Surja En Nisa (ajetet 24-147)

24. Ju ndalohet gjithashtu martesa me gratë që gjenden nën kurorë[1], përveç atyre që i keni nën pushtet[2]. Ky është urdhri i Allahut[3] për ju. Ndërsa përveç këtyre[4], juve ju janë lejuar të gjitha gratë[5], me kusht që t’i kërkoni me pasurinë tuaj[6] për martesë e jo për kurvëri. Për kënaqësinë që kaloni me to[7], jepuni shpërblimin e tyre të detyrueshëm[8]. S’ka gjynah për ju, që me pëlqim dypalësh, ta shtoni apo pakësoni sasinë e dhuratës (së martesës) pas caktimit të saj.[9] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm[10], i Urtë[11].

25. Atyre prej jush, që nuk kanë mundësi materiale[12] për t’u martuar me gra të lira besimtare[13], jepuni për martesë nga robëreshat tuaja besimtare, që i keni nën pushtetin tuaj,[14] -e Allahu e di mirë për besimin tuaj[15]. Jepni e merrni nga njëri-tjetri.[16] Martohuni me to (robëreshat) me lejen e familjes së tyre[17] dhe jepuni atyre dhuratat e martesës sipas rregullit[18], duke qenë se janë të ndershme dhe jo imorale[19] apo që kanë dashnorë[20]. E, nëse ato (robëreshat), pasi të martohen, bëjnë kurvëri, dënimi i tyre është sa gjysma e dënimit të grave të lira[21]. Kjo[22] lejohet për atë që i frikësohet kurvërisë prej jush[23], por që të duroni[24], është më e mirë për ju.[25] Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[26]

26. Allahu dëshiron që t’ju sqarojë[27], t’ju udhëzojë në rrugën[28] e atyre që kanë qenë para jush[29] dhe t’jua pranojë pendimet tuaja[30]. Allahu është i Gjithëdijshëm[31], i Urtë.[32]

-82-

_____________________________________________

[1] Gratë e martuara, që kanë burrë dhe nuk janë divorcuar as nuk u ka vdekur burri.

[2] Robëreshat e luftës, edhe nëse janë të martuara, janë të lejuara për muslimanët, pasi të ndahen sipas rregullit të caktuar nga Islami, dhe pasi të vërtetohet mosshtatëzania e tyre me pritjen e të përmuajshmeve të një muaji.

[3] Allahu është Ai që ua ka ndaluar ato që u ka ndaluar dhe ua ka lejuar ato që u ka lejuar prej grave për martesë, dhe detyra juaj është që t’i bindeni Urdhrit të Allahut, sepse vetëm kështu do të shpëtoni dhe do të fitoni në të dyja botët.

[4] Grave që u përmendën më sipër.

[5] Deri në katër gra, që i lejohet një burri t’i ketë nën kurorë.

[6] Duke u dhënë dhuratën e martesës atyre grave që janë të lira, ose duke i blerë ato që janë robëresha.

[7] Me gratë tuaja, me të cilat martoheni dhe kryeni marrëdhënie bashkëshortore.

[8] Dhuratën e martesës, mehrin, i cili është detyrë e domosdoshme mbi burrin dhe e drejtë e ligjshme e gruas me të cilën martohet.

[9] Lejohet që dhurata e martesës, që caktohet në aktin e martesës dhe i jepet gruas në dorë apo në një afat të caktuar, të shtohet apo të pakësohet më pas, me pëlqimin e të dy bashkëshortëve.

[10] Di se çfarë është e mirë për ju dhe çfarë jo, dhe di gjithçka që ju shfaqni apo fshehni.

[11] Në të gjitha veprimet dhe gjykimet e Tij.

[12] Sasinë e dhuratës së martesës.

[13] Që besojnë Allahun, të Dërguarin e Tij, Muhamedin dhe atë që i është shpallur nga Allahu.

[14] Lejohet martesa me robëreshë muslimane, por jo me robëreshë jomuslimane, qoftë prej ithtarëve të Librit (jehudëve dhe të krishterëve), apo e ndonjë feje tjetër. Kurse gratë me të cilat lejohet martesa prej ithtarëve të Librit, janë vetëm ato gra që janë të lira dhe jo robëresha.

[15] Allahu e di se çfarë fshihni në zemër, ju dhe robëreshat tuaja, por gjykimi jepet sipas asaj që ato shfaqin, kurse për atë që fshenin në zemrat e tyre, është Allahu Ai që do i marrë në llogari.

[16] Robëresha për martesë.

[17] Zotëriut të tyre, nën pushtetin e të cilit ato ndodhen.

[18] Sipas asaj që bini dakord prej gjërave të lejuara në Islam, ashtu si bëni kur martoheni me gratë e lira.

[19] Të hapura e të njohura për kurvërinë e tyre.

[20] Që bëjnë kurvëri në mëyrë të fshehtë.

[21] Kur ato bëjnë kurvëri para se të martohen, duke qenë se janë beqare, sepse ky dënim mund të përgjysmohet nga 100 në 50 shkopinj, kurse dënimi me gurëzim deri në vdekje, që është për të martuarit që bëjnë kurvëri, qofshin nën kurorë apo të divorcuar, por që kanë qenë të martuar, nuk mund të përgjysmohet.

[22] Martesa me gra që janë robëresha.

[23] Pra, për lejimin e martesës së muslimanit me robëreshë, Allahu ka vendosur katër kushte: 1. Që ato të jenë besimtare muslimane. 2. Të jenë të ndershme. 3. Pamundësia për t’u martuar me grua të lirë besimtare. 4. Frika nga rënia në kurvëri.

[24] Pa u martuar me robëresha dhe pa bërë kurvëri, deri sa t’u jepet mundësia për t’u martuar me gra të lira besimtare.

[25] Sepse martesa me robëreshë është gjë e ulët dhe fëmijët që lind me të, do të jenë robër dhe jo të lirë. Por nëse nuk duron dhe ke frikë se bie në kurvëri nëse nuk martohesh me robëreshë, martesa me to bëhet e detyrueshme në këtë rast.

[26] Ua fal gjynahet, kur ata i kthehen Atij me pendim dhe kërkim të faljes, dhe ua lehtëson ligjet robërve të Tij, nga mëshira që ka për ta, me bujarinë dhe mirësinë e Tij ndaj tyre.

[27] Gjithçka që keni nevojë t’ju sqarohet prej të vërtetës dhe të pavërtetës, hallallit dhe haramit.

[28] Në shembullin e mirë, veprat e qëlluara dhe virtytet e larta.

[29] Prej pejgamberëve e ndjekësve të tyre.

[30] Duke i hapur dyert e mëshirës për ata të cilët, kur bëjnë gjynahe, kthehen tek Ai të penduar e të nënshtruar, gjë e cila ndodh me suksesin që Ai u jep atyre për t’u penduar, prandaj vetëm Allahut i takon falënderimi dhe lavdërimi për gjithçka.

[31] Dhe nga dija e Tij është që u ka mësuar ato gjëra që nuk i keni pas ditur, si dhe këto dispozita që u përmendën më sipër.

[32] Dhe nga urtësia e Tij është se Ai pranon pendimin e atij që e meriton atë dhe poshtëron atë që nuk e meriton faljen, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij absolute.

 

27. Allahu dëshiron t’jua pranojë pendimet[33], kurse ata të cilët jepen pas epsheve[34], dëshirojnë që të devijoni krejtësisht.[35]

28. Allahu dëshiron t’ju bëjë lehtësime[36], sepse njeriu është krijuar i dobët[37].

29. O ju, që keni besuar! Mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë[38], përveç nëse bëni tregti me pëlqim dypalësh,[39] dhe mos e vritni veten tuaj![40] Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.[41]

30. Kushdo që e bën këtë[42] qëllimisht[43] dhe padrejtësisht, Ne do ta hedhim në zjarr[44], dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun.

31. Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha[45], që ju ndalohen, Ne do t’jua falim të këqijat[46] dhe do t’ju fusim në një vend të nderuar.[47]

32. Mos i lakmoni ato gjëra, me të cilat Allahu i ka dalluar disa nga ju mbi të tjerët[48]; meshkujt do të kenë pjesë nga ajo që kanë punuar[49] e, po ashtu edhe femrat[50] do të kenë pjesë nga ajo që kanë punuar. Kërkojini Allahut nga mirësitë[51] e Tij! Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[52]

33. Gjithkujt Ne i kemi caktuar trashëgimtarë[53] për çdo gjë që lënë prindërit ose të afërmit. Edhe atyre, me të cilët keni lidhur marrëveshje,[54] jepuni pjesën e vet[55]. Vërtet, Allahu është dëshmitar për çdo gjë.[56]

-83-

__________________________________________

[33] T’ju drejtojë në shkaqet e pranimit të pendimit për gjynahet tuaja, që t’jua falë e t’jua fshijë ato.

[34] Që ndjekin epshet dhe dëshirat vetjake dhe i adhurojnë ato, prej jehudëve e të krishterëve, imoralëve e të shtururve.

[35] Të devijoni nga rruga e drejtë e Allahut në rrugën e atyre që kanë tërhequr mbi vete zemërimin e Allahut dhe në rrugën e të humburve; nga rruga e Mëshiruesit në rrugën e djallit.

[36] Duke ua lehtësuar urdhërat dhe ndalesat kur ju hasni vështirësi të papërmbajtshme në kryerjen e tyre, siç është lejimi i ngrënies nga kafsha e ngordhur për atë që i kanoset vdekja nëse nuk gjen të hajë gjë tjetër përveç saj, apo siç është lejimi i martesës së burrit të lirë me grua robëreshë, sipas kushteve të përmendura më sipër, gjë e cila tregon mëshirën e plotë dhe mirësinë e gjithanëshme e Allahut, si dhe dijen dhe urtësinë e Tij në lidhje me dobësinë e njeriut.

[37] I dobët në origjinën e krijimit, i dobët në durimin ndaj grave, i dobët në përballimin e epsheve dhe dëshirave vetjake.

[38] Në mënyrë të palejuar: me kamatë, kumar, vjedhje, grabitje, vepra të ulëta e të ndaluara në Islam.

[39] Tregti të lejuar, me pëlqimin e dy apo më shumë palëve kontraktuese, sipas kushteve dhe rregullave të parashtruara nga Islami, të cilat gjenden në librat e jurisprudenës Islame: Fikhut.

[40] Mos vritni vetveten dhe mos vritni njëri-tjetrin, sepse ju jeni një popull i vetëm, një fe e vetme, një thirrje e vetme; dhe nëse dikush nga ju vret dikë tjetër, është njëlloj sikur ka vrarë vetveten.

[41] Dhe nga mëshira e Tij për krijesat e Tij, është se Ai ju ka ndaluar nga vrasja e vetes apo e tjetrit, përveçse me të drejtën e caktuar në legjislacionin Islam, si dhe ju ka ndaluar nga përvetësimi i pasurisë së njëri-tjetrit padrejtësisht.

[42] Vrasjen e vetes apo të tjetrit, përvetësimin e pasurisë së tjetrit padrejtësisht, si dhe të gjitha ndalesat e Allahut.

[43] Me vetëdije dhe jo nga mosdija, duke i tejkaluar kufijtë e vendosur nga Allahu qëllimisht dhe me paramendim.

[44] Të madh e përvëlues, në zjarrin e xhehenemit.

[45] Gjynahet e mëdha janë ato gjynahe për të cilat është caktuar dënim i prerë në këtë botë (el hudud: siç është dënimi i vrasjes, i imoralitetit, i pirjes së alkoolit, i shpifjes për të ndershmen, i daljes nga feja, i vjedhjes, etj.), ose ka ardhur kërcënim me dënim në botën tjetër, ose ka ardhur mohim i besimit nga vepryesi i tyre, ose vepruesit e të cilave janë mallkuar apo kanë tërhequr ndaj vetes zemërimin e Allahut. Në largimin prej gjynaheve të mëdha përfshihet gjithashtu kryerja e detyrimeve fetare, si pesë namazet, agjërimi i Ramazanit, etj, lënësi i të cilave ka kryer gjynah të madh. Janë përcjellë disa hadithe ku përmenden gjynahet e mëdha, siç është idhujtaria, mosrespekti ndaj prindërve, dëshmia e rreme, vrasja, etj. Por ato hadithe nuk janë kufizuese të numrit të gjynaheve të mëdha, por shembuj prej tyre.

[46] Do t’jua falim të gjitha gjynahet e vogla dhe të këqiat që keni bërë në dynja.

[47] Ku gjenden të gjitha të mirat, që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka kapur imagjinata: në xhenet.

[48] Qoftë prej gjërave të mundshme apo të pamundshme: gratë të mos lakmojnë veçoritë e burrave dhe as të varfërit të mos lakmojnë pasurinë e të pasurve, sepse kjo gjë është smirë ndaj tjetrit dhe të çon drejt shprehjes së pakënaqësisë me caktimin e Allahut, drejt dembelizmit dhe shpresimeve të kota. Ajo që duhet të bëjë njeriu është përpjekja me të gjitha forcat në kryerjen e atyre që I bëjnë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe t’i kërkojë Allahut nga mirësitë e Tij, por të mos mbështetet te forcat e veta dhe as te dikush tjetër përveç Allahut.

[49] Shpërblim për veprat e mira dhe dënim për veprat e këqia.

[50] Njësoj si meshkujt.

[51] Kërkojini Allahut që t’ju ndihmojë dhe t’ju japë sukses për të vepruar ato vepra që Ai do dhe pëlqen prej jush, dhe kërkojini Atij nga të gjitha të mirat e fesë dhe të dynjasë.

[52] Allahu e di se çfarë është e mirë për robët e Tij, në të gjitha gjykimet dhe vendimet e Tij, prandaj mos lakmoni tjetër gjë përveç asaj që ju ka caktuar Allahu, por bindjuni Allahut, dorëzojuni Atij, kënaquni me caktimin e Tij dhe kërkojini Atij nga mirësitë e Tij.

[53] Çdo njeriu i kemi caktuar njerëz të afërm prej gjaku: bijë, vëllezër, xhaxhallarë, bijë xhaxhallarësh, etj, të cilët trashëgojnë gjithçka që lënë trashëguesit e tyre, qofshin ata prindërit apo të afërm të tjerë trashëgimtarë.

[54] Me të cilët keni bërë aleancë për të ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje apo keni bërë marrëveshje tregtie, etj. Thuhet gjithashtu se këtu janë për qëllim fiset që lidhnin aleancë me njëri-tjetrin në kohën para Islamit, të cilët trashëgonin njëri-tjetrin, por kjo gjë u shfuqizua më pas nga Islami dhe trashëgimia nuk ndahet veçse brenda trashëgimtarëve realë që u përmendën në fillim të sures. Thuhet gjithashtu se bëhet fjalë për vëllazërimin që bëri Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) mes emigruesve mekas dhe ndihmuesve medinas, të cilët trashëgonin njëri-tjetrin sipas kësaj vëllazërie, por më pas kjo gjithashtu u shfuqizua. Po kështu thuhet se bëhet fjalë për ata të cilët birësojnë fëmijë që nuk janë të tyre dhe u lënë trashëgiminë e tyre, por edhe kjo u shfuqizua nga Islami.

[55] Prej ndihmës dhe përkrahjes sipas marrëveshjes dhe aleancës së lidhur mes tyre, gjë të cilën Islami e aprovoi dhe nuk e shfuqizoi.

[56] Sheh gjithçka që ju veproni, dëgjon gjithçka, di gjithçka dhe shënon gjithçka që ju veproni për të qenë argument në favorin tuaj apo kundër jush në ditën e gjykimit.

 

34. Burrat kanë autoritet mbi gratë[57], për shkak të epërsisë[58] që Allahu u ka dhënë mbi ato dhe, për shkak se ata shpenzojnë nga pasuria e tyre[59]. Prandaj, gratë e mira[60] janë të bindura[61] dhe ruajtëse të fshehtësive[62] falë ruajtjes së Allahut.[63] Kurse ato gra, mosbindjes së të cilave i keni drojën[64], këshillojini,[65] largojuni nga shtrati dhe rrihini[66]. Por, nëse ju binden[67], atëherë mos i ndëshkoni më[68]. Vërtet, Allahu është i Lartë, i Madh![69]

35. Nëse i druheni ndarjes mes atyre dyve (bashkëshortëve), atëherë dërgoni një gjykues[70] nga familja e tij dhe një gjykues nga familja e saj.[71] Në qoftë se të dy ata (gjykuesit) dëshirojnë vërtet pajtim[72], Allahu u jep sukses atyre.[73] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, Njohës i çdo gjëje në hollësi.[74]

36. Adhuroni Allahun[75] dhe mos i shoqëroni Atij asgjë[76], silluni mirë me prindërit[77], me të afërmit[78], jetimët[79], të varfrit[80], fqinjët e afërm[81], fqinjët e largët[82], shokun që keni pranë[83], me udhëtarin[84] dhe me ata që keni nën pronësi[85]. Me të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit e krekosur e mburravecë.[86]

37. Ata të cilët janë koprracë e i urdhërojnë edhe të tjerët për koprraci,[87] dhe e fshehin atë që u ka dhënë Allahu nga mirësitë e Tij.[88] E, për mohuesit, Ne kemi përgatitur dënim poshtërues[89].

-84-

____________________________________________

[57] Kanë të drejtën e urdhërimit të tyre për kryerjen e detyrimeve ndaj fesë së Allahut, si dhe janë kujdestarë për to: për plotësimin e nevojave të tyre jetësore.

[58] Epërsia që burrat kanë mbi gratë shfaqet në aspekte të ndryshme, siç është: fakti se pushteti dhe pejgamberllëku është i posaçëm për burrat, xhihadi dhe disa adhurime të tjera si festat dhe të xhumatë janë detyrim i posaçëm mbi burrat, shpenzimet për jetesën: ushqimin, veshmbathjen dhe banesën, janë detyrime të posaçme mbi burrat, etj. Një fakt i tillë është mëse i kuptueshëm dhe i arsyeshëm, mjafton të shohësh në realitetin e krijimit fizik të secilit prej burrit dhe gruas.

[59] Pra, burri ndaj gruas së tij është si udhëheqësi apo përgjegjësi, i cili ka për detyrë të kujdeset dhe të mirëmbajë atë që ka nën përgjegjësi, kurse detyra e gruas është që t’i bindet Zotit të saj si dhe burrit të saj, prandaj Allahu i lavdëron gratë e bindura ndaj burrave të tyre në vijim të ajetit.

[60] Fetare dhe vepërmira.

[61] Që i binden Allahut dhe burrave të tyre.

[62] Të burrit të tyre, duke ruajtur veten e tyre nga e ndaluara dhe pasurinë e tij (burrit).

[63] Por këtë besnikëri që kanë ato, e kanë fal suksesit që u jep Allahu dhe, kush i mështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Ajeti ka për qëllim t’u thotë burrave që ndaj grave të tilla të sillen mirë dhe t’i mbajnë mirë.

[64] Ato gra të cilat nuk u binden burrave të tyre, por i kundërshtojnë ata dhe ngrenë krye mbi ta, qoftë me fjalë apo me vepër.

[65] Duke filluar kështu me mënyrën më të lehtë të edukimit: duke u sqaruar ligjet e vendosura nga Allahu për bindjen apo mosbindjen ndaj burrit, duke u folur për shpërblimin që ka bindja ndaj burrit dhe ndëshkimin që ka mosbindja ndaj tij. Nëse ajo kthehet dhe bindet, kjo është ajo që kërkohet, e në të kundërt, kalohet në mënyrën tjetër të edukimit: duke iu larguar nga shtrati dhe duke mos kryer marrëdhënie intime me të deri sa të arrihet qëllimi.

[66] Së fundmi, nëse nuk bën dobi as këshilla dhe as largimi nga shtrati, atëherë i lejohet burrit që ta rrahë lehtë dhe pa e dëmtuar gruan e tij, me qëllim të lëndimit shpirtëror dhe jo lëndimit fizik, deri sa ajo të kthehet në bindjen normale ndaj burrit të saj, ashtu si ka urdhëruar Allahu.

[67] Nëse pendohen dhe kthehen në kryerjen e detyrimeve të tyre që u ka ngarkuar Allahu dhe në bindjen ndaj burrave të tyre.

[68] Mos i ndëshkoni më për ato që kanë kaluar dhe mos ua kujtoni të metat që, nëse kujtohen, sjellin dëm dhe sherr mes jush.

[69] Allahu është i Lartë në të gjitha pikëpamjet: me Qënien e Tij, me cilësitë e Tij, me fuqinë e Tij. Nuk ka më të madh e më madhështor se Allahu. Allahu është më i Madhi dhe më Madhështori në Qënien dhe në cilësitë e Tij. Prandaj, kini frikë Allahun dhe mos u bëni padrejtësi grave, as mos ngrini dorë mbi to, përderisa ato ju binden juve, përndryshe Allahu do të marrë hak për to dhe Ai është më i Lartë se ju dhe se çdo gjë tjetër.

[70] Njeri të mençur e të dëgjuar, i cili ka vend në fisin e vet.

[71] Këta gjykues përpiqen me të gjitha mënyrat e mundëshme për pajtimin e dy bashkëshortëve dhe kthimin e tyre në kryerjen e detyrimeve të secilit prej tyre ndaj njëri-tjetrit ashtu si ka urdhëruar Allahu. Nëse këta dy gjykues arrijnë në përfundimin se bashkimi mes dy bashkëshortëve është i pamundur, përveç nëse do të ishte bashkim që përmban urrejtje, mospajtim dhe shkelje të dispozitave të vendosura nga Allahu për secilin prej bashkëshortëve, atëherë bëjnë ndarjen mes tyre pa qenë kusht pëlqimi i burrit për ndarje në këtë rast, sepse Allahu i ka quajtur ata të dy gjykues, dhe gjykuesi vendos edhe nëse i gjykuari nuk jep pëlqimin e vet.

[72] Mes burrit dhe gruas për të cilët kanë ndërhyrë të bëjnë pajtim.

[73] Që të arrijnë pajtimin mes burrit dhe gruas, por kushti për këtë është qëllimi i pastër dhe vullneti për pajtim.

[74] Dhe shpërblen secilin sipas qëllimit të vet: gjykuesit dhe të gjithë njerëzit. Ata që bëjnë pajtim mes njerëzve kanë shpërblim të madh tek Allahu, ashtu si dhe e kundërta: ata që fusin ngatërresë dhe përçarje mes njerëzve, kanë dënim të madh nga Allahu në të dyja botët.

[75] Me përulje dhe frikërespekt, të nënshtruar vetëm ndaj Tij me besnikëri dhe sinqeritet.

[76] Mos adhuroni tjetër përveç Tij, mos merrni për zot asnjë tjetër përveç Tij, mos ja vishni askujt tjetër atributet dhe cilësitë e Tij.

[77] Ky është urdhër nga Allahu i Madhëruar për sjelljen mirë me prindërit, respektimin e tyre dhe bamirësinë ndaj tyre. Mosrespektimi i prindërve dhe bërja keq atyre është nga gjynahet e mëdha.

[78] Qofshin nga ana e babës apo e nënës, duke i mbajtur lidhjet farefisnore me ta.

[79] Jetim është fëmija të cilit i ka vdekur babai duke qenë i mitur, para hyrjes në moshën madhore: para pubertitetit; këta fëmijë kanë të drejtën e tyre të ligjshme tek të gjithë muslimanët, qofshin të afërm apo jo, dhe e drejta e tyre është përkujdesja për ta, bërja mirë atyre, sjellja mirë me ta, edukimi i tyre, etj.

[80] Ata të cilët i ka mbuluar varfëria dhe skamja, që nuk arrijnë të plotësojnë nevojat. Allahu nxit për bamirësi ndaj këtyre.

[81] Fqinjët e afërm nga gjaku kanë dy të drejta: e drejta e fqinjërisë dhe e drejta e afërsisë së gjakut.

[82] Që nuk kanë afërsi gjaku dhe prejardhje.

[83] Shokun tuaj të ngushtë, shokun e udhëtimit, bashkëshorten tuaj. Të gjitha këto futen këtu. Të gjitha këto janë porosi e Allahut, dhe robët e Tij duhet ta ruajnë porosinë e Allahut dhe porosinë e të Dërguarit të Tij.

[84] Udhëtari ka të drejtat e tij mbi muslimanët e vendit ku udhëton, qoftë i pasur apo i varfër.

[85] Qoftë prej njerëzve apo prej kafshëve, ndaj të gjithë atyre ju keni përgjegjësi dhe detyrime.

[86] Nuk gjen njeri që t’i shkelë të drejtat e njerëzve dhe t’i shmanget detyrimeve të tij, veçse është mendjemadh dhe mburravec, që u shet mend njerëzve me të mirat që i ka dhënë Allahu dhe nuk e falënderon Allahun për to as nuk i ndihmon njerëzit në nevojë. Allahu nuk i do këta njerëz, dhe ata që Allahu nuk i do, nuk e mëshiron, por derdh mbi ta zemërin e Tij dhe i dënon me dënimin e Tij të dhembshëm!!!

[87] Këto janë cilësi të mendjemëdhenjve mburravecë, të cilët i shmangen detyrimeve që kanë ndaj të tjerëve dhe shkelin të drejtat.

[88] Fshehin dijen e vërtetë që u ka mësuar Allahu në lidhje me Muhamedin dhe gjëra të tjera që u ka shpallur Allahu, dhe shfaqin të pavërtetën, për ndonjë përfitim të pakët nga gjërat e dynjasë. Këta kanë bashkuar mes kopracisë në pasuri dhe kopracisë në dije, si dhe mes vrapimit drejt humbjes së vetes së tyre dhe humbjes së të tjerëve, gjëra të cilat janë cilësi të mohuesve, prandaj në mbyllje të ajetit, Allahu thotë: “E, për mohuesit, Ne kemi përgatitur dënim poshtërues.”

[89] Si ndëshkim i merituar për mendjemadhësinë dhe mburrjen e tyre ndaj njerëzve, për mohimin dhe përgënjeshtrimin e tyre. Këta do të dënohen me dënimin poshtërues dhe të përjetshëm në zjarrin e xhehenemit e, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

 

38. (Allahu nuk i do) As ata të cilët japin nga pasuria e tyre sa për sy e faqe të botës,[90] por që nuk e besojnë Allahun dhe as ditën e Kiametit. E, ai që ka për shok djallin[91], ka shokun më të keq![92]

39. Ç’dëm do të kishin ata sikur të besonin Allahun[93] dhe ditën e Fundit[94], dhe të jepnin nga ajo që u ka dhënë Allahu?![95] Allahu di mirë gjithçka për ta.[96]

40. Me të vërtetë, Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca[97], madje, nëse ajo (grimcë) është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe jep shpërblim të madh[98] nga Vetë Ai.[99]

41. Si do i bëhet[100], kur prej çdo populli të sjellim dëshmitarë[101] dhe të të sjellim ty (o Muhamed) dëshmitar mbi të gjithë ata[102]?!

42. Atë ditë, ata që mohuan dhe nuk iu bindën të Dërguarit (Muhamedit),[103] do të dëshironin të rrafshoheshin me tokën,[104] dhe Allahut nuk mund t’i fshehin asnjë fjalë.[105]

43. O besimtarë! Mos ju afroni namazit[106] duke qenë të dehur[107], derisa të dini se ç’thoni[108]; as kur jeni të papastër[109] -përveç atij që i duhet vetëm të kalojë (nëpër xhami)[110], derisa të laheni. E, nëse jeni të sëmurë[111] ose në udhëtim ose keni kryer nevojën (personale), ose jeni prekur me gratë[112] dhe nuk gjeni ujë,[113] atëherë synoni sipërfaqen e pastër të tokës dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart tuaja.[114] Vërtet, Allahu është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.[115]

44. A nuk i ke parë[116] ti (o Muhamed!) ata që iu është dhënë pjesë nga Libri[117] (hyjnor), se si ata blejnë humbjen[118] dhe dëshirojnë që edhe ju të humbisni rrugën e drejtë?[119]

-85-

_____________________________________________

[90] Dhe jo për hir të Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Tij, madje ata e mohojnë Njësimin e Allahut dhe kthimin tek Ai në ditën e Kiametit. Kjo është cilësi e jehudëve, e hipokritëve dhe e idhujtarëve e mosbesimtarëve. Jehudët e besojnë Allahun dhe kthimin tek Ai në botën tjetër, por ata mohojnë profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), prandaj janë përfshirë në grupin e mohuesve dhe janë prej tyre.

[91] Ai që e ka djallin shok e të dashur dhe që vepron ashtu si urdhëron ai dhe jo si urdhëron Allahu; në lëmoshën që jep për sy e faqe të njerëzve, në mohimin e Allahut dhe të ringjalljes pas vdekjes, e në çdo vepër tjetër.

[92] Djalli është shoku më i keq, i cili dëshiron humbjen dhe shkatërrimin e atij që e merr për shok atë, që t’i bashkohet atij në zjarrin e xhehenemit, në botën tjetër.

[93] Si një Zot i Vetëm, Krijues e Zotërues i gjithçkaje, i Vetmi që meriton të adhurohet, Zotëruesi i atributeve absolute.

[94] Ditën e llogarisë dhe shpërblimit të secilit me veprat që ka bërë në këtë botë, xhenetin dhe xhehenemin.

[95] Të jepnin zekatin e pasurive të tyre, me dëshirë dhe kënaqësi, për hir të Allahut dhe me sinqeritet ndaj Tij.

[96] Për ata që u përmendën më sipër, të cilët japin për sy e faqe të botës dhe që nuk e besojnë Allahun dhe as botën tjetër. Allahu e di shumë mirë se çfarë veprojnë ata dhe çfarë kanë për qëllim me veprat e tyre, dhe ua shënon ato për t’u dhënë dënimin e merituar në botën tjetër.

[97] As sa pesha e një grimce; nuk ia mohon dhe nuk ia fshin askujt të mirën që ka bërë, qoftë sa pesha e një grimce atomi, as nuk i shton mbi të këqiat që ka bërë, qoftë sa një grimcë atomi; madje nëse të mirat e njeriut avancojnë në peshë mbi të këqiat e tij qoftë vetëm sa një grimcë, Allahu e shumëfishon atë dhe i jep atij mirësi të madhe.

[98] Shpërblimi i madh është xheneti. Dijetari i madh, Katade lexoi këtë ajet, pastaj tha: “Sikur të mirat e mia të avancojnë mbi të këqiat e mia me një grimcë peshë, kjo do të ishte më e mirë për mua se sa dynjaja me ç’ka në të.” [Taberiu].

[99] Nga bujaria dhe mirësia e Tij, më Bujarit, të Madhërishmit, Mëshirëplotit, Absolutit në cilësitë dhe veprat e Tij. Lusim Allahun të na përfshijë me mëshirën dhe bujarinë e Tij, Ai është Zoti ynë dhe tek Ai është kthimi!

[100] Në ditën e Llogarisë, ditën e Kiametit.

[101] Të Dërguarit e Allahut tek ata do të dëshmojnë kundër tyre për veprat që kanë bërë dhe për përgënjeshtrimin apo besimin e të Dërguarve të tyre.

[102] Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) do të dëshmojë se populli i tij e besuan atë dhe se të gjithë pejgamberët para tij e kanë përcjellë Fjalën e Allahut te popujt i tyre. Abdullah ibën Mesudi transmeton se Pejgamberi i tha atij: “Më lexo suren En Nisa!” Ky i tha: “A të lexoj për ty, atë që ty të është shpallur?!” Pejgamberi i tha: “Dua ta dëgjoj nga dikush tjetër përveç meje.” Atëherë lexova për të, deri sa arrita te Fjala: “Si do i bëhet, kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë…” -dhe ngrita kokën, veç kur pashë se sytë e Pejgamberit lotonin.” [Hadith i saktë. Ebu Daudi, 3668].

[103] Bashkuan mes mohimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si dhe kundërshtimit të të Dërguarit.

[104] D.m.th. do të donin t’i përpinte toka e të bëheshin dhe e pluhur, siç thotë Allahu, në suren Nebe: “Kurse mohuesi do të thotë: Ah! Sikur të kisha qenë dhe!”

[105] Por pohojnë para Allahut gjithçka që kanë vepruar, madje gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre do të dëshmojnë për ato që kanë vepruar në dynja. Atë ditë, Allahu do t’u japë atyre shpërblimin e merituar, dhe ata e dinë se Allahu është i Drejti, i Vërteti. Ndërsa, në tekstet ku përmendet se mohuesit do ta fshehin mohimin dhe mosbesimin e tyre në ditën e Kiametit, si në Fjalën e Allahut: “Ata nuk do të mund të shfajësohen ndryshe, veçse duke thënë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë, nuk kemi qenë idhujtarë!” [El En’am 23], kjo do të jetë në pak çaste, kur ata të mendojnë se mohimi i tyre do t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut, por kur mësojnë të vërtetat dhe gjymtyrët e tyre dëshmojnë për ato që kanë bërë, atëherë del në pah gjithçka dhe fshehja nuk ka vend dhe as nuk u sjell dobi.

[106] Kjo përfshin namazin (faljen) dhe vendet e namazit, si xhamitë dhe faltoret.

[107] Nuk i lejohet të dehurit të falet në atë gjendje, për shkak të humbjes së mendjes dhe pavetëdijes për ato që thotë e bën.

[108] Kjo pjesë e ajetit është shfuqizuar nga ajeti 90, i sures el Maide, ku alkooli ndalohet në mënyrë përfundimtare dhe të prerë.

[109] Xhunub – pasi keni kryer marrëdhënie intime me gratë dhe pasi keni nxjerrë spermën.

[110] Atij që është i papastër i ndalohet të qëndrojë në xhami, përveç nëse i duhet të kalojë përmes saj për ndonjë nevojë.

[111] Të sëmurit i lejohet të marrë tejemum nëse është xhunub, dhe shkaku i lejimit për të është pamundësia e përdorimit të ujit dhe jo mungesa e tij, siç është në lidhje me udhëtarin apo atë që nuk gjen ujë, edhe nëse nuk është udhëtar.

[112] Keni kryer marrëdhënie seksuale.

[113] Allahu e ka lejuar marrjen e tejemumit në dy raste: Kur nuk ka ujë, qoftë në udhëtim apo në vendin tënd, dhe kur nuk mund të përdorësh ujin për shkak të sëmundjes apo ngjashëm me këtë, kur shkaktohet dëm me përdorimin e ujit.

[114] Ky ajet flet për ligjshmërinë e Tejemumit dhe përshkruan mënyrën e marrjes së tij: duke prekur me të dyja duart ose me njërën dorë sipërfaqen e pastër të tokës apo diçka të ngritur mbi tokë që e ka origjinën prej dheu të pastër, dhe pastaj të fërkosh fytyrën dhe duart me njëra-tjetrën deri në kyçe, një herë.

[115] Allahu i shlyen gjynahet robërve të Tij besimtarë, duke mos i dënuar ata për shumë gjynahe që bëjnë, përderisa nuk i kanë bërë shok Atij, dhe ua mbulon gjynahet atyre duke mos ua shpejtuar dënimin për to, prandaj mos u ktheni më kurrë tek ato që u kam ndaluar, që të mos ju vijë ndonjë dënim i madh.

[116] A nuk i ke parë me shikimin e zemrës, me dijen që të është dhënë nga Allahu.

[117] Nga Teurati. Është fjala për hebrenjtë.

[118] Nga dashuria e madhe për humbjen, ata shpenzojnë për të ashtu si shpenzon ai që e do shumë diçka. Madje këta e blejnë humbjen duke shitur udhëzimin e drejtë, dhe blejnë mohimin duke shitur besimin, duke qenë se e dinë shumë mirë të vërtetën. Kështu janë çifutët, Allahu i mallkoftë!

[119] Duke dhënë të gjithë mundin e tyre për të arritur që ju të bëheni të humbur si ata, dhe të ktheheni nga besimi juaj tek Allahu dhe tek Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Këtu, Allahu u tërheq vërejtjen besimtarëve që të mos këshillohen me askënd prej armiqve të Islamit, në asgjë prej çështjeve të fesë dhe as të mos dëgjojnë prej tyre asnjë fjalë kundër të vërtetës.

 

45. Allahu di më së miri për armiqtë tuaj,[120] dhe mjafton Allahu si Mbrojtës[121] dhe mjafton Allahu si Ndihmës.[122]

46. Prej hebrenjve ka të atillë që i shtrembërojnë fjalët nga konteksti i tyre[123] dhe thonë[124]: “Dëgjuam, por nuk bindemi!”[125], “Dëgjo, mos dëgjofsh!”[126] dhe “Raina!”[127], duke përdredhur gjuhët e tyre[128] dhe duke shpifur për fenë[129]. E, sikur ata të thoshin[130]: “Dëgjuam dhe u bindëm!” dhe “Dëgjo dhe bëj durim me ne!”[131], do të ishte më e mirë dhe më e drejtë për ta,[132] por Allahu i mallkoi ata[133] për shkak të mohimit të tyre,[134] prandaj ata nuk besojnë, veçse pak[135].

47. O ju, të cilëve ju është dhënë Libri![136] Besojeni atë që kemi zbritur[137] dhe që është vërtetues i asaj që keni ju,[138] para se t’jua fshijmë fytyrat e t’jua kthejmë mbrapsht[139] ose t’ju mallkojmë ashtu siç mallkuam njerëzit e së shtunës.[140] Patjetër që Urdhri i Allahut është i mbaruar.[141]

48. Vërtet, Allahu nuk fal që t’i bëhet shok Atij[142], kurse të tjerat përveç kësaj, ia fal kujt të dojë[143]. Padyshim, kushdo që i bën shok Allahut, ka trilluar[144] gjynah të madh.[145]

49. A nuk i sheh ata të cilët e konsiderojnë veten të dëlirë[146]? Përkundrazi, është Allahu Ai i Cili pastron kë të dojë[147] dhe askujt nuk do t’i bëhet as padrejtësia më e vogël.[148]

50. Shiko si shpifin gënjeshtrën kundër Allahut[149], dhe mjafton ky si gjynah i qartë.[150]

51. A nuk i ke parë[151] ti (o Muhamed!) ata që iu është dhënë pjesë nga Libri[152] (hyjnor), se si besojnë në idhuj dhe hyjni të rreme[153] dhe thonë për jobesimtarët[154]: “Këta janë në rrugë më të drejtë se ata që besojnë.[155]”

-86-

_____________________________________________

[120] Allahu di më mirë se ju, o besimtarë, për armiqësinë e hebrenjve kundër jush, prandaj bindjuni Atij në atë që ju ka ndaluar prej të këshilluarit me ta për fenë tuaj, sepse Ai e di se çfarë fshehin ata kundër jush prej mashtrimit, armiqësisë dhe zilisë, dhe kërkojnë që ju të humbni rrugën e drejtë dhe të shkatërroheni ashtu si edhe ata.

[121] Kujdestar për ju dhe çështjet tuaja dhe Mbrojtës për ju nga armiqtë tuaj dhe nga kurthet e tyre për nxjerrjen tuaj nga feja juaj.

[122] Për ju, o besimtarë, kundër armiqve tuaj dhe të fesë suaj.

[123] Ndryshojnë fjalët ose kuptimin dhe interpretimin e teksteve të Teuratit, ose të dyja këto së bashku. Këtë e bënin dijetarët hebrenj që thërrisnin në humbje, bashkëkohës të Pejgamberit tonë, që gjendeshin në Medine.

[124] I thonë Pejgamberit tonë, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[125] E dëgjuam atë që the ti, por nuk të bindemi ty, o Muhamed!

[126] Dëgjo prej nesh, mos e dëgjofsh kurrë atë që dëshiron të dëgjosh. E thonë këtë në formë fyerje, sharje dhe tallje me të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).

[127] E kemi përmendur në suren el Bekare, ajeti 104, se në lidhje me domethënien e kësaj fjale ka disa mendime. Disa thonë se ajo do të thotë “kundërshtim”, të tjerë thonë “na dëgjo dhe të dëgjojmë”, apo “na vër veshin”. Të tjerë thonë se kjo ishte një fjalë të cilën e përdornin çifutët për tallje dhe përqeshje.Të tjerë thonë se kjo fjalë në arabisht përputhej në të shqiptuar me një fjalë të çifutëve me domethënie të keqe dhe sharje, etj.

[128] Për të ndryshuar fjalët dhe domethënien e tyre me dinakëri.

[129] Me vetëdije dhe dinakëri. A nuk është ky skaji i mohimit dhe kokëfortësisë njerëzore ndaj Zotit të Madh?!

[130] Sikur këta hebrenj t’i thoshin të Dërguarit të Allahut, Muhamedit…

[131] Dëgjo pyetjet tona dhe bëhu i durueshëm me ne sa të kuptojmë ato që na thua.

[132] Kjo do të ishte më e mirë për ta tek Allahu dhe më e drejtë dhe e saktë si fjalë.

[133] I largoi nga e drejta dhe pasimi i së vërtetës.

[134] Si rezultat i mohimit të tyre profetësinë e Muhamedit dhe atë që iu shpall nga Zoti i tij, dhe si rezultat i kokëfortësisë së tyre, ata merituan mallkimin e Allahut. E, Allahu nuk i bën askujt padrejtësinë më të vogël.

[135] Besim të pakët dhe gjysmak, që nuk u bën dobi tek Allahu.

[136] Prej hebrenjve dhe të krishterëve.

[137] Besoni Muhamedin dhe atë që i është shpallur atij nga Allahu, Kuranin.

[138] I asaj që thuhet në Librat tuaj për Muhamedin dhe Kuranin. Nëse ata nuk e besojnë këtë Kuran, nuk e besojnë as atë që kanë në duar, sepse Librat e Allahut vërtetojnë njëri-tjetrin.

[139] T’jua mbyllim sytë, t’jua sheshojmë fytyrat dhe t’jua vendosim ato nga mbrapa kokës. Pra, t’ua bëjë pjesën e pasme të kafkës së kokës fytyra dhe fytyrat si pjesa e pasme e kafkës së kokës, si dënim i përshtatshëm për llojin e veprës së tyre kur përmbysin realitetin dhe fshehin të vërtetën.

[140] Ose t’ju nxjerrim nga mëshira Jonë dhe t’ju dënojmë ashtu si dënuam të parët tuaj që thyen urdhrin Tonë në lidhje me ditën e shtunë, kur ishin ndaluar të peshkonin në atë ditë, dhe Allahu i shndërroi ata në majmunë.

[141] Çdo gjë që Allahu do dhe urdhëron, kryhet patjetër, mjafton që Ai të thotë bëhu, dhe ajo që dëshiron Ai, bëhet menjëherë.

[142] Duke adhuruar apo krahasuar diçka apo dikë prej krijesave të Allahut bashkë me Allahun apo në vend të Tij.

[143] Gjynahet e tjera përveç shirkut (shokvënies Allahut në adhurim, hyjnizim dhe atribute) dhe kufrit (mohimit të Allahut apo të diçkaje të ardhur nga Ai), qofshin ato gjynahe të vogla apo të mëdha, Allahu ia fal kujt të dojë, me shkaqet e ndryshme të faljes si: veprat e mira që fshijnë të këqiat, fatkeqësitë që i vijnë besimtarit në dynja, duaja e besimtarëve për njëri-tjetrin, dhe mbi të gjitha keto, mëshira e Tij të cilën e meritojnë më së shumti besimtarët dhe njësuesit e Tij. Ndryshe nga idhujtari, i cili ia ka mbyllur vetes dyert e mëshirës dhe atij nuki bëjnë dobi punët e tjera të mira përderisa i bën Allahut shok, sepse Allahu nuk fal asnjë gjynah të shoqëruar me shirk, apo nga ai që bën shirk.

[144] Padrejtësisht dhe rrenësisht.

[145] Shokvënia Allahut është gjynahu më i madh, padrejtësia më e madhe në botë dhe gënjeshtra dhe e pavërteta më e madhe, sepse Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe të madhërohet nga të gjitha krijesat e Tij dhe asgjë tjetër nuk ështe e denjë për t’u adhuruar përveç Tij, sepse vetëm Ai është Krijuesi, kurse çdo gjë tjetër është e krijuar nga Ai dhe vetëm Ai është Absoluti dhe Zoti i atributeve të Larta, kurse çdo gjë tjetër është krijesë e Tij.

[146] A nuk ke mësuar për ata hebrenj dhe të krishterë, të cilët e quajnë veten të pastër nga gjynahet, duke thënë se janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, dhe se nuk do të hyjë në xhenet askush tjetër përveç atyre që janë hebrenj apo të krishterë. Por ky është një supozim i tyre, që nuk përmban aspak vërtetësi.

[147] Me besim dhe punë të mira, me pajisje me morale të larta dhe pastrim nga moralet e ulëta.

[148] As këtyre që i quajnë vetet e tyre të dëlira dhe askujt tjetër prej krijesave të Tij, Allahu nuk do t’i bëjë as padrejtësinë më të vogël. Allahu nuk vendos asgjë në vend tjetër përveç vendit të vet, por pastron kë të dojë me urtësinë dhe dijen e Tij dhe poshtëron kë të dojë prej atyre që thyejnë urdhrat e Tij, pa i bërë askujt padrejtësinë më të vogël.

[149] Shiko, o Muhamed, këta që e quajnë veten të dëlirë nga gjynahet, se si shpifin gënjeshtrën kundër Allahut, duke thënë se këtë e ka thënë Allahu, kurse Allahu nuk e ka thënë atë.

[150] Gënjeshtrat që shpifin hebrenjtë dhe të krishterët kundër Allahut, mjafton si gjynah i qartë dhe i hapur nga ata, në mënyrë që t’u bëhet e qartë njerëzve shpifja dhe mosbesimi i tyre.

[151] A nuk i ke parë me shikimin e zemrës, me dijen që të është dhënë nga Allahu.

[152] Nga Teurati. Është fjala për hebrenjtë.

[153] Adhurojnë të tjerë përveç Allahut, qofshin idhuj, njerëz apo shejtanë, duke i adhuruar e madhëruar ata në vend të Allahut dhe duke e mohuar Allahun dhe urdhrat e Tij, duke qenë të vetëdijshëm se që të besosh në idhuj dhe në hyjni të trilluar është mohim ndaj Zotit dhe shokvënie Atij.

[154] Për ata që e mohojnë njësimin e Allahut dhe shpalljen e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[155] Që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, duke pranuar gjithçka që ka ardhur me të nga Allahu i Madhëruar.

 

52. Këta[156] janë ata që ka mallkuar Allahu[157] dhe, për atë që mallkon Allahu, nuk gjen ndihmues[158].

53. A mos kanë ata ndonjë pjesë të pushtetit?[159] Nëse do të ishte kështu,[160] ata nuk do t’u jepnin njerëzve[161] as sa gropëza e bërthamës[162].

54. A mos i kanë zili njerëzit[163] për ato që u ka dhuruar Allahu nga mirësia[164] e Tij? Por Ne, edhe familjes së Ibrahimit u dhamë Librin dhe urtësinë[165], dhe u dhamë pushtet madhështor[166].

55. Disa prej tyre e besuan atë[167] kurse të tjerë iu larguan[168]. Për ata mjafton zjarri i tërbuar i Xhehenemit.[169]

56. Ata të cilët i mohojnë provat tona[170], padyshim që do t’i djegim në zjarr[171]. Sa herë që t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin.[172] Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.[173]

57. Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i fusim në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë. Aty do të kenë bashkëshorte të pastra[174] dhe Ne do t’i fusim ata në hije të freskëta.[175]

58. Allahu ju urdhëron që t’jua ktheni amanetet[176] të zotëve të tyre dhe, kur të gjykoni mes njerëzve,[177] të gjykoni drejt.[178] Vërtet, ajo me të cilën ju këshillon Allahu është gjëja më e mirë[179] dhe vërtet, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka[180].

59. O ju që keni besuar! Binduni Allahut[181], binduni të Dërguarit[182] dhe atyre që drejtojnë çështjet tuaja[183]. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë,[184] kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari[185], nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit.[186] Kjo është më e mira për ju[187] dhe përfundimi më i pëlqyeshëm.[188]

-87-

____________________________________

[156] Që u është dhënë pjesë nga Libri hyjnor, që shpifin gënjeshtër kundër Allahut, që besojnë idhujt dhe hyjni të rreme.

[157] Që i ka nxjerrë nga mëshira e Tij dhe u ka zbritur dënimin e Tij.

[158] Që ta mbrojë, ta ruajë nga dënimi i Allahut dhe të dalë garant për të.

[159] Nga mbretëria hyjnore, që të mund të jenë shokë të Allahut në drejtimin e Mbretërisë së Tij?! Sigurisht që jo, ata nuk kanë as gjënë më të vogël nga ky pushtet. Pyetja këtu është në formë alegorike, përgjigja e së cilës është e ditur dhe e padiskutuar.

[160] E nëse ata do të kishin pjesë në pushtetin hyjnor.

[161] Atëherë nga koprracia dhe zemërngurtësia e tyre, nuk do t’u jepnin njerëzve në përgjithësi dhe Muhamedit në veçanti, as gjënë më të vogël.

[162] D.m.th. as gjënë më të vogël, as sa gropëza e bërthamës së frutit më të vogël që ekziston.

[163] A mos e kanë zili Muhamedin dhe shokët e tij për fenë dhe të mirat që u ka dhënë Allahu, dhe kjo gjë i bën ata të thonë se kanë veti hyjnore dhe janë shok të Allahut?!

[164] Shpallja që Allahu i ka dhënë Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[165] Kështu që, përse nuk e kanë zili edhe familjen dhe ndjekësit e Ibrahimit ashtu si kanë zili Muhamedin dhe ndjekësit e tij?

[166] Pasardhësve të Ibrahimit, si Daudi dhe Sulejmani. Pra mirësia e Allahut vazhdon të zbresë mbi të zgjedhurit e Tij, kështu që si mund ta mohojnë ata mirësinë e Allahut, triumfin dhe pushtetin që i ka dhënë Muhamedit, krijesës më të mirë të Allahut, krijesës që e njeh më mirë Allahun dhe që ka frikërespekt ndaj Allahut më shumë se çdokush tjetër?

[167] Disa prej ithtarëve të Librit e besuan Muhamedin dhe me këtë gjë arritën lumturinë në të dyja botët.

[168] Nga kryeneçësia, arroganca dhe zilia, gjë e cila u shkaktoi humbjen, vuajtjen dhe dëshpërimin në të dy botët.

[169] Për ata që iu larguan Muhamedit, e refuzuan dhe nuk e besuan atë, mjafton zjarri i tërbuar i xhehenemit, i ndezur mbi ta.

[170] Që ia kemi shpallur Muhamedit dhe që i kemi bërë vërtetuese të profetësisë së tij.

[171] Të fortë dhe përvëlues.

[172] Për të përjetuar dënimin më të rëndë të mundshëm, sepse siç është vërtetuar nga shkenca moderne, dhimbjet e njeriut përqendrohen në shtresën e lëkurës së trupit. Ky dënim me ripërtëritjen e lëkurës së tyre me qëllim që të digjen vazhdimisht, i përshtatet mohimit dhe kryeneçësisë së tyre të vazhdueshme në dynja dhe, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

[173] I Plotfuqishëm për të dënuar kë të dojë prej krijesave të Tij, pa e penguar askush dhe i Urtë në krijimin dhe në vendimin e Tij.

[174] Nga çdo e metë fizike apo morale.

[175] Nën të cilat nuk ndjen të nxehtë apo të ftohtë. Ky përshkrim është për të treguar përsosmërinë e të jetuarit në xhenet dhe jo se atje bën nxehtë apo ftohtë.

[176] Amanet është çdo gjë që i është besuar njeriut apo që i është urdhëruar dhe ai e ka marrë përsipër, dhe Allahu urdhëron që këto amanete të ruhen në mënyrën më të mirë dhe t’u kthehen të zotëve të tyre në mënyrë të plotë dhe pa cënuar asgjë prej tyre.

[177] Për çdo çështje që ju ngarkohet për gjykim, qoftë për gjakëra, për ndere apo për pasuri dhe, qoftë kundër të afërmve apo kundër të largëve, kundër të mirëve apo kundër të këqinjve, kundër miqve apo kundër armiqve.

[178] Gjykoni me drejtësi, sipas ligjit të Allahut që ia ka shpallur të Dërguarit të Tij. Që të gjykosh drejt, duhet të mësosh drejtësinë dhe ligjet e Allahut, pastaj të gjykosh.

[179] Nuk ka këshillë më të mirë se urdhrat dhe ndalesat që ju mëson Allahu, sepse mirësia dhe dobia e tyre është gjithpërfshirëse dhe për të dyja botët. Si të mos jetë kështu, kur Allahut nuk i shpëton gjë dhe di gjithçka që është e mirë për robët e Tij, kurse ata nuk e dinë.

[180] Që ju flisni, gjykoni apo veproni, prandaj flisni drejt, gjykoni drejt dhe veproni drejt, sepse Allahu ua shënon të gjitha dhe ju jep shpërblimin e merituar në ditën e llogarisë, ose ia fal kujt të dojë me mirësinë e Tij.

[181] Bindjuni Zotit tuaj në ato që ju ka urdhëruar dhe në ato që ju ka ndaluar.

[182] Bindjuni të Dërguarit të Allahut tek ju, Muhamedit, sepse duke ju bindur atij, i jeni bindur Allahut, i Cili ju ka urdhëruar që t’i bindeni të Dërguarit të Tij.

[183] Udhëheqësit, prijësit, myftinjtë. Allahu i urdhëron besimtarët t’u binden pushtetarëve të tyre, sepse çështjet e dynjasë dhe të fesë së njerëzve nuk mund të jenë të qëndrueshme veçse me bindjen ndaj tyre, por me një kusht:: përderisa nuk urdhërojnë për shkeljen e ligjeve të Allahut, dhe ndoshta kjo është shkaku që folja urdhërore (bindjuni) nuk është shprehur kur urdhërohemi për bindjen ndaj tyre, por vetëm kur urdhërohemi për bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, sepse bindja ndaj Allahu dhe të Dërguarit është në çdo gjë.

[184] Nëse nuk pajtoheni mes njëri-tjetrit apo mes jush dhe pushtetarëve tuaj, në ndonjë nga çështjet e fesë.

[185] Kthehuni tek Allahu dhe i Dërguari i tij për njohjen e gjykimit të saj. D.m.th. kthehuni tek Libri i Allahut dhe tek Pejgamberi, sa të jetë gjallë, kurse pas vdekjes së tij, kthehuni tek tradita e tij (suneti) që të mësoni gjykimin për çëshjet në të cilat nuk pajtoheni.

[186] Kjo tregon se kush nuk i kthen tek Allahu dhe tek Pejgamberi çështjet në të cilat ka mospajtim, nuk është besimtar i vërtetë.

[187] Në dynjanë tuaj, sepse kjo gjë ju fton në bashkim dhe lënie të mospajtimit e përçarjes, si dhe është më e mirë për ju tek Allahu, kur të ktheheni tek Ai në ditën e llogarisë.

[188] Gjykimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij është më i miri, më i drejti dhe më i dobishmi për njerëzit në të gjitha çështjet e jetës së tyre në dynja dhe në kthimin e tyre në botën tjetër.

 

60. A nuk i ke parë[189] ti (o Muhamed!) ata[190] që pretendojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe atë që është shpallur para teje, se si kërkojnë gjykimin e tagutëve[191], ndërkohë që janë urdhëruar t’i mohojnë ato?[192] Padyshim se djalli dëshiron që t’i devijojë ata krejtësisht (nga rruga e drejtë).

61. Dhe kur u thuhet atyre: “Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek i Dërguari”[193], i sheh hipokritët se si shmangen krejtësisht prej teje.[194]

62. Por si do të jetë gjendja e tyre[195] kur t’i godasë ndonjë fatkeqësi për shkak të asaj që kanë vepruar me duart e tyre[196], pastaj të vijnë tek ti duke u betuar në Allahun[197] (e duke thënë): “Ne nuk kishim për qëllim veçse të bënim mirësi dhe pajtim[198]”?!

63. Këta janë ata për të cilët Allahu e di se ç’kanë në zemrat e tyre[199], prandaj hiqu atyre,[200] këshilloji dhe mënjanë[201], thuaju fjalë me peshë.[202]

64. Ne nuk i kemi dërguar të dërguarit veçse me qëllim që njerëzit, me lejen e Allahut[203], t’u binden atyre.[204] Dhe sikur ata[205], kur i bënin padrejtësi vetvetes së tyre,[206] të vinin tek ti (o Muhamed!) për t’i kërkuar falje Allahut[207], e edhe i Dërguari t’i lutej Allahut për t’i falur ata[208], sigurisht që do ta shihnin se Allahu është Pranues i pendimit, Mëshirëplotë.[209]

65. Por jo[210], për Zotin tënd (o Muhamed!), ata nuk do të besojnë[211], derisa të të marrin ty për gjykues në mospajtimet mes tyre, e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt[212] dhe të të dorëzohen plotësisht.[213]

-88-

_______________________________________

[189] A nuk i ke parë me shikimin e zemrës, me dijen që të është dhënë nga Allahu.

[190] Është fjala për hipokritët.

[191] Kushdo që gjykon me ligj tjetër përveç ligjit të Allahut quhet “tagut”. Po kështu, çdokush apo çdo gjë që adhurohet dhe madhërohet përveç Allahut, dhe që i pëlqen kjo gjë, quhet “tagut”.

[192] Si mund të bashkohet marrja e tagutëve për gjykues në vend të Allahut me besimin e pretenduar nga ata?! Të besosh Allahun do të thotë t’i nënshtrohesh ligjit të Tij dhe të gjykosh me atë ligj në të gjitha çështjet, në të kundërt, nëse merr për gjykues dikë tjetër dhe gjykimin e tij e privilegjon mbi gjykimin e Allahut, je gënjeshtar në pretendimin tënd se beson dhe kjo është lojë e shejtanit dhe humbje e tij, siç thuhet në vijim të ajetit.

[193] Për t’u gjykuar tek ligji i Allahut që ka shpallur në Kuran dhe tek i Dërguari i Allahut, që të gjykojë mes nesh.

[194] Nuk vijnë tek ti për t’u gjykuar dhe ndalojnë edhe të tjerët që të vijnë të gjykohen tek ti, o Muhamed.

[195] Atyre që u përmendën më sipër.

[196] Për shkak të gjynaheve të tyre ku përfshihet edhe marrja e tagutëve për gjykues.

[197] Me betim të rrjeshëm.

[198] T’u bënim një të mirë palëve që ishin në grindje dhe të pajtonim mes tyre. Por ata janë gënjeshtarë në këtë gjë, sepse e gjithë mirësia gjendet në marrjen për gjykues Allahun dhe të Dërguarin e Tij, siç thotë Allahu: “E ku ka gjykim më të mirë se ai i Allahut për popullin që beson bindshëm!” [El Maide, 50].

[199] Prej hipokrizisë dhe qëllimit të keq.

[200] Mos i ndëshko në trupin e tyre, por këshilloji dhe frikësoji me ndëshkimin e Allahut që do të bjerë mbi ta dhe mbi shtëpitë e tyre për shkak të dyshimit të tyre tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe për shkak të veprës së tyre.

[201] Veçmas të tjerëve, jo në sy të njerëzve, sepse kjo është më e suksesshme në arritjen e synimit.

[202] Urdhëroji që të kenë frikë Allahun, ta besojnë Atë dhe të Dërguarin e Tij dhe të kenë parasysh premtimin e Allahut (xhenetin) dhe kërcënimin e Tij (xhehenemin). Këtu ka argument se ai që bën gjynahe, edhe pse duhet larguar prej tij, ai duhet të këshillohet në veçanti dhe këshilla duhet të jetë e rëndë në atë masë që mnedohet se bën dobi.

[203] Ata që i binden të Dërguarit, i binden atij me caktimin e Allahut dhe lejen e Tij, prandaj, o njerëz, kërkoni nga Allahu që t’ju japë sukses dhe t’ju udhëzojë në bindjen ndaj Tij dhe ndaj të Dërguarit të Tij, sepse askush nuk mund të udhëzohet, veçse me lejen e Allahut.

[204] Në çdo gjë që urdhërojnë apo ndalojnë, dhe të madhërohen ashtu si u takon. Këtu ka argument se të Dërguarit e Allahut janë të pagabueshëm në atë që komunikojnë nga Allahu dhe në atë që urdhërojnë apo ndalojnë, sepse Allahu ka urdhëruar që njerëzit t’u binden atyre pa ndonjë kusht. Kështu që edhe ty, o Muhamed, të kemi dërguar me qëllim që njerëzit të të binden ty dhe të të marrin për gjykues mes tyre, përndryshe kanë thyer Urdhrin Tim dhe kanë merituar ndëshkimin Tim.

[205] Hipokritët e përmendur më sipër.

[206] Me gjynahet e tyre të mëdha, siç është edhe marrja e tagutëve për gjykues dhe largimi nga Libri i Allahut dhe suneti i të Dërguarit të Tij kur thirren në të. Bërja e gjynaheve konsiderohet padrejtësi ndaj vetvetes sepse me bërjen e tyre, njeriu meriton ndëshkimin që i bie mbi vete, dhe kështu i ka bërë padrejtësi asaj.

[207] Të penduar për veprën e tyre të keqe dhe për marrjen e tagutëve si gjykues në vend të Allahut dhe të Pejgamberit.

[208] Kjo ardhje tek Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për të kërkuar falje për ta, kufizohet me qënien e tij në jetë, por pas vdekjes së tij kjo nuk është e mundur dhe konsiderohet shokvënie Allahut.

[209] Do t’ua pranonte pendimin, do t’ua falte gjynahet dhe do t’i mëshironte ata duke mos i dënuar për gjynahet nga të cilat u penduan.

[210] Nuk është ashtu si pretendojnë ata; se gjoja besojnë në atë që i ka zbritur Muhamedit.

[211] Nuk do të besojnë as tek Allahu, as tek i Dërguari i Tij dhe as tek ajo që Allahu i ka shpallur të Dërguarit të Tij.

[212] Të mos ngarkohen me gjynah duke refuzuar apo mospëlqyer gjykimin tënd dhe duke dyshuar në bindjen ndaj teje dhe se gjykimi yt është i vërtetë dhe nuk lejohet të kundërshtohet.

[213] Të dorëzohen plotësisht para gjykimit tënd dhe të pranojnë me bindje profetësinë tënde.

 

66. Sikur Ne t’i kishim urdhëruar ata[214]: “Vritni veten![215]” ose “Dilni nga vendbanimet tuaja![216]”, nuk do ta kishin bërë këtë veçse një pakicë prej tyre. E sikur ata të vepronin ashtu siç këshilloheshin[217], do të ishte më mirë për ta[218] dhe qëndrueshmëri më e fortë.[219]

67. Atëherë,[220] padyshim që Ne do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë.[221]

68. Dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.[222]

69. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit,[223] do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë mirësi të madhe[224]: me pejgamberët[225], të sinqertët[226], dëshmorët[227] dhe të mirët[228]! Eh sa shokë të mirë janë ata![229]

70. Kjo mirësi është nga Allahu,[230] e mjafton që Allahu është i Gjithëdijshëm.[231]

71. O besimtarë! Qëndroni vigjilentë[232] dhe dilni (për në luftë) në çeta[233] ose të gjithë së bashku[234]!

72. Në të vërtetë, dikush prej jush ngurron të niset për luftë[235], dhe nëse pësoni ndonjë humbje[236], thotë: “Vërtet, Allahu më favorizoi mua që nuk isha i pranishëm me ta.”[237]

73. E nëse ju vjen ndonjë e mirë nga Allahu[238], patjetër që ai[239], sikur të mos kishte pasur kurrë dashamirësi mes tij dhe jush,[240] do të thotë: “Ah, sikur të kisha qenë me ata e të arrija fitim të madh!”

74. Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që e shesin jetën e kësaj bote për botën tjetër, sepse kushdo që lufton në rrugën e Allahut[241], e vritet ose triumfon, sigurisht që Ne do t’i japim shpërblim të madh.[242]

-89-

_____________________________________________

[214] Sikur t’ua kishim bërë detyrim atyre (hipokritëve) që pretendonin se kanë besuar atë që iu shpall Muhamedit.

[215] Ashtu si urdhëruam ndjekësit e Musait që të vrasin njëri-tjetrin në mënyrë që t’iu pranohej pendimi.

[216] Emigroni për Hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe si bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[217] Që t’i bindeshin Allahut dhe t’i përmbaheshin urdhrave të Tij.

[218] Në këtë botë dhe në botën tjetër.

[219] Në besim dhe në vepra të mira; dhe kjo sepse hipokriti është vazhdimisht në pështjellim e pavendosmëri dhe e gjithë puna e lodhja i shkon kot, e nëse do të punonte me besim të patundur e vendosmëri, do të merrte shpërblim të madh nga Allahu.

[220] Pra, sikur të vepronin ashtu si këshilloheshin nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, atëherë …

[221] E ku ka shpërblim si ai i Allahut!

[222] Do t’u jepnim sukses që të gjenin dhe të ecnin në rrugën e Drejtë, në fenë e Allahut që e zgjodhi për robët e Tij, në Islam.

[223] Në gjithçka që urdhërojnë apo ndalojnë, me sinqeritet dhe kënaqësi.

[224] Udhëzimin në rrugën e drejtë dhe suksesin për t’iu bindur Atij në këtë botë, dhe xhenetin në botën tjetër.

[225] Ata të cilët Allahu i zgjodhi dhe i veçoi me shpalljen e Tij.

[226] Ata që besojnë me vendosmëri të plotë atë që Allahu ua ka shpallur pejgamberëve të Tij, dhe që e zbatojnë atë (të vërtetën që ka ardhur nga Allahu) me bindje të plotë në veprat, fjalët dhe gjendjet e tyre.

[227] Ata të cilët luftojnë dhe vriten në rrugë të Allahut për ngritjen e Fjalës së Allahut.

[228] Ata të cilët janë të mirë në zemër, në fjalë dhe në vepër.

[229] Për t’u bashkuar me ta në xhenetet e begatë dhe për të qenë në shoqërinë e tyre, pranë Zotit të botëve.

[230] Është Allahu Ai që ua jep atë dhe suksesin për arritjen e saj.

[231] Allahu di gjithçka për robët e Vet dhe e di se kush e meriton shpërblimin e madh për veprat e mira që i ka bërë me gjithë zemër.

[232] Të jeni syhapur dhe në gadishmëri të plotë duke marrë të gjitha masat e mundshme ushtarake kundër armikut.

[233] Grupe-grupe të armatosura në drejtim të armikut, sipas strategjisë ushtarake të vendosur nga prijësi i muslimanëve.

[234] Bashkë me të Dërguarin tuaj, apo me komandantin e ushtrisë, pas vdekjes së të Dërguarit.

[235] Disa prej besimtarëve të rinj në Islam dhe me besim të dobët tuten dhe nuk tregohen të gatshëm për të luftuar armikun. Ose mund të jetë fjala për hipokritët të cilët llogariteshin në mesin e besimtarëve, por në vetvete fshehnin mohimin.

[236] Disfatë apo të vrarë e të plagosur.

[237] Nga lehtësia e mendjes së tij kujton se mosshkuarja në xhihad ku ka lodhje, plagë dhe vdekje është mirësi nga Allahu, duke mos e ditur se mirësia e vërtetë është pikërisht mundësimi i arritjes së kësaj vepre të madhe për Hir të Allahut, me anë të se cilës rritet besimi, të falen gjynahet dhe shpëton nga humbja e madhe, merr shpërblim të madh dhe fiton kënaqësinë e të Madhërishmit.

[238] Triumf mbi armikun dhe plaçkë lufte.

[239] Hipokriti apo muslimani me besim të dobët.

[240] Ashtu si është zakonisht në mesin e besimtarëve me njëri-tjetrin, dhe si rrjedhojë fitorja e disave prej tyre është fitore edhe për të tjerët që nuk kanë qenë bashkë me ta, por ky i prapambetur nuk e di këtë dhe e ka mendjen vetëm tek fitimi material nga lufta, ndaj edhe me smirë thotë fjalën në vazhdim të ajetit.

[241] Me sinqeritet për Hir të Allahut, për çështjen e Allahut dhe për të ngritur lart Fjalën e Tij.

[242] Madhështinë e atij shpërblimi nuk e di askush përveç Allahut të Madhëruar, sepse askush nuk e ka parë, dëgjuar apo imagjinuar.

 

75. Ç’keni ju (o besimtarë) që nuk luftoni në rrugë të Allahut dhe për të pafuqishmit prej burrave, grave e fëmijëve[243], të cilët thonë: “O Zoti ynë! Na nxirr nga ky qytet, banorët e të cilit janë shtypës[244], dhe na dërgo mbrojtës dhe ndihmues nga ana Jote!”[245]

76. Ata që besojnë, luftojnë në rrugën e Allahut[246], kurse ata që nuk besojnë, luftojnë në rrugën e tagutit (djallit)[247], prandaj luftoni kundër ithtarëve të djallit,[248] sepse vërtet, dinakëria e djallit është e dobët![249]

77. A nuk i ke parë ata të cilëve iu tha: “Mbani duart nga lufta (mos luftoni tani), por falni namazin dhe jepni zekatin!” Por kur lufta iu bë detyrim, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si i frikësohen Allahut, madje edhe më tepër dhe thanë: “Zoti ynë! Përse na e bëre detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë edhe për pak kohë!”[250] Thuaju: “Kënaqësia e kësaj bote është e pakët, kurse bota tjetër është më e mirë për ata që janë të devotshëm, dhe juve nuk do t’ju bëhet asnjë fije padrejtësi.[251]

78. Kudo që të ndodheni, vdekja do t’ju arrijë, qofshi edhe në kështjella të forta.[252]” Nëse u vjen ndonjë e mirë[253], ata thonë: “Kjo është prej Allahut.” E nëse i godet ndonjë e keqe[254], ata thonë: “Kjo është prej teje[255] (o Muhamed)!” Thuaju: “Që të gjitha janë prej Allahut.[256]” Ç’është kështu me këta njerëz që nuk kuptojnë thuajse asgjë?![257]

79. Çdo e mirë që të vjen (ty o njeri), është prej Allahut,[258] kurse çdo e keqe që të godet, është prej vetes tënde[259]. Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) si të Dërguar për të gjithë njerëzimin,[260] dhe mjafton Allahu për dëshmitar.[261]

-90-

____________________________________________

[243] Allahu i urdhëron besimtarët që të luftojnë në Rrugën e Tij, dhe prej Rrugës së Tij është që ata të luftojnë për të shpëtuar të pafuqishmit dhe të dobtit që kanë pranuar Islamin në vendet e tyre dhe vuajnë e torturohen për këtë shkak nga njerëzit e atyre vendeve. Së pari, ajeti u drejtohet besimtarëve të parë që ishin përkrah të Dërguarit të Allahut në Medine, për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve që e pranuan Islamin në Meke dhe nuk kishin mundësi të emigronin por torturoheshin e masakroheshin nga fiset e tyre, por në ajet përfshihen të gjithë besimtarët e të gjitha kohërave dhe vendeve ku ndodh diçka e ngjashme.

[244] Është fjala për idhujtarët shtypës dhe tiranë të Mekës në fillimet e Islamit.

[245] Ata i luten vetëm Allahut që t’i shpëtojë nga kjo situatë duke u dërguar atyre mbrojtës dhe ndihmues prej vëllezërve të tyre besimtarë, me qëllim që të shpëtojnë nga armiku i tyre, të triumfojnë mbi ta dhe të ngrihet lart feja e Allahut.

[246] Në bindje ndaj Allahut, në rrugën e Fesë dhe të Ligjit të tij.

[247] Ata që mohojnë njëshmërinë e Allahut dhe përgënjeshtrojnë profetësinë e të Dërguarit të Tij luftojnë në bindje ndaj djallit dhe në rrugën e tij mashtruese që të shpie drejt zjarrit të përhershëm të xhehenemit.

[248] Ithtarët e djallit janë ata që e miqësojnë atë dhe i binden atij, në kundërshtim të bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu i nxit besimtarët që të luftojnë në rrugën e Tij sepse edhe nëse ata ndeshin vuajtje e dëmtime në luftën e tyre, po ashtu edhe ata që luftojnë në rrugën e djallit, ndeshin vuajtje e dëmtime në luftë dhe nuk shpresojnë asgjë nga lufta e tyre përveç diçkaje të vogël e të përkohshme nga dynjaja, kurse besimtarët i pret shpërblimi i madh nga Allahu: triumfi ndaj armiqve të tyre dhe xheneti në botën tjetër. Kështu që besimtarët kanë arsye më të forta për të luftuar në rrugën e Allahut se sa mohuesit në rrugën e djallit.

[249] Dinakëria e djallit dhe kurthi i tij kundër besimtarëve është shumë i dobët dhe nuk mund të qëndrojë para të vërtetës dhe vendosmërisë së besimtarëve, e aq më pak para kujdesit të Allahut për besimtarët, prandaj o besimtarë, mos u tutni dhe mos ua kini frikën ithtarëve të djallit sepse ata janë shumë më të dobët se ju.

[250] Në fillim të Islamit, në Meke, muslimanët ishin urdhëruar të falnin namaz dhe të jepnin lëmoshë për të varfërit, dhe jo zekatin e rregullt që u ligjërua në Medine, kurse në lidhje me luftën ishin urdhëruar të mos luftonin për shumë arsye. Disa prej tyre i kërkonin Muhamedit që t’i kërkonte Allahut t’u jepte lejë për të luftuar armiqtë e tyre që i torturonin dhe i dëmtonin, por nuk ishte koha për këtë dhe leja për luftë erdhi vetëm pasi emigruan në Medine. Atëherë, disa me besim të dobët prej tyre, të cilët ishin dhënë pas dynjasë dhe dashurisë për jetën, u ankuan përse Allahu ua bëri obligim luftën dhe kërkuan shtyrje të saj. Këtu ata kritikohen për këtë qëndrim dhe u tregohet se lufta në rrugën e Allahut është më e mirë për ta në të dyja botët. Por kështu është çështja e atyre të cilët nxitohen në kërkimin e gjërave para kohës së vet: kur u vjen koha atyre gjërave, ata kthejnë shpinën.

[251] Allahu nuk ua pakëson asapak shpërblimin tuaj, por përkundrazi, ua shumëfishon atë. Përjetimi i kënaqësive të dynjasë dhe rehatia në të është e përkohshme dhe mbaron shpejt, kurse jeta tjetër është e përjetshme dhe atje gjendet lumturia e vërtetë, prandaj duroni për pak kohë vështirësitë që ndeshni në bindje ndaj Allahut dhe veproni mirë sipas mësimeve të Tij, që të arrini fitoren e madhe dhe kënaqësinë e lumturinë e përjetshme pas kësaj të përkohshmes.

[252] Prandaj mos ikni nga lufta dhe mos u dobësoni përballë armikut tuaj, sepse vdekja ju ndjek nga pas kudo që të shkoni dhe do ju zërë në kohën e caktuar kudo që të jeni.

[253] Nga të mirat e dynjasë dhe stolitë e saj.

[254] Fatkeqësi apo vështirësi në kushtet e jetesës.

[255] Për shkakun tënd dhe të asaj me të cilën ke ardhur. Duke ndjekur kështu bindje të pavërteta e pagane në lidhje me të ashtuquajturin tersllëk, pa e ditur se është Allahu Ai që e ka caktuar gjithçka për ta dhe se e mira dhe e keqja janë sprovë për njeriun në këtë botë dhe janë të lidhura ngusht me veprën e tij.

[256] E mira dhe e keqja janë caktim i Allahut dhe krijim i Tij.

[257] Nuk kuptojnë asgjë ose kuptojnë shumë pak nga ato që shpall Allahu, për shkak të mohimit të tyre dhe kthimit të shpinës të Dërguarit të Allahut. Nga ajeti kuptohet se ata që e kuptojnë atë që vjen nga Allahu dhe mësojnë e ndjekin rrugët që ndihmojnë për kuptimin e saj, lavdërohen nga Allahu dhe kanë vend të lartë tek Ai. Nga ajeti kuptohet gjithashtu se pejgamberët nuk janë kurrë shkak për ndonjë të keqe që u vjen njerëzve, por vetë njerëzit janë shkak për atë që u ndodh, sepse ajo është rezultat i veprave të tyre.

[258] Nga mirësia dhe suksesi që të jep Allahu në kryerjen e shkaqeve që të çojnë tek ajo e mirë.

[259] Prej gjynaheve dhe veprave tua të këqija, që në fakt meritojnë më shumë të keqe, por Allahu shumicën e tyre i mbulon dhe i fal.

[260] Të kemi dërguar ty, o Muhamed, si lajmëtarin Tonë tek i gjithë njerëzimi, që t’u përcjellësh shpalljen Tonë dhe vetëm kjo është detyra jote, dhe jo udhëzimi i tyre. Ti, o Muhamed je vërtet i Dërguari Ynë tek njerëzimi dhe mjafton që Ne jemi dëshmitarë të kësaj edhe sikur i gjithë njerëzimi të të përgënjeshtrojnë.

[261] Dëshmitar për ty që je i Dërguari i Tij dhe njëkohësisht mbikqyrës mbi ty për përmbushjen e misionit dhe përcjelljes së shpalljes ashtu si të shpallet.

 

80. Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut[262]. Kurse sa për ata që kthejnë shpinën, Ne nuk të kemi dërguar rojtar të tyre.[263]

81. Ata thonë: “Të bindemi!”[264], por kur largohen prej teje, një grup prej tyre komplotojnë natën kundër asaj që thua ti.[265] Por Allahu i shënon komplotet e tyre.[266] Largohu prej tyre dhe mbështetu tek Allahu![267] Allahu të mjafton ty për mbrojtës.

82. A nuk e përsiatin ata Kuranin![268] Sikur ai të ishte prej dikujt tjetër përveç Allahut, do të gjenin në të kundërthënie të shumta.[269]

83. Kur atyre[270] u vjen ndonjë lajm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin atë.[271] E sikur ta përcillnin atë tek i Dërguari dhe paria e tyre, patjetër që hulumtuesit e tyre do të dinin të vepronin me të[272]. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut[273] dhe mëshira e Tij për ju, do të ndiqnit djallin që të gjithë, përveç një pakice.[274]

84. Lufto në rrugën e Allahut[275]! Nuk ke përgjegjësi veçse për veten tënde.[276] Por nxiti edhe besimtarët, se patjetër që Allahu do ta zmbrapsë fuqinë e atyre që mohojnë. Fuqia e Allahut është më e fortë dhe ndëshkimi i Tij më i ashpër.[277]

85. Kush ofron ndihmë të mirë, do të ketë pjesë nga ajo[278], dhe kush ofron ndihmë të keqe, do të ketë pjesë nga ajo.[279] Allahu është i Gjithëpushtetshëm mbi gjithçka.[280]

86. Kur ju përshëndet dikush[281], kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë![282] Padyshim, Allahu llogarit çdo gjë.[283]

-91-

___________________________________________________

[262] Sepse Allahu ka urdhëruar për bindje ndaj të Dërguarit të Tij, Muhamedit, dhe bindja ndaj Muhamedit është bindje ndaj Allahut. Çdo gjë që urdhëron apo ndalon i Dërguari, ai e bën këtë me urdhërin e Allahut dhe jo nga vetja e tij, prandaj mos thoni se Muhamedi është njeri si edhe ne, dhe kërkon të ngrihet mbi ne.

[263] Që të ruash e të llogaritësh veprat e tyre, por të kemi dërguar vetëm për t’ua sqaruar atë që u shpallet nga Allahu, kurse llogaria e veprave të tyre është tek Ne.

[264] Kur janë në prezencën tënde, o Muhamed!

[265] Komplotojnë dhe vendosin të mbajnë qëndrim tjetër nga ai që mbajnë para teje. Vendosin për mosbindje ndaj teje.

[266] Dhe do t’u japë dënimin e merituar. Ky është kërcënim për veprën e tyre.

[267] Largoju këtyre hipokritëve, o Muhamed, lëri në humbjen e tyre dhe mos ki frikë se mund të dëmtojnë diçka përderisa ti mbështetesh tek Allahu.

[268] A nuk e shqyrtojnë gjatë dhe hollë Kuranin dhe domethëniet e tij, që të shohin se ai është prej Allahut dhe prej askujt tjetër. Allahu urdhëron për përsiatjen e Kuranit dhe meditimin e thellë rreth tij sepse në të gjenden çelësat e të gjitha shkencave dhe fitorja në të dyja botët.

[269] E përderisa në të nuk ekzistojnë kundërthënie dhe përgënjeshtrime të një pjese të tij një pjesë tjetër, gjë e cila ndodh nga vepra e njeriut sado e përsosur që të jetë, dhe kjo patjetër që argumenton se ky Kuran është prej Allahut dhe prej askujt tjetër.

[270] Që kompletojnë kundër asaj që thotë i Dërguari i Allahut, prej hipokritëve apo muslimanëve me besim të dobët.

[271] Kur mësojnë ndonjë lajm të rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë apo frikën, lajm që sjellin formacionet e fshehta të Profetit, qoftë për fitore kundër armikut në betejë apo për ndonjë humbje, ata shpejtojnë në përhapjen e menjëhershme të atij lajmi para se vetë Profeti të sigurohet për vërtetësinë e tij dhe pastaj ta përhapë atë, me qëllim që të fusin panik në popull.

[272] Njerëzit e ditur e të mençur me analizimet dhe hulumtimet e tyre do ta vërtetonin atë lajm pastaj do të shihnin nëse duhej përhapur apo jo në mesin e popullit, sepse kjo gjë ka të bëjë me interesat e përgjithshme të popullit dhe kështu që duhet të analizohet dhe të shqyrtohet mirë nga Profeti sa ishte gjallë dhe nga paria dhe njerëzit e ditur pas vdekjes së Profetit, para se të publikohen. Pra, çdo çështje duhet t’u kthehet atyre që u takon prej të specializuarve dhe organeve kompetente.

[273] Në suksesin që ju ka dhënë, edukimin dhe mësimin e asaj që nuk e dinit.

[274] Njeriu me natyrën e tij është injorant dhe i padrejtë dhe vetja e tij e shtyn gjithnjë nga e keqja, por nëse ai drejtohet tek Allahu dhe i kërkon mbrojtje Atij me këmbëngulje e përpjekje të vazhdueshme, patjetër që Allahu do ta mëshirojë atë, do t’i japë sukses për çdo të mirë dhe do ta mbrojë nga djalli i mallkuar.

[275] Lufto me të gjitha forcat armiqtë e Allahut prej idhujtarëve dhe mohuesve. Lufto me të gjithë veten tënde për fenë e Allahut, për Islamin.

[276] Ti nuk mund të detyrosh të tjerët për të luftuar në rrugë të Allahut dhe as nuk mban përgjegjësi për ta.

[277] Fuqia e Allahut kundër armiqve tuaj dhe të Allahut është më e fortë se sa fuqia e tyre kundër teje dhe shokëve të tu, o Muhamed, dhe ndëshkimi i Allahut është shumë i ashpër kundër tyre, prandaj mos u dorëzo dhe mos u zmbraps para fuqisë së tyre të dobët.

[278] Kush e shton numrin e shokëve të Muhamedit duke iu bërë çift tekut të tyre, dhe lufton përkrah tyre në rrugë të Allahut, do të ketë shpërblimin e vet të plotë tek Allahu.

[279] Kush shton numrin e mohuesve dhe keqbërësve duke iu bërë çift tekut të tyre, dhe lufton kundër besimtarëve, do të marrë ndëshkimin e vet ashtu si e meriton.

[280] Allahu ka fuqi për gjithçka dhe mbi gjithçka. Ai e ka të lehtë të mbikqyrë gjithçka dhe çdokënd dhe pastaj e shpërblen secilin për veprën e vet ashtu si e meriton.

[281] Me çdo lloj përshëndetje të mirë dhe të lejueshme në fe, dhe padyshim se më e mira përshëndetje është ajo që na ka mësuar Islami: Es selamu alejkum – paqja qoftë mbi ju! Por lejohen të gjitha përshëndetjet e tjera që popujt e ndryshëm i kanë bërë zakon dhe nuk përmbajnë gjë të ndaluar nga Islami.

[282] Kthimi i përshëndetjes në të njëjtën mënyrë është detyrim, kthimi i saj në mënyrë më të mirë është vepër e pëlqyeshme për të cilën merr sevape, kurse moskthimi i saj apo kthimi i saj në mënyrë më të pakët se ajo është e ndaluar në Islam.

[283] Allahu llogarit çdo gjë që veproni ju, qoftë e vogël apo e madhe, dhe ju shpërblen ashtu si e meritoni, prandaj mos nënvlerësoni asnjë punë të vogël në syrin tuaj.

 

87. Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër (të vërtetë) përveç Tij.[1] Ai do t’ju mbledhë të gjithëve në ditën e Kiametit[2], për të cilën nuk ka pikë dyshimi.[3] E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në fjalë?[4]

88. Ç’është me ju që jeni ndarë në dy grupe për çështjen e hipokritëve,[5] kur Allahu i ka kthyer ata[6] për shkak të veprave të tyre?! A mos vallë dëshironi të ktheni në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka lënë në humbje?[7] Për atë që Allahu lë në humbje, nuk mund të gjesh rrugë.

89. Ata (hipokritët) dëshirojnë që edhe ju të mohoni ashtu si kanë mohuar ata dhe të bëheni të njëjtë me ata.[8] Por ju kurrë mos bëni miq prej tyre,[9] derisa të emigrojnë për hir të Allahut. E nëse ata refuzojnë[10], ndiqini e vritini kudo që t’i gjeni, dhe mos zini prej tyre as miq, as ndihmues.[11]

90. Me përjashtim të atyre që strehohen te një popull me të cilin ju keni marrëveshje,[12] ose atyre që kanë ardhur te ju, e u vjen rëndë që të luftojnë kundër jush ose të luftojnë kundër popullit të vet[13]. Po të kishte dashur Allahu, do t’u kishte dhënë dorë të lirë mbi ju dhe ata do të luftonin kundër jush.[14] Por, përderisa ata tërhiqen prej jush, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë Allahu nuk ju lë rrugë (që të luftoni) kundër tyre.

91. Do të hasni edhe të tjerë, të cilët duan të sigurohen nga ju dhe nga populli i vet.[15] Sa herë që u vjen një sprovë, bien menjëherë në të.[16] Në qoftë se këta nuk tërhiqen prej jush, nuk ju ofrojnë paqe dhe nuk heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë kapini dhe vritini kudo që t’i zini! Kundër këtyre u kemi dhënë të drejtë të qartë (për t’i luftuar).[17]

-92-

________________________________________________

[1] Allahu është Një, i Vetëm e i Pashoq në Atributet dhe Qënien e Tij, në krijimin e gjithçkaje që ekziston dhe në mbajtjen e mbikqyrjen e gjithçkaje, prandaj Vetëm Ai është i Adhuruari i Vërtetë dhe i Pashoq.

[2] Do t’ju ringjallë të gjithëve pas vdekjes dhe pasi të bëhet Kiameti, për të shpërblyer secilin për veprat që ka bërë në dynja; ata që i janë bindur Atij dhe kanë adhuruar vetëm Atë me xhenet, dhe ata që nuk i janë bindur Atij dhe nuk e kanë veçuar Atë në adhurim, me dënimin e dhembshëm e të tmerrshëm të xhehenemit.

[3] Nuk ka pikë dyshimi nga asnjë këndvështrim, sepse këtë e vërteton argumenti logjik dhe argumenti hyjnor. Argumenti logjik është ajo që shohim prej ringjalljes së tokës pas vdekjes së saj, krijimi i parë i gjithçkaje i cili është më i vështirë se rikrijimi i tyre për së dyti, dhe nuk është logjike që Allahu të krijojë diçka pa qëllim! Argumenti hyjnor është njoftimi i më të vërtetit në fjalë, madje betimi i Tij për këtë gjë, kur thotë: “E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në fjalë?”. Argumentet nga Kurani e Suneti për këtë janë të shumta.

[4] Fjala dhe njoftimet e Allahut janë në gradën më të lartë të vërtetësisë, prandaj gjithçka që thuhet në temën e besimit dhe bindjes në kundërshtim me atë që ka thënë Allahu, janë të pavërteta sepse bien në kundërshtim me fjalën e vërtetë e të sigurtë, kështu që nuk mund të jenë të vërteta.

[5] Është fjala për disa hipokritë të Mekes të cilët shfaqën Islamin dhe fshehnin kufrin, dhe nuk emigruan tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) në Medine. Shokët e Profetit ishin në mëdyshje në lidhje me këta njerëz dhe u ndanë në dy grupe: njëri grup hezitoi t’i luftonte ata për shkak se shfaqnin Islamin dhe besimin, kurse grupi tjetër gjykoi për kufrin e tyre duke u bazuar në veprat e tyre dhe përsëritjen e mohimit prej tyre herë pas here. Atëherë Allahu i njoftoi ata se nuk duhet të jenë në mëdyshje dhe as të dyshojnë për kufrin e atyre sepse kjo gjë ishte e qartë nga veprat e tyre, madje ata kërkojnë që edhe ju të bëheni si ata.

[6] Në ligjet që zbatohen ndaj idhujtarëve; në lejimin e derdhjes së gjakut, marrjes së pasurive dhe robërimit të tyre. Pra gjykimi ndaj këtyre është i njëjtë me gjykimin ndaj idhujtarëve.

[7] Fjala i drejtohet atij grupi që mbajti anën e hipokritëve, duke i thënë: “A kërkoni udhëzimin në Islam të këtyre që Allahu i ka devijuar nga e vërteta dhe nuk u ka dhënë sukses në ndjekjen e Islamit për shkak të veprave të tyre?”

[8] Të mohoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe të bëheni mohues njësoj si ata.

[9] Mos i doni ata dhe mos u miqësoni me ta, por urrejini dhe luftojini derisa të besojnë e të emigrojnë ashtu si edhe ju.

[10] Besimin dhe emigrimin, në mënyrë të hapur.

[11] Mos i bëni miq ata duke u besuar çështjet tuaja dhe as mos merrni ndihmues prej tyre që t’ju ndihmojnë kundër armikut tuaj, sepse ata janë mohues të fesë dhe nuk ju duan të mirën.

[12] Allahu përjashton nga luftimi i këtyre hipokritëve, tre grupe prej tyre: Grupi i parë: Ata që strehohen tek një popull me të cilin muslimanët kanë lidhur pakt për paqe. Këta konsiderohen njësoj si individët e atij populli.

[13] Grupi i dytë janë ata hipokritë që i respektojnë muslimanët dhe e kanë të rëndë të luftojnë kundër tyre, por as nuk mund të bashkohen me muslimanët dhe të luftojnë popullin e tyre. Kështu që nuk i bashkohen asnjërës palë dhe kjo është e mirë për muslimanët, sepse së paku nuk bashkohen me armikun dhe nuk i luftojnë ata.

[14] Prandaj falënderoni Zotin tuaj për këtë të keqe që ua largoi, ndërkohë që ishte e mundur që ajo të ndodhte.

[15] Ky është grupi i tretë i atyre hipokritëve që muslimanët u ndaluan t’i luftonin: Disa njerëz që kur ballafaqoheshin me muslimanët, shfaqnin Islamin për të ruajtur kokën, familjen e pasurinë, kurse kur shkonin te populli i tyre idhujtar, adhuronin idhujt dhe ndiqnin fenë e tyre, nga frika prej tyre.

[16] Sa herë që sprovohen me kthim në mohim e idhujtari, ata verbohen dhe kthehen në to.

[17] Për faktin se ata ngrenë dorë kundër jush në mënyrë të padrejtë dhe nuk duan paqe, kështu që të mos qortojnë veçse veten e tyre për atë që do i gjejë nga duart tuaja, o besimtarë.

 

92. Besimtarit nuk i është lejuar kurrë të vrasë një besimtar tjetër, përveçse gabimisht.[18] E kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një rob besimtar dhe t’u japë shpagimin e gjakut të derdhur familjes së të vrarit,[19] përveç në rast se ata ia falin atij në formë lëmoshe.[20] Por në qoftë se i vrari është prej një populli që e keni armik,[21] por ai është besimtar, atëherë duhet të lirohet një rob besimtar.[22] Dhe në qoftë se i vrari është prej një populli me të cilin keni lidhur marrëveshje,[23] duhet t’i jepet shpagimi familjes së tij dhe të lirohet një rob besimtar[24]. E kush nuk ka mundësi,[25] duhet të agjërojë dy muaj rresht si pranim të pendimit nga Allahu.[26] Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[27]

93. Kushdo që vret një besimtar me paramendim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, ku do të qëndrojë përgjithmonë.[28] Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar[29] dhe i ka përgatitur dënim të madh.[30]

94. O besimtarë! Kur të dilni në rrugë të Allahut[31], shqyrtoni gjithçka me kujdes[32], dhe mos i thoni atij që ju përshëndet me selam[33]: “Nuk je besimtar”, me qëllim që të arrini diçka të përkohshme nga jeta e dynjasë,[34] ndërkohë që tek Allahu ka fitime të shumta.[35] Kështu keni qenë edhe ju më parë,[36] por Allahu ju dha mirësi[37]; prandaj sqarojini mirë çështjet! Me të vërtetë, Allahu njeh në hollësi gjithçka që veproni.[38]

-93-

____________________________________________

[18] Nuk i lejohet kurrë një besimtari që të vrasë një besimtar tjetër, përveç nëse kjo ndodh gabimisht, pa dëshirën dhe vullnetin e tij, dhe në këtë rast nuk ka gjynah dhe mëkat, por duhet të shpaguajë gjakun e të vrarit. Vrasja e një besimtari e mohon besimin dhe ajo mund të bëhet vetëm nga një jobesimtar apo nga ndonjë i shthurur me besim shumë të dobët. Kurse besimtari i vërtetë nuk e vret kurrë vëllanë e tij besimtar. Vrasja e një besimtari është vepër kufri (mohimi) dhe mëkati më i madh pas idhujtarisë. Profeti ynë ka thënë: “Mos u ktheni mohues pas meje, duke vrarë njëri-tjetrin.”

[19] Në vrasjen gambimisht, robi që duhet liruar paguhet nga pasuria e vrasësit, kurse shpagimi material i gjakut bëhet nga fisi i vrasësit, duke e ndarë atë mes tyre. Shpagimi ka vlerën e njëqind krerë deve, të sqaruara hollësisht në librat e fikhut.

[20] Nëse familja e atij që është vrarë gabimisht ia falin shpagimin vrasësit, atëherë ai çlirohet prej tij dhe nuk paguan asgjë. Allahu e ka përmendur këtë falje në formë lëmoshe, me qëllim që të nxisë në faljen e saj dhe ata kanë shpërblimin sikur ta kishin dhënë lëmoshë atë vlerë.

[21] Nga një popull armik i fesë tuaj, nga një popull jomusliman që ju ka shpallur luftë.

[22] Nëse një musliman e vret gabimisht një musliman tjetër që ndodhet në mesin e popullit armik jomusliman që ju ka shpallur luftë, duke menduar se edhe ai është jomusliman si ata, duhet të lirojë një rob besimtar, por nuk ka detyrim që të shpaguajë gjakun e tij.

[23] Marrëveshje për paqe dhe siguri mes dy vendeve, atij musliman dhe atij jomusliman.

[24] Shpagimi i gjakut të derdhur në këtë rast, edhe pse i vrari është jomusliman, bëhet për shkak të marrëveshjes mes dy vendeve, të cilës muslimanët duhet t’i përmbahen, dhe paguhet nga fisi i vrasësit, sepse kemi të bëjmë me vrasje pa qëllim, kurse robi që lirohet është si pendesë tek Allahu dhe kërkim falje nga Ai.

[25] Kush nuk ka mundësi materiale për blerjen dhe lirimin e një robi besimtar.

[26] Allahu i ka bërë lehtësim atij duke ia pranuar pendimin edhe me agjërimin e dy muajve rresht në vend të lirimit të robit besimtar, si mëshirë dhe bujari nga Ai.

[27] Allahu e di mirë se cilat ligje janë më të mira për robët e Tij dhe ua vendos ato, dhe i Urtë në vendosjen e gjithçkaje në vendin e vet. Allahu me dijen dhe urtësinë e Tij i ka vendosur këro ligje dhe asnjë ligj tjetër nuk mund të jetë më i mirë se këto, qoftë në lidhje me vrasjen apo me gjithçka tjetër. Kjo dallohet qartë nga çdokush që qëndron mendueshëm në këto ligjë që lidhen me vrasjet, apo në ligje të tjera të Allahut.

[28] Këtë dënim meriton ai që vret një besimtar, nëse nuk ka diçka tjetër që e pengon atë, sepse dënimet zbatohen nëse plotësohen shkaqet e tyre dhe eliminohen pengesat e mundëshme për zbatimin e tyre. Kështu thonë dijetarët e ehli sunetit, në kundërshtim me havarixhët dhe mutezilitë, të cilët thonë se ky dënim i përmendur në këtë ajet zbatohet mbi të gjithë ata që e bëjnë këtë vepër, edhe nëse janë besimtarë që e njësojnë Allahun. Por e vërteta është ajo që thonë dijetarët e ehli sunetit dhe ajo që ka për qëllim Allahu, sepse besimi në Allahun dhe adhurimi vetëm i Atij është pengues i të qëndruarit përgjithmonë në Zjarr, gjë të cilën e provojnë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, si dhe unanimi i dijetarëve të Islamit. Po kështu edhe pendimi, fatkeqësitë e mëdha, marrja e dënimit të caktuar nga Allahu në dynja, të gjitha këto e pengojnë dënimin e përhershëm në botën tjetër, dhe kështu mbetet dënimi i përkohshëm apo falja nga Mëshirëploti dhe Falësi i Madh. Kurse për mohuesin që vret një besimtar dhe vdes duke qenë mohues, padyshim se vendi i tij është zjarri ku do të qëndrojë përgjithmonë. [Es Seadi, Ibnul Kajjim el Xheuzije, në ‘Medarixhu es Salikin”].

[29] E ka larguar nga mëshira e Tij dhe e ka braktisur atë.

[30] Madhësinë e të cilit nuk e di veçse Allahu i Madhëruar.

[31] Kur të shkoni në xhihad për të luftuar armiqtë tuaj dhe armiqtë e Allahut.

[32] Mos u nxitoni në vrasjen e atyre për të cilët jeni në pështjellim, nëse janë apo jo muslimanë, dhe mos vrisni askënd përveç atyre që e dini të sigurtë se ju luftojnë ju, Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[33] Ju përshëndet me përshëndetjen Islame, es selamu alejkum, për të treguar se është musliman.

[34] Duke e vrarë atë njeri dhe duke i marrë plaçkën që ka me vete.

[35] Furnizim, begati e mirësi të qëndrueshme e të përhershme, të cilat ju i arrini duke ju bindur Allahut.

[36] Të humbur nga rruga e drejtë, apo që e fshihnit besimin tuaj nga populli juaj për shkak të frikës prej tyre, para se Allahu ta ngrinte Islamin dhe t’i fuqizonte muslimanët.

[37] Ju udhëzoi në fenë e Tij dhe ju fuqizoi bashkë me të.

[38] Dhe shpërblen gjithësecilin për veprën dhe qëllimin e tij.

 

95. Nuk janë të barabartë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të dëmtuarve,[39] me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më lart ata që luftojnë në rrugën e Tij mbi ata që rrinë në shtëpitë e veta[40]. Allahu i ka premtuar mirësi[41] secilit prej tyre[42], por luftëtarët, Ai i ka dalluar mbi ata që rrinë me shpërblim të madh:

96. me shkallë të larta, me falje e mëshirë prej Tij. Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

97. Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që janë keqbërës të vetvetes[43], u thonë: “Në ç’gjendje ishit[44]?” Ata thonë: “Ishim të pafuqishëm në Tokë.”[45] (Engjëjt) u thonë: “A nuk ishte Toka e Allahut e gjerë që të emigronit në të?”[46] Por vendi i këtyre është Xhehenemi, e ku ka vend më të keq se ai!

98. Me përjashtim të të pafuqishmëve[47] prej burrave, grave e fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqi, as mundësi të drejtohen në rrugë.

99. Allahu do i falë ata[48], sepse Allahu është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.[49]

100. Kushdo që emigron në rrugën e Allahut,[50] ai gjen vende të shumta dhe begati në tokë.[51] Kushdo që lë shtëpinë e vet[52] për të emigruar tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, pastaj i vjen vdekja[53], shpërblimi i tij është bërë i domosdoshëm tek Allahu.[54] Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

101. Kur të jeni në udhëtim, nuk është gjynah që të shkurtoni diçka prej namazit[55], nëse frikësoheni nga ndonjë dëm i mohuesve.[56] Me të vërtetë, mohuesit janë armiqtë tuaj të hapur.[57]

-94-

__________________________________________

[39] Ata që janë dëmtuar dhe që nuk kanë mundësi fizike të shkojnë në luftë.

[40] Ata që rrinë në shtëpi nga pamundësia fizike për të shkuar në xhihad apo nga ajo materiale për të shpenzuar për të.

[41] Xhenetin.

[42] Atyre që luftojnë në rrugën e Allahut dhe atyre që nuk kanë mundësi të luftojnë, e sikur të kishin mundësi, do të luftonin.

[43] Duke vepruar vepra që janë shkak për zemërimin e Allahut ndaj tyre dhe duke mos emigruar te muslimanët por duke ndenjur në mesin e jomuslimanëve apo duke luajtur rolin e hipokritit dhe duke përkrahur jomuslimanët kundër muslimanëve. Ajeti përfshin ata që kanë qenë në këtë gjendje në kohën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) si dhe të gjithë ata që u përputhen gjendjes së tyre në të gjitha kohët.

[44] Në lidhje me fenë dhe besimin tuaj.

[45] Justifikohen duke thënë se populli i vendit të tyre i pengonte ata nga besimi dhe nga pasimi i Profetit, dhe se këta ishin të dobët e të pafuqishëm për të duruar shtypjet e tyre.

[46] A nuk mund ta linit vendin tuaj dhe të largoheshit prej atyre që ju pengonin nga besimi në Allah dhe nga pasimi i të Dërguarit të Allahut, dhe të shkonit në atë vend ku ishit të ruajtur nga idhujtarët dhe ku mund të adhuronit vetëm Allahun dhe të pasonit të Dërguarin e Tij?

[47] Që nuk kanë fuqi e mundësi të emigrojnë nga vendi i idhujtarisë në vendin Islam.

[48] Të pafuqishmit e përmendur më sipër.

[49] Allahu i shlyen gjynahet robërve të Tij besimtarë, duke mos i dënuar ata për shumë gjynahe që bëjnë, përderisa nuk i kanë bërë shok Atij, dhe ua mbulon gjynahet atyre duke mos ua shpejtuar dënimin për to, prandaj mos u ktheni më kurrë tek ato që u kam ndaluar, që të mos ju vijë ndonjë dënim i madh.

[50] Për të mbajtur fenë e Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Tij, ashtu si e ka ligjëruar Allahu.

[51] Kushdo që emigron për hir të Allahut dhe fesë së Tij, Allahu i nënshtron atij vende të shumta në tokë dhe i jep begati e lehtësi të mëdha, si nga ana e fesë edhe nga ajo e dynjasë, si kundërveprim ndaj armiqve të Allahut që i ngushtojnë besimtarët dhe i detyrojnë ata të emigrojnë, dhe për inat të tyre. Ky ajet nxit për emigrim për hir të Allahut dhe premton se ai që e bën këtë do të gjejë të gjitha të mirat, dhe Allahu nuk i thyen premtimet.

[52] Në vendin e idhujtarisë dhe të mohimit të Allahut.

[53] Para se të arrijë te vendi Islam ku ka për qëllim të emigrojë.

[54] Ai patjetër që do ta marrë shpërblimin për emigrimin e tij në rrugë të Allahut edhe pse nuk e realizoi atë faktikisht, por ai vendosi të emigronte dhe e ndërmorri këtë veprim, prandaj Allahu do e shpërblejë atë në mënyrë të plotë.

[55] D.m.th. të shkurtoni në numrin e rekateve të disa namazeve të detyrueshme nga katër rekate që janë në origjinë, në dy rekate, dhe bëhet fjalë për namazin e drekës (dhuhr), mbasdites (asr) dhe darkës (isha), prandaj thuhet: “diçka prej namazit”, dhe jo “të shkurtoni namazet”, sepse jo te gjitha namazet shkurtohen dhe ky shkurtim është i kufizuar ashtu si e ka sqaruar suneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem).

[56] Nga ajeti kuptohet se për lejimin e shkurtimit të namazit duhet të plotësohen dy kushte: udhëtimi dhe frika nga armiku, por më pas Profeti sqaroi se vetëm udhëtimi mjafton si kusht për shkurtimin e namazit, gjë e cila ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Umer ibën el Hattab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili e pyeti Profetin me habi: “Por tani ne jemi të sigurtë dhe nuk kemi më frikë nga armiku! (Atëherë pse ta bashkojmë namazin në udhëtim?)” Kurse Profeti (salallahu alejhi ue selem) i tha: “Kjo është një lëmoshë nga Allahu për ju, prandaj pranojeni lëmoshën e Tij.” Dhe në të njëjtën kohë, nëse bashkohet udhëtimi dhe frika nga armiku, siç ndodh në luftë, atëherë lejohet shkurtimi i namazit, jo vetëm në rekate por edhe në formën e kryerjes së tij, siç e sqaron ajeti në vijim.

[57] E shprehin hapur armiqësinë dhe luftën ndaj jush dhe ndaj besimit tuaj tek Allahu dhe tek Profeti i Tij.

 

102. Kur ti (o Muhamed) të jesh në mesin e tyre (në luftë) dhe t’u prish në namaz, një grup prej tyre të falet me ty[58] dhe të mbajnë armët pranë vetes[59]! Pasi këta të bëjnë sexhde[60], të qëndrojnë pas jush[61] dhe të vijë një grup tjetër që nuk është falur, për t’u falur me ty dhe të jenë syçelë e të mbajnë armët pranë[62]. Mohuesit dëshirojnë që të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve dhe pajisjeve tuaja, me qëllim që t’ju mësyjnë të gjithëve njëherazi.[63] Nuk është gjynah për ju që nëse për shkak të shiut apo të ndonjë sëmundjeje, t’i lini armët, por qëndroni syçelë. Padyshim se Allahu ka përgatitur dënim poshtërues për mohuesit.[64]

103. Pasi të kryeni namazin[65], përmendeni Allahun duke qenë në këmbë, të ulur dhe shtrirë.[66] Dhe kur të siguroheni nga rreziku, faleni namazin të plotë, sepse namazi për besimtarët është detyrim në kohë të caktuar.[67]

104. Mos u tregoni të dobët në ndjekjen e armikut! Nëse ju ndieni dhembje (nga plagët e luftës), edhe ata ndiejnë dhembje ashtu si edhe ju,[68] mirëpo ju shpresoni nga Allahu atë që ata nuk e shpresojnë[69]. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[70]

105. Vërtet, Ne ta kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin (Kuranin) me të vërtetën,[71] në mënyrë që ti të gjykosh mes njerëzve sipas asaj që të ka shpallur Allahu.[72] Dhe mos u bëj mbrojtës i tradhtarëve![73]

-95-

________________________________________________

[58] Kurse grupi tjetër të qëndrojë në front përballë armikut.

[59] Që të jenë të gatshëm në çdo ras sulmi të mundshëm nga armiku, apo kur të mbarojnë namazin dhe të kthehen në front te armiku.

[60] Të plotësojnë namazin e tyre, i cili në këtë rast është vetëm një rekat dhe pas tij duhet të japin selam dhe të shkojnë në front që të vijë grupi tjetër për t’u falur me Profetin.

[61] Të kthehen në front te armiku.

[62] Ajeti bën fjalë për namazin e frikës në kohë luftimi, dhe për mënyrën e faljes së këtij namazi kanë ardhur disa forma të ndryshme nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), ku secila tergon mënyrën e faljes në raste dhe gjendje të ndryshme të përballjes me armikun. Këto forma përmenden hollësisht në librat e fikhut.

[63] T’ju vrasin dhe t’ju marrin armët dhe pajisjet tuaja të luftës që i keni me vete. Prandaj, të jeni të kujdesshëm dhe të vëmendshëm edhe gjatë faljes në luftë, por assesi mos e lini faljen me xhemat dhe as mos e neglizhoni armikun.

[64] Dënimi i xhehenemit nga i cili nuk do të dalin kurrë.

[65] Në formën e sqaruar më sipër, kur jeni në luftë e sipër.

[66] Madhërojeni Allahun në çdo kohë dhe gjendje që të jeni gjatë luftës, dhe bëni lutje që Ai t’ju ndihmojë dhe t’ju japë triumfin kundër armiqve tuaj.

[67] Namazi ka kohë të caktuar fillimi dhe mbarimi brenda së cilës ai është detyrim që të kryhet. Secili prej pesë namazeve të ditë-natës ka kohën dhe rregullat e veta, të cilat janë të sqaruara në detaje, në librat e fikhut.

[68] Nga plagët e marra prej jush.

[69] Ju shpresoni shpërblimin e Allahut për shkak të plagëve apo dëmtimeve që merrni prej tyre, kurse ata nuk shpresojnë ndonjë shpërblim për plagët që marrin prej jush. Kështu që ju duhet të jeni më të durueshëm ndaj armikut se armiku ndaj jush, madje t’i kërkoni e t’i gjeni ata kudo që të jenë, edhe nëse kjo kërkon përpjekje dhe lodhje nga ju, por shpërblimi i Allahut është shumë i madh.

[70] Allahu e di mirë se çfarë është e mirë për krijesat e Tij, ndaj edhe i vendos atyre ligjet e Tij me urtësinë më të lartë.

[71] Gjithçka që përmban Kurani është e vërtetë dhe e vërteta e tij është e ruajtur nga Allahu dhe nuk mund t’i futet e pavërteta nga djalli apo ndjekësit e tij.

[72] Dhe jo sipas dëshirës dhe epshit tënd, por sipas drejtësisë që të ka shpallur Allahu, qoftë për çështjet e fesë apo për çështjet e dynjasë.

[73] Mos i mbro ata që tradhëtojnë një musliman apo një aleat të muslimanëve, qoftë duke e vrarë apo duke i marrë pasurinë atij pabesisht.

 

106. Kërko falje nga Allahu[74], sepse Allahu është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

107. Mos polemizo për ata që bëhen të pabesë[75], se Allahu nuk i do ata që janë tradhtarë e mëkatarë.[76]

108. Ata fshihen nga njerëzit dhe nuk fshihen nga Allahu,[77] ndërkohë që Ai është me ta[78], kur ata komplotojnë natën gjëra që Ai nuk i pëlqen.[79] Allahu është në dijeni të plotë për gjithçka që ata veprojnë.[80]

109. Ja, ju jeni ata që i mbroni ata në jetën e kësaj bote, por kush do t’i mbrojë ata tek Allahu në ditën e Kiametit apo kush do të jetë përfaqësues i tyre?[81]

110. Kushdo që punon vepër të keqe ose i bën padrejtësi vetvetes (me gjynahe), pastaj kërkon falje prej Allahut, e gjen Allahun Falës të madh, Mëshirëplotë.[82]

111. Kushdo që bën gjynah, e bën në llogari të vetvetes. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.[83]

112. Kushdo që bën një të keqe apo gjynah,[84] pastaj ia vesh atë një të pafajshmi, padyshim se ai e ka ngarkuar veten me fajin e shpifjes dhe me gjynah të qartë.[85]

113. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij ndaj teje, një grup prej tyre do të përpiqej që të të nxirrte në humbje, por ata nuk humbasin veçse vetveten, kurse ty nuk mund të bëjnë kurrfarë dëmi.[86] Allahu të ka zbritur ty Librin dhe Urtësinë,[87] dhe të mësoi atë që nuk e ke ditur.[88] Vërtet, mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.

-96-

__________________________________________

[74] Për çdo gabim dhe gjynah, të madh e të vogël, që e di dhe që nuk e di, dhe veçanërisht për mbrojtjen e tradhtarit.

[75] Me veprën e tyre, me pabesinë dhe tradhëtinë e tyre.

[76] Allahu nuk i do, madje i urren ata njerëz që tradhtia dhe mëkati janë bërë cilësi të tyre, nga që vazhdimisht i bëjnë ato.

[77] Këta njerëz me këto cilësi i fshihen syve të njerëzve, ndërkohë që njerëzit nuk mund t’u bëjnë gjë atyre përveç përmendjes për të keq, dhe këta fshihen nga turpi prej tyre, kurse nga Allahu ata nuk fshihen dhe nuk turpërohen, megjithëse Ai i sheh ata, i di në hollësi veprat dhe mendimet e tyre, dhe ka në Dorë që t’i ndëshkojë ata me ndëshkim të ashpër e të afërt!

[78] I mbikqyr në çdo çast dhe sheh e dëgjon çdo vepër e fjalë të tyre.

[79] Kur thurin tradhti dhe mënyra mashtrimi gjatë natës, për të shfajësuar kriminelin dhe për të fajësuar të pafajshmin.

[80] Asgjë nuk i shpëton Allahut nga veprat dhe fjalët e tyre, por megjithatë Ai nuk e shpejton dënimin e tyre, por ua regjistron veprat, i afatizon që të pendohen dhe të kthejnë rrugë, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë u jep dënimin e merituar, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[81] Edhe nëse dikush prej jush, o besimtarë, i mbron ata që janë tradhtarë e mëkatarë me qëllim që të mbulojë turpin e tyre apo të largojë dënimin e caktuar për veprën e tyre në dynja, këtë gjë nuk mund ta bëjë askush para Allahut në botën tjetër, dhe secili prej tyre do të marrë dënimin e merituar. Pra, mos e bëni këtë vepër, nëse jeni besimtarë të vërtetë dhe kërkoni kënaqësinë e Allahut dhe atë që gjendet tek Ai.

[82] Kushdo që vepron vepër të keqe ndaj të tjerëve apo bën gjynahe dhe ngarkon vetveten me to, duke i shkaktuar asaj dëm dhe ndëshkim në këtë botë dhe në botën tjetër, pastaj pendohet me pendim të sinqertë e të plotë me të gjitha kushtet e tij (pranimin e gabimit dhe të mëkatit dhe keqardhjen e pendimin për kryerjen e tij, largimin krejtësisht prej tij apo kthimin e të drejtës te të zotët e saj, dhe vendosjen për të mos e kryer kurrë më atë), padyshim se Allahu ia pranon pendimin dhe ia fshin gjynahun, dhe nuk e dënon për atë.

[83] Kushdo që bën vepër të keqe, mbart pasojat e saj të këqija në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe askush tjetër nuk mund t’i mbajë ato në vend të tij. Ky është ligj universal i vendosur nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili di gjithçka dhe është i Urtë në gjykim.

[84] Kushdo që bën një të keqe të madhe apo një mëkat të vogël.

[85] Më gjynah të madh dhe të shumëfishtë, dënimi për të cilin është shumë i madh tek Allahu.

[86] Dijetarët e tefsirit të Kuranit përmendin se shkak për zbritjen e këtyre ajeteve (105-113) ka qenë një vdjedhje që bëri dikush nga fisi Benu Ubejrik në Medine, dhe kur u zbuluan, nuk donin të turpëroheshin nga njerëzit, kështu që e hodhën gjënë e vjedhur para shtëpisë së një të pafajshmi. Hajduti i kërkoi ndihmë fisit të tij që të shkonin te Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe t’i kërkonin që ta shpallte njeriun e tyre të pafajshëm në publik, duke i thënë se nuk ishte ai që vodhi, por ai në shtëpinë e të cilit u gjët gjëja e vjedhur. Atëherë Profeti (salallahu alejhi ue selem) vendosi që ta shfajësonte njeriun e tyre, por Allahu i shpalli këto ajete si përkujtim, sqarim të kësaj çështje dhe parandalim të Profetit (salallahu alejhi ue selem) nga mbrojtja e tradhtarëve të pabesë dhe mëkatarëve, gjë e cila është humbje nga rruga e drejtë dhe gjykim me verbëri. Por Allahu e ruajti të Dërguarin e Tij nga kjo humbje dhe nga çdo lloj humbje tjetër dhe ua ktheu mbrapsht atyre komplotin dhe humbjen.

[87] Nga mirësitë që Allahu i ka dhënë të Dërguarit të Tij është edhe Kurani dhe Urtësia. Kurani është ky Libër i shenjtë, udhërrëfyes dhe sqarues i gjithçkaje, kurse Urtësia është tradita profetike (suneti) sqaruese e Kuranit, si dhe njohja e të fshehtave të legjislacionit Islam dhe vendosja e gjërave në vendin e vet.

[88] Kjo përfshin të gjitha ato që Allahu ia mësoi Profetit të Tij dhe e bëri më të diturin e krijesave, të cilin nuk mund ta arrijë askush, nga të parët apo nga të fundit, prandaj në vijim thotë: “Vërtet, mirësia e Allahut ndaj teje është shumë e madhe.”

 

114. Në shumë prej bisedave të tyre të fshehta s’ka kurrfarë të mire,[89] përveç atyre që urdhërojnë për lëmoshë, për vepër mirë apo për pajtim mes njerëzve.[90] E kush e bën këtë për të arritur kënaqësinë e Allahut, ne do t’i japim shpërblim të madh.

115. Kushdo që e kundërshton të Dërguarin,[91] pasi i është bërë i qartë udhëzimi[92] dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve,[93] Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur[94] dhe e fusim në Xhehenem; e nuk ka vend më të keq se ai.

116. Vërtet, Allahu nuk fal që t’i bëhet shok Atij,[95] kurse gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.[96] E kushdo që i bën shok Allahut, ai me të vërtetë, ka humbur humbje të largët.[97]

117. Ata nuk lusin tjetër veçse idhuj me emra femërorë[98] dhe nuk lusin veçse djallin e pabindur.[99]

118. Atë e mallkoi Allahu,[100] kurse ai tha: “Unë, doemos do të bëj për vete një pjesë të caktuar të robërve të Tu.[101]

119. Do t’i shpie ata në humbje,[102] do t’i josh me shpresa të kota,[103] do t’i urdhëroj që t’u presin veshët bagëtive[104] dhe pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut.[105]” Por s’ka dyshim se kush merr djallin për mbrojtës në vend të Allahut, ka përsuar humbje të qartë.[106]

120. Ai (djalli) u premton atyre[107] dhe i josh me shpresa, por djalli nuk u premton veçse mashtrime.[108]

121. Vendi i tyre përfundimtar është Xhehenemi dhe ata nuk mund të gjejnë shpëtim prej tij.[109]

-97-

_____________________________________________

[89] Në shumë prej bisedave të fshehta të grupeve të njerëzve nuk ka kurrfarë mirësie e dobie, dhe përderisa është kështu, ato ose janë të pavlera por të lejuara, ose janë të dëmshme dhe të palejuara.

[90] Lëmosha mund të jetë me pasuri ose me dije dhe çdo gjë të dobishme për të tjerët. Vepra e mirë përfshin çdo bindje ndaj Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij. Pajtimi bëhet mes dy palëve që janë në hasmëri apo të zemëruara me njëra-tjetrën, gjë e cila shkakton përçarje dhe të këqia që mund të arrijnë përmasa të mëdha, prandaj Islami nxit për të pajtuar mes njerëzve, qoftë për çështje gjaku e hasmërie, për marrëdhënie ekonomike, madje edhe në fe; për të mos u përçarë në grupe brenda saj.

[91] Kushdo që i kundërvihet Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) në atë që i ka ardhur nga Allahu.

[92] Me argumente nga Kurani dhe me prova profetike që dëshmojnë për profetësinë e tij dhe se ajo që i është shpallur udhëzon në rrugën e drejtë.

[93] Që kanë besuar Allahun dhe ndjekin të Dërguarin e Tij.

[94] E lëmë në humbjen që vetë e ka zgjedhur pasi iu bë e qartë e vërteta, si shpërblim i drejtë ndaj tij, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

[95] Në adhurim apo në hyjnizim.

[96] Edhe hajduti i pabesë nga fisi Beni Ubejrik, do të ishte në dëshirën e Allahut për falje apo dënim të gjynahut të tij që vodhi dhe ia veshi atë dikujt tjetër, sikur të mos kishte dezertuar nga Islami dhe të mos u bashkohej idhujtarëve të Mekës, por idhujtarinë Allahu nuk e fal kurrë vetëm nëse personi pendohet dhe kthehet nga idhujtaria në besim para se t’i vijë vdekja apo para se të lindë dielli nga perëndimi i tij.

[97] Ai ka devijuar shumë nga e vërteta dhe nga rruga e drejtë. Ai ka humbur tërësisht në këtë botë dhe në botën tjetër.

[98] Idhujtarët e asaj kohe në Mekë adhuronin idhuj që vetë i kishin emërtuar me emra femërorë, si: Uzza, Naila, Nesra, Menata, etj. Është për qëllim të përçmohen këta idhuj të tyre sepse jo vetëm që nuk kanë cilësi hyjnore, por kanë cilësi e emërtime të mangëta e përçmuara edhe në traditën e njerëzve.

[99] Në të vërtetë, këta idhujtarë nuk lusin veçse djallin e pabindur dhe të panënshtruar ndaj urdhrit të Allahut, i cili është armiku i tyre dhe që në të vërtetë dëshiron humbjen dhe shkatërrimin e tyre me të gjitha rrugët e mundshme.

[100] Allahu e mallkoi djallin, e nxori nga mëshira e Tij dhe e largoi atë.

[101] Do të mashtroj një pjesë të caktuar të robërve të Tu me thirrjen time dhe kushdo që i përgjigjet asaj, ai është nga pjesa e caktuar për mua, të cilët do të jenë në zjarr bashkë me mua. Që ta dinë ata të cilët kundërshtojnë Profetin pasi iu është bërë e qartë e vërteta dhe ndjekin rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, se ata janë nga pjesa e caktuar për shejtanin e mallkuar, dhe se ata janë ata për të cilët u vërtetua hamendja e Iblisit, se do të ndiqnin atë. (Shih: Es Sebe’, 20).

[102] Do i devijoj nga rruga e drejtë, në dije dhe në vepër.

[103] Duke u premtuar ato gjëra që u premtohen besimtarëve nga Allahu, për t’i larguar nga Njësimi dhe adhurimi i Allahut në bërjen shok Atij dhe në bindjen ndaj djallit.

[104] Si shenjë e veçantë përcaktimi për t’i bërë kurban për idhujt, dhe që t’u bëjë të ndaluar atë që ua ka lejuar Allahu dhe t’u lejojë atë që e ka ndaluar prej ushqimeve dhe adhurimeve. Këto bagëti i emërtuan edhe me emra të veçantë, si: Behira, Saibe, Vesile, Ham (El Maide, 103).

[105] Kjo përfshin ndryshimin e jashtëm fizik të aparences së njeriut apo të kafshës, me çdo lloj veprimi dhe mënyre që çon në ndryshim të krijimit të Allahut, qoftë me tatuazhe apo heqje të vetullave, me tredhje të kafshëve etj. Por mund të jetë për qëllim ndryshimi i fesë së Allahut, dhe në këtë rast përfshihet urdhërimi i djallit grupin e tij për të ndryshuar ndalesat në të lejuara dhe të lejuarat në ndalesa, si dhe çdo gjë tjetër që konsiderohet ndryshim i fesë së Allahut.

[106] Është shkatërruar dhe i ka shkaktuar vetes humbjen dhe përçmimin më të madh, sepse kush mund të të mbrojë nga Allahu dhe dënimi i Tij, kur edhe vetë Iblisi do të futet i përçmuar në zjarrin e Xhehenemit?!

[107] Grupit të vet që e ndjekin atë dhe thirrjen e tij, pjesës së vet të njerëzve dhe xhinëve, u premton se do të jetë mbrojtës dhe ndihmues i tyre nëse braktisin ato që thotë Allahu dhe i Dërguari i Tij, madje i kërcënon ata me varfëri dhe me frikë nëse shpenzojnë dhe luftojnë në rrugë të Allahut.

[108] Djalli i premton grupit të tij që e kanë marrë për mbrojtës atë, premtime të kota dhe të pavërteta, mashtrime, të cilat do t’i thotë hapur në ditën e gjykimit përpara Allahut dhe grupit të tij, kur ata të kenë nevojë për ndihmën e dikujt. (Shih: Ibrahim, 22).

[109] Nuk mund të gjejnë vend tjetër ku mund të shkojnë që të shpëtojnë nga xhehenemi, por do të qëndrojnë përgjithmonë në të.

 

122. Kurse ata që besojnë[110] dhe bëjnë vepra të mira[111], Ne do t’i shpiem në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, pa mbarim. Premtimi i Allahut është i vërtetë.[112] E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?![113]

123. Nuk është as sipas dëshirave tuaja, as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit;[114] kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për të[115] dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as ndihmues tjetër në vend të Allahut.[116]

124. Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet aspak padrejtësi.[117]

125. E kush ka fe më të mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, është mirëbërës[118] dhe ndjek fenë e pastër të Ibrahimit, të cilin Allahun e ka zgjedhur për mik të ngushtë[119]?!

126. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Allahu përfshin gjithçka në dijen e Tij.[120]

127. Ata kërkojnë sqarimin tënd në lidhje me gratë.[121] Thuaju: “Për ato ju sqaron Allahu dhe kjo që ju lexohet në Libër,[122] si për gratë jetime, të cilave nuk ua jepni të drejtën e ligjshme dhe dëshironi të martoheni me to,[123] ashtu edhe për fëmijët e mitur,[124] si dhe të veproni drejtë me jetimët.[125] Çdo të mirë që ju bëni, Allahu e di më së miri atë.”[126]

-98-

__________________________________________

[110] Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe gjithçka që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.

[111] Të detyruara apo vullnetare, si dhe u largohen të ndaluarave dhe të papëlqyeshmeve, dhe në varësi të këtyre plotësohet ose pakësohet dhe forcohet ose dobësohet besimi i muslimanit, dhe si rrjedhojë ndryshojnë gradët e tyre në xhenet.

[112] Allahu e mban premtimin e vet që u ka dhënë besimtarëve në dynja dhe premtimi i Tij do të kryhet patjetër, ndryshe nga premtimi i djallit, i cili mashtron dhe e di që është mastrues. Prandaj të jeni të vetëdijshëm, o njerëz, që të mos mashtroheni nga shejtani dhe premtimet e tij, por të ndiqni rrugën e drejtë të Allahut duke synuar arritjen e kënaqësisë së Tij dhe shpërblimin e Tij të pallogaritur.

[113] Askush nuk flet fjalë më të vërtetë se ajo e Allahut, kështu që si mund t’i lini ato që iu urdhëron Allahu, dhe për të cilat iu ka premtuar shpërblim të madh?!

[114] Shpëtimi në jetën tjetër dhe të qenët më të mirë e më të udhëzuar nuk është sipas dëshirave dhe ëndërrave tuaja të zhveshura nga veprat, o muslimanë, dhe as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit prej jehudëve dhe të krishterëve, por e gjithë çështja është te besimi dhe vepra së bashku dhe nuk është plotësim dëshire pa vepruar asgjë. Thuhet gjithashtu se këtu nuk janë për qëllim muslimanët, por idhujtarët që janë nga grupi i djallit, të cilët mashtrohen nga ai me shpresa të kota, si dhe ithtarët e Librit të cilët thonë se nuk do të hyjë në xhenet askush tjetër përveç atyre që janë jehudi apo të krishterë. Por më afër të vërtetës është se ajeti i përfshin të gjithë, edhe muslimanët, sepse ky ligj është për të gjithë njerëzimin: çështja është me besim dhe vepër dhe jo me dëshira e shpresa të zhveshura nga vepra.

[115] Kushdo që vepron një të keqe, mëkat të madh apo të vogël, qoftë mysliman apo jomysliman, do ta marrë dënimin për të në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ky është ligj universal nga i cili nuk përjashtohet askush, përveç faktit se kur myslimani e merr dënimin në këtë botë për një të keqe që ka bërë, qoftë duke u dënuar nga shteti Islam me ligjet e Islamit apo nga ndonjë fatkeqësi që i vjen, e madhe apo e vogël, atij i falet ai gjynah dhe nuk dënohet për të në botën tjetër, gjë e cila nuk ndodh me jomuslimanët. Po kështu, pendimi nga një gjynah, e fshin atë gjynah njësoj sikur të mos ishte bërë, siç kanë ardhur tekstet e Kuranit dhe të sunetit profetik për këtë gjë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk ka fatkeqesi qe e zë muslimanin, veçse Allahu i fshin atij gjynahe për shkak të saj, madje edhe për gjembin që e thumbon atë.” [Buhariu].

[116] As mbrojtës që ta mbrojë atë nga dënimi i Allahut dhe as ndihmues që ta ndihmojë atë në përballimin e atij dënimi.

[117] Madje do t’iu shumëfishohet shpërblimi nga Allahu i Madhëruar, më Bujari.

[118] Që vepron mirë dhe sipas urdhrit të Allahut dhe ligjeve të caktuara nga Ai.

[119] Dy janë njerëzit që Allahu i ka zgjedhur si miqtë dhe të dashurit e Tij më të ngushtë, Ibrahimi dhe Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!), si rezultat i përmbushjes së urdhrit të Allahut dhe kalimit me sukses të të gjitha sprovave. Për këtë arsye Allahu e ka quajtur Ibrahimin prijës të njerëzimit dhe ka bërë që ai të përmendet deri në ditën e gjykimit, dhe jo se ka pasur nevojë për të dhe për miqësinë e tij, prandaj ajeti në vazhdim flet për sundimin e Allahut mbi gjithçka.

[120] Asgjë nuk i shpëton Allahut, por Ai di gjithçka në detaje, për çdo krijesë të Tij.

[121] Shokët e Profetit e pyetën atë në lidhje me çështjen e grave, se çfarë të drejtash dhe detyrimesh kanë ato.

[122] Allahu i sqaron të drejtat dhe detyrimet e grave kundrejt burrave të tyre në përgjithësi, në ajete të ndryshme të Kuranit, prej të cilave edhe ajetet në fillim të kësaj sure, kurse në këtë ajet do të sqarojë për gratë jetime dhe për padrejtësinë që u bëhej atyre në atë kohë.

[123] Nuk i jepnin mehrin e caktuar për martesë, dhe nëse i martonin me dikë tjetër duke qenë se ishin përgjegjës të ligjshëm të tyre, ato i mbanin një pjesë të mehrit apo të gjithë atë dhe nuk ua jepnin atyre.

[124] Që t’u jepni të drejtën e tyre të trashëgimisë dhe të mos u bëni padrejtësi. Në atë kohë nuk ia jepnin trashëgiminë fëmijëve të mitur të të vdekurit, prandaj urdhërohen që t’ua japin të drejtat e tyre të miturve jetimë dhe të dobët e të pambrojtur.

[125] Duke i dhënë secilit prej tyre pjesën e vet të trashëgimisë, pavarësisht moshës, sepse në atë kohë i jepnin hise vetëm të mëdhenjve prej vëllezërve jetimë dhe jot ë gjithëve. Po kështu, ajeti urdhëron në përgjithësi që ndaj jetimëve të mbahet drejtësi dhe të mos u hahet e drejta nga askush, madje përgjegjësi i tyre i ligjshëm duhet të kujdeset për mbarështimin e pasurisë së tyre duke vepruar gjithçka të mundshme që është në dobi të jetimëve që kanë nën patronazh.

[126] Çdo të mirë që ju bëni për jetimët apo për çdokënd tjetër, Allahu e di mirë atë dhe secilit i jep shpërblimin sipas veprave të veta.

 

128. Në qoftë se ndonjë grua i druhet përbuzjes nga burri i vet apo braktisjen prej tij[127], nuk përbën ndonjë gjynah për ata nëse bëjnë një marrëveshje mes tyre. Padyshim se marrëveshja është më e mirë,[128] sepse njerëzit janë të prirur nga koprracia.[129] Por nëse ju bëni mirë[130] dhe ruheni[131], s’ka dyshim se Allahu është i mirinformuar për çdo gjë që veproni.[132]

129. Ju nuk do të mund të mbani drejtësi midis grave tuaja, edhe sikur të përpiqeni,[133] por mos anoni krejtësisht nga njëra, duke e lënë tjetrën si të varur.[134] Por nëse përmirësoheni dhe ruheni,[135] patjetër që Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.[136]

130. E nëse ata ndahen, Allahu i jep secilit nga mirësia e Tij. Allahu është Dorëgjerë, i Urtë.[137]

131. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.[138] Ne i kemi porositur ata që u është dhënë Libri para jush dhe juve: “Kini frikë Allahun![139] E nëse mohoni,[140] padyshim se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej gje gjithçka që gjendet në Tokë.[141] Allahu është i Vetëmjaftueshëm,[142] i Denjë për çdo lavdërim.

132. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Mjafton Allahu për Mbrojtës.[143]

133. Nëse do, Ai ju zhduk ju, o njerëz, dhe sjell të tjerë.[144] Allahu ka fuqi ta bëjë këtë.[145]

134. Kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote, ta dijë se tek Allahu është shpërblimi i kësaj bote dhe i botës tjetër.[146] Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.[147]

-99-

_________________________________________

[127] Nëse gruaja sheh nga burri ftohje dhe mosdëshirim të saj për shkak të ndonjë tjetre apo për çdo lloj shkaku, atëherë më e mira për të në këtë rast është që të lidhë marrëveshje me burrin e saj, sipas së cilës asaj i duhet të heq dorë nga disa të drejta të saj kundrejt tij, siç është kufizimi në furnizim e veshmbathje, etj, me qëllim që të mos e prishin kurorën por të qëndrojnë të martuar në këtë gjëndje.

[128] Se sa divorci.

[129] Kërkojnë t’ju shpëtojnë detyrimeve të tyre dhe shpenzimeve, dhe në këtë pikë janë dorështrënguar dhe kopracë, gjë e cila është e ulët dhe e pahijshme, prandaj ruajuni prej saj.

[130] Nëse u bënë mirë grave tuaja duke duruar dhe duke iu dhënë të drejtat e tyre edhe pse urreni ndonjë ves apo moral të padëshiruar të tyre. Këtu përfshihet edhe veprimi it ë mirave në përgjithësi.

[131] I ruheni Allahut duke mos u bërë padrejtësi grave në të drejtat që u takojnë mbi ju. Këtu përfshihet edhe ruajtja nga Allahu dhe nga dënimi i Tij në përgjithësi, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij.

[132] Në lidhje me gratë tuaja dhe në lidhje me çdo gjë tjetër prej veprave tuaja, në detaje, dhe do ju shpërblejë sipas tyre.

[133] Nëse një burrë ka më shumë se një grua (deri në katër që lejohet të mbahen në kurorë), ai nuk do të mundët të mbajë drejtësi të plotë midis tyre, sepse edhe sikur të mbajë drejtësi nga ana materiale, kurrë nuk do të mund të mbajë drejtësi nga ana shpirtërore në lidhje me dashurinë që ka për secilën prej tyre. Dhe Allahu ia ka falur këtë atyre dhe nuk do i dënojë për këtë që nuk e kanë në dorë, por Ai urdhëron ata t’u japin të drejtat që u takojnë secilës prej tyre.

[134] As të ve dhe as me burrë. Që as nuk mund të kërkojë të martohet me burrë tjetër dhe as nuk merr të drejtat e veta që i takojnë nga burri i saj, ku përfshihen edhe marrëdhniet bashkëshortore.

[135] Nëse i përmirësoni veprat tuaja, dhe mbani drejtësi mes grave duke u dhënë të drejtat e tyre dhe duke u sjellë mirë me to, dhe i ruheni Allahut nga të anuarit e tërësishëm vetëm nga njëra prej tyre, që Ai ua ka ndaluar.

[136] Allahu jua fal ato që kanë kaluar dhe jua mbulon ato, sepse Ai është Mëshirëplotë ndaj jush.

[137] Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes bashkëshortëve dhe ata zgjedhin divorcin, atëherë Allahu i jep secilit prej tyre nga mirësia dhe begatia e Tij, asaj i mundëson burrë më të mirë se ai për të dhe atij grua më të mirë për të se ajo. Allahu është i Urtë në vendosjen e ligjeve të Tij dhe me urtësinë e Tij mëshiron dhe begaton aty ku duhet dhe aq sa duhet.

[138] Mbretëria e qiellit dhe e tokës është e Allahut, dhe Allahu ka në dorë gjithçka, prandaj vetëm tek Ai duhet të kthehen besimtarët me lutje, në të mirë e në të keq, edhe ata që ndahen nga bashkëshortet e tyre.

[139] Bëni kujdes që të mos shkelni urdhrat e Tij dhe të mos veproni ndalesat e Tij.

[140] Nëse mohoni porosinë e Allahut dhe devotshmërinë ndaj Tij.

[141] Dhe Allahut nuk i bëhet dëm nga mohimi juaj, sepse Ai zotëron gjithçka dhe nuk ka nevojë aspak për krijesat e Tij, por ata që dëmtoheni jeni ju, o besimtarë dhe ju o njerëz në përgjithësi. Prandaj, o besimtarë, mos u bëni si ata që u kemi dhënë Librin më parë, që kundërshtuan Urdhrin e Allahut dhe e thyen besën që i kishin dhënë Atij, dhe si pasojë, iu vështirësua jetesa në dynja dhe disa prej tyre u shndërruan në majmunë e derra.

[142] Nuk ka nëvojë për asnjë nga krijesat e Tij, as për bir apo bashkëshorte, dhe as për ndonjë ndihmues, sepse Ai zotëron atributet absolute, dhe gjithësia është krijesë e Tij që i ka nevojën Atij për gjithçka që të mund të jetojë.

[143] Allahu kujdeset për gjithçka që ekziston me dijen, fuqinë dhe urtësinë e Tij absolute. Mund të thuhet se përsëritja e këtyre fjalëve në këto dy ajete është bërë për të treguar se në ajetin e parë krijesat kanë nevojë për Krijuesin e tyre, kurse Ai nuk ka nevojë për to, ndërsa në ajetin e dytë për të treguar se gjithësia mbahet, ruhet dhe drejtohet nga Allahu i Madhëruar.

[144] Nëse do Allahu, ju shuan të gjithë ju, o njerëz, dhe sjell të tjerë në vendin tuaj që të përkrahin dhe ndihmojnë Profetin e Tij, Muhamedin (salallahu alejhi ue selem).

[145] Dhe ka fuqi të bëjë gjithçka që do, me urtësinë dhe dijen e Tij, prandaj kthehuni në rrugën e drejtë të Allahut, o njerëz, përndryshe do të shuheni të gjithë, dhe Allahu ka fuqi ta bëjë këtë.

[146] Kushdo që ka synime dhe dëshira të ulëta që nuk i kalojnë të mirat e kësaj bote të përkohshme, duke mos pasur aspak synim dhe dëshirë për botën tjetër, padyshim se vështrimi i tij është rrezeshkurtër dhe përpjekja e tij e mangët, dhe megjithëkëtë ai nuk do të arrijë nga kjo botë veçse atë që i ka caktuar Allahu, sepse Allahu është Zotërues i gjithçkaje dhe tek Ai janë të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Kështu që të mirat e të dy botëve duhet të kërkohen vetëm nga Allahu, me ndihmën e Tij dhe mbështetjen tek Ai.

[147] Dhe me urtësinë e Tij, i jep sukses Atij që e meriton atë dhe poshtëron atë që meriton të poshtërohet.

 

135. O ju që besoni! Të jeni gjithnjë të drejtë për hir të Allahut në dëshminë tuaj,[148] qoftë edhe kundër vetvetes ose kundër prindërve apo të afërmve tuaj, qofshin të pasur apo të varfër, sepse Allahu di më mirë për ta.[149] Mos shkoni pas emocioneve tuaja e të shtrembëroni të vërtetën![150] Nëse ju shtrembëroni (dëshminë) ose tërhiqeni prej saj, vërtet që Allahu di në hollësi çdo gjë që ju veproni.[151]

136. O ju që keni besuar! Besoni Allahun,[152] të Dërguarin e Tij (Muhamedin), Librin që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij (Kuranin) dhe Librin që e ka zbritur më parë[153]. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe ditën e Kiametit, ai me të vërtetë që ka humbur tepër larg rrugës së drejtë.[154]

137. Ata që besojnë dhe pastaj mohojnë, më pas sërish besojnë dhe sërish mohojnë dhe thellohen në mohim, Allahu nuk i falë ata dhe nuk i udhëzon në rrugën e drejtë.[155]

138. Lajmëroji hipokritët për dënimin e dhembshëm që i pret.[156]

139. Ata të cilët miqësohen me mohuesit dhe lënë mënjanë besimtarët.[157] Vallë, mos kërkojnë fuqi tek ata, kur në të vërtetë e gjithë fuqia i përket vetëm Allahut?![158]

140. Ai ju ka shpallur në Libër[159]: Kur dëgjoni të mohohen ajetet e Allahut dhe të merren për tallje, mos rrini me ata njerëz, deri sa të ndërrojnë bisedë, [160] përndryshe do të ishit si ata.[161] Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit së bashku.[162]

-100-

_____________________________________________

[148] Drejtësia duhet të jetë atributi juaj i përhershëm, në çdo rast dhe gjendje, dhe ajo duhet të jetë për hir të Allahut, duke pasur në mendje mbikqyrjen e Allahut dhe shpërblimin e Tij për çdo vepër sipas natyrës së saj. Padyshim se dëshmia e drejtë dhe drejtësia është e vështirë të mbahet, sepse atë e pengon epshi dhe emocioni i njeriut, prandaj kanë gradë të larta dhe hije të rëndë ata njerëz që mbajnë drejtësi në çdo rast e gjendje, qoftë edhe kundër vetes dhe interesave të tyre. Por Ai që i frikësohet Allahut, e ka të lehtë ta arrijë këtë, me suksesin që i jep Allahu.

[149] Mos mbani anën e të pasurit për shkak të pasurisë së tij dhe as anën e të varfërit për shkak të varfërisë së tij, por dëshmoni drejt në çdo rast, sepse Allahu e di më mirë se ju gjendjen e tyre dhe se çfarë është më e mirë për secilin prej hasmëve dhe për vetë ju që dëshmoni. Prandaj, mbani drejtësi dhe dëshmoni vetëm sipas të drejtës dhe të vërtetës.

[150] Mos ndiqni emocionet, epshet e interesat tuaja e të bëni padrejtësi duke lënë dëshminë e vërtetë dhe duke shtrembëruar realitetin.

[151] Dhe ua regjistron gjithçka që veproni për t’ju shpërblyer sipas asaj që meritoni, prandaj kini frikë Allahun dhe dënimin e Tij dhe mos e shtrembëroni dëshminë dhe realitetin.

[152] Ajeti u drejtohet si besimtarëve që e besuan dhe e ndoqën Muhamedin dhe atë që iu shpall atij nga Aallahu, si konfirmim të besimit të tyre dhe për t’u mësuar ato që nuk i dinë apo që i dinë gabim, ashtu edhe atyre që kishin besuar në të dërguarit e tjerë të Allahut që kanë qenë para Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), prej ehlil kitab.

[153] Të gjitha librat dhe tekstet hyjnore që Allahu ia ka shpallur të dërguarve të Tij të mëparshëm, si Teurati dhe Inxhili.

[154] Ai që mohon qoftë edhe njërin prej të dërguarve të Allahut, apo prej librave a engjëjve të Tij, ka humbur humbjen më të madhe që të çon drejt dënimit të përhershëm në zjarrin e xhehenemit, sepse këto janë të lidhurra ngushtë me njëra-tjerën dhe mohimi i njërës prej tyre është mohim i të tjerave automatikisht.

[155] Ata qe e përsërisin mohimin pas besimit, duke qenë se udhëzohen në rrugën e drejtë, pastaj devijojnë prej saj, shohin pastaj verbohen, besojnë pastaj mohojnë dhe vazhdojnë në mohim të Allahut dhe urdhrave të Tij apo në mosbesim, pastaj thellohen edhe më shumë në këtë, padyshim se këta janë shumë larg suksesit për të gjetur dhe ndjekur rrugën e drejtë, larg faljes dhe mëshirës së Allahut, si rezultat i veprave të vetë atyre, e Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, por: “Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë). Allahu nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin mohues.” [Es Saff, 5]. Nga ajeti kuptohet që nëse ata kthehen në besim pas mohimit të tyre, dhe vazhdojnë në besim deri në vdekje, dhe vdesin duke qenë besimtarë, patjetër që Allahu i fal dhe i mëshiron ata.

[156] Jepu lajmin më të keq që ekziston atyre të cilët shfaqin Islamin dhe fshehin mohimin dhe mosbesimin, se ata do të kenë dënimin më të dhembshëm dhe më të mjerueshëm në zjarrin e xhehenemit, në botën tjetër.

[157] Që marrin për ndihmues e të dashur mohuesit dhe jo besimtarët.

[158] Kjo është gjendja e hipokritëve, të cilët menduan keq për Allahun dhe menduan se Ai nuk do t’i ndihmonte dhe nuk do t’i jepte triumfin besimtarëve, kur me vështrimin e tyre të cekët panë se jobesimtarët zotëronin disa mjete dhe mundësi materiale nga dynjaja, kështu që i zunë miq ata dhe krenoheshin me ta, pa e ditur mendjelehtët se e gjithë krenaria dhe fuqia i përket Allahut dhe është në Dorë të Tij. Vullneti i Tij vepron mbi të gjithë krijesat e Tij, dhe Ai ka premtuar se do t’i ndihmojë robët e Tij besimtarë, edhe pse ndonjëherë ata mund të sprovohen dhe të vuajnë diçka prej jobesimtarëve, por kjo nuk vazhdon gjithnjë dhe përfundimi do të jetë në anën e besimtarëve. Nga ajeti kuptohet se besimi përmban në vetvete edhe dashurinë për besimtarët dhe miqësimin me ta, dhe urrejtjen për jobesimtarët dhe armiqësinë me ta.

[159] Në Kuran.

[160] Detyra e njerëzve kundrejt ajeteve të Allahut është që t’i besojnë dhe t’i madhërojnë ato, sepse ky është qëllimi i shpalljes së tyre dhe për këtë qëllim i ka krijuar Allahu krijesat e Tij. E kundërta e besimit në to është mohimi i tyre dhe e kundërta e madhërimit të tyre është tallja me to dhe përçmimi i tyre. Ajeti argumenton për ndalimin e të shoqëruarit dhe të qëndruarit në tubimet e atyre që ndjekin të pavërtetën, e çfarëdo lloji qoftë ajo: mohim, idhujtari, risi në fe (bidate) apo mëkate e vepra të këqija.

[161] Qëndrimi me ta në këtë rast tregon pranim të talljes së tyre dhe kënaqje me atë që thonë, dhe kështu që bëhesh njësoj si ata. Detyra e besimtarit në këtë rast është që t’i kundërshtojë ata nëse ka mundësi, e në të kundërt, duhet të ngrihet dhe të largohet prej tyre.

[162] Ashtu si u bashkuan në dynja në mohim dhe miqësi të njëri-tjetrit. Në botën tjetër nuk do t’u bëjë dobi hipokrizia hipokritëve, por do të bashkohen me grupin që i përkasin në të vërtetë.

 

141. Ata të cilët presin se çdo bëhet me ju[163]; nëse ju vjen fitore nga Allahu, thonë: “A nuk ishim edhe ne me ju[164]?” E, nëse mohuesit arrijnë ndonjë pjesë fitimi[165], ata thonë: “A nuk ju patëm në dorë dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve[166]?” Allahu do të gjykojë mes jush në ditën e Kiametit,[167] dhe Allahu kurrë nuk do t’u japë mohuesve pushtet mbi besimtarët.[168]

142. Hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun,[169] por është Ai që i mashtron ata.[170] Kur ata ngrihen në namaz, ngrihen për përtesë, sa për sy të njerëzve[171] dhe nuk e përmendin Allahun, veçse pak.[172]

143. Të luhatur mes dy palëve; as me këta, as me ata.[173] Por, për atë që humb Allahu, ti nuk mund të gjesh rrugë.[174]

144. O ju që besoni![175] Mos i merrni mohuesit për miq në vend të besimtarëve! Mos vallë doni që t’i jepni Allahut provë të qartë kundër vetvetes?[176]

145. S’ka dyshim që hipokritët do të jenë në shtresën më të poshtme të Xhehenemit[177] dhe kurrsesi nuk do t’u gjesh ndihmës atyre.[178]

146. Përveç atyre që pendohen, përmirësohen[179], strehohen tek Allahu[180] dhe besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun.[181] Patjetër që këta do të jenë me besimtarët, e Allahu do t’u japë besimtarëve shpërblim të madh.[182]

147. Si mund t’ju dënojë Allahu, nëse ju falënderoni dhe besoni?! Allahu është Mirënjohës, i Gjithëditur.[183]

-101-

__________________________________________

[163] Ajeti vazhdon me numërimin e cilësive të hipokritëve, të cilët presin se çdo të ndodhë me muslimanët, ndonjë e mirë apo e keqe, dhe në çdo rast e kanë parapërgatitur përgjigjen sipas hipokrizisë së tyre.

[164] A nuk ishim ne me ju dhe në anën tuaj në luftë kundër armikut tuaj? Kështu që na jepni edhe ne prej plaçkës së luftës.

[165] Ndonjë përfitim të përkohshëm nga lufta kundër jush. Për këta nuk thuhet “fitore”, sepse fitorja tregon ngadhënjim të qëndrueshëm, dhe kjo nuk u vjen armiqve kundër muslimanëve, por maksimumi që arrijnë mohuesit nga muslimanët është një pjesë e vogël dhe e përkohshme fitimi nga plaçka e muslimanëve që e humbin në luftë. Padyshim se kjo tregon për Urtësinë e Allahut të Madhëruar.

[166] Hiqen para mohuesve sikur kanë pasur mundësi t’u shkaktonin atyre disfatë nëse do bashkoheshin me muslimanët, por ata nuk e bënë këtë dhe kështu eliminuan fitoren e muslimanëve kundër tyre, madje bënë që mohuesit të fitonin sepse këta (hipokritët) u bënë pengesë para besimtarëve me të gjitha mënyrat e mundshme, qoftë duke u përpjekur të shkaktojnë përçarje në mesin e tyre me tërheqjen e një pjese të mirë të tyre nga lufta, siç ndodhi në luftën e Uhudit, ku hipokritët u kthyen në mes të rrugës me një grup prej rreth 300 vetësh, apo me mënyra të tjera djallëzore. E thonë këtë për t’u kërkuar pjesë nga plaçka e luftës.

[167] Allahu do të gjykojë mes të gjithë njerëzve në Ditën e Gjykimit, dhe do t’i shpërblejë besimtarët e vërtetë me xhenetin e Tij, kurse hipokritët, idhujtarët dhe mohuesit do i ndëshkojë në zjarrin e xhehenemit.

[168] Në ditën e Kiametit, ose në këtë botë, por është për qëllim triumfi i plotë dhe i vazhdueshëm, d.m.th: që mohuesit nuk do të triumfojnë plotësisht dhe gjithnjë mbi besimtarët, por triumfi i qëndrueshëm dhe përfundimtar do të jetë për besimtarët. Një mendim i tretë thotë se kuptimi është: që Allahu nuk do i japë provë justifikuese atyre mohuesve që vrasin besimtarët dhe i nxjerrin ata prej shtëpive të tyre.

[169] Me fshehjen e mohimit të tyre dhe shfaqjen e besimit në sy të muslimanëve për të ruajtur jetën dhe pasurinë e tyre.

[170] Me ligjin që ka vendosur në lidhje me ta në dynja, që të gjykohen sipas asaj që shfaqin dhe shprehin me gjuhët e tyre, duke qenë në dijeni të plotë për të vërtetën e asaj që fshehin prej mohimit dhe hipokrizisë, dhe duke i tërhequr gradualisht drejt zjarrit të xhehenemit. A nuk janë ata të mashtruarit, madje nga vetvetja e tyre, kur veprojnë me të gjitha përpjekjet për diçka që u shkakton përçmim, ndëshkim dhe humbje të sigurtë?! Allahu do i mashtrojë hipokritët edhe në ditën e Kiametit, si rezultat i hipokrizisë dhe talljes së tyre në dynja, siç thuhet në suren El Hadid, 13-14.

[171] Këto janë cilësitë e hipokritit, sepse ai nuk beson ringjallje dhe shpërblim apo dënim, por shprehin besimin me gjuhët e tyre për të ruajtur kokën dhe pasurinë në dynja.

[172] Nuk e përmendin Allahun veçse në sy të njerëzve dhe jo me bindje e kur nuk i sheh njeri. Veçse pak, sepse ata nuk kanë për qëllimin përmendjen e Allahut dhe shpërblimin e Tij edhe kur e përmendin Atë për sy e faqe.

[173] Të pavendosur në qëndrimin e tyre, as me besimtarët dhe as me mohuesit, por mes dy grupeve: nga jashtë me muslimanët dhe nga brenda me mohuesit, pa i bashkuar edhe të jashtmen edhe të brendshmen me njërin prej dy grupeve.

[174] Dretj udhëzimit të vërtetë, drejt Islamit, i cili është e vetmja rrugë e drejtë dhe e vërtetë, që të çon në lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

[175] Të gjitha këto cilësi të hipokritëve, tregohen edhe me qëllim që besimtarët të ruhen prej atyre cilësive dhe të mos vishen me to aspak, përndryshe do të kenë pjesë në pasojat e tyre.

[176] Argument që provon fajshmërinë dhe si rezultat, ndëshkimin tuaj. Ky ajet tregon edhe një herë drejtësinë e Allahut, i Cili nuk ndëshkon askënd pa i sjellë argumente dhe prova bindëse së pari, dhe vetëm nëse ata e mohojnë të vërtetën pasi ajo u bëhet e qartë me prova e dëshmi nga Allahu, Ai i jep dënimin e merituar, ose fal nga mëshira e Tij, përderisa nuk ka të bëjë me shirkun (idhujtarinë) dhe mohimin, sepse këtë nuk e fal kurrë, vetëm se me pendim të sinqertë në dynja dhe kthim të plotë prej tij.

[177] Në fund të Xhehenemit, në shtresën më të ulët dhe më të thellë të tij, sepse Xhehenemi është me shtresa (derakat) njëra nën tjetrën, kurse Xheneti është me gradë dhe shkallë (deraxhat) njëra mbi tjetrën. Hipokritët do të jenë në shtresën më të fundit të Xhehenemit, poshtë banorëve të tjerë të zjarrit prej mohuesve e idhujtarëve, sepse ata jo vetëm që janë mohues, por edhe mashtrojnë besimtarët dhe veprojnë me armiqësi ndaj tyre me të gjitha mënyrat, pa u ndjerë.

[178] Që t’i shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit apo që t’u lehtësojë dënimin.

[179] Përmirësojnë gjendjen e tyre me kryerjen e urdhrave të Allahut me bindje dhe sinqeritet për Hir të Allahut, dhe jo me hipokrizi, ashtu si bënin më parë.

[180] I përmbahen besës së dhënë Allahut në Librin e Tij, se do t’i binden Atij dhe nuk do e kundërshtojnë kurrë Urdhrin e Tij. Dhe duke u strehuar tek Allahu, ata do të shpëtojnë nga dënimi i Tij dhe do të fitojnë shpërblimin e Tij në këtë botë, dhe shpërblimin e madh e të përhershëm në botën tjetër.

[181] Dhe jo për sy të njerëzve, siç vepronin më parë.

[182] Ata hipokritë që pendohen nga të gjitha cilësitë e tyre të hipokrizisë dhe strehohen tek Allahu me sinqeritet, duke i kryer urdhrat e Tij vetëm për Hir të Tij, këta do të jenë bashkë me besimtarët në dynja, në jetën e varrezave dhe në Xhennet, sepse tashmë janë besimtarë të vërtetë dhe në grupin e tyre, dhe do të marrin shpërblimin e tyre në gradat e larta të Xhenetit, ndryshe nga ata që vdesin duke qenë hipokritë, të cilët do të marrin dënimin e tyre në shtresën më të poshtme të Xhehenemit.

[183] Allahu nuk mund t’i dënojë ata që pendohen për hipokrizinë e tyre dhe kthehen sinqerisht tek Allahu dhe detyrimet e tyre kundrejt Tij, prej adhurimit dhe falënderimit të Tij për mirësitë që u ka dhënë dhe u jep, që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe gjithçka që i është shpallur atij nga Allahu. Allahu nuk ka ndonjë përfitim nga dënimi i hipokritëve në Xhehenem, dhe as ndonjë dëm nga shpërblimi i besimtarëve në Xhenet, por Ai kërkon nga ju që të pendoheni dhe të strehoheni tek Ai për të mirën tuaj, dhe megjithëkëtë, Ai është Mirënjohës dhe ju shpërblen për të mirat tuaja, dhe di gjithçka për ju në hollësi, atë që shfaqni dhe atë që fshehni në zemër, dhe Ai e di për atë që pendohet sinqerisht.