vetëm, të Pashoq, që nuk është i lindur, nuk ka lindur fëmijë dhe nuk ka bashkëshorte, sepse nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por gjithçka që ekziston, ekziston prej Tij dhe ka nevojë për Të. I Lartësuar është Allahu dhe i Pastër nga çdo e metë e mangësi.

[139] Si ata të fjalës së parë se “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes”, edhe këta të fjalës së dytë “Allahu është njëri prej Trinisë”.

[140] Mohues janë të gjithë ata që i thotë këto fjalë prej bijve të Israilit, të krishterëve apo prej çdo populli tjetër, sepse vetë këto fjalë janë blasfemi, mohim i Allahut dhe shokvënie Atij.

[141] Për ato që thanë duke e mohuar Atë.

[142] Dera e Allahut është gjithnjë e hapur për çdokënd që i kthehet Atij me pendim, qoftë edhe nëse ka thënë apo ka bërë të keqen dhe blasfeminë më të madhe, sepse Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë me robët e Tij që kthehen tek Ai me pendim e kërkim të faljes për veprat e tyre të këqia.

[143] Dhe nuk është as Zot, as bir i Zotit. Kjo është e vërteta dhe besimi i drejtë, prandaj pendohuni dhe kthehuni tek e vërteta, o ju që e thoni atë fjalë dhe që e besoni atë.

[144] Grada më e lartë që arrin njeriu në këtë botë, pas gradës së profetësisë, është ajo e sinqeritetit më të lartë dhe veprimit të drejtë (sidik); arritja i dijes së sigurtë, bindjes së plotë dhe kryerja e veprave të mira; dhe Merjemja e arriti këtë gradë e nuk ka nder më të madh se ky për të, por jo më shumë se kaq, që do të thotë se ajo nuk ishte e dërguar e Zotit si biri i saj, e jo më që të ishte pjesë e Trinitetit të trilluar që ata pretendojnë. Me këto prova reale dhe logjike, Allahu i lehtëson rrugën e pendimit atyre që kanë humbur rrugë dhe janë larguar nga e vërteta.

[145] Që do të thotë se ishin të nevojshëm për ngrënie e pirje, e për të gjitha nevojat jetike të njerëzve, sepse ishin vetëm njerëz të Zotit.

[146] Që vërtetojnë pavërtetësinë e fjalëve të tyre të mësipërme.

[147] Të vërtetës dhe provave Tona, duke vazhduar me kokëfortësi në humbjen dhe devijimin e tyre.

[148] Këtyre mohuesve të krishterë që thonë ato fjalë mohimi që u përmendën më sipër.

[149] Prandaj vetëm Allahun adhuroni dhe vetëm prej Tij kërkoni, sepse vetëm Ai dëgjon dhe di hollësisht gjithçka për ju dhe vetëm Ai ka fuqi të plotë për gjithçka që ju dhe të gjitha krijesat keni nevojë.

 

77. Thuaju: “O ithtarët e Librit![150] Mos e teproni në fenë tuaj[151] e të dilni nga e vërteta[152] dhe mos ndiqni dëshirat e një populli që ka humbur më parë[153], që ka çuar në humbje shumë njerëz dhe që e kanë humbur krejtësisht rrugën e drejtë.”[154]

78. Ata që mohuan prej bijve të Israilit[155], u mallkuan nga gjuha e Dautit dhe e Isait, birit të Merjemes, për shkak se kundërshtuan dhe shkelnin çdo kufi.[156]

79. Nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga veprat e këqija që bënin.[157] Vërtet, nuk ka më të shëmtuar se vepra që bënin ata!

80. Ti i sheh shumë prej tyre të miqësohen me mohuesit.[158] Vërtet, nuk ka më të keqe se ajo që i përgatisin ata vetes:[159] që Allahu të jetë i zemëruar me ta dhe të mbesin në dënim përgjithmonë.[160]

81. Sikur ata[161] t’i besonin Allahut, të Dërguarit (Muhamedit) dhe asaj që iu shpall atij,[162] nuk do t’i merrnin mohuesit për miq, por shumica prej tyre janë të pabindur.[163] * [Këtu mbaron xhuzi i gjashtë]

82. Do të vëresh se njerëzit me armiqësi më të fortë kundër besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët,[164] kurse njerëzit më afër përzemërsisë ndaj tyre janë ata që thonë: “Ne jemi Nesara – ndihmues të Isait, të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj e murgjër[165] dhe se ata nuk bëjnë mendjemadhësi (ndaj së vërtetës).[166]

-121-

____________________________________

[150] Janë për qëllim ithtarët e Inxhilit, të krishterët.

[151] Duke e quajtur Mesihun zot apo bir të Zotit, apo duke besuar verbërisht në Trinitet.

[152] E vërteta e shpallur nga Zoti, se Ai është vetëm Një Zot dhe se Mesihu është i Dërguari i Zotit ashtu sit ë dërguarit e tjerë dhe se nëna e Mesihut, Merjemja është besimtare me gradat më të larta të besimit e që është sinqeriteti dhe virtyti i lartë (siddikah).

[153] Ai popull janë populli hebre, të cilët më parë kishin përgënjeshtruar disa të dërguar të Allahut, madje edhe kishin vrarë disa prej tyre, dhe që tani përgënjeshtrimi i rradhës ishte ai ndaj Mesihut, madje jo vetëm kaq, por e quajtën bir të lindur jashtë martese dhe nënën e tij të sinqertë e të ndereshme, Merjemen, e quajtën të pandershme. Është për t’u habitur fakti se si të krishterët mund të mashtrohen e të ndjekin këta njerëz të cilët jo vetëm që e kanë mohuar fenë dhe të dërguarin e tyre, por edhe ua kanë pështjelluar atë duke shtrembëruar tekstet e Librit të Shenjtë dhe duke iua fshehur të vërtetën atyre?!

[154] Allahu i drejtohet të krishterëve me këshillë hyjnore të përjetshme: të mos ndjekin rrugën e hebrenjve që kanë humbur rrugë më parë dhe që vazhdimisht punojnë ditë e natë që t’i nxjerrin njerëzit nga rruga e drejtë dhe nga besimi i vërtetë, me të gjitha mënyrat e mundshme, që me futjen e duarve në tekstet e Librave të Shenjtë (Toran dhe Biblën) për t’i shtrembëruar ato e deri në përpjekjet e vazhdueshme bashkëkohore nëpërmjet medias ku dominon publikimi i programeve prishëse të besimit të vërtetë, shoqërisë dhe moralit. Madje kjo këshillë vlen edhe për muslimanët që të ruhen nga ata njerëz prishës dhe kurthet e tyre.

[155] E kemi përmendur edhe më parë se “Israil” është emri i profetit Jakub (Paqja e Allahut qoftë mbi të!), dhe bijtë e Israilit janë pikërisht bijtë dhe pasardhësit e tij, por që më pas u vetëquajtën “Jehud”, emër me të cilin Allahu i përmend shpesh në Kuran. Kurse emri i tyre me të cilin njihen sot në botë është Hebre, kurse nga shqiptarët si “çifutë”.

[156] Për shkak të mohimit, kundërshtimit, kokëfortësisë, veprave të këqija dhe mos ndalimin e të tjerëve nga e keqja, hebrenjtë janë mallkuar në Teurat në kohën e Musait, pastaj në Zebur në kohën e Daudit, pastaj në Inxhil në kohën e Isait dhe më pas në Kuran në kohën e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të gjithë të dërguarit e tjerë!). [Transmetim nga Ibën Abasi; Tefsiri i Taberiut].

[157] Nëse e shihnin dikë duke bërë një të keqe, e kritikonin, por më pas uleshin dhe hanin e pinin me të. Kur u shpall ajeti para këtij dhe ky ajet, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ishte i mbështetur por menjëherë u ngrit dhe qëndroi ulur, pastaj tha: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Do të urdhëroni për mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, dhe do ta merrni mëkatarin për dore deri sa të kthehet te e vërteta dhe ta lërë mëkatin e tij, përndryshe Allahu do fusë armiqësi në zemrat tuaja për njëri-tjetrin dhe do ju mallkojë ashtu s ii mallkoi ata!” [Taberiu].

[158] Ti, o Muhamed, i sheh hebrenjtë të miqësohen me idhujtarët e mohuesit dhe të urrejnë besimtarët e vërtetë.

[159] Për në botën tjetër.

[160] Kjo është ajo që i përgatitën vetes së tyre dhe që fituan me veprat e tyre: zemërimin e Allahut dhe dënimin e dhembshëm e të pashtershëm në botën tjetër.

[161] Bijtë e Israilit, hebrenjtë.

[162] Sikur të besonin se Muhamedi ishte i Dërguari i Allahut, dhe të besonin e të ndiqnin Kuranin dhe Sunetin që ju shpall Muhamedit nga Allahu.

[163] Dalin nga bindja ndaj Allahut dhe thyejnë urdhrat e Tij, ia bëjnë të lejuar vetes ato që Allahu ia ka ndaluar, qofshin ato fjalë apo vepra.

[164] Njerëzit me armiqësi më të fortë kundër besimtarëve muslimanë që kanë besuar Allahun dhe të gjithë të dërguarit e Tij, përfshirë edhe Muhamedin, janë hebrenjtë dhe idhujtarët e politeistët që adhurojnë shumë zota në vend të Allahut, dhe për atë që i njeh hebrenjtë dhe i lexon cilësitë e tyre në Kuran, nuk ka çudi që ata të vendosen bashkë me idhujtarët në këtë vend.

[165] Klerikë të sinqertë të dhënë pas dijes dhe adhurimit, të cilët kur e mësojnë diçka të vërtetë, e ndjekin atë dhe i nënshtrohen asaj me thjeshtësi.

[166] Ndryshe nga hebrenjtë që nuk kishin asnjë prej këtyre cilësive por krejt të kundërtën e tyre. Këta priftërinj e murgjër për të cilët bën fjalë ajeti kanë qenë në kohën e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe thuhet se bëhet fjalë për mbretin e Abisinisë, Nexhashin dhe ata priftërinj e të krishterë rreth tij që iu bashkuan atij dhe e besuan Muhamedin dhe Kuranin, duke pranuar kështu Islamin, si dhe mirëpritën në vendin e tyre emigrantët e parë muslimanë që u detyruan të emigrojnë nga Meka në Abisini për shkak të përndjekjes nga idhujtarët Kurejsh në atë kohë. Thuhet gjithashtu se janë për qëllim disa të krishterë të tjerë, të cilët kur dëgjuan Kuranin dhe mësuan për Islamin, e pranuan se ai ishte i vërtetë nga Allahu dhe nuk bënë mendjemadhësi ndaj tij ashtu siç bënë hebrenjtë. Gjithësesi, të krishterët janë më pranë muslimanëve se hebrenjtë në çdo kohë, prandaj sheh se shumë prej tyre e pranojnë lehtësisht Islamin, ndryshe nga hebrenjtë, dhe padyshim se ai që nuk ka mendjemadhësi është më pranë të mirës dhe hajrit se ai që ka mendjemadhësi.