Vazhdim i Sures “Al Imran”

 

93. Të gjitha ushqimet kanë qenë të lejuara për bijtë e Israilit, përveç asaj që Israili (Jakubi) ia ndaloi vetes para se të shpallej Teurati.[1] Thuaju: “Silleni Teuratin dhe lexojeni atë, nëse thoni të vërtetën!”[2]

94. E, kushdo që pas kësaj shpif gënjeshtër për Allahun, ata janë të padrejtët.[3]

95. Thuaj (o Muhamed!): “Allahu thotë të vërtetën.[4] Ndiqni pra fenë e pastër të Ibrahimit,[5] i cili nuk ka qenë nga idhujtarët.

96. Me të vërtetë, xhamia e parë e ngritur për njerëzit[6] është ajo në Bekke[7] (Mekë), e bekuar[8] dhe udhëzim për popujt.[9]

97. Në të ka shenja të qarta[10]: vendi i Ibrahimit[11], (fakti se) kushdo që hyn në të është i sigurt[12] dhe detyrimi ndaj Allahut mbi njerëzit që ta vizitojnë këtë shtëpi (të bëjnë haxh), për ata që kanë mundësi[13] të shkojnë atje. E kush mohon,[14] Allahu nuk ia ka nevojën asnjë krijese.[15]

98. Thuaj (o Muhamed!): “O ithtarët e Librit![16] Përse i mohoni provat e Allahut,[17] ndërkohë që Allahu dëshmon[18] gjithçka që ju veproni?”

99. Thuaj: “O ithtarët e Librit! Përse e pengoni[19] nga rruga e Allahut[20] atë që beson e përpiqeni ta shtrembëroni atë (rrugë), ndërkohë që jeni dëshmitarë[21]? Por, Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj atyre që veproni.”

100. O ju, që keni besuar! Nëse i bindeni ndonjë grupi të atyre që u është dhënë Libri, pas besimit tuaj, ata do t’ju kthejnë në mohues.[22]

-62-

——————————————————-

[1] Transmetohet se Jakubi (alejhi selam) u sëmur me një lloj sëmundje, dhe u zotua se nëse Allahu do ta shëronte nga kjo sëmundje, ai do t’i ndalonte vetes ushqimet më të dashura, dhe thuhet se ato që i ndaloi vetes ishin mishi i i devesë dhe qumështi i saj. Në këtë gjë e pasuan edhe bijtë e tij deri sa u shpall Teurati dhe ndaloi disa lloje ushqimesh të cilat më parë ishin të lejuara për bijtë e Israilit, por shkaku i ndalimit të tyre ishte: “Për shkak të padrejtësisë së atyre që u bënë jehudë, u ndaluam gjëra të mira të cilat ishin të lejuara për ta.” [En Nisa, 160].

[2] Nëse ata e mohojnë këtë, atëherë thuaju, o Muhamed, që të sjellin Teuratin dhe ta lexojnë para teje, sepse vetë Teurati që ata pretendojnë se ndjekin, i përgënjeshtron ata. Ky ajet është gjithashtu kundërëpërgjigje ndaj jehudëve të cilët thonë se Nes’hu-shfuqizimi i disa ligjeve të Allahut nga vetë Allahu nuk lejohet, sepse kjo do të ishte mangësi për Allahun. Por vetë Allahu e pohon se Ai shfuqizon çfarë të dojë prej ligjeve me Urtësinë e Tij, dhe argument për këtë është vetë Teurati, në të cilin janë ndaluar gjëra që kanë qenë të lejuara më parë dhe ky është shfuqizim i ligjit për lejimin, dhe kjo nuk tregon ndonjë mangësi tek Allahu por tregon se Ai vepron me Vullnetin dhe Urtësinë e Tij atë që dëshiron.

[3] Mohuesit, të cilët thonë për Allahun të pavërtetën.

[4] Në çdo gjë që thotë dhe gjykon, kurse ju, o jehudë, shpifni gënjeshtër për Allahun dhe thoni të pavërtetën.

[5] Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj se ndiqni fenë që Allahu zgjodhi për pejgamberët dhe të dërguarit e Tij, o ithtarë të Librit, atëherë ndiqni fenë e pastër dhe larg idhujtarisë të Ibrahimit, dhe jo jehudizmin dhe as krishterizmin.

[6] Që të adhurojnë në të Zotin e tyre.

[7] Bekke është quajtur xhamia e shenjtë në Mekke, sepse në të grumbullohen njerëzit dhe shtyhen me njëri-tjetrin gjatë tavafit në haxhin apo umran e tyre.

[8] Sepse në të falen gjynahet nga Allahu, të shumëfishohen të mirat dhe ka siguri.

[9] Në të ka shenja të qarta nga Allahu, nga ajo drejtohen muslimanët gjatë namazit të tyre, atje kryejnë ritet e haxhit dhe të umras, me vizitën e saj ata plotësojnë Islamin e tyre dhe u forcohet besimit për shkak të asaj që shohin me sytë e tyre dhe veprojnë me gjymtyrët e tyre.

[10] Shenja nga Allahu që argumentojnë për njësimin e Tij, mëshirën e Tij, urtësinë e Tij, madhështinë e Tij, gjithëpërfshirjen e dijes së Tij dhe gjerësinë e bujarisë së Tij. Prej atyre shenjave janë edhe ato që përmenden në vijim.

[11] Thuhet se është për qëllim guri mbi të cilin hipte Ibrahimi (alejhi selam) kur ndërtoi Kaben, kur ndërtesa u bë e lartë, ose gjurmët e lëna nga ai mbi atë gur, të cilat zunë vend dhe lanë shenjë për të qenë provë nga Allahu. Thuhet gjithashtu se me këtë vend është për qëllim vendi shpirtëror që ka Ibrahimi te besimtarët. Thuhet gjithashtu se janë për qëllim të gjitha vendet ku Ibrahimi qëndroi kur kreu haxhin. E vërteta është se të gjitha këto përfshihen në ajet dhe në realitet, sepse në xhaminë e Kabes gjendet edhe sot vendi i quajtur “Mekamu Ibrahim”, dhe po kështu Ibrahimi ka vend të lartë në zemrat e besimtarëve muslimanë.

[12] Nuk lejohet vrasja apo ekzekutimi i dënimit ndaj atij që hyn në haremin e Kabes për t’i shpëtuar dënimit për krimin që ka bërë jashtë haremit, por pritet që të dalë apo nxirret prej tij dhe i jepet dënimi që meriton për veprën e bërë.

[13] Mundësi udhëtimi, fizike e materiale.

[14] Detyrueshmërinë e kryerjes së haxhit në Mekke.

[15] Nuk ka nevojë për haxhin e tij, as për vetë atë dhe as për ndonjë krijesë në botë.

[16] Prej bijve të Israilit dhe të gjithë ata që pretendojnë se ndjekin libër qiellor dhe mohojnë Muhamedin dhe profetësinë e tij.

[17] Që dëshmojnë për profetësinë e Muhamedit, qofshin në librat tuaj apo që i janë dhënë Muhamedit, kur ju e dini se ai thotë të vërtetën.

[18] Sheh dhe di në hollësi.

[19] Duke i drejtuar në rrugë të gabuar me pështjellime e fshehje të vërtetës.

[20] Nga Islami dhe shpallja me të cilën është dërguar Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[21] Se rruga nga e cila pengoni dhe përpiqeni ta shfaqni të shtrembër, është rruga e vërtetë.

[22] Prandaj mos u besoni atyre asgjë që ka lidhje me fenë tuaj, as mos kërkoni këshillë prej tyre në fenë tuaj, sepse ju tashmë e dini se ata janë të humbur dhe kanë zili, urrejtje dhe armiqësi ndaj jush. Thuhet se ky ajet ajet është shpallur kur një grup prej jehudëve që gjendeshin në Medine kërkuan të kthejnë armiqësinë e vjetër mes dy fiseve të mëdha El Eus dhe el Hazrexh, të cilët i pajtoi Muhamedi (alejhi selam) dhe ata u bënë muslimanë.

101. E si mund të mohoni[23] kur juve ju lexohen ajetet e Allahut[24] dhe në mesin tuaj ndodhet i Dërguari i Tij[25]?! Kushdo që strehohet tek Allahu[26], është udhëzuar në rrugë të drejtë.[27]

102. O ju, që keni besuar! Kini frikë Allahun[28] me një devotshmëri të vërtetë ndaj Tij dhe mos vdisni ndryshe, veçse duke qenë muslimanë.[29]

103. Dhe mbahuni fort për litarin e Allahut që të gjithë dhe mos u përçani![30] Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush kur ishit armiq[31] të njëri-tjetrit dhe Ai futi harmoni në zemrat tuaja[32] e, në saje të mirësisë së Tij, u bëtë vëllezër[33]. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit,[34] kurse Ai ju shpëtoi prej saj[35]. Kështu ua sqaron Allahu provat e Tij, me qëllim që të udhëzoheni drejtë.

104. Prej jush[36], le të jetë një grup[37] që thërret tek e mira,[38] urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja.[39] Pikërisht këta janë të shpëtuarit.[40]

105. E mos u bëni si ata[41] që, pasi u erdhën provat e qarta[42], u përçanë dhe u kundërshtuan me njëri-tjetrin[43]. Për këta do të ketë dënim të madh.[44]

106. Atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e të tjera do të nxihen. Sa për ata që do t’u nxihen fytyrat, (do t’u thuhet): “A mohuat pas besimit tuaj?![45] Atëherë shijoni dënimin për shkak se mohuat!”

107. Kurse ata, të cilëve do t’u zbardhen fytyrat,[46] do të jenë mëshirën e Allahut[47], ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

108. këto janë ajetet e Allahut,[48] të cilat t’i lexojmë ty (o Muhamed) me të vërtetën.[49] E, Allahu nuk dëshiron padrejtësi për askënd në botë.[50]

-63-

————————————————————–

[23] Pas besimit tuaj në Allahun dhe në të dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[24] Kurani me provat dhe argumentet e qarta e të padiskutueshme., i cili iu shpall Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[25] Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Pra, Allahu u ka dhënë provat më të mëdha për të besuar Atë, shpalljen dhe të dërguarin e Tij, prova me të cilat nuk mbet pikë dyshimi për vërtetësinë e asaj që vjen nga Allahu.

[26] Kushdo që kapet fort për fenë e Allahut dhe i bindet Atij.

[27] I është dhënë sukses nga Allahu që të ndjekë rrugë të qartë e të drejtë, pa shtrembërime, e cila të shpie në arritjen e kënaqësisë së Allahut, në shpëtimin nga dënimi i Tij dhe në fitoren me xhenetin e Tij.

[28] Ruajuni Allahut me bindje ndaj Tij dhe largim nga ndalesat e Tij.

[29] Të nënshtruar ndaj Allahut me bindje dhe sinqeritet.

[30] Kapuni që të gjithë për fenë e Allahut, Islamin, ashtu si ju ka urdhëruar dhe përmbushni besën tuaj që ua ka marrë në Librin që u ka zbritur, në Kuran. Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit. Qëndroni të bashkuar në fenë e Allahut dhe mos u ndani nga xhemati.

[31] Luftonit njëri-tjetrin dhe grabisnit pasurinë e njëri-tjetrit, për hir të fisit. Kjo ishte gjendja e arabëve para Islamit dhe para dërgimit të pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[32] Ju miqësoi dhe ju bashkoi në një fe, në Islam.

[33] Vëllezër në fe, miq e të dashur me njëri-tjetrin, një grusht i bashkuar kundër të gjithë armiqve.

[34] Nuk ju ndante nga zjarri veçse vdekja dhe sikur të kishit vdekur para se Allahu t’ju dërgonte të dërguarin e Tij dhe t’ju udhëzonte në Islam, ju do të futeshit në zjarrin e xhehenemit, sepse më parë ishit idhujtarë dhe vepronit vepra të këqia.

[35] Ju shpëtoi prej rënies në greminë dhe ju udhëzoi në Islam.

[36] O besimtarë!

[37] I mjaftueshëm, të cilët e përmbushin nevojën për gjërat që përmenden në vijin dhe për mjetet që i sigurojnë ato gjëra, siç është dija për mësimin e fesë dhe mësimin e saj të tjerëve, xhihadi për mbrojtjen e fesë dhe të muslimanëve si dhe për ngritjen lart të Islamit dhe të Fjalës së Allahut.

[38] Që i thërret dhe i fton njerëzit në Islam dhe në ligjet e tij të vendosura nga Allahu.

[39] Urdhëron për bindje ndaj Allahut, për zbatim të urdhrave të Tij dhe për mirësi ndaj njerëzve, dhe ndalon nga idhujtaria e mosbesimi dhe nga veprat e shëmtuara e të këqia.

[40] Të shpëtuarit tek Allahu nga ajo që kishin frikë prej dënimit të Tij dhe fituesit e asaj që dëshironin: arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe qëndrimin përgjithmonë në xhenetet dhe mirësitë e Allahut.

[41] Prej ithtarëve të Librit.

[42] Dhe i panë, i njohën e i mësuan mirë ato.

[43] Në lidhje me fenë e Allahut, me urdhrat dhe ndalesat e Tij, duke qenë se e dinin të vërtetën.

[44] Nga Allahu në ditën e Kiametit. Prandaj, mos u përçani në fe, o besimtarë, dhe mos veproni si vepra e tyre, përndryshe do të bëheni si ata dhe do të keni përfundim të njëjtë me ata.

[45] Si zgjodhët mohimin dhe humbjen para besimit dhe udhëzimit?! Si zgjodhët rrugën e gabuar dhe latë rrugën e drejtë?! Si e mohuat njësimin e Allahut dhe shkelët besën që ju ka marrë: se nuk do t’i bëni shok Atij, por do të adhuroni vetëm Atë?! E të gjitha këto, pas besimit se Allahu është Zoti juaj i vetëm dhe se nuk ka zot tjetër përveç Tij.

[46] Ata të cilët e përmbushën besën e tyre që i dhanë Allahut dhe njësuan Allahun, iu bindën Atij, ndoqën të Dërguarin e Tij.

[47] Në xhenetin e Allahut dhe në të mirat e xhenetit që Allahu i ka përgatitur për banorët e tij.

[48] Provat e Allahut, këshillat e Tij, shpalljet e Tij, që të shpallen ty, o Muhamed.

[49] Ato përmbajnë të vërtetën dhe të sigurtën për të cilën nuk ka pikë dyshimi.

[50] Allahu jo vetëm që nuk bën padrejtësi, por as nuk e dëshiron atë ndaj askujt prej krijesave të Tij. Kur Allahu i ndëshkon disa prej kërijesave të Tij me nxirje të fytyrës dhe me dënim të madh dhe, kur i nderon të tjerë me zbardhje të fytyrës dhe shpërblim të madh, këtë nuk e bën në mënyrë të padrejtë ndaj askujt prej dy grupeve, por me vendim të drejtë dhe të merituar për veprat e secilit prej tyre, me urtësinë dhe mëshirën e Tij.

109. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë,[51] dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet.[52]

110. Ju jeni populli më i mirë që i ka ardhur njerëzimit;[53] urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja[54] dhe i besoni Allahut.[55] Sikur ithtarët e Librit të besonin[56], do të kishte qenë më mirë për ta.[57] Ka prej tyre që janë besimtarë[58], por shumica e tyre janë të pabindur.[59]

111. Përveç ndonjë lëndimi, ata nuk mund t’ju dëmtojnë.[60] Edhe nëse ju luftojnë, do t’ja mbathin[61] dhe pastaj nuk do të ndihmohen.[62]

112. Kudo që të gjenden, ata janë të kapluar nga poshtërimi,[63] përveç nëse u vjen ndonjë mbrojtje nga Allahu ose nga njerëzit.[64] Ata tërhoqën zemërimin e Allahut dhe do t’i kaplojë mjerimi. Kjo,[65] sepse ata mohonin provat e Allahut dhe vrisnin pejgamberët padrejtësisht. Kjo,[66] sepse ata thyen urdhrin (e Allahut) dhe kalonin kufijtë.[67]

113. Megjithatë, ata nuk janë të gjithë njëlloj[68]. Disa prej ithtarëve të Librit janë në të drejtë[69]; gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut[70] duke bërë sexhde (duke u falur).[71]

114. Ata besojnë Allahun dhe ditën e Fundit, urdhërojnë për mirë[72], ndalojnë nga e keqja dhe shpejtojnë në vepra të mira. Këta janë nga të mirët.[73]

115. Çdo e mirë që të bëjnë, nuk do t’ju mohohet[74]. Allahu i di mirë të devotshmit.[75]

-64-

————————————————-
[51] Allahu nuk bën padrejtësi dhe nuk ka nevojë të bëjë padrejtësi, sepse gjithçka i përket Atij dhe Ai është Sunduesi i gjithçkaje që ekziston, ndryshe nga ai që bën padrejtësi për të marrë a për të arritur diçka që nuk i përket në mënyrë të padrejtë.

[52] E të gjitha krijesave të Tij; të mirëve e të këqijve, atyre që kanë vepruar mirë dhe atyre që kanë vepruar keq, dhe Ai do të shpërblejë secilin sipas asaj që meriton, pa i bërë padrejtësi askujt.

[53] Populli më i mirë që ka krijuar Allahu dhe më i nderuar tek Ai.

[54] Urdhëron për bindje ndaj Allahut, për zbatim të urdhrave të Tij dhe për mirësi ndaj njerëzve, dhe ndalon nga idhujtaria e mosbesimi dhe nga veprat e shëmtuara e të këqia.

[55] Besoni Allahun dhe jeni të sinqertë në njësimin dhe adhurimin e Tij.

[56] Muhamedin dhe atë që iu shpall nga Allahu.

[57] Më e mirë për veten e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër para Allahut.

[58] Besojnë Muhamedin dhe atë që i është shpallur nga Allahu, dhe e ndjekin atë, siç ka qenë Abdullah ibën Selam dhe vëllai i tij, Thealebe ibën Seaje dhe vëllai i tij, e të tjerë prej ithtarëve të Librit, në kohën e pejgamberit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[59] Të dalë nga feja e tyre, sepse feja e jehudëve i mëson që të ndjekin atë që thuhet në Teurat dhe të besojnë Muhamedin si i Dërguari i Allahut te të gjithë njerëzit, dhe si vulë të vargut të pejgamberëve. Kurse feja e të krishterëve i mëson ata të ndjekin Inxhilin, ta besojnë atë dhe të besojnë atë që thuhet në Teurat, dhe që në të dy librat e tyre përshkruhen cilësitë e Muhamedit, emri i tij, dërgimi i Tij dhe se ai është i lajmëtari i Allahut. Por megjithë këtë, që të dy këto grupe, jehudët dhe të krishterët, e përgënjeshtrojnë profetësinë e Muhamedit, dhe me këtë ata nuk i janë bindur Allahut dhe kanë dalë nga feja e tyre që pretendojnë se ndjekin.

[60] Këta të pabindur prej ithtarëve të Librit, me mohimin e pejgamberit tuaj dhe përgënjeshtrimin e tij, nuk do të mund t’ju dëmtojnë aspak ju, o besimtarë muslimanë, përveç lëndimit që ndieni nga shirku i tyre, nga të dëgjuarit e mosbesimit të tyre, nga fjala që thonë për Isanë dhe nënën e tij.

[61] Nga frika, të mundur dhe të humbur.

[62] Nuk do të ndihmohen nga Allahu kundër jush, o besimtarë.

[63] Këtu bëhet fjalë veçanërisht për jehudët.

[64] Jehudët nuk mund të jetojnë veçse nën pushtetin e muslimanëve dhe në sigurinë e tyre, duke paguar xhizjen të përçmuar, ose nën pushtetin e të krishterëve.

[65] Ky ndëshkim ndaj jehudëve.

[66] Ky ndëshkim ishte gjithashtu për shkak se…

[67] Ky është ndëshkimi i tyre në këtë botë, kurse në botën tjetër do të jetë shumë më i rëndë, prandaj merrni mësim, o besimtarë, dhe mos u bëni si ata.

[68] Por ka prej tyre edhe besimtarë, të cilët besojnë Allahun, shpalljet e Tij dhe të gjithë të dërguarit e Tij, në mesin e të cilëve edhe Muhamedin dhe Kuranin që iu shpall atij.

[69] Në rrugën e drejtë, të kapur për Librin e Allahut, në bindje ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Bëhet fjalë për ata ithtarë të Librit që e besuan Muhamedin si të dërguar të Allahut dhe ndoqën Kuranin dhe traditën e Muhamedit.

[70] Lexojnë Kuranin dhe mendojnë e meditojnë në kuptimet e tij, në namaz dhe jashtë namazit.

[71] Në namazin e darkës (el isha- jacisë) dhe në namazin e natës në përgjithësi.

[72] Urdhërojnë njerëzit që të besojnë Allahun dhe të gjithë të Dërguarit e Tij, në mesin e të cilëve edhe Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), vulën e tyre.

[73] Radhiten në vargun e njerëzve të mirë e të afërm të Allahut.

[74] Por do të marrin shpërblimin nga Allahu për të.

[75] Allahu e di mirë se kush i ruhet Atij, kush i bindet urdhrave të Tij e kush i largohet ndalesave të Tij, dhe i ruan të gjitha veprat e tyre të mira që t’u japë shpërblimin për to.

116. Atyre që mohojnë[76], nuk do t’ju bëjë aspak dobi tek Allahu, as pasuria as fëmijët e tyre.[77] Ata do të jenë banorët e zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

117. Ajo që shpenzojnë në jetën e kësaj bote,[78] është si shembulli i një ere të akullt, e cila godet të mbjellat e ndonjë populli që i ka bërë padrejtësi vetvetes,[79] dhe i shkatërron ato.[80] Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre,[81] por ata i bënë padrejtësi vetvetes.[82]

118. O ju, që keni besuar! Mos zgjidhni për miq të afërm[83] njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj[84], sepse ata nuk neglizhojnë që t’ju bëjnë dëm dhe dëshirojnë që të vuani.[85] Urrejtja shfaqet qartë që në gjuhët e tyre,[86] kurse ajo që fshehin gjokset e tyre është edhe më e madhe.[87] Ne tashmë ua kemi sqaruar provat, nëse jeni që kuptoni.[88]

119. Ja! Ju jeni që i doni ata,[89] kurse ata nuk ju duan juve,[90] dhe ju i besoni të gjitha Librat.[91] Kur ata ju takojnë, thonë: “Ne besojmë”[92], por kur janë vetëm,[93] nga mllefi ndaj jush[94], ata i kafshojnë majat e gishtave me dhëmbë. Thuaju: “Plasni me mllefin tuaj!”[95] Vërtet, Allahu di mirë gjithçka që gjendet në gjokse.[96]

120. Nëse ju vjen ndonjë e mirë[97], ajo i keqëson[98] ata e, nëse ju kap ndonjë e keqe, ata gëzohen. Por, nëse ju duroni[99] dhe ruheni[100], kurthet e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.[101] Vërtet, Allahu përfshin[102] gjithçka që veprojnë ata.[103]

121. Kujto kur[104] ti (o Muhamed) dole herët nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës e, Allahu është Gjithëdëgjues[105], i Gjithëditur[106].

-65-

—————————————————-

[76] Ata që mohojnë profetësinë e Muhamedit, që e përgënjeshtrojnë atë dhe shpalljen që i ka ardhur nga Allahu.

[77] As pasuria që kanë grumbulluar në këtë botë as fëmijët e tyre, nuk do i mbrojnë nga dënimi i Allahut.

[78] Lëmosha që japin mohuesit e Allahut dhe të pejgamberit të Tij.

[79] Pronarët e të mbjellave kundërshtuan Allahun dhe tejkaluan kufijtë e Tij.

[80] Era e ftohtë i shkatërron dhe i asgjëson të mbjellat, për të cilat shpresonin se do t’i vilnin dhe të përfitonin prej tyre. Po kështu edhe ata që japin lëmoshë por janë mohues, lëmosha e tyre nuk u bën aspak dobi, sepse mohimi i tyre ua asgjëson veprat e mira që bëjnë.

[81] Me mospranimin e lëmoshës së tyre.

[82] Me mohimin e tyre.

[83] Shokë të dashur, të zgjedhur e këshilltarë tuaj, të cilëve u shfaqni të fshehtat.

[84] Jashtë rrethit të besimtarëve muslimanë.

[85] Nuk reshtin së vepruari shkaqet që ju sjellin dëm dhe vuajtje, duan t’ju nxjerrin nga feja juaj, ndihmojnë armikun tuaj kundër jush, etj.

[86] Të cilat shprehin mosbesimin dhe armiqësinë e tyre kundër atyre që besojnë.

[87] Ajo që fshehin në zemër ata njerëz që nuk janë të fesë tuaj, miqësinë me të cilët Allahu ua ka ndaluar, është edhe më e madhe se ajo armiqësi e mosbesim që shprehin me gjuhët e tyre, prandaj bindjuni Allahut dhe mos qëndroni larg tyre.

[88] U kemi këshilluar, o besimtarë, dhe u kemi sqaruar gjithçka në lidhje me ithtarët e Librit dhe të gjithë mohuesit, të cilët ua kemi ndaluar që t’i merrni për miq të dashur, me qëllim që të merrni mësim, nëse jeni që i kuptoni këshillat dhe mësimet e Allahut, urdhrat dhe ndalesat e Tij, dhe se dobia e këtyre u kthehet juve dhe ju jeni ata që përfitoni prej tyre.

[89] Ju, o besimtarë që merrni për miq njerëz të tjerë jashtë fesë suaj, i doni dhe tregoni dashuri për ta, kurse ata nuk ju duan juve, madje fshehin armiqësi ndaj jush dhe mashtrim.

[90] Këtu tregohet edhe një herë për butësinë dhe mëshirën e besimtarëve me kundërshtarët e tyre, dhe për ngurtësinë e zemrave të mohuesve dhe urrejtjen e tyre ndaj besimtarëve.

[91] Librat e zbritur nga Allahu, kurse ata nuk i besojnë të gjitha Librat e Allahut, dhe ju e dini se me këtë gjë, ata kanë mohuar Allahun dhe shpalljet e Tij, kështu që juve ju takon më shumë që të shfaqni armiqësi e urrejtje kundër tyre, se sa ata kundër jush, sepse ata janë armiqtë tuaj dhe të Allahut. Andaj, mos i merrni kurrë miq ata.

[92] Besojmë atë që i është shpallur Muhamedit. E thonin këtë nga frika dhe për t’u ruajtur nga besimtarët.

[93] Larg shikimit dhe prezencës së besimtarëve.

[94] Kur ju shohin të bashkuar dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

[95] Këtu përgëzohen besimtarët me faktin se mosbesimtarët janë ata të cilët vuajnë dhe plasin nga brenda kur shohin suksesin e besimtarëve në ndjekjen e rrugës së drejtë, dhe do të vazhdojnë të dënohen deri sa të vdesin për të kaluar pastaj nga dënimi i kësaj bote në dënimin më të madh në botën tjetër.

[96] Dhe e di se çfarë fshehin këta jehudë e hipokritë në gjokset e tyre, prej mohimit dhe armiqësisë e urrejtjes ndaj besimtarëve, dhe ua regjistron ato për t’i dënuar me to në botën tjetër.

[97] Siç është fitorja kundër armiqve në luftë, hyrja e njerëzve në fenë tuaj,etj.

[98] I mërzit dhe i hidhëron.

[99] Në bindje ndaj Allahut.

[100] I ruheni Allahut dhe keni frikë daljen para Tij, duke qenë se nuk i keni përmbushur detyrimet ndaj Tij dhe nuk i jeni larguar plotësisht ndalesave të Tij.

[101] Madje Allahu ua kthen kurthet e tyre vetë atyre.

[102] Me dijen dhe fuqinë e Tij, dhe nuk i shpëton asgjë.

[103] Pastaj i jep dënimin që meritojnë.

[104] Këtu bëhet fjalë për luftën e Uhudit, ku muslimanët e humbën betejën për shkak se disa prej tyre kundërshtuan urdhrin e Pejgamberit dhe nuk duruan, por vrapuan pas plaçkës së luftës kur menduan se armiku u mund dhe u tërhoq, por ai ishte një kurth në të cilin ata ranë si rezultat i thyerjes së urdhrit të Pejgamberit dhe vrapimit pas dynjasë. Muslimanët morën një mësim të madh në këtë luftë dhe nuk e përsëritën më kurrë gabimin e tyre, por vazhduan gjithnjë me vendosmëri në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij, deri sa Allahu u dha triumfin dhe njerëzit filluan të hyjnë në Islam grumbuj-grumbuj.

[105] Dhe dëgjon çdo gjë që të thonë besimtarët në konsultimin tënd me tan ë lidhje me strategjinë e luftës.

[106] E di mirë se cilat prej mendimeve të tyre është më i mirë për ta dhe se çfarë fshehin ata në gjokset e tyre.

122. Kur dy grupe nga ju menduan të ktheheshin[107], por Allahu ishte Mbrojtësi i tyre,[108] prandaj besimtarët të mbështeten vetëm te Allahu![109]

123. Allahu ju ndihmoi në Bedër[110] kur ishit pak në numër,[111] andaj kini frikë Allahun, për të qenë falënderues.[112]

124. Atëherë[113] kur ti (Muhamed) u thoshe besimtarëve: “A nuk ju mjafton që Zoti juaj t’ju përforcojë me tre mijë engjëj të zbritur?”[114]

125. Po! Madje nëse duroni dhe i ruheni Allahut e, ata ju sulmojnë menjëherë pas kësaj[115], Zoti juaj ju përforcon me pesë mijë engjëj të shënuar.[116]

126. Allahu nuk e bëri këtë, veçse për t’ju dhënë lajm të mirë dhe që t’ju qetësojë zemrat me të.[117] Fitorja nuk vjen, veçse nga Allahu,[118] i Plotëfuqishmi,[119] i Urti.[120]

127. (Po kështu[121]), që të asgjësojë një pjesë të atyre që nuk besuan[122] apo t’i turpërojë ata,[123] e të kthehen të dështuar[124].

128. Ti (Muhamed) nuk ke asgjë në dorë[125]; ua pranon Ai pendimin[126] apo i dënon, ata janë të padrejtë.[127]

129. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë.[128] Allahu është Falës i madh, Mëshirëplotë.

130. O ju, që keni besuar[129]! Mos e hani kamatën shtesë mbi shtesë të shumëfishtë[130] dhe kini frikë Allahun[131], që të shpëtoni!

131. Kini frikë zjarrin,[132] i cili është përgatitur për mosbesimtarët![133]

132. Bindjuni Allahut[134] dhe të të Dërguarit, që të mëshiroheni.[135]

-66-

—————————————————

[107] Në luftën e Uhudit, pas konsultimit dhe diskutimit, muslimanët vendosën të dalin nga Medina dhe ta presin armikun jashtë saj. Ata dolën me 1000 ushtarë, nga të cilët Abdullah ibë Ubej hipokriti, u kthye në mes të rrugës bashkë me 300 vetë që ishin hipokritë si ai dhe prej tij. Në këtë kohë, dy fise prej muslimanëve, Benu Seleme dhe Benu Harithe, u lëkundën dhe vendosën të kthehen nga frika, por Allahu i ruajti ata dhe u dha vendosmëri.

[108] Miku i tyre i dashur, i Cili i ruajti ata nga rrëshqitja dhe i forcoi zemrat dhe gjunjtë.

[109] Me zemrat e tyre, duke kërkuar dhe shpresuar vetëm nga Ai që t’u largojë të këqiat dhe t’u japë të mirat, me besim të patundur tek Allahu.

[110] Në vendin e quajtur Bedër, apo në burimin e quajtur me këtë emër. Është fjala për luftën që ndodhi në atë vend, luftën e Bedrit.

[111] Por të mbështetur tek Allahu dhe duke qenë të bindur ndaj Tij dhe të Dërguarit të Tij.

[112] Kini frikë Allahun, sepse frika ndaj Tij është flaënderim për mirësitë e Tij.

[113] Në kohën e luftës së Bedrit.

[114] Të dërguar nga Allahu. Nuk ka argument të qartë ku të thuhet se këta tre mijë engjëj që Allahu u premtoi besimtarëve të jenë dërguar në ndonjë luftë të caktuar, po kështu as për dërgimin e pesë mijë engjëjve, përveç asaj që thuhet në suren el Enfal, 9, në lidhje me luftën e Bedrit: “Kur ju i kërkuat ndihmë Zotit tuaj, Ai iu përgjigj lutjes suaj: “Unë do t’ju përforcoj me një mijë engjëj njëri pas tjetrit.” Megjithatë, dërgimi i këtij numri engjëjsh, ose më shumë apo më pak, qëndron të jetë premtim nga Allahu për atë ushtri muslimane të cilët plotësojnë kushtet e përfitimit nga ky premtim: durimin dhe devotshmërinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij e, Allahu nuk e thyen premtimin e Vet.

[115] Pas luftës së Bedrit, në të cilën armiqtë pësuan disfatë të madhe.

[116] Me shenjën e trimërisë. Por kushti i përfitimit nga ky premtim është: durimi dhe devotshmëria, siç thuhet në ajet.

[117] Dhe të mos trembeni nga armiku, numri i madh dhe armatimi i tij, sepse fuqia dhe fitorja është në dorë të Allahut.

[118] Por edhe nëse Allahu iu përforcon me engjëj dhe ju triumfoni mbi armikun tuaj, ai triumf nuk është nga engjëjt, por vetëm nga Allahu, prandaj vetëm tek Allahu mbështetuni dhe vetëm prej Tij kërkoni ndihmë, dhe mos u mbështetni te numri i madh i juaji apo i engjëjve.

[119] Në ndëshkimin e mohuesve me duart e miqve të Tij besimtarë.

[120] Në rregullimin e gjërave në favorin tuaj, o besimtarë, kundër armiqve tuaj mohues, dhe në të gjitha çështjet e Tij.

[121] E bëri këtë: ndihmën që ju dha në luftën e Bedrit.

[122] Në luftën e Bedrit u vranë disa prej kokave të së keqes, të mohimit dhe idhujtarisë, armiq të muslimanëve.

[123] Me humbjen e madhe, ndërkohë që prisnin një fitore të sigurtë kundër ushtrisë së vogël muslimane.

[124] Pa ju shkaktuar asgjë të keqe nga ajo që kishin planifikuar.

[125] Në lidhje me krijesat e Allahut, përveç zbatimit të urdhrit të Allahut mes tyre dhe t’i urdhërosh që t’i binden Allahut, kurse çështja e tyre është në Dorë të Allahut, vetëm Allahu gjykon mes tyre dhe vepron me Vullnetin e Vet absolut.

[126] I udhëzon në Islam dhe ua pranon pendimin nga mohimi dhe idhujtaria, me urtësinë e Tij.

[127] Dhe meritojnë çdo dënim që mund t’u japë Allahu. Në luftën e Uhudit, armiqtë idhujtarë e plagosën Pejgamberin me disa plagë, dhe ai mendoi të bënte lutje kundër tyre, duke thënë: “Si mund të shpëtojë një popull i cili gjakosi fytyrën e pejgamberit të tij, që i thërret për tek Allahu kurse ata e thërrasin për tek djalli, që i thërret në udhëzim kurse ata në humbje, që i thërret për në xhenet kurse ata për në zjarr?!” Dhe gati sa nuk bëri lutje kundër tyre me mallkim, por Allahu i shpalli atij këtë ajet, dhe ai nuk i mallkoi. [Taberiu]. Në mesin e atyre idhjtarëve kishte edhe prej tyre që më pas pranuan Islamin dhe u bënë muslimanë të mirë.

[128] Për gjynahet dhe krimet e tyre.

[129] Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[130] Ashtu si e hanit në kohën e injorancës para Islamit: kur dikush i jepte tjetrit një sasi të caktuar pasurie deri për në një afat të caktuar, pastaj vinte koha e kthimit të borxhit dhe ai nuk kishte ta kthente, i kërkonte shtyrje të afatit kundrejt një shtese mbi pasurinë e tij që mori borxh.

[131] Në çështjen e kamatës dhe në çdo urdhër e ndalesë të Allahut, dhe bindjuni Allahut, që të shpëtoni nga dënimi i Tij dhe të fitoni xhenetin e Tij.

[132] Ku mund të futeni për shkak të ngrënies së kamatës, pasi Allahu jua ka ndaluar atë.

[133] Zjarri i xhehenemit është përgatitur për mohuesit e Allahut, prandaj mos e thyeni Urdhrin Tim dhe mos e lëni bindjen ndaj Meje pas besimit tuaj, sepse përndryshe do të futeni në zjarrin e përgatitur për mohuesit!

[134] O besimtarë, bindjuni Allahut në çdo gjë që ju ndalon prej praktikimit të kamatës dhe çdo ndalese tjetër, dhe bindjuni të Dërguarit, Muhamedit gjithashtu, në çdo gjë që ju urdhëron e ju ndalon, sepse ai nuk flet nga vetja e tij, por me urdhër nga Allahu.

[135] Që të mëshiroheni nga Allahu dhe të mos dënoheni nga Ai.

133. Shpejtoni drejt faljes[136] nga Zoti juaj dhe Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur për të devotshmit.[137]

134. Ata të cilët japin në të mirë[138] e në të keq[139], mposhtësit e zemërimit[140] dhe falësit e njerëzve.[141] E, Allahu i do bamirësit.[142]

135. Ata të cilët, kur bëjnë ndonjë vepër të turpshme[143] apo i bëjnë padrejtësi vetvetes[144], kujtojnë Allahun[145] dhe menjëherë i kërkojnë falje për gjynahet e tyre[146] –e kush mund t’i falë gjynahet përveç Allahut?[147] –dhe nuk vazhdojnë me vetëdije në atë që kanë bërë.[148]

136. Shpërblimi i të atillëve është falja[149] nga Zoti i tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë[150]!

137. Para jush ka pasur shumë shembuj (nga popujt e mëparshëm)[151], prandaj silluni nëpër tokë dhe shihni si ka qenë përfundimi i përgënjeshtruesve[152]!

138. Ky[153] është sqarim për njerëzit, udhëzim[154] dhe këshillë për të devotshmit.

139. Mos u ligështoni dhe mos u trishtoni,[155] sepse ju jeni më të lartët,[156] nëse jeni besimtarë të vërtetë.[157]

140. Nëse ju godet ndonjë plagë,[158] edhe ata njerëz janë goditur me plagë të tilla më parë, por këto ditë[159] (fitoreje e humbjeje), Ne i ndërrojmë mes njerëzve[160], që Allahu t’i dallojë ata që besojnë[161] dhe disa nga ju t’i marrë dëshmorë[162]. Allahu nuk i do të padrejtët.[163]

-67-

————————————————-

[136] Në kryerjen e atyre gjërave që ju sigurojnë falje dhe fshirje të gjynaheve nga Zoti juaj, me mëshirën e Tij.

[137] Veprat e kryera me devotshmëri ndaj Allahut janë ato që të çojnë drejt xhenetit, dhe cilësitë e të devotshmëve janë ato që përmenden në ajetin në vijim.

[138] Kur janë në gjendje të mirë financiare dhe bëjnë jetë të rehatshme.

[139] Kur janë në gjendje të keqe financiare dhe bëjnë jetë të vështirë e të mundimshme.

[140] Ata që e mbajnë veten në rast zemërimi dhe nuk e shfryjnë zemërimin e tyre edhe pse kanë mundësi për këtë.

[141] Që ua falin njerëzve një të keqe që u kanë bërë edhe kur kanë mundësi të hakmerren.

[142] Allahu i do ata të cilët i kryejnë këto vepra që janë cilësi të të devotshmëve, për të cilët Allahu ka përgatitur kopshtet e xhenetit. Vepruesit e këtyre veprave janë bamirës, vepërmirë, që bëjnë mirë dhe vepra të mira.

[143] Vepër të ndaluar, mëkat, imoralitet, dalje nga kufijtë e përcaktuar në çdo gjë qoftë.

[144] Duke vepruar vepra që nuk duhet t’i vepronin prej shkeljes së ligjeve të Allahut, gjë me të cilën i shkaktojnë vetes ndëshkimin e Allahut.

[145] Dhe dënimin e përcaktuar nga Ai për ata që shkelin ligjet e Tij.

[146] I kërkojnë Allahut që t’ua falë gjynahet dhe të mos i dënojë për to.

[147] Askush nuk i fal gjynahet përveç Allahut dhe ata e dinë këtë.

[148] Nuk këmbëngulin në bërjen e gjynaheve duke e ditur se janë gjynahe, pa u penduar dhe pa kërkuar falje për to.

[149] Falja e gjynaheve nga Allahu dhe mosndëshkimi për to.

[150] Atyre që punojnë mirë për Hir të Allahut.

[151] Në popujt e mëparshëm që ka dërguar Allahu, ka shembuj për të dy grupet: grupit të besimtarëve dhe grupit të mohuesve. Besimtarët gjithnjë janë sprovuar me sprova të ndryshme për të vërtetuar qëndrueshmërinë e tyre në besim dhe për t’u pastruar nga gjynahet, kurse mohuesit i kanë luftuar besimtarët dhe të dërguarit e Allahut, por në fund triumfi ka qenë i të dërguarve të Allahut dhe ndjekësve të tyre besimtarë. Prandaj, o besimtarë që morët pjesë në luftën e Uhudit ku pësuat humbje, mos u dëshpëroni dhe mos u trishtoni për këtë, sepse ju keni shembuj në besimtarët e popujve të mëparshëm, dhe duhet të jeni të bindur se përfundimi i përgënjeshtruesve do të jetë humbja e rëndë në të dyja botët.

[152] Të të dërguarve të Allahut. Përfundimi i tyre ka qenë gjithnjë poshtërimi dhe humbja, kurse fitorja dhe triumfi ka qenë gjithnjë për të dërguarit e Allahut dhe ndjekësit e tyre.

[153] Këto që u përmendën më sipër.

[154] Në rrugën e drejtë dhe në fenë e vërtetë.

[155] O shokët e Muhamedit, nga ajo që pësuat prej armikut tuaj në Uhud.

[156] Do të triumfoni ndaj tyre dhe do t’i mundni ata.

[157] Nëse e besoni të Dërguarin Tim në ato që u premton dhe që ju njofton në lidhje me përfundimin tuaj dhe të armiqve tuaj.

[158] Ndonjë plagosje apo vrasje në luftën me armiqtë, në Uhud.

[159] Si dita e Bedrit, me fitore të muslimanëve dhe si dita e Uhudit, me humbje të tyre.

[160] Mes muslimanëve dhe jomuslimanëve, duke i dhënë fitore herë këtyre dhe herë atyre; kur muslimanët i plotësojnë kushtet e ndihmës nga Allahu, ata triumfojnë mbi armiqtë e tyre dhe në të kundërt, atyre nuk u premtohet fitorja, siç e pamë më parë.

[161] Në mënyrë që të dallohen besimtarët nga hipokritët, Allahu i sprovon njerëzit dhe nuk ua jep triumfin gjithnjë besimtarëve, sepse përndryshe do të hynin në fe edhe ata që nuk e duan atë. Këtu nuk është për qëllim që t’i dallojë e t’i dijë Allahu se kush janë ata që besojnë, sepse Allahu di gjithçka në hollësi për çdo krijesë, që para se ta krijonte, por është për qëllim që të dallohen nga njerëzit dhe të jenë argument i dëshmuar nga ata në botën tjetër.

[162] Të nderojë me gradën e dëshmorit atë që Ai dëshiron të nderojë me këtë gradë të lartë.

[163] Ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetvetes duke shkelur ligjet e Allahut dhe duke mos marrë pjesë në luftë në rrugë të Alllahut.

141. Dhe që Allahu t’i provojë besimtarët[164] dhe t’i shuajë jobesimtarët.[165]

142. A menduat[166] se do të hyni në xhenet, pa i dalluar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i dalluar durimtarët?[167]

143. Ju e dëshironit vdekjen[168] para se të ballafaqoheshit me të dhe ja, tashmë e patë me sytë tuaj.[169]

144. Muhamedi nuk është tjetër, veçse i Dërguar, para të cilit kanë ardhur të gjithë të dërguarit e tjerë.[170] Nëse ai vdes apo vritet, a mos do të zmbrapseni[171]? E, kushdo që zmbrapset,[172] nuk do t’i bëjë aspak dëm Allahut.[173] E, Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.[174]

145. Asnjë shpirti nuk i takon të vdesë, veçse me lejen e Allahut,[175] në afatin e përcaktuar. Kush dëshiron të mirat e kësaj bote[176], Ne do i japim prej saj,[177] dhe kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër,[178] Ne do i japim prej saj.[179] Ne do t’i shpërblejmë falënderuesit.[180]

146. Sa e sa pejgamberë kanë luftuar bashkë me ndjekës të shumtë[181] dhe kurrë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugë të Allahut,[182] as nuk u dobësuan[183] e as nuk u nënshtruan[184]. Allahu i do të durueshmit.[185]

147. Ata nuk thonin fjalë tjetër[186] përveç fjalës: “Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona[187] dhe teprimin në punën tonë,[188] na jep vendosmëri[189] dhe na ndihmo kundër popullit mohues!”[190]

148. Dhe Allahu u dha atyre shpërblimin e kësaj bote[191] dhe shpërblimin më të mirë në botën tjetër.[192] Allahu i do punëmbarët.[193]

-68-

—————————————————-

[164] Për t’u dalluar ata që janë të sinqertë e me besim të saktë nga ata që janë hipokritë.

[165] T’i pakësojë e t’i asgjësojë, apo t’u zbulojë mohimin që mbajnë të fshehur në zemrat e tyre për t’u ruajtur nga ju, dhe kështu ju do t’i luftoni ata dhe ata do të shuhen.

[166] O shokët e Muhamedit, dhe ju besimtarë në përgjithësi.

[167] Pa ia bërë të qartë robërve të Mi besimtarë se kush është luftëtar në rrugën Time dhe kush nuk është, se kush është durimtar në sprovat e Mia dhe kush nuk është, për ta ditur se xheneti nuk arrihet lehtë, sepse vlera e tij është e madhe dhe puna për të arritur atë duhet të jetë gjithashtu e madhe dhe e vështirë.

[168] Shkakun e vdekjes, d.m.th. luftën.

[169] E patë atë që dëshironit, në luftën e Uhudit. Shumë prej shokëve të Pejgamberit, të cilët nuk morën pjesë në luftën e Bedrit, dëshironin që Allahu t’u mundësonte një luftë tjetër ku të bënin të gjitha përpjekjet e tyre dhe të merrnin shpërblimin e madh nga Allahu.

[170] Muhamedi është një prej të Dërguarve të Allahut, prej vargut të tyre dhe vula e tyre, pas të cilit nuk ka më të dërguar tjetër, por vetëm dijetarë që u mësojnë njerëzve fenë e Allahut. Ashtu si edhe të gjithë të dërguarit para Muhamedit, të cilët janë robër të Allahut dhe krijesa të Tij, edhe Muhamedi do të vdesë në afatin e përcaktuar nga Allahu, prandaj ju, o shokët e Muhamedit, nuk keni pse të llahtariseni e të brengoseni nëse atij i vjen vdekja. Këtu u tërhiqet vërejtja atyre besimtarëve që morën pjesë në luftën e Uhudit, dhe kur dëgjuan se Muhamedi u vra, i kthyen shpinën armikut dhe e lanë luftën.

[171] A do të dezertoni nga feja juaj, me të cilën Allahu dërgoi Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), pasi që iu bë e qartë e vërteta e thirrjes së tij dhe e besuat atë dhe shpalljen që i shpallej nga Allahu?

[172] Kushdo që del nga feja dhe kthehet në mohim pas besimit të tij.

[173] Nuk e dobëson fuqinë e Allahut dhe as pushtetin e Tij, por ai dëmton vetveten me mosbesimin e tij.

[174] Ata të cilët qëndrojnë të patundur në fenë e Allahut me mirësinë e Allahut dhe e falënderojnë Allahun për mirësitë e Tij të pafundme.

[175] As Muhamedi dhe asnjë prej krijesave të Allahut nuk mund të vdesë veçse pasi të plotësojë afatin e përcaktuar nga Allahu për vdekjen e tij dhe, kur plotësohet afati i caktuar dhe Allahu jep lejë për vdekjen, atëherë ai vdes. Ndërsa para afatit të përcaktuar nga Allahu, askush nuk mund të vdesë edhe sikur e gjithë bota ngrihet për ta vrarë.

[176] Me veprat e tij, dhe nuk kërkon atë që është tek Allahu.

[177] Aq sa i është caktuar prej riskut në ditët e jetës së tij në dynja, kurse në të mirat e botës tjetër ai nuk do të ketë pjesë.

[178] Kush dëshiron atë që është tek Allahu, të cilën Allahu e ka përgatitur për ata që punojnë për botën tjetër.

[179] Prej shpërblimit të madh të Allahut në botën tjetër, shpërblim me të cilin Allahu ka veçuar ata që i binden Atij.

[180] Shpërblimi me të mirat e botës tjetër do të jetë për ata që veprojnë në bindje ndaj Allahut dhe janë falënderues e jo mosmirënjohës.

[181] Të cilët u edukuan nga pejgamberët në besim dhe vepra të mira.

[182] Nuk e lanë kurrë xhihadin edhe pse merrnin plagë, vriteshin e sakatoheshin nga armiqtë e Allahut, as pas vdekjes së pejgamberit të tyre.

[183] Me vdekjen e pejgamberit të tyre, por qëndruan të fortë dhe vazhduan me vendosmëri t’i bëjnë qëndresë armikut.

[184] Nuk iu nënshtruan armikut të tyre me hyrjen e në fenë e tij apo me lajkatimin e tij prej frikës, por vazhduan të ecin me bindje dhe vendosmëri në rrugën e pejgamberit të tyre, duke duruar në zbatimin e urdhrit të Allahut dhe të pejgamberit të tyre, në bindje ndaj Allahut dhe në zbatim të shpalljes së Tij.

[185] Allahu i do këta besimtarë me këto cilësi, të cilët durojnë në zbatimin e urdhrave të Tij dhe në bindjen ndaj Tij e ndaj të Dërguarit të Tij, në xhihad dhe gjithmonë.

[186] Kur u vdiste pejgamberi i tyre.

[187] Të vogla.

[188] Gjynahet e mëdha.

[189] Na forco dhe na bëj të qëndrueshëm në luftën kundër armikut Tënd dhe armikut tonë, dhe mos na bëj prej atyre që mposhten dhe dezertojnë nga fronti.

[190] Na ndihmo kundër popullit që mohon Njësimin Tënd dhe profetësinë e Pejgamberit Tënd. Këtu u tërhiqet vërejtja atyre besimtarëve të cilët u larguan nga lufta e Uhudit kur dëgjuan fjalën e gënjeshtërt se Muhamedi ishte vrarë. Atyre u thuhet se duhet të kishin vepruar ashtu si kanë vepruar ndjekësit e Pejgamberëve të mëparshëm.

[191] Fitoren kundër armikut, pushtetin në tokë, etj.

[192] Arritjen e kënaqësisë së Zotit të tyre, xhenetin dhe mirësitë e tij, si shpërblim të veprave të tyre në dynja.

[193] Në adhurimin e Krijuesit të tyre dhe në sjelljen me krijesat, dhe prej veprës së mbarë është që në xhihad të veprohet ashtu si vepruan këta që cilësohen në këto ajete.

149. O ju, që keni besuar! Nëse u bindeni atyre që mohojnë[194], ata do t’ju zmbrapsin[195] e ju do të ktheheni[196] të humbur.[197]

150. Por, Allahu është Mbrojtësi juaj[198] dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.[199]

151. Ne[200] do të fusim tmerr në zemrat e atyre që mohojnë,[201] për shkak se i shoqërojnë Allahut gjëra për të cilat Ai nuk ka zbritur asnjë argument.[202] Vendkthimi i tyre është zjarri.[203] E, nuk ka banesë më të keqe se ajo e të padrejtëve.[204]

152. Allahu e përmbushi premtimin e Vet,[205] kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun, deri sa ju humbët kurajën, u grindët midis jush[206] dhe thyet urdhërin[207], pasi Ai ju tregoi atë që donit.[208] Disa nga ju dëshirojnë këtë botë[209] kurse të tjerë dëshirojnë botën tjetër[210]. Pastaj, Ai ju zmbrapsi para tyre për t’ju sprovuar,[211] por sigurisht që më pas ua fali atë gabim.[212] Allahu ka mirësi të madhe ndaj besimtarëve.[213]

153. Kur ju morët malin[214] dhe nuk i vinit vesh askujt,[215] e i Dërguari ju thërriste nga mbrapa,[216] Ai iu ndëshkoi me ankth pas ankthi,[217] që të mos mërziteni as për atë që ju doli duarsh,[218] as për atë që ju goditi.[219] Allahu njeh në hollësi gjithçka që ju punoni.[220]

-69-

—————————————————–

[194] Profetësinë e pejgamberit tuaj, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), prej jehudëve dhe të krishterëve.

[195] Nga feja juaj dhe do t’ju kthejnë në mosbesim pas besimit tuaj.

[196] Nga feja dhe besimi juaj në të cilin ju ka udhëzuar Allahu.

[197] E të shkatërruar, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[198] Ndihmuesi juaj kundër armiqve tuaj mohues, dhe Ai ju shpëton nga bindja ndaj mohuesve dhe nga çdo humbje, prandaj vetëm Allahut bindjuni dhe vetëm Fjalën e Tij dëgjoni.

[199] Prandaj vetëm nga Allahu kërkoni ndihmë dhe nga askush tjetër.

[200] Allahu i Madhëruar.

[201] Allahun dhe pejgamberin e Tij, prej atyre që ju luaftuan në Uhud.

[202] Për shkak se adhuronin idhujt dhe i bindeshin djallit, pa pasur ndonjë argument apo provë nga Allahu.

[203] Zjarri i xhehenemit në botën tjetër.

[204] Të cilët i bënë padrejtësi vetvetes me kryerjen e veprave që meritojnë dënimin e Allahut.

[205] Premtimin që ju dha me gjuhën e Muhamedit, në Uhud, kur u tha harkëtarëve: “Qëndroni në vendet tuaja dhe mos i lëshoni ato në asnjë mënyrë, edhe sikur të na shihni që e mundëm armikun dhe e vumë para. Ne do të vazhdojmë të jemi triumfatorë përderisa ju qëndroni në vendet tuaja.” Dhe pejgamberi u premtoi atyre fitoren, nëse ata do të qëndronin në vendet e tyre.

[206] Në lidhje me premtimin e Allahut.

[207] E Pejgamberit tuaj. Janë për qëllim harkëtarët, të cilët Pejgamberi i urdhëroi të qëndronin në vendet e tyre në grykën e Uhudit dhe të mos i linin vendet në asnjë mënyrë.

[208] Prej tërheqjes së armiqve dhe plaçkës së lënë pas nga ata. Kjo ndodhi në fillim të luftës së Uhudit, para se harkëtarët të linin vendet e tyre dhe para se kalorësia e armikut t’i vinte nga pas ushtrisë besimtare.

[209] Ata të cilët lanë vendet e tyre që u caktoi Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[210] Ata harkëtarë, të cilët qëndruan dhe nuk i lanë vendet e tyre që u caktoi Pejgamberi.

[211] Dhe për t’ju dhënë mësim, që të mos e thyeni më kurrë urdhrin e Allahut dhe as të Pejgamberit të Tij.

[212] Dhe nuk ju shoi të gjithëve në duart e armikut.

[213] Ua fal atyre shumë prej gjynaheve për të cilat meritojnë dënimin e Tij dhe nëse i dënon me diçka prej tyre, kjo është e mirë për ta, sepse kur besimtarin e kap një e keqe, ai duron dhe kjo është e mirë për të, dhe kur e kap një e mirë, ai falënderon dhe kjo është e mirë për të. Mirësitë e Allahut ndaj besimtarëve janë të panumërta, por mirësia më e madhe është mirësia e besimit dhe udhëzimit në Islam.

[214] Duke ia mbathur nga armiku, në luftën e Uhudit.

[215] Nuk dëgjonit e nuk shihnit askënd, por secili kërkonte të shpëtonte kokën e vet, ndërkohë gjendja nuk kishte shkuar deri këtu, dhe ata që ikën nuk ishin në vijë të parë të frontit.

[216] Duke iu thënë: “Ejani tek unë, robër të Allahut!” Por ata nuk u ngjitën tek ai dhe as që ia hodhën shikimin.

[217] Siç ishte humbja e fitores ndaj besimtarëve dhe humbja e plaçkës së tyre, numri i madh i të vrarëve nga pala e tyre, i cili arriti në 70 të vrarë, dhe mbi të gjitha, fjala se pejgamberi u vra.

[218] Prej plaçkës së armikut dhe triumfit ndaj tyre.

[219] Në humbjen e luftës, në plagët e marra në të, në humbjen e shokëve të cilët u vranë. Por kur ata mësuan se Pejgamberi ishte gjallë, iu bënë të lehta të gjitha ankthet dhe humbjet që pësuan. Ky ishte një mësim për besimtarët, që të duronin në fatkeqësi dhe të përballonin çdo vështirësi.

[220] Dhe ju shpërblen sipas veprave tuaja: punëmirit me të mirë dhe punëkeqit me të keqe, ose ia fal të këqiat.

154. Pastaj, pas ankthit tuaj, Ai ju zbriti siguri: përgjumje, e cila kaploi një grup prej jush[221]. Kurse grupi tjetër (hipokritët) ishin në merak për veten e tyre[222], duke menduar për Allahun të pavërtetën, bindjet e injorancës.[223] Ata thoshin: “A kemi shtënë në dorë ndonjë gjë prej kësaj çështje (fitores së premtuar)?”[224] Thuaju: “Të gjitha çështjet janë në Dorë të Allahut!”[225] Ata fshehin në vete gjëra që nuk t’i shfaqin ty.[226] Ata thoshin: “Sikur të kishim ne ndonjë gjë në dorë për këtë çështje[227], nuk do të vriteshim këtu.”[228] Thuaju: “Edhe sikur të kishit qenë në shtëpitë tuaja[229], atyre që u ishte caktuar vrasja, do të dilnin në vendin e flijimit të tyre.”[230] Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në gjokset tuaja[231] dhe për të dalluar atë që keni në zemrat tuaja.[232] Allahu di mirë se ç’ka në gjokse.[233]

155. Vërtet, ata që u zmbrapsën prej jush[234] ditën kur u ndeshën dy ushtritë,[235] në të vërtetë i shtyu djalli në rrëshqitje[236] për shkak të disa gjynaheve që kishin bërë. Por, Allahu ua fali atyre.[237] Allahu është Falës i madh[238], i Butë.[239]

156. O ju, që keni besuar! Mos u bëni si ata që mohuan[240] dhe u thoshin vëllezërve të tyre[241], kur këta niseshin për udhëtim[242] ose në luftë: “Sikur të rrinin te ne, as nuk do të vdisnin, as nuk do të vriteshin.” Për ta bërë Allahu këtë gjë[243] pikëllim në zemrat e tyre.[244] Allahu është Ai që jep jetë dhe që merr jetë.[245] Allahu sheh gjithçka që veproni ju.[246]

157. Edhe nëse ju[247] vriteni ose vdisni në rrugë të Allahut,[248] falja dhe mëshira nga Allahu, padyshim se janë më të mira nga ajo që grumbullojnë ata.[249]

-70-

———————————————————-

[221] Besimtarët e sinqertë e të devotshëm dhe jo hipokritët e të pështjelluarit, sepse siguria e përgjumja nuk i vjen atij që është i frikësuar e në ankth, siç janë hipokritët e të pështjelluarit në çështjen e tyre.

[222] Kishin frikë nga vdekja.

[223] Ashtu si mendonin idhujtarët e kohës së injorancës, duke dyshuar tek Allahu dhe te profetësia e Pejgamberit të Tij, dhe duke menduar se Allahu e la në baltë Pejgamberin e Tij dhe ngriti mohuesit mbi të.

[224] Me kuptimin se nuk kemi triumfuar ashtu si na është premtuar nga Allahu dhe nga i Dërguari i Tij; duke menduar keq për Allahun dhe duke hedhur dyshime në çështjen e fesë së Tij. Ata mendoni se Allahu nuk do ta përmbushte çështjen e të Dërguarit të Tij dhe se humbja në Uhud do të ishte asgjësimi i pakthyeshëm i fesë së Allahut!

[225] Të gjitha çështjet ndodhin me paracaktimin e Allahut dhe me Vullnetin e Tij, dhe në fund, fitorja do të jetë e miqve të Allahut dhe atyre që i binden Atij, edhe nëse u ndodh ajo që u ndodhi në Uhud.

[226] Ajo që ata fshehnin ishte fjala në vazhdim.

[227] Sikur të na merrej mendimi dhe të na dëgjohej fjala në lidhje me daljen tek armiku, në Uhud.

[228] Nuk do të dilnim të luftonim ata që luftuam e na vranë në Uhud.

[229] Dhe të mos kishit dalë për të luftuar bashkë me besimtarët, gjë e cila do t’u zbulonte besimtarëve hipokrizinë tuaj.

[230] Atyre që u ishte caktuar vrasja, do t’u shfaqej vendi ku do të vdisnin dhe do të dilnin nga shtëpitë e tyre e do të shkonin te vendi ku u ishte caktuar të vdisnin.

[231] Për të nxjerrë në pah atë që fshihni në gjokse, o ju hipokritë,që besimtarët ta shohin hapur hipokrizinë tuaj.

[232] Në mënyrë që besimtarëve t’u bëhet e qartë ajo që fshehni në zemrat tuaja prej armiqësisë dhe urrejtjes për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe vetë ata.

[233] Dhe nga dija e urtësia e Tij absolute është se Ai ka caktuar shkaqe dhe mjete me anë të të cilave shfaqen ato që fshihen në gjokse dhe gjërat e fshehta të njerëzve.

[234] Ata që dezertuan nga fronti me armikun.

[235] Në luftën e Uhudit.

[236] Në gabim dhe në thyerje të urdhrit të Pejgamberit.

[237] Dhe nuk i dënoi për gabimet e tyre, përndryshe do t’i kishte shuar të gjithë në Uhud.

[238] Allahu i mbulon gjynahet e atyre që i besojnë Atij dhe të Dërguarit të Tij, dhe nuk i dënon për to.

[239] Nuk e nxiton ndëshkimin për ata që e thyejnë Urdhrin e Tij.

[240] Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[241] Mohues si ata.

[242] Për tregti.

[243] Këtë fjalë të tyre dhe këtë bindje të gabuar.

[244] Ankth e mërzitje, për shkak se ata e injoronin faktin se e gjithë kjo çështje është në Dorë të Allahut. Allahu e ka në dorë marrjen e shpirtrave të krijesave të Tij dhe për secilën krijesë Ai ka vendosur afat të caktuar vdekje e mbarimi.

[245] Kur të dojë dhe kujt të dojë prej krijesave të Tij. Vdekja është vetëm në dorë të Allahut dhe të askujt tjetër, prandaj mos ngurroni të shkoni të luftoni në rrugë të Allahut dhe duroni në luftën kundër armikut, edhe nëse numri juaj është i vogël dhe ai i armikut është i madh, sepse askush prej jush nuk ka për t’u vrarë dhe as për të vdekur, veçse pasi t’i mbarojë afati i jetës dhe t’i vijë vdekja. Edhe nëse dikujt prej jush i vjen vdekja dhe vritet në luftë, ju mos u trishtoni dhe mos u dobësoni përpara armikut, sepse atij i ka qenë e caktuar vdekja, prandaj vazhdoni të luftoni me trimëri dhe guxim.

[246] Qoftë e mirë apo e keqe, prandaj frikësojuni Atij, o besimtarë, sepse Ai i regjistron të gjitha këto për t’ua treguar juve në ditën e gjykimit, dhe për t’ju shpërblyer sipas tyre.

[247] O robët e Mi besimtarë!

[248] Kjo është me caktimin e Allahut, prandaj mos t’ju futet aspak dyshim se të gjitha çështjet janë në Dorë të Allahut, dhe se jeta e vdekja janë çështje që i përkasin Allahut, ashtu si dyshuan hipokritët në këto gjëra, por përpiquni me të gjitha forcat në rrugë të Allahut dhe luftoni armiqtë e Allahut, duke qenë të bindur se nuk ka për t’u vrarë në luftë dhe as për të vdekur në udhëtim, veçse ai që e ka plotësuar afatin dhe i ka ardhur vdekja.

[249] Falja e gjynaheve nga Allahu dhe Mëshira e Tij për ju, është më e mirë se të gjitha zbukurimet e dynjasë që grumbullojnë ata të cilët nuk dalin në rrugë të Allahut dhe nuk i luftojnë armiqtë e Allahut, përderisa ju e bëni këtë për Hir të Allahut dhe në rrugë të Tij.

158. Edhe nëse vdisni apo vriteni, ju tek Allahu do të tuboheni.[250]

159. Në saje të mëshirës nga Allahu, ti (o Muhamed) u solle butë me ta.[251] E, sikur të kishe qenë i vrazhdë e zemërgur,[252] ata do të largoheshin prej teje.[253] Prandaj falua atyre gabimin,[254] kërkoi falje Allahut për ta dhe konsultohu me ta për çështjet.[255] Dhe kur të vendosësh për diçka,[256] mbështetju Allahut.[257] Vërtet, Allahu i do ata që i mbështeten Atij.[258]

160. Nëse ju ndihmon Allahu,[259] s’ka kush t’ju mposhtë[260] e, nëse ju lë[261], atëherë kush është ai që mund t’ju ndihmojë pas Tij?![262] Pra, vetëm Allahut t’i mbështeten besimtarët.[263]

161. Asnjë pejgamberi nuk i takon të përvetësojë pandershmërisht asgjë nga plaçka e luftës,[264] dhe kushdo që e bën këtë, do të vijë bashkë me atë që ka marrë pandershmërisht në ditën e Kiametit,[265] pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka fituar[266] dhe atyre nuk do t’u bëhet padrejtësi.[267]

162. Vallë, a mund të jetë ai që kërkon kënaqësinë e Allahut[268] njësoj si ai që ka tërhequr zemërimin e Allahut[269] dhe vendi i të cilit është xhehenemi, përfundimi më i keq?![270]

163. Ata kanë shkallë të ndryshme tek Allahu[271] dhe Allahu sheh gjithçka që ata veprojnë.[272]

164. Vërtet, Allahu u dha besimtarëve mirësi të madhe kur u dërgoi një të dërguar[273] nga gjiri i tyre,[274] i cili u lexon ajetet[275] e Tij, i pastron[276] dhe u mëson Librin[277] e urtësinë[278], edhe pse më parë ata ishin në humbje të sigurt.[279]

165. Vallë, kur ju goditi një e keqe,[280] ndërkohë që kishit fituar sa dyfishi i saj më parë[281], thatë: “Prej nga na erdhi kjo?” Thuaju (o Muhamed): “Ajo u erdhi nga vetja juaj[282].” Vërtet, Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[283]

-71-

——————————————————

[250] Kthimi i të gjitha krijesave është tek Allahu dhe Ai do i shpërblejë sipas veprave që kanë bërë në dynja, prandaj garoni të vriteni apo të vdisni në rrugë të Allahut, sepse kjo është më e mira për ju.

[251] Me ndjekësit dhe shokët e tu, të cilëve u pëlqyen moralet dhe sjelljet e tua. Edhe nëse dikush prej tyre të mundonte apo të dëmtonte, ti e duroje dhe përmbaheshe në të gjitha rastet, përveç nëse bëhej fjalë për shkeljen e ligjeve të Allahut.

[252] I pamoralshëm dhe i pamëshirshëm.

[253] Dhe nuk do të ndiqnin ty dhe as atë që t’u shpall, por Allahu i mëshiroi ata dhe ty bashkë me ta, dhe ti në saje të mëshirës së Allahut ishe i butë me ta.

[254] Dëmtimin apo mundimin që të shkaktojnë ty, o Muhamed, shokët dhe ndjekësit e tu.

[255] Që kanë nevojë për konsultim dhe diskutim, sepse konsultimi ka dobi të panumërta për të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër, siç është: afrimi tek Allahu me zbatimin e këtij urdhri të Tij, kënaqja e të gjithëve me marrjen e mendimit të secilit dhe eliminimi i cytjeve e mendimeve që fut shejtani në zemrat e njerëzve në raste të ndryshme lufte, apo në ndodhi të tjera, zhvillimi dhe zbardhja e mendimeve pas vrasjes së mendjes nga të gjithë pjesëmarrësit, përfundimi i dhe vendimi i marrë pas konsultimit është më i qëlluar dhe më i saktë se vendimi i marrë nga një mendje e vetme. Sigurisht që Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) i vinte shpallja nga Allahu dhe nuk kishte nevojë për marrjen e mendimit të njerëzve, por Allahu kërkon me këtë gjë që të vendosë rregulla dhe të mësojë muslimanët se si të veprojnë pas vdekjes së Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) dhe pas ndërpritjes së shpalljes nga qielli.

[256] Pas konsultimit dhe marrjes së mendimeve.

[257] Mbështetu te fuqia e Allahut dhe vullneti i Tij dhe jo te fuqia dhe vullneti yt, dhe zbato atë që vendose pas konsultimit, ashtu si të urdhëruam Ne. Mbështetju Allahu në të gjitha çështjet.

[258] Ata të cilët janë të kënaqur me caktimin e Allahut dhe i dorëzohen gjykimit të Tij, u pëlqen apo nuk u pëlqen atyre dhe dëshirave të tyre.

[259] O ju besimtarë, kundër atyre që ju luftojnë prej armiqve tuaj dhe të Allahut.

[260] Askush prej njerëzve nuk mund t’ju mposhtë e t’ju mundë kur ju keni ndihmën e Allahut, edhe sikur të bashkohen nga të gjitha anët e botës, prandaj mos u trembni nga numri i madh i armiqve të Allahut përballë numrit tuaj të vogël.

[261] Nëse ju braktis dhe ju lë të mbështeteni në forcat tuaja për shkak të thyerjes së urdhrit të Tij dhe lënien e bindjes ndaj Tij.

[262] Askush! Por edhe nëse ju ndihmojnë të gjitha krijesat, por ju braktis Allahu, ju do të humbni, prandaj mos e lini bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[263] Dhe askujt tjetër, sepse Allahu është i Vetmi Ndihmues dhe mbështetja tek Ai është Njësim i Tij, kurse mbështetja tek ndokush tjetër përveç Tij është idhujtari dhe shokvënie Allahut. Sigurisht që grada e mbështetjes së Allahut është në varësi të besimit të njeriut.

[264] Nuk është cilësi e pejgamberëve që të vjedhin, të fshehin e të marrin me hile diçka prej plaçkës së luftës apo pasurisë së muslimanëve, dhe kush e bën këtë gjë, nuk është kurrësesi pejgamber, sepse vjedhja dhe marrja në mënyrë të pandershme e pasurisë së njerëzve është nga gjynahet e mëdha dhe nga veprat më të pandershme.

[265] Kur të tubohen të gjitha krijesat para Allahut dhe të presin gjyqin e madh.

[266] Shpërblimi apo ndëshkimi për veprat që ka bërë në dynja.

[267] Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi aspak. Askujt nuk do t’i shtohen të këqiat apo t’i pakësohen të mirat.

[268] Ai që i largohet fshehjes së plaçkës së luftës, marrjes së pasurisë së njerëzve në mënyrë të pandershme dhe të gjitha ndalesave të Allahut, duke vepruar në bindje ndaj Allahut, në kërkim të kënaqësisë së Allahut dhe fitores me xhenetin e Tij.

[269] Me veprat e tij të paligjshme e të pandershme, për të cilat meriton banesën e xhehenemit.

[270] Ata nuk mund të krahasohen kurrë.

[271] Ai që kërkon kënaqësinë e Allahut do të ketë vend nderi dhe shpërblim të madh, kurse ai që tërheq zemërimin e Allahut, do të ketë përçmin dhe dënimtë dhembshëm.

[272] Allahu e di se çfarë veprojnë ata që i binden Atij dhe ata që e thyejnë urdhrin e Tij, dhe Atij nuk i shpëton asgjë nga veprat e tyre, por ua shënon secilit grup veprat që bën për t’u dhënë shpërblimi që meritojnë, në botën tjetër.

[273] Mirësia më e madhe që Allahu u ka dhuruar robëve të Tij është pikërisht ky Pejgamber, Muhamedi, me dërgimin e të cilit, Allahu i shpëtoi njerëzit nga humbja e sigurtë dhe i ruajti nga shkatërrimi.

[274] Të cilit ja dinin prejardhjen, fisin, cilësitë e gjuhën, sepse ai ishte nga vetë gjiri i tyre dhe u donte të mirën atyre, i këshillonte, u lexonte ajetet e Allahut dhe u mësonte kuptimet dhe domethëniet e tyre.

[275] Vargjet e Librit dhe shpalljes së Allahut.

[276] Nga idhujtaria, gjynahet dhe të gjitha veprat e ulëta e të pandershme.

[277] Kuranin, komentimin dhe domethëniet e tij.

[278] Sunetin, traditën pejgamberike, njohjen në detaje të legjislacionit Islam, vendosjen e gjërave në vendin që u takon.

[279] Edhe pse para dërgimit të Muhamedit, ata nuk e njihnin rrugën që të shpinte te Zoti i tyre dhe as si të pastroheshin nga gjynahet e tyre.

[280] Humbjet dhe plagët që morën në Uhud.

[281] Në luftën e Bedrit, ku muslimanët vranë 70 prej idhujtarëve dhe morën rob 70 të tjerë.

[282] Për shkak të thyerjes së urdhrit tim dhe mosbindjes ndaj meje, dhe nga askush tjetër përveç jush.

[283] Allahu ka fuqi të dënojë kë të dojë prej krijesave të Tij dhe t’ia falë dënimin kujt të dojë prej tyre.

166. Ajo që ju gjeti atë ditë[1], kur u ndeshën dy ushtritë, ishte me lejen e Allahut,[2] për t’u dalluar besimtarët e vërtetë,

167. dhe për t’u dalluar ata që ishin hipokritë. Atyre (hipokritëve) iu thuhej: “Ejani të luftoni në rrugën e Allahut[3] ose të paktën, të mbroheni![4]” Ata thanë: “Sikur ta dinim se do bëhej luftë, sigurisht që do ju pasonim.[5]” Por atë ditë, ata ishin më pranë mohimit se sa besimit, sepse me gjuhët e tyre thoshin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre.[6] Por Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.[7]

168. Atyre që nuk shkuan në luftë dhe që thanë për vëllezërit e vet: “Sikur të na kishin dëgjuar ne, nuk do të ishin vrarë”, thuaju: “Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse thoni të vërtetën!”[8]

169. Kurrsesi mos i quani të vdekur[9] ata që janë vrarë në rrugë të Allahut[10]. Përkundrazi, ata janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.[11]

170. Të gëzuar për atë që u ka dhënë Allahu nga të mirat e Tij,[12] dhe njoftohen me lajmin e gëzuar se as për ata që do të vijnë pas tyre,[13] por që ende nuk janë bashkuar me ta[14], nuk do ketë frikë[15] dhe as nuk do të pikëllohen.[16]

171. Gëzohen[17] me dhurëtinë dhe mirësinë e Allahut,[18] dhe se Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.[19]

172. Atyre të cilët[20] iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit edhe pse kishin marrë plagë të rënda,[21] për ata që vepruan mirë prej tyre dhe që iu frikësuan Allahut, do të ketë shpërblim të madh.[22]

173. Atyre të cilëve[23] njerëzit[24] u thanë: “Njerëzit[25] janë mbledhur për t’ju luftuar ju, prandaj frikësohuni!”[26] Por kjo ua shtoi edhe më shumë besimin[27] atyre dhe ata[28] thanë: “Neve na mjafton Allahu e, Ai është Mbrojtësi më i mirë!”[29]

-72-

—————————————————
[1] Ditën e luftës së Uhudit.

[2] Me caktimin e Allahut për ju, i cili nuk mund të kthehej mbrapsht, dhe nëse diçka e caktuar nga Allahu ndodh, nuk ka rrugë tjetër veçse ta pranosh dhe t’i nënshtrohesh asaj. Sigurisht që Allahu e caktoi këtë humbje në Uhud për muslimanët, për shumë e shumë dobi e mësime që u bënin dobi atyre si dhe për t’u dalluar hipokritët nga besimtarët.

[3] Për të mbrotjur fenë e Allahut dhe për të arritur kënaqësinë e Allahut.

[4] Të mbroni familjet, pasuritë dhe vendin tuaj.

[5] Por ne mendonin se nuk kishte për të ndodhur luftim mes jush dhe ushtrisë armike, prandaj u kthyem –edhe pse e dinin shumë mirë se do të zhvillohej luftë. Këtu hipokritët shfaqën atë që fshihnin në zemrat e tyre prej hipokrizisë dhe shprehën me gjuhën e tyre të kundërtën e asaj që fshihnin prej armiqësisë së Pejgamberit dhe besimtarëve.

[6] Kjo është veçoria e hipokritëve: thonë me gjuhët e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre.

[7] Dhe ua shfaq atë robërve të Tij besimtarë, si dhe i dënon për atë që fshehin.

[8] Kur thoni se sikur t’ju dëgjonin ju nuk do të ishin vrarë. Por ata nuk munden kurrë ta prapësojnë vdekjen nga vetja e tyre, por e thonë këtë fjalë për të bashkuar mes dezertimit nga xhihadi dhe përgënjeshtrimit e kundërshtimit të caktimit të Allahut dhe përmbushjes së caktimit të Tij. Në këto ajete kuptohet se njeriu mund të ketë në vete degë prej degëve të besimit dhe degë prej degëve të mohimit, dhe nga njëra prej tyre mund të jetë më afër se nga tjetra.

[9] Që nuk ndiejnë e nuk shijojnë gjë.

[10] Në luftën e Uhudit dhe në çdo luftë tjetër.

[11] Në banesën e nderimit të Tij, në gradë të larta dhe pranë Zotit të tyre.

[12] Të shumta, të mëdha e me shije të përsosur. Allahu u ka dhënë atyre të mira fizike, siç është ushqyerja, dhe shpirtërore, siç është gëzimi i lumturia.

[13] Prej vëllezërve të tyre besimtarë që i kanë lënë të gjallë në jetën e dynjasë.

[14] Ende nuk janë vrarë në rrugë të Allahut, por pritet të vriten në të dhe të bashkohen me ta, e të shijojnë të mirat e Zotit të tyre.

[15] Nga dënimi i Allahut. Do të qetësohen nga ajo frikë që kishin në dynja prej dënimit të Allahut.

[16] Nuk do të mërziten për atë që kanë lënë pas në dynja.

[17] Gëzohen dhe përgëzojnë njëri-tjetrin.

[18] Të mirat e pafundme që u ka dhënë Allahu dhe shpërblimin e madh për bindjen e tyre ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, si dhe për luftën kundër armiqve të Allahut.

[19] Për veprat që kanë bërë, por përkundrazi, ua shumëfishon atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij.

[20] Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve, atyre të cilët…

[21] Pasi ushtria muslimane u kthye nga Uhudi në Medine, dëgjuan se Ebu Sufjani me ushtrinë idhujtare do të sulmonin Medinen. Atëherë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), urdhëroi shokët e tij që t’u dalin atyre, dhe ata iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Pejgamberit, megjithëse kishin marrë plagë të rënda në Uhud, dhe të nesërmen mbërritën në vendin e quajtur “Hamraul esed”. Aty u erdhën disa njerëz, të porositur nga Ebu Sufjani, që t’u jepnin lajme për t’i trembur nga armiku.

[22] Tek Allahu në ditën e Kiametit, për veprat që kanë bërë në dynja.

[23] Edhe kjo fjali lidhet me fjalinë: “Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve”, dhe vazhdon: Atyre të cilëve njerëzit u thanë …

[24] Disa njerëz të zonave përreth, të porositur nga Ebu Sufjani, me qëllim që frikësonin muslimanët.

[25] Ebu Sufjani me ushtrinë kurashite që luftuan në Uhud.

[26] Ruajuni ballafaqimit me ta, sepse ju nuk mund t’u dilni para atyre dhe nuk mund t’u bëni ball.

[27] Tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe tek premtimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij.

[28] Të vendosur e të bindur në rrugën drejt arritjes së Kënaqësisë së Allahut, me besim tek Allahu dhe të mbështetur tek Ai.

[29] Duke ia dorëzuar kështu çështjen Allahut, i Cili i rregullon më së miri çështjet e robërve të Tij.

174. Ata u kthyen[30] me dhurëtinë e Allahut dhe mirësinë e Tij,[31] nuk i preku asnjë e keqe[32] dhe ndoqën kënaqësinë e Allahut.[33] Allahu është Zotëruesi i mirësive të mëdha.

175. Por ai[34] është vetëm djalli, i cili ju frikëson me ithtarët e vet,[35] por ju mos iu frikësoni atyre, por të më frikësoheni vetëm Mua,[36] nëse jeni besimtarë[37]!

176. Mos të të brengosin ata që nxitojnë në mohim,[38] sepse ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak. Allahu do që të mos u ndajë hise atyre[39] në botën tjetër, dhe ata do të kenë dënim të madh.[40]

177. Padyshim se ata të cilët e këmbejnë besimin me mohimin,[41] nuk do i bëjnë kurrfarë dëmi Allahut[42] dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm.

178. Ata që mohojnë[43], të mos mendojnë se jeta që Ne u zgjasim është mirë për ta. Përkundrazi, Ne ua zgjasim jetën që t’u shtohen gjynahet, dhe ata do të kenë dënim poshtërues.[44]

179. Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju[45], deri sa të dallojë të keqin[46] nga i miri[47]. Allahu nuk ua tregon të fshehtën,[48] por Allahu zgjedh kë të dojë prej të dërguarve të Tij.[49] Pra, besoni Allahun dhe të dërguarit e Tij e, nëse besoni dhe ruheni[50], ju do të keni shpërblim të madh.

180. Ata të cilët bëjnë kopraci me të mirat që u ka dhënë Allahu,[51] të mos mendojnë se ajo (kopracia) është më mirë për ta![52] Përkundrazi, ajo është më keq për ta[53]! Ajo që grumbulluan nga kopracia, do t’u mbështillet atyre në qafë ditën e Kiametit.[54] Vetëm Allahut i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës[55] dhe Allahu njeh mirë gjithçka që veproni ju.[56]

-73-

——————————————————–

[30] Nga “Hamraul Esed” ku gjurmonin armikun, me shëndet të plotë, pa u ndeshur me të, madje Allahu futi tmerr në zemrat e armiqve kur dëgjuan se Muhamedi dhe ushtria e tij kishin dalë në kërkim të tyre, dhe morën të kthehen menjëherë në Meke.

[31] Allahu u dha sukses besimtarëve si dhe shpërblim të madh për shkak të veprës së mirë të tyre kur iu bindën Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe për ruatjen e tyre nga shkelja e urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[32] Nga armiku, në këtë ngjarje.

[33] E kënaqën Allahun me këtë vepër që vepruan: me pasimin e Pejgamberit dhe zbatimin e urdhrit të tij për të shkuar në gjurmim të armikut.

[34] Ai që ju tha juve, o besimtarë: “Njerëzit janë mbledhur për t’ju luftuar, prandaj frikësohuni!”, është shejtani, por me gjuhën e atyre që ua thanë këtë prej ithtarëve të tij idhujtarë, Ebu Sufjanit me shokë, me qëllim që t’ju frikësojnë dhe të trembeni prej tyre.

[35] Shejtani kërkon të frikësojë besimtarët me anë të ithtarëve të tij mohues e idhujtarë.

[36] Ky ajet tregon detyrueshmërinë e frikës vetëm ndaj Allahut dhe askujt tjetër, dhe se frika ndaj Allahut është nga përbërësit themelorë të besimit; në varësi të gradës së besimit që ka njeriu, është edhe frika e tij nga Allahu, e cila do të thotë: ruajtja dhe largimi nga ndalesat e Allahut.

[37] Nëse vërtetë më besoni Mua, të Dërguarin Tim dhe atë që i është shpallur atij prej Meje.

[38] Mos të të brengosë, o Muhamed, mohimi i atyre që nxitojnë në mohim dhe e lënë fenë prej hipokritëve, sepse nxitimi i tyre në mohim nuk e dëmton aspak Allahun, ashtu si edhe nxitimi në besim nuk i sjell ndonjë dobi Allahut, por të gjitha këto i kthehen njeriut.

[39] Që nxitojnë në mohim.

[40] Jo vetëm që nuk do të kenë hise në të mirat dhe begatitë e Allahut, por do të kenë dënim të madh në zjarrin e xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

[41] Bëhet fjalë për hipokritët, të cilët nxitojnë në mohim dhe dalin nga besimi pasi hynë në të, dhe janë të kënaqur me mohimin e Allahut dhe të dërguarit të Tij, në këmbim të besimit.

[42] Por do t’i bëjnë dëm vetes së tyre, duke i shkaktuar asaj dënim të dhembshëm e të përhershëm në xhehenem.

[43] Allahun, të Dërguarin e Tij dhe shpalljet e Allahut.

[44] Allahu ia shtyn afatin zullumqarit, me qëllim që të shtohet sa më shumë tirania e tij dhe të thellohet mohimi i tij, por pastaj e kap atë me kapjen e të Plotëfuqishmit. Prandaj, të kenë kujdes ata që bëjnë padrejtësi nga shtyrja e afatit dhe të mos mendojnë se do i shpëtojnë të Madhërishmit, më të Lartit!

[45] Prej përzierjes dhe mosdallimit mes besimtarëve nga hipokritëve.

[46] Hipokritin, i cili e fsheh mohimin dhe shfaq besimin.

[47] Besimtari i sinqertë e i devotshëm, i cili është provuar me vështirësi e sprova, si në luftën e Uhudit, dhe i ka kaluar me sukses ato, duke qëndruar i vendosur në besim, me mirësinë e Allahut dhe suksesin nga Ai.

[48] Nuk është nga urtësia e Allahut që t’ua tregojë njerëzve se çfarë fshehin të tjerët në zemrat e tyre, dhe nuk është nga urtësia e Tij që të zbulojë atë që fshihet në zemrat e besimtarëve e të hipokritëve, por urtësia e Allahut është që të sprovojë robët e Vet dhe nga sprova të dallohen dhe të njihen besimtarët e vërtetë nga hipokritët dhe mohuesit.

[49] Dhe i tregon atij diçka prej asaj që fshehin zemrat e disave prej robërve të Tij, me shpalljen e Tij.

[50] Nga Allahu, duke ju bindur Atij në çdo gjë që ju urdhëron apo ju ndalon i Dërguari i Tij, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

[51] Duke mos e dhënë zekatin e detyrueshëm të pasurisë së tyre apo të dijes së tyre duke ua mësuar njerëzve, dhe për çdo të mirë që u ka dhënë Allahu.

[52] Tek Allahu.

[53] Në jetën e tyre materiale dhe fetare, në këtë botë dhe në botën tjetër.

[54] Ashtu si ka ardhur në një hadith të saktë nga Pejgamberi, ku thuhet: “Në ditën e Kiametit, pasuria e kopracit do të marrë formën e një gjarpëri helmues me dy dhëmbë të mëdhenj, i cili i mbështillet në qafë, pastaj i kap dorën me nofullat e tij dhe i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!” Pastaj Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) lexoi këtë ajet.” [E ka nxjerrë Buhariu, Muslimi, etj.]

[55] Allahu është Sunduesi dhe Zotëruesi i Vetëm i qiejve dhe i Tokës, dhe gjithçka do t’i kthehet Sunduesit të vet. Njerëzit do të kthehen tek Sunduesi i tyre pa asnjë lloj pasurie dhe pa asgjë tjetër, përveç veprave të tyre që kanë bërë në dynja.

[56] Dhe në varësi të veprave tuaja do t’u japë shpërblimi që meritoni, prandaj mos bëni kopraci, sepse kështu meritoni dënimin e Allahut, por jepni zekatin e pasurisë suaj, që të fitoni shpërblimin e madh tek Allahu.

181. Sigurisht që Allahu e ka dëgjuar fjalën e atyre[57] të cilët thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur.”[58] Ne do ta shënojnë atë që thanë ata, si edhe vrasjen e pejgamberëve nga ana e tyre pa asnjë të drejtë[59] dhe do t’u themi: “Shijoni dënimin e zjarrit!”[60]

182. Ky (dënim) është për shkak të asaj që vepruan duart tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Vet.[61]

183. Janë po ata të cilët[62] thanë: “Allahu na ka porositur[63] që të mos i besojmë asnjë të dërguari,[64] deri sa të na sjellë një kurban[65] që ta përpijë zjarri[66]!” Thuaju (o Muhamed): “Para meje ju kanë ardhur edhe të dërguar të tjerë me prova të qarta[67] dhe me ato që kërkuat[68]; atëherë, përse i vratë ata, nëse thoni të vërtetën[69]?”

184. Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty (o Muhamed), edhe para teje janë përgënjeshtruar të dërguar të tjerë,[70] ndonëse sollën prova të qarta[71], shkrime qiellore[72] dhe Librin e ndritur.[73]

185. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen,[74] dhe vetëm në ditën e Kiametit do t’i merrni plotësisht shpërblimet tuaja[75]; kushdo që largohet nga zjarri[76] dhe futet në Xhenet, ai ka fituar.[77] Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.[78]

186. Ju patjetër që do të sprovoheni në pasuritë[79] e në vetet tuaja[80], dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga ata, të cilëve u është dhënë Libri para jush,[81] si dhe nga idhujtarët, por nëse ju duroni[82] dhe ruheni[83], padyshim se këto janë nga çështjet që merren vendosmërisht.[84]

-74-

————————————————–

[57] Një grupi prej jehudëve, të cilët kur dëgjuan Fjalën e Allahut: “Kush ështe ai që i jep Allahut një hua të mirë…” [El Bekare, 245], thanë në mënyrë mendjemadhësie dhe kryelartësie këtë fjalë të shëmtuar, për t’iu shtuar veprave të tjera të tyre të shëmtuara, siç ishte vrasja e të dërguarve të Allahut.

[58] Përderisa Allahu kërkon hua nga njerëzit, Ai ka nevojë për krijesat e Tij dhe për pasuritë e tyre! Sa fjalë të shëmtuar shprehin me gjuhët e tyre! Allahu nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat e Tij kanë nevojë për Të, madje nuk mund të qëndrojnë dhe as të jetojnë pa Allahun. Kur Allahu u kërkon besimtarëve hua të mirë, Ai nuk u kërkon për Vete, sepse në fakt çdo gjë që zotërojnë njerëzit është pronë e Allahut, edhe vetë ata, por Allahu i urdhëron ata që të japin lëmoshë të varfërve dhe të shpenzojnë në rrugë të hajrit, në xhihad, etj. Por jehudët mohues nuk e kishin për gjë të shtonin edhe më shumë mohimin dhe arrogancën e tyre, megjithëse e dinin shumë mirë kuptimin e kësaj Fjale të Allahut.

[59] Me vetëdije dhe paramendim dhe jo nga padija, por nga arroganca dhe rebelizmi kundër Allahut.

[60] Djegës e përvëlues, i cili depërton trupin tejpërtej.

[61] Allahu nuk bën kurrë padrejtësi dhe Ai është i Pastër nga kjo gjë, por ata e meritojnë këtë dënim për shkak të veprave të tyre të shëmtuara me të cilat i kanë kaluar të gjitha kufijtë.

[62] Po ata të cilët thanë se Allahu është i varfër, thanë gjithashtu fjalën në vijim.

[63] Në Librat e Tij, apo në gjuhën e dërguarve të Tij tek ata. Kjo ishte një gënjeshtër dhe trillim i tyre, dhe jo vërtetë porosi e Allahut. Ata bashkuan mes gënjeshtrës ndaj Allahut dhe kufizimit të shenjave të të dërguarve në përmbajtjen e kësaj fjale të tyre.

[64] Të mos besojmë asnjë njeri i cili thotë se është i dërguar nga Allahu dhe të mos i bindemi atij.

[65] Kurban quhet kafsha që besimtari e therr për Hir të Allahut, apo çdo lëmoshë që ai jep me qëllim që të afrohet tek Allahu dhe arrijë kënaqësinë e Allahut.

[66] Në atë kohë, përpirja e kurbanit nga zjarri ishte argument dhe shenjë se Allahu e kishte pranuar atë kurban.

[67] Dhe argumentuese për profetësinë e tyre dhe se ata janë dërguar nga Allahu, argumente dhe prova të qarta e të prera, me shikimin dhe vërejtjen e të cilave beson njeriu normal dhe i logjikshëm.

[68] Me atë që pretenduat se do të besonit sikur të vinte me të, prej përpirjes së kurbanit nga zjarri.

[69] Kur thoni se Allahu ju ka porositur që të mos besoni asnjë të dërguar, pa ju sjellë kurban që ta përpijë zjarri! Allahu i tregon Pejgamberit të Tij, Muhamedit dhe besimtarëve, se jehudët nuk ngurrojnë të mohojnë ty dhe profetësinë tënde, megjithëse e dinë shumë mirë të vërtetën tënde, madje e kanë të shënuar në Librin e tyre, por ata janë mësuar tashmë me mohimin e të dërguarve të Allahut, madje edhe me vrasjen e disave prej tyre, kështu që mos u çudit dhe mos u mërzit me qëndrimin e tyre, sepse Allahu sheh dhe shënon gjithçka që veprojnë ata dhe ata do të marrin dënimin e merituar.

[70] Prandaj mos u trishto dhe mos u mërzit për përgënjeshtrimin dhe qëndrimin e tyre ndaj teje.

[71] Argumente e mrekulli të qarta e të prekshme për të gjithë njerëzit.

[72] Të cilat nuk mund t’i zbrisnin e t’i shpalleshin veçse pejgamberëve.

[73] Librin që zbardh të vërtetën dhe e sqaron atë. Është fjala për Teuratin e shpallur Musait dhe Inxhilin e shpallur Isait. Por jehudët e përgënjeshtruan Isain dhe atë që iu shpall atij, si dhe shtrembëruan atë që thuhej në Teurat për Muhamedin, dhe po kështu vepruan edhe të krishterët në lidhje me atë që thuhej në Inxhil për Muhamedin.

[74] Çdo gjë me shpirt do ta shijojë vdekjen: njerëzit, kafshët, xhinët, engjëjt. Prandaj, ti o Muhamed, dhe ju o besimtarë, mos u mërzisni me mohimin e mohuesve dhe të idhujtarëve, sepse që të gjithë do të vdesin dhe do të kthehen te Krijuesi i tyre, ku do të japin llogari për veprat e tyre dhe do të marrin dënimin e merituar.

[75] Për vëprat që keni bërë në dynja. Por ju do të merrni shpërblim për to që në dynja, si dhe në jetën e varrezave-barzah, por shpërblimin e plotë do ta merrni në ditën e Kiametit.

[76] Kushdo, të cilin Allahu e largon nga zjarri dhe e fut në xhenet.

[77] Ai ka shpëtuar nga dënimi i madh dhe ka fituar fitoren e madhe, të përgatitur nga Allahu për robët e Tij besimtarë.

[78] Jo reale, e paqëndrueshme, e pavlerë, e pakët, prandaj mos u mashtroni nga kënaqësitë mashtruese të dynjasë, të cilën do ta lini shumë shpejt, dhe të harroni botën tjetër dhe punën për botën tjetër, ku do të qëndroni përgjithmonë!

[79] Me humbjen e pasurisë apo të një pjese të saj, ose me kuptimin se do të urdhëroheni të jepni zekat dhe lëmosh nga pasuritë tuaja, për t’u sprovuar nëse doni më shumë pasurinë apo Allahun, këtë botë apo botën tjetër.

[80] Me humbjen e të afërmve e miqve tuaj, ose me kuptimin se do të mundoheni me kryerjen e obligimeve të ngarkuara nga Allahu, nga të cilat edhe lufta në rrugë të Allahut ku mund të humbi edhe jetën tuaj, me sëmundjet që mund t’ju zënë, etj.

[81] Jehudët e të krishterët, prej fyerjeve të të cilëve ishin fjalët e tyre: “Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!”, “Allahu është dorështrënguar!”, “Mesihu Isa është biri i Allahut”, etj.

[82] Duke ju përmbajtur ligjeve të Allahut në marrëdhëniet me ta.

[83] I ruheni Allahut dhe keni frikë Atë në çdo gjë që ju ka urdhëruar e ndaluar, duke vepruar në bindje ndaj Tij.

[84] Nga çështjet e mëdha për të cilat garohet, por nuk arrihen veçse nga njerëzit e vendosur dhe me vullnet të fortë.

187. Kujto (o Muhamed) kur Allahu u mori besën atyre që u është dhënë Libri: do t’ua sqaroni atë[85] njerëzve dhe nuk do ta fshehni atë.[86] Por ata e hodhën pas shpine atë[87] dhe e këmbyen me një vlerë të vogël.[88] Nuk ka më të shëmtuar se ajo që marrin në këmbim![89]

188. Mos mendo (o Muhamed) se ata[90] që gëzohen për atë që kanë bërë[91] dhe dëshirojnë të lavdërohen për atë që nuk e kanë bërë, assesi mos mendo se ata do t’i shpëtojnë ndëshkimit[92] dhe ata do të kenë ndëshkim të dhembshëm.[93]

189. Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.[94] Allahu është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[95]

190. Me të vërtetë, në krijimin e qiejve e të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka prova për njerëzit me mend.[96]

191. Ata të cilët e përmendin Allahun duke qenë në këmbë, ulur e shtrirë[97] dhe që meditojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës[98]: “Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kotë këto,[99] i Pastër nga çdo e metë je Ti![100] Na ruaj nga dënimi i zjarrit![101]

192. Zoti ynë! Këdo që Ti fut në zjarr,[102] e ke poshtëruar[103] atë, dhe për të padrejtët[104] nuk do të ketë asnjë ndihmues.[105]

193. Zoti ynë! Ne dëgjuam një thirrës[106] që na ftonte në besim[107] duke thënë: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe ne besuam. Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona (të mëdha), na i shlyej të këqiat tona[108] dhe na bëj që të vdesim në numrin e të mirëve![109]

194. Zoti ynë! Na e jep atë që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu[110] dhe mos na poshtëro në ditën e Kiametit![111] Me të vërtetë, Ti nuk e shkel premtimin e dhënë!”

-75-

——————————————————

[85] Është fjala për Teuratin dhe Inxhilin.

[86] Nuk do të fshehni asgjë prej tij, por do t’ua sqaroni dhe do t’ua mësoni njerëzve ashtu si ka zbritur dhe pa i ndryshuar kuptimin. As të mos fshehin profetësinë e Muhamedit, të cilin e gjejnë të shënuar në librin që kanë para duarve, sepse ai është vërtet i Dërguari i Allahut, i dërguar me të vërtetën.

[87] Besën e dhënë Allahut dhe urdhrin e Tij: e fshehën çështjen e Muhamedit dhe e përgënjeshtruan atë, duke qenë se e dinin mirë të vërtetën.

[88] E fshehën çështjen e Muhamedit dhe fjalën që thuhej për të në Librin e tyre për një fitim të pavlerë e të pakët nga të mirat e dynjasë, prej pasurisë e pushtetit.

[89] Kur fshehin të vërtetën dhe nuk ua sqarojnë njerëzve atë, ata lënë më të mirën e më të lartën, lumturinë e përhershme dhe të mirat e dynjasë e të fesë dhe zgjedhin më të shëmtuarën e më të fëlliqurën.

[90] Ithtarë të Librit.

[91] Duke ua fshehur njerëzve çështjen tënde, o Muhamed, që ti je i dërguari i Allahut me të vërtetën, gjë të cilën ata e gjejnë të shënuar në Librat e tyre dhe për këtë Allahu u mori besën atyre e ata, megjithëse e thyen besën e tyre dhe thyen urdhrin e Allahut, gëzohen me këtë vepër, madje duan që të lavdërohen nga njerëzit se gjoja janë njerëz të devotshëm ndaj Allahut, adhurues të mëdhenj të Tij, ndjekës të shpalljeve të Tij, kurse realiteti është krejt ndryshe.

[92] Të përgatitur nga Allahu për armiqtë e Tij në dynja, siç është fundosja në tokë, shndërrimi në majmuna e derra, vrasja, tërmeti, etj.

[93] Në botën tjetër, përveç atij që kanë në dynja.

[94] Dhe jo ashtu si thonë ata arrogantë prej çifutëve, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur.

[95] Dhe i dënon kur të dojë dhe si të dojë ata që e thonë këtë fjalë, se Allahu është i varfër e ne jemi të pasur, si dhe thonë fjalë apo bëjnë vepra të tjera në thyerje të urdhrit të Allahut.

[96] Provat e Allahut ekzistojnë dhe duken qartë në gjithçka që na rrethon, në të gjithë krijimin e Allahut, duke filluar që nga vetë trupi i njeriut e derei në dukuritë natyrore madhështore që Allahu ka krijuar e përsosur, por ato nuk i dallojnë veçse njerëzit që kanë arsye dhe logjikë të shëndoshë, ata të cilët kërkojnë të vërtetën dhe meditojnë në krijimin e qiejve e të tokës. E gjithë kjo tregon për lidhjen e zemrës me Krijuesin e saj dhe dhënien e mundit për arritjen e kënaqësisë së Tij.

[97] Që e përmendim Allahun në çdo gjendje, me gojë e me zemër, në namaz e jashtë namazit.

[98] Dhe e dijnë se ato nuk mund të jenë krijuar vetvetiu dhe as rastësisht, por ato kanë Krijuesin e tyre Madhështor, i Cili zotëron të gjitha atributet dhe cilësitë absolute, dhe është larg dhe i pastër nga çdo e metë apo cilësi negative. Allahu është Ai i Cili i ka krijuar, i ka sistemuar, i mban dhe i drejton të gjitha krijesat e Tij, dhe ato nuk mund të qëndrojnë pa Të. Nga ky ajet kuptojmë gjithashtu se meditimi në krijesat e Allahut është adhurim ndaj Allahut dhe cilësi e adhuruesve të ditur të Allahut dhe miqve të Tij.

[99] Të gjitha krijesat e Tij në tokë e në gjithësi.

[100] Larg çdo të mete që nuk i përshtatet Madhështisë Tënde, je Ti, o Zoti ynë! Ti e ke krijuar gjithçka me qëllim, me të vërtetën dhe për të vërtetën. Ky krijim madhështor patjetër që tregon dhe argumenton për madhështinë e Krijuesit të tij të Plotëfuqishëm.

[101] Na ruaj nga veprat e këqija dhe na jep sukses për kryerjen e veprave të mira, që të shpëtojmë nga dënimi Yt në zjarr, sepse padyshim se dënimi Yt do të jetë i madh dhe i dhembshëm, e Ti je i Plotëfuqishëm për gjithçka! Ne nuk mund të na shpëtojë nga dënimi Yt askush tjetër përveç Teje, prandaj na ruaj nga dënimi i zjarrit dhe na fut në xhenetin Tënd!

[102] Për atë që ka merituar.

[103] E ke poshtëruar me futjen në zjarr, i ke hequr cipën, i ke zbuluar gabimet dhe të metat që ka pasur në dynja, e ke turpëruar në sy të të gjitha krijesave.

[104] Ata të cilët kundërshtojnë urdhrin e Allahut dhe shkelin ndalesat e Tij.

[105] Që t’i shpëtojë nga dënimi i Allahut.

[106] Kuranin, ose të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), megjithëse Kurani është më përfshirës në këtë rast, për shkak se atë e kanë dëgjuar dhe besuar edhe shumë breza të tjerë pas Muhamedit, kurse Muhamedin nuk e ka dëgjuar drejtpërdrejtë veçse shokët e tij.

[107] Që të besojmë Ty, të njësojmë Ty, të ndjekim të Dërguarin Tënd, Muhamedin, dhe t’i bindemi atij në ato që na urdhëron e na ndalon, prej atyre që i janë shpallur prej Teje.

[108] Gjynahet e vogla.

[109] Kur të na vdesësh, na bëj që të vdesim ashtu si të mirët, na llogarit prej tyre, na bashko me ta dhe na ngjall bashkë me ta në ditën e Kiametit! Kjo lutje përmban suksesin për kryerjen e veprave të mira dhe largimin nga të këqiat, gjë me të cilën njeriu arrin të bëhet prej të mirëve, si dhe qëndrueshmërinë në këtë gjë deri në vdekje.

[110] Fitoren kundër armiqve tanë dhe të Tu. Na e shpejto ndihmën Tënde kundër tyre.

[111] Me gjynahet tona që kemi bërë në dynja, por na i fal dhe na i shlyej ato!

195. Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin[112] askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në gjykim).[113] Atyre që emigruan[114], u dëbuan nga shtëpitë e tyre[115], u munduan në rrugën Time[116], luftuan[117] dhe u vranë[118], Unë do t’ua shlyej të këqiat që kanë bërë[119] dhe do ti fut në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu[120] e, tek Allahu është shpërblimi më i mirë.”[121]

196. Mos të të mashtrojë bredhja e atyre që mohojnë nëpër botë![122]

197. Ajo[123] është një kënaqësi e pakët, pastaj streha e tyre e fundit do të jetë xhehenemi, shtrati më i keq!

198. Kurse ata të cilët i frikësohen Zotit të tyre[124] do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, si mikpritje nga Allahu[125]. Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.[126]

199. Padyshim se nga ithtarët e Librit ka të atillë që besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve[127], si dhe atë që u është shpallur atyre.[128] Që kanë frikë Allahun[129] dhe nuk i këmbejnë ajetet e Tij me ndonjë vlerë të paktë.[130] Ata do ta kenë shpërblimin[131] te Zoti i tyre.[132] Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari.[133]

200. O ju, që keni besuar[134]! Bëni durim[135], kalojani armikut në durim[136], qëndroni në vigjilencë[137] dhe kijeni frikë Allahun,[138] që të shpëtoni![139]

-76-

————————————————————-

[112] Veprat e mira që keni bërë në dynja.

[113] Të gjithë ju, o besimtarë, meshkuj e femra, keni të njëjtin gjykim në shpërblim, dhe Allahu nuk ia humb mundin askujt prej jush, qoftë mashkull apo femër.

[114] Lanë popullin e tyre mohues dhe njerëzit e tyre, vetëm për Hir të Allahut dhe iu bashkuan vëllezërve të tyre besimtarë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

[115] Flitet për emigruesit mekas, të cilët u dëbuan nga idhujtarët kurashit prej Mekës.

[116] U dëmtuan dhe u torturuan nga idhujtarët vetëm e vetëm se besuan të Dërguarin e Allahut dhe atë që i shpallej nga Allahu.

[117] Në Rrugë të Allahut.

[118] Që u vranë në luftë, që ranë dëshmorë.

[119] Do t’ua fshij të këqiat dhe do t’ua fal ato.

[120] Për besimin, qëndrueshmërinë dhe veprat e tyre të mira.

[121] I cili nuk mund të përshkruhet nga askush, sepse atë nuk e ka parë askush, nuk e ka dëgjuar kush dhe nuk mund t’i shkojë në mendje askujt.

[122] Allahu i drejtohet të Dërguarit të Tij, por ka për qëllim të gjithë besimtarët, që të mos mashtrohen me bredhjen nëpër botë dhe kënaqjen me të mirat e botës, të atyre që mohojnë Allahun dhe luftojnë fenë e Tij dhe besimtarët, sepse sado që të arrijnë ata prej kënaqësive dhe të mirave të dynjasë, ato përsëri janë shumë pak dhe të përkohshme, mbarojnë shumë shpejt dhe pastaj i pret dënimi i përhershëm. Kurse besimtarët, megjithë krenarinë dhe të mirat që u jep Allahu në dynja, ata do të kenë shpërblimin më të mirë dhe më të përhershëm në xhenet. Madje edhe sikur besimtarët të vuanin e të bënin jetë të keqe në dynja, në krahasim me shpërblimin e botës tjetër dhe lumturisë së pafundme, vuajtja e tyre në dynja do të konsiderohej si dhuratë në formën e vuajtjes, prandaj në ajetin në vijim Allahu thotë: “Ajo që gjendet tek Allahu është më e mira për të mirët.”

[123] Kënaqësia e dynjasë.

[124] Duke iu bindur Atij dhe duke punuar për kënaqësinë e Tij.

[125] Dhe nga bujaria e mirësia e Allahut ndaj tyre.

[126] Për ata që ishin zemërmirë e të dëlirë dhe si rrjedhojë edhe veprat dhe fjalët e tyre ishin të mira dhe në bindje ndaj Allahut. Shpërblimi i këtyre tek Allahu është shumë më i mirë se kënaqësitë e përkohëshme të atyre që mohojnë në dynja.

[127] Atë që ju ka shpallur Allahu juve, o muslimanë, nëpërmjet të Dërguarit të Tij, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e allahut qofshin mbi të!), Kuranin dhe traditën e të Dërguarit.

[128] Atë që u është shpallur vetë atyre prej Librave të Allahut: Teurati, Inxhili, Zeburi.

[129] I binden dhe i nënshtrohen Allahut.

[130] Nuk i shtrembërojnë ato që u janë shpallur në Librat e Allahut, qoftë në lidhje me përshkrimin e Muhamedit dhe profetësisë së tij, apo me të gjitha ligjet dhe gjykimet e Allahut që përmenden në to. Por, ata i nënshtrohen të vërtetës dhe i binden Allahut në ato që i ka urdhëruar apo ndaluar, dhe nuk ndjekin epshet dhe dëshirat vetjake.

[131] Për veprat dhe bindjen e tyre ndaj Allahut.

[132] Të ruajtur te Zoti i tyre për ta marrë atë në ditën e Kiametit.

[133] Shpejtësia e Allahut në llogari është: se Atij nuk i shpëton asgjë më e vogël prej punëve të tyre, si para se të veprojnë apo pas veprimit, kështu që nuk ka nevojë t’i numërojë ato dhe të vonohet duke i numëruar. Ai është i Gjithëdijshmi.

[134] Allahun, të Dërguarin e Tij, Muhamedin dhe atë që i është shpallur atij nga Allahu.

[135] Në fenë tuaj dhe në bindjen ndaj Zotit tuaj. Durimi përfshin lënien e gjynaheve, kryerjen e obligimeve dhe durimin në fatkeqësi, dhe Allahu urdhëron për të bërë durim në të gjitha këto.

[136] Bëhuni më të durueshëm se armiku dhe vazhdoni me këmbëngulje në durim, në mënyrë që ta mposhtni armikun tuaj dhe të ngrini lartë Fjalën e Allahut.

[137] Në ruajtjen e kufijve të muslimanëve nga ku mund të hyjë armiku.

[138] Ruajuni kundërshtimit të urdhrit të Tij apo shkeljes së ndalesave të Tij.

[139] Që të shpëtoni nga dënimi i zjarrit dhe të fitoni të mirat e xhenetit dhe lumturinë e përhershme, gjë e cila nuk mund të arrihet veçse me këto treja: me durim, këmbëngulje në durim më shumë se armiku dhe vigjilencë.

 

SURJA EN NISA

(Surja 4, Medinase, 176 ajete)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

1. O njerëz! Ruajuni Zotit tuaj,[140] i Cili ju ka krijuar prej një njeriu (Ademit), pastaj prej atij krijoi bashkëshorten e tij[141] dhe prej atyre dyve përhapi shumë burra e gra. Ruajuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella[142] dhe ruani lidhjet farefisnore[143]. Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.[144]

2. Jepuni jetimëve pasurinë e tyre[145] dhe mos e këmbeni të ndyrën me të pastërtën[146]. As mos e hani pasurinë e tyre duke e përzierë me pasurinë tuaj,[147] sepse me të vërtetë, ky është gjynah i madh.[148]

3. Në qoftë se keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve[149], atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër.[150] Por nëse keni frikë se nuk do të mbani drejtësi,[151] atëherë mjaftohuni me një grua ose me ato që i keni nën pronësinë tuaj.[152] Kjo është më afër mosbërjes padrejtësi.[153]

4. Dhe jepuni grave dhuratën e kurorës (mehrin) që u takon[154], por nëse ato me dëshirën e vet[155] u falin diçka prej saj[156], atëherë shijojeni atë që u ka ardhur pa lodhje dhe t’ju bëjë mirë![157]

5. Mos ua jepni mendjelehtëve[158] pasurinë tuaj, të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese për ju[159], por ushqejini nga ajo,[160] vishini[161] dhe u thoni atyre fjalë të mira.[162]

6. Vërini në provë jetimët[163] deri sa të arrijnë moshën e pubertetit. Nëse vëreni pjekuri[164] tek ata, dorëzojani pasurinë e tyre! Dhe mos e përdorni atë duke e shpërdoruar para se ata të rriten![165] Kush është i pasur, të ruajë dëlirësinë[166], ndërsa kush është i varfër, të marrë sipas rregullit[167]. Kur t’ua dorëzoni pasurinë e tyre[168], merrni dëshmitarë me këtë rast. E, Allahu është i mjaftueshëm si llogaritës.[169]

-77-

——————————————————-

[140] Ruajuni dënimit të Zotit tuaj, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, sepse ju nuk mund ta duroni dënimin e Tij. Kini frikë Zotin tuaj, sepse Ai ju ka krijuar, ju furnizon, ju mban, ju jep jetë dhe tek Ai do të ktheheni.

[141] Havanë, të cilën e krijoi nga një prej brinjëve të Ademit (alejhi selam).

[142] Kur kërkoni të drejtat tuaja tek njëri-tjetri, i kujtoni atij Zotin, sepse e dini se ai e madhëron Zotin në zemrën e vet dhe nuk mund ta kthejë atë që i kërkon për Hir të Allahut.

[143] Mos i shkëpusni lidhjet familjare dhe farefisnore, sepse kjo është e drejta e caktuar nga Allahu. Pra, njeriu duhet të kujdeset për të drejtat e Allahut, të drejtat e vetes dhe të drejtat e njerëzve duke filluar nga më të afërmit e tij prej tyre.

[144] O njerëz, dhe i sheh të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet tuaja, ato që shfaqni dhe ato që fshehni, prandaj kujtoni mbikëqyrjen e Tij dhe kini turp nga Ai, duke qenë të devotshëm ndaj Tij.

[145] Kjo është porosia e parë e Allahut në këtë sure, që lidhet me të drejtat e krijesave, dhe pikërisht me jetimët, të cilët kanë humbur baballarët e tyre në moshë të mitur dhe nuk mund të kujdesen për vetveten. Allahu urdhëron që jetimëve t’u jepet pasuria e tyre që kanë trashëguar apo fituar, kur ata të jenë rritur, të jenë pjekur dhe të jenë të aftë për manaxhimin e pasurisë së tyre. Kurse para kësaj kohe, kujdestarët e tyre nuk duhet t’u afrohen pasurisë së jetimëve që kanë nën kujdestari veçse në mënyrën më të mirë dhe në dobi të jetimit, njësoj sikur ta kishte pasurinë e vet, apo edhe më i kujdesshëm.

[146] Mos hani pasurinë e jetimëve që e keni haram dhe të lini pasurinë tuaj që e keni hallall, si dhe mos e ndërroni mallin tuaj të keq me mallin e mirë të jetimit.

[147] Me qëllim që të hani prej pasurisë së jetimit, ndërkohë që nuk jeni në nevojë për të ngrënë prej saj.

[148] Ngrënia e pasurisë së jetimit padrejtësisht është gjynah i madh. Nëse dikush që ka në kujdestari një jetim është në nevojë dhe merr nga pasuria e jetimit, ai duhet ta shënojë atë me qëllim që t’ia kthejë menjëherë sa t’i jepet mundësia, sepse ajo që merr është borxh.

[149] Ndaj grave që janë jetime dhe ju keni frikë se nuk u jepni dhuratën e martesës (mehrin) që u takon, apo silleni padrejtësisht ndaj tyre nga që nuk ju pëlqejnë, atëherë mos u martoni me to, por martohuni me gra të tjera, me të cilat u lejohet martesa dhe që ju pëlqejnë.

[150] Ky është kufiri i numrit të grave me të cilat mund të martohet një burrë dhe t’i ketë njëherësh në kurorë, nëse ai i ka mundësitë fizike dhe financiare për këtë gjë, si dhe me kusht që të mbajë drejtësi mes tyre nga ana materiale dhe nuk është kusht drejtësia nga ana shpirtërore, siç është dashuria për to.

[151] Nëse keni frikë se nuk do të mbani drejtësi mes grave tuaja, kur martoheni me më shumë se një grua, ashtu si keni frikë se nuk mbani drejtësi ndaj jetimeve, atëherë martohuni vetëm me një grua.

[152] Që i keni blerë me pasurinë tuaj, që janë robëresha të blera apo lufte.

[153] Ndaj grave dhe animit nga njëra prej tyre.

[154] Me ligj nga Allahu, që e ka caktuar Allahu dhe e ka bërë detyrim për burrin që t’ia japë gruas për martesë.

[155] Jo të detyruara dhe as të imponuara por me dëshirën e vet të plotë.

[156] Prej mehrit, prej dhuratës së kurorës.

[157] Sepse e keni hallall. Ajeti argumenton se mehri për martesë u takon grave dhe se ai është pronë e tyre me të cilën ato veprojnë si të dëshirojnë, përderisa kanë arritur moshën madhore, kurse prindërit apo kujdestarët e grave nuk kanë të drejtë në mehrin e grave që kanë nën kujdestari, përveç nëse vetë ato nga me dëshirën e tyre u dhurojnë diçka prej mehrit.

[158] Atyre që nuk dinë ta përdorin pasurinë dhe që e shpërdorojnë atë për shkak të të papjekurisë apo të ndonjë të mete mendore.

[159] Për të përmbushur nevojat e jetës në dynja dhe për të kryer obligimet fetare.

[160] Nga pasuria e vetë jetimëve.

[161] Aq sa u duhet për të plotësuar nevojat jetësore dhe detyrimet fetare.

[162] Nëse jetimët kërkojnë pasurinë e tyre nga kujdestari i tyre, ai duhet t’u premtojë me të mirë e butësi se do t’ua japë atë kur të rriten e të piqen.

[163] Duke u dhënë një sasi të vogël të hollash për të parë se si do të veprojnë me to dhe nëse janë pjekur apo ende jo.

[164] Pjekuri mendore dhe pjekuri në përdorimin e pasurisë.

[165] Ky është një veprim që bëhet nga shumë prej kujdestarëve të jetimëve, të cilët nuk e kanë frikë Allahun dhe nuk kanë mëshirë as dashuri për jetimin që u është besuar. Këta e shfrytëzojnë periudhën kur jetimët janë të vegjël për të shpërdoruar pasurinë e tyre padrejtësisht dhe pa pasur nevojë, prandaj Allahu i ndalon ata nga ky veprim.

[166] Duke u mjaftuar me pasurinë e vet, pa e prekur pasurinë e jetimit.

[167] Të marrë nga pasuria e jetimit aq sa ka nevojë dhe ta shënojë atë në formën e borxhit.

[168] Kur kujdestarët e jetimëve t’ua dorëzojnë jetimëve pasurinë e tyre.

[169] Allahu mjafton si dëshmues për dorëzimin e pasurisë nga kujdestari i jetimit tek jetimi.

7. Meshkujve u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit e tyre dhe po kështu, edhe grave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit dhe të afërmit e tyre,[170] qoftë ajo pak apo shumë; një pjesë e detyruar.[171]

8. E nëse në ndarjen e trashëgimisë janë të pranishëm edhe të afërmit[172], jetimët dhe të varfrit, jepuni edhe atyre diçka prej saj[173] dhe thuajuni fjalë të mira.[174]

9. Le të druhen ata të cilët sikur të lënë pas vete fëmijë të mitur, brengosen për ta, kështu që të kenë frikë Allahun[175] dhe të thonë fjalë të drejtë.[176]

10. Vërtet, ata të cilët e hanë në mënyrë të padrejtë pasurinë e jetimëve, nuk fusin në barqet e tyre veçse zjarr dhe do të përvëlohen në zjarr flakërues.[177]

11. Allahu ju porosit për fëmijët tuaj[178]: mashkullit i takon sa pjesa e dy femrave[179]; nëse trashëgimtarët janë vetëm femra[180], më shumë se dy[181], atyre u takon dy e treta e pasurisë së trashëguar nga i vdekuri dhe nëse është vetëm një, asaj i takon gjysma[182]; kurse për prindërit e të vdekurit[183], secilit prej tyre i takon një e gjashta e pasurisë së trashëguar, në qoftë se ai ka lënë fëmijë[184]; e nëse nuk ka fëmijë dhe trashëgohet nga dy prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta[185]; por nëse ai ka vëllezër[186], nënës së tij i takon një e gjashta[187]. Këto ndahen pas kryerjes së ndonjë testamenti që ka lënë i vdekuri apo larjes së ndonjë borxhi[188]. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit apo fëmijët tuaj![189] Ky është detyrim i caktuar nga Allahu. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.

-78-

—————————————————————

[170] Në kohën e injorancës paraislamike, arabët nuk u bënin pjesë në trashëgimi grave dhe fëmijëve, por vetëm burrave. Por Allahu Mëshirëplotë dhe i Urtë, u bëri pjesë të detyruar trashëgimie të gjithëve, burrave dhe grave, fëmijëve dhe të rriturve, siç do të sqarohet në ajetet në vijim. Përmendim këtu që Allahu i ka dhënë rëndësi të madhe trashëgimisë dhe ndarjes së saj në mënyrë të drejtë, prandaj edhe i ka përmendur në mënyrë të detajuar dhe të plotë të gjitha pjesët që i takojnë secilit prej trashëgimtarëve të atij që vdes dhe lë pas trashëgimtarë e pasuri. Prej këtu, tema e trashëgimisë është një temë e plotësuar dhe e vulosur, në të cilën nuk ka diskutime nga dijetarët e Islamit, por detyra e tyre në këtë temë është që t’ua sqarojën dhe t’ua mësojnë atë njerëzve.

[171] E drejtë e ligjshme dhe e bërë detyrim nga Allahu.

[172] Ata të afërm që nuk kanë pjesë të detyruar në trashëgiminë që lë i afërmi i tyre i vdekur, apo që janë eliminuar për shkak të ekzistëncës së trashëgimtarëve më të afërm me të vdekurin, siç është i biri i tij, etj.

[173] Jepuni diçka nga pjesa juaj, ose atë që u është lënë me testament nga i vdekuri që para se të vdesë.

[174] Nëse nuk mund t’u japin gjë, atëherë të paktën t’u flasin fjalë të mira dhe të mos i fyejnë e të mos i ofendojnë.

[175] Kujdestarët e jetimëve në kujdestarinë që u është besuar.

[176] T’u flasin jetimëve dhe të varfërve njësoj sikur të ishin fëmijët e tyre dhe të mendojnë që sikur të vdesin dhe t’i lënë fëmijët e tyre të mitur, do të mbesin jetim njësoj si ata.

[177] Ky është kërcënimi më i madh që ka ardhur në Kuran për gjynahet, gjë e cila tregon për shëmtirën e ngrënies së pasurisë së jetimëve padrejtësisht, dhe se kjo vepër është nga gjynahet e mëdha.

[178] Allahu ju porosit dhe ju urdhëron që, kur të vdesë dikush prej jush dhe të lërë pas fëmijë, meshkuj e femra, ndarja e trashëgimisë duhet të bëhet në mënyrën e përshkruar në vijim.

[179] E gjithë trashëgimia e të vdekurit i takon fëmijëve të tij meshkuj e femra, përderisa nuk ekzistojnë trashëgimtarë të tjerë që u takon pjesë e detyrueshme, siç janë prindërit e të vdekurit dhe bashkëshortja e tij, e në këtë rast, në fillim ndahet pjesa e tyre, pastaj pjesa e mbetur ndahet mes bijve dhe bijave të të vdekurit në raport 2 me 1. Bijtë e bijve të të vdekurit nuk kanë pjesë nëse i vdekuri ka lënë bijë të tij.

[180] Nëse i vdekuri ka lënë pas vetëm bija apo bija të bijve.

[181] Edhe nëse janë dy, kanë të njëjtin gjykim: u takon dy e treta e trashëgimisë. D.m.th. është për qëllim të thuhet se pjesa që u takon dy apo më shumë bijave të lëna pas nga i vdekuri është e njëjtë dhe nuk shtohet nëse ato janë më shumë.

[182] Nga ajeti kuptohet që nëse i vdekuri ka lënë vetëm një bijë si dhe një apo më shumë bija të bijve të vet, atëherë bijës së vet i takon gjysma e pasurisë, kurse bijës apo bijave të birit u takon një e gjashta, për t’u plotësuar kështu 2/3 e trashëgimisë që Allahu ka përcaktuar për bijat apo bijat e bijve të të vdekurit.

[183] Për babanë dhe nënën e të vdekurit.

[184] Fëmijë të vetë apo të bijve të vet, qoftë një apo më shumë.

[185] Kurse pjesa tjetër e pasurisë, d.m.th. 2/3 e saj, i takon babait të tij. Rregulli bazë në ndarjen e trashëgimisë është hadithi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili thotë: “Jepuni pjesën e caktuar me ligj (nga Allahu) atyre që u takon, pastaj pjesa e mbetur i takon mashkullit më të afërm me të vdekurin.” [Buhariu dhe Muslimi].

[186] Prej babe e nëne, ose vetëm prej babe apo vetëm prej nëne, meshkuj qofshin apo femra, që marrin pjesë trashëgimie apo që eliminohen nga ekzistenca e babait të të vdekurit apo gjyshi i tij, por me kusht që të jenë dy apo më shumë, kurse po të jetë vetëm një vëlla, pjesa e nënës nuk zbret nga një e treta.

[187] Kurse pjesa e mbetur i takon babait të të vdekurit.

[188] Pas vdekjes së njeriut, fillohet menjëherë me larjen e borxheve të tij nga pasuria që ai lë pas, pastaj zbatohet testamenti që ai mund të ketë lënë dhe pjesa e mbetur ndahet si trashëgimi për ata që u takon. Është përmendur testamenti para borxhit megjithëse borxhi është para testamentit në radhitjen e të drejtave, për t’i përkushtuar kujdes atij, sepse testamentin nuk e pëlqejnë trashëgimtarët e të vdekurit, sepse u pakëson hisen e tyre në trashëgimi, dhe mund të neglizhojnë në zbatimin e tij. Vlera e lejueshme e testamentit është që të mos i kalojë 1/3 e të gjithë pasurisë, dhe ai i lihet një njeriu që nuk është trashëgimtar i të vdekurit, pra që nuk ka pjesë në trashëgimi, përndryshe, trashëgitarit nuk lejohet që t’i lihet testament nga pasuria e trasheguesit të tij.

[189] Sikur ndarja e trashëgimisë të lihej në dorën tuaj, do të shkaktohej dëm i madh që nuk e di veçse Allahu, për shkak të mangësisë që ka mendja e njeriut dhe mosnjohjen e asaj që është e mirë për të, prandaj Allahu e ka ndarë vetë trashëgiminë dhe ju duhet ta zbatoni atë.

12. Juve ju takon gjysma e pasurisë së lënë pas nga bashkëshortet tuaja[190], nëse ato nuk kanë fëmijë. Por, nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta e asaj që kanë lënë ato, pas kryerjes së ndonjë testamenti që ato kanë lënë apo larjes së ndonjë borxhi. Kurse atyre (bashëkshorteve) u takon një e katërta e pasurisë së lënë nga ju, nëse ju nuk keni fëmijë, e nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta e asaj që keni lënë, pas kryerjes së ndonjë testamenti që keni lënë apo larjes së ndonjë borxhi. Nëse i vdekuri, qoftë burrë apo grua, nuk ka baba dhe as fëmijë trashëgimtarë[191], por ka vëlla ose motër (prej nëne)[192], çdonjërit prej tyre i takon një e gjashta, e nëse janë më shumë se një, atëherë ata janë ortakë[193] në një të tretën (e trashëgimisë),[194] pas kryerjes së ndonjë testamenti apo larjes së ndonjë borxhi, pa dëmtuar askënd[195]. Kjo është porosi[196] nga Allahu! Allahu është i Gjithëdijshëm[197], i Durueshëm[198].

13. Këto janë kufijtë e vendosur nga Allahu,[199] e ai që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij[200], Allahu e fut atë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.[201]

14. Ndërsa kushdo që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe i shkel kufijtë e vendosur nga Ai, Allahu e fut atë në zjarr, ku do të qëndrojë përgjithmonë dhe do të ketë dënim poshtërues.[202]

-79-

———————————————-

[190] Pas vdekjes së tyre.

[191] Nuk ka baba apo gjysh dhe as fëmijë apo fëmijë të bijve që ta trashëgojnë pasurinë që ai lë pas vdekjes së tij.

[192] Kurse pjesa e vëllezërve apo motrave prej babe e nëne, apo vetëm prej babe, përmendet në ajetin e fundit të kësaj sure.

[193] Të gjithë kanë pjesë të barabartë, qofshin meshkuj apo femra.

[194] Vëllezërit dhe motrat prej nëne nuk kanë pjesë në trashëgimi përveç rastit kur i vdekuri nuk lë pas fëmijë, apo fëmijë të bijve, meshkuj apo femra, dhe as baba apo gjysh.

[195] Prej trashëgimtarëve, borxhlinjve apo atyre që u është lënë testament, por duhet bërë ndarja e rregullt ashtu si e ka përcaktuar Allahu i Madhëruar, me dijen dhe urtësinë e Tij absolute.

[196] Urdhër nga Allahu dhe besë e marrë nga ju.

[197] E di se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për krijesat e Tij, dhe e di se kush prej të afërmve të të vdekurit meriton të marrë pjesë në trashëgimi dhe kush jo, dhe se ai që meriton pjesë, sa duhet të jetë pjesa që meriton, etj, etj.

[198] Ndaj krijesave të Tij; nuk nxiton në ndëshkimin e atyre që e ndajnë padrejtësisht trashëgiminë e të vdekurit, duke i bërë pjesë të fortëve dhe të pasurve dhe duke lënë mënjanë të dobtit dhe të varfërit prej trashëgimtarëve të të vdekurit. Por padyshim se Ai do t’ua japë atyre dënimin e merituar.

[199] Këto rregulla të përcaktuara më sipër në lidhje me ndarjen e trashëgimisë, janë kufijtë e vendosur nga Allahur për të ndarë mes bindjes ndaj Tij dhe mes kundërshtimit të Urdhrit të Tij, për të qëndruar tek ato dhe për të mos i shkelur ato.

[200] Në gjithçka që urdhërojnë apo ndalojnë.

[201] Shpëtimi nga zjarri i xhehenemit dhe fitorja e xhenetit, ku do të qëndrojë përgjithmonë.

[202] Qëndrimi përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit do të jetë për ata që vdesin duke qenë mohues, mosbesimtarë, kurse ata që vdesin duke qenë besimtarë por që kanë vepruar të këqia për të cilat meritojnë dënimin e Allahut, edhe nëse Allahu i dënon ata në zjarr, nuk do t’i lërë përgjithmonë në të, por do t’i nxjerrë nga ai dhe do t’i fusë në xhenet.

15. Kundër atyre grave tuaja[203] që bëjnë tradhti bashkëshortore, kërkoni të dëshmojnë katër burra prej jush[204]; nëse dëshmojnë, atëherë mbyllini në shtëpi deri sa t’u vijë vdekja[205] ose Allahu t’u japë rrugëdalje tjetër.[206]

16. Ata të dy prej jush[207], që e kryejnë këtë vepër, përdhosini[208], por nëse pendohen[209] e përmirësohen[210], atëherë largojuni atyre[211]. Allahu është Pranues i madh i pendimit[212], Mëshirëplotë.[213]

17. Pendimi që pranon Allahu[214] është vetëm ai i atyre, të cilët e veprojnë të keqen nga padija[215] dhe pendohen së shpejti.[216] Këtyre ua pranon Allahu pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm,[217] i Urtë.[218]

18. Dhe nuk është pendimi për ata të cilët vazhdimisht veprojnë të këqia, deri sa ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, pastaj thotë: “Unë tani me të vërtetë pendohem!”, dhe as për ata të cilët vdesin duke qenë mohues.[219] Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.[220]

19. O ju, që besoni![221] Nuk ju lejohet që t’i trashëgoni gratë në mënyrë të dhunshme[222], dhe mos i pengoni ato nga martesa[223] me qëllim që t’ua merrni një pjesë të asaj që ua keni dhënë[224], përveç nëse bëjnë ndonjë turp të hapur.[225] Jetoni e silluni me to[226] sipas rregullit.[227] E, nëse i urreni ato, ndodh që të urreni diçka, por Allahu të japë hajër të madh në të.[228]

-80-

————————————————————–

[203] Të martuara dhe me burrë apo vejusha.

[204] Prej muslimanëve të drejtë.

[205] Ky ishte dënimi i tyre në fillim të Islamit, një dënim i përkohshëm, deri sa Allahu caktoi gurëzimin deri në vdekje për të martuarit që bëjnë kurvëri dhe goditjen me shkopinj dhe dëbimin për të pamartuarit që bëjnë kurvëri.

[206] Dënim tjetër nga ai i mbylljes në shtëpi. Dhe vërtet, Allahu caktoi gurëzimin për të martuarit dhe goditjen me shkopinj për të pamartuarit më parë, si dënim për kryerjen e veprës së shëmtuar të kurvërisë.

[207] Mashkulli dhe femra që bëjnë kurvëri.

[208] Poshtërojini me fjalë fyrëse dhe goditini me dorë. Kështu ishte dënimi i burrave që bënin kurvëri në fillim të Islamit, kurse dënimi i grave ishte që të burgoseshin në shtëpitë e tyre.

[209] Për mëkatin e bërë dhe kthehen tek Allahu me pendim e kërkim të faljes.

[210] Shfaqen prej tyre vepra të mira e të devotshme të cilat tregojnë për sinqeritetin e tyre në pendim.

[211] Mos i ndëshkoni më tutje dhe mos i fyeni.

[212] Të atyre që bëjnë gjynahe dhe i kthehen Atij me pendim dhe kërkim të faljes.

[213] Dhe Bamirës i madh, nga bamirësia e të Cilit është se Ai u jep sukses atyre që të pendohen tek Ai dhe Ai ua pranon pendimin atyre dhe i fal ata për veprat e këqia që kanë bërë.

[214] Pendimi i Allahut ndaj robërve të Vet është dy llojesh: suksesi që Ai i jep robit mëkatar për t’u penduar dhe pranimi i këtij pendimi nga robi i Tij që pendohet. Këtu, Allahu njofton se e drejta e njeriut për t’ju pranuar pendimi nga Allahu, është një e drejtë për të cilën Allahu është zotuar, nga mirësia dhe bujaria e Tij, ndaj atyre që veprojnë të keqen –d.m.th. gjynahet, dhe pastaj pendohen menjëherë tek Allahu.

[215] Nga padija për përfundimin e saj, për shkaktimin e zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut për të, për shikimin dhe mbikqyrjen e Allahut kur vepron të keqen dhe çdo gjë tjetër, për shkaktimin e dobësimit të besimit prej saj, për dënimin e caktuar nga Allahu për të, i cili mund të jetë deri me vdekje. Çdo njeri që shkel urdhrat e Allahut, konsiderohet i padijshëm sipas këtij këndvështrimi, edhe pse mund ta dijë se ajo vepër është e ndaluar, madje dija për ndalimin e një vepre është kusht që personi të dënohet për kryerjen e saj, sepse nëse nuk e di se ajo është e ndaluar, ai nuk ka dënim për kryerjen e saj. Përderisa njeriu shkel urdhrat e Allahut, ai është injorant, i paditur.

[216] Para se t’u vijë vdekja dhe para se t’u humbë arsyeja, sepse Allahu e pranon e pendimin e robit të Vet përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt, por nëse i vjen shpirti në fyt dhe ai sheh vdekjen, atëherë pendimi i tij nuk pranohet më. Shembull për këtë është rasti i Firaonit në kohën e Musait (alejhi selam), i cili kur u mbyt nga deti dhe pa vdekjen me sy, tha: “Unë besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Israilit, dhe unë jam prej të dorëzuarve Allahut!” [Junus, 90] Por Allahu ia ktheu atij: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!” [Junus, 91].

[217] Allahu di gjithçka dhe e di se kush prej robërve të Tij i kthehet Atij me pendim të sinqertë dhe me bindje ndaj Tij, pasi i kishin kthyer shpinën bindjes ndaj Tij.

[218] Veprave të Tij nuk i ndodh ndonjë e metë dhe as nuk u përziehet ndonjë gabim, por Ai e vendos gjithçka në vendin e vet, me dijen dhe urtësinë e vet absolute.

[219] Këtyre Allahu nuk ua pranon pendimin, sepse gjendja në të cilën janë këta kur e shprehin pendimin, nuk është gjendje pendimi, por gjendje e humbjes së mendjes dhe arsyes, dhe shikim i vdekjes me sytë e tyre, dhe siç ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): “Me të vërtetë, vdekja ka agoni!” [Buhariu] Agonia është: gjendje e rëndë e njeriut në çastet e fundit të jetës, që shoqërohet zakonisht me humbjen e vetëdijes dhe me grahma.

[220] Në botën tjetër, në zjarrin e xhehenemit.

[221] Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

[222] Nuk ju lejohet që të martoheni me dhunë me gratë e të afërmve tuaj që vdesin dhe lënë pas gratë e tyre. Kjo ishte një vepër që bëhej në kohën e injorancës paraislamike: kur një gruaje i vdiste burri, atëherë i biri apo i afërmi i tij kishte epërsi mbi të, më shumë se vetë ajo mbi vetveten, dhe nëse donte, e merrte për grua, e nëse donte, e pengonte që të martohej me dikë tjetër dhe as vetë nuk e merrte për grua, por e linte kështu deri sa të vdiste. Allahu ia ndaloi robërve të Tij këtë gjë, ua ndaloi atyre martesën me gratë e baballarëve të tyre të vdekur dhe ua ndaloi pengimin e tyre nga martesa me dikë tjetër.

[223] Me dikë tjetër, me të cilin ato duan të martohen.

[224] Dhuratën e martesës që u ka dhënë babai apo i afërmi juaj kur është martuar me to.

[225] Kurvëri apo sjellje të keqe e fyerje ndaj burrit të saj të vdekur. Në këtë rast lejohet pengesa e tyre nga të martuarit me burr tjetër, si ndëshkim për veprën e bërë.

[226] Me gratë tuaja.

[227] Ashtu si ju kam urdhëruar: ose t’i mbani dhe t’u jepni të drejtat që ua ka caktuar Allahu mbi ju, ose t’i lëshoni me të mirë dhe pa i dëmtuar.

[228] Prandaj mbani ato, zbatoni ligjet e Allahut dhe rregullat e Tij kundrejt tyre, sepse ndoshta Allahu u jep hajër të madh me këtë gjë, siç është shpërblimi në durimin dhe zbatimin e ligjeve të Tij, dhurimi i ndonjë fëmije të hajrit prej saj, i cili ju bën dobi në këtë botë dhe në botën tjetër, e të mira të tjera që nuk i di veçse Allahu.

20. Në qoftë se dëshironi të merrni një grua dhe të ndani një tjetër[229], të cilës i keni dhënë shumë të madhe[230], mos merrni asgjë prej saj. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?!

21. Si mund t’ia merrni atë, kur ju keni arritur njëri-tjetrin[231] dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?[232]

22. Mos u martoni me ato gra, me të cilat kanë qenë martuar baballarët tuaj, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar.[233] Vërtet, kjo është vepër e turpshme, e neveritshme[234] dhe rrugë e keqe.[235]

23. Juve ju është ndaluar martesa me nënat tuaja,[236] me bijat tuaja, me motrat tuaja, me hallat tuaja, me tezet tuaja, me bijat e vëllezërve, me bijat e motrave, me nënat tuaja që ju kanë dhënë gji, me motrat tuaja nga gjiri[237], me nënat e grave tuaja, me vajzat e grave tuaja që gjenden nën kujdestarinë tuaj[238], nëse me ato gra keni pasur marrëdhënie bashkëshortore; por nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesë për ju[239]. Ju ndalohet gjithashtu martesa me gratë e bijve tuaj, që janë prej gjakut tuaj,[240] si dhe që të bashkoni dy motra nën kurorë,[241] përveç rasteve që tashmë kanë kaluar[242]. Pa dyshim, Allahu është Falës i madh[243], Mëshirëplotë.[244]

-81-

———————————————————–

[229] Kjo është e lejuar për ju dhe nuk përbën ndonjë gjynah, përderisa veproni sipas ligjeve të vendosura nga Allahu dhe jo me qëllim që ta dëmtoni atë, por asnjë gruaje mos i merrni asgjë nga dhurata dhe pasuria që u keni dhënë.

[230] Si dhuratë për martesë, si mehër. Nga ky ajet kuptohet se lejohet që mehri që i jepet gruas si dhuratë martese të jetë shumë e madhe pasurie, por megjithatë tradita e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) është që mehri të jetë sa më i lehtë.

[231] Keni prekur njëri-tjetrin dhe keni kryer marrëdhënie intime me njëri-tjetrin.

[232] Në aktin e martesës u keni dhënë besën tuaj se do t’i mbani mirë, ose do t’i lëshoni sipas rregullit dhe pa i dëmtuar.

[233] Para Islamit dhe para zbritjes së Kuranit, disa njerëz trashëgonin gratë e baballarve të tyre, që nuk ishin nënat e tyre, por Allahu ua ndaloi këtë vepër dhe ua fali atë që kishte kaluar prej tyre, përderisa ata u kthyen nga ajo vepër, besuan të Dërguarin e Allahut dhe ju bindën urdhrit të Allahut.

[234] E urryer nga Allahu dhe nga njerëzit.

[235] Sepse kjo është prej zakoneve të injorancës paraislamike, të cilën Islami e rrëzoi dhe e rrënoi, për të vendosur ligjin hyjnor, drejtësinë absolute, rrugën e lumturisë në të dyja botët.

[236] Ky ajet dhe ajeti pas tij, përmendin të gjitha gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të gjakut, për shkak të qumështit të gjirit apo për shkak të krushqisë, si dhe gratë me të cilat martesa është e lejuar.

Gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të gjakut, janë ato shtatë gra të cilat i përmend Allahu në këtë ajet: 1. Nëna –dhe këtu përfshihet gjyshja, gjyshja e gjyshes, e sado që të ngjitet-, 2. bija –këtu përfshihet edhe bija e bijës, e sado që të zbresë-, 3. motra –qoftë prej babe dhe nëne, apo vetëm prej nëne, apo vetëm prej babe-, 4. halla –çdo motër e babait apo e gjyshit, e më lart-, 5. tezja –çdo motër e nënës apo e gjyshes, e më lart-, 6. bijat e vëllait –apo bijat e fëmijve të vëllait, e kështu-, 7. bijat e motrës –apo bijat e fëmijve të motrës, e kështu. Këto janë gratë që ndalohen për shkak të gjakut dhe fisit, kurse të tjerat përveç këtyre, janë të lejuara që të martohesh me to, siç është bija e xhaxhait dhe e hallës, apo bija e dajës dhe e tezes. Për këtë ka unanim në mesin e dijetarëve të Islamit, bazuar në këtë ajet dhe në ajetin vijues ku thuhet: “Ndërsa përveç këtyre, juve ju janë lejuar të gjitha gratë”.

Kurse nga gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të qumështit të gjirit, Allahu ka përmendur këtu nënën nga e cila ke pirë qumësht dhe motrën prej gjiri, me të cilën ke pirë gji nga e njëjta nënë. Por këtu kuptohet se edhe babait prej qumështi nuk i lejohet martesa me bijën e tij prej qumështi, e cila ka pirë gji nga gruaja e tij, qumështi i së cilës ka ardhur si rezultat i lindjes së fëmijës së tij. Pra, fëmija që pi qumësht nga një grua tjetër, përveç nënës së tij, bëhet fëmijë prej qumështi i asaj nëne dhe i burrit të saj, si dhe fëmija që ajo nënë ka në gji, bëhet vëlla apo motër e këtij fëmije që pi qumësht prej saj, dhe kështu, martesa mes këtyre është e ndaluar në Islam, madje, nga qumështi ndalohen të gjitha apo martesa që ndalohen edhe nga gjaku, siç ka thënë Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), por me kusht që pirja ë qumështit të ketë qenë të paktën pesë herë, dhe mosha e fëmijës të jetë nën dy vjeç, siç është sqaruar në traditën pejgamberike.

Ndërsa gratë me të cilat ndalohet martesa për shkak të krushqisë janë katër: 1. Gratë e baballarëve –sado që të ngjiten: gratë e gjyshërve, e kështu-, 2. gratë e bijve prej gjaku –sado që të zbresin: gratë e bijve të bijve, e kështu-, 3. nënat e bashkëshorteve (vjehrrat) –sado që të ngjiten: nëna e nënës, e kështu-, 4. bija e gruas –sado që të zbresë: bija e bijës së gruas, e kështu.

[237] Me të cilat keni pirë gji nga e njëjta nënë.

[238] Apo që nuk gjenden në kujdestarinë tuaj, por ky kufizim ka ardhur nga që zakonisht kur martohesh me një grua që ka fëmijë vajzë, ajo e merr me vete edhe vajzën e saj, dhe ajo vajzë bëhet njësoj sikur të ishte vajza e burrit të dytë, për nga dispozitat.

[239] Që të martoheni me vajzat e tyre. Pra, nëse burri bën aktin e martesës më nënën e vajzës dhe shkon me të (kryen marrëdhënie intime), atëherë nuk i lejohet më kurrë vajza e saj, edhe nëse i bën divorc të ëmës. Por nëse nuk shkon me të ëmën dhe e divorcon atë para se të bashkohen në shtratin bashkëshortor, i lejohet atij që të kërkojë dorën e vajzës së saj dhe të martohet me të. Kurse e anasjellta nuk është e lejuar: d.m.th. nëse burri bën kontratë martese me vajzën, atij nuk i lejohet më kurrë që të martohet me nënën e saj, edhe sikur ta divorcojë vajzën e saj para bashkimit me të në shtratin bashkëshortor. Rregulli është ky: “Kryerja e marrëdhënieve bashkëshortore me nënat i bën të ndaluara bijat e tyre, kurse thjesht akti me bijat i bën të ndaluara nënat e tyre.”

[240] Dhe jo me gratë e bijve të adobtuar, që nuk janë bijtë tuaj prej gjaku, sepse nëse biri i adobtuar e ndan gruan e tij, i lejohet babait të tij adobtues që të martohet me të.

[241] Që të mbash dy motra njëherësh nën kurorë është e ndaluar, por nëse e ndan njërën ose ajo vdes, lejohet martesa me motrën e saj. Po kështu, Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar edhe që të bashkosh mes gruas dhe hallës apo tezes së saj nën një kurorë.

[242] Para se të vijë Islami me ligjet e tij hyjnore, në të cilat njerëzimi gjen lumturinë e përhershme.

[243] I gjynaheve të robëve të Tij, kur ata i kërkojnë falje Atij për gjynahet e bëra dhe kthehen tek Ai me pendim.

[244] Për ata që i binden Atij prej krijesave të Tij.